Gabriel García Márquez (Gabriel Garsia Markez i njohur edhe si Gabo), shkrimtari i njohur kolumbian lindi më 6 mars të vitit 1927 në Aracataca, një fshat i vogël pranë maleve të Karaibeve kolumbiane dhe vdiq më 17 prill 2014. Ai ishte djali i Gabriel Eligio García dhe Luisa Santiaga Márquez Iguarán.
Në atë periudhë dështoi shoqëria United Fruit, që deri në atë kohë kishte mbajtur ekonominë në rajon në një nivel mjaft të mirë nëpërmjet kultivimit të bananes. Si në çdo familje të asaj krahine edhe në atë Márquez gjendja financiare ishte në përkeqësim të vazhdueshëm, kështu që Gabrile së bashku me prindërit u transferua në shtëpinë e gjyshërve të tij në Riohacha.
Tetë vjetët e para të jetës së Markezit kaluan qetësisht, të mbushura me historitë magjike të gjyshes Tranquilina Iguarán dhe tregimet epike të gjyshit Nicolás Ricardo Márquez Mehija, në shtëpinë e të cilit dëgjoi historinë e masakrës së plantacioneve të bananes, ku u vranë mbi 100 njerëz, që më pas u varrosën në një varr masiv. Nga goja e gjyshit dëgjoi bëmat e jashtëzakonshme të gjeneralit Rafael Uribe Uribe, protagonist absolut i Luftës Njëmijë Ditore (1899-1902), një nga ngjarjet më të rënda dhe më të përgjakshme në historinë e Kolumbisë.
Ne vitin 1935 humbi gjyshin dhe kjo ngjarje ndikoi shumë në gjendjen shpirtërore të 12 vjeçarit Márquez, i cili një vit me pas shkon në Barrankija për të studiuar në shkollën San Hosé. Më 1942 u transferua në Zipaquirá për të përfunduar gjimnazin. Ne moshën 20 vjeçare fitoi të drejtën e studimit në Universitetin e Bogotá, dega drejtësi.
I mërzitur nga jeta e përshpejtuar e kryeqytetit kolumbian dhe nga i ftohti i krahinës se Andeve, Gabriel mbyllej në dhomën e tij ku lexonte kryeveprat e autorëve me të mëdhenj latinë dhe spanjisht-folës. I mahnitur nga letërsia, filloi të shkruante duke braktisur studimet.
Megjithë pasionin e madh për librat Márquez ishte një nga ata që vuanin situatën e Kolumbisë që po kalonte një periudhë ku dhuna ishte gjithnjë e pranishme. Me 9 prill 1948, filloi e famshmja El Bogotazo, e njohur si treditëshi i dhunës në kryeqytet, që përfundoi me vdekjen e drejtuesit liberal Jorge Eliecer Gaitán. Gjatë atyre ditëve të përgjakshme disa njerëz hynë në apartamentin e tij dhe dogjën gjithçka. Márquez vendosi të shkonte në Kartagjenë ku gjeti punë si redaktor e më pas si reporter për gazetën "El Universal".
Në vitin 1949 vendosi të rikthehej në Barrankija, ku filloi të punonte si gazetar dhe u bashkua me “El Gruppo de Barranquilla”, që përbehej nga të rinj që kishin pasion letërsinë. Një vit më pas publikoi në faqet e gazetës "El Espectador" të Santa Fésë një tregim me titull "La tercera resignación".
Në vitin 1952, mbaroi së shkruari romanin e tij të parë, “La hojarasca” (përkthyer shqip si Gjethurinat) dorëshkrimin e të cilit e dërgoi në Argjentinë. Pas tre javësh në përgjigjen që i erdhi shkruhej që mund të merrej me çdo gjë përveç se me letërsi.
Në vitin 1955 fitoi çmimin e parë në një konkurs, ku konkurroi me tregimin "Un día después del sábado" (Dita pas së shtunës). Falë dhuntive të tij narrative, García Márquez në një hark kohor mjaft të shkurtër u bë një nga emrat më të rëndësishëm të gazetarisë kolumbiane.
Intervistat, artikujt dhe opinionet e tij ishin të mirëpritura në çdo redaksi. Te gjitha punimet e tij deri në 1956, u publikuan si një libër i vetëm me titull "Relato de un náufrago", që trazoi skenën politike në vend pasi aty trajtoheshin trafiqet e drogës nëpërmjet detit.
Qëndrimi i Markezit ndaj këtij fenomeni gjeti aprovimin e popullit, por provokoi keqas politikanët. Në nëntor të vitit 1956 drejtori i gazetës "El Espectador", për të cilën punonte Markez, mori urdhër nga disa qeveritarë që të pushonte nga puna shkrimtarin.
Nga miqësia e ngushtë dhe respekti i madh, drejtori vendosi ta dërgonte në Zvicër, ku do të punonte si reporter për gazetën e tij. Edhe pas falimentimit që ndodhi një vit me pas, Markez vendosi të qëndronte në Zvicër. Gjatë jetës në Evrope, ai vizitoi shumë qytete të famshme të kontinentit të vjetër së bashku me mikun Plinio Apuleyo Mendoza. Udhëtimi në fjalë shërbeu si frymëzim për të shkruar "90 días en la cortina de hierro". Më 1958, pas një qëndrimi në Londër, García Márquez u kthye në Amerikë, për t’u vendosur më pas në Venezuelë.
Në Barrankija, u martua me Mercedes Barca, me të cilën pati dy fëmijë, Rodrigo (lindur në Bogotá në 1959) dhe Gonzalo (lindi në Meksiko në 1962). Më 1961 u transferua në New York ku filloi punën si korrespondent i Prensa Latina. Kërcënimet e vazhdueshme nga ana e CIA-s dhe kubanëve e shtynë të transferohej në Meksikë.
Më 1967 realizoi kryeveprën e krijimtarisë se tij “Cien años de soledad“ (përkthyer shqip si Njëqind vjet vetmi), një libër që shënon kulmin e të ashtuquajturit realizëm magjik. Më 1974 dolën në treg “Ojos de perro azul” dhe "El otono del patriarca" (Vjeshta e patriarkut), dy veprat më komplekse të krijimtarisë së tij, një metaforë e gjerë mbi vetminë, mjerimin si pasojë e pasurimit.
Nga viti 1975, Márquez jetoi midis Meksikës dhe Kartagjenës, Havanës e Parisit. Më 1982, u vlerësua me çmimin Nobel për Letërsinë. Më 2002 publikoi vëllimin e parë të Vivir para contarla (Të jetosh për të treguar), ndërsa dy vjet më pas veprën e tij të fundit, të paktën deri tani Memorias de mis putas tristes (përkthyer në shqip nga Mira Meksi me titull Kujtim kurvash të trishta). Aktualisht Gabriel García Márquez jeton në Mexico Disctricto Federal në Meksikë, ku shkruan autobiografinë e vet dhe lufton kancerin limfatik. Ndër veprat e tij me të mëdha përmenden Dashuri në kohërat e kolerës, Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar dhe “Njëqind vjet vetmi” e cila është përkthyer në shqip nga i madhi Robert Shvarc, Gjenerali në labirintin e tij, Erendira etj. Veprat e Markezit në shqip i kanë përkthyer Ramiz Kelmendi, Veton Surroi, Aurel Plasari, Mira Meksi e Robert Shvarc.
Tituj të veprave të botuara në Shqipëri
Njëqind vjet vetmi, (Cien años de soledad) 1967
Vjeshta e patriarkut, (El otoño del patriarca) 1975
Varrimi i Nënë Madhes, (Los funerales de la Mama Grande) 1962
Histori e Miguel Litinit, ilegal në Kili , (La aventura de Miguel Littín clandestino en Chile) 1986
Kolonelit nuk ka kush t’i shkruajë, (El coronel no tiene quien le escriba) 1961
Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar, (Crónica de una muerte anunciada) 1981
Gjethurinat, (La Hojarasca) 1955
Një histori me paskuinë (La mala hora) 1961
Dashuri në kohën e kolerës, (El amor en los tiempos del cólera) 1985
Gjenerali në labirinthin e tij, (El general en su laberinto) 1989
Erendira 1983
Për dashurinë dhe demonë të tjerë, (Del amor y otros demonios) 1994
Historia e një rrembimi, (Noticia de un secuestro) 1996
Kujtim kurvash të trishta , (Memorias de mis putas tristes) 2004
Dymbëdhjetë tregime pelegrine, (Doce cuentos peregrinos) 1992
Të jetosh për të treguar, (Vivir para contarla) 2002
“Gabo” Markez nuk e kishte pritur kurrë të bëhej shkrimtar. Imagjinata e tij kishte mbetur te muzika. Ai ishte një fëmijë gjeni, një adoleshent i trazuar dhe pas përpjekjeve të pareshtura, u bë dhe një shkrimtar i madh
LA VIDA DE GABRIEL GARCÍA MÁRQUEZ MOTIVA UNA EXPOSICIÓN EN MÉXICO
Gabriel Garsia Markez është një nga autorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Historia e jetës së tij është një antidot trimërie ndaj mitit tiranik se djepi fëmijëror është thelbësor për të krijuar gjeni dhe kundër idesë se vetëm ata që kthejnë ëndrrat e fëmijërisë në realitet, janë të destinuar të bëjnë ndryshim kulturor. Ideja e gabuar se nëse nuk ke një vegim të qartë të qëllimit tënd në jetë që në fëmijëri, atëherë jeta jote do të zhytet në mediokritet, nuk funksionoi për Markezin.
Gabriel Garcia Marquez
Ai nuk pati një qartësi të tillë të qëllimeve të tij. As Van Gogu nuk e kishte të qartë se çdo të bënte në jetë. Në vend të kësaj, jeta e autorit shumë të njohur është një dëshmi e gjallë se qëllimi i jetës nuk është diçka me të cilën bind, por diçka që e gjen dhe që e kultivon, diçka që zbulohet vetë teksa jeta rrjedh, edhe nëse nuk e kupton që në fillim se çfarë do të ndodhë.
Markez ( origj: Gabriel Garcia Marquez ) u rrit me dëshirën për t’u bërë muzikant.
“Kam ëndërruar për jetën e mirë, duke shkuar nga një panair në tjetrin duke kënduar me fizarmonikë, gjë që dukej mënyra më e vjetër dhe më e lumtur për të rrëfyer një histori”, shkruan ai në librin e kujtimeve të tij “Të jetosh për të rrëfyer përrallën”, përpara se të merrte parasysh mundësinë e karrierës si një shkrimtar.
“Unë nuk kisha kurajën dhe ndjesinë e pavarësisë si vëllai im, Luis Enrike, i cili bëri vetëm atë që dëshironte në jetë. Dhe i cili pa dyshim do të arrinte një lumturi që nuk ishte diçka që dikush do ta dëshironte për fëmijën e tij, por diçka që i lejon t’u mbijetojë dashurive të papërmbajtura, frikës dhe pritshmërive të prindërve të tyre.
Pritshmëritë e prindërve të tij ishin shumë të larta. Si djalosh, Gabo kishte qenë gjithnjë një nxënës i shkëlqyer, një fëmijë gjeni dhe jo problematik – aq shumë saqë gjyshja e tij, që ishte e rëndësishme në rritjen e tij, shpesh e përgëzonte si ‘fëmijën e përkryer’.
Por më pas ai po përpiqej në shkallën e dytë të edukimit, i pakënaqur në një shkollë që kishte një reputacion të keq si një laborator i shtrembërimit politik. I brengosur, ai filloi të shoqërohej me shokë të dyshimtë, të abuzonte me alkoolin dhe të qëndronte jashtë gjithë natën – ai kishte ndryshuar drejtim, siç e thoshte edhe vetë, kishte marrë rrugën e gabuar.
Prindërit e tij ishin shumë të çuditur nga ndryshimi i papritur. Markez tregon për një bisedë shumë të rëndësishme që pati me nënën e tij në moshën 18-vjeçare.
“Epo, unë nuk e di se çfarë do të bëjmë”, i tha ajo pas një heshtjeje vdekjeprurëse, “sepse nëse ia themi të gjithë këtë babait tënd, ai do të pësonte një vdekje të menjëhershme. Nuk e kupton se je krenaria e familjes?”
Për ata ishte e thjeshtë: meqenëse nuk kishte mundësi që unë të bëhesha një fizikan i njohur, gjë të cilën babai im nuk ia doli të ishte, sepse ai nuk kishte para, ata ëndërronin që të paktën të bëhesha një profesionist në diçka tjetër.
“Unë nuk do të bëhem asgjë fare”, përfundova unë. “Refuzoj t’ju lë të më detyroni të bëhem diçka që nuk dua të jem apo ç’ka do të donit ju të bëhesha unë, aq më pak se çfarë do qeveria që të bëhem”.
Këto biseda të tensionuara, u përsëritën gjatë javës në vazhdim derisa një ditë nëna e tij i tha, ‘si të ishte rastësisht’ diçka që atë e befasoi pamasë:
“Thonë se nëse i përkushtohesh me gjithë shpirt, mund të bëhesh një shkrimtar i mirë”.
Nuk kisha dëgjuar kurrë diçka të tillë në familje. Qëkur isha fëmijë prirjet e mia më kishin lejuar të supozoja se do të isha një muzikant, të këndoja në kishë, ose të isha një poet i së dielës. Kisha zbuluar te vetja një tendencë, e njohur për këdo, drejt shkrimit që ishte i ndërlikuar dhe i brishtë, por kësaj here, reagimi im ishte befasues.
Pavarësisht se përgjigjja e tij ishte një skepticizëm përbuzës, meqenëse cinizmi është shpresë e thjeshtë e maskuar me frikë, në të gjendej një aspiratë që do të përcaktonte jetën e tij:
“Nëse do të bëhesh një shkrimtar, atëherë duhet të jesh një shkrimtar i mrekullueshëm, sepse nuk ka më të tillë”, i tha e ëma. “Mbi të gjitha, ka mënyra të tjera për të vdekur për bukë”.
Por sapo veli i cinizmit rinor u shua, Markez pa se nuk kishte shpresë tjetër, por të bëhej një nga më të mirët. Katër dekada më vonë, ai mori çmimin Nobel në Letërsi për romanet dhe novelat e tij, në të cilat fantastikja dhe realiteti kombinohen në një botë të pasur imagjinare, një reflektim i jetës dhe konflikteve të kontinentit.
Flori Bruqi