Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/03/06

Mozaiku politik i mërgatës shqiptare në fillimvitet tetëdhjetë


Xhafer SHATRI
17 janari i vitit 1982, dita kur u vranë Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka është një datë e trishtë në historinë e shqiptarëve. Edhe pse kanë kaluar 20 vjet, ajo ditë mbetet përgjithnjë e freskët me zinë e saj jo vetëm për familjet, por edhe për një numër njerëzish që kanë qenë të lidhur shpirtërisht e organizativisht me ta. Fjala është për pjesëtarët e brezit që i vuri kazmën Jugosllavisë së fuqishme, vetëm me një synim: të çlirohet Kosova dhe territoret e tjera shqiptare në këtë ish-shtet.
Nëse ju rastis të vizitoni ndonjërin prej këtij brezi do të shihni se nëpër banesa akoma i mbajnë portretet e martirëve që i vrau UDB-ja në Untergruppenbach. Ato portrete prej kohësh kanë statusin e ikonave. Për më tepër janë pjesë e rritjes, formimit dhe burrërimit të fëmijëve të tyre.
Ky brez ende pyet dhe pyet: pse edhe pas njëzet vjetesh, ky krim i shtetit serb, i kryer në mes të Evropës, ka mbetur i pandriçuar, ndërkohë që në inatet ndërshqiptare përplot emra janë lakuar si vrasës të mundshëm apo të sigurt?
1. Një Lëvizje e re përballë një shteti të vjetër
Në Kosovë, menjëherë pas demonstratave të vitit 1981, pati filluar në përmasa të pabesueshme, radiologjia e diferencimit politik që nënkuptonte terrorizimin psiqik, largimin nga shkolla e nga puna, arrestimin, torturën dhe burgimin e gjatë.
Shërbimet jugosllave përmes arrestimeve i kishin dhënë një grusht të rëndë Lëvizjes për pavarësi, mijëra njerëz ndodheshin nëpër burgje civile ose ushtarake; mbikëqyrej çdo gjo gjë e çdo kush. Elita politike duke qenë e papërgatitur për këto rrethana dhe e përçarë nuk mundi t'a përballojë presionin serb që mëtonte nënshtrimin definitiv të shqiptarëve. Në anën tjetër intelegjencia duke qenë krejt e papërgatitur dhe e pambrojtur u struk para rrezikut evident, kështu që politikën e shqiptarëve filluan ta bëjnë të rinjtë, që ende ishin me njërën këmbë në fëmijëri. Dhe kjo nuk ishte një politikë e madhe: aty këtu ndonjë trakt, ndonjë parullë, ndonjë revoltë e shkruar në letër, në mur ose në asfalt, po që përçonte një measazh të fuqishëm: kurrë nuk do të mund të na nënshtroni!
Në këto rrethana mërgata shqiptare përbënte një eshalon të veçantë të Lëvizjes për pavarësi. Përparësia e saj ishte se ajo ishte larg veprimit të drejtpërdrejtë të aparatit shtetëror, ishte prezente në vend, sepse një pjesë e madhe e mërgimtarëve qarkullonin rregullisht brenda e jashtë, kishte kontakte familjare e personale… Roli i saj ishte ndier në mënyrë të drejtpërdrejtë në prag, gjatë dhe pas demonstratave të vitit '81 përmes shtypit që përgatitej jashtë dhe shpërndahej brenda, përmes krijimit të rrjetit të organizimit etj.
I vetëdijshëm për rëndësinë e mërgatës shqiptare sektori i kryesisë së Jugosllavisë që koordinonte aktivitetin e gjithë sistemit të shërbimeve informative civile e ushtarake, e që atëherë udhëhiqej nga slloveni Stane Dollanc, u përcaktua për një grusht shkallmues që do t'i jipej mërgatës, në mënyrë që ajo të shfaktorizohej njëherë e mirë.
Në këtë vijë u organizua dhe u ekzekutua vrasja e Vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës. Atentati u krye në kohën kur krejt aparati shtetëror i Jugosllavisë ishte përqëndruar në Kosovë dhe në territoret e tjera shqiptare; atëherë kur Kosovës po i dërrmoheshin njëra pas tjetrës të gjitha të drejtat dhe institucionet vetanake që ishin fituar me shumë përpjekje e flijime.
Atentati pati pasoja të rënda sepse u krye kur shumë prijës të Lëvizjes për pavarësi, që vepronin ilegalisht ose gjysmilegalisht ishin arrestuar dhe kundër tyre ishin kryer ose përgatiteshin proceset politike. Veç të tjerash, kjo vrasje shkaktoi tronditje të mëdha edhe për faktin se u krye në një periudhë destabilizimi e krize të thellë politike në gjithë hapësirat shqiptare. Ngjarjet e Kosovës në Shqipëri patën efekt të drejtpërdrejtë, sepse çuan deri te konflikte të përgjakshme në vetë udhëheqjen e shtetit për politikën që ishte ndjekur apo që do të ndiqej aty e tutje. Këto trandje madje ndikuan në fundin tragjik të kryeministrit të atëhershëm Mehmet Shehu.
Duhet pasur gjithashtu parasysh se atentati në Gjermani ishte edhe përballje e organeve të shtetit jugosllav me organet e shtetit shqiptar, sepse në rrethanat që ishin krijuar në Kosovë për politikën e Shqipërisë viktimat e atentatit ishin gurë me peshë në luftën politike e diplomatike që do të bëhej aty e tutje.
2. Mozaiku politik i mërgatës shqiptare në fillimvitet tetëdhjetë
Në atë kohë në mërgim vepronin shumë organizata. Që në krye duhet nënvizuar se mërgata e vjetër ishte rraskapitur madje edhe dërrmuar në përballjet e shërbimeve jugosllave me ato shqiptare që ishin bërë brenda saj. Por objekt i kësaj trajtese do të jenë ato grupime që mund të kishin një ndikim në rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë. Atëherë në Evropën Perëndimore, konkretisht në Gjermani e Zvicër vepronin:
1. Besëlidhja Kombëtare Shqiptare, e drejtuar nga Emin Fazlia. Më 10 tetor 1981 UDB kishte vrarë në Bruksel, bashkëpunëtorin e tij të ngushtë Vehbi Ibrahimi, nënkryetar i Besëlidhjes, ndërsa në Fraknfurt kishte plagosur rëndë bashkëpunëtorin tjetër, Rasim Zenelin. Ky ishte një grupim politik me orientim të djathtë dhe bashkëpunonte me mërgatën kroate.
2. Grupi komunist "Zëri i Kosovës", një qerthull që drejtohej nga Riza Salihu.
3. Fronti i Kuq Popullor, udhëhiqej nga Ibrahim Kelmendi, dhe nxirrte gazetën "Bashkimi" (janë botuar 3 numra). Kjo gazetë shpërndahej edhe në Kosovë.
4. Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës që nxirrte gazetën "Liria" (janë botuar 6 numra). Këtë organizatë në mërgim e udhëheqte Kadri Zeka. OMLK prej vitesh kishte aktivistët e saj në Zvicër.
5. Lëvizja Nacional çlirimtare e Kosovës dhe e Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), të cilën në Evropën Perëndimore e ka udhëhequr Jusuf Gërvalla. Fillimisht Jusufi ka ndihmuar substancialisht nxjerrjen e gazetës "Bashkimi", pastaj ka nxjerrë gazetën "Lajmëtari i Lirisë" (gjithsej tre numra), së fundi filloi të nxirrte si organ të LNÇKVSHJ-së gazetën "Zëri i Kosovës".
Pas shpërthimit të demonstratave të vitit '81 u bënë përpjekje për bashkimin e disa prej këtyre organizatave, konkretisht mes atyre që kishin udhëheqje politike brenda, pra OMLK-së dhe LNÇKVSHJ-së.
Përpjekjet për bashkim janë bërë në Kosovë dhe në mërgim. Bisedimet për bashkimin e organizatave janë vonuar e vështirësuar për shkak të veprimit në ilegalitet dhe të rrethanave që u krijuan pas arrestimeve të mëdha gjatë gjithë vitit të demonstratave. Një takim i mbajtur në Stamboll, në tetor të vitit 1981, e në të cilin kishin marrë pjesë në një anë, Kadri Zeka si përfaqësues i OMLK-së, dhe në anën tjetër Sabri Novosella e Bardhosh Gërvalla, si përfaqësues të LNÇVSHJ-së kishte dështuar jo vetëm për shkak të dallimeve konceptuale. Bisedimet për bashkim të këtyre organizatave nuk mund të përjashtoheshin nga rrethanat shqiptare dhe rajonale, sepse organet e shtetit shqiptar pas disa dështimeve në përballjet me shërbimet jugosllave, përpiqeshin ta konsolidojnë apo thënë më mirë ta kontrollojnë Lëvizjen e Kosovës për pavarësi. Në treshin që u vra shteti shqiptar shihte shtyllat e rëndësishme të mbajtjes gjallë të qëndresës në Kosovë.
Megjithatë aktivistët e këtyre dy organizatave jashtë, konkretisht Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kanë bashkëpunuar ngushtë në nxjerrjen e gazetave, në organizimin e demonstratave dhe manifestimeve të ndryshme. Sipas burimeve të besueshme në prag të vrasjes janë bërë përpjekje fort serioze për bashkim dhe ai duhet të ketë qenë shumë afër.
3. Uniteti i veprimitJusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka janë takuar për herë të parë në mërgim, në fillim të vitit 1981. Prej atëherë dhe gjer në vrasjen e tyre ata kanë vepruar bashkë në shumë drejtime: në përgatitjen dhe publikimin e shtypit ilegal, konkretisht të gazetës "Liria", në organizimin e manifestimeve dhe demonstratave në mbështetje të kërkesave të Lëvizjes Studentore në Kosovë.
Demonstratën e parë e kanë organizuar në Bernë të Zvicrës më 1 prill 1981, një javë më vonë një demonstratë tjetër në Zürich, më 25 prill kanë organizuar një demonstratë në Stutgart. Me këtë rast janë hetuar agjentët jugosllavë duke fotografuar demonstruesit. Disa aktivistë të udhëhequr nga Bardhosh Gërvalla i kanë zënë ata në flagrancë dhe u kanë marrë aparatin. Në mesin e "fotografëve" kishte qenë dhe një shqiptar (BH), nëpunës i konsullatës jugosllave në Stutgart, përndryshe gjatë viteve shtatëdhjetë inspektor i UDB-së, i ngarkuar për mbikqyrjen e Qendrës së Studentëve.
Më 9 maj kanë organizuar një demonstratë në Dusseldorf.
Më 13 qershor 1981, u organizua një demonstratë në Bruksel.
Me këtë rast në formë të një peticioni konkretizohen kërkesat politike:
1. Kosovës t'i njihet statusi i Republikës në kuadër të federatës;
2. Popullit tonë t'i njihet e drejta për vetëvendosje;
3. Të lirohen pa kusht të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë dhe të kthehen në Kosovë të burgosurit e tjerë;
4. Të mos plaçkiten pasuritë e Kosovës nga republikat jugosllave, por ato t'i shfrytëzojë Kosova për zhvillimin dhe pasurimin e vet;
5. T'i njihet e drejta e festimit të festave kombëtare dhe e përdorimit të lirë të flamurit kombëtar, nga të gjithë shqiptarët në Jugosllavi;
6.Kushte më të mira pune e jetese për nxënësit e studentët kosovarë, trajtim të barabartë me studentët e universiteteve tjera të Jugosllavisë;
7. Sigurimin e punës për të papunët dhe inkuadrimin e mërgimtarëve në vendlindje;
8. Lirinë e fjalës dhe shtypit;
9. Të pezullohet vendimi për shtetrrethim dhe ora policore;
10. Të tërhiqen të gjitha forcat policore e ushtarake të sjellura nga jashtë;
11. Autorët e krimeve të shëmtuara të nxirren para gjyqit të popullit, për të marrë dënimin e merituar.
Krahas organizimit të demonstratave Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kanë vepruar edhe në shtrirjen e rrjetit të organizimit brenda dhe jashtë. Një rëndësi të veçantë i kanë kushtuar shkatërrimit të klubeve që kontrolloheshin nga përfaqësitë jugosllave. Falë këtij aktiviteti prej vitit 1981 e tutje klubet jugosllave nuk janë frekuentuar më nga mërgimtarët shqiptarë. Veç klubeve janë prishur dhe diskredituar një vistër manifestimesh që regjimi i organizonte jashtë me qëllim të joshjes dhe manipulimit të mërgimtarëve shqiptarë.
4. Pse u krye atentati?Veprimtaria e gjithanshme e Vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës pengonte në mënyrë të drejtpërdrejtë shërbimet jugosllave jashtë dhe brenda. Ata ishin një trio e kompletuar, që një lëvizjeje atdhetare i duhet shumë kohë për ta krijuar: Jusufi ishte një penë e fortë e me emër në Kosovë, Kadriu ishte jo vetëm gazetar i mirë, por sidomos organizator efikas me përvojë shumëvjeçare në organizimin ilegal, Bardhoshi fliste shumë mirë gjermanishten e anglishten dhe ishte komunikator i talentuar. Që të tre ishin të rinj dhe të mbrujtur me një idealizëm e gatishmëri për çdo flijim.
Mirëpo, përballë tyre ata kishin një shtet të fortë e me shumë mundësi. Jugosllavia prej themelimit të saj, pra që më 1918 e tutje, ka zhvilluar një luftë të pamëshirshme kundër oponentëve të këtij shteti, konkretisht kundër përfaqësuesve të popujve që nuk kishin pranuar të futen nën tutelën serbe. Prijësit më me peshë të kroatëve, maqedonëve dhe shqiptarëve, që i janë kundërvënë politikës serbe, janë ndjekur në vazhdimësi dhe janë luftuar me të gjitha mjetet nga eskadronet speciale serbe.
Prej atëherë e gjer më sot sektorët më të përgatitura të shërbimeve informative serbe kanë qenë ato që kanë luftuar kundër mërgatës kroate, shqiptare etj. Format e luftës kanë qenë të nduarduarshme: përcjellje e përgjime hap pas hapi, intriga e përçarje, kërcënime dhe eleminime fizike.
Kjo praktikë ka vazhduar edhe më me këmbëngulje pas Luftës së Dytë Botërore. Disa dhjetëra prijës kroatë janë vrarë në atentate spektakulare nga më të ndryshmet dhe nga më të çuditshmet.
Struktura të tëra të shërbimeve informative që janë kontrolluar nga serbët kanë funksionuar jashtë. Këto struktura kanë pasur fonde marramendëse, përmes të cilave kanë depërtuar jo vetëm nëpër "organizatat armiqësore", por edhe në struktura shtetërore të vendeve të ndryshme dhe në organizata e institucione ndërkombëtare me peshë.
Shërbimet serbe me dekada kanë vepruar të papenguara nëpër shumë vende perëndimore, ku përmes parave, femrave, shantazhit etj. kanë qenë fort të pranishme edhe në qendra themelore të vendimmarrjes. Frytet e këtij aktiviteti Beogradi do t'i korrë sidomos gjatë viteve nëntëdhjetë, kur pa ndonjë pengesë serioze do ta përgjakë keq Kroacinë, do ta masakrojë Bosnje e Hercegovinën dhe përmes një apartheidi të hapur e brutal do ta mbajë Kosovën në zgripc të ekzistencës.
Ndikimi i nëndheshëm i Serbisë u rrënua vetëm kur Beogradi, faqe tërë botës, u përpoq ta asgjësojë krejt popullin e Kosovës.
Në këtë kuptim përballja e mërgatës së re politike të Kosovës (që ishte pa asnjë mbështetje politike, që nuk kishte arritur të ketë as ndikimin më të vogël në mediat e fuqishme perëndimore, që kishte një gjendje financiare katastrofike) me strukturat e shërbimeve jugosllave ishte tmerrësisht e pabarabartë. Lëvizja shqiptare kishte vetëm një epërsi: idealizmin e pakufishëm, i cili mund të mbijetojë vetëm në aspiratën e përjetshme për të qenë dhe për të jetuar të lirë.
Me një fjalë, shërbimet serbe kanë përcjellë gjithë aktivitetin e mërgatës shqiptare nga brenda dhe nga jashtë, sepse ky ka qenë një organizim që posa kishte filluar të vërë rrënjë dhe infiltrimi i provokatorëve nuk ka qenë i pamundshëm. Kështu që përcjellja e Vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës nuk ka qenë ndonjë problem i madh për UDB-në. Lëvizjet dhe aktivitetet e tyre kanë qenë publike :
28 Nëntorin, ditën e Flamurit e kanë festuar në rrethinën e Ludwigsbourg-ut. Aty Jusufi e Kadriu kanë pasur një debat të drejtpërdrtejtë (pyetje-përgjigje) me bashkatdhetarët.
Më 2 janar është martuar Kadri Zeka me Saime Isufin. Në dasmë kanë marrë pjesë rreth 50 aktivistë nga Zvicra dhe Gjermania. Ne dasmë kanë qenë edhe vëllezërit Gërvalla.
Më 13 janar 1982 Kadri Zeka ka udhëtuar me tren për Gjermani. Konkretisht në Dusseldorf, ku ka ndejtur gjer më 16 janar. Po atë ditë ka udhëtuar për në rrethinën e Stutgartit, konkretisht në Bernhausen, ku Vëllezërit Gërvalla kishin organizuar shfaqje të filmave shqiptarë me një rreth bashkatdhetarësh.
Aty kanë ndejtur deri pas mesnatës. Në banesën e Vëllezërve Gërvalla, në rrugën Habichthöhe, nr. 40, në Untergruppenbach, qytezë afër Heilbronn-it kanë arritur kah ora 3 e mëngjesit. Atë natë nuk kanë fjetur fare. Gjatë ditës kanë planifikuar aktivitetet e mëtejme. Në mbrëmje kanë dalë nga ora 22:00 me veturën e Bardhit, një BMW 316 ngjyrë e gjelbër me targë HN-CY 353.
5. Neve na vrau UDB-ja jugosllave!Lagjja ku kanë banuar Vëllezërit Gërvalla ka qenë një lagje e qetë e banuar kryesisht me mësues, mjekë, inxhinierë. Në njërën hyrje të rrugës, në anën e majtë ka pasur shumë garazha, gjithashtu edhe përballë banesës dykatëshe të familjes Gërvalla ka pasur të tilla.
Ndërkaq në fillim të kthesës atëherë ka qenë në ndërtim e sipër një shtëpi trekatëshe. Siç është konstatuar më vonë, agjentët e shërbimeve sekrete jugosllave prej asaj ndërtese kanë përcjellë jo me ndonjë drojë të veçantë banesën e familjes Gërvalla, hyrjet, daljet etj…
Atë kohë ka pasur jo pak indikacione se po përgatitet eliminimi i Vëllezërve Gërvalla dhe i Kadri Zekës.
Nata e 17 janarit 1982 ka qenë shumë ftohtë e me shumë borë.
Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kanë dalur në atë kohë, siç i kanë thënë shoqes së Jusufit, Syzana Gërvallës për ta bërë një telefonatë nga një kabinë e një fshati fqinj. Ndoshta për të evituar përgjimin.
Nga shtëpia kanë dalë rreth orës 22:00. Kanë hyrë në garazhë, kanë hipur në veturë, të cilën e ka ngarë Bardhoshi. Për të dalë nga garazha në rrugë, vetura për shkak të borës është dashur të ngitet së prapthi deri në krye të hyrjes së rrugës, pra rreth 30 metra. Në krye të kthesës vetura është lakuar majtas për të pasur hapësirë për kthim dhe dalje në rrugë. Ky manovrim është bërë mu përballë shtëpisë në ndërtim, ku kanë qenë të fshehur vrasësit.
Këta të fundit kanë parë daljen e veprimtarëve shqiptarë nga banesa pastaj hyrjen në garazh dhe janë bërë gati për të ekzekutuar atentatin. Kur vetura ka ardhur së prapthi përballë shtëpisë në ndërtim, vrasësit kanë qenë prapa saj. Sipas dëshmitarëve kanë qenë dy vrasës, njëri ka eliminuar Bardhosh Gërvallën duke e qëlluar 6 herë, ndërkaq tjetri ka vrarë Kadri Zekën që ishte në ulësen e përparme, në anën e djathtë. Pastaj e kanë plagosur për vdekje Jusuf Gërvallën që ishte ulur në ulësen e prapme. Dhe janë larguar pasi kishin zbrazur 12 plumba. Ndërkaq vetura ka vazhduar të ecë përpara gjersa është ndalur në derën e një garazhi përballë.
Ndërkohë një fqinj, gjerman, ka informuar familjen Gërvalla për gjëmën. Syzana Gërvalla e ka gjetur të shoqin gjallë, duke mbajtur plagët me dorë. Ai e ka pyetur për Bardhin e Kadriun se a janë gjallë dhe i tregon se ka parë një njeri të gjatë që ka shtënë mbi ta, por nuk e ka njohur. Pastaj i ka lënë porositë e fundit gruas së tij.
Pas gjysmë ore vjen ndihma e shpejt nga Heilbronn-i.
Pas intervenimit kirurgjikal, në ora 3 të mëngjesit të datës 18 janar 1982 edhe Jusuf Gërvalla jep shpirt. Por para se të vdes Ai arriti t'i thotë policisë gjermane: Neve na vrau UDB jugosllave!
Kjo fjalë e atdhetarit dhe poetit Juusuf Gërvalla, e shqiptuar me frymën e fundit do të sfidojë gjithë makinerinë jugosllave të dezinformimit.
6. Praktikat e ekzekutimitVendimi për ekzekutimin e kundërshtarëve politikë, normalisht është marrë në nivelin më të lartë të vendit. Fillimisht shërbimet informative kanë mbledhur të gjitha të dhënat e mundshme për viktimën e ardhshme: adresën (vendi ku banon, kati, fqinjtë, zakonisht është përgjuar telefoni në atë mënyrë që në bodrum ose në gypat ku janë vënë telat e telefonit kanë instaluar mikrofonët), sjelljen (ku dhe me kë rri, ku punon, me çka udhëton, me kë praktikon hyrjedalje, etj., etj.). Të gjitha këto të dhëna janë konkretizuar edhe me vizatime ekspertësh e fotografi.
Pasi është analizuar dosja është caktuar ekipi i atentatorëve dhe i mbështetësve përanash, shlyerësit e gjurmëve të mundshme. Krahas kësaj janë përgatitur edhe dezinformatat, të cilat i ka përhapur rrjeti agjenturor para dhe pas atentatit. Në këtë veprimtari përfshihen edhe letrat e telefonatat anonime drejtuar organeve gjyqësore, mediave dhe personaliteteve të ndryshme. Synimi është që jo vetëm të fshehen gjurmët, por edhe të futet konfuzion sa më i madh dhe krimi politik të paraqitet si qërim hesapesh në mes rivalëve politikë apo si qërim hesapesh në mes përfaqësuesve të nëntokës etj. etj.
Kështu ndodhi edhe me rastin e atentatit kundër Vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës. U ngrit një pluhur i tillë dezinformatash sa që nuk errësoi vetëm mërgatën por edhe krejt Kosovën. Ky pluhur vazhdon të ndotë ambientin politik shqiptar edhe sot pas njëzet vitesh nga atentati. Lakohen emra njerëzish, kryesisht shqiptarë. Në këtë ka ndikuar edhe bashkëfajësia e organeve gjermane për këtë rast, sepse ato menjëherë pas atentatit madje edhe përmes shtypit nxorën dhe arrestuan si të dyshmitë kryesor për atentatin një refugjatë shqiptar nga Kosova, konkretisht Riza Salihun, duke publikuar në media edhe fotografinë e tij, gjë që dëshmon se sektori i UDB-së për dezinformim, kishte kryer punën në mënyrë të përkryer.
Riza Salihu, një refugjat entuziast nga Mushtishti i Therandës, krahas aktivitetit atdhetar ka qenë i angazhuar, si jo pak të rinj të Kosovës, edhe nga ana e Ambasadës shqiptare në Vjenë, ku ishte qendra e sigurimit të shtetit për Evropën Perëndimore, për të propaganduar politikën e shtetit shqiptar dhe për të informuar për çdo gjë që sheh e që dëgjon, jo vetëm në mjediset e mërgatës shqiptare në Gjermani.
Në këtë veprimtari Rizah Salihu si duket ka qenë edhe më tepër si i përpiktë e i përkushtuar. Shkas për arrestimin e tij ka qenë fakti se ai gjoja i ka hapur kutinë postare (Postfachun) Jusuf Gërvallës, për ta kontrolluar dhe për të informuar Qendrën e Sigurimit shqiptar në Vjenë. Jusufi gjoja e ka kuptuar këtë dhe i ka informuar shokët e tij? Apo se policia gjermane e ka ndalur me një rast dhe i ka gjetur një revole… Se Riza Salihu mund të ketë pasur konflikte me grupet e tjera politike në mërgim kjo nuk është për t'u çuditur, sepse nxitja e grindjeve dhe përçarjeve në mërgatë ka qenë një metodë klasike e sigurimit shqiptar për ta kontrolluar edhe mërgatën e Kosovës, e cila ditë e më tepër fitonte në peshë me rolin dhe mundësitë e saj. Rizah Salihun organet hetuese gjermane e mbajtën në burg rreth 5 muaj. Por Riza Salihu nuk ka qenë i implikuar në vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, ai më tepër ka rënë viktimë e veprimeve speciale të UDB-së gjatë fshehjes së gjurmëve të krimit në Untergruppenbach.
Fillimisht policia e Baden Würtembergut formoi një komision special ku duhet të kenë qenë të angazhuar rreth 40 persona. Që në ditët e para policia publikoi përshkrimin e mundshëm të vrasësve duke premtuar edhe një shpërblim prej 10 mijë DM për dëshmi të besueshme. Në kërkesën e policisë për bashkëpunim jipen edhe këto të dhëna:
Të dielen, më 17 janar 1982, rreth orës 22h15 i kanë vrarë vëllezërit Gërvalla dhe shokun e tyre Kadri Zekën. Gjatë daljes së tyre nga garazhi dy persona kanë shtënë me armë mbi ta. Ka të dhëna të besueshme se vrasësit janë sjellur nëpër Untergrupenbach të paktën prej datës 10 janar 1982. Ata duken si më posht:
I dyshimti i parë: Rreth 30 vjeç, i gjatë 180-183 cm. I fuqishëm. Ka në kokë një kapelë të kthyer në majë. Pallto të shkurt ngjyrë kafe me jake të mbylltë, pantollona të kuq e të ngushtë, çizme të gjata me një rreth leshi të bardhë lart. I dyshimti i dytë: ka rreth 25 vjet, është më i thatë dhe më i vogël se i pari. Ai ishte i veshur me tesha ngjyrë të mbylltë. Në kokë kishte një kapulaçë të leshtë me një topth në majë.
Krahas këtij informacioni, policia kishte publikuar gjithashtu edhe fotografinë e veturës me të cilin mund të jenë arratisur vrasësit. Fjala është për një Citroén CX2000 ngjyrë të çelur.
Për dëshmitarët e mundshëm ishte dhënë edhe telefoni i policisë: 07131 104 2205.
Pas nëntë muaj hetimesh, kur dosja 08/15 kishte rreth 30 vëllime dokumentacion, por asnjë të arrestuar me akuzë të argumentuar, autoritetet gjermane vetëm mund të pohojnë se "kjo është një vrasje politike e kryer nga vrasës profesionistë dhe se dyshohet se një apo më shumë shërbime të fshehta drejtpërdrejt apo tërthorazi kanë marrë pjesë në tërheqjen e këmbëzave të revoleve të kalibrit 7.65 mm" (Heilbronner stimme, datë 1 tetor 1982).
7. Kush i vrau Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën?Eshtë e njohur se UDB-ja si armë për atentate ka përdorur revolet "Bereta" të kalibrit 7.65mm.
Pas vdekjes së Titos kupola e shërbimeve informative, ka qenë e përqëndruar në duart e Stane Dollancit, anëtar i Kryesisë së RSFJ-së. Ministër i Punëve të Brendshme ka qenë gjenerali partizan Franjo Herleviq, me kombësi kroate.
Me ardhjen e Dollancit në Kryesi, shërbimet informative ndryshojnë dukshëm metodat e veprimit. Njëra prej ndryshimeve është ajo se UDB fillon të angazhojë nëntokën jugosllave, shtyllat e mafisë, për të eliminuar kundërshtarët politikë jashtë.
Sipas shumë burimeve del se atentatin në Untergruppenbach e ka kryer Zheljko Razhnjatoviq, i njohur me nofkën Arkan. Ky ishte bir i një oficeri të lartë të KOS-it (Shërbimi ushtarak i kundërzbulimit) me kombësi malazez. Ai që krejt i ri u mor aktivisht me delikuencë: rrahje, vjedhje, plaçkitje, përdhunime. Duke qenë në vuajtje të dënimit ai ikën nga burgu dhe del jashtë, ku kryen vepra spektakulare krimi. Arrestohet, por arrin të ikë nga burgjet më të njohura të Suedisë, Belgjikës dhe Zvicrës. Nga kriminel me renome ndërkombëtare Arkani, me insistimin personal të Stane Dollanc-it bëhet oficer me ndikim të fortë i shërbimeve serbe.
Ka indikacione se në këtë krim ka qenë i implikuar edhe krimineli tjetër, përndryshe bosi i mafisë së Frankfurtit, Ljubo Zemunac.
Këta të dy, një vit më vonë, e kanë ekzekutuar afër Munihut edhe personalitetin e njohur kroat Stjepan Gjurekoviq, duke e masakruar edhe me sopatë.
Gjatë viteve nëntëdhjetë Arkani do të jetë grushti i hekurt i regjimit serb kundër popullsisë civile në Kroaci, në Bosnje dhe në Kosovë. Ai ka udhëhequr njësitë e ushtrisë që kishin në përbërje kriminelët më të regjur e më katilë të nëntokës serbe.
Edhe sot, pas njëzet vitesh, policia gjermane zhvillon hetime lidhur me krimin në Untergruppenbach. Gjykata e këtij vendi të madh evropian akoma nuk ka nxjerrë në bangë të zezë organizatorët, vrasësit apo pjesëmarrësit e çfarëdo niveli në këtë atentat.
Por nuk duhet harruar se shërbimet informative gjermane, duke qenë ndër më seriozet e më profesionalet në botë dhe më depërtueset në Evropën Juglindore e dijnë saktësisht gjithë zinxhirin dhe gjithë personat e implikuar në këtë vrasje të shumëfishtë, e cila e qiti në të dy gjunjtë Lëvizjen e Kosovës për Pavarësi.
Eshtë udhëheqja politike gjermane ajo që bart përgjegjësinë pse nuk ka ngritur kurrë zërin për këtë krim të shëmtuar. Eshtë vetëm një përjashtim: menjëherë pas atentatit një deputet i partisë Socialdemokrate, aso kohe në opozitë, pati shtruar një pyetje në parlamentin federal se a qëndrojnë shërbimet serbe prapa këtij atentati. Asgjë më shumë. Për më keq as autoritetet lokale nuk denjuan familjen Gërvalla, që kishte kërkuar strehim politik në këtë vend, me një telegram ngushëllimi.
As mediat gjermane nuk i kushtuan rëndësinë që pritej atentatit në Untergruppenbah. Bën përjashtim vetëm revista prestigjioze Der spiegel, e cila menjëherë pas vrasjes botoi një artikull, në të cilin pa asnjë hezitim drejtoi gishtin drejt burimit të këtij krimi, duke e ngarkuar me përgjegjësi UDB-në jugosllave.
… Dhe dihet se në këtë organ diabolik kanë punuar dhe jo pak shqiptarë dhe ka në mesin e tyre që e dijnë saktësisht se si dhe kush i ka vrarë Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zekën, se si dhe kush e ka vrarë Rexhep Malën e Nuhi Berishën, se si është qitur në kurth Zija Shemsiu, se si dhe kush i ka eliminuar Afrim Zhitinë dhe Fahri Fazliun…, që e dijnë se cilët kanë qenë urithët e policisë politike nëpër organizatat ilegale të Kosovës jashtë dhe brenda… etj., etj. Por deri më sot asnjëri prej tyre nuk e ka çelur thesin. Dhe kjo flet shumë, flet për mungesë ndërgjegjeje, madje edhe për bindje se kanë vepruar drejt… Flet për shoqërinë kosovare, e cila ka mbamendje kaq të cekët, flet për elitën politike shqiptare dhe për moralin e saj të dyshimtë… Sepse ajo në bërrylimet për pushtet gati fiktiv harroi 20 vjetorin e vrasjes në Untergruppenbach dhe detyrimin e saj që në njërin prej shesheve kryesore të kryeqytetit t'u ngrisë një përmendore të përbashkët atyre që ishin ndërgjegja e kombit, atyre që u flijuan për këtë ditë të madhe… Dhe njëherit të rezervojë dy pëllëmbë toke te varrezat e dëshmorëve e t'i vendosë aty eshtrat e këtyre Burrave që nderuan Kombin.

Ibrahim Kelmendi :I NJOH TË DY VRASËSIT E JUSUF GËRVALLËS!


Ibrahim Kelmendi, njëri nga themeluesit e Lëvizjes Popullore të Republikës së Kosovës (LPRK), më vonë e njohur si LPK, dhe ish-udhëheqës i Fondit “Vendlindja thërret” në Gjermani, si mysafir në Zona B, të Klan Kosova, ka deklaruar se e njeh me emër e mbiemër vrasësin e Jusuf e Bardhodh Gërvallës dhe Kadri Zekës, më 17 janarit të vitit 1982 në Gjermani. Ai, sipas tij, është Riza Salihu nga fshati Mushitisht, i komunës së Suharekës.

Por pjesëmarrës në këtë atentat sipas, Kelmendit, ka qenë edhe një tjetër të cilit nuk i përmend emrin për arsye, si thotë ai, se kjo do të pengonte gjatë procesit të hetuesisë.
“Unë e di edhe pjesëmarrësin e dytë, rastin e kam paraqit edhe te organet e drejtësisë kosovare pas çlirimit, te ish ministri i drejtësisë të Kosovës, Jonuz Salihi dhe te prokurori Tahir Rreci dhe u kam thënë që të analizojnë mostrat e cigareve të pjesëmarrësit të dytë në vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, të cilat i ka hetuesia gjermane.
Kelmendi thotë se këtë dëshmi e ka dhënë edhe në prokurorinë gjermane. Madje sipas tij bashkë me Saliun ka qenë edhe një shqiptar tjetër, emrin e të cilit e ka deponuar në hetuesinë e shtetit në fjalë, por që nuk e thotë publikisht.


Kelmendi në librin “Lindja e përgjakur të autorit Bedri Islami, thotë: "Ndoshta është vendi të informoj se hetimet kundër Rizës gjermanët i riaktivizuan në vitin 1992, pasi shteti gjerman nuk kishte më interesa për të përkrahur Jugosllavinë, e cila kishte filluar të shpërbëhej. Unë mora pjesë në atë proces gjyqësor si dëshmitar kundër Riza Salihut. Gjykata e liroi Rizën nga akuza për vrasje në mungesë të provave, pasi vuajti ndoshta një vit e gjysmë burg”.
“Unë kam prova të mjaftueshëm për të besuar se ai ishte vetëm një argat i UDB-së. Gjithsesi, e kam akuzuar për ekzekutor, të komanduar nga UDB-ja dhe vazhdoj ta akuzoj, përderisa ai nuk e provon të kundërtën".
Si një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ibrahim Kelmendi, thotë se gjatë vitit 1993 kishin marrë qëndrim që të formonin një krahë të luftës, meqë sipas tij, lëvizja politike nuk sillte rezultatet e pritura. Kelmendi thotë se ky krahë ushtarak emrin, Ushtria Çlirimtare e Kosovës e morri në vitin 1994.
Sipas Kelmendit, pas formimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në vitet 90, LPK-së, për veç UDB-ës jugosllave, iu shtua edhe një armik, iu hapë edhe një front, sepse në LDK, sipas tij, kanë hy struktura të UDB-ës. “Sipas meja LDK u themelua me qëllim që ta fashitë rezistencën aktive të Lëvizjes sonë”, Kelmendi shton se këtë LDK e bëri me organizim të demonstratave të ndryshme paqësore, sikurse ishin edhe grevat e minatorëve.
Kelmendi tha se ishte edhe kundër kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, sepse sipas tij, ai gjatë një takimi me kancelarin gjerman, në vitin 1996, ka kërkuar zgjedhjen e çështjes së Kosovës brenda kufijve të Jugosllavisë, për çka së bashku me disa themelues të UCK-së, Kelmendi kishte hyrë në grevë urie, me që rast kanë kërkua dorëheqjen e Sali Berishës dhe kryetarit të LDK-së Ibrahim Rugovës, sepse sipas Kelmendit, Rugova, nënshtroi dhe skllavëroi shpirtërisht shqiptarët në Kosovë.
Ibrahim Kelmendi, ish-udhëheqës i Fondit “Vendlindja thërret” në Gjermani mohoi që ky fond të ketë keqpërdorur mjetet e mbledhura për të ndihmuar luftën në Kosovë. Ai thotë se këto mjete nuk kishin prejardhje të dyshimta dhe për këtë ka kërkuar edhe ndihmën e zyrtarëve Gjerman.

2012/03/04

Shkrim me shkas :Koha kur është hapur dera e fusnotave




Prof.dr.Ymer Halimi
PAVARËSIA KA KUPTIM KUR KA PËRMBAJTJE E JO VETËM FORMË

/ Koha kur është hapur dera e fusnotave/

Deputet te nderuar,
                Edhe në dy seanca  të tjera  kemi debatuar për çështje të ngjashme dhe  ka pasur shumë gjëra qe janë thënë mjaft mirë dhe do t’i shërbejnë edhe sot Ekipit të Unitetit; por unë fjalën do ta mbështes në mendimin e Shopenhauerit, se: “syri e sheh botën, por vetën e sheh vetëm kur është para pasqyrës”. Ne po e shohim Uashingtonin, New York-un, Londrën, Parisin, Berlinin, Moskën, Brukselin, por duhet t’a shohim edhe Prishtinën.  
E përfunduam luftën për çlirim së bashku me miqtë tanë të cilët na  thanë: “Tash Ju bëni paqen”, e pas një kohe shtuan: “popull i mrekullueshëm, me politikanë të këqinj”. Semantikën e këtyre porosive, miqësore, sa duket nuk i kuptuam.    
Ju lutem, Seancë e këtillë duhej të mbahej në kohën kur UNMIK-ut, i skadonte afati trevjeçar, e të sqaronim: pse UNMIK-u nuk shkon (para katër vite)?
Ku ishim ne atëherë?!
Fatkeqësisht, blihej kohë për të n’a  pajtuar mes veti, se kompasi i navigacionit politik, politikanëve tanë u kishte rënë nga dora, e skena vendore politike ishte iracionale. Atëherë duhej të veprohej, por politikanët ishin shkëputur nga trungu i vet e ishin vendosur në hapësira virtuale politike. Të gjithë jetonin në formalizëm për formalizëm.
Të ishte çështja e Kosovës, vetëm thjesht formale, siç thoshin (e thonë) këta politikanët, nuk do të ishin në qiell aeroplanët e NATO-s për bombardime, as vrapi Rus për të arritur të parët në Aeroport.
Politikanët nuk e kishin të qartë se një presje ne tekst (as nuk e kanë), e veprimet e vonuara për sekonda, si edhe deklarimet e pamatura e lëkundin procesin. Thjesht, nuk e njihnin dhe thellësinë e problemit.Politikisht nga brenda u dekompozuam dhe tash historia do na del e pamëshirë. Prandaj siç thotë Ajnshtajni “gjërat nuk janë te rastit”, edhe dekompozimi  ynë politik nuk është i rastit. 
Deputetë të nderuar,
Kuvendi ka obligim të përcjellë politikat e shtetit dhe Ekipit të Unitetit t’i kërkojë përgjegjësi për çdo veprim, se ky ekip doli kryesori i politikës për shtetin. Mbi institucional. E patë çfarë “ad hoc” diplomacie, të mjerë, organizoi në Nju Jork, ku reflektuan ngjyra fisnore.
Ekipi i Unitetit me deklarimet publike i ka kaluar edhe teoritë e Makjavellit. Dhe është jo transparent. 
Ju lutem, në bisedimet ne Vjenë,  Kosovës i  është hequr substancë  shtetësie, si të ishte në fajësi. Krijimi i shtetit ka vështirësi dhe kërkon kompromis, por kompromisi ishte i skajshëm. Ne e pranuam! Në diplomaci, fjala e fundit në rundin e parë nuk duhet të thuhej, por kjo ndodhi komfor cilësisë së Ekipit negociator të Kosovës (!) Atëherë  çka mund te presim nga ditët në vijim, kur do kërkohet kompromis i ri ndoshta edhe pas katër muajve. Duhet t’a them troç: do të jetë i dhimbshëm (kompromisi)**.
Ju lutem, pavarësia ka kuptim kur ka përmbajtje e jo vetëm formë.
Ekipi i Unitetit, prej ditës së parë është pa koncept politik. Kjo, për ata që njohin politikën nuk është fshehtësi, por është shumë shqetësuese.
Shikojeni /në dorë e kam dokumentin/ që më 1993 serbët e analizojnë idenë e strategjisë së kompromisit (coptimin e brendëshem të Kosovës), dhe këtë akademia e shkencave serbe . E ne ku e kemi strategjinë?!. Ku janë akademikët tanë!?. Ndërsa klasa politike e jona i eliminoi ekspertët dhe intelektualët vendorë me përvojë politike.
Atëherë, ku është serioziteti  ynë, në këtë çast historik?! Faktet janë shqetësuese!
Nga Grupi i Unitetit i patë pesë vetë (në Kuvend) të flasin me kakofoni mendimesh. Si nuk e gjetët të flasë vetëm njeri?! Thua se nuk e dini hierarkinë (e shtetit). Dolët si t’ishit para elektoratit e jo në Kuvend. Kjo reflekton tepër rënd,  për ata që e njohin politikën – reflekton thjesht: Jounitet. 
Ju lutem, koha optimale e pavarësisë ka ikur, por tash është më me rëndësi rezultati i procesit dhe mënyra e realizimit, se sa koha e realizimit.
Kjo më nuk është sekretë se, kjo klasë politike është përgjegjëse për këtë rrëshqitje.
Pavarësia ndërtohet e nuk ta dhuron askush. Prandaj duhet të veprohet. Veçmas Kuvendi (Kosovës) ka fusha për t’i mbushë me veprime konkrete.
Shtetet nuk janë bërë shtete me vullnetin e të gjitha shteteve, për këtë nuk duhet të kemi edhe aq brengë. Ne i dimë edhe vështirësitë e pranimeve të shteteve, por duhet të mbështetemi te miqtë tanë. Sa duket edhe këtu kemi ca vështirësi (i kemi qitë ne telashe?!).
Përgjegjësia për shtetin t’u kthehet institucioneve demokratike të shtetit e jo individëve të caktuar. 
Institucionet demokratike t’i kthehen ligjit. Kjo prek pavarësinë e jo Grupi i Unitetit me kësi uniteti që e patë sot edhe vetë (shqetesuese).
                Të shohim veten në pasqyrë. E vlen*!

 (Diskutimi im në Seancën e 30. 07. 2007, në Kuvendin e Kosovës)

 *     Pas këtij diskutimi, ne pauzë ne hollin e Kuvendit, mbeta i vetëm me një shishe të vogël ujë të pagazuar në dorë. Por një deputet, qe sot e shoh shumë te fuqishem ne politikë, prof. ne UP, m’u afrua dhe me tha: “Profesor, ju lutem ruani diskutimet e juaja”! Vetëm me kokë i pohova. Por mija here kam thënë me vetën time, por edhe e kam publikuar: kjo klasë politike është e papergjegjshme. Nuka ka çmim qe nuk e paguan, edhe me interesin e Kosoves, vetem me qendrue ne politik. Demokracinë e ka kthye ne idelogji dhe din t’a manipuloi këtë popull që është politikisht ende i pa ngritur.

A PËRSËRI DO PRESIM NË RADHËN VRASTARE !

 


Enkas për Agjencionin "Floripress" nga Prof.dr.sc.Ymer Halimi

/Ditari i një Epoke/
 Shpirëtrisht isha shumë i tazuar, dhe i propozova Nebi Zariqit e Shaqir Beranit, që të shkojmë në Qirez e të shohim çka kishte ngjarë. Me veturën Mitssubishi të Nebiut u nisëm, dhe rreth orës 13 ishim në Skenderaj. Atje takuam të gjitha partitë politike, rastësisht, që ishin në një mbledhje të përbashkët. Edhe në hymë brenda. Aty shprehej shqetësimin për atë që kishte ngjarë, por, edhe më shumë shqetësoheshin për proceset në vijim, duke u parë gatishmëria kolektive te njerëzve te kësaj ane, edhe vendosmërn e pushtetit serb që kërkonte të nxiste konflikt, duke llogaritë në forcën e pa krahasuar shtetërore që kishte, përball njerëzve që gjithë kohën bënë luftë për mbijetesë. Kësaj radhe ky shtet dëshiron që të qëroi hesapet përfundimisht me shqiptaret e pabindur. Jo vetëm kaq, me shqiptaret e Kosovës në përgjithësi.
Gjendja e ankthit kolektiv, vërehej në mbledhjen e partive, por edhe divergjenca në qasje. Disa individ të partive të vogla, kishin një qasje më pragmatike, se vet LDK-ja, që deri tash ishte bartëse e proceseve. Te gjithë llafosën. Isha i heshtur se nuk i takoja asnjë partie politike. Pasi përfundoj mbledhja, ne vendosem të shkojmë për në Qirez edhe pse na u sugjerua se atje mlicia, zonën e luftimit, po e mban të bllokuar dhe s’ka mundësi të merret asnjë informatë e vetme. Megjithatë nuk e ndërruam mendjen. Shkuam.
Më të mbërritur në Qirez,  na treguan se policia serbe vetëm sa kishte ikur,  ndërsa në Likoshan, të familja Ahmeti, ende ishte. Në të hyrë në lagje, shiheshin gjurmët e makinave të renda ushtarake që kishin lëvizur nëpër rrugët e kësaj lagjeje dhe si dhunshëm i kishin thyer dyert e hyrjes në oborre. Të dytën që takuam ishte varfëria të cilën e rrëfenin oborret dhe shtëpitë.
Shkuam atje ku na thanë se i kishin vrarë katër vëllezër, djem fare të ri. Bile dy ishin bineq dhe student në Universitetin e Prishtinës. Nga ana perëndimore  rruga na shtini në oborr, ku na priti një burrë i moshës mbi të pesëdhjetat.  Ishim të stepur dhe vështir ishte të gjenim fjalë për ngushëllim. Por ne, pa folë ende na tha: “Mirë se erdhët”! Tek ai nuk vërehej përmasë e tragjedisë që i kishte goditur. Ishte prindi  i katër djemve të vrarë! Te gjithë i vranë brenda oborrit të shtëpisë.
Dhe në vazhdim na e hapi derën e dhomës, që ishte me dalje drejt në oborr. I pamë të katër djemtë që i kishte lëshuar mbi shpuzë, të renditur me kokë nga muri. U kishte vënë kokën në jastëk. Të mbuluar me batanije. Filloi t’i rrëfej emrat dhe moshat. Te gjithë nën te tridhjetat. Bisedën e bën me shkëputje.  Ndoshta e kujtonte se kështu i kishte parë se e sa herë edhe të fjetur. Por kësaj radhe i kishte të shtrire për të fundmen herë në një gjumë të përjetshëm. Na tregoi  ku do të ishin muranat e tyre: Shi, ketë me te voglin e vranë në derën e shtëpisë, kur doli të shoh se çka po ndodhë në oborr, ndërsa këtë, ishte fjala për të dytin e vranë para së ëmës, e cila hyri para arme e ju lut që ta falin. Por kot! Lutja tek vrasësit nuk vlen. E vranë duke rënë para këmbeve të së ëmës. Ndërsa ky ishte, për tjetrin, i vrarë në mes të  oborrit derisa vinte nga ahuri. Bëri ca hapa dhe morri një enë prej bakri ku ishte e mbushur më një sasi gjaku. Ja shihe, e nxorën gjakun djalit për t’ia dhenë qenit. Këtë ngjarje e kishte pa e ëma. Po edhe qenin e vranë.
E ëma e djemve ndërhyri ne bisedë, më zë plotë dridhje: më nuk kam mund te qendroj në këmbë dhe jam ulur ne pragun e derës. Shpresova se do te shpetoj djali qe ishte brenda ne dhomën tjetër. Por dy milic hynë brenda, duke kaluar mbi maua dhe bënë vrasjen e djalit ulur në dhomë.
Sheremeti shtoj: të gjitha vrasjet u bënë brenda tre-katër minutash. Meshkujt tjerë nuk ishin në shtëpi, sigurisht të gjithëve do të na kishin vrarë, po të ishim këtu. Kufomat e djemve nuk na i lanë t’i prekim deri pak me parë.
E shikoja të ëmën e djemve që qëndronte përball nesh, e katër djemtë e shtrirë në dysheme që i shikonte me radhë, me një thellësi, dhe fort i shtrëngonte duart që i kishte lidhur në dy bërrylat, që i pushonte nën kraharorin e saj, thua se donte që kraharorin te mos e lej që të pëlcet nga pasha e dhembjes së zemrës të saj. Cili është çast i kujtimit të saj? Ndoshta i kujton me radhë buzëqeshjet e tyre në djep, apo femërinë dhe rriten e tyre plotë shëndet, përkundër skamjes me të cilën ballafaqohej edhe kjo familje drenicase, ashtu sikur edhe shumë familje tjera shqiptare, apo shtrëngimin trupave të tyre të njomë në çastin e goditjes nga plumbat e armeve serbe. Çfarë mund te ketë mendua në atë rast ajo nënë aq heroike. Mbi të gjitha një e kujton: duart  kriminele të cilat ia vranë djemtë, pa fije faj dhe në shtëpinë e tyre. Mallkimi dhe dëshira per hakmerrje vërehen në sytë e saj. Cila është fjala e ngushëllimit që mund t’i jepnim ne, përveç pikave të lotit që kishim në faqe. A mjaftonte kjo!?
Aty nuk gjetëm ulërimë, as gjemë, e as vaj, siç bëhet në këto raste mortore, sidomos kur ato janë të përmasave të tilla. Pamë vetëm qendrës shpirtrore kulmore. Shermet Sejdiu, një prind që nuk epej, u shpreh: “Burra ky është çmimi i lirisë! Ne do të fitojmë”!
A mos ishte kjo, ajo, shprehje e shpirtit të tij që ekuilibronte dhembjen për katër jetë të reja, të djemve të vetë. Shih, liria paska dimension më të madh se sa vdekja e fëmijëve!.Sigurisht se kjo eshte nje dhembje krenare e dimensioni i saj shfaqet vetëm tek liria. Ta ajo është përjetësia e tyr. Liria, që ky komb me mija e mija vite jete, ende nuk e njeh dimensionin saj të vërtet. Por, jo edhe gjithherë, vetëm me fajin e të tjerëve.
Sheremeti na  tha: edhe në shtëpitë më larte ka të vrarë. U nisëm t’i shohim... Nëpër rrugë nuk lëviznin njerëzit, ku ta dimi pse!? Por, në të hyrë në oborrin e shtëpisë së kushëririt, ku Sheremeti na tregoi, në oborr qëndronte e ulur ne një guri e moshuar. Kishte vënë bërrylat e duarve në gjunjë dhe kokën e pushonte në mes të dy shuplakave të duarve, e loti lotin nuk ia priste. Na shikoi, e sikur deshi për të na thënë: pse nuk më lini të qetë në këtë thellësi të hidhërimit tim!  Hymë në dhomë ku gatuhej. Ishte një shporet, nga llamarinë e zezë. Një fultere e një luge me pak vaj ishin mbi shporet. Dera e zjarrit të shporetit ishte e hapur. Unët e zjarrit të fikura. Një nënë e moshës se të tridhjetave. Shtrezen, qëndronte e ulur në shkëmbin e saj e mbështetur për muri, me tru te nxirrua nga goditja e automatikut në afërsi. Muri plote gjak, Nga e djathta e saj një sofër e shtruar e ca copa buke në të. Drekë e pa ngrenë, drekë e përgjakur, zjarri i fikur e fryt i pa lindur! Sa e sa herë i ngjau këtij populli kështu nga fqinjët e tij...!?
Kur e sheh pafajësinë e kësaj nënë, dhe e sheh krimin e bërë mbi të, lehtë kuptohet se sa e ç’thurur është krijesa njerëzore, kur ajo kaplohet nga urrejtja ndaj popullit tjetër, medoemos fundoset në botën e krimit. Raca njerëzore, sa do e dijshme që të jetë, kur është fjale e krimit brenda llojit te vete, ajo  ua kaloh të gjitha krijesave. 
Te Ahmetët, në Likoshan nuk ishte e mundur të shkonim, se ende ishin në roje milicia, por na u tha se 10 meshkuj të shtëpisë, nga mosha 16 vjeç e deri ne 49 vjeç, me gjakftohtësinë më të madhe i kishin masakruar. E kishin masakruar djalin para babës e babën par djalit, vëllanë pranë vëllait. Kështu për dhjetë orë rresht,  e dëgjuan gjëmën e vdekjes, nena të djalit, gratë të burrave të tyre  e motrat të vëllezërve.
***
U kthyem për ne Prishtinë. Të gjithë ishim memecë. Gjithë kohën me ngacmonin momente te historisë, e mi të gjitha memoaret e serbit Tucoviq,  që shkroi me dorën e vetë, si serb, por jo një serb vrasës, se si në Lumë, afër 90 vite me parë, ushtria serbe vriste njerëzit e pafajshëm. I plaçkiste. Për t’i vrarë, i rendiste njërin pas tjetrit, duke i goditur në radhe me një plumb të vetëm. Donte që të kursente municionin dhe, shume here me thika ua prenin gabzherin. Shqiptarët pritshin radhën e vdekjes. Askush nuk bërtiste. Ecnin të gjithë në këmbë, të heshtur drejt në vdekje. E kishte shkruar Tucoviqi. Por, nuk e kuptonte gjakftohtësinë e kësaj race në çastet e vdekjes! Mund ta kenë marr si rast, se pashmangshëm kjo vdekje kështu u takon. E kur ndodhte e kundërta, për ndonjë ushtar të kapur nga shqiptaret ulërinin edhe bjeshkët.
Po, a pati ndonjë Tucoviq që të shkruaj për vrasjet e meshkujve të familjes Ahmeti e të fshatrave? Sigurisht se jo! Sa po shihet  prapë do  presim në radhën vrastare!

OBELISKU I DHËMBJES SHPIRTËRORE




Enkas për "Floripress" nga Ymer Halimi

/Ditari i një Epoke/
            Sot (03.03.’89) bëhet varrimi i 24 viktimave te Likoshanit dhe Qirezit. Pjesmarrja, obligim i domosdoshëm. Erdhën mija e mija njerëz nga te gjitha anët e Kosovës e më gjerë. Me këtë shqiptarët, Serbisë i than: Ja ku jemi!  Erdhën studentë, intelektualë, punëtorë, fshatarë, priftërinj e hoxhollar. E kush jo! Edhe politikan.  Sigurisht ky është varrimi me masiv që ndonjë  herë Kosova dikujt i kishte bërë.  Dy Komunat,  Drenasi dhe Skenderaj e kishin ndërtuar një binë prej ku do te flisnin njerëz të institucioneve të Republikës, siç po e thërrasim. Por, në fjalimet që u shfaqen në foltore pati huqje të konceptit, nga ata që duhej të filisnin. U shpreh mostoleranca politike. Reaguan tepër rënd disa, kur një folëse akuzoi politikën e kohës,  edhe te Republikës, si fajtore për krimet e bera. Bile nuk e lanë as për ta përfunduar periudhën, le më për të  vazhduar fjalimin. Ishte e rëndë ajo rrëmujë aty para 24 arkivoleve, e  familjareve që kishin humbur aq shumë. Sa të papërmbajtur jemi përballë njeri tjetrit, O Zot!
Varrimit u bë me të perënduar të diellit, se pushti serb nuk i lejoi, deri vonë, që të vrarët  Ahmeti t’i merrnin nga morgu i spitalit në Prishtinë. Ajo e provokoi durimn tonë tej mase. Dhe buzë muzgu të gjithë u larguam, duke u përshëndet njeri me tjetrin, me shpresë që rrugës të mos këtë telashe me policin serbe.
Pas varrimit, bashkudhëtaret tanë u nisen për Prishtinë. I. Dedushajt, derisa ishim ne ndarje e sipër,  iu dhe  një porosi nga disa Gec te Llaushes,  për të përcjell ne kryesinë e LDK-ës, që të angazhohen për të dërguar një mjek, mundësisht ortoped, se bëhet fjalë për lëndime të kockave të dy ushtareve që ishin plagosë.  Ndersa, Aqifi Muliqi dhe unë vendosëm të bëjmë konak në Drenicë, në fshatin K, buzë Qiqavices, atje ku pas luftës në Likoshan, djemtë e UCK-ës ishin strehuar për kohë te shkurtër. Para se te hypnim në një rimorkio të traktorit, për të ikur, në përshëndetje e sipër me dr A.Salihun,  E. Halimin, N. Zariqi; Emini tha: “sigurisht ky do të jetë varrimi i fundit me këso ceromonie, se së shpejti vetem do të regjistrojmë emrat dhe do shënojme varre”.  Në bisedë e sipër, nën zhurmën e traktorit, Aqifi e miratoi këtë mendim duke sqaruar shumë çka, por une nuk e kuptoja thellësinë e kësaj gjendje ne thellësinë e duhur.
            Me te mbrritur në fasht, n’Oden e buarrave, siç i thonë në Drenicë dhomës ku priten mysafiret, ishte plot me fshatarë. Treguan se ushtarët  UÇK-es erdhën në fshat të armatosur, pas sulmit në Likoshan dhe Qirez, me ca automatik dhe dy snajperë. Iishin krejt afer trembedhjetë vet.  Flisnin me shumë admirim për ta. Po ashtu treguan se si duke e transportuar S. Lladrovcin, që ishte plagosur, që ishte edhe nip i këtij fshati, milicia serbe e kishin vërejt veturën nga helikopteri dhe te fshati Prellovce  e kishin sulmuar nga ajri. Ishte plagos vozitësi, S. Gecin, dhe nje gervishje plumbi e kishte fitue edhe M. Jashari. Për të shpëtuar nga me e keqja e kishin lëshua rrugën dhe kishin hyri në një shtëpi të pa banuar buzë rruge. Helikopteri u lëshua deri te maja e kulmit te shtëpisë duke e godite shtëpinë  nga çdo anë. Por, kur u pa se helikopteri ishte në ndjekje të veturës ca ushtarë  u nisën në ndihmë. Sa duket e rrezikun helikopterin,  se me të shpejt ai iku. Pastaj më vonë me një karrocë me kuaj u dërguan të plagosurit ne drejtim te fshatit Tice, atje ku ishte doktor Fadil Beka. 
Fshatarët thanë: dikur na patën thënë se kur të niset lufta do të na armatosin. Këtë pytje ia drejtuan Aqif Muliqit, i cili ishte shumë karizmatik në këtë  konak dhe ballafaqohej me krejt bisedën. Përgjigjja ishte e mjegulluar. Por i zoti shtepisë  tha: O burr më mirë me dekë me arme në dorë, se sa me na masakruar si ne Likoshan e Qirez!.
Fshatarët flisnin, pak sa me krenari, edhe për përpjekjen e këtij fshati në luftërat e bëra kundër Serbisë dhe Turqisë. Bashkfshatari i tyre,  Hetem K, ishte pjesëmarrës dhe folës që përfaqësoi Drenicën në Lidhjen e Prizrenit /1878/, dhe ishte përkrah Isa Boletinit në të gjitha kryengritjet e Kosovës kundër turqve. Në Luftat Ballkanike, atë, serbët e pushkatuan, po edhe katër bashkëfshatar të tjerë u zhdukën në këtë luftë dhe fshatin e  dogjën të tërin. Tregonin se Hasan Prishtina,  që  ishte edhe i fisit të tyre, kishte  vizituar këtë fshat. Me 1924, po ashtu të nipin e Hetemit, Halimin, gjandarmëria serbe e torturuan për vdekje para fshatraëve, se ishte autoriteti i fshatit. Tre ditë me pas i bënë varrimin. Në Luftën e Dytë Botërore, ky fshat kishte 19 shtëpi dhe me 1945, i tëri u dogj. Lufta mori gjithsej 19 veta, por shumë nga ata ishin edhe ushtarë të Shaban Polluzhes, dhe u vranë me armë ne dorë. Por, të vrarët ishin edhe pleq, gra e fëmije, që aradhat partizane serbe i pushkatuan dhe disa i dogjën të gjallë, bashkë me shtëpitë. Për të treguar se ky fshat ishte kryengritës në histori, edhe më heret, treguan se në kohën e Turqisë,  kishin vrarë tagrambledhësit dhe kishin pas një ‘pavarësi’. 
Po cili fshat i kësaj treve nuk ka këtë histori: me të vrare, te zhdukur e djegëjeje! Të gjithë te ketillë janë, vetëm kush më shumë e kush me pak.
***
Por me mbarimin e luftës, me 1999, kuptova se nga ky fshat, ku e bëmë konakun me A. Mulliqin, ishin vrarë 23 vetë, e një ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ushtria serbe për shkak të  pozitës strategjike të këtij fshati, ishte stacionuar në ketë fshat dhe kisht zhvendosë banorët e tij. Ata gjate dëbimit i kishin ndarë vajza të reja, të moshës 16 deri 20 vjeç dhe dy të moshuara dhe i kishin stacionuar në fshatin fqinjë.
 Atje për këto femra kishin krijuar vetë ferrin, aktet më  ç’njerëzor, ku vdekja ka qenë i vetmi shpëtimi i tyre. Sa herë kanë klithe me gojë të mbyllur e duar te lidhura para atyre vrasësëve te identitetit njerëzor! Sa herë e kanë vrarë, për ca ditë rresht, ëndrren e tyre të nuserisë. Ua kishin grisë buzët e në fytyrat e tyre të njoma kishin  hapur vrragë, për t’u tregua se si u prishet bukuria e tyre. Pas gjithash, ua kishin vizatuar kryqin në gjokset e tyre të njomë. I kishin hapur me thika barkun e tyre. Të zhveshura, e për te mos heq për varrim i kishin hedh në një pus uji, n’oborr, e mbi to kishin qit ca gurë.  Pse ua vizatonin kryqin, kur ato nuk e urrejtën kurrë. Sigurisht e urrejtën racën serbe, se kishin dëgjuar rrëfimet për krimet e tyre, që dikur këtu, ata kishin djegë njerëz te gjallë. Serbët deshën që në thellësi të tokës ta fusin një turp njerëzor, që ata e kishin bërë mbi të pafuqishmet, mbi të pafajshmet, apo nga urrejtja donin ta bironin tokën e t’na zhduknin njëherë e përgjithmonë. Ndoshta, vetëm t’i humbin gjurmët e krimit të bëra mbi këtë popull, të pa përgatitur për vetëmbrojtje, si në të kaluarën dhe te sotmen e vetë.
 Ne si popull, kurr ne menyrën e duhur, nuk u përkulem para kësaj dhëmbje të fëmijve, motrave dhe nënave tona. Kjo dhëmbje ka dimensionin me te fuqishem se dhembje vdekjeje, e te ketilla i kemi me mija e mija. Kjo është po aq e rend sa edhe krimet në Aushvic. Ne gjithë kohën heshtim para kësaj dhëmbje në emër te një morali. Po këtë moral me këtë hjeshtje a e kemi? Por, ky krimi sa më i heshtur që është, aq më i fuqishem është ne dorën bërsëve të krimit, se vrasesit lirshëm, e me mosperfillje sjellën dhe kanë fuqi të akuzojnë.
Derisa për këtë nuk kemi Obeliskun e dhembjes shpirterore  kolektive, kjo dhëmbje përjetësisht thrret ne drejtësinë e saj, e ne, te gjallet, a do jemi te denjë para historisë tonë!?    



Dr.sci. Ymer Halimi
Profesor i lendes Fizike mjekesore me Biofizike ne FM

Lagja e Universitetit, Rruga 2. nr.57
Prishtinë
tel. +37744111066

Akademik Prof.dr.PhD. Rexhep Qosja mbi çthurjet ideologjike në shoqërinë shqiptare dhe eksperimentin proserb të ashtuquajtur “kombi kosovar”.

AKADEMIK REXHEP QOSJA Ideologjia e shpërbërjes – trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Argumente të shpikura për “k...