Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/09/28

Artet e bukura shqiptare ....




Gjurmët më të hershme

Fillimet e artit figurativ në truallin e Shqipërisë janë të herëshme. Gjurmët e para i përkasin periudhes se neolitit. Nëpërmjet zbulimeve të shumta arkeologjike, në zona të ndryshme të vendit, janë gjetur qindra e mijëra qeramika, terrakota, zbukurime ne metal etj., që u përkisnin fiseve ilire, paraardhësve të drejtpërdrejt të shqiptarëve të sotem.
Prodhimet më të herëshme janë të thjeshta, për përdorim praktik, por në to shfaqen edhe vlera artistike si në format zoomorfe të enëve ashtu edhe në dekoracionin, gdhendjet dhe elemente të tjerë. Nga shekulli i gjashtë deri në shekullin e trete p.e.re në qeramika vizatohen linja dhe figura gjeometrike; forma ndërtohet me siluet më elegant dhe pasurohet me elementë plastikë. Shumë enë të kësaj periudhe, që ruhen sot në muzetë e Shqipërisë, kanë vlera të mirëfillta artistike dalluese vendase, që nuk i ndeshim në artin e fqinjëve të tjerë po aq të lashtë si helenët, maqedonët apo romakët.
Nga ato enë të lashta, të zbukuruara me dekoracione e fraktura plastike, nis rruga e skulpturës në truallin e Shqipërisë duke u bërë kështu bashkëudhëtare me artin e popujve më të hershëm të Europes. Tipare më të qarta u dukën sidomos me formimin e qyteteve ilire Bylis, Amantia, Foinikue, Butrot si dhe me ngulmimet helene: Durahu, Apolonia, Oriku.

Arti Ilir

Në qytetet ilire mori zhvillim më të madh skulptura e rrumbullakët si dhe relievi që lidhej me ndërtimin e monumenteve. Në fillim skulptura u zhvillua duke përvetësuar elementë të artit helen, sidomos nga tradita korintike dhe korkyrase.
Më vonë, nga shekulli VI p.e.r., krahas lidhjes me traditen helene, arti ilir fiton vecori te reja, të dallueshme, brenda kuadrit helenistik. Apolonia dhe Durrahu që u bënë qendrat më të rëndësishme të artit në ato vite, kishin mjeshtrit e shquar vendas që gdhendnin dhe skalisnin në një stil me tipare të vecanta kundrejt krijimeve të importuara prej qytetërimit helen. Në muzeun e sotëm te Durresit janë ekspozuar disa skulptura të papërfunduara, të gjetura në atë trevë. Ato dëshmojnë për gdhendjet që janë bërë në truallin shqiptar. Janë zbuluar gjithashtu edhe gjurmë të punishteve të herëshme të qeramikës në Apolloni dhe Durrah. Aty u prodhuan shumë nga enët dhe vazot e bukura të stilit antik që ruhen në muzetë tona. Figurat e pikturuara paraqesin skena të ndryshme mitologjike, pamje nga garat atletike, skena luftimesh etj. Përgjithësisht janë me figura të zeza mbi sfond të kuq (shek. VI-V p.e.r.) dhe me figura të kuqe mbi sfond të zi (shek. IV deri në periudhën helenistike). Pikturimi i figurave është në lëvizje, plot harmoni dhe plasticitet. Në këtë periudhë krijohen edhe shumë statuja të vogla prej bronzi si dhe terrakota, ku paraqiten edhe motive laike si dhe figura fëmijësh, barinjsh etj.

Figura me vlerë artistike ndeshim edhe në monedhat e shumta të kësaj periudhe që u realizuan në Apolloni, Durrah dhe Orik. Lulëzimi i disa qyteteve ilire dhe i kolonive helene solli një zhvillim të madh të artit që u pasua edhe me shumëllojshmëri formash e teknikash; që nga afresket e deri te mozaikët e bukur monokrom dhe polikrom. Por në shekullin e I rë u ngadalësua gjithë ai hov zhvillimi. Pushtimi romak që shkaktoi rënien ekonomike të qyteteve ilire, la gjurmë të dukshme edhe në art. Ndonëse Roma pushtuese u pushtua vetë prej artit helen, përsëri ndikoi në qytetet ilire me tipare të kulturës së saj provinciale romake. U duk më qartë ndikimi në skulpturë, ku përgjithësisht u ndoq realizmi tipik i kohës, por ndjehet gjithashtu fryma klasike që mbështetet në traditën qindravjecare. Qendrat kryesore të krijimtarisë artistike mbeten përsëri Apollonia, Durrahu, Botroti etj.

Në vitet e pushtimit romak prej artit zyrtar shkëputet arti i trevave fshatare, ku pasqyrohen motive nga jeta e përditshme. Me praninë e elementëve të thjeshtë artistikë, që dallojnë nga krijimet e mëparshme, si dhe me skalitjen e veshjeve dhe emrave ilire, krijimtaria e këtyre viteve mund të vlerësohet edhe si një qëndresë ndaj asimilimit prej pushtuesve më të fuqishëm të kohës.






 Re

Zhvillimi i Mozaikut

Në të njëjtën periudhë me artin e trevave fshatare, në truallin e Shqipërisë arriti zhvillimin më të madh edhe arti i mozaikut. Më i herëshmi është gjetur në Durrës. I përket shekullit IV p.e.r. dhe është i punuar me gurë zalli shumëngjyrësh. Ka vlera të rralla artistike që shquhen në gjithë krijimtarinë e kësaj gjinie. Quhet “Bukuroshja e Durrësit” dhe mund të cilësohet si bukuroshja e gjithë mozaikëve që janë zbuluar deri tani në truallin shqiptar, për hijeshinë e figurës dhe mjeshtërinë e realizimit artistik. Në shekullin e I rë, sic përmendëm, u arrit lulëzimi i këtij arti dhe nga gurët e zallit u kalua në kubikë të prerë prej guri, qelqi, mermeri apo balte të pjekur. Mozaikë të tillë janë zbuluar në Apolloni, Durrah dhe Butrint.
Zhvillimi i mëvonshëm i mozaikëve lidhet kryesisht me monumentet paleokristiane. Pas shekullit te V-të motivet e mozaikut ndryshojnë nga modelet e pikturave të herëshme, sic është amazonamania në Apolloni, duke u zëvëndësuar me figura simetrike që qëndrojnë të shkëputura në sipërfaqe dhe që paraqesin figura kafshësh, shpendësh, pemë frutore, lule e të tjerë simbole të artit paleobizantin. Ruhen edhe sot në gjendje të mirë disa krijime të tilla, sic janë Pagëzimorja në Butrint, mozaikët e Linit dhe të Antigonës. Nga gërmimet e deritanishme, është gjetur vetëm një mozaik paretial në Durrës, brenda Amfiteatrit të qytetit, që i përket shekullit VI-VII-të.

Piktura Murore (Afresket)

Në periudhën e kalimit nga antikiteti i vonë në mesjetën e herëshme, skulptura vjen duke u zbehur deri në mohim të plotë nga estetika bizantine, ndërsa arti i pikturës gjeti shprehjen më të lartë artistike. Zhvillim më të madh mori sidomos piktura murore brenda tempujve kristiane. Kishat u mbushën me afreske dhe ikona që u nënshtroheshin plotësisht kanoneve të rrepta të metropolit. Autorët nuk i firmosnin veprat në atë periudhë, prandaj gjithë ajo krijimtari mbetet ende anonime. Tani në Shqipëri ruhen pak gjurmë nga krijimtaria më e herëshme, vetëm disa fragmente. Fatkeqësisht një pjesë e tyre u dëmtua gjatë luftës kundër fesë që u bë në regjimin komunist (1967), duke zhdukur kështu vepra me vlera të rralla për kulturën dhe historinë kombtare. Në ato pak fragmente që ruhen ndihen ndikime të stileve perëndimore (Kisha e Rubikut – 1272), si dhe lindore (Vau i Dejës – shek. XIV-të) të artit bizantin. Ikonat e shumta si dhe minaturat në kodikë të Beratit dhe të Vlorës (shek. XI-XIV-te) janë me vlera artistike dhe i përkasin periudhës së zhvillimit të artit bizantin në Shqipëri.

Piktura Pas-Bizantine

Gjatë shekullit XVI-të,ndonëse ende nën pushtimin osman, u krijuan vepra të reja artistike në pikturë, në stilin pasbizantin. Personaliteti më i shquar i kësaj periudhe është Onufri (shekulli XVI). Pikturat e tij dallohen për ngjyra të pasura dhe nuanca dekorative, për realizimin e tipave interesantë me gjendje tragjike, si dhe për futjen e disa elementëve etnografikë kombtarë që do t’i shohim më qartë edhe te pasardhësit e tij; i biri Nikolla (shek. XVI-të) si dhe te piktorët e shquar David Selanicasi (shek XVIII-të), Kostantin Shpataraku (shek. XVIII-të), dhe te të më vonëshmit vëllezërit Kostandin dhe Athanas Zografi (shek.XVIII-të), familja Katro (shek. XVIII-të) etj., që zbukuruan mjaft kisha në Shqipëri dhe në vendet fqinj.

Në Shqipëri është bërë edhe vazhdon të bëhet një punë e kujdesshme për veprat e artit pasbizantin pasi ato cmohen si pjesë e rëndësishme e trashëgimisë më të pasur kombtare. Vazhdojnë ende hulumtimet për zbulimin e autorëve të tjerë si dhe restaurimi i veprave të dëmtuara gjatë shekujve. Deri tani janë hapur disa ekspozita me vepra të këtij arti si në Paris (1975), Romë (1985), Nice (1993) etj të cilat kanë ngjallur intresa të shumta te specialistët e artit. Ekspozitat janë shoqëruar me botime të ilustruara dhe me komente të shumta nga shtypi i huaj. Krijimet më të cmuara të këtij arti ruhen në Muzeun e Artit Mesjetar ne Korcë, Muzeun Onufri Berat, Muzeun Hustorik Kombtar, Galerine Kombtare te Arteve si dhe në muze të tjerë në Tirane dhe qytete të tjerë të vendit. Në Korcë është ngritur edhe një muze privat, i vetmi deri tani nw Shqiperi, që ruan një koleksion të pasur me vepra të artit pasbizantin.
Mbrapsht në krye Shko poshtë

Rilindja dhe Pavarësia

Në gjysmën e dytë të shekullit XIX-të fillon një etapë e re, e rëndësishme për artin shqiptar. Lëvizjet e mëdha clirimtare që sollën pavarësinë e vendit (më 1912), krijuan atmosferën për një drejtim të ri artistik, që do të pasqyronte më me realizëm jetën. Lindi piktura laike me motive patriotike dhe etnografike. Në historinë e artit shqiptar viti 1883 është i shënuar për krijimin e dy pikturave më me vlerë: “Porteti i Skëndebeut” nga Jorgji Panariti dhe “Motra Tone” nga Kolë Idromeno. Me këto tablo nis rrugën piktura e Rilindjes Shqiptare. Duket si rastësi por pikërisht motivet e këtyre dy veprave të para, janë motivet kryesore që mbizotërojnë në tematikën e artit shqiptar të Rilindjes dhe të periudhës së Pavarësisë; pra tema patriotike që evokohej me trajtimin e figurës së Heroit Kombëtar, Skënderbeut, si dhe skenat nga jeta e përditshme ku fiksoheshin edhe vlera të kulturës të kulturës kombtare.

Te piktorët e Rilindjes përgjithësisht ndihet fryma romantike. Në shumë tablo vihen re edhe tipare të realizmit klasik si dhe të një realizmi më bashkëkohor, duke fiksuar kështu në art, gjendjen reale të vendit, ndonjëherë edhe me qëndrim kritik. Piktori më i shquar i kësaj periudhe është Kolë Idromeno (1860-1939) autor i shumë tablove, portreteve dhe peisazheve. Krijimtaria e tij u bë si shkollë për artistët e ardhshëm. Idromeno ka qenë gjithashtu edhe arkitekt dhe fotograf i njohur.

Fotografia artistike dhe dokumentare pati një përfaqësues tjetër të shquar, të njohur brenda dhe jashtë Shqipërisë; familjen Marubi, drejtuar kryesisht nga Keli, me një veprimtari të pasur artistike.
Po në në Shkodër, ku jetuan dhe krijuan mjeshtrit Idromeno dhe Marubi, dolën edhe piktorë të tjerë të shquar si Ndoc Martini (1880-1916), Simon Rrota (1887-1961), Andrea Kushi (1884-1959). Zef Kolombi (1907-1949) etj.

Pas Shkodrës, Korça u bë vatra dytë ku mori zhvillim arti i pikturës në Shqipëri. Në Korcë u krijuan tablotë e bukura të piktorit autodidakt Spiro Xega (1876-1953) si dhe veprat e “poetit të peizazhit shqiptar” mjeshtrit Vangjush Mio (1861-1957). Të dy këta artistë janë në krye të përfaqësuesve më të shuar të Rilindjes dhe Pavarësisë shqiptare në pikturë.

Mbrapsht në krye Shko poshtë

 Re

Edhe skulptura e rrumbullakët, pas një ndërprerje të gjatë prej disa shekujsh, filloi të lëvrohet sërisht në periudhën e Rilindjes. Si autor i parë njihet Murad Toptani (1866-1917). Ka realizuar disa vepra me temë patriotike, ku shquhen dy bustet e Skënderbeut (më 1899 dhe më 1917). Por nivelin e këtij arti e ngriti lart skulptori Odhise Paskali (1903-1989). Me statujat e tij monumentale, që janë të parat vepra të këtij lloji në Shqipëri (“Luftëtari kombtar” - Korcë 1932, “Flamurtari” - Vlorë 1932, “Skënderbeu” – Kukës 1939), nis rruga e artit monumental në Shqipëri. Krijimtaria e Paskalit vazhdon edhe në periudhën e pasclirimit me vepra të shumta. Ai mbetet edhe sot si personaliteti më i shquar i skulpturës shqiptare.

Në vitet e pavarësisë artet në Shqipëri zhvillohen në mënyrë më të organizuar. U bënë përpjekjet e para për përgatitjen e artistëve të rinj, për krijimin e shoqatave artistike dhe për organizimin e ekspozitave. Në vitin 1920, në Korcë u hap ekspozita e parë personale nga piktori Vangjush Mio. Me kontributin e poetit të njohur kombtar, Gjergj Fishta (1871-1940), i cili mori pjesë edhe vetë me disa punime në akuarel, më 1923, në Shkodër u hap ekspozita e parë lokale, me pjesëmarrjen e mbi 15 artistëvë shkodranë. Ekspozita më e rëndësishme e gjithë kësaj periudhe është “E para ekspozitë arti” që u organizua Tiranë në maj të vitit 1931. Kjo është e para ekspozitë kombtare në historinë shqiptare. Ekspozita e mësipërme u përgatit nga Shoqata “Miqtë e Artit” që është gjithashtu e para shoqatë artistike e krijuar po atë vit në Tiranë. Më 1931 u bënë edhe dy përpjekje të rëndësishme: për krijimin e një Pinakoteke dhe për ngritjen e Shkollës së Artit. E para nuk u realizua, ndërsa shkolla u hap. Me nisiativën e piktorit A.Kushi, më 1931 u cel kursi i vizatimit dhe, pas një viti, më 1932 u themelua Shkolla e Vizatimit, e para shkollë arti në Shqipëri. Shkolla e Tiranës mori nxënës nga e gjithë Shqipëria. Aty jepnin mësim artistët O. Paskali, A. Kushi, A. Buza, italiani M. Ridola dhe L. Poradeci (1896-1989), poet i njohur i Rilindjes, i specializuar në Bukuresht për arte të bukura.
Nga Shkolla e Vizatimit morën mësimet e para për pikturë brezi më i njohur i artistëve shqiptarë midis viteve ’40-’70 si B. Sejdini, K. Kodheli, N. Zajmi, F. Stamo, I. Kodra, Q. Grezda, Ll. Nikolla, F. Makoci, H. Reci, Z. Bumci, etj.

Gjatë viteve 1932-1935 në shkollën e Vizatimit u organizuan disa ekspozita arti. Në krijimet më të bukura ndihej vazhdimësia nga tradita e pikturës së Rilindjes si dhe tipare të reja realiste, me qëndrim kritik ndaj vështirësive të jetës dhe padrejtësive shoqërore të kohës. Po në këtë periudhë, në artin shqiptar u zhvillua edhe katura me temë shoqërore e përfaqësuar nga A. Dino, M. Frashëri si dhe Q. Mesarea, që ishte njëkohësisht akuarelisti më i njohur shqiptar në vitet e Pavarësisë.
Pas njohurive të para që morën në Shkollën e Vizatimit, nxënësit e saj, vazhduan studimet në akademitë e arteve të Europës si në Romë, Paris, Athinë, Milano, Bukuresht, Firence etj, dhe, kur u kthyen në atdhe u bënë mësuesit e brezit më të ri të piktorëve shqiptarë.

 Re

Veprimtari tjetër e rëndësishme gjatë periudhës së pavarësisë ka qenë konkursi ndërkombtar për ngritjen e monumentit të Heroit Kombtar, Skënderbeut, që u organizua në Tiranë më 1937. Vec skulptorëve shqiptarë morën pjesë mjaft autorë të njohur europianë. Cmimin e parë e fitoi skulptori i njohur kroat A. Agustincic (1900-1979), ndërsa e drejta e ekzekutimit i u dha skulptorit italian R. Romaneli. Monumenti i Skënderbeut, realizuar nga Romaneli, u vendos në sheshin “Albania” në Romë, dy vjet pas kunkursit, më 1939.
Në artin e periudhës së Rilindjes dhe të Pavarësisë përfshihet edhe krijimtaria e artistëve që jetonin në kolonitë jashtë atdheut si dhe veprimtaria e arbëreshëve të Italisë. Ashtu si letërsia e kësaj periudhe, edhe krijimtaria figuratuve te arbëreshët dhe diaspora kishte të njëjtat motive e të njëjtin stil me artin që zhvillohej në Shqipëri. Nga kolonitë shqiptare vecohet piktori Theohar Gjini që krijoi në Paris dhe Bukuresht, ndërsa në fshatrat arbëreshe (Itali) u shqua skulptori Mikel Trota, që kritikët e kohës e quanin “Canova i ri” (A. Canova 1757-1822)
Gjatë luftës së dytë botërore (1939-1944), kushtet për krijimtari në fushën e artit u kufizuan. Megjithatë u organizuan disa ekspozita. Më e rëndësishmja ishte ajo e vitit 1943, me pjesmarrjen e artistëve më të mirë të vendit. Veprimtaritë e tjera kanë qënë kryesisht ekspozita personale.

Arti pas vitit 1945

Veprimtaria e parë në fushën e arteve figurative, pas clirimit të vendit, është Ekspozita Kombtare, e hapur në prill të vitit 1945, në Tiranë. Në shtypin e kohës ajo u quajt “ekspozita e parë kombtare”, duke mohuar kështu atë të vitit 1931 dhe të tjerat më pas. Pra u duk qartë tendenca për të filluar “gjithëcka nga e para” edhe në art!? Në atë ekspozitë nuk u ftua personaliteti më i shquar i artit shqiptar Odhise Paskali, pasi ende nuk dihej qëndrimi që do të mbante ai ndaj regjimit të ri.
Ekspozita e vitit 1945 dhe sidomos të tjerat që u hapën më pas, përcaktuan dhe drejtimin e ri në artin shqiptar, rrugën e vetme të lejueshme për shtetet komuniste; metodën e realizmit socialist.

Ngritja e instuticioneve artistike

Pas 1945-sës edhe në fushën e artit u bë një punë më e organizuar për ngritjen e instuticioneve. Më 1946 u hap shkolla e mesme artistike që përgatiste piktorë skulptorë dhe grafistë. Në vitin 1954 u ngrit për herë të parë Galeria Kombtare e Arteve, ëndërr disa vjecare e artistëve dhe amatorëve të artit. Aty u grumbulluan veprat më të mira të traditës si dhe të autorëve bashkëkohës. 20 vjet më pas u ndërtua godina e re e Galerisë, ku ndodhet dhe sot dhe u pasurua me një numër më të madh veprash. Në godinën e re është hapur një sallë për vepra të autorëve të huaj ku bëjnë pjesë edhe tablo nga Rembrandt, Ticiani etj.
Piktorët, skulptorët bashkë me artistët e tjerë të skenës dhe ekranit krijuan organizatën e tyre të quajtur Lidhja e Artistëve me qëllim “që të bashkonin përpjekjet për krijimin e artit të ri të realizmit socialist”.

Nxënësit që mbaronin shkollën e mesme artistike në Tiranë vazhdonin studimet në akademitë e arteve në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e tjera të Lindjes. Në vitin 1960, kur Shqipëria u nda nga kampi socialist, studentët u kthyen në atdhe dhe, po atë vit, në Tirane u ngrit Instituti i Lartë i Arteve (sot Akademia e Arteve). Disa vite më vonë u hapën edhe shkolla të tjera artistike. Në qytetet kryesore u ngritën Galeri Arti. U krijuan disa muze kombtarë si Muzeu i Artit Mesjetar në Korcë, Muzeu Arkeologjik në Tiranë etj si dhe disa muze historikë si Muzeu Skënderbeu në Krujë, Muzeu Histrik Kombtar ku vec afreskeve që janë pikturuar aty, ruhen edhe shumë vepra arti origjinale me shumë vlerë. Për studimin e krijimtarisë së arteve figurative, si dhe arteve të tjerë, që nga viti 1986 funksionon Qendra e Studimit të Arteve pranë Akademisë së Shkencave
Ekspozita, konkurse kombtare dhe monumente

Që nga viti 1945, thuajse çdo vit janë organizuar ekspozita të arteve figurative. Më të rëndësishme quheshin ato me rastin e përvjetorëve të Clirimit dhe të ngjarjeve te tjera kombtare. Janë organizuar gjithashtu edhe shumë konkurse kombtare. Konkursi i parë u shpall më 1948 për krijimin e monumentit të Skënderbeut. Nga ky konkurs fitoi skulptori Janaq Paco (1914-1989) me bocetin e tij që u realizua në bronz pas 10 vjetëve dhe u vendos në qytetin e Krujës (28 nëntor 1959).
Mbas clirimit mori zhvillim të madh skulptura monumentale. Brenda pak viteve u ngritën disa vepra. Nga krijimet më të rëndësishme vlerësohen monumenti ekuestër i Skënderbeut në Tiranë (1968) me autorë O. Paskali, A. Mano, J. Paco; “Monumenti i Pvarësisë” në Vlorë (1972) më autorë K. Rama, M. Dhrami, Sh. Hadëri si dhe disa statuja shtatore dhe monumente të tjera nga Th. Thomai, P. Culi, H. Dule, F. Dushku, A. Mano etj.
Në pikturë u krijuan një numër më i madh veprash. Për herë të parë morën zhvillim thuajse të gjitha zhanret e arteve vizive që nga piktura e skulptura e kavaletit te grafika, skenografia, tekstili, qeramika, qelqi, e deri te mozaiket dhe afresket që u aplikuan në disa godina social kulturore. Në gjithë këtë mori veprash, ndonëse të krijuara nën një censurë të rrepte, u krijuan edhe vepra me vlera të vecanta artistike. Në artet figurative mungon një figurë aq e shquar sa I. Kadare në letërsi, por gjithësesi ashtu si dhe Kadare krijoi kryevepra gjatë periudhës së realizmit socialist, po ashtu edhe mjaft piktorë të talentuar, kanë realizuar tablo të bukura, që s’kanë asgjë të përbashkët me të ashtuquajturën metodë të realizmit socialist
Skematizimi i krijimtarisë

Pas viteve ’60 në Shqipëri artet zhvilloheshin të shkëputura jo vetëm nga vendet e zhvilluara perëndimore, por edhe nga shtetet e bllokut të Lindjes. Për artistët figurativë ishte i pamundur kontakti me veprat origjinale të autorëve të huaj, qoftë edhe në mënyrë klandestine sic mund të bëhej me tingujt e muzikës apo me letërsinë. Pra ishte mbyllur çdo shteg për të mësuar nga përvoja e artit bashkëkohorë botërorë. Kështu, nga viti në vit, krijimtaria në këtë fushë skematizohej gjithnjë e më shumë dhe artistët e ndjenin veten gjithnjë e më ngushtë. Atëherë filuan disa reagime në forma të ndryshme. Artistë të vecantë preferuan të trajtonin më shumë temën historike, një pjesë e madhe i u përkushtua kryesisht peizazhit; pra u futën ne ato tema dhe gjini ku bëheshin mw lehte përpjekje për t’iu shmangur kanoneve të metodës së realizmit socialist që ngurtëzonte fantazinë krijuese. Nga “devijime’ të tilla qëndroi më pak e prekur krijimtaria e piktorit A. Buza (1905-1987) si dhe një pjesë e madhe e tablove të piktorëve K. Kodheli, (l. 1920), S. Kaceli (l. !913) etj.
Pas viteve ’70 në Shqipëri u krijuan tre breza pedagogësh që përgatisnin artistë të rinj. Grupi i parë vinte nga akademitë e perëndimit, i dyti nga shkollat e vendeve të Lindjes, dhe të tretët ishin përgatitur në Akademinë e Tiranës. Kontradiktat që filluan të shfaqeshin midis tyre vitet e fundit, rikrijonin grupe të tjera që nuk përcaktoheshin nga vendet ku kishin studiuar apo nga mosha, por nga aftësit, talenti dhe kultura e tyre. Përfaqësuesit që luftonin për tu shkëputur nga skematizmi gjendeshin në çdo brez. Por ndaj tyre qëndronte gjithnjë e fortë goditja nga ithtarët e realizmit socialist. Atëherë artistët novatorë mbijetonin duke krijuar dy lloj veprash; tablo për ekspozita, që plotësonin kërkesat e zyrtarëve të artit dhe vepra arti vetëm për në studio, tek të cilat bënin eksperimente artistike për një ditë që do të vinte. Herë pas here, krijime të tilla dorëzoheshin edhe në ekspozita. Ndonëse sillnin vlera të reja artistike ato jo vetëm nuk ekspozoheshin por bëheshin objekt kritikash. Një nga ato tablo ka qenë edhe “Betimi i Vrana Kontit” të S. Kamberit që sot cilësohet midis tablove më të mira. Ndër artistët më të shquar, të asaj periudhe, që mundi të rezistonte duke iu përgjigjur kërkesave të kohës, por të jepte edhe vepra me vlera artistike ka qenë piktori S. Shijaku (l. 1933). Krijimtaria e tij shtrihet në disa gjini si tablo, peizazhe, portrete, afreske dhe së fundi në qeramikë të pikturuar dhe skulpturë.
Përpjekje për liri krijuese

Fantazia krijuese e artistëve më të talentuar gjithënjë ka qenë në luftë me skematizmin e imponuar edhe në artin shqiptar. Ndonëse të izoluar nga krijimtaria bashkëkohore botërore, artistët shqiptarë herë pas here kanë bërë përpjekje për më shumë liri krijuese. Shembulli më i dukshëm i viteve të realizmit socialist, ka qenë ekspozita me titullin sinjifikativ: “Pranvera”-1972 që u hap në Tiranë. Pas disa përpjekjeve latente që u dukën në ekspozitën e një viti më parë (1971), në këtë të dytën u ndje një frymëmarrje më e gjërë. Por goditja kundër saj u bë e menjëherëshme dhe e fortë duke e ndrydhur më shumë artin shqiptar në vitet e mëpasëm. Në ato vite u shfaqën edhe desidentët e parë në pikturën shqiptare si E. Gjergo, E. Hila, A. Oseku, M. Velo etj. Përpjekjet për më shumë liri krijuese shfaqeshin herë pas here edhe në mbrojtjet e diplomave të artistëve të rinj, por ato ndrydheshin më lehtë. Megjithatë ato vazhdonin gjithnjë me guxim deri nga fundi i viteve ’80-të kur studenti E. Rama (l. 1966) me diplomën e tij paralajmëronte për një pikturë që nuk do të ndrydhej më në të ardhmen...
Krijimtaria në ditët tona

Ishte pikërisht viti 1991 kur piktura shqiptare nisi rrugën ku nuk do të ndjehej më tutela e një drejtimi të vetëm artistik, sic provoi gjatë 50 vjetëve. Më shumë se në artet e tjera tani në pikturë vihet re një krijimtari më e larmishme dhe më e madhe. Janë hapur më shumë ekspozita personale ku paraqiten krijime që u përkasin rrymave bashkëkohore të artit botëror. Në këtë fazë, në Shqipëri gjen edhe autorë që ende pikturojnë si në vitet e realizmit, por tonin e pikturës së sotme e japin krijuesit që përpiqen për një gjuhë të vecantë artistike si dhe autorët e rinj me “kapriçot” artistike që tentojnë drejt një stili sa më bashkëkohor. Artistët shqiptarë, deri dje të izoluar brenda vendit të tyre, tani po ballafaqohen me botën për të marreë vlerësimin më të saktë të krijimeve. Deri tani janë arritur suksese në shtete të ndryshëm nga disa autorë shqiptarë ku më i shënuari është ai i piktorit A. Shima në një nga galeritë më të njohura të Londrës dhe që vazhdon edhe sot në disa galeri të Amerikës.

Tani artistët shqiptarë janë të grupuar në shoqata të ndryshme, sipas prirjeve të tyre, ndonëse edhe Lidhja e Artistëve (e themeluar më 1952) ekziston akoma, kuptohet tani me një platformë tjetër, që i përshtatet krijimtarisë së sotme. Në vitin 1993 në Tiranë u ngrit Galeria Te & Gi, e para galeri private ku u grumbulluan një grup artistësh me prirje progesive. Janë hapur edhe galeri të tjera private. Galeria Kombtare është përshtatur krijimtarisë bashkëkohore dhe ka arritur të organizojë ekspozita me pjesmarrjen e artistëve nga shumë vende të botës.
Gjithësesi këto janë hapat e para të artit të ri shqiptar drejt harmonizimit me artin e vendeve të tjera europiane, ndaj të cilëve Shqipëria qëndroi e izoluar vite më parë
Mbrapsht në krye Shko poshtë

 Re


Pas pushtimit osman, gjatë shekullit XV-të dhe më vonë, morën rrugën e emirgimit shumë shqiptarë. Midis tyre emigruan edhe të talentuar në art të cilët i zhvilluan prirjet në vendet ku u vendosën. Megjithëse ende nuk është bërë ndonjë studim i plotë njihen disa artistë të shquar. Në Itali albanezëve të Vincencës, Gjon dhe Jeronim u është gdhendur epitafi: “Ille alter Phidias, his Poliklet erat”, që i krahason me dy nga mjeshtrit më të mëdhenj të skulpturës helene. Ndërsa në katedralen Duomo të Milanos, altari është gdhendur nga skulptori me origjinë shqiptare Aleks Tarketa. Shumë artistë shqiptarë u shquan në Venedik. Atje ngritën edhe shkollën e tyre dhe e quajtën “Scuola degli Albanesi”.
Si tekste shkollore u përdorën veprat e humanistëve shqiptarë Marin Bicikemi (1468-1528) dhe Marin Barleti (1460-1512) më të njohurit nga artistët janë piktorët Mark Basaiti (1496-1530) dhe Victor Karpaci (1465-1525). Për origjinën e tyre shqiptare kanë shkruar edhe disa studiues të huaj.

Një nga figurat më të shquara të kësaj periudhe është Aleksandër Albani (1692-1779). Edhe sot ai vlerësohet si një nga të parët koleksionistë të veprave të artit. Vila e tij në Romë që edhe sot quhet “Vila Albani” është nga të parat muze të artit në Europë. Aty ka studiuar edhe arkeologu i njohur J. Winckelman (1717-1768).

Me origjinë shqiptare kanë qenë edhe disa arkitektë të njohur si S. Mehmeti, K. Dulla, S. Atiku etj që zbukuruan Stambollin dhe qendra të tjera të perandorisë osmane si dhe A. Aleksi, M. Tivarasi, Gj. Durrësaku etj që punuan në vise të tjera të Europës.

Artistët e diasporës se re shqiptare janë më të shumtë se ata të kohëve të herëshme. Ata u përkasin rrymave të ndryshme të artit botëror. Në këtë vështrim të shkurtër po vecojmë vetëm katër prej tyre që janë të njohur edhe në artin botëror. Këta janë: fotografi i shquar Gjon Milli (1902-1980), që jetoi dhe krijoi në USA; piktori Abedin Dino (1913-1993) mik me Picasso dhe personalitete te tjera të shquar në Paris; Çatin Saraçi (1902-1974) mik dhe bashkëpunëtor i afërt i ekspresionistit Oskar Kokoshka, gjatë viteve që qëndroi në Londër si dhe Ibrahim Kodra (l. 1916) një nga përfaqësuesit e shquar të kubizmit në Itali.
Gjeografia e artistëve të diasporës së re shqiptare përfshin shumë vende të botës dhe me krijimtarinë e tyre mund të bëhet një album me vepra të bukura arti. Në këtë krijimtari futen edhe tablote e artistëve arvanitas, që banojnë në Greqi. Në vitin 1985 është botuar në Athinë një album me krijimet e disa autorëve më të njohur arvanitas, por krijimtaria e tyre është më e pasur, ashtu sic eshtë më e pasur gjithë krijimtaria e diasporës së re shqiptare e cila po shtohet me autorë të rinj që u larguan nga atdheu pas vitit 1990

 Re

Artistët e Huaj për Shqipërinë

Pikërisht gjatë shekullit XVIII-të, kur në Shqipëri sapo kishte nisur rrugën piktura realiste, në Salonet e Parisit, në disa ekspozita në Angli, Gjermani, Itali, Austri etj., u vendosën edhe tablo me temë shqiptare. Vepra të veçanta ishin krijuar edhe më parë nga autorë të shquar si P. Veroneze (1528-1588) ”Rrethimi i Shkodrës”, A. Durer (1471-1528) “Skënderbeu” vizatim etj., por gjatë shekjve XVIII-XIX-të erdhën më shumë piktorë të shquar drejt Shqipërisë. U realizuan disa tablo, etyde, akuarele dhe vizatime nga kreu i romantizmit E. Delacroix (1798-1863); portreti “Shqiptarja” nga C. Corot (1796-1875), kompozimi i famshëm “Gratë suliote” nga A. Scheffer (1799-1858), si dhe tablo, portrete dhe peizazhe nga R. Bonigton (1802-1828), V. Vereshagin (1843-1904), G. Sargent (1856-1925), Ç. Conder (1868-1909) etj. Artisti i njohur francez L. Gerome (1824-1904) ka pikturuar mbi 20 tablo me figura shqiptarësh; kroati P. Jovanovic (1859-1931) mbi 10 kompozime me skena të ndryshme nga jeta shqiptare, ndërsa anglezi i famshëm E. Lear (1812-1888) realizoi mbi 100 akuarele, litografi, vizatime dhe tablo në ngjyra vaji nëpër Shqipëri. Përvec artistëve të mësipërm, ka edhe shumë autorë të tjerë të huaj që, ndonëse janë më pak të njohur, kanë realizuar vepra me vlerë për historinë dhe kulturën shqiptare. Pjesa më e madhe e gjithë këtyre krijimeve që përmendëm është përmbledhur në librin e ilustruar “Albania and albanians in world art” që është botuar në shqip (1990) dhe në anglisht (1991).
Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ymer Bali. Ne 1930 kryen studimet ne Austri. I lindur ne Tirane pati nje aktivitet te madh. Dallohet per portrete dhe per fotografi kolektive.Ai nuk u martua, nuk la pas asnjeri qe te merrej me arshiven e tij te pasur. Pas vdekjes nje mbese e tij dorezoi (dhuroi) arshiven e tij ne Arkivin Qendror te Shtetit Tirane.

Mandi Koçi. Me pseudonimin MAK u lind ne Voskopoje te Korçes me 17 Janar 1912 ne nje familje zanatcinj. Ne 1936 hap ne Korce te paren studio fotografike me korent. Fotografoi demostraten e bukes dhe xhandaret e Zogut, pushtimin fashist ne Korce. Ne 1942 atashohet prane Brigades I partizane si dhe fotograf i shtabit. Ne 1947 hap te paren ekspozite fotografike ne Moske. Ne 1952 Maku mbaron nje kurs per kino-operator dhe punoi ne Kinostudion “Shqiperia e Re”. Me pas me prishjen e B.S. burgoset per 20 vjet pasi ishte martuar me grua ruse. Lirohet ne fillim te viteve ‘80. Pas burgut, ne moshe 70 vjet, i vetmuar perfundon ne azilin e pleqve ne Tirane, ku mbylli dhe jeten.

Jan Ristani. Fotograf i njohur shqiptar Jani Ristani, lindur ne fshatin Lliar-Zagori-Gjirokaster me 1913, qe ne moshe te vogel shkoi ne Stamboll ne “robert kolezh”, ne shkollen tekniko-inxhinierike, ku u njoh me radiogalenen dhe fotoromantizmin. Merr mesimet e para nga mjeshtri turk I fotografise Niko Huzuri dhe fillon nje aktivitet te ethshem ne Turqi duke fiksuar me aparatin e tij Qemal Ataturkun apo Miss Turqine ne vitin 1933 botuar ne gazeten “Xhumurjet “ me firmen Ristani. Ne 1935 kthehet ne Tirane dhe hap « Studio Ristani » te paren studio moderne vecanerisht me laboratorin ku ndjehej edhe si mbret .Si vleresim vjen me 1939 Diploma e nderit e njevleshme me ate te Marubit nga “Fiera de Levante “. Jane te njohura fotot e Ristanit te qendres se Tiranes viti 1938, fotot nga jeta partizane;fotot gjate luftes per Clirimin e Tiranes, fotot partizanesh qe parakalojne ne Tirane; foto pejsazhi nga natyra e bukur shqiptare. Ne 1947 studio e tij shtetezohet duke I dorezuar shtetit pa proces verbal nje sasi prej dhjetera mijera negativesh. Vazhdon si nepunes fotograf prane Ministrise se Ndertimit derisa del ne pension.Me pas punon shpesh part time edhe per rregullimet e fotove te portretit te diktatorit Hoxha pa asnje shperblim. J. Ristani krijoi arshiven e ndertimeve te infrastruktures ne Shqiperi .Me qershor 1965 fiton tre cmime te para ne festivalin nderkombetar te fotografoise ne Berlin me foto nga ndertimi hidrocentraleve etj . Qe prej 1954 Jani zhvilloi ne laboratorin etij fotografine me ngjyra duke qene pionier i saj edhe ne arenen evropiane dhe me pas 1957 filloi stampimin e fotografise me ngjyra. Ne vazhden e Janit ishte edhe Vasil Ristani i cili punoi ne Studion Ristanideri ne 1947 kur u shtetezua. Ne kete tradite emri Ristani vazhdon edhe sot me Petrit Ristanin me nje studio modeste qe ka hapur me forcat e tij.

Mihal Popi (1909-1979) u lind ne Shkoder dhe me 1921 shperngulet ne Tirane. Pas pushtimit te vendit iu perkushtua fotografise, per nje kohe punoi si fotograf ne Radio-Tirana. Me vone hapi nje studio fotografike ne “Pazarin e Ri”. I sherbeu luftes duke i sherbyer asaj me fotografi e dokumente. Me themelimin e Teatrit Popullor, Mihali ishte nder te paret ku pati sukses dhe mori titullin “Artist i Popullit”.

Ali Bakiu. Lindi ne Tirane (1911-1981). Ne kohen e Zogut u mor me aktivitet tregtar dhe gjate kesaj kohe nuk u ndahej librave dhe pasionit te tij per fotografine. Kishte korrespondence me shume firma e studio fotografike te botes duke mundesuar futjen e mjeteve moderne fotografiuke ne Shqiperi . Per bindjet e tij politike burgoset 25 vjet. Vdiq ne 10 Maj 1981 ne moshen 70-vjeçare.

Niko Stefani. nga nje familje nga fshati Dardhe ne Korce, fshat i degjuar per fotografe te zote. I ati dhe xhaxhai vijne nga emigracioni nga Amerika ku kishin mesuar profesionin e fotografise. Me vone hapen studio ne Tirane.
Misto Cici lindi me 10.10.1902 dhe u rrit ne qytetin e Pogradecit. Bashke me te vellane i kushtohen fotografise. Nje rol te madhe luajten dhe udhetimet e tij ne Greqi e Itali. Me pas ne 1925 caktohet nga Drejtoria e Shtypit dhe Propagandes Turistike te beje nje seri fotosh artisitike te Pogradecit. Ky angazhim do ta evidentoje ate si fotografin e pare te fotografise artistike.

Petro Dhimitri (1861-1946) i mbiquajtur fotograf ose shqiptari, ai punoi gjithe jeten e tij ne Greqi. Kristaq Sotiri. Qe ne 1922 punon si fotograf dhe dallohet per portretin. Ai punoi gjithe jeten e tij ne Korçe. Agim Verzivolli. Fotografi i Kinostudios “Shqiperia e Re”, me inisiateven e tij hapi kursin per fotograf ne Pallatin e Pionierit ne Tirane. Ajo ishte fidanishtja per te nxjerre fotografe te rinj.

Emra te shquar te fotografise te kohes sone jane Besim Fusha, Petrit Kumi, Niko Xhufka dhe shume te tjere qe me hollesisht do te trajtohen ne librein “Historiku i fotografise shqiptare” qe do te botohet se shpejti nga autori Piro Naçe. Ne vitin 1996 Besim Fusha merr inisiateven duke nxjerre revisten “Fotografia Art”. Per here te pare ne 1998 u hap konkursi “Foto artistike” me emrin “MARUBI”. Ne 5 Prill 2000 hapet ne Galerine e Arteve konkursi me emrin “MARUBI 2000." Ne kete konkurs moren pjese 54 fotografe shqiptare ...
Gjuha Shqipe


Gjuha shqipe bën pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane, ku futen gjuhët indoiranike, greqishtja, gjuhët romane, gjuhët sllave, gjuhët gjermane, etj. Ajo formon një degë të veçantë në këtë familje gjuhësore dhe nuk ka ndonjë lidhje prejardhjeje me asnjerën prej gjuhëve të sotme indoevropiane. Karakteri indoevropian i shqipes, përkatësia e saj në familjen gjehësore indoevropiane, u arrit të përcaktohej e të vërtetohej që nga mesi i shekullit XIX, në sajë të studimeve të gjuhësisë historike krahasuese.
Ishte sidomos merita e njerit prej themeluesve kryesorë të këtij drejtimi gjuhësor, dijetarit të njohur gjerman Franz Bopp, që vërtetoi me metoda shkencore përkatësinë e gjuhës shqipe në familjen gjuhësore indoevropiane. F Bopp i kushtoi këtij problemi një vepër të veçantë me titull “Ueber das Albanesische in scinen verwandtschaftlichen Bezichungen”, botuar në vitin 1854.
Në ndarjen e gjuhëve indoevropiane në dy grupe: në gjuhë lindore ose satem dhe në gjujë perëndimore ose kontum, shqipja shkon me gjuhët lindore (satem), bashkë me gjuhët indoiranike, gjuhët balto-sllave dhe armenishten...



Origjina

Problemi i origjnës së gjuhës shqipe është një nga problemet shumë të debatuara të shkencës gjuhësore. Ajo e ka burimin, pa dyshim, prej njerës nga gjuhët e lashta të Gadishullit të Ballkanit, ilirishtes ose trakishtes. Në literaturën gjuhësore qarkullojnë dy teza themelore për origjinën e shqipes: teza e origjinës ilire dhe teza e origjinës traka. Teza ilire ka gjetur mbështetje më të gjerë historike dhe ghuhësore. Ajo është formuar që në shekullin XVIII në rrethet e historianëve.
Përpjekjen e parë shkencore për të shpjeguar origjinën e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre, e bëri historiani suedez Hans Erich Thunmann në veprën e tij “Undersuchunger liber di Geschichte der Östlichen europäischen Völker” Leipzig 1774. Ai, duke u mbështetur në burime historike latine e bizantine dhe në të dhëna gjuhësore e onomastike, arriti në përfundimin se shqiptarët janë vazhduesit autoktonë të popullsisë së lashtë ilire, e cila nuk u romanizua siç ndodhi me popullsinë trako-dake, paraardhëse të rumunëve.
Tezea e origjinës ilire te shqipertarëve është mbështetur nga albanolugu i mirënjohur austriak Johannas Georges von Hahn në veprën e tij Albanesische Stidien,publikuar më 1854

Që nga ajo kohë deri në ditët tona, një varg dijetarësh të shquar historianë, arkeologë e gjuhëtarë, kanë sjellë duke plotësuar njeri tjetrin, një sërë argumentesh historike dhe gjuhësore, që mbështesin tezën e origjinës dhe të shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre. Disa nga keto argumente themelore, jane:

1. Shqiptarët banojnë sot në një pjesë të trojeve, ku në periudhën antike kanë banuar fise ilire; nga ana tjetër në burimet historike nuk njihet ndonjë emigrim i shqiptarëve nga vise të tjera për t’u vendosur në trojet e sotme.

2. Një pjesë e elementeve gjuhësore: emra sendesh, fisesh, emra njerëzish, glosa, etj., që janë njohur si ilire, gjejnë shpjegim me anë të gjuhës shqipe.

3. Format e toponimeve të lashta të trojeve ilire shqiptare, të krahasuara me format përgjegjëse të sotme, provojnë se ato jane zhvilluar sipas rregullave të fonetikës historike të shqipes, dmth kanë kaluar pa ndërprerje nëpër gojën e një popullsie shqipfolëse.

4. Marrëdhëniet e shqipes me greqishtjen e vjetër dhe me latinishten, tregojnë se shqipja është formuar dhe ështe zhvilluar në fqinjësi me këto dy gjuhë këtu në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit.

5. Të dhënat arkeologjike dhe ato të kulturës materiale e shpirtërore, dëshmojnë se ka vijimësi kulturore nga ilirët antikë te shqiptarët e sotëm.

Nga të gjithë këto argumente, të paraqitur në mënyrë të përmbledhur, rezulton se teza e origjinës ilire e gjuhës shqipe, është teza më e mbështetur nga ana historike dhe gjuhësore.

Fillimet e shkrimit të gjuhës shqipe

Shqipja është një nga gjuhët e lashta të Ballkanit, por e dokumentuar me shkrim mjaft vonë, në shekullin XV, ashtu si rumanishtja.
Dokumenti i parë i shkruar në gjuhën shqipe, është ajo që quhet “Formula e pagëzimit”, e vitit 1462. Eshtë një fjali e shkurtër në gjuhën shqipe “Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit”, që gjendet në një qarkore të shkruar në latinisht nga Kryepeshkopi i Durrësit Pal Engjëlli, bashkëpunëtor i ngushtë i Skënderbeut.
Pal Engjëlli, gjatë një vizite në Mat, vuri re shrregullime në punë të ushtrimit të fesë dhe me këtë rast, ai la me shkrim disa porosi dhe udhëzime për klerin katolik, ndër të cilat edhe formulën e mësipërme, të cilën mund ta përdornin prindërit për të pagëzuar fëmijtë e tyre, në rastet kur nuk kishin mundësi t’i dërgonin në kishë, ose kur nuk kishte prift. Formula është shkruar me alfabetin latin dhe në dialektin e veriut (gegërisht).
“Formula e pagëzimit” është gjetur në Bibliotekën Laurentiana të Milanos nga historiani i njohur rumun Nikolla Jorga dhe është botuar prej tij në vitin 1915 në “Notes et extraits pour servir l’histoire des croisades au XV siecle IV, 1915”.
Më pas, një botim filologjik të këtij dokumenti, bashkë me riprodhimin fotografik të tij, e bëri filologu francez Mario Rognes në “Recherches sur les anciens textes albanais”, Paris 1932.

Dokumenti i dytë, i shkruar në gjuhën shqipe është Fjalorthi i Arnold von Harfit, i vitit 1496. Udhëtari gjerman Arnold von harf, nga fshati i Këlnit, në vjeshtë të vitit 1496, ndërmori një udhëtim pelegrinazhi për në “vendet e shenjta”. Gjatë udhëtimit kaloi edhe nëpër vendin tonë, gjatë bregdetit, duke u ndalur në Ulqin, Durrës e Sazan dhe për nevoja praktike të rrugës shënoi 26 fjalë, 8 shprehje dhe numërorët 1 deri më 10 dhe 100 e 1000, duke i shoqëruar me përkthimin gjermanisht. Ky Fjalorth u botua për herë të parë më 1860 në Këln, nga E.von Grote.
I fundit të shekullit XV ose i fillimit të shekullit XV është edhe një tekst tjetër i shkruar në gjuhën shqipe dhe i gjendur brenda një dorëshkrimi grek të shekullit XIV në Bibliotekën Ambrosiana të Milanos. Teksti përmban pjesë të përkthyera nga Ungjilli i Shën Mateut, etj. Ai është shkruar në dialektin e jugut dhe me alfabet grek. Ky tekst i shqipes i shkruar , njihet në literaturën shqiptare me emrin “Ungjilli i Pashkëve”.

Këto dokumente nuk kanë ndonjë vlerë letrare, por paraqesin interes për historinë e gjuhës së shkruar shqipe. Shqipja, që në fillimet e shkrimit të saj, dëshmohet e shkruar në të dy dialektet, në dialektin e veriut (gegërisht) dhe në alfabetin e jugut (toskërisht), si dhe me dy alfabete, me alfabetin latin dhe me alfabetin grek, gjë që tregon se kultura shqiptare ishte njëkohësisht nën ndikimin e kulturës latine dhe të kulturës greko-bizantine.

Libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe, që njohim deri më sot, është “Meshari” i Gjon Buzukut, i vitit 1555, i cili shënon edhe fillimin e letërsisë së vjetër shqiptare. Nga ky libër, na ka arritur vetëm një kopje, që ruhet në Bibliotekën e Vatikanit. Libri përmban 220 faqe, të shkruara në dy shtylla. “Meshari” i Gjon Buzukut është përkthimi në shqip i pjesëve kryesore të liturgjisë katolike, ai përmban meshet e të kremteve kryesore të vitit, komente të librit të lutjeve, copa nga Ungjilli dhe pjesë të ritualit dhe të katekizmit. Pra, ai përmban pjesët që i duheshin meshtarit në praktikën e përditëshme të shërbimeve fetare. Duket qartë, se kemi të bëjmë me një nismë të autorit, me një përpjekje të tij, për të futur gjuhën shqipe në shërbimet fetare katolike. Pra, edhe për gjuhën shqipe, ashtu si për shumë gjuhë të tjera, periudha letrare e saj nis me përkthime tekstesh fetare.

Libri i parë në gjuhën shqipe, “Meshari” i Gjon Buzukut, u zbulua për herë të parë në Romë nga njeri prej shkrimtarëve të veriut, Gjon Nikollë Kazazi. Por libri humbi përsëri dhe u rizbulua më 1909 nga peshkopi Pal Skeroi, gjurmues dhe studiues i teksteve të vjetra. Në vitin 1930, studiuesi nga Shkodra Jystin rrota vajti në Romë, bëri tri fotokopje të librit dhe i solli në Shqipëri. Në vitin 1968 libri u botua i transliteruar dhe i transkriptuar, i pajisur me shënime kritike dhe me një studim të gjerë hyrës nga gjuhëtari i shquar, prof.E.Çabej. Në mënyrë të pavarur, tekstin e Buzukut, e pati transkriptuar edhe studiuesi N.Resuli.
“Meshari” i Gjon Buzukut është shkruar në gegërishten veriore (veriperëndimore), me alfabet latin, të plotësuar me disa shkronja të veçanta. Libri ka një fjalor relativisht të pasur dhe ortografi e forma gramatikore përgjithësisht të stabilizuara, çka dëshmon për ekzistencën e një tradite të mëparshme të të shkruarit të shqipes.

Prof.Eqerem Çabej, që ishte marrë gjerësisht me veprën e Gjon Buzukut, ka arritur në përfundimin, se gjuha e saj “nuk është një arë fare e papunuar”. “Duke e shkruar me një vështrim më objektiv këtë tekst – pohon ai – nga gjuha e rrjedhëshme që e përshkon fund e majë atë dhe nga mënyra, me gjithë lëkundjet e shpeshta, mjaft konseguente e shkrimit, arrin të bindet njeriu, se në Shqipëri ka qenë formuar që më parë, së paku që në mesjetën e vonë, një traditë letrare me shkrime liturgjike”. Kjo tezë, sipas autorit, gjen mbështetje edhe nga gjendja kulturore e Shqipërisë mesjetare; “shkalla e kulturës së popullit shqiptar në atë kohë nuk ka qenë ndryshe nga ajo e vendeve perreth, sidomos e atyre të brigjeve të Adriatikut”.

Për nje traditë të shkrimit të shqipes para shekullit XV, flasin edhe disa dëshmi të tjera të tërthorta.
Kleriku francez Gurllaume Adae (1270-1341), i cili shërbeu për shumë kohë (1324-1341), si Kryepeshkopi i Tivarit dhe pati mundësi t’i njihte mirë shqiptarët, në një relacion me titull “Directorium ad passagium faciendum ad terrom sanctam”, dërguar mbretit të Francës Filipit VI, Valua, studiuan ndër të tjera: “Sado që shqiptarët kanë një gjuhë të ndryshme nga latinishtja, prapësëprapë, ata kanë në perdorim dhe në të gjithë librat e tyre shkronjën latine”. Pra, ky autor flet për libra në gjuhën e shqiptarëve, duke dhënë kështu një dëshmi se shqipja ka qenë shkruar para shekullit XV.
Edhe humanisti i shquar Marin Barleti, në veprën e tij “De obsi dione scodrensi” (Mbi rrethimin shkodran), botuar në Venedik, më 1504, duke folur për qytetin e Shkodrës, bën fjalë për fragmente të shkruara in vernacula lingua, dmth në gjuhën e vendit, të cilat flasin për rindërtimin e qytetit të Shkodrës.

Këto dëshmi të G.Adae dhe të M.Barletit, dy njohës të mirë të shqiptarëve dhe të vendit të tyre, janë në pajtim edhe me të dhënat historike për këtë periudhë, të cilat flasin për një nivel ekonomik e kulturor të zhvilluar të viseve shqiptare në shekullin XIV dhe në fillim të shekullit XV. Në atë periudhë, në veri dhe në jug të Shqipërisë, lulëzuan ekonomikisht Durrësi, Kruja, Berati, Vlora, të cilat u bënë qendra të rëndësishme tregtare, zejtare dhe kulturore.
Këto janë dëshmi që e bëjnë të besueshme ekzistencën e një tradite më të herëshme shkrimi të shqipes, megjithatë, deri sa kërkimet të mos kenë nxjerre në dritë ndonjë libër tjetër, “Meshari” i Gjon Buzukut do të vijojë të mbetet libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe dhe vepra e parë e letërsisë shqiptare.

Në shekullin XVI i ka fillimet edhe letërsia në gjuhën shqipe te arbëreshët e Italisë. Vepra e parë e letërsisë arbëreshe në gjuhën shqipe dhe vepra e dytë për nga vjetërsia, pas asaj të Buzukut, është ajo e priftit arbëresh Lekë Matrenga “E mbesuame e krishterë….”, e botuar në vitin 1592. Eshtë një libër i vogël me 28 faqe, përkthim i një katekizmi. Libri është shkruar në dialektin e jugut, me alfabet latin, plotësuar me disa shkronja të veçanta për të paraqitur ato tinguj të shqipes, që nuk i ka latinishtja.
Një zhvillim më të madh njohu lëvrimi i gjuhës shqipe në shekullin XVII, nën penën e një vargu autorësh, si Pjetër Budi, Frang Bardhi dhe Pjetër Bogdani, të cilët nuk bënë vetëm përkthime, por shkruan edhe vepra origjinale,
Frang Bardhi, në vitin 1635, hartoi të parin fjalor, “Fjalorin latinisht-shqip”, me të cilin mund të thuhet, se zë fill shkenca gjuhësore shqiptare. Gjatë Rilindjes Kombëtare, në shekullin XIX, në kushte të reja historike, lëvrimi dhe përparimi i gjuhës shqipe hyri në një etapë të re. Në këtë periudhë u bënë përpjekje të vetëdishme për të ndërtuar nje gjuhë letrare kombëtare, standartizimi i së cilës u arrit në shekullin XX.


Dialektet e gjuhës shqipe

Gjuha shqipe ka dy dialekte kryesore, dialektin e veriut ose gegërishten dhe dialektin e jugut ose toskërishten. Kufiri natyror që i ndan në vija të përgjithëshme këto dialekte, është lumi i Shkumbinit, që kalon nëpër Elbasan, në Shqipërinë e mesme. Në anën e djathtë të Shkumbinit shtrihet dialekti verior (gegërishtja), në anën e majtë të tij, dialekti jugor (toskërishtja).
Dallimet midis dialekteve të shqipes nuk janë të mëdha, folësit e tyre kuptohen pa vështirësi njeri me tjetrin. Megjithatë, ekzistojnë disa dallime në sistemin fonetik dhe në strukturën gramatikore e në leksik, nga të cilët më kryesorët jane: dialekti i veriut ka zanore gojore dhe hundore, kurse dialekti i i jugut, vetëm zanore gojore; togut ua të toskërishtes, gegërishtja i përgjigjet me togun ue (grua ~ grue); togut nistor va të toskërishtes, gegërishtja i përgjigjet me vo (vatër ~ votër); â-së hundore të theksuar të gegërishtes, toskërishtja i përgjigjet me ë të theksuar (nânë ~ nënë).

Dialekti i jugut ka dukurinë e retacizmit (kthimin e n-së ndërzanore në r (ranë ~ rërë), që në gegërisht mungon; në toskërisht, grupet e bashkëtingëlloreve mb, nd, etj. Ruhen të plota, kurse në gegërisht, janë asimiluar ne m, n, (mbush ~ mush, vend ~ ven). Në sistemin morfologjik, dialekti i veriut ka formën e paskajores së tipit me punue, kurse toskërishtja në vend të saj, përdor lidhoren të punoj. Forma e pjesores në toskërisht, del me mbaresë, kurse në gegërisht, pa mbaresë (kapur ~ kapë), etj. Dialekti I jugut ka format e së ardhmes: do të punoj dhe kam për të punuar , ndërsa dialekti I veriut përveç formave të mësipërme ka formën kam me punue.

Shqipja standarte

Formimi i gjuhës letrare kombëtare të njësuar (gjuha standarte), si varianti më i përpunuar i gjuhës së popullit shqiptar, ka qenë një proces i gjatë, që ka filluar që në shekujt XVI-XVIII, por përpunimi i saj hyri në një periudhë të re, në shekullin XIX, gjatë Rilindjes Kombëtare.
Ne vitin 1824 Naum Veqilharxhi filloi punen per te krijuar alfabetin shqip dhe ne vitin 1844 dhe 1845 u botua “Evetar”-i. Vaqilharxhi ishte i pari qe shprehu qellimet e Rilindjes Kombetare Shqipëtare nëpërmjet traktatit të tij, parathënies së “Evetr”-it të pare dhe shume shkrimeve të tjera.
Në programin e Rilindjes, mësimi dhe lëvrimi i gjuhës amtare, përpjekjet për pasurimin e saj dhe pastrimin nga fjalët e huaja dhe të panevojëshme, zinin një vend qëndror. Gjatë kësaj periudhe, u zhvillua një veprimtari e gjerë letrare, kulturore dhe gjuhësore.
Në vitin 1879, u krijua “Shoqata e të shtypurit shkronja shqip”, që i dha një shtysë të re kësaj veprimtarie. U hartuan gramatikat e para me synime normative dhe u bë hapi i parë për hartimin e një fjalori kombëtar i gjuhës shqipe, që është “Fjalori i Gjuhës Shqipe” i Kostandin Kristoforidhit, i botuar pas vdekjes së autorit, më 1904.

Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, u arrit të përvijoheshin dy variante letrare të kombit shqiptar, varianti letrar jugor dhe varianti letrar verior. U bënë gjithashtu, përpjekje për afrimin e këtyre varianteve dhe për njësimin e gjuhës letrare. Detyra e parë që duhej zgjedhur, ishte njësimi i alfabetit. Deri atëhere, shqipja ishte shkruar në disa alfabete: alfabeti latin, alfabeti grek, alfabeti turko-arab dhe alfabete të veçanta. Këtë detyrë e zgjidhi Kongresi i Manastirit, i mbledhur më 14 deri më 22 Nentor të vitit 1908, në qytetin e Manastirit, që sot ndodhet në Maqedoni. Ne këtë Kongres, pas shumë diskutimesh, u vendos që të përdorej një alfabet i ri, i mbështetur tërësisht në alfabetin latin, i plotesuar me nëntë digrame (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh), dhe me dy shkronja me shenja diakritike (ç, ë), është alfabeti që ka edhe sot në perdorim gjuha shqipe. Kongresi e la të lire edhe përdorimin e alfabetit të Stambollit, që kishte mjaft përhapje, por koha ja leshoi vendin alfabetit të ri, që u paraqit në Kongres, pra alfabetit të sotëm.

Një hap tjetër për njësimin e gjuhës letrare shqipe, bëri “Komisioni letrar shqip”, që u mblodh në Shkodër në vitin 1916. Komisioni nënvizoi si detyrë themelore lëvrimin e gjuhës letrare shqipe dhe zhvillimin e letërsisë shqiptare. Ky komision gjuhëtarësh e shkrimtarësh, krijuar për të ndihmuar në formimin e një gjuhe letrare të përbashkët përmes afrimit të dy varianteve letrare në përdorim, vlerësoi variantin letrar të mesëm, si një urë në mes toskërishtes dhe gegërishtes dhe përcaktoi disa rregulla për drejtshkrimin e tij, të cilat ndikuan në njësimin e shqipes së shkruar.
Vendimet e Komisionit letrar shqip për gjuhën letrare e për drejtshkrimin e saj, u miratuan më vonë edhe nga Kongresi Arsimor i Lushnjës (1920) dhe vijuan te zbatoheshin deri në Luftën e Dytë Botërore.

Pas Luftës së dytë Botërore, puna për njesimin e gjuhës letrare kombëtare (gjuhës standarte) dhe të drejtshkrimit të saj, nisi te organizohet nga Instituti i Shkencave. U krijuan komisione të posaçme për hartimin e projekteve të drejtshkrimit. Kështu, u hartuan disa projekte në vitet 1948, 1951, 1953 e 1956. U organizuan gjithashtu, dy konferenca shkencore në vitin 1952, për të diskutuar për problemin e gjuhës letrare.
Me 1967, u botua nga Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, projekti i ri “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes”. Ky projekt filloi të zbatohet në të gjithë hapsiren shqiptare, në Republikën e Shqipërisë, në Kosovë dhe në Mal të Zi. Ndërkohë, perpjekje për njesimin e gjuhes letrare dhe të drejtshkrimit të saj, bëheshin edhe në Kosove.
Në vitin 1968, u mblodh Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, e cila, e udhëhequr nga parimi “një komb-një gjuhë letrare”, vendosi që projekti i ortografisë i vitit 1968, posa të miratohej e të merrte formën zyrtare në Republikën e Shqipërisë, do të zbatohej edhe në Kosovë. Vendimet e kësaj Konsulte kanë qenë me rëndësi të jashtëzakonshme për njesimin e gjuhes letrare kombëtare shqipe.
Projekti “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes “ i vitit 1967, pas një diskutimi publik, ai u paraqit për diskutim në Kongresin e Drejtshkrimit të Shqipes, qe u mblodh në Tiranë, në vitin 1972, i cili ka hyrë në historinë e gjuhes shqipe dhe të kulturës shqiptare, si Kongresi i njësimit të gjuhës letrare kombëtare.

Kongresi i Drejtshkrimit të Shqipes, në të cilin morën pjesë delegatë nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, nga Kosova, nga Maqedonia dhe nga Mali i Zi dhe nga arbëreshet e Italisë, pasi analizoi të gjithë punën e berë deri atëhere për njesimin e gjuhës letrare, miratoi një rezolutë, në të cilën përveç të tjerash, pohohet se “populli shqiptar ka tashmë një gjuhë letrare të njësuar”.
Gjuha letrare kombëtare e njësuar (gjuha standarte), mbështetej kryesisht në variantin letrar të jugut, sidomos në sistemin fonetik por në të janë integruar edhe elemente të variantit letrar të veriut.
Pas Kongresit të Drejtshkrimit, janë botuar një varg vepra të rëndësishme, që kodifikojnë normat e gjuhës standarte, sic janë “Drejtshkrimi i gjuhes shqipe” (1973), “Fjalori i gjuhës së sotme letrare (1980), Fjalori i shqipes së sotme (1984), Fjalori Drejtshkrimor i gjuhës shqipe (1976), Gramatika e gjuhës së sotme shqipe I Morfologjia (1995), II Sintaksa (1997).

Veçori tipologjike të shqipes së sotme standarte.

Nga ana strukturore, paraqitet sot si një gjuhë sintetiko-analitike, me një mbizotërim të tipareve sintetike dhe me një prirje drejt analitizmit. Një pjesë e mirë e tipareve të saj fonetike dhe gramatikore, janë të trashëguara nga një periudhë e lashtë indoevropiane, një pjesë tjeter janë zhvillime te mëvonshme.
Shqipja ka sot një sistem fonologjik të vetin, që përbëhet nga shtatë fonema zanore dhe 29 fonema bashkëtingëllore. Shkruhet me alfabet latin të caktuar në vitin 1908 në Kongresin e Manastirit.
Alfabeti i shqipes ka 36 shkronja, nga të cilat 25 janë të thjeshta (a, b, c, d, e, f, g, h, i, j, k, l, m, n, o, p, q, r, s, t, u, v, x, y, z), 9 janë bigrame (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh) dhe 2 me shkronja diakritike (ë, ç).
Shqipja ka theks intensiteti dhe përgjithësisht të palëvizshëm gjate fleksionit. Në shumicen e rasteve, sidomos në sistemin emëror, theksi bie në rrokjen e parafundit.
Shqipja ka një sistem të zhvilluar (të pasur) formash gramatikore, ka një sistem lakimi binar: lakimin e shquar dhe të pashquar, ruan ende mirë format rasore (ka pesë rasa), sistemin prej tri gjinish (mashkullore, femërore dhe asnjanëse), kjo e fundit po shkon drejt zhdukjes, mbahet vetëm në një kategori të veçantë emrash foljorë, të tipit: të shkruarit, të menduarit, etj.
Sistemi emëror ka trajtë të shquar dhe të pashquar dhe për pasojë, edhe lakim të shquar e të pashquar; nyja shquese është e prapavendosur si në rumanisht dhe në bullgarisht; ka nyje të përparme te emrat në rasen gjinore (i, e malit) dhe te mbiemrat e nyjshëm (i mirë, i vogël, etj)., te emrat asnjanës të tipit të folurit, etj. Përvec fleksionit me mbaresa të veçanta, shqipja njeh edhe fleksionin e brendshëm (dash ~ desh, marr ~ merr); ka dy tipe strukturorë mbiemrash të ngjashëm (i madh, i ndershëm) dhe të panyjshem (trim, besnik). Te numërorët përdor kryesisht sistemin decimal (dhjetë, tridhjetë, pesëdhjetë), por ruan edhe sistemin vigezimal (njëzet, dyzet); numërorët e përberë nga 11-19, formohen duke vënë numrin e njësheve përpara, parafjalën mbë dhe pastaj dhjetshet (njëmbëdhjetë, dymbëdhjetë, etj) si në rumanisht dhe në gjuhët sllave.
Sistemi foljor paraqitet mjaft i larmishem. Shqipja ka një sistem të pasur formash menyrore dhe kohore, një pjesë të e cilave janë të trashëguara nga një periudhë e hershme, një pjesë janë kryer gjatë evolucionit të saj historik. Folja ka gjashtë menyra; (dëftore, lidhore, kushtore, habitore, dëshirore, urdhërore) dhe tri forma të pashtjelluara (pjesore, paskajore dhe përcjellore). Koha e ardhëshme ndërtohet në menyre analitike, me dy forma: me do (forma e foljes dua) + lidhore (do të punoj) dhe me foljen ndihmëse kam + paskajore (kam për të punuar).
Rendi i fjalëve në fjali është përgjithësisht i lirë, por më i zakonshem është rendi subjekt+verb+objekt.
Leksiku i gjuhës shqipe përbëhet prej disa shtresash. Një shtresë të veçantë përbëjnë fjalët me burim vendas, të trashëguar nga një periudhë e lashtë indoevropiane (ditë, natë, dimër, motër, jani, etj.), ose të formuara më vonë, me mjete të shqipes (ditor, dimëror, i përnatshëm).
Një shtresë tjetër, përbëjnë fjalët e huazuara nga gjuhë të tjera, si pasojë e kontakteve të popullit shqiptar me popuj të tjerë gjatë shekujve. Fjalët e huazuara kanë hyrë nga greqishtja, greqishtja e vjetër dh e re, nga latinishtja dhe gjuhët romane, nga sllavishtja dhe nga turqishtja.
Shqipja, me gjithë huazimet e shumta, ka ruajtur origjinalitetin e saj, si gjuhë e veçantë indoevropiane.

Përhapja e gjuhës shqipe

Shqipja flitet sot nga më se gjashtë milionë vetë në Republikën e Shqipërisë, në Kosovë, në viset shqiptare të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Serbisë jugore, si dhe në viset e Çamerisë në Greqi. Shqipja flitet gjithashtu, në ngulimet shqiptare në Itali, në Greqi, në Bullgari, në Ukrainë, si dhe në shqiptarë të mërguar në viset e ndryshme të botës para Luftës se Dytë Botërore dhe në këtë dhjetëvjeçarin e fundit.
Gjuha shqipe mësohet dhe sudjohet në disa universitete dhe qëndra albanologjike në bote, si në Paris, Romë, Napoli, Kozencë, Plermo, Leningrad, Pekin, München, Bukuresht, Selanik, Sofie etj.
Studimet për gjuhën shqipe

Gjuha dhe kultura e shqiptarëve, lashtësia dhe karakteri origjinal i tyre, kanë tërhequr prej kohësh vëmendjen e studjuesve të huaj dhe shqiptarë që në shekullin XVIII dhe më parë. Në mënyrë të veçantë, gjuha, historia dhe kultura e shqiptarëve, tërhoqi vëmendjen e botës gjermane. Me të u mor edhe një filozof i madh, sic ishte Gotfrid Vilhelm Lerbnitz, që punoi një shekull para lindjes së gjuhësisë krahasimtare. Ai mendonte, se studimi krahasues i gjuhëve ishte themelor për të ndërtuar një histori universale të botës, për ta kuptuar dhe për ta shpjeguar atë. Në disa letra, qe ai i shkruante një bibliote******************** të Bibliotekës Mbretërore të Berlinit, në fillim të shekullit XVIII, shprehet edhe për natyrën dhe prejardhjen e gjuhës shqipe dhe pas disa luhatjeve, arriti në përfundimin, se shqipja është gjuha e ilirëve të lashtë.
Megjithatë, studimet shkencore për gjuhën shqipe, si dhe për shumë gjuhë të tjera, nisën pas lindjes së gjuhësisë historike-krahasuese nga mesi i shekullit XIX. Një nga themeluesit e kësaj gjuhësie, dijetari gjerman Franz Bopp, arriti të provonte që në vitin 1854, se shqipja bënte pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane dhe se zinte një vend të veçantë në këtë familje gjuhësore. Pas tij, studjues të tjerë, si G.Meyer, H.*************************sen, N.Jokli, studjuan aspekte të ndryshme të leksikut dhe të strukturës gramatikore të gjuhës shqipe. G.Meyer do të hartonte që në vitin 1891 një Fjalor etimologjik të Gjuhës shqipe (Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache, Strasburg 1891), i pari fjalor i këtij lloji për shqipen. Përveç këtyre, një varg i madh gjuhëtarësh të huaj, si F.Miclosich, G.Weigand, C.Tagliavini, St.Man, E.Hamp, A.Desnickaja, H.Ölberg, H.Mihaescu, W.Fredler, O.Bucholtz, M.Huld, G.B.Pellegrini, etj. kanë dhënë kontribute të shënuara për studimin e historisë së gjuhës shqipe, të problemeve që lidhen me prejardhjen e saj, me etimologjinë, fonetikën dhe gramatikën historike, si edhe në studimin e gjendjes së sotme të shqipes.

Ndërkohë, krahas studimeve për gjuhën shqipe të albanologëve të huaj, lindi dhe u zhvillua edhe gjuhësia shqiptare. Ajo i ka fillimet e saj që në shekullin XVII, kur Frang Bardhi botoi të parin fjalor të gjuhës shqipe “Dictionarium Latino-Epiroticum” (1635). Gjatë Rilindjes Kombëtare u botuan disa gramatika të gjuhës shqipe. Kështu, në vitin 1864, Dhimitër Kamarda, një nga arbëreshët e Italisë, botoi veprën “Laggio della grammatica comparata sulla lingua albanese”, Livorno 1864, vëll.II “L’Apendice al saggio dalla gramatica comparata sulla lingua albanese”, Prato 1866. Më 1882, Kostandin Kristoforidhi botoi “Gramatikën e gjuhës shqipe” dhe më 1806, Sami Frashëri botoi “Shkronjëtoren e gjuhës shqipe”, dy vepra gjuhësore të rëndësishme të shekullit XIX për gramatologjinë e gjuhës shqipe. Nga fundi i shekullit XIX, Kostandin Kristoforidhi përgatiti edhe një “Fjalor të gjuhës shqipe”, i cili u botua në vitin 1904 dhe përbën veprën më të rëndësishme të leksikografisë shqiptare, që u botua para Luftës se Dytë Botërore. Në vitin 1909, botohet Fjalori i shoqërisë “Bashkimi”.

Pas shpalljes së Pavarësisë, u botuan një varg gramatikash dhe fjalorë dygjuhësh, për të plotësuar nevojat e shkollës dhe të kulturës kombëtare. Në fushën e gramatikës u shqua sidomos Proff. Dr. Aleksandër Xhuvani.

Aleksander Xhuvani (1880-1961)
Kreu studimet e larta në Universitetin e Athinës. Veprimtaria e tij për studimin e gjuhës shqipe dhe arsimin kombëtar, e nisi që gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare. Bëri një punë të madhe për pajisjen e shkollës sonë me tekste të gjuhës shqipe, të letërsisë, të pedagogjisë dhe të psikologjisë. Drejtoi e punoi për hartimin e udhëzuesve drejtshkrimorë në vitet 1949, 1951, 1954, 1956.
Pati një veprimtari të gjerë në fushën e pastërtisë së gjuhës shqipe e të pasurimit të saj dhe botoi veprën “Për pastërtinë e gjuhës shqipe” (1956). Bashkëpunoi me profesorin Eqerem Çabej, për hartimin e veprave “Parashtesat” (1956) dhe “Prapashtesat e gjuhës shqipe” (1962), trajtesa themelore në fushën e fjalformimit të gjuhës shqipe. Botoi dhe një varg punimesh monografike për pjesoren, paskajoren dhe parafjalët e gjuhës shqipe.
Ai ishte njohës i mirë dhe mbledhës i pasionuar i visarit leksikor të gjuhës së popullit. Fjalët dhe shprehjet e mbledhura , u botuan pjesërisht pas vdekjes, në formën e një fjalori. Përgatiti një botim të dytë të “Fjalorit të gjuhës shqipe” të Kristoforidhit (1961).
Vepra e plotë e tij, e projektuar në disa vëllime, ende nuk është botuar. Në vitin 1980 është botuar vëllimi i parë.

Një zhvillim më të madh njohu gjuhësia shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX, kur u krijuan edhe institucione shkencore të specializuara, si Universiteti i Tiranës, Universiteti i Prishtinës dhe Akademia e Shkencave, Universiteti i Shkodrës, më vonë, Universiteti i Elbasanit, Universiteti i Gjirokastrës, Universiteti i Vlorës, Universiteti i Tetovës, etj. Gjatë kësaj periudhe, u hartuan një varg veprash përgjithësuese nga fusha të ndryshme të gjuhësisë. Në fushën e leksikologjisë dhe të leksikografisë, përveç studime leksikologjike, u hartuan edhe një varg fjalorësh të gjuhës shqipe dhe fjalori dygjuhësh, nga të cilët, më kryesorët janë: “Fjalori i gjuhës shqipe” (1954), “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980), “Fjalori i shqipes së sotme” (1984), “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe” (1976), “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” (1973), etj. Kohët e fundit kanë dalë edhe “Fjalor frazeologjik i gjuhës shqipe” (2000) dhe “Fjalor frazeologjik ballkanik” (1999).
Në fushën e dialektologjisë është bërë përshkrimi e studimi i të gjithë të folurave të shqipes dhe është hartuar “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe”, një vepër madhore që pritet të dalë së shpejti nga shtypi.
Eshtë bërë gjithashtu, studimi i fonetikës dhe i strukturave gramatikore të gjuhës shqipe përmes studimeve të veçanta dhe përmes gramatikave të ndryshme, niveleve të ndryshme, nga të cilat, më e plota është “Gramatika e gjuhës shqipe” I Morfologjia (1995), II Sintaksa (1997), hartuar nga Akademia e Shkencave, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, me kryeredaktor Mahir Domin.
Një vend të gjerë në studimet gjuhësore të këtij gjysëmshekulli, kanë zënë problemet e historisë së gjuhës shqipe, problemet e etnogjenezës së popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, të etimologjisë, të fonetikës dhe të gramatikës historike, etj. Disa nga veprat themelore në këto fusha janë: "Studime etimologjike në fushë të shqipes” në 7 vëllime, nga E.Çabej; “Meshari” i Gjon Buzukut (E.Çabej); “Gramatika historike e gjuhës shqipe” (Sh.Demiraj); “Fonologjia historike e gjuhës shqipe” (Sh.Demiraj); “Gjuhësia ballkanike” (Sh.Demiraj), etj.

Eqerem Cabej (1908-1980).
Studjuesi më i shquar i historisë së gjuhës shqipe dhe një nga personalitetet më në zë të kulturës shqiptare.
Pasi bëri studimet e para në vendlindje (Gjirokastër), studimet e larta i kreu në Austri, në fushën e gjuhësisë së krahasuar indoevropiane. Pas mbarimit të studimeve, kthehet në atdhe dhe fillon veprimtarinë shkencore e arsimore në vitet ’30 të këtij shekulli dhe punoi në këto fusha për një gjysëm shekulli, duke lënë një trashëgimni të pasur shkencore.
Eqerem Çabej solli dhe zbatoi në gjuhësinë shqiptare metodat dhe arritjet shkencore të gjuhësisë evropiane, duke kontribuar shumë në ngritjen e nivelit shkencor të studimeve gjuhësore shqiptare. Eqerem Cabej punoi shumë në disa fusha të dijes, por u shqua sidomos në fushën e historisë së gjuhës, në trajtimin e problemeve të origjinës së gjuhës shqipe, të autoktonisë së shqiptarëve e të etimologjisë dhe të filologjisë së teksteve të vjetra.
Veprat themelore të tij janë: “Studime etimologjike në fushë të shqipes”, në shtatë vëllime, I “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe”, II “Fonetikë historike” (1958), “Meshari i Gjon Buzukut” (1968), “Shqiptarët midis perëndimit dhe lindjes” (1944).
Ai është bashkëautor edhe në një varg veprash në fushën e gjuhës së sotme, siç janë: “Fjalor i gjuhës shqipe” (1954), “Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe” (1972), “Fjalori drejtshkrimor”.
Përveç veprave, ai ka botuar një varg studimesh në revista shkencore brenda e jashtë vendit dhe ka mbajtur dhjetra referate e kumtesa në kongrese e konferenca kombëtare e ndërkombëtare, të cilat kanë bërë të njohura arritjet e gjuhësisë shqiptare në botë, duke rritur kështu prestigjin e saj.
Veprat e prof. Eqerem Cabej janë botuar në tetë vëllime, në Prishtinë, me titullin “Studime gjuhësore”.
Me veprimtarinë e shumanëshme shkencore e me nivel të lartë, Eqerem Cabej ndriçoi shumë probleme të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare, duke argumentuar lashtësinë dhe origjinën ilire të saj, vitalitetin e saj ndër shekuj dhe marrëdhëniet me gjuhët dhe kulturat e popujve të tjerë.

Gjatë kësaj periudhe, gjuhësia shqiptare zgjidhi edhe problemin e gjuhës shqipe letrare kombëtare, të njësuar me çështjet teorike të së cilës është marrë veçanërisht prof.Androkli Kostallari.
Në kuadrin e punës që është bërë në fushën e gjuhësisë normative dhe të kulturës së gjuhës, janë hartuar dhe një numër i madh fjalorësh terminologjikë për degë të ndryshme të shkencës e të teknikës.
Përveç veprave të shumta që janë botuar në fushën e gjuhësisë, veprimtaria e gjuhësisë studimore e studjuesve shqiptarë pasqyrohet në botimin e disa revistave shkencore, nga të cilat më kryesoret sot, janë: “Studime filologjike” (Tiranë); “Gjuha shqipe” (Prishtinë); “Studia albanica” (Tiranë); “Jehona” (Shkup); etj.
Studime te rëndësishme mbi gjuhën shqipe janë bërë nga gjuhëtarë në Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, ku janë botuar një numër i konsidrueshëm veprash mbi historinë e gjuhës shqipe, fonetikën, gramatikën, leksikun etj. Prof. Idriz Ajeti shquhet për kontributin e veçantë që ka dhënë në këtë fushë

Kontribut të veçantë për gjuhen shqipe kanë dhenë edhe shqiptaret e vendosur në Itali, të njohur si “Arbëresh”
Disa nga figurat më të shquara të gjuhësisë shqiptare të këtyre dy shekujve të fundit, janë: Dhimitër Kamarda (arbëresh i Italisë), Kostandin Kristoforidhi, Sami Frashëri, Aleksandër Xhuvani, Eqerem Çabej, Selman Riza, Kostaq Cipo, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Androkli Kostallari, Idriz Ajeti, etj.





Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...