Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/05/09

Kiço Mustaqi: Unë, minoritari që m’u besua kreu i mbrojtjes shqiptare


“Kiço Mustaqi, ministri i Mbrojtjes midis dy sistemeve”, është libri më i fundit i shkrimtarit Albert Zholi, që i kushtohet njërës prej figurave më të rëndësishme të regjimit komunist. I privilegjuar nga rasti dhe rrethanat, Kiço Mustaqi, djaloshi me origjinë greke, mbriti në majat më të larta të ushtrisë e të udhëheqjes plotike të vendit, duke shkruar një histori sa të çuditshme, aq edhe të pazakontë. E bekuar nga Enveri, kreshentua e karrierës së tij, ndërpreu shkëlqimin e vet në kapërcyllin e sistemit, duke e transformuar kreun e mbrojtjes së vëndit në rojen e  një fabrike në Athinë. I rikthyer në Tiranë, pas gati dy dekadash mërgimi, Kiço Mustaqi mendon se është koha të shkruajë e dëshmojë për jetën e tij ashtu siç ka rrjedhur, duke besuar se ka shumë për të thënë e për të treguar nga ato që shumëkush nuk mundej t’i shihte dot nga kaq afër. Vitet në krahë të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Ramiz Alisë e Prokop Murrës, ishin sa të lavdishme dhe tronditëse, me të papritura e kurthe që fshinin si me magji njerëz të fuqishëm, që deri dje kishin bërë histori në krye të shtetit. Kiço Mustaqi kreu për tetë vjet me radhë detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshmë, pas një karriere të suksesshme gati në tërë gjeografinë e Shqipërisë. Nga korriku 1990 e deri në prill 1991 ishte ministër i Mbrojtjes, periudha më e vështirë kjo e ushtrisë shqiptare, që përkon me ndërrimin e sistemeve. Në vitin 1993 doli në pension dhe u largua drejt Greqisë, si shumë shqiptarë të tjerë, në kërkim të një jete më të mirë. Për vite me radhë ka jetuar mes Tiranës dhe Athinës, por së fundi është kthyer në rezidencën e vjetër. Ka ndërruar Athinën me Tiranën edhe pse në xhepin e brendshëm mban një pasaportë ku shkruhet “ÅëëÜäá”. “Me pasaportë shqiptare apo greke, shprehet Mustaqi, unë jam një qytetar i lirë…”

Peca, vendlindja
Peca, vendlindja ime, është një fshat i vogël në Shqipërinë e Jugut, i cili gjendet pas Qafës së Muzinës dhe kryqëzimit të rrugëve nacionale Sarandë-Delvinë. Shtrihet mes kodrash të bukura, ku gjelbërimi nuk largohet në asnjë stinë. Pak më poshtë fshatit gjendet një ndër mrekullitë e ujëdaljeve apo burimeve madhore të Shqipërisë, “Syri i Kaltër”, sot një pikë turistike. Në vitet e vegjëlisë, s’kisha mundur të shkoja asnjëherë në Sarandë apo Delvinë, edhe pse për bukurinë e tyre dëgjoja çdo ditë. Aso kohe fëmijët nuk lëviznin prej fshatit, por edhe të rriturit e gjezdisur dhe që kishin parë botë, ishin të paktë. Jeta e tyre ish e thjeshtë, e lidhur aty rreth e rrotull shtëpisë, pas tokës, bimëve dhe bagëtisë. Delvina dhe Saranda ishin aq afër, po atëherë ngjanin si në fund të botës dhe mua më dukej një ëndërr magjepsëse ideja se një ditë mund t’i shihja me sytë e mi.
Vitet e luftës
Fshati Pecë është ndër fshatrat që u lidh shumë ngushtë me Luftën Nacionalçlirimtare. Idetë komuniste u përhapën shumë shpejt, ndoshta edhe nga që  xhaxhai im Andoni, që punonte në Durrës u dërgua të përcillte këto ide në zonën e minoritetit të Delvinës. Nga ky fshat i vogël me 40-45 shtëpi (atëherë), dolën shumë vajza e djem  partizan. Gjithmonë e kam patur për nder dhe jam krenar që jam nga ky fshat. E aq me tepër për xhaxhain tim Andonin (ndjetë pastë) që mori pjesë në këtë luftë. Në luftë mori pjesë dhe motra ime Eleni, që u martua me partizanin Sali Pronjari. Kushërira ime e parë, Kleopatra që u martua  me Llambi Premtin (partizan). Pikërisht nga këto qëndrime fshati u dogj nga gjermanët. Kur forcat gjermane filluan djegiet ne u hodhëm në fshatin Krongj, përballë Syrit të Kaltër për t’i shpëtuar  rrezikut. Por dhe këtu provuam  bombardimin  me artileri  të gjermanit. Isha vetëm 6 vjeç. Mbaj mend që na futën në qilarë dhe për mua, me që mbeta djalë i vetëm pas 4 motrave, tregohej një kujdes i skajshëm. Aq shumë e kishin mendjen tek unë  sa që motra e vogël  Katerina mbeti në katin e dytë, lozte me xhamat e thyer dhe aty nga fundi i bombardimeve  u kujtuan për të. Mua më mbulonte nëna me trupin e saj për të më shpëtuar. Kushëriri im Koço Korini  humbi gjysmën e veshit në luftë (ndjesë  pastë, më vonë ishte mjek në spitalin Ushtarak). Situata pas mbarimit të Luftës u bë edhe më e rëndë, sepse u shtuan djegia e shtëpisë, grabitja e bagëtive e të tjera vuajtje, por diçka  u lehtësua se morëm pak tokë nga reforma agrare. Rreth 2-3 vjet qëndruam në shtëpitë e Rexhatëve, ato nuk ishin djegur. Pas çlirimit babai filloi të shtonte bagëti (dele, dhi, lopë) bletë dhe nga që i donte shumë e i kulloste  mirë, ato shtoheshin . Aty nga viti 1950-1952 kishim rreth 35-40 kokë dhi e dele, 5 – 6 lopë etj.
Në shkollën e Kuçovës
Në mes të kësaj varfërie, nën dritën e kandilit e të pishës kaluam shtatë klasat e shkollës. Sapo dilnim nga shkolla do vërshonim drejt lopëve apo shelegëve, prandaj dhe përpjekjet tona më të mëdha u bënë për një jetë më të mirë, përpjekje që synonin për t’u larguar nga fshati. Koncepti i babait ishte ndryshe. Ai mendonte dhe më thoshte mos ik nga fshati, se këtu është pasuria. Ja u bë një luftë, çfarë do të hani në qytet? Çdo gjesh në fshat atëherë, kur nuk ke lënë një bazë? Këto mendime nuk janë fare pa baza se  nja dy fshatarët e mi që para lufte  (1939) kishin shkuar në Athinë, pas disa vitesh,  nga papunësia e uria u kthyen në fshat. Ata kishin pak prona. (Por po të mendojmë këtë tani, me ligjin 7501, çfarë do të gjejmë ne po të kthehemi në fshat?! Këto nuk i kupton njeri tani veç atyre që kanë grabitur  tokat e të tjerëve.) Mirëpo duke patur këtë koncept babai vetëm me fjalë më thoshte, mos ik nga fshati, por as më ndihmonte, as më rrihte të mendoja ndryshe se kishte dhimbjen e thellë të Mihalit që vdiq. Në këto kushte  unë vetë në moshën 10-13 vjeç shkoja dhe vija  në këmbë nga fshati në Delvinë e pastaj në Sarandë me lutje e letra  nëpër duar për t’u shkolluar. Me ndihmën e xhaxha Andonit, pas 3 vjetëve  na u aprovua 10 djemve  të fshatit bursa që të shkonim në një shkollë teknike  në Qytetin Stalin (Kuçovë).
Rruga për oficer
Në Kuçovë më zuri mosha, kur më kërkuan për ushtar. Meqenëse plotësoja kushtet, nga dega ushtarake e Beratit mu bë thirrja për në Shkollën e Bashkuar. Nuk kam patur ndonjë nostalgji për ushtarak. Presionet e prindërve dhe të shoqërisë në Kuçovë i kisha që të mos shkoja për oficer. Pastaj ai 6001-njëshi i 1956-s, e bëri të pasigurt rolin e oficerit. Kjo pasiguri ndihej kudo, prandaj dhe kisha shumë kërkesa e lutje nga shoqëria e prindërit të mos shkoja. Në këto rrethana mendova se Dega Ushtarake mund të hakmerrej për mospranimin dhe më këpuste  një e në kufi ose në flotë dhe nuk më ndahej 3-vjeçari në ushtri. Kështu që mendova, se në shkollën e Bashkuar do të jem në mes të Tiranës, ku në fund të shkollës mbetem në klasë dhe kthehem andej nga erdha. Por më shkonte në mendje edhe për tek TEC-i i Tiranës. Mirëpo aty nga mesi i vitit  të parë mendova ndryshe. Po të ngelesha në klasë, shokët, fshatarët do thoshin, shkoi dhe Kiçua për oficer, por mbeti në klasë… I shkreti, vetëm për punëtor bën ai ose të kullosë  delet në fshat. Vendosa… Dreqi ta hajë do durojë çdo vështirësi dhe po u bë ndonjë  6001-sh, tjetër (u bë 900 -ësh në 1966) TEC-et në vend janë. Ndoshta  (më kaloi ndër mend) mund të më çojnë atje nga ku erdha. Në këtë mënyrë  ju futa  mësimeve dhe përpjekjeve për të dalë oficer. Më pëlqenin degët profesionale si në transport, në tanke por ato u plotësuan e aty shkuan ata që kishin ndonjë  mik. Përpjekjet për to më shkuan kot, sepse vija nga profesion mekaniku. Por në këto degë lëvronte miku. Miku.. Ku kisha mik unë i gjori, biri i një fshatari, që as emri si dihej? Dy muajt e parë bëmë punime e riparime në shkollë. Në kohën e lirë shikonim më të vjetrit, që stërviteshin nëpër vegla. Habitesha me zhdërvjelltësinë e tyre. Kjo më nxiti dëshirën për t’u marrë me fizkulturë dhe me sporte. Shfrytëzoja çdo pushim mësimi e studimi vetëm për kalitje fizike. Nuk më pëlqenin njerëzit që sa hipnin në vegla binin për tokë. Kjo më dukej si më e vështira, por me përpjekje gjithë studimet e stërvitjet i përfundova me sukses.
Beg Tena, idhulli im 
Idhulli im në Shkollën e Bashkuar  ishte Beg Tena, një djalë i ri i drejtë i pashëm, korrekt i përgatitur shumë mirë, kërkues i madh, serioz, me edukatë, i përpiktë në rregullat ushtarake, që tre vjetët e shkollës me cilësinë e komandantit të togës na rrinte pranë nga zgjimi  deri sa na zinte  gjumi. Atëherë kisha dashur  të merrja çdo gjë prej tij por nuk munda. Por një pjesë munda t’ia “vidhja”. Edhe sot i heq kapelën dhe përkulem në shenjë respekti  para tij. Unë ruaj konsiderata  të veçanta  për Q. Kapisuzin, Enver Begën, Shefin e Shtabit, M. Mishaxhiu, Andon Llaçin. Kujtoj Hasan Xhemon zëvendës komandantin  e togës, Panajot Pullën, një djalë i shkëlqyer, i zgjuar, i guximshëm e me kurajë, me të cilin jetuam për tre vjet në një skuadër etj. Mes këtyre shokëve të etur për dije, plot vullnet dhe pasion për punën, unë mora shumë gjëra që më vlejtën në jetë. E sot ndjej respekt e mirënjohje të veçantë për ta.
Pas diplomimit në Shkollën e Bashkuar 
Në vitin 1960 e mbyllëm betejën me shkollën e bashkuar “Enver Hoxha” dhe na u hap rruga për të shërbyer në ushtrinë popullore si oficer. Fillimisht në shtator të vitit 1960 me urdhër të ministrit të Mbrojtjes Popullore, Beqir Ballukut, emërohem komandant  toge  në regjimentin e motorizuar me komandant kompanie Xhemil Beqo dhe Adem Shishka, komandant batalioni. Tre muaj punova  në këtë repart, pastaj mora transferimin  tjetër. Por dhe në këto tre muaj mësova se si të normoj punën nga komandant Adem Shishka. Fillimisht bëmë përgatitjet për fillimin e vitit të ri stërvitor. Me ushtarët e togës do zbukuronim një pjesë të sheshit të repartit me plisa që i prisnim  larg rreth 200 m. Me sy u caktova si normë 40 plisa çdo ushtari, atë normë që ata e plotësuan për tre orë. Kërkuan pushim për tre orët e tjera. Të nesërmen u dhashë dyfishin. Por në atë moment zbriti komandanti i batalionit A. Shishka.  Pasi i  raportova, ai më thotë: Jo nuk caktohet ashtu norma, prandaj do marrësh ushtarët me mjetet e punës të shkosh tek vendi i nxjerrjes, të kthehesh këtu  e të vendosim përsa minuta do ta bëjnë, vajtje-ardhje. Pastaj lëru dhjetë minuta pushim në çdo orë dhe del norma. Ushtarët e dëgjuan dhe megjithëse ecnin  ngadalë na doli që secili për gjashtë orë stërvitje (punë) të transportonte 170 copë  nga 40 që u kisha caktuar unë. Edhe sot nuk e  harroj metodën e normimit të punëve dhe bashkë me të Adem Shishkën.
Në Tropojë. 
Pas mbarimit të Akademisë, fundi i vitit 1966 dhe fillimi i vitit 1967 më gjeti pikërisht si oficer në Tropojë. Dy vjetët e para isha në detyrën e Shefit të Shtabit të Brigadës Sulmuese dhe në vitet 1968-1969 me detyrën e komandantit të po kësaj Brigade, pasi u largua ish komandanti Ibrahim Çela. Brigada thuajse ishte në formim e sipër, sepse forcat e saj po zëvendësoheshin me kontingjente të reja për të përballuar stërvitjet e sforcuara dhe në kushte shumë të vështira të terrenit e të motit. Këto njësi ushtarake u vendos që të bënin programin e zbuluesve  Një batalion e kishim në Cernicë afër Bajram Currit, një në Lekbibaj dhe tjetri në Iballë të Pukës. Në këto dy të fundit shkohej në këmbë, sepse nuk kishte rrugë makine. Ato tre vjet që punova në Tropojë nuk mbaj mend që të kishim  ndonjë dimër pa dëborë (nga fundi i tetorit  deri në mars) prandaj dhe ishim  të detyruar që të vepronim në këto kushte të vështira. Si rregull në çdo stërvitje batalioni, që bëhej shtatë ditë rresht në dimër e shtatë ditë në behar, do të shkonim gjithë oficerët e brigadës dhe secili prej nesh ishte çdo ditë pas një toge apo kompanie duke zhvilluar stërvitje. Në darkë dhe gjatë natës me dëborë kishim të drejtë të ndiznim zjarre dhe të flinim bashkë me ushtarët rezervist vetëm me kapotë. Batanija dhe çadrat na ndaloheshin. Këto rregulla i zbatonim një për një, na dukej sikur syri i ministrisë po na shikonte neve. Nuk e di se nga na vinte kjo ndërgjegje në mes të gjithë këtyre vështirësive, por mendoj se edhe nga kërkesa e komandantit Ibrahim Çela, e komisarit Meto Metaj, të cilët pa fjalë shumë por në mirëkuptim dhe me shembullin, e tyre vepronin si shokë, pa asnjë privilegj më tepër për vete. Si ushtari dhe oficeri  njëlloj. Në fund të stërvitjeve do të shkonim në shtëpitë tona me buzët e çara e zërat e ngjirur nga të ftohtit. Para stërvitjes së çdo batalioni detyrimisht do të merrte pjesë komandanti ose shefi i shtabit të Brigadës për të ndjekur stërvitjen nga afër. Veçoria tjetër është se do marshoje në këmbë 4-5 orë e më shumë në dëborë e në të ftohtin e madh. Kur kishte shumë dëborë merrnim shoqërues edhe 2-3 rezervistë për të çarë me radhë dëborën. Asnjëherë për shkaqet e këtyre vështirësive, nuk është anuluar ndonjë stërvitje, por dhe asnjëherë nuk ka mbetur pa pjesëmarrjen tonë.
Në Vaun e Dejës. 
Në verën e vitit 1969, me vendim të sekretariatit të KQPPSH, emërohem  komandant i Brigadës të Këmbësorisë në Vaun e Dejës, Shkodër. Meqenëse  nga vjeshta do të kishte  stërvitje komanda shtabi nga MMP, Tefik Ruçi, komandanti i Korpusit të Shkodrës, një njeri kërkues, i aftë teorikisht e praktikisht, që njihte mirë stërvitjet e mëdha e të vogla do t’u dilte situatave të ardhshme përpara, duke provuar komandat e shtabet. Ai mbërriti në Tropojë, më bëri komunikimin e emërimit tim, më mori me vete në makinën  e tij dhe aty për aty në një copë letër formuloi detyrën e Brigadës Këmbësorisë të Tropojës, i dha alarmin e i dërgoi detyrën. Priti sa u ngritën  çadrat e para, u informua shkurt nga komanda  e shtabi, i la të vazhdonin  detyrën  dhe u nisën  për në Brigadën e Këmbësorisë në Kukës. Njësoj si në Tropojë, në makinë brenda formuloi detyrën dhe veproi si me brigadën e Tropojës. Brenda natës të njëjtën gjë bëri dhe me shtabin e BrK të Vaut të Dejës, e cila u vendos në një pyll  të vogël mbi kodrat e Vaut të Dejës.  Bashkë me Tefikun marshuan nga Kukësi në shtabin e brigadës, bëri prezantimin tim, mori raportimet e para dhe na la të vazhdonim zgjidhjen e detyrës deri  në fund. Këtë hyrje e bëra për të treguar aftësitë e Tefikut, që përpara një stërvitjeje komando-shtabi nga ministria, për të mos u gjendur në befasi i shkundi njëherë shtabet e tij, për të përgatitur sa të ishte e mundur  më mirë dhe sidomos mua që isha i ri në atë detyrë, por dhe ndonjë tjetër që ndërronte brigadën. Në këtë detyrë që vazhdoi deri më 1974 mora ngarkesa  më të mëdha si në fushën e stërvitjes ashtu edhe në atë të gatishmërisë në veçanti.
“Si u bllokua radiogrami që i nisa Beqir Ballukut”
Një ekip nga Ministria me Muhamed Prodanin si kryetar, na dhanë sinjalin e alarmit për shtabin e brigadës dhe forcat e gatshme. U kontrolluam nga aparati i ministrisë dhe rezultatet me ndonjë përjashtim ishin të mira. Për të parë gatishmërinë e shtabit të brigadës, Tefiku dhe Muhamedi erdhën dhe u kthyen, se duhet të bënin  50-70 metra në këmbë ngaqë  rruga ishte bllokuar nga diga e hidrocentralit të Vaut të Dejës që po ngrihej. Pasi të kalonin këto metra rrugë me baltë dhe të prishur nga diga, rruga do të ishte e lirë. Por ata s’pranuan të kalonin mes baltës. Që do të vinin këta dy ushtarakë të lartë nuk e mora vesh më parë. Kur përfundoi alarmi na lanë të lirë dhe unë shkova në shtëpinë e oficerëve në Shkodër, ku i gjeta të dy këta (Muhamed, Tefik) duke ngrënë, I takova me atë ndrojtjen që kishim në atë kohë. Ju afrova të raportoja diçka nga stërvitja e alarmi, por Tefiku  ma priti menjëherë me egërsi e i inatosur dhe më jep urdhrin e prerë që të nesërmen të bllokoja punimet e digës që ata të kalonin të qetë. Për këtë mora dhe vërejtjen, që nuk i kisha bllokuar më parë punimet. Muhamedi nuk foli fare. As që bëhet fjalë për t’i dhënë dorën njëri-tjerrit. U mundova të sqaroja ndonjë gjë, por ishte e pamundur. E more vesh urdhrin, nisu, ik më tha. U mendova  mire, por ky urdhër ishte i  pazbatueshëm. Të nesërmen  ekipi dhe komandanti i korpusit u nisën për Kukës e Tropojë të provonin gatishmërinë e tyre. Unë shkova në shtabin e Korpusit i bëra një radiogram Beqir Ballukut, se kisha marrë këtë urdhër dhe nuk e zbatoja, duke i kërkuar lejen Ministrit për bllokimin e digës. Shifranti i Korpusit duke parë se  kishte të bënte me komandantin ky radiogram, ja thotë shefit të shtabit Maliq Sadushit, i cili e bllokoi, nuk e la të transmetohet  (është e ndaluar të bllokosh radiogramet sidomos kur ato kanë probleme, por mua nuk më interesonte më tej, sepse kërkoja leje për moszbatim urdhri). Me kthimin e Tefikut nga Tropoja, ja dhanë radiogramin. Ai e pa me inat. Pastaj u ballafaquam, unë, Tefiku dhe Elham Kondo komisar e sekretar i Korpusit. Siç e kishte zakon Tefiku filloi sulmin, duke më akuzuar se nuk kisha zbatuar urdhrin e kisha penguar gatishmërinë. Edhe unë i kërkova prerë, që, ose tërhiq urdhrin që më ke dhënë, ose vetëm atëherë unë do të heq radiogramin. Në të kundërtën, i thashë, transmetojeni se nuk ke të drejtë të ndalosh ndërtimin e digës, për këtë çështje. Unë do të pres lejen e ministrit (Beqir Ballukut). Pas këmbënguljes time tensionet u zbutën, urdhri u tërhoq dhe siç e kishte zakon Tefiku na tregoi  një nga ato barsoletat ruse, që i mbante mënd shumë mirë dhe gjithnjë i kish të reja. Por në ushtri ndodhte shpesh të kishte një frymë autoritarizmi nga disa kuadro edhe pse ai luftohej. Ndonjëherë ata që e pësonin tërhiqeshin po vetë prej frikës së më të mëdhenjve. Njëherë, një komandant brigade i qendrës në Shkodër, (N.J), kur bënin gjimnastikën e mëngjesit u ofendua rëndë nga Tefik Ruçi. Për këtë N.J-ja i shkruan letër Hito Çakos dhe u vendos të bëhet mbledhja e komitetit të Partisë së Korpusit. Na u dha letra e studiuam dhe prisnim për diskutime. Hito Çako dërgoi Halim Ramohito të deleguar. I pari u ngrit Tefiku i ashpër e i nervozuar dhe konsideroi të padisiplinuar N.J-ën duke I thënë: nuk ke turp që i bënë letra udhëheqjes. Kulmi i frikës e karagjozllëkut të N.J-ës ishte kur na tha se Tefikun e kishte shok e mik familjar dhe shkonin aq mirë sa çdo vit të ri i çonte një tepsi me bakllava. Ç’të diskutonim ne të tjerët? Mbledhja u mbyll, por Halim Ramohitua e kritikoi Tefikun për ofendimet që i kish bërë komandantit  të Brigadës, pavarësisht nga tepsia me bakllava…

Kiço Mustaqi: Kur futesha te zyra e Ramiz Alisë, më kontrollonin me minakërkues


Në fillim të korrikut 1990 nisi vërshimi i madh nëpër ambasadat e huaja. Policia nuk mundi t’i ndalonte me gjithë përpjekjet dhe masat e marra. Në atë situatë të vështirë u kërkua ndërhyrja e ushtrisë, e cila e ndaloi me sukses dhe pa gjakderdhje këtë dhunim të rezidencave të ambasadave të huaja në Tiranë, duke u krijuar mundësi lëvizje dhe veprimi personelit të ambasadave që ishin bllokuar. Them me bindje se në atë kohë, po të mos kishte ndërhyrë ushtria, ambasadat e huaja do të ishin shkatërruar plotësisht, pasi masa e njerëzve të verbuar nga dëshira për t’u larguar në drejtim të Perëndimit, nuk përmbaheshin. Tirana, Shkodra, Durrësi, Kavaja, etj., ishin mbushur me qytetarë të egërsuar, të cilët vetëquheshin atëherë “forca anarkiste”. Pak nga pak këto forca anarkiste u shtrinë në të gjithë vendin, duke shkaktuar edhe krime. Në këto kushte, ndërsa forcat anarkiste vetëm grabisnin, digjnin dhe përdhunonin, frika dhe paniku kishin arritur kulmin. Njerëzit, që nga anëtarët e qeverisë e deri tek qytetarët e thjeshtë e ndjenin veten të sigurt vetëm pas patrullave ushtarake që mundoheshin të ruanin rendin. Megjithatë, këto forca anarkiste ishin ende të paorganizuara. Hapja e ambasadave në 2 korrik 1990 solli shumë pështjellim. Si kundërveprim u bë  mitingu i madh në sheshin “Skënderbej” ku foli Xhelil Gjoni. Në këtë miting ata që u futën në ambasada u konsideruan fundërrinat e kombit. Ende nuk mendohej për ndryshime politike. Ndryshimi i sistemeve nuk u paraqit as  nga Ramiz Alia si një nevojë,  për të marrë masat e duhura  dhe të vepronin me organet dhe me njerëzit, që ndryshimi pastaj të vinte gradualisht e më i zbutur. . Mirëpo ajo ashpërsi me të cilën u fol në miting, për mendimin tim, tregon se ishte vendosur që gjendja duhej përballuar me masa më të ashpra. Në mbrojtje të ambasadave  doli Shkolla e Bashkuar dhe shkolla e oficerëve rezervistë e Zall Herit, pastaj edhe ajo e Vaut të Dejës.
Ushtria në ditët e vështira 
Pas ngjarjeve të 2 korrikut, ushtria mori urdhër që të ruante TVSH, ministritë, Bankën dhe disa objekte të tjera të rëndësishme. Ajo ishte ngarkuar ndërkaq të furnizonte me ushqim zonat Veri-Lindore për shkak të kushteve të vështira që ishin krijuar dhe të mbronte ç’kishte mbetur ende pa u shkatërruar. Po kështu ushtrisë, ju dha për ruajtje porti i Durrësit. Kjo u bë me qëllim që të sigurohej ardhja e ndihmave nga Evropa. Portet e tjera pothuajse nuk ekzistonin fare. Kështu u sigurua ndihma e dhënë nga Italia dhe shtetet e tjerë evropianë. Duhet theksuar, se po të kishte ndenjur ushtria duarkryq, atëherë populli do të mbetej pa bukë për arsye se në Shqipëri në atë kohë s’prodhohej asgjë dhe gjithçka vinte nga jashtë.
Urdhëri i mistershëm i Ramiz Alisë
Ramiz alia ne komanden e flotes luftarake detare
Situata e viteve 1990-91 ishte shumë e tensionuar. Pas shpërthimit të eksodit të madh, Ramiz Alia na urdhëroi për të sjellë disa brigada rezervistësh drejt Tiranës. Ndoshta donte të bënte presion për të qetësuar gjendjen e tensionuar. Sidoqoftë, unë prisja urdhërin me shkrim nga Ramiz Alia, si Komandant i Përgjithshëm, por ai nuk e bëri një gjë të tillë. Në atë kohë, shumica e komandantëve të divizioneve me të cilët komunikova për këtë punë, ishin skeptikë dhe e kundërshtuan ardhjen e këtyre brigadave në Tiranë. Po kështu edhe sekretarët e parë të rretheve. Një nga ata që e kundërshtuan ishte edhe sekretari i parë i komitetit të partisë të Tepelenës, Gramoz Ruçi. Unë, i telefonova Gramozit nisur nga shoqëria që kishim, por ai ma ktheu: Ne nuk i dërgojmë rezervistët në Tiranë, pse i kemi për të luftuar kundër armikut në kufi. Për çudi, të nesërmen Gramoz Ruçi u emërua ministër i brendshëm në qeverinë e Fatos Nanos. Disa komandantë divizionesh si në Shkodër e në Vlorë shprehën shqetësimin se këto njësi rezervistësh mund t’i kthenin armët kundër nesh, prandaj aty për aty e anulova urdhrin për mobilizimin e atyre brigadave. Përfundimisht këto brigada nuk u dërguan në Tiranë, për arsye se urdhri nuk u ligjërua me shkrim nga Komandanti i Përgjithshëm. Me kalimin e orëve, ky urdhër sikur u harrua prej Ramiz Alisë, i cili ndofta ndërroi mendje. Ndoshta edhe sepse shumica e rezervistëve nuk prisnin të mbushnin radhët e ushtrisë, ndërkohë që ata “marshonin” si refugjatë drejt Greqisë e Italisë. Mbase këtë urdhër R.A. e dha për të thënë më vonë se e shpëtoi Shqipërinë nga lufta civile. Urdhër pa asnjë objektiv e synim.
Depolitizimi i ushtrisë
Me ndryshimin e sistemeve dhe vendosjen e pluralizmt politik, lindi nevoja që të depolitizohej e departizohej edhe ushtria. Në mars të vitit 1991 bëmë studimin në të gjithë ushtrinë, përfshi edhe MMP-në e Shtabin e Përgjithshëm dhe ramë në përfundim që ushtria të depolitizohej e departizohej. Këtë studim ia dërguam KQ-së e Ramiz Alisë, i cili çuditërisht nuk e përkrahu. Them çuditërisht, sepse ai më shumë se çdokush e dinte se nuk mund të kishte ushtri të politizuar në një sistem pluralist. Në fund të marsit 1991, Ramiz Alia mblodhi gjithë komisarët e divizioneve në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore dhe që në fillim e hapi takimin duke iu thënë: “E shikoni, shokë komisarë, Kiçua nuk e do PPSH-në ushtri (me një zë si për të testuar pulsin e tyre dhe pasi të sigurohej për shumicën, ndoshta-ndoshta do të isha përgjegjës i konkluzioneve përfundimtare). Por ndodhi ajo që nuk pritej. Vetëm dy komisarë i thanë: “Si urdhëron shoku Ramiz. Ne e duam PPSH në ushtri”.
Ruajtja e portit të Durrësit
Ishte një nga detyrat më të vështira. Më bënte përshtypje se, para se portin ta merrte ushtria, Ministri i Brendshëm i thoshte shoku Ramiz: “Nuk mbrohet porti me katër policë”. Dhe unë mendoja se kjo ishte e vërtetë . Mirëpo, kur shkuam ne atje, pamë se porti i Durrësit kishte rreth  200 ushtarë të kufirit dhe 57 policë, pa llogaritur forcat e sigurimit. Askush s’mund ta shkojë ndërmend atë periudhë. Sot gjërat janë të qeta dhe ato momente vijnë si ëndrra të harruara. Ishte një kohë me mjaft probleme. Në port ishin pleksur  forcat  kundërshtare  të partive të ndryshme. Por ne vendosëm  rregulla të forta, vendosëm shumë  efektiva  e oficerë, vendosëm tanke, më tepër  për efekte psikologjik. Në port mund të futeshe vetëm me leje e firmë  të zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm. Pati ndërhyrje  për të kompromentuar njerëz nga efektivi, me qëllim që t’u mundësohej kalimi i refugjatëve, por ata u çuan në gjyq. U informova  shumë herë  se civilët i afroheshin portit vetëm për të pyetur nëse ishte e vërtetë,  se do të qëlloheshin nga ushtarët nëse tentonin të kalonin. Dhe, kur merrnin përgjigje se me kalimin e vijës së bardhë dhe pas paralajmërimit, ushtarët kishin urdhër t’i asgjësonin, ata ktheheshin të mërzitur e duke sharë. Bashkë me ne vepronin edhe forcat e policisë, që e ruanin më parë portin. Ato më tepër  pengonin se punonin. E mbanin edhe hundën përpjetë, a thua se nuk ishin ata që e lëshuan portin në anarki të plotë. Kjo ndofta vinte edhe nga fakti se komandanti i policisë ishte i afërm i një udhëheqësi të lartë. Pyeta njëherë kryetarin e degës së brendshme të Durrësit (Adriatik e quanin) se si e lëshuat portin aq lehtë, pa u gërvishtur makar një ushtar apo polic dhe ai m’u përgjigj: Kemi urdhër nga ministria që të mos qëllojmë. Në këto kushte, duke marrë parasysh edhe rrethanat e kohës, i bëra një informacion Ramiz Alis). Ku midis të tjerash  i shkruaja se konstatimi i oficerëve është se aty ku nuk e kryen mirë detyrën policia, dërgohet ushtria, ç’ka nënkuptonte se atje ku nuk e përdor armën policia, dërgohet ta përdorë ushtria. Kjo (e informoja presidentin), nuk tingëllon mirë tek oficerët e ushtrisë. Pa kaluar një orë nga marrja e informacionit, Ramiz Alia na thirri në zyrë, mua, zëvendësministrat (Halil Hyseni, Kujtim Çako e Halim Abazi) zëvëndësshefat e Shtabit Ismail Shulku, Ndriçim Karakashi, Ramadan Kamberi e Adem Dino dhe drejtorin politik, Jovan Themeli. Para se të hynim në zyrën e Ramiz Alisë, një oficer i sigurimit na kontrolloi me aparatin minakërkues mos kishim fshehur ndonjë armë! Unë isha mësuar me këtë lloj  kontrolli, pse ma kishin bërë edhe herë të tjera ato ditë, por zëvendësit dhe shefat e Ministrisë u habitën. Shefi i Shtabit më tha se të njëjtën gjë i kishim bërë edhe në kryeministri kur ka shkuar për të takuar Fatosin. Natyrisht, situatat e asaj kohe e bënin imediat forcimin e rregullave të sigurimit, por të zbatoheshin këto rregulla edhe për anëtarët  e qeverisë, dukej pak si absurde. Tani, nuk e di se përse e bënin ose për t’i dhënë rëndësi vetes, ose nga frika…
Projektligji për gjendjen e jashtëzakonshme
Nga dhjetori i vitit 1990-të, na u kërkua të përgatitnim një ligj për gjendjen  e jashtëzakonshme. Ne u përpoqëm dhe bëmë një projektligj me nja dhjetë faqe të daktilografuara. Ky ligj nuk u aprovua asnjëherë. Ia dërguam Ramiz Alisë  dhe Adil Çarcanit. Adili më mori në telefon dhe më tha “Unë jam dakord” Ndërsa Ramizi nuk na ktheu asnjë përgjigje. Dhe tani, si komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura po thoshte “gjendje e jashtëzakonshme”..Mirëpo Ushtria pa patur ligj, nuk mund ta zbatojë urdhrin  për kalimin në gjendje të jashtëzakonshme. Në gjendjen e jashtëzakonshme çdo gjë bëhet sipas ligjeve  ushtarake ku, Ministria e brendshme kalon në varësi të ushtrisë, madje edhe furnizimi me ushqim  bëhet nga repartet e ushtrisë. Ramiz Alia që e tundte atë fletën (nuk e di pse e bënte por, le ta thotë vetë), pa menduar se nuk ishte e justifikueshme gjendja e jashtëzakonshme jo vetëm nga ana ligjore. Unë kam përshtypjen se, nëse Ramiz Alia do të ishte treguar i hapur, domethënë ta diskutonte çdo problem  me Byronë Politike, me ato kuadro të partisë e të pushtetit që ishin vërtetë të pjekur në atë kohë, gjendja do të ishte shumë, shumë e zbutur dhe pa asnjë problem. Në kongresin e 10-të, kur u tha se ushtria dhe Kiçoja  mbanin përgjegjësi për situatën, unë u ngrita dhe ua hodha  poshtë, bile salla duartrokiti. Ato që shtrova ishin: A ndodhi gjë në objektet që mbronte ushtria ? Jo. Atëherë  ç’keni me mua, domethënë me ushtrinë, se pjesë e ushtrisë jam edhe unë. Më bënte përshtypje ajo kërkesa  për ta vendosur çdo gjë me anën ushtarake. Momentet nuk kërkonin masa ushtarake, por kërkonin masa politike për zbutjen e problemeve.
Plenumi në “rrethim”
Në kulmin e protestave të studentëve në Tiranë, Ramiz Alia vendosi të mblidhte  Byronë Politike e t’u parashtronte  nevojën imediate të lejimit të pluripartizmit. Fiks një orë pas pas miratimit në Byro u thirr urgjentisht mbledhja e plenumit të 13-të të KQ të PPSH.  Në plenum e mori fjalën i pari kirurgu i njohur Petrit Gaçe, i cili duke iu referuar pozicionimit të Mehmet Elezit në plenumin e 12-të, vërejti; “…tani do ta vendosim që do ta vendosim pluralizmin, atë që kundërshtuam atëherë, por tashmë nën presionin e studentëve!”.. Në mbledhje vetëm Spiro Koleka ishte kundër, i cili demonstruesit i cilësoi “rrugaçë”. Ramiz Alia na vuri para presioneve. Ai kishte caktuar sekretarin e vet Vaskë Çifligun, i cili thuajse luante rolin  e ndërlidhësit ndërmjet Ramiz Alisë  dhe demonstruesve. Kur studentët  përparonin dhe i jepnin Vaskës një pusullë, ky vinte ia dorëzonte  Ramizit dhe Ramizi e hapte  në sy të plenumit dhe thoshte: “Ja, ata po përparojnë”. Në fund ai i tha Hekuran Isait të dilte prej mbledhjes për të marrë masat e duhura për ngjarjet që po zhvilloheshin. Pastaj më tha dhe mua. “Dil edhe ti, Kiço, merrni masa”. Për mendimin tim, e gjithë kjo ishte e inskenuar, që të shtrëngohej  plenumi dhe të pranonte pluralizmin. Më bënte përshtypje puna e Vaskë Çifligut dhe Ramizi dukej  sikur thoshte: “Ta marrim vendimin tani, se nuk pret situata”. Dhe u vendos lejimi i pluralizmit. Po atë natë Ramiz Alia prêt përsëri  një përfaqësi të studentëve dhe i njohu ata, sipas buletinit të asaj date  të ATSH-së, me zhvillimin e punimeve të plenumit të 13-të  të KQ të PPSH, i cili shqyrtoi gjendjen aktuale dhe rekomandoi masat përkatëse për përmirësimin e saj. Studentë i pritën  me entuziazëm vendimet e këtij plenumi”.
Krijimi i Këshillit Presidencial 
Duket se pas rrëzimit të monumentit  të Enver Hoxhës, Ramiz Alia e kuptoi  se ishte i izoluar, prandaj vendosi që edhe formalisht  ta merrte në duart  e veta  drejtimin e pushtetit  dhe u vu në krye të një këshilli presidencial që përbëhej prej 9 vetash. Në këshillin presidencial, me përjashtim të Fatos Nanos, emri i të cilit sapo kishte nisur të shkëlqente, gjithë të tjerët, ose qenë konservatorë  të betuar, ose nuk kishin realisht asnjë lloj peshe në marrjen e vendimeve. Këshilli përbëhej, (veç Nanos) nga: Haxhi Lleshi- ish Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kleanthi Koçi-Kryetar i Gjykatës së Lartë, Kiço Blushi shkrimtar, Lufter Xhuveli- pedagog kryetar i Partisë Agrare, Rexhep Meidani-pedagog, Minella Dalani, gazetar në pension, Xhenet Muço, ushtarak. Menjëherë pas krijimit të tij, Këshilli Presidencial lëshoi një deklaratë, ku kërcënonte se do të shpallej gjendja e jashtëzakonshme, nëse nuk vendosej rendi dhe qetësia publike. Të nesërmen e rrëzimit të monumentit u hapën fjalë se efektiva të shkollës së Bashkuar do të marshonin për në qendër të Tiranës, ku do të rivendosnin shtatoren e diktatorit që ndodhej në oborrin e shkollës. Duhet theksuar se kjo nuk mund të ishte një iniciativë  spontane, aq më tepër në një shkollë  të tillë ushtarake, ku nuk diskutohej  disiplina e hekurt. Në një thirrje të efektivave të shkollave ushtarake të Tiranës drejtuar presidentit, partive politike dhe gjithë popullit, thuhej në fund se me përmbajtjen e thirrjes u njohën komandat e shkollave ushtarake dhe janë plotësisht dakord. Kërkesa e parë e kësaj thirrje lidhej me Enver Hoxhën, për figurën e të cilit  kërkohej  që të përcaktohej  me anë të një referendumi  mbarëpopullor, dhe ajo të vlerësohej ashtu siç e do populli. Përmbajtja e thirrjes tingëllonte si ultimatum, dhe pati njerëz që kur u njohën me përmbajtjen e saj, menduan të tmerruar, se vendi po kërcënohej  realisht me puç ushtarak.                     
“Ju rrëfej urdhrin për të goditur anijen që u arratis nga Sazani”
Ishte pranvera e trazuar e vitit 1991. Bashkë me eksodin e ambasadave, në ushtri bëri bujë të madhe një ngjarje tronditëse, që na alarmoi së tepërmi. Disa nga efektivat e bazës së Vlorës rrëmbyen një anije dhe u nisën drejt Italisë. Ishte një tronditje e madhe për ministrinë e Mbrojtjes. Kur na njoftuan, anija nuk e kishte kaluar akoma ngushticën e Sazanit. Pyeta menjëherë komandantin e Flotës se çfarë mund të bënim dhe më tha se dy janë mundësitë: ose të përmbyset, ose të asgjësohet, kur të kalojë nëpër ngushticë. Se për t’u kthyer as që behej fjalë. Mundësia më e mirë ishte  të goditej me një mjet tjetër e të përmbysej. I vetmi urdhër që kam dhënë ishte të përmbysej. Komanda e bazës së Vlorës e donte me shkrim urdhrin. Ua dërguam urgjent me telegram, por nuk e zbatuan. Komisar i Bazës ishte Halil Leli, anëtar i Komitetit Qendror, ndërsa komandant një me mbiemrin Kuçana, nga Tropoja. Dikush më tha më vonë se në anije qenë edhe të afërmit e Halil Lelit. Ata pra, nuk e zbatuan urdhrin dhe anija iku në Itali. Nëpërmjet  ministrisë së jashtme i kërkuam qeverisë italiane që të kthente edhe njerëzit, edhe anijen. Shumë më vonë u kthye vetëm anija. Të nesërmen e kësaj ngjarjeje, nënshkrova urdhrin për çmobilizimin e dy ushtarakëve të lartë të Flotës Luftarake. Por ky vendim shkaktoi ngarkesa negative në gjithë opinionin e qytetit të Vlorës. Për të mos u acaruar më shumë marrëdhëniet, e revizionova vendimin, megjithëse ata e kishin hak çmobilizimin. Në fund të fundit ishin ushtarakë. Më pas i thirrëm, me mendimin që të shkarkoheshin, por të mbeteshin në Marinë. Shtabi i Përgjithshëm reagoi fort dhe më shumë më kritikuan mua, pse tregohesha liberal dhe nuk pranuan që të rishikohej vendimi. Por këtë nuk e pranoi as Halil Leli, i cili sërishmi kërkonte që të mbetej komisar. Kuçana ishte më i ashpër, duket i kishte rakorduar telat me PD-në, sepse pas 1992-shit, u bë komandant i Flotës.

Preç Zogaj: Ju rrëfej lidhjen me Sigurimin në ’75-n

Preç Zogaj.jpg






Preç Zogaj është shkrimtar dhe gazetar shqiptar.Ai lindi në Lezhë në vitin 1957. Studioi gjuhën dhe letërsine shqipe në Universitetin e Tiranës. Gjate viteve '90 ishte kryeredaktor i gazetes Koha Jone, te botuar ne Tirane.

Tituj të veprave

Emrat tuaj (1985)
E pakrye (1987)
Njëri nga ata (1987)
Vonesa (1990)
A thua do të vish duke qeshur (1989)
Shëtitorja (1990)
Finalja (2004)
Intuicionet e tranzicionit






I përfolur disa herë në media si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, politikani dhe shkrimtari Preç Zogaj rrëfen për herë të parë në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut të vërtetën e lidhjes së tij me njerëzit e policisë sekrete në vitin ’75.
“Kam qenë 18 vjeç kur iu binda operativit të gjimnazit të Lezhës për të bashkëpunuar, por asnjë prej dëshmive të mia nuk ka sjellë pasoja”, ka shpjeguar Zogaj, duke kujtuar faktin se kjo është zyrtarizuar tashmë edhe me një vendim të Gjykatës Kushtetuese të vitit 1997. Më tej, duke iu referuar kësaj historie të vjetër, ai ka sqaruar rrethanat specifike të raporteve me Sigurimin e Shtetit dhe divorcin përfundimtar me të, duke u bërë madje edhe objekt i survejimit të tij deri në vitin 1990. Sakaq, Zogaj shprehet i indinjuar për mënyrën si është sulmuar nga kundërshtarët dhe rivalët politikë për këtë episod të së kaluarës…
E keni të vështirë të flisni për të kaluarën tuaj?
Vërtet s’është e këndshme, por kur njeriu angazhohet në politikë, ka një detyrim ndaj publikut, që të jetë transparent me të, ka detyrim edhe përpara njerëzve të familjes së vet. Në këtë sens unë nuk kam pasur e nuk kam ndonjë problem të flas, aq më tepër që e kaluara ime është e ngarkuar me shumë ngjarje të rënda që lidhen me pozicionin që ka pasur familja ime gjatë regjimit komunist. E shkuara e familjes sime, e shkuara ime është e shkuara e mijëra e mijëra familjeve që e kanë paguar shtrenjtë persekutimin komunist. Jo në kuptimin e përgjithshëm që e gjithë shoqëria ka paguar, e ka paguar shumë shtrenjtë. Familja ime dhe unë vetë personalisht e kemi paguar shumë shtrenjtë. Dua të them se nuk kam asnjë problem, pavarësisht se gjithnjë kam qenë i prirur politikisht, që duke ruajtur disa principe të transparencës, njerëzit duhet të shohin përpara, kanë, si të thuash, një detyrim që të hapin rrugët e së ardhmes, sidomos ata që merren me politikë, sepse ekziston gjithmonë rreziku që shoqëria, nën shembullin e politikës, të ngelet vazhdimisht në rrethin vicioz se kush jemi, nga vijmë…
Mos vjen kjo ndoshta ngaqë ka pasur një mungesë në transparencën në përgjithësi? 
Për hir të së vërtetës, kjo shoqëri nuk ka bërë një transparencë të plotë në fillim të viteve ’90. Po, patjetër, mund të ketë pas qasje të gabuara në lidhje me të kaluarën.
Ç’do të thotë qasje të gabuara?
Ligjet, ligjet që janë bërë për lustracionin kanë qenë më shumë ligje për individë, sesa ligje për të realizuar transparencë dhe për të realizuar një ndarje të Shqipërisë nga e kaluara. Megjithëse ndarja nuk bëhet kurrë me ligj, ndarja është një akt që vjen nga brenda individëve dhe brenda shoqërisë. Unë mendoj personalisht se ndarjen më të madhe shqiptarët e kanë bërë me votë më 22 mars 1992. Kanë ardhur të tjerë njerëz pas meje që e kanë menduar se duhet ta bëjnë me ligje, me ligje që kanë të bëjnë në fokus individë. Megjithatë, ka pasur shembull, si ligji gjerman, që mund të kishte qenë relativisht shumë i mirë për Shqipërinë, që hap dosje për konsultim personal dhe orientohet nga ajo veprimtari e individëve të ndryshëm që ka prodhuar krimet e komunizmit. Është një qasje adekuate, që përputhet me synimin për të bërë ndarjet nga krimet, jo për të bërë dekonspirim, për gjueti shtrigash etj. Edhe gjermanët që kanë prodhuar benzin janë të përpiktë në këtë qasje, bëjnë një ligj që e çojnë problemin tek ai që ka marrë pjesë në një krim të komunizmit. Nuk bëjnë një ligj për të vrarë 100 veta, se aty brenda është dhe një që duhet vrarë.
A mund të shihet si një krim që një numër i caktuar njerëzish, – nuk ka një numër të saktë në Shqipëri, është folur për qindra mijëra, – kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, u kanë bërë keq njerëzve të tyre?
E para, ky nuk është një diskutim kaq i lehtë sa ç’e bëjnë duke i dhënë ngjyrë politike.
Ka pasur një shprehje para viteve ’90, që një ndër tre shqiptarë ishte bashkëpunëtor i Sigurimit…
Nuk kam të dhëna për këtë dhe nuk jam interesuar posaçërisht për të mësuar sesa kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit. Unë kam këtë qasje: e para, dokumenti më kriminal që duhej dënuar është platforma e Partisë së Punës që ka krijuar bazat dhe krijimin e rrjetit të informatorëve të Sigurimit për të bashkëpunuar për krime politike, për krime të ndërgjegjes. E gjitha kjo buron nga Partia e Punës. Ti nuk mund t’i akuzosh njerëzit apo t’i tregosh me gisht për atë që ka ndodhur, do t’i tregosh për atë që ata kanë bërë. Dhe këtu ka qenë diferenca e madhe midis asaj qasjes që kam unë dhe qasjes që kanë këta, kryesisht ish-komunistët e Partisë Demokratike. D.m.th. ti nuk mund të jesh përgjegjës për atë që të ka ndodhur, se kur ke lindur e në ç’sistem ke lindur, nuk e zgjedh ti, as për bashkëpunimin…
Por, mund të jesh përgjegjës kur ke firmosur për të bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit?
Një minutë, se dhe kjo nuk është kaq, me një të rënë të kalemit të likuidohet. Sigurimi i Shtetit, ndonëse do të gjejmë të vërtetën, mos të bëjmë propagandë, nuk është sigurimi i një vend të huaj që personi që po nënshkruan një deklaratë bashkëpunimi është duke bërë ndonjë tradhti ndaj atdheut dhe ka ndjenjën se po bën tradhti ndaj atdheut. E thërret shërbimi inteligjent i vendit të vet. Sigurimi, shërbimet inteligjente, edhe në diktaturë, edhe në demokraci, kanë bashkëpunëtorë, të cilët i afrojnë me idenë për shërbim ndaj atdheut. Ashtu si një komunist në vitet ’70, ’80 nuk mund të ketë dhe është antinjerëzore t’i kërkosh të kishte vizionin e 30 viteve më vonë, po ashtu dhe një person që ftohet për të bashkëpunuar me sigurimin e vendit të vet, pse pretendon që ai të ketë që në atë kohë vizionin e kohës që do të vijë. Ai mund të pranojë bashkëpunimin, por çfarë bën? Këtu bëhet diferenca.
Këtu bëhet fjalë për të futur njerëz në burg, z. Zogaj.
Këtu do të vij, diferenca është se ti nuk mund të kriminalizosh bashkëpunimin si akt, ti do të shqyrtosh veprimtarinë e tij.
Pra, ju nuk kriminalizoni aktin, por kërkoni shqyrtimin e veprimtarisë së tij?
Është absurde ta mendosh ndryshe, sepse nuk mund t’i dënosh njerëzit që çfarë ka ndodhur, pasi unë nuk njoh ndonjë bashkëpunëtor Sigurimi që mund të bëjë kërkesë. Mund të ketë, por  shkon sigurimi atij, i shtetit tënd, ta zëmë në vitet ’70, ’80…
Por nami i Sigurimit ishte i jashtëzakonshëm në atë kohë…
Nuk mund ta themi sot ashtu se ka pasur një tjetër qasje për shërbimet inteligjente, agjentët rinia i shikonte me sy ndryshe, jo si sot. Është e padrejtë dhe jo realiste që t’i shohësh historitë e para 30 viteve si sot. Është gjë tjetër çka sigurimi kërkon dhe tjetër se çfarë ti bën. Ti bën një pakt me veten tënde, do të punoj apo jo për interesat e sigurimit?
Kur nuk je vizionar për të bashkëpunuar me sigurimin, si mund të jesh për të punuar, apo jo? 
Patjetër, se sigurimi, kur të ofron rekrutimin, të thotë se do punosh për Shqipërinë, për vendin tënd të shtrenjtë, do të të çojmë dhe jashtë, se armiqtë e jashtëm punojnë kundër Shqipërisë. Ti mund dhe të iludohesh dhe ta pranosh si të tillë. Por kur përballesh me një kërkesë konkrete, atëherë dikush fillon e kupton që këtu është një veprimtari e ndyrë, që nëpërmjet informimit, nëpërmjet informacionit për njerëz të caktuar të ndërtohen akuza që mund të bëhen shkak që ata të shkojnë në burg. Në këtë moment është individi që në vetminë e tij përballet me këtë rrethanë: se ç’përgjigje do t’i japë operativit?
Zoti Zogaj, kur e keni filluar ju bashkëpunimin me sigurimin dhe si ka vazhduar historia?
Dua të nënvizoj që në fillim se unë nuk kam punuar asnjëherë për interesat e Sigurimit, ato interesa që përmendët ju, për të çuar njerëz në burg etj. Këtë e kam vërtetuar. E kam thënë dhe në 1992, u kam thënë miqve të mi të grupit politik të Aleancës Demokratike në vitin 1996 se në vit të tretë të shkollës së mesme të kulturës në Tiranë një operativ më kërkoi të bëhesha bashkëpunëtor i sigurimit…
Është shkruar se e keni kërkuar ju për të nxjerrë të drejtën e studimit?
Nuk mund të ndodhte ndryshe, unë isha akoma në shkollë të mesme. Kam dëgjuar histori nga qindra njerëz, dhe asnjëherë nuk ndodh që të kërkosh ti të bashkëpunosh. Është sigurimi që vjen e të kërkon, nuk ndodh asnjëherë ndryshe. Nuk mund të përgjigjesh se vjen ai, po se ç’do bësh ti. Një operativ ma kërkoi këtë gjë dhe më tregoi dhe arsyet. Isha me të gjitha 10 dhe kisha probleme në biografi. Kisha dy dajallarët e babait tim të pushkatuar, Gjin Jaku dhe Gjon Jaku, që ende nuk u dihen eshtrat. Njëri është i varrosur në Lezhë, tjetri në Rrëshën. Kam pasur dhe kushërinjtë e mi kulakë, si ish-pronarë tokash që refuzuan hyrjen në kooperativë. Nuk e njihja fare operativin…


BLENDI FEVZIU

Hans Troschel, piktori gjerman që u dënua me 30 vite burg në Shqipëri




“U ktheva në Shqipëri dy herë dhe u dënova dy herë. Herën e parë  si antifashist dhe të dytën si vegël e nazistëve.”Në ato pak shënime që ka lënë Hans Troschel, piktori gjerman që u dënua me 30 vjet burg në vendin tonë pas çlirimit, përjetimet nga ditë-netët e qelive shqiptare zënë pjesën kryesore të kujtimeve të tij. I rikthyer në Berlin në mesin e viteve ’50, falë amnistisë së përftuar nga marrëveshja historike Hrushov-Adenauer, për faljen e të dënuarve që nuk ishin përfshirë në krime lufte, i njohu të afërmit me pjesën e panjohur të jetës së tij në “Shqipërinë e largët, ku bashkëjetojnë si rrallëkund mrekullia dhe ferri”. Dy kreshpat e larta të kujtimeve nga “vendi i shqiponjave”, në kujtesën e tij ishin fiksuar dy rastet e prangosjes, fillimisht në pragun e pushtimit fashist dhe pastaj fill pas kapitullimit të Gjermanisë naziste. Hans Troschel kishte mbërritur në Shqipëri në vitin 1938, pas një përpjekje të mundimshme, vetëm e vetëm t’i shpëtonte barbarisë naziste. Streha e re, më shumë se qetësinë e kërkuar, do t’i ofronte hapësira interesante eksplorimi. Vetëm në pak muaj mysafiri nga Berlini u bë i njohur në rrethin e intelektualëve më në zë për pikturat e spikatura dhe studimet në fushën e gjeografisë. Kreshendoja e sukseseve të mikut të Eqrem Çabejit, Hasan Cekës, Ethem Carës, Omer Nishanit, Ndue Palucës dhe Vehip Hoxhës, pësoi atakun e papritur me pushtimin e vendit nga Italia fashiste. Madje jo vetëm kaq, por piktori gjerman nuk mund t’i shpëtonte ofensivës së
Çaste nga gjykimi i të huajve në Tiranë
okupatorit që ndiqte nga afër çdo përpjekje për qëndresë dhe rezistencë antifashiste. Revolta publike e Troschil-ës për mënyrën shfrytëzuese të pushtuesit ndaj pasurive të vendit, i kushtoi prangosjen e menjëhershme dhe më vonë dëbimin drejt vendlindjes. Shpërthimi nazist i Gjermanisë hitleriane e risolli sërish në Shqipëri, por këtë radhë të mobilizuar forcërisht. Piktori i mësuar me shqiptarët, sa mbërriti në Tiranë, braktisi radhët e nazistëve dhe u bashkua me miqtë e tij duke vazhduar ritualin me pikturat dhe vëzhgimet e peizazheve pafund. Vazhdoi kështu edhe pas tërheqjes së ushtrisë naziste dhe çlirimit të vendit, tanimë i bindur se kishte ardhur një realitet tjetër, pa represion dhe dhunë. Po kjo vetëm pak ditë, pasi fati i rezervoi një tjetër të papritur. Në kohën që mendonte për t’u kthyer pranë vajzës së vetme në Berlin, regjimi i Tiranës e arrestoi pabesisht, duke e degdisur në qelitë e errëta. Ajo që përjetoi Troschela gjatë seancave gjyqësore të mesit të vitit ’45, ishte një dramë e tmerrshme. E akuzuan si bashkëpunëtor të nazistëve gjermanë, pastaj si vegël që kishte punuar kundër interesave të shqiptarëve. U betua e përbetua me dhjetëra herë njeriu i penelit, se në asnjë rast nuk kishte shërbyer për pushtuesin, por ishte e pamundur t’u mbushte mendjen gjykatësve partizanë. As dëshmia e Edith Ndroqit që pohoi miqësinë e Troschelës me të shoqin dhe aktivitetin e tij në fushën e studimeve të shkencave të natyrës, nuk ndryshoi gjë në rrjedhën e procesit. Trupi gjykues i qëndroi besnik deri në fund akuzës se ai kishte qenë “vegël e verbër e okupatorit nazist” dhe se “kishte punuar kundër interesave të shqiptarëve”, duke u mbështetur vetëm në thëniet e një dëshmitari të vetëm. Sidoqoftë, vendimi i dhënë partizançe që e dënoi me 30 vite burg pati efekt vetëm pesë vjet, pasi në klimën e krijuar pas vdekjes së Stalinit, piktori i martirizuar u bë ndër përfituesit e parë të marrëveshjes që falte dënimin e të huajve të papërfshirë në krime lufte. Me riatdhesimin në Gjermani, historia e tij me sigurimin shqiptar u mbyll përfundimisht në dosjen e Gjykatës Ushtarake të Tiranës. Qoftë edhe me një shikim të përciptë të faqeve të saj, konstaton lehtësisht arbitraritetin e gjykimit dhe dënimit të Troschilës…
Pretenca e prokurorit
Hans Troschel ka ardhur në Shqipëri në vitin 1938, gjoja si turist për të bërë piktura dhe ka qëndruar këtu deri në vitin 1941. Pastaj është larguar në Gjermani, ku mbas qëndrimit atje, pikërisht me ardhjen e okupatorit gjerman në Shqipëri, vjen dhe i pandehuri gjoja si ushtar dhe më vonë bëhet civil. Dëshmitari Piri Floqi na tha se Troschela kishte dashur ta bënte spiun, duke i kërkuar të shkonte si partizan në mal e të mblidhte informata. Këtë bindje e kemi edhe ne, sepse i pandehuri është arrestuar mbasi është çliruar e gjithë Shqipëria në shtëpinë e të pandehurit Mehmet Ndroqi, ku qëndronte si ilegal, sigurisht sepse e dinte frikën e përgjegjësisë. Veprimtaria e tij si “Vegël e ndërgjegjshme e okupatorit nazist dhe në dëm të interesave shqiptare” provohet me pohimet e tij dhe të dëshmitarit Piro Floqi. Prandaj kërkojmë të cilësohet kriminel lufte dhe të ndëshkohet me 30 vite burg…
Rrëfimi i Troschelit para hetuesit
Kam ardhur për herë të parë në Shqipëri në pranverën e vitit 1938 si turist, për të bërë piktura dhe kam punuar deri në vitin 1941 në Tiranë, Shkodër e Mirditë. Gjatë kësaj kohe kam bërë punime edhe për Ministrinë e Arsimit, me porosinë e Hasan Cekës. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, kam bashkëpunuar me inxhinier Ahmet Ndroqin, Profesor Ndue Palucën, me Eqerem Çabejin, Ethem Carën, Ymer Nishanin dhe Vehip Hoxhën. Italianët më shtrënguan të largohem në Gjermani, jashtë dëshirës sime. Aty kundërshtova të regjistrohesha në Partinë Naziste dhe u detyrova të rikthehem në Shqipëri, për t’u marrë me studimin e zogjve. Desha të theksoj se në vitin 1940 jam arrestuar nga italianët, pasi deklaroja se ata donin të shfrytëzonin popullin shqiptar. Po kështu, gjatë kohës që më kthyen në Gjermani, jam burgosur 18 muaj dhe prej aty si të gjithë të burgosurit e tjerë jam mobilizuar forcërisht, pastaj si ushtar të thjeshtë më sollën në Shqipëri, duke shfrytëzuar gjuhën shqipe aq sa e zotëroja dhe faktin se kisha qenë këtu disa kohë më parë. Në Shqipëri kam ardhur i mobilizuar në shtator të vitit 1943 dhe bëja pjesë në kompaninë ajrore, e cila varej prej komandës së aviacionit. Unë këtu dëshiroja të vija, sepse kisha dëshirë të vazhdoja studimet që kisha nisur më parë dhe bashkëpunimin me miqtë shqiptarë. Më datën 8 shtator 1944 u largova nga ushtria gjermane dhe shkova në katundin Gjopalaj të Shijakut. Më vonë jam sistemuar në Teqenë e Ndroqit, në Ndroq. Prej aty erdha në Tiranë, ku më 29 nëntor 1944 jam arrestuar. Unë e theksoj se popullit shqiptar nuk i kam bërë asnjë të keqe, përkundrazi i kam bërë veç të mira. Ndërkaq, ushtria gjermane është sjellë shumë keq në Shqipëri…
Dënimi nga Gjykata Ushtarake
Gjykata Ushtarake e krahinës ushtarake të Tiranës u mblodh sot më datën 19.6.1945 në sallën e Kinema “Tomori” dhe gjykoi të pandehurin Hans Troschila, i biri i Ernestit dhe i Elisës, lindur në Berlin në 1899, i martuar me një vajzë, me arsim të lartë, profesor gjimnazi për vizatim e gjeografi, i arrestuar më 29 nëntor 1944. I pandehuri u suall nga burgu t’u pas pranë avokatin A.Totozani dhe përkthyesin nga gjermanishtja Mentor Sojli, vjeç 28. Me anën e përkthyesit, i pandehuri Hans Troschel dëgjoi aktin e akuzës prej të cilit rezulton “Vegël e ndërgjegjshme e okupatorit nazist, që ka punuar në dëm të interesave shqiptare”. Pretenca si më sipër iu shpjegua gjermanisht të pandehurit nga përkthyesi i parabetuar Mentor Sojli. Pas fjalës së avokatit A. Totozani, i cili mbrojtjen e fundit e paraqiti me shkrim, i pandehuri me anën e përkthyesit tha se shoqërohet me mbrojtësin, duke shtuar se më vjen keq që cilësohem armik i popullit, ndërsa unë nuk i kam bërë asnjë dëm popullit shqiptar, jam marrë me punime kulturore në shërbim të tij. Në përfundim të gjykimit, Hans Troschila u deklarua fajtor si vegël e verbër e okupatorit nazist që ka pasur lidhje me gjermanët dhe u dënua me 30 vite burg…
Elsa Koch, vajza nga Vjena e kryqëzuar në Tiranë
Faksimile e procesit gjyqësor
Elsa Koch, 25-vjeçarja nga Vjena, është njëra nga viktimat e procesit maratonë të qershorit ‘45 të Gjykatës Ushtarake të Tiranës. Ajo ishte kapur në 5 shtator ‘44 nga forcat e Brigadës së Pestë, në rrugën Kukës-Prizren, bashkë me shoqet e saj, Irmgart Tennius dhe Erna Shubert. Fillimisht u përball me komisionin hetimor të përbërë nga përfaqësues të ushtrisë, Këshillit Nacionalçlirimtar dhe gruas antifashiste shqiptare. Ishte ky një kalvar dhjetëmujor me qindra seanca hetimore. Në përfundim të tyre, Elsa Koch, e ulur në bankën e të akuzuarës në sallën e kinema “Tomorrit” në Tiranë, shpjegoi edhe një herë para gjykatëseve partizanë atë që kishte treguar e ritreguar me dhjetëra herë në qelitë e paraburgimit. “Unë jam e pafajshme, nuk kam bërë asgjë në dëm të popullit shqiptar. Në Shqipëri kam ardhur e mobilizuar forcërisht dhe jashtë dëshirës sime për të ushtruar profesionin e daktilografistes. Kam qenë kundër nazizmit qysh në Vjenë dhe e kam denoncuar atë si murtaja e njerëzimit, prandaj kërkoj pafajësinë për t’u kthyer pranë familjes që nuk di gjë për mua”. Të njëjtat argumente përsëriti edhe avokati i saj, Burhan Rusi, duke kujtuar sakaq kodin shqiptar të sjelljes me femrat. Shpërfillja e hapur ndaj shpjegimeve të tyre tregonte se fati i vajzës nga Vjena ishte paravendosur. Për autoritetet partizane ajo ishte një nga “veglat e pushtuesit nazist” dhe duhej ndëshkuar si e tillë. “Jam e pafajshme, e pafajshme”, shprehej e tronditur Elsa Koch me vështrim nga fytyrat e egërsuara të gjyqtarëve me uniformat ushtarake. Aty për aty përkthyesi Mentor Sojli shqiptonte klithmat e saj dhe detyrohej të ulej si i zënë në faj. Rituali i pyetje-përgjigjeve vazhdoi gjashtë ditë. Më në fund, vajza nga Vjena u njoh me verdiktin e tmerrshëm: “20 vite burg si bashkëpunëtore e okupatorit”. Qau me dënesë e protestoi gjatë, por ishte e kotë. E rikthyer në qelitë e ferrit, bëri ç’është e mundur që të sqaronte pozicionin e saj. Apeloi madje edhe për organizmat ndërkombëtarë. Një rreze shprese u ndez pas kësaj. U deshën dy vite për t’u zbardhur e vërteta. E vërteta që do t’i rikthente lirinë e bashkë me të edhe riatdhesimin pranë familjes në Vjenë…
Drama e piktorit të “Qiell dhe Ferr”
Kopertina e librit
“Qiell dhe Ferr” është libri i Karl Reddemann, bashkëpunëtor shkencor i ngarkuar për Shqipërinë në Institutin e Shkencave Gjeografike të Gjermanisë, që i kushtohet piktorit Hans Troschil. Përtej përshkrimit biografik mbi jetëshkrimin e piktorit nga Berlini, që përjetoi dramën e tmerrshme të burgjeve shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore, autori shtjellon me vërtetësi vlerat e spikatura të Troschelës si artist dhe gjeograf i dashuruar me Shqipërinë dhe shqiptarët. “Atë e përplasi jeta në kodrat më të bukura, por edhe në të gjitha thellësitë e tmerrshme të ekzistencës njerëzore”, shprehet Karl Reddemann në parathënien e librit të cilën po e botojmë më poshtë të plotë, duke iu referuar metamorfozës që përshkoi jetën e mikut të tij, i përkushtuar si rrallëkush ndaj artit të pikturës dhe studimeve gjeografike në kushte teje të vështira.
“Qiell dhe Ferr” është një qasje, një përshkrim biografik që ia kushtoj Hans Troschel, këtij piktori dhe artisti grafik, që lindi në vitin 1899 dhe vdiq në vitin 1979.
E kam realizuar atë si një nga veprat e mia më të dashura, përmes kërkimeve intensive historike, nëpërmjet pyetjeve drejtuar anëtarëve të familjes dhe miqve të tij, por edhe nga hulumtimi në dokumente arkivore e albume të shumta me fotografi e piktura të gjithëllojshme. Ajo që mund të thuhet në krye të herës për Troschelën, është pohimi se ai shfaqet si një artist që jeta e ka përplasur në kodrat më të bukura, por për fat të keq edhe në të gjitha thellësitë e tmerrshme të ekzistencës njerëzore.
Hans Troschel kaloi fëmijërinë e tij në Kinë, ku ëndërroi shumë si adoleshent. Aty nisi së pari edhe artin e pikturës. I qëlloi fati i keq që kualifikimet e mëtejshme t’i zhvillonte në ethet e luftërave globale dhe ca më keq pjekurinë artistike në traumat e Luftës së Dytë Botërore. Studimet për art i kreu në Bauhaus, në Weimar dhe në Akademinë e Arteve në Wroclaw. Pastaj filloi nga puna si mësues arti në shkollat  †e mesme pomeraneze.
Qysh në fillim u bë i njohur për pikturat e famshme me dritë e mesazhe njerëzore. Arti i tij aspironte lirinë, por si i tillë, nuk mund të mirëpritej nga autoritetet e kohës që synonin hegjemoninë dhe luftën. Pikërisht për këtë u godit që në hapat e parë. “Art i degjeneruar” do ta stigmatizonin nazistët shumicën e punimeve artistike të Hans Troschiles, të ekspozuara në Galerinë Kombëtare të Berlinit. Që këtej nisi sulmi i parë jo vetëm mbi veprat, por edhe mbi vetë atë. Mjedisi mbytës vuri kësisoj në pikëpyetje jo thjesht artin e Troschilës. Tërheqja për të ishte diçka e papranueshme. Liria dhe arti ishin mishërim i jetës së tij, për të cilat duhej bërë shumë dhe çdo ditë. Pikërisht për këtë vendosi të largohej, të ikte sa më larg, për të gjetur një strehë të qetë, për të shijuar lirinë e vërtetë. Në rrugëtimin e nisur, fillimisht mbërriti në Itali, por dhe aty nuk bëhej fjalë për liri. Prandaj mendoi të nisej sërish në rrugë. Këtë herë drejt Shqipërisë së egër e të bukur. Shqipëria i dha një tjetër dimension jetës së tij, me të papriturat dhe kontrastet e shpeshta. Në Shqipëri, jeta e tij preku ferrin, ferrin e tmerrshëm. Flakët e luftës dhe vërshimi i nazistëve gjermanë mbi trojet shqiptare e futi jetën e Troschelës në një hulli dramatike. Identiteti gjerman dhe qëndrimi disavjeçar në Shqipëri, për triumfuesit e luftës, e penalizmi aq rëndë, saqë vuri në rrezik vetë ekzistencën e tij.
Këtu u arrestua dhe u çua para një trupe me gjykatës partizanë, për të dhënë llogari as më shumë e as më pak, por për bashkëpunim me nazistët. E tmerrshme! Pas gjykimit e çuan në burg dhe Troschila duhej të qëndronte në ferrin e qelive shqiptare për vite me radhë, ndërkohë që vajza në Berlin dhe të afërmit e tjerë nuk dinin gjë për fatin e tij. E vetmja shpresë për të shpëtuar që aty, ishte klima e re pas vdekjes së Stalinit dhe fakti që Berlini i tij mbeti nga zona lindore. Pas lirimit në vitin 1954, falë “Epokës Adenuer” Troschela është një njeri i thyer, por shpejt di ta mbledhë veten e të ringrihet për t’iu kthyer artit dhe pasionit të rinisë. Në Odenburg gjen një shtëpi të re dhe fillon jetën e tij si artist dhe mësues arti.
Si një ish-student i Troschelës, mbaj mend mësimet e artit, por mbi të gjitha tregimet e tij shumë emocionale nga përvoja në Jugosllavi dhe sidomos nga drama në burgjet e Shqipërisë.
Kush e ka njohur nga afër Hans Troschela, e di fort mirë që pas tij qëndron një çudi e madhe. Historia e tij sado e zbardhur nga dëshmitë e shumta dhe kujtimet e bashkëkohësve, përsëri mbetet disi e mistershme. Pjesa më e madhe e biografisë së tij nuk është plotësisht e qartë. Sidoqoftë, me aq sa njihet Troschila jo vetëm nga ish-studentët e tij, por edhe nga dashamirësit e historisë së artit dhe fateve njerëzore, mbetet një shembull i shkëlqyer që veç të frymëzon e të bën ta dashurosh gjithnjë e më shumë lirinë dhe artin.

AFRIM IMAJ

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...