Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/09/04

NGA FLORI BRUQI:SË SHPEJTI PRITET SULMI USHTARAK NË SIRI!?...


Obama: Po analizohen opsione për një sulm të kufizuar

Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara nuk po shqyrtojnë dërgimin e trupave tokësore, nëse ndërmerren veprime ushtarake

Presidenti Barak Obama thotë se po vazhdon të analizojë opsionet për operacione “të kufizuara” ushtarake në përgjigje të sulmeve kimike të 21 gushtit në Damask. Presidenti Obama i bëri komentet pasi Sekretari i Shtetit John Kerry foli për rezultatet e një raporti nga shërbimet e zbulimit ku ai thotë se konfirmohet përgjegjësia e qeverisë siriane për sulmin.



Presidenti Obama i bëri komentet në Shtëpinë e Bardhë para një takimi me Presidentët e Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë.



Zoti Obama ishte takuar më parë me këshilltarët e tij për sigurinë kombëtare për të analizuar opsione ushtarake në përgjigje të sulmit me armë kimike në kryeqytetin sirian.



Presidenti iu referuar raportit të fundit nga shërbimet e zbulimit, ku ai tha se jepen hollësi “me bindje të lartë” se qeveria e Presidentit al-Assad ka kryer sulmin.



"Ky lloj sulmi përbën sfidë ndaj botës. Ne nuk mund të pranojmë një botë ku gra e fëmijë, civilë të pafajshëm vriten me gaz kimik në një shkallë të tmerrshme. Ky lloj sulmi kërcënon interesat tona të sigurisë kombëtare, duke shkelur normat ndërkombëtare kundër përdorimit të armëve kimike”.



Zoti Obama foli për kufizimet mbi çdo veprim që ai mund të vendosë të merret:



"Në asnjë rrethanë nuk po diskutojmë ndonjë operacion ushtarak që do të kërkonte dislokimin e trupave në terren, apo ndonjë fushatë afat-gjatë, por po analizojmë mundësinë e një sulmi të kufizuar me objektiv të ngushtë, që do të ndihmonte për të garantuar se jo vetëm Siria por edhe të tjerë në mbarë botën do të kuptojnë se komuniteti ndërkombëtar është i përkushtuar seriozisht për të ruajtur normën e ndalimit të armëve kimike”.



Më parë, Sekretari i Shtetit John Kerry akuzoi Presidentin sirian Bashar al-Assad për “një krim kundër ndërgjegjes dhe njerëzimit”, duke thënë se informatat e shërbimeve të zbulimit tregojnë se qeveria siriane ishin në dieni të sulmit që po përgatitej:



"E dimë se për tri ditë para sulmit, personeli i qeverisë siriane për armët kimike ishte në këtë zonë duke bërë përgatitjet. E dimë se elementë të regjimit sirian ishin informuar të përgatiteshin për sulmin duke vënë maska kundragazi dhe duke marrë masa që lidhen me armët kimike”.



Zoti Kerry tha se Shtetet e Bashkuara e dinë se raketa me mbushje kimike ishin hedhur nga territori nën kontrollin e regjimit në drejtim të lagjeve që kontrollohen nga opozita.



Raporti amerikan i shërbimeve të zbulimit thotë se një zyrtar i lartë i regjimit ishte në dieni të sulmit dhe konfirmoi se ishin përdorur armë kimike, analizoi dëmin dhe shprehu shqetësim se mund të zbuloheshin autorët.



Sekretari i Shtetit tha se të paktën 1,429 sirianë ishin vrarë, përfshirë të paktën 426 fëmijë.



Siria hedh poshtë akuzat se ka kryer sulme kimike, përfshirë akuzat se ka kryer një sulm në shkallë më të vogël në fillim të vitit. Damasku zyrtar akuzon kryengritësit për përdorimin e armëve kimike kundër ushtarëve sirianë.



Zoti Kerry tha se shërbimet e zbulimit kanë besim të madh në informatat që kanë dhe shtoi se tani mbetet për të vendosur se çfarë do të bëjë Amerika dhe bota për këtë.



"Duhet të ngremë pyetjen se çfarë rreziku shoqërohet me pasivitetin. Masat tona kanë rëndësi pasi nëse vendosim të jetojmë në një botë ku vrasës si Bashar al-Assadi mund të vrasin mijëra vetë me gaz toksik pa u prekur nga ndëshkimi, dhe nëse bota nuk bën asgjë pas një sulmi të tillë, nuk do t’i gjendet fundi akteve që do të ndërmarrin elementë të tjerë që besojnë se mund të bëjnë ç’të duan”.



Presidenti Obama ndeshet me presion nga anëtarë të Kongresit për të hedhur në votë çdo vendim për veprime ushtarake kundër Sirisë. Anketat tregojnë se amerikanët janë kundër idesë së veprimit, ose e shohin me skepticizëm një përgjigje të mundshme ushtarake.



Zoti Obama tha dje se do të vazhdojë konsultimet me ligjvënësit amerikanë.




Obama: Assad ka përdorur armë kimike
Zyrtarët amerikanë kanë dalë në përfundimin se sulmet me armë kimike në Siri janë ndërmarrë nga qeveria siriane, tha presidenti i Shteteve të Bashkuara ditën e mërkurë.




“Kemi shqyrtuar të gjitha provat, nuk besojmë se opozita siriane zotëron armë bërthamore, apo armë kimike të këtij lloji. Nuk besojmë se, duke parasysh sistemet e lëshimit të tyre nëpërmjet përdorimit të raketave, opozita të ketë kryer këto lloj sulmesh. Kemi dalë në përfundimin se qeveria siriane është përgjegjëse për sulmet kimike të javës së kaluar në Siri. Kështu që, meqë ka ndodhur ajo që dyshohej nga të gjithë, ata do të duhet të përballen me pasojat e ndërkombëtarëve”, tha Obama për “PBS NewsHour”.

Obama theksoi gjithashtu se ende “nuk ka marrë një vendim”, nëse Shtetet e Bashkuara do të ndërhyjnë mbi bazën e një sulmi të kufizuar ushtarak, apo një sulm ushtarak me kohëzgjatje të kufizuar në Siri.

Komentet e tij vijnë në një ditë, gjatë së cilës ka pasur shumë përplasje prapa skenave në OKB. Britania ka nxitur anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurisë, të adoptojnë një rezolutë, e cila do të autorizonte masa në mbrojtje të civilëve në Siri.



Gjithsesi, aleatët e Sirisë, Rusia, ka refuzuar të pranojë rezolutën, kështu që takimi nuk prodhoi një fund të grindjeve diplomatike, që e kanë karakterizuar për një kohë të gjatë OKB-në në lidhje me pozicionin e tyre ndaj Sirisë.

Departamenti amerikan i Shtetit kritikoi “papajtueshmërinë e Rusisë” dhe tha se nuk do të lejonte paralizën diplomatike të shërbente si një mburojë për lidershipin sirian.

Kritikët kanë ngritur pyetje se për çfarë qëllimesh do të shërbente një ndërhyrje e limituar ushtarake në Siri, por Obama tha se do t’i dërgonte qeverisë së Bashar al-Assad “një sinjal tepër të fortë, se do të ishte më mirë të mos i përdorte më kurrë armët kimike”.

Shtetet e Bashkuara presin ende rezultatet e inteligjencës, të cilat sipas tyre provojnë se qeveria e Assad është fajtore për përdorimin e armëve kimike, ndërkohë që inspektorët e OKB-së janë ende duke hetuar brenda kufinjve të Sirisë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, tha se atyre u duhen edhe 4 ditë të tjera për të përfunduar hetimet.



SHBA shqyrton alternativat për Sirinë

Nënpresidenti amerikan Joe Biden dje tha se nuk ka asnjë dyshim se regjimi i presidentit sirian Bashar al-Asad ka kryer sulmin e javës së kaluar me armë kimike në Damask, dhe duhet të vihet para përgjegjësisë. Komentet e nënpresidentit Biden u bënë ndërkohë që Presidenti Barack Obama vazhdon të shqyrtojë opsionet për një reagim ndaj kësaj situate me aleatët kryesorë.



Në mes të përgatitjeve për sulme ushtarake në Siri, nënpresidenti Joe Biden filloi një fjalim në konventën kombëtare të Legjionit Amerikan në Teksas me fjalë të forta për qeverinë e Asadit.

Ai tha se nuk ka asnjë dyshim se janë shkelur ligjet ndërkombëtare, dhe nuk ka dyshim se regjimi sirian është përgjegjës për këto shkelje. Nënpresidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj janë të vendosur të nxjerrin para përgjegjësisë autorët e sulmit.

"Presidenti dhe unë besojmë se ata që përdorin armë kimike kundër burrave, grave dhe fëmijëve të pambrojtur duhet të vihen para përgjegjësisë".

Edhe pse Shtëpia e Bardhë ka thënë se faktet janë të qarta, zëdhënësi i Presidentit Obama u përball me pyetje të tjera dje rreth informacionit të shërbimeve të zbulimit mbi të cilin do të bazohet përgjigja eventuale.


Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney tha se një raport i shërbimeve të zbulimit në lidhje me sulmin e 21 gushtit me armë kimike në Damask do të publikohet këtë javë.

Ai tha se "një shqyrtim i kujdesshëm i fakteve" mbështet përfundimin se regjimi i Assadit është përgjegjës për sulmin, dhe se një përgjigje ndaj këtij sulmi është në interes të Shteteve të Bashkuara dhe botës.



Qeveria siriane ka mohuar përfshirjen në sulmet me armë kimike dhe ka fajësuar rebelët të cilët po luftojnë për largimin e presidentit Assad nga pushteti për sulmin pranë Damaskut si pasojë e të cilit u vranë qindra njerëz.



Presidenti Obama vazhdon të konsultohet me ekipin e tij të sigurisë kombëtare në lidhje me situatën në Siri. Presidenti Obama, nënpresidenti Biden dhe të tjerët në administratën amerikane kanë zhvilluar biseda telefonike me udhëheqësit botërorë mbi gjendjen në Siri.

Anthony Cordesman, analist në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, beson se synimi kryesor i një sulmi ushtarak do të kishte në shënjestër qeverinë siriane dhe qendrat ushtarake.

"Kjo do të dërgonte një mesazh të fuqishëm për parandalimin e përdorimit të armëve kimike dhe gjithashtu do të tregonte se veprimet e Shteteve të Bashkuara në përgjithësi do të forconin rebelët dhe do të dobësonin regjimin e Asadit."

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney u pyet se përse një përgjigje amerikane dhe perëndimore ushtarake nuk do të vendos në shënjestër vetë presidentin Assad.

"Dua ta bëj të qartë se opsionet që jemi duke i analizuar nuk kanë të bëjnë me ndryshimin e regjimit, ato janë thjeshtë një përgjigje ndaj një shkeljeje të qartë të një ligji ndërkombëtar i cili ndalon përdorimin e armëve kimike."

Shtëpia e Bardhë vazhdon të theksoj se ajo e sheh reagimin eventual ndaj sulmit me armë kimike të javës së kaluar si një çështje të ndarë nga çështja e përgjithshme e përfundimit të luftës civile në Siri.

Zëdhënësi Carney tha se për përfundimin e luftës civile duhet të gjendet një zgjidhje politike e negociuar, por ajo nuk mund të përfshijë Bashar al-Asadin.

Ban: Jo veprime ushtarake në Siri deri të shtunën

Sekretari i Përgjithshëm i OKB tha se inspektorët do t'i raportojnë atij pas përfundimit të misionit për hetime mbi përdorimin e armëve kimike

Sekretari i OKB-së Ban Ki-moon po u bën thirrje fuqive perendimore të mos ndërmarrin veprime të mundshme ushtarake kundër Sirisë derisa ekipi i inspektorëve të OKB-së të ketë përfunduar punën në vend. Zoti Ban tha sot se ekipi do të largohet nga vendi të shtunën dhe do ta njoftojë atë për gjetjet.



Ndërkohë, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë do të informojnë sot anëtarët e një komisioni të Kongresit lidhur me sulmin e javës së kaluar që shkaktoi vdekjen e qindra civilëve në periferi të Damaskut.Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki -moon thotë se inspektorët e OKB-së që po hetojnë rreth një sulmi me armë kimike në Siri do të largohen nga vendi të shtunën.



Duke folur sot gjatë një vizite në Vjenë, zoti Ban tha se inspektorët do t'i raportojnë atij pasi të kenë përfunduar misionin dyjavor që synonte fillimisht hetimin e përdorimit të armëve kimike në Siri në të kaluarën.

Rasmusen: Qeveria siriane ka përdorur armë kimike

"Ata do t'i vazhdojnë hetimet deri të premten, do të largohen nga Siria mëngjesin e së shtunës dhe do të më raportojnë mua sapo të jenë kthyer. Kjo është arsyeja që unë po e shkurtoj vizitën në Austri," tha Sekretari i Përgjithshëm.



Zoti Ban i bëri komentet sot, ndërkohë që ekipi i OKB-së ndodhet në ditën e tretë të punës në periferi të Damaskut.



Sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel foli po sot në një konferencë shtypi në Brunei me homologun e tij rus, Anatoly Antonov. Zoti Hagel tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndërmarrin asnjë veprim të njëanshëm kundër Sirisë :



"Sa i përket Sirisë, ne vazhdojmë të këshillohemi me aleatët. Presidenti Obama e ka bërë shumë të qartë dhe unë e kam thënë në disa raste se çdo veprim që do të ndërmerrej kundër Sirisë, do të bëhej në formën e një bashkëpunimi ndërkombëtar", tha zoti Hagel.



Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara po shqyrton një projekt-rezolutë britanike për veprime të mundshme ushtarake.





Diplomatët e pesë vendeve anëtare të përhershme të Këshillit i filluan bisedimet të mërkurën, por nuk ka gjasa të arrijnë ndonjë përparim për shkak të kundërshtimit rus dhe kinez ndaj një ndërhyrjeje nga jashtë. Këto dy vende kanë përdorur veton tri herë që nga viti 2011 për të bllokuar rezolutat që vënë në shënjestër qeverinë siriane.



Shtetet e Bashkuara kanë sinjalizuar se nuk do të lejojnë që paraliza diplomatike në OKB të pengojë një kundërpërgjigje ndaj Sirisë.



Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Marie Harf tha se Siria "nuk mund të vazhdojë të fshihet" prapa qëndrimit të Rusisë në Kombet e Bashkuara dhe se Shtetet e Bashkuara nuk shohin ndonjë përparim nëse Rusia vazhdon të kundërshtojë.



Ajo tha se Uashingtoni do të këshillohet me aleatët ndërkohë që shqyrton mundësinë e një goditjeje të vet ushtarake kundër Sirisë.



Agjencia e lajmeve Interfax e Rusisë citonte sot një burim ushtarak, sipas të cilit Rusia po dërgon një kryqëzor dhe një anije kundër nëndetëseve në Mesdheun lindor në përgjigjeve të zhvillimeve të fundit.





Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, tha se është i bindur se qeveria siriane ka përdorur armë kimike kundër popullit të saj. Në komentet e bëra sot, zoti Rasmussen tha se një reagim i fuqishëm është i nevojshme për t'u treguar diktatorëve në mbarë botën se armë të tilla nuk mund të përdoren pa u ndëshkuar, transmeton VOA.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen tha se sulmi me armë kimike më 21 gusht në periferi të Damaskut ishte i neveritshëm dhe i pajustifikueshëm, prandaj nuk mund të injorohet. Ai tha se ishte i bindur se përgjegjës për sulmin është regjimi sirian.

"Më janë paraqitur informacione konkrete, dhe, pa hyrë në hollësi, mund t'ju them se personalisht jam i bindur, jo vetëm se sulmi kimik ka ndodhur, por edhe se regjimi sirian është përgjegjës."

Zoti Rasmussen tha se ai nuk sheh një rol të NATO-s në një veprim ushtarak që mund të ndërmerret kundër Sirisë.




"Nëse një reagim ndaj asaj që ka ndodhur në Siri do të ishte një operacion ushtarak, unë parashikoj një operacion shumë të shkurtër, të matur dhe me një objektiv të përcaktuar. Për një operacion të tillë të shkurtër ushtarak, nuk ka nevojë për sistemet e komandës e kontrollit të NATO-s," tha zoti Rasmussen.

Sekretari i Përgjithshëm tha se u takon aleatëve të vendosin individualisht se si do të kundërpërgjigjen ndaj përdorimit të armëve kimike në Siri dhe cilat objekte ushtarake mund të vendosin të përdorin.

Ai tha gjithashtu se aleanca do të mbetet një mbrojtëse e fortë e Turqisë në rast se ky vend anëtar sulmohet.

Operacione kundër Sirisë? Pikëpyetje dhe dilema

Ligjvënësit amerikanë të informuar nga zyrtarë të lartë të administratës Obama dje, thanë se nuk ka dyshime se qeveria siriane ndërmori sulm me armë kimike javën e kaluar. Anëtarë të Kongresit i kërkuan Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit të paraqisnin argumentat për një sulm të mundshëm ushtarak kundër Sirisë. Ligjvënësi demokrat Eliot Engel tha se zyrtarët amerikanë kishin folur për interceptimin e bisedave me zyrtarëve të lartë sirianë.



Ndërkohë që administrata Obama përgatitej për seancën e informimit për anëtarët e Kongresit, ajo është ndeshur me pyetje të forta nga media lidhur me të dhënat e grumbulluara deri tani për sulmin.



Amerikanët ende kanë kujtime të freskëta të konflikteve që Amerika ka filluar gjatë viteve të fundit, si lufta në Irak e ndërmarrë gjatë administratës së Presidentit George W. Bush, e cila vuri në pikëpyetje saktësinë e informatave të shërbimeve të zbulimit.



Ndërkohë që shfaqet mundësia e operacioneve ushtarake në Siri, Shtëpia e Bardhë po bombardohet me pyetje lidhur me të dhënat dhe provat që kanë Shtetet e Bashkuara mbi sulmin e 21 gushtit në Damask.



Uashingtoni dhe aleatë të rëndësishëm fajësojnë për sulmin regjimin e Presidentit Bashar al-Assad. Qeveria siriane i hedh poshtë akuzat.



 Kryeministri britanik David Cameron tha se “ka baza të qarta ligjore” që përligjin ndërmarrjen e operacioneve ushtarake, por shtoi se nuk ka një provë të vetme të qartë që vërteton se regjimi i Asadit ka përdorur armët kimike.



Zëvendës zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest tha në komentet për shtyp se Shtetet e Bashkuara do të bazohen tek të dhënat e shërbimeve amerikane të zbulimit për të arritur në vendimin që do të marrë Presidenti Obama.



Ai foli për kredibilitetin e këtyre të dhënave, kur iu drejtua pyetja nëse Presidenti Obama beson se Siria përfaqëson një kërcënim aktual për Shtetet e Bashkuara:



"Nuk do t’i intepretoj fjalët e Presidentit më në hollësi se kaq. Mendoj se Presidenti e ka bërë të qartë dhe unë vetë jam përpjekur që ta përshkruaj sa më mirë çfarë interesash kombëtare kërcënohen në këtë rast”.



Presidenti Obama foli për disa prej këtyre interesave në një intervistë të mërkurën për rrjetin PBS:



"Ne kemi vende aleate që kanë kufij të përbashkët me Sirinë: Turqia është aleate e NATO-s, Jordania është një vend mik me të cilin bashkëpunojmë ngusht, Izraeli është mjaft pranë Sirisë; gjithashtu ne kemi baza në të gjithë rajonin. Nuk mund të lejojmë të thyhet parimi i mospërhapjes së armëve, pasi mund të rrezikojë që armë kimike të bien në duart e njerëzve të dyshimtë”.



Zyrtarë të lartë të administratës Obama, përfshirë Sekretarin e Shtetit John Kerry, Sekretarin e Mbrojtjes Chuck Hagel dhe Këshilltaren e Sigurimit Kombëtar Susan Rice, informuan dje anëtarë të Kongresit mbi situatën.



Të paktën 116 ligjvënës, pjesa më e madhe republikanë, kanë nënshkruar një letër ku i bëjnë thirrje Presidentit të kërkojë autorizim të qartë nga Kongresi para se të japë urdhër për ndonjë operacion ushtarak.



Presidenti Obama diskutoi mbrëmë me telefon me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, republikanin John Boehner. Zoti Boehner, sipas një zëdhënësi, kërkoi nga presidenti shpjegime për arsyetimin ligjor për një operacion ushtarak, si dhe politikat, objektivat dhe strategjinë që do të pasonte një veprim të tillë.

McCain: Intervenimi duhet të ketë cak edhe forcat ajrore siriane


Senatori, John McCain do ta përkrahë kërkesën e presidentit, Barack Obama për të intervenuar në Siri nëse kjo do ta “ndryshonte situatën në fushë-betejë”.



McCain i ka thënë televizionit NBC se është e pamjaftueshme që t'i dërgohet mesazh presidentit sirian, Bash al Assad vetëm me reagim të kufizuar.



McCain ka thënë se rezoluta për intervenim duhet të përfshijë edhe autoritetin për ta degraduar fuqinë e forcave ajrore të Sirisë.



Senatori republikan thotë se lufta në këtë shtet është “luftë jo e drejt” dhe se Assadi ka fuqi më të madhe.



McCain ka thënë nëse autorizimi nga Kongresi nuk do të ndryshonte balancin e fuqisë dhe t’iu jap rebelëve një mundëis më shumë për të luftuar, atëherë “kjo nuk do kishte efektin e dëshiruar”.



Ish rivali në garën e parë për president të SHBA-ve, gjithashtu ka thënë se ai “nuk mund të përkrahë diçka që do të mund të mallkohet në periudhë afatgjate”.

Opozita siriane e pakënaqur me Obamën

Vendimi i presidentit amerikan Barack Obama për të pritur autorizimin e Kongresit para se të sulmojë Sirinë nuk ka kënaqur grupet opozitare siriane.

Zëdhënësi i Koalicionit Kombëtar Sirian, Louay Safi, tha se ky vendim tregoi “dështim lidershipi” nga ana e SHBA-së dhe se “inkurajon forcat e presidentit Assad”.



Pak pas përfundimit të fjalimit të presidentit amerikan Barack Obama, ushtria siriane nisi të godasë zonat e kontrolluara nga kryengritësit në Damask.

Siria mohon akuzat e SHBA-së se ka përdorur armë kimike më 21 gusht, ku sipas amerikanëve 1429 persona u vranë nga ushtria siriane me armë kimike.

Kongresi do të mblidhet më 9 shtator, që do të thotë se asnjë veprim ushtarak nuk do të ndërmerret deri atëherë nga forcat amerikane në Siri.

Komiteti i Senatit mbështet ndërhyrjen në Siri

Komiteti për Marrëdhënie të Jashtme i Senatit Amerikan ka rënë dakord për rezolutën, e cila autorizon forcën ushtarake në Siri, për të ndëshkuar Damaskun për sulmin e dyshuar kimik.



Sipas raporteve të shtypit perëndimor, rezoluta ndalon trupat tokësore amerikane nga operacionet luftarake dhe vendos afatin maksimal prej 90 ditësh për çdo aksion.



Komiteti është pajtuar për tekstin, pas seancave dëgjimore.



Sekretari i shtetit, John Kerry, ka thënë se reputacioni i Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre do të dëmtohet, nëse Uashingtoni nuk vepron.



Më herët, presidenti Barack Obama ka siguruar mbështetjen nga republikanët kryesorë.


Udhëheqësi i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani John Boehner, ka premtuar mbështetjen për ndërhyrje ushtarake pas takimit me Obamën në Shtëpinë e Bardhë.


Shenjtorja shqiptare që i luten serbët*

Mendoj që ka ardhur koha për ti thënë të vërtetat historike të kombit tonë, por e vërteta nganjëherë është edhe e dhimbshme.

Arben LLALLA*

Shqiptarët janë një popull euforik, me ndjenja të forta emocionale dhe tolerant, të cilët nuk janë kujdesur shumë për të shkruar historinë e tyre në përgjithësi. Kanë qenë të huajt ata që kanë shkruar në përgjithësi historinë e popullit shqiptar, dhe është e kuptueshme që këta të huaj të bëjnë shpeshherë edhe shtrembërimet e ngjarjeve historike ose të fshehin të vërtetat e krenarisë të kombit shqiptar.

Arkivat dhe bibliotekat e botës dhe manastiret e vendeve fqinje me Shqipërinë fshehin shumë të dhëna rreth shqiptarëve, ndoshta në këto vende gjenden edhe libra të shkruar në gjuhën shqipe të shek.XI. Si pasojë e këtyre që thamë më lart kemi mungesa të lidhjeve të shumë ngjarjeve duke krijuar një boshllëk të madh në historinë tonë kombëtare.

Shën Angelina ose Nëna Angelinë që serbët i përkulen dhe i falen me aq dashuri dhe përkushtim është një vajzë shqiptare. Për këtë figurë ne do japim disa të dhëna për tia bërë të njohur opinionit se shqiptarët janë një popull vital e me kulturë dhe nga ky popull kanë dalë shumë Shenjtor që bota e krishtere i respekton dhe përkulet para tyre. Prandaj është më e pëlqyeshme kështu se sa të mbahet në heshtje dhe ky fakt i vërtetë që Shën Angelina e Serbisë është shqiptare me gjak, gjuhë dhe edukatë.
Shenjtorja shqiptare që i luten serbët
Angelina Komneni-Brankoviç (1440-1520) ishte e bija e princit Gjergj Arianit Komnenit (1383-1462). Gjergj Arianit Komnen Golemi Topia kishte për grua Marinë e cila ishte e bija e Despot Gjin Muzakës. Angjelina Komneni u martua me Despotit serb Stefan Brankoviç (1417-1476), i cili ishte i verbër, ceremonia e kurorëzimit të tyre u bë në qytetin e Shkodrës në Nëntor 1460. Nën mbrojtjen e Skënderbeut çifti i ri qëndroj një vit në Shqipëri ku lindi edhe djali i tyre i parë Georgio Brankoviçi. Më tej me këshillimin të Skënderbeut familja Brankoviç nëpërmjet Lezhës kaluan në Itali pasi Serbia ishte pushtuar nga Turqit. Derisa sa vdiq Despot Stefani jetoj me dhurata bamirësie nga Venediku, Dubroniku dhe Papa. Ai ishte Despot i Serbisë nga viti 1458-1459.

Angelina Komneni nga martesa me Despotin e Serbisë Stefan Brankoviç bëri tre fëmijë, Gjergji - Georgio, Gjoni-Jovanin dhe Marinë. Pas vdekjes së Despot Stefanit në 9 Tetor 1476, Angelina bashkë me fëmijët jetonin në mjerim dhe kështu ajo i shkroi një letër mbretit të Hungarisë Mattias i cili i ftoj për të jetuar në Hungari duke i dhënë titull Despot në Mërgim të Serbisë Georgit më 1486. Në vitin 1496 Georgi u bë murg dhe titullin mbretëro ia la vëllait të tij Gjonit-Jovanit. Georgio u bë Kryepeshkop i Beogradit me emrin Maksim-Maxim në vitin 1508, dhe ishte Argjipeshkv deri sa vdiq më 1516.(Titulli Argjipeshkv i përket kishës katolike dhe jo ortodoks).

Gjon-Jovan Brankoviçi e mori titullin Despot më 1496 dhe e mbajti këtë titull deri sa vdiq më 1502, dhe ishte trashëgimtari i fundit i familjes Brankoviçe pasi nuk lanë trashëgimtar të gjinisë mashkullore. Jovan Brankoviçi u martua me Jelenom dhe kishin pesë vajza, pas vdekjes gruaja e tij u martua me Ivanish Berisllaviç duke i dhuruar edhe titullin Despot.

Për përkushtimin dhe devotshmërisë që tregoj Angelina për familjen e saj dhe dashurisë ndaj Zotit, duke ndërtuar manastire për gra, kisha serbe e shpalli atë të Shenjtë. Angelian Komneni e arsimuar dhe e edukuar në familjen prindërore, me dashurinë e saj për bashkëshortin dhe fëmijët qartë tregon shpirtin human të femrës shqiptare. Ajo u martua me një njeri të verbër dhe nuk e braktisi atë kurrë. Kur turqit pushtuan Serbinë, Angelina mori me vete për në Hungari relikat dhe eshtrat e burrit të saj.

Dita e përkushtimit të Shën Angelinës është 30 Korriku, (me kalendari e vjetër 12 Gushti), dita e vdekjes së saj, 1520. Çdo 30 Korrik e tërë Serbia feston për të nderuar dhe kujtuar shqiptaren Angelina Komneni-Brankoviçin. Por Shën Angelina përkujtohet edhe më 10 Dhjetor bashkë me burrin e saj Despot Stefanin. Ajo nderohet si shenjtore nga Kisha Ortodokse Serbe me titullin Shën Angelina, Nënë e Nderuar.

Shumë relika dhe eshtra të familjes Brankoviç ndodhen në Manastirin e Krushedolac, midis tyre edhe krahu i majtë i Nënës së Nderuar Shën Angelinës. Ky manastir që është ndërtuar nga vetë Angelina ndodhet në Vojvodinë afër qytetit Sremit,

Nëse historianët shqiptar do të ishin marrë pak më shumë rreth Shenjtorëve me origjinë shqiptare që bota i respekton dhe i lutet, atëherë ne sot do i faleshim shenjtorëve shqiptar dhe jo atyre grek e sllavë.


Arben Llalla.jpg

Arben P. Llalla ka lindur më 17 janar 1972 në qytetin e Elbasanit. Mbaroi shkollën fillore dhe të mesme në vendlindje. Nga të dy linjat familjare rrjedh nga familje të shëndosha kombëtare që i kanë dhënë shumë Shqipërisë. Është i diplomua në Universitetin Shtetëror të Tetovës në degën Histori. Nga viti 1992 e deri 2004 ka jetuar dhe punuar në Greqi. Që nga viti 1997 ka punuar gazetar duke bashkëpunuar dhe shumë gazeta dhe revista shqiptare në botë. Në 1998 ka filluar të bashkëpunojë me Lidhjen e Arvanitasve të Greqisë për studime historike dhe ka patur një bashkëpunim të ngushtë me studiuesin dhe shkrimtarin e njohur Aristidh Kola. Në vitin 2000 filloi të botonte studimet e para për jetën dhe kulturën e arvanitasve të Greqisë. Deri më sot ka botuar në disa revista dhe gazeta shqiptare mbi 70 punime shkencore historike që kanë të bëjnë në veçanti me arvanitasit që nga themelimi i shtetit grek. Në dhjetor të viti 1998 është themelues i “Forumit të Emigrantëve shqiptar”- dega Selanik, dhe deri më tetor 1999 ishte kryetar i saj. Në shkurt të vitit 2000 zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm i shoqatës “Shqiptarët e Selanikut”, ishte në këtë post deri më shtator 2000. Më 2004 ishte përfaqësues i Ekzekutiv në Maqedoni i Lobit shqiptaro-amerikan në fushatën “PAVARËSIA E KOSOVËS TANI”, në mbështetje rezolutës së Kongresit amerikan.
Botime nga Prof.Arben P. Llalla

(*Shënim: Shkrimi ka qëllime historike, ju lutemi mos e keqpërdorni politikisht0


Konferenca e Ambasadorëve në Londër apo pse u bë pikë e pesë Shqipëria natyrore?!



Me fillimin e konfliktit ballkanik, çështja shqiptare u vu në qendër të luftës diplomatike ndërmjet Fuqive të Mëdha. Më të interesuara në këtë çështje ishin tri Fuqitë: Austro-Hungaria, Italia dhe Rusia. Secila sipas mënyrës së vet. Dy të parat ishin për një Shqipëri autonome ose të pavarur e me kufij sa më të gjerë, por nën ndikimin e tyre. Në rrethana të reja, të krijuara nga shembja e sundimit osman në Ballkan, Shqipëria merrte rëndësi të veçantë në politikën ballkanike:

Konferenca e Ambasadorëve në Londër

- për Austro-Hungarinë, si një gardh që do të pengonte shtrirjen e sllavizmit në Gadishull dhe si një urë për të dalë në Selanik; ndërsa

- për Italinë, si një bazë për depërtimin e mëtejshëm drejt Lindjes.



Të dyja Fuqitë për njëfarë kohe bënë një front të përbashkët, që e fshihte deri-diku rivalitetin e tyre në Shqipëri.

Nga ana tjetër, Rusia cariste i bënte llogaritë e veta. Ajo përpiqej të shtrinte ndikimin e vet në Ballkan nëpërmjet zmadhimit të shteteve sllave. Ajo ishte për një copëtim të ri të tokave shqiptare dhe për ndarjen e tyre ndërmjet shteteve fqinje.

Përballë kësaj gjendjeje, kundërveprimi nga ana e Austro-Hungarisë ishte i pashmangshëm.

Të shqetësuara për fatet “e paqes evropiane”, kancelaritë e Fuqive të Mëdha zhvilluan bisedime të fshehta për afrimin e pikëpamjeve dhe për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme. Gjatë bisedimeve në prapaskenë u përcaktuan grosso modo, zgjidhjet e kompromisit:



- Rusia hoqi dorë nga plani i saj për ndarjen e të gjitha tokave shqiptare ndërmjet aleatëve fitimtarë (Serbisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Malit të Zi) dhe u pajtua me idenë e krijimit të një shteti shqiptar. Ajo pranoi të mos ngulte këmbë për daljen tokësore të Serbisë në Adriatik, por të kënaqej vetëm me daljen e saj ekonomike në det;

- Austro-Hungaria u bashkua me kërkesën e Rusisë, të përkrahur aktivisht edhe nga Franca, për të krijuar një shtet shqiptar autonom të varur nga Turqia, gjë që ajo e kishte parashikuar qysh më parë, si një variant të mundshëm të zgjidhjes së çështjes shqiptare, krahas asaj të pavarësisë.



Rusia kërkonte që në përcaktimin e kufijve të Shqipërisë të merrej parasysh edhe “e drejta e kompensimit territorial” të aleatëve ballkanikë (Serbisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Malit të Zi), si shtete fituese në luftën për dëbimin e Turqisë nga gadishulli.

Në këtë mënyrë, populli shqiptar dënohej të vuante pasojat e një lufte që, as e kishte shpallur, as e kishte humbur.

Marrëveshja e arritur gjatë takimeve paraprake, ndërmjet dy kundërshtarëve kryesorë lidhur me çështjen shqiptare, shërbeu si një bazë për një veprim diplomatik të përbashkët të Gjashtë Fuqive (Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Rusisë) ndaj aleatëve ballkanikë – Serbisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Malit të Zi. Tani jo vetëm Austro-Hungaria dhe aleatët të saj të Lidhjes Tripalëshe (Gjermania dhe Italia), por edhe Rusia me Fuqitë e tjera të Antantës (Britania dhe Franca), filluan të bënin trysni mbi shtetet ballkanike për të rishikuar synimet e tyre ndaj trojeve shqiptare.

Të ndodhur përballë trysnisë së Fuqive dhe të lëvizjes shqiptare për të mbrojtur truallin kombëtar, aleatët ballkanikë u detyruan të pranonin autonominë e Shqipërisë.

Duke e futur çështjen shqiptare në kuadrin e marrëveshjes së Fuqive të Mëdha dhe duke e lënë zgjidhjen e saj vetëm në kompetencën e tyre, asnjëra prej këtyre Fuqive nuk iu përgjigj drejtpërsëdrejti dhe zyrtarisht kërkesave telegrafike të Ismail Qemalit, të paraqitura më 28 nëntor 1912 për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë.

Gjetja e një platforme disi të bashkërenduar për çështjen shqiptare në bisedimet e fshehta, bëri të mundur edhe marrëveshjen e Gjashtë Fuqive për mbledhjen e përfaqësuesve të tyre në Londër, e cila do të shqyrtonte problemet kryesore të shtruara nga Lufta Ballkanike.

Pesë Fuqitë e Mëdha të Evropës u përfaqësuan nga ambasadorët e tyre në Londër, ndërsa Anglia dërgoi aty ministrin e vet të jashtëm Eduard Grej (Edward Grey).

Austro-Hungaria u përfaqësua nga ambasadori Mensdorff (Count Albert von Mensdorff-Pouilly-Dietrichstein, 5 shtator 1861 – 15 qershor 1945);
Gjermania u përfaqësua nga ambasadori Lichnowsky (Karl Max, Prince Lichnowsky, 8 mars 1860 – 27 shkurt 1928);
Italia u përfaqësua nga ambasadori Imperiali (Guglielmo Imperiali di Francavilla, 1858-1944);
Franca u përfaqësua nga ambasadori Cambon (Pierre Paul Cambon, Paris, 20 janar 1843 – 1924), i dekoruar me Kryqin e Madh të Legjionit të Nderit, anëtar i Akademisë së Shkencave të Francës. Kambon, veprimtarinë e vet diplomatike e paraqiti në veprën e tij Correspondence 1870 – 1924, Grasset, Paris 1940;
Rusia u përfaqësua nga diplomati Benckendorff (Alexander Konstantinovich Benckendorff, 1 gusht 1849 – 11 janar 1917). Për “punën e zellshme dhe të suksesshme” në Konferencën e Londrës, u dekorua nga perandori rus Nikolla II Romanov.
Britania u përfaqësua nga ministri i jashtëm i saj Grej (Edward Grey, 1st Viscount Grey of Fallodon, 25 prill 1862 – 7 shtator 1933), i cili ishte bashkërendues i punimeve të Konferencës së Londrës. Për disa aspekte të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1912-1913) Sir Eduard Grej shkruan edhe në librin e tij “Memoires” (Kujtime), botuar nga Payot, Londër, 1925.


Në Konferencën e Londrës nuk morën pjesë shtetet e interesuara drejtpërsëdrejti: as Shqipëria, as aleatët ballkanikë. Aleatët ballkanikë (Serbia, Greqia, Bullgaria dhe Mali i Zi) kishin të drejtë t’i formulonin zyrtarisht kërkesat e tyre (sidomos ato territoriale) në një konferencë tjetër që u mbajt në të njëjtën kohë në Londër, pra në Konferencën e Paqes ndërmjet shteteve ballkanike fitimtare dhe Turqisë së mundur.

Vetëm zëri i Shqipërisë mbetej pa u dëgjuar, për arsye se formula e pavarësisë vazhdonte të mos përfillej dhe Qeveria e Vlorës mund të vepronte pak a shumë nga jashtë, pa e obliguar fare Konferencën dhe Fuqitë pjesëmarrëse.



* * *

Konferenca e Ambasadorëve i filloi punimet në Londër, më 17 dhjetor 1912, nën kryesinë e përhershme të ministrit të jashtëm anglez Grej. Që në ditën e parë të punimeve të saj, Konferenca e mori në shqyrtim çështjen shqiptare. Çështja u diskutua në dy aspektet e saj kryesore:



- e ardhmja politike e Shqipërisë; dhe- caktimi i kufijve.



I. Mbi bazën e pikëpamjeve të shkëmbyera që më parë, Konferenca i mori edhe vendimet përkatëse. Për pikën e parë ambasadorët vendosën të krijohej një Shqipëri autonome “nën sovranitetin ose suzerenitetin e sulltanit”, që ajo të vihej “nën garancinë dhe kontrollin ekskluziv të Gjashtë Fuqive” dhe të shpallej “asnjanëse”.

Ky vendim i Konferencës, ndonëse e vuloste dështimin e planeve shoviniste të qeverive fqinje për copëtimin e plotë të Shqipërisë, ishte një hap prapa në krahasim me vendimet e Kuvendit të Vlorës dhe binte në kundërshti me zhvillimin e ngjarjeve në Shqipëri, prej nëntorit e këtej. Derisa Kuvendi i Vlorës e kishte shpallur shkëputjen e Shqipërisë nga Turqia dhe pavarësinë e saj të plotë, Konferenca e Londrës vendosi ta linte atë ende në kuadrin e Perandorisë, duke ia njohur vetëm të drejtën e autonomisë së brendshme.

Përveç kësaj, Konferenca e Londrës vendosi të mos përfillte asgjë nga gjithë sa mund të bëhej brenda në Shqipëri për organizimin e shtetit shqiptar me forcat e vendit. Ajo ngarkoi Austro-Hungarinë dhe Italinë, si një lëshim për “interesat e tyre të posaçme” në Shqipëri, që të hartonin dhe të paraqitnin një projekt të hollësishëm të organizimit të shtetit autonom shqiptar.



II. Në lidhje me kufijtë, në seancën e saj të parë, Konferenca mori vetëm vendime të përgjithshme. Ajo vendosi në parim që Shqipëria autonome të kufizohej në veri me Malin e Zi dhe në jug me Greqinë. Kjo e kishte të mirën e saj ngase, duke e caktuar si fqinj të veriut Malin e Zi, i mbyllej rruga shtrirjes tokësore të Serbisë drejt Adriatikut. Por, kërkesa e vjetër e Serbisë për një “dalje në Adriatik” nuk u hodh krejtësisht poshtë. Ambasadorët ia njohën Serbisë të drejtën që të kishte një dalje tregtare në det nëpërmjet një skele shqiptare “të lirë dhe asnjanëse”. Ky ishte cungimi i parë që i bëhej sovranitetit tokësor të shtetit të ri shqiptar.



* * *



Konferenca e Ambasadorëve që filloi në Londër më 17 dhjetor 1912 zgjati deri në maj të vitit 1913. Ajo pati disa ndërprerje të diktuara nga rifillimi i Luftës Ballkanike. Konferenca u mor gati krejtësisht me çështjen e kufijve të Shqipërisë. Këtu u ndeshën, si kërkesat e palëve të interesuara drejtpërsëdrejti, ashtu edhe pikëpamjet e Fuqive që qëndronin prapa tyre.

Që në fund të dhjetorit e në fillim të janarit, qeveritë e shteteve aleate të Ballkanit ia paraqitën Konferencës pikëpamjet mbi ndryshimet territoriale, që duhej të bëheshin në Gadishull pas lufte. Krahas këtyre kërkesave, të mbështetura mbi parimin e kombësisë, aleatët ballkanikë shfaqën edhe pretendime, të nxitura nga lakmitë shoviniste. Këto pretendime preknin në radhë të parë, tokat të banuara nga popullsi shqiptare.

Greqia, përveç krahinave greke të Thesalisë, kërkonte edhe viset e Shqipërisë së Jugut (të Vilajetit të Janinës), të banuara nga popullsi shqiptare, kompaktësia e të cilave nuk cenohej nga grupet e vogla grekofone. Për aneksimin e këtyre tokave, diplomacia greke dhe shtypi shovinist grek zhvilluan një fushatë të gjerë brenda dhe jashtë Greqisë.

Qeveria serbe, nga ana tjetër, përfshinte në listën e kërkesave të saj edhe krahinat shqiptare të Kosovës si dhe tokat e banuara nga shqiptarë në Maqedoni. Edhe Serbia, njësoj si Greqia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Rusia, përhapte në kancelaritë evropiane propagandën se shqiptarët nuk janë veçse mbetje turke në Evropë, se shqiptarët nuk kanë luftuar për liri dhe pavarësi nga Perandoria Osmane, por se kanë qenë vasalë të saj, se shqiptarët funksionojnë me vlera e tradita turke, arabe dhe persiane, se shqiptarët janë përçues të natyrshëm të interesave turke, arabe dhe iraniane në Ballkan dhe në Evropën e krishterë. Një propagandë e tillë mund të shihet sidomos në librin famëkeq të Vlladan Gjorgjeviqit, Arnauti i Velike sile, Beograd, 1913.

Mali i Zi ngulte këmbë si më parë për aneksimin e Shkodrës me rrethe dhe kërkonte që si kufi i tij me Shqipërinë të caktohej lumi i Matit, ose të paktën Drini, deri te derdhja e tij në Adriatik.

Konferencës së Ambasadorëve në Londër i paraqiti një Memorandum edhe Qeveria e Vlorës. Në të shtroheshin kërkesat e ligjshme të Shqipërisë. Kufijtë e rivendikuar nga pala shqiptare niseshin nga kufijtë e atëhershëm të Malit të Zi dhe do të përfshinin, bashkë me rrethet përkatëse, Pejën, Mitrovicën, Prishtinën, Preshevën, Kumanovën, Shkupin, Tetovën, Gostivarin, Dibrën, Manastirin, Kosturin, Mecovën dhe Janinën. Në jug do të mbaheshin kufijtë ekzistues me Turqinë deri në Prevezë.

Memorandumi përfundonte duke hedhur poshtë tezën e aleatëve ballkanikë se Shqipëria ishte e lidhur me Turqinë dhe, për pasojë, trojet shqiptare do të shërbenin si “kompensim territorial” për aleatët që fituan në luftë.

Theksohej edhe fakti se kryengritjet e vazhdueshme shqiptare kundër sundimit turk ishin një kontribut i rëndësishëm në çështjen e përbashkët të popujve të Ballkanit.

Kombi shqiptar nuk mund të vuante fatin e sundimit turk në Ballkan.



* * *

Ashtu si për çështjen shqiptare në tërësi, edhe për çështjen e veçantë të kufijve të Shqipërisë, lufta diplomatike në Konferencë u zhvillua kryesisht ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Kuptohet, duke dalë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, Vjena aspironte t’i realizonte synimet e veta në Ballkan.

Sipas Vjenës, shteti i ri shqiptar do të ishte element i ekuilibrit të ri në Ballkan. Por, as Vjena nuk ishte për një zbatim absolut e pikë për pikë të parimit etnik. Monarkia e dyfishtë ishte vetë një konglomerat popujsh e kombesh në të cilin mohohej parimi i kombësisë. Madje, ajo edhe quhej burg i popujve.

Idetë e veta për caktimin e kufijve Austro-Hungaria i konkretizoi në një projekt-hartë të Shqipërisë, që ia paraqiti Konferencës me kërkesën e kësaj të fundit për ta pasur si bazë për diskutim.

Një projekt-hartë e dytë iu paraqit Konferencës nga Rusia e cila parashikonte një cungim të madh të tokave të Shqipërisë.

Konferenca e Londrës nuk e pranoi si bazë për zgjidhjen e çështjes së kufijve të Shqipërisë parimin etnik, qoftë edhe në trajtën gjysmake që mori ai në propozimin e Austro-Hungarisë.

Diskutimet kishin pamjen e një ballafaqimi të drejtpërdrejtë ndërmjet përfaqësuesve të Austro-Hungarisë dhe të Rusisë, të cilët u grindën për çdo qytet a krahinë shqiptare të veriut.

Në sipërfaqe filloi të dalë çështja e Shkodrës, e cila u bë strumbullari i gjithë çështjes së kufijve në veri. Kërkesa e Vjenës për t’ia lënë Shkodrën Shqipërisë ndeshi në kundërshtimin e vendosur të Rusisë, të përkrahur nga Franca, nga Anglia dhe, në këtë pikë, edhe nga Italia.

Në këto rrethana Austro-Hungaria i njoftoi Fuqitë e tjera se do të largohej fare nga Konferenca e Londrës, po qe se nuk arrihej marrëveshje për t’ia lënë Shkodrën Shqipërisë. Kjo trysni bëri që Italia të ndryshojë qëndrimin rreth çështjes së Shkodrës dhe të rreshtohej në anën e Vjenës.

Më 22 mars 1913 Konferenca u mblodh për të sanksionuar marrëveshjen përfundimtare të Fuqive mbi kufijtë e veriut. Në kundërshtim të hapur me parimin e kombësisë dhe të vullnetit të popullsive vendase, nga trungu i Shqipërisë u shkëputën Kosova dhe tokat e Shqipërisë lindore (të quajtura Maqedoni perëndimore).

Nga fundi i prillit të vitit 1913, garnizoni turk i Shkodrës kapitulloi. Qyteti u pushtua nga trupat malazeze dhe kjo shkaktoi një pështjellim të ri në Konferencën e Londrës dhe në kancelaritë evropiane. Pafuqia e Konferencës së Londrës për të siguruar zbatimin e vendimeve mbi kufijtë e Shqipërisë u dha shkas Austro-Hungarisë dhe Italisë të lidhnin, më 8 maj 1913, një marrëveshje të fshehtë, me anën e së cilës parashikonin mundësinë e pushtimit të Shqipërisë me forcat e tyre të armatosura, duke e ndarë territorin e saj në dy pjesë të barabarta. Afrimi ndërmjet Vjenës e Romës i shtyri Fuqitë e tjera, përfshirë dhe Rusinë, të kapërcenin ngurrimet, të ndërhynin në mënyrë më energjike në Cetinë, me qëllim që trupat malazeze të largoheshin nga Shkodra.



* * *

Konferenca e Londrës, me çështjen e caktimit të kufirit shqiptaro-grek filloi të merret vetëm nga gjysma e dytë e muajit mars të vitit 1913, pasi u arrit marrëveshja për kufijtë veriorë e veri-lindorë. Deri në këtë kohë çështja ishte diskutuar jashtë konferencës, sidomos ndërmjet Italisë dhe Austro-Hungarisë, të cilat kishin përcaktuar që më parë qëndrimin e përbashkët që do të mbanin në konferencë. Italia merrte rolin kryesor gjatë diskutimit të kufirit në jug. Më 19 mars 1913, përfaqësuesi i Italisë paraqiti në Konferencë projektin e bashkërenduar austro-italian. Propozimi i Romës dhe i Vjenës ndeshi në kundërshtimin e Fuqive të Antantës (Britanisë, Francës, Rusisë) të cilat përkrahnin aspiratat greke për të aneksuar krahinat e Korçës e të Gjirokastrës. Italia ndërkaq, në qëndrimet e Fuqive të Antantës lidhur me caktimin e kufijve jugorë të Shqipërisë në dobi të Greqisë, shihte prekjen e interesave strategjikë të saj, ndaj nguli këmbë për pranimin e projektit të vet, të pranuar edhe nga Vjena.



* * *

Gjatë gjithë punimeve të saj lidhur me kufijtë e Shqipërisë, Konferenca e Ambasadorëve nuk i përfilli asnjëherë aspiratat dhe interesat e popullit shqiptar. Tokat shqiptare u përdorën nga Fuqitë e Mëdha si monedhë këmbimi për të fashitur kontradiktat e tyre në këtë zonë dhe për të kënaqur pretendimet e shteteve ballkanike.

Me kufijtë që u caktuan në Londër, brenda Shqipërisë u përfshi afërsisht gjysma e trojeve dhe e popullsisë shqiptare.

Nga trungu i saj u shkëputën krahina të tëra (Kosova në veri, Çamëria në jug), të cilat, jo vetëm përfaqësonin trevat bujqësore më pjellore me nëntokën shumë të pasur, por edhe kishin qenë vatra të rëndësishme të lëvizjes kombëtare dhe kishin dhënë kontribut të çmuar në luftën me armë për çlirimin e vendit nga zgjedha osmane.

Eduard Grej, duke folur më 12 gusht 1913 në Dhomën e Komunave, lidhur me caktimin e kufijve të Shqipërisë nga Konferenca e Londrës, deklaroi: “Unë e di fare mirë se kur gjithçka do të bëhet e njohur, kjo zgjidhje do të japë shkas për kritika të mëdha nga kushdo që e njeh vendin... qëllimi kryesor ka qenë të ruhej marrëveshja ndërmjet vetë Fuqive të Mëdha... në të mirë të paqes në Evropë”.

Nga prononcimi i ministrit të jashtëm të Anglisë, kryetarit të Konferencës së Ambasadorëve, pranohet tërthorazi padrejtësia e vendimeve për kufijtë e Shqipërisë. Sipas tij, Shqipëria duhej të ishte një “kurban” i domosdoshëm në altarin e paqes evropiane.

Konferenca e Ambasadorëve e rimori në shqyrtim çështjen e statusit të Shqipërisë dhe të organizimit të saj vetëm në fillim të majit të vitit 1913. Austro-Hungaria dhe Italia u ngarkuan nga konferenca të hartonin projektin e organizimit të shtetit shqiptar. Ato kishin arritur një marrëveshje për të propozuar shkëputjen e plotë të Shqipërisë nga Turqia. Më 8 maj 1913 Vjena dhe Roma ia paraqitën projektin Konferencës. Projekti qëndronte brenda caqeve të vendimit të 17 dhjetorit 1912 dhe akoma parashikonte suzerenitetin turk mbi Shqipërinë. Por, kur u dhanë shpjegimet e rastit, ambasadorët e Austro-Hungarisë dhe të Italisë u shprehën për pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Arsyet e këtij qëndrimi të ri ndaj çështjes shqiptare duhen kërkuar në vetë zhvillimin e ngjarjeve në Ballkan...

Grekët s'kanë heronj, ne ua shpallëm pavarësinë

Nga Flori Bruqi

Skënderbeu mund të jetë grek, aq sa ç'mund të jetë shqiptar, Eleuther Venizellosi". Kështu u përgjigjet deklaratave të artisë ultranacionaliste greke, "Agimi i Artë", historiani i njohur Prof.dr.Pëllumb Xhufi.

Profesor Pëllum Xhufi  thotë se deklaratat e drunjta të "Agimit të Artë" nuk do të meritonin asnjë vëmendje, nëse nuk do të shprehnin një shqetësim real të nacionalizmit grek dhe të historiografisë nacionaliste greke. Kjo forcë politike ultra-nacionaliste përmes një shkrimi në faqen zyrtare, shprehej se shqiptarët nderojnë si hero kombëtar një grek, Jorgo Kastriotin, i cili zhvilloi një luftë të ortodoksisë kundër turqve, për të mbajtur të lirë rajonin. Në shkrim shtohej gjithashtu se shqiptarët përdorin në mënyrë të padrejtë flamurin e Perandorisë Bizantine si flamur kombëtar dhe nënvizonin se Epiri ishte grek.
Pëllumb Xhufi.JPG
Reagimi i "Agimit të Artë" erdhi pas deklaratave të pak ditëve më parë të kreut të marrëdhënieve me Jashtë në partinë Aleanca Kuqezi, Lisen Bashkurti, i cili foli pas një tjetër fyerjeje ndaj shqiptarëve. Paralajmërimit që Bashkurti u bëri këtyre ekstremistëve nëse shkelin në territorin tonë, duke iu kujtuar betejën e Lëkursit në fillim të shekullit

Por, cilësimi si grek i Skënderbeut, për historianin e njohur Pëllumb Xhufi, ka tjetër domethënie. "Fakti është se historia e ka lënë Greqinë pa heronj e pa vepra heroike. Në 500 vjetët e sundimit osman, në Greqi nuk arrin të shquash një lëvizje, një kryengritje çlirimtare, si përkundrazi ndodhi me shqiptarët gjatë shekujve XIV-XIX", vëreni ai.

Nga ana tjetër, profesori vëren se "fakti që aktorët kryesorë të kryengritjes së vitit 1821 dhe të çlirimit të Greqisë ishin shqiptarët, Ali Pashë Tepelena, Marko Boçari, Miauli, Ali Farmaqi, Kollokotroni, Odise Andruco, Bubulina, etj., nuk mundej të përtypej lehtë". Sipas Xhufit, është pikërisht për këtë arsye që historiografia dhe politika greke bënë gjithçka për t'i 'adaptuar' e për t'i paraqitur ata si grekë.

"Madje qysh në shekullin XIX, ndonjë ideolog i 'megali-idesë' shkoi më tutje: duke ndjerë si frustrim kombëtar boshllëkun në histori, e në heronj për Mesjetën greke, mendoi të 'rrëmbejë' edhe Skënderbeun", shton ai, duke theksuar kështu, se cilësimet mbi heroin janë krejt të hershme. Për Pëllumb Xhufin, njohës i mirë dhe autor i disa librave për këtë periudhë historike, "Agimi i Artë" nuk bën gjë tjetër veç shkel në rrugë të perënduara.

"Askush në Evropë e Amerikë nuk ua ka vënë veshin kllapive të tilla. Madje edhe në vetë Greqinë, brenda dhe jashtë botës akademike po shtohen gjithnjë e më shumë zërat, që denoncojnë nervin nacionalist e shovinist të historiografisë e të vetë politikës greke", nënvizon ai. Në fund, ai këshillon që "ndaj këtyre duhet të tregohemi (dhe duhet të tregoheni edhe ju gazetarët) të vëmendshëm dhe jo ndaj kakarisjeve të sorrave të 'Agimit të perënduar'".

“Çështja çame është e shenjtë. Ajo nuk duron që të trajtohet me marifete, me makiavelizma. Është ideologji për çdo shqiptar, por sidomos për çdo çam. Më vjen keq ta them që në këto vjet jo gjithmonë individë, shoqata apo parti të cilat kanë ardhur me flamurin e mbrojtjes së çështjes çame, në të vërtetë e kanë injoruar, ndonjëherë edhe e kanë diskredituar çështjen çame. Premtuan shumë gjëra.
Premtuan një rezolutë që e frynë sikur ishte mishërimi i problemit çam dhe e gjithë kjo rezultoi në një lojë të pështirë. Atëherë çfarë duhet bërë? 

Duhet ndërruar kursi, demokracia prandaj është. Në këtovjet ne kemi parë shumë figura që kanë qenë në krye të komunitetit çam. Ua dimë për nder të gjithë atyre që kanë kontribuar. Por vjen një kohë natyrisht dhe dalin grupe të reja. Ne sot kemi këtë grup të shkëlqyer të Aleancës Popullore, të cilët kanë pasionin, angazhimin, vullnetin dhe vendosmërinë për të çuar përpara çështjen çame”, shprehet Prof.Pëllumb  Xhufi.

Pëllumb Xhufi lindi në vitin 1951, në Durrës, Shqipëri. Përfundoi studimet në vitin 1977 në fushën e gjuhëve klasike, të historisë e arkeologjisë, në Universitetin e Romës. Në vitet 1991-1992, zhvilloi studime të thelluara në Universitetin e Këlnit (Gjermani) si bursist i Fondacionit "Humboldt". Pasi punoi në Institutin e Historisë për 15 vjet, në vitin 1997, u punësua në Ministrinë e Punëve të Jashtme, si Drejtor i Departamentit të Ballkanit, më pas zëvendësministër i Punëve të Jashtme, dhe më në fund Ambasador i Shqipërisë në Romë. Ka botuar shume vepra brenda dhe jashtë vendit në fushën e historisë së Shqipërisë dhe asaj ballkanike.

Botime

Dilemat e Arbërit - 2006
Ikje nga Bizanti - 2009
Nga Paleologët te Muzakajt - 2009
Shekulli i Voskopojës : (1669-1769) - 2010
Etj.

Kufizimi i gjuhës shqipe nxit debate në Parlamentin e Maqedonisë

Kufizimi i gjuhës shqipe nxit debate në Parlamentin e Maqedonisë

Nënkryetarja e Parlamentit të Maqedonisë dhe deputetja Suzana Salihu kërkon që të hapet debate për përdorimin e gjuhës shqipe në Parlamentin e Maqedonisë, për shkak se e drejta e përdorimit të gjuhës ka disa kufizime, sidomos për nënkryetaren e Parlamentit.

Sipas ligjit aktual për përdorimin e gjuhëve dhe rregullores së Parlamenti, deputetët kanë të drejtën të drejtohen në gjuhën shqipe, gjithashtu drejtimi i komisioneve parlamentare gjithashtu mund të bëhet në gjuhën shqipe nga deputetët shqiptarë. Përveç kësaj edhe ministrat shqiptarë në seancat parlamentare dhe komisione kanë të drejtën e përdorimit të gjuhës së tyre amtare. Por, kjo e drejtë i ndalohet nënkryetarit të Parlamentit, post që i takon edhe një deputeti shqiptar.

Deputetja e BDI-së, Suzana Salihu aktualisht mban postin e nënkryetares së Parlamentit dhe se ajo ka shprehur shqetësimin rreth përdorimit të gjuhës shqipe. Ajo ka kërkuar që grupi punues që shqyrton ngjarjet e 24 dhjetorit dhe që po merret me ndryshimet e rregullores dhe ligjit për Parlamentit duhet ta ketë parasysh edhe të drejtën më të gjërë të përdorimit të gjuhës shqipe, duke përfshirë këtë të drejtë ta ketë edhe nënkryetari shqiptar i Parlamentit.

“Përdorimi i gjuhës shqipe në udhëheqjen e seancave plenare të parlamentit mbetet një çështje e hapur dhe është një çështje që nuk përjashtohet që të jetë pjesë debatit edhe në punën e Komisionit për implementimin e rekomandimeve të raportit për ngjarjet e 24 dhjetorit. Në raportin e 24 dhjetorit në kapitullin e 4 shtrohet nevoja për definimin e çështjes së udhëheqjes të seancave plenare në rregullore dhe unë mendoj se ky moment duhet të shfrytëzohet, aq më tepër që komisioni për implementimin e rekomandimeve të raportit do të punoj me konsensus dhe vetëm me konsensus dhe pa përjashtim”, ka theksuar deputetja Salihu, e cila theksoi se për këtë çështje ka bazë kushtetuese, por mungon vullneti politik.

Kohë më parë PDSH-ja është kërcënuar se poqese seanca plenare do të udhëhiqet nga nënkryetar i parlamentit dhe me këtë rast nuk do të jetë Suzana Salihu, grupi parlamentar i PDSH-së do ët bllokoj foltoren e kuvendit. Nga ky moment me seanca nuk kanë udhëhequr as dy nënkryetarët tjerë si Jani Makraduli dhe Svetllana Jakimovska.

Mizoritë e luftës në Kosovë, 1998/1999. Veprimet makabre të soldateskës serbe në Kosovë:“Histori të tmerrit 1998-1999”.

Nga Flori Bruqi  Sanije Gashi, zonja e madhe e kulturës shqiptare.... “M'u kujtuan, saora, tragjeditë e Shekspirit, edhe ‘Ferri' i D...