Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/09/17

Federico del Sagrado Corazón de Jesús García Lorca dhe manastiri i grave

Federico del Sagrado Corazón de Jesús García Lorca (sq: Fredriko Garsia Lorka) u lind më 5 qershor 1898 në Fuente Vaqueros një Fshat në Granda një qytet në Spanjë dhe vdiq në 19 Gusht 1936 në Granda. Garsia Lorka mësimet e para i mori tek nëna e tij e cila ishte mësuese dhe pianiste e talentuar. Në vitin 1909 kur Garsia Lorka ishte 11 vjeç familja e tij u zhvendos në qytetin Granada në jug-perëndim të Spanjës pastaj Garsia Lorka ndoqi dhe u diplmua në shkollën e mesme dhe ndoqi studimet në Universitetin Sacred Heart ku studioi artin dhe letërsinë ku dhe nxorri veprat e para potike. Ai ishte poet, shkrimtar, dramaturg, drejtor teatri. Fredriko Garsia Lorka është i njohur ndërkombëtarisht për pjesëmarrjen e tij në luftën civile spanjolle ku udhëhoqi forcat anti-fashiste për të penguar forcat fashiste të udhëhequra nga Gjenerali Francisco Franco. Mendohet se Grasia Lorka është vrarë nga forcat ushtarke anti-komuniste në fshatin Alfacar në Granada, edhe sot e kësaj dite shumë gjëra janë të paqarta mbi vdekjen e Grasia Lorkë-s.








Gjithçka ndodh si në një manastir, natën, nën dritën e hënës, nga dyert e rënda dhe të errta të të cilit dalin gjashtë gra të veshura me të zeza, si në një procesion mortor, regjisorja spanjolle me origjinë ruse, Irina Kuberskaya, e dashuruar pas imazheve tragjike të Frederiko Garsio Lorkës, ka 40 vjet që rropatet ti gjallërojë skenikisht këto imazhe dritë-hijesh të forta, si në tablotë e lemerishme të Goyas. Me një mjeshtëri të rrallë dhe me penelata të forta impresionistë, ajo, solli në skenën e Butrintit Spanjën religjioze, me shpirtin përvëlues të vajzave të Andaluzisë, me diellin e fortë, me ritmin e valleve të ndezura të Kastanjetave, me tingujt e kitarës dhe me atë fund tragjik të heronjve të Revolucionit Spanjoll, të dashuruar aq shume me jetën.
Drama-tragjike e Lorkës së vrarë nga fashistët në ‘36-ën në lulen e moshës, la mbrapa poezi dhe drama po kaq tragjike. Sikur ta dinte mynxyrën e jetës që e priste, ky burrë i pashëm andaluzian, që dinte të shkruante poezi, drama e të këndonte aq bukur, do të vdiste pa i thënë të gjitha ç’kishte shpirti i tij i thellë… ”Shtëpia e Bernarda Albës”, e njohur dhe e pasqyruar në shumicën e skenave të botës, erdhi në Butrint në një version krejt të ri, me një finesë të jashtëzakonshme, si një poemë tragjike, si një parathënie edhe për fundin tragjik të poetit-dramaturg Lorka, drejtorit fort të hijshëm e të ri të Teatrit të Granadës,

Rrallëherë ndodh që anët me të zymta të jetës njërezore të trajtohen e të shprehen me kaq finesë, sikundër e realizoi rusja Kuberskaya, e cila e “lexoi“ Lorkën po në atë poezi të dhimbshme; Rrallë ndodh që fjala poetike të bashkërendojë me veprimin, me lëvizjen plastike, me artikulimin e gjestit e me atë veshje, që varion nga e zeza në të kuqe, për të mbërritur tek e bardha e purpurt. Dhe, e gjitha kjo, nën ato harqe të gurta e kamare të fshehta “katedralesh të mistershme”, ku vendin e perëndive do ta zënë figurat njerëzore e të hijshme të Pepe Ciganit që “qarkullon” aty, është i pranishëm dhe nuk duket gjëkundi. Po AI është gjithandej në shpirtin e dashuruar të këtyre vajzave, të përvëluara për seks, por që janë destinuar të vdesin si virgjëresha! Dhe, e tëra kjo dhimbje njerëzore, shpaloset para syve tanë, prej një ansambli interpretues, që ngjajnë si një personazh i vetëm dhe po kaq i ndjeshëm, sikur të që një tingull muzikor i beftë dhe depërtojës në krejt qenien tënde, atje në shkallaret e gurta, kur ke ngrirë i tëri nga forca e artit të vërtetë… Shihni këtu, ju lutem: Edhe zia e pllakosur në Shtëpinë e Bernarda Albës, edhe despotizmi i saj i grumbulluar si një mllef përbrenda vetes, pas dy ndarjeve nga jeta e të dy burrave që ka patur dhe nën një kulmi ku jetojnë vetëm vajza, pa u bërë gra akoma, (me fatin tragjik mbi shpinë!), si ikona të shenjtëruara e të martirizuara nga vuajtjet e jetës; Edhe dashuria e nëpërkëmbur dhe e “varrosur” pas këtyre dyerve të renda, se cc’kanë një si ulërimë që del nga shpirti i këtyre vajzave-gra-fat-thyera dhe që çuditërisht ngjitë të shpirti i spektatoreve të ulur në shkallaret e gurta të këtij Teatri të Lashtë. Dhe një dashuri e fshehur thellë, në brendësi të shpirtit të ndezur të vajzave-gra, si një klithme jetë që vibron në ajrin përreth tyre. Performanca e shfaqjes se EROSIT, sikur zapton tërë Teatrin, shoqëruar me një muzikë po kaq drithëronjëse, me kontra-punktë që e shkulin nga rrënja zemrën e vajzave të përvëluara (për t’u bërë gra), sa më parë, jashtë mureve të zymta të “manastirit” ku janë kyçur. Regjia do të pulsojë përbrenda vetëdijes se tyre dhe në do të ndjejmë rrahjen e zemrës së tyre, do ti ngrije hera-herës dhe do të na fiksoje në ajër trajtën me të bukur të figurës femërore, kur ana shpirtërore shprehet e gjitha të harmonia e trupit dhe e gjestit; Dhe, do të dalë e do të hyjë përsëri në po këtë manastir, me po atë natyrësi, si në Shtëpinë e Zotit, me ato emocione, me po ato impulse të fshehta të dashurisë për një burrë, të cilat do të shuhen dhe do të vdesin para së të lindin si të tilla. “Ime bijë vdiq e virgjër, – thotë Bernarda Alba, -me një aksent tragjik.. Më dëgjoni të gjithë, ajo vdiq e virgjër!”
Pamë kështu një spektakël model, ku vlera e artit të aktrimit është e njësuar me vlerën e mjeshtërisë së regjisë, me vlerën e tingullit muzikor, me veshjet që evidentojnë edhe kohen edhe shpirtin e personazheve, me konvecionin lakonik të një skenografie figurative dhe thuajse në një skenë të zbrazët, përball shkallares gjysmërrethore e të gurtë të Amfiteatrit ilir. Duke bashkëpunuar me një skenograf-artist, regjisorja e talentuar Irena Kumberskaya i përdori ato dy dyer të lëvizshme si gjithçka, për të ndërtuar në hapësirë “burgun e grave” të kyçura. Plus edhe një “derë të jashtme” në hapësirë, imagjinare, që hapet e kyçet “në ajër” (me “sikurin magjik”!), me çelësin e madh të varur me gjalmë në brezin e mesit të Bernarda Albës, në rolin e “gardianes“ së bijave të veta! Fantazia e regjisores së Teatrit të Madridit “Tribunë” shkon edhe me tej, duke e hapur dhe mbyllur shfaqjen në një “mur” (janë të dyja dyert e bashkuara!), i cili nuk ka kyçur vetëm gratë, si qenie njerëzore, po fatin e tyre tragjik, bashkë me perëndinë Eros së kudondodhur! Mandej, do të vijë një çast, kur vejushat e përdëlluara për jetën, të veshura në të zeza, regjisorja do ti mbulojë me bishtin e fustanit të nusërisë, që ka veshur gjyshja 80 vjeçare, për të evokuar trillin e mbrapsht të fatit të tyre!

Kësisoj, ne mësojmë nga shfaqja në fjalë se tirania në pushtet, bëhet edhe më e tmerrshme kur i hedh rrënjët nëpër familje. Paralelizmi që bëhet vetiu edhe me jetën e familjeve shqiptare, është po kaq aktual e rrënqethës. Mentaliteti i Bernarda Albës është i njësuar nëpër familjet shqiptare (nëpër gra e burra), saqë duket si një kthim në një shoqëri primitive, barbare. Vetëm atë ditë kur po jepej kjo shfaqje, kishin ndodhur pesë vrasje në familje dhe therorizimi i Pepe Ciganit Spanjoll do të na bëhej edhe me i tmerrshëm. Përkujdesja e Bernarda Albës për të pesë vajzat e pamartuara, kthehet në një tirani të vërtetë. Se, ajo nuk do që fati i saj dramatik (pas dy martesave të pafata!), ti ndjek edhe ato… Po, a ndalet lumi që vërshon nga mali, a ndalet gjaku që vërshon nga brenda, a pritën “damarët e jetës”, a ndalet Erosi që të hyje aty ku e ka “folenë” e tij?! Pra, jeta do të vazhdoje në “rrjedhën e lumit malor” të këtyre vajzave, sikundër vërshojnë rrembat e gjakut nder damar, nga ku deshra sensuale është e mbetet e pandalshme, po kaq e zjarrtë dhe e lumnueshme… Adela, me e vogla nga vajzat, nuk do të mbahet dot pa e parë dhe përqafuar të dashurin e saj Pepe, i cili do të bëjë marrëzinë e rradhës, për t’ia “hedhur grepat” motrës së saj të madhe, për të përfituar një trashëgimi edhe me të madhe! Shpalosja e mëtejshme e kësaj drame, do të nxjerrë në pah të njëjtat dëshira dashurie, rivaliteti dhe smire edhe nga Amelia dhe Augustina… Magdalena, gjithashtu, e “përvëluar” ca më tepër, nis të pispilloset posa sheh që të kaloje rrugës një burrë, për të dalë sa me parë matanë këtyre dyerve të kyçura e për të rënë në krahët e të parit burrë që i del përpara! Rrethi i mbyllur i tiranisë shoqërore e familjare s’ka si mos të shkaktojë edhe reagimin e kundërt, që Lorka e Kouberskaya e kanë pasqyruar me kaq mjeshtëri. Shtrëngesa ndaje personalitetit të grave dhe të vajzave, në të tilla raste do të ketë pasojat e ”Shtëpisë së Bernarda Albës”, për të përfunduar në vrasjet e zakonshme (si ajo e Pepes dhe vetëvarje, si ajo e Adelës!).

Regjisorja Irena Kouberskaya e jep në skenë të gjithë këtë lëvizje për jetën dhe dashurinë, kundër tiranisë fetare e zakonore, me dramatizmin që kanë kompozimet e tablove të Rembrandit, me dritë-hije të forta, ku ka gjithheri diçka të frikshme, për të përfunduar në kompozimet e tmerrshme të Francesko Goyas, të Saturnit (që ha bijtë e vet!) dhe të asaj skuadre pushkatimi që vrau djaloshin e dashuruar Pepe dhe, më pas, dramaturgun-poet Lorka, që na dha këtë drame të dhimbshme e të përjetshme. Dhe kështu merr fund shpirti i ndezur i këtyre vajzave spanjolle (pa u bërë gra!), të provincës andaluzianë, ku shkëlqen dielli, kënga me kitare, vallja e famshme Flemingo dhe dashuria e nxehtë mesdhetare.

Floripress


Bujar Nishani: Ismail Qemali figurë e madhe, por portreti tim e kërkon Kushtetuta


bujar nishani edi rama









Presidenti Bujar Nishani është angazhuar për betejë me mazhorancën e re sa i përket vendimit për heqjen e portretit të tij nga zyrat e shtetit.
Nishani përmendi Kushtetutën që parashikon vendosjen e portretit të tij në zyra dhe tha se do të mbrojë Kushtetutën.
Ai shtoi se për fat të mirë ka mekanizma për të mbrojtur Kushtetutën.
“Është e padëgjuar më parë që një kryeministër ta nisë punën e tij duke hequr foton e presidentit të tij. Nuk ka ndodhur në asnjë vend, nuk duhet të ndodhë. Nuk është serioze. Kjo nuk është punë, është një gjest. Si i tillë nuk kërkon angazhime, lodhje, nuk kërkon fantazi, nuk kërkon inteligjencë dhe presidenti pret nga kryeministri që të bëjë punë dhe jo gjeste.
Kushtetuta e përcakton qartë që presidenti është kreu i shtetit dhe Kushtetuta ia ngarkon presidentit unitetin e vendit.
Ismail Bej Vlora është figurë e madhe e historisë sonë, por historia është histori dhe serioziteti ndaj shtetit është seriozitet ndaj shtetit. E rëndësishme është që Kushtetuta do mbrohet në çdo rast, por sforcimet për ta vendosur presidentin si kundërshtar politik nuk janë të shëndetshme për demokracinë. Unë mendoj se shqiptarët kanë nevojë për bashkim, punë, zhvillim ekonomik. Presidenti do të jetë gjithmonë në shërbim të unitetit të popullit dhe të mbrojtjes së Kushtetutës.
Për fat të mirë Shqipëria i ka të mbrojtura mekanizmat për mbrojtjen e Kushtetutës,” tha Nishani.
Ai i bëri komentet në mbyllje të samitit të presidentëve të rajonit.

Marrëdhëniet e përmbysura shkrimtar-botues në Shqipëri


Nga Feride PAPLEKA




Kumtesën time po e filloj me një pohim jo shumë të këndshëm: në ditët tona koncepti i marrëdhënieve shkrimtar-botues është përmbysur në dobi të këtij të fundit. Kjo përmbysje i ka ndryshuar rrugën përgjigjes që bëhet kur përpara shkrimtarit shtrohet pyetja ekzistenciale: pse shkruaj? Libri shqip në këto vite tranzicioni të zgjatur edhe në fushën e botimeve thuajse e ka humbur lexuesin. Kalimi nga botimet e para vitit ’90, kur çdo gjë ishte e kontrolluar dhe e censuruar, në botimet e lira, gati kaotike, ku asgjë nuk kontrollohet, ka sjellë edhe pasojën e rëndë që krahas veprave cilësore të pakta në numër të vërshojnë botime pa vlerë e që janë të shumta në numër. Është e qartë pse ndodh kështu. Sistemi i përfitimit është në dobi të letërsisë së dobët. Prej këndej rrjedh edhe fakti që kritika e hapur dhe qëndrimet parimore ndeshen rrallë, sepse nuk përfillen. Kjo ka ulur nivelin kombëtar të vlerave. Shpesh nëpër gazeta të impresionojnë shkrime të ashtuquajtura kritike me lëvdata të tipit: vepër e madhe, e paarritshme, shkrimtar i shquar, shkrimtar i madh, ia kalon edhe Homerit, çfarë ka Markesi më tepër etj., e të bëjnë të nënqeshësh. Me të drejtë lind pyetja: po botuesi, shtëpi botuese apo gazetë qoftë, si e ka lejuar? Nëpër shkrime të tilla lihet jashtë vepra konkrete, argumentimi me shembuj, arritjet ose mosarritjet, vlerat estetike e gjuhësore që përbëjnë stilin e një vepre letrare.
Varësia e shkrimtarit nga botuesi sot është shndërruar në shumë raste si varësi e qenies nga fati. Shkrimtarët shpesh ndihen të huaj në atdheun e vet, ose “ata jetojnë në një vend anormal, që është atdheu i tyre”, siç do të thoshte Aragoni. Në këto kushte, dëshira dhe pakënaqësia grumbullohen dhe metamorfozohen, duke rrezikuar tërë letërsinë. Liria intelektuale kësisoj është e kërcënuar. E kërcënuar është edhe e vërteta artistike. Kapitalizmi ultraliberal është një totalitarizëm i ri, që e mbulon të vërtetën si të gjithë totalitarizmat. George Orwell kur fliste për letërsinë dhe totalitarizmin, thoshte: “Pa të vërtetën as që bëhet fjalë për nxitje krijuese.” Në socializëm mendohej se një krijues ishte i lirë nga pikëpamja ekonomike, por ai ishte i pranguar politikisht. Në kapitalizëm mendohet një krijues i çliruar nga pikëpamja politike, por ai është i pranguar ekonomikisht.
Ndoshta këto mendime të zymta vijnë nga fakti se ne jetojmë në një vend ku mirëkuptimi është i vështirë dhe fjala “demokraci” shpesh ekziston vetëm si nocion, në letër. Sido që të thuhet, është fakt i pakundërshtueshëm se shumë botime janë kthyer në mall. Shkrimtari që pranon të jetë i varur nga botuesi nuk është i interesuar dhe nuk shqetësohet që në Shqipëri nuk janë të gjithë njësoj para ligjit, që në Shqipëri ka mjerim, i cili shkon gjer në depersonalizim të njeriut, që në Shqipëri sistemet e arsyetimit vulgar shfaqen haptas, po ashtu si konformizmi, idealizmi i rremë dhe urtësia e shtirur. Shkrimtari kundërshton me anë të penës, të ligjërimit letrar padrejtësitë edhe kur shumica ka mendim të kundërt, sepse shumica mund të jetë e manipuluar. Letërsia e vërtetë, kur nuk ndërvaret, është kundër rrymës, ajo është avangardë, ajo përpunon kështu mendimin dhe qëndrimet për një jetë më të denjë. Sigurisht, me të drejtë, dikush do të thotë se në Shqipëri sot nuk ka gazeta të mirëfillta letrare, nuk ka struktura të specializuara si në të gjithë Europën për t’u ardhur në ndihmë shkrimtarëve që të përfundojnë projektet letrare, nuk ka një organizatë shkrimtarësh dhe as një strehë ku ata të mblidhen qoftë edhe për një minutë heshtje, kur dikush nga radhët e tyre shuhet. Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, për fat të keq, sot quhet “ish-ndërtesa e Lidhjes”. Përfundimi është i hidhur: jetojmë në një vend ku nuk përfillet letërsia. Në një kohë kur në Shqipëri gjendet vend për njëqind e njëzet parti, domethënë për njëqind e njëzet zyra partiake, nuk ka një vend për shkrimtarët (!). Si mund t’i vendosësh, atëherë, fjalët mbi hijen e një indi jo të shëndetshëm që thuret në mënyrë të padukshme?
Mospërfillja për letërsinë dhe nxjerrja e shkrimtarëve në marzh, por jo e të gjithë shkrimtarëve (kuptohet: vetëm të atyre që nuk janë miq të qeverisë), ashtu si në të kaluarën, po e vdes nga dita në ditë lirinë krijuese, duke e shitur skllavërinë ekonomike si liri. Dhe sa kohë që do të mungojë institucioni i kritikës, do të ketë humbje të pallogaritshme në letërsi. Ky është një keqkuptim i madh i administratës ose edhe i atij opinioni që kërkon të bëhet arbitër i gjithçkaje, edhe i letërsisë. Vlerësimi i njëmendët për një vepër letrare që do ta orientonte lexuesin drejt veprës letrare mungon, edhe sepse shumica e shtëpive botuese nuk kanë kritere, qoftë estetike, qoftë profesionale për botimet letrare. Kthimi mbarë i marrëdhënieve shkrimtar-botues, dalja në shtyp e një kritike të shëndoshë, që është filtër për kalimin e vlerave të vërteta letrare dhe krijimi i strukturave në dobi të krijimtarisë cilësore, do të ndikonte në përpjekjet e letërsisë për t’u përfshirë në rrjedhat e letërsisë europiane.
Te ne në përgjithësi nuk ka një kritikë të specializuar që u paraprin botimeve serioze, nuk ka as ndonjë kritikë të mirëfilltë, pasi botohet një libër i mirë, qoftë përkthim, me autorë të huaj, qoftë me autorë vendas. Edhe kur kjo ekziston, nuk bëhet e njohur, sepse reklamat shkëlqejnë për të tjera gjëra. Doemos që botimet e dobëta i krijojnë lexuesit një perceptim të gabuar për letërsinë e vërtetë. Të mos flasim pastaj për anën teknike. Krahas botimeve të mira e të vlerta ka botime të panumërta që lënë për të dëshiruar si paraqitje, me gabime drejtshkrimore e me gabime teknike të pafalshme etj., që e ftohin lexuesin dhe e largojnë atë nga letërsia. Në shtëpitë botuese përgjithësisht janë zhdukur fare redaktorët, korrektorët teknikë dhe gjuhësorë, që janë të domosdoshëm në përgatitjen e një botimi për shtyp.
Sidoqoftë, pyetja “Pse shkruaj?” e bërë nga dhjetëra shkrimtarë, që në fillimin e ndërgjegjësimit të tij historik për aktin e të shkruarit, mbetet përherë aktuale. Ajo ndiqet nga një mendim i dyfishtë, në të cilin lexohet trishtimi dhe utopia e shkrimtarëve të vërtetë. Utopia ka një kuptim të veçantë, është pikë referenciale dhe mban një lidhje të ngushtë me kohët, sidomos në luftën kundër banalitetit dhe antivlerave, që shiten si vlerë. Letërsia, dihet, është çështje lirie individuale, po kur kjo liri kufizohet nga rrethana politike, edhe vetëdija e lirisë cungohet, edhe letërsia shndërrohet në një variant kitsh si gjithçka tjetër që e përfshin sistemi i përfitimit.
Për mitin e Sizifit kemi lexuar shpesh. E dimë gjithashtu se për të kuptuar nëntekstin e tij nuk është aq e lehtë, pavarësisht interpretimeve të shumta. Këtë mit mund ta përqasim me punën e shkrimtarit. Në të vërtetë shkrimtari i denjë për emrin që mban, është pareshtur në betejë për afirmimin e së mirës kundër së keqes. Ai është kundër gjithçkaje që zymton mendimet dhe peizazhin, kundër gjithçkaje që shumohet në errësirë, pa u kuptuar. Ai e di se herët a vonë e keqja, e cila nuk njeh kufi dhe as kohë, edhe e veshur me petkun e së mirës, do t’ia behë dhe do të mbjellë verbërinë dhe intolerancën. Vetëm kur të shkruarit gatuhet me materien e dhimbjes apo lumturisë së provuar, ai shkon drejt universales, kthehet në një un njerëzor të papërsëritshëm.
Dihet që faktori ekonomik me varfërinë e tejskajshme të shtresave të papuna është i pranishëm, por as shtresa e pasur dhe ajo e mesme nuk e përfill librin shqip. Për librin shqip në të vërtetë nuk ekzistojnë nxitjet për një garë të lirë e të ndershme. Kuptohet që një shoqëri që kalon dita-ditës nëpër një krizë identiteti nuk ka sesi të mendojë për letërsinë. Këtë e tregojnë marrëdhëniet e shndërruara dalëngadalë në marrëdhënie botues-autor, të cilat marrin parasysh vetëm fitimin. Shkrimtarët e vërtetë, merret me mend, në kushte të tilla janë në një luftë të heshtur. Heshtja dihet që krijon një gjendje paradoksale. Heshtje do të thotë përulje, pranim i shmangies së fjalës dhe mendimit të emancipuar, dhunim i moralit qytetar të krejt një shoqërie.
Dhe duke dashur të jem më bindëse në ato që them do të ndalem pak në marzhin e unit femëror, timit. Unë shkruaj me lumturinë dhe vuajtjen që të jep krijimi, pa menduar për botimin. Ideja e të botuarit më lodh, sepse të mendosh për botimin, që në të shumtën e rasteve është shndërruar thjesht në një akt tregtimi, do të thotë të mos shkruash. Unë i bashkohem letërsisë së vërtetë, shkrimit ose leximit të saj, për të luftuar kundër moskuptimit, frikës, kaosit, mbytjes, fundit, pushtetit, tradhtisë, vetmisë, harresës, vulgaritetit, përparimit të errësirës dhe përpiqem t’i jap trup e shpirt asaj tjetrës, tregimtares, t’i jap thellësinë e vështrimit për kohërat. Po edhe asaj tjetrës, që jam unë edhe si shkrimtare dhe që them ndonjëherë duke qeshur: “Ah, sikur të isha djalë!”, jo në kuptimin që i jep Haki Stërmilli, por në kuptimin letrar, sepse nuk është aq e thjeshtë sa duket të jesh shkrimtare. Bie fjala, unë e dërgoj librin në një shtëpi botuese dhe drejtuesi i saj, pa e kaluar nëpër instancat e duhura, e lë dikur (që do të thotë pas një viti e më shumë) me mospërfillje në sekretari. Ndonjë lajmërim për t’u paraqitur nuk dërgojnë as shtëpitë e mëdha botuese të Tiranës. Nuk e kam fjalën te mosbotimi ose botimi, e kam fjalën tek ecuria, që mungon e që mund t’i quash me plot gojën qëndrime primitive, punë shqiptarçe. Gjithashtu unë nuk kam gjetur asnjë shënim shoqërues për librat e mi, ashtu si në të dy librat që kam botuar në Francë (në një mënyrë të përpiktë pas dy muajsh), ashtu siç ndodh rëndom në të gjitha shtëpitë botuese të Europës, ku e themi me zë të lartë, gati-gati me arrogancë, se i përkasim. Po si i përkasim, vetëm me fjalë? Marrëdhëniet e përmbysura, që sot kanë emrin “botues-shkrimtar”, dëshmojnë se jemi ende larg.
Me këto shqetësime që ngrita në këtë kumtesë të shkurtër nuk është se nuk i njoh problemet financiare që kanë shumë shtëpi botuese, thjesht dua të theksoj se, për sa kohë do të ekzistojnë marrëdhënie të përmbysura me rendin e paarsyeshëm botues-shkrimtar, hendeku do të thellohet përditë e më tepër e do të përpijë letërsinë e vërtetë.

Kumtesë për sesionin letrar “Shkrimtari dhe botimet letrare”, mbajtur në Prizren me rastin e festivalit ndërkombëtar të poezisë “Drini poetik”, që zhvillohet më 9-10 qershor.

Sytë e të varfërve - Sharl Bodëler (1821- 1867)

Sharl Bodëler (1821- 1867)

Ah! Doni ta dini përse ju urrej sot? Padyshim do ta keni më të lehtë ta kuptoni, se sa unë për t’jua shpjeguar sepse jeni, mendoj unë, shembulli më i mire i padepërtueshmërisë femërore që kam mundur të njoh.Kemi kaluar së bashku një ditë të gjatë, që m’u ka dukur e shkurtër. Kemi premtuar se mendimet tona do të jenë të përbashkëta për njëri-tjetrin dhe që dy shpirtrat tanë tashmë do të jenë një;- një ëndërr që s’ka asgjë të vërtetë, mbi të gjitha, në se është një ëndërrim i njerëzve, ajo s’është realizuar nga asnjeri.
Në mbrëmje, pak i lodhur, ju deshët të uleni në një kafe të re në qoshe të një bulevard të ri, ende plot gërmadha dhe që tregonte tashmë me lavdi shkëlqimet e tij të papërfunduara.
Kafeja shndriste. Gazi vetë shpaloste aty vrullin e një fillimi dhe ndriçonte me tërë fuqinë e tij muret që të verbonin me bardhësinë e tyre, mbulesat verbuese të pasqyrave, zbukurimet e grilave dhe të kornizave, shërbëtorët me faqet buçko që i tërheqin për kapistalli qentë, zonjat që qeshin si fajkua të mbështetura në pëllëmbët e tyre, nimfa dhe perëndesha që mbajnë mbi kokë fruta, paketa makaronash dhe mish gjahu, Hebetë dhe Ganimedët që tregojnë me dorën e shtrirë amforën e vogël bavareze ose obeliskun dynjyrësh të pasqyrave të larme; e gjithë historia dhe gjithë mitologjia në shërbim të makuterisë.
Në xhade, drejt, para nesh qëndronte një burrë i giximshëm dyzetvjeçar, me në pamje të lodhur, me një mjekër të thinjur, që mbante për dore një djalë të vogël dhe në krahun tjetër kishte një vogëlush shumë të dobët e që s’mund të ecte. Ai kryente detyrën e shërbëtorit dhe i kishte nxjerrë fëmijët e tij të merrnin ajrin e mbrëmjes.Të gjithë të leckosur. Këto tri fytyra ishin jashtzakonisht serioze dhe këto gjashtë sy sodisnin të fiksuar kafenë e re me një admirim të njejtë, por me nuanca të ndryshme, sipas moshës së tyre. Sytë e babait thonin: “Sa bukur! Sa bukur! Do të thoja se i tërë ari i botës ka veshur këto mure.”
Sytë e djalit të vogël: “ Sa e bukur! Sa e bukur! Por është një vend ku mund të hyjnë vetëm njerëzit që s’janë si ne.” Sa për sytë e më të voglit, ato ishin shumë të magjepsur për të shprehur asgjë tjetër përveç një gëzimi të thellë prej të marri.
Kupletistët e humorit thonë se kënaqësia e bën shpirtin të mirë dhe e zbut zemrën. Këtë mbrëmje, sidomos për mua, kënga po e bënte këtë gjë. Jo vetëm isha i prekur nga sytë e kësaj familjeje, por ndjehesha pak i turpëruar për gotat dhe krikllat tona të birrës, më të mëdha se etja jonë.
I ktheja sytë e mi drejt syve tuaj, o dashuri e madhe, për të lexuar aty mendimin tim; zhysja në sytë tuaj kaq të bukur dhe kaq çuditërisht të ëmbël, në sytë tuaj të gjelbër, të kapluar nga Kapriçoja dhe të frymëzuar nga Hëna, kur më thoshit:” Këta njerëz atje janë për mua të padurueshëm me sytë e tyre
të hapur si dyer të mëdha vilash nga hyjnë karrocat! S’mund t’i luteni të zotit të kafenesë që t’i largojë prej këtej?”
Është kaq e vështirë të dëgjohesh, ëngjëlli im i shtrenjtë, mendimi yt është kaq i pakomunikueshëm, madje edhe mes njerëzish që duhen.

Përktheu nga frëngjishtja

 Çlirim Gega

Sulejmani i Madhërishëm një nga poetët më të mëdhenj të Ballkanit




   Zbulohen poezitë e Sulltanit të tmerrshëm të Turqisë me pseudonimin
   “Dashnori

   Sulejmani i madhësrishëm, apo Muhibi ka lindur më 1494 dhe ka sunduar
   në vitet 1520 – 1566. Ai është njohur si, “I madhërishëm” dhe si
   “Ligjëvënësi”. Ka qënë i njohur si mbrojtës i arteve, që përpara se të
   bëhej njëri nga poetët e mëdhenj të vendit. Ka qenë i dhjeti sulltan i
   Perandorisë Otomane. Gjatë sundimit të tij, Perandoria arriti në
   zenitin e vet. Ka qenë përpunues i floririt dhe ka shkruar poezi me
   pseudonimin “Muhibi”, që në arabisht do të thotë “dashnori”

   Këta ditë doli libri me lirikat e dashurisë së sulltanëve osmanë.Këta
   janë hulmtuar dhe shqipëruar nga bashkëpunëtori i njohur i shtypit,
   shkrimtari dhe përkthyesi i mirënjohur, Riza Lahi, anëtar i “Shoqatës
   Botërore të Poetëve dhe Akademisë së shkenave dhe arteve shqiptaro –
   amerikane”. Janë gjetur nga ai, lirika të 17 sulltanëve osmanë, por ne
   po japim për lexuesit, lirikat nga disa vëllime të sulltanëve që njihen
   më shumë në vendin tonë. Sulltan Muradit të parë që u vra në Kosovë,
   Sulltan Muradit të Dytë dhe Sulltan Mehmetit, që dështuan para mureve
   të Krujës dhe heroit tonë legjendar Skënderbeut, si edhe të “Sulejmanit
   të Madhërishëm”, tashmë aq popullor falë sërialit të filmit që vazhdon
   të shikohet me kureshtje të veçantë në një nga tv tona.


   DASHNORI

   Një Muhib nuk thotë “jo” kurrë,

   Dhe në e shtrofshin në torturë,

   Prap e prap, “jo” nuk thotë kurrë!

   Dihet, ç’ngjet për dinë e iman

   Kur i varfëri merr imzanë

   Konvertuar në Sulltan…

   Sa sheqeri në dynja

   Thonë më të ëmbël, s’ka

   Oh, moj, paska, moj zemra ime

   Qënkan buzët e së dashurës sime.


   KAM BËRË GJYNAHE SHUMË


   Zot i Madh që ke krijuar këtë jetë dhe atë jetë

   Të bjerë shi i mirësisë tënde mbi mua, dërgoi retë

   Kam bërë gjynahe shumë … ilaç tjetër që t’i lajë

   Veç Teje tjetër nuk di, që të vdes i qetë pastaj

   Më ndihmo, m’I fal gjynahet, Allah, para se të largohem

   Më ndihmo! Jam robi jot! Më ndihmo, të përgjërohem!


   E KAM ZEMRËN E SËMURË


   E kam zemrën sëmurë

   po grindem me të gjithë,

   sikur mbi mua ka rënë e më ka zënë havaja;

   Sot po çmëndem për ty

   unë jam Maxhnuni* sot

   çdo fytyrë që shoh në rrugë me duket si Lejlaja*.

   Ta mbyll, në është shkruar, këtë udhë të dashurisë

   vdekur ja nga veremi,

   ja një thikë me tërbim;

   Nimfat do të vijnë nga malet

   e do të qajnë mbi mua,

   e sytë do t’i fërkojnë nga pluhuri i trupit tim,

   Gjaku i mëlçive do më të derdhet papushim

   dhe lulet edhe barin përqark

   do të stërpikë,

   deri çastet kur e dashura të më qëllojë nga larg

   me breshërin e shigjetave të qerpikëve.

   Në ditën që qe shkruajtur

   po pi verë dashurie

   dhe vloj e uturij si dallgë oqeani

   Eh, ngjet edhe Muhibi

   të bëhet gaz i botës…

   Jam unë që e provova,

   vetë Sulltan Sulejmani!


   LAVDI, ZOT, QË MË BËRE MYSLIMAN


   Bismilahi, emri i Zotit që është një

   Allahut që askush s’i fshehë asgjë!

   Kam zemrën nga sikleti të plagosur

   Allah Ekber, ti je mjeku i përsosur;

   Mjeku që çdo shpirti i bën derman

   Lavdi Allah, që më bëre mysliman!

   Ma mbaj besimin tënd deri të më dalë xhani

   Allah!…Allah!..Mos lër që të më marrë shejtani!

   Për hir të dërguarit tënd, Muhamet Mustafës

   na e fal, o Zot, bujarinë e Parajsës!

   İ dashur Zot! Në ditën e Madhe të Gjykimit

   Mbaj në anën tënde skllavin tënd të përulur,

   Muhibbin,.


   KURORA E FRONIT TË SULLTANIT


   Sulejman, kush është kurora

   e sulltanatit që drejton?

   - Të jesh xhymert , zemërmirë

   kjo ësht’ madhështi në fron.

   Nënshtetasit nëse don

   të kenë paqë dhe harmoni

   arrogant mos je ndaj tyre

   mendo… ka më të mirë nga ti

   Ta duam shumë njëritjetrin

   sikur do vëllai për vëllanë…

   Falë kësaj bese të dhënë

   Sulejman je mysliman

   Puno me mënd të kujtohesh

   për të mirë në mot e jetë

   Ruaj të mirën; kush bën keq

   je i ashpër por fort i drejtë!

   Por, të vrasës, si tiran

   sikur bënte ..Tartar Khani

   Estakfurullah! Kështu

   S’i ka hije një sulltani.

   Kur sherri ngjet para teje

   E ti ikën me nxitim

   e s’i sulesh agresorit

   - njëlloj sikur bën vetë krim.

   Mos fli gjumë, rri sykatër

   në diell, dimër a në duman…

   …Ke në dorë fatet e botës

   o i Madhi Sulejman!


   *MUHIBBI – (arabisht) dashnori



   Sulltan Muradi


   OH, SA KAM PIRË SONTE!…


   O, sonte sa kam pirë !

   Do pres gjer në të gjdhirë…

   Këtë jetë,

   siç dua vetë, më lini që ta sos!

   Më sillni, more, harpën!

   Këtu, lahutën me tela!

   Me zemrën e sulltanit

   tani dua të llafos.

   Sa të zbardhë agimi

   do të shkoj në varrezat

   te gropa ime

   të shtrihem ngadalë…

   Dhe shokët e mi kurr s’kanë për ta ditur

   i kujt është ky varr

   …pa një germë…

   ….pa një fjalë…….


   Sulltan Muradi i Dytë


   MË SILL, MORE VERË!


   Saki, më sill verë, verë, verë të kuqe, bre

   Por sill nga ajo vera që më teproi dje

   Ma lër këtu , saki, këtu, edhe ikë prapë

   I vetëm këtë natë, dua të flas me harpë.

   Ah, ç’më kënaqe sonte, harpa ime – myhyr

   Të dua fort, moj shpirt, se jam i gjallë, shyqyr

   Ka për të ardhur një ditë e ti s’do këndosh më

   Nga pluhuri im s’do të mbetët

   asgjë,

   asgjë,

   asgjë…


   DASHNORI


   Dëgjojini veç dy fjalë

   nga Muradi sulltan:

   Nëse, për dashurinë

   s’ e bën veten kurban

   dhe jetës “lamtumirë”

   s’i thua në çdo orë

   kokën mbështetur tek

   parvazi i dashnores…

   …mund të keshë,

   të jesh çfardo

   por ashik e dashnor – jo!

   Kujt kurrë për dashurinë,

   zëmra s’i ka bërë “fak”

   më të keq nga ai në pyll

   nuk gjenë dythundrak

   Me buzën gaz jep shpirt

   kush është i dashuruar..

   Kështu do te jëtë

   kështu ka qënë

   qëkur bota është krijuar

   Këto këshilla

   i kaloni

   djalë pas djalit,

   at pas ati…

   Kanë rëndësi

   sa një qitab

   këto fjalë të

   Sulltan Muradit…


   SULLTAN MEHMED KHANI

   PASTAJ DO TË SHPALLEM PADISHAH


   Oh, bukuri!

   Ti je Shahu im

   Më bëj skllavin tënd…Po të lutem, për Allah!

   Pastaj mbi tërë Botën

   Mbi majën më të lartë

   Jam unë

   që shpallem Padishah!


   MË KE LIDHUR ME FLOKËT E TUA


   Babai s’të la një metelik…

   Po nga ta kuptoj, unë i ziu

   Pse buzëgaz, për një dekikë

   e lë për ty kokën Avniu?

   Me flokë ajo më paska lidhur

   Me flokët e saj si me konop

   Allah, për mua ki mëshirë

   Se si një skllav po shkoj në gropë.


   PO TË TORTUROJNË, ZEMRA IME


   Më vjen keq për ty, moj zemër

   Më vjen keq, sa për të qarë

   Kurr në jetë, kësi bukurie

   Ti, as ke ndjerë, as ke parë.

   Moj zemër,oh, moj zemra ime

   Ti që kaq keq je ngritur peshë

   Oh, sa po vuan e torturohesh

   Kurse Ajo…tallet e qeshë;

   Tallet e luan,e qeshë me ty

   E s’do t’ia dijë, e s’e kupton

   Se kësi dhimbjesh, moj zemër


   Ti s’i mbanë dot …nuk i duron.

Albana Mëlyshi: Ju rrëfej komunistët dhe reaksionarët e familjes sime

Përgatiti: Aida Tuci

Ajo është mbesë e një shqiptaro-amerikani, i cili kishte jetuar në Nju Jork për 45 vjet dhe në ditët e fundit të jetës kërkoi të vdiste në atdheun e vet. Ai quhej Nikoll Mëlyshi, i damkosur nga komunistët si “reaksionar”, babai i Pal Mëlyshit, i vlerësuar po nga komunistët si Hero. Nikollë Mëlyshi pas arratisjes u rikthye më 1989 në Shqipëri, në moshën 90-vjeçare. Kishte ardhur për të vdekur e varrosur në atdhe, por e përzunë. Asokohe në krye ishte Ramiz Alia. U kthye përsëri në Nju Jork, pa përmbushur dëshirën e fundit. Këtu merr udhë historia e familjes Mëlyshaj, e rrëfyer në një roman biografik nga pasardhësja Albana Mëlyshi (Lifschin). Një histori e treguar në gjithfarë variantesh në Mirditë, një histori e pazakontë pabesish, internimesh e vrasjesh. Historia e komunistëve dhe reaksionarëve të një gjaku që, pavarësisht kujtimeve të shkruara deri tani e fakteve që kanë dalë në dritë duket se ende nuk është zbardhur plotësisht. Këtë në fakt merr përsipër ta bëjë pasardhësja e Mëlyshajve, Albana, e cila ka punuar si gazetare në televizionin shtetëror për 15 vjet. Ka qenë e para gazetare televizive që intervistoi konsullen amerikane  Barbara Cummings, menjëherë pas hapjes së Ambasadës amerikane në Tiranë. Botuese tashmë e shtatë librave, Albana Lifschin vjen me librin “Yjet nuk janë të kuq (Saga e Mëlyshajve)”. “Këtë libër ia kushtoj familjes sime, që megjithëse e ndarë më dysh nga politika, i mbijetoi e bashkuar dramës së kohës”,- thotë Albana Mëlyshi.
Si e përzuri Ramiz Alia, bajraktarin
Në historinë e familjes së saj, Albana Mëlyshi shprehet se gjyshi, i arratisur pas luftës dhe i ndaluar të kthehej në atdhe, pas 45 vjetësh larg familjes e pa asnjë komunikim
me të, papritur kishte dërguar një telegram ku shkruante“Mbusha 90 vjeçA mundem me ardhë me vdekë në vendin tem? Baba”. Lajmi, siç rrëfen Albana, shkaktoi në familje një
turbullirë ndjenjash të ndryshme habie dhe gëzimi të përzier me ankth e frikë. “Telegrami kalohej dorë më dorë si diçka përcëlluese. Njerëzit flisnin pak, por ndjenin shumë. Së
fundi pushoi në prehrin e nënës. “Oh!” rënkoi nëna ime duke zënë kokën me të dyja duart. “S’jam ndjerë kurrë më ngushtë në jetën time! Të të kërkojë leje babai për të vdekur në atdhe dhe të mos jesh në gjendje t’i thuash: ‘Po, baba, eja’.”- kujton ajo. Me atë telegram në dorë nëna e saj kishte trokitur në derën e Ministrit të Brendshëm, Simon Stefani. “Le të vdesë atje ku është, si qen!”- i qe përgjigjur ai. Nikollë Mëlyshi kish qenë për më tepër oficer i mbretit Zog. Ai u arratis nga Shqipëria, duke lënë pas familjen që më pas do të internohej. Në këtë libër biografik Albana Mëlyshi sjell bashkë dëshmitë e familjarëve të mbledhura pas viteve ’90. Gjyshi i saj, një ish-partizan i Brigadës së 7-të, do të arratisej nga Shqipëria nga frika e burgimit. “Dëgjova se dy kolegët e mi i kishin arrestu. Ishin miqtë e mi të vjetër që para lufte. Patëm studiu bashkë artin ushtarak. Edhe ata kishin qenë në luftë si unë. Pata një ndjenjë sikur kisha ra në kurth. M’u kujtu baba. Ai kur pa me sytë e tij shkatërrimin e shumë gjanave, prishjen e traditave, dëgjoi lajmet e përdhunimit të grave dhe dajakut të burrave, na mblodhi një natë të tanëve, djem e nipër, e na tha: “Unë jam i vjetër e nuk po duroj dot çka po më shohin sytë e çka po më dëgjojnë veshët.
Nuk i përballoj dot fizikisht, por ju shkoni në mal e më mirë të luftoni sesa t’i nënshtroheni hurit komunist”, kujton ai. Pas arratisjes së tij u internua gjithë familja, kurse kulla e Bajraktarit të Kthellës së Mirditës u dogj për të tretën herë. Dy herë ishte djegur nga turqit e herën e tretë nga partizanët. Nuk e prisja kurrë të digjej kulla jonë nga partizanët, nga shokët e luftës. Kulla e bajraktarit të Kthellës”. Kur u dogj nga partizanët Gjon Mëlyshi, gjyshi i Pal Mëlyshit, u ishte drejtuar partizanëve: “Ju i dogjët të tana, pa mendu se kjo shtëpi ka dy parti. I ka dhanë luftës dy partizanë: tim bir Nikollin e tim nip Palin, i biri i tim biri. Nuk rujtët të paktën as dy dhoma për ta… Dhe ca ma keq, ua internoni familjen”. Si mund të ndodhte kjo me dy partizanë në shtëpi? Kjo, për familjen Mëlyshaj ishte një pyetje shumë e vështirë. Ata e kaluan një pjesë të jetës së tyre në kampet e internimit: Lezhë, Berat, Kuçovë, Turan, Bënçë dhe në kazermat pranë kalasë së Ali Pashë Tepelenës, një internim që zgjaste 12 vjet. Mëlyshajt herë shpalleshin tradhtarë e herë heronj. Kështu ndodhi dhe me Pal Mëlyshin. I infiltruar në çetën antikomuniste me pseudonimin “Fortuna” ai vra në përpjekjet me forcat e kufirit dhe deri më 1957 konsiderohej tradhtar. Kjo do të zgjaste deri në shpalljen e Pal Mëlyshit Hero, më 1957. Heroi kishte babë e vëlla të arratisur dhe familja do të ndahej më dysh; disa trajtoheshin si familja e heroit e të tjerë si reaksionarë, edhe pse ishin të një gjaku.

Si u vra Pali? Kush e vrau?

Ditën që u vra shoku i tij i idealit, Bardhok Biba, me urdhër të Komitetit të Maleve, (grupit antikomunist që endej në malet e krahinës, i udhëhequr nga Ndue Pjetër Gjomarkaj (me të cilët ishte fis Bardhok Biba), Pal Mëlyshi vendosi të hakmerrej. Ishte një hakmarrje “e pabesë” për mirditorët. Ai vendosi të infiltrohej brenda çetës e ta shkatërronte atë nga brenda. Kështu për t’u bërë i besueshëm se kishte ndërru kah, meqë të gjithë e njihnin si komunist edhe pse me babë e vëlla, xhaxha, dhe një kushëriri të parë të arratisur, ai inskenoi një plagosje dhe kështu u bë pjesë e bandave nën pseudonimin që i kishte vënë Sigurimi i Shtetit, “Fortuna”. Por Pal Mëlyshi u vra në një përpjekje me forcat e Sigurimit dhe vrasja e tij mbetet ende sot një enigmë për familjarët. “Ky qe një merak, që nëna ime e ka mbajtur gjithë kohën në shpirtin e saj. Askush nuk i ka thënë deri më sot se si u vra. Ajo lëngonte për të vërtetën”,- kujton Albana Mëlyshi në librin e saj. “Mbaj mend, kur na erdhi për vizitë më 5 maj ministri i Brendshëm, nëna e pyeti drejtpërdrejt: ‘Si u vra Pali? Si është e mundur që askush nuk e di se si u vra?’ Ministri u përtyp dhe foli për punën e një gëzhoje. U soll përreth saj, por nuk ia nxori kokën bisedës. Vrasja e të vëllait për të mbeti enigmë”,- thotë mbesa e heroit. E vërteta sipas saj për vrasjen e Pal Mëlyshit do të merrej vesh shumë më vonë, në shtëpinë e Enver Hoxhës. “Nëna ime ato ditë ndenji në shtëpi. Nuk iu bashkua asnjë grupi për t’i bërë respektin e fundit Enver Hoxhës. Nuk e pyetëm pse. Në një nga ato ditë, në shtëpinë tonë erdhi gruaja e Bardhok Bibës. ‘Marie, ti hala s’paske shkuar për ngushëllim te shoqja Nexhmije për Enverin?- e pyeti ajo. ‘Jo. E ç’rëndësi ka nëse shkoj apo nuk shkoj unë?” – tha nëna. Po sepse Nexhmija më pyeti: “Po motra e Palit, ku është?” Duhet të shkosh, -i tha ajo.” Pas kësaj ajo u ngrit e shkoi për ngushëllim. Dhe aty mori përgjigjen për të cilën kishte lënguar tërë kohën. Vejusha, në bisedë e sipër kishte thënë: “Enveri luftoi e duroi shumë… Prapaskenat e Mehmetit e lodhën”. Dhe pasi heshti disa sekonda, tha: “Edhe Palin, Mehmeti e vrau!” Ishte Mehmeti që e vrau Palin.”- shkruan Albana Mëlyshi. Sidoqoftë, ajo shton e bindur se edhe sikur kjo të mos e mbante peshën e së vërtetës, fakti ishte që Pali u vra brenda ‘bandës diversioniste’, domethënë së bashku me armiqtë! E vranë shokët!. Kur babai i Pal Mëlyshit, Nikolla kish dëgjuar në Amerikë se të birin komunistët ia kishin shpallur Hero, i ishte dukur e pabesueshme. Siç rrëfehet në këtë libër, kishte dy dëshmitarë që kishin përjetuar rrethimin dhe kishin mundur të arratiseshin. Ata ishin arratisur në Nju-Jork dhe i kishin treguar Nikoll Mëlyshit se i biri qe vrarë prej forcave rrethuese. Sipas dëshmive, Pali është vrarë vetëm me një plumb në kokë. Ka qenë goditje snajperi. “Pushkatarë” quheshin atëherë….
Pjesë nga libri
Nikoll Mëlyshi: Vrasjet dhe përdhunimet e Hodo Habibit në Mirditë
Toger Baba, që Mehmet Shehu e solli në Mirditë për me nënshtru mirditorët, ka qenë faqja e zezë e partisë komuniste. Ai ia vuni emnin vetes ‘Babë’, a thu se Mirdita kishte nevojë për ’baba’. Emrin që i kish vu e ama e kishte Hodo Habibi dhe ishte prej Kurveleshi. Ishte një njeri mizor, imoral, pa nder e pa princip. Erdhi me kartabiankë në Mirditë me shtru në hu djemtë e burrat e me çnderu femnat. Kishte me vete 200 partizanë dhe dorën të lirë me pushkatu kë të donte ai, pa gjyq fare. Në atë kohë, viti ’46, në malet e Mirditës ishin rreth 500 burra të shpërndamë në çeta të vogla. I kishin lanë shtëpitë e tyre pasi nuk e donin regjimin e Enver Hoxhës. Ishin në hall se për t’u hedhun përtej kufifinit në Jugosllavi, kishin frikë se Titoja mund t’i dorëzonte te qeveria e Tiranës. Toger Baba kishte për qëllim gjetjen dhe arrestimin e tyre. E filloi misionin e tij me terror në popull, pa dallim. E nisi fillimisht në Fan. Dha urdhën që katundarët të mos i mbyllshin shtëpitë as ditën e as natën, se ishin për kontroll. Burrat i mblodhi dhe dha urdhën t’i shtronin në hu, pasi t’i zhvishnin. Të zhburrnum e të lidhun dorë për dorë i shtynin pranë një zjarmi të madh të ndezun, ndërsa i rrihnin. E sa për gratë… mjerë ajo grua që ia vinte syrin toger Baba, se nuk dilte nga duart e tij pa u përdhunu. Kur hynte nëpër pyje në ndjekje të të arratisurve, merrte me veta gra (jo burra) që t’i tregonin rrugën. Pasi mbaronin misionin, ato të shkretat ktheheshin në shtëpitë e tyre të turpnume e pa guxu të thoshin një fjalë. Populli jetonte në panik. Qeverisë i shkuan raporte për punët e tij të zeza, por ato mbeten nëpër sirtarët e zyrave, deri sa i erdhi fundi kësaj pune. Në tetor të vitit 1946, ai mbërriti në Kodrën e Spaçit dhe arrestoi krejt burrat e katundit, 40 vetë. Të lidhun dorë për dorë, ata i detyrun të ecnin tri orë më kambë, të zhveshun. Në katundin Mushtë të Bjeshkës së Munellës përdori si burg për ta një stallë lopësh, ku balta kishte shku deri në gju. Të nesërmen burrat i vunë përsëri përpara deri në Kimëz. Atje kishte mbledhun burra e gra nga katundet e tjera. Aty i ra në sy gruaja e Preng Gjon Markut. Quhej Dilë. Ai e arrestoi dhe pastaj dha urdhën që ta zhvishnin. Gruaja kundërshtoi me fjalë të forta dhe atëherë togeri urdhnoi të bahej një zjarm me dëllinja të thata dhe ta hidhnin grun në zjarm. Burri i saj, ngaqë nuk duroi më, shpërtheu lidhjen e duarve dhe u arratis nëpër mal ashtu siç ishte, i paarmatosur. Policia dhe partizanët e toger Babës iu vunë pas dhe e vranë. Një kushërinit të tij, që atë kohë studionte në Moskë, Pal Nikoll Prendit, i shkoi fjala se ç’po ndodh në Mirditë. Ai mori dy javë leje, u kthye prej andej dhe e raportoi gjendjen në qeveri. Raporti i Pal Nikoll Prendit i shkoi në dorë ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Koçi Xoxes. Toger Baba e la Mirditën e shkoi në Zadrimë. Mendoi se me Zadrimën do ta kishte ma lehtë, tue mos e ditun se zadrimasit përbaheshin ma së shumti nga mirditorë. Në Hajmel vendosi qendrën e tij. I ra në sy një vajzë e bukur. Ishte e motra e Kol Simonit, Luçia. Për ta pasë ma të lehtë me e shti në dorë të motrën, Luçien, arreston të vëllain me pretekstin se ky ka strehu çetat e malit. E torturoi djalin me pyetje, por nuk nxori gja prej tij. E vërteta ishte që Kola s’ishte marrë me këtë punë. Atëherë arrestoi Luçien dhe i kërkoi të bjerë në shtrat me të. Kur ajo nuk pranoi, atëherë ai i u hodh për ta përdhunu. Vajza rezistoi me gjithë fuqinë e saj duke ia çjerrë fytyrën me thonj togerit dhe i shpëtoi nga duart. Iku me vrap dhe u fsheh në një shtëpi në katund. Aty priti sa të dilte drita dhe u nis për në Shkodër. Ndërkohë togeri kishte dhanë urdhën që katundi të dorëzonte vajzën ose përndryshe do t’ia vriste të vëllain, Kolën. Dhe ashtu bani. Porositi që ta dërgonin djalin në burgun e Lezhës e rrugës ta vrisnin nën pretekstin se u kishte ikur nga duart. Luçia, me të mbërritun në Shkodër, shkoi drejt e tek familja e Tuk Jakovës, me të cilën familja e saj kishin miqësi. Prova se çfarë i kishte ndodhun ishte ajo vetë, boll që ta shikoje të shkyme rrobash e të rrahun. Tuku e këshilloi të shkonte në Tiranë dhe i dha vajzës një letër për t’ia dhanë në dorë Koçi Xoxes. Koçi, kur e pa vajzën në atë gjendje dhe lexoi letrën, dha urdhën që të shkohej në Hajmel e të vërtetoheshin në vend të tana sa ishin raportu për Hodo Habibin, të ashtuqujtunin “toger Baba”. Gjykata e Shkodrës kishte marrë informacionet për veprimet e togerit në Mirditë. Toger “Baba” u var në konop. Më kanë thanë se ma vonë, pasi Enveri e dënoi Koçi Xoxen, “Babën” e bani hero.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...