Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/09/13

Letra e fundit e Mitrush Kutelit(Dhimitër Pasko) për të shoqen

Përgatiti:Flori Bruqi
Image result for mitrush kuteli

Dhimitër Pasko (Pogradec, 13 shtator 1907 ─ Tiranë 4 maj ( 1967) ka qenë shkrimtar, përkthyes dhe ekonomist shqiptar, i njohur ndryshe me emrin e penës Mitrush Kuteli.

Familja e Mitrush Kutelit, rrjedh nga fisi shqiptar Kuteli, i shpërngulur në Mokër e pastaj në Pogradec nga qyteti i Artës, në fillim të shek. 19-të, për shkak të mizorive të Ali pashë Tepelenës. I ati, Pandi, i biri i Pasko Kutelit, ishte rrobaqepës që kish jetuar 24 vjet në mërgim, në Rumani, duke punuar si murator e bojaxhi.

Atje kish mësuar shkrimin e shqipes dhe ish njohur me disa nga patriotët e kohës, mes të cilëve me Nikolla Naçon. Pas kthimit në Shqipëri, vazhdoi zanatin e rrobaqepësit dhe të bojaxhiut e në të njëjtën kohë bënte dhe punën e ndërlidhësit për të futur dhe shpërndarë në vend librat shqip të shtypura në kolonitë e mërgimtarëve.

I burgosur shpesh herë në kohë të Osmanëve, gjatë pushtimit serb e atij bullgar. Pas shpalljes së Hyrrijetit hapi një librari, e para librari shqipe në Pogradec. Mitrushi - trajta përkëdhelës e emrit Dhimitër - lindi më 13 shtator 1907 dhe ishte i vetmi djalë mes dy motrash: Agllaisë dhe Liries.

Në shtëpinë e tyre, që bastisej dendur për libra shqip, vinin luftëtarët e kohës: Dervish Hima, Abdyl Ypi, Mihal Gramenua, Telemak Gërmenji, Memduh Zavalani, Themistokli Gërmenji, Pasa Pema, Vasil Tromara, etj. Në një mjedis të tillë, të mpleksur dhe me përrallat e Nënës, Kuteli jetoi fëmijërinë dhe mori bazën letrare.


Image result for mitrush kuteli


Mbresa të pashlyeshme i lanë më pas dhe librat e librarisë së vogël të të atit. Leximet e tij të para lidhen me emrin e Naimit, Çajupit, Spiro Dines, Gramenos, Lumo Skëndos, më vonë edhe të Fan Nolit. Shkollën fillore e kreu në Pogradec, më 1919. Po këtë vit botoi vjershat e tij të para "Mëmës Shqipëri" dhe "Skënderbeu" - në kalendarin "Pogradeci".

Pasi priti dy vjet t'i plotësoheshin kushtet ekonomike të familjes, më 1921 Kuteli shkoi në Selanik, ku i ati kish mundur t'i siguronte një bursë për në Shkollën Tregtare Rumune. Kishte prirje për letërsi e dëshirë për mjekësi, por mundësitë iu krijuan në degën ekonomike.

Më 1926, 19 vjeçari Kuteli ishte një nga themeluesit dhe drejtuesit e Shoqërisë së nxënësve shqiptarë të Selanikut ku merrnin pjesë të rinj nga të gjitha shkollat e qytetit. Shoqëria u quajt "Kostandin Kristoforidhi", siç propozoi Dhimitri. Nga viti 1924 kish filluar të botonte në shtypin shqiptar "të jashtëm", tek "Shqipëria e Re" dhe "Kosova" që dilnin në Kostancë të Rumanisë.

Image result for mitrush kuteli


Shkrimet e tij flisnin për Atdheun, për ngjarjet e vitit 1924, vajtonin vrasjen e Gurakuqit e të Bajram Currit. Në këto vite Kuteli botoi dhe artikujt e parë në fushën e kritikës letrare - vlerësime, përshtypje, analiza, të dhëna për autorë e vepra. Por pjesa më e madhe e shkrimeve i kushtoheshin monedhës, çështjes agrare dhe problemeve ekonomike.

Studjoi ngjarjet e së kaluarës në fushën e financave dhe kritikoi Bankën Kombëtare të Shqipërisë, duke faktuar spekullimet e saj në dëm të ekonomisë së vendit. Ndër këto shkrime Kuteli përmend më pas "Kriza e koronës dhe Banka Kombëtare", që u botua si kryeartikull më 1928 në gazetën "Telegraf".

Po atë vit, shteti shqiptar i refuzoi kërkesën për bursë që të vazhdonte studimet e larta në Paris, ndonëse shkollën e mesme e mbaroi shkëlqyeshëm, duke kaluar dy klasat e fundit në një vit. Kuteli shkoi në Bukuresht (1928) dhe filloi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike, duke punuar njëkohësisht si llogaritar.




Banonte në një mansardë, megjithatë ndiqte edhe kurse letërsie, kritike, folklori, etj. Lexonte frëngjisht, rumanisht, italisht, latinisht e greqisht. Ishte antar, më pas sekretar dhe në vitet 1931-34 kryetar i Shoqërisë së studentëve shqiptarë të Rumanisë.

Në vitet 1928-1933 drejtoi gazetën "Shqipëria e Re" në Kostancë, në faqet e së cilës hapi më 1929 rubrikën "Shënime Letrare". Duke vazhduar punën e filluar në Selanik për të nxjerrë në pah disa nga vlerat e kulturës sonë sidomos në fushën e letërsisë, Kuteli shkroi artikuj mbi Naimin, Çajupin, Gramenon, Papa Kristo Negovanin, Asdrenin, Hilë Mosin, Lasgushin, Loni Logorin, Filip Papajanin, Ali Asllanin, etj.


Image result for mitrush kuteli


Me pseudonime të ndryshme botoi artikuj mbi çështjen e Bjeshkës së Velipojës të Vermoshit dhe mbi Manastirin e Shën Naumit. Në fushën ekonomike - shkruan rreth monedhës dhe kreditit, për problemet ekonomike dhe abuzimet administrative si dhe kundër disa koncensioneve që i ishin dhënë kapitalit italian - Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe Shoqërisë AGIP për të shfrytëzuar tokat vajgurore shqiptare dhe për të mbajtur monopolin e karburanteve në vend.



Image result for mitrush kuteli


U diplomua më 1931 dhe në shkurt 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare me vlerësimin më të lartë "Diplomam Magnam cum Laudæ". Një nga shokët e tij të shkollës, Ionel Zeana, ka shkruajtur pas më se gjashtëdhjet vjetësh:«Dh. Pasku kreu studime të shkëlqyera, duke u dalluar qysh në fillim si një element i jashtzakonshëm, jo vetëm përmes kapacitetit të tij intelektual të veçantë, po edhe përmes seriozitetit, maturisë, ndërgjegjshmërisë, forcës për punë dhe krejt qendrimit të tij moral, cilësi këto që tërhoqën vemendjen, vlerësimin dhe mbrojtjen e profesorit të tij të madh të financave, Viktor Slëvescu, prijësi liberal, ish-ministër dhe guvernator i Bankës Kombëtare. Duke e marrë doktoratën në financa, me një tezë të vlerësuar në superlativitet, Dhimitër Paskut iu hapën perspektiva nga më të bukurat, për realizimin e një karriere të shkëlqyer. I angazhuar më së pari si funksionar, ai arriti brenda një kohe të shkurtër të bëhet drejtor i Bankës Kombëtare, duke iu përkushtuar ekskluzivisht ekzigjencave të një profesionaliteti të ngushtë, pa u regjistruar në ndonjë parti politike".
Gjatë qendrimit në Rumani punoi dhe në ministrinë e Financave si nëpunës i lartë dhe drejtoi edhe bankën e Çernëucit.Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, Kuteli rrëfen kështu mbi presionet që i vinin:

Image result for mitrush kuteli

"Unë kam pasur gjithnjë, si bir i një populli të vogël, një urrejtje të madhe kundër idesë së zezë `popuj mbi popuj` ose `të mëdhenj mbi të vegjël`, por `popuj përkrah popujsh`... Një nga pasojat e para ka qënë një `skedë e zezë` ardhi e më foli dikush në bankë: - Ç'po bën kështu? Nuk e di ç'të pret? Pse kundërshton që vendin e kapitalit çifut, ta zërë kapitali mik gjerman?"
Kuteli vazhdoi të përkrahë ekonominë vendase, derisa e mobilizuan dhe e nisën në front, drejt Stalingradit. Megjithatë, veshur me uniformë, në qendrimet mes marshimeve mblidhte këngë popullore moldave, mbante shënime, njihej me njerëz të thjeshtë, me letërsinë ukrainase, thellonte njohuritë e gjuhës ruse.

Sidoqoftë, pati fatin të mos i afrohej kurrë Stalingradit, madje as arriti të hyjë në Rusi: një telegram urgjent nga Pogradeci i thosh se Nëna e tij ishte shumë e sëmurë e se duhej të nisej sa më shpejt për në vendlindje. E ndihmuan miqtë që kish në Bukuresht, të cilët i rregulluan një leje për t'u larguar nga vargu i ushtarëve dhe më pas e përfshinë në një dërgatë ekonomistësh që nisej me shërbim pune në Romë. Mundi t'arrijë në Pogradec në shtator 1942. Nëna kish ndërruar jetë më 28 gusht.

Dhimitër Pasko u punësua në Bankën e Shtetit Shqiptar, si këshilltar në fushën e monedhës. Ai pati kontradikta me gjermanët sepse nuk ishte dakord me emetimin e monedhës së re, për të financuar ushtrinë e tyre në Shqipëri. Në tetor 1944 kalon në zonat e pakontrolluara nga gjermanët.


Image result for mitrush kuteli


Në vitet 1943-1944 Kuteli botoi shumë artikuj në shtypin e asaj kohe, në fushën ekonomike dhe në letërsi, kritikë letrare, publicistikë dhe folklor.Ai botoi dhe disa vëllime me prozë, poezi, pamflete, kritikë letrare dhe folklor.


Dhimitër Pasko emërohet drejtor në Drejtorinë Qendrore pranë Bankës së Shtetit Shqiptar në janar të vitit 1945. Gjatë kësaj periudhe ai ideoi e zbatoi disa nga operacionet më të rëndësishme financiare të pasluftës, si vulosja e monedhës, emetimi i çeqeve monedhë për plotësimin e nevojave të para financiare etj.

Pasko dha dorëheqjen në gusht të vitit 1946, pasi nuk pranoi kursin e këmbimit të caktuar nga shteti shqiptar mes lekut dhe dinarit jugosllav. Në maj të vitit 1947 atë e arrestuan dhe e dënuan si “Armik i Popullit” me 5 vite heqje lirie. Pasko u lirua nga burgu në prill 1949, pas prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë.


Image result for mitrush kuteli


Pas kësaj, Pasko nuk punoi më në ekonomi dhe shkroi vepra origjinale vetëm në kohën që i mbetej nga përkthimi, veprimtari të cilën e kishte zgjedhur si një mënyrë për të siguruar jetesën me ndershmëri, në kushtet e një diktature që diktonte gjithçka. Kuteli mbylli sytë më 4 maj 1967.

Tituj të veprave

Rrjedhin lumenjtë

Vjeshta e Xheladin Beut

Lasgush Poradeci (1937)

Netë Shqipëtare (1938)

Pylli i gështenjave (1958)

Ago Jakupi, e të tjera rrëfime (1943)

Sulm e Lotë (1943)

Shënime letrare (1944)

Havadan më havadan (1944)

Kapllan Aga i Shaban Shpatës (1944)

Dashuria e barbarit Artan për të bukurën Galatea (1946)

Tregime të moçme shqiptare (1965)

Tregime të zgjedhura (1972)

Baltë nga kjo tokë, (1973)

Në një cep të Ilirisë së poshtme (1983)

Këngë e britma nga qyteti i djegur

E madhe është gjëma e mëkatit (1993)

Xinxifilua (1962)

Rine Katerineza

Përkthime

"Kujtimet e një gjahtari" të Turgenjevit

"Tregimet e Petërburgut" dhe "Shpirtra të vdekura" të Gogolit

"Zotërinj Gollovlinovë" të Sllatikov Shçedrinit





*********



Letra e fundit e Mitrush Kutelit për të shoqen




E dashur Efterpi,

Këtë letrë, që është, ndofta, e fundit, desha të ta shkruaj me dorë, po nuk mund. Sot nuk e kam dorën të sigurtë, më dridhet. Ti s’je këtu. Ke shkuar me Pandin në Rrushkull për të parë Poliksenin dhe Atalantën. Të nxita më shumë unë. Nga brenga, nga malli. Jam vetëm në shtëpi. Doruntina ka shkuar të lozë me vajzat e Bajramit.

Mendjen e kam të turbullt nga pagjumësia, nga ëndrrat e këqia. Sikur më ndiqnin gjermanët, që të më varnin. Iknja me vrap, hynja në gropa e puse, dilnja prapë. Ata më ndiqnin. Ment më kapnin. Iknja përsëri. Në një çast u gjende edhe ti pranë meje. Dhe iknim. Pastaj u ndamë. Fundja u gjenda i ndjekur nga njerëzit tanë. Prapë gropa, puse, gremina. Sikur isha në Berat, nën Kala. Në një sterrë të Kalasë, pranë Kishës. Më tej, në Fier. Kisha shpëtuar nga ndjekjet dhe kërkonja ndonjë shtëpi për t’u fshehur.

Isha i zbathur, i zveshur. Dikush më thirri: “Qëndro, Dhimitri! Të zumë”. Më rrethuan, më zunë dhe po më shpinin të më vrisnin. Unë qeshnja. Kisha qef të më vrisnin… Dhe ja, u gjenda në burg. Shumë njerëz. Midis tyre Sofo Çomorra, që ka vdekur. Më shikonte me dhembje. “Si u bë kështu, o Pasko? Ç’ke bërë?” –“S’di”. –“Shiko këtu”. Dhe më dha ca shkresa të shkruara bukur: një akt akuzë dhe ca lidhje të tjera. Më quanin bejtexhi. Më thoshin se kisha bërë një vjershë për glyrën me rima italiane. Pashë Andrean. I ardhi keq. U vendos të më vrasin. Prapë u gëzova. –“Fundja, do vdes, thashë. Do të shpëtoj. Do çlodhem. Jeta ime ka qenë shumë e turbullt, e ngatërruar, e mirë dhe e keqe. Sa mirë që mbaroi”. Kur u ngrita, ti po bëheshe gati për në Rrushkull. Kokën e kisha, dhe e kam, të rëndë. Ti shkove më 7 e gjysmë. Pas 5 minutash ardhi Ilua i Sterjos e më solli lajmin: vdiq Thanas Cikuli… Sipas mendjes sime, shpëtoi. E kam zili. Vdekja është prehje e madhe, shkëputje nga dhembjet. Vërtet, edhe nga gazet, por në një kohë, kur njeriu është shumë i sëmurë, i mërzitur, vdekja është shpëtim: nga dhembjet fizike e shpirtërore. Që të dyja janë të rënda. Ti e di sa dhembje të tilla kam pasur në kohën e fundit. Njëra, që ti ma di, është se si pasojë e tyre nuk jam i zoti të punoj, të krioj, të paguaj bukën që më jep shteti për vete e për fëmijët. Unë s’kam qënë e s’dua të jem kurrë parazit. Po ç’të bëj, grua? S’mund. Kokën e kam të turbullt…..

Letrën e nisa për tjetër gjë: të të përsërit porositë e mija të fundit. Më fal se të mërzit. Unë t’i kam thënë kaq herë. Të kam helmuar jetën, sepse edhe mua ma kanë helmuar të tjerët. Dhe s’kam qënë i zoti ta mbaj helmin për vete, siç më takon. Ky qoftë i fundit që po të sjell.

Ne u bashkuam, rrojtmë, dhe bëmë fëmijë në vjete stuhie: burg, urbanizëm, hotel. Po atëhere kisha shëndet dhe i kapërxeva të gjitha. Tani, ti e di… I di ditët e netet e mija. Sëmundjet dhe brengat më brehnë, më hëngërn. Unë e shoh tani vdekjen si një lirim nga dhembjet. Nuk e dua, po nuk e largoj dot. E shoh se afrohet, më çik. Më vjen keq se do t’i le fëmijët të vegjël, pa krah, mbase në vobekësi të madhe, në pamundësi për t’u arritur synimeve. Pensioni im nuk do të mjaftojë. S’kam “vjete shërbimi”. Domosdo, 22 vjet jashtë. Edhe atje kam punuar sa jam shuar, por këtavjete pune nuk peshojnë për efekt pensioni. Fati im i keq, fati i tyre i keq. Ndofta, pas vdekjes, kur të pushojnë pasionet dhe urrejtjet, shteti ynë mund t’ju ndihmojë për hir të punës sime së kaluar: në gazetari dhe letërsi, që në moshë të njomë, dhe sidomos në fushën ekonomike. Një pjesë të shkrimeve të mija-shqip dhe rumanisht- janë aty, në Bibliotekën Kombëtare. Disa njerëz i dinë përpjekjet e mija kundër kapitalit italian, kundër grabitjeve gjermane. Kam punuar pa interes vetiak, bile kundër interesit vetiak. Nuk kam ndjekur kurrë pasurimin tim, sepse ky pasurim mund të bëhej vetëm me dy mjete: me vjedhje (ka njëmijë e një mënyra vjedhjeje dhe unë s’kam përdorur asnjërën) dhe me trathëti, duke u shërbyer të huajve për të grabitur vendin dhe duke marrë para për këtë shërbim. Zgjodha rrugën e kundërt: luftën kundër atyre që donin të grabisnin, atyre që grabisnin. Nuk i ndala dot të tëra, jo se s’desha, jo se kisha interes, po se s’munda. Kaq munda, kaq bëra. Kundër grabitjeve italiane, kundër grabitjeve gjermane, kundër grabitjeve jugosllave. Nuk zgjodha kurrë udhën e rehatit vetiak, udhën e “urtë e butë e lugën plot”. Kam punuar shumë, kam dashur shumë, kam gabuar shumë. Tani jeta shkoi, nuk kthehet dot, nuk ndreqet dot. Të kam treguar se gjermanët do të më varnin përpara bashkisë, kur muarr vesh se kisha sabotuar nxjerrjen e monedhës së re që donin të bënin. Më shpëtoi fati. Nuk do të skuqem kurrë nga turpi as me veprimin tim në ditët e para të çlirimit. Punova si i marrë, luftova kundër grabitjeve jugosllave. Aq më fort nuk mund të skuqem nga turpi për veprimtarinë time praktike-në fushën ekonomike-në Rumani. Edhe atje kundër gjermanëve. Unë kam pasur gjithnjë, si bir i një populli të vogël, një urrejtje të madhe kundër idesë së zezë “popuj mbi popuj” ose “të mëdhenj mbi të vegjël”, por “popuj përkrah popujsh”. Ky parim ka ushqyer në mënyrë të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme, automatikisht, veprimtarinë time. Kam qënë kundër rusëve sepse ata mbajnë nënvete dhe shkombëtarizojnë popuj të tjerë; kundër gjermanëve sepse kanë shfrytëzuar dhe zhdukur popuj të tjerë, kundër anglezëve për të njëjtën arësye. Biri i një populli të vogël nuk mund të bënte ndryshe. Në Rumani kam luftuar, aq sa mund të luftojë një njeri i vogël, kundër shfrytëzimit të kapitalit vëndas dhe të huaj. Këtë qëndrim kam pasur edhe kur isha drejtor banke. Një nga pasojet e para ka qënë një “skedë e zezë” në aparatin gjerman të Vjenës, më 1940-41. Për këtë “skedë të zezë” ardhi e më foli dikush në bankë: “Ç’po bën kështu? Nuk e di ç‘të pret? Pse kundërshton që vëndin e kapitalit çifut ta zerë kapitali mik gjerman?” Unë di një gjë: kapitali s’mund të jetë kurrë mik, po vetëm kapital. Ay ushqehet me fitime, mbahet me fitime, rron për fitime. Dhe fitimet s’kanë kurrë të mbaruar. Njëja kërkon të bëhet dy, dyja katër, katra tetë, mija dhjetë mijë, milioni qindmilion e kështu me radhë. Në dëm të njerëzve, të popujve. Si ish drejtor tri bankash (gjithnjë i varfër) di se fitimi i vjetër nuk ngopet me fitim të ri, siç nuk ngopet deti me ujë.

Do të më njohë dhe do të më kuptojë dikush, të paktën pas vdekjes? Nuk di. Desha të më kuptonte dhe njihte jo për nder e lavdi, po që fëmijët e mij-të cilëve u le trashëgim punën dhe ëndrat e mijatë mos vuajnë për bukë sa janë të vegjël, të ndjekin studimet dhe të gjejnë udhën e tyre në jetë.

Jam i sigurtë se po të vlerësohej në këtë drejtim puna dhe përpjekjet e mija në të kaluarën, fëmijët nuk do të vuanin.

Nisa të të shkruaj një letrë të shkurtër lamtumire, dhe u nxeva-ndonse më buçasin veshët e më dhemb koka prapadhe shiko se ku arrita.

Dëgjo!

Shenjat nuk i kam të mira. Tensioni ngrihet e ulet, zemra ngec. Nisem për në zyrë a për shëtitje dhe më priten këmbët, më mbahet fryma. Ndalem e helmohem me ilaçe. Netet i kam skëterrë, siç e di vetë. Këto të gjitha thonë se nuk e kam të gjatë. Pra, mos u hidhëro se po të porosit edhe një herë.

1. Kur të vdes mos bëni lajmërime nga ato që ngjiten nëpër muret.

Vdekja është një ngjarje që i takon atij që vdes dhe shtëpisë së tij. Pse ta dijë bota? S’dua!

Nuk do të lajmëroni, para varrimit, asnjeri, me përjashtim të pesë a gjashtë njerëzve më të afërmë për të bërë formalitet e varrimit dhe varrimin. Kaq!

S’kam qef të mërzit njeri. Sikush ka hallet e veta.

2. Dikur kisha dashur të varrosesha në Pogradec, pranë babajt e nënës ose lart në gështenjat, në Shën e Djelë. Tani e kam ndryshuar mendjen. Varrimi është një ngatërresë. Varrosmëni këtu, në Tiranë. Gjith Shqipëri është! Nuk dua asnjë shkrim mbi varr. Vetëm një kryq, si babaj, gjyshi, stërgjyshi.

3……………………..

4. Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje.

Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile atëhere kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje. Atalanta dhe Pandeli kanë prirje për letërsi. Le të mbarojnë studimet në ndonjë degë praktike-ajo fizikë; ay, mjekësi ose ndonjë fakultet tjetër, fjala vjen, për arësimtar, -dhe le të merren edhe me letërsi. Por jo si profesjon kryesor. Profesionismi në letërsi, në vëndin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Tereni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjerprinjtë. Të vrasin shokët, se ju bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi. Dorëshkrimet ja u le atyre të dyve, sidomos Pandeliut. Të mos i prekë askush! Ay do të rritet, do të lexojë shënimet e parealizuara, do t’i përpunojë. Për këtë duhet të grumbullojë më parë shumë kulturë. Talenti, prirja nuk vlejnë asgjë pa punë, pa kulturë.

Askush të mos më prekë dorëshkrimet para se të më rritet djali! I vini në arkë, i mbyllni!

Polikseni dhe Atalantë! Pandeli dhe Doruntinë! Të doni njëri tjetrin, të ndihmoni njëri tjetrin, të duroni njëri tjetrin! Mos vini re vogëlsirat, mos u grindni për vogëlsira, për asgjë. Hithni tutje inatin, se ay është burim i shumë të këqijave. Përpiqi të mos ju rritet mëndja. Inati dhe mendjemadhësia na kanë bërë dëme të mëdha. Na prishnë. Zemra juaj të mos njohë urrejtjen, grindjen, mërinë. Urtësi, butësi, zemërgjërësi! Hapni sytë për çdo hap që bëni në jetë. Jeta mund të prishet nga një hap i gabuar, vetëm nga një hap. Pastaj vinë greminat. Kur t’ju vijë koha, martohuni. Të dëgjoni zërin e zemrës, po edhe të arësyes. Shpesh, zemra të shpje në udhë të gabuar, në qoftë se nuk e drejton arësyeja. Mos i kërkoni shumë jetës, sepse jeta është koprace në mirësi. Mos ëndëroni ato që nuk realizohen dot. Mos u matni me hijen e mëngjezit, që sjell mëndjemadhësinë. Do t’i kërkoni jetës aq sa mund t’ju japë.

Ta doni dhe nderoni mamanë, se ka qënë trime në jetë, ka vojtur shumë. Të dy kemi vojtur. Embëlsojani pak pleqërinë pas kaq tufanesh. Ajo ka grumbulluar shumë përvoje nga jeta e hidhur, dhe kjo përvoje mund të jetë e dobishme për ju, që të mos vuani.

Doruntina është më e vogla. Ajo ka nevojë për mjaft vjet ndihme dhe drejtimi. Mos i kurseni ndihmën tuaj, që të mund të prehem i qetë në dhe.

Mos më qani! Mbahuni! Unë e rrojta jetën, mbarova qerthullin tim. Nuk dua t’ju shohin të tjerët kur qani. Më dëgjoni? Lotët janë të kotë. Kush vdes nuk ngjallet. Unë asqë dua të ngjallem, asqë dua ta filloj jetën përsëri. Mjaft! Këtë porosi mos e shkelni.


5. Efterpi, më fal për këtë mërzitje të fundit! Mbahu dhe jepu zemër fëmijëve. Bëj siç të porosita. Mos ndrysho asgjë. Nuk dua njerëz në varrimin tim. Më të shumtit vinë për sehir, për formë. Unë i kam urryer ngahera varrimet e bujëshme, me kallaballëk. Edhe disa fjalë: kuptohet se nuk do të lajmërosh as njerëzit e tu, këtu ose në Korçë, me përjashtim të Foqit dhe Nestit.

Të përqafoj, të lutem të më falësh dhe lamtumirë.

Yti

Dhimitraq


*****


Burimet e përdorura:

^ Këtu nis mbiemri Pasko i asaj dege të familjes Kuteli e cila qendroi në Pogradec. Një degë tjetër, zbriti në Durrës dhe mban mbiemrin Ikonomi

^ Dh. Pasko - Shkurtime kujtimesh - Puna ime në fushën e monedhës dhe të bankës - Hylli i Dritës, N.3-4, 1994, f.37

^ "Flaka", 12.07.1995, f.10.

^ Dhimitër Pasko - Testament, Hylli i Dritës, N.3-4, f.74

^ Disa nga këto shënime i botoi me titullin "Në rrugë përtej Tiraspolit" në përmbledhjen "Shënime Letrare" (1944). E kësaj kohe është dhe poezia "Po të vdes në dhé të huaj" botuar tek "Sulm e Lotë" (1944).

^ Gjovalin Shkurtaj dhe Enver Hysa : Gjuha Shqipe për të huajt dhe shqiptarët jashtë atdheut

http://wiki.eanswers.com/en/Dhimit%C3%ABr_Pasko?ext=t&cid=5062

http://www.mnvr.org/mitrush-kuteli-nje-biografi-me-te-dhena-te-reja/

http://www.letersia.fajtori.com/Letersi/E_Pavaresise/Mitrush_Kuteli/



Si po vdesin televizionet shqipëtare





Nga Artan Fuga



Duke ndjekur nga afër atë që po ndodh në botën e sotme të zhvilluar, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më gjerë akoma, në Amerikën e Veriut, në Japoni dhe në Europën Perëndimore, në planin teknologjik, të lëvrimit të gjinive të gazetarisë, të sistemeve të informacionit, të teknologjisë, si edhe lëvizjet në bursat e kuotimit financiar të kompanive mediatike audiotelevizive, kupton se po ndodhin lëvizje të mëdha tektonike.

Duhet kuptuar një gjë nga operatorët televizivë shqiptarë : Televizioni në ekranin e vet klasik, televizioni i pashoqëruar me shërbime të tjera telekomunikacioni, televizioni linear, televizioni i palidhur me terminalet mobilet PC, tableta, telefona celularë, etj., televizioni i shkëputur nga videotransmetimi dhe rrjetet sociale, e ka mbaruar kohën e vet.

Është një Yllësi e fikur që ende vazhdon të ndriçojë për inerci.

Ose do të mbyten financiarisht këta operatorë bashkë me të, dhe do të na mbysin edhe neve si qytetarë, duke na bërë të privohemi nga transmetimi i një informacioni cilësor televiziv, nga gazetaria cilësore, nga argëtimi cilësor me figura të lëvizishme, ose duhet kuptuar që jemi në fundin e një epoke që po mbaron.

Kapja me thonj e me dhëmbë pas televizionit klasik linear nuk është rrugëdalja. Ajo është tmerri pa fund që përgatit një fund të tmerrshëm, kolapsin e fundit të industrisë të informacionit audiovizual në Shqipëri dhe ndër shqiptarët.

Mjafton të studjojmë tregun e sotëm botëror të transmetimeve televizive për të parë se ajo që ndodh te ne i takon shekullit të kaluar, përpara Luftës të Dytë botërore, me një fjalë mijëvjeçarit të kaluar. Jemi si të themi në epokën e gurit dhe të hurit krahasuar me atë që po ndodh sot në botë në mënyrë marramendëse.

Europa prej mëse një dekade kaloi në masë dhe në mënyrë të pakthyeshme drejt transmetimeve toksore numerike, dhe pastaj drejt IPTV, televizioni në Internet dhe transmetimet televizive cilësore në web nisën të zenë një vend kurdoherë më të madh në vëmendjen e operatorëve televizivë, të audiencave dhe të gazetarëve, për të mos folur pastaj për industrinë shumëmiliardashe në dollarë e euro të reklamave.

Në shkencat historike të informimit dhe komunikimit dihet se një media e re kur shfaqet trondit të gjithë sistemin e mediave ekzistuese dhe i shtyn ato të reformohen ose të vdesin. Gjithmonë janë reformuar.

Kështu komunikimi në web dhe lindja e terminaleve të reja të telekomunikimit, si edhe Interneti mobil, kanë bërë që audiencat të shkojnë gjithmonë e më shumë drejt konsumimit të përmbajtjeve në ekranin e kompjuterit, i cili edhe ky është bërë disi demode, pastaj drejt telefonave mobile dhe tabletave.

Përpara faktit që shumë televizione të mëdhenj, gjigandë botërorë, janë ndodhur përballë ikjes të audiencave, dezabonimeve në rrjetin kabllor, ose përballë largimeve të audiencave për të blerë karta e pasur akses në buqeta televizive të transmetimeve televizive klasike, po ndodhin ndryshime të mëdha.

Kanë lindur të ashtuquajturit “telcos” të cilët përbëjnë fuzionin gjigand gjithmonë e më trendi midis kompanive të ofrimit të aksesit në Internet ose të menaxhimit të frekuencave të komunikimit në telefoni mobile me prodhuesit e përmbajtjeve televizive për terminale mobile. Prodhimi i përmbajtjes televizive për terminalet mobile nuk ka fare të bëjë me gazetarinë klasike që prodhon përmbajtje në televizionin që po mbytet, i mijëvjeçarit të kaluar pavarësisht faktit se ekrani mund të jetë i sheshtë, plazmë, HD, me intensitet të lartë e dendësi pikselësh, etj.

Bashkimi i shërbimeve cilësore i aksesit në Internet, i aksesit në rrjetet e telefonisë mobile, i prodhimit të përmbajtjes televizive në formën e videove, si edhe i rrjeteve të shitjeve të cfardollojshme si edhe i reklamave, është sot pista e madhe e transformimit të operatorëve gjigandë botërorë që po ndiqet me vullnet dhe energji të hekurt nga operatorë performantë të ekonomive kombëtare në vende të ndryshme.

Fuzioni i Vivendit me televizione numerike, blerja nga Verizon i AOL si prodhues përmbajtjesh videosh, pritshmëria për një bashkim të Direkt TV me T – Mobile në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, strategjitë e Deutche Telekomit për të qenë pjesë e këtyre transformimeve, nuk janë veçse maja e ajzbergut e tronditjeve dhe revolucioneve të mêdha që po ndodhin përgjatë fuzionit të industrisë të telekomunikacionit dhe të transmetimeve audiovizive.

Këtë po e ndjekin nga ana e tyre edhe “cablos”, pra kompanitë që kanë lindur si ofrues ekskluzivisht të lidhjes në Internet, të cilët, nga njëra anë po kalojnë drejt fibrave optikë, dhe mbulimit të të gjithë territorit me informacion, por edhe që tani priren të ofrojnë shërbime jo vetëm Interneti, ose telefonie fikse a mobile, por edhe përmbajtje televizive në formën e videove.

Bashkimi i industrisë të telekomunikacioneve, i prodhimit të content-it televiziv, me shërbimet në fushën e mjeksisë, shkencës, arsimit, kulturës, ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore, është e vetmja rrugë e mbijetesës jo vetëm për sektorin e informacionit dhe argëtimit audioviziv, por edhe e rinovimit të gjithë sektorëve që përmenda.

Nuk e di e kuptojnë pushtetarët tanë këtë, apo flenë gjumë?

E pamundur që televizioni dhe industria radiotelevizive të qendrojë një kështjellë e pamposhtur dhe e izoluar nga komunikimi në web dhe nga telekomunikacioni mobil. Programacioni i një televizioni linear është bërë si një mamuth i vjetër, apo si një dinozaur i para epokës të ngricave planetare. Po ashtu edhe programet e stërzgjatura rrëfyese e akademike linerae, aspak interaktive me audiencat, sikurse edhe emisionet e opinioneve ku pjesmarrësit në studio komunikojnë me njeri tjetrin, përpara një audience në studio të budallallepsur dhe mememce, duke përjashtuar audiencat jashtë studios nga pjesëmarrja në prodhimin e produktit televiziv.

Mentaliteti profan, joprofesional dhe analfabet se je duke bërë videotransmetim kur një emision për ekranin e televizionit e hedh në youtube dhe kujton se ke shërbimin video për komunikimin mobil në web, nuk është veçse një formë vetëvrasjeje televizive, një turp profesional që e çon menaxherin drejt dështimit dhe pronarët e televizionit drejt falimentimit të sigurt në mos sot nesër.

Ka ndryshuar dhe po ndryshon nga ora në orë dhe formula financiare mbi të cilën po menaxhohet industria e telekomunikacionit dhe e transmetimeve audiovizive. Reklama po ikën dhe ka të drejtë kur ikën nga televizioni klasik sikurse iket nga një anije që po fundoset, sepse në televizionin linear mund të dish se sa janë ndjekësit e një emisioni televiziv, por jo sa janë ndjekësit e vërtetë të një reklame, as të masësh impaktin e saj. Reklama klasike lineare, telemarketingu klasik është bërë edhe ai një instrument i trishtët kapitullimi dhe falimentimi.

Reklama si ato që shohim në televizionet e sotme shqiptare kanë hyrë në muzeun prehistorik të reklamës, njësoj si reklamat e shitësve me tezga.
Janë qesharake.

Abonimi në shërbimet videos, tarifat në ofertat e përmbajtjes sipas kërkesës, prodhimi i videove për tableta dhe realizimi i aplikacioneve numerike për terminale mobile, prodhimi i reklamave dhe ofertat për akses në Internet, krahas me tërheqjen e reklamës digjitale në webet përkatëse konkurrojnë si teknika menaxhimi financiar midis tyre fuqishëm.

Po, audienca është gati të paguajë, por ajo paguan për përmbajtje cilësore, sepse audiencat “multitaske” kërkojnë një komunikimi të adaptuar me sjelljen e tyre dhe nuk janë gjyshet që flenë përpara ekranit, ose audiencat e budallallepsura dhe të përgjumura përpara ekraneve me komentatorë politikë militantë dhe shërbëtorë pa shije dhe nivel të pushtetit ekonomik a politik.

Televizioni dhe aksesi i komunikimeve në Internet ecin sëbashku. Televizioni nuk mund të urojë bllokimin e mbulimit të territoreve me Internet mobil ose fiks, në mënyrë që të jetë perandor i vetëm i ofrimit të informacionit. Probleme ka edhe televizioni i transmetimeve satelitore ose toksore numerike, jo më televizioni si “tenxhere me presion” analog dhe linear, klasik.

Audiencat po dezabonohen nga shërbimet televizive lineare, madje edhe me kartë kur çmimet janë të shtrenjta, një pjesë kanë prirje të abonohen në buqeta kanalesh me çmim krejt të lirë të transmetuar në streaming, duke hezituar përpara blerjes të kartave, nga të cilat kërkojnë të marrin disa shërbime njêherësh. Televizioni klasik e ka humbur betejën me Internetin, por ka vetëm mundësinë që të integrohet me të për të ruajtur specifikën e vet si media që gjithmonë mbetet e mundur. Por tjetër është prodhimi televiziv dhe tjetër televizioni klasik dhe arkaik linear. Ende Interneti nuk ka aq debit të lartë saqë të lejojë teleshkarkime gjithmonë të shpejta dhe cilësore, jo të shtrenjta, përmbajtjesh televizive, ende “streaming” nuk e lejon një zbritje masive dhe të lirë të programeve televizive sa mund të kryhet me anë të transmetimeve numerike të menaxhuara në formën e televizionit me kartë. E gjitha kjo ndërkohë që rivaliteti nga ana e operatorëve publikë të transmetimeve televizive në web ose me kartë, pa pagesë, është bërë i nivelit të lartë dhe konkurron gjerësisht televizionet komerciale.

Televizioni ka të ardhme, por jo si televizion linear, me ekran të palidhur në web, jashtë integrimeve me industrinë e telekomunikacioneve dhe të komunikimit mobil. Përndryshe ai falimenton. Televizioni si përrallë arabe që e nis historinë nga nata e parë te e fundit e njëmijëenjë netëve është i vdekur tashmë.

Programacionet e padiferencuara, më keq të kopjuara prej operatorëve të ndryshëm, me gazetarë që nuk kërkojnë larmitetin dhe diversitetin, që nuk thellohen jo vetëm në përmbajtje por as në gjetjen e formave mediatike të transmetimit, nuk kanë lidhje me epokën e re ku jemi futur të ekonomisë “të vëmendjes” përballë ofertës shumë të lartë në sasi të informacionit në krahasim me aftësinë memorizuese të njeriut tê zakonshëm.
Informacioni në televizionet sikurse në gazetat tona është uniform, i njejti, monologues.

Mos kujtojmë se politizimi i ekraneve tona, prodhimi i reklamave bajate, bllokimi i fuzioneve midis industrisë të telekomunikimit dhe audiovizive, ndarja e frekuencave me thikë mes tyre, ikja nga loja e tregut e shitjeblerjeve të kompanive mediatike, mospasja e një burse në tregun audioviziv, emsionet informative të kthyera në mekanizma marrëdhëniesh publike nga ana e partive politike ose e qeverisë, emsionet e zvargura dhe monotone të pasdites me tone nostalgjike dhe ëndërrimtare ku u bëhen qoka personazheve romantikë, trajtimi i televizionit si radio, si gazetë, si roman, me llogje pa fund e pa imazh të freskët, raportimi i mefshtë, mbizotërimi i skandaleve, heqja nga prime time i programacionit ditor i cdo emisioni që kushton dhe prodhimi i emisioneve politike si tregu i Gabit, etj., shkundja deri në grisje e “batanijes” të dramave familjare si “motrat Kajtazi”, etj., janë të rastësishme apo janë thjesht produkt i padijes ose i dembelizmit të menaxherëve.

Jo, janë simptomat që televizioni linear, ai që ne kemi, ai që e kemi quajtur si nga performancat teknologjike që ne kemi pasur këto dekada, është duke u fundosur.

Mos duhet të presim që të lindë një tjetër si i pakthyeshmi Dritan Hoxha për të hapur një erë të re televizive në Shqipëri?

Ndërkohë audienca po e braktis nga dita në ditë televizionin, sikurse braktisi më parë shtypin e shkruar. Divorc midis audiencave dhe sistemeve informative, sikurse divorc midis qytetarëve dhe sistemit politik, midis sistemit bankar dhe klientëve masivë, etj.

Aktorët dhe sistemet institucionale në shoqërinë tonë po divorcohen nga dita ditës më shumë.

Dhe kjo ndërkohë që operatorët televizivë nuk tregojnë vullnetitn dhe energjitë e duhura për të ndryshuar, kur kërkuesit shkencor dhe studjuesit nuk japin alarmin sepse janë qetë e rehat në studiot e tyre, kur komentatorët kënaqen me monopolin e skenës televizive cdo mbrëmje, kur gazetarët ankohen për pagat, me të drejtë, për statuset e mjerueshme sociale e profesionale, por që bëjnë gazetari televizive detyrimisht të mijëvjeçarit të kaluar, e mbi të gjitha kur shteti rri e vrojton sesi po vyshket nga dita në ditë industria e informacionit audioteleviziv përpara pengesash që duhen kapërcyer pa frikë e me shumë guxim qytetar për të mirën e përgjithshme, ndërkohë që ministritë e kulturës, arsimit, ekonomisë, etj., kujtojnë se nuk kanë të bëjnë fare me këtë proces që po vazhdoi brenda pak vjetësh do të na duket se në krahasim me botën ne jetojmë në epokën e gurit.

Keni hapur faqe porno gjatë 2015-ës? Ja ç’do t’ju ndodhë

Shihni faqe porno? Mos kini turp, por lexoni me kujdes atë që duam t’ju themi. Sipas një hetimi që ka bërë Motherboard, kanal i Vice i specializuar në shkencë dhe teknologji thotë se “nëse gjatë vitit 2015 keni parë faqe porno edhe në mënyrë të fshehtë duhet të qëndroni gati sepse shumë shpejt mund të publikohet emri yt bashke me ato që ke parë”.
Një alarm i madh që mund të konsiderohet skandali më i madh seksual online në të gjitha kohërat. Hakerat kanë qenë të aftë të zbulojnë një mënyrë për të gjurmuar faqet porno dhe të memorizojnë në një database të dhënat e personave që kanë vizituar këto faqe. Ata kanë në plan që këtë database ta bëjnë publik dhe kushdo mund të kërkojë të dhëna me anë të Facebook apo e-mail për jetët private të të tjerëve. Brett Thomas, shpjegon si ka ndodhur kjo.
“Çdo portal që viziton ka qenë i aftë të hyjë sadopak në të dhënat e brouserit tënd. Aty janë marrë pastaj faqet që ke parë duke nisur nga Facebook, New York Times apo Pornhub".

Historia që duhet ta lexojë çdo i/e martuar





















Kjo është një histori e vërtetë, një nga ato që kanë lënë shije të hidhur kur i dëgjon, dhe tragjike kur i përjeton.

Detajet e vogla të jetës tuaj janë ato që me të vërtetë kanë rëndësi në një marrëdhënie.
Pra, gjej kohën për të qenë mik i bashkëshortit/tes tuaj dhe bëni ato gjëra të vogla për njëri-tjetrin duke ndërtuar miqësi të ngushtë. Nëse ju nuk jeni në një marrëdhënie tashmë, kujtojeni këtë ngjarje disa herë, atëherë kur ta keni gjetur partnerin - shokun e juaj të jetës. Kurë nuk është tepër vonë.
"Kur u ktheva në shtëpi atë natë, gruaja ime veç e kishte shtruar darkën, dhe unë teksa e mbaja për dore, duke ngrënë i thash: kam diçka për të të thënë. Ajo uli kokën dhe hëngri në heshtje. Pashë lëndimin në sytë e saj.
Papritur pash se nuk mund të gjeja shprehje për të vazhduar bisedën, por, më duhet disi t’i tregoj se për çka isha duke menduar. Dua të shkurorëzohemi, i thash në qetësi. Ajo nuk dukej të jetë mërzitur nga fjalët e mia, në vend të kësaj, ajo më pyeti me zë të ulët, pse? Nuk iu përgjigja. Kjo e zemëroi shumë. Ajo hodhi për toke gjithçka kishte përpara dhe më tha: “nuk qenke aspak burrë!”
Atë natë, nuk biseduam me njëri-tjetrin. Ajo qante pa zë. Unë e di se ajo donte të kuptojë se çfarë i kishte ndodhur martesës sonë. Por, e kisha vështirë mund t’i jepja një përgjigje të pranueshme, sepse isha i dashuruar me Xhein. Unë në fakt edhe nuk e dua atë më. Vetëm ndjej keqardhje ndaj saj!
Me një ndjenjë të thellë faji, kam hartuar një marrëveshje shkurorëzimi, në të cilën deklaroj se ajo do ta mbajë shtëpinë, makinën tonë si dhe 30% të aksioneve të kompanisë sime. Ajo pasi që e lexoi, e grisi në copa. Gruaja e cila kishte kaluar njëzet vjet të jetës së saj me mua, tani ishte bërë, një e huaj. Më vjen keq për të, për kohën dhe energjinë e harxhuar, por tani më nuk kishte kthim prapa, dhe unë i thash se jam i dashuruar në Xhein. Së fundi ajo bërtiti me zë të lartë para meje, nuk mundej të prisje ndonjë reagim tjetër. Për mua britma e saj ishte në të vërtetë një lloj lirimi. Ideja e shkurorëzimit e cila m’u kishte fiksuar në kokë tash e sa jave, tani u bë realitet.
Të nesërmen, u ktheva në shtëpi shumë vonë, e gjeta atë duke shkruar diçka në tryezë. Unë nuk kisha uri ashtu që shkova drejtë që të shtrihem, të pushoj, sepse isha i lodhur pas një dite plot ngjarje me Xhein. Kur u zgjova më vonë, ajo ishte ende atje në tryezë duke shkruar. Mua, thjesht nuk më interesonte, kështu që u ktheva mbi krahun tjetër dhe ia dhashë gjumit përsëri.
Në mëngjes ajo paraqiti kushtet e saja të shkurorëzimit: ajo nuk donte asgjë nga unë, veçse të jetojmë edhe një muaj së bashku, as një ditë më shumë a më pak. Ajo kërkoi që në këtë muaj, ne të dy, të luftojnë për të jetuar një jetë normale, si të jetë e mundur. Arsyet e saj ishin të thjeshta: djali ynë kishte provimet përfundimtare dhe ajo nuk dëshironte që gjatë kësaj kohe ta shqetësojë atë, me asgjë.
Kjo ishte e pranueshme për mua. Por ajo kishte diçka edhe më shumë. Më pyeti nëse më kujtohet se si e mbaja atë në duar deri në dhomën e fjetjes, në mbrëmjen e parë të dasmës sonë. Pastaj kërkoi që, çdo mëngjes, gjatë muajit ta mbaja në duar dhe ta dërgoj nga dhoma jonë e gjumit deri në dhomën e ditës.
Mendoja se është duke kaluar një krizë psikike. Vetëm për t’i bërë ditët tona të fundit të durueshme, pranova kërkesën e saj të çuditshme.
Unë i tregova Xheinit rreth kushteve të shkurorëzimit të gruas sime...Ajo qeshi me zë të lartë dhe mendoi se kjo ishte absurde. Pa marrë parasysh se çfarë truke mundohet të bëjë, ajo duhet të përballet me shkurorëzim - tha ajo, me përbuzje.
Unë dhe gruaja ime nuk kemi pasur marrëdhënie intime qe një kohë bukur të gjatë, kështu që, kur unë mbarta atë nga dhoma e fjetjes ditën e parë, të dy ishim mjaft të ngathët. Djali ynë pas nesh i gëzuar bërtiste "babi po e mban mamin në krahë...babi po e mban mamin në krahë". Fjalët e tij më sollën një ndjenjë të dhimbjes. Kështu, nga dhoma e gjumit deri në dhomën e ditës, pastaj nëpër korridor deri te dera kryesore, bëra mbi dhjetë metra me të në krahët e mi. Ajo, symbyllur dhe me zë të ulët më tha që të mos i tregoja djalit tonë asgjë lidhur me shkurorëzimin. Iu përgjigja në heshtje vetëm me lëvizje të kokës, u ndjeva i mërzitur. E dërgova atë poshtë, jashtë derës, kështu që ajo shkoi për të pritur autobusin, ndërsa unë shkova në zyrë me veturë.
Në ditën e dytë, tashmë e kishim shumë më të lehtë. Ajo u përkul mbi gjoksin tim. Unë ndjeva aromën e lëkurës së saj, ishte ajo aromë e njëjtë të cilën i ndjeva ditën kur u njoftuam. Kuptova se nuk e kisha shikuar me kujdes këtë grua për një kohë të gjatë. Kuptova gjithashtu se ajo nuk ishte më e re. Kishte rrudha të lehta në fytyrën e saj, kurse flokët kishin filluar t’i thinjen. Martesa jonë kishte lënë gjurmën e saj në të. Për një minutë e pyeta veten se çka i kisha bërë!

Në ditën e katërt, kur unë e ngrita dhe mbajta në kraharor, fillova të ndjeva se një ndjenjë ngrohtësie më kthehej. Kjo ishte gruaja që kishte dhënë njëzet vjet të jetës së saj për mua.
Në ditën e pestë dhe të gjashtë, kuptova se ndjenja jonë e ngrohtësisë, intimitetit është në rritje përsëri. Nuk i thash Xhein-it asgjë në lidhje me këtë. Tanimë e kisha edhe më lehtë ta mbaja në kraharor, ndoshta stërvitjet e përditshme më bënë më të fortë.
Një mëngjes, ajo ishte duke zgjedhur se çka të veshë gjatë ditës. U përpoq mjaft por nuk mund të gjejë asgjë të përshtatshme. Pastaj psherëtiu, të gjitha veshjet e saja sikur ishin rritur, ishin bërë më të mëdha. Papritmas kuptova se ajo aq shumë ishte dobësuar, që ishte arsyeja pse unë mund të mbaja atë aq lehtë.
Kjo më goditi shumë...ajo e kishte varrosur aq thellë dhimbjen dhe hidhërimin në zemrën e saj. Ngrita dorën dhe preka kokën e saj lehtë. Djali jonë erdhi në këtë moment dhe tha: "Babi, është koha që ta marr mamin!" Për të, duke parë babain që mbante nënën e tij, ishte bërë një pjesë thelbësore e jetës së tij . Gruaja ime e ftoi më afër djalin tonë, më pas e përqafoi fort. E ktheva kokën time në anën tjetër, sepse kisha frikë se mund të ndryshojë mendjen time në minutën e fundit. Pastaj e ngrita në krahët e mi, duke ecur dolëm nga dhoma e gjumit, nëpër dhomën e ditës deri në korridor. Dora e saj mbështetej në qafën time, shumë lehtë, në formë të natyrshme. Shtrëngova trupin e saj për mua, dhe ishte ashtu si ditën e dasmës sonë. Por pesha e saj shumë e lehtë më bëri të trishtuar.

Në ditën e fundit, kur mbaja atë në krahët e mi, nuk mundja asnjë hap ta bëjë më. Djali ynë kishte shkuar në shkollë. E mbaja atë fort dhe i thash, nuk e kishte vënë re se sa shumë jetës sonë i mungonte ngrohtësia, afërsia. Shkova në zyre...kërceva nga makina me shpejtësi pa e mbyllur derën. Droja se çfarëdo vonese do të ndryshojë mendjen time... Hipa një kat më lartë. Xhein hapi derën, dhe unë i thashë: “Më vjen keq, Xhein, unë nuk dua më të shkurorëzohem”. Ajo më shikoi me habi, dhe pastaj preku ballin tim. A mos ke ethe? - më tha. Ia largova dorën nga koka ime. “Më vjen keq, Xhein, nuk do të ndahem nga gruaja ime. Jeta ime ishte e mërzitshme ndoshta, për shkak se, ajo dhe unë nuk i çmuam detajet e jetës sonë, jo sepse ne nuk e duam njëri-tjetrin më. Tani kuptoj se, që nga dita e parë e martesës sonë e deri sa vdekja t’na ndajë, është dashur që çdo ditë të kujdesem për të.”

Xhein më dha një shuplakë të fortë dhe më pas duke përplasur derën u largua duke qarë. Zbrita shkallëve teposhtë, u ula në makinë dhe largohem. Në dyqanin me lule, aty në cep të rrugës, porosita një buqetë me lule për gruan time. Shitësja më pyeti se çfarë të shkruaj në kartë. Buzëqesha dhe shkrova: "Unë do të të mbajë në kraharor çdo mëngjes deri sa vdekja të na ndajë".
Në mbrëmje arrita në shtëpi, lulet mbaja në duar, një buzëqeshje përshkonte fytyrën time, hyra me nguti në shtëpi, dhe gjeta gruan në shtrat - kishte vdekur. Gruaja ime kishte luftuar kancerin për muaj të tërë dhe unë kam qenë aq i zënë me Xhein sa që as që e kisha vërejtur. Ajo e dinte se do të vdiste së shpejti dhe donte të më shpëtojë nga çfarëdo reagimi negativ nga djali ynë, në rast se e tëra përfundonte me shkurorëzim. Të paktën, në sytë e djalit tonë - unë jam një burri i dashur..."
Dashuria kёrkon tё kalosh kohё sё bashku dhe tё jesh i pёrfshirё nё jetёn e njёri-tjetrit.
Nёse vërtet doni të ndaheni, atёherё, para se tё hyni nё kёtё rrugё, provoni tё qёndroni nё martesё, tё paktёn pёr njё muaj. Por duhet tё pёrpiqeni seriozisht, mbase shumë nga dështimet e jetës ndodhin, sepse njerëzit nuk e kuptojnë sa afër ishin me suksesin kur ata hoqën dorë.

Nëse ju nuk e shpërndani këtë ngjarje - asgjë nuk do të ndodhë me ju. Por nëse e shpërndani, ju vetëm mund të shpëtoni një martesë. /Telegrafi/
Përktheu dhe përshtati: Besim Mikullovci

Mesazhi i fotoreporterit: O Ilir Beqja, të dh**fsha spitalet

Lapsi.al

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, i vënë nën akuzë nga opozita për disa skandale në shërbimin shëndetësor, tha të enjten në parlament se situata në spitale apo në furnizimin me medikamente ka ndryshuar. Pa kaluar java një denoncim mbërrin në adresë të tij. Fotoreporteri Felix Bilani thotë se urgjenca e kardiokirurgjisë i bën vizitat në korridor. Ai ka postuar edhe disa foto si provë të denoncimit të tij. 
Mesazhi i plotë i fotoreporterit
Live nga urgjenca e QSUT. Kur e ha, e ha stresi keto kusure ka Shpresoj te dal mire .......ose si i thone llafit me kembet e mija, o Ilir beqja te dhjefsha spitalet se edhe urgjenca e kardiologjise vizitat ne koridor ... spitali qe propagandon ti .....cdo gje behet fale punes te papare te mjekeve te cilet edhe pse nen presion si para pak se dikush nderroi jete ne kete moment edhe pse kercenohen punojne.... te pakten krijoi kushte se punen e postobllokut e zgjidhe je i papare....


Shkrimtarja seksi në kopertinën e Playboy

Giorgia Crivello është një shkrimtare në blogje të ndryshme, e famshme në Itali. Por famën e saj më të madhe ajo e arriti duke pozuar për Playboy. Revista që promovon femrat me seksi të botës i rezervoi kopertinën. Fotot tregojnë se zgjedhja ka qenë e goditur. Crivello thotë se “të shkruash është seksi”. Ajo duket që është seksi edhe pa shkruar. 

Dikur refugjate, tashmë një yll botëror. Mediat prestigjoze flasin sërish për jetën e vështirë të Rita Orës

“Çfarë ju vjen në mend kur dëgjoni fjalën refugjat? Natyrisht, jo tapeti i kuq me shkëlqimin e personazheve dhe paraqitjen elegante, kështu? Ja tek janë disa prej personazheve të famshëm që historia e tyre mund t’ju surprizojë”, - kështu e nis shkrimin e saj, faqja online e televizionit prestigjoz muzikor MTV, duke sjellë edhe një herë në vëmendje, historinë e yllit të ri të pop-it, 24-vjeçares me origjinë nga Kosova, Rita Ora.
“Po të vendosësh çdokënd në një ambient të huaj, ku të gjithë njerëzit nuk janë totalisht të mësuar me jetesën aty, automatikisht ata do të kthehen në vetëmbrojtës. Ky është ligji i xhunglës, apo jo?!” – Rita Ora.
Kryesuesja e chart-eve muzikorë dhe anëtarja e re e jurisë së X Factor, Rita Sahatçiu Ora lindi në Prishtinë, ish-Jugosllavi. Kur ishte vetëm një vjeç, grupet rivale politike, sulmuan e plaçkitën vendin e saj, ndërsa prindërit e saj shqiptarë, u detyruan të largohen për të shmagur paragjykimet dhe represionin brutal.
Ata ia dolën mbanë në Londër, aty ku Rita Ora jetonte në një dhomë të vetme me motrën, vëllain dhe prindërit. Pavarësisht se asnjë nga familja e saj nuk fliste anglisht, ata ishin të vendosur për të arritur suksesin. Rita dhe prindërit e saj, luftuan me thonj për të përballuar jetesën në vendin e tyre të ri, Britani. Rita ndoqi studimet në West London, përpara se të fitonte një vend në shkollën e njohur të aktrimit Sylvia Young Stage School.
Dhjetë vjet më vonë, ajo është një nga artistet që shet më shumë në muzikë dhe aktore e filmit “Fifty Shades of Grey”, me firma të panumërta që i shkojnë nga pas, që ajo të veshë rrobat e tyre. 

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...