Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/09/28

Ankaraja, fytyra urbane e Turqise se re

Ky qytet i pastër, që bashkë me rrethinat po i afrohet të 4.5 milionë banorëve, është simboli i vërtetë i Turqisë. I qetë, i miradministruar dhe me një jetë që zhvillohet pandërprerë 24 orë, ka treguar interesat me shumë ambicie të turqve të rinj drejt shekullit të XXI. Një strukturë e tërë institucionesh mëton të mbajë dhe të tregojë fuqinë e shtetit, që sërish si dikur në Mesjetë, po ‘e tremb’ në themel Evropën.
Ankaraja, fytyra urbane e Turqise se re
“Si i pasqyroni lajmet që vinë nga Kurdistani?” Pyetja pluskon në ajër dhe zbret ngadalë drejt njeriut që pyetet. Shefi i Drejtorisë së Përgjithshme të Shtypit dhe Informacionit në zyrën e kryeministrit Murat Karakaya, që po na flet për median, më sheh ngultas. “S’ka Kurdistan”, më gjegjet. E kam dëgjuar 15 minuta në një paraqitje të medias në vendin e tij dhe sesi struktura që ai drejton është përgjegjëse për gjithçka në vend që ka lidhje me pasqyrimin mediatik, për numrin e gazetarëve dhe dëshminë e tyre. S’ka përgjigje për këtë. “Ka, - i them - gjeografikisht është një hapësirë territoriale që ndahet mes Turqisë, Iranit, Irakut dhe Sirisë”. “Nuk ka”, më thotë sërish. Kryqëzojmë shikimet.
  



... Ngaqë asnjëherë s’flasin qartë. Për një perëndimor duhet të jetë tmerrësisht e vështirë, për ne e kuptueshme. Hesht. Këtë e mendoj sërish kur takimet i lënë vendin njëra-tjetrës dhe pala turke na tregon për median dhe institucionet e saj. Gjërat thuhen në formë shumë baroke dhe asnjëherë direkt, por ani me pathos. “Kush vallë nuk e di këtë miqësi”, më mbërrin sakaq në kokë një epigram që e kam parë kohët e fundit në Tiranë dhe që nënvetëdija ma përcjell direkt në ndihmë. Qesh.

Nëpër Ankara

Pa ndihmën e turqve nuk mund ta përshkojmë si duhet Ankaranë. Mikpritësit tanë janë TIKA (Agjencia Ndërkombëtare për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin) dhe një përfaqësues i tyre, që na shoqëron për çdo ditë, është përgjegjës për nevojat tona. Jemi një grup gazetarësh nga Shqipëria, që me të ndajmë çdo gjë. Dy përfaqësues të Kryeministrisë nuk na ndahen po ashtu. Omeri, shoqëruesi ynë (nëse nuk gaboj), mundohet të shpjegojë me një anglishte të keqe për qytetin dhe strukturat drejtuese, më pak për historinë.


 Është i sjellshëm dhe simpatik. Kur vetëm pak nga ne pyesin pak mbrapsht, një re e zezë i zbret në fytyrë dhe kjo do të thotë: mjaft. Në fakt, turqve, personalisht u jam mirënjohës për këtë ndihmë, për të njohur kulturën dhe strukturat e tyre drejtuese. Janë të dashur dhe në shumë gjëra, po të mos ishte gjuha dhe mjedisi, do të dukej se bëje një vizitë shqiptare. Kur lirohemi nga takimet, Omeri qetësohet. Na buzëqesh dhe na thotë: Ku do ikim? Këmbëngul për Muzeun e Hititëve, që në fakt është Muzeu i Civilizimit Anatolian dhe që e kam si këshillë prej Dr. Zeqos për ta vizituar. 

Aprovohet. Vetëm se turqit duan që vizita e parë të jetë në Mauzoleun e Kemal Ataturkut, themeluesit të Republikës së Re. Kanë të drejtë. Madhështi. Diçka si Napoleoni tek Invalidët. Nëse do të dish se çfarë është Ataturku e kupton nga ky konstruksion, ku aroma e kolonatave antike ndërthuret me modernen. Vendasit i kanë hapur vend në tunelet e tij dhe një muzeu, ku përshkruhet njëra prej betejave më të mëdha të historisë së tyre në Çanakala, ku Ataturku ka qenë protagonist dhe ku ka filluar pavarësia e re turke.

 Muzeu ruan një statujë dylli të këtij personazhi karizmatik, fotografi dhe shumë objekte personale të tij, të kuruara mirë. Jashtë, turistët dhe vendasit, presin me ethe ceremonialin turk të ndërrimit të rojeve, një demonstrim turistik i fuqisë për të treguar të gjithë sublimitetin e vendit. Nga serioziteti shmangen turistët japonezë që kanë gjetur mënyrën për të ardhur dhe që rrinë si të shushatur para rojeve turke të nderit. Fotografohen. Pak orë më vonë, pas një kërkese miqësore, mikpritësit do të na përcjellin në Muzeun e Civilizimit Anatolian pak para se të shkosh në Kalanë e qytetit. Muzeu që ka eksponate që nga mijëvjeçari i tretë para Krishtit është një nga krenaritë e vendasve. Me të drejtë. I ankoruar në jug të Kalasë së Ankarasë në hapësirën e Atpazarı, këtu është zona më e virgjër e Ankarasë ose qyteti si ka qenë që para 50 ose më shumë viteve. 

Njerëz të varfër, të drobitur, makina të stërvjetra dhe gra të mbuluara që rrotullohen kudo për të shitur suvenirë të lirë. Ka qenë dikur pazar dhe thjesht për shkak të dëshirës së Ataturkut për të krijuar muzeun e Hititëve, ndërtesat kryesore u përshtatën për këtë kulturë të rrallë. Për shkak të lartësisë, këtu është një nga hapësirat më interesante ku mund të shquash qytetin, kurse muret e mbetura të kalasë të kujtojnë trashëgimitë e pafundme Hitite, Fragjiane, helenistike, romake, bizantine, otomane apo ato të Selxhukëve të tmerrshëm. 

Këta të fundit, që thuhet se i lanë dhe emrin qytetit, bënë restaurimet e mëtejshme dhe shtesat e kalasë, që sot jo vetëm mbetet pjesa më e vjetër e Ankarasë, por edhe ruan varfërinë më të madhe. Në një farë mënyre është atraksion për turistët, sepse ka shembuj të rrallë të arkitekturës tradicionale. Madje, shumë shtëpi të kujtojnë hapësira të njëjta në Shqipëri, por me një varfëri të skajshme. Si për të na e kujtuar më tej Shqipërinë, në mesditë vjen një makinë që ndan ndihma. Është e gjallë Shqipëria e vitit 1991. Njerëz që shtyhen dhe bërtasin, thasë të ngarkuar në krahë dhe ikje. Ikje. Nga rrokupuja e ngjarjeve, që rrotullohen pa rend nga nënvetëdija, më shkëput një moment: para meje në një nga rrugicat e ngushta të kalasë ndalet një makinë dhe një shofer i sulet një fëmije për ta rrahur. Ashpërsia e turqve është proverbiale. 

Mundohem t’i ndaj. Është e vështirë dhe kur në fund ia arrij dhe dua të bëj një fotografi drejt një turme, babai i djalit më vërsulet. Stepet nga mos lëvizja ime. “Arnaut damar”, më thotë dikush, që do të përkthehet: Kokëgdhe. S’falënderon askush. Në fakt, të 3,5 milion shqiptarët që sot rrojnë në Turqi s’u duhet falënderimi i turqve sepse janë shkrirë po aq mirë si ata dhe madje janë shpesh protagonistë. Një djal nga Maqedonia që na përkthen më thotë shumë gjëra për ta, gati të pabesueshme.

Qyteti

E lemë këtë pjesë dhe kur kthehemi në qytet, pak metra më tutje, Ankaraja është tejet perëndimore. E pastër dhe e sistemuar. Pas kësaj zone, ku ti shikon ende Turqinë e shamikuqes, qyteti ka ndryshuar shumë dhe sot është vendbanimi për rreth 4.4 milionë banorë. Kam një almanak historie dhe e shfletoj teksa shoferi i edukuar mundohet të bëjë udhë në trafik. 




Dikur qyteti identifikohej me qendrën kulturore të Hititëve Ankuëaš, megjithatë kjo mbetet për debat. Në antikitetin klasik dhe gjatë periudhës mesjetare, qyteti u njoh si Ankyra nga grekët. Por një ide është se emri ka zbritur prej pushtuesve selxhukë. Sot qyteti është një vend industrial e komercial dhe është qendra e qeverisë dhe presidentit turk. Këtë të fundit, në një gazetë ditore, e shikoj teksa ecën i vetëm në një zonë krejt të harruar të Turqisë dhe bën fotografi në një vend gati të izoluar. Në Ankara, rezidenca e tij është e mbyllur pas një rrethimi të dyfishtë, ku ushtarë me gishtin në këmbëz rrinë gati në çdo moment. Qyteti ka shumë gjelbërim dhe pastërti, që kur e krahasoj me Stambollin mbetet mbresëlënës. Turqit e sotëm kanë treguar se e kanë shpërfillur hapur natyrën: Me gjithë karakteristikat jo të mira natyrore ngaqë Ankaraja është një nga pjesët më të thata të vendit, përveç një hapësirë pylli në jug, qyteti ka arritur të ketë sot gjelbërim 72m2 për kokë.

Intermexo

Në pak ditët e qëndrimit këto udhëtime shpesh do të ndërrohen me vizitat në institucionet kryesore të medias turke: Anatoli Ajansu (si ATSH-ja jonë); TRT, Radio Televizionin Turk, ku hasim dhe një zyrë të vogël ku është seksionin i radios shqip; CIHAN, një agjenci private; dhe kompleksi mediatik Sabah, që është brenda vetes një grup mediatik i arrirë dhe mbrësëlënës me të gjitha elementët. 




Marrëdhëniet me ekzekutivin, duket se qeveria turke e kontrollon plotësisht median vendase, marrëdhënia me punëdhënësit dhe mënyrën sesi e mbulon- janë temat që flasim. Kolegët turk janë shumë të hapur, kuptohet përveç dogmës së drejtuesve që u ngjajnë pak zyrtarëve tanë të shkuar. Kanë një respekt për shqiptarët, gjë që të bën të ndjehesh mirë dhe përmes tyre shikon vërtet sesi duhet të jetë shteti. Në shumë momente s’jam me ta, por respektoj thellësisht ndjesinë e shtetit tek ata. TIKA duhet vlerësuar për ndihmën që jep kudo në vendet, të themi që kanë pasur një lidhje me ish perandorinë otomane, por edhe në vendet mike të Turqisë, si edhe interesit sesa me dashuri e bëjnë promovimin e vendit të tyre. 



Edhe këtë e admiroj. Të duash vendin me çdo kusht është më shumë se virtyt, është thellësi, që ka humbur në Shqipëri. Burrat që na shoqërojnë përpiqen që të venë rend në kushtet tona. Shpesh njohuritë nuk përkojnë. Një moment i kujtoj dikujt që përsërit vëllazërinë tonë se kemi qenë bashkë në 100 vjet, por jo gjithë jetën dhe se ata na kanë shtypur ashpërsisht. Bëhet pak heshtje. Njërit prej shefave të TIKA-s, Mehmet Yilmaz, i them se ndoshta të dy vendet me fonde të përbashkëta u duhet të punojnë për tekstet e tyre.

“I sëmuri i Bosforit”

Në tekstet tona dikur thuhej se Turqia është si “I sëmuri i Bosforit”, por vendi që ende e kontrollon Bosforin, është bërë sot lojtari kryesor në hapësirat që ndajnë Perëndimin me Lindjen. Që kur Ataturku krijoi Turqinë moderne në 1923, vendi është përplasur nga forca kundërshtare që kanë punuar brenda kulturës kombëtare dhe ndërgjegjes. Duke marrë parasysh myslimanizmin në rrënjë të tyre, qeveria e idealizuar nga Ataturku dhe e mbrojtur për shumë vjet nga ushtria kishte një imazh perëndimor, demokraci shekullare me një ndarje të qartë të shtetit me religjionin. Kur ushtria ndjente se diçka s’ishte mirë, të hiqte kokën. Kështu ndodhi jo shumë larg, por në 1997, kur qeveria e Nexhmedin Erbakan u detyrua të japë dorëheqjen, sepse gjeneralët menduan se vendi po kalonte drejt një autokracie islamike si Irani fqinj. Ajo që ka rrjedhë pas kësaj ngjarje është mbresëlënëse, megjithatë myslimanizmi është shtuar frikshëm. 


Paçka se ky vend ka marrëdhënie të përparuar me BE-në, me Amerikën dhe njësoj edhe me vendet e Lindjes së Mesme, që e shikojnë si shembull dhe Rusisë. Gjeografikisht, dëgjoj nga një analist amerikan -se Turqia është aty ku teoritë e liberal demokratëve perëndimorë përballen me autokracitë e vendeve islamike. Ndaj, ajo vetë, duke i pasur të dy elementët, është unike për t’i parë vështirësitë në të dy perspektivat. Jo më kot në kohë krizash në rajon ka luajtur rolin e saj dhe ka ndodhur po ashtu që në kohë po krizash, bursa turke ka qenë lart dhe ka kontribuar… Një shembull është me Libinë: Ishte për ndërhyrje të NATO-s, ndërkohë që mbante lidhje me vetë regjimin; njësoj me Sirinë që e paralajmëruan direkt, por edhe bisedojnë. Me pak fjalë, në këtë rajon, nëse ke nevojë për një negociator, ai është gati dhe quhet Ankara...

Si Shqipëria, Parlamenti hapet në kaos

Anipse situata e brendshme s’është aq dashamire. Kryeministri me mandatin e tretë rresht ose më të shumtin në historinë e Turqisë moderne, z. Erdogan, jo vetëm ka fituar, por e ka shpallur hapur sfidën e tij. Atij s’i bën përshtypje që opozita, partia PPR, bashkë me kandidatët e pavarur e kanë bojkotuar në protestë mbi anëtarët e parlamentit që janë në burg. Turqia është e njësojtë si Shqipëria për probleme. Edhe pse shkëlqesia e tij Rexhep Erdogan ka premtuar të punojë me opozitën për një kushtetutë të re, duket se pika e takimit është larg. Mos harroni: në Turqi gjithçka shkon si do kryeministri. Edhe ushtria pas arrestimeve të kohëve më parë, s’është më e frikshme për të. Me pak fjalë, fryma perëndimore e Ataturkut ka filluar të zbehet. Duke u kthyer te parlamenti me 550 veta, rreth 130 vende janë të partisë kryesore opozitare, ndërsa të pavarurit kanë 36 vende.


 “Ne nuk betohemi nëse nuk gjendet mënyra që të votohen të gjithë deputetët tanë”, thotë ditët që jemi ne lideri i opozitës, Kemal Kilicdaroglu. Një gazetar më shpjegon të gjithë këtë ngatërresë me një anglishte të keqe, që e sqaroj më vonë nga gazetat. “Nuk mund të gjenin kandidatë të tjerë ata?”, ua priti Erdogan. “Ata emëruan këta njerëz se e dinin që do të kishte probleme të tilla”. Gazetari Mustafa Balbay dhe akademiku Mehmet Haberal janë zgjedhur nga PPR dhe janë burgosur dy vjet më parë me akuzën për tentativë komploti ndaj qeverisjes së Erdogan. Epilogu dihet: Ata janë në burg. Por lufta që është në parlament nuk e prek pulsin e Ankarasë dhe gjithë Turqisë, që punon me të gjithë motorët e ndezur tek ekonomia. Turqit janë punëtorë, tregtarë të lindur dhe fuqinë e tyre e kanë treguar sot me ekspansionin e pamat ekonomik.

Ekonomi, sfida

“Deri më 2025 Turqia do të jetë një nga 15 polet botërore dhe do të pretendojë një rol influence mbi vendet e tjera”, ka thënë ditët e fundit Banka Botërore. Turqia, sipas një zyrtari të saj, do të bëhet një nga lojtarët globalë me fuqinë e saj për të influencuar ndër vendet e tjera brenda 25 viteve të ardhshëm. Deklarata është bërë pak ditë më parë në pragun e daljes së raportit “Global Development Perspective 2011”, ku flitet se Turqia do të jetë një nga 20 vendet më të pasura dhe relativisht do të balancojë zhvillimin e kërkesave të huaja dhe atij vendas. Këtë e dëshmojnë dhe burime të tjera: Të dhënat e lëshuara nga EUROSTAT (zyra statistikore e BE-së) ka gjetur se në 27 vende që ajo mbulon, GDP per capita e Turqisë ka shkuar 48% në mesataren e BE-së më shumë se 44% që ishte më 2008, duke lënë pas Bullgarinë dhe Rumaninë. Ekonomia turke, sipas saj, është rritur me 8.9% më 2010 më shumë se mesatarja e BE-së. Me pak fjalë, nëse do të pranohej sot, ajo do e kishte GDP per capita më të madhe se Bullgaria, Rumania, Letonia, Polonia dhe Lituania. Ndaj ekonomia s’mund të jetë më një shfajësim për mos hyrjen e saj në BE, që kuptohet se pengohen seriozisht nga Franca dhe Gjermania. 

Kjo e ka bërë Turqinë që skepticizmin ndaj saj ta shikojë të lidhur me myslimanizmin. Për hir të së vërtetës, kundërshtarët ankohen seriozisht për 73 milionë banorët e saj, që do jenë 80 milionë në 2015, pasi standardi i pjesës më të madhe të tyre është tejet i ulët. Kjo ka një të vërtetë, sepse ditët e korrikut qeveria mendoi që rroga mesatare më e ulët të ngrihet në 5.1%, që do të thotë se: rroga më e ulët për punëtorët mbi 16 vjeç do të jetë 658.95 TL (rreth 320 euro) me një rritje prej 28.99 TL. Po të vazhdohet me termat ekonomikë, Turqia është në 16 vendet me ekonominë me rritje më të lartë të GDP në vitin 2010 me 735.8 miliardë USD dhe vendi mendohet se do jetë një nga 10 ekonomitë e para më 2023. Ndërkohë që thuhet se Turqia do shpenzojë më shumë nga gjithë vendet e tjera në Evropë përsa i përket planeve të Kërkimet dhe Zhvillimit. KE ka nxjerrë raportin e saj dhe, sipas saj, Turqia i ka ngritur shpenzimet e R&D (Research& Development) me më shumë se 10% krahasuar nga 2000-2009. Është mes katër vendeve evropiane që shpenzojnë më shumë. Nga ana tjetër, Tregu i Sigurimeve, megjithëse 70% dominohet nga të huajt, mendohet sipas autoriteteve vendase “se do ketë më shumë investime në sektorin e sigurimeve turke”. Por, Turqia nuk po qëndron indiferente dhe ndaj burimeve energjetike. Me Rusinë po vazhdojnë negociatat për rregullimet e çmimit të gazit dhe vendimit në lidhje për të ardhmen e kontratës së gazsjellësit në perëndim. E ashtu si në perëndim, vendi nuk harron t’i ketë sytë nga Lindja. Kur e gjithë bota vazhdon të shmangë Irakun, Erdogan ishte atje në krye të 200 biznesmenëve dhe mallrat turke e kanë pushtuar tregun në Bagdad. Ashtu si Ahmadinaxhed mund të jetë i izoluar nga Perëndimi, por ata kanë një tregti prej plot 10 miliardë USD me Iranin. Në këtë rast, TIKA me ndihmën e saj direkt dhe me dhjetëra qindra projektet kudo rajonit (më së shumti me atë që flitet se ka qenë i lidhur me perandorinë) është mbresëlënës. Më kujtohet se në fjalimin e Davotoglu ai thotë se kur i kërkuan diku në Afganistan për t’u ndërtuar një shkollë, ai thirri direkt shefin e TIKA-s dhe i thotë mbaj shënim. Pas pak gjëja bëhet. Kujtoj se Omeri ka qenë kohët e fundit në Afganistan... ”Bukur, më thotë, shumë mirë”. “Kush”-e pyes. “Atje”.

Çdokush duhet të shohë fuqinë e Turqisë

Ndërkaq Perëndimi i frikësohet mirë e bukur dhe me të drejtë, sidomos teorisë së tyre të neotomanizmit, që pak a shumë e shikon zhvillimin e të gjithë rajonit, që dikur ishte pjesë e perandorisë si vend zhvillimi dhe gjenerimi të një marrëdhënie të ngushtë tregtare, ekonomike dhe pse jo dhe politike. Dhe, vërtet, në këto kohë zgjimi dhe revolucioni duhet të shikosh Turqinë. Në Egjipt, parullat që hidheshin nga protestuesit e donin vendin të ishte si Turqia. Është bërë një vend kaq ambicioz, saqë në një Lindje të Mesme kaq turbulente, besohet se ajo ka rolin e vërtetë demokratik. Ajo është zëri më modern i gjithë zonës. Jo më kot, kur i kërkohet nevoja, ajo afrohet menjëherë si mediatore. Zëvendëskryeministri Cemil Çiçek, që tani pritet të jetë speaker i parlamentit, do thoshte pak kohë më parë: “Çdokush e sheh fuqinë e Turqisë”. 

Ajo ka mbështetur NATO-n, por s’është futur në Libi dhe duket se pret të afrohet koha e negocimit, ku ajo të jetë pjesë reale. Ndaj, zyrtarët e Ankarasë shfaqen shpesh krenarë para nesh, që duhet tu dukemi si pjesëtarë të një shteti liliput. Turqia s’ti kursen shumë dhëmbët. Ata iu kundërvunë ministrit frëng të brendshëm Claude Gueant kur tha se presidenti frëng po drejton një “kryqëzatë” kundër barbarizmit të Gadafit. Këtë turqit s’e pranojnë t’u kujtosh të kaluarën si pushtues, që për ta mbetet një kohë e madhërishme gjithsesi. Ca më shumë z. Sarkozy, që për ta është simboli i mospranimit të tyre në BE. Megjithatë, politika, politikë: Turqia ka çuar 5-6 anije për të kontrolluar embargon dhe në aeroportin e Bengazit ndihmon me ndihmën humanitare. Që nga 2005, Turqia po bën bisedime të stërgjata me BE-në, por kancelarja Merkel dhe presidenti Sarkozi thonë thjesht se për ta mjafton një “partnership i privilegjuar” sesa anëtarësi. Kjo e ka bërë Turqinë që të shtrojë pyetjen: Është Evropa një klub kristian apo është adresa e një komuniteti civilizimi? 
Ankara Photo | City pictures
Pamja aktuale është se Evropa është një klub kristian dhe ne shqiptarët e dimë mirë e bukur këtë, përpos servilizmit të qeverisë sonë. Këtë e vlerësoj pa masë te turqit. Dinjitetin. Në shpirtin e tyre ka ende bërthamë perandorie. Ndaj, Erdogan në Duseldorf tha para pak kohësh: “Fëmijët tanë vërtet duhet të mësojnë gjermanisht, por më parë duhet të mësojnë turqisht”. Këtu mbyllet edhe rrëfimi ynë për Turqinë e madhe të njerëzve të palodhur, që e ringritën vendin e tyre. Me Omerin ndahem ditë më parë.
...
Ankara | Citys and The Hotels
Në Tiranë rrëmuja për të marrë valixhet më kujton pak Turqinë e Stambollit. Pak minuta më pas, teksa kthehem, një billboard me flamujt turk-shqiptar shënon “Vallë kush nuk e di këtë miqësi”. Po vallë, kush nuk e di?! Verë 2011.



F.B

Daut Gumeni: Nje liber me vezhgime dhe shqetesime qytetare

Daut Gumeni: Nje liber me vezhgime dhe shqetesime qytetare


Libri i ish-të përndjekurit politik Daut Gumeni, “Tranzicion apo Trashëgimi”, një botim voluminoz i sjellë nga shtëpia botuese “Toena”, u prezantua dje në Teatrin Metropol. Libri publicistik është në të vërtetë një histori analitike e dy dekadave të demokracisë, parathënien e të cilit e ka shkruar historiani Pëllumb Xhufi. Të ftuar në ceremoninë e promovimit ishin miq, kolegë, bashkëvuajtës, por dhe politikanë; si kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe disa deputetë të majtë. Në fakt autori i librit, Daut Gumeni, një publicist i njohur, shprehet se liderin e së majtës e ka ftuar si mikun e hershëm Edi Rama dhe si një nga publicistët më të mirë në vend, tamam ashtu si dhe u prezantua edhe vetë kreu i PS. “Së pari, unë nuk kam ardhur këtu si kryetar i opozitës, por si një ndër njerëzit që kam pasur fatin ta njoh Dautin në ditët e para të ringjalljes nga ferri, ku për afro çerek shekulli e kyçi regjimi komunist… Nga një burg makabër si ai i Burrelit, Dauti ka kaluar në një burg tjetër, që është burgu i ëndrrave të para dhe i shpresave të ushqyera në çerek shekulli errësirë dhe që sot, pas 20 vjetësh, mund t’i gjejë e ushqejë vetëm duke ndjekur frymëzimin poetik, duke shkruar poezi për të krijuar një realitet ku mund të jetojë i çliruar nga prangat mizerabël të kushtëzimeve të një shoqërie që quhet e lirë dhe demokratike, por që në fakt është një shoqëri në kalbëzim të vazhdueshëm.”- tha ndër të tjera lideri i PS, Edi Rama. Ndërsa historiani Pëllumb Xhufi u shpreh se libri është një histori analitike e shoqërisë shqiptare.

“Tranzicion apo Trashëgimi” titullohet libri. Cili është mesazhi që kërkoni të përcillni?

Që këto 20 vjet që ka kaluar Shqipëria nuk është periudhë tranzicioni, por është një inerci e diktaturës ose një trashëgimi e besnikëve të diktaturës. Prandaj them që nuk është tranzicion, por është një trashëgimi nga e kaluara. Por është edhe një libër me vëzhgime dhe shqetësime qytetare, ashtu siç i shikon autori. Mua më pëlqen fakti që janë interesuar mjaft njerëz për ta botuar dhe më vjen mirë që ato shqetësime që unë trajtoj nuk janë vetëm të miat. Dhe kur janë shumë njerëz që ndajnë të njëjtat shqetësime me ty, atëherë mund të gjendet edhe më lehtë rrugëzgjidhja. Mua nuk më pëlqen që të mos i pranojmë të vërtetat. Unë ndoshta ngaqë jam në moshë të shkuar dhe kam një të kaluar të frikshme për brezin e ri nuk më pëlqen t’i fsheh të vërtetat. Njeriu mund të gënjejë këdo, por veten e tij nuk e gënjen dot.

Çfarë të vërtetash keni thënë në libër?

Kam thënë p.sh. që ky rend që kemi ne nuk është demokraci. E di që kam dhe miq që mund të zemërohen, por kjo është e vërtetë dhe unë i them të vërtetat edhe kur më zemërohen miqtë. Njeriu duhet ta hedhë këmbën aq sa të mos shkelë këmbën e tjetrit. Por ama të mos pyes njeri se ku ta hedh këmbën. Kur është brenda ligjit, njeriu ka të drejtë të bëjë gjithçka që i krijon ndenjën e kënaqësisë, lirisë, të të ndjerit mirë.

Pra, është një libër që trajton probleme social-politike? Cilat janë ato probleme apo shqetësime që ju ngrini, që ju i klasifikoni si më të rënda në shoqërinë shqiptare?

E para është e drejta e votës. Ikëm nga një regjim mizerabël ku nuk bëheshin votime por regjistrime dhe shqiptarët u gëzuan dhe thanë shyqyr më në fund do votojmë të lirë, mirëpo nuk doli ashtu. Populli shkon në votime, votojnë ashtu siç ata duan, por kur vjen puna te numërimi pushtetarët i numërojnë si në Afrikë. Ky është problem i rëndë, sepse del dhe vë veten në pushtet një njeri që populli s’e ka votuar kurrë. Aq më tepër kur thotë unë nuk pyes për votat dhe i merr kutitë në krah. Ky nuk është shqetësim vetëm i imi, por për të gjithë ne. Tjetër shqetësim që unë ngre është cilësia e jetës. Kam 20 vjet që thuhet se do kemi 24 orë ujë dhe e vetmja 24 që është realizuar është se kemi 24 orë etje për ujë. Thonë se Shqipëria është e bukura e dheut dhe fyen edhe intelektin e shqiptarëve, sepse edhe Lura që ishte vërtet një perlë e kësaj toke është shkatërruar. Flitet për përhapje të madhe të arsimit. Ne nuk kemi vuajtur për arsimim horizontal. Dikur lufta kundër analfabetizmit ishte anembanë Shqipërisë, sot as kjo nuk është, kemi mijëra fëmijë analfabetë, sepse nuk dalin dot nga shtëpitë se ka “krisur” hakmarrja sikur jemi 400-vjet mbrapa.

A është ky libër një përmbledhje e gjithë publicistikës suaj ndër vite?

Po, është një përmbledhje e publicistikës sime, por jo e të gjithës.

Po një libër autobiografik, mbi të kaluarën tuaj në burgjet komuniste, a është në projekt?

Jo, nuk kam ndërmend të shkruaj libër autobiografik. Për autobiografi nuk besoj, sepse nuk kam ndonjë pasuri në jetën time për të treguar, por më pëlqen që një ditë të shkruaj për ato që unë kam hequr në jetë, që t’i dinë dhe të tjerët, por jo sepse i kam hequr unë, por t’i dinë që të mos pësojnë atë që kam pësuar unë. Aktualisht kam një përmbledhje me esse te Botimet MAPO, me titullin “Sa larg është Danimarka”. Marr shkas nga një novelë e Kasem Trebeshinës, ku ai thotë “Sa larg që ishte Danimarka”, ndërsa unë them sa larg që është Danimarka. Kam edhe autorë të huaj, por kryesisht kam në këtë përmbledhje autorë të indeksuar që nuk lejoheshin të botoheshin. Midis tyre ka dhe të pushkatuar si Trifonm Xhagjika, emigrant të përjetshëm si Martin Camaj etj.

Ngjarje konkrete në libër, të cilave ju i jeni referuar, dhe emra konkretë, a janë identifikuar në këtë libër?

Jo, emra konkretë nuk ka, kurse çdo shqetësim që unë kam ngritur i referohet ose është nxitur nga ngjarje të rënda që i kanë ndodhur vendit që nga viti 1992 deri në vitin 2011.

Kë klasifikoni ju si ngjarje tronditëse në këtë libër?

Kam shkruar për referendumin në vitin 1994. Kasaphana që u bë me zgjedhjet e vitit 1996, ku filloi kalvari i vjedhjes së votave. Por edhe për atë që ndodhi në vitin 1997. Të gjithë politikanët e të gjitha bojërave që ka lënë pas Partia mëmë, i referohen atij viti si vit i mbrapshtë; e ka fajin populli, ne jemi popull i egër. Por unë shpreh mendim kundër, që të mbrapshtë ishin politikanët, por ata tremben nga ajo që ndodhi më ’97-n dhe ia vënë fajin popullit.

Dhe kush është fajtori, për ju?

Politika, por jo politika si koncept, por politikëbërësit.

Këndvështrimi juaj në libër është majtas apo djathtas?

Shqipëria është e gjitha e majtë, e djathta nuk ekziston. Unë me koncepte jam i djathtë, por e djathta ime nuk ekziston. Unë shoh një të djathtë moderne, që më siguron lirinë e individit, të drejtën e pronës, punës, shkollës etj. Por nuk mund të quaj të djathtë dikë që nuk i jep pronën e tij pronarit apo që u thotë sindikatave ju jeni shoqata kriminale, sepse kërkojnë më shumë para. Por kësaj do t’i përgjigjem me një pasazh nga Remarku. Në romanin e tij “Shkëndija e jetës”: ku Remarku ngre një pyetje për një nga personazhet: Çfarë jeni ju zotëri, komunist?- Jo përgjigjet tjetri, nuk jam komunist. Social demokrat?- jo, as i tillë. Po i majtë atëherë, çfarë jeni? Nuk jam as i majtë as i djathtë, por jam njeri, nuk mjafton kjo.

Fjala shqipe 'Gur' dokumentohet edhe ne tekstet biblike

Fatbardha Demi


Epilologët dhe studjuesit e ndryshëm kanë treguar se në tekstet më të vjetra të njerëzimit mund të gjesh thërrmija filologjike prej ari të gjuhës shqipe. Një tronditje e madhe në botën shkencore qe zbërthimi i shkrimit linear B të Kretës nga M. Ventris, në disa tabela bronxi të para 37 shekujve ku gjëndeshin dhe emra ilirë që korespondonin me antroponiminë ilire si emra të tillë "Dasi", "Gent" etj. Këto emra ilirë janë ngjallur më vonë por shpesh etimologia e tyre ka mbetur e pazbërthyer. Në veprat madhështore të Homerit sidomos tek "Odiseja" (vargjet 500, 501, 507), përmëndet edhe një dyfjalësh si: "Gyraien Petren", që zbërthehet si "Gurin e gurtë".
Fjala shqipe 'Gur' dokumentohet edhe ne tekstet biblike
Në eposin e Homerit tregohet se si heroi Ajaks mbas rënies së Trojës udhëtonte në det dhe arriti tek një ishull i quajtur "Guras Petras". Aty Ajaksin , hyu i detrave Poseidoni e goditi me trifurk, një pjesë e ishullit u zhyt nga goditja, duke marrë me vete në thellësi edhe udhëtarin e kobshëm. 

Në fakt ky subjekt lidhet me një ishull të kultizuar mes detit me emrin "Guras Petras", që do të thotë "Guri gur" është një emërtim i dyfishtë . Sipas filologut patriarkut Spiro Kondës, emri i mëparshëm i ishullit ka qënë "Gur", një emër përpara grekërve të vjetër, kështu më pas detarët grekë të vjetër e kanë quajtur ishullin "Guras Petras" duke bërë kështu një tautologji dhe ky emërtim i stërlashtë helenik ruan përjetësishtë emrin shumë më të stërvjetër ilir "Gur", që është shumë përpara epeve të Homerit si emërtim. 

Në se pranojmë që Homeri ka ekzistuar në shekullin e VII para erës sonë atëhere duhet të themi se fjala "Gur" përdorur nga pellazgët, nga ilirët dhe që është akoma edhe sot një fjalë esenciale e gjuhës shqipe, dokumentohet si fjala më e herëshme e gjuhës sonë në një monument letrar madhështor të njërëzimit siç është krijimtaria homerike. 

Edhe më vonë autorë të tjerë si poeti i madh grek Arkiloku përmëndet dyfjalëshi tautologjik iliro-grek në formën "Gurai petras".

Në 1920 në gërmimet arkeologjike të bëra në Dodonë u zbulua dhe një tabelë bronxi me emër njeriu Guras. Ky emër ilir gjendet si toponim edhe në Kretë, në Kylkadë dhe Tesali. Historiani antik Arriani, në librin e tij kushtuar Aleksandrit të madh (4,23) thotë se:"Aleksandri marshoi nëpërmjet një vëndi të quajtur "Guraioi", ku kishte dhe një lumë me të njëjtin emër", gjatë fushatës së Aleksandrit të madh në Indi. 

Duke studiuar me kujdes Biblën e Shenjtë, kemi gjetur papritur një dëshmi unike gati dy shekuj më të vjetër se sa tekstet e Homerit ku përmendet fjala ilire shqipe "Gur".
Vendndodhja e kësaj dëshmie është në:"Libri i dytë i Mbretërve" (9,27). Aty tregohet episodi sesi Jehu bëri kryengritje dhe vrau Akzarin, duke u bërë vetë mbret i Judesë dhe Izraelit. Unë konsultova disa tekste të botimeve të Biblës së Shenjtë në gjuhën shqipe. Në Biblën e Shenjtë (Diodadi i ri) përkthim i vitit 1991, 1994 shtypur në Brindisi në vitin 1995 në faqen 424 thuhet: "Dhe e gjuajtën (Akazian) në të përpjetën e Gurit që është afër Iblehamit". Në versionin e Biblës së Shenjtë shtypur në Jongloed, viti 1993 në faqen 398, përkthimi shqip është : "pranë vëndit ku rruga është drejt Gurit e kthen për në drejtim të Jiblamit". Në versionin e Biblës së Shenjtë në shqip botuar nga nga "The Albanian Bible Society" Firence 1995 faqe 722 thuhet: "E gjuajtën në të përpjetën e Gurit që është afër Iblemit". 

Të tërheq vëmëndjen se ndërsa për toponimin Ibleam shqipërohet edhe në formën Jiblam, ose Iblami, në të gjitha rastet e mësiperme, toponimi i vëndit i quajtur "Guri" jepet korrekt. Për ta konkretizuar vërtetësinë e toponimit "Gur" pashë variantët e Biblave në greqisht dhe latinisht, kur në të dy rastet ky toponim është në formën "Gur". Në "Holy Bible", në "International version", botuar nga "International Bible Society", në 1984 në faqen 267 pasazhi "on the way up to Gur near Ibleam" Në "La Bible", "Nouvelle edition revue" Paris, (përkthim nga origjinali hebraisht dhe greqisht) në faqën 440 thuhet : "a la montee de Gour pres Yivleim".

Pra del qartë se në variantet e dy gjuhëve kryesore të njërëzimit të Biblave të autorizuara në anglisht dhe frëngjisht toponinimi quhet konkretisht "Gur". Vërtetohet kështu që fjala shqipe gur është përcjellë si toponom dhe ka mbetur e fiksuar në :"Librin e dytë të mbretërve" që dihet është shkruar në shekullin e IX përpara Krishtit. Madje saktësia e përmendjes së toponimit "Gur" mund të arrihet deri në kronologjinë e vitit kur ka ndodhur ngjarja e rebelimit të Jehut, i cili vrau Akazin. Kjo ngjarje ka ndodhur në vitin 841 përpara Krishtit. Mbas kësaj vrasje Jehu u bë mbret i Judesë dhe Izraelit në vitet 841- 814 përpara Krishtit. 

Duke parë përkthimin madhështor në gjuhën shqipe "Besëlidhja e vjetër dhe Besëlidhja e re" nga Dom Simon Filipaj, botuar më 1994, në Ferizaj që është kryevepër filologjike e shqipërimeve shqipe në të gjitha kohërat, në faqën 448 në postshënimin nr 27 jepet një shpjegim gjeografik i vëndit ku Jehu vrau Akazian. Kështu Ibleami quhet sot Tel Belame dhe është në jug të Jeninit, gati dhjetë km në jug të Jezrahelit në rrugën drejt Jeruzalemit. Kjo do të thotë që edhe vëndi i quajtur "Gur" nuk është shumë larg Qytetit të shenjtë Jeruzalem. 

Do të ishte një kërkim i frytëshëm për të parë nëse ka mbijetuar toponimi "Gur" apo është ndryshuar.

Ajo që është esencialisht e rëndësishme për ne shqipëtarët është se fjala shqipe "Gur" dokumentohet në tekstet biblike në një lashtësi marramendëse, përpara 29 shekujve, pra perpara 2900 vjetëve. Kjo është dëshmia më e vjetër e një fjale në gjuhën shqipe deri më sot. Nuk është aspak një zbulim i thjeshtë dhe për të nuk mund të këtë më asnjë lloj skepticizmi. Miku im Petro Zheji në librin e tij "Shqipja dhe Sanskritishtja" botuar më 1996 flet gjerësisht për fjalën "Gur" dhe e quan një nga fjalët më të lashta të njërëzimit, një fjalë operatore që ka ndikuar në shumë gjuhë të botës, që gjendet në sanskrishten në formën "Giri" apo në latinishtën "Gravis" (i rëndë) në sllavisht "Gora" (mal) "Granica" (kufi), apo në gjermanishten "Gral" (guri i shenjtë), në greqishten "Aguridhe" (rrush i pabërë, i fortë si gur). 

Madje Petro Zheji krijon ekuacione etimologjike që kanë në thelb fjalën "Gur", edhe tek emri i Gorgonës (shikimi i të cilës kthën gjithçka në gur), madje ka zbuluar se varri i Timurlenit në Samarkandë quhet "Gur – i – mirë". Sipas Zhejit fjala "Gur" shtrihet që nga India e vjetër dhe e largët deri në skajet më veriorë të Evropës. Kjo është një fjalë që e kanë patur pellazgët që e kanë trashëguar ilirët dhe që është akoma një fjalë e gjallë vetëm tek një popull në botë, vetëm tek ne shqipëtarët. Madje fjala "Gur", fjalë njërrokëshe hyn tek fjalët e para të njërëzimit dhe me konceptin e gurit lidhet dhe subjekti kozmogonik apo miti i Deuklaonit dhe të gruas së tijë Pyrras që mbijetuan mbas një katastrofe dhe për të krijuar njërëzimin hodhën pas shpine eshtrat e tokës, që janë gurët. 

Nga gurët që hodhi burri lindën burra, dhe nga gurët që hodhi gruaja lindën gra. Ky koncept që jeta del nga guri ka mbijetuar tek miti i hyjnisë Mithra , që gjoja ka dalë nga brëndësia e një shkëmbi (Petra Genetri).

Interesante është që në kryeveprën poetike të poetit të madh romak Lukani (shek.I-rë pas Krishtit) të quajtur "Farsala" libri i VI po tregohet beteja historike në qytetin e Durrësit midis Cesarit dhe Pompeut, përmendet në një varg edhe emri i shkëmbit të madh i quajtur sot "shkëmbi i Kavajës" . Lukani thotë shprehimisht që "banori taulant e quan Petra". Në fakt "Petra" është greqëzimi i toponimit "Gur". Kaq e vërtetë është kjo sa që në dokumentet mesjetare përmendet kisha e Shën Kollit (Nikollës) e "Gurit" që më vonë në gojën e shqipëtarëve ka vënë emrin e fshatit "Shkallnur" (Shën Kolli i gurit = Shkallnur). 

Kjo do të thotë që emri "Gur" i këtij shkëmbi në jug të qytetit të stërlashtë të Durrësit ka mbijetuar në të gjitha kohërat pamvarësishtë nga kronikanët latinë apo grekë që kanë përdorur fjalë të ndryshme ose emra të tjerë për këtë shkëmb të madh, është trashëguar emri fillestar nga thellësitë e kohërave.

Madje edhe emri i ishullit të Sazanit pranë Karaburunit lidhet me latinishtën vulgare "Saso" , që do të thotë "Gur". Kjo do të thotë që në herëshmëri ishulli i Sazanit është quajtur ishulli "Gur". Ky fakt ndërlidh ishullin e Shqipërisë me atë subjektin homerik të "Guras Petras", që kemi folur më sipër. Është e njejta llogjikë emërtimi ku për parësi ka emri i stërvjetër "Gur" . 

Siç u shpreha më sipër fjala shqipe "Gur" është emblema më e vjetër gjuhësore e gjuhës shqipe në të gjitha kohërat.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...