Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/03/15

Agim Gashi- zë që lëvizë edhe gurin




Një vështrim për ligjërimin poetik " Epoka e nderit " të Agim Gashit
Përgaditi Xhevat Muqaku - 
Duke e lexuar librin,  me këngë- poezi "Epoka e nderit", në mëndje më rrinin zëri, simfonia 
Xhevat Muqaku
Xhevat Muqaku
magjepse që ju printe pajtimeve të gjaqeve në Kosovë, notat, telat e sharkisë me numër, tekstet e këngëve në tubimet e bashkatdhetarëve në Gjermani (njëri prej tyre në Ravensburg), një koment i mikut të mirë ku përshkruhej, poeti, rapsodi, artisti i shquar i folklorit tonë popullor, gjaku, shpirti, palca, limfa e censuruar, artistike dhe patriotike e Agim Gashit.
Titujt dhe vargjet e këtij ligjërimi poetik jan njëkohësisht këngë të shkurtëra e të gjata poetike që flasin vetvetiu. Burimin e kan tek përjetimet përsonale, në kohën dhe hapsirën për të cilën si i ri i rrëfyen autorit, mësuesi në shkollë dhe odat shqiptare. 

Agimi ynë eci dhe notoi edhe gjurmët e veta

Azalaja e autorit të këtij vëllimi të ngjeshur poetik premton se kënga e saj dhe balli krenar do të rrjedh si ligjërim i zërit të Moisiut, simfoni e atdheut, e njëjtë me rrugën, mëndjen dhe zemrën e babit të saj i cili me poemën e dhembjes nisë bisedën çmallëse me nënën ku pasqyrohen familja, kujtimet e fëminisë, koha dhe situata e rëndë në atdhe, para largimit të tij; / po si të kam o nëna ime/ na rrin babi të dyve pranë/ me bisedue për kohëra t'shkuara/ sharki e penë nuk më linin rehat/ na u kallën ditët o nënë si kashtë/ po më ngulfatë vaji e trishtimi/
Djemtë dhe vashat e Kosovës, që në zemër bartnin trimat dhe trimëreshat e kombit, Janinën, Ulqinin, Shkupin, Preshevën, Shqipërinë, që hije u kishte pushka në krah, nuk e kursyen gjakun për liri, ua qartën bajlozave ballin.
Ata/ato, nga djepi kënduan kangë triminie, nuk i harruan dasmat e lara me gjak, varret e mbjellura në kopshte, masakrat në lëkurën dhe shpirtin e tyre. Të vetëdijshëm se e shtrenjët është liria, me frymën e Gjergjit, Micit, Ademit, Fehmiut, Xhevës etj, i ndrruan motet, e sollën nusën me vellën, buzëqeshjen dhe vallën në tokën arbnore.
 

Për derisa fshatari dhe punëtori në vendlindje e marrin- blejnë bukën në borgj, Agim Gashi i diasporës shqiptare porositë; / mblidhni mëndjen o shqiptarë/ lerini inatet dhe urrejtjet/ se na namë Nana Arbëri/ ngrihni zërin për bashkim kombëtar/.
Mbetet me shpresë, se në pesëvjetorin e Pavarsisë, Kosova do të frymoj ndryshe, ashtu si e do populli me ligje e drejtësi për të gjithë, me liri, dritë, ujë e bukë për të gjithë.

 

Një këngë  kuptimplote e pa përfunduar

Në Düren të Gjermanisë, ndërmjet lumit Rur që në pamje duket i qetë por valët i shkumojnë, dhe  djalit të vuajtur, të qalë, me tri këmbë e të shqetësuar, nga Arbëria, zhvillohet dialogu shumë interesant; / të gjithë popujt e kësaj bote/ thonin se ju nuk vdisni kurr/ jeni ndarë në disa fise/ edhe i bëtë shumë besime/, i rrëfen- përgjigjet në fillim të bisedës lumi Rur, bilbilit të Kosovës në mërgim.  

Dhimbshëm tingëllon vrasja e të pafajshmëve gjithmonë e veqanërisht në liri dhe në emër të popullit; .../ ju e vratë Hasan Prishtinën/ unë jam këtu, rrjedhë e valëroj/ herë i qetë e herë vërshoj/, vazhdon pezmin ndaj bashkatdhetarëve të bashkëbiseduesit, të cilët i kritikon se më shumë e duan dhe e rrespektojnë të huajin se vetvehtën, i harrojnë shpejt tragjeditë, ju tëkurret atëdheu me fajin e tyre.
Lotët që derdhë poeti, shtratin e Rurit e trubullojnë.
/Do të bashkoheni ju patjetër/ kur t'nderoni shtëpi e prag/, notojnë në fund mesazhet e lumit veshët e Agimit.

Radhiten pajtimet e shqiptarëve nëpër shekuj me ftmin e kuvendit të parë të kryefiseve në Rizon prej Agronit dhe Teutës. Në vazhdim; " besë e madhe në Shqiptari, fjalë e Gjergj Viganit, shpëtimtar i kombit, në Lezhë, mbledhi parinë e kombit në më të bukurin vend dhe Kuvend. Prej mollës së kuqe e në Janinë, n'zemra të shqipes lulet mbijnë. N' Kaqanik e n' Lug të Drinit, n' Verra t'Lluk's, n' rrafsh t'Dugagjinit, në kuvende jan përpjekë; prej shtatë vjeç e deri n'shtatëdhjetë".
 
Me një përkushtim të veqant, i këndohet kolosit dhe vizionarit Dardan që mendjën dhe duart, të dyjat të kristalta, me ja sjellë lirinë vendit të tij, i artikuloi- kristalizoi jo vetëm në letër. Kur bota e mbarë është në qetësi, Agimi me fotografinë e Ibrahim Rugoves përpara, festojnë datëlindjen me këngën që aty për aty fillon, buron nga thellësitë e shpirtit; / çdo dhjetorë ka një emër/ se na dha një Yll t'lirisë/ ishe dhe mbete në çdo zemër/ Ikonë kombëtare e Dardanisë/.
Krijuesi artistik, idoli i rinisë shqiptare që nga vitet e 90- ta, thërret me zërin e tij magjik dhe me flakën e këngëve, dëshmorët e pavarësisë dhe unitetit shqiptar, trojet kombëtare, Sharrin, Tomorrin, dy Drinët etj. që t'i gëzohen, të madhështojnë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

I këndon, në vazhdimësi me sharkinë e tij të artë...

...kurbetit, Akllapit dhe Lypjanit të tij të lindjes, dy korrikut të vitit '90- të dhe delegatëve të Kosovës, Vlores, herojve të sajë, flamurit të qëndisur nga Marigona, Çamërisë, Iliridës, Preshevës, Ulqinit, demonstratave në Kosovë, zgjedhjeve të para në Kosovën e plagosur, durimit shqiptar, pajtimit të gjaqeve, çrrënjosjes së gjakmarrjes- krimit- frikës- vuajtjes dhe trishtimit, Diogardit, Klintonit, skyfterave mbi qiellin shqiptar, zgjimit të vendlindjes, bashkimit kombëtar etj.
 

/ S'bën liria pengë të mbetet/ le të mbillet dashuria/ në mes popullit të një gjaku/ le të gëzohet në djep fëmija/ ngjyra lulesh të merr oxhaku/.
Ligjëron me gojën plot, uron nga zemra; Kushtetutën e Kaqanikut, vatrat arsimore, pararoje të Universiteteve mbarëkombëtare pa e harruar udhën dhe kongresin e shkronjave, shtëpitë shkolla.
Kapitull në vehte përballë poezisë; "Pafajësi e ndëshkuar" e birit të tij- Ninelit, mbesës së mikut të tij- Diellzës, të gjithë ushtarëve shqiptar që u këthyen në arkivole dhe atyre që u vranë pafajësisht në moshë të njomë nga dorë e barbarëve të ligë, ishte dhe mbeti malli, dashuria, zbraztësia në shpirtë, plagë e hapur që përjetësisht kullon dhëmbje fantome në ëndrrat dhe kujtimet e shumë familjeve shqiptare e në këtë rast edhe Agimit si prind dhe mik.

Urrehet, lëkurë e vrasësve të vllezërve Gërvalla e Kadri Zeka, Enver Hadrit, Vehbi Ibrahimit, Ahmet Krasniqit, Tahir Zemës, Ukë Bytyqit, Haki Ymerit, Bardhyl Ajetit etj. I thurë një elegji Xhemail Mustafës, ndezë qiri për viktimat e tsunamit në Japoni. Së fundi u këndon edhe veprimtarëve të mërgates që u shuan në kurbetin e zi siq janë Abedin Gashi, Veli Selimi etj.

Gëzimi për ndërtimin e rrugës së kombit ska kufi

/Në Kalimash me hapë tunelin/ ngjarje e madhe në histori/ pa Kosovë nuk ka Shqipni/.
Krenohet me Nanë Terezën. Ismail Kadaresë dhe Vullnet Mato, ju dëshiron jetë të gjatë sa malet. Ada e valës gjermane (Deutsche Welle), është; Edith Durrham e ditëve tona, valë Drini e valë Rajne.
Poema të dhembjes, përkushtim malli, bukuri krenare, zëri i dhembjes, vargje shprese, vargje satirike prezantojnë ciklet e librit "Epoka e nderit", poezinë- këngë, figurat e ndritura të dramës shqiptare, Agim Gashin, tek lexuesit si njohës i mirë i historisë kombëtare ku origjinën e emrave dhe përsonazheve të tij, i përcjell në çdo hap krenaria, epiteti i luftëtarëve të guximshëm dhe shpresa për jetë më të mirë.
"Epoka e nderit", është libri i tretë i Agim Gashit. E redaktoi Sylejman Aliu. Koordinator ishte Mentor Thaqi. U shtyp në shtypshkronjen A-print, e botoi Shtëpia botuese SAGA në Prishtinë.E përcjellën së bashku me librin e dytë"Kohë e pakohë e vendit tim" dy promovime të suksesëshme në Prishtinë dhe Stuttgart.

Vlerësime të shkurtëra për librin 


POEZIA E AGIM GASHIT
 

Nga Agim Gjakova
Poezia e Agim Gashit, këngëtar dhe poet, e shkruar në frymë popullore, tenton ruajtjen e gjallërisë kombëtare me një ndjenjë sublime për historinë tonë, për travajat që ka kaluar kombi shqiptar, për të tanishmen emigruese dhe gjithë ç‘i përket dinjitetit të njeriut. Gashi përpiqet të ruaj e zhvillojë më tej aspektet poetike të kësaj fryme, duke e joshur vargun me figura të goditur, me ndjenjë të çiltër, me gëzime e hidhërime, me mall e përlotje.
Përmbajtja e larmishme, temat e ndryshme, sidomos motivet e poezive të Gashit të bëjnë për vete për sinqeritetin e shprehjes, për preokupimet e poetit për gjithçka që është shqiptare, duke filluar nga ndjenjat e mirësisë, dashurisë, bujarisë… e deri tek ato të dhimbjes, zemërimit… që kombi shqiptar, që Kosova e tij të jetë më e mirë, më e begatë, më njerëzore, më fisnike, që jetohet në paqe e lumturi, që njeriu i Kosovës, dhe përgjithësisht shqiptar, të gdhihet me dinjitet e krenar.
Në poezinë e tij Gashi nuk përton të vërë në spikamë edhe krejt shtrembërimet shoqërore e politike që kanë ndodhur e po ndodhin në mjedisin shqiptar, në përgjithësi, e në mënyrë të veçantë në Kosovë. Në poezinë „Unë me lumin bisedoj“, një poemë krejtësisht ngjethëse për motivet e saj, për mënyrën e shtjellimit, për shfryrjen e ndjenjave e të tjera aspekte, shihet qartë se autorit i dhemb gjithçka që nuk shkon mbarë, në mënyrë të veçantë parashtrimet politike në Kosovë, në vendlindjen e tij, për të cilën e ka marrë malli, dhe është i gatshëm të japë jetën.
Trajtimi me kaq patos i motiveve e termave të ndryshme i shton shpirtit poetik të mjedisit tonë një vlerë të pamohueshme, pasi ngërthen idealin, që ka nisur të zbehet mjaft, atë ideal që e mban në jetë një komb, që e shtyn përpara të ecë në rrugën e zhvillimit.
Libri mund të them se ngërthen një vlerë të duhur se nxjerrë në dritë disa aspekte të krijimtarisë dhe përbën një provë për shpirtin shqiptar, duke qenë i ndërthurur edhe me vlerë shkrimi, shprehjeje dhe gjuhe të duhur.
Edhe sot e kësaj dite në letërsinë botërore gjen shembuj të botimeve të poezisë me frymë popullore, qofshin ato të autorëve të njohur, apo të panjohur, sepse vlera e tyre hyn në piedestalin e kulturës kombëtare. 
AGIM GASHI – ZË QË LËVIZTE DHE GURIN

 

Nga Ali Podrimja 
Me rapsodin Agim Gashi i kishim rënë poshtë e lart Europës dhe kishim mbajtur gjallë diasporën tonë në kohën kur shfaqej UÇK-ja dhe kur radhët shtrëngoheshin. Ishte një kohë kur besonim në fitoren e popullit tone. Ushtonin sallat përplot dëgjues dhe kur në sytë e tyre rridhnin dhe lot. 
Ditë të tëra kishim udhëtuar dhe zgjuar mendjen e fjetur se vinte dhe një ditë për shqiptarët, pa marrë parasyshë se ku ata frymonin.
Mbaj mend shumë takime të dhembshme, por zëri i Agimit ishte ajo fuqi që njeriun tonë e zgjonte dhe e qitte në udhën nga duhej ecur. Shpesh Azem Shkreli ishte parë në tribuna, ku nuk mungonte dhe ndonjë këshillë e tij. Kam përshtypjen se Europës i dilte gjumi dhe çështjen shqiptare e shihte ndryshe. Ne shqiptarët nuk ishim të vetmuar. Na mbante gjallë kënga. Agimi ishte një tenor i vërtetë. Këngët e tij na kujtonin kohën epike, atë fishtiake, besonim në atë që na vënte në lëvizje. Ka vite që Agimin nuk e kam parë, por kënga e tij më ndjek kudo dhe gjithnjë.

Përgatiti Flori Bruqi

Afera e Drajfusit - Zola në mbrojtje të së vërtetës





Fajësia është gjendja në të cilën ndodhemi të gjithë ne, pavarësisht nga faji (Kafka)

Në vitet e fundit të shekullit XIX ndodhi në Francë një ngjarje e cila e tronditi, jo vetëm vendin por edhe mbarë Evropën. Ngjarja u quajt Afera e Drajfusit.


Përgaditi: Xhelal Zejneli -



Ngjarjet kryesore gjatë kësaj afere të famshme, që e tronditi jo vetëm tërë vendin e Volterit, por edhe një pjesë të madhe të opinionit publik botëror, kanë qenë, si vijon: Oficeri francez – grofi Ferdinand Valsen-Esterhazi (Walsin-Esterhazy), në vitin 1894 filloi t’i jepte atasheut ushtarak të ambasadës gjermane në Paris Maks fon Shvarckopenit (Max von Schëarzkoppen) dokumente ushtarake sekrete. Për punën e bërë, oficeri francez shpërblehej me para.
Gjatë kësaj veprimtarie të vet spiunuese, më 1 shtator 1894 i dorëzoi një dosje me akte apo shkresa, së cilës ia kishte bashkëngjitur edhe regjistrin e dokumenteve të dërguara deri atëherë. Regjistrin e sipërthënë, oficeri francez Valsen-Esterhazi e kishte shkruar me dorë të vet. Ndërkohë, ky dokument kishte rënë në duar të shërbimit francez të kundërzbulimit, i cili menjëherë u vu në kërkim të spiunit.
Kjo shënon fillimin e asaj që së shpejti do të quhet Aferë e Drajfusit.
Shpejt pas kësaj, shërbimi francez i zbulimit zuri një letër të cilën atasheu Shvarckopen ia kishte shkruar kolegut të tij – atasheut ushtarak italian në Paris, me të cilin kishte një bashkëpunim të ngushtë. Në atë letër përmendej edhe njëfarë spiuni francez i shënuar vetëm me germën D.
Duke e kontrolluar listën e oficerëve të shtatmadhorisë së ushtrisë franceze (gjeneralshtabit), organet franceze të hetuesisë u ndalën te emri i Alfred Drajfusit, kapiten 30-vjeçar i cili njëherazi ishte edhe i vetmi çifut i shtabit të përgjithshëm francez. Përse u ndalën te emri i tij? Kështu sepse germa D në letrën e atasheut gjerman dërguar kolegut të tij italian në Paris, përputhej me inicialin e Drajfusit, që po ashtu fillonte me D.
Duke qenë me prejardhje çifute, Alfred Drajfusi vetvetiu ishte i dyshimtë për disa oficerë të lartë francezë me orientim dhe disponim antisemitist.
Për ta deshifruar shkrimin e regjistrit të cilin Valsen-Esterhazi ia kishte bashkëngjitur dosjes dhe ia kishte dërguar atasheut gjerman në Paris - Shvarckopenit, organet kompetente franceze angazhuan ekspertë të grafologjisë për të parë nëse shkrimi në regjistër përputhej me atë të Alfred Drajfusit. Duke qenë se njëri prej ekspertëve deklaroi se dy shkrimet janë të ngjashme, Drajfusi u arrestua.
Gazetat nacionaliste të Francës ndërmorën një fushatë të ashpër kundër Drajfusit. Ata kërkuan njëzëri dënimin e tradhtarit dhe linçimin e tij. Kundër Drajfusit u ngrit procedurë penale. Ajo u zhvillua me shumë parregullsi dhe në një atmosferë tejet të rëndë. Drajfusi i mohoi akuzat duke shtuar se në asnjë mënyrë nuk është i implikuar në rastin për të cilin fajësohet. Përkundër qëndrimit të prerë për pafajësinë e vet, ai u dënua nga gjykata ushtarake franceze me deportim të përjetshëm dhe më 5 janar 1895 u dërgua në Ishullin e Djallit. Ky ishull është më i vogli dhe më veriori i brigjeve të Guajanës Franceze në Atlantik, ku deri më 1952 dërgoheshin të dënuarit politikë të Francës dhe të kolonive të saj. (Për Guajanën Franceze më 1973 u xhirua edhe filmi Papillon – Flutura).
Pas dy vitesh, shërbimi francez i zbulimit zuri edhe një letër të cilën grofi Esterhazi ia shkruante Shvarckopenit. Shpejt pas kësaj u konstatua se shkrimi i Esterhazit është identik me atë të “regjistrit”, për të cilin Drajfusi ishte dënuar si tradhtar dhe si spiun.
Familja dhe farefisi i Drajfusit kërkuan revizionin e procesit. Duke qenë të bindur se Drajfusi është dënuar i pafajshëm, këtë e kërkuan edhe shumë persona publikë të shquar,.
Ndërkohë, gruaja e Drajfusit i drejtohet për ndihmë romancierit dhe kritikut francez – Emil Zolës (emri i vërtetë Edouard Charles Antoine, 1840-1902). Me këtë rast, përfaqësuesi më i madh i natyralizmit francez – Zola, ngriti zërin e protestës dhe u vu në mbrojtje të së vërtetës. Më 13 janar 1898, në gazetën “L’Aurore” të Klemansosë (Clemenceau) botoi artikullin e famshëm “J’accuse...!” – Lettre au President de la Republique par Emile Zola (Akuzoj...! - Letër Presidentit të Republikës nga Emil Zola).
Botimi special i kësaj gazete përnjëherë u shit në 300.000 kopje. Ndërsa në Paris u mbajtën mitingje të mëdha protestuese. Letra e Zolës tronditi Francën dhe mbarë Evropën. Protestat shpërthyen në të gjitha metropolet e kontinentit të vjetër. Opinioni francez dhe evropian u nda më dysh: një pjesë e madhe – liberale, ishin me Drajfusin, të dënuar padrejtësisht, ndërkaq pjesa tjetër, ultranacionaliste – kundër tij.
Nën ndikimin e qarqeve konservatore dhe antisemitiste, prokuroria e shtetit – për shpifje - ngriti proces gjyqësor edhe kundër Zolës. Shkrimtari i famshëm u dënua me një vit burg dhe me 3.000 franga gjobë. Autori i Rugon-Makartëve dhe i Zherminalit u largua në Angli.
Por, me këtë vendim arbitrar dhe absurd të pushtetarëve francezë afera nuk mund të mbyllej. Bindja për pafajësinë e Drajfusit u forcua gjithnjë e më tepër.
Ndërkohë, fajtori kryesor - grofi Esterhazi - iku në Londër, kurse një oficer francez që kujdesej për ta strehuar, kishte përfunduar me vetëvrasje.
Revizioni i procesit të Drajfusit tani ishte i pashmangshëm. Ish kapiteni i ushtrisë franceze u rikthye nga Ishulli i Djallit ku ishte deportuar, për të marrë pjesë në procesin gjyqësor të përsëritur. Por, për ta ruajtur autoritetin e shtatmadhorisë së ushtrisë franceze dhe të qeverisë, Drajfusi u dënua përsëri, pavarësisht provave që ishin në favor të pafajësisë së tij.
Aktgjykimi kundër tij përsëri shkaktoi trazira të mëdha në mbarë vendin dhe në krejt Evropën. Çështja e Drajfusit nuk u hoq nga rendi i ditës. Pjesa nacionaliste e Francës ishte vërtet e fortë, por, po aq i fortë ishte edhe opinioni demokratik dhe liberal i vendit. Në fund, krejt afera mori fund dhe u mbyll, jo duke e shpallur Drajfusin të pafajshëm, por duke ia falur dënimin, pra nëpërmjet abolimit që ia dha Presidenti i Republikës – Emil Lube (Emile Loubet, 1838-1929).
Më në fund, më 19 shtator 1899, pasi qëndroi pothuajse 5 vjet i syrgjynosur në Amerikën Latine në Ishullin e Djallit, pranë Guajanës famëkeqe të Francës në Atlantik, Drajfusi u lirua nga faji. Me këtë rast ai deklaroi: “Qeveria e Republikës ma riktheu lirinë, por kjo s’paraqet kurrgjë për mua, derisa nuk ma rikthejnë edhe nderin”.
Shkrimtari i famshëm Franc Kafka më vonë do të thotë: “Fajësia është gjendja në të cilën ndodhemi të gjithë ne, pavarësisht nga faji”.
Rehabilitimi i Drajfusit u krye shkallë-shkallë, në disa faza, ndërsa arriti kulmin më 22 korrik 1906, kur u dekorua me dekoratën e Legjionit të nderit. Ishte fëmija i nëntë i prindërve të tij çifutë. Vdiq në Paris më 1935, në moshën 75 vjeçare.
Pasi Drajfusi mori pafajësinë, shkrimtari Emil Zola nga Anglia u kthye në Francë ku u prit si hero dhe u shndërrua në ndërgjegje të kombit francez. Për qarqet liberale dhe demokratike të kontinentit u shndërrua në simbol të intelektualit i cili del nga kabineti i shkrimeve dhe nga kulla e fildishtë për ta ngritur zërin e protestës kundër padrejtësisë, në mbrojtje të së vërtetës.
Zola vdiq në kabinetin e tij të punës, në orët e hershme të mëngjesit, më 29 shtator 1902, nga helmimi me monoksid karboni që lëshonte koftori. Në varrimin e tij morën pjesë mijëra francezë. Familjes së tij i erdhën letra ngushëllimi nga të katër anët e vendit dhe nga mbarë Evropa. Me javë të tëra, për të shprehur ngushëllime dhe për t’u regjistruar në librin e zisë, në shtëpinë e tij erdhën shumë shkrimtarë eminentë, filozofë, shkencëtarë, piktorë dhe politikanë.
Shkrimtari i madh u varros në Cimetiere de Montmatre në Paris.
Pas gjashtë vjetësh, më 4 qershor 1908 u bë rivarrimi i mbetjeve të kufomës së tij, për t’u vendosur në Panteon, pranë Viktor Hygosë dhe Aleksandër Dymas. Në ceremoninë e vendosjes së natyralistit të madh në Panteon mori pjesë edhe kolonel-lejtënanti Alfred Drajfus.
* * *
Inteligjencia shqiptare në Ballkan, aktin e Zolës duhet ta ketë shembull. Intelektuali, krahas profesionit që ushtron, duhet të ngritë edhe zërin e protestës, duke u vënë në shërbim të interesit të gjerë shoqëror. Ndryshe, mbetet një zanatçi i thjeshtë, pa lënë gjurmë në hapësirë dhe kohë. Inteligjencia shqiptare në Maqedoni duhet të dalë nga amullia, oportunizmi, konformizmi, indolenca, negligjenca dhe mendësia provinciale dhe të vihet në mbrojtje të së vërtetës.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...