Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/05/10

Si Atdheu i ynë në botë, nuk ka tjetër....



Luan Çipi ka lindur në Vlorë nga një familje patriotike. I ati i tij, Kaman Çipi, ka emigruar në Amerikë në fillim të shekullit të kaluar dhe ka qenë veprimtar i shoqatës së shquar VATRA (1913-1923). Vetë Luani, ka studiuar për ekonomist (me korrespondencë sepse biri i një ish-emigranti nuk mund të kishte privilegjin e shkollimit normal). Sidoqoftë, Luan Cipi, ka qenë një talent i gjithëanshëm. Ai, ka qenë sportist e trainer mundjeje, aktor dhe veprimtar kulturor. Ka shërbyer si mësues dhe më pas si pedagog i filialit të Vlorës të Universitetit të Tiranës për lëndën e statistikës. Ka shkruar poezi dhe tregime që nga shkolla e mesme dhe ka botuar librin me rrëfenja "Marredhenie te Shenjta". Ajo që e karakterizon shkrimet e Luan Cipit është gjuha e pastër si dhe pasuria e bukuria e vjershës labe.




NËNA IME


Vitet ikin, koha lum, që merr e lë pas,
Më pak gaz, halle shumë, trungje me thasë.
Çdo ditë të kujton Kamanin, të mençur, azgan,
Në ato vitet e lumtur, kur e kishe pranë.


Doli burrë tamam për ty: punëtor e plot vullnet
Kish shumë mall e dashuri, shpirt e zëmër det.
Shkuat vite të gëzuar, skish si ndodhte ndryshe,
S’pati fat të të shikoj, ty si katërgjyshe.

Kurrë Abeun se harrove, se harrojmë dhe ne,
Burrë mbi burrat qe, sa rroj, skish tjetër mbi dhe.
Prindët tanë na ngulitën vullnetin për të punuar,
Besnikërinë, guximin vështirësitë për të kaluar.


Kush aq shpesh e shtroi tryezën, priti e përcolli?
Kush aq shumë punoi, ndërtoi, korri edhe mbolli?
Harmoni, si atje, nuk gjeje gjetiu,
Syt’ Abeu dhe Kekea në këmbë, si veriu.
Ç’desh Kekea ky Kamani hidhej në kërkim,
Unitet. E gjithë familja kishte një mendim.
Jeta s’ishte shesh me lule, s’ish gjithnjë pranverë.
Nëna jonë ti s’u përkule, ishe lis në erë.

Sa shumë gurë vure në mure, sa mistri me llaç,
Sa të mira na servirje, kur nuk na the plaç.
Në Skelë të njohu Vlora, në Fier lagjja “Liri”,
Ti kudo ja bëre fora: Prish kasolle- bëj shtëpi.

Prapë, të njohu dhe Tirana, Fieri dhe Kota.
Sa e ëmbël nëna jonë, çuditej gjithë bota.
Pesë fëmijë që ti linde, i rrite me nder,
Me respekt ty të kujtojmë, vlerësim përherë.


Kush i harron netët pa gjumë, në gjunjë te babai
Te Pranvera, halle shumë, në Bulqizë, te vëllai?
Sa ne Fier, në Tiranë, kush kish më nevojë,
E të gjithëve ishte nëna: ndihmë dhe përvojë.

Kënaqësitë ti i gjete te fëmijët tanë
Novruzi edhe Bashkimi, Beni me Kamanë
Sona,Tushka,Yllka,Luli,Lina,Lela Arta, Mira.
Ti përcolle te ata vlerat më të mira.

Po dhe një plejadë stërnipash do lindi, do rrojë
Kjo tradita jote e lashtë kurrë nuk do shterojë.
Nena jonë, gjithë më e mirë, do jetojë me ne
Brez pas brezi do kujtohet, do ngelet e re.



1970

BABAI IM


Ti ike i ri, tash gjithçka është tretur,
Dhimbja ka zënë cipë, malli është venitur,
Pesëdhjetë vjet shkuan, kujtimet kanë mbetur,
Po, për sa jetove, si diell ke ndritur.

I ngelur jetim, i vogël, pa fat
I katërti vëlla nga fisi Çipat.
Palorto e vjetër, sokakët me gurë
Hallet e mundimet të bënë burrë mbi burrë.

Shtatëmbëdhjetë vjeçar u nise kurbetit,
Në Amerikën e largët, shkohej me anije,
Për gati një muaj do lundroje detit
Me drojë e me frikë vallë në do arrije.

Duhej gjetur punë, mbulesa e shtresa
Dhe vuajtja shtohej me ditë e me natë,
Hanim bukë thatë dhe flinim me ndresa,
Në kurse e shkolla mësonim zanat.

Pa duhej kursyer dhe një cent dollari,
Për të larë navllon dhe borxhet radhë
Ndihmë desh familja me halle shqiptari,
Para desh dhe “ Vatra” me Nolin në ballë.

U vure në krye mbi gjithë shqiptarët
Dhe fole guximshëm me bashkatdhetarët:
“Ti mbahu, moj nëne, e kurrë mos kijë frikë,
Se djemtë më të mirë ke në Amerikë”

Ngrihen emigrantët nga fundi i dheut
Gjer në Francë, larg, shkoi zëri i Atdheut
Mbrojtje e lirim Avniut të Çikës
Nga Vatra Shqiptare e Pan Amerikës.


Ti rrojte me brengën e tokës shqiptare,
Përjetove larg Kotën dhe Beunin,
Po gjithë dimra pe, e kur jo behare,
Kur satrapi Zog shiti Shën Naunin.

Nëntë vjet mërgimtar, shumë djersë derdhe.
Me Im Zot Nolin, trima e mendimtarë,
Kur Atdheu u thërriti, ti sërish erdhe
Dhe prapë u radhite në rreshtin e parë.

Vitet njeri tjetrit i thoshin: unë ika.
Dështoi revolucioni dhe demokracia,
Nuk bëri njeri siç desh Amerika.
Fitoi mbretëria dhe autokracia.

Me tej mbreti Zog, me turp, po me ar
U largua paq me “trimat” e tij
Dhe fashizmi i Zi, na futi në darë
Tha me ne do jeni një perandori.

Ti, o babë i dashur, kaq shumë u zhgënjeve,
Dikush do mendonte se të zuri frika,
Ndaj gjithmonë na thoshe: “O djemtë e plebenjve
Mos i ndyni duart, larg nga politika.”

Dhe ju fute punës, siç kishe mësuar,
Krijove familjen dhe rrojte me nder,
Që të pesë fëmijët i pate edukuar,
Punën edhe Librin ti kishin fener.

Ndërtove dyqane dhe ngrite pallate,
Tregti e transport menaxhove mirë
Disa troje bleve, tregti private,
Mirë pate mbjellur, më mirë në të shirë.


Edhe ne luftuam edhe ne punuam,
Po çfarë vallë na ngeli, për shenjë, si kujtim?
Kur nxorëm bilancin edhe numëruam,
Rezultoi që s’kishim asnje përfitim.

Ndaj më shumë për ty, tani shtohet vlera,
Kur shohim lartuar ngrehinat në shtesa
Në pronat e tua, në trojet e blera
Rrojnë trashëgimtarët, nipa edhe mbesa .

10.01.08




SHQIPËRIA, SI AMERIKA






Me avion u nisa, të takoj tim bir
Ikur prej shumë vjetësh, në kurbet larguar
Atë e gjeta, rritur e përtërirë
Me dy djem të vegjël në familje shtuar.

Nikola, i madhi, po arrin pesë vjetet,
Luka-si, i dyti, i mbushi dhjetë muaj,
Unë, gjysh Luani, i ngjitem tetëdhjetës.
Gëzimi i madh, nuk më le të vuaj.

Nuk e ndjej pleqërinë, lodhjen dhe mundimin
Bredh e loz me ta, “qethem me shelegë”,
Përralla u tregoj, u këndoj Naimin
U flas shqip për mollën, për dardhë e për shegë.

I emërtoj bukën, djathin edhe ujin
Si e çmojmë babën, sa e duam nënën
I tregoj Rozafën, Gjergjin edhe Mujin
Si nderojmë diellin, sa adhurojmë hënën.

Ata më dëgjojnë, habitur, kënaqen
Përsërisin fjalën dhe e saktësojnë.
Do mësojnë shqip, do ma zbardhin faqen
Dhe për Shqipërinë nisin të mendojnë.

Vitet ikin shpejt, djelmoshat u rritën...
Si dikur Fan Noli dhe Faik Konica
Me punë e me dije do na sjellin dritën.
Vendi ynë do bëhet siç do Amerika.
Çikago, Shkurt, 28.2011




HOMAZH VËLLEZËRVE KRUTA





Ishin katër vëllezër, po tanimë, nuk janë
Radhë e paradhë, një nga një na lanë
Po, mbetën kujtimet, emrat, të pa shlyer
Njeri  më i ndier, tjetri, më i vyer.

Vëllai madh Jorgua,  iku i pari
Mendje e duararti, talent shkencëtari.
E qau gjithë Vlora, mijëra miq e shokë
Gazi dhe hareja, me të, ikën tok.

Beniamin kolosin, yllin e pashuar
Nur  për bukuri, për pamje e shtat,
Nuk e tret as dheu, ujin e kulluar
Arbëresh e Toskë, qajnë dit’ e natë.

Sos për kompozim, sos për shoqëri
Për aheng e valle, nuk e kishe shokun
Me këngët  arbëreshe, bëre histori
Pa e deshe jetën, siç  e deshe folkun.

O, Leandro Kruta, ti boksier i parë,
Mësues pasionant dhe shok i pandarë,
Drejtues, sportist, krye në çdo garë,
Nuk e ndjeve dot, sa shumë të kam qarë.

Ja, iku dhe Leka, artisti i shquar
Që dhe rruga qeshte, vetëm nga mimika
Gaztori  i lindur dhe gjithnjë  gëzuar
Qeshjen  e shpërndante, që të ikte frika.

Largoheshin hallet, lodhja edhe brenga
Uria, mërzitja, zija, dëshpërimi
Mjerimi dhe vuajtjet, që ishin me dënga.
Kur në mes është Leka, mbretëron gëzimi!

Tani, më nuk janë, ikën zunë amshimin
Ikën vëllezërit  Kruta, lart, fluturim
Po ata në qiell ndriçojnë rruzullimin
Për  Vlorën dhe ne, nuk do kenë harrim.

Çikago, Mars. 30. 2011

ÇAST TRISHTIMI


Iku koha, pa e marr vesh
Sot, mbushen katër muaj
Njëherazi qaj edhe qesh
Sa gëzoj, aq dhe po vuaj.

Nesër rikthehem në Vlorë
Te qoshja e shenjtëruar
Ylberin do prek me dorë
Do bares i lumturuar.

Po mendjen këtu e lë
Te Lukasi dhe te Niku
Anin tim nuk e gjej më
Evlat, nuk të bëhet miku.

Ata, të tre larg mërguar
Arratisur nëpër botë
Ne dy pleq të dëshpëruar
Përplasemi kokë më kokë.

Plogështia mblidhet deng
Ku ta gjesh një gotë me ujë?
Është ky hall, është kjo breng
Mendimin ma bën rrëmujë.

Muajt ikin dhe s’të pyesin
Vitet pleksen ndenë lëkurë
Një nga një qelizat vdesin
“Na ishte njëherë një burrë...”

Ri mendohem pyes në erë
Vallë do kthehen bijtë, bijat
Mbi tokën tonë ndonjëherë
Do vaditen trëndafilat ?

Çikago, 29 Prill 2011

KUJTOJ SHOKËT


Ngrihem herët në mëngjes
Laptopin e marr në gju
Edhe ri e pres me shpresë
Mos vjen ndonjë lajm nga ju.

Nga dritarja - Miçigani
I pafund, s’shihet ku nis
Sipërfaqja..., e pa anë,
Sa e gjithë Shqipërisë.

Për Tiranë, për në Vlorë
Syri mendjes bredh ngaherë
Jashtë, mjedisi mbushur borë
Këtu brenda, si pranverë.

Dëgjoj se fletë Lul Golemi:
-E gjeni ku është Luani?
Shpejt i përgjigjet Axhemi:
-N’aventura aeroplani!?

E mësova në imeil
Desh ngeli rrugëve të Londrës
Të mos qe një “kaçurrel”
Do qe kthyer gaz i botës.

“Kolonel” Fatosh Voshtina
Nis e fletë si mbi selishte
Nostalgji e psherëtima:
-Boll, o boll të diç rusishte!

Pirro Veshi “diplomati”
Kompetent e me përvojë
Sikur thotë: ”u ndihu fati.
Pa anglisht - je si pa gojë.”

Restaurant ” Vlora”, në fresk
Sadua flet, Nikua dëgjon
Udhëtimin Aventuresk
Secili e komenton...

Dushua, Harilla, Vangjeli
Duro Memet Mustafaj.
Vasillaq Ndini, Irfani
Llazi, Sezua, Taullai .

Secili e jep mendimin
Një version e një dëshirë
Dhe të gjithë shprehin urimin
“Aventura” - mbaroi mirë.
Çikago, 14.01.2011


PËRKUJTESË SHOKËVE


Vallë çka ndodhur andej, nga Tirana,
Pse shokët në heshtje varri më lënë,
Ikën ditët radhë, sot mbushet java
Telefon, a imeil, ata, pse s’ po bëjnë?

Mirë Nikos, i ka ardhur mikja nga Greqia
Po Axhemi? Mos Wolswageni i është prishur
E ka zënë inati, i vjen rrotull shtëpia
Dhe bredh, këpucët për t’i grisur?

Të gjithë e dini, se nuk rroj dot pa shokë
Dhe vetëm brenda, nuk ri i qetë unë
Jashtë nuk sheh një pëllëmbë tokë
Veç borë, thëllim dhe erë e furtunë.

Së paku këtu afër, të kisha detin
Si në Vlorë, të rija në kum e në diell.
Fatkeqësisht nuk kam as Sabavetin
Qoftë dhe të bërtiste, me zërin në qiell,


Të kisha Sezon pa fjalë, për karshi,
Ta shihja e të prekja njëherë Llazarin
Të qafoja Bardhylin, si djalë të ri
Të përshëndesja afër, Fatos Gjeneralin.

I shëruar krejt Harilla mu shfaq
Duro Mustafai, Vranishti dhe dyfeku
Vangjel Loli, Dusho e Vasillaq
Pirrua, Taullai e Irfan Bregu!

Dikush me zë gryke na këndoka
Oshtima vjen nga larg në Çikag
Është i miri Sadedin Gjoka
Me bërrylat vënë mbi bankë.

Ja në një qoshe, Laver Hasani.
Mos mendoni, o shokë se ju harrova?
Me ju është çdo ditë Luani
Aty, te Gogua nga Vlora.

Shqiptarët qëndrojnë të bashkuar
Në Amerikë, Tiranë dhe Vlorë
Kudo që të kenë shkuar
Ndihen si dorë për dorë.

*
Ja, kështu shpëtova nga ky hall
Se, u ndjeva midis miqve.
Të gjithëve ju puth me mall
Dhe pres urgjent përgjigje.

Çikago, Shkurt, 25, 2011

QORTIMI I MANIT




Më qortoi një ditë, baca Mani,
Shoku im i vjetër nga Zadrima,
I tha një postieri: Pse humbi Luani
E nuk e shoh më në këto bokërima?

Duket u mësua keq me çuna kryeqyteti
Veç rri e përrallos me njerëz të shkolluar
Dhe nuk i shkon mëndja për “halle mileti”
Po thur llafe, si ata, me barkun ngarkuar.

Bisedo me të e foli për hallet shtruar,
T’ua thotë shokëve të tij dhe Qeverisë:
Fshati u çart e burimet shteruan
Djem, vajza mërguan Italisë e Greqisë.

Kodrat dhe fushat ngelën papunuar
Bagëtitë po ngordhin ushqim nuk kanë
Çati të varura, shtëpitë shkatërruar
Vreshtat, pemët dhe pyjet u thanë.

Ne pleq, rijmë kot e shtymë orët,
As një gotë ujë s’ka kush të na sjellë.
Thuaju: Pushtetin prandaj e morët
Për të harruar kush ju ka pjellë?!

Pse ziheni e shaheni vëllai me vëlla
Të ndarë në grupe e parti armiqësore
Në parlament e në salla të mëdha
E hapni pa fund procese gjyqësore?

Nuk vjen nga grindja asgjë me vlerë
Ditët ikin shpejt e lënë pas përçarje
Ju humbisni çdo emër e nder
Dhe bijve u ndillni gjakmarrje.

Bashkojuni me Kosovën si shtet më vete
Dhe i mblidhni djemtë te Shqipëria e vjetër
Me klimën që kemi me fusha e dete
Si Atdheu i ynë në botë, nuk ka tjetër.

Në krye vini bijtë në perëndim shkolluar
Dhe ndreqni e përsosni ligjshmëritë
Puna dhe vetëm puna, të bashkuar
Do t’i shtojë mirësitë.

Çikago,28.03.2011



VLONJATJA ARISTROKATE


Kam dëshirë për një portret,
Ta” qëndis”, siç benë piktori.
Dhe në gjumë ai me flet,
Qetësinë shpirtit ja mori.

Edhe kot po të lëviz,
Në pasqyrë të kreh balluket,
Ky portret, imazh i Dritës,
Fantastik nis e më duket.

Sa i hap sytë dhe i mbyll
Sërish shfaqet, qëndrim tjetër
Dit’ e natë ndriçon si yll
“Aristokatja” e vjetër.

Para shfaqet “Magjistarja”,
Në skenë më e madhja mbeti
Emri i saj shkëlqen në maja
“Mbretëreshë” te Hamleti.

Diku, si piktorja “Ira”
“Kornelia”, te Mreti Lir
“Kudso” ishte më e mira,
Dhe Halla, me sqimë e hir.

“Zoicka” te Karanxhalë
“Klaricea” te Gordoni
“Butja” jonë, pasion e fjalë
Mbyllni sytë, t’i kujtoni.

Jo, mor jo, se skicoj dot
Drita Pelingun, gjithë nur
Kryemjeshtëre, jetë e mot
Mona Liza, në pikturë.

Çikago, Mars.31.2011

Përgatiti për botim në Floripress:Flori Bruqi

Ndriçime të reja në eposin e kreshnikëve‏

(STUDIMI MONOGRAFIK "ETNOS NË EPOS" NGA SHABAN SINANI)
183656_1653773024193_1233084216_31584149_2214682_n_1
  NGA: DOK. ROVENA VATA


“Etnos në epos” është një studim monografik i përgatitur me finesë dhe mjeshtëri të veçantë nga pena e artë e studiuesit dhe profesorit të talentuar Shaban Sinanit. Ky njeri që rrezaton vlera për aftësitë e tij akademike dhe cilësitë e virtytet larta njerëzore merr përsipër këtë studim për t’i ardhur në ndihmë mbarë botës akademike që ai vetë përfaqëson dhe gjithë audiencës,së studiuesve, të vjetër apo të rinj qofshin këta. Tashmë kemi në dorë një botim të shumëpritur ku autori ka punuar për një periudhë më shumë se 15 vjeçare, duke përfunduar rrugën e nisur nga Eqerem Çabej. Ky studim jo rastësisht fillon më këtë fjali: “Trashëgimia kulturore gojore shqiptare pak nga pak po zë vendin e vet në programet e rendit parësor të UNESCO-s për pasuritë elitare të njerëzimit”. Studiuesi Shaban Sinani këmbëngul që eposi shqiptar të promovohet në programet elitare të trashëgimisë folklorike shqiptare më të hershme, gjithashtu ai njihet dhe me emërtimet: eposi heroik legjendar, cikli i kreshnikëve, cikli verior, cikli i Mujit dhe i Halilit. Mbledhja, botimi dhe studimi i eposit të kreshnikëve nisi në fund të shekullit të 19-të dhe vijon ende. Përveç klerikëve françeskanë (Palaj-Kurti duhen veçuar), meritë themelore për zbulimin dhe studimin e eposit kanë albanologët M. Parry, A. Lord, M. Lambertz, S. Skëndi, A. Pipa. Rapsoditë e eposit të kreshnikëve janë këngë me pavarësi formale nga njëra-tjetra, por në përmbajtje ato i bashkon e njëjta mendësi, e njëjta epokë, e njëjta hapësirë, të njëjtat figura mitologjike e gjysmë-mitologjike. Rapsodia vetë e përmend rrallë fjalën kreshnik. Heronjtë e saj e quajnë veten trima ose agët e Jutbinës. Kreshnikë, heronj që mbrojnë kufijtë e trojeve të të parëve, janë quajtur nga mbledhësit dhe studiuesit. Në këngët epike legjendare ka zëra e jehona, prej shumë epokash parahistorike, prandaj ato vlerësohen si këngë me karakter shumështresor. Në to nuk ka heronj historikë, por heronj kulturorë. Eposi i kreshnikëve është shprehja më e hershme e vetidentifikimit etnik të parashqiptarëve dhe shqiptarëve. Në epos krijuesi dhe bartësi i rapsodisë dallojnë veten prej tjetrit si qenie etnike. Tjetri identifikohet edhe përmes etnonimit të vet: Shkjau, Osmani, Harambashi (bash arapi ose arapi pasha), Harapi i Zi, Jelini (heleni, greku), Ltinka e Bardhë (latini), Tali/Talja (italiani), Jevrenija, Qyste Jahudia (hebreu), Filipe Maxhari (hungari), ndërsa kreshnikët nuk e përmendin shprehimisht bashkësinë që i përkasin. Konflikti sundues në epos është ai me krajlitë dhe antagonistët e agëve të Jutbinës janë kreshnikët e krajlive. Kjo i ka shtyrë studiuesit të mendojnë se “koha e parë” e krijimit të eposit duhet të jetë pikërisht ajo e dyndjeve sllave në jug të Ballkanit në shekujt VI-VIII. Eposi i kreshnikëve ka ngjashmëri me shumicën e epopeve të popujve europianë dhe të botëve më të largëta. Njësoj si në epopenë antike shumere dhe në atë greke, heronjtë qendrorë janë dy. Muji zgjedh fuqinë, sikurse Akili, por heroi tjetër, Halili, shenjon më shumë kultin e bukurisë, jo të dijës si Odiseu. Zanat pajtore të fatit të kreshnikëve janë mite me një pikë të dobët, si Akili në antikitetin grek dhe Samsoni në eposin hebraik. Muji duhet të kalojë në prova të ngjashme rishtarie sikurse Rustemi në “Shah-Namenë” perse. Si në epopenë greko-bizantine, spanjolle dhe në atë franceze, ku rreziku qendror janë maurët, edhe në eposin e kreshnikëve “nji harap i zi ka dalë prej deti”. Në eposin e kreshnikëve nuk ka hapësirë dhe kohë të përcaktuar historike. Jutbina është një atdhe shpirtëror i rapsodëve. Këto argumente kalojnë në dobi të autorësisë vendëse. Dy tiparet themelore të figurave mitologjike në epos janë karakteri matriarkal dhe ktonik. Ndryshe prej epopeve antike, në ciklin e kreshnikëve nuk ka hyjni qiellore dhe nëntokësore. Sikurse Gilgameshi i shumerëve të moçëm, i cili është njeri në një të tretën dhe hyjni në dy të tretat, edhe kreshnikët e këngëve shqiptare janë pjesërisht njerëz tokësorë dhe pjesërisht rishtarë të një urdhri hyjnor, si marrës të fuqisë së zanave. Shihet se kjo ndërthurje e vetive tokësore me ato qiellore është e përgjithshme, botërore. Fuqia e kreshnikëve buron prej zanave dhe nuk trashëgohet më tej se Omeri ose Omerat prej Mujit: nuk ka brez të tretë kreshnikësh. Kulti i malit, i bjeshkës, i lartësisë (vertikalitetit); përdorimi i kohës për të matur hapsirën dhe anasjelltas (nant ditë/ udhë); numrat simpatikë dhe sistemi njëzetdhjetor indoeuropian (vegisimal system) i numërimit (trezet, katërzet); tipi i mendimit poetik; janë shprehje e një hershmërie dhe vijueshmërie të gjatë. Eposi i kreshnikëve është përmendorja më e rëndësishme e trashëgimisë gojore iliro-shqiptare që dëshmon mitologjinë e hershme të popullit shqiptar. Nëse gjuha dhe shumë shenja të identitetit shqiptar historikisht kalendarin e tyre e fillojnë nga shekulli i 7-të e këndej, mitologjia në eposin e kreshnikëve i ngjan një palimpsesti, në të cilin shfaqen shtresa universale indoeuropiane, mesdhetare, ilire, shqiptare, europiane, ballkanike, që dëshmojnë jo vetëm rrugën prehistorike dhe historike të popullit shqiptar, por edhe kalendarin e shfaqjes së mendësisë prehistorike-historike të zhvillimit të shkallëshkallshëm të mendimit njerëzor. Mitologjia shqiptare në eposin e kreshnikëve shfaq ngjashmëri arketipale me eposet më të mëdhenj të historisë botërore, si dyshja luftërare (e ngjashme me eposin e shumerëve- Gilgamesh; me eposin helenik: Akili dhe Odiseu); provat e rishtarisë dhe të zgjedhjes apo shugurimit (Herakliti në eposin antik grek, Rustemi në Shah Name); kulti i fuqisë fizike; heroi me pikë të dobët (Akili, Samsoni); burimi totemik i fuqisë (lopa Bermaja tek eposi pers, dhitë e kryehershme e bëjnë eposin shqiptar dëshmitar të një epoke paraindoeuropiane (eposi i hebrenjve nuk është epos i një populli të së njëjtës familje-hebrenjtë janë popull semit). Dy qytetërimet e mëdha të antikitetit fqinj kanë lënë gjurmë të forta mitologjike, duke u bërë dëshmitarë të hershmërisë absolute të eposit: janë afërsisht 40 motive të ngjashme me eposin homerik (M. Lambertz), është vërtetuar ngjashmëria e Zanës me Dianën latine, jo vetëm gjuhësisht, por edhe në atribute. Të gjitha këto e bëjnë eposin shqiptar dhe mitologjinë e tij një përmendore parashqiptare dhe parasllave, duke i dhënë një funksion përjashtimor në gjithë historinë e epeve të popujve paleoballkanas. Kulti i vertikalitetit, shenjtërimi i numrave simpatikë të lidhur me kalendarë parakristianë dhe kristianë (një, dy, tre, shtatë, nëntë, 12, 40 etj), gjithashtu është gjurma e kësaj kohe. në eposin tonë studiuesi ka gjetur edhe tipare europiane të cilat janë: kalorësia, letërkëmbimi, deri diku edhe kryqtaria, fryma e krishterë. Dashuritë e fuqishme dhe dëshirat për martesa endogame (konceptimi i lidhjes së gjakut si totalitet i bashkësisë): “T’tana çikat e jutbinës/ bash si motra qi po m’duken”. Eposin dhe heronjtë e tij nuk i nxë koha dhe historia. Papërcaktueshmëria kohore dhe historike e bën atë një prej eposeve më origjinalë në Ballkan, duke përfshirë eposet e sllavëve të jugut, koha e të cilëve është vulosur thotë autori që prej Betejës së Fushë-Kosovës (1389) e këndej dhe Digenis akritas të grekëve bizantin. Gjithashtu studiuesi Shaban Sinani shton faktin se mitet e eposit shqiptar të kreshnikëve janë kryesisht ktonikë (mite të tokës) dhe me burim matriarkatin (kreshnikët indentifikohen nga nëna dhe jo nga babai), gjë që i bën ata më të hershëm se krishterimi dhe të pakrahasueshëm me mitet e popujve ballkanas të mëpasëm. Karakteri ktonik është shprehje e një popullsie autoktonike. Karakteri matriarkal, gjithashtu, e lashtëson eposin shqiptar duke e afruar me antikitetin e hershëm. Eposi heroik legjendar shqiptar e shpreh një vetëdije të tillë përmes të dhënash të tërthorta, duke e dalluar gjuhën, veshjen, sjelljen, traditën e heronjve kulturorë vendës si “të vetën” dhe më së shumti prej opozicionit me tjetrin. Informacioni më i rëndësishëm vetëdallues që jep rapsodia mund të shprehej në thjeshtligjërim: Unë jam si heroi vendës sepse nuk jam shkja, nuk jam jelin, nuk jam jevrej, nuk jam maxhar, nuk jam miskov, nuk jam harap dhe as harambash, nuk jam jahudi, nuk jam latin dhe as i Talit. Shkalla e përdallimit të tjetrit në epos është më e lartë se e vetvetes. Ngjashmëria si pasuri, ballkanizimi i dukurive dhe motiveve të epikës legjendare, prania e tjetrit si dëshmues hershmërie, janë gjithashtu me rol emancipues në mendësi e në metodologji. Gjithnjë e më shumë eposi i shqiptarëve shihet jo si një thesar i mbyllur në vetvete, jo si një produkt i pangjashëm me epope të tjera, por si një trashëgimi që e bashkon me këto trashëgimi lidhja gjenetike mes popujve, karakteri universal i mitologjisë, burimi historik i përbashkët ai afërt, fqinjësia apo prekja në kohë e hapësirë dhe pa dyshim ligjet e brendshme të vetë epopesë, që përcaktojnë tipologjinë e zhanrit. Vështrimi i epikës legjendare shqiptare si një palimpsest, ku epokat dhe kulturat kanë lënë gjurmën e vet, shtresë mbi shtresë, duke dëshmuar veten dhe të tjerët, ka qenë emancipues për dijen albanologjike dhe jo vetëm për epikologjinë. Një problem i diskutueshëm, shpesh i kaluar me indiferencë ose, më saktë, i pa kushtuar rëndësinë e merituar, është ai i raporteve të brendshme të kreshnikëve, veçanërisht ai i raportit midis kreshnikëve dhe disa heronjve të përafërt e njëherësh të dallueshëm prej tyre, si Gjergj Elez Alia. Nga kërkimet në terren për një kohë të gjatë, cikli i këngëve të Gjergj Elez Alisë ka mbetur i veçuar. Mendimi se në epikën legjendare shqiptare ka vetëm një urdhër heronjsh, vetëm urdhri i vëllezërve Muji dhe Halili, kur gjithnjë e më e qartë po bëhet prej studimeve se një urdhër më vete shenjohet në heroin Gjergj Elez Alia, lidhet me faktin që shqiptarët i kanë provuar të dy rreziqet, nga deti e nga toka. Një çështje e debatuar në këtë studim është edhe ajo e karakterit të vargut, shpesh indentifikuar me dhjetërrokshin; edhe kjo më shumë e lidhur me debatet e përgjithshme për lidhjet, ngjashmëritë dhe pangjashmëritë metrike midis eposit shqiptar dhe eposit të sllavëve të jugut. Në bazë të tipologjisë së këngës epike referuar shkallës së mendësisë dhe të vetëdijes estetike; tipet të mendimit dhe përfytyrimit popullor, epika legjendare shqiptare do të rezultonte me këtë klasifikim: 1- Këngë me motive mitologjike, 2- Këngë me motive heroike parahistorike (pa shtresime të njehsueshme historike), 3- Këngë heroike me shtresime historike. Gjatë këtij studimi përmendet në jo pak raste edhe cikli i Gjergj Elez Alisë i cili përmban opozicionin biblik gjenotipik tokë-det, Leviatan-Behemont, i cili në prozën popullore shqiptare njihet dhe si motive i luftës së dragoit me kulçedrën. Epi i Gjergj Elez Alisë shenjon një kohë historike të shfaqjes së rrezikut që vjen nga deti. Rreth këtyre dy cikleve bashkohen shumë këngë të tjera epike, të cilat formojnë mjedisin e “notimit”, të dy cikleve/qerthujve në një epikë legjendare të vetme (pavarësisht se, bie fjala, heronjtë kulturorë të dy rendeve, Gjergj Elez Alia dhe Muji e Halili, dalin në epos edhe si rivalë dhe kundërshtarë në duel). Ky studim merr përsipër edhe disa prej ligjërimeve më të vjetra të shqipes si: ligjërimi biblik-unigjillor, ligjërimi etnografik-prozodisë popullore dhe ligjërimit etnojuridik-traditës së ligjeve të pashkruara. Si një çështje e ndërlikuar del edhe e ashtuquajtura “institucioni i besës” të shqiptarët ku besa na del në këto shumësi kuptimesh: besa si paqe, besa si fe, besa si besim, besa si bekim, besa si kod etik, besa si nyje juridike, besa si shenjë dhe vetëdije fetare. Historikisht fjala “besë” dëshmohet e përdorur me një vlerë morale-juridike në “Statutet e Shkodrës”, që i përket periudhës paraosmane. Është një prej nocioneve që del më herët në kulturën e shkruar shqiptare. Në “Statutet e Shkodrës” në të vërtetë del në formë foljore, “bessare”, “besare”, dhe kjo përbën një nxitje për interesa shkencorë etnografikë e gjuhësorë. Në të gjitha rastet e përdorimit të nocionit të të besuarit, në “Statutet e Shkodrës’, ky nocion ka si kusht benë, betimin. Në fakt, “bessare”, në formën e vet më të hershme të shkruar, i përmban të gjitha këto nocione: be, betim, besë, besim. Janë të mundshme disa rrafshe krahasues për evoluimin historik të fjalës “besë”, e cila, sipas të gjitha gjasave, nuk është një fjalë e parme e shqipes, por një formim i periudhës së saj letrare. Besa theksohet si kodi më i veçantë në botë dhe gjendet në “Kanunin e Lekë Dukagjinit”; dhe Europës së qytetëruar do t’i duhen edhe 600 vjet për të arritur vlerat e kanunit shqiptar. Një fakt që Pr. Sinani ka nënvizuar është edhe problemi i gjakmarrjes i cili jepet në Kanun, ku theksohet që është një shprehje e një rregullimi shumë të rreptë të jetës së shoqërisë qysh në të drejtën biblike, pastaj me të mirënjohurin “lex talionis”- “ligji i prerjes”, ose më saktë “ligji syrin për sy”, që ka zënë një vend qendror në të drejtën antike romake, pavarësisht se më vonë kultura njerëzore iu largua kësaj egërsie të kryehershme dhe mbijetojat e saj u ruajtën kryesisht në shoqërinë patriarkale, me veçime natyrore e politike. “Jetën për jetën, syrin për syrin, dhëmbin për dhëmbin, dorën për dorën, këmbën për këmbën, djegien për djegien, plagosjen për plagosjen”, këto janë sloganet e sanksionuara në Librin “Dalja”- “Eksodi” të Biblës. Përmbledhtas mund të themi se nismat shkencore për vlerësimin e raporteve histori/epos kanë pasur për qëllim të paraqesin kushtëzimin relative të kësaj përmendoreje të fuqishme të artit të popullit me historinë e tij. Etnokultura dhe historia në këto studime shihen si pasuri kombëtare dhe raportet midis tyre dalin jashtë kuadrit të krahasimit të dijeve dhe disiplinave shkencore rreth tyre. Vëmendje e posaçme me të drejtë i kushtohet pavarësisë relative të traditës letrare gojore nga realiteti historik, që në rastin e eposit është më e madhe. Prehistoria dhe historia në folkloristikë ndahen në pikat ku lidhen e ndahen epika legjendare dhe ajo historike.

KOSOVA DO TË JETË SHQIPËRI, SEPSE ASHTU E DO EDHE ZOTI!

Nga Adnan Abrashi (Republikë, krahinë, apo sido që ta quajnë, Kosova vërtet do të jetë Shqipëri, sepse ashtu e do edhe Zoti!) Mjaftë kritikues të qëllimshëm tendencioz, apo (pseudo) intelektual të lajthitur “modernist”, të cilët bashkimin e dëshiruar të shqiptarëve e shohin në Evropën e Bashkuar, pas disa deklarimeve të fundit të ish presidentit të Shqipërisë, Alfred Mojsiu, se “Kosova është vetëm një krahinë e Shqipërisë”, të gjithë ata këtë herë, në opinionet e tyre reaguese, ngarendin të thirren në tendenciozitetin ofendues të kësaj deklarate që i bëhet dinjitetit shtetëror dhe integritetit territorial të shtetit ahtisarian dhe multietnik të Kosovës. Bile-bile, disa prej tyre, shkojnë aq larg, saqë kuptimin e saj e ngjasojnë sikur me qëndrimin zyrtarë të Serbisë, se Kosova kinse është krahinë e pandashme e integritetit territorial të saj. Fatkeqësisht, kësi biçim (b)analistësh gazetaresk, kemi pasur në çdo kohë dhe me bollëk. Sa herë që nga ndonjë autoritet me ndikim aktualizohej në opinion çështje e bashkimit të trojeve shqiptarëve, me analizat dhe reagimet e tyre verbuese, degraduese, aspak vizionare dhe tërësisht antikombëtare në këtë drejtim, prezenca kujdestare e tyre vërehej kudo, e posaçërisht në disa medie me politika te ngjashme redaktuese. Duke u mbështetur në funksionimin e përhershëm dhe të pacenueshëm të ligjit të të kundërtave, i cili si proces vepron kudo në natyrë, këto kundërshtimet e tyre ndaj kësaj kauze, unë do t’i konsideroja vetëm si një tarafi tjetër i poleve antagoniste të këtij ligji në veprim, nga i cili fërkim, patjetër do të lirohet nxehtësia. Nxehtësia si reagim emocional i shumicës së dominuar, e cila detyrimisht në fund të këtij procesi, do ta prodhoj “produktin e ri” të shumëpritur final. Andaj, në këtë drejtim, aspak nuk kanë rëndësi çfarëdo qëndrime (pseudo)intelektuale të disa individëve patologjikisht të verbuar nga politikat ditore, e, as ato të atyre ekstremistëve të padjallëzuar nacionalist shqiptar se, qysh nesër, pas 6 muajve,1 viti, apo diçka të ngjashëm si shpejtë, do ta kemi një Shqipëri të Bashkuar Natyrale. Kryesore për ne është se fërkimi ka filluar kaherë dhe nxehtësia si efekt po lirohet. Në këtë fazë progresive si proces, shumë me rëndësi është që të arrihet DETABUIZIMI i bindjes sonë të gabuar kolektive e cila në formë të frikës së prodhuar nga dhuna e ushtruar afatgjate dhe përmes marketingut të sofistikuar politik të armiqve tanë, është rrënjosur thellë në nënvetëdijen tonë kolektive si mohim. Kohën e fundit, nga armiqtë tanë të brendshëm dhe ndërkombëtar, si “anti-dampingu” më i rrezikshëm në këtë drejtim, me sukses po na lansohet ajo ide iluzore, kinse ky bashkim i yni gjithëshqiptar, do të realizohet tek në Evropian e Bashkuar?! Rreth deklaratës së z. Alfret Mojsiut E, çfarë mëkati, pra, na paska bërë me këtë deklaratë z. Alfred Mojsiu,.? Pa dashur që në detale të merrem me faktet të shumta teorike dhe praktike që edhe më tepër do ta favorizojnë këtë thënien e tij pompoze se “Kosova është vetëm një krahinë e Shqipërisë”, unë këtu si argument të fuqishëm do ta kisha përmendur vetëm një detal të rëndësishëm dhe të pamohueshëm historik: Që nga viti 1912, kuvendi i Vlorës dhe Qeveria e Përkohshme që doli prej tij nga përbërja deleguese përfaqësohej nga të gjitha trojet shqiptare, duk përfshirë edhe ato që ishin të pushtuara nga ushtritë e vendeve ballkanike që i dha këtij kuvendi karakterin e një Asambleje mbarëshqiptare. Më 4 dhjetorë të po këtij viti historik, kur u zgjodh Qeveria e Përkohshme e Ismail Qemalit, midis 63 delegatëve të të gjitha viseve (krahinave) shqiptare, 16 ishin nga krahina e Kosovës, nga kryeqendra e saj e Shkupi dhe nga qytetet tjera, ndërsa 7 ishin nga Çamëria. Po kështu në Qeverinë e Vlorës, përveç Isa Boletinit, i cili, ndonëse nuk kishte asnjë postë shtetëror, ishte një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Ismail Qemalit, bënin pjesë edhe personalitetet tjera nga Kosova dhe krahinat tjera të pushtuara shqiptare, si Vehbi Dibra (Agolli) me cilësinë e kryetarit të Pleqërisë, Mehmet pashë Derralla, ministër i mbrojtjes dhe Hasan Prishtina që ishte caktuar si ministër i Bujqësisë. Në Pleqësinë e Kuvendit të Shqipërisë, më vonë, përpos Vehbi Agollit, nga Kosova dhe krahinat tjera shqiptare u zgjodhën edhe 3 anëtarë të tjerë, Bedri Pejani, Sali Gjuka dhe Ajdin Draga. Pra, në atë kohë të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë (28.11.1912), të gjithë këta 63 delegatë, nuk përfaqësonin ndonjë territor administrativ-politik të veçantë, por vise dhe krahina të banuara me popullatë shqiptare të cilët në mes veti i lidh gjaku, gjuha dhe kultura e përbashkët. Edhe pse debati rreth kësaj deklarate të z. Mojsiut ende vazhdon, nga ana tjetër, Këshilli drejtues i Institutit Albanologjik të Prishtinës, me motivacionin se është figurë e rëndësishme e integrimeve mbarëshqiptare, i dëshmuar për angazhimin konstruktiv në kohën sa ishte president dhe angazhimin e vazhdueshëm për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare, ish- presidentin e Shqipërisë, Alfred Moisiu, ka shpallur anëtar nderi të këtij Instituti. Nuk thotë kotë populli se, “Tupani bie për ata që kanë veshë”, e kush sot i ka ato në terezi, le të tentoj së paku “të dëgjoj” sa më mirë. E, sa për “të kuptoj” sa më drejtë, mbase kjo për shumicën do të vije tek më vonë Krejt në fund, pa marr parasysh a dëshiron dikush ta pranoj këtë realitet apo jo, rrugë e jona e realizimit të bashkimit kombëtar, veç ka nisur kaherë. Republikë, krahinë, apo sido që ta quajnë, Kosova vërtet do të jetë Shqipëri, sepse ashtu e do edhe Zoti!

Xheladin MJEKU : MONUMENTI I POEZISË Antologji poetike “Itaka e fjalës”, botoi “Toena”, Tiranë- 2007

Xheladin Mjeku

1. POST FESTUM NJË TAKIMI

Derisa po kërkoja librin e tregimeve “Ura mbi oqean” të Albana Mëlyshit- Lifschin, për të cilën më kishin informuar nga Nju Jorku se ishte botuar dhe këtyre ditëve pritej të arrinte edhe në libraritë e Prishtinës, para sysh m’u shfaq një sihariq tjetër, që nuk besoja se do ta gjeja fare, meqë ende çalon rrjeti i shpërndarjes së librit në formë të organizuar, me një shtrirje në të gjitha trojet shqiptare. Ishte e shtuna e 19 prillit të këtij viti, kur pikërisht atë ditë ishte konfirmuar lajmi në shtypin e ditës se po bëhej promovimi i Antologjisë poetike ”Itaka e fjalës” dhe përveç gëzimit se tashmë kisha në pronësinë time një libër voluminoz dhe shumë të vlefshëm, në një formë sikur ndihesha se edhe unë jam njëri ndër pjesëmarrësit e këtij manifestimi madhështor të fjalës së bukur artistike, fizikisht nga largësia, por me zemër e mendje në mesin e krijuesve dhe adhuruesve të poezisë gjithandej nëpër botë, që kishin marrur mundimin të bëjnë një festë poetike. Pa u hamendur po e shfletoja ngadalë duke takuar njërin pas tjetrit gjithë ata krijues nga shumë kontinente të botës. Kisha informacionin për hartimin e një antologjie me një shtrirje të gjërë prezantimi të poetëve shqiptar të kudondodhur nëpër mërgatën shqiptare, por se do të kisha fatin ta kem në duar këtë eveniment nuk kisha guximin as të mendoja. Do të më “torturoi” gjatë ky thesar poetik i rreth njëqind e dyzet autorëve në mbi pesëqind faqe sa ka ky libër, për të më lënë gjurmë me fuqinë imagjinative dhe përkushtimin emocional të krijuesve dhe poetëve që aderojnë në brendinë e kësaj antologjie voluminoze me poezi që rrezatojnë shkëndia shprese për vendlindjen, për jetën, për lirinë..
image. 2. ANTOLOGJI ME BAROMETRA PËRMASASH TË SHUMËFISHTA

Është hera e dytë që merrem me shkrimin e përshtypjeve, mbresave dhe rëndësinë e antologjisë së poezisë. Ka kaluar kohë e gjatë që kur kisha në shqyrtim Antologjinë poetike “Sytë e gurit”, përgatitur nga Esad Mekuli, ku i bëra një “sy” vështrimi dhe tash kur përjetova çaste të papërshkruara me lëndën e prezantuar në “Itakën e fjalës” të përgatitur nga krijuesi entuziast Nase Jani, sikur më pushtoi një ndjenjë shpresëdhënëse për një të ardhme premtuese për këtë komunitet krijuesish me rol të shumëfisht. Raujtja e gjuhës, traditave dhe zakoneve, kultivimi i gjuhës amtare tek pasardhësit e tyre që i janë nënshtruar kthetrave asimiluese në vendet e ndryshme të botës, duke u ndikuar në kulturën dhe gjuhën e tyre, mbetet padyshim roli kryesor dhe vendimtar i krijuesve letrar të kudondodhur nëpër vende të ndryshme të botës. Shqetësim më vete ishte fakti se një shkapërderdhje gjithandej nëpër kontinente të botës e një pjese kaq të madhe intelektualësh e krijuesish flet shumë për pasojat në një të ardhme për atdheun. Një zbrazje në këtë masë rrezikon dukshëm ruajtjen e nivelit të kënaqshëm të botës intelektuale, që padyshim do të influencoj edhe në zhvillimet shoqërore dhe kulturore të vendit. Kjo në një masë është një barometër shqetësues për të ardhmen. Poashtu kohë më parë kisha provuar me hartimin e një Antologjie poetike të një grup autorësh që aderonin në një faqe letrare elektronike, duke hartuar një Platformë mbi të cilën do ta ndërtonim këtë projekt të përbashkët, por për shumë shkaqe, si financiare, prezantuese, e deri edhe te sjellje pa përgjegjësi e ndonjërit prej të përzgjedhurve, duke aluduar në arsyetime të ndryshme, deri edhe në reflektim prepotence e krekosjeje të ndonjërit, kjo inisiativë mbeti vetëm si projekt-ide duke ruajtur një lëndë të mirë të propozuar për mundësinë e përfshirjes në libër të përbashkët dhe një titulli pune që edhe tash kur po ballafaqohem me “Itakën e fjalës” më kthen kujtesën në arsyeshmërinë e emërtimit të saj “Monumenti i fjalës”, e që pa hezituar fare këtë titull të transformuar në Monumenti i poezisë ia dhurova këtij vështrimi, duke e pagëzuar me këtë titull, dhe përfundimisht përjetova zbrazje emocionale në të mirë të kësaj vepre madhore. Sidoqoftë, kjo Antologji përveç vlerave letrare dëshmon edhe përpjekjet e mëdha dhe shumë herë edhe të mundimshme të njeriut tonë larg atdheut që të kultivoj gjuhën, kulturën, traditën kombëtare, të ruaj në masë të mirë atdhedashurinë dhe mbi të gjitha të mbajë zgjuar kurreshtjen tek brezat që vijnë, duke u lënë në trashëgimi një bagazh të mirë vlerash letrare dhe kulturore që do t’u kthejnë kujtesën në trungun e lashtë ilir, në Itakë-Atdheun e tyre stërgjyshor. Kështu, ky barometër matës në përmasa të gjëra flet për vlerat e komunitetit krijues në njërën anë, dhe për rrezikun e shkapërderdhjes së trurit intelektual, si potencial i fuqishëm për të ardhmen e atdheut të tyre, në anën tjetër. Por, sidoçoftë borgjin ndaj kulturës, gjuhës dhe traditave në një formë e kryejnë me sakrifica dhe mund të madh duke investuar vlerat e tyre morale dhe intelektuale.

3. PESHA E FJALËS POETIKE PËRGJITHMONË MBETET MONUMENT

Ilirjana Sulkuqi, Vitore Stefa, Albana Mëlyshi-Lifschin, Kozeta Zylo, Ardita Jatru, Eva Rudi, Eglantina Kume dhe Armela Hysi janë disa nga emrat e autoreve femra të prezantuara në Antologjinë poetike “Itaka e fjalës”. Rreth tridhjetë arrin numri i tyre, të përfshira në këtë libër, e që flet bindshëm për ndjeshmërinë shpirtërore të tyre, për dhembjet dhe vërragët shpirtërore për atdheun, për familjen, shokët, miqtë dhe farefisin, të cilat janë preokupim i temave që shtjellojnë në shkrimet e tyre. Një përfshirje kaq e madhe e femrave krijuese nënkupton lidhshmërinë e tyre për vendlindjen, për mallin e pashuar për dheun e të parëve, për ngrohtësinë e diellit arbëror. Në Parathënjen e Antologjisë në fjalë Robert Goro ndër të tjera shkruan: “Një numër autorësh janë emra të njohur që në Shqipëri, të tjerë e “kanë shtruar” muzën e tyre në mëgrim. Kategoria tjetër, e konsideron të marrët me vjershërimin, si një lloj psikoterapie për të harruar vështirësitë e stërmundimet e mbijetesës në ditët tona”. Pikërisht në këto relacione e takojmë edhe krijuesin e kësaj lënde poetike, të ndruajtur, të mallëngjyer, shpresëthyer, por edhe krenar dhe të virtytshëm në raste të tjera, kur gjen forcë dhe guxim të këndoj për atdheun dhe lirinë e popullit të vet. Poashtu veçojmë edhe autorët, si: Kolec Traboini, Roland Musta, Ndue Hila, Nase Jani, Robert Goro, Primo Shllaku, Agim Basha, Aristotel Spiro, Romeo Çollaku, Filip Panajoti, Hiqmet Meçaj, Shpëtim Kurti, Zeqir Gërvalla, Rrustem Geci, e shumë të tjerë për të cilët nuk do të marrim mundimin t’i radhisim në këtë shkrim, ngase që të gjithë tashmë kanë lënë gjurmë të thella dhe të pashlyera në kolanën e letërsisë kombëtare, duke sjellur vepra të qëndrueshme dhe me interes për lexuesin dhe studiuesin e pasionuar. Një numër jo edhe i vogël i autorëve të prezantuar janë të panjohur ose fare pak të njohur për auditorin e gjërë, por që prezenca e tyre në mesin e kësaj armate krijuesish të lartëtheksuar dhe tashmë të dëshmuar, u krijon mundësi të mira të daljes nga anonimiteti, të ngritjes së adrenalinës krijuese me intensitet dhe përkushtim të shtuar. Ky konstatim vjen nga faktet që takojmë në lëndën e përzgjedhur, ku sikur është vënë një sistem zingjiror i temave dhe mesazheve nga akcili autor, me mundësitë, stilin dhe motivin që ata kanë shtjelluar në lirikat e tyre. Përballja me numër kaq të madh krijuesish të imponon të mendosh për epilogun e gjithë këtij rrugëtimi, me plot metafora, mesazhe, shqetësime, ëndërra dhe shpresë, me mallin që djeg për atdheun, lirinë, dashurinë e mbetur peng diku larg në dherat e të parëve me letrat pa adresë që u drejtohen të dashurave që në rininë e hershme, etj. Dhe në situata të këtilla mund të ndihesh ngushtë nga pamundësia të ngushëllosh ndonjërin që ka humbur shpresat për një kthim në atdheun e tij, tek miqtë, familja, e dashura që do ta ketë lënë përgjithmonë. Me dhembje do të përkujtosh çastet e ndarjes nga vendlindja të ndonjërit nga poetët, i cili nuk do të ketë kursyer fjalët dhe lotët në poezinë e tij për atdheun, për rrugën e gjatë dhe të mundimshme të mërgimit. Por takojmë edhe poezi që të entuziasmojnë për përkujdesjen e e autorëve të shumtë që kanë guximin të nisen si zogu në qiellin e kaltër që të shijojnë ajrin, ujin, diellin dhe gjithë gëzimin e atdheut, ngrohtësinë atërore dhe ëmbëlsinë e lirisë së shumëpritur. Laryshia e këtillë e temave që shtjellojnë poetët gjithandej kontinenteve deri në Amerikë dhe Australinë e largët krijojnë një imazh të jetës së tyre të përditshme, me mallin ndryrë në shpirt dhe me dëshirat dhe ëndrrat e pashuara për vendlindjen, duke gjetur ngushëllimin tek ditët e ardhshme të lumturisë së imagjinuar në vargun e tyre. Një shkëndi mbijetese ushqejnë në shpirt në çdo çast e në çdo stinë këta krijues, bashkë me pjesën tjetër të emigracionit shqiptar, që përkundër vështirësive dhe ballafaqimeve me peripetitë e jetës, gjithmonë gjejnë arsye të hetojnë një dritë në fundin e tunelit të gjatë të quajtur mëgrim. Këto lirika, që sado bukur tingëllojnë si krijime artistike – letrare, nuk u shpëtojnë edhe defekteve të herëpashershme gjuhësore. Tashmë është prezent një fenomen i papranueshëm, por që po imponohet nga shumë krijues, studiues dhe intelektual të ndryshëm, të cilët në shkrimet e tyre përdorin edhe fjalë dhe shprehje nga gjuhë të huaja, duke aluduar në internacionalizimin e mendimeve dhe studimeve të tyre, por që tek lexuesi ynë vështirësojnë kuptimin dhe shumë herë edhe humbasin vlerën që pretendojnë vetë autorët. Në kontest të kësaj çështjeje gjuhësore është folur gjatë, por ndikimet e gjuhës tashmë kanë bërë efektet e saja, varësisht përkujdesjes dhe parapërgatitjes profesionale të autorëve dhe hartuesve të librave dhe dokumentave të ndryshëm. Përkundër një shpërndarje nëpër vende të ndryshme të botës, nën ndikimin e gjuhëve dhe kulturave të shumta, tek autorët e “Itakës së fjalës” ky fenomen është fare pak i pranishëm, dhe atë në rastet e veçanta ku mund të merren edhe si fjalë e shprehje “stoli” që i japin një ngjyrim të ambientit ku vepron autori, por duke ruajtur embrionin dhe strukturën e poezisë në të mirë të gjuhës amtare. Kjo përkujdesje e autorëve të kudondodhur nëpër botë dëshmojnë për seriozitetin dhe obligimin që i kanë parashtruar vetes për të kultivuar gjuhën e çiltër shqipe, përkundër vështirësive me të cilat mund të përballen. 4. NË VEND TË POST SKRIPTUMIT Rrugëtimi shterrues nëpër faqet e kësaj Antologjie të veçantë dhe ndër të rrallët e kësaj përmase, duke absorbuar gjithë atë nektar poetik që takon brenda kopertinave të “Itakës së fjalës” është një gjysmë veprim pa mos i thënë edhe pak fjalë për Kryeautorin, përkushtimi dhe puna e palodhshme e të cilit të gjason në një skulptor të rryer, që di të gdhend gurin deri në formën e një monumenti që përjetësohet në vendin dhe kohën përkatëse. Puna me ngulm e Nase Janit që të takoj në një projekt kaq të madh këtë dyzinë krijuesish është një vepër kapitale që meriton respekt të veçantë. Nase Jani prej kohësh ka dëshmuar peshën e fjalës së tij krijuese, por me hartimin e kësaj Antologjie poetike argumentoi përfundimisht se i është dhënë me tërë qenjen shpirtërore prej krijuesi letrave shqipe, duke treguar përkujdesje të veçantë në zbulimin, ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të saj. Në një rilexim të kësaj Antologjie do të preferoja vargjet e Himnit të Flamurit Kombëtar me përshtatje në poezi programatike: “Rreth poezisë të përbashkuar/Me një dëshirë e një qëllim…”, ashtu si është edhe dëshira dhe qëllimi i të gjithë poetëve në këtë përzgjedhje antologjike, që pastaj të vazhdoj rrugëtimin në brendinë e librit, duke kuptuar mesazhin e vargjeve të lartëcituara si moto e përgjithshme e gjithë lëndës përmbledhëse. Kështu do të lidheshin të gjitha fijet e poezive në një të vetme, si një fjalë me peshë të rëndë prej gurit të trollit që përfundimisht të mbetet Monument i një epoke që po jetojmë dhe përjetojmë njëkohësisht

Xheladin Mjeku:Ndërtimi I testamentit antologjik

Milaim Berisha: ,,TESTAMENT PËR SHQIPËRINË”, poezi të zgjedhura, botoi “TOENA” - Tiranë, 2010

image
Milaim Berisha për katër dekada sa është i pranishëm me krijimtarinë e tij letrare, te lexuesit vjen me librin e tetë, këtë herë me përzgjedhje të poezive me titull “Testament për Shqipërinë”. Përpjekja e autorit që të krijoi individualitetin personal në ndërtimin e poezisë, pasurimin leksikor, galerinë e figurave, metaforave me përkushtim dhe funksionalizimin e tyre, në një mënyrë ose tjetër kanë arritur efektet e krijimtarisë së tij letrare. Kështu, Milaim Berisha përmbylltazi me poezitë e librit “Testament për Shipërinë” aktualizon problemet e shumta ekzistenciale, në veçanti shtrirjen e tyre universale, biblike dhe jetike të njeriut tonë gjatë shekujve. Ndërtimi i kësaj përmbledhjeje të përzgjedhur të poezive në dhjetë cikle: ,,Ti lulëkuqe e gjakut tonë”, ,,Lumi dhe ëndrra”, ,,Dheshkronja”, ,,Trëndafila të pavenitur”, ,,Lot mbi Evropë”, ,,Quo Vadis, Atlantidë”, ,,Ngadhënjim mbi vdekjen”, ,,Shi, zogj dhe dashuri”, ,,Pranvera në Kosovë” dhe ,,Në vend të epilogut ose mbarimi i ëndrrës” - dëshmojnë përkushtimin serioz të realizuesit të kësaj antologjie personale, nga materia e gjithë krijimtarisë poetike të Milaim Berishës, duke i veçuar poezitë më të realizuara nga tetë vëllimet e botuara vite më parë: ,,Epshet e Gjakut”, ,,Pranë Burimit”, ,,Bukureza”, ,,Biografia e popullit tim”, ,,Testament për Kosovën”, ,,Pranvera në Prishtinë”, “Fyell i lënë mbi një gur”, “Testament për Shqipërinë”, ku tematika dominuese është malli përvëlues për vendlindjen, bashkëfshatarët, për lagjën e fëmijërisë, për nënën, motrën, vëllain. Pastaj, shpalosen pamje idilike me përkushtim për fshatin, emocionet prekëse në çaste dhembjeje, ndjenja shpitërore dhe melankolike të një mërgimtari, pavarësisht pse autori këtë angështi shpirtërore e përjeton në relacionet e jetës urbane, larg përditshmërisë rurale. Ndjeshmëria kaq e hollë për vendlindjen, njerëzit, fatet, tragjeditë dhe preokupimet e tyre, për mundin dhe sakrificat shekullore kundruall një torturimi, sa shpirtëror aq edhe fizik nga një pushtues i paskrupullt - dëshmon bindshëm se sa ishte i lidhur autori për atdheun dhe njerëzit e tij, për kauzën tonë, për Kosovën, Çamërinë dhe Shqipërinë Etnike. Vetë titulli i kësaj vepre poetike “Testament për Shqipërinë” (botim i dytë i plotësuar), sugjeron dhe orienton lexuesin kah botëperceptimi i drejt i saj, e kjo do të thotë: përcakton kornizën e frymëzimit tematik e motivor, përthekon së afërmi semantikën tekstore dhe mbulon veprimin e saj transformues imagjinativ. Kjo është një botë poetike që lëviz midis rrymimeve klasike dhe moderne, midis reales e fiktives, por esencialisht e hulumtuar dhe e përjetuar me pretendim të përvetësimit të shumësisë së saj: si hapësirë etnike e autorit, si reliev shkronjor e historik, dhe si realitet i mundshëm shpirtëror: “Shqipëri – atdhedashuria ime e parë Shqipëri – amaneti im i fundit. Ti je ëndrra dhe zhgjëndrra ime E bastisur në mes-Natë, e plagosur në agime. Shqipëri – Shkëmb midis malesh! Ti je etja dhe dashuria ime lotngrirë Mes jetës e vdekjes në beteja gjaku e përtrirë. Shqipëri – Lumë që nuk ndalesh!” 2. STRUMBULLAR I VLERAVE KOMBËTARE DHE UNIVERSALE Gjatë gjithë rrugëtimit të tij poetik autorin e preokupon atdheu dhe liria. Që nga libri i parë “Epshet e Gjakut” e këndej, poezia e Milaim Berishës përshkohet me frymën e atdhedashurisë dhe ngritjes kozmopolite të çështjeve të ndieshme të popujve tjerë, solidarizimin me kauzën e të përvuajturve kudo në botë, që konsiderohen si postulate qendrore, duke bartur bagazhin e problemeve të shumta për njerëzimin, Mëmëdhenë, njeriun dhe lirinë, etj. Poezia programatike “Testament për Shqipërinë” (2), prej nga del titulli i librit me poezi të përzgjedhura, edhe njëherë flet për përkushtimin e autorit, për trungun e lashtë ilir, për dhimbjet shekullore dhe zjarrin prometian që të përjetësojë ëndrrat e lirisë: “E ndez zjarrin e Prometeut/T’i jap shpirt gjithë atdheut”, për të përmbyllur këtë mall nostalgjik me fuqinë shpirtërore prej birit të saj besnik deri në çastet e fundit të jetës, i bindur se: “Dhe kur të bëhem shpuzë e hi Prapë të dua – Nënë Shqipëri!” (“Testament për Shqipërinë”) Muza poetike e autorit herë shpërthen si vullkan, herë ndryn shpirtin krijues në dozën e shqetësimeve për vuajtjet, torturat dhe represionet mbi popullin e tij, herë u gëzohet peisazheve të bukura të vendlindjes, gjallërimit të jetës së bashkëfshatarëve, arsimimit të fëmijëve në mësonjëtore, në lojëra, fushave të gjelbruara, herë përshkohet nga një pamje e ngrysur, herë një ndrydhje shpirtërore për vuajtjet shekullore nga një okupim i paparë, me kamuflime ideologjike totalitare... pastaj një jetë të re plot gjallëri dhe pa brenga, mandej një lumturi e brishtë - mashtruese deri në pafundësi... Edhe poezia “Pranvera në Prishtinë”, që më vonë do të shëndrrohet në “Himn të dashurisë”, dëshmon përkushtimin e autorit për motivet dhe kërkesat jetike të botës rinore, për dashurinë, për qytetin e “ngrohtësisë së parë”, pastaj “vargjet për ardhmërinë”... Përjetimi i kënaqësisë, duke lexuar poezitë si kjo me titull, sa simbolik, aq edhe aktual, sidomos kur kujtojmë jehonën e këngës që prej vitesh (1981), është e pranishme gjithandej në familjet tona, nuk mund të konsiderohet vetëm si akt i rëndomtë i një lexuesi kurreshtar. Motive të këtilla takojmë pothuajse në shumë prej krijimeve poetike, që për tematikë kanë atdhedashurinë, mallin për mërgimtarët, për “Gjuhën shqipe”, për “Shqiponjën dhe flamurin”, për “Dardaninë”, për “Biografinë e popullit tim”, për “Këngën e të parëve” dhe për gjithçka që do ta ndjej në Uni-n e tij prej krijuesi me një sens të ndjeshëm të perceptimit të fenomeneve të ndyshme, duke i ravijëzuar thellë në mendjet dhe shpirtin e tij të trazuar. Milaim Berisha shtjellon tema të mëdha, që reflektojnë ndjesi prekëse dhe emocionale, duke u ngritur në rrafshin e niveleve të gjëra, me trajtim tematikash të një spektri universal në kuptimin e fjalës. Shembull të këtillë gjejmë te poezia “Dallëndyshet mbi Grabofç”, ku autori rrugëtimin e tij e fillon nga Malet e Trollit , nga një cep i vendlindjes – Grabovçi i Poshtëm i fëmijërisë, për të “nxituar n’për vise të Diellit”. “Poezia e Milaim Berishës është poezi e dhembjes, e tmerrit, e revoltës, e ironisë, e shpresës dhe e meditimit të thellë”, - shprehej ndër të tjera, prof. Latif Berisha sa ishte gjallë. Prandaj, vetë ngulitjet e vargjeve, cikleve, motiveve, mesave ruajnë vlerën sublime të mendimit intelektual, vlera këto të dëshmuara në rrafshin kombëtar dhe universal, duke krijuar kështu xhevahire dhe figura në opusin e krijimtarisë letrare të Milaim Berishës. 3. PËRJETËSIMI I FIGURAVE EMBLEMATIKE Në këtë kontekst, një përfshirje emblematike të figurave të shquara të krenarisë së lavdishme kombëtare, një galeri e tërë figurash historike, të portretizuara me nderim të veçantë nga një krijues me vizion të gjërë në frymën e ngritjes dhe kujtimit të tyre, në epoka historike dhe situata të dëshmuara, që ishin forcë shtytëse e proçeseve të mëdha historike, të zhvilluara në vazhdimësi me Bashkësinë Mdërkombëtare si dhe paraqitja e UÇK-së në momente të caktuara , kishin efekte pozitive me motivacion kushtrimi në rrugëtimin drejt lirisë dhe pavarësisë së plotë të Shtetit të Pavarur të Kosovës. Në fakt, autori gjatë gjithë periudhës së tij krijuese kishte preokupim parësor dhe shtytje hulumtimin e rrënjëve të gjakut përmes këtyre figurave kombëtare dhe historike deri në zgjidhjen e fatit të atdheut dhe Ditën e Lirisë. Liria dhe Atdheu te lexuesi vijnë me këngëtimet për Skënderbeun, Princin e Arbrit, Albanopolisin, Adem Jasharin, Lidhjen e Prizrenit, për Shqipërinë, Gurin e Plakës, për Kosovën, për popullin; pastaj portretizimin e figurave të shquara si: Naim Frashëri, Noli, Lasgush Poradeci, Eqrem Çabej, Idriz Ajeti, Latif Berisha, Mirko Gashi, Ymer Elshani, Kësulëbardhët, e shumë emra e figura të tjera, si rezultat i punës së tij krijuese për dekada të tëra. “Natë. Skëterrë me gjysmëhënë - Ca kreshnikë… dhe një nënë: Po zbritnin nga mallet me bajrak Të sillnin Nusen me duvak!” (“Guri i Plakës”) Kështu, fuqia e vargut është po aq sa edhe forca e shkëmbit, ka lashtësinë e kujtesës nëpër shekuj, duke përmbushur hapësirën letrare me dëshmitë e miteve, psalmeve ilire, legjendave, baladave, betejave, fitoreve... të përcjellë edhe në ditët tona. Përjetësimi i figurave emblematike të krenarisë sonë kombëtare ishte dhe mbetet njëra ndër pretendimet e parreshtura të Milaim Berishës, për faktin se aty nis dhe brumoset gjithë delli frymëzues për qëndresën heroike, për ruajtjen e gjakut, atdheut dhe për ngritjen e themeleve të Pavarësisë. 4. SEMANTIKA E PËRMBYLLJES Poezia e Milaim Berishës gjithnjë ruan frymën e mesazhit, varësisht kohës dhe rrethanave që diktojnë një situatë që do t’i përkushtohet ajo, duke konsistuar njëkohësisht edhe në ruajtjen e ndërtimit semantik , në ruajtjen dhe kultivimin e metaforës, simboleve, personifikimit, imazheve, e veçanërisht shquhet për përdorimin e toponimeve, të cilat e bëjnë edhe më të fuqishme shprehjen artistike dhe letrare të poezisë së tij. Ka edhe shumë krijime tjera që qëndrojnë lartë me vlerën dhe mesazhin e tyre, ku veçohen poezitë: “Duke pritur agimet”, “Matrapazët e pallateve”, “Kohë policore”, “Bukëpjekësit e Hasit”, pastaj elegjia “Doruntinë, moj Doruntinë” e shumë tjera të ngjashme. Krijimet e përzgjedhura nga opusi krijues i Milam Berishës, fitohet përshtypja se janë përballje me një rrugëtim të mundimshëm dhe të gjatë të të krijuarit art të mirëfilltë në kuptimin e plotë të fjalës. Edhe më tutje, këtij krijuesi të dëshmuar sikur nuk i ndalet vrulli, nga fakti se edhe në këtë libër hasim shumë poezi tjera që janë botuar për herë të parë këtu (nëse ndonjëra nuk do të ketë pasur fatin e botimit në ndonjë gazetë apo revistë), si: “Në emër të dashurisë”, “Frikë nga çlirimtarët”, “Protestë” dhe ndonjë tjetër. Poezitë: “Vargje me diell”, “Herët a vonë”, “Tetovë, diell i dashurisë”, “Prometeu im”, “Dardania”, “Dialogu i Kaltrinës në Klinikën e syve” dhe poezia që e përmbyll librin, “Happy end” rezultojnë me dhuntinë dhe me muzën e tij në korrespondim të vazhdueshëm dhe premtues. Jeta në veprën e Milaim Berishës është dramë. Drama është art. Arti është i përjetshëm!

Mbresa nga libri voluminoz “KRITIKA NDRYSHE – II”, e Fatmir Terziut



image                         “KRITIKA NDRYSHE – II”




















TEMPULLI I DIJES NË SYRIN E KRITIKËS LETRARE
XHELADIN MJEKU
Mbresa nga libri voluminoz “KRITIKA NDRYSHE – II”, e Fatmir Terziut
I. HYRJE NË TEMPULL
          Kur merr guximin të futesh rrugës së gjatë dhe sfidimit prej vështruesit serioz në matjen e të gjitha barometrave dhe kaheve të zhvillimit të letërsisë në këto vitet e fundit, sidomos në periudhën e tranzicionit, ku u hapën mundësitë e daljes në skenën letrare dhe krijuese shumë emra të anatemuar, krijues të rinjë dhe sidomos krijuesit nga mërgata, që ishin të panjohur për opinionin lexues në trojet etnike, nuk ka dyshim se ke vënë vetes një sfidë. Këtë rrugëtim e nis me  përkushtimin më serioz Fatmir Terziu, i cili ua hap portën këtyre krijuesve që të grumbulluar në një libër voluminoz me shkrime e analiza kritike dhe letrare për librat dhe rezultatet e tyre, bën që të kemi një njohje më të gjithanshme të shumë penave, që deri vonë ishin pothuajse enigmatik dhe fare pak të njohur. 
         Nisur nga ky supozim sikur fitohet përshtypja se po hapen portat e një tempulli të madh të njerëzve të veprimtarive të shumta kulturore, krijues të poezisë, prozës, kritikës, dramës dhe vlerave të mëdha letrare në përgjithësi. Triumfalisht do të shëtisim nëpër të gjithë kapitujt e këtij libri, për të takuar emra të shumtë krijuesish, veprat e të cilëve premtojnë në zhvillimin dhe lërimin e vlerave të qëndrueshme letrare dhe shkencore, në përgjithësi. Të takosh në një vend aq emra krijuesish, të njohësh veprimtarinë e tyre dhe të kesh një pasqyrim të përafërt për zhvillimet e krijimtarisë së tyre, është një vlerë e konsiderueshme për lexuesin e rëndomtë, por edhe për studiuesin e kësaj dege të letërsisë kombëtare. Të rralla janë rastet kur vijnë bashk krijues nga atdheu dhe mërgata, në numër kaq të madh, e që pasqyrojnë botën letrare në formën më të plotë. Këtë mundësi na e krijon Fatmir Terziu me librin e tij voluminoz “Kritika Ndryshe- vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare-II”, që tashmë disponojmë.  
            Që në fillim të këtij vështrimi kapim fijet e organizimit të librit, që i paraprinë Hyrja dhe pastaj vazhdohet me katër kapitujt që pasojnë: Kapitulli i parë–Kuptimi, efekti kontekstual dhe komprehensioni; Kapitulli i dytë–Diskursi, interpelacioni, metafizika dhe filozofia e fjalës; Kapituli i tretë–Poezia, raportet e saj me jetën, bashkëkohësia, triniteti dhe…cili është kuptimi i ekzistencës së saj, dhe Kapitulli i katërt–Përtej analizës, rrumbullaksojnë një material voluminoz për kahet e zhvillimit të letërsisë shqiptare këtyre dy dekadave të fundit. Libri shoqërohet me një bibliografi të pasur prej rreth 90 burime të ndryshme, që plotësojnë lëndën e shtjelluar, duke dhënë dëshmi të mjaftueshme për studimin e autorëve të përzgjedhur në libër. Edhe  indeksi i emrave të përfaqësuar, si ndihmesë tjetër janë udhëzuesit e gjetjes së emrave të përfaqësuar brenda kopertinave të librit voluminoz dhe të ndërtuar me përkushtim  “Kritika Ndryshe- vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare-II”, të Fatmir Terziut, - studim kritik mjaft tërheqës, që zë një vëllim prej afër 500 faqesh.
           “Kritika Ndryshe-vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare-II” është  vepër që i   plotëson nevojat e lexuesit të njoh gjithë materjen e përmbledhur aty, një ndihmesë e mirë për të mësuar për  angazhimet e Terziut në organizimin dhe ndërtimin e një vepre studioze. Nga ky prizëm mund të konkludohet se, në materjen e kësaj vepre shkencërisht të realizuar mund të vëzhgosh e kuvendosh lirshëm me të gjitha format e shtjellimit dhe problematikat që kap në analizimin e veprave të nduarnduarta letrare. Kjo vepër, realisht me plotëkuptimin e fjalës, është studim i mirëfillt dhe më ndryshe se që jemi mësuar të takojmë në raste të shumta; e shkruar më ndryshe se në rastet e rëndomta në  fushën e kritikës letrare shqiptare.
 Konteksti i kësaj përgjigjeje është organizimi dhe shtjellimi  bashkëkohor në kritikë dhe analizë të veprës letrare, bazuar në psikanalizë. Kjo është veçanita e këtij libri studimor, ku përfshihen autorë shqiptarë në prozë dhe poezi,  që premton një pikënisje në kritikën ndryshe, me mënyrën e shtrimit të problemeve rreth kritikës letrare.

II. PERSONIFIKIMI I FIGURAVE TË HARRUARA DHE VLERAT E PAKONTESTUESHME

            Që në fillim hetohet përfshirja e një numri të konsiderueshëm emrash që ishin pjesa e harruar apo fare pak e njohur në qarqet letrare këtu tek ne, duke aluduar në pamundësinë e ndjekjes së hapit me shpejtësinë e daljes në opinion të shumë emrave të rinjë, sidomos në dy dekadat e fundit të tranzicionit të vendit. Brengosëse është edhe fakti se përzgjedhjet e mëhershme të shkrimtarëve të brezave të mëparshëm kishin mbetur si pjesa obligative e mësimit të letërsisë, kurse komisione të reja për të ndryshuar gjendjen, duke përfaqësuar edhe emra të rinjë që kanë bërë emër dhe vlerë të qëndrueshme në letrat shqipe nuk kanë nxjerrur në dritë asnjëherë deri tash.
              Elita krijuese letrare në hapësirat shqiptare e prezantuar këtu edhe me një qëndrim serioz të kritikës letrare është shembull i mirë se ka ikur koha e personalizimit dhe e interpretimit të kufizuar si parapëlqime të grupeve dhe individëve të caktuar nga qarqet pushtetore dhe të sferës së politikave organizative të kulturës.
             Në librin që po shqyrtojmë “Kritika Ndryshe-vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare-II” të  Fatmir Terziut takojmë një aradhë të tërë autorësh në gjini të ndryshme shumë të njohur, më pak të njohur apo të rishfaqur në hapësirën mbarë kombëtare, të rinj e të moshuar, nga të gjitha trevat shqiptare dhe nga  mërgata, që krijojnë në prozë dhe poezi, si Ismail Kadare, Zija Çela, Halit Shamata, Izet Shehu, Pëllumb Kulla, Agron Tufa, Agim Shehu, Klara Buda, Puntorie Muça-Ziba, Vilhelme Vranari-Haxhiraj, Vullnet Mato, Dhimitër Xhuvani, Thani Naqo, Kujtim Agalliu, Halili Jaçellari, Myrteza Mara e ndonjë tjetër, dhe në poezi, si Isuf Luzaj, Agim Gjakova, Preç Zogaj, Iliriana Sulkuqi, Zyhdi Dervishi, Moikom Zeqo, Zejnepe Alili-Rexhepi, Arian Leka, Anton Çefaj, Skënder Rusi, Nehas Sopaj, Sazan Goliku, alias Pandeli Koçi, Ndoc Gjetja, Ramadan Musliu, Skënder Hasko, Vojsava Nelo, Din Mehmeti, Iliaz Bobaj, Lindita Agolli, Mujo Buçpapaj, Ndue (Tomë) Ukaj, Medije Vraniqi, Vangjush Ziko, Abdylazis Islami, Agim Spahiu, Bajame Çeliku-Hoxha, Petraq Risto, Uran Kostreci, Rahmi Tuda, Sotir Lashova, Julia Gjika, Albana Mëlyshi-Lifschin, Kostaq Duka, Sherif Bllaca, Dritan Buna, Ylber Merdani, Elinda Marku, Gëzim Llojdia, Merita Bajraktari-McCormak, Selman Lokaj, Xhevat Latifi, e ndonjë tjetër, nduarnduarshmëria e  krijimtarisë letrare të të cilëve përbën një thesar të çmueshëm në fondin e letërsisë shqiptare, që krijohet këtyre dekadave të fundit.
            Objekti i studimit për krijimtarinë e shumë krijuesve të Letërsisë Shqiptare, për probleme të caktuara, të veçanta dhe të dallueshme nga njëra-tjetra shërbejnë si modele të të arriturave në letërsinë bashkëkohëse shqiptare nëpër dekada. Autori i studimit ka përzgjedhur midis shumë prozatorëve dhe poetëve, disa krijues shumë të përveçëm, për të cilët ka ndërtuar nga një  pasqyrë në disa plane letrare me vlera për letërsinë që po krijojnë, e  që deri më sot  kanë munguar, ose është folur fare pak për ata. Vlerësuar  në specifikat e  gjithësecilit autor, ata konsiderohen si modele të  sukseshme në fusha të veçanta të letrave shqipe dhe natyrshëm të letërsisë  sonë kombëtare.
           Nga këto fakte  libri plotëson nivelin e vlerave të studiuara dhe të gjetura te krijimet e larmishme të autorëve, ku struktura e tij bëhet sa e larmishme dhe interesante, aq edhe  e dobishme për studimin e krijimtarisë shqiptare në vazhdimësi.

III.             LABIRINTHET E BOTËS IMAGJINATIVE

            Periudha kohore e përfshirë në shkrimet kritike të Librit “Kritika Ndryshe-vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare-II” përfaqësohet të shumtën në dy dekadat e fundit dhe nis me shqyrtimin  analitik të termave modernizëm dhe pasmodernizëm, të cilët janë ndër termat më të debatueshëm edhe në dekadat e mëparshme, jo vetëm në mesin e studiuesve në fushën sociologjike, historike e filozofike, por edhe në ato letrare dhe artistike, veçanërisht. Me përkushtim prej profesionisti të kualifikuar Fatmir Terziu nuk ndalet në konstatimet përgjithësuese për modernizimin dhe pasmodernizmin, por vazhdon rrugëtimin e tij studiues në analizat konkrete në fushën e letërsisë, duke konsultuar edhe mendimet e studiuesve më të afirmuar perëndimorë në problematikën e pasmodernizmit në letërsi.  Fatmir Terziu i qaset shqyrtimit analitik të proceseve, dukurive e risive letrare në gjuhën shqipe, duke konsultuar gjithnjë me kujdes literaturën më bashkëkohore dhe duke u bazuar në përvojën teorike të vendeve më të përparuara të perëndimit. Që në faqet e para të këtij libri mësojmë se autori njeh dhe përdor me  saktësi literaturën bashkëkohore që i shërbenë si instrument studimi dhe shqyrtimi analitik të dukurive e risive letrare në prozë dhe në krijimtarinë poetike.
            Poashtu harmonizimi i natyrshëm i pikëvështrimeve teorike të studiuesve dhe  shkrimtarëve të vendeve të tjera me ato të autorëve shqiptarë është një tjetër dëshmi prej studiuesit me formatin më të kompletuar të ngritjes profesionale dhe të përkushtimit për studime cilësore sa më të argumentuara. Një gjetje tjetër në masë të konsiderueshme tek autorët e shumtë shqiptarë në studimet e Terziut është  edhe lidhja qenësore e arritjeve më të veçuara të tregimtarisë shqiptare të ditëve tona jo vetëm me rrjedhat përkatëse të modernitetit, por edhe me nektarin e papërsëritshëm të gurrës tregimtare të krijimtarisë folklorike të shqiptarëve, që lehtëson komunikimin e saj me një rreth më të gjerë lexuesish shtresash e interesimesh nga më të ndryshmet.
            Librin e Fatmir Terziut “Kritika Ndryshe - Një vëzhgim në brendësi të prozës e të poezisë shqipe-II” me plotë të drejtë, mund të konkludojmë se është një vepër e mirëfilltë studimore, që ka si objekt studimi:  Postmodernizmin, Funksionin estetik, Artin e fjalës,  kritikës letrare, etj. për të  vlerësuar veprat letrare; pastaj leximi i kujdesshëm i poezisë dhe mënyra  gjithëpërfshirëse e  saj në vrojtimin e analizës komplekse bashkëkohore.
           Në një mendim përmbyllës të këtij analizimi, veç të tjerash, evidentohet çështja  thelbësore, të themi përmbajtja artistiko-shpirtërore e krijimtarisë poetike të çdo krijuesi, poeti ose   poeteshe  që fiksohet me objektivin vrojtues të Fatmir Terziut.
IV.MESAZHI OSE TEMPULLI QË RREZATON DIJE
            Këtë nëntitull do ta kisha vënë që në krye të shkrimit me besimin se paraqet mjaft bindshëm dhe sigurtë gjithë qëllimin që ka kjo vepër voluminoze. Mesazhi i gjithë kësaj sikur përmbyllet me vështrimin e lëndës së prezantuar këtu, aq më shumë kur takojmë një laryshi autorësh dhe tematikash të prezantuara me pedantëri dhe seriozitet nga autori. Mund të flitet gjatë për vlerat dhe rëndësinë e veprës, por një çështje është mbase e vërtetë në këtë rast. Nëse në mësimet parauniversitare përcaktimi për lekturën e domosdoshme është i rregulluar me normativa pedagogjike, në fushën e studimeve albanistike, e veçanërisht për letërsinë, do të ishin me interes tituj shkencërisht të dëshmuar  si ky i Fatmir Terziut të preferoheshin si obligues për tu lexuar, qoftë si literaturë e mirë studimi, qoftë si libër-lekturë e llojit të veçantë, ku takon brezat  e krijimtarisë moderne në një kulm të fuqishëm dhe meritor. E them këtë nga bindja se një vepër si kjo sikur të shpie në një bibliotekë të përzgjedhur, ku asnjëri nga autorët nuk të lëshon t’i ikësh përballjes me të arriturat dhe vlerat e krijimtarisë së tij.
            Fatmir Terziu i ka përmbushur me një përkushtim të admirueshëm kriteret e hartimit të një libri të përmasave të gjëra shkencore në nivelin ndërkombëtar, duke njohur  mirë letërsinë kombëtare dhe botërore,  paisjen me një kulturë të gjerë,  një formim enciklopedik, në mënyrë që të jetë në gjendje të bëjë analiza dhe përqasje me të vërtetë bindëse me krijimtarinë e autorëve vendës dhe të huaj, duke gjetur edhe pikëtakime përkatëse në këndvështrimet e tyre, prandaj me të drejtë vlerësojmë se ka arritur të vërë në dorën e lexuesve një vepër me nivel të lartë shkencor. Me punën e palodhshme për një periudhë të gjatë kohore që ka përballuar për përgatitjen dhe botimin e kësaj vepre të vëllimshme, autori ka manifestuar, para së gjithash, një respekt të thellë ndaj vetvetes, si një intelektual me horizont të gjerë.
          Në letërsinë e sotme, siç do të theksonte edhe vetë autori i librit Fatmir Terziu, ka prurje të shumta letrare që ka nevojë të studiohen dhe të seleksionohen më tutje.  Gjithnjë duke iu referuar mendimit të tij, shfaqja e mendimit të plotë, pa rezerva në letërsi, krijon tablon e plotë të një krijimtarie të re, ku krijuesi duke analizuar të djeshmen, duke jetuar të sotmen me problematikat e veta, jep mesazhin e së nesërmes.
          Kritiku Fatmir Terziu me  këtë  vepër të vëllimshme  studimore, dhe me librin paraprak të po kësaj natyre dëshmon  se në Shqipëri dhe gjithandej kah krijohet letërsia shqiptare, tash pas daljes nga anonimiteti i periudhës së izolimit tejet të gjatë, po rilind letërsia moderne, për të cilën autori jep mjaft shembuj dhe vlerësime nga kritika bashkëkohore në botë, si krahasim i ndërsjellë i arritjeve të suksesshme dhe vlerash të pakontestuara, që gjithnjë e më shumë janë mirëpritur edhe në vendet tjera, ku janë prezantuar, qoftë si përkthime, apo si krijime në gjuhën e vendeve ku jetojnë e krijojnë autorë të etnisë shqiptare.
          Në kontekst të një vrojtimi të këtillë konsideroj se ky është një përparim i suksesshëm i kritikës letrare shqiptare, duke iu falënderuar entuziastëve të kalibrit të Fatmir Terziut, me synimin e përafrimit me standarde më të përparuara të kritikës bashkëkohore.
Shto

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...