Agjencioni floripress.blogspot.com

2014/12/16

RICIKLIMI I TEZAVE ANTI-SHQIPTARE TË SHK 19 NË MASMEDIAN SHQIP-SHKRUESE

Nga Fatbardha DEMI/

Mjer’ ai që i jep puthjen e tradhtis’ kombit të vet, Mëmëdheut dhe të birit të të lartit Zot në qiell!  (Naim Frasheri « Deshira e vertete e shqiptareve »)/

 Është vënë re, në harkun e viteve të fundit, mbi bazën e metodës « moderne » të shtjellimit të Historisë dhe në emër të “së vërtetes historike”, që të lexojmë shpalosjen e tezave anti-shqiptare të dy shekujve të fundit (19-20) mbi historinë e popullit, figurat e shquara dhe Shtetin Shqipëtar. Këtë dukuri, na e zbulojnë edhe disa shkrime-analizë të autorit Pirro Priftit si:
« Lidhja e Prizrenit – Lidhja që zgjoi shqiptarizmin por copëtoi territoret shqiptare » (1) ,
« Rrënimi  i ‘Shtëpisë së  Pavarësisë’ – një goditje e pabesë ndaj Rilindasve » (2)
« Censusi –Një Atentat kundër Komunitetit Ortodoks shqiptar » (3),
« Patriot, Ali Pashë Tepelena!? Kjo është butafori politike »(4)
Boshti rreth së cilës shtjellohen këto shkrime është :
Shqipëtarët janë fajtorë për copëtimin e trevave të tyre, për urrejtjen, shovinizmin dhe genocidin e ushtruar nga fqinjët e tyre, se Shteti shqipëtar po ben një luftë të fshehtë ndaj komunitetit fetar ortodoks,  dhe « politika bizantine shqipëtare … ka reminishencat raciste, osmane në kuptimin e drejtimit të vëndit dhe të marëdhënieve me jashtë »(3) 
        Përfundimisht, vlerësimi i autorit për vendin tonë është : « me sa duket po vërtetohet historia e fshatit të pasur që pinte ujë nga burimi i ujit që të bënte të çmendur. Çdo njeri që vinte të punonte dhe të banonte në atë fshat, duhej ta mendonte se, donte s`donte do të çmendej dhe budallallepsej si fshatarët e fshatit. Kjo është Shqipëria»! (4)
Për hir të së vërtetës, burimi i kësaj « fabule » vjen nga ish-kryeministri dhe presidenti i Greqisë Kostandin Karamanlis, i cili e përshkruante vendin e tij si një “azil i madh të çmendurish” (Robert D.Kaplan.Vepër e cituar, f.40).(5)
Përse duhet t’iu kushtojmë vëmendje shkrimeve që haptas janë sajesa dhe s’kanë asnjë mbështetje të fakteve historike ?
Siç shprehej studiuesi i metodës historike, Marc Bloch, edhe në shkrimet ku shtrëmbërohet historia , studiuesi mund të gjejë fakte që plotësojnë pasqyrimin e realitetit të kohës.
Në këtë kënd-vështrim, dobia e trajtimit të këtyre shkrimeve, është se këto ide, vërehen edhe në disa shkrime, debate televizive dhe median elektronike të autorëve të tjerë shqiptarë dhe të huaj. Pra është një realitet i sotëm i medias dhe ideve që qarkullojnë në shoqërinë shqiptare dhe më gjerë.
Sikurse edhe në shkrimet e lartpërmendura, ato shpesh trazohen, si kashta me grurin, me data dhe ngjarje historike (shpesh jo të sakta), por të shkëputura nga zhvillimet politike ndërkombëtare dhe të vendit, të kohës në fjalë dhe të komentuara së prapthi.
Sipas analistit të shquar italian Marco Travaglio , kjo dukuri ka qëllime thjesht politike, sepse „Duke luajtur me fjalët mund t`i manipulosh faktet dhe në përfundim ,të gjithë memorjen kolektive” (6)
Tezat që shpalos autori mbi figurat dhe ngjarjet historike të shqipëtareve,  pasqyrohen në shtypin dhe dokumentat historike, që i përkasin periudhës së shk 19-20 mbi “Çështjen Shqipëtare” të përdorura nga shtetet fqinj dhe Fuqitë e Mëdha. Për rrjedhojë, në të gjitha shkrimet e lart-përmendura nuk ka asnjë “trajtim modern të temës historike”, por kemi thjesht një riciklim të tezave të vjetra anti-shqipëtare, që janë përdorur për qëllimin e copëtimit dhe të zhdukjes së Shtetit dhe popullit shqipëtar.
Një nga tezat qëndrore është ajo e « fajësise » së shqipëtarëve si bashkë-punëtorë të forcave pushtuse. Kjo tezë nuk është e panjohur për popullin tonë, për faktin e thjeshtë se për këtë « arësye » edhe në ditët e sotme, një pasuri e madhe ( në kohën e genocidit të Zervës, e vlerësuar në 20 deri 30 milion franga ari) (letër e M. Frashërit dërguar MPJ ,Tiranë .F.142 “Dokumente për Çamërinë”) në monedhë, tokë dhe ndërtesa, pa llogaritur donacionet milionëshe të shqipëtarëve për Kishën e tyre Autoqefale ortodokse, akoma shfrytëzohet, jo nga pronarët e ligjshëm, sipas konventave të BE-së, por nga fqinji ynë jugor, anëtar i BE-së.
Nuk lejohen të qarkullojnë të lirë banorët autoktonë çamë, e drejtë e aprovuar nga BE-ja dhe mbi të gjitha, mbajtja  me kokë-fortësi e « Ligjit të Luftës » (28 tetor 1940) dhe ideollogjisë shoveniste « Vorio-epirrote » (ku shqipëtarët paraqiten si pushtues të tokave greke) midis dy anëtarëve të të njejtit bllok ndërkomëbetar ushtarak NATO-s, gjë që na bën të mendojmë, se qënja në BE apo organizma ndërkombëtarë, nuk garanton TË DREJTAT E NJERIUT dhe të Shtetit Shqipëtar.
Në shërbim të kësaj teze, autori në mënyrë të përsëritur mundohet të na ndërgjëgjesojë për shkakun e “vërtetë” të genocidit ndaj shqipëtarëve, të popullsive sllavo-ortodokse : « se klasa e pasur shqipëtare e lidhur kokë e këmbë me Perandorinë osmane, është fajtore si për cungimin (e trojeve) dhe urrejtjen ndaj shqipëtarëve dhe Shqipërisë… sepse këta pashallarë në krye të sanxhaqeve ushtruan dhunë edhe ndaj popullatave sllave, rumune dhe greke» (4)
Njohja me historinë e popujve të Europës dhe ata ballkanikë, do ta ndihmonin autorin të mësonte se, fiset aziatike osmane ishin numerikisht të papërfillshëm në krahasim me popujt dhe vendet që pushtuan. Se këta ndoqën të njejtën metodë, si fiset kalorës (Gotet, Burgundet, Franket, Avaret etj.) të para dhjetra shekujve në Europën Veriore dhe Qëndrore, të cilët shfrytëzuan popujt që pushtuan, për “material” njerëzor, ushtarak dhe administrativ, duke i vënë në shërbim, apo si skllevër të tyre.
Kësaj praktike, nuk i ka shpëtuar as populli ynë i pushtuar. Në fakt, kjo metodë u përdor, pa asnjë ndryshim edhe në shk 19-20 ndaj trevave dhe popullsisë shqipëtare, nga Mbretëritë dhe Shtetet sllavo-ortodokse me ndihmën e paçmueshme të faktorit fetar, islamo- ortodoks.
Dëshmi të vlefshme se si funksiononte administrata turke, na e ka sjellë Edith Durham (e ripohuar edhe nga Faik Konica në botimin « Ju rrëfej grekët »): “Sulltani (çështjen e fesë) ia shiti ofruesit më të lartë (Patriarkanës greke në Stamboll – shën im). Shuma të mëdha qenë paguar (nga grekët) dhe këto nxireshin prej tagra-mbledhësve kishtarë nga turma të mjera, të cilët dridheshin nga këta tagrambledhës më shumë se sa nga Turqia” (7)
Shumë dëshmorë të luftës çlirimtare si, Petro Nini Luarasi, por edhe bashkë-luftëtarët besimtarë ortodoksë shqipëtare si Papa Kristo Negovani, i vëllai Papa Theodhosi dhe nipi Vasil Gjergji, At Stath Melani, At Naum Cerja, Jani Vellaraj, Vasil Gjergji etj, janë shprehje e kundërshtimit të këtij bashkëpunimi anti-shqiptar të institucioneve fetare me Perandorinë Osmane.
Njohësi i dokumentave arkivore mbi historinë mesjetare të popujve ballkanikë, Veis Sejko, duke folur për qëndrimin kolektiv të klasës sunduese të tyre, ndërmjet shëmbujve të tjerë, pohon se : “Paria sërbe historikisht ka qënë në shërbim të të huajit. Nuk është rastësi që krye-kreshniku popullor serb i epikës serbo-kroate, Kraleviç Marku është tradhëtari më i madh i atdheut” (8)
Autori i shkrimeve, nxjerr përfundimin “llogjik” se edhe vendimet e Kongresit të Berlinit janë një rrjedhojë e natyrshme, sepse “ky bashkë-punim me Sulltanin”: « Krijoi një mosbesim të thellë tek fqinjët kristianë  ballkanas ( por sigurisht edhe tek anëtarët e Kongresit të Berlinit) për shkak se po ata bejlerë e pashallarë shqiptarë që i shërbenin Perandorisë turke  deri para humbjes së luftës (ruso-turke- shen. im) dolën papritur si  `anti-turq` por thjesht për të ruajtur privilegjet dhe tokat duke i u servilosur vendeve perëndimore dhe Rusisë » (lidhja)
Për rrjedhojë, vendimi i Fuqive të Mëdha “Automatikisht pa dashje, copëtoi tokat shqiptare të cilat identifikoheshin si toka të Perandorisë turke nga Rusia, vendet perëndimore dhe fqinjët ballkanas”.(lidhja).
Autori na siguron (gjithëmonë pa fakte arkivore apo studimore) se “klasa sunduese shqipëtare sundonte edhe popujt e tjerë të krishterë të Ballkanit si `dora e fortë` e Sulltanit” dhe « për popullatat jo shqiptare ballkanike, shqiptarët nuk shiheshin si popullatë e pushtuar, por si popullatë që së bashku më boshnjakët shiheshin si bashkë-pushtues ».(1)
Gati-gati të krijohet bindja se sundimi afro 500 vjeçar i popujve të Ballkanit, ka qenë osmano-shqipëtar dhe të gjitha këto për faj « të klasës së pasur shqipëtare»!
Mirëpo faktet historike, që për fat të keq, në tekstet mësimore pasqyrohen shumë të reduktuara apo të seleksionuara, ku mungojnë statistikat e krimeve dhe dëmeve, si dhe i rëshqasin autorsisë së atyre që i kanë kryer, dëshmojnë se “ Kongresi i Berlinit (13qershor-13korrik 1878) u mbajt pikërisht për të harmonizuar, interesat e ortodoksisë dhe katolicizmit, duke e shndëruar Shqipërinë etnike, atë kohë me rreth 114.728 km², në gjah të Rusisë…” (9)
Ky fakt mbështetet edhe nga tej-zgjatja kohore, 35 vjeçare qe ju desh Fuqive të Mëdha “të merreshin vesh ndërmjet tyre”, nga kundershtimi i armatosur shqipëtar, si dhe nga emrat dhe aresyet e përfituesve kryesorë të këtyre vendimeve.
Përfundimisht, në arenën ndërkombëtare “Çështja shqipëtare” u mbyll me Konferencën e Ambasadorëve (dhjetor 1912 – gusht 1913) ku Sërbia perseri “u rrit me 39.000 km² , duke i marrë Shqipërisë 1.290.000 banorë, ose 55% te banorëve të saj. Mali i Zi u rrit me 7.000 km² dhe mori 260.000 banorë, duke dyfishuar popullsinë e vet. Greqia u rrit me 51.300 km², duke marrë edhe 1.624.000 banorë.”(10)
Atëhere, përse akuza absurde e “fajësisë” se shqipëtarëve, është përdorur në dokumentet historike të shk. 19 – 20 nga ana e fqinjëve të saj,  dhe ka nxjerre kryet edhe në shk 21?
Përdorimi i akuzës së fajësisë, në të gjitha kodet penale lidhet me përgjegjësinë, pra edhe me dënimin e fajtorit
Gjithashtu termi « fajtor » lidhet me termin « rrezik » për të tjerët, pra justifikon “të drejten” e tjetrit për « sigurinë e vetes ». Të gjitha këto qëndrojnë, në rast se bëhet fjalë për FAKTE TË VËRTETA. Por, sipas një thënie të Çurçillit: “sa të veshë e vërteta pantallonat, gënjeshtra ka bërë xhiron rreth botës” dhe ky është rasti i fqinjëve tanë.
Në kohën që u krijua Lidhja e Prizrenit, si organizëm politik dhe ushtarak për të mbrojtur trevat dhe krijimin e  një Shteti shqipëtar, “Gazetat zyrtare shkruajnë se tani Serbia po kërcënohet më shumë se asnjëherë nga Perandoria Osmane (nënkupto shqipëtarët). Lidhja qe kanë bërë shqipëtarët (e Prizrenit) po trajtohet si një gjë shumë serioze dhe shumë e rrezikshme për serbët” . (11) Për tu mbrojtur nga ky “rrezik” dhe për “sigurinë” e të gjitha vendeve ballkanike “Greqia mori inisjativën e krijimit të një Lidhjeje Ballkanike (18.8.1912 ). Ajo u propozoi qeverive bullgare, serbe e malezeze, themelimin e një aleance katër-palëshe që do të kishte si synim “frenimin e pretendimeve shqipëtare” (12) (nënkupto, kundërshtimin e armatosur të shqipëtarëve të udhëhequr nga Lidhja e Prizrenit).
Sami Frasheri, në kohën kur Fuqitë e Mëdha trajtonin « Çështjen Shqipëtare » (1878-1913), në shkrimet e tij në shtyp, e ngre lart zërin për këtë politikë mashtruese të fqinjëve: “Në telegramet që janë dërguar nga Korfuzi dhe që janë botuar në gazetat e Europës, flitet për të krishterë që qënkan therur (!) nga mysylmanët në rrethet e Janinës dhe sidomos në kazatë e Margëlliçit e të Paramithisë, dhe për zullumet dhe padrejtësitë (!) që qënkan duke u bërë në ato vise. Banorët e kazasë së Margëlliçit janë të gjithë mysylmanë (shqipëtarë-shën. im), edhe ajo pakicë të krishterësh që ndodhen në këtë kaza, si dhe të krishterët e kazasë së Paramithisë janë shqipëtarë. Ashtu si në të gjitha viset e tjera të Shqipërisë, edhe këtu myslimanët shkojnë si vëllezër me bashk-atdhetarët e tyre… grekët nuk gjejnë dot mënyrë tjetër për të fituar të drejtën që të marrin këto dy kaza, veçse duke trilluar shpifje të këtilla » (13)
Arkivat e shteteve ballkanike, dhe ato të Fuqive të Mëdha, kanë dëshmi të shumta të masakrave masive mbi shqiptarët dhe nuk kanë asnjë dokument për të kundërtën: ”Vetëm në dy prefektura të Shqipërisë (më 1915), të Korçës dhe Gjirokastrës u dogjën 250 fshatra ; dhjetra të tjera u plaçkiten dhe mijra shqiptarë u vranë. Në Tobol, Luadh e Cair, “ u dogjën të gjallë, në shtëpitë e tyre, dhjetra dhe qindra familjarë: burra, gra, fëmije e pleq…” (14)
Letra e “rrezikut shqipëtar” është luajtur gjithëmonë në tavolinat ndërkombëtare prej shteteve fqinje, për t’iu paraprirë kërkesave për pushtim edhe në shk 20. Kështu “viktima” greke, ju kërkonte Fuqive të Mëdha ta lejonin ta shtynte kufirin e saj deri “në malet Akrokeraune, ne vijen qe kalonte ne distriktin « grek » te Himares dhe qe vazhdonte ne lindje deri ne Liqenin e Ohrit…dhe një shkëmbim të popullsive “greke dhe shqipëtare në kushte humane dhe të barabarta” …(por) si variant më të mirë, sugjeronte krijimin e shtetit federativ greko-shqiptar, si “minimumin e pranueshëm” nga “epirrotet” për ruajtjen e paqes në Ballkan”  (15)
Miti i “fajësisë” së shqipëtarëve, ushqehej jo vetëm nga letërkëmbimi i dipllomacisë sërbe apo greke, por edhe nga  institucionet arsimore dhe kulturore të këtyre shteteve.    « Më 29 qershor 1945 Akademia e Shkencave greke  deklaronte: Populli grek nuk mund të rrijë indiferent kur grekët e Vorio-Epirit vazhdojnë të masakrohen, të asgjësohen nga një popull që është ende në fazën parahistorike të zhvillimit, pa as një literaturë dhe pa asnjë shkencë, ka vetëm një alfabet që e ka marrë hua… ».(16)
Siç vërehet, “fajësia” nuk qëndron vetëm tek “masakrat” ( asnjëherë të dokumentuara) të kryera nga shqipëtaret por edhe sepse janë “ një popull i prapambetur…”, që zbulon thelbin e teorisë raciste që qarkulloi në  Europën e fund – shekullit 19 dhe u zbatua në shtetin nazist gjerman. Ky “faj”, qe i mjaftueshëm për zhdukjen e një populli, pikërisht një muaj mbas shkatërrimit (maj 1945) të një mekanizmi ushtarak racist, që shfarosi miliona njerëz.
Çdokush që do të kërkonte në materialet që trajtojnë termin “genocid”, “etnocid”, “spastrim etnik”, “racizëm”, “krime kundër njerëzimit”, “shkelje të të drejtave të njeriut” apo kronikat historike që përfaqësojnë këto emërtime, përveç veprimeve çfarosëse të kryera nga shteti serb i Milosheviçit, asnjë emërtim i sipër-përmendur nuk përfshin ndonjë ngjarje të Kombit tonë gjatë shk. 19 – 20. E në fakt, mbi Kombin shqipëtar është ushtruar genocid i pandërprerë.
Mjafton të kujtojmë dëbimin masiv të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit dhe rajoni i Toplicës, ( 1878-1912), për të parafytyruar këtë genocid kolektiv kundër shqipëtarëve në Ballkan. “Serbia, përmes dhunës dhe terrorit të organizuar shtetëror, ushtroi gjenocid dhe spastrim etnik mbi 700 vendbanime dhe mbi 300.000 shqiptarë, të cilët asokohe jetonin në trojet e veta etnike, apo në një hapësirë sa territori aktual i Kosovës. Vetëm në Luginën e Nishit gjatë kësaj periudhe u vranë dhe u masakruan 35.000 shqiptarë.
Kjo u arrit me përkrahjen morale, politike, diplomatike e ushtarake të Rusisë Cariste e të Evropës. Burimet e kohës flasin për rreth 70.000 shqipëtarë të therur, të vrarë e të pjekur në zjarrin e shtëpive në rreth 600 fshatra shqiptare të rrafshuara me zjarr vetëm më 1877/1878.” (17)
Fundi i  këtyre masakrave u shënua në Kosovën e vitit 1999. Nuk ka shtet në Europë, që të ketë mbritur në shk. 21 , i rrethuar me bashkë-kombësit e tij (kjo dukuri edhe për shtetin shqipëtar të Kosovës) dhe të jetë tkurrur nga ana territoriale në 1/5 e hapsirës së tij natyrale. Nuk ka popull ballkanik, që duke qenë historikisht në numër, më i madhi në rajon, të vijojë të tjetërsohet edhe në ditët tona. (“Në vitin 1844 – shqipëtarët populli më i madh në Ballkan me 3 900 000 banorë!” www.pashtriku.org)
Në Historinë e Kombit tonë, nuk bëhet fjalë për krime në një periudhë kohore apo për një krahinë të caktuar, por për një veprimtari të pandërprerë dy shekullore, të disa shteteve apo Mbretërive, veçmas dhe në bashkë-punim me njeri-tjetrin, me mbështetjen e Fuqive të Mëdha, Marrëveshjeve politike e veprimeve ushtarake, kundrejt një populli të vetëm.
Shqipëtaret kanë dëshmi të shumta të genocidit të të gjitha llojeve, që përfshihen në Konventat e sotme europiane, (18) të ushtruara në vijimësi gjate dy shekujve mbi Kombin tonë, por nuk kanë DORË t’i shkruajne në gjuhët e tjera, që të njihet e VËRTETA HISTORIKE, e cila është memece për popujt europianë e botuar vetëm në shqip.
Shqipëtarët nuk kanë ZË t’iu kërkojnë dy shteteve të tyre, që ky genocid dy shekullor, të dënohet zyrtarisht në forumet ndërkombëtare historike dhe politike, dhe të shprehet me shifra, shëmbuj e autorsi, në tekstet shkollore brënda vendit të tyre.
Riciklimi i tezave dhe qëndrimeve shoveniste të shk 19 në epokën e BE-së
Risjellja e  “fajësisë” së shqipëtarëve të kohës osmane, bëhet për të krijuar lidhjen historike të veprimeve “kriminale” të  popullit tonë, me ditët e sotme. Në mungesë të dokumentacioneve, shfrytëzohen “romane horor” që shkruhen edhe nga personalitete europiane, siç ka qenë : Transplantimi i organeve të robërve serbë, krimet e shqipëtarëve gjatë luftës së Kosovës (1998-1999) (Carla del Ponte e Dik Martin) dhe sidomos “goxhda e ndryshkur e Nastradinit”- diskriminimi i minoritetit grek në jug të Shqipërisë.
Mbi bazën e kësaj letërsie të llojit racist « Në vitin 2002 nëpër rrugët e Selanikut shoqatat “Vorioepirrote” shpërndanin fletushka kundër Shqipërisë dhe kërkonin ndërhyrjen e NATO-s për të “shpëtuar” rreth 80 mijë minoritarë grekë që jetojnë nëpër disa fshatra të Sarandës, Gjirokastrës nga gjoja “terrori” që ushtrojnë shqiptarët kundër tyre. »(19)
Për të trija këto akuza, me gjithë gjyqet, komisionet dhe verifikimet e ndërkombëtarëve, nuk është dëshmuar asnjë fakt.
Përse shk. 21 ka nevojë për këtë lloj letërsie ? Sepse, që kur Revolucioni francez  përmbysi një mbretëri nga vetë banorët e saj, që  kur për drejtimin e vëndit u vendos praktika e zgjedhjeve dhe kur teknollogjia e shtypit dhe masivizimi i shkollimit, e detyruan Rendin e Ri e të plotfuqishmëve të llogariste edhe forcën e masës popullore, u pa e nevojshme të krijohen ”mite” (në kuptimin letrar dhe jo historik) të ndryshme.
“Faji” i shqipëtarëve është një prej tyre. Qytetarët europianë e më gjerë, konsumues të masmedias dhe deklaratave të papërgjegjëshme të disa politikanëve apo funksionarëve, ndikohen nga “fjalët” dhe askush nuk ju dëshmon të kundërtën, në po atë gjuhë dhe me po ato mjete. Shteti ynë mjaftohet me rolin e mik-pritësit të komisioneve hetimore dhe jo të përfaqësuesit të një populli të damkosur, që kërkon përgjegjesinë e prishjes së imazhit në arenën europiane dhe botërore.
Për rrjedhojë, viktima (me cytjen e BE-së) ulet e çnderuar përball kriminelit të papenduar e të pandërgjegjësuar dhe  këndohen hymne fetaro-shtetërore, të “bashkjetesës në kohën moderne” dhe kopshtit të Edenit ballkanik,  megjithëse gjaku i “fajtorëve” shqipëtarë, në barkun e nënës, i të rinjve, burrave , grave e të moshuarve, akoma nuk është tharë.
Historiani Sheradin Berisha dëshmon se “Gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), forcat militare dhe paramilitare serbe kanë vrarë e masakruar në forma më mizore, rreth 15 mijë shqiptarë dhe 90% prej tyre qenë civilë të pa armatosur. Në këtë periudhë kohore janë përdhunuar mijëra femra shqiptare…jane rrembyer mbi 3 mijë shqiptarë dhe pas luftës afër 1000 mijë prej tyre u gjetën nëpër varrezat masive në Serbi (Peruqac, Petrovo Sello dhe Batajnica 1, 2 dhe 3), ndërsa akoma nuk dihet për fatin e 1.800 shqiptarëve të tjerë që konsiderohen si të zhdukur …
Edhe pse emrat e kriminelëve që kryen mijëra masakra, janë identifikuar nga njerëzit që mbijetuan, deri më sot askush nga përgjegjësit e sigurisë në Kosovë, as policia apo prokuroria e EULEX’it, as policia e Kosovës apo prokuroria vendore, por as institucionet e tjera ndërkombëtares dhe as ato vendore (Qeveria, presidenca, Kuvendi apo shoqëria civile), nuk kanë treguar as më të voglin interesim, për t´i ndjekur e arrestuar këtë mori kriminelësh.” (20)
Figura e shquar e Parlamentit Britanik, Aubrey Herbert (lobimi i te cilit e beri Shqiperine anëtare te Lidhjes së Kombeve në dhjetor 1921), që në maj 1913, në Dhomën e Komuneve shprehu idene e kushteve për bashkëjetesë të europianëve: “pas çdo konflikti, stabiliteti i vërtetë vjen vetëm nga arritja e një paqeje të drejtë, dhe se drejtësia kërkon dy gjëra: respektimin e dëshirave themelore të popullit dhe bërjen dhe ekzekutimin e gjykimeve morale për kriminelët dhe viktimat e tyre. ( Aubrey Herbert, Mons, Anzac dhe Kut, cd. Edward Melotte, Barnsley 2009). (21)

Shqipëria Natyrale dhe Dosja Çame – fundi i një Miti dhe Pavarësia e vërtetë e Shqipëtarëve

Në shkrimet e sipër-përmendura, Pirro Prifti nuk lë pa analizuar edhe “fajet” e shk. 21 të “klasës drejtuese shqipëtare”. Sipas autorit, përveç fobisë që ajo ka ndaj fqinjëve dhe luftës ndaj ortodoksisë shqipëtare, sot kërkon Shqipërinë natyrale : « në kohën që duhet të integrohemi dhe të marrim  statusin e shtetit-kandidat ri-fillojnë avazin e politikave të harruara të Pashallarëve të dikurshëm nën shërbimin e Perandorisë Osmane për Shqipërinë etnike? »(3)
Për hir të së vërtetës, “klasa drejtuese” shqipëtare, nuk e ka në planet dhe as në dëshirën e saj çështjen e Shqipërisë natyrale. Këtë e dëshmoi qartazi Kryeministri ynë, në viziten e tij në Mal të Zi para një viti (25.01.2012), ku u shpreh se “zërat e ekstremistëve, ngjajnë me klithma të një të shkuare që nuk e do më askush” (22)
Por me qënëse jemi në vitin elektoral, mund të dëgjohen edhe fjalë apo premtime, që shumë shpejt, mbas ditës së votimit “do të thahen si vesa nën diell”.
Po kështu, të parët që e luftuan ortodoksinë shqipëtare dhe shkatërruan çdo objekt fetar shqipëtar (përpara regjimit enverian si kohë) qenë fqinjët tanë sllavo-ortodoks. Më 22.11.1940 kur grekët pushtuan Korçën “u vërtetua një veprim sistematik dhe i qëllimshëm i shkatërimit të kishave dhe të xhamive të shqipëtarëve në zonat ku u fut ushtria greke. (AUSSMEI relacion i komandës së korparmatës IV për Zyrën Informative të Armatës XI mbi dëmet e shkaktuara nga ushtria greke për tempujt e kultit fetar në Korçë më 30.06.1941) (23)
Cili ishte “faji” i objekteve të kultit? Vetëm se ishin të shqipëtarëve dhe ju shërbenin atyre.

Përse shqipëtarët kërkojnë Shqipërinë Natyrale ?

Shqipëtarët historikisht kanë qenë paqe-dashës dhe nuk kanë patur shprehje raciste ndaj popullsive të tjera, brënda dhe jashtë kufijve të tyre shtetërorë. Këtë e kanë dëshmuar edhe të huajt: “« Sllavët, thotë një gazetë shqipëtare, janë një popull trim ; ata mund të kenë shumë cilësi të mira. Shkaku është diçka tjetër. Urrejtja jonë nuk shtrihet në individë, as në grupe nacionale, por tek shpirti i agresionit, në fanatizmin fetar dhe dredhite të ulta politike, të njohura me emrin e Pan’Sllavizmit » (24)
Burimi i kërkeses se shqipëtarëve, mbështetet tek fakti historik, se në Kuvendin e Vlorës më 28 Nëntor 1912, Shqipëria Natyrale u shpall me vullnetin e të gjithe krahinave, por në mbledhjen e ambasadorëve në Londër në vitet 1912-1913, u trajtua si kërkesë e një populli kolonial.
Në Francën mesjetare, mbreti dhe fisnikëria, duke u mbështetur në idenë e kohës së Jul Qezarit, e quante popullin (dmth galët) skllevër dhe veten, francezë sundimtarë. Frankët, si pushtues gjermanikë (më sakt, pasardhës të luftëtarëve “të lirë” që kishin pushtuar Galinë në shk V) pretendonin se kishin fituar të drejtën e tyre për të mbretëruar.  Galët, që e kishin humbur lirinë e tyre, nuk kishin të drejtën e vet-vendosjes.
Rrënjët e kësaj ideje vinin prej një tradite të përpunuar në Mesjetë, që e justifikonte skllavërinë, me anën e një sërë metodash intelektuale, që e katandisnin popullsinë në një gjendje të mjerueshme jetësore, që trashëgohej brez pas brezi.
Në shk. e XVIII , Revolucioni francez ndryshoi rrënjësisht këndvështrimin e së kaluarës (25) dhe lindi idea e: “Lirisë-Barazisë-Vëllazërisë !” që e gjejmë të mishëruar në Projektin e BE-së, për ardhmërinë e popujve europianë.  Por si mund të triumfojë kjo ide në Ballkan, kur shqipëtarët e shk. 21 jetojnë në vendet fqinjë në kushtet e galëve mesjetarë?  Si mundet politikanët europianë, të bëjnë thirrje “bashkëjetese” në shtete, ku ata trajtohen si popull i skllavëruar dhe jetojnë në kushtet e mohimit të të drejtave elementare të njeriut dhe të kërcënuar vazhdimisht në ekzistencën e tyre?
Për shqipëtarët – galë të Maqedonisë : “ që prej vitit 1991 deri më sot, nuk është bërë asnjë investim ekonomik nga ana e shtetit…Tetova me dy universitete, duket si një qytet i shkretë. Pa ujë të pijshëm, pa bibliotekë, pa teatër, pa objekt për organizimin e panaireve, pa librari bashkëkohore, pa sallë sportive…Prej vitit 1991 deri më sot, të gjitha investimet ekonomike janë bërë në Shkup dhe në pjesën juglindore të Maqedonisë. Në periudhën 2006-2012, qytetet shqiptare në Maqedoni, në aspektin ekonomik u shndërruan në geto. Çdo ditë në Shkup bëhen ndërtime nga më të ndryshmet. Shqiptarët ndërkaq duhet të kënaqen me betonin që shtrohet buzë ndonjë rrugë dhe me asfaltimin e gropave.(26)
Shqipëtarët-galë, trajtohen me të njejtën psikollogji mesjetare edhe në Mal të Zi, Serbi, Greqi dhe hije të kësaj ideollogjije për problemin e Mitrovicës, shprehen edhe në Shtetin shqipëtar të Kosovës.
Kongresmeni Joseph J. DioGuardi, me 25 Korrik 2008, ne Kongresin e ShBA pohon se: “Eshtë ironike që plani i Ahtisaarit u jep serbëve në Kosovë të drejtat më të mira të minoriteteve si askujt tjetër në Evropë, për gjersa ende kemi shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi që jetojnë nën kushte të aparteidit edhe sot” (27)
Popullsia e shteteve fqinj, ushqehet psikollogjikisht në shkolla, media dhe shpesh nga personalitetet shtetërore, me ndjenjën e agresionit racist ndaj shqipëtarëve autoktonë, fakte të ndodhura në vënde anëtare dhe pretendente për tu anëtarsuar në BE.
Europianët që e kanë kaluar këtë përvojë në kurrizin e tyre, nuk e kanë të vështirë të pranojnë, se zgjidhja më reale për Ballkanin është pikërisht vendosja e popullsisë së Kombit shqipëtar, në kushte të barabarta me popujt e tjerë ballkanikë dhe europianë. Pra, t’iu jepet e drejta e vetë-vendosjes dhe e drejta e shfrytëzimit të trevave të tyre autoktone.
Shqipëria Natyrale dhe zgjidhja e problemit Çam, do t’iu jap fund riciklimit të MITEVE raciste të shk 19 – 20 të shteteve fqinjë, por edhe në masmedian shqipfolëse dhe do të kurorëzojë Pavarësinë e vërtetë te Kombit tonë. Ky veprim, do të sjellë frymën europiane të Revolucionit francez në Ballkan, që shënoi epokën moderne të shoqërisë njerëzore, e mëshiruar në projektin e BE-së për bashkëjetesën paqësore.


Fatbardha Demi
25.01.2013

1- www.zemrashqiptare.net/…/Pirro_Prifti:_Lidhja_e... -12.06.2012
2- www.forumishqiptar.com/…/144978-Rrën… – 29 Gusht 2012
3- www.revistadrini.com/…/pirro-prifti-censusi-–nje  10/12/2012
4-  Gazeta « sot » online  2012-12-29).
5- “Populli dhe kombi grek, një popull dhe një komb shovinist në qëndrimin ndaj kombit shqiptar” Prof Dr Eshref Ymeri 17.12.20012
6- Marco Travaglio f.229 “La scomparsa dei fatti” v.2006
7- Edith Durham f.46 « Brenga e Ballkanasve» v.2000
8- Veis Sejko f.173 « Mbi elementet e perbashketa ne epiken shqiptaro-arbereshe dhe serbokroate » v.2002
9- Nuri Dragoi f150-51, “Shqiperia dhe Greqia” 2009
10- f 182 po aty
11-  Sami Frasheri f198 (”Shënime politike” 2.09.1878) Vepra I, Tiranë 1989
12- Beqir Meta f13, “Tensioni greko-shqipëtar(1939 – 1949)”
shtepija botuese GEER , Tirane 2002
13- Sami Frashëri (gaz “Terxhuman Shark” 7.08.1878) f192Vepra I,Tiranë,1989
14- Nuri Dragoi f 192 , “Shqiperia dhe Greqia” 2009
15- Beqir Meta f101“Tensioni greko-shqipëtar(1939 – 1949)” shtepija botuese GEER , Tirane 2002
16- Arben Puto “Lufta italo-greke” f 255 Botimet Toena, Tiranë 2011
17- Serbia theri 70.000 shqipëtarë dhe dogji 600 fshatra shqipëtare …shekulli.com.al/web/p.php?id=13817&kat=87
18- Kapitulli i 2-te i Konventes per parandalimin dhe ndeshkimin e  krimit te genocidit nga ansambleja e pergjitheshme e BE-se me 9.12.1948 (-↑ Convention pour la prévention et la répression du crime de génocide [archive], approuvée et soumise à la signature et à la ratification ou à l’adhésion par l’Assemblée générale dans sa résolution 260 A (III) du 9 décembre 1948, entrée en vigueur le 12 janvier 1951, conformément aux dispositions de l’article XIII)  dhe e ripohuar ne Kapitullin e 6-te Statutit te Romes me 17.7.1998 qe eshte Kapitull baze, per Gjukaten Penale Nderkombetare (Statut de Rome sur le site de l’ONU[PDF] [archive]. Wikipedia génocide)
19-« Greqia në sulm për aneksimin e jugut të Shqipërisë, ndërsa Shqipëria në mbrojtje të vetvetes së saj »Arben LLALLA  16.11.2012 gaz « Tirana observer »
20- www.Pashtriku.org 20. 01. 2013
21- Aubrey Herbert në Dhomën e Komuneve në maj 1913 – Noel Malcolm 20.01.2013 « Nacional »
22- Berisha në Mal të Zi: Ata që kërkojnë bashkimin e trojeve shqiptare, ekstremistë, 25.01. 2012TemA Online
23- Beqir Meta f51, “Tensioni greko-shqipëtar(1939 – 1949)”
shtepija botuese GEER , Tirane 2002
24- Edith Durham f72, « Brenga e ballkanasve » v.2000
25- Patrick J. Geary f34-35 “Il mito delle nazioni” Carocci, 2002
26- xhelalzejneli.com/ceshtja-shqiptare-ne-maqedoni ,18.9.2012
27- Ky artikull është bazuar në ligjërimin e autorit (i cili ishte ligjërimi kryesor i konferences) në Washington, DC, më 14 Korrik në konferencën mbi të ardhmen e Shqiptarëve në Ballkan, e cila ishte organizuar nga divizioni për intelegjencë të jashtme të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve dhe Agjencisë Qëndrore të Intelegjencës (CIA). Joseph J. DioGuardi 25 Korrik 2008, Çështja Shqiptarenë Kongresin e SHBA « Albanian American Civic …blog.aacl.com/ceshtja-shqiptare-ne-kongresin-e-sh...)

ÇNDERIMI I FEMRËS SHQIPËTARE, SI ARMË LUFTARAKE, PSIKOLOGJIKE DHE E GENOCIDIT

ÇNDERIMI  I  FEMRËS  SHQIPËTARE, SI ARMË LUFTARAKE, PSIKOLOGJIKE DHE E GENOCIDIT KUNDËR POPULLIT SHQIPËTAR, NË  KOHË TË LUFTËS  DHE TË PAQES/

Duhet të vdesin disa gjenerata të shqiptarëve, që të harrohen ato, çfarë kanë bërë serbët ndaj tyre.” – ”Radniçke novine”, Beograd 22 tetor 1913./


 Shkruan: Fatbardha Demi/


Historikisht, çnderimi  i femrave gjatë luftrave pushtuese, quhej si një “trofe” dhe “e drejtë” e fituesit dhe kështu është trajtuar deri në kohët moderne. “Pavarsisht provave të dhunës seksuale gjatë Luftës së II Botërore -shprehet Anne Marie de Brower, studiuese në  Universitetin e Tilburgut në Norvegji – mungesa e dëshirës për të dënuar këtë lloj krimi, çoi në mos ndjekjen e autorëve në Proçesin e Nurenbergut” (1)
Të njejtin fakt e pohon edhe gjyqtari Richard Goldston, prokuror në Gjykatën Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë, se “për krimin e përdhunimit, komuniteti ndërkombëtar nuk ka qenë kurrë i interesuar” (2)
Megjithatë që në vitin 1948, dhunimi i femrave gjatë konflikteve të armatosura, u përfshi në krimin e genocidit (“Konventa mbi parandalimin e krimit të genocidit” e Asamblesë së Përgjithshme të OKB më 1948). Në kreun e tretë të kësaj Konvente (pika “d” dhe “e”) si krime të genocidit përfshihej edhe bashkëpunimi dhe tentativa për genocid.  ( 3)
Në deklarimet e përfaqësuesve të politikës dhe në masmedia, këmbengulet se me krijimin dhe pasurimin e institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare me ligje dhe masa të shumta kundër llojeve të ndryshme të krimit, në shekullin që lamë pas, shoqëria europiane është zhvilluar drejt një botkuptimi më humanitar.
Por sipas Zyrës së statistikave të OKB (v.2000) dëshmohet se në shekullin e 20-të, ndërsa në Luftën e I Botërore  vetëm 5% ishin viktima nga popullsia civile, në Luftën e II Botërore arriti në masën 52%  dhe në vitin 1991,  90% e viktimave ishin nga popullsia që nuk ishte palë e luftimeve. (4)
Gjithashtu vihet re se, përshkallëzim nuk kanë patur vetëm numri i viktimave civile, por edhe shtimi i llojeve dhe egërsisë së krimeve, krahasuar me të gjtha epokat e historisë njerëzore. Për këtë arësye, studiuesit, shekullin e 20-të e kanë përkufizuar “shekulli i genocideve”.(5)  
Vërtetësinë e këtij fakti e dëshmoi veprimtarija e ish-shtetit Jugosllav, i cili e mbylli këtë fund shekull me një genocid të përgjakshëm ku 80% të viktimave civile në Kosovë ishin femrat dhe femijët. (6)
Shoqëria moderne europiane dhe botërore, pati mundësi të shikojë, se deri në ç’shkallë degradimi njerëzor, mund të arrijë një shtet dhe një popull. Them “mundësi” sepse, në opinionin europian dhe atë botëror, shumë pak u bë e njohur ajo çka ndodhi, sidomos mbi femrat shqipetare.  Dëshmitë e viktimave të gjallë (por edhe të vdekur dhe të zhdukur) faktojne se edhe pas 68 vjetëve të kapitullimit të nazizmit, rrënjet ideollogjike dhe institucionale të tij, vazhdojnë të mbijetojnë në Europën e shekullit të 21.

Kosova dëshmon:
R.N. nga Prishtina, në mbarim të luftës, ështe gjetur e lidhur, në lokalin e Fakultetit Juridik. Ajo kujton : “Njëri prej milicëve më ra me shuplakë dhe menjëherë më pëlciti gjaku nga buzët e shkrumuara. Tjetri vuri gishtin te buzët e mia, e ngjyu me gjak dhe tha: “Siç duket të gjithë shqiptarët e kanë gjakun e ëmbël dhe unë me këtë thikë do t’i shijoj të gjitha…Unë, Nenad Stojanoviq, do të ta lë një kujtim për tërë jetën. Ma afroi cigaren te gjitë e mi dhe e fiku atje. Mbi një paketë ka shuar në trupin tim për disa orë… Nuk e di se sa burra kanë luajtur me trupin tim,ende sot, kam  me qindra plagë cigaresh dhe thike. (7)
Ahmet Grajqevci (kryetar i shoqatës për hetimin e krimeve gjatë luftës dhe personave të zhdukur 1998-1999.): Në objektet e fabrikave, nëpër shtëpija, oborre, në spitalin e Prishtinës janë bërë vrasje, përdhunime dhe deshimtarët flasin edhe për autopsi të njerëzve të gjallë. Më 27.03.1999 Servete Halimaj nga fshati Shkabaj Dardhiç, shtatzanë me dy binjakë, kishte lindur femijën e parë dhe ja kishin vënë emrin Fitore. Në këtë kohë hyjnë kriminelët për t’i dëbuar dhe e shohin se ishte gjatë lindjes dhe i thonë se nuk ke për ta lindur… Ajo u përgjegj se do të lindin motrat e mija… trupin e saj e gjetëm të masakruar me duar të këputura. Ne nuk dimë se çu bë me binjakët. (8)
Më 25 janar 2001, në një transmetim radiofonik të një dokumentari në Radion Publike Nacionale të Shteteve të Bashkuara, të titulluar “Fshehja e krimit”, tregohej se forcat serbe e jugosllave transportonin në mënyrë sistematike trupat e shqiptarëve të vrarë në kompleksin e minierave të Trepçës pranë Mitrovicës, ku shndërroheshin në hí. Sipas raportit që citonte luftëtarë serbë dhe “një zyrtar të informuar mirë të shërbimeve sekrete serbe”, në Trepçë ishin kremuar 1 200- 1 500 kufoma… Burra të dyshuar për lidhje me UÇK-në, vriteshin aty për aty. Një dyshim i tillë mund të bazohej ndonjëherë thjesht tek fakti, që dikush kish moshën e një luftëtari. (19)
Shaip Vrellaku i zënë rob nga forcat sërbe pohon: “Me sytë e mi pashë policin duke i djegur vajzat që i kishin dhunuar në stacionin e trenit në Gllogoc. Edhe sot i dëgjoj ato britma të tmerrshme dhe trishtuese të vajzave që digjeshin.   (10)

Përse dhunimi seksual i femrave shqipëtare është akti më i rëndë kriminal, i luftës së Kosovës ?
Së pari: Sepse ky akt i forcave sërbe, nuk ka qenë i vetmi i ushtruar mbi viktimat, por i shoqëruar me krime të tjera të emërtuara dhe të dënuara nga Konventat Ndërkombëtare si ”Krime Lufte” dhe “Krim kundër Njerëzimit”. Për këtë arësye, autorët, ideatorët dhe bashkëpunëtorët në krimin e dhunimit seksual, duhet jo vetëm të trajtohen në kuadrin e krimeve të luftës, por të kenë peshën më të madhe të dënimit, për nga qëllimi dhe mënyra e kryerjes së tij.
Së dyti: Ka shërbyer si një mjet lufte gjatë kohës së konfliktit.  Ngjarjet e ndodhura në Kosovë dëshmuan se perdhunimi i femrave u përdor si një nga armët e çfarosjes dhe të zbimit masiv të popullsisë civile, e baraz-vlefshme me armatimin ushtarak,  kimik dhe të llojeve të tjera. Angela Minzoni-Deroche e emërton “një mënyrë e luftimit” (11).
Edhe Organizata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut (Amnesty International) ka pohuar se dhuna seksuale sot përdoret me paramendim, si strategji ushtarake, në krahasim me të njejtat raste të shekujve të kaluar (12)
Siç u dëshmua edhe në Bosnjë, dhuna seksuale gjatë konfliktit të armatosur ishte urdhëruar nga komanda sërbe si pjesë e strategjisë së spastrimit etnik, për ta detyruar popullsinë të largohej nga vendi dhe banesat e tyre. (13)
Kriminelët serbë, shfrytëzuan dhunën seksuale dhe vrasjen e viktimave, deri edhe për të helmuar ujin e puseve “Në një fshat të rajonit të Drenicës u përdhunuan, u vranë e u hodhën në pus tetë gra. (14)
Së treti: Është përdorur duke patur parasysh pasojat (për të cilat ishte planifikuar) edhe mbas mbarimit të luftës. Viktimat (nënat, motrat, vajzat, fêmijet) vazhdojnë të jetojnë me krimin dhe rrjedhojat e tij fizike dhe psiqike. Ato humbasin aftësinë për të jetuar normalisht, duke ndikuar drejtpërdrejt në shëndetin mendor dhe fizik edhe të brezit të ardhshëm, rrethit familjar dhe ulin moralin dhe forcën për përballimin e pasojave si dhe vizionin për të ardhmen në shoqërinë ku jetojnë. Duke goditur femrën shqipetare, është goditur jo vetëm Kosova e luftës, por edhe shteti i Kosovës së mbas luftës.
Dhuna seksuale duke qenë një dukuri e njohur e shoqërisë edhe në kohë paqje, janë berë studime të shumta të shkaqeve dhe pasojave të këtij akti kriminal. Studimet kanë treguar se:
-1/3 e viktimave pësojnë depresion të rendë për një periudhë kohore dhe 17% e tyre vetvriten.
-Ruajnë përbrënda revolten dhe përjetojnë ndjenjën e turpit dhe të fajësimit të vetvetes qe i pengon të tregojnë për çka u ka ndodhur e për të marrë ndihmën e nevojshme mjeko-ligjore.
- Çfaqin mungesë dëshire për të vijuar jetën shoqërore dhe ndjejnë vështirësi në punë.
- Kanë probleme të natyrës së marrdhënieve seksuale etj.
Me kalimin e kohës dhe pa ndihmën e nevojshme, pasojat bëhen të pashërueshme si : ankthi, shqetësime në ngrënje, pagjumësi dhe rijetimin e ngjarjes, gjëndje të rëndë shëndetêsore ose sëmundje të natyrës psiqike, turpi dhe frika e përherëshme etj.
Në kohë lufte, dhuna seksuale ka pasoja shumë herë më të rënda se sa në kohë paqeje. Shkaku është se viktima përveç torturimit dhe vrasjes, ka përjetuar shokun e rëndë psikologjik, sepse dhunimi seksual është bërë nga grupe agresorësh, në prani të njerëzve më të afërt dhe të ambjentit ku jeton dhe shpesh i përsëritur në kohë.
Krimi ndaj tyre  është shoqëruar me tragjedinë e vrasjes apo torturimit të fëmijëve dhe familjes së tyre dhe në kushte të vështira të mbijetesës. Për këto pasoja të rënda për njeriun , për herë të parë, Gjykata Ndërkombëtare (për Krimet e luftës në Ruanda në v.1998) dënoi të akuzuarin (Jean-Paul Akayesu) per genocid, në ushtrimin e krimit të dhunës seksuale në kohën e konfliktit të armatosur, me aresyetimin “për shkatërimin shpirtëror dhe deshirës për të jetuar dhe vetë jetës! ” ( 15)
Ahmet Grajqevci dëshmon se çdo femër me të cilën është takuar, në fund i ka thënë: “Më mirë të kisha  vdekur se sa jam gjallë!..Kanë ndodhur shumë vetvrasje mbas lufte” (16)
Çburrërimi i shoqërisë dhe institucioneve shqipetare.
Për shqipetarët, çburrërimi ka lidhje me NDERIN e tij dhe sipas traditës mijëravjeçare “nderi i gruas, është pjesë e nderit të burrit”. (kap. II Kodi penal në Kanun pika b,a, përdhunimi i grave)
Ky kod, që ka drejtuar ndër shekuj Kombin arbër edhe sot na habit me drejtësinë dhe paanshmërinë në shqyrtimin e akteve të dënueshme në fis dhe jashtë tij. Ç’farë dënimi parashikohej në Kanun, për dhunën seksuale ndaj femrës? “Nëse merrej vesh se një grua ishte përdhunuar, përdhunuesi ndiqej dhe dënohej. Herët ose vonë, përdhunuesi duhej të paguante, me gjakun e vet, për aktin e tij” (17)
Dënimi me vdekje, nuk i jepej thjesht për aktin e çastit  të “instiktit mashkullor” të autorit, por për faktin se ishte kryer mbi gruan, motrën dhe vajzën, figura “të shenjta” për shqipetarët.
Sipas studiuesit Zef Ahmeti “Pushteti i nderit për shqipetarin ishte mbi pushtetin e faltores dhe të shtetit…Nderi bën shtëpinë, thuhet në Kanun…”. (po aty)
Përse sot e akuzoj (pa përgjithësuar) shoqërinë e shqipetarëve të Kosovës për “çburrërim”? Sepse sot, ata e përbuzën dhe e braktisën traditën mijëravjeçare “të nderit të burrit”, por dhe idealin e “humanizmit” që udhëheq shoqëritë më të përparuara europiane. Ata braktisën edhe nënën e femijëve të tyre, motrën, të afërmit femra dhe në përgjithësi, femrat, viktima të krimit seksual të hordhive sërbe dhe bashkepunëtorëve të tyre.
Si është e mundur, që një shoqëri e cila me shekuj e ka ndjerë genocidin, përbuzjen dhe mohimin e një jetese dinjitoze mbi kurriz, tani që e gezon lirinë qytetare, të përbuzë viktimat femra të një gjaku ?
Veprimtarja e palodhur në ndihmë të viktimave të dhunës seksuale, Behide Hasanaj, më ka dërguar një dëshmi tronditëse të njerës prej tyre : « Jam dhunuar nga forcat sërbe tre ditë me rradhë, motra ime po ashtu. Pasi na kishin dëbuar nga shtepitë tona, na grabitën nga kolona me shumë femra të tjera…Sa herë që kundërshtonim dhe mbroheshim, na hiqnin dhëmbët dhe thonjtë, një e nga një. Na detyronin të qeshnim me zor, na prisnin trupin me thikë dhe na kërcënonin se do të na nxirrnin sytë. Na kanë masakruar për së gjalli, si asht ma zi. Na kanë prerë kraharor dhe gjinj…Ah medet, që nuk kemi kujt me i besu, me kënd me fol. Kush do të na ndihmonte? Kush do të na përkrahte? Kush do të na kuptonte?! (dërguar dt 20.07.2013 nga Behide Hasanaj)
Kur i them Behides se më mjaftojnë dëshmitë që më ka dërguar, ajo më lutet “ prit, prit dëgjoje edhe këtë…edhe këtë tjetrën, kam aq shumë rrëfime që gratë i mbajnë përbrënda zemrës. Nuk ta merr mëndja se ç’farë kanë hequr dhe sot kurkush nuk i dëgjon, as nuk i sheh”.
Vetëm Organizata Joqeveritare e Gruas “Jeta në Kastriot”, e drejtuar nga Luljeta Selimi, ka nën përkujdesje 2 016 femra shqiptare, të përdhunuara nga forcat serbe. Njëqind e njëzet e katër (124) prej tyre kanë plagë të dukshme në trup (gjinj të prerë, gishtërinj të këputur, nëntë janë me nga një sy të nxjerrë dhe gjashtëmbëdhjetë me plagë të hapura në fytyrë), të cilat janë në gjendje të rëndë shëndetësore e psikike.  ( 18)
Në emisionin « Në kërkim…» emisioni 13, mars 2013, Nazlie Bala, aktiviste për të drejtat e grave prej 23 vitesh, pohon se “të gjitha institucionet i kanë patur dyert e mbyllura për këtë krim edhe pse viktimat janë të gjalla midis nesh. Vetë udhëheqësit e Shtetit të Kosovës e kanë trajtuar si turp”.
“Nderi-thekson studiuesi Zef Ahmeti-në të drejtën zakonore shqiptare është e kundërta e turpit. Po të krahasohen “zonat” e nderit dhe të turpit në kanun, del se hapësira e nderit ka qenë shumë e ngushtë dhe brenda kësaj hapësire njeriu shqiptar duhej të krijonte individualitetin e tij. Kjo sepse Kanuni përmban një varg të gjatë ndalimesh e tabush, që e mbronin njeriun prej “zonës së turpit”.  Një shoqëri, që është indiferente ndaj viktimave femra të dhunës seksuale, që nuk i dënon  autorët sipas ligjeve, jo më të Kanunit, por të shtetit të tyre dhe Gjykatave ndërkombëtare, që i shikon mosperfillëse se si vuajnë për mbijetesë, që nuk e vlerëson aktin e tyre heroik të përjetimit të krimit më të rënde të luftës dhe këmbenguljen për t’iu kthyer jetës normale, një shoqëri e tillë ndodhet pikërisht “NË ZONËN E TURPIT”!
Këtë fakt e dëshmojnë rastet e femrave të dhunuara seksualisht gjatë luftës në Kosovë, që jetojnë në vendet perëndimore. Si është e mundur që tek të huajt, kanë gjetur respektin ,vlerësimin dhe mbështetjen e gjithanëshme, ndërkohë që ju mohua nga familjarët (pa përgjithësuar), rrethi shoqëror dhe sidomos nga Institucionet e një shteti për të cilin ato “paguan” më shtrenjtë se bashkombasit e tyre meshkuj?
Ahmet Grajqevci: une e kam ngritur në qeveri. Pse nuk formohet një qendër me psikologë që të merren me këto raste, ne në Mitrovicë e kemi një qendër të tillë, me buxhet të vogël me sallë leximi, ngrënie. Asnjëherë nuk ka vajtur kush ta shikojë. Shokët më thonë : Leje këtë punë se s’duhet të merresh me këtë. Ata harrojnë se në karrigen që ulen ,është gjaku dhe eshtrat e viktimave… (19)
Juristja Sadie Bekiçi e revoltuar shprehet: “Në rast se bota mashkullore: burrat, baballarët vëllezërit tanë, nuk mundej të na mbrojnë nga përdhunimet gjatë luftës, si nuk po mund me na mbrojtë pas luftës?”   (20)
Turpi dhe papërgjegjshmëria më e madhe, që çfaqet sot në shoqërinë kosovare është FSHEHJA e krimit.  Ky veprim godet shëndetin fizik dhe psiqik të viktimës femër, sepse nuk i mundëson marrjen e ndihmës së gjithanshme, pa të cilën pasojat “pastraumatike” siç theksojnë mjekët, bëhen më të rënda dhe të pashërueshme. Heshtja, i lë të lirë autorët të cilët shoqëria moderne i shikon si rrezik të mundshëm për përsëritjen e akteve të tilla kriminale. Fshehja e krimit të dhunës seksuale e bazuar në një pseudo-moral të sëmure, të shoqërisë shqipetare dhe të Institucioneve të shtetit të Kosovës, nuk ka asnjë lidhje me Kanunin, ku dënohej autori dhe jo viktima.
Në mënyre të pandergjegjëshme i bën bashkë-punëtorë të strategjisë së makinës ushtarake sërbe të kohës së luftës, për të goditur popullin shqipetar dhe shtetin e Kosovës, mbas mbarimit të saj. Po aq armiqësor, ndaj viktimave shqipetare, është veprimi i mos përfshirjes në dokumentacionin për krimet e luftës, nga ana e Institutit të ngritur për këtë qëllim, të krimeve të dhunës seksuale për të cilat kanë patur dijeni edhe Shtetet perëndimore.
Njoftime për ekzistencën e kampeve të përdhunimit në Kosovë janë dhënë qysh gjatë ditëve të luftës nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Qeveria Britanike dhe NATO.(21)
Heshtet jo vetëm për dhunimin seksual të femrave shqipetare gjatë luftës, por nuk përmëndet  as ay i meshkujve. Në një studim të Lara Stemple ( 2009). (“Male Rape and Human Rights”. Hastings Law Journal 60 (3): 605. URL consultato in data 17 luglio 2011.) dëshmohet se 80% e të burgosurve meshkuj në kampet e Sarajevës janë dhunuar apo torturuar seksualisht. Autorja shprehet se “mungesa e vëmëndjes kundrejt abuzimeve seksuale të meshkujve gjatë konflikteve , është veçanrisht shqetësuese, për një dukuri shumë të përhapur”(22)
Pra nuk kish si të ishin kursyer as meshkujt shqipetarë, nga një ushtri që kishte humbur çdo tipar njerëzor. Është akt burrëror dhe në nderin e çdo shqipetari (femër apo mashkull), të dëshmojë aktet kriminale që përjetuan mbi trupin e tyre apo si dëshimtarë të këtyre akteve, për të bërë të mundur dënimin e autorëve, në emër edhe të atyre që sot nuk janë më gjallë apo të zhdukur pa lënë gjurmë.
Si pasojë e mosangazhimit nga ana e Institucioneve shtetërore të Kosovës, e sidomos të Republikës së Shqipërisë, anëtare e OKB-së dhe nënshkruese e Konventave për të drejtat e minoriteteve dhe mbi Krimet e Luftës, Organizmat ndërkombëtare nuk e njohin si Genocid (ku përfshihet edhe dhuna seksuale), krimet mbi popullsinë shqipetare në Kosove. Ky genocid mbi shqipetarët është ushtruar jo vetëm gjatë luftës së fundit të përgjakshme të shovenizmit serb(1989-1999), por gjatë të gjithë shekullit 20, në hapsirën e pesë shteteve ballkanike.
Sot në planin juridik, nga organizmat ndërkombetare të OKB-së, janë pranuar si genocide të shk.20 vetëm: masakrimi i popullsisë armeniane nga Perandoria Otomane(1915-1916), spastrimi etnik i çeçenëve urdhëruar nga Stalini(1944) i çifutëve nga nazistët (1945), i popullsisë tutsis në Ruanda 1994, popullsisë mysylmane në Serbrenicë, nga shteti Jugosllav (2004) (Génocide-Wikipedia).
Ja përse nuk duhet heshtur! Gjaku i derdhur gjatë shk.20-të, akti i fundit i të cilit u zhvillua në Kosovë DUHET TË NJIHET nga opinioni botëror.
Një femër e dhunuar gjatë luftës në Kosovë është martire e forcave të errëta dhe kriminale, që vijojnë të  kërcënojnë dhe të rrezikojnë ardhmërinë paqësore të Ballkanit.  Që të mos përsëriten krimet e shkuara dhe të sigurohet jetesa paqësore ndërmjet popujve, duhen dënuar ideatorët, hartuesit dhe zbatuesit e strategjisë së çfarosjes dhe racizmit.
Këtë “pushtet të Zeusit” e ka  në dorë Gjykata.
Krimet e Luftës në Kosovë dhe Gjykata Ndërkombëtare
Them “Gjykata Ndërkombëtare” sepse faktikisht në biografinë 14 vjeçare të Shtetit të Kosovës, për mirë apo për keq, vulën e kanë ndërkombëtaret. Nuk besoj se ka një popull aq mirënjohës, për ndihmën e dhënë nga forcat ushtarake të huaja, se sa shqipetarët. Kjo mirënjohje sipas traditës, do të përcillet brez pas brezi dhe do të zerë një vend të shënuar në historinë e Kombit tonë, për faktin, se ishte hera e parë, gjatë dy shekujve që kaluan, që në përpjekjet e tij kundër pushtuesve pati ndihmën e Fuqive të Mëdha.
Besoj gjithashtu, se nuk ka shprehje më domethënëse, se deri ku i kishte vajtur « thika në kockë » këtij populli, se sa kur pranoi edhe sakrifikimin e bashkë-kombësve civil gjatë bombardimeve të NATO-s. Siç është nënvizuar në një raport të Human Rights Watch të shkurtit të vitit 2000, të titulluar “Vdekjet e Civilëve gjatë Fushatës Ajrore të NATO-s”, bombardimi i NATO-s shkaktoi në të gjithë Jugosllavinë rreth 500 viktima civile. 55-60% e këtyre viktimave ishin kosovarë (23)
Të gjitha sakrificat, shqipetarët i kanë pranuar me krenari, vetëm e vetëm për të patur po ato të drejta dhe po atë liri që i gezojnë popujt e tjerë europianë. Në emër të këtyre « Të Drejtave të Njeriut » shqipetarët kërkojnë dënimin e autorëve, si për çdo vepër kriminale kundër jetës së njeriut (ku përfshihet edhe krimi i dhunës seksuale), një kërkesë që qëndron në themel të çdo Kushtetute të vendeve të BE-së.  Sot , si populli dhe viktimat shqipetare që i mbijetuan luftës së përgjakshme, ashtu edhe analistët ndërkombëtare, pranojnë se në këtë drejtim, sistemi gjyqësor në shtetin e Kosovës ka dështuar.  Njerëzit e ligjit dhe analistë të ndryshëm rradhisin një serë shkaqesh administrative, politike dhe të rrethanave të kohës.
Me qenëse tema që po trajtoj, lidhet me dukurinë më të rendë në Europë, që pas Luftës së Dyte Boterore, pa u zgjatur po përqëndrohem tek Raporti « Trajtimi çnjerëzor i personave dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë »(Dok. 12462,  7 janar 2011) i prokurorit Dik Marty, në emër të Komitetit të Çështjeve Juridike dhe i të Drejtave të Njeriut.
Përse ky raport përfaqëson dështimin e drejtësisë në Kosovë dhe rrjedhimisht mosdënimin  (ndërmjet krimeve të tjera) të dhunës seksuale mbi femrat shqipetare, duke patur parasysh përmasat dhe pasojat e këtij krimi?  Sepse ky dokument ligjor i një Institucioni Ndërkombëtar, pasqyron disa tendenca në qëndrimin, veprimtarinë dhe ideollogjinë europiane ndaj “Çështjes shqipetare”, që  udhëhoqi veprimtarinë e gjyqësorit në Kosovë, nëpërmjet UMNIK-ut dhe sot EULEX-it.
Nuk e di, se si një sallë e mbushur me politikanë dhe përfaqësues shtetërorë të vendeve më të zhvilluara europiane, kanë pranuar të dëgjojnë një raport të bazuar mbi një platformë ideollogjike raciste për shtetin e Kosovës, Ushtrinë e saj çlirimtare dhe panoramën e ngjarjeve gjatë luftës. Siç dëshmon edhe vetë prokurori Dik Marty, nisma e tij mori shkas nga botimi i “kujtimeve” të ish Kryeprokurores së Gjykatës Ndërombëtare për krimet e luftës në ish Jugosllavi (GJPNIJ), Carla del Ponte (“La caccia – Io e i criminali di guerra”, prill 2008) mbi “trafikun e organeve” të robërve serbë.
Mbasi vë ne dukje “gabimin” e bombardimeve te NATOS, akuzon se: “përpjekjet për të nxjerrë në dukje faktet dhe për të ndëshkuar krimet e luftës ishin përqendruar sidomos në një drejtim, duke u mbështetur në prezumimin e nënkuptuar se njëra palë ishte viktimat, dhe pala tjetër, xhelatët”.
Sipas kësaj llogjike të prokurorit ndërkombëtar edhe Gjykata e Nurembergut, që gjykoi krimet e nazizmit, paska punuar padrejtësisht “vetëm në një drejtim” në dënimin e krimeve të nazistëve. Sepse nuk duket asnjë ndryshim në mes të këtyre dy agresioneve, si për nga qëllimi, mjetet e përdorura dhe rrjedhojave të tyre, përveç hapsirës gjeografike dhe konfliktit brënda një bashkësie politike shtetesh, nën emrin “Jugosllavi”.
Ku janë shkeljet e zotit Dik Marty?
Së pari: Sipas prokurorit: “GJPNIJ kishte kompetencë për ndjekje e gjykim të krimeve të kryera deri në qershor 1999. Veprimet me të cilat po merremi sot, pretendohet të kenë ndodhur sidomos duke filluar nga vera e vitit 1999”. Pra pjesa më e madhe e “akuzave” të përfshira në Raport, nuk mund të përcaktohen si “krime lufte” por “krime në kohë paqje”, të një organizmi shtetëror shqipetar nën mbikqyrjen e ndërkombëtarëve. Kjo “ngatëresë” në dallimin e periudhave kohore të kryerjes së “krimimeve” nga prokurori , i hap rrugën për ta fryrë raportin e tij me të gjitha aktet e kriminalitetit që sundojnë edhe sot e kësaj dite, jo vetëm në vëndet ballkanike, por edhe në ato europiane edhe më gjerë si, korupsioni, trafiku i njerezve dhe punëtoreve të seksit, pasurimi kriminal, aktiviteti mafjoz, vrasjet politike, etj.
Në Raportin special paraqitur në Këshillin e Europës (17.05.2013) « Mbi kriminalitetin e organizuar, korrupsionin dhe riciklimin e parave” (A7-0175/2013 - Salvatore Lacolino)
vërehet se 74% të qytetarëve (të BE-së) e quajnë korupsionin problemin themelor të vendit të tyre, po kështu edhe në nivel ndërkombëtar dhe se dukuri të korupsionit vërehen në të gjithë sektorët e shoqërisë… (24) Veprimet e një grupi individësh (qofshin edhe me biografi luftarake) nuk mund të kriminalizojnë një luftë heroike, të një populli të skllavëruar.
Ironija, disinformimi dhe përbuzja e prokurorit D.Marty, ndihen gjatë të gjthë “historikut” mbi luftën e UÇK-së, ku luftetarët, si “ushtarë   për kauzën e një atdheu nuk përbënin detyrimisht shumicën”, Adem Jashari “komandanti fshatar i UÇK-së”, “Shumë rekrutë që përbënin një ushtri fshatare… kanë kaluar në Kosovë armë kontrabande”, “kjo formë fillestare e UÇKsë mori fund përfundimisht dhe hyri në folklor si një shprehje romantike për çlirimin e Kosovës”, “se strukturat e njësive të UÇK-së i ishin përshtatur… një tërësi rregullash të njohura nën emrin kanun”, etj…
Dallimi midis popujve “të zhvilluar, të qytetruar dhe të fortë ushtarakisht” dhe popujve “të pazhvilluar-fshatar ” qëndron në themel të tezave raciste.
Së dyti: Përse për të gjithë të zhdukurit e etnisë sërbe fajësohet  UÇK-ja? Në Dosjen “Pandora” dëshmohen emrat e personave që kanë urdhëruar komandot (kriminale) për eliminimin e kundërshtarëve (shqipetarë) por edhe të bashkëpunëtorëve të tyre serbë… (25)
Së treti: Përse zoti D.Marty nuk ka marrë mundimin të interesohet për vijimin e genocidit sërb edhe mbas luftës në Kosovë, me qënëse pretendon një drejtësi ndërkombëtare “për të gjithë kriminelët”, por ka preferuar ta mbaje drejtimin e “rrufeve ndëshkuese të Zeusit” nga ana shqipetare, mbi të cilën vijon edhe sot genocidi i luftës? Në Kosovën e pasluftës, ka dokumentacion të bollshëm për fakte të kësaj natyre.
Dosja “Pandora”, që mban datën 14 mars të vitit 2006 përshkruan skemën e funksionimit të policisë serbe (MUP) që vepron sot në Kosovë,  e cila përbëhet dhe udhëhiqet nga të njëjtit persona, të cilëve dokumentet konfidenciale të NATO-s iu referohen si kriminelë, kapo të bandave dhe të krimit të organizuar në veri të Kosovës, që prej përfundimit të luftës, në vitin 1999.
Menjëherë mbas luftës, ndërmjet natës së 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, 10 shqiptarë u vranë prej pjesëtarëve të formacioneve serbe, kurse 1.564 familje shqiptare me gjithsej 11.364 persona u dëbuan dhunshëm nga banesat e tyre në veri të Mitrovicës. (26)
Për këto vrasje dhe spastrim etnik, nuk është bërë asnjë proçes gjyqësor vendor apo nderkombëtar. Habija më e madhe qëndron në faktin se – siç pohon Halit Barani, shefi i KDMLNJ (Këshillit të së Drejtave dhe Mbrojtjes së Lirisë së Njeriut) në Mitrovicë – të gjitha këto vrasje janë bërë në prani të ushtarëve francezë të KFOR-it dhe të policisë ndërkombëtare. “Prej kujt mund të presim që t’i kryejnë hetimet, kur ata vetë nuk bëjnë asgjë që t’i parandalonin këto vrasje ?” pyet Barani. (po aty).
Së katërti: Përse prokurori për hir të “drejtësise për të dënuar krimin” nuk përfshin në raportin e tij, genocidin e shtetit të ish Jugosllavisë të viteve 1981- 1989? Lufta e përgjakshme e 1989-99 qe vëtem akti final i veprimtarise shtetërore sërbe kundër popullsisë shqipetare. A nuk u bë helmimi i mijëra fëmijëve shqipetarë me gaz helmues luftarak, pa përmendur aktet e tjera të dhunës dhe genocidit?
Së pesti: Për akuzën e “gjuetisë ndaj tradhëtarëve” dua t’i kujtoj prokurorit ndërkombëtar, një shprehje të Krishtit në Testamentin e Ri. Kur turma donte ta vriste me gurrë, një grua të akuzuar për shkelje të nderit, ai ju drejtua me këto fjalë: “Kush nga ju nuk ka asnjë mëkat, le ta hedhë i pari gurin kundër saj”  (Giovanni 8,7) (27)
Le të na binde prokurori me fakte, se gjatë Luftës së II Botërore dhe pas mbarimit të saj, partizanët dhe populli francez, italian, rusë dhe të vendeve të tjera, nuk kanë vrarë dhe nuk  janë hakmarrë ndaj agresorëve që i kishin lyer duart me gjak dhe bashkëpunëtorëve të tyre vendës.
Nuk po zgjatem më tej, sepse nuk është qëllimi i këtij shkrimi analiza e plotë e Raportit të Prokurorit ndërkombetar Dik Marty dhe as e “analizave” të pseudo-intelektualëve shqipetarë dhe shkrimeve në medjan e huaj, që zhurmojnë (“për hir të së vërtetës”!!!) në mbështetje të mendimeve të tij.
Duket sikur i jam larguar temës, por në fakt, ky Raport i Prokurorit Ndërkombëtar, dëshmon se nje ideollogji raciste që ju imponohet organeve të drejtësisë, nuk mund të dënonte autorët serbë për krimet çnjerëzore të dhunës seksuale.
Luljeta Selimi në librin e saj ”Rrëfimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë” pohon: Unë i kuptoj kosovarët pse nuk flasin, nuk shkruajnë dhe nuk bëjnë gati asgjë për ti zbuluar dhunimet! Por nuk i kuptoj ndërkombëtarët që veprojnë ne Kosovë dhe e di se marrin donacione të majme për këtë punë dhe nuk bëjnë asgjë as për ti zbuluar dhunuesit e as për ti ndihmuar femrat e dhunuara…
Arsyeja tjetër që me shtyri ta botoj këtë libër me rrefime tronditëse të disa femrave të dhunuara është sjellja e palejueshme e ayre që janë të thirrur të bëjnë diçka në këtë drejtim! Ata sillen sikur këtu nuk kanë ndodhur as luftë, as vrasje, as djegie e plackitje as dhunime, as asgjë prej gjëjë. Ose edhe më keq, sillen sikur dhunimet kanë ndodhur diku tjeter, e jo këtu, para syve tanë dhe të botës!!! (28)
(Shkrimi i pjerët në tekst u përket pjesëve të marra nga Raporti i D.Marty)
 1- Anne-Marie de Brouwer, Supranational Criminal Prosecution of Sexual Violence, Intersentia, 2005, 5–7. ISBN 9050955339,  it.wikipedia.org/wiki/Stupri_di_guerra
2- Simons, Marlise -giugno 1996. “For first time, Court Defines Rape as War Crime it.wikipedia.org/wiki/Stupri_di_guerra
3- Prevent Genocide International info@preventgenocide.org
4- “Tratto da The world’s women 2000. Trends and statistics”, a cura dell’Ufficio statistico delle Nazioni Unite, New York 2000. Versione italiana a cura della Commissione nazionale per la parità e le pari opportunità.
5- it.wikipedia.org/wiki/Genocidio
6- “Tratto da The world’s women 2000. Trends and statistics”, a cura dell’Ufficio statistico delle Nazioni Unite, New York 2000.
7- www.pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=139
8- “Ne kerkim…”Episodi 16 TV Kosova
9- [PDF] Michael S. Miller – Human Rights Watchwww.hrw.org/sites/default/files/reports/Under_Orders_Al_Combined.pdf)
10- 22. 05. 2013 pashtriku – krimet – fetntete ramosaj: pËrdhunimet si krime lufte www.pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1630‎)
11- Angela Minzoni – Deroche. Rape as a tactic of war – Advocacy Paper (PDF). Caritas France, novembre 2005
12- Laura Smith-Spark, How did rape become a weapon of war?, BBC News, 8 dicembre 2004. URL consultato in data 28 luglio 2008, it.wikipedia.org/wiki/Stupri_di_guerra‎
13- Human Rights News Bosnia: Landmark Verdicts for Rape, Torture, and Sexual Enslavement: Criminal Tribunal Convicts Bosnian Serbs for Crimes Against Humanity 02/22/01
14- [PDF] Michael S. Miller – Human Rights Watch
www.hrw.org/sites/default/files/reports/Under_Orders_Al_Combined.pdf
15- it.wikipedia.org/wiki/Stupri_di_guerra
16- “Ne kerkim…”Episodi 16 TV Kosova
17- “E drejta penale ne Kanunin e Leke Dukagjinit” Zef Ahmeti ,Univ St.Gallen, Zvicer -www.forumishqiptar.com/threads/88484…i…/page9
18- 22. 05. 2013 www.pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1630
19- “Ne kerkim…”emisioni 16 TV Kosova
20- « Tribuna :Krimet e heshtura te Serbise » e organizuar nga levizja Vetvendosja me rastin e 8 marsit.                                                   http://www.youtube.com/watch?v=1FUhKHNHpzk
21- 22. 05. 2013 pashtriku – krimet – fetntete ramosaj: pËrdhunimet si krime lufte www.pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1630
22- Stemple, p. 612. dhe Will Storr, The rape of men, 17 luglio 2011.it.wikipedia.org/wiki/Stupri_di_guerra
23- sq.wikibooks.org/wiki/NËN_PUSHTETIN_E…/13
24- www.europarl.europa.eu/sides/getDoc.do?type=CRE&reference=20130611&…
25- dosja Pandora pashtriku.org
26- Dokumenti sekret i NATO’s që inkriminon Oliver Ivanoviçit http://www.lajmeshqip.com/
27- La pena di morte  www.raffaellosanzio.ct.it/progettolegalita/2M.pdf · Fichier PDF
28- Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë – videoweb.kosovalbaner.com › Hyrje › Lajmet › Reportazhe)
FUND
Tags: 

Fatbardha Demi: Agresioni psikologjik nën gunën e nacionalizmit


(“Nëse ka burrë ose grua të krishterë që do të më japë fjalën se nuk do të flasë më shqip në shtëpinë e tij, të ngrihet e të ma thotë, sepse unë do ia fal të gjitha mëkatet që ka bërë që nga dita e lindjes.Më mirë të keni një shkollë greke në fshatin tuaj, se sa të keni përrenj e lumenj!'' - 

Shënjtori grek Kozma Etoliani).


Image result for FATBARDHA DEMI

FATBARDHA DEMI 

Thirrjet naziste si “Dhoma gazi për shqiptarët!” janë bërë një dukuri tashmë e zakonshme në rrugët dhe ngjarjet e ndryshme në Maqedoni. Kështu ndodhi edhe në ndeshjen me Danimarkën në shkurt të 2013, të të ashtuquajturve “tifoza” maqedonas, që nuk i shqetësuan aspak qeveritarët e këtij shteti multietnik.
Por këto thirrje të përseritura anti-shqiptare, nuk trazuan as qetësinë e Zv/kryeministres së Maqedonisë Teuta Arifi, as të Presidentit Nishani apo Kryeparlamentares Jozefina Topalli, që u takuan në Tiranë duke shprehur kenaqësinë për “forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vëndeve, të cilat përbëjnë një shembull të bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë për rajonin e Ballkanit.” Të dy njoftimet (çfarë rastësie!) ndodhën në të njejtën datë, të gazetës “Bota Sot” 07.02.2013. Pra, siç thuhet :“Qentë (tifoza) le të lehin, karvani (i miqësisë ndëretnike i Ballkanit) të ecë përpara!”

Ky karvan nuk e ndal ecjen edhe kur digjen flamurët shqiptarë, kur rrihen barbarisht fëmijët, kur mohohen të drejtat e shpallura në Kushtetutën e vëndeve ku jetojnë, për barazi politike, ekonomike, arsimore dhe kryhet çkombëtarizimi dhe pastrimi etnik. Por papritmas, në qiellin pa re të marrdhënieve “të shkëlqyera” ndërshtetrore ballkanase, në Konferencën e Mynihut gjëmoi rrufeja e “albanofobisë” në rajon.



Çfarë tha dhe çfarë nuk tha Kryeministri Berisha në Mynih?

Ajo që tha Sali Berisha në Konferencen “Mbi sigurinë dhe stabilitetin në Europën Jug-Lindore dhe Kaukaz” nuk ishte e paditur. Që Kombi shqiptar padrejtësisht ishte copëtuar në pesë shtete është fakt historik i njohur dhe qëndron jashtë agjendave politike dhe Konventave europiane, si veprim historik i së kaluarës. Ajo që nuk tha Kryeministri ynë, ishin FAKTET konkrete dhe të kryera në mes të ditës të shteteve fqinjë, të udhëhequra nga ideollogjia raciste dhe pushtuese. Kjo veprimtari, dënohet dhe është e përfshirë në Konventa të ndryshme europiane mbi sovranitetin shtetëror, të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve, çfaqjeve dhe veprimtarisë raciste. Në nivelin europian, si një nga objektivat parësorë të bashkëpunimit juridik dhe policor, është parandalimi dhe luftimi i racizmit e i ksenofobisë dhe për këtë qëllim funksionon edhe një Institucion - “Osservatorio europeo per i fenomeni di razzismo e xenofobia”. ('European Monitoring Centre on Racism and Xenophobia' - EUMC) sostituito e trasformato, nel 2007, dall' Agenzia dell'UE per i diritti fondamentali') (1)

Por që të lëvizin këto ingranazhe ndërkombëtare, si në çdo çështje të thjeshtë administrative, duhet të ketë një ANKESË, e faktuar nga pala e dëmtuar dhe ë bëhet INFORMIMI i opinionit ndërkombëtar me anën e masmedias.

Nuk mund të mos u jemi mirënjohës, kontributit patriotik të Diasporës dhe shoqatave shqiptare brënda vendit, që i kanë bërë të njohura Organizmave ndërkombëtare verimtarinë e fqinjëve kundër interesave jetike të Kombit Shqipëtar. Por vetë Shteti ynë, që është nënshkrues i shumë Konventave dhe anëtar në Organizmat ndërkombëtare ka heshtur.

Albanofobia dhe veprime që cënojnë sovranitetin e Shtetit dhe dinjitetin e një popullsie kombëtare, pik së pari duhej të ishte problem madhor i brëndshëm, pra i vetë Qeverisë sonë. Si shpjegohet që nuk kemi parë asnjë seancë parlamentare ku të trajtohen ngjarjet e ndodhura, ndërkohë që ëndrat vorio - epirote, “diskriminimi” i minoritarëve grekë e sërbë, i veprimtarisë “kriminale” të shqipëtarëve të Kosovës, zhurmojnë në parlamentet e shteteve fqinj, po edhe në Instancat më të larta ndërkombëtare ?

Thirrjet naziste në Maqedoni se “shqipëtari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe veprimtari të tjera (që do të shtjellohen më poshtë) janë dukuri, që në shkencën e historisë, psikologjisë dhe teorisë ushtarake, emërtohen “luftë ose agresion psikologjik” dhe në formë më zyrtare “operacione psikollogjike”.

Përdorimi i “armës” psikologjike është i njohur që në lashtësi
Image result for J.F.C.Fuller

J.F.C.Fuller

Por studimi shkencor, e ka zanafillën në fillimin e shk.20. Historiani dhe psikoanalisti anglez

J. F. C. Fuller qe i pari që përdori shprehjen “operacione psikologjike”. 


http://en.wikipedia.org/wiki/J._F._C._Fuller(REDAKSIA FLORIPRESS)
Më 1920 ai parashikoi se një luftë psikologjike, me kohë, mund të zëvëndësonte luftën tradicionale. Sipas studiuesve të fushës ushtarake, në kohë paqje, kur veprimet luftarake janë të pamundura, “operacionet psikologjike” përbëjnë armën e vetme vepruese.(2) Në praktikën ushtarake të shteteve, që mbas Luftës së Dytë Botërore ka organizma të posaçme që merren me operacionet psikologjike, me synimin e sigurisë së vendit të tyre apo të suksesit të qëllimeve gjeopolitike mbi një vend tjetër.

A mbrohet Shteti dhe popullsia shqiptare nga kjo “armë” që specialistët e përcaktojnë “vrasëse pa ndotur duart”? Fillimisht duhet kuptuar se ç’përfaqëson “lufta psikologjike”, ç’mjete përdor dhe pasojat e saj. Me qënëse është një veprimtari që kryhet si brënda shoqërisë, ashtu edhe në botën kriminale dhe ushtarake, mjetet e dhunës psikologjike trajtohen hollësisht nga psikologët dhe specialistët e ushtrisë.

“Lufta psikologjike qëndron në përdorimin e propagandës dhe veprimeve të tjera psikologjike me qëllimin kryesor: të ndikojë në mendimet, ndjenjat, sjelljen dhe veprimet mbi grupet e armiqve (shqipëtarëve në rastin tonë-shën im) në mënyre të tillë, që të ndihmojë arritjen e synimeve nacionale” (3)

Mjeti kryesor i propagandës është FJALA. Por a mundet fjalët të dëmtojnë e të shkatërojnë njeriun? Sipas studiuesve, përdorimi i propagandës mashtruese është i dëmshëm për formimin e lirë dhe natyral të mendimit personal e të publikut, dhe dëmi pasqyrohet si tek vetë njeriu ashtu edhe tek shoqëria (4) Shëmbulli më i fundit i një agresioni psikologjik të paramenduar me hollësi, ka qenë intervista e deputetit të Parlamentit grek, Kristo Papas (me një biografi fashiste shumë interesante) në janar 2013. Si u realizua lufta psikologjike, nga deputeti grek?

Së pari: Përfaqësuesi zyrtar grek, paturpësisht shpalosi fakte anti-shkencore historike

“Për fat të keq popullsitë në veri të Greqisë janë popullsi që përbëhen nga grekë të cilët ndërruan besimin, ndërruan dhe përfituan një ndërgjegje të rreme kombëtare... Përsa i përket prejardhjes së fisit shqiptar nëse do të mundeshim ta quanim fis shqiptar, sepse siç u thashë është një konglamerat popullsish të cilët janë tërësisht me prejardhje greke, pavarësisht se mund të kenë humbur ndërgjegjen e tyre kombëtare... nëse dikush do ta lexojë dhe kuptojë vërtetë historinë nuk ekziston Shqipëria. Në fakt nuk është Vorio-Epiri Grek, në fakt gjithë Shqipëria duhet të jetë një Provincë greke”.

Së dyti: Biseda u zhvillua brënda territorit të Shqipërisë dhe jo në Greqi, siç do të ishte e natyrshme për ideollogjinë që ndjek ky shtet. I bërë në mes të Kryeqytetit shqipëtar, shprehu guximin për të kaluar nga fjalët në vepra, siç kërcënoi qartas gjatë ligjërimit “patriotik” helenist. “Historia vazhdon me të drejtën e më të fortit...Të jeni të sigurt se si parti dhe si grekë kemi gjithmonë në mendje zgjidhjen për çështjen e Vorio-Epirit...një Epir që është grek dhe një pjesë e tij në këto momente ndodhet në duar të huaja, në duart e shtetit shqiptar... ministri i Jashtëm na ka pohuar se Vorio-Epiri është në zemrat tona” Këtë kërcënim, nuk mund ta quajmë “personal” te K.Papasit, me qënëse Parlamenti apo ndonjë personalitet shtetëror grek, nuk e ka dënuar. Ky agresion psikologjik, afro 23 vjeçar i Shtetit helen mbi minoritarët dhe pseudo-minoritarët grekë, (në shkëmbim të vizave, “pensioneve”,bursave shkollore etj) ka nxitur veprimtari kundra sovranitetit te Shqipërisë për Autonominë e Vorio Epirit, dhe urrejtjen ndaj shqipëtarëve. (4)

Së treti: Duke njohur gjëndjen e ushtrisë shqipëtare, ku ushtarakët nuk marin dot as pagat e misioneve të NATO-s dhe duke ditur se dora e ligjit nuk i arrin qytetarët , përfaqësuesit fetarë dhe shtetëror të fqinjëve, deputeti grek kërcënoi drejtpërdrejt shqipëtarët dhe Qeverinë, për të krijuar ndjenjën e FRIKËS për sigurinë e tij dhe të sovranitetit të vëndit tonë: “Ta dini se forcat e armatosura greke janë shumë herë më të fuqishme se forcat e armatosura të Shqipërisë...Zgjidhja e vetme për çështjen e Vorio-Epirit formulohet: Liri në Vorio-Epir. Nëse kjo nënkupton dhe ushtrinë greke në Vorio-Epir atëherë edhe ushtria greke do të jetë në Vorio-Epir...

Së katërti: Tundja para syve të “Ligjit të Luftës” ngjall tek shqipëtarët mosbesimin në marrëdhëniet dhe marrëveshjet midis dy shteteve dhe qënies në NATO. “Dua t'ju them se ekziston edhe ligji i luftës midis Shqipërisë dhe Greqisë. Ligji i luftës nuk shfuqizohet me një deklaratë të Papulias, apo me një deklaratë të ministrit të Jashtëm. Ligji i luftës votohet në Parlament dhe nuk është shfuqizuar zyrtarisht dhe si rrjedhojë jemi në gjendje lufte”. Ajo që synoi deputeti grek, ishte t’iu ngjallte shqipëtarëve ndjenjën disfatiste “se gjithshka është e humbur”, me qëllimi për t’iu hequr dëshirën e organizimit për kundër-veprim.

Së pesti: Deputeti grek, synoi të krijojë ndjenjën e inferioritetit dhe të mosvlerësimit të vetvetes, duke goditur shtetin, simbolet, figurat historike, krenarinë dhe ndjenjat kombëtare : “Keni ndërtuar një shtet fallco. Keni vjedhur heronj, ngjyra dhe flamunj dhe përpiqeni të vërtetoni se jeni shtet. Për fat të keq nuk jeni shtet... Ndërgjegja shqiptare, ndërgjegjësimi kombëtar shqiptar është një fenomen, i cili u shfaq në fillimet apo nga fundi i shekullit të 19, madje nëse doni u shfaq në fillimet e shekullit të 20 ...U mbështetët si popull në gjurmë të huaja, të vjedhura, nuk keni gjurmën tuaj. Edhe Heroi juaj Kombëtar është Jorgjo Kastriotis, një feudal grek i helenizmit mesjetar... popullsive tuaja në rrugëtimin historik treguan se nuk dinë të mbajnë as besën, dhe arritja e tyre luftarake e vetme dhe më e madhe është plaçkitja”.

Psikologia Cinzia Sintini pohon se “Dhuna psikologjike është një veprimtari shkatëruese e armiqësore që mund të kryhet në një formë të hapur ose të fshehtë. Çvlerësimi i gjithçkaje që një person bën apo mendon, për atë që interesohet apo në atë që beson...Ai qe i nënshtrohet dhunës psikologjike ndodhet ne një gjendje stresi të vazhdueshëm (5)

Së gjashti: Shprehu diktatin grek dhe mospërfilljen e institucioneve të Shtetit, si një realitet që duhet pranuar nga shqipëtarët. “Nga ana e palës greke u shtrua çështja...që thotë se Greqia do të paraqesë në mënyrë të njëanshme në OKB hartat e kufinjve detarë me vendet fqinjë...Greqia i konsideron se këto janë kufinjtë e saj”.

Biseda mbyllet me thirrjen luftarake: “Vëllezër guxim, nuk ju kemi harruar. Jeni dhe jemi grekë dhe Vorio-Epiri është grek dhe do të bëhet sërish grek!”,që ushtoi edhe më 10 prill 1994, në afërsi të fshatit Peshkëpi (Gjirokastër) ku u vranë nga grekët ushtari 20 vjeçar Arsen Gjini, kapitenin Fatmir Sali Shehu dhe u plagosën shumë të tjerë.

Pëfaqësuesi i Shtetit grek, e mbylli me sukses “luftën” e tij, sepse nuk pati si objekt sulmi psikologjik vetëm minoritarët dhe pseudo-minoritarët, siç ka bërë lirshëm që pas 90-ës, por nëpërmjet kanalit satelitor News24 , të gjithë shqipëtarët në Botë. Kujt i vlejti monologu nostalgjiko-fashist, mbi bazën e një historie të sajuar, i përfaqësuesit të Parlamentit grek? Vetëm mbështetjes së hapur të Shtetit grek për veprimet e minoritarëve në postet zyrtare, siç qe rasti i Spiro Kserës, ish Prefektit të Gjirokastrës, i cili në përvjetorin e Traktatit famëkeq të Korfuzit deklaroi se ndihej “Prefekt i Vorio-Epirit (“Shekulli” 1.01.2009), ish Kryebashkjakut të Himares Vasil Bollano dhe së fudmi partisë “Mega”, që kërkojnë autonominë e sajesës politike të Vorioepirit. Por mbi të gjitha, për një çfaqje kriminale të ALBANOFOBISË.



Albanofobia nuk ekzizton ajo është një krijesë e shekullit të kaluar!

Kështu u shpreh deputeti A.A. i PS në News24 “Sali Berisha foli për Albanofobi, është injorancë dhe qesharake, sepse kush ka fobi ndaj nesh?” (18.02. 2013, ballkanWeb) Na lind dyshimi në se këto pohime të përfaqësuesit të Kuvëndit, pa kaluar as muaji kur në të njejtin kanal kolegu grek fyejti, mashtroi dhe i kërcënoi shqipëtarët dhe shtetin e tyre, vijnë nga verbësia apo synimi i mbulimit të kësaj veprimtarije armiqësore?

Albanofobia sikurse ksenofobia, sjelljet raciste, dhuna psikologjike, propaganda, dhe agresioni psikologjik, krahas shumë formave të tjera të ndikimit psiqik, përfshihen në strategjinë më të përdorur në kohët moderne - të LUFTËS psikologjike.

Sipas studiuesve, në këtë veprimtari shkatërruese, bashkë-punojnë specialistë dhe personalitete të fushave të ndryshme shkencore. Shprehje e këtij bashkëpunimi janë “punimet shkencore” mbi origjinën dhe historinë e Kombit arbër, si në rastin e Enciklopedisë Maqedonase (17 shtator 2009). Sipas akademikut B. Ristovski ajo paraqet fakte “shkencore” për shqiptarët e ardhur pas shk16 në Maqedoni. Se ata u nxitën nga Ali Pash Tepelena dhe “me ndihmën e bandave të kaçakëve terrorizuan popullsinë maqedonase duke i detyruar të shpërngulen, për rrjedhojë vatrat maqedonase dhe fshatrat e tyre u populluan me shqiptarë. (Gazeta “Koha”18.09.2009) Edhe në librat sërbe të historisë, hartuesit e tyre dëshmojnë se shqipëtarët kanë kryer “genocid” ndaj popullit serb, me qëllim që t'i largonin serbët nga Kosova. Ata përshkruhen si plaçkitës të kishave, ndërsa në të vetmin vend ku përmenden ilirët, ata quhen “grabitqarë” (« Shekulli » online 30.09.2010). Akademikët serb si historiani Gjuretiq, arrijnë kaq larg me fantashkencën e tyre historike, sa të pohojne se: “Mbi 80% të shqiptarëve të sotëm, nga burimet relevante historike, janë me origjinë serbe dhe janë po ata serbë të islamizuar pas Betejës së Kosovës(1389).(6)

Studiuesi Peter Prifti pohon se: “Grekët i shohin shqiptarët si vllehë, d.m.th. pa rrënjë, pa shtëpi, pa tokën e tyre, sikur ata nuk ekzistojnë si popull me kombësinë e vet...Thonë se shqiptarët nuk ekzistojnë fare.” (7)
Këto studime “shkencore” bëjnë pjesë në luftën psikologjike për të krijuar bindjen se shqipëtarët nuk janë autokton, karakterizohen historikisht nga një karakter kriminal dhe vihet në dyshim qënia e tyre historike, siç u shpreh edhe deputeti grek. (shiko “Racizmi historik, dëshmi e mëndësisë ideollogjike dhe politike e së kaluarës dhe nxitës konfliktesh në të ardhmen”).

I gjithë ky arsenal luftë-nxitës psikologjik, i drejtuar kundër shqiptarëve, nuk është dënuar asnjëherë nga organet kompetente të Shtetit dhe nuk është bërë i njohur Organizmave Ndërkombëtare prej tij, megjithëse përbën shkakun kryesor të urrejtjes ndëretnike në Ballkan. Albanologu i njohur kroat, Milan Shufllai që në vitin 1913 në librin e tij “Acta et Diplomata res Albaniae mediae actatis illustrantia” vëren se, të gjitha informacionet për këtë vend e për këtë komb (shqipëtarët-shën im), na i japin vetëm armiqtë e Shqipërisë (!) (8) Mënyra më e përhapur e agresionit psikologjik është trazimi i fakteve të vërteta me ato të sajuara, për arritjen e bindjeve negative për ngjarjet, heronjtë apo idealet që udhëhoqën periudha të ndryshme të Historisë sonë. (më hollësisht në “Riciklimin e tezave anti-shqipëtare të shk19 në masmedian shqip-shkruese”).

William Nichols (drejtor i “This week magazine”) pohonte se “Zëvëndesimi qoftë edhe i një fjale, mund të ndihmojë për të ndryshuar rrugën e Historisë.(9) Në këtë drejtim, kanë dhënë kontributin e tyre në median elektronike dhe shtypin e përditshëm, sidomos disa autorë minoritarë brënda vendit, por edhe autorë të huaj (studimi për Skëndërbeun sllav e Oliver Shmidit etj), që kanë ngjallur revoltën e studiuesve dhe të lexuesve shqipëtarë.

Përfaqësuesi i fesë ortodokse sërbe Amfilochio Radoviç ka thënë:

“Cila është mënyra më e mirë për ta larguar nga historia dhe për të goditur shpirtërisht një njeri apo një popull? Duke vrarë tek ay çdo kujtesë historike dhe të shkatërosh, dëshmitarët që i rikujtojnë këtë memorje”. Kjo strategji e luftës psikologjike e fqinjëve tanë mbi tekstet mësimore shqiptare të historisë, u vu në jetë që pas 90-ës, ku një nga rastet më tipike qe e ashtuquajtura nismë për rishikimin e teksteve të Historisë “në përputhje me standardet e konventave të Këshillit të Europës dhe UNESKO-s”, siç u pretendua nga ana e Greqisë, e ndjekur më vonë edhe nga shtetet e tjera.

Fillimisht, më 4 prill të vitit 1998 u nënshkrua Marrëveshja “Mbi bashkëpunimin kulturor midis qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë” ku u kërkua (ne pikën 1.3.5) të shqyrtohej mundësia e futjes së greqishtes si gjuhët fakultative në shkollat e mesme shqiptare, por jo të gjuhës shqipe në shkollat greke.

Në 3 prill 2003, u rifirmos në Athinë, protokolli “Mbi bashkëpunimin kulturor midis qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë”. Në kuader të kësaj marrëveshjeje, më 28 tetor 2004 , Ministrja greke e Arsimit Marjeta Janku, jep një intervistë për stacionin televiziv grek NET, ku pohon se : “do të hiqen nga librat e historisë, kryesisht të palës shqiptare, pasaktësitë dhe ngjarje të cilat helmojnë marrëdhëniet dypalëshe... ”. Kjo deklarate u bë vetëm pak ditë pas kthimit nga një vizitë e Ministres me presidentin grek Stefanopulos në Shqipëri, i cili nuk haroi të zinte në gojë Vorio Epirin gjatë një mitingu në Dropull të Gjirokastrës.

Me gjithë akuzën e Ministres Janku, për frymëzimin e nxënësve shqipëtarë me idenë “e Shqipërisë së Madhe”, siç dëshmojnë historianët shqipëtarë, janë tekstet e historisë së Shtetit helen, ku studiuesit grekë vazhdojnë të përfshijnë brenda kufirit të Greqisë, shumë vise që janë zyrtarisht në Shqipëri. Ky fakt vazhdon t’iu mësohet nxënësve grekë, (por edhe femijëve të emigrantëve shqipëtarë-shën im) sot e kësaj dite, dhe në tekstet e tyre përmëndet shpesh termi “Vorioepir”. (10) Rrjedhojë e këtij agresioni psikologjik në tekstet shkollore, është dobësimi i misionit të shkencës historike shqipëtare në edukimin kombëtar të brezit të ri, duke i lene pre të çdo sulmi anti-kombëtar mediatik dhe fallcifikimeve historike.

Luftë shkatrimtarëve !

Ky qe kushtrimi i shkrimtarit të shquar Viktor Hygo, për të ngritur popullin francez, në mbrojtje të monumenteve historike nga kriminaliteti. Në atë kohë, romancierit të shquar as do t’i shkonte ndërment se kjo veprimtari, mund të përdorej edhe si “armë” për qëllime gjeopolitike dhe mjet i rëndësishëm në programin e luftës psikologjike. Zhdukja e dëshmive mbi origjinën, autoktoninë dhe vlerat e larta të kulturës sonë historike, që ushqen krenarinë kombëtare, i hap rrugën çkombëtarizimit dhe krijon kushte për shpalosjen e tezave raciste si një popull pa histori, barbar dhe nomad. Në Kosovë, masakrimit prej ushtrisë së Milosheviçit, ju nënshtrua jo vetëm popullsia, por edhe çdo arkiv dhe objekt kulturor e historik i shqiptarëve. Ky krim i ushtrisë serbe në kohën e luftës, kish filluar me kohë në ish Jugosllavi, me anën e tjetërsimit të trashëgimisë materiale shqipëtare, me çertifikatat “historike” te akademikëve sërb. Studiuesi Jahja Draçolli dëshmon se “Gjatë viteve 1956, 1968, 1986 dhe 1993, del se, nga fondi i gjithëmbarshëm i monumenteve të kultit, afro 2/3 evidencohen në kuadër të monumenteve të kultit ortodoks serb, përkatësisht janë regjistruar 22 manastire dhe 110 kisha të ritit ortodoks serb, 25 xhami, 29 monumente të kultit të ritit bizantin, të cilat u përvetësuan nga serbët apo mbi rrënojat e tyre u ngritën kisha e manastire serbe, që nga shekulli XIII e deri në ditët e sotme. (11)

Rati më i freskët i shkatërimit të dëshmive historike të vazhdimësisë iliro-shqiptare në Shtetin tjetër fqinj, në Maqedoni ishte ay i Kalasë së Shkupit ku së fundmi janë zbuluar shumë objekte që dëshmojnë se kjo treve është banuar nga fise ilire. Arkeologët maqedonas, (rast i paparë për këtë shkencë) po gërmojnë me buldozerë dhe pa lejuar asnjë specialist të kombësisë shqipëtare. Në Shqipëri, kjo veprimtari është në aktivitet të plotë, dhe siç thotë populli ”një rrugë e dy punë”, ka përfitim si politik edhe financiar. Sipas dëshmisë së Pr. Gjergj Fishtes kemi “vjedhjet e ikonave dhe ikonostaseve nga kishat, po ashtu (janë zhdukur) objektet arkeologjike nga depot e muzeumeve, deri edhe Epitafin e Gllavinicës, nga ambientet e Muzeut Kombëtar. Vetëm monedha të statusit arkeologjik të nxjerra nga nëntoka e Shqipërisë identifikohen mbi dy milion copë... vandalizmi i pikturës murale në Kishën e Valshit në Shpat etj. Kësaj veprimtarije kriminale i shtohen nisma ku qeveria propagandon projekte për ndërtime të reja brenda hapësirës së Akropolit të Kalasë së Lezhës. Janë kryer një numër i restaurimeve të kishave shqiptare, duke i shkatëruar elementet autoktone dhe origjinale të tyre dhe duke lënë të paprekura vetëm elementet bizantine dhe greke. Me këtë i është shkaktuar një dëm i pallogaritshëm trashëgimisë kulturore të kombit shqiptar”. (12)

Deri këtu kanë arritur forcat e ushtrisë greke në vitin 1941, në luftën për çlirimin e Vorio-Epirit. Kështu ju përgjigjen pyetjes për kryqin lapidar, të ngritur matanë qafës së Kërrabës. Aty nuk kishte dhe nuk ka, as manastir, as kishë, as “ushtarë grekë të rënë në luftën kundër fashizmit”. Atëherë pse duhej të ngrihej ai kryq aty? Pra, kryqi atje, siç quhet në fjalorin ushtarak eshte nje “pikë ose kuotë e kapur në luftë”.(13)

Një tjetër kryq i përmasave të mëdha, në fshatin e Boboshticës (Korçë) betoni i të cilit u trazua me kockat e banorëve vëndës, u ngrit vetëm për një ushtar të gjendur në mal nga fshatarët dhe i varosur prej tyre. Ngritja e kryqeve në të gjithë Jugun dhe të varrezave “të dëshmorëve grek” është një mjet tjetër i luftës psikollogjike kundër shqipëtarëve dhe një “mesazh” për të ardhmen që synohet. Tani çdo udhëtar apo banor i zonave ku ngrihen këto përmendore, do të përkujtojë jo luftën e italianëve me grekët, por krimet që bëri ushtria greke në gjithë jugun e Shqipërisë si ay në Panarit të Kolonjës ku u masakruan 400 fëmijë gra dhe pleq nga andrantët grek (14) duke ja kaluar edhe mizorive të serbëve të fillim shk20 “të cilët rrënuan kulm e themel, dhjetra e dhjetra fshatra të Gollobordës”. Mit’hat Frashëri shprehet se “rrënimet e turqve e të serbëve do të na duken lojra, krahasuar me ato të grekëve, të cilët asgjesuan më shumë se 300 fshatra të lulëzuara ne Jug” (15)

Sipas psikologëve, krijimi i kushteve që e risjellin në memorjen kolektive krimet e së kaluarës, shkaktojnë ripërjetimin e tyre, pra një traum të re psiqike për popullsinë. Për këtë synim psikologjik , dëshmon këmbëngulja për kërkim të eshtrave të “dëshmorëve të atdheut ” në 696 pika në territorin shqipëtar nga ana e shtetit grek. Kjo kërkesë (urdhëresë) diktohet edhe kur banorët të indinjuar pohojnë se: “Ne e dimë historinë që mbart fshati dhe gjithë zona. Unë vetë jam i moshuar, dhe di që në asnjë oborr apo rrugë të këtij fshati nuk ka varre të tilla. (Sitki Qyldedi nga fshati Hormovë) (16)

Në vend të ngritjes së memorialeve të viktimave civile shqipëtare të masakrave të fqinjëve tanë, Shteti shqiptar merr persipër të ngrejë edhe varreza të tjera (10 mijë m²) në tokën tonë, të paguaj shpronësimet dhe t’i përkujtojë çdo vit.(17) Si kundër-përgjigje të këtij nënshtrimi anti-kombëtar të Shtetit shqipëtar, Greqija as që ka ndërmënd të lejojë ndonjë përkujtimore të genocidit të saj mbi popullsinë civile të Çamërise, dhe Sërbia, me dhunë ushtarake shkatëron Lapidarin e ushtarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës, të dëshmorëve të rënë në luftë kundër skllaverisë së një shteti racist.

Operacionet psikologjike ju interesojnë forcave të armatosura në kohë lufte, konfliktesh dhe të paqes Kështu pohon Marco Cannavicci (psikiater, kriminalog, Drejtor i sektorit të Psikologjisë ushtarake Difesan, Romë) duke sqaruar, se “për konflikt nënkuptojmë një rrezik ndaj sigurimit shtetëror, jo gjithmonë ushtarak, por që përfshin fushën politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore”.(18) Me qënëse “agresioni psikologjik”, që sipas specialistëve është një mjet lufte në kohë të paqes, ai nuk zihet kurrë në gojë nga politikanët tanë dhe sidomos ata europianë. Kjo veprimtari e hapur anti-kombëtare ndaj shqiptarëve, fshihet nën gunën folklorike të “nacionalizmave ballkanike”, që fut në një thes, si xhelatin edhe viktimën, dhe lejon vijimin e saj në emër të luftimit të “ekstremizmit nacional”.




Bibliografia:

1- Xenofobia , Wikipedia, l'enciclopedia libera
2- Marco Costa - 2006 – History Le operazioni psicologiche (Psicologia militare. Elementi di psicologia per gli appartenenti ... - Page 378 - Résultats Google Recherche de Livres books.google.fr/books?isbn=8846479661
3- Phil Taylor. Glossary of Relevant Terms & Acronyms PROPAGANDA AND PSYCHOLOGICAL WARFARE STUDIES University of Leeds UK. University of Leeds UK, 1987. URL - Wikipedia “Lufta psikologjike”
4- minoritarët ekstremistë grek me aktivitetet e tyre ... - Tribuna Shqiptare tribunashqiptare.net/?p=4968
5- Cinzia Sintini psicologa-psicoterapeuta (Senza sporcarsi le mani - Linea Rosa Ravenna - 0544. 216. 316 www.linearosa.it/sezioni/.../senza_sporcarsi.htm)
6- “Kosova Sot” Serbët në Shqipëri dhe "Serbia deri në Tokio" 31 Janar 2013, Fahri Xharra
7- Prof. Peter Prifti “Greqia, 695 fshatra shqiptare”09/02/2013 -Revista Drini online
8- “Arkivat botërore për problemin shqiptar” (Albanofobia në shekuj) Përmblodhi Agim Doçi
9- Quando la guerra si fa con le parole - AgoraVox Italia www.agoravox.it › Tribuna Libera
10- Shekulli 30/10/2004 marrë në Forumin Shpirti i shqipëtarit «Alba Soul»
11- Jahja Drançolli: Monumentet e Kultit Katolik Gjatë Mesjetës në Kosovë www.revistadrini.com/.../jahja-drancolli-monume..
12- Dëmi i pariparueshëm mbi trashëgiminë kulturore* | Shekulli Online www.shekulli.com.al/web/p.php?id=16911...
13- G.SH/BalkanWeb 28 Nëntor 2010 Pano Hallko “Kryqi si veprim hipotekimi”
14- “Si u masakruan 400 fëmijë gra e pleq në Panarit nga grekë”17/06/2011 Julian Xhelili "Telegraf"
15- f.59 Mit’hat Frasheri “Shqiptaret”, Zenit Edition 2005
16- « Gazeta shqiptare »“Nuk ka varreza greke, mos hapni konflikte me banorët” 13/02/2013
17-“Varrezat e ushtarëve grekë, Mbrojtja do paguajë truallin” Gusht 19th, 2011"Panorama"
18- (f 383) Psicologia militare. Elementi di psicologia per gli appartenenti...-Page 378-Résultats Google Recherche de Livres books.google.fr/books?isbn=8846479661Marco Costa - 2006- History)

Akademik Prof.dr.PhD. Rexhep Qosja mbi çthurjet ideologjike në shoqërinë shqiptare dhe eksperimentin proserb të ashtuquajtur “kombi kosovar”.

AKADEMIK REXHEP QOSJA Ideologjia e shpërbërjes – trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Argumente të shpikura për “k...