Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/09/17

Heshtja në rastin Naser Kelmendi


Heshtja në rastin Kelmendi
Ndonëse figuron në listën e të shumë-kërkuarve në Bosnjë, Mal të Zi dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendndodhja e biznesmenit me origjinë kosovare, Naser Kelmendi, nuk u komentua nga autoritetet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë.
Gjatë javës që lamë pas, është thënë se Kelmendi ka hyrë në territorin e Kosovës më 10 shtator dhe është parë në disa lokacione, por mekanizmat përgjegjës nuk komentuan këtë çështje.
Kelmendi, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në shumë aktivitete të krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor, ka kohë që është në arrati, ndërsa vazhdon të mohojë akuzat njëra prej të cilave e apostrofon atë si organizator kryesor në tregtinë me drogë në Ballkan.
Të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, përfaqësuesit e Policisë së Kosovës, Ministrisë e Punëve të Brendshme dhe ata të EULEX-it, vetëm thanë se “janë të vetëdijshëm për rastin”.
Ajo që dihet është se nuk ekziston ndonjë urdhër-arrest ndërkombëtar për Kelmendin, gjë që thuhet se nuk e obligon policinë kosovare për ta arrestuar atë.
Burime të Radios Evropa e Lirë brenda policisë thanë se edhe në rast të lëshimit të fletë-arrestit ndërkombëtar, Kosova nuk do të obligohej me arrestimin e Kelmendit, meqë “Kosova nuk arreston shtetasit e saj”.
Por, është thënë gjithashtu se Kelmendi, qysh vite më parë, kishte hequr dorë nga shtetësia kosovare, ndërsa që nga viti 1998 është qytetar me të drejta të plota i Bosnjë e Hercegovinës.
Naser Kelmendi - i fuqishmi i Ballkanit në listën e zezë
Kjo e fundit thuhet se po bën gati kërkesën për një “red notice” në Interpol, me të cilën të gjitha mekanizmave të drejtësisë në botë do t’u kërkohej arrestimi i përkohshëm i Kelmendit në pritje të kërkesës për ekstradim.
Po qe se do të ndalohej personi i kërkuar nga Kosova, policia do t’i kishte gjashtë orë në dispozicion për të verifikuar vlefshmërinë e urdhër-arrestit. Nëse se ai urdhër do të ishte i vlefshëm, personi i ndaluar do të arrestohej dhe do të vendosej para gjyqit, ndërsa gjykata do t’ia caktonte deri në 40 ditë paraburgim.
Këto 40 ditë do t’i kishte në dispozicion Ministria e Jashtme apo ajo e Drejtësisë së “shtetit lutës”, për të kërkuar ekstradimin e personit të arrestuar në Kosovë.
Nëse kërkesa zyrtare e shtetit që kërkon ndihmë juridike ndërkombëtare nuk do të paraqitej brenda afatit ligjor para gjykatës, e cila ka shpallur paraburgimin, personi i arrestuar thuhet se do të lëshohej me automatizëm.
Ajo që thuhet se komplikon punët në rastin Kelmendi, është neni 4 i Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale i Republikës së Kosovës, ku theksohet se:
“Shtetasit e Kosovës nuk do të ekstradohen, përveç nëse është paraparë ndryshe me marrëveshje ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe shtetit kërkues, ose me të drejtën ndërkombëtare”.
Ajo që mund të bëjë Bosnja është të kërkojë transferimin e lëndës në Kosovë, gjë që do të “mjaftonte” për ta arrestuar Kelmendin.
Mbetet e paqartë, megjithatë, se a posedon Kelmendi apo jo pasaportë kosovare.
Në “listën e zezë” të presidentit amerikan, Barak Obama, emri Kelmendit radhitet përkrah atij të liderit të kartelës meksikane të drogës, Hoze Antonio Sota Gastemula, dhe atij të tregtarit afgan, Sajed Vazir Shah.
I lindur në Pejë në vitin 1958, Naser Kelmendi kërkohet si shtetas i Bosnjë e Hercegovinës.

Prof.dr.Enver Hoxhaj për gazetën arabe: Mosnjohja nga vendet islamike, dëshpëruese për ne


Hoxhaj për gazetën arabe: Mosnjohja nga vendet islamike, dëshpëruese për ne
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj në një në një intervistë për gazetën më të madhe të Arabisë Saudite “Okaz”, ka thënë se Kosova mbështet të gjitha lëvizjet për dinjitet njerëzor dhe shprehë solidaritetin për viktimat dhe për jetërat e shumë njerëzve që vdiqën në këto lëvizje.
“Sjellja e Assadit është e njejtë sikurse sjellja e Millosheviqit ndaj qytetarëve të Kosovës dhe Bosnjës, vende ku ka ndodhur gjenocid. Për ne Assadi, Gaddafi, Sadam Huseini dhe të tjerë janë diktatorë dhe përgjegjës për shkelje masive të të drejtave të njeriut sikurse Millosheviqi në Ish-Jugosllavi”, ka thënë Hoxhaj.
Sipas tij, që kur ka filluar një proces i tillë edhe në Siri, Kosova ka qenë përkrah popullit të Sirisë. “Assadi me brutalitetin e tij dhe me vrasjet masive të qytetarëve të tij ka humbur çdo legjitimitet të pushtetit të tij dhe sa më shpejt duhet të largohet nga regjimi i tij anti-njerëzor”, ka shtuar ai.
Hoxhaj ka thënë se Kosova që kur filloi Pranvera Arabe dhe deri në ditët e sotme i ka dhënë mbështetje të fuqishme publike lëvizjeve të popujve të ndryshëm për liri, barazi dhe dinjitet njerëzor në të gjitha vendet islame.
“Një gjë të tillë e kanë bërë të gjitha shtetet në Ballkan, Evropë dhe më gjerë që besojnë në vlera të tilla si të drejtat e njeriut dhe demokracia. Kështu unë kam qenë ndër ministrat e parë të Punëve të Jashtme që kam mbështetur aspiratat dhe tranzicionet në demokraci në Tunizi, Libi, Egjipt dhe në shumë shtete të tjera”, ka thënë ai.
Duke folur për procesin e njohjeve në mesin e shteteve arabe, kryediplomati i Kosovës ka thënë se fakti që nga 22 shtete anëtare të Ligës Arabe vetëm 11 e kanë njohur Republikën e Kosovës, si dhe nga 57 vende anëtare te Organizatës për Bashkëpunim Islamik vetëm 27 e kanë njohur Kosovën janë të dhëna dëshpëruese për qytetarët e Kosovës dhe për shumë vende dhe popuj miq në boten arabe dhe myslimane.
“Nga asnjë shtet ne nuk kem pritur që do ta zgjasin njohjen e Republikës së Kosovës. Presim që qytetarët e Kosovës, të cilët në të kaluarën kanë përjetuar vuajtje dhe tragjedi të mëdha si dhe me një besim të pathyeshëm dhe vendosmëri të madhe e kanë arritur idealin e tyre që të jetojnë në një shtet të lirë, sovran dhe te pavarur, të kenë lajme të mira dhe pozitive për pranimin e sakrificës së tyre dhe respektimit të dinjitetit njerëzor përmes njohjes zyrtare të Republikës së Kosovës”, ka shtuar Hoxhaj, gjatë intervistës për “Okaz”.
Sipas tij, gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999 janë shkatërruar pothuajse mbi 450 xhami nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit, i cili kishte për qellim jo vetëm dëbimin e gjysmës së popullatës, pothuajse mbi 1 milion njerëz jashtë Kosovës, vrasjen e mbi 15000 njerëzve në Kosovë, por synonte edhe shkatërrimin e kujtesës tone historike përmes djegies, granatimit dhe shkatërrimit deri në themel të xhamive.

2012/09/16

Kush e hëngri Kushtetutën e Kaçanikut, politika kolonialiste e Serbisë, apo politika demokratike e Kosovës?



Kushtetuta e Kaçanikut


Çdo kushtetutë e cilitdo shtet qoftë në botë e ka pjesën historike të saj, por jo edhe Kushtetuta e Kosovës (15.6.2008), së cilës i mungon një pjesë e tillë e historikut të saj (1912-1999). Këtë e provojnë edhe heqja e simboleve kombëtare dhe shtetërore: Flamuri, Emblema, Himni, UÇK-ja etj., si dhe 1) Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, 2) Kushtetuta e Kaçanikut e 7 shtatorit 1990 dhe Referendumi gjithëpopullor i 29-31 shtatorit 1991, të gjitha këto akte të rëndësishme dhe me vlerë historiko-politike dhe kushtetuese janë në funksion të çlirimit, të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës shqiptare nga sundimi tiranik pushtues i Serbisë kolonialiste dhe fashizoide të kryekriminelit dhe vrastarit të shqiptarëve dhe të Kosovës, Slobodan Milosheviq
Shkruan: Prof. dr. Mehdi HYSENI
Vetëm Sejdo Bajramoiviqët, Ali Shukrijat dhe Slobodan Milosheviqët dhe kamarilat e tyre vrastare të shqiptarëve dhe të Kosovës së Shqipërisë Etnike, i patën denoncuar dhe hedhur poshtë: 1) Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë së Kosovës (2 korrik 1990), 2) Kushtetutën e Kaçanikut (7 shtator 1990) dhe 3) Referendumin gjithëpopullor për pavarësimin e Kosovës nga Serbia kolonialiste (29-31 shtator 1990), sepse përbënin fondamentin historik dhe ligjor të krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës.
Derisa regjimi policor fashist pushtues i Serbisë së Slobodan Milosheviqit i ka gjykuar dhe mohuar aktet e mësipërme historike, politike, juridike dhe kushtetuese të popullit shqiptar të Kosovës, atëherë, logjikisht, as ligjërisht, asnjë qeveri shqiptare e Kosovës së sotme nuk e gëzon të drejtën që këto akte historike, ti flakë nga faqet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës (15 qershor 2008), sepse do të përligjte politikën gjenocidale dhe agresive antishqiptare të Serbisë së Slobodan Milosheviqit.
Patriotët e vërtetë shqiptarë nuk e falsifikojnë historinë
- Kushtetutat mund të shkruhen, të ndryshohen dhe të falsifikohen nga tyxharët e ndryshëm të politikës ditore, por historia e shkruar me gjak dhe me sakrifica mbinjerëzore e popullit shqiptar si në Kosovë, ashtu edhe në trevat e tjera të Shqipërisë Etnike, nuk mund të ndryshohet dhe të mohohet as nga klikat e përkohshme të qeverive të ndryshme shqiptare e as nga armiqtë shekullorë kolonialistë dhe imperialistë sllavë të Ballkanit.
Çdo kushtetutë e cilitdo shtet qoftë në botë ka pjesën historike të saj, por jo edhe Kushtetuta e Kosovës (15.06.2008), së cilës i mungon një pjesë e tillë e historikut të saj (1912-1999). Këtë e provojnë edhe heqja e simboleve kombëtare dhe shtetërore: Flamuri, Emblema, Himni, UÇK-ja etj., si dhe 1) Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, 2) Kushtetuta e Kaçanikut e 7 shtatorit 1990 dhe Referendumi gjithëpopullor i 29-31 shtatorit 1991, të gjitha këto akte të rëndësishme dhe me vlerë historiko-politike dhe kushtetuese, janë në funksion të çlirimit, të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës shqiptare nga sundimi tiranik pushtues i Serbisë kolonialiste dhe fashizoide të kryekriminelit dhe vrastarit të shqiptarëve dhe të Kosovës, Slobodan Milosheviq.
- Edhe historia e lavdishme e UÇK-së, edhe të tria këto akte politike, juridike, kushtetuese dhe demokratike, nolens violens, do të duhej të figuronin në pjesën historike të Kushtetutës së sotme të Republikës Kosovës, sepse janë paraprirëse të pavarësisë së sotme të Kosovës. Prandaj, askush nga “derëbejët” e sotëm të Kosovës, nuk e kanë të drejtën e diskrecionit, që këto tri akte, ti injorojnë dhe ti mohojnë, duke i përjashtuar nga Kushtetuta e 15 qershorit 2008, sepse në atë rast, me vetëdije, do të vinin në pikëpyetje historikun e lavdishëm të sakrificës, të përpjekjeve të pareshtura dhe të përgjakshme, si dhe kërkesën e drejtë dhe legjitime të popullit shqiptar të Kosovës për t’i dhënë fund robërisë nën Serbinë kolonialiste.
- Ata që e falsifikojnë dhe e retushojnë historinë e Kosovës, përkatësisht të Shqipërisë Etnike, mund të jenë gjithçka (politikanë, biznesmenë dhe tyxharë të aftë “sipas motit, ktheje gëzofin”-ecën me kohën sipas interesit të xhepit dhe të luftës së etshme për pushtetit), por jo, assesi, edhe patriotë dhe demokratë të mirëfilltë dhe të ndershëm, sepse ndërrimi i tezave dhe i koncepteve të tyre politike dhe historike, është simetrik me ato të politikës dhe të kuazi-shkencës falsifikatore serbomadhe të mohimit dhe të sofistikimit të së vërtetës historike mbi shqiptarët dhe mbi Shqipërinë Etnike.
Origjina e shqiptarëve, më e vjetra në Evropë
Shikuar në retrospektivën shekullore, shqiptarët janë shumë alergjikë, të ndjeshëm dhe jo tolerues, kur dikush me forcë apo në mënyrë perfide paqësore dhe miqësore tenton që t’ua falsifikojë dhe shpërfytyrojë gjenealogjinë e identitetit të tyre edhe si komb, edhe si shtet, sepse historia e derisotme e Ballkanit dhe e Evropës ka provuar se origjina e shqiptarëve është më e vjetër sesa e popujve të tjerë në Evropë. Këtë të vërtetë të pamohueshme të historisë së shqiptarëve, veç të të dhënave të shumta burimore shkencore të derisotme kombëtare dhe ndërkombëtare, ndër të tjera, e ilustron edhe kjo deklaratë e ish-presidentit të Kroacisë, Stipe Mesiq: “Ne sllavët erdhëm në shekullin VII, kurse shqiptarët erdhën edhe përpara romakëve”. (www.kosovarimedia.com/02/08/2012). Këtë të vërtetë të pakundërshtueshme, Stipe Mesiq e pohoi në Shëngjin të Shqipërisë, më 2 gusht 2012, me ç’rast u nderua me titullin “QYTETAR NDERI” i Shëngjinit për hir “të meritave dhe të kontributit të tij në shërbim të paqes, të stabilitetit, të bashkëpunimit dhe të fqinjësisë së mirë në rajon”. (Po aty)
Nuk ka asnjë dyshim se është për t/u çmuar dhe nderuar, kur fqinjët dhe të huajt sikurse ish-presidenti kroat Stipe Mesiq pohojnë të vërtetën e historisë së lashtë të popullit shqiptar në Evropë. Mirëpo, nuk është mirë dhe, për më tepër, është fatalizëm, kur sot dikush nga “armata” e politikanëve lideristë (brenda dhe jashtë pushtetit), në format më të rafinuara dhe më bizare (për hir të interesave personale, nepotiste, karrieriste, grupore, partiake, ideologjike, oligarkiste, ekonomike dhe tregtare etj.) po e falsifikojnë historinë e Kosovës, përkatësisht të Shqipërisë, ashtu si po u konevnon interesave të tyre të politikës ditore dhe të biznesit ekonomiko-tregtar korrupsionist dhe plaçkitës, në mënyrë që, në sy të popullit dhe të bashkësisë ndërkombëtare të tregohen dhe të “verifikohen” si të vetmit çlirimtarë, shpëtimtarë, demokratë dhe patriotë të vërtetë.
Simetria e filozofisë absurde
Rast konkret i përpjekjeve të tilla për falsifikimin e historisë së sotme të Kosovës, janë edhe aktet historiko-politike të Kosovës, siç janë 1) Deklarata kushtetuese e 2 Korrikut 1990, 2) Kushtetuta e Kaçanikut 7 Shtator 1990 dhe 3) Referendumi i 29-31 Shtatorit 1991, ku asnjëra prej tyre nuk ka gjetur vend në asnjërën nga faqet e Kushtetutës së Kosovës (15 korrik 2008), e as në ndryshimet më të reja të kësaj Kushtetute.
Na pëlqeu, nuk na pëlqeu, e pranuam apo nuk e pranuam, mospërfshirja e akteve të theksuara në pjesën historike të Kushtetutës së Kosovës (15 qershor 2008), është një falsifikat sui generis nga ana e politikanëve dhe e juristëve konstitucionalsitë të “formatit” të Arsim Bajramëve. Vetëm këta, duhet t’i japin shpjegime popullit të Kosovës pse politikisht dhe juridikisht i kanë injoruar këto akte të rëndësishme historike për pavarësimin e Kosovës nga Serbia.
Një veprim i këtillë absurd, amoral, antiligjor dhe antikombëtar, është i papranueshëm për historinë e sotme të Kosovës, sepse është simetrik me aktvendimet policore, politike, juridike dhe gjyqësore të regjimit të Republikës së Serbisë së Slobodan Milosheviqit, e cila i përtrollisi prerazi si ilegale, si Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990, ashtu edhe Kushtetutën e Kaçanikut të 7 shtatorit, si dhe Referendumin gjithëpopullor shqiptar, bërë më 29-31 shtator 1990, sepse ishin në funksion të shkëputjes së Kosovës nga zinxhirët e përgjakshëm të kolonializmit 100-vjeçar të Serbisë.
Nuk është e çuditshme, pse Serbia gjenocidale e Slobodan Milosheviqit dhe, më pas kryeshefi i UNMIK-ut, Bernard Kushner, u hoqën vizë të kuqe UÇK-së, si dhe akteve historiko-politike, juridike dhe kushtetuese të Kosovës (Deklarata kushtetuese e 2 korrikut 1990, Kushtetuta e Kaçaniut e 7 shtatorit 1990 dhe referendumi gjithëpopullor i 29-31 shtatorit 1991) mbase të gjitha këto ishin në funksion të deserbizimit dhe të pavarësimit të Kosovës.
Një politikë e këtillë kontestuese dhe mohuese e së drejtës së vetëvendosjes së shqiptarëve të Kosovës nga ana e Serbisë kolonialiste dhe nga Rezoluta 1244 e KS të Kombeve të Bashkuara, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por për çudi dhe për “ahmaki” politiko-juridike dhe kushtetuese, është përfshirë në Rezolutën e shpalljes së pavarësisë nga ana e Kuvendit të Kosovës më 17 shkurt 2008, vërtet, është e papranueshme, sepse është në kundërshtim me të drejtën historike dhe me të drejtën ndërkombëtare ngase Kosova plot 100 vjet ishte plaçkë koloniale e Serbisë.
Gjithashtu, është e çuditshme, befasuese, skandaloze dhe e papranueshme si moralisht, kombëtarisht, ligjërisht, ashtu edhe politikisht e juridikisht, pse vetë politikanët dhe konstitucionalistët e pushtetit të sotëm në Kosovë, nuk i kanë sanksionuar në Kushtetutën e 15 qershorit 2008: 1) Deklaratën kushtetuese të 2 korrikut 1990, 2) Kushtetutën e Kaçanikut të 7 shtatorit 1990 dhe 3) Referendumin gjithëpopullor të 29-31 shtatorit 1990.
Së fundi, sido që ta kenë “justifikuar” këtë akt antihistorik, antijuridik, antikombëtar dhe antikushtetues mbidemokratët dhe mbipatriotët politikanë dhe konstitucionalistë, Kuvendi historiko-politik-kushtetues dhe kombëtar i Kaçanikut i hodhi themelet historike për shkëputjen e Kosovës nga Serbia kolonialiste dhe pushtuese (1912-1999). Këtë asnjeri dhe, asnjë politikë nuk do të ketë fuqi, që ta shlyejnë nga faqet e ndritshme të historisë kombëtare shqiptare të Kosovës - Shqipërisë Etnike.

Variacione kosovare me temën e izolacionizmit



Ambasador Shaban MURATI
Izolacionizmi është një sëmundje gjenetike dhe diplomatike e shtetformësisë shqiptare. Thelbi i saj qëndron në atë që shtetformësia shqiptare nuk ka ditur të ketë miq dhe nuk ka ditur të mbajë miq në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare. Është një sëmundje e shfaqur te shumica e qeverive të ndryshme, gjatë 100 vjetëve të shtetit të Shqipërisë. Është një sëmundje që shfaqet në forma të ndryshme edhe në shtetin e ri të Kosovës. Duke hulumtuar në veprimtaritë diplomatike dhe politike të shtetit të ri shqiptar të Kosovës, e has atë në variacione të ndryshme të së njëjtës temë.

Nëse do të isha këshilltar diplomatik i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, nuk do t'i kisha këshilluar ta lexonte atë fjalim, që ai mbajti në forumin ndërkombëtar strategjik të BLED-it, Slloveni, në 3 shtator 2012. Nuk do ta kisha këshilluar të paraqitej me atë fjalim në një auditor ndërkombëtar, thjesht për zbatim të parimit të njohur diplomatik se një kryeministër kur flet, qoftë në një seminar, qoftë në një tryezë dypalëshe apo shumëpalëshe, është gjithmonë kryetari i qeverisë. Në fjalimet e tij në auditorë ndërkombëtarë argumenti diplomatik, jo vetëm duhet të dominojë, por edhe të fshehë çdo gjurmë emotive të vlerësimit të brendshëm personal për njërën a tjetrën temë apo situatë. Fjalimi i kryeministrit u drejtohej shteteve anëtare të BE-së dhe gjysma e tekstit ishte kritikë ndaj BE-së, ku Kosova po përpiqet në rrafshin diplomatik të fitojë sa më shumë përkrahje, që nga udhërrëfyesi për heqjen e vizave e deri te shpejtimi i procesit të integrimit evropian. Por ja çfarë deklaroi kryeministri, sipas fjalimit në faqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës: "Themelimi i Bashkimit Evropian përmes lënies së shoqërive ballkanike jashtë tij ishte shkas plotësues për ndezjen e konfliktit të madh ish-jugosllav. Për më tepër, do të shtoja se qasja relativiste e këtij unioni të ri në ditët e para të agresionit dhe vrasjeve në ish-Jugosllavi, po ashtu, asistoi që ajo tragjedi të zgjaste një dekadë të plotë". Nuk duhet të jesh diplomat i BE-së për të kuptuar papërshtatshmërinë e vendit dhe të të adresuarve për shprehjen emotive të një pakënaqësie nga historia e qëndrimit dhe e politikës ballkanike të BE-së. Nuk duhet të jesh diplomat për të kuptuar karakterin joadekuat të një ekskursioni emotiv në historinë e konfliktit jugosllav pas 20 vjetësh në gojën e kryeministrit të një shteti, që sot pret me ankth të përfshihet në procesin e stabilizim-asocimit me BE-në. Nuk duhet të jesh diplomat për të kuptuar se përshtypja, që përfton auditori ndërkombëtar nga këto lloj theksash të një fjalimi zyrtar, është një pakënaqësi e brendshme, e fosilizuar dhe e pakuptimtë, ndaj BE-së.

Paqëndrueshmëria e një teze

Nuk është vendi për të analizuar paqëndrueshmërinë e tezës se lënia jashtë BE-së e shoqërive ballkanike është një shkak plotësues i konfliktit jugosllav, tezë e cila, me gjithë indulgjencën, që mund t'u ofrojmë shkruesve të fjalimeve zyrtare në Prishtinë, merr pa dashje formën e një alibie për shkaktarin e vërtetë dhe kryesor të konfliktit dhe të luftërave ish-jugosllave, Serbinë. Nga këndvështrimi i sotëm, çështja shtrohet nëse ishte e nevojshme që kryeministri i Kosovës të shprehte pas 20 vjetësh një pakënaqësi të diskutueshme në planin historik për rolin e BE-së në konfliktin ish-jugosllav. Çështja shtrohet nëse mendohet se fitohet mbështetje diplomatike nga BE, duke bërë kryeministri digresione historike, në një kohë që jo vetëm kanë rrjedhur shumë ujëra, por kryesorja është se pas luftërave brenda jugosllave të viteve 1991-1995 kemi ndërhyrjen e NATO-s në Serbi dhe në Kosovë, ndërhyrje e cila determinoi çlirimin e Kosovës dhe krijimin e shtetit të pavarur të saj. Jo vetëm shtetet më të rëndësishme, por shumica e shteteve të BE-së, ishin anëtare të NATO-s, kur Aleanca Atlantike ndërhyri në Kosovë.
Reflektimi, që unë dëshiroj të nxis, nuk ka të bëjë me ndonjë debat historik, por ka të bëjë me efektet diplomatike, që mund të ketë sot shprehja e një pakënaqësie nga një qeveri apo nga kryetari i qeverisë në adresë të BE. Sepse kjo pakënaqësi 'zyrtare' mbahet shënim në blloqet diplomatike të pranishme dhe ai bllok nuk mbyllet me mbylljen e seminarit apo forumit, por shfletohet sa herë që do të hapet dosja e marrëdhënieve dypalëshe të BE-së apo të njërit apo tjetrit shtet të rëndësishëm të BE-së, me Kosovën.

Një kurs i gabuar

Variacioni i dytë vjen nga një parti parlamentare e Kuvendit të Kosovës, lëvizja Vetëvendosje, përfaqësuesit e së cilës dolën zyrtarisht në 6 shtator kundër vazhdimit të misionit EULEX të Bashkimit Europian në Kosovë. Është e drejta e çdo partie të formulojë qëndrime të politikës së jashtme, që nuk janë në kohezion me vijën, që ndjek qeveria. Por kur qëndrimet e politikës së jashtme kanë të bëjnë jo me qeverinë apo se kush është kryeministër në një moment të dhënë, por kanë të bëjnë me marrëdhëniet e Kosovës me BE-në, me NATO-n, me SHBA-në, me Perëndimin, atëherë partitë e opozitës duhet të mendohen dy herë. Sepse çdo refuzim aprioristik, e aq më tepër sulm verbal apo fizik kundër pranisë së misioneve të BE-së në Kosovë, apo kundër përfaqësuesve të KFOR-it apo të dërguarve të BE-së, jo vetëm përkthehet si pakënaqësi ndaj BE-së, NATO-s dhe Perëndimit, por mund të prodhojë këndshikime dhe tendenca të tjera, me pasoja të dëmshme afatgjata për Kosovën. Sepse nëse një apo disa parti opozitare parlamentare aspirojnë dhe luftojnë të vijnë në pushtet, këtë duhet ta materializojnë me luftë politike dhe elektorale me njëra-tjetrën dhe jo duke shpikur "armikun apo të keqen" tek EULEX-i, KFOR-i apo Perëndimi. Transferimi i qëndrimit negativ ndaj qeverisë te marrëdhëniet me miqtë strategjikë të Kosovës është një kurs i gabuar, për të mos thënë i dyshimtë.

Përplasjet publike
Variacioni i tretë i pakënaqësisë ndaj Perëndimit në Kosovë vjen nga sektorë të politikës kosovare, të cilët, nuk është e qartë për publikun se për çfarë arsyesh, janë të afeksionuar nga një vijë përplasjesh publike me përfaqësuesit diplomatikë të SHBA-së në Kosovë. Theksoj se nuk është fjala për duele personale, ku në koleksionin e mospëlqimeve të kujtdo mund të hyjë edhe një ambasador i caktuar amerikan, dhe kjo është normale. Por ajo që më tërheq vëmendjen është fakti se të gjithë ambasadorët amerikanë që kanë shërbyer në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, janë bërë target sulmesh, gjë që, me dashje apo pa dashje, të shpie te përshtypja sikur ka një interes për të kristalizuar një qëndrim politik, të shkëputur nga emri konkret.
Këtu nuk është fjala as të merret në mbrojtje ky apo ai ambasador amerikan dhe as të humbet kohë për qëmtime të episodeve personale. Por në pikëpamje diplomatike, nëse në një shtet, që klasifikohet si mik i SHBA-së, segmente të caktuara të politikës së atij vendi jetësojnë një vijë të sulmeve ndaj të gjithë ambasadorëve amerikanë, duke i etiketuar si "mbretër të Kosovës", është e kuptueshme se në departamentin e shtetit mbahet shënim se këta sektorë të politikës kosovare mund të kenë të akumuluar pakënaqësi ndaj vetë SHBA-së dhe jo vetëm ndaj emrit të veçantë.
Variacionet e mësipërme të temës së pakënaqësisë politike, që rreshtova më sipër, i adresohen miqve më të mëdhenj ndërkombëtarë, që aktualisht ka Kosova dhe kombi shqiptar, SHBA dhe BE. Është hera e parë në 100 vjet të shtetformësimit shqiptar, apo në 1000 apo 2000 vjet të historisë së kombit shqiptar, që është arritur të sigurohen miq të tillë strategjikë, interesat e të cilëve përkojnë me interesat strategjike kombëtare shqiptare. Këto interesa strategjike të kombit shqiptar janë më të rëndësishme se interesat individuale të hyrjes në parlament apo në qeveri në Prishtinë, janë më të rëndësishme se sa meskinitetet e inatet tribale mes bajraqeve, që duan të sundojnë në shtetin më të ri ballkanik.
Variacionet, që rreshtova më sipër, janë simptoma të sëmundjes së izolacionizmit, me pasoja negative mbarëkombëtare, sepse dinamizojnë procesin e distancimit tonë nga miqtë e vërtetë ndërkombëtarë. Ky distancim nga miqtë strategjikë, është një nga fenomenet më të rrezikshme, që mund të krisë jo vetëm aleancën jetike të kombit tonë me miqtë strategjikë, por edhe të dëmtojë mbarëvajtjen historike të kombit tonë.
Duke shërbyer shumë vite në shërbimin diplomatik, kam pasur rastin të konstatoj një strategji të hollë dhe bizantine të diplomacisë serbe, e cila synon të krijojë të çara në marrëdhëniet dhe në aleancën e kombit shqiptar me Perëndimin. Helmi diplomatik serb konsiston në shpërndarjen e opinioneve se shqiptarët janë mosmirënjohës dhe se shqiptarët nuk janë miq të besueshëm. Serbisë i ka interesuar dhe i intereson izolacionizmi shqiptar. Ndaj shtetet shqiptare, qeveritë shqiptare, diplomacitë shqiptare, partitë politike shqiptare, etj. duhet të ndërgjegjësohen për kurthin e strategjisë serbe të distancimit të shqiptarëve nga miqtë e tyre strategjikë.
Kombi shqiptar, Shqipëria dhe Kosova, kanë nevojë t'i mbajnë fort miqtë strategjikë, të cilët u rreshtuan me ta në vitet e fundit të shekullit të kaluar. Sidomos ata që qeverisin në Prishtinë dhe në Tiranë kanë përgjegjësi historike për fatet dhe për forcimin e pareshtur të miqësive me këta miq strategjikë.

Babai i Barak Obamës ishte spiun rus dhe komunist i përbetuar


description

“Ëndrrat për babanë tim të vërtetë”, kështu quhet filmi 95-minutash i Xhoel Gilbertit, në të cilin ai thekson se me fotografi të shumta, incizime dhe biseda “ka plotësuar vrimat e kujtimeve të Obamës”. Nëse Barak Obama mendon se të gjitha tregimet negative rreth të kaluarës së tij kanë përfunduar me interesimin e miliarderit Donald Tramp, atëherë ai rëndë ka gabuar. Obama nuk ia ka dalë që ta qetësojë atë aferë brenda natës, e as dy muaj të plotë para se të përfundojë fushata e tij parazgjedhore edhe për një mandat në Shtëpinë e Bardhë është plasuar një tregim tjetër, kësaj radhe për “babanë e vërtetë” të presidentit.
Në fakt në “The New York Post” është publikuar një ofertë e paguar për shitjen e DVD me një film dokumentar, me titull “Ëndrrat për babanë tim të vërtetë”, në të cilin skenaristi dhe regjisori Xhoel Gilbert pohon se i ati i vërtetë i Barak Obamës, Frenk Marshall Dejvis, ishte lider i pastrisë komuniste të Amerikës dhe një spiun sovjetik. Në filmin 95 minutash përshkruhet se si djaloshi dhjetë vjeç, me miratimin e Frenk Marshall Dejvisit ka filluar të mësojë për dogmat marksiste si dhe që qëndrimet dhe idealet e tij janë formuar duke u bazuar në idetë komuniste, të cilat tani, derisa qëndron i ulur në zyrën ovale, po i aplikon në Amerikë.

Teoritë e ndryshme
Gjatë fushatës së parë presidenciale të vitit 2008, publiku kishte shtruar shumë pyetje rreth të kaluarës familjare të Barak Obamës, opinionet e tij ekonomike, si dhe themelin e ideologjisë së tij politike. Atëherë Obama kishte shkruar autobiografinë “Ëndrrat e babait tim”, duke ofruar teori të ndryshme rreth asaj se çfarë mund të presim nga presidenti i 44 i Amerikës. Filmi im hedh poshtë tregimet e tij dhe sjell të vërtetën e plotë”, tha autori Xhoel Gilbert. Filmi fillon me paraqitjen e ”babait të vërtetë të Obamës”, Frenk Marshall Dejvis. Faktet bazohen në dy vite hulumtim, me fotografi të shumta, incizime dhe me tentime për t’u mbushur zbrazëtirat e kujtimeve të Obamës nga fëmijëria. Frenk Marshall Devis (1905 – 1987) ishte anëtar i partisë komuniste në Amerikë (CPUSA), propagandist në Çikago dhe në Havai, punonte si shkrimtar dhe poet. FBI-ja e kishte përcjellë për plot 19 vjet dhe e kishte hetuar ndërsa që arkiva e tij prej 600 faqesh ruhet mirë nga FBI-ja. Shpejt ishte bërë i afërt me gazetarin Vernon Xharret, babanë e ish-gruas së këshilltares së Obamës, Valeri Xharret. Frenk Marshall Dejvis në vitin 1948 zhvendoset në Havai, ku filloi të shkruante për gazetën komuniste “Honolulu Record”.

Rusi, dhjetëra mijëra kundër presidentit rus Vlladimir Putin

description




Me mijëra mbështetës të opozitës realizuan një marshim në rrugët e Moskës, në atë që ishte manifestimi i parë madhor kundër Presidentit Putin në më shumë se tre muaj. Sipas partive opozitare, Putin manipuloi rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit dhe ato presidenciale të marsit, në të cilat ish-kryeministri fitoi mandatin e tretë në krye të Kremlinit. Putin pati shërbyer më parë si president në vitet 2000-08. Në parrullat e tyre, demonstruesit kërkuan gjithashtu lirimin e anëtareve të burgosura të grupit muzikor “Pussy Riot”. Dy aktivistë për të drejtat demokratike, Alexei Navalny dhe Boris Nemtsov i bënë thirrje turmës që të vazhdojnë të mbajnë nën presion qeverinë, “për ta detyruar atë që të respektojë të drejtat thelbësore njerëzore”. Manifestimi sfidoi një ligj të ri të propozuar nga Putin dhe të miratuar nga parlamenti, i cili rrit në mënyrë drastike gjobat për shkeljen e rregullave shtetërore mbi mbajtjen e protestave.

Rrëmbehet kopja e Sadam Huseinit

description

Një egjiptian, i cili është kopje e Sadam Huseinit, ka deklaruar se një bandë irakiane është përpjekur ta rrëmbejë atë dhe ta detyrojë të bëjë një film pornografik duke personifikuar diktatorin. Mohamed Bishr, nga Aleksandria, tha se grupi do ta shiste videon si filmim ekskluziv erotik të ish-liderit irakian. Ai tha se e kishin rrahur keq kur ai kishte refuzuar, edhe pse i ishin ofruar 333 000 dollarë. Myslimani i devotshëm tha se i kishin bërë telefonata kërcënuese. Javën e kaluar tre burra me kostume e kishin futur në një furgon. Duke folur nga spitali, Bishr tha për gazetën egjiptiane “Al-Ahram” se: “Tre burrat kishin armë në brez, më detyruan të dal nga makina ime dhe të shkoja në një minibus”. Gjëja e fundit që kujton, janë burrat që po i bërtisnin njëri-tjetrit, përpara se ai të hidhej nga minibusi dhe të godiste kokën. Sipas “The Times”, sulmuesit kishin theks irakian dhe sirian.

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...