Avokati i Popullit, Sami Kurteshi përmes një kumtese për medie ka cilësuar ndërhyrjen e policisë gjatë protestës në Besianë dhe te Dheu i Bardhë si të panevojshme, të pajustifikueshme dhe jo-përpjesëtimore. Dhuna e pjesëtarëve të njësive speciale është përdorur edhe gjatë transportimit të të arrestuarve, madje edhe në stacionin policor në Besianë në prani të përfaqësuesve të Avokatit të Popullit, të cilët janë penguar në kryerjen e detyrave të tyre. Arrestimet arbitrare të protestuesve janë përcjellë me dhunë të pakontrolluar dhe me fyerje e poshtërime në baza personale e gjinore. Avokati i Popullit duke shprehur keqardhje për të lënduarit, ka kërkuar një hetim të hollësishëm gjyqësor për sjelljet e policisë, ndërsa ka kërkuar identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në dhunë gjatë protestës.
2012-01-17
Aleanca Kuqezi: Politika harroi Skënderbeun
Aleanca Kuqezi sot ka zhvilluar një tubim në Krujë në kuadër të shënimit të 544 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Me këtë rast, kuqezinjtë kanë shpalosur programin e tyre të quajtur ‘Shqipëria bëhet’, për të cilin thanë se do të lidhet një kontratë kuqezi. Aktivitetet kryesore në përkujtim të Heroit Kombëtar do të mbahen në kalanë e Krujës, ndërkohë që përfaqësuesit e Aleancës kritikuan Qeverinë për mungesë aktivitetesh në shënim të 544 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Ata paralajmëruan se këtyre aktiviteteve pritet t’u bashkohet edhe pinjolli i familjes së Gjergj Kastriotit, Flavio Misasi.
Gazetari, i burgosuri politik dhe intelektuali i njohur i Kosovës Sedat Dida, ka vdekur në moshën 86-vjeçare
Gazetari, i burgosuri politik dhe intelektuali i njohur i Kosovës, Sedat Dida, ka vdekur në moshën 86-vjeçare. Ai u lind në Prizren, në vitin 1926. Në vitin 1948 emërohet drejtor i gazetës “Rilindja”, e cila botohej në Prishtinë. Për shkak të bindjeve të tij atdhetare dhe kritikave kundër pushtetit, më 1956 arrestohet dhe dënohet pesë vjet burg. Gjatë kohës së vuajtjes së dënimit me burg, gazetari Sedat Dida qëndroi i pathyeshëm. Pas daljes nga burgu ushtroi sërish detyrën e gazetarit por nuk u kthye dhe nuk u pajtua asnjëherë me regjimin. Punoi dhe jetoi i tërhequr por me një besim të fortë për të ardhem dhe çlirimin e vendit.
Në moshën 85 vjeçare, ka vdekur në Prishtinë profesor, doktor, Gani Luboteni
Në moshën 85 vjeçare, ka vdekur në Prishtinë profesor, doktor, Gani Luboteni. Ai u lind në Prizren, në vitin 1927. Studimet e Albanologjisë i kreu në Beograd. Një kohë ka punuar në Prizren dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe pasurimin e arsimimit kombëtar e sidomos në përgatitjen profesionale të mësuesve të parë shqiptarë të Kosovës. Në vitin 1960, sapo u hapën fakultetet e para në Prishtinë, Gani Luboteni u zgjodh profesor i teorisë së letërsisë në Degën e Gjuhës e të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik. Profesor Gani Luboteni ishte në mesin e pedagogëve më të shquar të Universitetit të Prishtinës. Është autor i disa teksteve shkollore nga fusha e letërsisë shqiptare, si dhe ka nxjerrë në dritë punime të shumta shkencore. Ka qenë edhe mbledhës i shquar i folklorit shqiptar. Është autori i parë i tekstit “Teoria e Letërsisë”, një tekst mjaft i avancuar shkencor për kohën, nga i cili mësuan, nxënësit studentët, por edhe studiuesit e letërsisë. Varrimi i trupit të profesor, doktor, Gani Lubotenit u bë sot, në orën 14:00, në varrezat e qytetit të Prishtinës.
RKL: Pika jo e vetme ku bashkohen: Berat Buzhala e Ilir Mirena, me Goran Bogdanoviqin
Fushata e disa kalemxhinjve të njohur të Kosovës, kundër Vetëvendosjes e në veçanti kundër Albin Kurtit, po bëhet në vazhdën e fushatave të dikurshme dhe të tanishme kundër UÇK-së, kundër dr. Rexhep Qoses, kundër Adem Demaçit, të burgosurve politikë dhe kundër liridashësve të vendit.
Përpjekjet për ta linçuar Albin Kurtin dhe për të diskredituar çdo veprim, që nuk është në akord me përmbajtjen e bisedimeve me Serbinë, përpjekjet për t’i paraqitur si fashiste aksionet e vetëvendosjes, vetëm sepse ajo kërkon zbatimin e masave të reciprocitetit dhe pengimin e futjes së mallrave të Serbisë në Kosovë, i bëjnë vetëm njerëzit me sindromën e çmendurisë, ose ata të cilët për shkaqe që vetëkuptohen duhet të shkruajnë e të shkarravisin ashtu sikur iu thotë padroni, pavarësisht bindjeve të tyre.
Etiketimi, që disa zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës si: Berat Buzhala, Ilir Mirena e të tjerë i bëjnë Albin Kurtit, duke e krahasuar me Enver Hoxhën, Kim Il Xhongun, Mao Ce Dunin, me serbin Veselinoviq, madje edhe me Adolf Hitlerin, nuk janë vetëm krahasime groteske e qesharake, por mbi të gjitha janë krahasime ogurzeza, që bëhen me qëllim të nxitjes së revoltave dhe humbjes së durimit qytetar. Prapa këtyre krahasimeve fshihet frika deri në palcë e këtyre njerëzve për humbjen e mundshme (madje edhe të sigurt) të pushtetit dhe të favoreve, që gëzojnë, sepse aktualisht “Vetëvendosja” është e vetmja forcë opozitare në Kosovë, e cila mund ta rrezikojë koalicionin qeveritar dhe mund të fitojë edhe më shumë simpatizantë, nëse i kthehet strategjisë burimore të rezistencës, duke pezulluar aktivitetin në Kuvend. Qëndrimi i mëtejmë në Kuvend e dobëson pozitën e Vetëvendosjes, sepse ajo nuk ka arritur ta unifikojë opozitën, e cila në raport me Serbinë, dialogun, e veprime të tjera është në të njëjtën qëndrim me pozitën.
Fushata e cinikëve mafiozë kundër Albin Kurtit, nuk është thjesht një fushatë vetëm për ta përbaltur atë dhe bashkëveprimtarët e tij, por në esencë është një fushatë kundër të gjithë shqiptarëve, që nuk pajtohen me njëmendësinë politike autoritare, që nuk pajtohen me lëshimet antikombëtare, që po bën delegacioni i Kosovës në bisedime me Serbinë, që nuk pajtohen me gjendjen gjithnjë e më të rënduar të shumicës dërrmuese të popullatës. Aq më keq, kur kësaj fushate i prijnë deputetë e zëvendës-ministra, të cilët gjithsesi se shprehin edhe qëndrimet e tyre partiake, qëndrime këto që dëmtojnë, baltosin dhe diskreditojnë vetë PDK-në, sepse elektorati i kësaj partie nuk pajtohet me krahasimin, që i bëhet Albin Kurtit me Hitlerin, as me Veselinoviqin, as me diktatorët e kohëve të shkuara. Elektorati i PDK-së e di mjaft mirë se Vetëvendosja nuk ka pasur as ka pushtet faktik në institucione, por ka tubuar rreth vetes kundërshtarët e Qeverisë, opozitën e njëmendtë.
Përpjekja e këtyre mjeranëve për ta paraqitur Vetëvendosjen si një monstrum, është përpjekje në stilin e putanës, që thotë “mbama djalin, t i them sa nuk më ka thënë”. Gëzon fakti se këta zëra monstruozë nuk mund të identifikohen me PDK-në, e cila e ka shumicën e elektoratit në Kosovë dhe e cila ka edhe përgjegjësinë më të madhe për të vepruar në këtë drejtim.
Është e rrugës dhe është akt qytetërues i kreut të PDK-së që të distancohet nga etiketime të tilla, të cilat i fryjnë zjarrit të urrejtjes.
Është edhe e vërteta tjetër, se në mesin e Vetëvendosjes ka edhe aktivistë, që veprojnë në mënyrë të papërgjegjshme dhe me një gjuhë të keqe, por nuk ka ndodhur të kemi dëgjuar se kryetari i PDK-së Hashim Thaçi është krahasuar me Adolf Hitlerin. Mirëpo, ka të atillë që i bëjnë argat të panevojshëm instruktimeve të Dik Martit dhe të tillë që për inate personale do të donin që kreu i luftës në Kosovë të shpallet i inkriminuar, vetëm sepse kështu do Serbia e në një masë edhe Brukseli. Edhe Vetëvendosja, pavarësisht të gjitha sulmeve, me të cilat është ballafaquar, duhet të distancohet nga disa veprime jo serioze dhe të ulëta, të cilat fyejnë ndjenjat njerëzore.
Ja çfarë shkruan, zëvendës-ministri Ilir Mirena në shkrimin e tij botuar në Ekspress lidhur me Vetëvendosjen. ”Veprimet e tilla të papërgjegjshme të një partie politike, fatkeqësisht me sjellje fashiste, ndodhin bash në kohën kur Kosova pritet të nisë dialogun për heqjen e vizave me BE’në. Dalldia për pushtet e drejtuesve të Vetëvendosjes i vë pikëpyetje aspiratës së gjithë qytetarëve tanë të cilët duan të dalin e të kthehen në këtë vend pa ndjenjën përulëse që të krijon procesi i marrjes së një vize. Uzurpatorët e një patriotizmi primitiv, duke u tallur me ne, kanë vendosur t’u vënë flakën ëndrrave tona - që kurrë nuk i kemi pasur aq afër sa tani. Thjesht, sepse nuk është mënyra e vetme se si duhet vendi, ajo që na ofron Vetëvendosje. A nuk e ka dashur vendin e vet edhe diaboliku Adolf Hitler? Një dashuri mbi miliona kufoma, që u vranë vetëm se nuk menduan dhe nuk ishin si ai”.
Këto krahasime dhe këto aludime i bën vetëm një njeri i sëmurë mendërisht. Ai, nuk paraqet as edhe një fakt, për të argumentuar bindjet e tij. Dhe pikërisht kur të tillëve iu mungojnë faktet, ata tërë mllefin e derdhin duke u mbështetur në etiketime, gënjeshtra e mashtrime, të cilat, njerëzit e painformuar i marrin për të vërteta.
Ndërkohë, po në këtë linjë urrejtje, por me një fjalor të përmbajtur ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, ka thënë se aksioni i Lëvizjes Vetëvendosje, në Merdare është “ushtrim i dhunës që mund të përsëritet” në veri të Kosovës. Ai për mediet serbe, ka thënë se “nuk është e rastit që një gjë e tillë të ndodhë pikërisht tani, kur bisedimet në Bruksel kanë dhënë rezultate”. “Tani, kur bisedimet kanë dhënë rezultate dhe kur marrëveshjet po zbatohen plotësisht, është e qartë se dikush ka nevojë për provokime dhe t’i kthejë gjërat prapa. Është e qartë se dikujt nuk i konvenon stabiliteti”, është shprehur Bogdanoviq, i cili duke u shprehur në mënyrë cinike thotë se nuk e kupton “çfarë reciprociteti kërkon “Vetëvendosja” në eksport dhe import, kur Kosova nuk prodhon gati asgjë”. Ai nuk e etiketon “Vetëvendosjen” si parti fashiste, apo anarkiste, por krejt natyrshëm frikësohet se kjo parti apo Lëvizje, nëse përkrahet nga shumica shqiptare, mund t’ ia prish planet Serbisë, për t’u kthyer në Kosovë, plane këto që po vihen në jetë hap pas hapi, përmes dialogut, gjithnjë në favor të Serbisë, sepse janë shqiptarët ata, që kur duan të hyjnë në Serbi detyrohen të heqin dorë nga identiteti shtetëror dhe jo serbët të cilët e mbajnë me vete identitetin e shtetit të tyre, kudo në Kosovë.
Gjuha e pa frenuar e urrejtjes, nuk i sjellë dobi Kosovës, aq më tepër kur kjo gjuhë po dobësohet në drejtim të kriminelëve serbë, në drejtim të atyre që na vranë e masakruan dhe po bëjnë përpjekje të pareshtura për tu kthyer në vendin e krimit, dhe po sforcohet brendapërbrenda shqiptarëve.
Aktivitete nga Manifestimi tradicional
Me rastin e 30-vjetorit të themelimit të Lëvizjes Popullore të Kosovës, ftohen të gjithë ish-anëtarët dhe ish-veprimtarët të marrin pjesë në shënimin e 30-vjetorit të kësaj Lëvizjeje, mbahet sot në orën 18.00 në Hotel-Emerald, te HIB-Petrol, në të dalë të Prishtinës (magjistralja Prishtinë-Shkup).
Në kuadër të aktiviteteve të manifestimit “Flaka e Janarit” sot në ambientet e Teatrit të qytetit në Gjilan, duke filluar në orën 17. 00 mbahet Akademia “Tri dekada lirie”. Ndërkohë, në orën 18.30 në Galerinë e qytetit hapet Ekspozite Kolektive e arteve figurative dhe shpallen fituesit e konkursit në skulpturë, pikturë dhe fotografi. Manifestimi “Flaka e Janarit” vazhdon deri më 26 janar 2012.
Ministria e Kultures,Rinise dhe Sportit. Drejtoira e Kultures ,Rinise dhe Sportit
F L A K A E J A N A R I T 2 0 12
PROGRAMI I MANIFESTIMIT
11 JANAR 2012
-HAPJA SIMBOLIKE e FLAKES
-Homazhe tek Varrezat e Deshmoreve, dhe tek lapidaret ne qytet.
Kodra e Deshmoreve14:00h
-Pritje nga Kryetari I Komunes per familjet e Deshmoreve.
Salla e Kuvendit 15:00h
-Ndezja e Flakadanit te “FLAKES se JANARIT “2012 .
Teatri i Qytetit 17:00h
-Promovimi i librit te Basri Musmuratit ‘QENDRESTARET’ kushtuar jetes dhe vepres se deshmoreve te kombit REXHEP MALA dhe NUHI BERISHA .
Salla e Kuvendit 17:30h
-Xixat e Flakes
Festivali I muzikes per femije.
Teatri i Qytetit 19:00h
17 JANAR 2012
-AKADEMIA e FLAKES
”TRI DEKADA LIRIE”
Teatri i Qytetit 17.00h.
-PENELI i FLAKES
-Ekspozite Kolektive e arteve pamore.
-Shpallja e fitueseve te konkursit ne Skultpure, Pikture dhe Fotografi.
Galeria e Qytetit 18:30h
19-23 JANAR 2012
- TALIA E FLAKËS
- Festivali i Dramës Shqipe me pjesemarrjen e Trupave Teatrore nga Gjilani, Prishtina, Durresi, Shkupi dhe Peja.
per pese dite me radhe do të shfaqen 5 drama konkuruese .
.
Teatri i Qytetit 19.00h.
24 JANAR 2012
-Promovimi i librit te Azgan Haklajt .
Salla e Kuvendit 10:00h
-Promovim i librit te Selatin Novoselles.
Salla e Kuvendit 14:00h
25 JANAR 2012
-PENA e FLAKES
-Portreti krijues i JUSUF GERVALLES.
Salla e Kuvendit 14:00h
-Ora e madhe letrare
-Shpallja e rezultateve te Konkursit letrar ne poezi dhe tregim te shkurter.
Salla e Kuvendit 17:00h
26 JANAR 2012
- FEST FLAKA .
- Festivali i muzikës popullore.
Salla e Teatrit 18.00h.
Saime Isufi: Duke kujtuar atë natë të trishtuar janari
17 janar 1982. Ora po afron 22. 00.
Kadriu akoma nuk është kthyer; nuk po kthehet.
Pse po vonohet?!...
Plaku fillon të shqetësohet.
Fillon të shëtisë nëpër dhomë me duar në xhepa dhe nga shqetësimi i dalin fjalët:
« Sot kështu e nesër nuk e dimë se si… »
Dhe nuk i tha vetëm njëherë këto fjalë, por disa herë.
Ai po parandiente kobin që në këto çaste po ndodhte larg nesh; në Gjermani, në Untergrupenbach. (Që u shoftë nga harta ky emër, që më shkaktoi dhimbjen më të madhe në jetë !) >>>
S’vonon pak dhe bie telefoni.
- « Bule, jam unë Ibrahimi (*), është kthyer Zeqa?»
- Jo, i them nuk është kthyer akoma.
Më thotë:
- «Do të kthehet, sepse sot ishim bashkë« dhe mbyll telefonin.
Qetësi…
Plaku vazhdon të ecë nëpër dhomë i shqetësuar, por nuk jepet;
nuk do të më shqetësojë.
Vazhdon të thotë:
- «Sot kështu e nesër nuk e dimë se si!» …
Prapë bie telefoni.
Prapë paraqitet Ibrahimi.
Pyet prapë nëse është kthyer Kadriu.
Unë i them prapë se nuk është kthyer.
Ai e dinte se çfarë kishte ndodhur, por nuk donte të më shqetësonte atë natë të trishtueshme.
Unë nuk duroj pa e pyetur se çfarë ka?!
Por ai nuk ma thotë lajmin e zi.
Kërkon numrin e Hasan Malajt. (Ai nuk e dinte se Hasan Malaj ishte me mua). Këtu dyshova se diçka paska ndodhur, pasi po këmbëngulte të merrte numrin e Plakut dhe sigurisht ta njoftonte për gjëmën që kishte ndodhur, për atentatin e kryer.
E shqetësuar, por edhe e vendosur kërkova të ma thoshte atë që kishte ndodhur, sepse për të mirë nuk bëhej telefonatë aq vonë.
I thashë tekstualisht :
- «Më thuaj çfarë ka ndodhur, sepse edhe po të ketë ndodhur gjë, nuk kemi çfarë të bëjmë ».
Me gjithë insistimin tim, ai nuk më tha gjë dhe unë nuk ia dhashë numrin e Hasanit. Atëherë i them Plakut të marrë në telefon tek vëllai i Ibrahimit në Gjermani, sepse telefonatat e Ibrahimit në këtë kohë janë të dyshimta dhe me gjasë ka ndodhur diçka.
Ngrihet Plaku, të marrë në telefon vëllanë e Ibrahimit, por hutohet; nuk i punon dora, nuk i punon mendja të formojë numrin. Pas disa përpjekjesh dhe derisa erdhi pak në vete, mori në telefon Mustafën.
Sabrija, gruaja e Mustafës paraqitet në telefon.
Plaku e pyet:
- «çfarë ka ndodhur?»
Në atë heshtje dhe me veshët në krah, dëgjoj Sabrijen tek thotë në telefonn;
- «Zeqa i vdekur, për ata dy nuk dimë… »
Unë nuk bërtita, nuk ulërita…
U rashë me duar gjunjëve që po më dridheshin dhe s’po i frenoja dot…
Plaku u përpoq të përmbahej para meje dhe duke menduar se nuk i dëgjova fjalët e Sabrijes, më tha :
- «Kadriu qenka sëmurë, duhet të shkojmë në Gjermani ».
Plak, - i thashë, unë i dëgjova fjalët që i tha Sabrija, por nuk kam çfarë të bëj. Ai duke u përpjekur ta zbuste situatën dhe shqetësimin tim, më thoshte se nuk tha ashtu siç thua ti; nuk e dëgjove mirë etj…
I kuptoja përpjekjet e tij për t’iu shmanguar të vërtetës…
Filluan telefonatat duke vazhduar tërë natën.
Secili jepte versionin e tij, si dhe çfarë kishte dëgjuar.
Gjëma kishte ndodhur, por se deri në ç’shkallë kishte arritur të zgjerohej krimi, nuk e dinim dhe nuk e ditëm derisa arritëm në shtëpinë e vëllezërve Gërvalla…
Pa zbardhur dita e 18 janarit 1982, u nisëm drejt Gjermanisë me Plakun, Nexhmedinin, Shefketin dhe Qamilin. Nga trishtimi e shqetësimi rruga na u zgjat shumë.
U zgjat edhe për faktin se humbëm disa herë drejtimin për në cak.
Plaku duke mbajtur gjoksin nga trishtimi dhe duke ndjerë dhimbjen e madhe për shokun e idealit e të luftës, thoshte rrugës :
- «Ah Çekan, Çekan, çfarë shokësh ke, nuk janë në gjendje as të të gjejnë ku je?»
Nexhmedini në anën tjetër qante me dënesë …
Ngaqë e «tepruan» u thashë :
- «Mjaft më, doni të më çmendni?!»
Rrugës e trishtuar edhe pse dëgjova qartë Sabrijen kur tha se Zeqa i vdekur, për ata dy nuk dimë, prapë se pra]pë kisha shpresa se mund të ishte gjallë; se kishte nevojë për ndihmën time dhe nuk i ndodhesha pranë…
Mendoja pse nuk e mori me vete revolen kur i thashë, ta kishte me vete për çdo rast, (revolen të cilën na kishin dhuruar veprimtarët e Gjenevës në dasmën tonë, të mbajtur para dy javësh, më 2 janar 1982), por edhe ai më kishte thënë se nuk mund ta merrte, sepse mund të kontrollohej në kufi dhe t’i shkonte rruga huç...
E ku nuk më shkonte mendja…
Udhëtimi zgjati njëqind vjet…
Arritëm në shtëpinë e Gërvallajve.
Ishin mbledhur njerëz.
Suzana që në derë ma dha lajmin e zi në mënyrë aq direkte, sa s’do ta harroj kurrë:
- «Hajde nuse, hajde, që të tre të vdekur!»
Ishte goditje e rëndë, sepse nuk ishte vetëm Kadriu ai që kishte ndërruar jetë dhe do t’i mungonte veprimtarisë sonë, por ishin edhe dy veprimtarë të denjë të Kosovës dhe kështu Lëvizja pësoi humbje të madhe.
Ishte për të luajtur mendsh në ato çaste.
Kështu e përjetuan veprimtarët e tre dëshmorëve humbjen e tyre. Kështu e përjetova edhe unë, ani pse Kadriun e kisha edhe bashkëveprimtar por edhe shok jete…
Hymë brenda.
Suzana filloi të fliste, të tregonte se si pikërisht atë mbrëmje Kadriu dhe dy vëllezërit ishin aq të lumtur e gazmor si asnjëherë tjetër.
Se si Kadriu doli të më merrte në telefon e të më thoshte se nuk mund të kthehej atë natë…
Ai e dinte se do të merakosesha, sepse armiku nuk do të flinte…
Prandaj doli të më njoftonte…
Sepse dinte të respektonte…
Doli të fliste, por nuk foli dot atë natë, sepse plumbat e kishin goditur rëndë, duke ia mbyllur gojën përjetë.
Subscribe to:
Posts (Atom)
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...