Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/09/17

Shkrimtarja amerikane Siri Hustvedt: Gratë i detyrojnë të jenë të reja, secili zgjedh vetë se si të plaket

Shkrimtarja amerikane, që nuk e fsheh se është feministe, sjell në shqip një roman kushtuar grave. Jeta e një femre, nga lindja në vdekje, mes dhimbjes, auto-ironisë dhe humorit.

Siri Hustvedt na sugjeron një “Verë pa burra”. Kështu titullohet romani i autores amerikane, që vjen në shqip përmes shtëpisë botuese “Pegi”. Të duket një libër rozë, por nuk është aspak i tillë. Hustvedt përpiqet të zbulojë botën femërore, që në fëmijërinë e hershme, kur luan me shokët imagjinarë, te plakja e ikja nga kjo jetë me ca të fshehta, që s’ke mundur dot t’i thuash me zë të lartë. Në qendër është Mia, një poete, që ka prekur fundin për shkak të ndarjes me të shoqin. Rreth saj vërtiten gra të vogla e të mëdha, secila me historinë e vet në marrëdhënie me burrat, me prindërit, me fëmijët e mbi të gjitha, me veten. Në përpjekje për t’i shpëtuar çmendisë e për të gjetur veten Mia bëhet secila prej nesh. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, shkrimtarja Siri Hustvedt na tregon se si mund të jetë “Një verë pa burra”.

Kjo është hera e parë që një nga veprat tuaja përkthehet në shqip. Çfarë menduat kur e mësuat këtë gjë?

 
Isha shumë e lumtur kur zbulova se një nga librat e mi ishte përkthyer në shqip. Ishte një nder. 




Si lindi “Një verë pa burra”?

 
Dy romanet pararendëse të “Një verë pa burra” – “What I loved” dhe “The sorrows of an American” -kishin të dy narratorë meshkuj. M’u deshën dhjetë vjet që t’i shkruaja dhe e gjeta veten me një dëshirë të madhe për t’iu kthyer një zëri femëror. Në fakt, doja të shkruaja një libër për vajzat dhe gratë, në të cilin burrat nuk figuronin përveçse në e-mail-e, mendime ose në distancë. Gjithashtu doja edhe të shkruaja një komedi, diçka që nuk e kisha bërë më parë. Fillova të dëgjoj një zë në kokën time, kaustik, ironik, të gjallë. Ky i përkiste Mias, dhe ja që më erdhi fjalia e parë. Jo nuk është një histori nga jeta ime, por kam njohur njerëz të braktisur papritur nga një bashkëshort, dhe kam dëgjuar shumë histori të ngjashme me atë që tregoj në libër. Në fakt, është një histori banale. Por, nuk është banale mënyra se si Mia e tregon. 


Mia, personazhi kryesor i libri, është kaq e çuditshme… Sa jeni ju ajo?

 
Ju duket e çuditshme? Mua më pëlqen shumë. Unë jam një romanciere, eseiste dhe intelektuale. Me siguri ka diçka nga vetja ime te Mia, por zëri i saj është shumë ndryshe nga i imi, për shembull nga ai që unë përdor kur shkruaj ese. Jam shumë më e kujdesshme në tonet e mia, më pak e egër, por më pëlqeu të jetoja tërbimin dhe ironinë e Mias. Ishte një kënaqësi e mirëfilltë, por ajo është një personazh që shpika, jo një pasqyrë.


Përveç Borisit, i cili nuk është edhe aq aktiv, të gjitha personazhet e tjera në libër janë femra që krijojnë lidhje me njëra-tjetrën. Pse donit të shkruanit specifikisht mbi lidhjet midis grave?

 
Siç e thashë më parë, doja të tregoja për gratë dhe t’i mbaja burrat në sfond. Megjithëse dy romanet e mia të para ishin për gratë e reja, doja që personazhet e këtij libri të radhiteshin nga një moshë e shumë e re e deri te një moshë shumë e vjetër. Nëna ime, tashmë 90 vjeçe dhe e ve, jeton në një kompleks për njerëz të moshuar. E kam vizituar shpesh. Disa nga shoqet e saj më frymëzuan për gratë e moshuara në libër, megjithëse asnjë personazh nuk është marrë drejtpërdrejt nga jeta. I vetmi personazh mashkull që paraqitet i tëri (nëse mund ta themi këtë) është foshnja Simon, ende pa fjalë dhe tërësisht i varur te e ëma. Kjo ishte e qëllimshme. Foshnja jeton në botën e grave.
Në Shtetet e Bashkuara, gratë fituan të drejtën e votës në 1920, në të njëjtin vit me Shqipërinë. Nuk kanë kaluar as njëqind vjet – vetëm një brez më parë – dhe është jetësore që të kujtojmë se sa vonë gratë u bënë qytetare të mirëfillta të shumë shteteve dhe që ka ende shumë vende të tjera ku të drejtat e tyre janë të kufizuara. Seksizmi gjendej gjithandej, megjithatë vajzat dhe gratë janë thellësisht të prekura nga ndikimi i tij gërryes. Secila nga personazhet e mia është e prekur nga ide mbi femërinë e saj, ide kulturore që i japin formë perceptimit të vetvetes. Është parësore që të analizojmë paragjykimet tona, shumë nga të cilat gjenden në nëndije dhe ndikojnë gratë po aq sa burrat. Përndryshe do të përjetësojmë idetë e liga të trashëguara.  


Ka një erë të fortë feminizmi në librin tuaj – do ta përkufizonit veten si feministe? Pse, ose pse jo?

 
Për mua ky roman është një komedi feministe. Unë jam një feministe e bindur. Ka diçka të trishtë në lidhje me gratë që ngurojnë ta identifikojnë veten e tyre si feministe. Unë mendoj se kjo mosrehati vjen nga fakti që gratë janë dënuar kur kanë qenë agresive, me pikëpamje të forta, kur kanë insistuar te të drejtat e tyre. Shoqëria pret që gratë të jenë “të këndshme” në mënyra që nuk i pret kurrë nga burrat.
I gjithë romani rrotullohet mbi çështjen e “njëjësisë” dhe “dallimit”, duke filluar që nga epigrafi që mora nga filmi hollivudian “The Awful truth” e deri te diskutimi i Mias mbi problemin e lashtë filozofik të ndryshimit (kur një gjë kthehet në një tjetër dhe si mund t’i dallojmë ato); deri te shakatë e saj mbi “Republikën” e Platonit dhe debatin e tij nëse gratë duhen lejuar në qeverisjen e shoqërisë së tij ideale; deri te shakatë e vazhdueshme të Mias mbi seksizmin në shkencën e kaluar apo në neurobiologjinë e sotme; deri te interpretimi historik i dallimeve seksuale; deri te ironia mbi organet gjenitale; deri te historia e Alisas, vajza që dëbohet nga grupi i vajzave pasi është “ndryshe”, deri te fakti që librat që shkruhen nga gratë merren me më pak “seriozitet” se librat e shkruar nga burrat. Unë jam me gjithë zemër dakord me këtë thënie të Mias: “Nuk është se midis burrave dhe grave nuk ka dallime; puna është se sa ndryshime sjellin këto dallime dhe se ç’formë zgjedhim t’u japim atyre”. Ajo gjithashtu shkruan më pas në libër. “Ka tragjedi, por ka edhe komedi, apo jo? Dhe shpesh ato janë më shumë të njëjta, sesa të ndryshme, sikurse burrat dhe gratë, po të më pyesni mua. Një komedi varet nga ndalimi i historisë pikërisht në momentin e duhur.” Unë e ndaloj historinë në momentin e duhur. Gjithashtu duhet thënë se fjalët e fundit janë marrë nga kinemaja: ERRËSIM. Ky libër është shumë i vetëdijshëm që është një vepër arti.


Njerëzit rriten dhe plaken dhe gratë në librin tuaj janë shumë të vetëdijshme për këtë fakt të jetës. Cili është qëndrimi juaj rreth moshës? Çfarë mendoni mbi teknikat gjithmonë e më të sofistikuara të fshehjes së moshës së dikujt?

 
Unë jam 58 vjeçe dhe jam shumë e ndërgjegjshme për faktin se jeta ime do të mbarojë. Shpresoj të plakem dhe të qëndroj shëndoshë dhe me mendje të qartë. Kam shumë libra të tjerë për të shkruar. Nuk i gjykoj njerëzit që ndryshojnë fytyrat ose trupat e tyre për t’u dukur më të rinj. Jam e bindur që tradicionalisht është ushtruar më shumë presion te gratë për të qenë të reja dhe tërheqëse, dhe që ta ndërtosh identitetin tënd mbi rininë ose pamjen e jashtme është e gabuar. Por, përveç këtyre, çdo person duhet të vendosë vetë se si të plaket.


Në librin tuaj ka një listë të gjatë shkrimtarësh dhe poetësh: kush është i parapëlqyeri juaj dhe kush ju ka ndikuar më shumë? Cili është libri juaj i parapëlqyer?

 
Unë kam qenë një lexuese fanatike që në fëmijëri. Lexoj tre deri në katër orë çdo pasdite, pasi kam shkruar për rreth gjashtë orë. Filloj të shkruaj në mëngjes. Lexoj letërsi, filozofi dhe shumë shkencë. E kam shumë të vështirë të zgjedh një të vetëm. Ka kaq shumë shkrimtarë që dua. Emily Brontë dhe Dickens ishin vërtet të rëndësishëm për mua kur isha shumë e re dhe kanë ngelur të tillë, po aq sa ishin poetët Emily Dickinson dhe William Blake, të cilin e lexova për herë të parë kur isha njëmbëdhjetë vjeçe. Henry James, George Eliot, Fyodor Dostoyevsky, Franz Kafka, por edhe shkrimtarë më të errët, si Djuna Barnes, kanë lënë shenjat e tyre mbi mua…


Ju keni një histori personale me migrena dhe një tërheqje të gjatë për psikoanalizën dhe veprën e Freud-it. Në Shqipëri ekziston ende një tabu shoqërore e madhe mbi të shkuarit te një psikoanalist. Nëse duhet të na bindnit ta hiqnim këtë tabelën “e ndaluar”, çfarë do të thoshit?
Do të thosha që “kura e fjalëve” funksionon. Do të thosha që psikoanaliza është një lloj dialogu me një tjetër person që na e bën të mundur të shohim se si jemi të formuar nga zakone dhe trajta të nëndijshme. Kur këto trajte bëhen të vetëdijshme, atëherë ndryshimi është i mundur. Doktoresha S. (së cilës, meqë ra fjala, i fillon emri me S si mua) e ndihmon Mian në libër. 


Cilat do të ishin këshillat tuaja për shkrimtarët e rinj që shpresojnë të zbulohen/botohen?

 
Gjëja e parë, do të thosha: lexoni. Nuk mund të shkruani nëse nuk lexoni. E dyta, mos shkruani nga jashtë-brenda. Shkruani nga brenda-jashtë. Me këtë dua të them që një shkrim i mirë është gjithmonë urgjent dhe i nevojshëm. Nuk ka të bëjë me konventat. Nuk ka rregulla kur shkruhet letërsi. E treta: qetësohuni. Tensioni është armiku i artit. Tensioni krijon bllokime. Druaj se nuk kam këshilla të tjera. Çdo shkrimtar është ndryshe nga një tjetër shkrimtar, që do të thotë se udha e secilit është e veçantë.

ALMA MILE

A ishte disiden shkrimtari shqiptar Ismail Kadare?




Nga Nina Sabolik

Unë duhet ta urrej Ismail Kadarenë. Duhet ta urrej sepse unë jam maqedonase dhe ai është shqiptar, dhe dy popujt tanë kanë qenë armiq prej shekujsh dhe lufta më e fundit mes tyre ishte para një duzinë vitesh. Unë duhet ta urrej sepse në një takim të fundit të qendrave ndërkombëtare PEN në Bled (Slloveni) ai ishte i vetmi që refuzoi të firmoste peticionin për njohjen e Maqedonisë sipas emrit kushtetues, një peticion i nënshkruar nga të gjithë shtatëdhjetë anëtarët e PEN, përfshi pesë shkrimtarët e tjerë shqiptarë. Unë duhet ta urrej Ismail Kadarenë sepse, me sa duket, ai ka bashkëpunuar me regjimin e Enver Hoxhës, dhe nuk protestoi mjaftueshëm për mizoritë e komunizmit, mizori të ngjashme me ato të Jugosllavisë komuniste që kanë bërë kërdinë mbi familjen time për më shumë se tri gjenerata. Megjithatë, pasi lexova novelat dhe tregimet e tij, jo vetëm që nuk e urreja, por doja ta nominoja për Çmimin Nobel për Letërsinë për 2013. Më lejoni të shpjegoj përse.

Kadare ka lindur më 1936 në Gjirokastër, një qytet i vogël përrallor në malet e Shqipërisë jugore, që ka qenë suaza e disa prej novelave të tij, përfshi Kështjellën (1970). Gjithashtu ka edhe atë dallimin ironikisht të veçantë të të qenit vendlindja e Enver Hoxhës, diktatorit komunist të Shqipërisë. Kadare ka qenë gjithashtu anëtar i parlamentit komunist për më shumë se pesëmbëdhjetë vite para se të kërkonte azil politik në Francë në 1990, pesë vite pas vdekjes së Hoxhës dhe në prag të rrëzimit të sistemit komunist në 1991. Ai shërbeu si kryetar i institucionit kulturor që vëzhgohej rreptë nga bashkëshortja e diktatorit dhe krahu i tij i djathtë, Nexhmije Hoxha. Bile ai publikoi novelën Dimri i Madh (1977) si një himn për udhëheqjen e Hoxhës dhe distancimin e Shqipërisë nga Rusia staliniste në 1961.

Në anën tjetër, shumë prej librave të tij ishin të ndaluar përgjatë tridhjetë viteve që ai kaloi si shkrimtar në Shqipëri. Në mes tyre ishte ajo që konsiderohet si novela e tij më e mirë Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave (1981), që bën paralelizma mes regjimit të Hoxhës dhe një vendi të trilluar ku ëndrrat shqyrtohen për shenja të disidencës politike. Megjithatë, pavarësisht mendimit të tij të lirë, Kadare jo vetëm që mbijetoi por edhe lulëzoi në një vend ku shkrimtarët rregullisht internoheshin, burgoseshin apo ekzekutoheshin për shkelje shumë më të vogla ideologjike.

Ashtu si narrativa e Kështjellës, ashtu si edhe ajo e familjes sime, ku komunistë të thekur, borgjezë socialistë liberalë dhe konservatorë antikomunistë përziheshin dhe martoheshin me njëri-tjetrin, jeta politike e Kadaresë nuk ka një kufi të mirëpërcaktuar midis komunistit “të keq” dhe disidentit “të mirë”. Në fakt, në krijimet e tija, Kadare përdorë lenten e historisë për të treguar natyrën e formuar të disidentit politik. Kronisti, oportunist politik, i Kështjellës, për shembull, ndërton historinë e përplasjeve mes ushtrisë otomane dhe armikut shqiptar, që nga ana tjetër transformohet nga kritikët bashkëkohor në një narrativë për përplasjen midis komunistëve dhe kundërshtarëve të tyre. Kështjella, ashtu si disidenca e Kadaresë, është një alegori e alegorisë. Në zemër të saj, nuk është thjeshtë një kritikë për komunizmin por edhe një reflektim mbi relativitetin kulturor të përfaqësimit historik. Të kesh qenë shkrimtar në Shqipërinë komuniste duhet të ketë qenë pak a shumë e ngjashme me të qenit kronist i një ushtrie të madhe lindore në ditët e Perandorisë Osmane. Përshkrimi që Kadare i bën Tursun Pashës, komandantit të ushtrisë otomane te Kështjella, një zëvendësues për Enver Hoxhën dhe diktatorët ushtarakë kudo, është i qartë në këtë drejtim. “Nata ishte e mbarsur dhe ai ishte në barkun e saj, i vetëm fare”- është, për shembull, se si e përshkruan kronisti gjendjen emocionale të Pashës në prag të pushtimit. Një personazh i turbullt në vitet e tij të mugëtira, i shqetësuar për të tatëpjetën që kishte marrë karriera e tij ushtarake, Tursun Pasha ndihej i dërmuar nga pesha personale, por edhe qytetëruese, e detyrës që i ishte caktuar. I burgosur i dyshimeve të veta, ai përballet me vlerën e jetës së tij të kaluar si shërbëtor dhe krijues i një perandorie të re mizore. Në fund të vigjilës së tij, një qiell flakë i kuq që del nga Lindja paralajmëron një rrethim të vështirë dhe vdekja e tij është i vetmi çlirim nga burgu i perandorisë. Prandaj, “barku i errët” i natës shërben për disa qëllime simbolike, është grindja e përbrendshme e dikujt që nuk i shpëton dot peshës shtypëse të historisë, është zgjedha e një perandorie të madhe që zgjerohet kah perëndimi, dhe, në mënyrë të tërthortë por të pagabueshme, perandoria komuniste e Stalinit. Vetëvrasja e Tursun Pashait në fund të rrethimit thekson kuptimin e zymtë të kësaj metafore, vdekja e tij bëhet “njëfarë askundvendi, një vend me të vërtetë përtej ligjit dhe jashtë botës dhe Perandorisë”.

Një tjetër element i Kadaresë i kritikave ndaj regjimit të Hoxhës është sulmi i tij ndaj idesë së ç’kombëtarizimit, që te Kështjella lind nga padishahu, apo sulltani, që ishte edhe një argëtim i parapëlqyer i perandorive komuniste më të fundit. “Padishahu i madh,” na informon intendenti, “ka të tjerë burra që punojnë për të, që merren me probleme të këtij lloji. Ata janë specialistë të ç’kombëtarizimit….artistë në kalbjen dhe gërryerjen e kombeve.”

Këta “artistë” kryejnë dëme përbrenda, dëme që mbahen sekret nga rangjet e tyre, epo, po, është e keqja që mund t’i gjunjëzojë ata [kristianët].” Me fjalë të tjera, ideologjia, më shumë se fjalët, mund të thyejë një komb: “Ti nuk mund ta quash një komb të pushtuar derisa t’i kesh pushtuar Perëndinë.” Ashtu si edhe komunizmi, që erdhi në pushtet nëpërmjet revolucioneve të përgjakura që në fund dështuan, ushtria otomane nuk mund t’i thyejë luftëtarët shqiptarë vetëm me forcë; fortesa e vërtetë e një kombi janë mendja dhe zemra e popullit. Te kjo temë Kadare rikthehet te novela e tij Aksidenti (2010) që gjurmon influencën korruptive dhe të përçudnuar të vlerave perëndimore në Europën Lindore postkomuniste. Tek Aksidenti, megjithatë, armiku nuk është diktatori komunist, por sulmi ideologjik i vlerave të padiskutuara perëndimore, të cilat, në emër të lirisë, kanë shembur thelbin moral të Shqipërisë postkomuniste.

Ndryshe nga autorët e tjerë disidentë nga regjime diktatoriale të ndryshme, Kadareja nuk e sheh dritën në fund të tunelit historik. Nuk ka arratisje nga cikli i përjetshëm i konfliktit dhe pajtimit. Lufta vazhdon, nën shumë petka të ndryshme. Nuk ka shpëtim në anën tjetër të gardhit, as në vijën e parë të revolucionit fisnik. Në këtë sens, rrethanat e Kadaresë sfidojnë nocionin e Josepf Brodsky-t se mërgimi, fizik apo mendor, është e vetmja përgjigje e arsyeshme për një regjim shtypës. Për Kadarenë, e vetmja mënyrë për t’i rezistuar një diktature, qoftë komuniste, koloniale apo neokoloniale, është ta luftosh, përsëri dhe përsëri, nga përbrenda, nga thellësia e shpirtit tënd. Mërgimi nënkupton një besim naiv në superioritetin moral të dikujt mbi dikë. Dhe këtu qëndron shpjegimi për ngurrimin e Kadaresë për të nënshkruar peticionin e delegatëve të Maqedonisë për të njohur emrin e Maqedonisë-si një gjest politik, këto peticione në mënyrë të pashmangshme të kërkojnë të marrësh anë: “Ose je me ne, ose je me ata,” siç thoshte George W. Bush. Roli i shkrimtarit nuk është të zgjedhë midis fraksioneve ideologjike, duke i shërbyer interesave të njërit apo të tjetrit, por të përfshihet në një kritikë të sinqertë dhe të hollë të secilës dhe, në fund, të tërheqë vëmendjen tek ajo që të gjithë ne e kemi të përbashkët—humanizmi ynë.

Të gjitha kundërshtimet për nominimin e Kadaresë për çmimin “Nobel” burojnë nga i njëjti burim: paaftësia e audiencës perëndimore për të lënë pas provincializmin e vet kulturor dhe të vlerësojë një shkrimtar që nuk i përshtatet stereotipit të botës kulturore si, siç e përshkruan James English, një përzierje shumëkulturore me shije lokale.

E para e këtyre kundërshtimeve, ideja se Kadare nuk ishte mjaftueshëm disident dhe se ai bashkëpunoi me regjimin e Hoxhës, dalin nga një kuptim tipik perëndimor i disidentit komunist si një figurë zëlartë, alla Solzhenitsyn që publikon veprën e vet me gjithë rrezikun e mundshëm dhe pastaj emigron në Perëndimin vezullues dhe të lumtur—një version hollywood-ian i disidentit të Europës Lindore. Kadare në anën tjetër i përket turmave të padukshme që i bënë rezistencë regjimeve diktatoriale nga përbrenda, një akt shumë më i guximshëm dhe më heroik. Kadareja mbijetoi për më shumë se dyzetë vite duke publikuar novelat e tij të heshtura, por pagabueshmërisht, antikomuniste nën hundën shumë staliniste të Enver Hoxhës. E vetmja gjë që do e bënte më shumë hero do të ishte nëse ai do të kishte vdekur nën persekutim (një mundësi e vazhdueshme) dhe t’i publikonte novelat e tij heretike nga vetë parajsa komuniste.

Kundërshtimi i dytë, i ngritur nga, as më pak e as më shumë, por vetë orakulli i shijes letrare kulturore, kritiku i The New Yorker James Wood, ka të bëjë me novelën më të fundit të Kadaresë Aksidenti, e cila sipas Wood “është e rrallë dhe shpesh e fuqishme, por është paksa shumë e rrallë, saqë brinjët e alegorisë shihen tejpërtej, në një dallueshmëri të dhimbshme”. Ndërsa një analizë e hollë e novelës nuk është qëllimi i kësaj eseje, është e qartë nga eseja e Wood që fabula kryesore përfaqëson “një alegori për joshjet dhe burgosjet e tiranisë së re postkomuniste, lirinë. Kadare ka guxuar të sulmojë lopën e shenjtë të gjithë ideologjisë imperiale perëndimore-lirinë. Ai ka guxuar të tregojë se liria që pasoi komunizmin mund të mos jetë ai fundi i lumtur që kishte trumbetuar media perëndimore; në fakt, mund të jetë edhe më keq se vetë komunizmi. Shtypi perëndimor, i cili nuk e kishte problem të lartësonte virtytet e prozës së Kadaresë ndërsa ai në heshtje gërryente themelet e armikut të tyre ideologjik- bile e kritikonin se ishte shumë i heshtur, shumë delikat në sulmet e tij- papritur beson se alegoritë e tij janë shumë të dallueshme dhe jo të holla mjaftueshëm. Ajo që është e qartë në kritikën e Wood-it është fakti që ky është një problem përplasjesh ideologjike dhe jo meritash letrare.

Kundërshtimi i fundit, i kumbuar nga New York Sun në 2005, se punët e tij janë shumë të padepërtueshme dhe të vështira për t’u përkthyer, vendi i tij shumë i vogël dhe me reputacion jo të mirë për një audiencë perëndimore për ta kuptuar (le më për ta vlerësuar), buron nga i njëjti egoizëm perëndimor që e bën të vështirë imagjinimin e Kadaresë si një kritik multidimensional i ideologjive kontradiktore. Temat e novelave të Kadaresë, alegoritë me perandoritë e reja dhe të vjetra; pyetja e historisë dhe kuptimit të saj; besimi i tij i heshtur, por këmbëngulës, në vendosmërinë e shpirtit njerëzor, të gjitha këto janë të zbatueshme pavarësisht kohës dhe kufijve. Konteksti i historive të tij nuk është vetëm Shqipëria në pika të ndryshme të historisë së saj, jemi ne lexuesit, botërat që ne kemi krijuar në mendjet dhe zemrat tona. Gjuha e tij, teksa poetike dhe me të vërtetë e vështirë për t’u përkthyer në të gjithë brilancën plotë gjallëri, e ruan fuqinë e saj edhe në një përkthim të dyfishtë, si te Kështjella, është përkthyer në anglisht nga frëngjishtja dhe jo shqipja. Të lexosh letërsi të përkthyer, ashtu si kontakti me këdo tjetër përveç vetes tënde, gjithmonë kërkon një përpjekje të caktuar intelektuale; të heqësh dorë nga një shkrimtar vetëm sepse ai tingëllon i huaj, jo vetëm që është akt përtacie, por edhe një humbje për ne si qenie njerëzore dhe si komunitet njerëzor.

Si mbyllje, për t’u kthyer përsëri te çmimet “Nobel”, këta Oskarë të botës letrare, në ditët e sotme çfarë do të thotë “idealizëm” ose “një vepër letrare në një drejtim ideal”? Idealistët nuk janë njerëz që jetojnë në kulla të fildishta, që nga dritaret e tyre të ngushta shohin qiellin me palmat e qëndisura, që përfytyrojnë një botë të qetë, të paqtë dhe të lumtur. Idealistët shpesh janë nevrikë dhe ndonjëherë edhe mizantropë. Për ata, qielli me palma qëndisur ka më shumë gjasa të simbolizojë xixëllimin Teknokolor dhe zymtësinë e kulturës bashkëkohore pop sesa oazin e shndritshëm të së ardhmes. Me fjalë të tjera, ata janë shumë të përfshirë në të tashmen. Që Kadare të vazhdonte të shkruante kritika të zymta-por-të sigurta për një të kaluar komuniste të largët, do të kishte qenë zgjidhja më e lehtë; do të kishte çimentuar reputacionin e tij si ai shkrimtari i madh europiano-lindor që kritikoi ata komunistët e këqij. Në vend të kësaj, ai zgjodhi të komentonte për gjërat që janë të parehatshme, për atë po aq sa edhe për ne; që më shumë ngrenë pyetje sesa u japin atyre përgjigje; që nuk kanë zgjidhje në të tashmen dhe ndoshta as në të ardhmen. Ky është idealizmi. Dhe kjo është arsyeja se përse ai duhet të fitojë Çmimin Nobel në Letërsi 2013.


Trimëreshat suliote, Ali Pashë Tepelena dhe lindja e djepit shqiptar

trimereshat suliote











Përgatiti Saimir Lolja
Guximi i jashtëzakonshëm i grave shqiptare ka qenë shfaqur vazhdimisht në historinë e vendit, por një nga shembujt më të shquar ishte ai u bë i njohur për një degë të popullit Shqiptar të përfaqsuar prej Suliotëve, kur ato u rrethuan prej Ali Pashës më 1792. Suliotët formonin një bashkim gjysëm të pavarur që përmblidhte 66 fshatra, të cilët i përkisnin rrethinave të Margaritit, Paramithisë dhe Janinës. Deri në kohën e Ali Pashës, ata ishin krenarë për rregullsinë e pagesave të detyrimeve që i bënin Portës. Por kurthet e mashtruesit plak Ali, i cili dëshironte t’i kishte të gjithë kalorësit e Sulit dhe të ardhurat e tyre në duart e tij të pangopura, shpejt shkaktuan kryengritjen e popullit. Dhe kështu suliotët nisën luftën e tyre të gjatë dhe të lavdishme kundër fuqive shumë herë më të mëdha të Pashait të famshëm.
            Me anë të lojrave të dyfishta, i të cilave ai ishte një mjeshtër i përsosur, Pashai lidhi fillimisht në fuqinë e tij Xhavellën, një nga kryetarët e Suliotëve, dhe pastaj rrethoi Sulin. Kështu, ai u përpoq që me ryshfete ta bindte Xhavellën të tradhëtonte Sulin. Këtu mashtrimi u çiftëzua: Sulioti i zgjuar u duk se pranonte t’i bindej Pashait dhe bile la djalin e tij, Foto, në duart e Ali Pashës si peng. Ai u nis për në Sul në dukje se po e tradhëtonte atë, por pa arritur akoma atje ai i dërgoi një letër kundërshtimi Pashait.
            Atëhere, Aliu sulmoi Sulin dhe ishte pikërisht këtu që heroizmi i grave Shqiptare u bë kaq i dukshëm. Mosko, gruaja e Xhavellës dhe e ëma e Fotos, tregoi mrekullitë e vlerave të saja gjatë rrethimit. Ajo shqeu me sëpatë të vogël disa kuti fishekës, ia ngarkoi ato edhe grave të tjera, dhe u sulën drejt llogoreve për t’i shpërndarë ato tek Suliotët. Aliu kërcënoi se do ta piqte të gjallë djalin e saj Foto, por ajo iu përgjigj se ajo ishte e re dhe mund të lindte fëmijë të tjerë, dhe se ajo më mirë të hante mish të pjekur të djalit të saj se sa të tradhëtonte vendin e saj. (Blackwood’s Magazine)
           The New York Times, 8 Shkurt 1880
            Revista Blackwood’s Magazine ishte një revistë britanike me qendër në Skoci, e cila periudhën e saj të botimit e pati në vitet 1817-1980 dhe fillimisht quhej Revista e Përmuajshme e Edinburgut (Edinburgh Monthly Magazine). Në kohën e botimit të këtij shkrimi në gazetën The New York Times, qarku i Sulit, në përbërje të Çamërisë, ishte pjesë e Vilajetit osman të Janinës. Ashtu si pohon edhe revista amerikane TIME e datës 26 Gusht 1940, Çamëria i merret Shqipërisë me pushtimin e Janinës prej ushtrise greke më 6 Mars 1913. Një përshkrim faktik i viteve të para të shtetit të sapolindur shqiptar jepet më poshtë mbështetur në librin “Edith Pierpont Stickney, Southern Albania 1912-1923, Stanford University Press, 1926″.
            Kryengritjet shqiptare kundër Perandorisë Osmane dhe më pas shpallja e Pavarësisë Shqiptare i prishën planet e shteteve grabitqare dhe balancat e fuqive të mëdha në Europën Juglindore. Si rrjedhim u ndezën dy luftra ballkanike dhe më pas Lufta e Parë Botërore.
            


LouvreMuseum_EugèneDelacroix(1824-1825)_Suliotes










Lufta e Parë Ballkanike (8 Tetor 1912 – 30 Maj 1913) filloi me sulmet e Serbisë, Greqisë e Bullgarisë kundër Perandorisë Osmane dhe mbaroi me firmosjen e Traktatit të Konferencës së Paqes të Londrës. Kjo konferencë filloi punimet me 16 Dhjetor 1912 duke patur si shkak shpalljen e Pavarësisë Shqiptare më 28 Nëntor 1912 dhe në fund njohu pushtimet e bëra nga Serbia, Greqia e Bullgaria dhe Pavarësinë e Shqipërisë.
            Lufta e Dytë Ballkanike (16 Qershor 1913 – 10 Gusht 1913) filloi kur Bullgaria, e pangopur me pushtimet e saja, sulmoi Serbinë e Greqinë dhe mbaroi me firmosjen e Traktatit të Bukureshtit. Bullgaria e sulmuar edhe nga Rumania e Perandoria Osmane dorëzohet dhe humb atë që pat fituar gjatë Luftës së Parë Ballkanike.
            Kufinjtë e sotëm të Shqipërisë zyrtare u përcaktuan nën kujdesin e Britanisë, Francës, Austrisë, Rusisë, Gjermanisë dhe Italisë me Protokollin e Firences më 17 Dhjetor 1913. Para e pas kësaj date, Greqia edhe u përpoq të gjente përkrahje nga shtetet Europiane për rishikim kufiri edhe organizoi fshehurazi shqiptarë të greqizuar të ngrinin krye kundër shtetit Shqiptar, që qeverisej prej Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, me qendër në Durrës dhe kryetar princin Gjerman William of Wied. Përkrahja Greqisë për këtë gjë nuk i erdhi dhe një arësye për këtë mund të gjehet tek fjalimi në Dhomën e Ulët të Parlamentit Britanik më 8 Maj 1913 nga Walter Guiness, i cili tha: “Greqia po kërkon territor në Shqipërinë e Jugut ku raca Shqiptare është shumicë absolute”.
            Në Shkurt 1914, këto gjashtë fuqi të mëdha Europiane i bënë të ditur Greqisë se shumica e ishujve të Detit Egje do t’i jepeshin asaj më kusht që ajo të tërhiqte ushtrinë pushtuese nga Shqipëria e Jugut brenda muajit Mars 1914 dhe ta respektonte shtetin Shqiptar. Por nën nxitjen e drejtpërdrejtë të Greqisë (në dukje zyrtarisht asnjanëse), grekërit në Jug të Shqipërisë me në krye priftërinjë e tyre deklaruan më 28 Shkurt 1914 se formonin një të vetëquajtur “Republikë Autonome të Epirit të Veriut, e cila përmblidhte Himarën, Gjinokastrën, Sarandën dhe Delvinën”. Kryetar i saj u emërua Gjergj Kristaq Zografo nga Lunxhëria, i cili më 2 Mars 1914 në Gjinokastër u shpreh se “është e pamundur të vihemi nën zgjedhën e një populli barbar…”.
            Në fund të Marsit 1914, qeveria shqiptare kërkoi nga Fuqitë e Mëdha ta detyronin Greqinë të t’i jepte fund masakrave në Shqipërinë e Jugut. Theksi u vu në faktin se ndërsa në dukje ushtria greke po largohej prej Shqipërisë së Jugut, në fakt ajo edhe po lente mbrapa banditë të organizuar e të armatosur prej saj edhe po iua ndërronte veshjet ushtarëve të saj për t’i rreshtuar me “ushtrinë e Epirit të Veriut”. Me qëllim që t’i jepte sa më parë fund shkretimit dhe të sillte paqen në Jug të Shqipërisë dhe në kushtet e një shteti shqiptar akoma me kërthizë të lidhur, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit luajti lojën e bisedimeve, të mbajtura në Korfuz, me “grekërit e Epirit të Veriut”. Frika, se nëse përfundimet e këtyre bisedimeve të zhvilluara në Korfuz nuk do ishin të kënaqshme do të shkaktonin pushtimin e Shqipërisë së Jugut prej trupave Italiane dhe Austro-Hungareze, bëri që një marrëveshje [që mund të njihet edhe me emrin si Protokolli i Korfuzit] të firmosej më 17 Maj 1914. Me këtë iu jepej garanci “grekërve të Epirit të Veriut se kryetarët e bashkive të qyteteve kryesore të ishin të krishterë ortodoksë, që grekërit të mos thërriteshin në ushtri dhe të kishte liri fetare e arsimore për ta”, por gjithmonë duke ruajtur kontrollin e sipërm të qeverisë shqiptare.
            Lufta e Parë Botërore (28 Qershor 1914 – 11 Nëndor 1918) filloi me vrasjen në Sarajevo të nën-mbretit Franc Ferdinand të Austrisë nga një serb dhe mbaroi me nënshkrimin e armpushimit prej ushtrisë gjermane. Në kohën e shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, Shqipëria zyrtare praktikisht nuk kishte qeveri qëndrore dhe PrinciWilliam of Wied u detyrua të largohej nga Shqipëria në Shtator 1914. Ushtria greke e pushtoi përsëri Shqipërinë e Jugut më 27 Tetor 1914 dhe “qeveria e përkohshme e të ashtëquajturës republikë autonome e Epirit të Veriut” bëri të ditur se nuk do egzistonte më sepse kështu qëllimet e vërteta të saja ishin arritur. Shqipëria e Jugut mbeti e pushtuar prej ushtrisë greke deri në vitin 1915 kur ajo u shty prej ushtrisë italiane.
EdithPierpontTickney_SouthernAlbania_1912-1923
          



























Perandoria Austro-Hungareze zyrtarisht mori brenda saj më 1909 Bosnje-Hercegovinën, të cilën e pat pushtuar që më 1878 dhe ndërkohë u bë edhe garantore e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912. E dehur nga pushtimet e dy luftrave ballkanike dhe me ëndrën për një Serbi të Madhe ku të përfshihej edhe Bosnja-Hercegovina, nën nxitjen e mbështetjen e Rusisë, duke parë të bllokuar daljen në Adriatik prej një Shqipërie të pavarur, Serbia sulmoi Shqipërinë dhe kreu vrasjen e nën-mbretit Franc Ferdinand. Austro-Hungaria kërkoi që Serbia të largohej nga Shqipëria dhë njëkohësisht të mbahej përgjegjëse për atentatin e kryer. Kjo përplasje, në dukje diplomatike, midis Austro-Hungarisë të mbështetur nga Gjermania dhe Serbisë të mbështetur nga Rusia ndezi fitilin e Luftës së Parë Botërore dhe Shqipëria zyrtare nga shesh u bë përshesh prej ushtrive të huaja.
            Konferenca e Paqes në Paris (18 Janar 1919 – 21 Janar 1920) u mbyll në fund me themelimin e Lidhjes së Kombeve. Në këtë konfernecë u bënë përsëri përpjekje për ta qethur Shqipërinë e mbetur, por ndërhyrja e presidentit amerikan Woodrow Wilson (1856-1924), i sqaruar nga shqiptarë dhe miqtë e tyre, e shpëtoi Shqipërinë e sotme dhe i ashtëquajturi “Protokolli i Korfuzit” i zhvlersuar më parë prej vetë “grekërve të Epirit të Veriut” u mohua përfundimisht (rebus sic stantibus).

SULLTANAT OSMAN APO SHQIPTAR


Nga: Saimir Lolja


Gazeta “New York Times” e datës 26 Prill 1909 (figura përbri) përcjell një lajm mbi sulmin e bërë nga Turqit e Rinj kundër Sulltanit, i cili mbrohej nga 4000 ushtarë shqiptarë, dhe dorëzimin e tij. Egzistenca e 4000 ushtarëve elitë shqiptarë në rrethin më të afërt me Sultanin tregon se ato i përkitnin majës së piramidës ushtarake shqiptare që ishte nën petkun osman/turk. Mijra e mijra të tjerë sulmonin sultanin si “turq të rinj”; ndër këta ishte edhe Esad Pashë Toptani. Mijra e mijra të tjerë të tjerë ishin në kryengritje kundër osmanëve në tokat shqiptare, gjë që solli pas tre vitesh pavarësinë e një shteti shqiptar.

1

Pa llogaritur ushtarët me porosi, mijra e mijra ushtarë të tjerë shqiptarë ishin të shpërndarë në tërë tokat e zotëruara nga sultanati osman dhe zbatonin urdhërat ushtarake të sultanit edhe në luftimet në kufinjtë e sulltanatit edhe në shtypjen e kryengritjeve në tokat [edhe ato shqiptare] e zotëruara nga sulltanati.
A nuk pati edhe mijra e mijra të tjerë në poste zyrtare të Sultanatit, që nga kryeministër e deri tek nëpunësi i thjeshtë, të cilët në shumicën e rasteve vetëm vetëm vetes i shërbenin? Vetëm ato 4000 ushtarë elitë shqiptarë mund ta kishin kapur vetë sa hap e mbyll sytë tërë sultanin e qeverinë e tij dhe më pas bashkë edhe me shqiptarët e tjerë mund të bënin tërë popullsinë e sullltanatit që edhe ëndrat t’i kishin shqip. Ç’bënë e ku ishin ato forca, për shembull, kur u sulmua Shkodra dhe Janina gjatë luftës së parë ballkanike më 1913? A i ka pas ndaluar interesi vetjak dhe shpirtvogëlsia ato ushtarakë e zyrtarë shqiptarë që të bëheshin “bukëshkelës” ndaj sulltanatit dhe të bëheshin kultivues të farës arbërore shqiptare? A janë ndjerë ato të shqetësuar po të dëgjonin për një gjë të lartme siç është ardhmëria e Shqipërisë arbërore? A kanë qenë të lidhur brenda vetvetes prej besës shqiptare që patën përdorur? A e kanë patur ato ushtarakë e zyrtarë fuqinë, dëshirën, vullnetin, njohurinë dhe kuptimin për t’u kthyer apo për t’i shërbyer kudo ku ishin vendit të origjinës, Arbërisë, Shqipërisë, gjuhës shqipe? A ka mundësi ta kenë menduar atë? A mbeti jeta e vepra e tyre një mburrje apo thashethem edhe sot e kësaj dite?
Një shembull i mbarënjohur dhe heroik është ai i Gjergj Kastriotit, i cili pasi u kthye bashkoi princat shqiptarë dhe organizoi arbërit në një shtet arbëror. A nuk ishin shqiptarët e asaj kohe të cilët edhe pas vdekjes së Gjergj Kastriotit e mbajtën vendin të lirë edhe 10 vjet të tjera, deri kur ra kështjella e Shkodrës më 1478? A nuk ishin shqiptarët e periudhës së Gjergj Kastriotit që më luftën e tyre ngadhënjyese për liri, ndonëse më një çmim shumë të lartë njerëzor, krijuan një zjarr të lirë në shpirtin ilir që nuk shuhet më? A nuk ishin shqiptarët e periudhës së Gjergj Kastriotit që i fituan të tëra betejat ushtarake për 25 vjet rrjesht kundër osmanllinjve, duke iua hequr kështu përfundimisht osmanllinjve mundësinë e kalimit në gadishullin italian? Ndërsa shqiptarët treteshin në luftimet kundër osmanllinjve dhe përballeshin me varfërinë e shkatërrimet që sillnin luftimet, në gadishullin italian rilindja europiane ngjiste maja zhvillimi që edhe sot janë të paarritshme. Pa atë luftë mbrojtëse që bënin shqiptarët nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit dhe princave të tjerë, bie fjala, a do të kishte patur Leonardo da Vinçi dhe vepra të tij? A janë mirënjohës italianët, europianët e mbarë bota për ato sakrifica që bënë shqiptarët për të mbrojtur zhvillimin njerëzor dhe kushtet e rilindjes europiane?
E thënë ndryshe, shqiptarët humbën në fillim të shekullit XX atë që njihet tani si Turqi. Ashtu si më 1821-1832 kur për shkaqe të ngjashme dhe të një lufte fetare midis shqiptarëve të besimit mosleman dhe atyre të krishterë, shqiptarët humbën atë që sot quhet Greqi. Si rrjedhojë, doli një shtet i përbërë nga shqiptarë ortodoksë fundamentalistë që ndryshe njihen tani si grekër. A nuk ndodh edhe tani në Greqi që një grek e thotë në shqip: “Jam grek”? A nuk mendojnë “grekërit” si tërë fundamentalistët e tjerë, kudo qofshin e kurdoherë, se duhet të egzistojnë vetëm ato dhe se çdo gjë ka qenë e tyre apo iu përket vetëm atyre? A nuk uqërojnë “serbët” e “grekët” se aty ku është kisha serbe apo greke është tokë e shtet serb apo grek? Turqia e Greqia janë dy shtete që edhe sot si gjuhë zyrtare [të parë] duhet të kenë shqipen.
A nuk ndodhën ato humbje tek shqiptarët për shkak të menduarit e të jetuarit në nivel egzistence, të lënies në mëshirë të fatit? A nuk ndodhën për shkak të qënit të harruar e të panjohur edhe nga të vetët, të izolimit nga njëri tjetri, të mungesës së rrugëve ndërlidhëse, e si rrjedhim të mosbashkimit me njëri tjetrin? A nuk ndodhën për shkak të rënies në kurthet e pushtuesve dhe përçarjes së të ligëve, e si rrjedhim gjendeshin të zvogëluar para fuqive të pushtuesve? A nuk ndodhën për shkak të hutisë mendore, të humbjes se vetëdijes kombëtare, të harresës së origjinës, të vogëlsisë shpirtërore e cila i paaftësonte për të menduar e respektuar përtej vetvetes? A nuk ndodhën për shkak të përçarjes fetare të prodhuar prej organizimit “millet” të sulltanatit osman [në vazhdimësi të atij bizantin] që i organizonte njerëzit sipas besimit fetar? A nuk ndodhën për shkak të mungesës së një ideje, libri dhe shkolle qëndrore kombëtare, të mungesës së një qendre apo rrjeti kombëtar që duhej të përkujdesej për qenien, sigurinë dhe natyralizimin kombëtar? A nuk ndodhën për shkak të mungesës së një gjuhe të përbashkët të shkruar dhe të përhapur nëpërmjet librave e shkollave kombëtare?
Përpjekjet e rilindasve shqiptarë në shekullin XIX, e para së gjithash të arbëreshëve të Italisë së Jugut të cilët qenë të parët që i ranë këmbanës së zgjimit kombëtar, kanë qenë titanike. Po aq titanike kanë qënë përpjekjet për formimin e një shteti shqiptar të pavarur më 1912, i cili u cungua më shumë se gjysma edhe pse shqiptarët me vullnet të lirë deklaruan për një Shqipëri të pavarur sipas kufinjve etnikë të përvijëzuar në katër vilajetet e dukshme shqiptare që egzistonin brenda Sulltanatit osman. A nuk ka qenë e pamundur dhe e papranueshme nga të tjerët të nxirrje në pah një komb si shtet më vete ashtu si e kërkonte Lidhja Shqiptare e Prizrenit më 1878? A nuk ishte në atë kohë një Europë e besimit të krishterë që synonte të kthente mbrapsh shtrirjen e sulltanatit osman? A nuk vazhdoi sulltanati osman edhe për 500 vjet të tjera traditën e perandorisë bizantine që t’i organizonte njerëzit, botëkuptimin, zakonet dhe mënyrën e tyre të menduarit sipas besimit fetar? A nuk ishte një sulltanat osman që lejonte të hapëshin vetmë shkolla fetare, vetëm për qëllime fetare, dhe jo shkolla kombëtare? A nuk ishte një Rusi cariste që nëpërmjet degës së besimit ortodoks të krishterë përpiqej të zbriste edhe në jug të Europës? A nuk ishte një kohë që në Europën Juglindore arbërore shtetet po formoheshin dhe njiheshin prej Europës së krishterë dhe Sulltanatit mosleman sipas kufinjve të shtrirjes së kishave dhe shtetasit e krijuar po emërtoheshin sipas emrit të kishave përkatëse, bie fjala, asaj greke, bullgare, maqedone, serbe, kroate, rumune? Sa për shtetin që njihet si Mal i Zi, emërtimi ndoqi këtë rrugë: nga Malsi u lexua Malzi prej kronikanëve venedikas, u spjegua Mal i Zi e u përkthye Monte Negro; një emër aspak sllav. A nuk ishte shekulli XIX kur fjala “turk” filloi të përdorej për herë të parë për ato njerëz në Anadoll të besimit mosleman që e mbeshtetnin më shumë sundimin osman?
A nuk është hapi i parë për të zhdukur një popull fshirja e kujtesës së tij, shkatërimi i librave, kulturës, traditës e historisë së tij? A nuk është hapi i dytë ai i caktimit të disave të shkruajnë libra e të përhapin rrëfime të reja të stisura për atë popull, i krijimit të ndjenjave, zakoneve dhe emocioneve të reja, i krijimit të një kulturë të re gjuhësore dhe të menduari, domethënë i shpikjes së një historie të re gjoja të trashëguar? A nuk ndodh më pas që shpejt ai komb, i mishëruar tek njeriu i veçantë i kredhur në detin e interesave dhe ndjenjave vetjake, të harrojë se çfar është e çfar qe? A nuk ndihmohet ky qëllim duke i ndryshuar gërmat me të cilat shkruhen emrat e njerëzve, duke vendosur prapashtesa tek ato emra, duke ndryshuar kështu shqiptimin dhe tingëllimin e atyre emrave? A nuk treten dallimet midis kombeve duke vendosur emra fetarë për të sapolindurit?
A nuk vërtetohet thënia e shkrimtarit Viktor Hugo (1802-1885) se “një popull mund t’i bëjë ballë pushtimit të një ushtrie, por nuk mund t’i bëjë ballë pushtimit prej ideve”? A nuk peshon atëhere rëndë pyetja “të jeshë rrënjë apo gjethe”?

Përgatitet rregullativa e re, kërkohet ndalja e shpifjeve, e fyerjeve, e gjuhës së urrejtjes në gazeta,poratele informative interneti-pritët ndëshkimi dhe nënshtrimi sipas ligjit


Prof.dr.Idriz Vehapi

“Kjo është një çështje, e cila duhet të rregullohet me urgjencë për faktin se nëpër gazeta , portale interneti  po shohim që janë duke u plasuar edhe lajmet më të pavërteta dhe duke u përdorur edhe fjalori më banal që mund ta dëgjojë njeriu ndonjëherë, vetëm nga njerëzit e paedukatë. Bile jo rrallë, ajo gjuhë e portaleve po del edhe më e ulët se gjuha e rrugaçëve”, tha kryetari i Komisionit për Media në Kuvendin e Kosovës, Idriz Vehapi.
description

Industria mediale në Kosovë, përveç mediave të shkruara dhe televizioneve, në dy-tre vjetët e fundit është zgjeruar edhe me zhvillimin e mediave në internet, portaleve të shumta, të cilat në shumicën e rasteve funksionojnë pa një bazë të mirëfilltë ligjore, jashtë kontrollit të mirëfilltë të Këshillit të Mediave dhe KPM-së dhe duke shkelur kodet profesionale të gazetarisë.

Ajo që e karakterizon portalomaninë është publikimi i shpejtë i informacioneve të paverifikuara, shpifjeve të shumta dhe lejimit të postimit të komenteve të pafiltruara, nga lexues anonimë që përdorin gjuhë fyese dhe fjalor ndër më banalët. Kjo automatikisht krijon parakushte për trajtimin penal të rasteve.

 Avokati Arianit Koci

 Avokati Arianit Koci konsideron se në shumicën e rasteve që po ndodhin me plasimin e ta pavërtetave nëpër portale të ndryshme dhe komentet që po pasojnë ato publikime, krijohen parakushte të mjaftueshme për penalizmin e pronarëve të tyre, respektivisht të përgjegjësve për shpifjet dhe fyerjet e publikuara...,në gazeta dhe portale informative,bllogje virtuale etj,pa kurrëfarë kriteri editorial,redaktorial etj.


2013/09/15

Ekspertët rusë parashikojnë ndarjen e Maqedonisë



Ekspërtët rus kanë krijuar një hartë të re të Evropës repsketivisht të kufijve të saj deri në vitin 2035. Hartuesit e së njëjtës janë Zbignjev Bzhezhinski ish këshilltar i ish kryetarit amerikan Xhimi Karter dhe shkrimtari Semjuel Hantigton. Ata gjatë krimit të hartës kanë shfrytezuar burime nga CIA dhe Shërbimi sekret ushtirsë ruse. Sipas tyre Ballkanin këto 20 vite e presin ndryshimë të mëdha:

Maqedonia do të humb pjesën e saj perëndimore në interes të Shqipërisë së Madhe, Vojvodina do të ndahet nga Serbia ndërsa Bosnja do të ndahet mes Kroacisë dhe Serbisë, transmeton "Shqipmedia".

Poashtu ata parashikojnë ndarje dhe në vendet tjera të Evropës: Skotlanda do të ndahet nga Britania e Madhe, Irlanda do të bashkohet, Katalonasit dhe baskët do të ndahen nga Spanja, Në jug të Francës do të krijohet një shtet me shumicë islame, Italia do të nadhet në dy pjesë ku Sicilia dhe Sardinia do të shpallin pavarësi.

Ushtarakja Mimoza Shala ,si vajzë 16 vjeçare bëri historinë e luftës në Gjakovë


Të gjithë në Gjakovë e njohin Mimoza Shalën, si një vajzë të qetë, ndërsa jo shumë prej tyre e dinë historinë e saj, të cilën jo me shumë detale po tentojmë ta sjellim në këtë rrëfim.

“Asnjëherë nuk kam menduar që si femër, jam e paaftë për luftë. Gjithmonë, edhe si fëmijë e kam pasur një karakter të veçantë dhe njerëzit nuk i kam dalluar në bazë të gjinisë, por në bazë të karakterit”, fillon Mimoza me tregimin e saj, duke iu përgjigjur insistimit tonë për ta pyetur se a është frikësuar që si femër të jetë pjesë e luftës çlirimtare.

Ajo shton se as mosha e re nuk e ka penguar që ta zgjedhë armën si mjetin e vetëm për çlirim të vendit.

“Kur bashkë me një grup të vogël shokësh planifikonim të shkonim në UÇK, dëgjuam se atje kishte edhe të rinj të tjerë. Kjo na pati motivuar edhe më shumë dhe na pati shtyrë që pa asnjë hezitim të niseshim drejt Gllogjanit”, vazhdon me tregimin ajo.

Ata fillimisht mezi ishin pranuar në zonat e luftës, pikërisht për shkak të moshës së re, por pasi ishte kuptuar se ata kishin shkuar në luftë për ideal e jo për ekskursion ishin pranuar me mjaft dashamirësi.

Megjithatë, lufta nuk kishte qenë e lehtë për të. “Më ra fati që për herë të parë si ushtare të merrja pjesë në betejën më të ashpër, atë për mbrojtjen e Gllogjanit, në të cilën përjetova gjërat më të rënda të mundshme. M’u vranë dy shokë, ndërsa në fund një grup prej 11 ushtarësh mbetëm të izoluar në mal për 3 ditë, në borë e pa ushqim”, tregon ajo, por me bindje shton se të gjitha këto përjetime nuk e kanë lëkundur asnjëherë nga vendimi i saj, bile edhe e kanë fuqizuar më tepër.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...