Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/02/02

Intervista/ Angela Martini: “Për Playboy do të pozoj pas moshës 35 vjeçare


E filloi modelimin në moshën 18 vjeçare, ndërsa linja e saj e rrobave të banjës u bë e njohur në gjithë botën. Në vitin 2010 bukuroshja shqiptare e rritur në Zvicër, Angela Martini, përfaqësoi Shqipërinë në “Miss Univerese”, ku zuri vendin e gjashtë.
Angazhimet e saj të njëpasnjëshme, por edhe jeta private e bën që jo rrallë, të jetë në faqet e gazeta të njohura në botë. “Dy vitet e fundit kisha rënie në karrierë. Nuk munda të fokusohem shumë në punën time. Arrita aq lart, sa që as vetë nuk e dija se ku kisha arritur”, ka thënë Angjela Martini në një intervistë për gazetën “Blick”.
Bukuroshja shkodrane ka theksuar se e njeh shumë mirë botën e modelimit dhe tashmë nuk është e re në këtë biznes. “Unë nuk jam e re në këtë biznes. Me mua nuk mundeni të luani. Unë bëj me shumë qejf fotografi seksi, por i kam të vendosur qartë kufijtë e mi”, është shprehur Martini, e cila viteve të fundit është shpërngulur për të jetuar në New York.
Në pyetjen nëse ajo ka marrë ndonjë ofertë për t’u fotografuar nga revista e njohur “Playboy”, Angela përgjigjet: “Një ofertë? (qesh). Ata më thërrasin çdo tre muaj, por unë nuk dua ta tregoj trupin tim lakuriq. Ndoshta pas moshës 35-vjeçare, nëse atëherë ka dëshirë të më shohë ndokush”.
Më tej Angela ka folur edhe për “incidentin” e ndodhur në vitin 2011, kur gjatë një parakalimi në tapetin e kuq ajo u shfaq me një fustan të gjatë, por pa të brendshme: “O Zot, ishte e turpshme”, thekson ajo dhe ka shtuar: “Nuk e kam bërë me qëllim. Por besoj se kjo më ka bërë më të fortë. Jo gjithmonë gjërat në jetë shkojnë sipas planifikimit”, sqaron Angjela, e cila thotë se në këtë jetë duhet shfrytëzuar secili. “Nëse ty nuk dëshiron askush të të shfrytëzojë, ti nuk je askushi. Më fjalë të tjera, për aq kohë sa jam e shfrytëzueshme, unë nuk jam e padobishme. Këtë nuk duhet ta merrni personale…”,- pohon ajo.
Angela në intervistën për Blick ka treguar se nuk ka një punë të rregullt dhe puna e modelimit nganjëherë i sjell përfitime të majme, por nganjëherë nuk fiton asgjë.
Ndërkaq lidhjen me milionerin turk, Ali Baran, ajo nuk e ka mohuar, por thotë se në një lidhje nuk fal tradhtinë dhe gënjeshtrën.
E për të ardhmen e saj, Angjela ka thënë: “Nuk e shoh veten si modele, por si një stiliste e një linje veshjesh “Angela Martini”. Në Facebook kam 750 mijë fansa dhe dëshiroj të përfitoj nga ta. Në mars do të filloj online të bëj prezantimin e linjave të mia të bikini “Angela Martini”. Do të jetë një fillim i ri.”

Pse Rama beson tek shteti i frikës?

Nga Andi Bushati

Kryeministri Rama ka bërë një lapsus të pandërgjegjshëm, duke shprehur më mirë se çdo herë tjetër idenë se si mendon ta ristrukturojë shtetin. Duke folur me rastin e përurimit të një platform online që u mundëson qytetarëve të denoncojnë korrupsionin, si për të treguar se reformat e tij po funksionojnë, Rama ka lëshuar togfjalëshin: “frika po e ruan vreshtin” 
Në pamje të parë duket sikur një mendësi e tillë nuk përbën ndonjë faj. Në bisedat tona të përditshme kjo është një shprehje që përdoret me një lloj shpotie dhe cinizmi të njejtë me atë të fshatarëve që i mbushin fushat me dordolecë në mënyrë që të ruajnë të mbjellat nga shpendët që i shfarosin ato.
Por në rastin e kryeministrit një mendësi e tillë është shumë më e komplikuar sesa kaq, sepse duket sikur ajo shpreh një mentalitet qeverisjeje. Me të njejtin togfjalësh mund të shpjegoheshin gjithashtu, fushatat e policisë rrugore për të mbytur qytetarët me gjoba.
Në të njëtën mënyrë mund të shpjegoheshin rastet e fukarejve që mbushin burgjet për mospagim energjie, raste të cilat shkuan deri në ekstreme të tilla sa edhe një nënë të përfundonte në qeli së bashku me fëmijën e saj.
Në të njejtën mënyrë mund të shpjegoheshin ndërhyrjet brutale të INUK, madje shpesh herë edhe pa pritur afatet ligjore.
Për të gjitha këto aksione kritikat kanë qenë të mëdha. Policia rrugore i nisi masat për vjeljen e gjobave pa pasur më parë një sistem për mbledhjen  e tyre. Shumë qytetarë mbetën dyerve të postave dhe sporteleve të policisë (të denja për t’u zbuluar nga arkeologët), sepse paratë e tyre nuk mbërrinin në destinacion. Po kështu sorollaten në radhë të gjata edhe ata që duhet të paguajnë faturat e energjisë, dhe u duhet të humbin me orë të tëra punë për ta bërë këtë. Po kështu ka humbur legjitimitetin edhe aksioni për pastrimin e territorit, për sa kohë ai është selektiv dhe nuk guxon të cënojë njerëzit e afërt të kryeministrit.
Është përmendja e këtyre elementëve arsyeja më e qartë se pse Rama beson më shumë tek shteti i frikës. Pasi ai ka dështuar deri tani të bëjë reformim të thellë dhe të vërtetë. Ndaj përpara se të sillet si shtetar ai po mëkon shembullin e sjellurit si dordoleci që ruan arat.
Por edhe kjo metodë e frikës nuk e ka jetën të gjatë. Me shumë pompë dhe bujë atë e provoi edhe Sali Berisha. Të gjithë i mbajnë mend pamjet e show-ut televiziv, ku vetë ish kryeministri u përgjigjej me telefon në dorë, qytetarëve që denonconin korrupsionin. Nuk kaloi shumë kohë nga kjo shfaqe dhe u pa se njerëzit e tij të afërt ishin të implikuar në Gërdec, se oligarkët pranë tij u përfshinë në privatizime skandaloze, se për hidrocentralet me koncesion, kërkoheshin shuma marramendëse parash.
Korrupsioni nuk mposhtet as me demagogji dhe as me shfaqje. Për ta luftuar atë ka dy rrugë. Ose me reforma radikale, gjë që në një kontekst si ky i Shqipërisë do duhet shumë kohë për të parë rezultatet, ose me virtytshmëri vetiake. Kjo rrugë e dytë kur i pari i pramidës, mjedisi përreth dhe aleatët e tij, japin sistematikisht shembuj pastërtie është me gjasë, ilaçi më i mirë dhe më efikas në kontekstin shqiptar.
Por me sa duket, i pafuqishëm për t’i hyrë secilës prej këtyre dy rugëve, Edi Rama ka zgjedhur ta ruajë vreshtin përmes frikës. Dhe këtu e ka të kotë. Kjo është një masë, sa afatshkurtër, po aq dhe jo rezultative. Përpara se të jetë një nisëm kundër korrupsionit, ajo i ngjan britmës së atij njeriut që klith në errësirë më shumë për t’i dhënë kurajo vetes, sesa për të trembur të tjerët.  

BOTOHET LIBRI ME SHKRIME TË NËNËS TEREZË-“Në zemër të botës”


Para pak ditësh, doli nga shtypi libri “Në zemër të botës” , me autore Nënë Terezën.

Ky libër është i përbërë me shkrime të nobelistes shqiptare, të cilat janë shkruar dhe botuar nëpër gazeta dhe revista të ndryshme, ndërsa pas vdekjes së saj, këto shkrime janë mbledhur dhe janë botuar në libra të ndryshëm, njëri prej të cilëve është ky që sapo është botuar edhe në gjuhën shqipe.

“Në zemër të botës” është një portret i fuqishëm i njërës prej femrave më të dashura të të gjitha kohëve, i rrëfyer me fjalët e saj nëpërmjet një përzierjeje magjepsëse të përvojave ditore të jetës, lutjeve dhe mençurisë shpirtërore. Ndiqeni Nënë Terezën nëpër rrugët e Kalkutës, Romës dhe Nju Jorkut dhe dëgjojeni atë duke ofruar margaritarë të së vërtetës shpirtërore, aq të përshtatshme sot po aq sa në ditët kur filloi punën e saj para shtatëdhjetë vjetësh.
Me humor, dhembshuri dhe qartësi lirike, Nënë Tereza ndriçon të shenjtën në punët e brendshme të përditshme të jetës. “Në zemër të botës” bart dëshmi të padiskutueshme ndaj influencës së një shpirti tërësisht të përkushtuar – me një zemër të dashurisë – ndaj një jete të të shërbyerit.
Nëpërmjet këtij libri, Nënë Tereza do të ju frymëzojë t’i pushtoni të tjerët me dashuri dhe dhembshuri dhe të punoni së bashku për paqen botërore.
Botimi i librit është mbështetur financiarisht nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës. Librin e botoi “Deon-AB”, kurse është përkthyer prej anglishtes nga Alfred Beka
NËNË TEREZA u bë e njohur në botë për punën e saj vetëmohuese me “më të varfrit e të varfërve” në Kalkutë të Indisë. E lindur në vitin 1910 në Shkup, tani kryeqytet i Maqedonisë, Nënë Tereza e filloi periudhën e rishtares në Indi në vitin 1928. Që nga krijimi në vitin 1950, urdhri i saj, Misionaret e Bamirësisë, ka hapur më shumë se 500 qendra nëpër botë për t’iu ndihmuar atyre që janë duke vdekur dhe varfanjakëve. Nënë Tereza ka qenë pranuese e shumë shpërblimeve humanitare më prestigjioze në botë, përfshirë Medaljen e Lirisë të Shteteve të Bashkuara, çmimin Albert Schweitzer të Kombeve të Bashkuara dhe çmimin Nobel për Paqe. Ajo vdiq në vitin 1997

HASHIM THAÇI NË PENTAGON,MERR MBËSHTETJE PËR TRANSFORMIMIN E FSK-SË


Në takimin me nënsekretaren Farkas është vlerësuar se ky vit do të jetë vendimtar për përfundimin e transformimit të Forcave të Sigurisë në Forcat e Armatosura të Kosovës.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi së bashku me ministrin e Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, në kuadër të vizitës zyrtare në SHBA janë takuar sot në Pentagon me nënsekretaren për Mbrojtje, Evelyn Farkas.

Në takimin me nënsekretaren Farkas është vlerësuar se ky vit do të jetë vendimtar për përfundimin e transformimit të Forcave të Sigurisë në Forcat e Armatosura të Kosovës.

Me këtë rast zëvendëskryeministri Thaçi ka theksuar se i tërë procesi i rishikimit të sektorit të sigurisë sikur dhe transformimi i FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës është bërë me përkrahjen dhe pajtim të NATO-s dhe SHBA-së. Për përfundimin e këtij procesi zëvendëskryeministri Thaçi ka marr mbështetjen e shtetit amerikan.

Nga ana tjetër, nënsekretaren për Mbrojtje, Evelyn Farkas ka theksuar se Republika e Kosovës do ta ketë mbështetjen e plotë të SHBA-ve në prioritet në fushën e sigurisë. “Ky proces gëzon mbështetjen e plotë të SHBA-së”, është shprehur Farkas.

Ndërsa është theksuar se hapat e deritashëm të procesit të transformimit të FSK në Forcën e Armatosur të Kosovës, e bëjnë më të sigurt rrugën e saj drejt anëtarësimit në programin e Partneritetit për Paqe si dhe në NATO.

Pas takimeve në Pengtagon, zëvendëskryeministri Thaçi ka zhvilluar takime të veçanta edhe me senatorin Chris Murphy dhe kongresmenin George Holding. Gjatë qëndrimit në SHBA, zëvendëskryeministri Thaçi do të marrë pjesë edhe në Lutjet e Mëngjesit me presidentin Barack Obama me ç’rast do të zhvilloj takime me zyrtarët më të lartë të shtetit amerikan.

Zëvendëskryeministri Thaçi do të takohet me ndihmës sekretaren amerikane të shtetit për çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, ku do të diskutohet për thellimin e marrëdhënieve bilaterale dhe për bashkëpunimin në integrimet Euro-Atlantike të Kosovës si dhe luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit.

Gjatë qëndrimit në Uashington, zëvendëskryeministri Thaçi do të ketë takim edhe me ish-sekretaren e shtetit, Madeleine Albright, si dhe me ekspertët e politikës së jashtme, Morten Abramovitz dhe Jimmy Hooper. Para se të udhëtoj për në Nju Jork, ku do të marrë pjesë në seancën e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së zëvendëskryeministri Thaçi do të mbajë një ligjëratë edhe në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare “John Hopkins”.

250 SHTETAS KOSOVARË JANË NDALUAR NGA AUTORITETET HUNGAREZE


Rreth 250 persona të cilët kanë hyrë ilegalisht në kufirin Hungari-Serbi, janë ndaluar në stacionin hekurudhor të qytetit Gyor, 115 km larg Budapestit në kufi me Austrinë.

Ata po tentonin të shkonin në mënyrë ilegale në Gjermani. Burime të RTK-së thonë se pas ndalesës nga autoritet policore hungareze shtetasit kosovarë kanë refuzuar të kthehen në qendrat e azilkërkuesve duke kërcënuar me grevë urie.

Pse shqiptarët e Luginës së Preshevës të mos i gëzojnë të njëjtat të drejta si serbët në Kosovë?


Letër publike protestuese Bashkësisë Ndërkombëtare dhe Qeverisë së Serbisë për punë me dy standarde!

Nuk mund të ketë paqe mbi bazën e diskriminimit dhe të privilegjeve

Shkruan: HALIM HYSENI& ISMAIL MUHARREMI

Nga kjo, rrjedhimisht del përfundimi se këtë që e fitojnë serbët në Kosovë duhet ta gëzojnë edhe shqiptarët në Luginën e Preshevës. Të gjitha zgjidhjet tjera nuk do të jenë të qëndrueshme, sepse faktori shqiptar më nuk është ai që ka qenë gjatë marrëveshjeve të arritura në të kaluarën. Derisa Vuçiqi vjen në Kosovë duke e mbrojtur dhe ruajtur Policia e Kosovës dhe gënjen se Kosova është “djep i Serbisë”, duke harruar se tërë territori i Serbisë së tashme dhe i Bosnjës (Mbretëria e Batonit) ka qenë dhe do të mbetet tokë e shenjtë iliro – shqiptare, në Medvegjë hordhitë e Partisë Përparimtare Serbe, partisë së Vuçiqit, sulmojnë dhe kërcënojnë fizikisht zëvendëskryetarin Florim Sahitin, vetëm e vetëm pse është shqiptar. Askush, as në Kosovë, e as në Serbi nuk bëri as “gëk” e as “mëk”, për këtë veprim makabër. Sikur kjo t’i kishte ndodhur një kryetari serb, Vuçiqi dhe Çurkini do ta tronditnin Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Sigurisht ky rast do të përfshihej edhe në raportin e Ban Kin Munit. Për çudi, për këtë rast asnjë fjalë nuk e shkruan as gazetat dhe burimet e tjera të informacionit në Kosovë, sepse për to, ky nuk është lajm që rrit tirazhin e shitjes, sepse të rrihet një shqiptar nga serbët nuk është lajm, po të rrihet një serb nga shqiptarët është lajm (lexo analogjinë kibernetike: qeni e ka kafshuar njeriun nuk është lajm; lajm është njeriu e ka kafshuar qenin). Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar kryetari i Kryesisë klubit të vendlindjes “Trojet”, Ismail Muharremi, por reagimin nuk e kanë botuar ato media në të cilat reagimi është adresuar.
Zoti Jablanoviq, ndihmo të gjenden varret e 34 të rinjve shqiptarë, të ekzekutuar nga UNÇ-ja!
Ministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Jablanoviq, i cili nuk e njeh Republikën e Kosovës (siç!?) në “kërkim falje” nënave gjakovare deklaroi se nuk ka ditur për masakrat, të cilat i ka bërë ushtria , policia dhe paramilitarët serbë, sepse ka qenë i ri, demek adoleshent. Meqë Jablanoviq nuk e paska ditur së çfarë ka ndodhur në Kosovë, me popullin shqiptar, gjatë luftës së vitit 1998-99 duam ta njoftojmë për veprimet e policisë, ushtrisë dhe të paramilitarëve serbë mbi popullatën shqiptare të Medvegjës vetëm gjatë dy luftërave. Para kësaj, do e lusim të interesohet për shkakun pse u sulmua dhe u kërcënua fizikisht zëvendëskryetari i komunës së Medvegjës, Florim Sahitaj, nga anëtarësia e Partisë Përparimtare (siç!) Serbe. Jablanoviq do t’u jemi shumë mirënjohës, nëse na ndihmoni të gjejmë eshtrat e qytetarëve të komunës së Medvegjës, të fshatrave Svircë dhe Gërbac të cilët, shtabi ushtarak i UNÇ-së (Ushtrisë Nacionale Çlirimtare ) në nëntor të vitit 1944, në shtëpitë e tyre i arrestuan dhe i ekzekutuan mbi 30 veta, të gjithë djem të ri. Këta të rinj të lidhur me pranga dhe në përcjellje me rrahje u vendosën në qendrat e “hetuesisë” në odën e Baftijajve dhe Shaqirajve në Svircë dhe të Avdijajve në Gërbac . Arsyeja e arrestimeve dhe ekzekutimeve thuhej se ishte pjesëmarrja e tyre në shpartallimin e brigadave partizane që synonin të depërtonin në drejtim të Kosovës dhe për plaçkitjen e spitalit partizan në Svircë. Pas maltretimeve disaditëshe, të gjithë të arrestuarit, të lidhur dy nga dy me pranga, ishin drejtuar në drejtim të Banjës së Sijarinës dhe të Lebanës nga rrethina e të cilës në dhjetor dhe janar të vitit 1878&79 ishin vrarë, masakruar dhe dëbuar nga trojet autoktone të gjithë shqiptarët familjet e të cilave edhe sot në Kosovë mbajnë mbiemrat: Bojniku, Konjuhi, Shillova, Rukoci, Byqmeti, Gajtani, Krivaça, Rafuna, Stublla, Radevci, Retkoceri, Maqedonci, etj. Që nga ajo kohë ishin të zhdukur dhe dëbuar rreth 150.000 shqiptarë pa gjurmë, si edhe sot që janë rreth 1,400 persona të zhdukur dhe pagjetur dhe pa gjurmë, nënat e të cilave ti i quajte “egërsira”, pse protestuan, sepse mendonin se në mesin e tyre ishin edhe ata që kanë vrarë, masakruar dhe që janë shkaktarë që ato edhe sot e kësaj dite nuk kanë asnjë gjurmë për fëmijët e tyre.
Jablanoviq, ke pak empati. Nëse nuk e di kuptimin fjalës empati, po ta shpjegojmë. Empati do të thotë të biesh në pozitën e tyre
Por, z, Jablanoviq, t’i kthehemi temës, të arrestuarit, gjurmët e të cilëve nuk dihen edhe sot, e të cilat pasardhësit e tyre i kërkojnë janë: 1. Ajet Veseli, 2. Rexhep Veseli, Hafiz Vrapca, 4. Avdil Vrapca, 5. Halim Duli, 6. Halit Duli, 7. Hamit Qerkini,8. Sylë Xheladini. 9. Arif Emini.10. Fazli Emini, 11. Ahmet Bajrami, 12. Dul Abazi, 13. Arif Abazi, 14. Hajdin Abazi, 15.Behram Zejnullahu, 16. Jashar Zejnullahu, 17. Jahir Gërba, 18. Shaban Salihu, 19. Ajet Jashari. 20. Avdil Veseli, 21. Tahir Zymberi, 22. Rexhë Salihu dhe 23.Asllan Gisha, të gjithë nga fshati Svircë. Të arrestuarit dhe të zhdukurit nga Gërbaci ishin: Salih Dul Haziri, Ali Dul Haziri, Hafiz Ali Kurti, Sherif Zejnulla Murati, Asllan Ibish Hajdari, Alil Ajeti Arifi, Shaban Behë Hajvazi, Hazir Shaban Hajdari, Rexhep Ibrahimi dhe Fetah Ibrahimi.
Z. Ministër i Republikës së Kosovës që i mbron interesat e Republikës së Serbisë çfarë mendon lidhur me këto ekzekutime të bëra pa gjyq, djem të rinj të masakruar dhe të zhdukur. Lidhur me këto ekzekutime eprorët partizanë të rangut lartë dhe disa historianë kishin deklaruar se:”... për dështimin e tentim depërtimit të brigadës partizane në drejtim të Kosovës dhe shkatërrimin e spitalit asnjëherë nuk janë kërkuar fajtorët. Si kompensim të këtij “dështimi” janë masakruar të rinjtë shqiptarë vetëm pse ishin shqiptarë. Njëri nga komandantët e shtabit ndëshkimor në një ndejë, gjysmë i dehur, me ndërgjegje të vrarë kishte deklaruar: “Me urdhrin nga lartë i pushkatuam njerëzit e pafajshëm“. Ai kishte deklaruar se vrasja e tyre ishte bërë në vendin e quajtur “Beli Kamen” ( shqip:Guri i Bardhë”) që ndodhet ndërmjet Lebanës dhe Bojnikut.
Familje e këtyre të vrarëve të pa faj do t’u jenë shumë mirënjohës nëse ndihmoni që pas 70 vitesh të gjejnë eshtrat e të afërmeve të tyre dhe t’i varrosin me dinjitet.
Z. Jablanoviq, na trego pse u vra dhe u dogj familja e heroit Zenel Hajdini!?
Zoti ministër, ju keni thënë se nuk dini së çfarë ka ndodhur. Po Ju informojmë se vetëm nga komuna e Medvegjës nga shtypja politike, presioni, diskriminimi mbi baza etnike janë dëbuar afër 10.000 shqiptarë, pjesa dërmuese e të cilëve janë vendosur në Fushë-Kosovë, Matiçan, Hajvali, Prishtinë etj. Në Fushë- Kosovë, ku edhe u ndez fitili i luftës më gjakësore dhe brutale në fund të shekullit XX shqiptarët e Medvegjës së bashku me shqiptarët vendor përsëri pësuan sepse nga një thertore erdhën një thertore edhe më të tmerrshme. Edhe këtu ushtria , policia, paramilitarët e shtetit, nderin e të cilit jeni duke e mbrojtur, masakruan, fëmijë, gra, pleq, plaka, të rinj dhe të reja të cilit shteti i Serbisë i kishte ndjekur nga Medvegja. Meqenëse ke deklaruar se nuk dinë për masakrat e bëra nga Republika e Serbisë, të lusim lexoj emrat dhe mbiemrat e të vrarëve vetëm të shqiptarëve nga Medvegja, në mesin e të cilëve është edhe vëllai dhe nipi i Zenel Hajdinit, heroit të LNÇJ, i cili është vrarë në Gazdar afër Medvegjes: 1. Ajet Muharrem nga Tupalla, u vra dhe u dogj në shtëpinë tij më 26.03.1999; 2.Hajvaz Hajdini ( vëllai i heroit Zenel Hajdini) i paralizuar 7 vjet u dogj në shtëpi të vet, më 27. 03.1999 nga Tupalla; 3. Gjyle Hajdini , u vra në prag të shtëpisë më 25.03.1999; 4. Hashim Hajdini u vra në shtëpinë e vetë me më 26.03.1999; 5. Veli Hyseni nga Tupalla u vra me 27.03.1999; 7. Nazmije Muharrem Hyseni nga Tupalla u vra dhe u dogj në shtëpinë e vet në mars 1999; 8.Bahtie Fazliu Luta nga Tupalla u vra në mars 1999; 9. Emin Kadolli, nga Gërbaci u vra në mars 1999; 10. Gjyle Kadolli nga Gërbaci u plagos në mars 1999; 11. Sylë Haziri, nga Gërbaci mars 1999; 12. Miftar Ibrahimi, nga Gërbaci u vra dhe u dogj në mars 1999; 13. Nazmie Syla, nga Gërbaci u vra në mars 1999; 14. Zymber Syla u vra në mars 1999; 15. Naim Syla , Gërbac, u vra në mars 1999; 16. Valbona Syla , Gërbac 1999; 17. Halil Azemi, Gërbac , mars ‘99; 18. Sokol Fazliu, Gërbac 1999; 18. Qamil Syla , Gëbrac mars ‘99; 19. Jakup Arifi , Gërbac , mars ‘99; 20.Ahmet Abazi , nga Svirca , u gjet pa kokë në Miradi; 21. Beqir Uka , Svircë u vra dhe u masakrua; 22. Mihane Uka nga Svirca u vra; 23. Rrahman Xheladini, Svircë u vra; 24. Hamide Xheladini, Svircë u vra; 25. Ramiz Veseli, Svircë , u vra; 26. Fatmir Shaqiri nga Svirca u vra; 27.Hetem Rama, Svircë, u gjet pa kokë; 28.Selvije Mehmeti, nga Svirca u vra në Matiçan; 29. Zenel Halimi nga Svirca u vra në Fushë Kosovë; 30. Arif Syla, nga Ramabaja, u mor natën, u gjet pas 4 vjetësh i masakruar; 31. Aziz Jashari nga Dediqi, u vra në Prishtinë.
As sot, pas 15 viteve, familjarët e tyre nuk dinë gjë pse Hasan Muharremi i lindur në Tupallë me vendbanim ne Fushë Kosovës u mbytë “aksidentalisht” në punktin policor në Bujanoc. Murat Kurti, i lindur në Gërbac me banim në Hajvali, u zhduk në kufi me Malin e Zi. Familjaret e Fehmi Hysenit, nga Gërbaci, i cili u zhduk, ndoshta më mirë të thuhet u kidnapua nga forcat e Serbisë të cilat ti i mbron si ministër i Republikës së Kosovës, as sot pas mbi 15 vite nuk dinë gjë për anëtarin e humbur.
Pse u dëbuan rreth 10,000 shqiptarë nga Medvegja, për të cilët askush nuk flet?
Z. Jablanoviq, ne autorët e këtij shkrimi informues, jemi duke bërë gabim që trajtojmë fatin dhe pësimet makabre të bëra nga shteti, interesat e të cilit ti i mbron, sepse pjesa tjetër e popullit shqiptar në Kosovë ka pësuar shumë më keq dhe shumë më shume se sa rastet të cilat ne i trajtuam e që lidhen me Medvegjën, ku sot jetojnë me pak se 500 veta në frikë dhe panik, ndërsa të tjerët të dëbuar nga Medvegja, nuk e gëzojnë as drejtën të kthehen në tokën e tyre mijëvjeçare me arsyetim se janë shpërngulur nga Medvegja para vitit 2.000.
Me këtë letër të hapur i drejtohemi edhe e Bashkësisë ndërkombëtare që të mos veprojë me dy kute, sepse parimi i veprimit me dy standarde të ndryshme në hapësirën e përbashkët evropiane nuk do të sigurojë paqe. Ju duhet ta dini se shqiptarët nuk do të pranojnë më vendimet me të cilat ata përçmohen, gjunjëzohen dhe bëhen qytetarë të rendit të dytë në tokat e tyre mijëvjeçare. Vrasësit e luftës se fundit të shqiptarëve të Medvegjës dhe të atyre që sot e 15 vjet janë të zhdukur shëtisin të lirë në Kosove dhe në Serbi. Ata janë të pandëshkuar. Emrat dhe mbiemrat e tyre janë të njohur për pushtetin e tashëm serbë. Ata të cilët i kanë djegur mbi 100.000 shtëpi të shqiptarëve, që kanë djegur mbi 300 shkolla dhe institucione arsimore, 250 xhami, 5 kisha katolike, kanë vrarë mbi 13.000 shqiptarë, në mesin e të cilëve janë edhe mbi 1300 fëmijë, që kanë dhunuar mbi 20 000 vajza dhe gra shqiptare, që shëtisin të lirë dhe të pa ndëshkuar do të ndjehen shumë krenarë kur të dëgjojnë se do të formohet në Kosovë një gjykatë speciale, e jo edhe për Serbinë.
Pse vetëm për serbët formohet Asociacioni i Komunave serbe e kjo të mos formohet edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës! Pse shqiptarët në Serbi, të ndjekur, të persekutuar, të diskriminuar të mos i gëzojnë të njëjtat të drejta të cilat i kanë dhe gëzojnë edhe serbët në Kosovë.
Pa drejtësi dhe barazi etnike çfarëdo nënshkrimi vlerën e ka nul/zero!
Ne ju bëjmë me dije se nënshkrimet kapitulluese të njerëzve që nuk mbrojnë të drejtat dhe barazitë e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht nga prejardhja etnike, racore,fetare, gjuhësore, gjinore praktikisht do kenë vlerë nul(zero). Këto nënshkrime nuk do të kenë vlerë praktike, nëse ajo që u jepet serbëve nuk e gëzojnë edhe shqiptarët e luginës së Preshevës. Përpjekja për të siguruar paqe pozitive mbi bazën e diskriminimit dhe të privilegjeve do të jetë ogur i zi për paqen në hapësirën evropiane. Këtë e kanë vërtetuar të gjitha luftërat e përgjakshme të ndodhura gjatë shekullit XX, në të cilat kanë pësuar me qindra miliona njerëz të pafajshëm.
Ne nuk jemi nacionalistë dhe nuk kërkojmë hakmarrje, por drejtësi!
Nga përmbajtja e kësaj letre, ata që nuk çmojnë vlerat njerëzore mund të na etiketojnë ashtu siç fare nuk jemi. Në fund të na fusin në kategorinë e nacionalistëve dhe të pseudopatriotëve. Ne fare nuk kemi urrejtje ndaj popullit serb e as ndaj asnjë kombi dhe etnie në botë, bile – bile shprehim publikisht revoltën tonë për pozitën diskriminuese të ashkalive, egjiptianëve, të romëve në Kosovë. Ne nuk kërkojmë hakmarrje, ne angazhohemi vetëm e vetëm për drejtësi. Motoja me të cilin jemi udhëhequr në këtë letër publike është strofa e një humanisti, shkrimtari dhe intelektuali shqiptar, Xhevdet Bajrajt, ligjërues për Letërsi Ballkanike në Mexico University, me të cilën dhe e përfundojmë këtë Letër- protestuese publike:
Liria e tmerri
S’dua t’ua harroj; Për hatër të ditës së nesërme; S’dua t’ua fal; Se nuk i falin as të vdekurit e mi; S’ dua t’ua kthej; Që të mos bëhem si ata. (Fund)

Dimërorët me Korin e Korbave


Shkruan: SHEFIK SHKODRA

LETËR

I nderuar! Merr vesh pak e mos i harro kohët! E kam një fjalë rasti për ta përkujtuar ngricën e dhjetor-janarit. Dimërorët ishin të shumtë dhe secili më tmerr se tjetri. Në stinën kur e ndan vitin kalendarik. Fundi dhe fillimi. Në krahinat tona shqiptare nisen herët mundimet. Ngrirjet më të reja të njeriut tanë ishin nga dimëror-janar i decenies së tetë të shek. XIX, nga ai Sanxhaku, kur kishte filluar përzënia e njerëzve në masë nga shtëpitë dhe pasuritë e tyre. Rrugët i kishin shtangur trupat e tyre të zbathë e të zhveshë. Nxituan pa e kthyer kokën prapa kah foleja. Atje ku kishte mbetur një pjesë shpirti e trupi, pjesa tjetër kodër pas bregu, në cegmin e pjalmin e borës...përtej Vrajës, Bullgarisë e për Turqi. Të tjerët në drejtime të ndryshme për në Shqipëri. “Pik e pesë”. E të tjerët mbetën nën kupolën rrëzbitur të Kosovës gri. Kush me toponim e kush me tapi, e vështirë zgjidhja...madje edhe janë pajtuar me asgjë. E ti mos i përbuz këngët, thëniet e pleqve, letrat e të rinjve. Kujdes për faqet historisë ende të pashkruar! I nderuar, duhet të ketë këtu ndonjë kor të shpendëve të mirë. Që punojnë me vullnet për shtëpinë...
*
Ngjyrë e turbullt – bronz pa shkëlqim. Gjithnjë në mbrëmje, fluturimet e shpezëve në cegmin dhe mjegullën e brymosur, si pamje më shtie në kujtesën historike. Edhe pak turbullim e drojë. Në ato që kam lexuar. I vjen era plumb e bakër e fytyra mbetet e athët. Diçka që vetëm ndihet shpirtërisht. Që nuk pëlqehet e shton një shqetësim. Politika bëhej me zor nga shqiptarët atëherë, duke pasur përpara gjithmonë një kundërshtar që nuk lëshon rrugë. As grahet e as ngrehet. Ka kohë, vite e decenie, kur mbi qiellin e Kosovës, në tokën e Përqendrime, të zënë në rreth, të ngulfat ajo mjegull e rimtë gjatë dimërorëve. Krrokama korbash të shurdhojnë. Eshtrat e ndiejnë therjen si nga heshtat, acar i fortë qe ishte ka vite e vite. Dhe kjo është përsëritje. Jo gjithherë vlojnë unët në vatër e s’digjen. Ngrohja bëhet vetëm me frymën e shpirtit në fyt. Malet janë shtrojera e zorit. Në rrafshina, rreth Moravisë sikur bie zullumi. Sidomos, Prishtina është e njohur për një klimë të dimërorëve. Sorrat glacojnë mbi plepat e qytetit dhe kanë shtruar kore nëpër strehët e atyre dyqaneve të vjetra. Poshtë rruga nën lagjen rreth hamamit, te Shtëpia e ish Radios, kah ish Stacioni i Autobusëve plot baltë, nuk di dhe s’kam kaluar ka kohë, a është më ai kalldrëmi. Sidoqoftë kodrat e rrethinës po përgjojnë e po heshtin duke situr kristalin e borës si argjendi...si para viteve të gjashtëdhjeta. Shumë viktima në aksionin e armëve janë mërdhirë në akull. Kosova administrohej nën thundrën ushtarake edhe pas shumë vite “çlirimi”... Duhej blerë armën nga ata që ia kanë kërkuar akëcilit për ta shpëtuar shpirtin (?). Eh, sa shumë të gjallë pas atij dimri ishin betuar se, nuk do të lejonin vetën më t’i përjetonin ‘zullumet’ e armikut të egër. – Ku...? – Ku të më shohin sytë! Sepse ishin njerëz pa zot e përkujdesje. Veç përsëritje. Edhe pas viteve të shtatëdhjeta dimrat sillnin ndonjë viktimë. As muaji nuk kalonte pa një a dy...të burgosur. Korbat krrokatnin në maje plepave e sorrat glaconin, më shumë prej treme e nga dridhmat nuk i zinte vendi vend. Prej një dege në tjetrën. Veç pështjelloheshin. Pjesa më e madhe e miletit nuk merrte vesh asgjë se çka po ndodhte. Edhe atë që e dëgjonte dikush, nuk kishte guxim t’ia thoshte tjetrit. Binin në gjumë e mbuloheshin me ndonjë cergë e çka kishin pa bërë zë. Mbështetje nuk kishte asnjëri te askush...Në Gjermani, më vonë, tufani i egër i korri e si me kosë i rrëzoji djemtë për tokë. Kori i korbave edhe u më u ngërdhesh. Lëvizën në vendbanimet e Kosovës. Shpendkeqtë ishin shumëzuar kudo. Lëshonin erë të kërmave. Vështirë të ruheshin banorët nga kjo frymë tradhtie! Vështirë nga Dimërorët e korit të zi!
*
Ecën e ikën dimërorë të shumtë. Arritëm deri te kjo maje kalendarike e shekullit njëzet. Sërish Netët janë të ftohta. Kyçi t’i vihet derës! Sërish pabesia nga të pabesët. Qentë mezi e lëshojnë ndonjë lehje të shkurtër. Fshati fle si kafshët kur mrizojnë në vapën verore. Oxhaqet e shtëpive hedhin nga pak tym nga trungje në vatër duke u djegur në veti. Para agut hijet e pangopura në gjak, të thyer dykëmbësh në lagraçë shtrigash padukshëm , fantazma, futen nëpër shtëpi. I nxjerrin njerëzit jashtë si të vidhnin gjësende. Makina kositëse ua merr shpirtin. Mbeten të shtrirë në atë luginë, të rinj e pleq – Raçak! As ne të këtij vendi nuk kishim dëgjuar për këtë emër deri atëherë...Ishte një ag i zi dhe jo vetëm ky. Pastaj, reshi nga qielli shqiponja që u këputi krahët këtyre korbave. Krrokatja pushoi për një kohë. Do të thotë, deri më tash pak a shumë ndryshe kanë qenë ëndrrat nga zërat. Por, tash menjëherë janë rrëmbyer shumë brutalisht: me “egërsira” si egërsira që janë vetë, me “Kosovë e Metohi”, me “djep...” e pa djep. Me një arsenal të një fjalori që është shumë i rrallë, i ruajtur vetëm nga ajo anë. Këto fjalë gjenden te ata që gjithë botën e urrejnë. Ata përpiqen që gjithë botës t’ua këndojnë këngën e qyqes. E bota duke i krehur si bilbila. Për “miletin e zotit”, që kishat e tyre kanë Satanën simbolin e të keqes, së cilës i thërrasin me bërlykje e gumëzhimë të fëlliqtë nën ato çatitë që e ruajnë kutinë e shtrigës.
*
Qe! Sërish sorrat dhe korbat në plehrat e Prishtinës, të Anamoravës, të Mitrovicës, kudo; sot, pas qindra vitesh këngëzimat e njëjta si më një mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e shtatë-tetë; dimërorët si me njëmijë e nëntë qind e dymbëdhjetë, trembëdhjetë, ...si më njëmijë e nëntëqind e dyzet e pesë-gjashtë, njësoj si me njëmijë e nëntë qind e pesëdhjetë e pesë-gjashtë, mbarim e fillim viti,...si me njëmijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e dy, tre, katër...Kori i shpendkeqve ua rrëmbeu banorëve edhe bukën...
Qe! Sërish krrokamat dimërore të përsëritura; pas largimit të pjesshëm, ata po çukatin kudo duke u munduar të shumohen me këlthitjen të vrazhdët kakofonie. Po i gërvishtin varret me kthetrat e sqepat e përgjakur. Qe! Ata nga Veriu, të mallkuar! Po mbledhin krande për të ndezë vatrat tyre e për t’i fikë sërish ato të vendorëve...për t’ua fut akullin në zemër.
Edhe sot!... nuk është i qartë komunikimi me të pabesë. Satana u kërcen në kishë me defin e shqyer. Ia kruajnë kokën e përmorrtë. Ia rrjepin lëkurën e zhugavtë. Ajo i thërret në korin e këngëzimeve të errëta. Ua mbyll sytë në lojën e harambashëve. Ka mbetur e çalë Satana plakë i tubon korbat. I urdhëron të vjellin në paqen e njerëzimit. Atë e kanë ruajtur shpendkeqët në arkën e ndryrë, pasi i kishte rrënuar gjithë banorët e tokës murtaja dikur!
*
I zoti shtëpisë, ‘ruaju nga qeni yt besnik/ke mbetur i pa besë!/ kur e lidh e kur e zgjidh/ai ndoshta kësaj i thotë lojë...!’ Grackat janë të shumta të këtij kori ngjyrë-zezë. Ata s’ndalen kundër banorëve të vendit.

Flori Bruqi, e pasqyruar në shtatëdhjetë libra të botuar deri tani, për çka ai duhej nderuar me medaljen më të lart “Nderi i Kombit”.

  Akademik Prof.dr.Eshref Ymeri, PHD Prof. dr. Flori Bruqi, me “Diademë Letrare V” Akademik PHD, Eshref Ymeri Vitin e kaluar, Shtëpia Bo...