Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/02/07

Pikturon shumëçka nga pamja ime

(www.sa-kra.ch)


       Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA






ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE



SHAHBAZE VISHAJ - GRAJÇEVCI




         

            Hyrje

            Shahbaze Vishaj Grajçevci (Pejë, 27.6.1963), ka kryer stu­­dimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Uni­­ver­sitetin e Pri­shtinës. Punon në Shko­llën e Mesme të Ulët: ''Hasan Prishtina'', në Milloshevë -  Kastriot. Për punën edukati­vo-arsimore për një çerek shekulli si pe­dagoge e gjuhës dhe e letërsisë shqi­pe ka marrë disa mi­rë­­njohjeje në mesin e të ci­lave edhe atë ’’Mësim­dhënës i da­llu­ar’’.
            Me shkrime filloi të merret qysh si nxë­nëse e shkollës fillore. Botoi në ga­zeta dhe re­vista që dalin te ne, Shqipëri dhe Ma­qedo­ni. Është laureate e shu­më shpër­bli­me­ve letrare. Shkruan poezi e prozë për fëmijë dhe të rri­tur, si dhe kritikë letrare, ese, publicis­tikë etj. Është anëtare e Lidhjes së Shkrim­ta­rë­ve të Kosovës, si dhe anëtare e redaksisë së revistës letrare për fëmijë ’’Pionieri’’.
            Deri më tash ka botuar këto vepra let­rare: ’’She­një dhe vragë’’ 2000, (poezi për të rritur); ’’Shtjellë dhe vurratë’’ 2004, (poezi për të rri­tur); ’’Shend e verë’’ 2006, (poezi për fëmijë);  ’’Shiu i harresës’’ 2007, (poezi për të rri­tur);  ’’Shtrezë në ve­tulla’’ 2010, (poezi për të rri­tur); ’’Shegë vje­shte” 2010, (poezi për fëmijë); ’’Shtatori me vio­linë’’ 2010, (tregime për fë­mijë); “Shtigje va­shërie” 2011, (roman për të rritur); “Shfletim vep­rash” 2011, (kri­tika let­rare); “Shpalim vlerash” 2011, (kritika letra­re); “Letërsia si art dhe inter­pretim poetik” (me H. Hasanin) 2011.
            Libri me poezi për fëmijë “Shporta me vi­sh­nje” është li­bri më i ri dhe i dymbëdhjeti me radhë i kësaj autoreje.
            Shahbaze Vishaj  Grajçevci jeton dhe vepron në Pri­­­­shtinë.




LUMTURIA HESHT

Kur ti nuk je
Lumturia hesht
Jeta merr formë tjetër
Në shpirtin e lënduar
Rrezja e diellit çdo mëngjes
Pikturon shumëçka nga pamja ime
Dhembja mbetet dhembje
Heshtja heshtje
Vitet kalojnë
E ti nuk ndryshon
Shpresa mbetet shpresë
Por pritja pritje
Jeta të thërret
E ti udhëton
Në rrugën tënde të panjohur
Ti prapë jeton



MOS MË PYET

Flokët më janë lagur
Trupi më digjet nga zjarrmia
Mos më pyet
Pse më avullon koka
Këtu
Ëndrra është lodhur
Harresa e ka zhdukur buzëqeshjen
Sytë më janë zvogëluar
Nga bryma e vetmisë
Lulet kanë harruar të çelin
Në ëndrrën time të fshehur



ËNDRRA IME

Vjeshta...
Vajzat i vesh me unaza
Pemët i zhvesh nga gjethet
Ëndrra ime
Pret unazë këtë Pranverë
Po ndjej aromën e saj
Kur t’më buzëqesh Ëndrra
Hënës i shtohet një yll
E diellit një rreze



NATA HARRON

Kur nata harron të zhduket
Dita harron të kthehet
Në shtratin ngjyrë blu
Zjarrmia djeg
Vetmia zbehet
Pritja numëron degët e thara
Në Kopshtin Magjik
Vetmia është borë e ftohtë
Sikur brymë vjeshte



LOTI I PEMËVE

Kur hyra në oborrin
e shtëpisë sime
vetëm oxhaku kishte
mbetur në këmbë
para sysh m’u rishfaqen
shumë korba
çdo hap e laga me lot
edhe loti i pemëve
u bashkua me lotin tim
mërzia e dhimbja
nuk ma kthyen kurrë shpinën



LULET PIKOJNË LOT

Çdo natë
daja flet me hënën
eshtrat e Yllit
edhe pas 10 vitesh
nuk ia solli Liria
më fal o Zot
as ty nuk po të shoh
në sytë e mi fle Dimër i Zi
Shpresa ia ka mbyll derën shpresës
lulet mbi varr pa eshtra
pikojnë lot



NË DHOMËN E GJUMIT

Kudo sytë e nënës
kërkojnë hijen e Luanit
në dhomën e gjumit
ende s’ka hyrë liria
ëndrrat shumë herë
ua bashkojnë duart
në shtratin e tij
kujtimet janë shndërruar
në lotore ngashërimi
nëna e dëshpëruar
ende kërkon ilaç
për zemrën e copëtuar


           

Shkruan shumë e për "lumë?!"

(www.sa-kra.ch)


       Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA






ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE



PËRPARIM HYSI




         Hyrje
           
        Përparim Hysi ka lindur më 21 janar të vitit 1943, në fshatin Petovë të Fierit. Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar si mësues në fshatrat e Fierit dhe ne vitet 1996-2000 inspektor arsimi për gjuhë dhe letërsi shqipe pranë Drejtorisë Arsimore në Fier. Ka kryer studimet pedagogjike në Elbasan dhe më vonë pa shkëputje nga puna ka përfunduar studimet e arsimit të lartë për gjuhë letërsi. Ka botuar katër libra me poezi: “Rektimat e dashurisë”, “Prushi i dashurisë”, “Më piku dashuria”, ““Luftë” me dashurinë”. Është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë-Amerikanë. Ka botuar librat në prozë: "Tregime","Faji" i Isakovskit, "Një meshë për "Rrobaqepsin" e Konti Monte Kristos", "Lotët e Kumrisë" dhe librat me poezi:"Eh,si qenka dashuria!","Kurthi i mallit","Kot s'jam i vdekshëm", "Njerëz që dua" dhe "Mbeta dashurive".Veç këtyre në "makzazinën" e tij krijuese janë në pritje për botim qindra poezi dhe dhjetra tregime. Në pritje për botim është një libër me esse dhe përshtypje të autorit për libra të autorëve shqiptarë. Në pirtmëni për një libër më vete, është dhe libri me përshtypjet e autorëve të tjerë për të. Jam i pranishëm me krijimet e mia në prozë e poezi në shumë "website" brenda e jashtë vendit.



Poezi të zgjedhura



Po thanë...
Po thanë për mua:
-Si mësues? Çka! Mesatar...
Po çfarë ka në këtë për t'u zemëruar?!

Po thanë:
Si poet? Shkruan shumë e për "lumë?!"
E përse do të  mërzitem unë?

Po, në thonë se dikë zhgënjeva si njeri,
Atëherë, kush të më dojë, të më qajë me oi...


Koha
Koha, më duket,se ka veshur pantofla
Dhe zë e reshperon pa u ndjerë
Po mua pse më"bloi" në mokrra?
Vallë, ç'është ky mister?


Dashuria dhe urrejtja

Dashurinë e kam të shëndetshme
E ruaj atë prej "erozionit"
E kam atë  të përjetëshme
Dhe i  bëj ballë "ciklonit".

Urrjetjen e kam bërë dalje
Nuk lejoj që diku të më bëjë "hije"
Gjithkush që jetës më ra "havale"
E harroj sim të jetë  j a s h t ë q i t j e..


Në se...

Në se lëvizja është jetë,
Unë jam më i fortë se një shkëmb
A s'kam ndryshuar kontinet?
Shkëmbi? Atje, në vend...


Kafshimi

Brez pas brezi unë jam fshatar
Dhe ka ndodhur që një qen më ka kafshuar.

Kafshimi i qenit më dhëmbi njëçik
Por, mend u tërbova, kur më "kafshoi" një mik.


Flokët

Flokët  e mi: më të ashpërit në botë
Kurrë nuk iu nënshtruan krëhërit
Por koka ime? Eh se ç'kokë?"
Sa herë me të i  kam rënë shkëmbit.


Po...

Po e harrova të ligën, le t'më nxjerrin një sy
 Në harrova të mirën, t'm’i nxjerrin që të dy!


Jam krenar

Me njerëzit që kanë halle dhe unë vuaj
Aq, sa për ta, mund dhe të qaj
Një njeri që nuk di të qajë, kurrë s'e bëj mik
Le të bëjë dhe "vezë të kuqe", është njeri i lig!


Politikanët

Lëkurën e kanë të trashë: si prej bualli
Durojnë mbi lëkurë thumba e thumba
Nuk koriten prej asnjë skandali
Dhe hiqen para zgjedhësve si pëllumba!

Faktet demaskonjëse i quajnë të rreme
Janë fryrë nga shëndeti si mamutha
Me pak përjashtime, të gjithë janë si vemje
Dhe ka prej tyre që janë dhe skutha.


Bisedë me  nanën *

- Po ha, lum nana, a  hajnë bukë aty, në Amerikë?
- Po hajnë, moj nanë, si nuk po hajnë?!!

Po mirë, bir-o, a po më digjon nji dekikë?
Po për çafarë po rrinë atje kur dhe na bukë po hajmë?!!!


*  pas kësaj bisede, burri nga Tropoja, u gjet i vdekur në lulishte të New-Jorkut.

** poezitë janë shkruar në Florida nga viti 2001- 2011


“Kush i quajti, vallë, ato të mallkuara - Epiteti “t’ Nemuna” pse u mbet ?


       Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA





ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE




AVDYL SULAJ






          
             Hyrje
  
           Avdyl Sulaj ka lindur më 1 korrik 1945 në fshatin Begaj, Tropojë. Ai ka punuar në shërbim të shtetit e të shoqërisë shqiptare në mbi 20 zanate, profesione e detyra të ndryshme, si bujk e bari, punëtor, nëpunës, mësues, bibliotekist e drejtor biblioteke, poet, prozator, studiues e publicist etj.
            Veprimtarinë botuese e ka nisur në vitin 1979 në publicistikë.
            Në rrjedhën e këtyre viteve ka botuar 8 libra, sikundër janë:

            1. Evropa e bashkuar, Shqipëria e copëtuar, Publicistikë, Tiranë 1999.
            2. Visare gjuhësore - kulturore nga Malësia e Gjakovës I, Tiranë, 2000.
            3. Visare gjuhësore - kulturore nga Malësia e Gjakovës II, Tiranë, 2003.
            4. Kristale alpine, Poezi, Tiranë, 2006.
            5. Fjalor fjalësh dhe shprehjesh popullore, Tiranë, 2009.
            6. Shkrime dhe hulumtime gjuhësore, Tiranë 2012.
            7. Krokodili mallëngjen fqinjët, Fabula, Tiranë, 2013.
            8. Larushia e fjalës në gojën e popullit, Tiranë, 2013.

            Ai ka në dorëshkrim dhe disa libra të tjerë me poezi, prozë etj.




EH, KËTA SHTEGTARË!

Zogjtë duke fluturuar me hare,
Tufa – tufa u nisën në shtegtim.
Bijtë e shqipes me sytë përdhe,
Rrugëve të fatit ikin në mërgim.

Zogjtë duke cicëruar në pranverë,
Sërish do të kthehen ndër këto fole.
Bijtë e shqipes a do kenë ndonjëherë
Stinë të lumtur kthimi në atdhe…?!



DHURATA SË DASHURËS PËR SHËN VALENTIN

Sot e dashur, për Shën Valentin
Dhuratat do t’i bëj nga peizazhi alpin.

Një fustan do ta end në vegjë të erës
Prej fluturzash bore te Kroni i Verës.

Një ylber do ta mbërrij lart në bjeshkë,
Me stofin e tij do të bëj një xhaketë.

Majë Shkëlzenit do të kap një vetëtimë,
Ta bëj fjongo flokësh të artë vizëllimë.

Gjerdan do ta bëj Valbonën shtatkristal
Mbushur në muzg yje dhe hënëza argjend e ar.

Në një bohçe resh ato do t’i  bie,
Zdritur me margaritarë e perla dashurie.



BJESHKËT E NEMUNA

Mes bukurive pa cak
të këtyre Bjeshkëve
Shtrirë në madhështi
Si kreshtë e madhe mali
Një pikëpyetje rri ?
“Kush i quajti, vallë, ato
të mallkuara ?
Epiteti “t’ Nemuna”
pse u mbet ?
me shtatë shkronjat
mbi shtatë shkëmbinj
si shtatë korba të zinj ?

Pse , vallë,  “t’ Nemuna”,
Pse,  të truara ?!
Kur duheshin pagëzuar:
Bjeshkët e Bekuara.



V E T Ë R O B Ë R I A

Në qendër të botës vëmë unin tonë
Marrëzisht gënjehemi për përjetësi.
Në kalë të lakmisë etshëm vrapojmë
Për seks, para, pushtet e lavdi.

Tradhti, mëkate, vese e smirë.
Kalit të tyre ia bëjmë tagji.
Lirisë së unit ato i bëhen zinxhirë
Dhe shpirtit tonë - vetëskllavëri.



NDALIMQARKULLIM NË ALPE

Tirani dimër zemërak,
Nga froni i tij në Majë të Hekurave,
Nxorri urdhërin e zi farmak:
“Ndalimqarkullim për banorët e bjeshkëve!”.

Malësorëve ua kumtoi me vetëtima,
Ua përsëriti me gjëmim të rrufeve.
Ortekë lëshoi poshtë në lugina,
Me borë qafëmaleve ngriti ledhe.

Në Çerem, Rrogam, Dragobi…
Njerëzit mbeten në kulla, ngujim.
S’pipëtinte kafshë e egër as bagëti,
Në atë të rreptë ndalimqarkullim.

Valbona shtatkaltër mësyu në betejë,
Iu vërsul ortekëve në luginë.
I shkriu e i zhbiroi tej për tej,
Jetë i dha visores  alpine të ngrirë.



TEMPULLI  IM

E vërteta, drejtësia,
e njerëzishmja, dashuria.

I shenjti tempulli im
Që i falem me përgjërim.



PËLLUMBAT MBI GJAKOVË

Një tufë pëllumbash të bardhë e të zinj
nën shatërvanin e rrezeve mëngjesore
lodrojnë me reflekset diellore
ulen e ngrihen, rrotullohen gjithë hijeshi.

Një  tufë pëllumbash të zinj e të bardhë
Njëri - tjetrin ndjekin fluturim
në qiellin e zgjedhur skenë për vallëzim
një simfoni bukurie luajnë radhë-radhë.

Këtë shfaqje të hyjnishme
E kundrojnë një tufë fëmijë.
E u thonë prindërve me doçkat prej qielli:
- O, babi! O, mami! Shihni ç’mrekulli!


Flori Bruqi, "Atdheu im s'më vret"

Shkruan: Flori BRUQI
      
ATDHEU IM S’MË VRET
-Poezi -



Librin e autorit Flori Bruqi, "Atdheu im s'më vret"mund ta shkarkoni falas në sektorin



(E falënderojmë përzemërsisht autorin)
  



ATDHEU IM S’MË VRET

Asgjë s’është harruar
kanë ikur korbat para syve të mi.
As koha e mjegullt nuk është më
as besojnë se Trimi është kthyer
me një ferman si Skënderbeu
t’ia japë Adem Jasharit
para kullës të ndodhë betimi.
Udhëkryqet pëshpërisin
shtëpitë akoma digjen
kohë më kohë diçka ikën.
Ujë dua të pi si në Epir
krojeve të Qyqavicës.
Ndryshimi absurd mund vdekjen
tek mbesin vetëm iluzionet
atdheu im s’më vret
dhe martirët janë të shenjtë.



SI HËNA PESËMBËDHJETË
(S.H)

Iku tetëmbëdhjetëvjeçare
e bukura S…
si hëna pesëmbëdhjetë
në fletore shkroi vjershën
për Mëngjesin në Prishtinë
i pëlqyen soliterët e lartë
dhe shtëpitë plot blozë
tjegullat e çative të ulta
me myshqe të venitura
shtegu i fushës kujtonte nënën
me këmbë t’amputuar
dhe Agimin e madh pas shiut
që lëkundin pemët në zgavra
në Prishtinë...
Ajo me gishtin tregues vizatoi
në xhamat e atelies
profilin e babait plak-Metë
pastaj e fshiu me dorë
dhe dorën e puthi
kur u kthye në vendlindje
vuri pëlhurën pas një karroje me sanë
në kalldrëm…
dhe vizatoi dridhshëm
një rrugicë fshati në muzg
në agimin e azhurtë
hapi dritaren
rrotulloi çuditshëm
lindjen e Diellit
hijet në vetminë e rrugës
dallëndyshet
një pikë vesë
në mbremjën e majit
ngriti penelin
dhe e ngjeu në Akuarelin e Hënës
pikturoi rrugën
me baltë të Strellcit
Durakun plak
kopshtet me dardhë
fshatarët e vyer
me drapërinj në duar
shtëpi me dyer të rënda
strehë me borë
hapësira bojë gushëpëllumbi
nga fshatrat malorë…



SELVITË NDANË RRUGËS

Shpirti i Saj
një lëndinë Qershori.
Selvitë ndanë rrugës
trupin e saj imitojnë.
E dua atë.
Era viteve
buzët do t’ia vyshkë
reliefin e kuq të mollëzave
vizat e rudhave do t’ia prishin
por megjithatë e dua.
Sot kur me të jam i dritëzuar
në shpirtin e përjetshëm
jam i rrethuar më njomësi
edhe me rrudha
nga pranvera e syve
margaritarë të Saj.



KUPA E HELMIT

Ata nuk e dinë
se poeti në komisariat
është torturuar
për mëkatin e bërë:
“Fjalës i kishte dhënë shumë fuqi...”
Fjala vriste më shumë se shpata,
fjala shëronte më shumë se mjalta...
Poetit i duhej dhënë kupa e helmit
të shpejtë apo të ngadalshëm
Ç’rëndësi ka?!



NË DITËN E TAKIMIT

Në ditën e takimit më fole
me zë tjetër
dhe unë çuditërisht prapë erdha
nga zemra të të shoh e të puthi
si Dielli kopshtin me lule.
Përse qe aq e ashpër?
Mos vallë
në qytetin tënd ilirik
të ndjekin
qentë e tërbuar,
ndonjë hije nate
apo do të mbetesh
e mbyllur sall për vete?
Arti nuk të do të vetmuar
as muzikë s’mund të ndjesh
një buzëqeshje do të kërkoj prore
dhe karafila do të dhuroj
e puthje të ngrohta,
mos hesht as mos ik luleborë.
Sigurisht ti ke për t’qeshur një ditë
dhe lufta mes unit tënd e urrejtjes
do të çmendë ty të tërën.
Vetëm jam dhe pres të vish…

Poezi nga libri "Atdheu im s'më vret"




Kush tha se ju keni vdekur?!


(www.sa-kra.ch)


       Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA





ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE




SADIK PËRVETICA





          
             Hyrje
  
            Sadik Përvetica lindi në fshatin Breznicë, rrethi i Prishtinës.
           Disa vjet punoi si mësues në vendlindje, kurse pas kryerjes së studimeve në Universitetin e Prishtinës, punoi si profesor i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqipe në një shkollë të mesme, për të vazhduar punën, më vonë, edhe si gazetar, lektor e redaktor në Radio-Prishtinë, më vonë edhe në Radio Kosovë, si dhe në disa gazeta e revista të kohës.
            Është fitues i disa çmimeve letrare për tregime dhe për pjesë teatrale.
            Shkruan prozë, poezi, drama, vështrime letrare, ese dhe publicistikë. Deri më tani ka botuar 14 vepra letrare.
            Jeton në Prishtinë.




IMAZHI I ATDHEUT 2015

Është nata e Vitit të Ri 2015
Jemi ulur rreth sofrave
Sofrat plot e zemrat bosh
Qirinj të ndezur për ata që na mungojnë
Për lypësit e kontejnerëve
Për fëmijët që na i hëngrën qentë
Për qentë me maska njerëzish
Për njerëzit që u shndërruan në qenë
Për të pagjeturit e luftës
Për Atdheun e copëtuar e të nëpërkëmbur
Për ata që po ikin nga ... vetvetja
Për fëmijët e ndarë nga bankat shkollore
Për lumin e lotëve të ndarjeve
Për dhembjet që s’po kanë fund
Për...
Për gjokset plot me medalje për merita
Për shkeljen e Atdheut në njëmijë mënyra
Për barkaçokët pa fytyra

Është nata e Vitit të Ri 2015
Gëzuar për ata që sonte
Mund të mos mendojnë për asgjë



ATDHE I CUNGUAR DHE I MUNGUAR

Zbrazëti e mohuar
Gjëmon e lëngon
Dënes e loton
Dhembjeve të Atdheut

Diçka më djeg nga brenda
Diçka më gërryen nga jashtë

Frymë e brymë ndrydhen e ndizen
Gjoksit të Mërgatës
Shqiptari dje dhe sot
Këndon e qan

Atdheut tim dje dhe sot
Dikush po ia lëndon zemrën
Dikush po ia rrjep lëkurën



IKJE NGA ATDHEU

Kur  peshku i madh e ha të voglin
E të voglit nuk i mbetet vend në det
Ai detyrohet të ik edhe nëpër male
Të ik e të dalë në kurbet



NJË MINUTË HESHTJE

Në emër të të gjithë popujve të robëruar
Një minutë heshtje
Për drejtësinë që shtiret
Në emër të humanizmit
Në emër të paanësisë

Kur vonesat janë vendimtare
Për jetën e njerëzve dhe
Për përfitim në kohë
Nga keqbërësit e të gjitha ngjyrave
Nga përfituesit e luftërave

Kur në emër të paçes
Bëhen luftërat më të pista

E nën maskën e humanizmit
Në kurriz të të robëruarve
Bëhen intervenime “humanitare”
Për pazare bizare





KUSH THA

Kushtuar të gjithë heronjve dhe dëshmorëve të kombit

Kush tha se ju keni vdekur?!
Ju tashmë jeni shkrirë aq natyrshëm
Në të gjitha buzëqeshjet e fëmijëve të Kosovës
Në tingujt e bukur të violinave
Në çerdhe vogëlushësh ku vlon gëzimi e hareja
Në lule pranverash të livadheve të gjelbëruara
Në fytyrat e gëzuara të mërgimtarëve
Në bukën e përditshme në sofrat e vendlindjes
Në imazhe solemne të qyteteve tona
Në ditë festash e gëzimesh
Në fjalët më të bukura artistike
Në piktura e peizazhe mahnitëse diellore
 Në dashurinë dhe lirinë e të rinjve
Në imazhin e bukur të shtetit
Në të drejtën e çdo njeriu
Për frymëmarrje të lirë e pa ofshama
Në gjumin e qetë pa ëndrra trishtues
Në barin shërues të të sëmurëve

Në secilin shesh e kënd të Atdheut
Kurmet tuaja roje nderi
Lapidarë krenarë e kufimbrojtës
Ku nuk do guxojë të shkelë kurrë më
Këmbë e barbarëve

Gjaku Juaj gjerdan i lirisë
Hartë bashkimi e gjithë Shqipërisë



Akademik Prof.dr.PhD. Rexhep Qosja mbi çthurjet ideologjike në shoqërinë shqiptare dhe eksperimentin proserb të ashtuquajtur “kombi kosovar”.

AKADEMIK REXHEP QOSJA Ideologjia e shpërbërjes – trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Argumente të shpikura për “k...