Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/11/05

,,Kryengritja e Dervish Carës”


Në amfiteatrin e Rektoratit të USHT-së, sot u promovua libri “Kryengritja e Dervish Carës”, i akademikut Aleksandar Matkovskit, përkthyer në gjuhën shqipe nga profesori i USHT-së, Fatmir Sulejmani dhe i botuar nga ShB ,,Brezi 9”.

Në promovimin e kësaj vepre të rëndësishme për historiografinë shqiptare, merrnin pjesë drejtuesit e USHT-së, akademikët shqiptarë të ASHAM-it, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku, bashkëshortja e akademikut të ndjerë Aleksandar Matkovski dhe mysafirë të shumtë.

Rektori i USHT-së, Vullnet Ameti, duke i përshëndetur të pranishmit, theksoi se në angazhimet dhe veprimtarinë mësimore-shkencore libri ka qenë dhe mbetet një ndër shtyllat kryesore në veprimtarinë e Universitetit tonë. “Vetëm gjatë këtij viti kemi promovuar disa tituj librash po në këto ambiente, të autorëve të ndryshëm dhe nga fusha të ndryshme. Sot kemi rastin të jemi pjesëmarrës në një ngjarje kulturore pak sa më të veçantë, sepse bëhet fjalë për një libër i cili trajton një nga periudhat më të bujshme të historisë sonë kombëtare, dhe për një ngjarje për të cilën është shkruar dhe diskutuar shumë pak në historiografinë tonë”, tha në mes tjerash rektori i USHT-së, Vullnet Ameti, duke e përgëzuar me këtë rast profesorin Fatmir Sulejmani për përkthimin, redaktimin dhe përgatitjet tjera për daljen në dritë të kësaj vepre.

Për rëndësinë e kësaj vepre, por edhe për veprimtarinë atdhetare të Dervish Carës, foli edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku, i cili kryengritjen e këtij patrioti e vlerësoi si përpjekjen më të madhe çlirimtare të shqiptarëve, në shekullin XIX.

Ndërkohë, bashkëshortja e akademik Aleksandër Matkovskit, Poliksena Matkovska, falënderoi auditorin për nderin që i bëhet bashkëshortit të saj, duke e promovuar njërën prej veprave të tij kryesore, të ripërkthyer dhe plotësuar nga Fatmir Sulejmani.

Për veprën “Kryengritja e Dervish Carës”, folën studiuesit, Fehari Ramadani, Prorektor për arsim i USHT-së, Memli Krasniqi, nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe magjistri i Historisë, Ilir Memeti.

Kryengritja e Dervish Carës konsiderohet si përpjekja e parë, kur në vitin 1843 -1844 për trojet shqiptare u kërkua autonomi nga Perandoria Osmane.

“Atdheu - nënë Bija dhe familja”


Për akademik Pajazit Nushin historia e popullit dhe shtetit shqiptar është njëkohësisht edhe historia e trungut të familjes Vokshi. Akademik Nushi e ka thënë këtë në promovimin e librit monografik “Atdheu - nënë Bija dhe familja”, që i kushtohet familjes Vokshi.
Në një ceremoni të organizuar në sallën universale të Pallatit të Kulturës, emrin e të cilit e mban një nga anëtarët e kësaj familje Asim Vokshi, akademik Nushi ka thënë se kontributi patriotik i kësaj familjeje për liri dhe atdhe është i madh, ndërsa përfshin një periudhë 300-vjeçare.


“Gjatë gjithë shekujve të kaluar, trungu e familjes Vokshi ka sajuar trungun e fortë të lirimit të Shqipërisë dhe të mbrojtjes së lirisë kombëtare. Ky trung patriotësh ka lëshuar rrënjët e veta që nga shekulli XVII. Pra plot 300 vjet pjesëtarët e familjes Vokshi ka qenë në front të luftës për liri njerëzore e kombëtare, dhe mund të thuhet me plotë të drejtë se historia e popullit dhe e shtetit shqiptar, është njëkohësisht edhe historia e trungut familjar Vokshi”, ka thënë Nushi, me rastin e promovimit të kësaj monografie. Monografia është hartuar nga Hanëmshahe Ilazi, ndërsa është botim i shoqatës së intelektualëve “Jakova” në Gjakovë.
Nevila Nikaj, drejtoreshë e Arkivit shtetëror të Shqipërisë, në këtë promovim ka folur më shumë për takimet e saj me Bije Vokshin në Tiranë.
Ndërsa Vehap Shita një nga recensentët e librit, ka thënë se Bije Vokshi luftoi dhe u nderua në Shqipëri. “Një femër burrneshë shqiptare e cila edhe për të gjallë të saj, u bë simbol i qëndresës dhe i rezistencës shqiptare gjatë të gjitha periudhave të këtij shekulli.

“Jeta e re” vjen me numrin e dytë

Ka dalë nga shtypi numri i ri i revistës letrare “Jeta e re”. Në 376 faqe, numri i dytë i revistës së moçme përthekon emra të njohur të letrave, të huaj dhe shqiptarë.

Revista nis me prozën “Atdheu i verës” të nobilistit të sivjetmë për letërsi, kinezit Mo Yan. Prozat “Sende” e Gertrude Stein, “25 vjet martesë” e Karoly Mehes dhe “Apokalipsi i shpirtit” e Mexhid Mehmetit janë të tjera që përfaqësojnë këtë zhanër të letërsisë, në numrin e ri të “Jeta..”.

Një intervistë me shkrimtarin amerikan Philip Roth, e realizuar për “The Paris Review”, në vitin 1984, nga profesoresha e letërsisë angleze në Universitetin e Oksfordit, Hermione Lee, po ashtu zë vend në numrin e ri të revistës. Rothit, sivjet i është ndarë çmimi “Princi i Asturias”.

Ndër emrat e shquar të letërsisë botërore, e që kanë zënë vend në faqet e këtij numri të “Jeta e re”, janë edhe poeti T. S. Eliot, kritikja kanadeze Linda Hutcheon, studiuesi i madh gjerman Erich Auerbach, kritiku freng Antoine Compagnon, binjaket sensacionale Igor e Grichka Bogda, e të tjerë.

Poezi të poetit të shquar shqiptar, Ali Podrimja, tashmë i ndjerë, kritika e ese nga Artan Fuga, Harold Bloom e Gazmend Krasniqi, janë shkrime tjera që kanë zënën vend në këtë numër të revistës. Aty është edhe drama “Udhëtimi pa vizë i një alieni” e Bashkim Hoxhës.

Revista “Jeta e re” shpërndahet në Kosovë dhe Shqipëri.

Bashkimi kombëtar si një proces

Valon Murati
Nga Valon Murati


1.

Për shqiptarët në Kosovë dhe në viset e tjera të ish-Jugosllavisë vullneti dhe dëshira për bashkim kombëtar ka qenë pashmangshmërisht e lidhur me vullnetin dhe dëshirën për liri dhe çlirim. Pra sa herë kemi thënë liri e çlirim kemi menduar edhe bashkim kombëtar, dhe e kundërta, sa herë kemi folur dhe punuar për bashkim kombëtar, e kemi bërë sepse në të vërtetë ai ka qenë në shërbim të kauzës së lirisë dhe çlirimit. Andaj e kundërta e lirisë – robëria, e kundërta e çlirimit – pushtimi, së bashku me copëtimin e tokave shqiptare kanë krijuar trinomin të cilit edhe i vetëm ka mundur t’u qëndrojë koncepti i bashkimit kombëtar. Fotografia ka qenë gati se bardhë e zi. Në njërën anë pushtimi, robëria, pra Serbia dhe në anën tjetër liria, përpjekjet për çlirim, pra Shqipëria. Dhe zgjidhja ka qenë e thjeshtë në të tilla rrethana. Sidoqoftë krahasuar me të kaluarën, kjo fotografi më nuk është bardh e zi. Situata ka ndryshuar me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, e sidomos pas vitit 1999, me çlirimin e Kosovës nga Serbia dhe më 2008 me pavarësimin e saj. Situata është ndryshuar dhe bërë më komplekse, sepse bashkimi nuk erdhi me lirinë dhe çlirimin. Pa hyrë më thellë në arsyet politike se pse kjo nuk ndodhi, është e mjaftueshme, të konstatojmë se ato na erdhën ndarazi nga bashkimi. Kështu që tani duke qenë se nga trinomi na u nda koncepti i bashkimit, duke qenë se Kosova u bë shtet por pa të drejtë bashkimi me Republikën e Shqipërisë, tërë procesi, ndonëse në rrethana më të relaksuara në jetën e përditshme (sepse për Kosovën erdhi liria), politikisht është ndërlikuar. Pra tani kur flasim dhe argumentojmë për bashkimin, nuk mund ta lidhim më me lirinë, e çlirimin, porse duhet të ndërtohen argumente që në planin e dobishmërisë dhe racionalitetit i tejkalojnë këto dy koncepte, por që sa i përket respektimit të vullnetit të popullit ende lidhen me vetëvendosjen. Sepse në mënyrë absurde për një sy neutral, por e qartë për njohësit e rrethanave, Kosova dhe qytetarët e saj, e që janë në shumicë shqiptarë, ndonëse e kanë fituar shtetin dhe pavarësinë, ende u mohohet vetëvendosja, e sidomos ajo e jashtmja. Pra tani, fotografia e çështjes shqiptare është me shumë ngjyra, madje edhe brenda një ngjyre kemi shumë nuanca.

2.

Shpesh shtrohet për diskutim se pse na duhet bashkim kombëtar, kur edhe ashtu shoqëria shqiptare në Kosovë dhe në Republikën e Shqipërisë kanë probleme në dukje më akute, e të cilat kërkojnë zgjidhje të shpejtë, siç janë sundimi i ligjit, funksionimi i demokracisë dhe institucioneve të pavarura, zhvillimi ekonomik, mirëqenia ekonomike dhe sociale, zhvillimi i arsimit etj. Madje vazhdohet me argumentimin se mos po rrezikohet projekti evropian i Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë me projektin e bashkimit. Për më tepër ky projekt vendoset si i kundërt me atë të integrimeve euroatlantike. Përgjigja më e logjikshme këtyre tezave do të ishte se në radhë të parë bashkimi nuk është në kundërshtim me sundimin e ligjit, demokracinë, zhvillimin e mirëqenien ekonomike. Përkundrazi, të gjitha gjasat janë që indikatorët në këto fusha do të pësojnë rritje në rast të bashkimit. Bashkimi, krijon një situatë tjetër edhe institucionale e edhe shpirtërore, krijon një stad të ri të zhvillimit kombëtar, që mund të japë zgjidhje për disa nga problemet në të cilat jemi mpleksur në një rreth vicioz në dy dekadat e fundit. Ndërsa në anën tjetër, projekti i bashkimit logjikisht nuk mund të shihet si i kundërt me procesin e integrimit evropian. Nuk ka gjë më të përputhshme për nga logjika politike dhe ekonomike, që atë që janë duke e bërë kombe të ndryshme të Evropës, në përpjekjen për ta konsoliduar një bashkësi të përbashkët ekonomike dhe politike me elemente shteti, të mos e bëjnë shqiptarët në mes vete (qoftë para se të futen në BE, por pse jo edhe pas futjes në të, në varësi të rrethanave politike). Së fundmi, duhet konstatuar se projekti evropian, pra ai i BE-së, si dhe projekti NATO, nuk janë projekte shqiptare. Ato janë projekte që ne shqiptarët nuk mundemi e as duhet t’i refuzojmë. Për më tepër nga ato ata duhet të përfitojmë maksimalisht si popull i vogël që jemi. Por në anën tjetër, këto projekte nuk janë të tilla në të cilat ne mund të ndikojmë. Pra janë projekte të të mëdhenjve, të cilat janë krijuar, mbahen gjallë e në këmbë për shkak të interesave të tyre. Gjithashtu kundërshtitë dhe kontradiktat e tyre edhe mund t’i dobësojnë e shkatërrojnë këto projekte. Pra nuk është në dorën tonë ta ruajmë apo forcojmë BE-në e NATO-n. Përderisa në anën tjetër bashkimi është projekt i yni (që normalisht edhe ky nuk mund të shihet jashtë kontekstit ndërkombëtar), është projekt që ne na forcon, fuqizon dhe barazon me të tjerët së paku në rajon. Si të tillë, do të jemi më të denjë edhe funksion të projektit evropian.

3.

Shpesh flitet për dallime të mëdha të krijuara në mes të shqiptarëve si pasojë e një ndarjeje të gjatë dhe jetesës në shtete të ndryshme. Ata që paraqiten si flamurtarë kundër idesë së bashkimit, i zmadhojnë dallimet e shkaktuara nga kjo ndarje dhe i shndërrojnë në argumentin e tyre kryesorë. Por si është realiteti? Realiteti besoj unë është shumë më kompleks dhe më i ndryshëm. Është e vërtetë se ndarja ka shkaktuar edhe dallime. Është e vërtetë se kjo ndarje ka krijuar stereotipe për njëri-tjetrin jashtë realitetit objektiv (para viteve 90’ të shekullit të kaluar stereotipet kanë qenë kryesisht pozitive në kuptimin që këndej nga Kosova Shqipëria është konceptuar si kopsht me lule, ndërsa koncepti për kosovarin në Shqipëri ka qenë ai i një kreshniku e malësori të ndershëm e burrëror). Këto stereotipe kanë marrë një konotacion negativ pas vitit 1990, kur shqiptarët filluan të takohen më shpesh, por në rrethanat e një konteksti të rëndë politik dhe socio-ekonomik si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Këto keqkuptime, kanë filluar të tejkalohen prej periudhës së luftës çlirimtare 1998-99, e sidomos gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s kur me qindra mijëra shqiptarë të Kosovës u strehuan në familjet vëllezërve e motrave në Shqipëri. Rritja e komunikimit në të gjitha nivelet, por sidomos në planin e kontakteve njerëzore pas luftës e sidomos pas ndërtimit e autostradës, ka vendosur baza krejt të tjera në marrëdhëniet në mes të shqiptarëve. Edhe në këtë rritje komunikimi, çdo herë si në çdo shoqëri do të ketë edhe konflikte e keqkuptime, por lakorja e marrëdhënieve po shënon vetëm maja pozitive. Komunikimi po e shtron rrugën e mirë, për eliminimin e dallimeve që kanë mundur të krijohen si pasojë e ndarjes. Ndërsa ndarja, asnjëherë nuk ka arritur të krijojë të çara aq të thella, sa të shndërrohet në diferencim kombëtar (ndonëse për këtë kanë punuar gjatë sidomos shovinistët serbë) e në krijimin e një identiteti të veçantë kombëtar për shqiptarët në Kosovë. Kjo shpjegohet edhe me faktin se projekti kryesor politik i shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë, përkatësisht atyre të pushtuar nga Serbia e më vonë Jugosllavia, ka qenë projekti i bashkimit me Shqipërinë. Ky projekt për të arritur qëllimin kryesor, ka ndryshuar taktikë dhe kërkesa në varësi të rrethanave, si kërkesa për republikë, e më vonë për pavarësi, por të gjitha këto janë parë në funksion të bashkimit. Duke qenë ky projekt udhërrëfyes i jetës së dhjetëra brezave, ka bërë që disa prej elementeve kombëtare si gjuha, simbolet, figurat kryesore kombëtare të jenë të njëjta. Personalisht tendencat për ndarje, e kundërshtim të bashkimit me lloj-lloj tezash (edhe të tilla si kush do ta ketë pushtetin në një Shqipëri të bashkuar, jugu apo veriu, Prishtina apo Tirana), i shoh si përpëlitje të mentalitetit fisnor e krahinor në shoqërinë shqiptare. Puna për bashkim, është luftë për mposhtjen e këtij mentaliteti, që janë mbetje e dromca të feudalizmit në shoqërinë tonë, kur fisi e krahina qëndron mbi kombin e shtetin. Mposhtja edhe njëherë e këtij mentaliteti (që u luftua aq shumë nga rilindësit dhe krijuesit e shtetit shqiptar), do të thoshte edhe konsolidimin përfundimtar të kapitalizmit e demokracisë në shoqërinë tonë, të cilat asnjëherë deri më tani nuk u instaluan në plotninë e tyre në shoqërinë shqiptare.

4. Tani do t’i shtroja tri pyetje themelore kur flasim për bashkimin, dobinë e tij dhe mundësinë që ai të realizohet.

Së pari duhet shtrohet pyetja më e lehtë. A ka qenë padrejtësi historike dhe njerëzore ndarja e shqiptarëve në vitin 1913, atëherë kur ajo ka ndodhur me Konferencën e Londrës e si rezultat i Luftërave Ballkanike? Në këtë pyetje gati se përgjigja konsesuale edhe e atyre që janë kundër bashkimit është se Po, ndarja ka qenë një padrejtësi e madhe. Sidoqoftë një rregullim i një padrejtësie historike nuk do të thotë domosdoshmërisht edhe nevojë dhe dobishmëri për ta rregulluar atë. Andaj pyetja e dytë që duhet shtruar është se projekti i bashkimit kombëtar a është i dobishëm dhe i nevojshëm? Të gjitha analizat politike, ekonomike dhe të sigurisë besoj unë do të dëshmonin domosdonë e bashkimit. Krijimi i një tregu më të madh dhe ekonomie të përbashkët, do të thoshte mundësi më e madhe për konsolidimin e prodhimit vendor, mundësinë e tij për të përballuar konkurrencën në kushtet e një tregu të lirë si dhe si rezultat zhvillim ekonomik dhe rritje të mirëqenies së qytetarëve si në planin ekonomik edhe atë social. Në planin politik një shtet më i madh dhe më i fuqishëm shqiptarë, do të krijonte mundësi të mëdha për një stabilitet më të madh të brendshëm, dhe do ta shndërronte në një faktor të patejkalueshëm politik në rajon dhe një partner shumë më serioz rajonal në procesin e integrimeve euroatlantike. Dhe në planin e sigurisë, një shtet i përbashkët do të thoshte mundësi më e vogël e rrezikimit të substancës shqiptare në Ballkan dhe krijimi i baraspeshës politike por edhe në planin e sigurisë sidomos me Greqinë dhe Serbinë, dy shtete me të cilat shqiptarët kanë pasur dhe ende kanë telashe. Një situatë e tillë do të krijonte mundësit që në pozita partneriteti edhe me këto shtete e popuj, të hapet një faqe e re e marrëdhënieve fqinjësore.

Dhe pyetja e tretë, që shpesh shtrohet si e para, duke e bllokuar shpeshherë debatin racional, e që është pyetja edhe më e rëndësishme në këto rrethana ka të bëjë me mundësinë dhe mënyrën e bashkimit. Pra a mundet të bëhet bashkimi dhe si mund të bëhet ai?

Duke qenë se ne operojmë brenda një konteksti të caktuar ndërkombëtar dhe kombëtar, në rrethanat aktuale, bashkimi nuk mund të ndodh me një të goditur, me një akt parlamenti, apo me një referendum si shprehje e vullnetit popullor. Jo, situata ashtu siç thamë më herët, nuk është më bardh e zi, dhe ajo shkon përtej vullnetit të popullit shqiptar dhe njëkohësisht përfshin në lojë shumë aktorë të tjerë të fuqishëm. Në radhë të parë duhet kuptuar se sot Kosova është shtet. Por jo çfarëdo shteti, por i tillë pa të drejtë vetëvendosjeje të jashtme dhe me një marrëveshje ndërkombëtare (Pakoja e Ahtisarit) që e ka krijuar kornizën ligjore dhe politike të këtij shteti (dhe që realisht e ka ndaluar bashkimin). Pra duhet rikujtuar, se ndonëse pavarësia dhe shteti janë vullnet i shqiptarëve të Kosovës, përmbajtja e kësaj pavarësie dhe këtij shteti, nuk është produkt i këtij vullneti. Çfarë duhet bërë në këto rrethana? A duhet të dorëzohemi dhe t’i çojmë duart nga projekti i bashkimit? Personalisht mendoj se jo, sepse kjo situatë nuk e ka bërë bashkimin të pamundur, por e ka shndërruar realizimin e tij në një proces. Ky proces përbëhet prej shumë hapave të vegjël e akteve të vogla.

Dy janë hapat kryesorë, të cilët e afrojnë bashkimin. Ata mund të bëhen njëkohësisht, por që jo domosdo janë të lidhura në periudhën afatshkurtër, por që janë pjesë e projektit në periudhën afatgjatë. Këto dy hapa janë: integrimi dhe zgjidhja politike për veriun e Kosovës dhe Luginën e Preshevës.

E para, pra procesi i integrimeve kombëtare e ndihmon shumë bashkimin (ndonëse nuk e zëvendëson atë, dhe jo domosdo integrimi përfundon me bashkim, sidomos jo nëse nuk është edhe integrimi pjesë e projektit politik të bashkimit), dhe njëkohësisht ndikon në tejkalimin e dallimeve dhe ndasive të krijuara gjatë ndarjes së gjatë. Realisht integrimi, ndihmon që bashkimi në planin institucional nesër të jetë sa më i lehtë, dhe jotraumatik. Këto integrime, pa asnjë pengesë politike nga faktori ndërkombëtar mund të ndodhin në shumë fusha.

Poshtë do të shkoqis disa nga fushat ku pa ndonjë problem, mund të ndërtohen politika bashkëpunimi të frytshme që mund të çojnë deri në integrim në ato fusha në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Në këtë drejtim procesi i integrimi evropian mund të jetë një lehtësues për integrimin kombëtar në fushat që do të trajtohen më poshtë. Ato fusha janë: harmonizimi i legjislacionit, integrimi ekonomik (deri në bashkimin ekonomik), telekomunikacioni (përdorimi i një prefiksi të përbashkët telefonik), politika e jashtme e përbashkët, unifikimi i sektorit të energjisë, politika e përbashkët e sigurisë, sistem i integruar i arsimit, politikat e përbashkëta në kulturë, sport i integruar.

Dhe hapi tjetër është ai politik, përkatësisht është zgjidhja përfundimtare e çështjes shqiptaro-serbe. Çfarë do të thotë zgjidhje përfundimtare e çështjes shqiptaro-serbe? Me pavarësinë e Kosovës, ka përfunduar pjesa më e madhe e zgjidhjes së çështjes shqiptaro-serbe. Sidoqoftë ajo që ka mbetur e pazgjidhur në këto marrëdhënie, e kanë bërë të pamundur që shteti i Kosovës dhe qytetarët e saj të kenë të drejtën edhe të vetëvendosjes së jashtme, përkatësisht të së drejtës për bashkim me Shqipërinë. Duhet kuptuar se Pakoja e Ahtisarit e cila sot është pjesë përbërëse e Kushtetutës së Kosovës, në planin funksional Kosovën e bën një shtet me shumë të meta dhe gati-gati e bën shtet të gjymtë. Me këtë plan, çelësat e funksionimit të Kosovës i janë dhënë pakicës serbe. Asnjë ndryshim në Kushtetutë, nuk mund të ndodhë pa pëlqimin e 2/3 të deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës. Kjo nënkupton, se me këtë kornizë juridike dhe politike, asnjëherë Kosova nuk mund ta heqë qafe nenin 1.3 që e ndalon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Andaj në këto rrethana, na duhet një zgjidhje e re politike, për atë që thamë çështje shqiptaro-serbe. Cilat janë problemet reale në mes të dy shteteve? Përtej faktit se Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, problemet e serbëve në tri komunat në veri të Kosovës: Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan janë një problem real politik i Kosovës. Në anën tjetër në të njëjtën situatë janë edhe shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në atë që njihet si Kosova Lindore ose Lugina e Preshevës. Andaj dialogu politik në mes të dy vendeve, që do të duhej të përfundonte me aplikimin e standardeve të njëjta për të dy popullsitë do të shtronte rrugën për zgjidhjen e problemit shqiptaro-serb. Në një situatë më të relaksuar aplikimi i standardeve të njëjta do të mund të dërgonte edhe në ridefinimin e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë duke u bazuar në vullnetin e popullsive përkatëse. Çfarëdo marrëveshje nuk do të duhej të përfshinte pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës nga ku 12.000 shqiptarë janë dëbuar në vitin 2000. Para çfarëdo zgjidhjeje për atë pjesë të qytetit të Mitrovicës do të duhej të ndodhte kthimi i shqiptarëve atje.

Pra po qe se do të arrihej që të zgjidhej situata në veri të Kosovës dhe në Luginën e Preshevës duke zbatuar parimin e reciprocitetit, do të krijohen rrethanat për një marrëveshje të re politike në mes të Kosovës dhe Serbisë, gjë që do të sillte deri tek rënia e parimeve të Pakos së Ahtisaarit dhe rrjedhimisht edhe ndalesës për bashkim me Shqipërinë. Vetëm atëherë do të mund të fillonim debatin serioz brenda botës shqiptare pro dhe kundër bashkimit. Vetëm atëherë do të krijoheshin mundësit reale që të zbatohej vullneti i qytetarëve të Kosovës për vetëvendosje deri në bashkim kombëtar.

(Ky prezantim është mbajtur në Tiranë para studentëve dhe pedagogëve të universitetit “Vitrina”)

2012/11/04

NË GJURMË ANALIZASH PËR REFORMËN E ARSIMIT TË LARTË


    Prof.Dr.sci. Eshref Ymeri


U bënë disa muaj që po vazhdojnë analizat dhe diskutimet për reformën e arsimit të lartë. Këto analiza dhe diskutime rreth të mirave që sjell reforma në fjalë, kanë tërhequr vëmendjen e mbarë opinionit publik. Dhe kjo është e kuptueshme. Shqetësimi i të gjithë qytetarëve në tërësi dhe i familjeve shqiptare në veçanti vjen e reduktohet në një pyetje të vetme: cilat janë mënyrat dhe rrugët më të efektshme të përgatitjes sa më të mirë të kuadrove të larta, nga radhët e të cilave do të dalin jo vetëm specialistë të shumë fushave të dijes, por edhe breza politikanësh të së ardhmes?

Nënkuptohet që niveli i arsimit të lartë nuk mund të merret i shkëputur nga niveli i zhvillimit të përgjithshëm ekonomiko-shoqëror të vendit. Dihet që në kushtet e diktaturës komuniste, edhe arsimi i lartë do t’u nënshtrohej po atyre ligjësive që ishin karakteristike për të gjitha sferat e jetës shoqërore. Por ndryshimet që ndodhën në jetën e vendit tonë fill pas përmbysjes së sistemit komunist dhe vendosjes së sistemit pluralist, nuk u pasuan me ndryshime të menjëhershme edhe në mënyrën e ngritjes së strukturave drejtuese të universiteteve tona. Kësisoj, mënyra e ngritjes së këtyre të fundit, për inerci, vazhdoi të mbetej po ajo që kishte mbizotëruar edhe në kushtet e diktaturës komuniste: edhe rektorët, edhe dekanët, edhe përgjegjësit e departamenteve vazhdonin të ishin të emëruar, një praktikë kjo që mbeti në fuqi edhe për disa vjet, me të vetmin ndryshim që tashmë emërimet e personave të lartpërmendur bëheshin në varësi të ngjyrës që mbizotëronte në parlamentin shqiptar. Pra, universitetet, fatkeqësisht, nuk mundën të mbeteshin jashtë ndikimit të politikës. Por nënkuptohet që ndryshimet e mëdha që duhej të përballoheshin në tërë jetën ekonomike të vendit pas vendosjes së sistemit pluralist, nuk mundën të pasqyroheshin vrulltazi edhe në ngritjen e strukturave drejtuese të universiteteve. Prandaj, dora-dorës, vazhdoi tradita e vjetër e drejtimit të tyre, me emërime.

Vetëm me fillimin e vitit akademik 1999-2000 u mendua për të kaluar në sistemin me zgjedhje të strukturave drejtuese të universiteteve, me një mandat trevjeçar të titullarëve të tyre. Zgjedhjet e fundit të këtyre strukturave u bënë në dhjetorin e vitit 2002 (për shefat e departamenteve) dhe gjatë janarit dhe shkurtit të vitit 2003 për dekanët dhe rektorët.

Koha e kalimit në sistemin me zgjedhje të strukturave drejtuese të universiteteve përkoi me mandatin e pushtetit të partisë socialiste. U krijua përshtypja sikur kalimi në ngritjen e strukturave drejtuese të universiteteve me sistemin me zgjedhje, do t’i çlironte universitetet nga ndikimi i politikës. Por, çuditërisht, nuk ndodhi kështu. Me rastin e hapjes së fushatës së zgjedhjeve në vjeshtën e vitit 2002, vetë ish-kryeministri socialist Nano “lëshoi kushtrimin”: t’i fitojmë zgjedhjet në universitete! Për pasojë, fill pas shpalljes së fushatës zgjedhore në universitete, nëpër mjediset e këtyre të fundit, siç thekson me shumë të drejtë profesori Tupja, “populizmi u shfaq sheshit.., praktikat populiste qenë vepër e atyre që aspironin për këto poste dhe që kopjuan jo pa dashje dhe as rastësisht… modelin e zgjedhjeve politike; kështu, demokracia e Opinionit u vu mbi demokracinë e Dijes” (“Standard”, 22 tetor 2006, f.20).

Periudha tetëvjeçare e qëndrimit të Partisë Socialiste në pushtet u karakterizua nga një mësymje e gjithanshme e korrupsionit në shumë struktura të shtetit shqiptar. Dihet fare mirë se në një vend me nivel të lartë korrupsioni, edhe treguesit e varfërisë do të zbresin gjithnjë e më poshtë. Kështu, në një botim të INSTAT-it për varfërinë, të gushtit të vitit 2005, thuhej se “një e katërta e popullsisë apo 790 mijë njerëz janë të varfër. Kjo shifër i korrespondon 25,4% të popullsisë që jeton nën linjën e varfërisë, e përcaktuar 4981 lekë për frymë në muaj. Treguesit flasin për 150 mijë persona, rreth 5% e popullsisë, që jetojnë në varfëri ekstreme dhe nuk plotësojnë as nevojat për t’u ushqyer” (“Ekspres”, 7 gusht 2005, f.5). Ndërkohë, në një raport të Qendrës për Kërkime Sociale pranë Institutit Kombëtar të Statistikave, mbështetur nga UNICEF, theksohej se “293 mijë fëmijë jetojnë nën nivelin minimal të varfërisë” (“Tema”, 5 tetor 2005, f.9). Kurse në bazë të të dhënave të Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve, e cila i ishte referuar raportit të Transparencës Ndërkombëtare, Shqipëria renditej në vendin e 126 “për nivelin e lartë të korrupsionit në botë dhe në vendin e fundit në Evropë” (“Albania”, 19 tetor 2005, f.2).

Në kushtet e një korrupsioni të përmasave kaq të frikshme në strukturat e shtetit shqiptar, edhe mjediset e universiteteve vështirë se do të mund të mbeteshin pa u infektuar nga virusi i tij. Pikërisht për dukuri korruptive nëpër universitete, janë bërë analiza dhe komente në mjetet e komunikimit pamor dhe të shkruar. Mes analizave të atyre që kohë pas kohe kanë shprehur pikëpamjet e veta për dukuri të korrupsionit nëpër universitete, korrupsion që çoi edhe në një krizë të tyre institucionale, krahas shqetësimeve të profesorëve të tjerë, më kanë rënë në sy edhe shqetësimet e profesorit të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, Edmond Tupja. Pikëpamja ime është se të drejtën qytetare për t’u rreshtuar në krahun e pjesës më të shëndoshë të profesoratit të universiteteve, në luftën që ky i fundit zhvillon kundër korrupsionit, e kanë vetëm ata pedagogë dhe ato pedagoge që, së pari, vetë janë për t’u marrë si shembull për qëndrimin që mbajnë ndaj punës dhe, së dyti, që vetë dallohen për një integritet të admirueshëm moral, që vetë janë model i korrektësisë jo vetëm në marrëdhëniet që kanë ndërtuar me djemtë studentë dhe me vajzat studente, por edhe në marrëdhëniet që kanë ndërtuar me kolegët dhe me koleget e tyre. Duke e gjykuar figurën e profesorit të universitetit nga ky këndvështrim, e them me bindje të plotë se profesori Tupja, ashtu si edhe shumë e shumë kolegë të tij, është model i qëndrimit ndaj punës dhe model në ndërtimin e marrëdhënieve korrekte me masën e studentëve dhe me kolegët e tij. Njohja me profesorin Edmond Tupja që prej vitit 1972 dhe marrëdhëniet miqësore që kemi ndërtuar së bashku ndër vite, qoftë si pedagogë-kolegë në Fakultetin e Gjuhëvë të Huaja të Universitetit të Tiranës, qoftë si përkthyes në ish-Shtëpinë Botuese “8 nëntori”, më kanë bindur një herë e mirë për dy tiparet e lartpërmendura që janë mbizotëruese në karakterin e tij: pra, për qëndrimin model ndaj punës dhe për ndërtimin e marrëdhënieve korrekte me studentët dhe me kolegët.

Gjatë verës që kaloi, kur ndodhesha për një vizitë te fëmijët e mi në SHBA, përmes internetit u njoha me një artikull-analizë të zotit Mark Marku që titullohej “Kundër retorikës përgjithësuese të luftës antikorrupsion”, botuar në gazetën “Shekulli” të datës 10 korrik. Në analizën e vet zoti Marku shqetësohej me të drejtë lidhur me përmbajtjen e një projektligji për arsimin e lartë që u qenkej paraqitur universiteteve për diskutim në javën e parë të muajit korrik, një projektligj ky, në të cilin cenohej autonomia universitare dhe rekomandohej zëvendësimi i zgjedhjeve me emërime. Jam plotësisht i një mendimi me zotin Marku që “korrupsioni nuk luftohet duke luftuar demokracinë”. Të njëjtën pikëpamje ndaj me të edhe për faktin që zëvendësimi “i të zgjedhurve me të emëruar është gjëja më e papërshtatshme, pasi deri tani është e dëshmuar se korrupsion ka si tek të zgjedhurit, ashtu edhe tek të emëruarit”. Veçse këtu dëshiroj të theksoj se në artikujt, analizat apo intervistat e profesorëve Artan Fuga, Dhori Kule, Ismail Hoxha, Edmond Tupja, Klara Lagji, Nikoleta Mita etj. asnjëherë nuk është thënë se na qenka fajtore demokracia për ekzistencën e korrupsionit nëpër universitetet shqiptare. Përkundrazi, artikujt, analizat dhe intervistat e tyre përshkohen fund e krye nga ideja se korrupsioni nëpër universitetet tona është pasojë e keqpërdorimit të demokracisë nga ana e strukturave të tyre drejtuese.

Në analizën e vet zoti Marku ngrihet kundër atyre artikujshkruesve që nxijnë realitetin e mjediseve universitare për shkak të korrupsionit që vihet re aty. Ama vetë zoti Marku e pranon që “dukuritë korruptive në universitete, ashtu si edhe në të gjithë shoqërinë, janë evidente, të neveritshme dhe të dënueshme”, dukuri këto, që, siç e thekson ai me të drejtë, “nuk vijnë për shkak të demokracisë”. Atij i bën përshtypje që në disa shkrime kritike për dukuritë e korrupsionit nëpër universitete, këto të fundit vlerësohen si “çerdhe të korrupsionit (gjë që është pjesërisht e vërtetë)”, siç thotë ai. Unë pajtohem në këtë pikë me zotin Marku për faktin e vërtetë që kurrsesi nuk mund ta quash të korruptuar tërë masën e profesoratit të universiteteve tona. Por unë në asnjërin nga artikujt, analizat apo intervistat e profesorëve të lartpërmendur nuk kam gjetur ndonjë rresht, ku tërë masa e profesoratit të universiteteve të etiketohej si e korruptuar. Madje profesori Tupja, në kumtesën e vet me titull “Kriza morale në universitete”, të mbajtur në mbledhjen e Kolegjit të Profesorëve, të zhvilluar më 18 prill 2006, në mjediset e Tirana International Hotel, tha se “kolegët e mi të ndershëm… nuk janë pak” (“Panorama”, 21 prill 2006). Por si i bëhet hallit kur nofka e të korruptuarit vjen e i ngjitet padrejtësisht edhe pjesës më të madhe dhe më të shëndoshë të këtij profesorati? Si i bëhet hallit kur ndodhemi para mendësisë së një opinioni të gjerë shoqëror që nuk i shpëton dot ndikimit të asaj fjalës së urtë që thotë se një mollë e kalbur prish gjithë shportën, apo të asaj tjetrës, sipas së cilës një dru e shtrembër prish gjithë stavën?

E kuptoj shqetësimin e zotit Marku, që, në artikujt e disa autorëve, sipas tij, nuk jepen zgjidhje apo alternativa për të shpëtuar nga korrupsioni në universitetet tona. Ndërkohë, profesori Tupja, po në kumtesën e lartpërmendur, shtron kërkesën që “qeveria, komisioni parlamentar i arsimit, MASH-i, kolegët e mi të ndershëm… në mbarë universitetet e Shqipërisë, organizatat sindikale e studentore, qeveria studentore, shoqëria civile, madje edhe biznesi i ndershëm, të ndërgjegjësohen dhe të ulen rreth një, dy, tri a më shumë tryezash të rrumbullakta për të diskutuar e për t’ia nxjerrë qelbin kësaj lunge…” (po aty). Por ama edhe vetë zoti Marku mbetet brenda kuadrit të kritikës dhe nuk jep as rekomandime, as zgjidhje apo alternativa. Atij i bën përshtypje që në ato shkrime nuk jepen fakte konkrete për individë të korruptuar në universitete. Në kumtesën e lartpërmendur të profesorit Tupja flitej për realitete të prekshme dhe për mjedise konkrete, ku ia bën mu se ku drejtohet tehu kundër korrupsionit! Megjithatë, mendoj se disa fakte për ekzistencën e një korrupsioni të frikshëm në universitetet tona kanë qenë tepër të njohura nga ana e opinionit të gjerë shoqëror dhe s’ishte nevoja që ato të përmendeshin edhe nga autorë artikujsh të ndryshëm. Këto fakte me siguri që duhet t’i kenë rënë në sy me kohë edhe zotit Marku. Po mjaftohem vetëm me përmendjen e dy fakteve të tilla.

Së pari, kanali televiziv “Top channel”, në shtatorin e vitit 2005, zbuloi vjedhjen e tezave të konkursit që do të organizohej në Fakultetin e Drejtësisë. Rezultoi që qenkeshin vjedhur dhe shitur 140 teza, me nga 700 mijë lekë (të reja) secila. Problemi i kaloi prokurorisë për zbulimin e së vërtetës, por “e shkreta” e vërtetë nuk ka dalë në shesh deri sot e kësaj dite. Vjedhja e tezave të konkursit të sipërpërmendur vërtetoi fare sheshit se korrupsioni në Universitetin e Tiranës ishte bërë sa arrogant aq edhe agresiv, derisa arriti të ndërmerrte një hap të till të kuturisur. Siç duket, korrupsioni në universitete nuk mund të mbetej as edhe një hap të vetëm prapa korrupsionit që kishte mbytur struktura të tëra shtetërore të kohës së qeverisjes socialiste. Njerëzit që i kishin në ruajtje tezat e atij konkursi ishin dhe janë njerëz konkretë. Por publikut të gjerë nuk iu bënë kurrë të njohur emrat e tyre. Pjesa më e shëndoshë, më e pakorruptuar e profesoratit të Universitetit të Tiranës a ka të drejtë të dyshojë që korrupsioni në mjediset e tij e kishte bërë me kohë gati “grason” për lyerjen “qerreve”, që nga Fakulteti i Drejtësisë, rektorati e deri në prokurori? Më e pakta që duhej të bënte dekani i Fakultetit të Drejtësisë, prof.dr.Kudret Çela, duhej të kishte qenë dorëheqja e tij e menjëhershme. Me e pakta që duhej të kishte bërë rektori i Universitetit të Tiranës, prof.dr.Shezai Rrokaj, duhej të kishte qenë pezullimi i menjëhershëm nga detyra i dekanit të Fakultetit të Drejtësisë. Por as njëri as tjetri nuk e ndërmori hapin përkatës. Atëherë, pjesa më e shëndoshë, më e pakorruptuar e profesoratit të Universitetit të Tiranës a ka të drejtë t’ia shtrojë vetes pyetjen e mëposhtme: pas vjedhjes skandaloze të tezave të konkursit në Fakultetin e Drejtësisë, dekanit të këtij fakulteti a iu vu në pikëpyetje integriteti moral? Po rektorit të Universitetit të Tiranës, që nuk e pezulloi dekanin në fjalë, a iu cënua integriteti moral?

Së dyti, gjatë një konference shtypi që zëvendësministrja e Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, zonja Gjoni, dha në muajt e parë të vitit 2006, theksoi se pas kontrolleve financiare që ajo ministri kishte ushtruar nëpër universitetet e vendit, rezultonte se disa dekanë qenkeshin vetëshpërblyer me nga pesëmbëdhjetë rroga. (Madje një pedagog i njërit nga universitetet e jugut të vendit, me të cilin u takova rastësisht në Tiranë para do ditësh, më tha shprehimisht: “Rektori ynë është vetëshpërblyer me njëzet rroga!”). Ky është një tjetër fakt skandaloz që vërteton përsëri se sa e shtrenjtë është ajo autonomia financiare për disa rektorë universitetesh dhe dekanë fakultetesh (siç e kuptojnë ata), të cilët paratë e studentëve që kullojnë gjak dhe djersë apo edhe paratë e shtetit që i sigurojnë përmes tenderave që organizojnë, u ngjajnë si ujët e detit që nuk zbrazet kurrë me kova. Do të kishte bërë mirë zonja Gjoni sikur t’i kishte përmendur me emra këta dekanë të korruptuar, këta të ashtuquajtur profesorë që na qenkan shndërruar në lubi të parasë, në mënyrë që ata të shkarkoheshin një sahat e më parë dhe në vend të tyre të komandoheshin të tjerë. Nuk e di se cila ka qenë arsyeja që Ministria e Arsimit dhe e Shkencës nuk i ka bërë publikë emrat e këtyre dekanosaurëve (siç i etiketon me shumë të drejtë profesori Tupja) që ende vazhdojnë të qëndrojnë në postet e tyre padrejtësisht. Mos vallë në këtë mes kemi të bëjmë me probleme të përkatësisë së heshtur partiake të njërit apo tjetrit dekan?

Duke e vlerësuar si shumë të rëndësishme deklaratën e zonjës Gjoni, a nuk do të ishte e arsyeshme të sugjerohej që Komisioni i Kontrollit të Pasurisë të mos mjaftohej vetëm me kontrollin e pasurisë së politikanëve, por ta shtrinte atë edhe më poshtë, deri edhe në strukturat drejtuese të universiteteve, madje deri edhe te pedagogët e këtyre universiteteve, një pjesë e të cilëve, në dallim nga pjesa dërrmuese e tyre, janë majmur ca si tej mase, gjë që bie në sy nga apartamentet që kanë siguruar në bregdet? Duhet pranuar se edhe pedagogët e universiteteve janë persona publikë, prandaj edhe ata duhet t’i nënshtrohen kontrollit të pasurisë.

Në analizën e vet zoti Marku nënvizon se mes atyre që shkruajnë kundër korrupsionit në universitete, “gjen ca njerëz të paaftë, të korruptuar, të cilët e përdorin luftën kundër korrupsionit për arsye thjesht propagandistike në dispozicion të ambicieve personale për të zënë poste drejtuese në universitet”. Dhe mes tyre, si prototip, ai merr profesorin Edmond Tupja, pa e përmendur me emër. Në rastin e profesorit Tupja, zoti Marku i lejon vetes fyerje dhe shpifje të rënda, të cilat nuk i shkojnë për shtat një njeriu të pashkolluar, e jo më një njeriu me gramë. Shpifja asnjëherë nuk mund të merret si argument. Në rastin e profesorit Tupja, fjalët e sapocituara të zotit Marku janë kryekëput larg së vërtetës. Dhe kjo për tri arsye.

Së pari, profesori Tupja është një pedagog shumë i zoti, me një përgatitje shkencore për ta pasur zili, një metodist i përkryer dhe me aftësi të lakmueshme për komunikimin me studentët në auditor. Ai është një përkthyes i talentuar dhe një interpret i shkëlqyer.

Së dyti, profesori Tupja nuk mund të përfshihet kurrsesi në sërën e pedagogëve të korruptuar në Universitetin e Tiranës. Për pastërtinë e figurës së tij, si pedagog, janë dëshmitarë qindra e qindra studentë të tij dhe kolegët e Departamentit të Gjuhës Frënge në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës. Profesori Tupja asnjëherë nuk i ka lejuar vetes të hyjë në “marrëdhënie financiare” me studentët e vet dhe gjithmonë, sa herë që i qëllon të takohet rrugëve të Tiranës apo gjetiu me ata që u ka dhënë mësim dikur, pra, me ish-studentët e vet, ai i vështron drejt e në sy, se vazhdimisht ka qenë ballëlart në komunikimin me ta. Ndoshta mund të jetë ndokush tjetër nga kolegët e tij që nuk guxon t’i shikojë drejt e në sy ish-studentët e vet, për shkak të marrëdhënieve jo korrekte që ka pas ndërtuar me ta. Ku ta dish, e vërteta një ditë mund të dalë edhe në dritën e diellit. Se e vërteta mënon, por nuk harron. Se ajo është “e çalë” dhe vjen ngadalë.

Së treti, profesori Tupja nuk mund t’i përkasë në asnjë mënyrë kategorisë së njerëzve karrieristë. “Virusi” i karrierës zakonisht vjen e shfaqet që kur njeriu është në moshë të re. Por që të bëje karrierë në kushtet e sistemit komunist, duhej që domosdo të pranoheshe në parti. Se në ato kushte, nëse nuk ishe komunist dhe syrin e kishe për karrierë, nuk mund të pretendoje më shumë sesa posti i kryetarit të organizatës së bashkimeve profesionale. Por profesori Tupja asnjëherë nuk pati bërë kërkesë për t’u pranuar në radhët e Partisë së Punës. Përkundrazi, ndonjë koleg i tij ishte ai që pati bërë kërkesë për t’u pranuar në radhët e asaj partie. Madje kërkesa iu mor parasysh dhe ai duhej të fillonte edhe stazhin e kandidatit të partisë në prodhim, por uragani i rinisë studentore, që shpërtheu në dhjetor të vitit 1990, solli pluralizmin në Shqipëri, i cili nuk ia dha kënaqësinë t’i shijonte “bukuritë” e stazhit të kandidatit të Partisë së Punës në akshamin e ekzistencës së saj. Profesori Tupja asnjëherë nuk ka synuar të zërë postin e përgjegjësit të Departamentit të Gjuhës Frënge në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, as kur ishte në fuqi sistemi me emërime, as kur u kalua në sistemin me zgjedhje, paçka se e ka merituar plotësisht atë post. Ai as që ka menduar të “lëvizë gurët” ndonjëherë për t’u zgjedhur anëtar i Këshillit Shkencor të Fakultetit. Ai asnjëherë nuk ka ushqyer ambicie për të zënë postin e dekanit të fakultetit, as më parë dhe as tani. Përkundrazi, kolegu i tij, prof.dr.Nonda Varfi, është ai, i cili gjatë fushatës zgjedhore të vitit akademik 2002-2003 “ra copë” që të bëhej dekan. Por natyra antikarrieriste e profesorit Tupja del edhe më shumë në pah kur njihesh me një të vërtetë të kulluar: kryetari i ish-opozitës, sot kryeministri i vendit, zoti Sali Berisha, para zgjedhjeve të 3 korrikut e ftoi atë të përfshihej në Komitetin e Orientimit të Politikave, një strukturë kjo që Partia Demokratike e krijoi që para fillimit të fushatës elektorale të vitit 2005. Dhe jam i mendimit që zoti Berisha e ftoi profesorin Tupja në atë strukturë, duke qenë i bindur plotësisht për natyrën antikarrieriste dhe karakterin e tij të pakorruptueshëm. Megjithatë, profesori Tupja nuk e pranoi propozimin e zotit Berisha.

Në fund të artikullit-analizë, zoti Marku, për ta bërë edhe më të spikatshëm mllefin e vet, i lejon vetes një guxim të tepruar, duke u futur madje edhe në probleme të brendshme, deri edhe në dramat familjare të profesorit Tupja. Kjo mënyrë të sulmuari kundër atij, me të cilin nuk kemi të njëjtat mendime, të kujton praktikat e Partisë së Punës, e cila, për t’i demaskuar kundërshtarët e vet, nuk lejonte përplasjen e pikëpamjeve të ndryshme, por fillonte e rrëmonte në biografinë e tyre familjare, për t’ua mbyllur gojën me dhunë. Më vjen keq që zoti Marku ende nuk qenka çliruar nga kujtimet e së shkuarës komuniste të vendit tonë. Drama familjare mund t’i ndodhin kujtdo. Askush nuk është i imunizuar prej tyre. Ama në një debat publik, që duhet të jetë intelektual, t’ia përmendësh kundërshtarit të mendimeve të tua dramat familjare që ai ka përjetuar, madje t’ia përmendësh jashtë çdo konteksti të debatit në fjalë, do të thotë që të kërkosh t’i mbyllësh gojën se s’bën, do të thotë që debatin intelektual ta katandisësh në nivelin e mjerimit intelektual.

Tani le t’i rikthehemi problemit të reformës së arsimit të lartë. Dhe konkretisht: strukturat drejtuese të universiteteve do të ngrihen me zgjedhje apo me emërime? Nëse do të ngrihen me zgjedhje, atëherë disa titullarë të tanishëm i kanë marrë të gjitha masat që t’i ruajnë postet e tyre nëpërmjet grupit të “shqytarëve” që kanë grumbulluar rreth vetes. Por edhe nëse do të kërkohet që titullarët e tanishëm të mos kandidojnë, përsëri ca titullarë universitetesh dhe fakultetesh, përmes klaneve që kanë krijuar gjatë këtyre katër vjetëve, janë përkujdesur me kohë që të zgjidhen “sozitë” e tyre. (Madje kanë “piketuar” njerëzit e tyre deri edhe për përgjegjës departamentesh). Kështu, fjala vjen, nëpër mjediset e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja qarkullojnë fjalë se dekani i tanishëm i atij fakulteti, prof.dr.Nonda Varfi, e ka zgjedhur tashmë “sozinë” e vet, në mënyrë që edhe paskëtaj, që nga prapaskena, të vazhdojë ta drejtojë fakultetin sikur të ishte vetë në krye të tij.

Por edhe ngritja e strukturave drejtuese të universiteteve me sitemin me emërime nuk e zgjidh problemin. Madje kjo mënyrë jo vetëm që cenon pavarësinë akademike të universiteteve, por edhe nuk i imunizon këto nga dukuritë e korrupsionit.

Po të shikohet problemi hollë, do të vërehet se titullarët e universiteteve, përfshirë edhe titullarët e fakulteteve, deri tani, qoftë në sistemin me emërime, qoftë në sistemin me zgjedhje, kanë pasur të njëjtat kompetenca, si edhe në kushtet e sistemit komunist. Në trajtimin e problemeve të mprehta, siç janë problemet financiare, qoftë këshillat shkencore të fakulteteve, qoftë senatet e universiteteve, kanë shërbyer thjesht si organe këshillimore të titullarëve përkatës. “Fati i financave” gjithmonë ka qenë në dorën e rektorëve dhe të dekanëve. Ndërsa njësitë bazë shkencore, siç janë departamentet, kanë qenë të zhveshur nga çdolloj e drejte për shfrytëzimin e drejtpërdrejtë të burimeve financiare të fakulteteve. Në të vërtetë, qoftë autonomia financiare, qoftë pavarësia akademike duhet të gjejnë mishërimin e vet pikërisht në departamentet e fakulteteve, se pikërisht këto janë njësitë bazë shkencore. Dikur u fol dhe u diskutua gjatë për shndërrimin e departamenteve në njësi shkencore me llogari më vete. Por nuk u bë asgjë. Rektorët dhe dekanët mbetën të plotpushtetshëm në administrimin e mjeteve financiare të universiteteve dhe të fakulteteve. Duke qenë të plotpushtetshëm në postet e tyre, rektorët dhe dekanët i kanë lejuar vetes vetëshpërblime skandaloze. Kur ish-kryeministri Fatos Nano vetëshpërblehej me pesë rroga në fund të vitit kalendarik, si të mos vetëshpërbleheshin tri herë më shumë disa dekanë të universiteteve? Se s’i thonë kot asaj fjalës së urtë: kur komandanti këput (vjedh) një kokërr mollë, ushtari do ta shkulë mollën me gjithë rrënjë.

Tani lind pyetja: kjo qeveria shqiptare, kjo Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, a kanë përgjegjësi, së paku, për mjetet financiare shumëmilionëshe që harxhojnë për mbajtjen më këmbë të mbarë universiteteve publike? A duhet, së paku, ta dijë qeveria shqiptare se si dhe ku harxhohen fondet që ajo jep, duke respektuar autonominë e tyre financiare? A i bën përshtypje asaj vetëshpërblimi i disa dekanëve me nga pesëmbëdhjetë rroga secili? A nuk ka rrezik që, me këtë mënyrë administrimi të mjeteve financiare të universiteteve, nesër-pasnesër të krijohet një mafie e fuqishme universitare që jo vetëm nuk do të çajë më kokën për çdolloj qeverie, por edhe do të kuturis t’i kundërvihet dhe madje ta rrëzojë, sa herë që do të tentohet të kontrollohen financat e saj?

Sot flitet shumë për autonomi dhe pavarësi institucionesh. Opozita, një takëm analistësh, demek, të pavarur dhe shumë organizata joqeveritare, po bien “theror” në mbrojtje të pavarësisë së institucioneve. Pra, gjithandej kërkohet që institucionet të jenë të pavarura. Madje edhe Akademia e Shkencave na është ngritur më këmbë në mbrojtje të pavarësisë së saj, paçka se puna e saj në “mbrojtje” të çështjes kombëtare shqiptare, ende të pazgjidhur në Evropën Juglindore, deri tani ka çuar ujë në mullirin e shovinizmit serbogrek dhe të ortodoksisë serbogreke. Pra, shumë institucione gjithandej kërkojnë të jenë të pavarura. Të jenë të pavarura nga qeveria, sigurisht. Pavarësisht se çdo fillim muaji të gjitha këto institucione u bëjnë “temena” parave të qeverisë që i tërheqin nga Banka e Shtetit Shqiptar. Po atëherë cili institucion u dashka të jetë i varur? Na rezultoka se i varur qenka vetëm një institucion në Shqipëri. Dhe ky institucion na qenka (mos u habisni, të dashur lexues) qeveria shqiptare! A është vënë re ndokund në botë një paradoks i tillë? Institucione që mbahen me buxhetin e qeverisë kërkokan të jenë të pavarura nga qeveria dhe nga parlamenti!

Atëherë cilat duhet të jetë zgjidhja, që të ruhet autonomia e universiteteve dhe të shmangen shfaqjet flagrante të korrupsionit? A nuk duhen kthyer sytë nga përvoja e pasur e shumë universiteteve të botës? Gjatë kohës që ndodhesha për vizitë në SHBA, u njoha me një profesor-kardiolog të Universitetit publik të Minnesotës, me të cilin djali im bashkëpunonte për një projekt në fushën e mjekësisë. U interesova të mësoja diçka prej tij për strukturat drejtuese të atij universiteti. Prej tij mësova se atje funksiononin dy struktura, në bashkëpunim të ngushtë me njëra-tjetrën, por krejtësisht të pavarura nga njëra-tjetra: struktura akademike dhe struktura financiare. Në strukturën akademike titullarët përzgjidheshin pas seleksionimit që u bëhej kandidaturave të ndryshme që paraqiteshin për konkurrim. Përzgjedhjen e bënte një bord i posaçëm që caktohej nga shteti, i cili kërkonte nga kandidatët që ata të ishin të njohur jo vetëm për autoritetin e tyre shkencor, por edhe për integritetin e tyre moral. Madje ky lloj integriteti ishte parësor në përzgjedhjen e titullarit. Titullarët e strukturave akademike ndiqnin procesin mësimor, përgatitjen shkencore të pedagogëve, punësimin e të rinjve nëpërmjet një konkursi të rreptë me dosje, mbrojtjen e gradave dhe marrjen e titujve shkencorë.

Kurse në krye të strukturave financiare zgjidhej një bord që kishte në krye një drejtor ekzekutiv të emëruar nga shteti. Ky drejtor, në marrjen e vendimeve për shpenzimin e mjeteve financiare, duhej të kishte detyrimisht pëlqimin e të gjithë anëtarëve të bordit. Ky bord ndiqte edhe bashkëpunimin e universitetit me kompani të ndryshme për shitje projektesh këtyre të fundit dhe sigurimin e burimeve të tjera financiare. Të ardhurat nga shitja e këtyre projekteve bordi i administronte në universitet në mënyrë të pavarur dhe i jepte llogari grupit të kontrollit financiar që funksiononte brenda universitetit.

Të dhënat që më dha profesori i Universitetit të Minnesotës m’u dukën mjaft interesante dhe prandaj vendosa t’ua bëj të njohura edhe lexuesve të kësaj gazete shumë të respektuar. Se në universitetet tona, fatkeqësisht, flitet shumë për autonomi financiare dhe tërë shqetësimi i titullarëve të tyre, që nga rektoratet e deri në fakultete, vërtitet vetëm në një pikë: si e si të mos i lëshojnë nga duart financat, sigurisht, edhe për t’i keqpërdorur ato, siç edhe i kanë keqpërdorur, siç theksonte zonja Gjoni. Përqendrimi i financave në duart e këtyre titullarëve ka bërë që disa prej tyre të shndërrohen në njerëz arrogantë, të plotpushtetshëm, të cilët kanë grumbulluar rreth vetes njerëz të paaftë, servilë dhe hipokritë, që nuk u intereson dhe aq fort mbarëvajtja e procesit mësimor. Prandaj kam mendimin që edhe në universitetet tona strukturat akademike duhet të jenë të ndara nga strukturat financiare. Rektorët dhe dekanët duhet të merren vetëm me jetën akademike të universiteteve. Në të kundërt, në qoftë se do të vazhdohet e njëjta praktikë, si deri tani, korrupsioni do të jetë i pranishëm dhe kërcënues në mbarë universitetet tona.

Me sa jam në dijeni, zgjedhjet e strukturave drejtuese akademike në universitete, sipas projektligjit të arsimit të lartë që pritet t’i përcillet parlamentit për diskutim, do t’u bëkan përmes një votimi të gjerë, ku do të marrkan pjesë të gjithë: që nga pastrueset e fakulteteve, studentët e kurseve të para, e deri te profesorët. Dëshiroj t’i bëj thirrje kryeministrit Berisha, ministrit Pollo dhe deputetëve të parlamentit që të heqin dorë nga kjo praktikë e shëmtuar populiste dhe të marrin shembull nga praktikat e universiteteve të tjera të botës në ngritjen e strukturave drejtuese akademike. Se sa herë që Shqipëria është munduar të japë shembuj origjinaliteti për zgjidhjen e njërit ose tjetrit problem të brendshëm, pa marrë parasysh edhe përvojën e vyer të të tjerëve, ajo gjithmonë është bërë gazi i botës. Me praktikat populiste që kërkohet të zbatohen edhe në ngritjen e strukturave drejtuese të universiteteve, përsëri do të vazhdojmë të jemi gazi i botës.

Në një intervistë që rektori i Universitetit të Tiranës, prof.dr.Shezai Rrokaj, dha më 20 tetor para mikrofonave të disa kanaleve televizive, u shpreh se projektligji për arsimin e lartë i dukej i pëlqyeshëm, veçse u shpreh me ca rezerva për emërimin e kuadrit të ri, i cili duhet të jetë në kompetencën e universiteteve, në kuadrin e lirisë akademike. Nëse në projektligj qenka shkruar që kuadrot e reja, domethënë pedagogët e rinj, i emëroka ministria dhe u dashka që universitetet vetëm t’i pranojnë, kjo qenka për t’u diskutuar, se nuk është e drejtë të veprohet në këtë mënyrë. Kësaj i thonë që të kthehemi në praktikat e sistemit komunist. Përzgjedhja e kuadrit të ri, detyrimisht nëpërmjet konkurrimit të rreptë me dosje, duhet të jetë tërësisht në kompetencën e departamenteve, si njësitë bazë shkencore të universiteteve, kurse ministria, pas përcjelljes formale të emrit të kandidatit nëpërmjet fakultetit dhe rektoratit, thjesht duhet të bëjë aprovimin e tij për arsye të çeljes së pagës.

Kërkesa e profesorit Rrokaj është shumë e drejtë. Por, për fat të keq, ai nuk është treguar parimor në respektimin e saj. Kur rektor i Universitetit të Tiranës ishte prof.dr. Marenglen Spiro dhe dekan i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja ishte prof.dr.Maks Daiu, në Departamentin e Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike u hap një vend pune për pedagog të gjuhës ruse. Për këtë vend konkurruan me dosje dy kandidatura. Në mbledhjen e departamentit, gjatë shqyrtimit të të dyja dosjeve, nga rektorati mori pjesë zoti Burhan Tabaku, një punonjës tepër korrekt ky i degës mësimore, kurse nga dekanati i fakultetit ishte i pranishëm vetë dekani. Në përfundim të shqyrtimit të të dyja dosjeve, doli që kandidatura që i përmbushte të gjitha kërkesat, ishte ajo e zonjës Alma Kollari, një ish-studente kjo mjaft e talentuar, e cila sot vazhdon të punojë si pedagoge pranë atij departamenti.

Ndërkohë, në fillim të vitit akademik 2003-2004, po në atë departament u hap një tjetër vend pune për pedagog të letërsisë ruse. Por, në vend që kandidatët e mundshëm për atë vend pune të konkurronin me dosje, çuditërisht, në departament erdhi i emëruar zoti Korab Hoxha. Edhe sot e kësaj dite mbetet e paqartë se për ç’merita zoti Korab Hoxha e zuri atë vend pune. Në fillim pedagogët e departamentit menduan se ai i kishte përfunduar studimet e larta për gjuhë dhe letërsi ruse. Por doli që ai s’paskej asnjë diplomë për gjuhë dhe letërsi ruse. Ai i paskej mbaruar studimet e larta për gjuhë dhe letërsi shqipe dhe paskej bërë një specializim në Institutin “Gorki” në Moskë, të cilin nuk dihet nëse e ka mbaruar ose jo. Ishte pikërisht mungesa e përgatitjes shkencore të tij që u binte në sy edhe studenteve të gjuhës ruse, të cilat, sidomos ato që kishin mbaruar degën e gjuhës ruse në Shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi”, detyroheshin t’i korrigjonin thekset e fjalëve pedagogut të tyre, për çka vunë në dijeni dy kolege të mia të departamentit dhe mua, si ish-pedagog i jashtëm. Pra, zoti Korab Hoxha merita të veçanta s’paska pasur për ta zënë atë vend pune, studimet e larta s’i paska mbaruar për gjuhë dhe për letërsi ruse, pra, nuk paska diplomën përkatëse të specialistit që kërkohet për atë vend pune, në zotërimin e gjuhës së folur ruse (të cilën, ashtu si edhe çdo gjuhë tjetër të huaj, pedagogu duhet ta flas “bilbil”) paska pasur boshllëqe të ndjeshme. Atëherë cilat paskan qenë arsyet që dekani i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, prof.dr.Nonda Varfi, dhe rektori i Universitetit të Tiranës, prof.dr.Shezai Rrokaj, zotin Korab Hoxha e emëruan pedagog të letërsisë ruse në Departamentin e Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike, duke e anashkaluar konkurrimin e tij me dosje në departament? I kanë bërë nder se e kanë mik të afërt? Nuk i kanë vënë shumë rëndësi lëndës së letërsisë ruse? Apo në këtë mes kemi të bëjmë me ndonjë arsye të dyshimtë që bie era korrupsion? Emërimi pedagog i zotit Korab Hoxha në këtë mënyrë nga ana e rektorit Rrokaj dhe e dekanit Varfi, është një praktikë e pastër e ish-sistemit komunist, kur Partia e Punës, në jo pak raste, i punësonte ca kuadro nëpër institucione të ndryshme, pa e çarë shumë kokën për përgatitjen e tyre shkencore, mjafton që ata të ishin bij apo bija të militantëve të saj. Nuk jam në dijeni nëse rektori Rrokaj ka lejuar që të tjerë “korabë” të jenë punësuar po kësisoj në fakultete të tjera të Universitetit të Tiranës.

Ama kur në fund të vitit akademik 2003-2004, në Departamentin e Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike, zonjusha Ledina Ferhati e mbaroi degën e gjuhës ruse me rezultate shumë të larta, dekani, prof.dr.Nonda Varfi, nuk tregoi as interesimin më të vogël për ta emëruar pedagoge të brendshme. Por edhe në fund të vitit akademik 2004-2005, kur u kthye nga Rusia zonjusha Elona Limaj, e cila i kishte mbaruar studimet e larta në Universitetin Linguistik të Moskës dhe kishte marrë diplomën shkëlqyeshëm (me shenjë të kuqe), përsëri dekani, prof.dr.Nonda Varfi, nuk e vuri fare ujin në zjarr për ta marrë në punë si pedagoge të brendshme në Departamentin e Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike. Në të dyja rastet, departamenti ka mundur t’u japë veç disa orë si pedagoge të jashtme. Ndërkohë ende vazhdon të mbahet si pedagog i brendshëm i lartpërmenduri Korab Hoxha.

Kohët e fundit kam mësuar se Ministria e Arsimit dhe e Shkencës dhe personalisht zoti Pollo (i cili duhet falënderuar posaçërisht për maturën shtetërore që organizoi, duke shpëtuar sa e sa të rinj nga “kthetrat” e korrupsionit gjatë zhvillimit të konkurseve nëpër universitetet shqiptare) kanë ndërmarrë nismën që të verifikohen diplomat e mësuesve nëpër të gjitha shkollat e Shqipërisë, në mënyrë që këta t’u përgjigjen kërkesave të vendit të punës, në përputhje me përgatitjen e tyre shkencore. Mos ndoshta do të ishte e arsyeshme që kjo kërkesë të shtrihet deri në arsimin e lartë, në mënyrë që të verifikohet nëse janë brenda sferës së specialitetit të tyre të gjithë pedagogët e universiteteve, duke pasur parasysh, detyrimisht, edhe mesataren e notave, apo aty ka edhe “korabë” të tjerë.



Librat antishqiptare ne zjarr?

Historianët, arsimtarët dhe intelektualët shqiptarë në Maqedoni u bëjnë thirrje arsimtarëve, prindërve dhe nxënësve shqiptarë që të bojkotojë historinë e klasës së gjashtë, nëse ajo botohet me përmbajtjen fyese për shqiptarët. “Lajm” mëson se shoqatat e historianëve, arsimtarëve dhe intelektualëve janë duke diskutuar idenë që nëse ofendimet nuk hiqen nga librat, që i boton Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), do të apelohet që nxënësit shqiptarë në Maqedoni të mësojnë nga tekstet shkollore që botohen në Shqipëri, pa marrë paraprakisht pëlqim prej Ministrisë maqedonase të Arsimit.
1304516136-bojkotimi_librave_klases_6
Madje nuk përjashtohet mundësia të bëhet apel për djegie masive të librave që boton MASH-i, nëse Ministria e Arsimit nuk merr masa të menjëhershme për mënjanimin e librave të mbushur me gënjeshtra për shqiptarët. Burime të “Lajmit” thonë se një masë e tillë do të merret në rast se harxhohen të gjitha mjetet e tjera demokratike për parandalimin e ofendimeve që u bëhet shqiptarëve në tekstet shkollore dhe se për këto plane i kanë njoftuar edhe përfaqësuesit e MASH-it. Mirëpo antishqiptarizmi si duket është bërë platformë e udhëheqësisë së MASH-it, sepse në librin e ri të historisë së klasës së gjashtë, që është akoma në përgatitje, plot fise ilire janë paraqitur si fise maqedonase, ndërsa dardanët janë fshirë komplet nga historia.

“Tekstet ishin vetëm të autorëve dhe me recensentë maqedonas. Në ato tekste, përveç ofendimit që i bëhej historisë së popullit shqiptar, ka edhe të pavërteta që janë pjesë e politikës ditore që nuk kanë asgjë të përbashkët me shkencën”, thotë për “Lajm” anëtari i Komisionit shtetëror për përpilimin e teksteve shkollore, Skënder Hasani, duke shtuar se befasia ka qenë edhe më e madhe kur kryetari i Komisionit i ka treguar programin e vitit 2008, të nënshkruar nga ish-ministri i arsimit Sulejman Rushiti. “Për fat të keq në programin e vitit 2008 ka një regres të avancimit të teksteve dhe programeve mësimore për lëndën e historisë së klasës së gjashtë, ku në vend që të hiqen ofendimet e mëparshme tani shtrembërimet janë shtuar edhe më shumë”, thotë Hasani duke shtuar se nga tre faqe, që janë paraparë për Ilirët, në dy prej tyre flitet për kusarët, ku, sipas tij i edukojnë nxënësit me frymën se iliro-arbërorët që në gjenezë kanë qenë vandalistë.

“Si anëtar i këtij Komisioni kam sugjeruar që historia e klasës VI të shqyrtohet në instancat më të larta të shtetit, por në të njëjtën kohë do ta informojmë edhe faktorin ndërkombëtarë që këta libra dhe këto planprograme të parandalohen. Përfundimisht shqiptarët më nuk do të kenë arsye që të mësojnë nga ato libra”, thotë ai. Hasani sqaron se në tekstin e historisë së klasës së gjashtë, që është ranguar i pari, ka shtrembërime të fakteve shkencore, që janë dëshmuar nga autorët e huaj. “Për shembull, varrezat e Trebenishtës, ku arkeologu i njohur mes dy luftërave botërore, Nikolla Buliç, i cili ka bërë gërmimet arkeologjike, në punimet e tij shkencore argumenton se këto varreza janë tipike ilire, në këtë libër janë quajtur varreza maqedonase.

Fiset ilire të Dasaretëve dhe Pajonëve bëhen fise maqedonase, ndërsa fisi Dardan nuk përmendet fare. Përmendet vetëm mbretëresha Teuta dhe veprimet e anijeve kusare të saj”, thotë Hasani, i bindur se këto tekste kanë për qëllim që shqiptarët ti nxjerrin vandalistë që në gjenezë. Libri i muzikës kaloi me sugjerimet tona. “Për të parën herë në librin e muzikës nxënësit e Maqedonisë, qofshin shqiptar apo maqedonas, do të mësojnë për instrumentet kombëtare shqiptare, siç është çiftelia dhe lahuta, do të mësojnë për historikun e tyre”, thotë anëtari i Komisionit shtetëror për përpilimin e teksteve shkollore, Skënder Hasani. Nga ana tjetrë, bëhet e ditur se Maqedonia do të reagojë për tekstet e gjeografisë së Shqipërisë, ku thuhet se Kosova, disa pjesë të Greqisë dhe Malit të Zi, si dhe gjyma e Maqedonisë në aspektin gjeografik i takojnë Shqipërisë, por i janë shkëputur me dhunë pas luftërave ballkanike në vitin 1913. Ambasadori maqedonas në Tiranë, Vele Trpevski, ka paralajmëruar reagim zyrtar nëse dëshmohet të sakta raportimet e mediave për përmbajtjen e librit.

DAFG në dokumentat e Shtazit







DAFG KA LUAJTUR ROL SHUMË TË RËNDËSISHËM NË MARRËDHËNIET MIDIS DY VENDEVE. NË KRIJIMIN E SAJ SHOQATA KA PATUR INFLUENCA IDEOLOGJIKE QË MEGJITHËSE TË MAJTA, SHIHESHIN ME DYSHIM NGA RDGJ DHE SURVEJOHESHIN NGA SHTAZI.

Në dokumentat e Shtazit, DAFG, Shoqata e miqësisë shqiptaro-gjermane (DAFG) shfaqet në sektorin kundër terrorizmit dhe atij kundër spiunazhit. Survejimi i DAFG, si objekt armiqësor ka filluar “për të zbuluar dhe eliminuar aktivitetet subvensive të DAFG kundër DDR dhe vendeve të tjera socialiste”.
Kështu në një dokument të 22 .1.82 bëhet fjalë për një vendim të ministrisë së brendshme në Berlin për zbulimin dhe elimininim e aktiviteteve subvensive të DAFG. DAFG, shkruhet në të është një organizatë e krijuar nga pseudorevolucionarë të KPD –së, Partisë komuniste gjermane.
Po survejimi i DAFG kishte filluar vite me parë. Kështu më 5 tetor 1978 sektori kundër spiunazhit ka përpiluar një raporti me të gjitha hollësitë për DAFG. Shoqata është krijuar më 14 nëntor 1971 në Mynih, sekretariati ndodhet në Hamburg dhe drejtohet nga Rüdiger Pier, ajo numëron 500 anëtarë. Shoqata nuk ka ndonjë seksion në Shqipëri dhe vetëm pak persona e njohin atë atje. Kontaktet mbahen me Partinë e Punës së Shqipërisë dhe drejtohen nga komiteti për marrëdhënie kulturore dhe miqësore më jashtë.
Shoqata organizon udhëtime në Shqipëri. Në Shqipëri udhëtojnë vetëm anëtarë dhe simpatizantë të KPD /ML (Partisë Komuniste Gjermane, marksiste leniniste) nga Gjermania perëndimore dhe Berlini perëndimor. Më korrik 1978 Shqipërinë e vizitoi së bashku me një grup të shoqatës edhe kryetari i KPD/ML, Ernst Aust. Hyrja në Shqipëri bëhet në grupe. Kur hyhet bihet në marrëveshje me personat përgjegjës, që në pasaporta të mos vendosen vulat e hyrjes në Shqipëri. Kjo për të mënjanuar vështirësitë për udhëtime të mëvonshme në DDR ose në Jugosllavi.
Shoqata i ka rritur aktivitetet në vitin 1977 me shpërthimin e konflikteve në Shoqatën e Miqësisë Kinë Gjermani, konflikte që u shoqëruan me largimin e anëtarëve të KPD /ML nga Kina dhe orientimin drejt Shqipërisë.
Partia Komuniste Gjermane Marksiste Leniniste ka qenë që para vdekjes së Mao Ce Dunit më shumë e orientuar nga Shqipëria se sa nga Kina, dhe pas prishjes së marrëdhënieve mes Kinës dhe Shqipërisë u orientua krejtësisht drejt linjës shqiptare.
DAFG nuk jep deklarata lidhur me qëndrimin ndaj RDGJ (Gjermanisë lindore) dhe vendeve të tjera socialiste. Në publikime të “Albanische Hefte- Fletoret shqiptare” ata flasin pro politikës shqiptare kundër superfuqisë Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të tjera social-imperialiste. Në lidhje me këtë publikohen artikuj të marrë nga “Mëngjesi i kuq” dhe shtypi borgjez i BRD-së (Gjermanisë perëndimore).
DAFG mban kontakte me Ambasadën e RPSSH në RDGJ. Kështu anëtarë të DAFG vizituan ambasadën shqiptare në RDGJ (Gjermani lindore). Jozyrtarisht ëshët marrë vesh se ish sekretari i ambasadorit shqiptar në RDGJ dhe ambasadori aktual në Austri, ka koordinuar kontaktet midis DAFG dhe KPD (Partisë Komuniste Gjermane). Udhëheqja e Partisë Komuniste Markiste Leniniste mendon se 50 përqind e letrave që dërgon në DDR përfundojnë në Ministrinë e brendshme, Shtazi.
Gjatë një takimi të një delegacioni të DAFG dhe të KPD në ambasadën shqiptare në Vjenë u dha orientimi që të kufizohen kontaktet me ambasadën shqiptare në RDGJ dhe kontaktet me Partinë e Punës së Shqipërisë të mbahen nëpërmjet ambasadës shqiptare në Vjenë.

Akademik Prof.dr.PhD. Rexhep Qosja mbi çthurjet ideologjike në shoqërinë shqiptare dhe eksperimentin proserb të ashtuquajtur “kombi kosovar”.

AKADEMIK REXHEP QOSJA Ideologjia e shpërbërjes – trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Argumente të shpikura për “k...