Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/10/07

ISA BOLETINI – MOHIKANI I FUNDIT


Daut Dauti
Daut Dauti
Aubrey Herberti kishte kohë që planifikonte të takohej me Isa Boletinin. Për legjendën e gjallë flitej aq shumë, që nga pallati Yildiz dhe i tërë Stambolli – e deri në cepat më të largëta të perandorisë. Personaliteti i kreshnikut shqiptar e intrigonte tej mase diplomatin, ushtarakun dhe politikanin aristokrat britanik. Ai e dinte se Isa nuk i kishte mbushur as 17 vite kur ishte treguar trim dhe mjeshtër i luftës kundër forcave otomane në betejën e Slivovës në vitin 1881. Mirëpo, armiqësia e tij me sulltanin nuk ishte e përjetshme.
Në vitin 1902, Sulltan Abdul Hamiti II e kishte emëruar Isën komandant të gardës së tij personale, e cila ishte njësia më speciale që kishte Perandoria. Natyrisht, sipas traditës, gardistët gjithmonë ishin shqiptarë të rekrutuar me kujdes. Isa Boletini i kaloi katër vite në këtë detyrë për të cilën gjë Sulltani ia dha titullin bej.
Isa Bej Boletini ishte kthyer në Kosovë, por ia kishte dhënë besën Sulltanit se nuk do të luftonte kundër tij. Në vitin 1908 nuk i përkrahu deri në fund planet e kryengritësve shqiptarë dhe programin e xhonturqve. Por, çdo gjë ka fund. Që nga mbarimi i vitit 1908, Isa Beu ishte kthyer kundër perandorisë dhe udhëhoqi kryengritjet shqiptare deri në pavarësim të Shqipërisë.
Në kërkim të Isa Boletinit
Mu në fillim të janarit të vitit 1909, Aubrey Herbert shkoi në Mitrovicë. Mendonte ta takonte Isa Beun i cili një herë kishte qenë i përkëdheluri i Yldizit nga ku merrte një rrogë të majme, por tashti ia kishte kthyer pushkën edhe Sulltanit. Në Mitrovicë njerëzit i thanë mysafirit anglez se Isa Beu, me dorë të vet, i kishte vrarë 20 veta, të gjithë të rangut të oficerëve të lartë.
Herberti kërkoi ta gjente në Mitrovicë e rrethinë.
“Ja, këtu pas këtij guri e ka vrarë njërin” ose “pas asaj kodre i pat vra dy veta vjeshtën që shkoi”, i thoshte një përcjellës i asaj ane. Herberti, gjatë tërë kohës sa qëndroi në Kosovë pa vetëm shenja ku kishte vepruar (vrarë) Isa Beu, i cili te anglezët tani më e kishte fituar epitetin e Robin Hudit shqiptar. Por, Isën nuk mundi ta takoi.
Prijepolje: E premte, 23 gusht 1912
Aubrey Herberti kishte mbërri në Prijepolje nga një udhëtim i lodhshëm nga Sarajeva. Ishte ndalur ta kalonte natën në këtë vend ku fillonin të lajmëroheshin banorët që në kokë kishin plisa. Pas mëngjesit, ende pa e kapur vapa vendin, një xhandar i quajtur Ramadan, së bashku me disa ushtarë, erdhi për ta përcjell mysafirin e lartë anglez nga Prijepolja për në Sjenicë.
Diku në mes të rrugës, kolona kaloi rrëzë një shpati ku prashitnin dhe këndonin disa vajza serbe. Pas disa minutave, kur kolona u ndal për pushim nën hije të disa lisave dhe rrëzë një përroske, edhe Ramadani ia krisi një kënge. Ai e këndoi një këngë konvencionale, e cila rrallë shndërrohet në baladë. Sipas lirikës, një nënë ankohej për shkak se djali i tij ishte martuar me një nuse e cila nuk e kishte në qejf punën. Këngën e shoqëroi një rigë e shiut dhe gurgullima e ujit të përroskës.
“Si është puna me Isa Boletinin?”, pyeti Herberti, sa për ta prishur monotoninë që krijoi pauza pas këngës së “dhembshme”. “Aaah, i ka vra 100 veta”, thanë disa ushtarë gati një zëri. Këtë e vërtetoi me lëvizje koke edhe Ramadan xhandari, i cili nuk ishte i sigurt nëse anglezit i pëlqeu kënga.
Para tri viteve ishin 20 e tashti shifra ishte ngritur në 100. Ngritje e shpejtë e numrit nuk ishte punë e mirë për paqe – mendoi Herberti. Kur kolona mori drejtimin e Sjenicës, Herbertit natyra filloi t’i dukej e bukur sikur ajo në Shqipërinë e jugut.
Mitrovicë: E hënë, 26 gusht 1912
Rrethina e Mitrovicës Herbertit i dukej e ngjashme ne atë të Italisë Veriore. Kodrat i dukeshin si ato në Toskani me dallim qe këto të Mitrovicës bënin një hije gati ngjyrë vjollce. Në mesditë Herberti shkoi në zyrën telegrafike për të dërguar një telegram në Londër. Telegrafisti u tregua tejet i pasjellshëm dhe e përzuri anglezin nga zyra, duke u arsyetuar se askush në zyrë nuk dinte frëngjisht. Me të njëjtën mënyrë ia ktheu edhe anglezi.
Pastaj, Herberti shkoi ta vizitonte kajmekamin, Halit Beun, për të cilin shkroi se ishte njeri i aftë dhe me shprehi pune të një shërbyesi civil anglez. Derisa po bënin muhabet, në zyrë hyri telegrafisti i cili kur pa se anglezi ishte mysafir shumë i nderuar i kajmekamit, e lëshuan këmbët. Duke u munduar të arsyetohej, sillej si një fëmijë i mjerë para kajmekamit.
“Nuk ia kam thënë këtij ato fjalë të këqija”, dhe bëri me dorë në drejtim të Herbertit. Pastaj, vazhdoi të thoshte se fjalët i ishin dedikuar dikujt që priste në radhë pas Herbertit.
Kur Herberti doli nga zyra e Halit Beut, në rrugë e takoi konsullin rus. Konsulli e ftoi të luante brixh. Herberti e refuzoi me arsyetim se nuk kishte luajtur asnjëherë dhe nuk i dinte rregullat.
Takimi me Isa Boletinin
Mitrovicë: E martë, 27 gusht 1912
Derisa Herberti po pinte kafe me kajmekamin, në zyre hyri telegrafisti me lajme të reja.
“Kanë ndodhur vrasje të rënda sot në Pejë”, tha telegrafisti dhe vazhdoi të raportonte për detajet para kajmekamit. Priteshin më shumë vrasje, por jo para Bajramit, se deri atëherë shqiptarët i kishin dhënë besë pushtetit otoman.
Situata po komplikohej në Pejë, i cili qytet iu kujtua Herbertit pasi që e kishte vizituar para disa viteve. Guvernatori otoman atëherë pati shtruar zijafet për Herbertin. Aty ishte edhe Sejfedin Beu, një shqiptar i rëndësishëm i qytetit, por i ri nga mosha. Kjo ishte arsyeja që Herberti e kishte pyetur nëse ai kishte pa luftë ndonjë herë.
“Natyrisht që kam pa luftë. Njëzet e katër vjeç jam unë”, ishte përgjigjur Sejfedin Beu me shpejtësi, krenari dhe me pak hidhërim. Pastaj Herberti e pyeti beun shqiptar se kur ishte hera fundit që ai kishte qenë i përfshirë në luftë? Sejfedin Beu ishte përgjigjur: “Kur e përzumë ekselencën e tij nga Peja” dhe bëri me dorë nga guvernatori.
Në ato qaste guvernatori turk, të cilit nuk i kishte pëlqyer aspak ajo që kishte thënë Sejfedin Beu, kishte ndërhyrë me hidhërim duke thënë: “Mungesa e mirësjelljes nuk është e nevojshme”.
Megjithatë, Sejfedin Beu tashti nuk i kishte punët mirë, pasi që ai nuk e kishte organizuar Pejën dhe nuk kishte marrë pjesë në kryengritjen e fundit, edhe pse populli i kishte thyer magazinat dhe i kishte rrëmbyer armët. Prijësit shqiptarë, përfshirë edhe Isa Bej Boletinin, nuk e shihnin me sy të mirë këtë gjest të Sejfedin Beut. Ndoshta kjo ishte arsyeja që ai tashti, gjatë ditëve të gushtit, ose për shkak të patriotizmit ose për shkak që dëshironte t’i rregullonte punët me prijësit e kryengritjes, kishte shkuar me njerëzit e tij për të luftuar në kufi me Malin e Zi.
Në vapën e pasdites Herberti u takua me konsullin rus dhe atë austro-hungarez të cilët u sollën mirë me vizitorin anglez, por jo me njëri-tjetrin. Pasdite shkoi te punëtoria e Nexhip Bej Dragës. Vëllezërit Draga e njoftuan me situatën aktuale dhe kërkesat e reja që kishin parashtruar shqiptarët para Portës.
Herberti në darkë ishte te austriakët. Në mes të darkës i erdhi një porosi misterioze. Kasneci i tha në vesh se Isa Bej Boletini po e priste në një vend të caktuar. Ky ishte momenti për të cilin Aubrey Herberti kishte pritur me vite. Isa dhe Herberti kishin komunikuar disa herë me letra e telegrame, por nuk ishin takuar asnjëherë.
Duke e lënë darkën në gjysmë, Herberti shkoi te vendi i takimit që ishte një han jashtë qytetit ku po e priste Isa Beu. Momentin e takimit Herbert e përshkruan me sa vijon:
“Isa Boletini ishte i rrethuar nga disa malësorë shqiptarë të egër dhe të mbështjell me armë. Pamja e tyre ishte e bukur nën hijen e hënës. Prisja në oborr. Një apo dy prej tyre erdhën të bisedonin me mua. Pastaj hyra në një dhomë mesatare ku ishte Isa Boletini, një shqiptar shumë i gjatë, i ndërtuar mirë me sy gjallërues me fytyrë të bukur e të ashpër dhe i veshur në rroba gege. Njëri nga djemtë e tij, më i madhi nga nëntë të tjerët, një djalosh shumë i bukur, qëndroi në dhomë për të përkthyer në italisht, por kjo gjë u dëshmua e panevojshme. Të tjerët i nxori jashtë, përveç njërit, kurse ne u ulëm në një divan të ulët te dritarja”.
Biseda filloi me paraqitjen e qëndrimeve politike që kishin shqiptarët. Isa Boletini nuk i përkrahte xhonturqit. Për momentin, duke u bazuar në rrethanat ekzistuese, ai ende e dëshironte një Shqipëri nën Sulltanin, por të mbrojtur nga vetë shqiptarët për të cilën gjë kërkonte armatim nga Porta. Si strateg ushtarak që ishte, e kishte të qartë se serbët së bashku me malazezët do të depërtonin në trojet shqiptare nëse mungonte armatimi, organizimi dhe përkrahja e nga Porta.
Me kërkesë të Isa Beut, Herberti e shpjegoi arsyen që Londra ende ishte në favor të ruajtjes së tërësisë territoriale të Perandorisë Otomane. Ai tha se anglezët më me dëshirë do ta shihnin Portën duke e sunduar Ballkanin se sa Austro-Hungarinë apo ndonjë fuqi tjetër. Me fjalë tjera, Londra nuk e dëshironte shkatërrimin e Perandorisë Otomane, pasi që një gjë e tillë shkaktonte çrregullimin e tregut së bashku me gjeostrategjinë britanike.
Në këto momente u dëgjuan krisma të pushkëve nga jashtë. Pasi që ato nuk kishin të ndalur, Isa Beu, me një qetësi të ftoftë e tërhoqi perden për të shikuar se ç’ishte duke ndodhur jashtë nën dritën e hënës. Me një shpejtësi të hatashme ushtarët e tij i kapën armët dhe dolën në oborr. Fillimisht u krijua përshtypja se shtëpia ishte rrethuar nga ushtria otomane dhe Isa Beu u bë gati të qante rrethimin.
“Po vij me ty dhe nëse turqit na kapin nuk do të mund të të vrasin nëse unë jam me ty”.
Isa nuk vonoi dhe ia ktheu: “Jo, ti je mysafiri im. Nderi im nuk e lejon këtë gjë”.
Në këto momente Aubrey Herberti e kuptoi gabimin që bëri me propozimin. Isa Beu, duke qenë i obliguar nga normat e ligjeve tradicionale shqiptare, duhej ofruar mbrojtje mysafirit e jo anasjelltas. Propozimi i Herbertit nuk mund të zbatohej pasi që vendi ku ndodheshin kërkonte zbatim të normave të veçanta juridike që përmbante kanuni vendas. Duke i ndërruar këto fjalë u ndalën krismat e pushkëve. Pa ndonjë vonesë, njerëzit e Isa Beut vërtetuan se krismat ishin shkak i një zënke të disa ushtarëve otomanë që ishin të stacionuar aty afër.
Biseda vazhdoi deri natën vonë. Të dy palët u pajtuan se për shqiptarët po vinin ditë shumë të vështira. Me kërkesë të Isa Beut, Herberti u zotua se nga Parlamenti dhe Qeveria britanike do të kërkonte mbrojtje për shqiptarët.
Isa Boletini dhe anekdotat e Londrës
Pas një viti Isa Beu do të takohej sërish me Abrey Herbertin. Kësaj here, në Londër, Isa Bej Boletini ishte mysafir personal i Herbertit, i cili në mënyrë të palodhshme ndihmonte çështjen shqiptare në shtetin e tij. Qëndrimi i Isa Bej Boletinit në Londër u shënua me momente historike. Gjenerali i kryengritësve shqiptarë, siç e quanin ndryshe Isa Boletinin britanikët, la përshtypje të papërshkruara në të gjitha qarqet që u paraqit. Britanikët u mrekulluan me pamjen dhe personalitetin e legjendës shqiptare. Kreshniku me pamjen e tij fizike, brendinë, shpirtin dhe me të gjitha karakteristikat tjera, paraqiste ekzemplarin e shqiptarit fisnik dhe tradicional që kishte kaluar pa u dëmtuar nëpër gjithë ata shekuj.
Gjatë qëndrimit mysafir në shtëpinë e Herbertëve, ndodhte që Isa Beu të mbetej vetëm me zonjën e shtëpisë, Mary Herbertin. Asnjëri nuk ia dinin gjuhën njëri tjetrit dhe kjo gjë krijonte situata të anekdotave. Përdorimi i gjesteve shpesh ishte i komunikim i kotë. Ndodhte që telefoni të cingëronte shpesh në zyrën e Herbertit në Parlamentin Britanik. Mary e thërriste burrin për përkthim, sqarime e interpretime.
“Kështu më tha Isa Beu. Çka do të thotë kjo?”, pyeste burrin znj. Herbert. Merrte përgjigje dhe shpesh plasnin të qeshurat.
Zonja Herbert i rrinte gati Isa Beut me kafe. Me dhjetëra herë në ditë ajo hynte e dilte nga salloni grandioz i mysafirëve me takëm bakri të kafes turke. Sa herë që hynte e dilte ajo, Isa Beu ngrihej në këmbë për ta nderuar dhe falënderuar zonjën për muhabetin që po ia bënte. Duke e mbajtur qelibarin e sermit në dorë të majtë, Isa Beu përkulej para zonjës duke bërë një gjysmë hark me dorën e djathtë e duke e vendosur atë ne krahun e zemrës. Në ato momente edhe zonja Herbert ia kthente respektin. Ajo e lëshonte me kujdes tabakun mbi tavolinë dhe tërhiqej dy hapa dhe pastaj përkulej duke e lëvizur dorën e djathtë gati përtokë, majtas e djathtas, dhe me dorën e majtë gjysmë të ngritur, mu ashtu siç përshëndesin anglezët mbretëreshën e tyre apo anëtarët e familjes mbretërore. Kjo ceremoni e përshëndetjes përsëritej shumë shpesh. Mary Herbert dhe Isa Boletini gati tërë ditën e kalonin duke i bërë temena njëri tjetrit.
Dhe, momenti i anekdotës së famshme të Isa Boletinit me kobure në Parlament. Kur Sir Edward Grey (Sekretari i Jashtëm britanik) po e përcillte Isa Beun nga takimi që kishin pasur, u ndalën te dera aty ku rojet ia kthyen revolen Isa Beut. Sipas Edwin Jacques, sekretari britanik duke buzëqeshur i kishte thënë Isa Beut: “Gjeneral, gazetat mund të shkruajnë nesër se Isa Boletini, të cilin as Mahmut Shefqet Pasha nuk ka mundur ta ç’armatoste, u ç’armatos në Londër”. Isa Boletini e kishte shikuar Sir Edward Greyin dhe i kishte thënë: “Jo, jo, as në Londër nuk ç’armatosem unë” dhe nga shoka kishte nxjerrë pistoletën rezervë.
Isa Beu – Gjiganti që impononte me pamjen e tij
Herbert, në mënyrë mahnitëse, përshkruan në detaje çdo hap të Isa Bej Boletinit në Londër. Herbert organizoi takime të anëtarëve të delegacionit me zyrtarët më të lartë britanikë, mbajti fjalime në Parlament, shkroi artikuj në gazeta dhe bëri një varg aktivitetesh tjera të rëndësishme me qëllim që politikanët, ushtarakët, diplomatët dhe opinioni britanik të njoftoheshin me gjendjen e rëndë të shqiptarëve dhe kauzën e tyre nacionale.
“Figura më piktoreske e këtij delegacioni ishte Isa bej Boletini, Robin Hudi i Shqipërisë”, shkruan Herbert, duke vazhduar t’i numëroj faktet tjera të cilat këtë njeri e kishin shndërruar në legjendë edhe sa ishte gjallë. Përshtypjet që kishte lënë Isa Beu në Londër ishin mahnitëse. Me trup të një gjiganti (198 centimetra i gjatë) dhe me veshje karakteristike kombëtare, impononte pamjen e tij gjithkund. Herbert shënon se edhe në vende publike, kur dilte Isa Beu, i tërë qyteti ndalej për ta shikuar këtë njeri të pazakonshëm.
Një ditë Herbert kishte organizuar një drekë në restorantin e një shqiptari (Toni Preshës) në Londër, për ta takuar Isa Boletinin me Lloyd Georgen, i cili në këtë kohë ishte ministër i Financave, por që më vonë u zgjodh kryeministër i Britanisë së Madhe. Herbert e përshkruan këtë takim në mënyrë brilante. Pasi që Lloyd George kishte shpalosur qëndrimet e qeverisë britanike për Ballkanin (të pafavorshme për Shqipërinë), Isa Beu i drejtohet Herbertit, i cili në këtë rast shërbente si përkthyes, me këto fjalë:
“Thuaj këtij”, tha Isa Beu, “se unë jam malësor, sikur ky, dhe e di që e ka zemrën e mirë për ata që vuajnë, sidomos për malësorët. Dhe, thuaj se kur të del pranvera, ne do t’i plehërojmë tokat e Kosovës me gjak dhe eshtra të serbëve pasi që shqiptarët kanë vuajtur shumë dhe nuk mund të harrojnë”.
Natyrisht, Herbert këtë fjalinë e dytë e kishte zbutur pak gjatë përkthimit. Por, ai shënon se Isa Beu i kishte lënë mbresa të fuqishme Lloyd Gergeit. “ They were a funny pair. Ll. loved him”, shkruante Herbert, e cila në shqip duhet përkthyer si: “Ata ishin një qift i çuditshëm. LLoyd Georget i pëlqeu shumë ai (Isa Beu , vrj.)”.
Një ditë, duke ecur rrugës (Regent Street), ca posterë të mëdhenj ishin ngjitur gjithandej mureve, me lajmin kryesor të ditës: “Është vrarë Nijazi Beu nga i biri i Isa Boletinit”. Anëtarët e Komitetit për Shqipërinë, pos Aubrey Herbertit, ishin tronditur nga ky lajm. Herbert, me insistim të anëtarëve të Komitetit, i tha Isa Beut: “Në këto mure është shkruar se biri yt e ka vrarë Nijaziun. A e beson ti këtë”?
Në mënyrë të ftoftë, akull, Isa Beu tha se kjo gjë tashti nuk krijonte asnjë ndryshim, duke shtuar: “Kjo gjë është shumë e mundshme. E di që biri im ka qenë i vendosur ta vriste Nijaziun, aq sa edhe Nijaziu ka qenë i vendosur ta vriste birin tim”.
Pastaj, duke u shëtitur në kopshtin zoologjik, e pyetën Isa Beun nëse po i pëlqente ajo që po shihte aty.
“Të gjithë i paskeni futur në kafaz pos dreqit. Mua më pëlqen liria”, ishte përgjigjur Isa bej Boletini.
Edhe në Parlamentin Britanik, Isa Beu la përshtypje dhe efekt të madh. Lordi Trowen (gjeneralmajor), për ta respektuar edhe zyrtarisht, e kishte pritur me uniformë ushtarake.
Herbert një ditë e kishte pyetur se si po e vlerësonte Londrën? Isa Beu ishte përgjigjur: “Me gjithë madhështinë që ka ky vend dhe me gjithë mirësinë që keni ju anglezët, unë këtë nuk do ta ndërroja me shkëmbinjtë dhe lumenjtë e vendit tim”.
Vdekja sipas ligjit 
Anekdota e çarmatimit në Londër shërben për të treguar se shqiptari askund dhe asnjëherë nuk i dorëzon armët për së gjalli. Ky ishte një ligj tjetër të cilin Isa Boletini, si shumë të tjerë, e respektonte deri në fund. Duhej mbrojtur fjalën e dhënë, mikun, pragun e shtëpisë, nderin dhe tërë traditën. Në ato kohëra shqiptarët obligoheshin në çdo hap nga gjithë ato ligje që kishin.
“Duhet ba dekën pa u koritun”, u kishte thënë shpesh Isa Boletini të gjithëve që kishte përreth. Dhe, mu ashtu, duke respektuar ligjet, vdiq kreshniku legjendar.
Ekziston një dyshim i bazuar në fakte se ambasada franceze në Cetinë ishte e përfshirë për të ndihmuar malazezët në organizimin e vrasjes së Isa Boletinit. Britanikët, duket se i kishin marrë erë kësaj pune të keqe dhe i propozuan mbrojtje Isa Beut. Francezët ishin të parët që i ofruan ndihmë dhe për këtë shkak Isa Beu nuk pranoi t’ua kthente shpinën atyre e të shkonte me britanikët të cilët në fakt ishin miqtë e vetëm që kishte.
Me 23 janar 1916 Isa Boletini ra heroikisht duke luftuar në urën e Podgoricës në pritën që ia organizuan malazezët. Po atë ditë kapitulloi shteti i tyre para trupave austro-hungareze. Mali i Zi, në ditën kur po e nënshkruante kapitullimin, në ditën më të turpshme që mund të imagjinohet, gjeti kohë ta vriste Isa Boletinin. Për Malin e Zi, shtet ky që po zgjerohej mbi tokat dhe gjakun e shqiptarëve, Isa Boletini ishte më i rrezikshëm se e tërë Perandoria e Austro-Hungarisë.
Vdekja e Isa Bej Boletinit simbolikisht shënoi edhe humbjen e gjysmës së territoreve që kishin shqiptarët dhe fundin e luftës që të ktheheshin ato gjatë një shekulli. Isa Boletini ishte njeriu i fundit në të cilin ishin përmbledhur të gjitha karakteristikat e të qenurit luftëtar shqiptar. Për Abrey Herbertin, anglezët dhe për të gjithë ne, Isa Boletini ishte Mohikani i Fundit.

Ilir SINANAJ : VIKTIMAT SHQIPTARE NË SIRI – REFORMATORI IBRAHIM PASHA


Siri

Nga shqiptarët më të njohur të Sirisë është Ibrahim Pasha, i biri i Mehmet Ali Pashës së Egjiptit. Ai kishte nën administrim gati të gjithë Sirinë dhe një pjesë të Palestinës dhe mbahet mend si reformator që projektoi krijimin e një shteti arab të pavarur.

Ilir 















Ishte i pari politikan që zgjoi vetëdijen kombëtare arabe, duke iu kundërvënë urdhrave të Portës së Lartë Ndërmori reforma për lirinë e fesë duke proklamuar se të krishterët do të ishin të barabartë me myslimanët. Dhe nuk ishin vetëm fjalë. Ibrahim Pasha futi në administratë një nga krishterët më të njohur të vendit, Hana Behkri. Ky i fundit jo vetëm u emërua kreu i financave publike, por mori edhe titullin bej. Ibrahim Pasha themeloi shtypshkronja në mbarë Sirinë dhe nxiti reforma në arsim. Periudha e sundimit të tij (pas 1830-s) ishte periudha kur numri i shqiptarëve që u vendosën në Siri u rrit shumë. Vetëm në ushtrinë e Ibrahim Pashës bënin pjesë rreth 15 mijë shqiptarë. Me një vëzhgim të thjeshtë të dokumentacionit historik kuptohet që gjatë kësaj kohe në Siri luftuan “shqiptarët me shqiptarët” për vetë faktin se një pjesë e ushtarakëve ishin me Ibrahim Pashën ndërsa të tjerët ishin pjesë e ushtrisë së Sulltanit. Por 12 mijë shqiptarë të ushtrisë perandorake morën anën e Ibrahim Pashës, pasi ky i fundit i shpërbleu me toka, prona të cilat me hartën e sotme korrespondojnë në Siri, Palestinë dhe Liban. Pjesa më e madhe e këtyre shqiptarëve ngelën aty. Futi në administrate një nga krishterët më të njohur të vendit.
Viktimat shqiptare të Sirisë
Nga bombardimet e forcave qeveritare siriane në Damask është raportuar se kanë rënë edhe viktimat e para të “arnautëve”, banorë vendës me origjinë shqiptare. Burime të afërta me arnautët e Sirisë, që përqendrohen në dy lagje në Damask: në Jug (Kadam) dhe në veri (Divanje), bënë me dije këtë javë se prej operacionit disaditësh të “pastrimit të qytetit prej terroristëve”, ushtria siriane bombardoi dhe shkatërroi shumë shtëpi në pjesën jugore të Damaskut, ku gjendet “Lagjja e Arnautëve”. Ka dhjetra të vrarë e të plagosur, sipas raportimeve, në mesin e tyre edhe Munir Arnauti (me origjinë nga Podujeva) dhe Behlul Arnauti. Historia e komunitetit sh qiptar në Damask: rrënjët e një raporti që nis në ish-Perandorinë Osmane. Numri i saktë i viktimave mund të dihet vetëm pas tërheqjes së ushtrisë siriane prej kësajpjese të Damaskut, – raportoi media e Kosovës, duke cituar burime të komunitetit shqiptar në Siri.
Po si është historia e këtij komuniteti? Pasardhës të kujt janë këta shqiptarë që sot i ka përfshirë vala e gjendjes së jashtëzakonshme që ka përfshirë prej muajsh Sirinë? Më poshtë mund të lexoni një vështrim historik mbi këtëargument.
Fillesat rreth vitit 1521
Nga viti 1521, (pasi Sulltan Sulejmani i Madh nënshtroi përfundimisht prijësit mamlukë), shqiptarët dhe sirianët i kanë lidhur me njëri-tjetrin rrethanat e Perandorisë Osmane. Pashallarë shqiptaro-osmanë dhe ushtarakë të tjerë shqiptarë kanë sunduar ose jetuar në Siri deri rreth vitit 1916. Pas rënies së Perandorisë Osmane, pasardhës të tyre mbetën në ato vise dhe janë ende aty. Por të parët shqiptarë që shkelën në Siri ishin udhëheqës ushtarakë. Sipas burimeve historike, prijësi i parë ushtarak shqiptar në këto vise ka qenë Mehmet Pashë Dukagjini, i cili më pas u emërua vali i Halepit në vitin 1550. Një Lala Mustafa Pasha dhe një tjetër Mehmet Pasha ishin valinj të Damaskut nga mesi dhe fundi i shek. XVI. Në vitin 1590 këta u pasuan nga shqiptarë të tjerë.
Nasuh Pasha i Halepit
Rreth vitit 1600, shqiptari Nasuh Pasha merr nën dorëzimin drejtimin e vilajetit të Halepit. Ai shquhej për rreptësi. Në historinë e Sirisë, ky prijës ka ngelur i njohur si personi që arriti të nënshtronte jeniçerët që shkaktonin dëme tek popullsia e thjeshtë. Më pas, në 1608 në krye të Damaskut ishte prapë një shqiptar, Kuçuk Sinan Pasha nga Prizreni. Ky u pasua nga i famshmi Mehmet Pashë Qypryliu me origjinë nga Roshniku i Beratit, i cili më pas u emërua Vezir i Madh në Stamboll. Vendin e tij në Damask e mori i biri, Ahmet Pasha. Pasi shpëtoi qytetin nga uria dhe anarkia edhe ky si i ati u emërua Vezir i Madh. Por në Siri nuk kishte vetëm shqiptarë valinj. Gjatë shek. XVII-XVIII kishte shumë shqiptarë ushtarakë që erdhën në Siri.
‘Gozhda në arkivol’
Leon Panetta
Më qartë nuk kanë folur ndonjëherë amerikanët për këtë konflikt. Qeveria në Washington beson se regjimi sirian po shkon drejt fundit. Beteja në Aleppo është ‘gozhda në arkivolin’ e Assad. Kështu është shprehur Sekretari i Mbrojtjes në SHBA, Leon Panetta. Amerikanët e kanë një frikë: presidenti Bashar al Assad mund të përdorë armët kimike. Vetë presidenti Barack Obama paralajmëroi Assad të mos e çojë ndërmend përdorimin e armëve të tilla kundër popullsisë. Mendohet se rreth 200 mijë njerëz janë larguar nga qyteti, që njihet edhe si metropolis ekonomik i vendit. Në total aty jetojnë mbi 2 milion banorë. Beteja për Aleppo-n quhet si shumë e rëndësishme, ndoshta vendimtare për fatin e Assad. Ai ka angazhuar shumë trupa në këto luftime.
Disa fakte mbi shqiptarët e Sirisë
1. Shqiptarët kanë shkuar në Siri kryesisht si ushtarë. Në vitin 1844, shqiptarët me pozita qeverisëse dhe interesa të lidhura me pushtetin ishin të shumtë. Ishin aq shumë sa një kryengritje që ndodhi kundër mobilizimit të përgjithshëm ushtarak, njihet në historinë siriane si “kryengritja e arnautëve” pra e shqiptarëve.
2. Në gjysmën e dytë të shek. XIX, Pashko Vasa merr në dorë qeverisjen e Halepit si guvernator. Në 1980 në Damask dhe Bejrut emërohet vali, Ismail Qemali, i cili më vonë do të firmoste shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Gjatë kohës që qëndroi në Siri, ashtu sikundër Ibrahim Pasha, edhe Ismail Qemali punoi për krijimin e një shteti arab.
3. Me kalimin e dekadave, shqiptarët u bënë një komunitet i fortë në Damask, madje ata kishin themeluar edhe lagjen e tyre. Familja Mardam Bek që jetonte aty, në fillimet e shek. XX ishte një nga familjet shqiptare më të njohura dhe më të pasura të parisë siriane. Kjo familje e kishte origjinën nga Lala Mustafa Pasha.
4. Shumë shqiptarë të tjerë erdhën në Siri gjatë luftërave ballkanike të viteve 1876-1878 dhe 1912-1914. Janë lehtësisht të identifikueshëm edhe sot, sepse shumica e këtyre shqiptarëve mbajnë mbiemrin “Arnauti”. Nga ky komunitet kanë dalë figura lokale të njohura të politikës, artit dhe teologjisë.
Sekretari i Përgjithshëm i Bashkësisë Islame të Kosovës, Resul Rexhepi
Myslimanët e Kosovës kanë mbledhur mbi pesëdhjetë mijë euro për të ndihmuar refugjatët sirianë. Zyrtarë të Bashkësisë Islamike (BIK) të Kosovës thonë se aksioni do të përfundojë javën që vjen e më pas paratë e mbledhura do t’u dërgohen refugjatëve në Turqi. Në mesin e të ikurve nga dhuna e Qeverisë së Bashar al-Assadit, sipas BIK, ka edhe shqiptarë. Rreth 51 mijë euro janë grumbulluar në llogarinë që Bashkësia Islame ka hapur para disa javësh. “Shekulli” intervistoi via-email Sekretarin e Përgjithshem të Bashkësisë Islame të Kosovës, Resul Rexhepi për ta pyetur rreth kësaj.
Z. Rexhepi, si lindi kjo ide për ndihma në Siri?
Edhe më parë kemi marrë aksione të tilla, si psh për ndihëm të mbijetuarve të cunamit në Indonezi, pastaj në Gërdec, për vërshimet në Shkodër, më herët për popullatën e Luginës së Preshevës etj. BIK nuk ka mund që të rrijë indiferent ndaj asaj që po ndodh me popullin e Sirisë, aq më tepër kur ne në Kosovë si populate vetëm pak më shume se para një dekade kemi qenë në një situate të tillë ose të ngjashme. Prandaj si kryesi e BIK kemi ndërmarrë aksionin humanitar për ndihmë refugjatëve dhe të dëbuarve nga Siria. Aksioni është zhvilluar në xhamitë e Kosovës, ku xhemati i Kosovës ka kontribuar me të holla me mundësitë e veta modeste. etj, Natyrisht edhe disa ish-studentë në Siri kanë hisen e tyre në këtë aksion humanitar. Ne kemi tubuar deri më tash vetëm mjete financiare, janë përafërsisht rreth 50 mijë euro, shuma nuk është definitive, e thashë edhe më lartë këto mjete ne do i dërgojmë për refugjatët-muhaxhirët.
A ka komunitet me origjinë shqiptare në Siri?
Në Siri, si edhe në venet tjera arabe, ka shqiptarë, por dua të them që në Siri ka një komunitet të madh muhaxhirësh me origjinë shqiptare. Ata janë të njohur me mbiemrin Arnauti. Nga komuniteti shqiptar në Siri kanë dalë emra të njohur të fushave të ndryshme të fesë, shkencës, arteve.
Sa është numri i sotëm i shqiptarëve të Sirisë sipas informacioneve tuaja?
Me siguri se numri i tyre është mbi 10.000 veta. Pjesa më e madhe e tyre është e përqendruar në Damask, pastaj ka edhe në Halep e gjetiu.
Keni informacione, si ka ndikuar konflikti në Siri tek ata? 
Për aq sa jemi të njoftuar, edhe komuniteti shqiptar atje i është nënshtruar një terrori të madh. Atje tash në Damask ku janë më shumë të përqendruar arnautët mbretëron një gjendje kaotike, kështu që edhe komuniteti shqiptar është në atë gjendje. Jam në dijeni që Ambasada e Kosovës në Ankara është munduar që të vejë kontakte me ta, por tani edhe kontaktet me ta janë thuajse të pamundura.

STUDIMI I FERDINANDO MILONE, DEL HARTA E SHQIPËRISË NATYRALE E VITIT 1867



Franco TAGLIARINI


Profesor Ferdinand Milone (lindur në Napoli më 1896 dhe vdekur më 1987 në Romë), ka qenë një gjeograf i shquar, pedagog në Universitetin e Napolit dhe të Romës, anëtar i Akademisë Kombëtare të Lincei, autor i librave të shumtë, të një rëndësie të madhe për studimin e gjeografisë ekonomike. Ai ka publikuar në numrin e marsit të vitit 1942, në revistën e klubit të turit italian “Rrugët e Italisë”, një ese tejet të rëndësishme me titull “Shqiptarët dhe Shqipërinë”. E mendoj si të dobishme botimin e një përmbledhje të esesë, meqenëse nuk është në dispozicion as të bibliotekave italiane e as të atyre shqiptare.
Autori pohon që në fillim të esesë se “në Ballkan, ku ka shumë vende e popuj, jo gjithmonë forma fizike të lejon të bësh dallimin mes një rajoni e një tjetri apo një kombësie e një tjetre. Territoret transite nga njëri popull në tjetrin, të banuara nga popullsi të përziera për shekuj me radhë gjatë historisë së përbashkët, duhet domosdoshmërisht dhe më shumë se një herë, të caktohen në këtë apo atë shtet politik. Me pak më shumë vullnet të mirë, ndershmëri dhe studim objektiv të fakteve, do të jetë e mundur, megjithatë, edhe në këtë rajon të madh natyror dhe njerëzor, por edhe të komplikuar, për të arritur një marrëveshje të drejtë dhe të qëndrueshme”. Kështu, Ferdinand Milone fillon të marrë në konsideratë shtetin e ri shqiptar. Para së gjithash, – pyet, – a ekziston një kombësi shqiptare? Një shqiptar autentik, ministri Ernest Koliqi, novelist, poet dhe ministër i Arsimit në Shqipëri nga 1939 deri në 1942 në një udhëzues që hap guidën e bukur të Shqipërisë, botuar nga Shoqëria Turistike Italiane në vitin 1940, bën dy deklarata të rëndësishme: “Ngjarjet e ndryshme historike, nëpër të cilat kaloi raca shqiptare, i kanë dhënë asaj një karakter të veçantë, të larmishëm dhe të pazakontë, që e bëjnë të duket si një mozaik i vërtetë besimesh fetare, zakonesh dhe kostumesh të ndryshme”. Ai shton më tej: “Nëse ti i pyet njerëzit rreth e qark në qytet apo në mal, në veri apo në jug ‘kush jeni ju’, do të dëgjoni përgjigjen më të ashpër dhe më krenare ‘Jam shqiptar’”.
Ka të drejtë Koliqi, – pohon Milone: Sa më shumë ndalojmë nëpër Shqipëri, sa më shumë e studiojmë dhe mësojmë mbi këtë tokë dhe këtë popull kaq interesant, kaq të mirë dhe besnik, aq më shumë shohim se sa të ndryshëm janë njerëzit në këtë rajon. Është e admirueshme që pavarësisht nga sundimi turk, nuk është shuar ndjenja kombëtare në këtë popull barinjsh e druvarësh, të cilët në shekujt e gjatë të sundimit të huaj, nuk kanë një histori që nuk ka të bëjë me rebelimet e kryengritjet e guximshme apo shtypjen e përgjakshme. Flaka e ndjenjave kombëtare ka mbetur gjallë në këtë popull aq sa, në vitin 1878, pas Kongresit të Berlinit, u krijua Lidhja Qendrore për mbrojtjen e kombësisë shqiptare, me kryeqendër Ohrin. Lidhja bëri thirrje për autonomi të shtetit shqiptar, në mënyrë që vendi të mbrohej nga copëtimi i territorit mes Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë.” Milone kujton në artikullin e tij, se Italia edhe gjatë shekujve të mëparshëm e ka njohur shtetësinë shqiptare, duke i ofruar ndihmë Skënderbeut në luftën e tij të vërtetë epike dhe duke mirëpritur refugjatët shqiptarë në vendin tonë, ku ata jetonin lirisht, duke ruajtur fenë e tyre, gjuhën e tyre dhe kostumet e tyre, e kanë qenë të lidhur me shtëpinë “birësuese” jo më pak se me atë amtare. Në vitin 1911, kur shqiptarët ishin në kryengritje, u formua në Romë një Komitet Parlamentar për Shqipërinë, që mblodhi 60 deputetë nga të gjitha ngjyrat politike; u organizua një ushtri që kishte një kauzë të përbashkët, që do të mblidhte edhe veshje dhe të holla në favor të kryengritësve. Ishte Italia ajo që së bashku me Austrinë, iu bëri jehonë të drejtave të shqiptarëve në Konferencën e Ambasadorëve të mbajtur në Londër në vitin e ardhshëm, kur edhe triumfoi kauza e tyre e drejtë.
Gjuha, kombi, feja “Kush është para syve tanë,- shkruan Milone, ndërsa vë në dukje se më shumë se çdo gjë tjetër ata (shqiptarët) dallohen nga gjuha që flasin. Ruajtja e gjuhës me besnikëri, është e shkëlqyeshme, pavarësisht nga arsyet e forta dhe të shumta që luftonin kundër ekzistencës së saj. Ruajtja e gjuhës e ka penguar ‘humbjen’ e njerëzve, duke i dalluar ata mes popujve të tjerë. Është shqipja, një tjetër element i fuqishëm e konservator i kombësisë, madje edhe atëherë kur kombet, politikisht me konsideratë, e kanë humbur kombësinë dhe pavarësinë e tyre.
Gjuhëtarët nuk janë të gjithë dakord sa i takon origjinës e autonomisë së gjuhës shqipe. Sipas shumicës së tyre shqipja vjen nga ilirishtja antike; ndërsa të tjerë mendojnë se është vazhdimësi gjurmësh të tjera e jo të ilirishtes. Sigurisht që është një gjuhë që ka ndikim të menjëhershëm nga jashtë e mes këtyre ka një ndikim të madh nga latinishtja. Nuk mungojnë fjalët që rrjedhin nga greqishtja e lashtë, por më të shpeshta janë fjalët që rrjedhin nga greqishtja mesjetare. Janë të dukshme megjithatë edhe ndikimet sllave e turke, ndërkohë që ndikimi nuk është i papërfillshëm as nga gjuhët e tjera të Ballkanit. Kështu përfundon Milone: “Gjuha shqipe, edhe pse kaq e modifikuar, e ruan forcën e saj dhe punon sot për detyrat kombëtare”. Populli shqiptar është i ndarë në fe të ndryshme. Subjekt i ndikimeve të Romës dhe Bizantit, e dominuar për më shumë se katër shekuj nga pushtuesit myslimanë, kjo popullsi ka në mënyrë të dallueshme tri fe të mëdha: katolike, ortodokse dhe myslimane. Por kjo treshe besimi nuk e ka dëmtuar unitetin e popullit. Shumica myslimane jeton në tolerancë të plotë me ortodoksët dhe katolikët. Është e dukshme që për të kuptuar se kush është në të vërtetë populli shqiptar, elementi më domethënës i dallimit është ai gjuhësor. Ajo është besnikëria e një populli për gjuhën e vet, një popull që për shumë vite u dominua nga të huajt dhe është padyshim dokumenti më i mirë i karakterit kombëtar. Nuk do të jetë e vështirë, që sapo të njihet kombi shqiptar, nga elementi gjuhësor të hiqen kufijtë që duhet të ketë shteti shqiptar. Për fat të keq, – thotë autori, – nuk është e lehtë për të kuptuar se sa veta flasin ende gjuhën shqipe në rajonin e Ballkanit. Pushteti osman kënaqej duke dhënë vlerësime e duke bërë dallime, më shumë mbi besimin, se sa mbi gjuhën.
Numri i popullsisë
Një publikim zyrtar i qeverisë angleze, që u publikua në vitin 1922, e nxori numrin e shqiptarëve rreth 1 milionë e gjysëm deri në 2 milionë banorë. Por, nga popullsia shqiptare, vetëm gjysma e saj, apo dhe ndoshta më pak, ka jetuar brenda kufijve të Mbretërisë së Shqipërisë. Gjysma tjetër dhe që nuk ishte e papërfillshme jetonte jashtë kufijve, në Jugosllavi dhe në Greqi.
Statistikat zyrtare jugosllave e ulin numrin e popullsisë shqiptare deri në 442.000 brenda kufijve të vet. Sipas burimeve zyrtare jugosllave, minoriteti shqiptar në shtetin e tyre na qenkërka sa gjysma e popullsisë shqiptare të Mbretërisë Shqiptare. Në të vërtetë, shqiptarët ishin të paktën dyfishi i asaj shifre që u dha prej tyre, dhe kjo ishte të paktën tre të katërtat e popullsisë së mbetur në Mbretërinë e Shqipërisë.
Hartat
“Në vitin 1919, – shkruan Milone, – u publikua një hartë etnografike për Gadishullin Ballkanik. Në Mal të Zi, rajoni i Tivarit dhe kufiri i vjetër banohet nga popullsi shqiptare që është ende kompakte dhe rrethohej nga liqeni i Shkodrës. Nga shqiptarët, në një masë kompakte janë të banuara edhe pellgjet e larta të Limit, Ibrit dhe Drinit të Bardhë, ku shqiptarët janë shtyrë deri në malet e Krushevicës, duke arritur deri në kufirin e vjetër në mes të Malit të Zi dhe Serbisë.
Shqipëria, – sipas Kettler, – duhet të ketë qenë shtrirë pothuajse gjatë gjithë Liqenit të Shkodrës dhe në rajonet e Hotit, të Alpeve dhe në rrethet veriore shqiptare të Ipekut dhe Gjakovës, bashkë me Methohinë pjellore, deri në malet e Krushevicës.
Në Serbi, përtej kufirit të saj të lashtë me Malin e Zi, shqiptarët kanë formuar një ishull të madh, që shtrihet me degët e veta edhe përreth Novi Pazarit, në pellgun e lartë të Ibrit, e deri në jug pranë Goljakut e Kopanikut. Ata janë të gjithë shqiptarë etnikë, me shumicë dërrmuese që vetëm përtej këtyre maleve përzihen me serbët dhe bullgarët. Ishuj të tjerë serbësh ndërpriten, megjithatë, vazhdimësia e popullatës shqiptare është kështu: menjëherë në lindje të Ipekut, dhe në veri të Prishtinës e në jug të Prizrenit. Por edhe në këto zona popullsia është në shumicë dërrmuese shqiptare, ndërsa e gjithë Kosova është e banuar pa dyshim nga shqiptarët, të cilët në kultivimin e tokave fushore të këtij rajoni tregojnë kapacitetet e tyre të mëdha për punë dhe aftësinë e tyre të shquar për përparim. Në mes të Prizrenit dhe të Vranjës, ka një përzierje popullsie me bullgarët, të cilët zënë disa pjesë të luginave të lumenjve të mëdhenj. Rajoni malor në të djathtë të Vardarit të lartë është i banuar nga shqiptarët, të cilët, në fakt pak më në jug, kanë formuar disa ishuj të vegjël pranë Krushevit, Manastirit dhe Follorinës, një qytet që gjendet brenda kufijve të vjetër grekë. Por, brenda kufijve të vjetër të Greqisë, shqiptarët përbëjnë një oaz më të madh se ai i Follorinës. Milone pohon nëse ka mbajtur shënim indikacionet e dhëna mbi shqiptarët që gjendeshin brenda dhe jashtë kufirit shqiptar, kudo në zonat e banuara nga shqiptarët etnikë jashtë kufijve (1940) të Mbretërisë së Shqipërisë. Për disa pohime ai ka pasur parasysh dijetarë të gjuhës, si gjermanin Kettler, i cili pajtohet me disa autorë të tjerë si Lejan, dijetarin rus Mirkovitch, sllaven Bradaska, Charles H. Kiepert dhe Sax), të gjithë dijetarë e studiues të gjysmës së dytë të ’800-ës. Në dritën e këtyre burimeve autoritare, Ferdinand Milone shqyrton pretendimet shqiptare në Konferencën e Paqes. Çelësi për pretendimet shqiptare ishte memoriali i Turhan Pashës, që kërkonte kthimin Shqipërisë, të territoreve të inkorporuara në Mal të Zi dhe në Serbi, si edhe ato të inkorporuara në Greqi, si rezultat i Konferencës së Londrës të 1913-ës.
Kufiri etnik
Në thelb kërkohej e pretendohej kufiri etnografik i Shqipërisë, në të cilin si pjesë e Shqipërisë janë Tuzi, Hoti, Gruda, Podgorica, Ipeku, pjesa lindore e Mitrovicës, rrethet e Prishtinës, të Gjilanit, të Ferizajt, të Kaçanikut… një pjesë e Qarkut të Uskubit, rrethi i Kalkandeles, Gostivari, Kërçova, Dibra, duke arritur deri në malin që quhet Mal ‘ i Thatë, në mes të Liqeneve të Ohrit dhe Prespës. Duke u nisur nga kjo pikë, kufiri ndjek gjurmët e vitit 1913 deri në kreshtën e Monte Gramos dhe vazhdon drejt jugut, për të përfunduar deri në afërsi të Prevezës. Të gjitha territoret e vendosura në perëndim të këtij kufiri janë toka etnike e historike shqiptare”. “Në limitet e këtyre territoreve të përmendura,- vazhdon memoriali i Turhan Pashës,- jetojnë rreth dy milionë e gjysmë shqiptarë, prej të cilëve gati një milionë jetojnë brenda kufijve të caktuar në Shqipëri nga ana e Konferencës së Londrës të vitit 1913 dhe një milion e gjysmë që e njëjta konferencë ia dha Malit të Zi, Serbisë, Greqisë”. Sigurisht që pas gjithë këtij “ushtrimi” historik, profesor Milone raporton në përfundimet e tij se: “Sigurisht, populli shqiptar ka tashmë të drejtë që të shohë të ndërtuar përfundimisht individualitetin e vet etnik e kombëtar”.

SHQIPTARËT NË TURQI DHE GJUHA

Dr. Laurant BICA


Shqiptarët katolikë të Veriut, shqiptarët ortodoksë të Jugut e të Moresë që kapërcyen detin në Itali në shekullin 15 shërbyen si stratiotë (ushtarë me pagesë) në ushtritë e perandorëve e mbretërve dhe princërve të Evropës Perëndimore. Këtë traditë e vazhduan po në Perëndim në shekujt osmanët shqiptarë ortodoksë të Himarës, Labërisë, Suljotët e Ccamërisë e të tjerë. Në Lindje, në Rumani, shërbyen shqiptarët ortodoksë të Shqipërisë së Jugut e të malësive të Korçës, Pogradecit, Strugës, Ohrit, Kolonjës, Përmetit, Dangëllisë, Gjirokastrës etj. Ata qenë ushtarë rrogtarë në shërbim të gospodarëve (princërve fanariotë shqiptarë si Gjikajt, Dukajt etj.) në principatat e Vllahisë e Moldavisë. Labëria, edhe kur u islamizua, vazhdoi zanatin e “gjakut”. Anglezët, francezët etj., kolonizatorë, kanë rekrutuar për llogari të tyre mercenarët shqiptarë e i kanë dërguar pas përgatitjes stërvitore ushtarake në Afrikë e gjetkë. Shqiptarët me fustanella, sidomos nga Jugu i Shqpërisë po edhe Veriu, kanë luftuar me pagesë edhe për llogari të Mehmet Aliut, kur ai u bë pasha i Misirit (Egjiptit) edhe në shkretëtirat e Sirisë, Sudanit, të Arabisë, Libisë e në vende të tjera, ku e solli hera. Nuk është e rastit që në një sërë tabllosh të piktorëve të shquar anglezë e francezë etj., kur tregohen luftërat në Afrikë apo në Lindjen e Mesme, paraqiten shqiptarët me fustanella të bardha dhe qeleshet karakteristike në kokë. Shërbimi ushtarak dhe mercenarizmi përbëjnë çvendosjen e katërt të madhe të shqiptarëve, atë të largimit nga trojet amtare… Duke e ndalur fokusin e vështrimit tonë në dy gadishuj, atë të Anadollit dhe Sinisinë Ilirike (Gadishulli i Ballkanit siç njihet sot) mund të themi si konkluzion të shtjellimit të kësaj pjese të parë të punimit tonë se pavarësisht nga gjuha, që ka të bëjë me tjetërsimin e shqiptarit që ka jetuar në këto troje, si greqisht tek arvanitët, turqisht tek arnautët, kemi të njëjtin njeri. Antropologjia do të kishte se çka të fliste.
Shifrat për popullatën shqiptare që jeton në Turqi shkojnë nga 3 milion deri në 20 milionë  (shifra zyrtare nuk ka por dhe kur jepen janë qesharake, rreth 50.000 veta, më e larta e dhënë në një botim të fundit deri më sot). Regjistrime, statistika në këtë drejtim për popullatën shqiptare nuk gjenden kurrkund. Gjithçka është e diskutueshme në shifrat që jepen andej këtej. P.sh. gjatë vizitave në Shqipëri të presidentëve turq, pas vitit 2000, për shqiptarët e Turqisë janë dhënë nga goja e tyre shifrat 53 dhe 64 milion. Në një emision të kanalit televiziv Top Channel për shqiptarët e Turqisë është dhënë shifra rreth 15 milionë pa treguar burimin. Ka burime të tjera që japin shqiptarët ¼ apo 1/3 e popullsisë aktuale të Turqisë. Sipas një të dhëne çdo i treti banor i Turqisë pavarësisht e flet shqipen apo jo, si gjuhë amtare, është i gjakut shqiptar. Kohët e fundit janë shtuar botimet arkivale për popullsinë e zbritur në Republikën e Turqisë nga Rumelia d.m.th. Ballkani. Ka që e shpien shifrën e të ardhurve prej këtej në Anadoll, deri në gjysmën e popullsisë së tij, apo që përbëjnë rreth gjysmën e popullsisë totale të Turqisë. Këtë autori i këtyre rrjeshtave e ka dëgjuar edhe nga specialistë demografë në simpoziume e kongrese shkencore të mbajtura si në Jeshilqoj apo vende të tjera. Po të gjykosh nga këto shifra, duke marrë parasysh dhe shtesën e madhe natyrore të popullsisë së re në Turqi, shikon se shifrat që u dhanë më sipër nuk janë dhe fort larg realitetit, apo e thënë ndryshe nuk janë dhe aq të papranueshme. Gjithsesi, problemi mbetet i hapur….
Po sjellim edhe të dhënat nga dy burime që i takojnë të njëjtit studiues, kanadezit Robert Elsie, të cilat na ranë në dorë tani së fundi, kur po i vinim pikën këtij artikulli studimor. Në të parin, në zërin “Turqia, shqiptarët në Turqi” ai shkruan dhe këto (lexuesi le të gjykojë vetë si për informacionin e sjellë, ashtu dhe për autorin): “Ndonëse jo shumë i njohur jashtë dhe pavarësisht mungesës së statistikave të besueshme për popullsinë, komuniteti shqiptar në Turqi, në të vërtetë mund të jetë më i madhi në diasporë. Emigrimet e hershme të shqiptarëve në Turqi ishin rezultat i rekrutimeve me forcë për ushtrinë osmane dhe jeniçerë…Numri i shqiptarëve etnikë, (dmth nga Ballkani-L.B) në Turqi mund të arrijë mbi një milion, ndonëse shumë prej tyre janë asimiluar. Një raport i Këshillit të Sigurimit Kombëtar të Turqisë, më 2008, vlerësonte se në Turqi jetonin 1,2 milionë shqiptarë. Sidoqoftë, ka ende komunitete të mëdha dhe aktive shqiptare në Stamboll dhe Bursë”. Kësaj shifre (1,2 milion), në burimin tjetër, albanologu Elsie i shtonte sqarimin, “shumica e të cilëve me origjinë kosovare”. U takon studiuesve kompetentë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, shqiptarëve të Turqisë dhe shtetit turk që ka statistikat e plota të brendshme për të thënë një fjalë më të plotë dhe kompetente edhe në këtë drejtim. Kjo i takon së ardhmes. Ne vetëm kaq mund të themi përafërsisht mbi bazën e burimeve direkte apo të dhënave indirekte që disponojmë…Mendohet se vetëm qyteti i Stambollit ka mbi 3 milion shqiptarë në një kohë kur ai u është afruar rreth të 20 milionëve. Është qyteti me më shumë shqiptarë në Ballkan, për t’u ndjekur nga qytete-metropole si Tirana dhe Shkupi dhe, tash së voni, edhe Prishtina.
Për ngjashmërinë apo më mirë njejtësinë e shqiptarit apo njeriut të Ballkanit me shqiptarin apo njeriun e Anadollit të tjetërsuar në gjuhë etj., flet e do të flasë më mirë në të ardhmen antropologjia, etnografia, folkloristika e shkenca të tjera. Mjafton të krahasosh instrumentet muzikorë si çiftelia, gërneta e të tjera apo veshjet e një popullate të Detit të Zi, siç janë llazët, këngët, vallet, lodrat e tyre të ndryshme e të bindesh se sado larg të jenë këto vise gjeografikisht nga njeri-tjetri, prapë janë afër, shumë afër në doke, në zakone, në tradita.
Me sy të lirë, vetëm duke parë muzeun e qytetërimeve anatoliane në Stamboll, muzeun e pasur arkeologjik të Bursës, muzeun arkeologjik të Antalias, muzeun e arkeologjisë së nënujit në Bodrum në brigjet e Egjeut etj., dhe t’i krahasosh me muzeun arkeologjik të Tiranës, s’e ke të vështirë të realizosh se në një kuptim, në të dy gadishujt ka jetuar e njëjta popullsi iliro-pellazge. Kur mësonte gjuhën turke në Stamboll, autori i këtyre rrjeshtave në tekstin e mësimit shihte një fotografi me varre monumentale në zonën e Izmirit, në atë që njihet si “rrethi mavi (blu)” dhe që kap më së shumti brigjet e Egje-Mesdheut deri në Antalia. Nuk ishte e vështirë të konstatoje se ato ngjisnin si dy pika uji me varret monumentale të Selcës së Poshtme në Pogradec, ku ishin varrosur mbretër ilirë. Del nevoja e studimeve krahasimtare në këtë fushë të djerrë si arkeologjia që do të na sjellë në zbulime “perla” për popullatën ilire të Anatolisë që gati nuk është studjuar fare.  Deri tani as që bëhet fjalë për studime krahasuese. Del gjithashtu nevoja e thellimit të bashkëpunimit të Instituteve apo Muzeve homologe, p.sh., të arkeologjisë. Sikur vetëm vizitat reciproke nga profesionistët në to, pa folur për sesione, simpoziume apo kongrese shkencore të përbashkëta shqiptaro-turke që mund të bëhen edhe në këtë fushë apo sfera të tjera si etnografia, folkloristika etj. etj. Brezat e rinj të sotëm e të nesërm të shkencëtarëve e studiuesve duhet të hulumtojnë dhe të tregojnë se sa të ngjashëm, të njëjtë, të mos themi identikë, janë qytetërimi ilir në Ballkan me atë në Anadoll, si në Trojë e në mbarë bregdetin egjean e në thellësi të tokës anatolike…
II
Vendndodhjet e shqiptarëve në Turqi sot…
Më kujtohet se gjatë kohës që kam qenë në Republikën e Turqisë, sa herë jepej moti në lajmet e mbrëmjes në televizor, ajo ndahej në 8 rajone të mëdha. Mbi bazën e tyre po paraqesim me një vështrim telegrafik shpërndarjen e popullatës shqiptare në të.
Së pari: Rajoni i Stambollit dhe Thrakës Lindore ose thjesht Thrakia Turke me qytete të tilla si Edrene, Tekirdag, Gelibollu, Kerklareli etj. Stambolli dhe Trakia siç i thonë turqit, përfshijnë një territor prej 24.000 km2 gati sa Shqipëria. Në shekuj, po sidomos në shekullin e 20-të, kemi dyndje të shqiptarëve drejt Stambollit dhe pjesës evropiane të Turqisë. Mjafton të shohësh njerëzit e këtyre anëve dhe bindesh për origjinën e tyre. Edhe pa i pyetur, antropologjia s’të lë të gabosh kurrsesi. Por janë edhe shqiptarët vendas të krishterë “rumë“, po dhe muslimanë të konvertuar në shekuj deri në ditët tona. Stambolli numëron me miliona shqiptarë të shpërndarë në lagje si Aksaraj, Ejup, Alibeqoj, Beshiktash, Arnautqoj, Kadiqoj, Feriqoj, Bajrampasha, Fendekzade, Topkapi, Fatih, Kuçykçekmexhe etj.etj. Dikur shqiptarët kanë qenë të vendosur me mahalla sipas krahinave në lagjet e ndryshme të Stambollit, bile kjo deri në vitin 1990 p.sh, Alibeqoj kishte shqiptarë të Kolonjës dhe të Gostivarit me shumicë që jetonin në masa kompakte në shtëpitë e tyre me bahçe dhe familjet ishin të një ane, madje në një pjesë të tyre ishin edhe farefis apo dhe ishin bërë të tillë, duke jetuar në krah të njëri-tjetrit. Nuk përziheshin me të tjerët e ruanin me fanatizëm gjuhën, madje në dialektin e veçantë siç e kishin folur në Shqipëri. Bile ndihej moszhvillimi i mëtejshëm i saj dhe dukeshin trajtat konservatore. I ruanin siç u bartën nga Kolonja dhe n’atë gjendje i flisnin sot. Vetë i kam dëgjuar e komunikuar me ta. Ruanin bile këngë popullore, vjersha e folklor të vendlindjes. Mund të kishin lindur edhe në Turqi por ruanin një mall të patreguar për fshatin, qytetin, apo krahinën prej së cilës kishin ardhur. Të prekte kjo dashuri e mall i tyre i patreguar për t’u kthyer qoftë edhe njëherë në vendlindje. Shpesh të rinjtë bartnin si të regjistruar në një shirit magnetofoni kujtimet e prindërve të tyre për vendet nga ishin  shpërngulur deri dhe për gurët e drurët e vendëlindjes… Bajrampasha, rajoni më shqiptar i Stambollit, ka kryesisht shqiptarë të Maqedonisë, sidomos nga rajoni e qyteti i Manastirit, Perlepi e fshatrat shqiptare rreth tij, kurse Fëndekzade ka më shumë shqiptarë të Shkupit, bile edhe shoqata e tyre e ka qendrën këtu… S’ka rajon të Stambollit që të mos ketë shqiptarë. Janë nga Kosova, Maqedonia po dhe nga Novi Pazari (Tregu i Ri)  mbi Mitrovicën e Kosovës si dhe nga jugu i Shqipërisë, të hershëm e të sotëm. Pas viteve ‘90 erdhi një valë e re emigracioni nga Shqipëria. Shqiptarët myslimanë në Traki, jo vetëm që i ke me shumicë në qytetet si në Edrene apo Tekirdag po edhe nëpër fshatra. Në shumicë janë të ardhur nga Kosova po edhe Shkupi.
Sami Frashëri na bën me dije për ngulime të tjera shqiptare në Thrakë dhe në brigjet e Detit Marmara si dhe në ishujt afër tyre. Këto komunitete shqiptarësh ortodokse u dëbuan në Greqi pas Luftës së Parë Botërore, në periudhën e shkëmbimit të popullsisë midis dy vendeve (turqisht “mubadele” dhe greqisht “andallaia”). Nuk është fjala për “Adalar”(Ishujt e Princave) që janë në Grykën e Bosforit në Stamboll, përballë Kadiqojit, gjithsej 9 ishuj të banuar e të pabanuar, me popullsi ortodokse, që s’u përfshinë në marrëveshjen e shkëmbimit që u nënshkrua në Lozanë të Zvicrës. Popullata ortodokse e Stambollit nuk u prek nga ky traktat ogurzi për shqiptarët. Sasia më e madhe e shqiptarëve të Turqisë është grumbulluar në pjesën evropiane të saj.
Së dyti: Rajoni i Bursës me sipërfaqe 11.087 km2 dhe popullsi prej 2.600.555, pra gati sa Kosova e sotme. Bursa është qyteti i katërt më i madh i Turqisë. Në këtë rajon përfshihen edhe qytetet si Adapazar, Kutahja (emri i vjetër Qytahja) Bandërmaja, Ballëkesir, Çanakala e deri në Ajvallëk, një qendër e vogël e banuar buzë Detit Egje. Brenda qytetit Bursa (thirret edhe Brusa) ka disa mëhalla si “Zafer” etj. plot e përplot me shqiptarë, ku shqipja gjallon deri në ditët tona. Kjo lagje njihet si lagje e shqiptarëve. Ata kanë shoqatat e tyre kulturore – artistike dhe janë të mirëorganizuar. Ka shqiptarë të hershëm si ata të Nishit që i gjen në qytete si Adapazari, Kutahja etj. Shqiptarë ka dhe Bandermaja, Ballëkesiri, si dhe rajonet bregdetare, por me klimë relativisht të ftohtë si Çanakala apo diçka më ndryshe Ajvallëk, Akçaj etj. Ka dhe ishuj si Bozxha Ada apo ndonjë tjetër në krah të saj të banuar nga të krishterë shqiptarë të vendit, të ashtuquajtur rumë. Prej këtyre ka dalë dhe patriarku ortodoks aktual i Stambollit, Bartolemeo, që e di shqipen si gjuhë amtare që e ka… Banorët e ardhur janë kryesisht nga Kosova e më pak nga Maqedonia.
Së treti është Rajoni i Izmirit me qytete si Manisa, Akhisar, Ajdin, Denizli, Fethije, Marmaris, Bodrum e deri në Antalja e Alanja, duke përfshirë dhe Ispartën dhe Afjonin etj. Ky rajon është i mbushur plot e përplot me shqiptarë të Çamërisë që erdhën pas nënshkrimit të Traktatit të Lozanës në vitet 1923-25. Qyteti i Izmirit lagjen e vet më të madhe e më të rëndësishme, lagjen aristokrate të vet, Karshejaka, në 90% të saj i ka me shqiptarë të Çamërisë apo dhe Janinës. Po nuk mungojnë dhe shqiptarët e Kosovës psh. nga Prishtina, të Shqipërisë e të Maqedonisë. Në lagjet e Izmirit apo Smirnës së dikurshme, është folur shqip nga rumët shqiptarë të këtij qyteti dhe pastaj pas dëbimit me marrëveshjen e Lozanës të shqiptarëve ortodoksë, këta u zëvendësuan me shqiptarë muslimanë të Çamërisë, me shqiptarë fisnikë muslimanë arvanitë të krahinave të Manit e të Lalës në Peloponez (More). Po ashtu Izmiri pas 1924-1925 u mbush me kosovarë të ndjekur nga regjimi serbomadh i kralit Aleksandër Karagjorgjeviç. Pra shqipja është dëgjuar deri në fund të shekullit XX në lagjet e Izmirit e ku më shumë e ku më pak, ndonëse më rrallë, sot vetëm në mjedise familjare. Çamët jetojnë të tubuar në qytete të tilla, veç Izmirit, si Foça, Menemen, Manisa, Soqe, Selçuk, Ajdin, Denizli e më pak në Bodrum, Fethije, Marmaris apo Muglla. Është për t’u përmendur një fshat i madh  apo qytet i vogël, jo larg nga Izmiri, me emrin Jeniqoj me shqiptarë të Kosovës që flasin edhe sot e kësaj dite shqip e vetëm shqip. Njeriu mendon se është në Kosovë apo Shqipëri. Shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë ka në qendrat e banuara në veri e në verilindje të Izmirit, siç është Aksaraj e të tjerë. Ka dhe rajone që janë të përziera me shqiptarë të ndryshëm, të Kosovës e të Çamërisë, siç është qyteti Akhisar e qendra të tjera më pak të njohura. Janë fshatra të tëra që deri vonë kanë folur shqip, por proceset urbanizuese kanë bërë punën e vet. Antalja, Alanja dhe qytete të vogla në krah të tyre, buzë detit si Qemer, Manavgat, Side etj. kanë shqiptarë të ardhur e të vendosur në to në kohë të ndryshme. Shifra për numrin e tyre s’ka, por kur pyet shqiptarët e atyshëm të thonë se janë shumë, “pa hesap”!
Së katërti: kemi Rajonin e Anadollit Qendror apo të Ankarasë, ndryshe mund ta quaja edhe të kryeqytetit turk. Në të përfshihen veç kryeqendrës së Turqisë po edhe të Anadollit Qendror e përgjithësisht të Ankarasë dhe qytete të tilla si Jozgat, Konja, Kajseri dhe Nigde, si dhe qytetin e Haxhi Bektashit si qendër e bektashizmit. Ankaraja si çdo kryeqytet ka mbledhur edhe shqiptarë nga të katër anët e Turqisë dhe numri i tyre që banojnë në të është i konsiderueshëm.
Shqiptarët i gjen kudo në tërë poret e jetës turke, sidomos në poste drejtuese e komanduese si në aparatin shtetëror, në ushtri, në polici, në ekonomi, industri e tregti, në arsim dhe kulturë dhe ata gëzojnë respektin e mbarë popullsisë. Të përmendësh emrin shqiptar në Turqi, si dje dhe sot, është sikur të përmendësh një emër të shquar, të nderuar, me reputacionin më të mirë që mund të bëhet. Në tërë shtresat e popullsisë, pavarësisht nga niveli shoqëror apo raca dhe në gjithë popullsinë e Republikës Turke, s’ka  rëndësi përbërja etnike e saj, të thuash “arnaut” d.m.th. të kujtosh një emër me peshë të madhe, njerëzore që gëzon një respekt jo të zakonshëm. Nuk duam të zgjatemi në këtë pikë se do të shkonte gjatë ky shkrim.
Popullsia rume e Kajserit, e Konjës apo dhe e qyteteve e fshatrave të tjera të Anadollit Qendror me marrëveshjen e Lozanës u vu në rrugën e ikjes drejt Greqisë. Boshllëkun e tyre e mbushën çamët e Çamërisë dhe shqiptarët e Maqedonisë “greke” deri në qytetin e Mersinit në bregdetin e Mesdheut. Nga këto vise është shkrimtari, poeti e dramaturgu i njohur turk me origjinë shqiptare Nexhati Xhumali prej Follorine që vdiq tani së voni, pas viteve 2000, në Turqi. Viset e Jozgatit kanë të ardhur më shumë çamë kurse Kajseri, Konja, Nigde dhe Haxhi Bektashi etj. kanë shqiptarë nga Kosova, më pak nga Maqedonia,  po diku dhe shqiptarë të ardhur herët nga Shqipëria, kryesisht nga jugu i saj. Diku fare pranë qytetit të Haxhi Bektashit janë dy fshatra shqiptare ku ende edhe sot flitet shqip, siç na kanë bërë të ditur dëshmitarë okularë.
Së pesti kemi Rajonin e Adanasë apo të Juglindjes me qytete të tilla si Adana, Mersin, Iskenderun  etj. që shtrihet kryesisht në një nga fushat më pjellore të Turqisë, të Çukurovës nën malet Toros, vargmale që përshkojnë tej për tej Anadollin. Aty gjen shqiptarë nga tërë trevat e Ballkanit, të trojeve etnike shqiptare, po edhe çamë. Autori i këtyre rrjeshtave ka takuar në një qytet të vogël, Dortjoll, të përfshirë në qarkun Osmanije, afër Iskenderunit, çamë të Pargës dhe të zonës së Igumenicës. Në këto anë janë dy fshatra me shqiptarë të Kosovës, të dëgjuar në tërë Turqinë si Naxhar i Madh dhe Naxhar i Vogël, ku flitet sot e gjithë ditën shqip, të dy bashkë, me disa mijëra banorë. Këto emra të vjetër të këtyre fshatrave sot janë ndërruar, po shqipja vazhdon të dëgjohet edhe në këto anë të Anadollit. Çudia e autorit ishte, kur mësoi për ekzistencën e një a dy fshatrave shqiptare pranë kufirit me Sirinë, në zonën e qytetit Antakja apo provincës Hataj siç thuhet ndryshe, e cila dihet hyri në përbërje të Republikës Turke me referendumin e vitit 1938.
Së gjashti kemi Rajonin e Detit të Zi, apo Karadenizit (siç i thonë turqisht), kryesisht me qytetet e Samsunit, Amasjas, Sivasit, Bafrës po dhe të Sinopit e të Çankërë… Këtu ka kryesisht shqiptarë të ardhur në vitet 1877, 1878 nga qyteti dhe rajoni shqiptar i Nishit apo siç thirrej dikur Sanxhaku i Nishit, sot i mbetur nën Serbi. Janë me dhjetra mijëra, mos them  qindra mijra shqiptarë që jetojnë në fshatra me masa kompakte si dhe në ndonjë qytet si Bafra që mund të quhet pa frikë qytet shqiptar. Janë për t’u përmendur shqiptarët e qytetit të Tokatit e të rrethinës së tij. Të gjithë ata që shisnin simite rrugëve të Stambollit me karroca ambulante ishin nga këto anë dhe kudo midis tyre ata flisnin shqip. Ata ishin shqipfolës të çartur, ndonëse disa breza kishin  lindur e rritur në Turqi dhe në fshatrat e tyre flitej shqipja e patrazuar. Kur vinin në Stamboll në punën e tyre si simiteshitës atëherë fillonin të mësonin turqisht.  Shqiptarë të çuditshëm, asht i pandryshueshëm i tokës arbëreshe. Të përkulem në gjunjë dhe të falem ty o gen i tokës mëmë që di të mbijetosh dhe i pashkolluar, siç ke mbijetuar në shekujt vrastarë e të pamëshirshëm e në kohërat “njerkë“ për Shqipërinë e kombin shqiptar! Shqiptarët e këtyre anëve jetojnë në një gjeografi që përfshin qytetin e madh bregdetar të Samsunit, kryeqendër e Vilajetit me të njëjtin emër me mbi 1 milion banorë, në Sivas, në Amasja e Tokat po edhe në Sinop e Çankere. I gjen ata dhe në qytetet e Bollusë e të Zonguldakut si qendër minerare e metalurgjike e vendit, në Kastamonu etj. Fusha e Samsunit, ku rritet sidomos duhani e deri poshtë në thellësi të Anadollit zbukurohet edhe me qeleshet, plisat shqiptarë. Sado që ka kaluar gati një shekull e gjysmë nga dëbimi i tyre prej trojeve amtare, shqipja ruhet edhe në këto anë në thellësi të Turqisë. Këta shqiptarë të Nishit përbëjnë një kapitull të veçantë të mbijetesës së racës shqiptare në këto anë. Një autor i Kosovës u ka kushtuar një monografi të tërë këtyre shqiptarëve me trup si lisat e bjeshkëve të tokës arbnore dhe me pasuri shpirtërore të jashtëzakonshme, palcë e shqiptarizmit që bartën kudo që shkuan genin e shqiptarit. Ata i dhanë emrit shqiptar përmasa dhe vënd të veçantë, që s’guxon ta zërë kush në Republikën e Turqisë. Nderim e respekt të pamatë këtyre burrave të kombit shqiptar dhe nënave shqiptare që janë krenare për emrin shqiptar e për nënën SHQIPERI! Nishi dhe nishjotët kosovarë nuk vdesin kurrë! Ndaj detyrë e dy shteteve shqiptare është studimi i jetës dhe veprimtarisë së këtyre shqiptarëve të “harruar”të Samsunit, nxjerrja në dritë e tyre, ruajtja e gjuhës shqipe dhe përpjekja për moszhbërjen e tyre, duke ngritur qendra kulturore shqiptare, duke hapur panaire libri, duke dërguar grupe artistike-folklorike etj. Janë me qindra fshatra që gjallojnë shqip e si shqiptarë!
Së shtati: Rajoni i popullsisë llaze. Në të përfshihet zona e lindjes së Detit të Zi e banuar nga një popullsi që quhen llazë, në qytete të tilla si Trabzon, Artvin po dhe Ordu e Giresun. Pra, rajoni i shtatë i llazëve në një kuptim të kujton apo ngjet me rivierën shqiptare të Himarë – Sarandës. Aty ke dhe detin e kaltër dhe malin dhe fushën pranë e pranë njëra tjetrës. Kjo popullsi është shumë e afërt në tradita, zakone, konstitucionin shpirtëror me shqiptarët, aq sa dikush prej shqiptarëve apo dhe llazëve thotë se këto dy kombe janë “djem xhaxhallarësh”, “kushërinj”. Këto i kam dëgjuar në rajonin e Stambollit, të Zejtinburnusë, një nga më të mëdhenjtë, më të industrializuar dhe me më përspektivë të qytetit të stërmadh, gjysma e të cilit banohet kryesisht me shqiptarë të Maqedonisë e gjysma nga llazë të Detit të Zi. Duke dëgjuar turqishten e të dy palëve, që nuk i shpëton akcentit të  gjuhëve përkatëse, të duket sikur po dëgjon turqishten e Prizrenit të Kosovës, të konservuar nga osmanishtja, turqishtja e vjetër, sidomos me theksimin e gërmës xh (c) dhe eleminimin në shqiptim të rrokjeve të fundit psh të formës së kohës së ardhshme:”do të vij“ – “gelexhehim – gelexhem”. Koha kërkon dhe kushtet janë krijuar, me botimet gjithnjë e më të shumta edhe në këtë gjuhë, pak të lëvruar siç është gjuha llaze – llazishtja – të bëhen nga gjuhëtarët tanë studime krahasuese e pse jo dhe gramatika e fjalorë në të dy gjuhët. Atëherë do të dalë në shesh se sa të afërt me njëri- tjetrin janë këta dy popuj, që në Turqi i konsiderojnë si “kushërinj” dhe sa përkime e gjëra të përbashkëta e bile të njëjta ka në gjuhët e tyre, në veshjen e tyre, në traditat, zakonet, në historinë e tyre. A ka shqiptarë të vajtur në Trabzon, Artvin, Hopa e qytete të tjera më të vogla llaze? Ka, relativisht pak, si në historinë e largët e të afërt si dhe sot. Gjithmonë janë shkrirë e bërë njësh me popullsinë vendase llaze, janë martuar aty e përthithur nga mjedisi llaz. “Kan çeker” – “tërheq gjaku”, thonë turqit e në këtë rast kjo vlen midis shqiptarëve dhe llazëve. Ngjasin në fjalët e urta, në shakatë e tyre e në se nuk ngjasin! Nuk mund t’i shpjegosh kollaj këto përngjasime kaq të mëdha. Kërkojnë studime të posaçme që unë kam bindjen që koha do t’i sjellë, bile më shpejt se sa mund të mendohet. Llazët, gjaku ynë pellazg nuk mund të zhduket kurrë!!! Zoti e ka ruajtur deri në ditët tona! Dhuratë e papërsëritshme! “Kan çeker”, po po “kan çeker”. Gjaku s’bëhet ujë po dhe n’u bëftë s’pihet… Me llazët është marrë, sidomos me gjuhën e tyre një shkencëtar, një gjuhëtar i shquar i ish- Bashkimit Sovjetik N. Mari i cili kritikohet direkt nga Stalini, në veprën e tij “Marksizmi dhe çështjet e gjuhësisë“.
Së teti, Rajoni i fundit kurd. Ky përfshin viset e Anadollit të brendshëm lindor me kryeqender qytetin e madh të Dijarbakërit (ose Dijarbeqirit) me qytete të tjerë si Gaziantep, Marash, Urfa, Malatia, Tunxheli, Elazig, Van, Mush, Siirt etj. të banuar kryesisht nga kurdët po dhe turqit. Rajoni kurd dhe ai llaz nga pikëpamja që po flasim d.m.th. për vendndodhjen e shqiptarëve, janë dy rajonet më pak të rëndësishëm. Këtu në këtë zonë ka shqiptarë të turqizuar të sjellë në kohën e Ataturkut që janë nga ish Vilajeti i Selanikut apo dhe Gjiriti, siç i thonë turqit ishullit të Kretës në Detin Mesdhe. Psh autori i këtyre rradhëve, i ka njohur të tillë “shqiptarë selaniklinj”, të vendosur në rrethinat e qytetit Elazig, me tradita, zakone etj. si shqiptarët e krejt Toskërisë. Vetëm ishte bjerë gjuha shqipe në brezat e rinj. Sigurisht nga pikëpamja sasiore në pjesën e Dijarbakërit, sidomos nëpër qytete, (Ataturku i vendosi këta emigrantë nëpër fshatra, u dha tokë, shtëpi, gjë të gjallë e katandi) numri i shqiptarëve është shumë më i madh se në brigjet e Detit të Zi.
Do t’i mbyllja këto rreshta duke iu drejtuar dy shqiptarëve në Turqi, njerit nga Dibra e tjetrit nga Kosova, nga Prizreni. I pari është filozof i mirënjohur në Turqi, Riza Tefik Dibrani, i cili shkruan se “kombi fisnik shqiptar i ka dhënë Perandorisë Osmane e më pas Republikës së Turqisë me dhjetra e qindra njerëz të mëdhenj që lartësuan emrin e Turqisë në Europë dhe në botë, përfshi këtu një Hoxha Tahsin, një Shemsedin Sami Frashëri e të tjerë”. Së dyti është shqiptari i Prizrenit e miku im, atdhetari i shquar Ibrahim Ikiz (Binaku) që dhe fëmijëve të vajzës së vet ua vuri emrat Naim e Besa. Ai më ka treguar se “nga 27 kombet që jetonin në Perandorinë Osmane, në krye të tyre dhe me statusin më të lartë (qëndronin mbi turqit e të tjerët) ishin shqiptarët. Ata quheshin kombi “nexhip”, që do të thotë kombi “fisnik”. Këtë vënd e këtë status e kanë dhe e ruajnë edhe sot Shqiptarët e Turqisë…
Autori i këtyre rradhëve, duke menduar të ardhmen, ka bindjen e patundur dhe koha ka për ta treguar e vërtetuar, edhe historia ka për ta shkruar se Shqiptarët e Turqisë janë një potencial i jashtëzakonshëm sasior (përbëjnë numrin më të madh të shqiptarëve në botë) dhe cilësor dhe si të tillë kanë një mision fisnik të trefishtë (ndonjë segment i të cilit vjen natyrshëm nga shekujt), së pari, të kontribuojnë maksimalisht për vendin ku jetojnë e punojnë, Turqinë; së dyti, të shërbejnë si urë e fuqishme jo thjesht miqësie por vëllazërie midis Turqisë dhe Shqipërisë dhe, së treti, të shërbejnë në një mënyrë ose tjetër si një mbështetje dhe një lloj “leve Arkimedi” për zhvillimin e përparimin e Shqipërisë e të krejt kombit shqiptar, mjafton që vendi amë mos të bëjë indiferemtin ndaj tyre siç e ka bërë deri më tani dhe të kujdeset për emancipimin e vazhdueshëm, sidomos shpirtëror, të tyre.

NJË VIZITË NË SHTËPINË E FAIK KONICËS

Dorina ARAPI
Shtepia e Faik Konices
Në të njëjtin qytet ngrihen shtëpitë e gjyshit dhe nënës së Ali Pashë Tepelenës. Ato ofrojnë pamje të braktisjes dhe humbjes së shkëlqimit të dikurshëm
Por ajo çka është më e rëndësishmja në këtë qytet të vogël dhe që unë ndihesha më e lidhur me to ishte shtëpia e Zenel Beut dhe Hamkos, gjyshit dhe nënës së Ali Pashë Tepelenës, si dhe shtëpia e Faik Konicës, por që në qytet kjo e fundit njihet e emërtuar si shtëpia e Hysein Siskos. Këto dy banesa të mëdha u përkisnin familjeve më të pasura myslimane të qytetit të Konicës. Duke pasur fatin të qëndroja disa ditë në këtë qytet, fillova të pyes qytetarët rreth këtyre dy shtëpive. Për shtëpinë e Hamkos, qytetarët ishin më se të informuar për vendndodhjen e saj dhe të gjithë e njihnin si nëna e Ali Pashës dhe me shumë lehtësi të tregonin shtëpinë. Madje, dhe me një farë bindjeje, thoshin se kishte qenë një grua shumë e njohur për kohën e vet dhe e fuqishme, ashtu siç pohohet nëpër libra, Hamko pat qenë një grua me një bukuri mahnitëse, ku i gjithë qyteti asokohe fliste për bukurinë e saj, madje i kishin thurur dhe këngë. Shumë djem e patën kërkuar për grua, por ai që arriti të martohej me të ishte Veli Bej Tepelena. Nga martesa e tyre lindi Aliu dhe vajza e tyre, Shanisha. Roli i Hamkos në jetën e djalit të saj, ka qenë vendimtar. Ashtu siç shkruan Richard A.Davenport në librin e tij “Jeta e Ali Pashë Tepelenës, vezir i Epirit”(1837), Ali Pashai do t’i shprehej një konsulli francez ku thoshte se nëna e tij e bëri burrë dhe vezir ashtu siç përmenden dhe fjalët e saj drejtuar të birit se ai, i cili nuk mbron pasurinë e tij, meriton ta humbë atë. Lidhja e Pashait me të ëmën ka qenë tejet e fortë dhe vendimtare në krijimin e figurës së vezirit të Janinës.
Një tjetër shtëpi, e cila gjendej në afërsi të shtëpisë së Hamkos, ishte shtëpia e Faik Konicës, shtëpia ku ai u lind, jetoi vitet e para të fëmijërisë derisa shkoi në shkollë të mesme. Faik Konica është një nga figurat më të rëndësishme të kulturës, letërsisë dhe historisë sonë kombëtare. Ai ishte prozator, publicist, estet, i cili u diplomua në Universitetin e Harvardit për letërsi. Konica ishte kryetar i shoqatës “Vatra”, ishte një ndër udhëheqësit e grupit përfaqësues në konferencën e ambasadorëve në Londër, si dhe ministër i Shqipërisë në SHBA. Kaloi vitet e para të fëmijërisë së tij në Konicë dhe nga përshkrimet e tij duket se ka qenë i lidhur me shtëpinë e tij me një lloj nostalgjie e malli që e mundoi gjatë gjithë jetës së tij.
Për shtëpinë e Faik Konicës, asnjë njeri nuk kishte njohuri se ku mund të ishte dhe ku mund të ndodhej. Rastësisht, një ditë në kafenë e rrapit e cila ndodhej në qendrën e qytetit, duke bashkëbiseduar me një shqiptar me origjinë nga Leskoviku, ai më tregoi se shtëpia e Faik Konicës ndodhej në pjesën e sipërme të qytetit. Ajo faktikisht në qytet njihej si shtëpia e Hysein Siskos, vëllait të vogël të shkrimtarit. Personi në fjalë, filloi të më shpjegonte ashtu siç e kuptonte ai, për një shtëpi të rrënuar, ku dallohej një oxhak i madh. U lumturova shumë dhe menjëherë shkova ta shoh. Nuk mund të humbja kurrsesi një gjë të tillë. Atë pasdite, një shi i lehtë kishte freskuar disi qytetin e vogël. Një shqiptar, që punonte e jetonte aty me familjen e tij prej vitesh, na shoqëroi të shihnim shtëpinë e Faik Konicës. Ai na shpjegoi se falë shiut, rreth shtëpisë nuk mund të dilnin gjarpërinj. Duke qenë se ishte një vend plot rrënoja e barishte të larta e plot myshk, mund të ishte një terren i favorshëm për shfaqjen e tyre. Pasi kaluam gardhin e hekurt dhe barishtet e larta, vështrova me entuziazëm shtëpinë e Konicës. Për fat të keq, ndërtesa kishte mbetur në gjendje të mjeruar. E dëmtuar gjatë kohës së tërmetit, sot kjo rezidencë e madhe është tejet e rrënuar. Për shumë vite me radhë ajo ishte përdorur si shkollë e mesme. Ndjeva keqardhje për shtëpinë duke menduar për figurën e lartë të kombit tonë. Teksa e sheh, dallohet ngrehina e një rezidence të madhe që ka humbur shkëlqimin. Familja e Konicës kishte qenë asokohe një nga më të pasurat familje shqiptare myslimane të kohës. Ndërtesa ishte një shtëpi e madhe, ku mungonte çatia e ku muret ishin të larta e prej guri, të rrethuara me lule zvarranike. Kati i parë i shtëpisë ishte i ndërtuar me blloqe guri të rregullta drejtkëndore, ndërsa kati i dytë ishte me gurë jo të rregullt dhe me një ngjyrë disi të errët. E tërë shtëpia kishte një ton gri në umbra, ku në sfondin e maleve dukej sikur zhytej akoma më shumë në një atmosferë mistike e të humbur në kohë. Hyrja kryesore e shtëpisë ishte një portë me një hark të plotë e të konsiderueshëm, i cili rrethohej në pjesën e sipërme nga një tjetër hark gurësh drejtkëndorë. Në pjesët anësorë të sipërme të portës,  gjendeshin dy pllaka guri të shkruara në arabisht. Nga kërkimet e mia falë miqve të mi, të cilët mund ta deshifronin, u arrit të lexohej se në njërën pllakë është shkruar në arabisht një sure për mbarësi, ndërsa te pllaka tjetër është shkruar data e ndërtimit të banesës sipas kalendarit islam, e cila përkon me 19 safar 1261 dhe me kalendarin tonë 26 shkurt 1845. Arkitektura e shtëpisë përngjason me atë epirote, që të kujton shtëpitë e gurta të Epirit e me kulla të larta e të fortifikuara. Nga pamjet satelitore në “Google”, duket që shtëpia ka një planimetri në formën e U-së. Në cepin juglindor gjendet kulla, të cilën e dalloja me vështirësi ndërmjet trarëve që zaptonin shtëpinë. Ndoshta ky grumbull trarësh mund të ishte struktura e çatisë. Brendësia e ndërtesës ishte e mbushur me gurë, me shumë barishte e myshqe dhe dukej që kishte prani lagështie. Kjo shtëpi dallohej që mund të kishte qenë mjaft e madhe. Sapo hyje brenda, në të majtë dhe në të djathtë, dalloheshin nga 3-4 shkallë, të cilat zbrisnin e të çonin në dy porta me harqe. Ndoshta këto dy porta mund të bënin lidhje me pjesën e poshtme të shtëpisë ose mund të kenë qenë hambare.
Sipas studimeve të kryera, para tërmetit, shtëpia e Faik Konicës  kishte në katin përdhes 7 dhoma dhe në katin e parë kishte 6. Thuhet se ka pasur mure të larta e të mbuluar me lule kacavjerrëse, dyert e dritaret kanë qenë prej druri, si dhe dhoma kryesore e tavani kanë qenë të dekoruar me gdhendje druri dhe të pasur me elemente dekorative e ndoshta të realizuar nga mjeshtrit dru gdhendës të zonës. Kopshti i shtëpisë ka qenë i mbushur me lule të ndryshme, me shatërvanë guri të gdhendur që ftonin njerëzit në një atmosferë të këndshme dhe aristokrate.
Sipas autobiografisë së Faik Konicës, ashtu siç shkruan dhe gazetari Ilir Konomi në librin e tij, Faik Konica binte në fis me Aliun, gjyshi i Ali Pashë Tepelenës ishte katragjyshi i Faik Konicës.
Shtëpia e Zenel Beut dhe e Hamkos ishte disa hapa më sipër se ajo e familjes së Konicës. Në pamje të parë, shtëpia e Hamkos, ashtu siç e thërrisnin të gjithë e siç njihej, ishte një ndërtesë me të vërtetë impresionuese. Ajo ishte në përmasa shumë më të mëdha në krahasim me atë të familjes së Konicës. Që në momentin e parë më dha përshtypjen e një familjeje të fuqishme e të pasur të asaj kohe. Zeinel Beu kishte qenë një nga vendasit myslimanë më të pasur të qytetit, i cili kishte pasur prona dhe në Selanik. Sipas studimeve që janë kryer, duke qenë se kishte mjaft pasuri, për shkak të sigurisë së tij shtëpia ka pasur hyrje-dalje sekrete për t’u mbrojtur nga sulme të ndryshme. Që në pamje të parë, rezidenca shfaqet madhështore me muret e saj rrethuese dhe portën e hyrjes kryesore, e cila mban një hark të plotë e të lartë. Harku i portës ishte i gjerë, i rregullt dhe i rrethuar me tre breza harqesh të tjerë. “Për nga stili i ndërtimit dhe ornamentet e përdorura në harkun e jashtëm të hyrjes, kjo gjë është cilësuar si një traditë që përdorej zakonisht nëpër kisha dhe shtëpi të Epirit”. (Një takim me qytezën e Konicës, Dhionisios Dhim Tacis, Konicë, 1993)
Interesante ishin disa daltime e vizatime që gjendeshin në brezin e mesëm të harkut te porta e jashtme ku pasqyroheshin rozeta, kalorës, çekiçë, skuadra që ishin mjete të gurëgdhendësve, sëpata, shpata, bimë dhe ndoshta kaligrafi arabe. E ndërtuar në pjesën e sipërme të qytetit të Konicës, shtëpia e Hamkos duket sikur mbështillet nga malet e larta të qytetit. Ajo çka mbetur nga e gjithë kjo ndërtesë është kulla mbrojtëse, një pjesë e shtëpisë, disa kolona guri, si dhe muret rrethuese. Sipas studimeve të kryera, shtëpia e Hamkos filloi të ndërtohej nga mesi i shekullit XVIII nga babai i saj, Zenel Beu, dhe me kalimin e kohës u shtuan dhe hapësira të tjera. Në pjesën e saj perëndimore gjendet kulla e cila është ndërtuar në vitin 1843 dhe është restauruar në vitet ‘97-‘98. Gjatë viteve janë bërë ndërhyrje të shumta si ndërrimi i çatisë duke ruajtur stilin e kohës, ndërrimi i mureve, konservimi i harqeve të shtëpisë dhe i oxhakut, si dhe kthimi në gjendje funksionale i portave dhe i dritareve. Në projektet e shumta të bashkisë për shtëpinë e Hamkos mendohet të realizohet një muze për figurën e Ali Pashës.
Dëshira për të vënë në dukje këto momunte, vjen si një reflektim ndaj tyre, duke qenë se ato flasin diçka për historinë e dy figurave shqiptare. Duke menduar figurën e lartë të Faik Konicës dhe kontributin e tij për Shqipërinë, si dhe duke menduar figura historike si ajo e Ali Pashë Tepelenës, që paraqet një periudhë të rëndësishme të historisë sonë, e ndjeva si diçka që të vjen natyrshëm ta shprehesh e ta bësh ditur. Duke u larguar nga qyteti i Konicës, ndjeva një lloj keqardhjeje. Ato ditë korriku në këtë qytet, kishin qenë për mua të mbushura me kuriozitet, me një sfond historik që do të mbeten në kujtesën time për një kohë të gjatë.

MBËRRITA NË SHQIPËRI MBI TRUPAT DHE GJAKUN E NJERËZVE TË MI(Flet për masakrat e Napoleon Zervës 80-vjeçarja Kadrie Jakupi)


tragjediacamerise
Një jetë plot dhimbje, një jetë plot lot dhe tashmë, e lodhur nga ky kalvar i gjatë dhimbjesh dhe malli, loti i ka ngrirë dhe heziton të flasë për atë që kurrë nuk do ta kujtojë. Masakër, dhimbje, fëmijë, nëna, baballarë, të moshuar u përfshinë në atë që tashmë njihet nga të gjithë si “gjenocidi ndaj çamëve”.
Rrëfimi…
Rrëfen dhe druhet të tregojë shumë gjëra, pasi kërkon t’i harrojë, edhe pse e ka të pamundur: vegimet, ëndrrat e natës e rikthejnë në ato vite të vegjëlisë së saj, të pafajësisë së saj, moshë që e përballi me situata të frikshme, por ajo mbijetoi…
Është plot 80 vjeç, rrethohet nga fëmijë, nipër e mbesa, rrudhat i kanë përshkruar tërë pjesët e trupit, por vuajtjet e kanë mësuar të jetë e fortë. Kadrie Jakupi, e njohur nga të gjithë me pseudonimin “Dea”, do të rrëfehet pikërisht përpara mbesës së saj, e cila bashkë me të do të hynë në atë botë që rinia e sotme e pagëzon me emrin “bota e vrasjes”. “Isha vetëm 15-vjeçe, pikërisht në vitin 1944. Jetoja në fshatin Nihuar të qytetit të bukur Paramthi. Napoleon Zerva, ‘Banditi’, të paktën me këtë emër e njihnim në fshat, pushtoi Paramthinë. Nëna më kishte vdekur dhe unë jetoja me babanë dhe vëllanë, që ishte vetëm 5 vjeç. Zerva pushtoi qytetin, theri gra, fëmijë, burra dhe u drejtua për në fshatin Nihuar. I gjithë fshati u grumbullua në Nimin (qendra e fshatit), aty isha dhe unë me babanë dhe vëllanë tim. Më kujtohet se në këtë qendër mblidheshim gjithmonë kur kishte alarm dhe, edhe pse isha e vogël, kuptova se diçka e keqe po ndodhte me ne popullin çam. Ikëm fshat më fshat, nga Minina në Varfaj, në Spatar dhe aty na kapi Napolon Zerva me ushtarët e tij. I mori të gjithë burrat dhe u tha se do të shkonin në një xhami shumë pranë Spatarit. Por në të vërtetë më pas dëgjuam se burrat i burgosi në një burg të Filatit, kryeqytetit grek, dhe pas një kohe shumë të shkurtër i vrau. Shumë u vranë me armë, shumë të tjerë u bënë copa me thika e sëpata. Më morën edhe babanë, i cili mbaj mend se më puthi në ballë dhe më tha: ‘Mos u nda nga turma dhe ik… ik…Mos e lësho nga dora vëllanë.’ Me lot në sy, e humba babanë tim dhe kurrë nuk e pashë më. E vrau Zerva atje në burg, e kështu mbeta fillikat, e vetme. Pasuria ime ishte vëllai dhe unë gjithashtu isha e vetme pasuri e tij. Isha me fat, sepse dija greqisht dhe dëgjova ushtarin, i cili në një gjuhë të egër greke tha: Parta vrosta tuta ta korica! (“Merri këto vajzat përpara!”), ndërsa dëgjova ushtarin tjetër, që ia ktheu: Ine mikra (“Janë të vegjël”). Dhe kështu u detyrova të pushoja vëllanë, i cili nisi të dëneste, dhe u nisa drejt. Ecja, ecja, pa e ditur ku shkoja. E zbathur, e lodhur, pa ngrënë, me vëllanë herë në krahë dhe herë për dore, ndiqja turmën e madhe me gra e me vajza, që po shkonin drejt kufirit, në Konispol. Ikëm fshat më fshat, nga Minina në Varfaj, Spatar, flinim në rrugë, pinim ujë moçali, shumë fëmijë vdiqën rrugës, shumë të moshuara patën të njëjtin fat. Por unë ecja e ecja, shikoja krime, masakra, të vrarë, të sëmurë, të plagosur, të cilët kanë vdekur më pas dhe nuk mund të ndalonim. Zerva mund të vinte pas nesh dhe ne mund të kishim të njëjtin fat. Ushtarët e Zervës kishin vetëm një qëllim: të na vrisnin. Duke ecur me ditë të tëra, dëgjoja ngjarje nga më të ndryshmet: nëna pa dashur hodhi fëmijën në humnerë, fëmija vdiste nga e pangrëna dhe nga etja, burrat, gratë shtatzëna vdisnin në rrugë bashkë me fëmijët e tyre në bark. Dhe pas shumë vuajtjesh, mes dhimbjesh, se vëllai im ishte shumë i sëmurë, munda të shpëtoja dhe të arrija në Konispol. Me qindra çamë kishin ngritur çadrat dhe munda të gjeja xhaxhanë tim, i cili kishte më shumë se pesë ditë që më kërkonte. Isha shumë e vogël për të marrë ndonjë gjë nga shtëpia me vete. I vetmi kujtim ishte një shami e babait, të cilën atë ditë që u ndava ma dha pasi lotët më rridhnin çurg. Kisha shumë nevojë për të, i cili pas vdekjes së nënës asnjëherë nuk na kishte lënë vetëm. Por gjithsesi shpëtova, xhaxhai u kujdes për ne të dy, për mua dhe vëllanë. Pasi ndenjëm njëfarë kohe në Konispol, erdhëm këtu ku jetojmë sot. Kurrë nuk dua të shkoj më atje! Torturat që përjetuan njerëzit e mi atje, edhe sot e kësaj dite më dalin përpara szve. Ajo tokë, po të shtrydhet, nxjerr veç gjak. Ne populli çam jemi të zotë, uroj që një ditë të marrim vatanin tonë, uroj që fëmijët e mi të gëzojnë atë që nuk e gëzova dot unë, por unë uroj që atë ditë të prehem e qetë dhe të mos kthehem më atje, ku në çdo rrugë, në çdo fshat, në çdo shtëpi prehen shumë shpirtra, shumë njerëz, të cilët vdiqën padrejtësisht nga një barbar.
Përkujtohen viktimat e gjenocidit grek ndaj çamëve. Memorial në mes të Elbasanit
Ardian Tana: “Klithma” për të mos harruar të shkuarën
Shoqëria “Çamëria”, komuniteti çam në Elbasan, Partia për Drejtësi dhe Integrim dhe pushteti vendor kanë kontribuar në vendosjen e një memoriali në qendër të qytetit të Elbasanit, që simbolizon edhe gjenocidin ndaj shqiptarëve në të gjitha kohërat, por edhe rezistencën e tyre. Ky memorial, i titulluar “Klithma”, ka hapur siparin e aktiviteteve në përkujtim të viktimave të popullsisë çame të dëbuar nga trojet e veta më 1944 nga shovinistët grek. Kreu i shoqërisë atdhetare politike “Çamëria” Ardian Tana në një intervistë përcjell ndjenjat, përshtypjet dhe jehonën e çështjes çame në këtë ditë të rëndësishme
Z. Tana, ndryshe nga vitet e tjera, 2008-ta shënon vendosjen e një memoriali të veçantë dhe mjaft kuptimplotë, që nuk i përket vetëm Elbasanit, por gjithë shqiptarëve. Si e përjeton populli çam 27 qershorin?
Në çdo 27 qershor ne përkujtojmë viktimat e masakrës së vitit 1944, që zgjati për disa muaj, një dhunë dhe një gjenocid i pashembullt i shovinizmit grek i udhëhequr nga Napolon Zerva. Këtë vit, disi ndryshe nga vitet e tjera, ne kemi menduar të sjellim disa veprimtari për të përkujtuar viktimat e kësaj ngjarje të dhimbshme, por që na kujton se të mblidhemi të gjithë bashkë me këmbëngulje brenda të gjithë kuadrit demokratik e të kërkojmë zgjidhjen e çështjes çame. Tiparin e aktiviteteve e kemi nisur me inaugurimin e monumentit kushtuar 27 qershorit titulluar “Klithma”. Ideja për realizimin e këtij monumenti ishte e drejtuesve të shoqërisë “Çamëria” të degës Elbasanit me kryetar zotin Neritan Sejko, e mbështetur fuqimisht edhe nga kryesia e përgjithshme dhe u kontaktua me skulptorin Vladimir Caridha, i cili arriti të materializojë me skulpturën e tij idetë e përfaqësuesve të shoqërisë “Çamëria”.
Çfarë simbolizon ky monument?
Monumenti ka qenë mjaft i realizuar dhe mjaft impresionues, gjë që e kanë shprehur të gjithë ata që kanë mundur ta shohin qoftë në ditën e inaugurimit, qoftë edhe në ditët e tjera. Falënderoj realizuesit e këtij monumenti përkujtimor, i cili në fakt i kushtohet 27 qershorit, pra masakrës greke kundër popullsisë çame, por njëkohësisht ai simbolizon edhe të gjithë viktimat e gjenocideve të ushtruara mbi shqiptarët në Kosovë në Mal të Zi dhe kudo ku janë keqtrajtuar dhe masakruar shqiptarët. Ky monument mund të qëndronte shumë mirë edhe në Vlorë, edhe në Tiranë, edhe në çdo vend tjetër. Qëllimi i këtij monumenti është për të mos harruar, se kush harron të shkuarën, nuk mund të shohë nga e ardhmja. Vetë kjo vepër tregon me trupin e gjymtuar, që mund të jetë një trup njeriu, por edhe një skulpturë. Pra, kemi gjenocid ndaj njerëzve, por edhe ndaj kulturës dhe artit. Gjenocidi ndaj njeriut është ajo femra që ngre duart lart dhe thotë: “Mjaft, boll më me masakra!”, ndërsa ndërthurja dhe vendosja e trupave tregon edhe mbijetesë, edhe qëndresë.
Cilat kane qenë të rejat e këtij 27 qershori?
Tashmë është bërë traditë që të marrin pjesë qindra banorë nga Çamëria nga të gjitha zonat e Shqipërisë ku ata janë vendosur në pelegrinazhin për në Qafëbotë, por këtë vit është vendosur të organizohet edhe nata finale e valles për Çamërinë. Ky festival, në fakt, ka filluar më 25 qershor dhe finalja është vendosur ditën që përkujton gjenocidin, duke sjellë edhe një element të ri, që nuk ka qenë vitet e shkuara. Pra, aktivitetet këtë vit do të zhvillohen gjatë gjithë javës. Ka pasur edhe aktivitete të tjera, si p.sh. promovimi i librit të Ahmet Mehmetit “Nektari i shpirtit shqiptar”.
Do të jetë zgjidhja e çështjes çame një hap i radhës pas pavarësisë së Kosovës?
Pavarësia e Kosovës e vështirë, por tepër rezultative dhe shumë impresionuese dhe na ka dhënë ne të tjerëve njëlloj modeli se si mund të zgjidhen çështje të tilla. Unë besoj se tashmë është koha që kjo gjë të marrë rrugën e drejtë dhe me vullnet të mirë çështja çame është një çështje e zgjidhshme. Ne kërkojmë që ky vullnet të realizohet nga të dyja qeveritë: nga qeveria shqiptare dhe nga qeveria greke, duke pasur ndërmjetës ndërkombëtarët.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...