Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/10/07

DOKUMENTET E PANJOHURA AUSTRO-HUNGAREZE: SI U SHPALL SHQIPËRIA E PAVARUR



Afrim Imaj
Afrim Imaj
Një kolanë e re me botime historike do t’i shtohet së shpejti bibliotekës shqiptare. Instituti i Historisë të Qendrës së Studimeve Albanologjike ka realizuar së fundi përgatitjen e korpusit të dokumenteve austro-hungareze dhe do t’i publikojë me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.
Dokumentet në fjalë janë produkt i korrespondencës dhe raporteve të ambasadave, konsullatave dhe Ministrisë së Jashtme të Perandorisë austro-hungareze të vitit 1912. Ato do të botohen në 5 vëllime me nga rreth 400 faqe secili, sipas kriterit kronologjik të ngjarjeve. Prof. Marenglen Verli, shef departamenti në Institutin e Historisë dhe ndër nismëtarët e këtij projekti, shpjegon për gazetën “Panorama” se dokumentet që do të zbardhen së shpejti, janë vetëm një pjesë e projekteve të Institutit për të publikuar korpuse dokumentesh të vitit të pavarësisë, të cilat në të ardhmen do të pasohen me një mori dokumentesh për periudha të tjera historike. Në vijim, studiuesi i njohur, duke u ndalur në përmbajtjen e këtyre materialeve autentike dhe rolin e veçantë të Austro-Hungarisë në ngjarjet e vitit 1912 përfshi shpalljen e pavarësisë, zbardh detaje të panjohura nga qëndrimi i Fuqive të Mëdha për çështjen shqiptare, synimet e fqinjëve, veprimet e elitës politike shqiptare të kohës, kontributet e atdhetarëve të shquar në radhët e saj, roli i diasporës shqiptare etj.
Profesor Verli! Ju jeni bashkautor i botimit të korpusit të dokumenteve diplomatike austro-hungareze, që është duke realizuar me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Instituti i Historisë i Qendrës së Studimeve Albanologjike. Cila është e veçanta e kësaj vepre dhe çfarë interesi paraqesin këto dokumente për të cilat më parë është folur shumë pak?
Studiues së Institutit të Historisë

Dokumentet që do të publikohen në kuadrin e këtij projekti të rëndësishëm, janë dokumente interesante dhe me informacion shumë të vlefshëm, sepse diplomacia austro-hungareze e fillimshekullit ishte nga më aktivet në rajon, madje në një hark kohor prej disa dhjetëvjeçarësh, që përfshin edhe periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare, madje edhe vitet pas shpalljes së pavarësisë deri në vitin 1918. E interesuar posaçërisht për Ballkanin, Perandoria Habsburge shikonte me vëmendje të veçantë zhvillimet në trevat shqiptare ende nën sundimin osman, të cilat lakmoheshin nga shtetet kombe të vogla ballkanike të krijuara përreth. Në këtë kuadër, Perandoria ishte e pranishme me përfaqësi të shumta diplomatike në këto treva. Përveç ambasadës në Stamboll, ajo kishte kryekonsullata në qendrat e katër vilajeteve shqiptare, përkatësisht Shkodër, Manastir, Janinë e Shkup dhe konsullata në shumë qytete të tjera. Në morinë e dokumenteve të prodhuara nga gjithë këto përfaqësi, natyrisht jo të gjitha janë shumë të rëndësishme, por një pjesë e tyre, që trajtojnë probleme kyçe, kanë një vlerë të veçantë, sepse na japin mundësinë të gjykojmë qoftë për zhvillimin e ngjarjeve të kohës, qoftë për këndvështrimin e Vjenës, por edhe të fuqive të tjera, për çështjen shqiptare në përgjithësi dhe problemet e ndryshme të saj. Dokumentet ndërkaq ndriçojnë jetën politike shqiptare, zhvillimet ekonomike, kulturore, veprimtarinë e personaliteteve të ndryshme etj. Ato, natyrisht, kanë edhe nota subjektivizmi, por përsëri informacioni që na përcjellin, është shumë i vyer, aq më tepër për arsye se diplomatët e Vjenës ishin njerëz të mirarsimuar, njohës të profesionit të vet, me shumë përvojë. Njëherësh ata kishin në dispozicion mjete të rëndësishme monetare, që u siguronin në terren njohje të gjera dhe informacione nga burime të rëndësishme vendëse. Në dokumentet në fjalë gjenden të dhëna deri për tiparet e shqiptarëve, për virtytet dhe veset e tyre, madje sipas krahinave të ndryshme, mandej të dhëna për numrin dhe shtrirjen e tyre në planin etnik, për arsimin, për botimin në gjuhën shqipe etj. Perandoria dualiste ishte e interesuar të kishte një informacion për gjithçka, madje dhe për politikën e shteteve ballkanike dhe të Fuqive të Mëdha me interesa në rajon, sepse mbi këtë bazë ndërtonte politikën e saj dhe mbronte interesat e saj gjeostragjetike.
Me zbardhjen e këtyre dokumenteve, cilat janë të dhënat e reja që i shtohen dokumentacionit autentik të periudhës së Pavarësisë që njohim deri më sot?
Ka risi në të dhënat e ngjarjeve të gjithë vitit 1912, që i prijnë datës së 28 nëntorit, ku vlejnë të theksohen përpjekjet dhe roli i Austro-Hungarisë që të pengohej copëtimi tërësor i trojeve shqiptare në kuadër të pasojave të luftës ballkanike dhe të mos lejohej krijimi i një shteti shqiptar në Ballkan. Nga ana tjetër, në dokumente evidentohet pozicioni i Portës së Lartë gjatë vitit 1912, e cila, pas disa vjet përpjekjesh për të shtypur kryengritjet shqiptare, përfshi edhe kryengritjen e madhe të vitit 1912, në momentet e fundit iu bashkua idesë së Austro-Hungarisë për krijimin e një shteti shqiptar autonom. Nga këto dokumente del edhe çdo veprim i Ismail Qemalit dhe një numri atdhetarësh të tjerë, në përpjekjet e tyre për të shpëtuar ç’të ishte e mundur, duke manovruar në një situatë tejet të vështirë, deri në realizimin e Kuvendit që shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Austro-Hungaria, siç del nga dokumentet, mbështeste idenë e krijimit të një njësie politike shqiptare autonome e, në këtë kuadër, punonte njëherësh përmes disa personalitetesh të politikës shqiptare sikurse ishte Syrja Vlora, kushëri i Ismail Qemalit, por edhe kundërshtari politik i tij, apo Dom Nikoll Kaçorri, që ishte figurë qendrore për zonën e Durrësit. Pikërisht në Durrës nënkonsulli i Vjenës, Rudnei, në vrullin e punëve për të mbështetur mbajtjen e një kuvendi kombëtar shqiptar dhe përballë frikës se ndoshta nuk do të arrihej organizimi i tij dhe ngritja e flamurit, u mbështet te Dom Nikoll Kaçorri për të organizuar disa delegatë të ndodhur në mesin e nëntorit në atë qytet që të hartonin dhe firmosnin një promemorie, përmes së cilës i kërkohej Vjenës të merrte nën mbrojtje aspiratat shqiptare dhe interesat e kombit shqiptar.
Çfarë ndriçojnë dokumentet austro-hungareze për qëndrimin e Serbisë ndaj Aktit të Shpalljes së Pavarësisë më 1912?
Në morinë e dokumenteve austro-hungareze, një vëllim të konsiderueshëm zënë të dhënat e detajuara për këmbënguljen e Serbisë për të siguruar një dalje në Adriatik përmes viseve shqiptare, kërkesat e Malit të Zi për Shkodrën etj. Në dokumente evidentohen edhe negociata e pazare të të gjitha natyrave, veçanërisht piruetat e Krajl Nikollës së Malit të Zi, shpesh tepër groteske dhe sillet me mjaft vërtetësi situata e kohës. Po kaq me interes janë edhe informatat në detaje për qëndrimin e Fuqive të Mëdha, hap pas hapi në zhvillimin e ngjarjeve, përkatësisht, përveç Austro-Hungarisë, qëndrimet e Gjermanisë dhe Italisë nga njëra anë, të Rusisë dhe Francës nga ana tjetër, si dhe qëndrimet specifike të Britanisë së Madhe, e cila luante politikën e ekuilibrit për të mbrojtur supermacinë dhe interesat e saj në Mesdhe. Në dokumente zbërthehet qëndrimi gjerman që, ndonëse i ftohtë ndaj çështjes shqiptare, ishte në krah të politikës së Vjenës në Ballkan, mandej qëndrimi i Italisë, e cila ishte e interesuar vetë për ekspansion në tokat shqiptare dhe paraqiste luhatje në lojën e saj në dukje për çështje prestigji etj. Konstatohet gjithashtu se kur vjen rasti, gjithkush lëvizte në qëndrimet e veta, mandej dhe cedonte për interesa të caktuara. Shihet kjo edhe në rastin kur diskutohej e ardhmja e Shkodrës, me ç’rast Austria ishte gati të toleronte përballë kërkesës së Malit të Zi nëse do t’i jepeshin grykat e qafat e Llofçenit mbi Kotor, ku ajo mbante flotën e saj dhe ku kishte interesa të qartë strategjikë. Të njëjtat luhatje në oferta e kërkesa vihen re në vise të tjera apo qytete të tjera, siç është p.sh. rasti i Vlorës që e vlerësonin dhe e donin si Italia dhe Austro-Hungaria. Për t’u përmendur, është edhe fakti se të familjarizuar me pikëpamjen se fitimtarët duheshin shpërblyer me territoret e të mundurit, d.m.th të Perandorisë Osmane, as Austro-Hungaria, e cila ishte në pozicionin më të favorshëm ndaj çështjes shqiptare, asnjëherë nuk diskutoi për të përfshirë në një shtet shqiptar të gjitha viset shqiptare. Në këtë mënyrë, ndër viset që sakrifikoheshin përballë kërkesave të fqinjëve, ishte edhe pjesa më e madhe e Kosovës.
Si përshkruhet në këto dokumente profili i Ismail Qemalit? 
Shumë nga raportet dhe telegrafët që shkëmbeheshin ndërmjet ambasadave, mbajnë shënimin sekret ose shumë sekret dhe ishin të shifruara. Ndër këto raportime, njoftime e udhëzime, përveç trajtimit të çështjeve politike ndërshtetërore, gjenden edhe vlerësimet që përmenda më sipër për personalitetet shqiptare të kohës. Në këto dokumente, Ismail Qemali vlerësohej si një diplomat i matur dhe i regjur karriere i formateve perandorake, por ai njëherësh nuk konsiderohej njeriu i besueshëm për të ndjekur verbërisht politikën e Vjenës. Gjithsesi, Ismail Qemali në atë përplasje të madhe interesash, kontradiktash, rivalitetesh të ndryshme etj. ia doli të organizonte në Vlorë Kuvendin Kombëtar dhe të shpallte pavarësinë e Shqipërisë. Dokumentacioni austro-hungarez diplomatik, që do të publikohet në 5 vëllime, jep informacion të vyer në çdo fushë. Aty gjenden të dhëna deri edhe për subvencionet që kishte dhënë e jepte Vjena për kulturën e arsimin shqip, të dhëna për raportet e saj me atdhetarë të njohur të kohës, të angazhuar në çështjet e arsimit dhe të kulturës, por edhe të politikës, si Konica, Dervish Hima, At Fishta etj.
Profesor! Ku kanë qenë të rezervuara dokumentet austro-hungareze dhe pse nuk janë publikuar më parë? 
Korpusi me dokumente austro-hungareze që disponon Instituti i Historisë, ka të dhëna se ka filluar të formohet që në vitet ’30, besoj me prurjet që synonin t’i shërbenin organizimit të festimeve të 25-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, por ato u shtuan në përmasat që i zotërojmë sot nën kujdesin e posaçëm të prof. Aleks Budës, duke krijuar një bazë të mirë dokumentare për një hark kohor gati shekullor. Ai është shfrytëzuar nga studiuesit sipas periudhave dhe problematikës që kanë pasur objekt të punës së tyre. Gjithsesi, edhe pse është punuar për përkthimin e tyre, publikimi ka qenë fare i pakët dhe krejt selektiv. Sot nuk ka më pengesa dhe ekziston mundësia që ato të publikohen integralisht, pa copëzime e ndërprerje, mbi kritere të qarta kronologjike e sigurisht sipas standardeve më të mira shkencore, që aplikohen për publikimet e kësaj gjinie.
Telegraf i ambasadorit austro-hungarez, Pallavicini nga Stambolli për Ministrinë e Jashtme në Vjenë, në lidhje me  qëndrimin e Perandorisë Osmane ndaj Shqipërisë Stamboll, më 25 nëntor 1912
….Për punën e Shqipërisë, Veziri i Madh më tha se Turqia do të ngulë këmbë për krijimin e një Shqipërie autonome me një princ nga dera e mbretërve turq…
Pallavicini
AIH. Vj. 22-25-2515
(HHSt.A.PA.A, Nr. 4610.
Nr. 651)
LETËR
Relacion i konsullit austro-hungarez në Durrës, dërguar MPJ 
Durrës, 26 korrik 1913 
Shumë i nderuar kont! 
Faik bej Konica, Fadil pashë Toptani dhe Dervish Hima i kanë bërë kritikë të ashpër veprimit të Ismail Qemal beut para meje dhe kolegut tim italian. Ata kritikojnë despotizmin e Ismail Qemalit, duke e konsideruar veprim ilegal (unë besoj të drejtë) akordimin e koncesioneve dhe sidomos qëllimin e tij për të shitur pasuritë vakëfnore në Myzeqe. Të gjitha këto ia kanë vështirësuar pozitën atij dhe ata besojnë se pakënaqësia e Toskërisë po merr nga dita në ditë përmasa më të mëdha. Unë nuk jam në gjendje të të jap një gjykim mbi këto pretendime, por mund të bëj konstatimin se dispozitat e qeverisë vihen në zbatim në veri të lumit të Shkumbinit, vetëm në sajë të ministrit të tij Esat Pashës dhe prandaj ai dhe nuk ka asnjë forcë për t’i bërë popullit dhe partisë esadiste veprime të papëlqyeshme. Në këtë parti që është antiqeveritare, bëjnë pjesë të gjithë bejlerët toptanas. Sikundër dihet, këta e kundërshtojnë një kandidaturë për fron të kushëririt të tyre (Esat Pashës), por duke qenë të pakënaqur me qeverinë provizore, ata janë bashkuar krejtësisht me të. Me rastin e një gostie te Murat Toptani, Faik Konica më tha se ai dhe Toptanët kanë për të rrëzuar Ismail Qemalin dhe se duan të bindin Esat Pashën për formimin e kabinetit. Ky plan për kabinetin austrofil u mbajt sekret përpara kolegut tim italian. Ky plan më duket i zbatueshëm. E pamohueshme është se në partinë esadiste gjenden ambicione të pakënaqura, si Fadil Pasha, por edhe emra të shquar e patriotë si Abdi Toptani, Faik Konica dhe Dervish Hima…

MBAJTJEN E KONGRESIT TË MANASTIRIT E FINANCOI SULLTANI

Frymzim DAUTI

kongresimanastirEdhe pse alfabeti i Stambollit, si alternativ e alfabetit arab për shkrimin e shqipes, u përhap në të gjithë trevat shqiptare dhe u pranua nga shumë shqiptarë, kishte të tillë që e refuzuan atë. Më të zëshëm në refuzimin e përdorimit të këtij alfabeti ishte kleri katolik në Shqipëri.
Historia e shtrembëruar shqiptare na mëson se Kongresi i Manastirit ishte vendimtar për përpilimin e alfabetit shqip. Kjo nuk është e vërtetë.
Dihet se shqipja e shkruar (jo vetëm në alfabetin arab) mësohej shumë më herët në shkollat në Shqipëri. Shkolla në Korçë ishte hapur 20 vite përpara se të mbahej Kongresi i Manastirit dhe aty shqipja mësohej me alfabetin e Stambollit. Librat dhe revistat në shqip botoheshin në Stamboll që prej vitit 1879. Në po këtë vit u soll vendimi i qeverisë së Perandorisë Osmane për përpilimin e alfabetit shqip. Për kryerjen e kësaj detyre u ngarkuan zyrtarët shqiptarë që vepronin në Stamboll. Emrat e tyre janë të njohur për ne, përveç njërit që nuk përmendet nga “historianët” zyrtar shqiptarë. Është fjala për kryetarin e shoqatës shqiptare të Stambollit- Ferid Pashë Vlora. (Ferid Pasha nuk përmendet pasi ai u emërua kryeministër i Perandorisë Osmane pikërisht për shkak se përfaqësonte lobin shqiptar. Ai po ashtu nuk përmendet pasi që ishte edhe kushëri i parë i Ismail Bej Qemalit). Pasi që zyrtarët shqiptar-osman e përpiluan alfabetin (e Stambollit), ata një kopje ia dërguan edhe Sulltan Abdulhamidit të II, me qëllim që ta informonin për suksesin e arritur. Sulltani atë lajm e priti me gëzim, bile ai shprehu interesim që të mësonte të shkruaj shqipen me alfabetin e ri. Këtë e dëshmon Mit’hat Frashëri te broshura e shkruar për Naim Frashërin dhe po ashtu Ekrem Vlora në kujtimet e tija. Këta të dy ishin nipër të përpiluesve të alfabetit të Stambollit, gjegjësisht të Sami Frashërit dhe Ferid Pashës, dhe prandaj dëshmia e tyre mund të pranohet si e besueshme.  Po ashtu mund të supozojmë që Sulltan Abdulhamiti i II e fliste shqipen pasi në pallatin e tij, gjatë gjithë kohës, ai ishte i shoqëruar nga shqiptarët dhe prandaj shprehte dëshirë që të mësonte drejtshkrimin e shqipes.
Edhe pse alfabeti i Stambollit, si alternativ e alfabetit arab për shkrimin e shqipes, u përhap në të gjithë trevat shqiptare dhe u pranua nga shumë shqiptarë, kishte të tillë që e refuzuan ate. Më të zëshëm në refuzimin e përdorimit të këtij alfabeti ishte kleri katolik në Shqipëri. Ata dirigjoheshin nga perandoria katolike e Austro-Hungarisë dhe prandaj insistonin në shkrimin e shqipes me alfabet latin. Kishte edhe shqiptarë të tjerë që financoheshin nga Austro-Hungaria dhe të cilët insistonin në shkrimin e shqipes me alfabet latin. Njëri prej tyre ishte Faik Konica, i  cili në revistën “Albania” përdorte alfabetin kroat për shkrimin e shqipes.
Shkrimi i shqipes me alfabet latin i zemëronte autorët e alfabetit të Stambollit, të cilët kishin dhënë mund për përhapjen e atij alfabeti tek shqiptarët. Prandaj dhe kishte polemika në shtypin e kohës që mos të përdoret alfabeti latin por vetëm alfabeti i Stambollit. Në një letër të Mit’hat Frashërit dërguar Faik Konicës, kritikohej ashpër tentimi i propagandës që bënte revista Albania në përhapjen e alfabetit latin për shkrimin e shqipes. Mit’hati mes tjerash shkruante: “Qe njëzet vjet e tëhu Shqipëtarët zgjodhnë një palë shkronja të cilat sot më tepër se 50 000 njerëz i njohin të tyre. Shkronjat që zgjodhi shoqëri e Stambollit s’kanë as sa një qime të metë: janë të lehta, të bukura, të thjeshta dhe të mbaruara. […] Abetareja jonë ka mirësinë që ç’do letrë të ketë një zë të veçantë, e ç’do zë ka një shkronjëzë për të; s’ka m’e rëndë e m’ e shëmtuarë gjë se sa të bashkojmë dy a tri shkronjëza për të nxjerr një zë.[…] Shqipëtarët shkronjëzat i kanë: ay që s’i di le të mësoj!”. Mirëpo veprimet e Konicës në atë kohë dirigjoheshin nga propaganda austriake dhe ai vazhdonte me avazin e vjetër.
Në vitin 1908, pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Perandorisë Osmane, u formuan disa klube shqiptare. Njëri nga klubet e rëndësishme të shqiptarëve u formua në Manastir, i njohur si Klubi i Shqiptarëve “Bashkim”. Pasi e formuan klubin, ata menjëherë e informuan me telegram edhe Sulltanin. Në gjuhën diplomatike ky telegram ndaj Sulltanit nënkuptonte se ata kërkonin ndihmë financiare për realizimin e qëllimeve të tyre. Mirëpo për shkak të hyrjes në fuqi të kushtetutës, kompetencat absolute të Sulltanit i takonin së kaluarës. Buxheti i shtetit tani aprovohej nga parlamenti, i cili parlament po ashtu e zgjidhte edhe qeverinë. Prandaj Sulltani për ta ndihmuar financiarisht këtë klub, në një kohë sa më të shkurtër, kishte vetëm një mundësi legale. Ajo mundësi ishte financimi i klubit shqiptar nga pasuria e tij personale. Me këtë rast Sulltani i dërgoi klubit të Manastirit 100 lira nga pasuria e tij. Këtë lajm e konfirmon edhe gazeta “Lirija” e Mit’hat Frashërit në një artikull: “Më 16 të gushtit (F.D. viti 1908) Pleqësia e Bashkimit i çoi një tejshkrim L.M. së T. Sulltanit, me anë të Shkronjësit (F.D. sekretarit) të Parë. Dy ditë më pastaj Sulltani me anë të Shkronjësit dërgoj përgjigje dhe një dhuratë 100 lirash. Klubi i bëri një përgjigje të bukurë ku i falë të Lartë Madhësisë së Tij nga kjo dashuri q’i rëfeu kombit Shqipëtar që ka qenë gjithënjë kaq besnik të Mbretërija dhe fëmija Osmanli.”. Sulltani e veçoi për ta ndihmuar financiarisht klubin në fjalë pasi që ishte i informuar për iniciativën e tyre. Sulltani ishte po ai i njëjti që e kishte përkrahur iniciativën e përpilimit të alfabetit shqip nga zyrtarët shqiptar-osman para 30 viteve. Nga artikulli në fjalë kuptojmë që 100 lirat në llogari të klubit të Manastirit u dërguan më 18 gusht 1908. Në përllogaritje me kalendarin e sotëm kjo datë i bie diku më 1 shtator 1908. Shuma prej 100 lirash në përllogaritje të sotme ka vlerë 400.000 dollar. Kjo shumë parash ishte më se e mjaftueshme për ftimin e përfaqësuesve të klubeve shqiptare nga të gjitha trojet shqiptare dhe të diasporës me qëllim të mbajtjes së kongresit për alfabetin e shqipes në Manastir. Menjëherë pas sigurimit të mjeteve financiare u caktua data për mbajtjen e kongresit dhe u ftuan përfaqësuesit që të marrin pjesë më 14 nëntor 1908 në Manastir.
Ndër të ftuarit ishte edhe Faik Konica. Mirëpo Konica insistonte në mbajtjen e një Kongresi për alfabetin e shqipes me financim të Austro-Hungarisë. Atij nuk i pëlqeu ideja e mbajtjes së kongresit në Manastir me financim të Sulltanit. Prandaj në vend që të merrte pjesë në Kongresin e Manastirit, Konica i ofendonte pjesëmarrësit në atë Kongres. Ftesa drejtuar Konicës nga Hristo Qiriazi në emër të Klubit të Manastirt kishte këtë përmbajtje: “I dashur Mëmëdhetar, [….] u bëjmë të njohur se kombi ynë ka nevojë të madhe, për njerëz të këtij, si dhe zotërija juaj për të dhënë funt kësaj çështje aq të vëjuerë. Mbesojmë se lutja jonë do të dëgjohet dhe do tu kemi nga të parët ndë këtë punë.[…]”. Konica nga ana e tij Kongresin e Manastirit e quante Kongresi i Shqiptarëve Xhonturq dhe në përgjigjen e ftesës në mes tjerave shkruante: “Një Kongresë për abenë (F.D. alfabetin) do të mblidhet, mos kini frikë. Po “the right Congress, by the right men, in the right time, at the right place”. U a përktheni këta fjalë pilafçive turq dhe këmbë-lëpinjësve të krishterë që kini mbledhur më aq nxitim aty në Maqedhonië. Një gjë më pëlqen te i vetë-thëni “kongres” t’uaj: ana poetike e tij. Jini më të shumët çobanë,[…]”.
Në Kongresin e Manastirit, me insistim të klerit katolik, u pranua që shqipja të shkruhej edhe me alfabetin latin. Ky vendim me pastaj zgjoi reagime negative tek shqiptarët mysliman. Ata tani refuzonin që në shkolla shqipja të mësohej edhe me ate alfabet. Qeveria osmane, për t’i balancuar kundërshtimet në mes shqiptarëve, lejoi që në shkollat publike shqipja të mësohej ashtu sikur që do të vendosin vendasit, qoftë me shkronja arabe, latine apo të alfabetit të Stambollit. Me rëndësi ishte që të iu mundësohej të mësonin në shqip ata që e dëshironin atë.

PSE DUHET RISHKRUAR HISTORIA


Shefqet Deliallisi
Shefqet Deliallisi
Ditët e fundit u rihap diskutimi për rishkrim të historisë. Sapo problemi u ringrit, përfaqësuesit e historisë komuniste dhe pasuesit e tyre u hodhën përpjetë: “Me këtë problem duhet të merren historianët…”. Sigurisht që me historinë do të merren historianët, por kur?  Sa do të duhet të presim? Problemi është se vitet kalojnë dhe brezat rriten duke mësuar një histori të deformuar deri në paturpësi.
Në dokumentet e trashëguara nga gjyshi im, Ymer Deliallisi, nënshkrues i Aktit të Pavarësisë në Vlorë më 1912-n si përfaqësues i Shijakut, më tërhoqi vëmendjen një shkresë e gushtit 1937 e Komisionit të ngritur në Shijak me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë, nëpërmjet të cilit emërtohen disa shkolla në nënprefekturën e Shijakut.
Citoj nga dokumenti (vendimi nr.1, datë 28.8.1937):
Komisjoni i ceremonisë së 25-vjetorit të këtushëm, i mbledhun sod nën kryesinë e Kryetarit të Komunës,  z. Kurt Shqytit, me anëtarë z. Mexhid Begteshi, drejtori i shkollës, z. Ymer Deliallisi, z. Abaz Deliallisi e z. Bajram Matalla, mori në bisedim veprat në fushën kombtare të të ndjemvet….. pasi studjoji jetshkrimet e tyne…. tue marrë parasysh veprat qi kanë ba në fushën Kombtare, u vendos njohja e tyne si veteran dhe: pagzimi i shkollës së Qendrës në emnin e Hamid Toptanit, e shkollës së Ishmit me emnin Haki Begteshi, e shkollës së Prezës me emnin Masar Deliallisi, e shkollës së Marikës me emnin Aqif Pashë Elbasani, e shkollës Matallaj Rodonik me emnin Dervish Hima, e shkollës së Strazës me emnin Don Nikoll Kaçorri, dhe e shkollës së Koxhasit me emnin Meleq Frashëri….”.  Emërtime për t’u pasur zili.
Dy fakte tërheqin vëmendjen. Fakti i parë: përzgjedhja tepër serioze, figurat dinjitoze, përzgjedhja pa asnjë frymë lokalizmi apo ndasie fetare. Fakti i dytë: pas ardhjes së komunistëve në pushtet, asnjë prej shkollave nuk mbajti më emrin e figurave të nderuara, madje as të Aqif Pashë Elbasanit apo Dom Nikollë Kaçorrit….
Emërtimi i rrugëve dhe institucioneve të një qyteti pasqyron historinë e tij, por a ndodh në të vërtetë kështu?
Elbasani është një nga qytetet më të lashta të Shqipërisë. Nga të dhënat historike rezulton rreth 2000-vjeçar. Më parë le të bëjmë më të kuptueshme lashtësinë 2000-vjeçare të qytetit në raport me periudhat e ndryshme historike. Nëse për një moment, shtrirjen kohore 2000-vjeçare do ta imagjinonim sikur të ishte 24 orë, atëherë periudha nga viti 1912 deri më 1939-n do të ishte 20 minuta, periudha e Luftës së Dytë Botërore vetëm 1.5 minuta, periudha e diktaturës komuniste 32 minuta, ndërsa periudha e demokracisë, pas vitit 1990, diku te 12 minuta. Të gjitha së bashku pak më shumë se një orë, ndërsa pjesa tjetër e historisë së qytetit plot 22 orë.
Si pasqyrohen këto periudha në emërtimet e rrugëve dhe të institucioneve?
Ka një glorifikim deri në absurd të luftës antifashiste dhe një injorim pothuajse total të periudhave të tjera të historisë. Janë shumë pak 1,5 minuta në 24 orë apo 2 vjet në 2000 vjet histori. Historia nuk fillon në vitin 1943. Është e papranueshme që 99% e emërtimeve i  përkasin periudhës se luftës më pak se dyvjeçare, që për hir të së vërtetës historike, përfundoi në luftë civile dhe 1% gjithë periudhës tjetër. Por, ç’është më e keqja, një pjesë e konsiderueshme e emrave të rrugëve janë persona anonimë, të panjohur, madje jo vetëm për qytetarët e sotëm të Elbasanit. Biografinë e tyre nuk e gjen askund. Sa për ilustrim, m’u desh të pyesja shumë njerëz, për ditë me radhë, për të gjetur kush ishte dhe çfarë kishte bërë Koço Brisku, emrin e të cilit mban një nga rrugët kryesore dhe më e gjata e qytetit, që kalon pikërisht përpara shtëpive të patriotëve Fuat Bicaku e Thanas Floqi. Koço Brisku nga fshatrat e Beratit, paskësh qenë kryetar i Degës së Punëve të  Brendshme të qytetit, simbolit më famëkeq të diktaturës, i cili, në vitin 1951, në përpjekje për të eliminuar fizikisht një familje nacionalistësh antikomunistë, në një fshat pranë qytetit është vrarë. Janë vrarë dhe 4 pjesëtarë të familjes antikomuniste…. Sigurisht që Lufta Antifashiste është e rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Sigurisht që dëshmorët e kësaj lufte duhet të nderohen për sakrificën e tyre, por jo vetëm ata. Në radhë të parë jam për Lef Nosin, Qemal Karaosmanin, Thanas Floqin, Shefqet Daiun, Dervish Biçakun, nënshkrues të Aktit të Pavarësisë e të tjerë. Jam që t’i jepet vendi që meriton edhe punëtorit 18-vjeçar që u vra në luftë, por jo para patriotit që ngriti flamurin në Vlorë apo patriotit që kryesoi Kongresin e Elbasanit, që hodhi themelet e arsimit shqiptar. Aq më keq kur emrat e këtyre djelmoshave përsëriten vend e pavend në sheshe, rrugë, shkolla dhe askush nuk guxon t’i prekë. Luftë kundër fashizmit është bërë kudo në Europë, madje në disa vende shumë më tepër se te ne. Shumë kanë dhënë jetën në këtë luftë, madje shumë më tepër se te ne, por emërtimet e rrugëve dhe institucioneve në qytete nuk janë uzurpuar në këtë mënyrë. Kjo besoj se nuk ndodh as në qytetet e ish-Bashkimit Sovjetik, se në vendet e Europës Perëndimore jo e jo. Ka ardhur koha, madje ka kaluar, për korrigjim, për t’i vendosur gjërat në vendin e tyre, që brezat e ardhshëm të mos qeshin me ne. Që të mos rrimë si guhakë para fëmijëve tanë kur na pyesin kush është dhe çfarë ka bërë filani që mban emrin shkolla apo rruga jonë. Pse nuk është bërë më parë? Çfarë pengese ka pasur?
Nuk është bërë më parë dhe vazhdon të mos bëhet se ekziston një glorifikim deri në absurd dhe një politizimi i tejskajshëm i një periudhe më pak se dyvjeçare. Vazhdojnë të ekzistojnë reminishencat e luftës së klasave në vlerësimin e figurave të shquara, vazhdon tabuja se periudha e Luftës Antifashiste është më e lavdishmja, pa të ne nuk do të ekzistonim, se dëshmorët e luftës janë pronë vetëm e një force politike etj. Vazhdon të ekzistojë shqetësimi se mos mërziten veteranët, të cilët, nga ana e tyre, për karshillëk, i kanë mbushur Varrezat e Dëshmorëve të qytetit të Elbasanit me yjet e kuq, simbole të komunizmit, thuajse vetëm komunistët mund të jenë dëshmorë. Kjo stonon, aq më tepër kur Europa, anëtare e së cilës ne aspirojmë të bëhemi, ka vite që kërkon dënimin e krimeve monstruoze të komunizmit nga vendet ish-komuniste.
Me historinë të merren historianët. Dakord, po si t’ia bëjmë që ata nuk duan të zgjohen nga gjumi? Ka ardhur koha që ata të zgjohen, ta shkruajnë historinë ashtu siç në të vërtetë është. Ka ardhur, madje ka kaluar koha, që këta shkencëtarë, nëse janë vërtet të tillë, të çlirohen nga komplekset, që dijet e vërteta shkencore t’i rrezatojnë jashtë mureve të universitetit, jashtë sallave të konferencave, në qytet, në emërtimin e rrugëve, shesheve, institucioneve.
Historia duhet rishkruar. Vetëm kështu mund të drejtojmë atë që është deformuar, vetëm kështu mund t’ua kthejmë meritat e mohuara figurave të shquara, vetëm kështu mund të çlirojmë atë që padrejtësisht është uzurpuar. T’u japim të gjithëve atë që meritojnë. Në fund të fundit, duhet t’i kthejmë historinë Shqipërisë.

TË PARËT TANË NË SIRI


Fatos Baxhaku
Histori
Teksa rrugët e qyteteve siriane vazhdojnë të përzhiten orë e minutë nga flakët e luftës civile, teksa diplomacia ndërkombëtare deri më tash është treguar e paaftë të ndalë gjakderdhjen, teksa çështja siriane vazhdon të jetë një hekur i skuqur mbi trupin e lodhur të popujve arabë, na shkuan ndërmend se diku, dikur kishim lexuar mbi praninë e fortë shqiptare në këto anë. Ka shumë gjasë që shumë prej portreteve të shqetësuara, të përgjakura, të vetmuara që shohim përditë në ekranet tona të vogla të jenë pasardhësit e shqiptarëve të Sirisë. Ja se çfarë thotë historia.
Në vitin 1521, Sulltan Sulejman Ligjvënësi i nënshtroi përfundimisht prijësit mamlukë. Që prej asaj kohe e deri në 1916 shqiptarë e arabë sirianë jetuan nën të njëjtën çadër të madhe, nën Perandorinë Osmane. Shqiptarët e parë që u dukën këtyre anëve ishin sundues ushtarakë. Më i pari prej tyre rezulton të jetë Mehmet Pashë Dukagjini, i cili në 1550 ishte vali i Halepit. Ky ka mbetur i njohur për disa ndërtime të rëndësishme që la pas. Në mes dhe në fund të shekullit XVI, valinj të Damaskut ishin Lala Mustafa Pasha dhe Sinan Pasha, që të dy shqiptarë. Më 1590 të njëjtin vend e zunë me radhë Mustafa Pasha dhe Mehmet Pasha edhe këta nga gjaku ynë.
Rreth 1600 në krye të vilajetit të Halepit ishte shqiptari i rreptë  Nasuh Pasha. Ky ka mbetur i njohur në historinë e Sirisë si njeriu që arriti të nënshtrojë jeniçerët që bënin zullume mes popullsisë së thjeshtë. Në 1608 në krye të Damaskut ishte prizrenasi Kuçuk Sinan Pasha. Në 1645 në të njëjtin post erdhi Mehmet Pashë Qypryliu i famshëm, origjina e të cilit ishte nga Roshniku në afërsi të Beratit. Mehmet Qypryliu u bë më pas Vezir i Madh (ekuivalenti i sotëm i Kryeministrit) dhe vendin e tij në Damask e zuri i biri, Ahmet Pasha. Ky e shpëtoi qytetin nga anarkia dhe uria. Edhe ky, njësoj si i ati u bë më pas Vezir i Madh në Stamboll.
Por nuk ishin vetëm valinjtë shqiptarë ata që lanë gjurmë në historinë e Sirisë. Në shekujt XVII-XVIII duket se këtu ishin ngulitur shumë shqiptarë, më së shumti si ushtarë. Në ditarin e një berberi nga Damasku shkruhet se kur Valiu i Damaskut unispër ekspeditë ndëshkimore në Palestinë ai kishte me vete 500 shqiptarë. Në 1757 në disa luftime rreth Damaskut marrin pjesë edhe njëzet bajraktarë shqiptarë. Në fund të shekullit XVIII truprojat e valinjve ishin të gjithë shqiptarë. Një vali boshnjak ua detyron jetën këtyre, sepse ishin pikërisht shqiptarët që e shpëtuan nga një komplot vrasës që ishte organizuar prej vetë ushtarëve të tij boshnjakë.
Pa asnjë dyshim shqiptari më i njohur në Siri është Ibrahim Pasha, i biri i Mehmet Ali Pashës së Egjiptit. Ky vuri nën administrimin e tij gati të pavarur gjithë Sirinë e sotme dhe një pjesë të madhe të Palestinës. I lindur shqiptar, por i rritur si arab, ky ëndërronte një shtet të madh e të pavarur arab. Ishte i pari ndër politikanët e kohës që zgjoi vetëdijen arabe. U njoh për reformat e thella mes të cilave edhe lirinë e fesë. Vetëm nën sundimin e tij të krishterët mund të hipnin në kalë dhe të mos vishnin rrobat detyruese që i diferenconin ata nga shumica myslimane. Një nga të krishterët më të njohur të vendit, Hana Bahkri, ishte i pari ndër ta që jo vetëm u bë ministër i Financave, por edhe mori titullin bej. Gjë e padëgjuar deri më atëherë në Sirinë e kohës. Ibrahim Pasha reformoi shkollat dhe ngriti shtypshkronja në të gjithë Sirinë. Sundimi i tij zgjati në periudhën 1832-1840. Pas kësaj, vetë Fuqitë e Mëdha perëndimore kthyen në vend autoritetin e sulltanit. Në fakt, në hije ishte vetëAngliaajo që nisi të luante telat në Lindjen e Mesme. Pikërisht në këtë kohë nisi tinëzisht një periudhë e gjatë kolonizimi pasojat e së cilës ndihen ende edhe sot e kësaj dite.
Në periudhën e sundimit të Ibrahim Pashës kemi shtimin më të madh të pranisë shqiptare. Në 1832 numërohen rreth 15 mijë shqiptarë në ushtrinë e Ibrahim Pashës. Ironia e fatit deshi që në Siri të luftonin më shumë shqiptarë me shqiptarë sesa osmanë kundër arabëve. Shqiptarët ishin të shumtë edhe në krahun e ushtrive të Sulltanit. Gjatë një beteje që u zhvillua në dhjetor të 1832 afro 12 mijë shqiptarë, që ishin ushtarë të sulltanit dezertuan dhe u bashkuan me bashkëpatriotët e tyre të krahut të Ibrahim Pashës. Shumica e tyre mbeti në Siri, Palestinë, Liban. Pashai ua njohu nderin duke i shpërblyer me toka. Në 1834, banorët e Damaskut panë me kërshëri me qindra fishekzjarrë që ngriheshin drejt qiellit. Pastaj dëgjuan një turmë njerëzish që brohorisnin pareshtur “Krishti u ngjall, Krishti u ngjall!”. Këta ishin afër 7 mijë shqiptarë që nën drejtimin e Mustafa Pashës erdhën nga Kreta në Damask ku u vunë nën mbrojtjen e Ibrahim Pashës. Thjesht po festonin Pashkët. Shumica e tyre mbeti përgjithnjë në Siri.
Ardhja e shqiptarëve në këto anë vazhdoi edhe pas rikthimit të pushtetit osman. Shqiptarët vinin këtu më së shumti si ushtarë. Në 1844 duket se ata ishin aq shumë saqë një kryengritje kundër mobilizimit të përgjithshëm ushtarak që ndodhi në 1844 është quajtur si “kryengritja e shqiptarëve”.
Në gjysmën e dytë të shekullit XIX guvernator i Halepit ishte Pashko Vasa, ndërsa në 1890 vali i Bejrutit dhe Damaskut ishte vetë Ismail Qemali, babai i Pavarësisë sonë. Ismail Qemali ndenji vetëm pak kohë në këtë post, por njësoj si paraardhësi i tij, Ibrahim Pasha, edhe ky e nxiti fort idenë e krijimit të një shteti arab.
Shqiptarët, me kalimin e kohës, u bënë një komunitet shumë i fortë në Damask. Ata madje kishin edhe lagjen e tyre që quhej Suk Saraxha. Zakonisht mbanin mbiemrin Arnauti (emërtimi osman për shqiptarët). Një nga familjet shqiptare, Mardam Bek, në fillim të shekullit XX ishte një ndër më të njohurat e më të pasurat e parisë siriane të kohës. Pjesëtarët e saj e kishin origjinën nga Lala Mustafa Pasha. Shumë valë shqiptarësh mbërritën këtu gjatë luftërave ballkanike 1876-1878 dhe 1912-1914. Nga komuniteti “arnaut” shqiptar kanë dalë shumë njerëz të njohur të arteve dhe politikës, ndonëse më së shumti ata mbetën zanatçinjtë e vegjël të rrugëve të vjetra të Damaskut, pasardhës të kohëve kur shqiptarët ishin më së shumti ushtarë në shërbim të të tjerëve. Kush e di se ç’po ndodh këto ditë me njerëzit e gjakut tonë në vendin e përzhitur nga urrejtja civile.
(Më gjerë, më gjatë e më shkoqur shih: Muhamed Mufaku, Shqiptarët në botën arabe; Rilindja, Prishtinë 1990).

BEQARËT E TIRONËS, ROJË NË PAZARIN E VJETËR


Rezarta Delisula
Rezarta Delisula
Feja kundër beqarisë. Në Berat, xhamia e të pamartuarve veçmas
Të jesh beqar në këto kohëra, edhe pse në moshë të madhe, është normale. Vajza që kanë një punë të mirë, të pavarura ekonomikisht, vendosin të martohen kur të njohin të duhurin. Djem që deri afro të 40-ave ia nxjerrin zinë qejfeve dhe më pas marrin hapin drejt altarit. Dikur të ishe beqar kishte kosto shumë të lartë.
Kthehemi në Tiranën e shekullit XIX, por edhe në shumë qytete të tjera, ku të pamartuarit shiheshin me përçmim. Beqarët e Tiranës kishin detyrë të punonin roje në pazarin e vjetër. Deri në fillim të shekullit të XX në pazar nuk kishte roje me pagesë. Këtë detyrë e kryenin beqarët e të gjitha zejeve. Ata gatuanin e hanin bashkë, ndërsa natën e kalonin në pjesën e dyqanit që shërbente për fjetje. Sipas studimit të bërë nga Armanda Hysa, referuar dhe shumë studiuesve të tjerë, beqarët liroheshin nga detyra e rojës vetëm në momentin kur martoheshin. Situata e beqarëve ndryshoi në fillim të shekullit XX, kur esnafet vendosën të marrin roje me pagesë që quheshin “pasvanë”.
Feja dhe beqarët
Profeti Muhamed thotë se gjysma e besimit të njeriut është martesa. Referuar kësaj, myslimanët e devotshëm nuk kishin si të konsideronin pjesë të tyren beqarët. Edhe në besimin e krishterë martesa konsiderohet e shenjtë. Në Bibël thuhet (Mateu 19:5): “Zoti krijoi mashkullin dhe femrën. Për këtë arsye njeriu do ta lërë babanë dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e tij dhe të dy do të jenë një mish i vetëm”. Në besimin hebre babai është i detyruar të martojë djalin e tij. Në të gjitha fetë beqaria nuk ka mbështetje, pasi rruga më e drejtë që duhet të zgjedhë njeriu, referuar po librave të shenjtë, është martesa. Sot e kësaj dite, në buzë të rrugës kryesore në Berat ndodhet xhamia e Beqarëve. Shekuj më parë beqarët e qytetit 2400-vjeçar nuk lejoheshin të kryenin ritet fetare në xhami me burrat e tjerë. Ndërtimi i xhamisë vetëm për këtë kategori në një fare mënyre i poshtëronte. Beqarët mund të shkonin në xhamitë e tjera të qytetit, vetëm nëse martoheshin. Edhe në kohën e socializmit beqarët shiheshin me sy jo të mirë nga regjimi. Gjithnjë ata i çonin në punët më të vështira dhe të rënda, mundësisht i jepnin shërbime të shpeshta. Por në këndvështrimin e asaj kohe, shumë larg Zotit, beqarët ishin elementë që mund të krijonin situata jo të favorshme për pushtetin, si krijimin e grupeve kundërshtare, tentativa arratisjeje…
Esnafët vendimmarrës
Pazari i famshëm i Tiranës, i cili ndodhej në vendin ku sot është ndërtuar Pallati i Kulturës dhe lulishtja pas, ka qenë ndër më të famshmit në vend. Dyqane të vegjël dhe ngjitur me njëri-tjetrin krijonin rrugicat interesante të pazarit, të ndara në disa zeje. Tironsit dhe voskopojarët. Këto ishin dy bashkësitë që bashkëjetuan në mënyrë perfekte. Gjatë periudhës së grindjeve feudale, kur qyteti u sulmua nga ushtria e Kurt Pashës, ortodoksit morën pjesë aktive në mbrojtjen e Tiranës dhe në këtë mënyrë fituan simpatinë e të gjithë qytetarëve dhe në Pazar iu la një vend për të ndërtuar dyqanet. Bashkimi i dy komuniteteve solli një zhvillim shumë të madh në qytet dhe tregu u pasurua me zanate të reja. Tirana kishte 17 esnafe, 5 prej të cilëve ishin ortodoksë. Esnaf quhej organizimi i një apo disa zejeve të përafërta. Funksioni kryesor i tij ishte ekonomik. Esnafi merrej me përcaktimin e çmimeve, ndarjen e punës midis zejtarëve, përgatitjen e nxënësve të kualifikuar, ndalonte konkurrencën e zejtarëve të fshatrave apo qyteteve të tjerë. Esnafi kishte një pleqësi drejtuese të quajtur Llonxha, një përgjegjës të përgjithshëm të quajtur Qehaja, si dhe drejtuesit e tjerë të arkës, beqarëve, lajmëtarëve. Përveç rolit ekonomik, esnafi dhe pleqësia merreshin me organizimin e jetës shoqërore dhe politike të qytetit. Nga pikëpamja ligjore, esnafet kishin të drejtën e gjykimit dhe të marrjes së masave ligjore ndaj anëtarëve.

Ortodoksët

Vllahët kishin ekskluzivitetin e kujunxhinjve (argjendarë), kazanxhinjve, mejhanexhinjve (pijetore), kallajxhinjve dhe ustallarëve, të cilët sot quhen punëtorët e ndërtimit. 12 esnafet e tjera ishin myslimane. Sistemi i esnafëve u shua përfundimisht në fillim të shekullit XX. Esnafi kryesor si edhe në qytete të tjera ishte dhe udhëheqësi i qytetit. Tirana ka pasur kryeesnaf atë nga zeja e tabakëve (lëkurëpunues), kjo sepse nga ana ekonomike ato ishin shumë më të pasur. Edhe sot e kësaj dite ekziston lagjja e “Tabakëve”, e cila është përballë urës që mban të njëjtin emër. Të gjithë urdhrat i jepte kryeesnafi dhe të tërë i bindeshin. Shpesh Toptanasit janë përpjekur për të mundur Tabakët por s’ia kanë dalë. Shekulli XIX nuk ishte aq i mbarë për Tiranën, pas krizës së përgjithshme që pushtoi perandorinë osmane. Mallrat e importit nisën të futen në shumë dyqane të pazarit karakteristik dhe sistemi i esnafëve ishte jashtë kushteve të tregut. Rikonstruksioni i fundit i pazarit u bë në vitin 1905. Në vitet ’30, të huajve që mbërrinin në Tiranë i kthehej në mend e shkuara teksa shihnin pazarin e vjetër, madje në planin urbanistik të bërë pre italianëve u vendos moscenimi i pazarit. “Pazari i Vjetër (që për mendimin tim duhet të rrijë ashtu siç është, për t’i dhënë qytetit një tipar karakteristik) po pasurohet gjithnjë e më me tepër mallra. Dyqanet po zbukurohen dita ditës…”, shënon Asais në librin “Nella kapitale d’un giovane regno” (Në kryeqytetin e një mbretërie të re). Pazari i vjetër u shemb më 1960.

Hani i Elbasanllinjve

Nga pikëpamja arkitektonike dyqanet e pazarit të vjetër pjesën ballore e kishin më të dukshme, ndërsa pas kishin vendin për fjetje, ku bënin roje beqarët. Këtë fakt e pohon dhe Emin Riza në studimin “Qyteti dhe banesa shqiptare e mesjetës së vonë”. Dyqanet mbylleshin me dy dërrasa të mëdha si kapakë, që më pas u zëvendësuan nga “tarabat”, që më vonë krijuan “tartabenat”, mindere të lartë gjysmë metri që nxirreshin në rrugë deri në një metër e gjysmë jashtë dyqanit. Ky sistem i tartabenave bllokoi disi shumë kalimin në rrugë, por rriti komunikimin mes dyqanxhinjve e sipas të vjetërve, tregtarët edhe urimet e ngushëllimet i prisnin në dyqan. Kafenetë, pijetoret dhe hanet gjendeshin kudo në pazarin e vjetër. Mejhanet që menaxhoheshin nga esnafët vllahë ditët e pazarit, të enjteve e të dielave, mbusheshin plot, referuar sërish Asais. Gjatë ditëve të tjera të javës kamerierët ua çonin kafetë pronarëve nëpër dyqane. Në pazar ishte dhe një han i madh që quhej Hani i Elbasanllinjve. I ndërtuar në një sipërfaqe të madhe, fasadë me harqe e shumë dhoma, Hani i Elbasanllinjëve priste udhëtarët e largët. Një tjetër han ndodhej përbri sahatit dhe ndryshe nga ai i pazarit ishte dy katesh në formë L-je. Asaisi përshkruan në librin e tij për mbretërinë e re se dhomat ishin shumë të thjeshta, një karrige dhe një shtrat. Në bazë të studimit të Hysës, ne sollëm një histori ndryshe, mbushur me detaje të reja për Pazarin e Vjetër, një nga pazaret, shembja e të cilit u konsiderua krim urbanistik.
* 727 dyqane
Mueller në librin e botuar për shqiptarët më 1844 shkruan, se në fund të shekullit XVIII Tirana numëronte 1000 shtëpi dhe 727 dyqane.
* 200 dyqane
Referuar Osman Myderizit, në shekullin XVIII Tirana numëronte rreth 500 familje dhe 150-200 dyqane. Shkak për rënien e pazarit u bënë luftërat.
Feudali i parë
Në shekullin XVIII aristokracia feudale në Tiranë ishte krijuar dhe forcuar, ndërsa ata kishin lidhje krushqie me familjet më të mëdha feudale të kohës. Ibrahim Beu mbahet si feudali i parë i Tiranës. I biri, Ahmed Beu, ishte dhëndër i Ibrahim Pashë Bushatlliut. Krushqia me ta bëri që tiranasit dhe shkodranët të ndihmonin njëri-tjetrin. Në atë kohë familja Bushati ishte në krye të qytetit të rëndësishëm veri-perëndimor. Pas lidhjeve familjare, tiranasit përkrahnin Bushatllinjtë në interesat politike e ekonomike, ndërsa Kurt Pasha i Beratit kërkonte po aleancën e tyre, aleancën e Shqipërisë së Mesme.
Familja e Toptanasve
Shembullin e rritjes dhe zhvillimit të Tiranës e shpjegon fare qartë shpërngulja e familjes së madhe Toptani. Sundimtarët e Krujës lakmuan të vinin si sundimtarë në Tiranë, gjë që e realizuan në shekullin XVIII. Si historia e famshme e kalit të Trojës, Toptanasit martuan djemtë në Tiranë duke dashur të marrin pozitat drejtuese të qytetit, të cilat në ato kohëra i menaxhonte familja Mulleti. Fanatikë të qytetit, tiranasit nuk mund të pranonin jabanxhinjtë t’i drejtonin dhe lufta për pushtet vazhdoi për rreth 30 vjet, deri sa Toptanasit dolën fitimtarë.

Ç’ndodhte në Tiranë në shekullin XIX
Dita e enjte, veshjet karakteristike dhe kulmi i shitjeve në pazar
Pazari i Tiranës ka qenë i përqendruar në dy zona. Pazari i Vjetër pas Pallatit të Kulturës, i cili u prish në fund të viteve ’60 dhe vendi që sot quhet Pazari i Ri, ku me një vendim të mbretit u bë ndarja e fruta-perimeve dhe gjetheve me artizanin. Fshatarët ngarkonin kafshët e punës me mallrat dhe niseshin në drejtim të qytetit. Frutat dhe perimet futeshin në kaçilet e kashtës për të ruajtur freskinë. Shumica e shitësve mbanin kostumin e trevës së Shqipërisë së Mesme. Qeleshe apo shall të lidhur në kokë, brez dhe xhokë (jelek pa mëngë), kurse gratë, veç veshjes karakteristike, mbanin edhe merhaman (shami) të bardhë në kokë. Pazari i grave ka qenë sheshi pranë kullës së sahatit dhe ka qenë veçmas nga pjesa tjetër. Pazari më i madh bëhej ditëve të enjte, kur të gjithë njerëzit dilnin për të blerë e shitur. E njëjta traditë ka mbetur edhe sot, kur dita më e nxehtë e pazarit është sërish ajo e enjte. Në Pazarin e Vjetër të Tiranës tregtia zhvillohej në dyqane, që sipas dokumenteve të kohës dhe udhëtarëve të huaj në Shqipëri kanë qenë rreth 700. Zhvillimi dhe rritja e këtij tregu ndodhi në fillim të shekullit XX, për të pasur një ulje në Luftën e Parë Botërore. Në Pazarin e Ri tregtia zhvillohej në tezga apo në tokë. Sot nga Pazari i Vjetër me 700 dyqane nuk ka mbetur asgjë.

SHQIPTARI QË THEMELOI GJUHËSINË TURKE


Sami Frashëri
Sami Frashëri
Megjithëse ka dhënë një kontribut të madh në letërsinë dhe kulturën shqiptare, Sami Frashëri konsiderohet themelues i gjuhësisë turke. Për kontributin e tij në fushën e gjuhësisë, me një ligjëratë u paraqit studiuesi Mehdi Polisi, i cili theksoi se Samiu është dijetar i kalibrit ndërkombëtar.Ndonëse ka kaluar një kohë e gjatë, afër 110 vjet, prej nga Sami Frashëri është ndarë nga kjo botë, megjithatë, emri i tij, për shkak të punës së tij vëllimore dhe pa dyshim dhe cilësore, vazhdon të jetë në kujtesë të secilit njeri që sadopak është i lidhur me boten e letrave. Për Sami Frashërin dhe veprimtarinë e tij janë bërë shumë studime si nga studiues shqiptarë ashtu dhe nga studiues të huaj.
Për të kujtuar kontributin e Frashërit në fushën e gjuhësisë, studiuesi Mehdi Polisi mbajti të martën një ligjëratë në amfiteatrin e Fakultetit të Filologjisë, në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Sipas Polisit, secili që ka shkruar për Sami Frashërin ka shkruar në mënyrën e vet, e ajo që, siç u shpreh ai, është e rëndësishme të thuhet këtu është fakti se të gjithë studiuesit e veprës së Sami Frashërit takohen në një pikë, të thonë se Sami Frashëri është dijetar i madh, dijetar i kalibrit ndërkombëtar.
“Dhe sigurisht nuk gabojnë, sepse këtë cilësim Samiu e meriton. Për veprën e enciklopedistit Sami, megjithëse, siç u tha është shkruar shumë, prapë për të gjithmonë mbetet për t’u thënë diçka më tepër. Thënë shkurt, vepra e tij është vëllimore, cilësore dhe e shumanshme. Sa është ajo e tillë, këtë më mirë mund ta dëshmojnë ata të cilët janë të rrethuar me të, e shumë më mirë ata të cilët janë të detyruar ta shfrytëzojnë atë: albanologë, orientalistë, turkologë, letrarë, historianë, gjeografë etj”,- u shpreh Polisi.
Në këtë ligjëratë ai shpalosi disa mendime e pikëpamje të Samiut nga fusha e gjuhësisë, fushë kjo në të cilën Samiu dha kontributin e tij më të çmuar shkencor.
Polisi theksoi se Sami Frashëri ka qenë një poliglot që ka njohur disa gjuhë të perëndimit dhe të lindjes dhe sipas tij, njohja e gjithë atyre gjuhëve në mënyrë të thellë, mësimi sistematik i fushave të ndryshme të dijes, guximi shkencor e intelektual, e ndihmuan Samiun të shtrihet e të shkelë në shumë disiplina kulturore e shkencore, duke filluar nga viti 1872, kur del për herë të parë me shkrime në opinion, e deri në vdekje më 1904.
“Të shkruash gjithë ato vepra (mbi 65 vepra, disa me më shumë vëllime) ose shprehur me faqe, mbi 20 mijë faqe, pa llogaritur veprat e tij në dorëshkrim dhe artikujt e shumtë nëpër gazeta e revista të shumta të kohës, me tema nga më të ndryshmet dhe në gjuhë të ndryshme: shqip, turqisht, arabisht, frëngjisht, greqisht, persisht etj, për një periudhë 32-33 vjeçare, është pa diskutim punë e madhe, punë që vetëm mendja e ndritur e Samiut ka mundur ta bëjë”, u shpreh Polisi.
Një nga fushat kryesore në të cilat Sami Frashëri dha kontributin e tij të çmuar është padyshim gjuhësia. Sipas Polisit, mendimet e Samiut për gjuhën, me ndonjë korrigjim të vogël edhe pas njëqind e sa vitesh vazhdojnë të mbesin vlera dhe si të tilla i kanë qëndruar kohës dhe kanë bërë që të tërheqin vëmendjen e studiuesve. Ai theksoi se Sami Frashëri është i pari që shkruan për probleme të ndryshme gjuhësore, filologjike në Perandorinë Osmane.
“I pajisur me një kulturë të gjerë gjuhësore e filologjike, Samiu kishte mundësi të ndiqte arritjet e gjuhësisë në Evropë dhe më gjerë, pikërisht në kohën kur ajo nisi të përparonte me shpejtësi. Pikëpamjet e tij për gjuhën, si dukuri shoqërore dhe si një nga veçoritë më të rëndësishme të njeriut, si mjeti kryesor që bën dallimin midis njeriut dhe gjallesave të tjera, për rëndësinë e njohjes dhe studimit të gjuhëve të lashta e të reja, për dallimin midis zërit të artikuluar dhe tingullit (britmës), për dallimin e gjuhëve për sa i përket numrit të tingujve, për lidhjen e gjuhës me mendimin, për përcaktimin e emrave dhe shfaqjen e fjalëve, për lidhjet e gjuhësisë me gjeologjinë, antropologjinë dhe historinë, për shfaqjen dhe zanafillën e gjuhës, për ndarjen e gjuhëve nga aspekti tipologjik (në gjuhë monosilabike, aglutinative dhe flektive) dhe evoluimi, për klasifikimin e gjuhëve nga aspekti gjenealogjik: gjuhë ariane, gjuhë semite e hamite dhe gjuhë turanike, për grupimin, degëzimin dhe afritë e gjuhëve, duke marrë shembuj përkatës edhe nga gjuha shqipe, si dhe shumë e shumë çështje të tjera kanë zënë vend në veprën e tij gjuhësore ‘Gjuha'”, u shpreh Polisi. Në këtë vepër Samiu, siç pohoi Polisi, ka prekur shumë probleme që kanë qenë objekt diskutimi para dhe në kohën e tij. Për të gjitha ato probleme Samiu nuk ka qëndruar vetëm vëzhgues, por me përgatitjen e tij gjuhësore, ai është përpjekur që për çdo problem të japë dhe mendimet e tij origjinale. Polisi përmendi se mendimet e Samiut në të shumtën e rasteve kanë qenë më të avancuara se ato të bashkëkohësve të tij në Perandorinë Osmane në të gjitha disiplinat gjuhësore, sidomos në leksikologji.
Në ligjëratën e tij, Polisi trajtoi edhe shumë çështje që kanë të bëjnë me librin ‘Gjuha’ të Sami Frashërit dhe me pikëpamjet e tij për çështjet gjuhësore.

KENAN EVREN – ISH PRESIDENTI TURK NGA RRETHI I KUMANOVËS





Albanologut të ndjerë me origjinë shqiptare, prof. Nexhip Alpan (nga Zhulati i Gjirokastrës) i pëlqente të më tregonte para 12 vjetësh në Ankara historinë e Kenan Evrenit, Presidentit të shtatë të Republikës së Turqisë, i cili vizitoi në vitet ‘80 ish-Jugosllavinë. Sipas Alpanit, Evren u prit mirë në Beograd dhe në fund të takimeve zyrtare u pyet nëse kishte ndonjë kërkesë të veçantë (pyetje kortezie që u drejtohet thuajse të gjithë zyrtarëve miq). Ai tha se do të ishte shumë i lumtur nëse i vendosej në dispozicion një helikopter dhe dy kurora me lule. Kur e pyetën përse dhe për ku, ai tha se donte t‘i vendoste dy kurorat mbi varret e gjyshërve të tij në Kumanovë! Nuk harroi të shtonte se në dejet e tij rridhte gjak shqiptar, gjë që i çuditi dhe ndoshta nuk i bëri të ndihen mirë zyrtarët serbë të ish-Jugosllavisë. Kenan Evren është një personazh shumë i debatuar në Turqi, që endet mes dashurisë dhe urrejtjes, por në thelb të gjithë bashkohen se ai mbetet një burrë shteti. Albanologu Alpan, një qemalist i flaktë, donte të më tregonte sesa i lidhur ishte kombi shqiptar me atë turk. Qemalistët nuk e kanë me sy të mirë Perandorinë Osmane, por ja që ishin dhe janë të detyruar të respektojnë trashëgiminë e kësaj perandorie. Gjenerali me orugjinë shqiptare, Kenan Evren, në vitet 80 shpëtoi Turqinë nga lufta civile. Ky pasi bëri grushtet, qeverisi disa vite dhe shpalli zgjedhjet e lira.

Kenan Evren ka lindur në Alaşehir, Manisa. Pas përfundimit të shkollës fillore dhe shkollës së mesme në Manisa, Balikesir dhe Stamboll, ai ndoqi shkollën e lartë ushtarake në Maltepe, Ankara. Në 1938, ai u diplomua nga shkolla e ushtrisë dhe në vitin 1949 doli si oficer i personelit në Akademinë Ushtarake. Nga 1958-1959, ai shërbeu në Brigadën turk në Korea. Në vitin 1964 mori titull gjeneral ushtarak duke kryer poste të larta ushtarake deri në detyrën e Shefit të përgjithshëm të Ushtrisë Turke në mars të vitit 1978. Në vitin 1980 Turqia u përfshi nga një luftë e ashpër midis forcave të djatha dhe ato majtiste. Duke shpresuar që të shoh një revolucion komunist, të majtët po bënin përpjekje intensive për të marrë në duar pushtetin, ndërsa një betejë e ngjashme dhe e ashpër po zhvillohej edhe nga forcat djathtiste. Edhe universitetet kishin marrë anën, duke u pozicionuar disa në krahun e majtë e disa në krahun e djathtë. Udhëheqësit politik Sulejman Demirel dhe Bülent Ecevit ishin të paaftë për të kontrolluar dhunën.

Pas dështimit të kësaj përpjekje politike, në bazë dhe në qendër të zhvillimeve zbriti Këshilli i Sigurimit Kombëtar, si organ qeverisës. Këshilli i 1980 ishte i përbërë nga komandanti Kenan Evren, Shefi i Shtabit dhe Presidenti i shtetit. Parlamenti u shpërnda dhe gjithë kjo trazirë u zgjodh nga personaliteti karizëm Evren, i cili vjen në skenën politike dhe shtetërore turke si një figurë e fuqishme.

Pas grushtit të shtetit, në 1982, Kenan Evren u zgjodh President i Republikës së Turqisë. Me 7 nëntor me iniciativë të tij u miratua me 90 për qind, kushtetuta e re, e cila pezulloi shumë forma të lirive civile dhe të drejtat e njeriut për arsye se ishte e nevojshme për të krijuar stabilitet. Evren mori masa të forta për të siguruar se ndarja mes majta politike dhe të drejtë nuk do të kthehet në dhunë.

Pas daljes në pension të tij, ai u transferua në qytetin turk turistik të Mesdheut Armutalan, Marmaris dhe filloi të merret me pikturë. Më 2 gusht 2006, ishte hartuar një plan për vrasjen e Evren, por ai dështoi dhe u arrestuan dy persona në rajonin Mugla.

Evren u shtrua në spital për gjakderdhje masive gastrointestinale më 3 gusht 2009, në Yalıkavak, Bodrum, ku shtëpia e tij verore ndodhet. Ai vazhdon të ndodhet nën përkujdesje intensive mjekësore, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore dhe moshës së thyer 92 vjeçare.

Evren një aleat i fuqishëm i SHBA-ve dhe CIA-s

Shqiptari Evren ishte edhe një bashkëpunëtor i ngushtë i administratës amerikane dhe lidhja e tij është e dëshmuar edhe në dokumentet e CIA. Pikërisht CIA amerikan kishte bashkëpunuar dhe ishte koordinuar ngushtë me Evren për të realizuar grushtetin dhe kjo është bërë e ditur nga Pali Henze, shefi i zyrës së CIA-s në Ankara.

Prova më e shquar është një letër nga stacioni i CIA-s në Ankara, me të cilën u njoftua Uashingtoni se qeveria në Turqi ishte rrëzuar, duke thënë: “djemtë tanë e bënë atë.”

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...