Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/02/02

Përdorimi i Kosovës si precedent nga Rusia





Keida Kostreci


Presidenti rus Vladimir Putin përdor shpesh argumentin se pavarësia e Kosovës krijoi një precedent që e justifikon aneksimin e Krimesë. Analogjia ka qenë gjithmonë e sforcuar, pasi siç thonë analistët pavarësia e Kosovës erdhi pas spastrimit etnik nga serbët dhe një procesi të gjatë ndërkombëtar. Asnjë nga këto elementë nuk ekzistonin para marrjes nën kontroll të Krimesë.

Kur Kosova shpalli pavarësinë, kishte lënë pas vite konflikti, spastrimi etnik, vuajtjet e refugjatëve, një periudhë protektorati nën administratën e UNMIK-ut dhe negociata të gjata me përfshirjen e Rusisë, përveç faktorit ndërkombëtar perëndimor. Ky proces u ndoq me durim hap pas hapi, megjithëse për komunitetin ndërkombëtar ishte bërë gjithnjë e më e qartë se Kosova nuk mund të rikthehej nën qeverisjen e Serbisë.

Prandaj, thotë Kurt Volker i Institutit McCain për Udhëheqje Ndërkombëtare, përdorimi i Kosovës si precedent nga ana e Rusisë, për të justifikuar jo vetëm aneksimin e Krimesë, por edhe Abkazinë dhe Osetinë Jugore, është një sajesë që nuk duhet marrë seriozisht.

“Ne duhet ta bëjmë të qartë se nuk ka krahasim mes asaj që ndodhi me Kosovën, si duke pasur parasysh spastrimin etnik, praninë ndërkombëtare atje dhe njohjen e saj, dhe asaj që ndodhi me Abkazinë, Osetinë Jugore dhe Krimenë”.

Daniel Serwer, studiues në Qendrën për Marrëdhënie Transatlantike, e quan këtë qëndrim të Putinit një analogji të çuditshme dhe të pasaktë.

“Nuk ka precedent në Kosovë për aktivitetin e njëanshëm të Rusisë dhe për pretendimin se po mbrohen rusisht-folësit, kur në të vërtetë nuk ka pasur keqtrajtim të tyre, veçanërisht në Krime ku nuk kishte asgjë të tillë”.

Në mungesë të ndonjë prove se banorët rusishtfolës të Krimesë po kërcënoheshin me mizori në duart e qeverisë ukrainase, zoti Serwer thotë se nuk ekziston një precedent që t’i japë Rusisë një avantazh.

“Në rastin e Krimesë kemi të bëjmë me gjeografi, me vullnetin për të përdorur forcën dhe për të frikësuar. Nuk është precedenti i Kosovës që ekziston në Krime, është agresion”.

Ish-ambasadori amerikan në NATO, Kurt Volker shton se krejt ndryshe nga procesi që u ndoq për Kosovën, ajo që u bë në Krime ishte nxitje e kryengritjeve, futje e trupave ruse dhe aneksim i njëanshëm i territorit.

“Rusia po i bën ato që po bën për shkak të një perceptimi madhështie kombëtare dhe do që të pushtojë, të marrë nën kontroll territore fqinjë, të mbështesë qytetarë rusisht-folës në vende të tjera dhe pastaj përdor precedentin si justifikim”.

Që kur u shpall pavarësia e Kosovës, Shtetet e Bashkuara kanë këmbëngulur se situata e saj në mos unike ishte e pazakontë dhe se ajo do të vlerësohej mbi vlerat e vetë rastit dhe nuk shërbente si precedent.

Megjithëse jo të gjithë janë dakord me këtë argumentim dhe disa vende evropiane nuk e kanë njohur Kosovën, pikërisht sepse druhen se lëvizjet separatiste brenda territorit të tyre mund ta përdorin atë si precedent, qëndrimi i Rusisë dhe i Vladimir Putinit ka ndryshuar.

Moska gjithmonë ka thënë se rasti i Kosovës mund të kthehej në precedent. Por nëse dikur ajo e përdorte këtë argument si paralajmërim se pavarësia e Kosovës do të shkelte ligjet ndërkombëtare, sot të njëjtën ngjarje po e përdor për të justifikuar një ndërhyrje që perëndimi e quan agresion.

Tracey Jacobson: Dhuna në protesta – e papranueshme

                         Nga Besim Abazi
Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, në një intervistë për Zërin e Amerikës dënoi dhunën që përfshiu protestat e kësaj jave në Kosovë dhe bëri thirrje për dialog politik ndërmjet subjekteve politike. Opozita paralajmëroi sërish protesta për të mërkurën më 4 shkurt, me kërkesat për shkarkimin e një ministri serb në qeverinë e Kosovës dhe qartësimin e fatit të kompleksit të minierave Trepça. Ambasadorja Jacobson tha në bisedë me korrespondentin tonë Besim Abazi, se këto dy çështje janë pretekste por jo edhe arsyeja kryesore e protestave në të cilat janë përfshirë edhe njerëz që janë të pakënaqur me zhvillimin ekonomik, luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e sundimit të ligjit.
Zëri i Amerikës: Zonja ambasadore si e shihni situatën në Kosovë pas protestave të fundit?
Tracey Jacobson: Protesta paqësore është një e drejtë e rëndësishme demokratike. Është mundësi për qytetarët që të nxisin qeverinë që të ngritë çështje që janë të rëndësishme për ta. Është jashtëzakonisht për të ardhur keq që protestat të shtunën dhe të martën u bënë të dhunshme. Kam biseduar me shumë njerëz këtu në Kosovë që janë shumë të shqetësuar me dhunën. Natyrisht, as mbulimi nga shërbimet ndërkombëtare të lajmeve nuk i bënë aspak mirë autoritetit ndërkombëtarë të Kosovës. Nuk e bën Kosovën të duket si një vend që është në rrugën e saj evropiane. Ne e dënojmë dhunën dhe u bëjmë thirrje të gjithë atyre që janë të përfshirë, posaçërisht organizatorëve të protestave të jenë të përgjegjshëm dhe të distancojnë veten nga dhuna që shpërtheu.
Zëri i Amerikës: Kishim qëndrime të ndryshme ndërmjet qeverisë që thotë se organizatori i protestave ishte fajtor dhe opozitës që thotë se ishin qeveria dhe policia fajtore. Kush është fajtor në fakt për dhunën?
Tracey Jacobson: Faji për dhunën atyre që njerëzve që hodhën gurë, që thyen xhamat në ndërtesën e qeverisë, që dëmtuan sheshin Skenderbej, sulmuan restorantin dhe sulmuan pronarin e tij, ata individë. Unë mendoj se ishin 200 -300 syresh që duhet fajësuar për dhunën. Vëzhguesit ndërkombëtarë që ishin në qendrën komanduese gjatë protestës, gjykuan se përgjigja e policisë ishte tërësisht e përshtatshme për kushtet. Kudo në botë kur turma bëhet e dhunshme dhe hedh gurë, policia duhet të përdorë metodat e saj për shpërndarjen e turmës. Mendoj se duhet të përqendrohemi tek ata njerëz që ushtruan dhunë.
Zëri i Amerikës: Zonja ambasadore, çfarë duhet të bëjë qeveria për ta tejkaluar situatën?
Tracey Jacobson:  Çdo qeveri duhet të përfshijë popullatën e saj. Kjo është kështu madje edhe për qeveritë si kjo që ka filluar punën tash një muaj e gjysmë. Ata duhet ta përfshijnë popullatën drejtpërdrejtë, ndërmjet medieve, t’ia bëjnë me dije asaj se çfarë planesh kanë, se çfarë po bëjnë saktësisht për çështjet që njerëzve u interesojnë, siç janë zhvillimi ekonomik, vendet e punës, luftën kundër korrupsionit dhe vendosjen e sundimit të ligjit. Po ashtu ata duhet ta dëgjojnë publikun. Çdo qeveri duhet ta bëjë këtë.
Zëri i Amerikës: Publiku, pra protestuesit në këtë radhë, partitë opozitare dhe shoqëria civile kërkojnë shkarkimin e ministrit për komunitete dhe kthim, Aleksandër Jablanoviç, i cili pati një qëndrim ofendues ndaj protestuesve në Gjakovë. Si duhet të zgjidhet kjo situatë? A duhet të shkojë ministri Jablanoviç?
Tracey Jacobson: Pikë së pari, mund të thoni se ministri Jablanoviç apo Trepça ishin arsyeja paraprake apo preteksti, por nuk mendoj se ky është i gjithë rrëfimi. Mendoj se ka shumë njerëz që janë ndjerë të frustruar para së gjithash me gjashtë muaj mosveprimi gjatë procesit të ngritjes së qeverisë dhe ka njerëz që besojnë sikurse unë, se zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës, lufta kundër korrupsionit dhe përmirësimi i sundimit të ligjit, janë gjera që duhet të lëvizin shumë më shpejtë. Nuk do të thosha që këto protesta janë vetëm për Jablanoviçin. Unë do të thosha se deklarata e tij ishte e pamatur dhe fyese për shumë njerëz. Unë e vlerësoj fyese. Kërkim falja e parë nuk ishte e mire dhe pastaj ai kërkoi falje me të vërtetë. Por, ministri Jablanoviç është emëruar nga qeveria, është votuar në Parlament. Ky është një proces demokratik dhe ai mund të largohet nëpërmjet një procesi në qeveri. Ky është vendim që duhet të merret nga qeveria. Nuk besoj që ndonjë qeveri merr vendime për personelin në bazë të protestave në rrugë ku njerëzit hedhin gurë.
Zëri i Amerikës: Por a ka kjo qeveri një fuqi të tillë që të shkarkojë ministrin Jablanoviç duke pasur parasysh që Lista serbe mund të kushtëzojë pjesëmarrjen në parlament dhe kjo mund të çojë në krizë politike?
Tracey Jacobson: Nuk dua të përfshihem në situata hipotetike. Mendoj se koalicioni qeverisës po qëndron dhe ende po punon. Ata po komunikojnë dhe kanë shumicën në parlament, bazuar në zgjedhjet demokratike të vitit të kaluar. Tani kemi qeverinë e partive fituese që u jep njëfarë fuqie. Por, sa u përket çështjeve të brendshme të personelit, janë çështje të tyre të brendshme.
Zëri i Amerikës: Trepça ishte shkaku i dytë për protestat. Opozita akuzon qeverinë se u zmbraps para trysnisë që erdhi nga Beogradi për Trepçën. Ju ishit e përfshirë në debatet rreth kësaj çështjeje, Si e shihni këtë proces?
Tracey Jacobson: Ajo që qeveria u përpoq të bëjë ishte shmangia e likuidimit të Trepçës. Dhe kjo ndodhi për shkak të vendimit te Dhomës së posaçme të Gjykatës së lartë e cila tha që nëse Trepça nuk riorganizohet nga Agjencia e Privatizimit të Kosovës deri më 2 shkurt, ajo do të likuidohet, që do te ishte përfundimi më i keq për të gjithë. Me fjalë të tjera, ajo do të falimentonte, punëtorët nuk do të kishin punë dhe paga. Prandaj, qeveria u përpoq të gjej rrugë për të shmangur një skenar të tillë. Një nga idetë ishte shtetëzimi, që u paraqit në parlament dhe pastaj u tërhoq. Unë mendoj se shtetëzimi është ide e keqe. Pikë së pari do të vinte buxhetin e qeverisë para pretendimeve të kreditorëve, përfshirë ata nga Serbia dhe Greqia që mund të arrinin në 1 miliardë e 400 milion dollarë. Ne e dimë që buxheti i qeverisë është nën trysni dhe qartazi nuk ka mundësi që taksapaguesit e Kosovës të paguajnë një borxh të tillë. Së dyti, shtetëzimi i një ndërmarrje të rëndësishme si Trepça, do të dërgonte një sinjal rrëqethës tek investitorët për drejtimin e ekonomisë së Kosovës. Ekonomia e Kosovës është e orientuar në rrugën evropiane, në ekonominë e tregut, rritjen ekonomike të udhëhequr nga sektori privat. Dhe kthimi në komunizëm apo socializëm jo vetëm nuk do të ndihmonte Trepçën, por as nuk do të tërhiqte investimet për të cilat ka nevojë Trepça për të aktivizuar tërë mundësitë e saj. Mendoj se investuesit tashmë janë të frikësuar nga zhvillimet e së shtunës dhe të martës. Mendoj se vendimet ekonomike duhet të merren asisoj që të nxisin në vend që të shkurajojnë investuesit.
Zëri i Amerikës: Ambasadore, Beogradi kërkon që çështja e Trepçës të shtrohet në tryezën e bisedimeve në Bruksel që pritet të vazhdojnë me 9 shkurt, ndërsa në Prishtinë ka reagime kundër një mundësie të tillë. Si mendoni ju a mund të jetë Trepça pjesë e këtyre bisedimeve?
Tracey Jacobson: Dialogu është vendosur duke u lehtësuar nga Bashkimi Evropian, por çështjet mund të vihen në rend dite nëse pajtohen të dyja palët. Kjo qartazi nuk ndodhë sa i përket Trepçës. Sa i përket bisedimeve, kemi një takim tjetër më 9 shkurt, që do të jetë i pari në pothuaj një vit. Shpresoj të shohim përparim. Ka shumë gjera në pritje nga marrëveshja e prillit të vitit 2013. Palët ishin afër marrëveshjes për drejtësinë para një viti, por nuk e përmbyllën. Janë edhe çështjet e energjisë, telekomunikimeve, sigurimeve. Këto janë të gjitha gjëra të rëndësishme që duhet të zgjidhen dhe mund të zgjidhen nëse të dyja palët ulen në tryezë të gatshëm që të punojnë shumë, të dëshmojnë fleksibilitet maksimal dhe të ecin përpara. Do doja të shihja përmbylljen e këtyre çështjeve para se të hidhen gjëra të reja në tryezë, sepse do të ishte mirë të ketë rrëfime suksesi nga bisedimet, posaçërisht kur kemi një lehtësues të ri, përfaqësuesen e re të lartë të BE-së.
Zëri i Amerikës: Por jo Trepça?
Tracey Jacobson: Trepça me sa e di unë nuk është në tryezën e bisedimeve më 9 shkurt, sepse, siç thashë, ata duhet të përfundojnë çështjet që janë në rendin e ditës për të cilën tashmë janë pajtuar dhe nuk ka marrëveshje për asnjë çështje të re në bisedime dhe mendoj se përqendrimi duhet të jetë në përfundimin e punës së filluar.
Zëri i Amerikës: Zonja ambasadore, janë paralajmëruar protesta të reja nga lëvizja Vetëvendosje dhe partitë tjera opozitare. Nesër janë paralajmëruar greva njëditëshe në shëndetësi, në arsim, pra ka një grumbullim problemesh përballë qeverisë. Çfarë duhet te jetë qasja e qeverisë por edhe opozitës në këtë situatë?
Tracey Jacobson: Është me rëndësi gjithmonë që qeveria dhe opozita te kenë dialog mes vete. Nuk jam e sigurt që kjo po ndodhë. Por, unë i trimëroi të dyja palët që të ulen, të bisedojnë dhe të zgjidhin dallimet. Protestat janë rrugë e mire për qytetarët që të përfshihen dhe të ngritin shqetësimet, por, në fund të fundit, politika bëhet në institucionet e Kosovës, jo në rrugë. Ata duhet të takohen në kuadër të kushtetutës dhe institucioneve të Kosovës. Sa i përket protestës së javës së ardhshme, do t’u bëjë thirrje të gjithë organizatorëve që të marrin të gjitha masat për të shmangur dhunën dhe kjo përfshinë dërgimin e mesazheve të qarta tek pjesëmarrësit se ata nuk e pranojnë dhunën, të distancohen nga dhuna dhe dëmet që kanë ndodhur në dy protestat paraprake. Shpresoj se do të shohim protestë paqësore, që nuk frikëson banorët e Prishtinës dhe nuk dërgon mesazhe të këqija për Kosovën si shtet bashkëkohor në pjesën tjetër të botës.
Zëri i Amerikës: Ju jeni takuar me zotin Ramush Haradinaj, a keni marrë siguri për një gjë të tillë?
Tracey Jacobson: Ne kishim një takim shumë te mirë. Nuk i diskutoj hollësitë e takimeve të mia private diplomatike, por sigurisht që i kam bërë thirrje që të jetë më i qartë për faktin që partia e tij nuk pranon dhunën. Ai foli për dhunën e policisë, por  jo për dhunën nga protestuesit. Ai tha se do të jetë më i qartë për këtë në të ardhmen. Ndava me të po ashtu vlerësimet tona se policia është sjellë në mënyrë të përshtatshme. Ka pasur disa gabime nga individë të policisë, por inspektorati policor i Kosovës dhe EULEX-i po shohin pamjet dhe nëse vërtetohet se policët kanë përdorur forcë të tepruar apo që kanë vepruar në mënyrë të papërshtatshme, do të përballen me procesin e zakonshëm disiplinor. Mendoj që është me rëndësi për të gjithë udhëheqësit politik, që të bëjnë thirrje për qetësi dhe të refuzojnë dhunën. Nëse duan që mesazhet e tyre të dëgjohen, kjo do të ndodhë më mirë në protestë paqësore. Kemi pasur protesta të mëdha që kanë çuar në ndryshime, po mendoj, në vendin tim për të drejtat qytetare në vitin 1964, Mahatma Gandhi në Indi, ishin protesta paqësore dhe këto janë ato lloj protesta ku ankesat mund të zgjidhen në dialog politik.
Zëri i Amerikës: Organizatori kryesor është lëvizja Vetëvendosje dhe zoti Albin Kurti. Pse nuk takoheni me të, të bisedoni me të dhe t’i bëni edhe atij të njëjtat kërkesa?
Tracey Jacobson: Nuk jam takuar me zotin Kurti për arsyet e njëjta që i kam shpjeguar shumë herë dhe kjo për shkak së po pres që Vetëvendosje të heq dorë nga dhuna si taktikë. Jo vetëm dhunës që ka ndodhur në qershor të vitit 2013 ndaj disa deputetëve të parlamentit dhe disa vëzhguesve ndërkombëtarë, por dhunës në përgjithësi. Qartazi nuk kam dëgjuar askënd nga Vetëvendosja të jetë distancuar nga dhuna që ndodhi të shtunën apo të martën. Ishte një grup prej 200-300 vetash. Nuk e di me kë janë të lidhur apo nga kush marrin urdhra. Por, mendoj se është me rëndësi që organizatorët ta distancojnë veten nga veprimet e tilla. Ne kemi parë se për dallim nga e shtuan, të martën kishim shumë më pak protestues. Grupet e shoqërisë civile vendosën që nuk duan të përfshihen në organizimin e tyre. Po ashtu edhe sindikatat e minatorëve nuk ishin atje, pavarësisht se Trepça ishte një nga pretekstet për protestë. Mendoj se kjo është njëfarë shenje se njerëzit nuk duan të jenë të njëjtësohen me dhunën.
Zëri i Amerikës: Sido qoftë, është thënë shpesh edhe nga personalitete politike në botë është thënë se qeveria është përgjegjëse meqë ajo ka edhe autoritetin edhe përgjegjësinë. Çfarë duhet të bëjë qeveria në afat të shkurtër për të shtendosur situatën në Kosovë?
Tracey Jacobson: Gjithmonë pas një zhvillmi si këto të fundit ka një raport që shërbimet e sigurisë e bëjnë, policia e bën për të parë nëse janë nxjerrë mësimet. Marr vesh që qeveria po i zgjatë dorën opozitës. Nuk jam e sigurt nëse ka dalë gjë nga kjo, por ata duhet ta bëjnë këtë. Sigurisht unë i kam nxitur të dy, zotin Mustafa dhe zotin Haradinaj dje që të angazhohen në dialog brenda institucioneve. Dhe, siç thashë, çdo qeveri duhet të jetë e gatshme të punojë me publikun. Nga ajo çfarë kamë parë ditëve të fundit nga paraqitjet e qeverisë në intervista në televizione, mendoj se ata po përpiqen të angazhohen më shumë në mënyrë të drejtpërdrejtë me qytetarët.

Lirak Zenun Çelaj: Shkojmë në zgjedhje, vetëm nëse Shpendi jep dorëheqje



Asamblisti i PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj, në programin e mëngjesit në RTK1, foli rreth zhvillimeve të fundit në Kuvendin komunal të Prishtinës, ku ka përplasje mes kryetarit të Komunës, Shpend Ahmetit, si dhe shumicës se këtij Kuvendi që përbehet nga LDK e PDK.

Çelaj e ka kritikuar ashpër Ahmetin, për - siç ka thënë - “shkatërrimin e qytetit dhe nxitjen e nxënësve për të dalë në protesta”.

Çelaj thotë se Buxheti i Komunës është miratuar, por se Ministria e ka kthyer për shkak se nuk është përputhur me qarkoren e nivelit qendror.

“Ahmeti po thotë që ne po e bllokojmë, por është vet ai që e ka tërheq nga rendi i ditës”, ka thënë ai. Ai nuk po mundet t’i realizojë premtimet e tij në kryeqytet, dhe në këtë formë po mundohet të tërheq vëmendjen duke akuzuar partitë e tjera për bllokim”.

“Le të del ai të thotë se ne e kemi bllokuar funksionimin e qytetit, atëherë mbajmë përgjegjësi. Por, gjithë kjo krizë po bëhet pasi ne kemi kërkuar dorëheqjen e tij. Si mund të kërkojë mjete shtesë për qytetin, kur po e shkatërron vet. Ai duhet të japë dorëheqje morale”, ka thënë Çelaj i cili arrestimin e Ahmetit e ka quajtur si diçka të pahijshme.

“Nuk jam pajtuar dhe mendoj që nuk është e hijshme të prangoset kryetari i Komunës. Duhet të jetë diçka e jashtëzakonshme kur të arrestohet kryetari, të ruhet autoritetit i kryetarit, ani pse ai vet e ka ulur autoritetin e tij duke marrë pjesë në protesta të dhunshme”, ka thënë Çelaj.

Duke folur për zgjedhjet për asamblistë, të propozuar Ahmeti, Çelaj ka thënë se kjo do të pranohej vetëm në rast se ai jep dorëheqje e pastaj të shkohet në zgjedhje për të gjithë!

Agron Selimaj edhe katër vjet kryeinspektor i AKI-së

Agron Selimaj, drejtor i AKI-së


Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në bazë të nenit 84 paragrafi 21, nenit 94 paragrafi 8, nenit 129 paragrafi 3 të Republikës së Kosovës dhe nenit 5 paragrafi 3 i Ligjit Nr. 03/L-063 për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, emëruan Agron Selimajn, drejtor të AKI-së

Ndryshe, sipas pikës 5.3 të Nenit 5 të Ligjit për AKI-në, Presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me Kryeministrin, emërojnë Drejtorin e AKI brenda njëzet (20) ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë.

Sot bëhen saktësisht 17 ditë prej se Agjencia kosovare e Inteligjencë ka mbetur pa drejtorin të përgjithshëm. Më 16 janar ish- shefi i AKI-së Bashkim Smakaj, dha dorëheqje.

Paraprakisht, dorëheqjes së Smakajt i paraprinë një mori skandalesh të shumta. Dorëheqja e Smakajt ishte deponuar edhe në zyrën e Presidentes së Kosovës, e cila bashkë me kryeministrin Mustafa kishin vlerësuar punën gjashtë vjeçare të Smakajt në themelimin dhe ndërtimin e AKI-së dhe përkushtimin e tij në mbrojtjen e sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës.

Çfarë mund të ndryshojë ambasadori i ri amerikan

U bë disa ditë që ambasadori i ri Shteteve të Bashkuara, Donald Lu, i cili mbërriti në Tiranë me jehonën e një rockstari, ka qenë më i rezervuar në komunikimin me publikun. Ndoshta i ka mirëkuptuar disa kritika të mediave shqiptare, ndoshta ka parë nga afër se vendi ku ka vënë këmbën ka shumë probleme serioze dhe çdo qëndrim i një ambasadori amerikan do të ndikonte fuqishëm, për mirë ose për keq. Tani, që mesazhet përshëndetëse u kryen dhe bashkë me to edhe takimet e kortezisë, ambasadori me siguri ka përpara prioritetet e punës së tij.
Si për ironi të fatit, ditët e para të Donald Lu në Tiranë, u përcollën nga krismat e armëve, shpërthimet e tritolit, operacionet antidrogë dhe debatet e tredhura për dekriminalizimin e Parlamentit. Sfida ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, ashtu siç vetë e tha në shqip ambasadori Lu në konferencën për shtyp, mbetet prioriteti kryesor i angazhimit amerikan në Shqipëri. Edhe një zyrtar i rëndësishëm i Departamentit të Shtetit, Tom Yazdgeri, tha pak ditë më parë se Shqipëria duhet të ndjekë shembullin e Kroacisë për të dënuar funksionarët e lartë të përfshirë në korrupsion. 
Por çfarë mund të bënte një ambasador amerikan në këtë drejtim? Ose çfarë mund t’i kërkonin shqiptarët atij si mbështetje për t’u përballur me sfidën e krimit të organizuar dhe korrupsionit? Ambasadorit Lu në fakt i duhen thënë që në fillim disa të vërteta. Vendi i shqiponjave, siç na përkufizon ai në mesazhin e tij përshëndetës, ka kohë që është kthyer në vendin e lepujve. Shqipëria ka probleme serioze me krimin dhe korrupsionin edhe për faktin se këtu askush nuk flet, ose nga frika ose nga pagesa e frikës. Mediat prej kohësh shmangin të përmendin emra të botës së krimit apo të zyrtarëve të lartë që dyshohen të përfshirë në vepra kriminale. Investigimet gazetareske po zhduken si gjini, kriminelët po quhen biznesmenë, ndërsa politikanët e korruptuar riciklojnë njëri- tjetrin. Faktet janë të qarta si drita e diellit se kjo heshtje ose blihet ose imponohet nga frika. Një ambasador sigurisht nuk e ka të lehtë të përfshihet në çështje të drejtësisë së një vendi, por ka avantazhin e madh që as mos të ketë frikë e as mos të tundohet nga thënia e disa të vërtetave. Në mos tjetër, ato do t’u jepnin përkrahje morale atyre gazetarëve që vërtet duan të mos duken si dordolecë krahasuar me kolegët e tyre në botë.
Në Shqipëri nuk flasin mediat, por nuk lëshon zë as shoqëria civile. Kjo më së shumti është kapur në rrjetën e projekteve nga buxheti i shtetit dhe prej shumë e shumë vitesh shqetësim të vetëm ka mbijetesën e saj dhe jo misionin për të cilën është krijuar. Ambasadori i ri ka në dorë të paktën të ndërpresë rutinën e mbështetjes së shoqatave e instituteve shterpë që nuk pjellin asnjë ndryshim dhe të promovojë të rinjtë që duan dhe kanë kurajo të denoncojnë krimin dhe korrupsionin.
Ambasadori Lu duhet të dijë, që me ndonjë përjashtim të rrallë, në Shqipëri edhe opozita eviton të flasë me emra konkretë dhe të hapë çështje delikate. Nga frika ose nga implikimi. Kështu, individë të caktuar shndërrohen në të paprekshëm. Qytetarët i shohin dhe i dinë bëmat e tyre, por ndihen të pambrojtur. 
Në një vend ku opozita, mediat, shoqëria civile nuk e kryejnë si duhet funksionin e tyre, a mund të flitet për të sfiduar krimin e organizuar dhe korrupsionin? 
Ambasadori duhet të dijë gjithashtu se shpesh do të tentojnë ta përfshijnë në debatin politik idiot të akuzave të ndërsjellta, herë ta bëjnë palë e herë t’i kërkojnë ndërmjetësim, duke e zhvendosur nga thelbi i problemeve dhe si justifikim për dështimin në luftën kundër krimit. Ai do të dëgjojë kryeministrin që ankohet për presidentin, ministrin e Brendshëm që do t’i qahet për drejtësinë, etj, ndërkohë që zyrtarë të lartë përfshihen në afera korruptive, kriminelë me mbështetje politike e mediatike lëvizin e bëjnë biznes pa u hyrë gjemb në këmbë. 
Ndonëse di shqip, ambasadori do të kërkojë t’i përkthejnë debatet për dekriminalizimin e parlamentit, ku të gjithë flasin për kriminelë, por askush nuk guxon të përmendë emra. Do të përballet me një kryeministër, ministra e zyrtarë të lartë që janë mjeshtra për t’a pasuar përgjegjësinë dhe për t’i lënë gjërat ashtu siç janë. Atëherë ndoshta do ta kuptojë se pse Shqipëria nuk e ka ndjekur dhe e ka të pamundur ta ndjekë shembullin e Kroacisë.
Nëse vërtet ambasadori Donald Lu ka si objektiv atë që deklaroi në konferencën për shtyp, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ai duhet të ketë parasysh se ka ardhur në një vend ku shoqëria e ka humbur vullnetin për të bërë diçka të tillë. Ka dështuar. Nga frika, interesi, lodhja apo dëshpërimi. Në një vend që, më shumë se sa nga përkëdhelja e krenarisë boshe si vend i shqiponjave, ka nevojë t’i thuhen me zë të lartë disa të vërteta. Një ambasador amerikan e ka fuqinë dhe mundësinë për t’i thënë ato. Janë më të nevojshme se çdo deklaratë dashurie për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Andi Bushati:Ç'lidhje ka PD me pilotin e vdekur?




Besoj se shumëkush që ka parë sot në TV, deputetin e PD-së Strazimiri të akuzonte qeverinë për ngjarjen e pilotit të ushtrisë shqiptare të vdekur si trafikant në Spanjë, me siguri  që ka lëshuar një psherëtimë: ufffffff mjaft, a mund të na lini një ditë të qetë!
Sepse menjëherë pasi ka ndodhur kjo ngjarje, opozita ka nxituar ti japë asaj një konotacion politik. Sipas PD-së: “Në Spanjë, aksidentalisht, ka dalë në pah se në çfarë derexheje është katandisur siguria kombëtare, Forcat e Armatosura, Policia Ushtarake, strukturat inteligjente dhe ato informacionit të ushtrisë dhe të Policisë së Shtetit, kontrolli i territorit, lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut te narkotikëve”.
Natyrisht në deklaratën e PD-së nuk ka ndonjë hata, por ajo që të bën përshtypje është fakti se ngjarja e major Sokol Fekës, jepet si një shembull i një qeverie të zhytur deri në fyt në trafikun e narkotikëve. Në fakt nuk është kështu.
Nëse publiku ka një sërë dyshimesh, për mënyrën se si u sollën qeveritarët dhe krerët e lartë të kësaj shumice përpara se të binte avioni i Divjakës, për shkathtësinë me të cilën kanë mundur të infiltrojnë në polici njerëz me të shkuar të errët, për pikpyetjet që ngjalli në fund të fundit, aksioni kundër laboratorit të kokainës që goditi vetëm peshqit e vegjël, këto mjaftojnë për të vazhduar kauzën opozitare.
Ndërsa përzjerja e këtyre fakteve me çdo lloj ngjarjeje rrezikon të jetë kundër produktive. Sepse pavarësisht se ai ishte një ushtarak, pavarësisht se duhet të ishte i mbikëqyrur më tepër se të tjerët, historia e tij tragjike nuk përbën një shembull për implikimin e strukturave shtetërore. Ajo po është një çështje sociale. Ajo mund të ngrejë disa pyetje, se si ka mundësi që një ushtarak karriere të mbërijë deri në këtë pikë? Si ka mundësi që një pilot i stazhionuar, me 18 vjet eksperiencë e me disa specializime jashtë, nuk ka mund të sigurojë të ardhura për një jetë normale në Shqipëri? Si ka mundësi që është i gatshëm të riskojë gjithçka për një shpërblim të majmë trafikantësh?
Por të gjitha këto, PD, nuk i thotë, se ato kanë lidhje sa me pushtetin e ri, po aq edhe me atë të vjetrin, sa me të tashmen aq edhe me sistemin që kemi ngritur dhe me mundësinë që ka krijuar ai gjatë këtij çerekshekulli, që njerëzit të arrijnë të punojnë dhe përmes punës së tyre të jetojnë më dinjitet.
Këto do të ishin pyetjet reale për këtë rast. Por si në shumë rrethana të tjera, PD-ja nxitoi ta shfrytëzojë këtë ngjarje si një argument më shumë në fushën e betejës. Si një fakt më tepër për të na trguar se kjo është qeveria e drogës. Dhe këtu ajo gabon. Sepse njerëzit që ulen në shtëpitë e tyre në mbrëmje dhe ndjekin këto deklarata, ndjejnë neveri. Ndjejnë arrogancën e atij që u flet, pa e përfillur arsyen dhe logjikën e tyre. Ndjejnë se janë spektatorë në një arenë,ku gladiatorët kanë vendosur të ndeshen, me çdo çmim dhe me çdo mjet, pavarësisht se kush ka të drejtë.
E në këtë këndvështrim kjo lloj opozite është kundër produktive. Ajo duke nxirë gjithçka relativizon gjithçka, duke shpallur çco ditë luftë humbet kuptimin e luftës dhe krijon lodhje prej saj. Ajo jo vetëm i ul opozitës koifiçentin e besueshmërisë, por riskon ta largojë nga publiku.
Kjo mënyrë e të bërit opozitë mund të shërbejë vetëm për një gjë. Për të dëshmuar besnikëri ndaj politiksë së vjetër të partisë e cila ka vetëm një parullë: konflikt dhe përplasje me çco çmim. Por të gjithë që e marrin përsipër atë, duhet të dinë vetëm një gjë: ajo mund tu shërbejë për të ngjitur shkallët e Shqup-it, por do tu mbajë gjithnjë larg shkallët e pushtetit.

Mapo, Dita e Shqiptarja.com politikë me Facebook falso


Një lajm se Liri Berisha po bënte një sondazh në Facebook nëse Sali Berisha mund të rikthehej në pushtet, u publikua menjëherë në faqet e disa gazetave online e madje edhe në versionet print. Duhet thënë që në fillim që bëhet fjalë për një lajm të rremë, por që në gazetat Dita e Shqiptarja.com, u dha për publikun si i vërtetë. Sondazhi që i referohet zonjës Berisha gjendet në faqen e Net Tv, në Facebook, një faqe që siç duket është e krijuar vetëm për komercializëm.
Mjafton ta klikoni atë, si në Facebook ashtu edhe në adresën webhttp://sondazhetv.blogspot.com dhe do të gjeni pyetje në formë sondazhesh, kryesisht mbi Sali Berishën apo Fatos Nanon, të organizuara, sipas kësaj faqje nga njerëz të afërm të tyre apo në rastin e Nanos, nga vetë ai. Për ta kuptuar se është diçka e sajuar nuk duhen më shumë se 2 apo 3 klikime. Kjo faqe, psh, i atribuon Liri Berishës edhe një ftesë për ta aplikuar për dhurata iPhone 6. Fituesit mjafton të jenë pjesëmarrës të sondazheve të Net tv dhe t’i shpërndajnë ato.
Për ata që e njohin sadopak politikën shqiptare nuk do shumë mend të kuptosh se sondazhe e thirrje të tilla duken ashiqare që janë sajesa. Megjithatë, për gazetat Dita apo Shqiptarja.com është e sigurtë se për Liri Berishën, Sali Berisha mund të rikthehet sërish në pushtet.
A i besojnë këto gazeta trillime të tilla? Nëse do të ishte kështu, problemi i medias shqiptare nuk do të ishte më fakti që ajo është pjesërisht e lirë, siç thuhet në raportin e fundit të Freedom House, por profesionalizmi. Apo të tilla lajme ato i publikojnë si mënyrë për të rritur klikimet, ashtu si faqja deri tani anonime, Net tv? Nuk përjashtohen qëllimet e tjera.  
Shqiptarja.com publikonte pak ditë më parë një lajm se Lulzim Basha ngjante me Ermal Hoxhën, nipin e ish –diktatorit Enver Hoxha. Jo rastësisht ky lajm botohej menjëherë pas arrestimit të Ermal Hoxhës për trafik droge dhe ngritjen e laboratorit të kokainës në Xibrakë.
Një tjetër gazetë e njohur në treg, Mapo, jo pak kritike ndaj publikimit të lajmeve të paverifikuara nga portalet në internet, në versionin e saj online tenton të tregohet më e kujdesshme. Ajo e boton sondazhin e Liri Berishës duke e pranuar që është fals, madje duke e konsideruar si provokim për Lulzim Bashën.
Mirëpo, në të njëjtën ditë Mapo ka një tjetër lajm nga profili fals i Fatos Nanos në Facebook, i njëjti profil që përdoret për sondazhet nga Net tv.
Në të dyja rastet, sondazhi fals i Liri Berishës dhe postimi fals i Fatos Nanos përdoren politikisht nga Mapo. Në rastin e parë duke i treguar publikut se e ka kuptuar “lojën” që po luhet. Në të dytin duke pranuar padashje se nuk bën dallim nga mediat pranë qeverisë, ku flitet për t’i përdorur sajesat politikisht.

Flori Bruqi, e pasqyruar në shtatëdhjetë libra të botuar deri tani, për çka ai duhej nderuar me medaljen më të lart “Nderi i Kombit”.

  Akademik Prof.dr.Eshref Ymeri, PHD Prof. dr. Flori Bruqi, me “Diademë Letrare V” Akademik PHD, Eshref Ymeri Vitin e kaluar, Shtëpia Bo...