Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/10/12

Varshavë, tentativa për të vrarë ambasadorin shqiptar

Letra e panjohur që zbardh skandalin diplomatik të vitit 1960, teksa një funksionar i Ministrisë së Jashtme të Polonisë nxori pistoletën për të vrarë ambasadorin shqiptar. Incidentet që u mbajtën të fshehta për të mos dëmtuar imazhin e bllokut komunist



Nga Thanas Mustaqi


l


                             Në foto: Selia aktuale e ambasadës shqiptare në Varshavë





Më 29 qershor 1960, një funksionar në ministrinë e jashtme të Polonisë, u paraqit dhe hyri në ambasadën shqiptare në Varshavë dhe, duke nxjerrë pistoletën, u orvat të vriste ambasadorin. “Investigim”-i zbulon faktin e jashtëzakonshëm, që nuk u bë publik atë kohë (mund të merret me mend se çfarë skandali ndërkombëtar do të bëhej sikur të vritej ambasadori i Republikës Popullore të Shqipërisë në mes të Varshavës nga një nëpunës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Polonisë ose të digjej ambasada jonë nga diversionistët, do të shkruante Enver Hoxha). Sherret në bllokun komunist në vitet 1960 çuan deri në incidente diplomatike, që nuk u bënë publike atëherë, por që më vonë informacionet rrodhën në mediet ndërkombëtare. Ato njoftuan se ambasadori shqiptar në Poloni “Musin Kroi u shpall person i padëshirueshëm nga qeveria polake për shkak se personalisht goditi me grusht një punonjës polak që i kishte vënë zjarrin një qilimi”. Ndërkaq “Investigim”-i ka zbuluar në arkiv edhe dy dokumente interesante që hedhin dritë mbi incidentet në Varshavë, por edhe në Tiranë nga ana e ambasadës sovjetike.

“EVROPA E LIRË”

Disa numra më parë gazeta “Investigim” ka botuar një shënim analitik të emitentit amerikan të CIA-s “Radio Evropa e Lirë / Radio Liria” të 19 korrikut 1961, ku shkruhej se marrëdhëniet polake-shqiptare kishin qenë në një pikë shumë të ulët për disa kohë. “Evropa e Lirë” vëren se “me sa duket diku nga vera e vitit 1960 ambasadori shqiptar në Varshavë, Musin Kroi, u shpall person i padëshirueshëm nga qeveria polake për shkak se personalisht goditi me grusht një punonjës polak që i kishte vënë zjarrin një qilimi”. Por kjo ka ndodhur pas 6 muajsh. “Investigim”-i i referohet një shënimi të 22 janarit 1961 në “Ditarin” e Enver Hoxhës, kur Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Behar Shtylla i raportoi “se qeveria polake e ka deklaruar person të padëshirueshëm ambasadorin tonë në Poloni, Musin Kroin”. Po ashtu “Evropa e Lirë” thotë: “Agjencitë e lajmeve UPI dhe “Reuter” njoftonin më 12 tetor 1960 se Kroi nuk do të kthehej në Varshavë nga Tirana, ku kishte shkuar për “pushime” tre muaj më parë”.

SIKUR…

Në vazhdim”Investigim”-i ka zbuluar dhe dy dokumente të reja. Më 21 korrik 1960 Enver Hoxha i dërgon letër KQ të PKBS në përgjigje të një letre të një javë më parë,13 korrik, që Moska i kishte çuar pas ankesës së polakëve për të ndërhyrë lidhur me incidentin e kryer në ambasadën e RP të Shqipërisë në Poloni. Sipas Hoxhës, më 29 qershor 1960, një ish-funksionar i Ambasadës Polake në Tiranë dhe pikërisht shifrant i saj dhe tani, sikurse deklaroi ai, funksionar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Polonisë, u paraqit dhe hyri në Ambasadën Shqiptare në Varshavë dhe, duke nxjerrë pistoletën, u orvat të vriste ambasadorin Musin Kroi. Funksionarët e ambasadës e kapën, e çarmatosën dhe ua dorëzuan organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Polonisë. “Mund të merret me mend se çfarë skandali ndërkombëtar do të bëhej sikur të vritej ambasadori i Republikës Popullore të Shqipërisë në mes të Varshavës nga një nëpunës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Polonisë ose të digjej ambasada jonë nga diversionistët”, thotë Hoxha.

29 NËNTOR 1959

Në këtë dokument kreu i regjimit të Tiranës përmend dhe një fakt tjetër të panjohur. Gjatë pritjes së dhënë nga ambasadori shqiptar në Varshavë në 29 nëntor 1959, një element i rekomanduar për shërbim në këtë pritje nga autoritetet kompetente polake u orvat të grabiste dokumentet shtetërore dhe t’i vinte zjarrin ambasadës shqiptare, por funksionarët e ambasadës ndërhynë menjëherë, e shuan zjarrin, kapën autorin dhe ua dorëzuan organeve kompetente polake. Hoxha ankohet se autori, i cili kaloi në gjyq, sa për formalitet, u dënua për aktin e tij të shëmtuar me dy muaj kondicionel dhe u la i lirë gjoja si “i çmendur” ose “i pirë”.

LEKËT E XHEPIT

Madje, puna arrin deri dhe në një moment kureshtar. Zëvendësministri polak i punëve të jashtme, Marian Nashkovski, i cili kishte paraqitur shumë herë dëshirën të vinte dhe të pushonte në Shqipëri dhe që kjo dëshirë iu plotësua, la pushimet dhe u largua, duke i kthyer Komitetit Qendror, nëpërmjet të ambasadorit të Republikës Popullore të Polonisë në Tiranë, edhe të hollat e xhepit që i kishte dhënë Komiteti Qendror i PPSH, sipas zakonit që praktikohej me miqtë kur vinin të pushonin, për të blerë disa kujtime nga Shqipëria. Por pas 22 vjetësh Nashkovski ngre në qiell në shtypin polak Enver Hoxhën për performancën në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1946.

“KUJT I QËNDRON BESNIKE USHTRIA?”.

Dy javë më vonë, më 6 gusht 1960 Enver Hoxha ankohet në një letër në emër të KQ të PPSH drejtuar KQ PKBS, tani për disa funksionarë të ambasadës së BS në Tiranë. Sipas Hoxhës, kohët e fundit, pas Mbledhjes së Bukureshtit të përfaqësuesve të partive komuniste dhe punëtore, konstatonte një ndryshim rrënjësor në qëndrimin e disa personave që ishin funksionarë të ambasadës sovjetike në Tiranë. Dhe ai numëron disa raste. Këshilltari K. I. Novikov ishte orvatur shumë herë të mblidhte informata nga kuadrot dhe funksionarët e PPSH si në Tiranë, Elbasan, Durrës dhe gjetkë mbi ato që shqyrton Plenumi i Komitetit Qendror të Partisë. Sekretari i parë i ambasadës F. P. Bespallov, bashkë me ambasadorin V. I. Ivanov dhe këshilltarin e ambasadës, K. I. Novikov, kishin mundur të influenconin negativisht mbi Koço Tashkon, kryetar i Komisionit të Revizionimit në PPSH, duke e tërhequr atë në pozita të hapura kundër vijës së përgjithshme të partisë. Kurse kryediplomati Ivanov u bëri gjeneralëve dhe oficerëve shqiptarë, publikisht, në aerodromin e Tiranës, pyetjen: “Kujt i qëndron besnike ushtria?”.











Nga “Letër e KQ të PPSH drejtuar Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik lidhur me incidentin e kryer në ambasadën e RP të Shqipërisë në Poloni”





21 korrik 1960

Morëm letrën tuaj të datës 13 korrik të vitit 1960, që bën fjalë për incidentin e padëshirueshëm që ka ndodhur në ambasadën tonë në Varshavë, si rezultat i orvatjes së një funksionari të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Polonisë për të vrarë ambasadorin tonë, shokun Musin Kroi.

Ne e kuptojmë shqetësimin tuaj dhe dëshirojmë me këtë rast t’ju falënderojmë për kujdesin shoqëror dhe internacionalist që tregoni për rregullimin e mosmarrëveshjes që ka lindur midis nesh dhe shokëve polakë në lidhje me incidentin e mësipërm, në mënyrë që marrëdhëniet midis Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Polonisë të mos cenohen, po të forcohen në interes të të dy vendeve tona socialiste dhe të të gjithë kampit socialist në përgjithësi.

Neve na vjen shumë keq që ndodhi një incident i tillë dhe kuptohet se nuk jemi ne fajtorë për këtë incident dhe për konsekuencat që rrjedhin prej tij, por përgjegjësinë e kanë shokët polakë, të cilët nuk kanë marrë asnjë masë për të mos e lejuar një incident të tillë.

Për të qenë në korrent të çështjes dëshirojmë t’ju themi se kanë ngjarë dy incidente të rënda në ambasadën tonë në Varshavë.

1) Gjatë pritjes së dhënë nga ambasadori ynë në Varshavë në 29 nëntor 1959, me rastin e 15-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga okupacioni nazifashist, një element i rekomanduar për shërbim në këtë pritje nga autoritetet kompetente polake tentoi të grabiste dokumentet shtetërore dhe t’i vinte zjarrin Ambasadës Shqiptare, por funksionarët e ambasadës sonë ndërhynë menjëherë, e shuan zjarrin, kapën kriminelin dhe ua dorëzuan organeve kompetente polake. Këtë akt diversionist, duke marrë parasysh lidhjet miqësore që ekzistojnë në mes të dy vendeve tona, në frymë shoqërore dhe internacionaliste ia vumë në dukje verbalisht Ministrisë së Punëve të Jashtme të Polonisë, duke kërkuar që të merreshin masa për mospërsëritjen e gjesteve të tilla armiqësore karshi vendit tonë. Pas kësaj ndërhyrjeje në frymë miqësore nga ana jonë, ambasadës sonë në Varshavë iu dhanë “sigurime” formale nga ana e organeve të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Polonisë “se do të merreshin të gjitha masat për të mos lejuar që të përsëriteshin në të ardhshmen të tilla veprime diversioniste”. Megjithatë ne konstatuam se autori i krimit të përmendur, i cili kaloi në gjyq, sa për formalitet, u dënua për aktin e tij të shëmtuar me dy muaj kondicionel dhe u la i lirë gjoja si “i çmendur” ose “i pirë”.

Ambasada jonë në Varshavë i është drejtuar pas këtij incidenti të rëndë tri herë me notë zyrtare Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Polonisë për të vënë një rojë të armatosur te porta e ambasadës sonë në Varshavë, sikurse kemi vepruar edhe ne në Tiranë për sigurimin e Ambasadës Polake dhe të të gjitha ambasadave të tjera. Por Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Popullore të Polonisë nuk denjoi të merrte asnjë masë për të vënë rojë pranë ambasadës sonë në Varshavë duke ia lënë kujdesin e ambasadës sonë një milici, i cili ruan në të njëjtën kohë edhe shumë ambasada të tjera të huaja. Të gjitha këto tregonin për ne se Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Popullore të Polonisë e trajtoi këtë çështje në mënyrë shumë të lehtë.

2) Në 29 qershor të këtij viti [1960], një ish-funksionar i Ambasadës Polake në Tiranë dhe pikërisht shifrant i saj dhe tani, sikurse deklaroi ai, funksionar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Polonisë, u paraqit dhe hyri në Ambasadën Shqiptare në Varshavë dhe, duke nxjerrë koburen, tentoi të vriste ambasadorin tonë, shokun Musin Kroi. Funksionarët e ambasadës sonë e kapën kriminelin, e çarmatosën dhe ua dorëzuan organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Polonisë.

Nga këto dy incidente të rënda njëri pas tjetrit kuptohet se Qeveria e Republikës Popullore të Polonisë, sipas pikëpamjes sonë, jo vetëm që nuk e ka marrë seriozisht sigurimin e ambasadës sonë në Varshavë dhe të personelit të saj, po e ka trajtuar këtë çështje me një mungesë konsekuence të rëndë dhe me një përbuzje të palejueshme, që nuk pajtohet jo vetëm me frymën miqësore dhe internacionaliste që lidh të dy vendet tona, po as edhe me normat formale diplomatike. Mund të merret me mend se çfarë skandali ndërkombëtar do të bëhej sikur të vritej ambasadori i Republikës Popullore të Shqipërisë në mes të Varshavës nga një nëpunës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Polonisë ose të digjej ambasada jonë nga diversionistët. Ne mendojmë se këto provokacione që ngjanë nuk janë gjëra të rastit dhe janë bërë nga elementë armiq, të cilët përpiqen për të prishur marrëdhëniet vëllazërore midis dy vendeve tona. Përgjegjësia e organeve qeveritare të Republikës Popullore të Polonisë, sipas pikëpamjes sonë, konsiston në atë që nuk kanë marrë deri më sot asnjë masë serioze për të ndaluar akte të tilla provokimi kundër ambasadës sonë dhe personelit të saj.

Nota e qeverisë sonë drejtuar qeverisë polake është plotësisht me vend dhe karakterizohet nga një durim i madh në vështrim të zhvillimit të ngjarjeve.

Por, siç duket, shokëve polakë nuk u pëlqen kur u thuhet e vërteta në sy dhe u kërkohet gjëja më elementare, të marrin masa për ruajtjen e ambasadës sonë dhe të personelit të saj. Ishte e arsyeshme dhe e domosdoshme për çka ngjau që ne të largonim përkohësisht ambasadorin tonë nga Varshava, deri sa qeveria polake të kërkonte ndjesë dhe të merrte masat e përshtatshme karshi këtyre incidenteve, që po bëheshin një vijë e rrezikshme dhe plot konsekuenca të rënda.

Qeveria polake nuk iu përmbajt jo vetëm normave diplomatike, po as edhe frymës miqësore dhe internacionaliste, pas këtyre dy incidenteve shumë të rënda që jo për fajin tonë i ndodhën ambasadës dhe ambasadorit tonë në Varshavë. Përveç kësaj, notëpërgjigjja e qeverisë polakedrejtuar qeverisë sonë është hartuar me një ton përbuzës dhe në një mënyrë të tillë që le qartë të kuptohet se qeveria polake jo vetëm nuk ka ndër mend të njohë gabimin e vet, por as edhe të marrë masa në të ardhmen. Notës polake ne do t’i përgjigjemi.

Është shumë e arsyeshme ajo që thoni Ju, se kjo çështje, deri sa nuk u rregullua në vijën diplomatike, të rregullohet në vijë partie, sido që për ne çdo veprim i qeverisë përputhet me vijën dhe vendimet e Komitetit Qendror të Partisë. Ne Ju themi se edhe këtë vijë e tentuam. Kur ndodhi incidenti në fjalë, ndodhej në Shqipëri për pushime zëvendësministri i punëve të jashtme të Republikës Popullore të Polonisë, shoku Nashkovski Marian*, i cili kërkoi të bisedonte për këtë çështje në rrugë partie, si anëtar i Komitetit Qendror. Ne e pranuam një gjë të tillë dhe ai bisedoi me anëtarin e Byrosë Politike dhe sekretarin e Komitetit Qendror të Partisë sonë, shokun Rita Marko. Megjithëse kjo çështje u shtrua nga ana jonë me ton dhe frymë partie, zëvendësministri i punëve të jashtme të Republikës Popullore të Polonisë, shoku Nashkovski, u soll jo si njeri partie, po si një diplomat. Toni i tij ishte toni notës polake dhe nuk u arrit asnjë rezultat.

Përveç kësaj ne duhet të theksojmë se shokët polakë, në vazhdim të këtyre incidenteve të rënda, morën edhe një masë tjetër, që nuk i përshtatet frymës miqësore dhe internacionaliste që duhet të ekzistojë në mes të dy vendeve dhe partive tona. Zëvendësministri polak i punëve të jashtme, shoku Nashkovski, i cili kishte paraqitur shumë herë dëshirën të vinte dhe të pushonte në Shqipëri dhe që kjo dëshirë iu plotësua, la pushimet dhe u largua, duke i kthyer Komitetit Qendror, nëpërmjet të ambasadorit të Republikës Popullore të Polonisë në Tiranë, edhe të hollat e xhepit që i kishte dhënë Komiteti Qendror i Partisë sonë, sipas zakonit që praktikohet me miqtë kur vijnë të pushojnë, për të blerë disa kujtime nga Shqipëria. Edhe këtë akt ne nuk kemi si të mos e konsiderojmë si përbuzje të miqësisë vëllazërore që tregon Partia jonë karshi shokëve polakë.

Ne mendojmë se incidentet e rënda dhe aktet jomiqësore në drejtim të vendit tonë tregojnë se shokët polakë jo vetëm janë larg të njohin gabimet e tyre, por dëshirojnë gjithashtu të lozin ndaj Shqipërisë socialiste motër kartën e një shteti të madh ndaj një shteti të vogël. Sigurisht ata gabojnë adresë dhe harrojnë se populli shqiptar dhe Partia e Punës e Shqipërisë as nuk kanë lindur dhe as nuk rrojnë me mëshirën e shokëve polakë.

Ne kurdoherë kemi dashur dhe dëshirojmë që me popullin, partinë dhe qeverinë polake të kemi marrëdhënie shumë të mira dhe shumë të ngushta, në frymën marksiste-leniniste, në frymën e barazisë dhe të internacionalizmit proletar dhe këtë rrugë do ta vazhdojmë me këmbëngulje deri në fund. Ne nuk kemi ndonjë kundërshtim që çështja të zgjidhet midis komiteteve qendrore të të dyja partive, sikurse rekomandoni ju me plot të drejtë, por mendojmë se i takon udhëheqjes polake, qoftë në rrugë partie, qoftë në rrugë shtetërore që të marrë iniciativën për të ndrequr këto gabime të rënda të saj dhe të japë garanci që në të ardhshmen të mos ndodhin.

Ne do të jemi të lumtur që Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, në interes të marrëdhënieve midis Republikës Popullore të Polonisë dhe Republikës Popullore të Shqipërisë, në interes të unitetit të kampit të socializmit, të përdorë autoritetin e vet për të influencuar brenda mundësive të tij pranë shokëve polakë që t’i shikojnë marrëdhëniet me ne në bazë të barazisë, në mënyrë shoqërore, marksiste-leniniste dhe ne jemi kurdoherë gati të bisedojmë me ta për incidentin e Varshavës, sikurse rekomandoni Ju, veçse çdo gjë varet nga shokët polakë.

Me përshëndetje komuniste.

Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë

Enver Hoxha



Shënim i “Investigim”-it

* Sipas Liljana Hoxhës, gazeta “Argumenti” e Varshavës, datë 4.09.1983, boton artikullin me titull “Konferenca e Paqes, kujtimet e polakut Marian Nashkovskit, ish-përfaqësuesi i Polonisë në Konferencën e Paqes në Paris [1946]”: “Ndërmjet kujtimeve në Pallatin Luksemburg sjell ndërmend fjalimin e përfaqësuesit të Shqipërisë, Enver Hoxha. Shqipëria nuk mori pjesë me të drejtat e anëtarit, megjithëse këtë e meritonte moralisht. Siç dihet ky vend luftoi me heroizëm pa ndihmë nga jashtë kundër nazifashistëve. Por konferenca u kufizua vetëm me ftesën e Shqipërisë, jo për të folur nga tribuna e saj. Enver Hoxha atëherë ishte i ri, i pashëm, me uniformë ushtarake të thjeshtë, pa dekorata. Megjithatë foli me një patos të madh dhe gjallëri, me temperamentin e një jugori të vërtetë. Foli në mënyrë të zjarrtë, gjë që me siguri ishte tipar i karakterit të tij, sepse në mënyrë retorike foli drejt, dënoi krimin e fashistëve italianë dhe kërkoi miratimin e klauzolave, të cilat nuk do t’i jepnin mundësi ringjalljes së nazifashizmit”.















Nga “Letër e KQ të PPSH drejtuar Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik lidhur me ndërhyrjen e hapur në punët e brendshme të PPSH dhe të shtetit shqiptar nga disa funksionarë të Ambasadës së BS në Tiranë”



6 gusht 1960

… me keqardhjen më të madhe Ju vëmë në dijeni se këto kohët e fundit, pas Mbledhjes së Bukureshtit të përfaqësuesve të partive komuniste dhe punëtore, konstatojmë një ndryshim rrënjësor në qëndrimin e disa personave që janë funksionarë të Ambasadës Sovjetike në Tiranë, qëndrim i cili nuk mund të sjellë veçse dëm në marrëdhëniet miqësore midis të dy vendeve tona dhe të të dy partive tona, sepse ka të bëjë me ndërhyrjen e hapët të këtyre personave në punët e brendshme të Partisë dhe të shtetit tonë, në kundërshtim me qëndrimin marksist-leninist që është mbajtur kurdoherë nga njerëzit sovjetikë ndaj çështjeve tona të brendshme.

Ne konstatojmë me hidhërim të madh se shoku K. I. Novikov, këshilltar i Ambasadës Sovjetike në Tiranë, jashtë çdo rregulli partie dhe normash që përcaktojnë marrëdhëniet tona vëllazërore, është orvatur shumë herë për të mbledhur informata nga kuadrot dhe funksionarët e Partisë sonë si në Tiranë, Elbasan, Durrës dhe gjetkë, mbi çështje kaq të rëndësishme mbi Partinë tonë, siç janë ato që shqyrton Plenumi i Komitetit Qendror të Partisë, të cilat kanë të bëjnë me vijën e përgjithshme politike të Partisë së Punës të Shqipërisë. Ai u ka folur kuadrove tanë të Partisë haptas kundër vijës së përgjithshme të Partisë dhe u ka atyre agjitacion për t’i vënë në pozita të gabuara kundër Komitetit Qendror të Partisë sonë.

Sekretari i parë i Ambasadës Sovjetike shoku F. P. Bespallov, bashkë me ambasadorin, shokun V.I. Ivanov, dhe këshilltarin e ambasadës, shokun K. I. Novikov, me anën e metodave të palejueshme në marrëdhëniet midis partive marksiste-leniniste, kanë mundur të influencojnë negativisht në shokun Koço Tashko, kryetar i Komisionit të Revizionimit në Partinë tonë, duke e tërhequr atë në pozita të hapura kundër vijës së përgjithshme të Partisë sonë.

Një veprimtari e këtillë është ndërhyrje flagrante dhe e palejueshme në punët e brendshme të Partisë sonë marksiste-leniniste nga ana e këtyre funksionarëve të Ambasadës Sovjetike, është veprimtari e hapët kundër unitetit të Partisë sonë dhe kundër vijës së saj të përgjithshme.

Ne jemi shumë të prekur sidomos nga qëndrimi i ambasadorit sovjetik, shokut Ivanov, këto kohët e fundit, i cili shkoi aq larg në veprimtarinë e tij jomiqësore ndaj Partisë sonë, sa që pati guximin që t’u bëjë gjeneralëve dhe oficerëve tanë, publikisht, në aerodromin e Tiranës, pyetjen e çuditshme dhe të dyshimtë: “Kujt i qëndron besnike ushtria?”. Gjeneralët tanë i dhanë atij përgjigjen e duhur aty për aty dhe kanë ardhur me lot ndër sy në Komitetin Qendror të Partisë, të revoltuar nga një pyetje e këtillë tendencioze e shokut Ivanov dhe duke bërë pyetjen e logjikshme se përse shoku Ivanov bën një pyetje të këtillë, përse ai të vejë në dyshim besnikërinë e ushtrisë sonë ndaj Partisë, atdheut, popullit dhe kampit të socializmit? Për të gjithë ne është krejtësisht i pakuptueshëm ky qëndrim i shokut Ivanov.

Këto fakte (dhe ka edhe shumë të tjera si këto) ne na kanë dëshpëruar pa masë. Deri më sot ne kemi bërë veshin të shurdhër dhe kemi mbyllur një sy ndaj këtyre veprimeve të këtyre funksionarëve të Ambasadës Sovjetike, dhe këtë e kemi bërë vetëm për hir të miqësisë së madhe që ekziston midis dy vendeve tona. Por tani që veprimet e disa funksionarëve të Ambasadës Sovjetike kundër vijës së përgjithshme dhe unitetit të Partisë sonë po marrin përpjesëtime të padurueshme, ne e ndjejmë për detyrë t’Ju informojmë shoqërisht, me shpresë se Ju do të merrni masat përkatëse. Këto veprime të disa funksionarëve të Ambasadës Sovjetike nuk ndihmojnë në forcimin e miqësisë që ekziston midis të dy vendeve tona, ato dëmtojnë marrëdhëniet internacionaliste që ekzistojnë midis të dy partive tona marksiste-leniniste.

Ne e ndjejmë për detyrë që t’Ju informojmë mbi këto gjëra, të flasim me Ju haptas dhe drejt, siç kemi bërë kurdoherë, siç na mëson vetë Partia-mëmë e Leninit të madh. Ne nuk kuptojmë se përse të ndodhë një ndryshim i këtillë në qëndrimin e këtyre funksionarëve të Ambasadës Sovjetike. Ata flasin me kuadrot tanë haptas kundër qëndrimit që mbajti Partia jonë në Mbledhjen e Bukureshtit të partive komuniste dhe punëtore dhe përpiqen intensivisht që të përçajnë unitetin e Partisë sonë dhe të udhëheqjes së saj.

Qëndrimi i Partisë sonë në Mbledhjen e Bukureshtit është i qartë si drita e diellit. Partia jonë në atë mbledhje shprehu haptas dhe qartë pikëpamjet e veta dhe askujt nuk i lejohet që të shtrembërojë realitetin mbi qëndrimet e Partisë sonë. Ashtu sikundër në Mbledhjen e Bukureshtit ne folëm haptas dhe qartë mbi çështjet që u shtruan në atë mbledhje, ashtu do të flasim haptas dhe qartë edhe në mbledhjen e ardhshme që do të bëhet në Moskë, sikurse është vendosur nga të gjitha partitë që morën pjesë në Mbledhjen e Bukureshtit. Nuk i lejohet askujt, për asnjë arsye, që të ndërhyjë në punët tona të brendshme për të ndryshuar qëndrimin e drejtë marksist-leninist të Partisë sonë, sikundër po orvaten që të bëjnë disa funksionarë të Ambasadës Sovjetike në Tiranë.

Partia jonë, sikurse të gjitha partitë e tjera marksiste-leniniste, ka të drejtë të ketë pikëpamjen e vet dhe t’i shfaqë pikëpamjet e veta lirisht, ashtu siç i mendon, siç na mëson Lenini i madh. Këtë të drejtë për të thënë pikëpamjet e veta lirisht Partisë sonë ia ka dhënë marksizëm-leninizmi, dhe është krejtësisht e palejueshme që të bëhen orvatje për ta paraqitur Partinë tonë sikur gjoja ajo këto kohët e fundit qenka futur në rrugë të shtrembra, siç përpiqen “të vërtetojnë” disa funksionarë të Ambasadës Sovjetike në Tiranë. Kushdo që përpiqet të shtrembërojë realitetin mbi qëndrimin e Partisë sonë gabon rëndë. Partia e Punës e Shqipërisë ka qenë, është dhe do të jetë gjithë jetën besnike e marksizëm-leninizmit, për këtë dëshmon më së miri e gjithë rruga e lavdishme që ka përshkuar Partia jonë, që nga krijimi i saj dhe deri më sot…

Komiteti Qendror i Partisë sonë konsideron se ndryshimi në qëndrimin e mbajtur nga Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik dhe Partia e Punës e Shqipërisë në Mbledhjen e Bukureshtit nuk duhet të bëhet shkak për të ndërhyrë në punët e brendshme të njëri-tjetrit nga asnjë person, sepse kjo nuk do t’i ndihmonte çështjes dhe do të cenonte interesat e përbashkëta midis të dy partive tona.

Ne kemi bindje se Ju do të na kuptoni drejt dhe do të merrni masat e nevojshme për të mos u përsëritur më raste të tilla në veprimtarinë e funksionarëve të Ambasadës Sovjetike në Tiranë.

Përshëndetje komuniste

Në emër të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë

Sekretari i Parë

Enver Hoxha

1975, Enveri: Bijës së tradhtarit të mos i merret foshnja

Për Enver Hoxhën nuk janë të drejta qëndrimet braktisëse ndaj njerëzve të pafajshëm vetëm pse ata janë farefis me armiqtë. Kemi zbuluar  në arkiva fakte të panjohura për “zbutjen” e luftës së klasave në vitin 1975. “Si u shkurorëzokan njerëzit me prokurë?!” pyeste i habitur diktatori. Paranoja e liderit për grupet armiqësore në ushtri, ekonomi, kulturë kishte infektuar dhe njerëzit e thjeshtë: “Të pranoj në shtëpi vetëm po të më porositë ndonjë udhëheqës”, i thoshte vajzës një prind



Nga Thanas Mustaqi

l



Enver Hoxha me punëtoret e uzinës “Traktori”: “Ligjet… nuk e lejojnë heqjen e fëmijës së vogël nga gjiri i një mëme që nuk është dënuar penalisht për ndonjë krim, që nuk i është hequr e drejta prindërore, që nuk vuan nga ndonjë sëmundje infektive etj.”





Mjaftoi që “vajza e shkurorëzuar e një tradhtari” t’i shkruante udhëheqësit se “unë, shoku Enver, nuk kam njeri tjetër veç Partisë dhe juve”, që të prishej një vendim gjykate që i hiqte foshnjën 11 muajshe. Kemi  zbardhur nga arkivat një periudhë delikate të regjimit komunist, në vitin 1975 pas eliminimit të atyre që u quajtën grupe armiqësore në ushtri, ekonomi dhe kulturë. Ashpërsimi i luftës së klasave u kthye në bumerang, pasi struktura të tëra të partisë dhe shtetit po e ekstremizonin situatën deri në absurd, gjë që rrezikonte vetë pushtetin e Enver Hoxhës. “Një anëtare partie, që është gjini me një armik, më shkruante se nuk i flet njeri, nuk i japin shtëpi dhe ka mbetur rrugëve. “Vete te xhaxhai, – vinte në dukje ajo, – por edhe ai më thotë: “Vajzë, unë mund të të pranoj në shtëpi vetëm po të më porositë ndonjë udhëheqës!!” Nuk janë të drejta këto qëndrime braktisëse ndaj njerëzve të pafajshëm vetëm pse ata janë farefis me armiqtë”, tregon i nervozuar udhëheqësi .

Bie në sy se rastet e çështjeve civile në gjykata dhe spastrimet në administratë, çuditërisht, ngjasojnë me ato në periudhën pas-komuniste.

SQARIME

Populli pret sqarime tash që armiqtë u dënuan, kështu diskutonte i shqetësuar Enver Hoxha më 7 nëntor 1975 në takimin ditor të sekretarëve të KQ të PPSH. Shefi i regjimit komunist, pasi tha se “armiqtë u qëruan” (fjala ishte për likuidimin e B. Ballukut, P. Dumes, H. Çako, A. Këllezit e K. Theodhosit), është në hall dhe u kërkon vartësve të tij në majën e piramidës partiake të bënin “një punë e madhe sqaruese brenda vendit”. Kjo dhe për faktin se situata ekonomike brenda vendit po vështirësohej për shkak të braktisjes që po i bënte Pekini Tiranës. Nga ana tjetër, kishte trysni politike nga fqinjët.

Armiqtë e likuiduar po e “kërcënonin” nga varri dhe burgjet për shkak të mbështetjes nga brenda. Por më shumë për shkak të lidhjeve me kinezët, që, pas prishjes me sovjetikët, ndihmuan në përmirësimin e dukshëm të ekonomisë, për rrjedhim, edhe të mirëqenies, duke siguruar stabilitet të brendshëm.

LISTAT

Duke parë se situata mund t’i dilte nga duart, kreu i Tiranës filloi një fushatë për kompaktësimin e popullit, duke këshilluar të hiqej dorë nga politikat e ashpra të luftës së klasave. Në këtë atmosferë duhen parë disa lëvizje për “humanizimin” e sistemit, që edhe rrethi familjar i kundërshtarëve të regjimit të ndiente “dorën e ngrohtë” të PPSH-së. Në prononcimet në forume të partisë apo në ish-“Presidiumin e Kuvendit Popullor” Enver Hoxha përshkruan disa ngjarje vërtet tronditëse, me ngjashmëri me të sotmen: “Ne kemi informata që në ndonjë rreth po përgatiten lista me emra njerëzish, të cilët mendojnë t’i pushojnë nga punët që kryejnë, si “të papërshtatshëm”. Dhe “për të argumentuar” këtë qëndrim, fillojnë nga origjina e gjyshit e stërgjyshit dhe dalin tek ata, që kanë një aktivitet shoqëror e politik shumë të mirë”.

GJIRI I MËMËS

Por është më i ndjeshëm ndaj femrave a vajzave. “Para disa ditësh vajza e shkurorëzuar e një tradhtari më shkruante se e kishte dënuar babanë, se ajo është me Partinë etj. Ish-bashkëshorti e kishte paditur në gjykatë për shkurorëzim dhe gjykata, pasi i ndau, ia merr nga gjiri mëmës vajzën e vogël 11 muajshe dhe ia jep babait, i cili do të martohet nesër dhe nuk do të ketë mundësi ta rritë fëmijën si mëma, që është zor të martohet më, sepse atë, si xhins i tradhtarit, nuk e merr njeri për grua”. Prandaj Enver Hoxha thotë para “Këshillit të Lartë të Drejtësisë” të kohës sikurse ishte “Presidiumi i Kuvendit Popullor” se u kishte rekomanduar “organeve përkatëse ta rishikonin vendimin e gjykatës sipas procedurës së caktuar nga ligji, sepse ligjet e shtetit tonë, që përshkohen thellësisht dhe tërësisht nga fryma e humanizmit socialist, nuk e lejojnë heqjen e fëmijës së vogël nga gjiri i një mëme që nuk është dënuar penalisht për ndonjë krim, që nuk i është hequr e drejta prindërore, që nuk vuan nga ndonjë sëmundje infektive etj.”.

HISTORI ME MBRET

Ndërkaq lideri komunist bën “ekskursione” në histori lidhur me prokurën në lidhjen dhe zgjidhjen e martesës: “Në kohën e mbretërve të Francës ka ndodhur që, kur deshi të martohej Luigji i 16-të me Mari Antuanetën, Luigji i 15-të dërgoi në Austri kontin e Gramonit të pajisur me prokurë dhe Mari Antuaneta, pasi hyri në Francë, u prit në një katedrale, ku u bë ceremonia e martesës së saj me Luigjin e 16-të”. Enver Hoxha përmend një rast të rrallë në praktikën gjyqësore civile në Shqipëri: “Një vajzë më shkruante se babai i vet u përjashtua nga Partia për fajet që kishte kryer. Bashkëshorti i saj, me të cilin ajo kishte lidhur martesën e pakonsumuar, donte ta shkurorëzonte me anën e një përfaqësuesi të pajisur me prokurë të posaçme. Shkurorëzimi me përfaqësues bëhej se i shoqi ndodhej përkohësisht jashtë shtetit e nuk mund të paraqitej në gjykatë para tre muajve. Babai i bashkëshortit të ankueses, nën presionin e opinionit, bëri ç’ishte e mundur që, në bazë të ligjit, të zgjidhej martesa sa më parë me anë përfaqësuesi… Kur pyeta nëse e praktikojnë shpesh zgjidhjen e martesës me përfaqësues, më thanë se kjo dispozitë e ligjit zbatohet rrallë. Mirëpo vajzën që më shkroi letër mua, e shkurorëzuan menjëherë, pa e pezulluar gjykimin për tre muaj, sa të kthehej bashkëshorti paditës”.



Mund të na ngjasin shqetësime të mëdha në popull



Nga diskutimi në mbledhjen e Byrosë Politike, 26 dhjetor 1974



… Tani, pas asaj që ka ngjarë në ushtri, ka nga ata që ngrihen në organizatat-bazë dhe i thonë këtij apo atij: “Jashtë ti nga Partia!”, por ama nuk guxon njeri t’u thotë: “Po dale, more shokë, pse të dalë ai jashtë nga Partia? Ai vërtet ka të bëjë me këtë ose atë të dënuar, po nuk është i ndërlikuar me atë”. Në qoftë se ngrihet e thotë një fjalë një i afërmi i një armiku, njerëz të tillë sektarë i drejtohen duke i thënë: “Mos je edhe ti me Beqir Ballukun e me Petrit Dumen?”. Qëndrime revolucionare janë këto? Ose një tjetër del dhe njofton se do të ndajë gruan ose kjo burrin. “Po, po, ta ndash”, i thonë. Ta ndajë?! Po të dojë, le ta ndajë, se ne nuk ndërhyjmë në çështje familjare, por që ta nxitë Partia njërin apo tjetrin të ndajë bashkëshortin, këtë ajo s’e bën, sepse, në radhë të parë, ajo ka për qëllim ta shërojë, ta ndreqë fajtorin, prandaj është e udhës t’i themi gruas së tij: “Moj shoqe, ti ke tre-katër fëmijë me të, përpiqu ta bësh njeri atë, sepse ne do t’i japim punë, nuk do ta hedhim në radhët e armikut”…

Të kemi kujdes, shokë, të luftohen qëndrimet sektare, që të mos na krijohen situata të rënda, se pastaj mund të na ngjasin shqetësime të mëdha në masat e popullit.



Gjykatat, vendime të nxituara ndaj grave të “njollosura”



Nga diskutimi në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, më 28 shkurt 1975



Dispozitat ligjore duhet të interpretohen drejt, sipas frymës së vërtetë të tyre dhe jo në mënyrë subjektive e arbitrare. Në qoftë se ligji është i paqartë ose mund të lihet shteg për dy kuptime, atij t’i bëhet interpretimi autentik nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Ne duhet t’i kushtojmë vëmendje punës së gjykatave për interpretimin dhe zbatimin e drejtë të ligjeve.

FOSHNJA

Para disa ditësh vajza e shkurorëzuar e një tradhtari më shkruante se e kishte dënuar babanë, se ajo është me Partinë etj. Ish-bashkëshorti e kishte paditur në gjykatë për shkurorëzim dhe gjykata, pasi i ndau, ia merr nga gjiri mëmës vajzën e vogël 11 muajshe dhe ia jep babait, i cili do të martohet nesër dhe nuk do të ketë mundësi ta rritë fëmijën si mëma, që është zor të martohet më, sepse atë, si xhins i tradhtarit, nuk e merr njeri për grua. “Unë, shoku Enver, nuk kam njeri tjetër veç Partisë dhe juve, – vazhdonte të shprehej letërshkruesja, – por nuk më duket se është e drejtë që t’i merret mëmës foshnja nga gjiri, kur ajo s’ka faj”.

PRISHJA E VENDIMIT

Me këtë rast u rekomandova organeve përkatëse ta rishikonin vendimin e gjykatës sipas procedurës së caktuar nga ligji, sepse ligjet e shtetit tonë, që përshkohen thellësisht dhe tërësisht nga fryma e humanizmit socialist, nuk e lejojnë heqjen e fëmijës së vogël nga gjiri i një mëme që nuk është dënuar penalisht për ndonjë krim, që nuk i është hequr e drejta prindërore, që nuk vuan nga ndonjë sëmundje infektive etj. Jeta do të tregojë si do të jetë ajo në të ardhmen, por sa kohë që do të punojë kokulur, si shtetase e republikës, asaj nuk mund t’i mohohen të drejtat e siguruara nga shteti. Sipas mendimit tim, ky qëndrim i nxituar i gjykatës nuk ishte në vijën e Partisë, prandaj shpreha mendimin që gjykata le të vendosë sipas bindjes së saj, por të më njoftohej vendimi që do të merrej për çështjen në fjalë. Në qoftë se, sipas ligjit në fuqi, ankueses nuk do t’i jepej e bija për rritje, unë do t’ia parashtroja çështjen për diskutim Presidiumit të Kuvendit Popullor, i cili, po qe se do të vërente që Kodi i Familjes përmban ndonjë dispozitë ligjore që nuk është e drejtë, do ta korrigjonte me siguri atë sipas procedurës së parashikuar me ligj. Pas kësaj u njoftova se gjykata e shkallës së dytë, që kishte shqyrtuar çështjen me kërkesën e prokurorit, prishi vendimin e gjykatës së rrethit, sepse e gjeti të padrejtë.

SHKURORËZIM ME PROKURË

… Një vajzë më shkruante se babai i vet u përjashtua nga Partia për fajet që kishte kryer. Bashkëshorti i saj, me të cilin ajo kishte lidhur martesën e pakonsumuar, donte ta shkurorëzonte me anën e një përfaqësuesi të pajisur me prokurë të posaçme. Shkurorëzimi me përfaqësues bëhej se i shoqi ndodhej përkohësisht jashtë shtetit e nuk mund të paraqitej në gjykatë para tre muajve. Babai i bashkëshortit të ankueses, nën presionin e opinionit, bëri ç’ishte e mundur që, në bazë të ligjit, të zgjidhej martesa sa më parë me anë përfaqësuesi.

Ligji ynë e njeh edhe të drejtën e ngritjes së padisë së shkurorëzimit nëpërmjet përfaqësuesit të pajisur me prokurë të posaçme, prandaj edhe burri i ankueses, sipas porosisë së babait të tij, shpejt e shpejt dërgoi një prokurë për t’u shkurorëzuar me gruan, e cila, sikurse më shkruante, e dënon veprimtarinë e të atit. Kur njerëzit lidhin martesën para zyrës së gjendjes civile, ligji ynë me të drejtë kërkon paraqitjen personale të bashkëshortëve të ardhshëm, sepse nuk është pranuar të lidhet martesa me përfaqësues dhe pa pëlqimin e të dy bashkëshortëve. Në kohën e mbretërve të Francës ka ndodhur që, kur deshi të martohej Luigji i 16-të me Mari Antuanetën, Luigji i 15-të dërgoi në Austri kontin e Gramonit të pajisur me prokurë dhe Mari Antuaneta, pasi hyri në Francë, u prit në një katedrale, ku u bë ceremonia e martesës së saj me Luigjin e 16-të.

Unë pyes: Është e drejtë që ta lidhësh martesën në prani të çiftit dhe ta zgjidhësh atë në mungesë të tij me përfaqësues? Në rast se zgjidhja me përfaqësues është e nevojshme në disa raste kur ka pengesa serioze për paraqitjen e bashkëshortit para gjykatës dhe kur shkurorëzimi duhet bërë sa më parë që të jetë e mundur, këto raste duhet të përcaktohen mirë nëpërmjet interpretimit të ligjit nga organi kompetent.

RRALLË

Kur pyeta nëse e praktikojnë shpesh zgjidhjen e martesës me përfaqësues, më thanë se kjo dispozitë e ligjit zbatohet rrallë. Mirëpo vajzën që më shkroi letër mua, e shkurorëzuan menjëherë, pa e pezulluar gjykimin për tre muaj, sa të kthehej bashkëshorti paditës, që të shpjegohej personalisht me gruan e të thoshte vetë para gjykatës nëse me të vërtetë nuk e donte më atë ose, në të kundërtën, po të bindej se ajo e dënonte sinqerisht babanë e saj dhe kishte shkëputur përfundimisht lidhjet me të, të hiqte dorë nga gjykimi i padisë. Në qoftë se gjatë jetës ajo do të lidhej me babanë, përsëri ai ruan të drejtën e shkurorëzimit. Atëherë pse nuk pritet që koha të provojë ç’qëndrim do të mbajë bashkëshortja?

XHAXHAI

… Një anëtare partie, që është gjini me një armik, më shkruante se nuk i flet njeri, nuk i japin shtëpi dhe ka mbetur rrugëve. “Vete te xhaxhai, – vinte në dukje ajo, – por edhe ai më thotë: “Vajzë, unë mund të të pranoj në shtëpi vetëm po të më porositë ndonjë udhëheqës!!” Nuk janë të drejta këto qëndrime braktisëse ndaj njerëzve të pafajshëm vetëm pse ata janë farefis me armiqtë.











Jo më lista pushimesh nga puna për biografi



Nga diskutimi në mbledhjen e Sekretariatit të KQ të PPSH, më 21 maj 1975



… Po na vijnë lajme që vërtetojnë veprime të nxituara dhe ekstreme ndaj disa kuadrove. Një inxhinier vërtet mund të ketë bërë ndonjë gabim në punë ose në jetë, por Partia nuk thotë që këtij t’i pritet koka, ose t’i ndërrohet profili, pse bëri një gabim që nuk e justifikon ndëshkimin e rëndë. Inxhinierit që gaboi, nuk mund t’i thuhet: “Shko e puno me kazmë!”, kur atij mund t’i jepet edhe një punë tjetër e përshtatshme në profesionin e tij, duke e ndihmuar politikisht që të përmirësohet dhe duke e kontrolluar. Prandaj duhet të bëhet një punë e kujdesshme. Veprimet në trajtimin e kuadrove dhe të të gjithë punonjësve duhet të kryhen me urtësi, në vijë partie, pa lejuar që të shkaktohen shqetësime dhe alarmime të kota.

ME GJYSH E STËRGJYSH

Ne kemi informata që në ndonjë rreth po përgatiten lista me emra njerëzish, të cilët mendojnë t’i pushojnë nga punët që kryejnë, si “të papërshtatshëm”. Dhe “për të argumentuar” këtë qëndrim, fillojnë nga origjina e gjyshit e stërgjyshit dhe dalin tek ata, që kanë një aktivitet shoqëror e politik shumë të mirë. Si është e mundur që, pasi e kanë mbajtur 17 ose 20 vjet në Parti një njeri që punon mirë, t’i thonë: “Meqenëse rrjedh nga një familje e pasur, do të të përjashtojmë nga Partia!”. Si u përjashtoka nga Partia një njeri, kur gjatë 17 vjetëve veprimtarie si komunist, si inxhinier i dalluar, ka treguar se është besnik i Partisë dhe i popullit? Si mund të përjashtohet ky nga Partia, vetëm sepse rrjedh nga një familje e pasur, kur asnjë nga familja e tij nuk është i dënuar për ndonjë veprimtari armiqësore dhe kur ai nuk ia ka fshehur Partisë origjinën e tij?

ARSIMTARËT

Ka edhe rrethe që kanë hartuar lista me 50 emra arsimtarësh e arsimtaresh, të cilat kanë nga 20 e ca vjet që punojnë dhe duan t’i pushojnë nga puna se “u mungojnë kushtet e nevojshme për të edukuar brezin e ri”. Pas Çlirimit këta mësues e mësuese kanë qenë të rinj e të reja, kanë bërë pjesë në organizatën e rinisë dhe kanë edukuar me mijëra të rinj e të reja. Të kërkosh pushimin e tyre nga puna tani, kur njëri ose tjetri është në prag të pensionit, ky është një qëndrim sektar, në këtë rast më i dënueshëm nga liberalizmi, sepse krijon shqetësime të panevojshme. Partia këto gjëra duhet t’i shikojë me mend. Ata që kanë bërë gabime, të ulen në përgjegjësi, ata që kanë fshehur origjinën e tyre dhe, natyrisht, për këtë qëndrim janë fajtorë, të shikohen. Këta, sipas rastit, mund të ulen nga vendi ose përgjegjësia që u është dhënë pa të drejtë, por jo t’i hedhim rrugëve. Edhe kur largohet njeriu nga detyra që kryen, sepse i mungojnë kushtet politike, duhet të sqarohet duke i thënë: “More shok, kjo është luftë klasash, ne kemi respekt për ty si person, por në këtë punë nuk të mbajmë dot. Ne bëmë gabim kur të morëm në këtë punë, por edhe tani ne nuk po të hedhim poshtë”. Duhet të bëjmë kujdes në këto gjëra, shokë, të mendojmë e të veprojmë kurdoherë duke zbatuar drejt vijën e Partisë.











Partia nuk duhet të divorcojë për arsye klasore



Nga biseda në takimin ditor të sekretarëve të KQ të PPSH, më 7 nëntor 1975



Armiqtë u qëruan [fjala është për likuidimin e B. Ballukut, P. Dumes, H. Çako, A. Këllezit e K. Theodhosit]. Tani duhet bërë shumë kujdes dhe të rritet vigjilenca, po midis njerëzve duhen bërë diferencime. Rrethi i këtyre shtrihet si valët rrethore që krijohen pas hedhjes së një guri në një pellg me ujë të qetë…

TË GABUARIT, JO SI ARMIQ

Duhet pasur kujdes që të gabuarit të mos trajtohen si armiq, por Partia t’i ndihmojë të korrigjohen njerëz të tillë si në ushtri, ashtu dhe jashtë ushtrisë. Këta, në përgjithësi, janë të moshuar, njerëz që kanë bërë luftën, prandaj puna dhe e kaluara e tyre duhen pasur në konsideracion, por u duhet thënë dhe duhet ta njohin se në punën e tyre kanë pasur gabime. Gjatë periudhës së luftës ata kanë qëndruar e kanë luftuar mirë, por pas Çlirimit, pasi bënë edukimin ushtarak në shkolla e në akademi, patën edhe trajtim të mirë, faktorë që krijuan te këta shokë një botëkuptim të sëmurë që duhet shëruar. Por edhe ne duhet të pranojmë se puna edukative e Partisë ka bërë pak efekt tek ata…

PARTIA NUK NDAN ÇIFTET

Në jetë, shokë, dalin gjithfarë problemesh, deri dhe familjare e personale. Ja, më shkruante një oficer se djali i është martuar me një vajzë, babai i së cilës ka qenë oficer i Zogut dhe pas Çlirimit është futur në burg, “kurse unë, thotë ai, kam qenë partizan dhe tash vazhdoj të jem oficer i Ushtrisë Popullore. Kur i them djalit të heqë dorë, ai më përgjigjet: “Ti baba nuk më kupton, je me koncepte të vjetra”, dhe në fakt u martua me të”. Për këto arsye i lutet Partisë të ndërhyjë që djalin ta ndajë nga ajo vajzë. Pra, ky shok kërkon të ndërhyjë Partia në këtë çështje, gjë që nuk mund të bëhet. Prandaj iu përgjigja që djali, tash që janë martuar, të përpiqet ta bindë nusen që të mos mbajë anën e prindërve, por ta edukojë atë me mësimet e Partisë…











Qershori “i nxehtë” kinez në Tiranë

Nga “Ditari” i Enver Hoxhës



17 qershor 1975… Sot morëm radiogram nga Adili, i cili na relaton mbi bisedën që kishte bërë me të zyrtarisht Li Hsien Nieni, kryetar i delegacionit qeveritar të RP të Kinës, pas parashtrimit të problemeve nga ana e Adilit.

Përgjigjja e kinezëve dhënë kërkesave tona për kredi dhe ndihmë për pesëvjeçarin e afërt, ishte e ulët: Kinezët na akordojnë vetëm 25 për qind të kredisë që kërkuam, nga e cila 50 për qind për vepra dhe 50 për qind për materiale. Në këtë kredi futin edhe kërkesat ushtarake. Kjo është ndihmë sa për të mos thënë që nuk ju japim fare.

Arsyet që dhanë kinezët për këtë, janë si për t’u tallur: “Jemi një vend shumë i varfër”. Kurse 5 vjet më parë, që ishin një “vend shumë më i varfër”, na akorduan një kredi disa herë më të madhe. Është çështje tjetër fakti që 20 nga 35 veprat që janë në marrëveshjet e përfunduara as që na i kanë dhënë akoma dhe, natyrisht, këto mbeten për pesëvjeçarin e ardhshëm, por dhe veprat që po ndërtojmë, na i shtynë tej pesëvjeçarit aktual.

… Është e vërtetë se kinezët na akorduan një kredi të mirë për pesëvjeçarin e pestë, por janë larg plotësimit të detyrimeve të tyre. Nga 35 vepra që do të na jepnin gjithsej, vetëm 10 a 15 na dhanë. Disa vepra as që i kemi filluar dhe kjo jo për fajin tonë. Tri vepra të mëdha, metalurgjinë, Fierzën dhe Ballshin, për të cilat na u desh të bënim një luftë të madhe, mezi i filluam. Megjithatë, përfundimi i tyre u shty për një ose dy vjet tej afatit të caktuar me kontrata. Gjithashtu edhe kjo shtyrje u bë jo për fajin tonë.

***

25 qershor 1975 … Plani Çu En Lai-Beqir Balluku ishte prosovjetik, sepse u linte këtyre dorë të lirë të pushtonin Shqipërinë; ai ishte edhe projugosllav, sepse synonte të likuidonte socializmin në vendin tonë. Zbulimi, demaskimi dhe dënimi i Beqir Ballukut dhe i njerëzve të grupit të tij, ishin njëkohësisht një grusht kundër Çusë, që kishte kurdisur këtë komplot me Beqir Ballukun dhe me Abdyl Këllezin, i cili edhe ky, si tradhtar, sabotonte naftën dhe ekonominë tonë popullore.

Çuja, pra, e humbi luftën që të na rrëzonte nga brenda dhe, në pamundësi të vepronte ndryshe, përdori armën e bllokadës ekonomike…

Pikërisht pas një ose dy ditëve, kur Li Hsien Nieni i refuzonte kredinë Adil Çarçanit, duke i dhënë si arsye se “Kina është shumë e varfër”, Radio Moska, në një koment për Shqipërinë, në mes të tjerash, thoshte: “Njerëzit e Tiranës tash e kanë kuptuar se Kina është një shtet i varfër… që nuk e ndihmon Shqipërinë” etj. Çfarë t’i themi kësaj? Presion ekonomik i koordinuar kino-sovjetik?!

Dy-tri ditë pasi Çu En Lai i tha Adil Çarçanit që “të bashkoheni me vendet ballkanike”, një gazetë jugosllave, në një artikull të gjatë, pretendon se “Shqipëria, me gjithë mosmarrëveshjet, ka kthyer sytë nga Evropa dhe veçanërisht nga Jugosllavia në marrëdhëniet tregtare, kulturore” etj. Gazeta shton se “pas Kinës, Shqipëria bën më shumë tregti me Jugosllavinë” etj. “Perspektivë” e mirëkoordinuar për ne nga Çu En Lai-Tito.

Nuk ka si të mos lidhen këto fakte. Ndër të tjera që dimë, edhe këto vërtetojnë lidhjet me komplotin e Beqir Ballukut e të Abdyl Këllezit, me bllokadën dhe me “perspektivën” që na hap “i famshmi” Çu En Lai…

Enver Hoxha i “hap sytë” Sali Berishës për nevojën e korrigjimit të herëpashershëm të historisë.


 Për lexuesit një nga prononcimet e vitit 1976 të Enver Hoxhës me detyra për historinë, sidomos për fshatarësinë dhe ilirologjinë. E ka pasur obsesion, saqë edhe njërit prej dy djemve i vuri emrin Ilir



Nga Thanas Mustaqi


l


                1972. Enver Hoxha bisedon me pjesëmarrës të Kuvendit I të Studimeve Ilire





20 nëntor 1972. Enver Hoxha në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, duke ndjekur punimet nga lozha e Kuvendit





Kështu diktatori komunist Enver Hoxha i ndriçon udhën liderit demokrat Sali Berisha në korrigjimin e historisë sa herë të ketë nevojë politika e ditës. Mësohet se pasionin e papritur për të kaluarën Kryeministrit ia kanë ngjallur këshilltarët, ku spikat i mirënjohuri prof. Neritan Ceka, i shpërblyer me postin e lartë të ambasadorit në Romë. Babai i këtij të fundit, i madhi Hasan Ceka (1900-1998), pionier i arkeologjisë shqiptare, ndihmonte diktatorin të orientohej nëpër rrjedhat e historisë. Shefit të Ekzekutivit të sotëm i është sugjeruar të rishfletonte Hoxhën, që ka urdhëruar historianët si të flisnin jo vetëm për të sotmen, por edhe për mijëra vjet të shkruara. Gazeta “Investigim” sjell për lexuesit një nga prononcimet e vitit 1976 të Enver Hoxhës, që përcaktonte detyra, sidomos në dy çështje që kishte më për zemër, historinë e fshatarësisë dhe ilirologjinë. E ka pasur obsesion problemin ilir, saqë edhe njërit prej dy djemve i vuri emrin Ilir. Kurse Berisha, mik i familjes Hoxha, që Ilirin e përmend si i ati në intimitet kur ishte gjallë, Lilo, ka hedhur disa herë “shashka” historike, duke turbulluar politikanë, historianë, komentues, njerëz të thjeshtë.

SKËNDERBEU SI SEBEP

Në një ese të shkruar në 20 janar 1976, Enver Hoxha shënon një rast kurioz: në shkolla, si atë dhe bashkëkohësve të tij, i mësonin se Bishti i Pallës në Durrës vjen nga fjala pallë, pasi ka formën e pallës dhe, për më tepër, se atje Skënderbeu kishte luftuar me turqit me pallë, prandaj këtij vendi i paska mbetur emri “Bisht i Pallës”. Ndërkohë Hoxha, ka lexuar një ditë një shkrim të vjetër “Aleksiada” të shkruar nga historiania bizantine Ana Komnena (1083-1148), ku ajo flet për kryqëzatën e parë dhe pikërisht për mbretin Ubos, që valët e detit e përplasën në Durrësin e Vjetër dhe është pikërisht ajo që thotë se anija e këtij mbreti u shkatërrua në “kepin Palli”. Për lexuesin shtojmë se këtij argumenti shefi i regjimit i rikthehet më 5 shkurt në mbledhjen e organizatës së partisë ku bënte pjesë: “Ju e keni dëgjuar të gjithë se në bregdetin tonë të Adriatikut ndodhet vendi që quhet Bishti i Pallës. Në këtë pjesë të bregdetit armiqtë e brendshëm dhe agjentët e huaj na kanë sabotuar nxjerrjen e naftës. Kjo flet qartë për domosdoshmërinë e rritjes së vigjilencës”. Pak më poshtë Hoxha thotë: “Pyeta një ditë, në bisedim e sipër, një shok: “E di ti, i thashë, – përse një kep nga të bregdetit tonë quhet Bishti i Pallës”? Bashkëbiseduesi m’u përgjigj: “Se atje kishte dalë me Skënderbeu pallë në dorë, duke luftuar kundër turqve”. Pastaj përsërit ato që kishte shkruar në ditar dy javë më parë, duke e mbyllur këtë kapitull kështu: “Kjo, që tregova, ishte vetëm kuriozitet i thjeshtë, por që vërteton se njohja e historisë ka një rëndësi të madhe”.

EUFEMIZMI

Hoxha përdor eufemizmin “rekomandoj” për “urdhëroj” që disa historianë “të apasionuar që t’i futen” problemit të luftës së fshatarësisë në shekuj. Enver Hoxha e bën të qartë se “askush nuk duhet të mendojë se me nxjerrjen në dritë të vëllimit I dhe II të Historisë së Shqipërisë çdo gjë mbaroi. Jo, kjo është një histori më e gjerë se një libër shkolle”. Madje shton se “dijetarët tanë në të kaluarën nuk e kanë studiuar thellë historinë e fshatarësisë sonë, domethënë të popullit tonë, në thellësi dhe me metoda shkencore”. Duhet vënë në dukje se problemet e historisë së fshatarësisë dhe të luftërave të saj Enver Hoxha i ka trajtuar në mënyrë të veçantë në diskutimin e mbajtur në mbledhjen e Sekretariatit të KQ të PPSH më 9 maj 1983. Hoxha vëren se historianët më tepër “kanë riprodhuar në mënyrë propagandistike gjeste dhe akte heroike të popullit tonë kundër okupatorëve dhe mjerimin e jetës shoqërore, ekonomike dhe shpirtërore, që ishin pasojë e kësaj shtypjeje të huaj. Por një gjë e tillë nuk ka qenë dhe nuk është e mjaftueshme për ne”.

NEOLOGJIZMI

Por pjesën kryesore të kësaj eseje e zë problemi ilir. “Për ilirët jemi interesuar, interesohemi dhe do të interesohemi, por mendoj se duhet parë metoda e studimit dhe e interpretimit të materialeve arkeologjike, që të dihet mirë se si ka jetuar ky popull, si ka luftuar, si ka menduar, si ka besuar, ç’marrëdhënie shoqërore ka pasur, si janë zhvilluar e transformuar këto, cilat kanë qenë influencat e brendshme dhe të jashtme, ç’ndryshime kanë sjellë të gjitha këto në jetën ekonomike, shoqërore, intelektuale, morale etj. Kjo, mendoj unë, ka rëndësi shumë të madhe, pse ndryshe qëndrojmë në metodën e çalë të shkencëtarëve të huaj, natyrisht duke zgjeruar vetëm gamën e zbulimeve arkeologjike”. Madje zelli e ka çuar Hoxhën deri në krijimin e neologjizmit “prejardhës”: “Studiuesit tanë të vjetër dhe sidomos të kohës sonë i janë vënë studimit të gjenezës së popullit shqiptar dhe veçanërisht të epokës ilire dhe në këtë drejtim kanë pasur rezultate. Por ç’është bërë me paraardhësit, prejardhësit e ilirëve, kjo është gati një kartë e bardhë. Ka gjëra fragmentare, të shkëputura, të imagjinuara, të qëmtuara andej-këtej, pa kritere, nga të huaj, që u jepnin interpretime të ndryshme, sipas interesit të tyre, ose edhe nga njerëzit tanë, të cilët i merrnin ashtu siç i jepnin të tjerët dhe i transkriptonin pa i kaluar në një analizë shkencore”.





Disa probleme të studimit dhe të shkrimit të historisë së lashtë të popullit tonë



20 janar 1976

Gjatë gjithë jetës sime më ka preokupuar një problem me rëndësi të madhe. Ky problem ka të bëjë me studimin dhe shkrimin e historisë së fshatarësisë sonë gjatë shekujve, gjatë epokave të ndryshme të historisë, gjatë mesjetës, mesjetës së hershme, bile edhe shumë më parë akoma. Unë jam interesuar ca gjatë jetës sime në studimin e historisë së popujve të ndryshëm të botës, të Evropës dhe të popujve fqinj. Kam lexuar jo vetëm manuale skolareske, por histori speciale të popujve në epoka të ndryshme, në aspekte të ndryshme dhe të shkruara me metoda të ndryshme. Natyrisht, flas për sa kam lexuar unë, ato kanë vlera të ndryshme nga përmbajtja, nga dokumentacioni, nga prirja ideologjike, nga stili dhe metoda e analizës që kanë përdorur autorët në paraqitjen e fakteve dhe në interpretimin e tyre. Ka shumë nga këta që kanë bërë epokë dhe historitë e tyre, pavarësisht nga metoda e përdorur dhe nga numri i fakteve ku janë mbështetur, janë burime të shëndosha, të cilave u referohen brezat e historianëve pasardhës.

HISTORIA E FSHATARËSISË

Problemi, që shtroj, është studimi dhe hartimi i historisë së fshatarësisë sonë, domethënë, me fjalë të tjera, edhe historia e popullit tonë.

Kjo nuk është bërë dhe ne duhet ta bëjmë. Historianët e vendit tonë duhet t’i futen thellë këtij problemi të madh, shumë të rëndësishëm. Askush nuk duhet të mendojë se me nxjerrjen në dritë të vëllimit I dhe II të Historisë së Shqipërisë çdo gjë mbaroi. Jo, kjo është një histori më e gjerë se një libër shkolle, prandaj u rekomandoj disa historianëve të apasionuar që t’i futen këtij problemi.

Duhet të njohim se dijetarët tanë në të kaluarën nuk e kanë studiuar thellë historinë e fshatarësisë sonë, domethënë të popullit tonë, në thellësi dhe me metoda shkencore. Më tepër ata kanë riprodhuar në mënyrë propagandistike gjeste dhe akte heroike të popullit tonë kundër okupatorëve dhe mjerimin e jetës shoqërore, ekonomike dhe shpirtërore, që ishin pasojë e kësaj shtypjeje të huaj. Por një gjë e tillë nuk ka qenë dhe nuk është e mjaftueshme për ne. Socializmi dhe shkenca e materializmit historik, nga e cila udhëhiqet Partia jonë, na ka hapur neve perspektiva dhe mundësi kolosale, që nuk i kanë pasur dijetarët tanë të kohëve të kaluara. Neve na bie si detyrë ta thellojmë këtë studim, duke përdorur metodën shkencore marksiste-leniniste.

HISTORIA VERIDIKE

Historia veridike [që pajtohet plotësisht me të vërtetën] duhet të bazohet në fakte dhe në interpretimin drejt të tyre. Çdo subjektivizëm, çdo formë shovinizmi ose imagjinatë fantaziste e këtyre fakteve e zhduk dhe e zhvlerëson historinë që kërkohet të shkruhet. Propaganda dhe fantazia janë një gjë, ndërsa historia e bazuar në fakte reale dhe në interpretimin shkencor marksist-leninist të tyre është një gjë tjetër.

Studiuesit tanë të vjetër dhe sidomos të kohës sonë i janë vënë studimit të gjenezës së popullit shqiptar dhe veçanërisht të epokës ilire dhe në këtë drejtim kanë pasur rezultate. Por ç’është bërë me paraardhësit, prejardhësit e ilirëve, kjo është gati një kartë e bardhë. Ka gjëra fragmentare, të shkëputura, të imagjinuara, të qëmtuara andej-këtej, pa kritere, nga të huaj, që u jepnin interpretime të ndryshme, sipas interesit të tyre, ose edhe nga njerëzit tanë, të cilët i merrnin ashtu siç i jepnin të tjerët dhe i transkriptonin pa i kaluar në një analizë shkencore.

Studimi i ilirëve është një çështje me rëndësi, për të cilën janë interesuar shkencëtarët tanë, si edhe shkencëtarë të huaj. Unë mendoj se studimet e të huajve janë një bazë e mirë, por jo e plotë dhe e shumanshme. Metodat e studimit dhe përshkrimi i gjendjes shoqërore dhe shpirtërore të ilirëve nga ana e tyre, lë shumë për të dëshiruar. Unë mund të gabohem, por studimet e tyre në këtë drejtim nuk janë të thelluara si duhet. Është ngulur këmbë veçanërisht në zbulimin e disa objekteve arkeologjike, në përshkrimin e tyre dhe fare pak në interpretimin dhe në zgjerimin e tyre. Të tjera orientime i preokuponin këta shkencëtarë, të tjera zhvillime të shoqërisë që marrin rrugë nga ilirët. Për shqiptarët, prejardhës të ilirëve, as flisnin fare, ose sa i përmendnin kalimthi.

PARA DHE PAS ILIRËVE

Kurse shkencëtarët tanë, që janë marrë me studimin e ilirëve, kanë bërë hapa përpara dhe më të përparuar nga të huajt jo vetëm nga zbulimet e shumta me vlerë që kanë bërë, por edhe nga metoda e studimit, stili i punës, interpretimi i zhvillimit ekonomiko-shoqëror të ilirëve. Por jam i mendimit se nuk duhet të kënaqemi as nga zbulimet, as nga metoda dhe interpretimi. Pse e them këtë? Për arsye se studimet për ilirët nga studiuesit tanë më duket se bëhen si një studim në vetvete, për të shpjeguar vetëm se ne kemi prejardhjen prej tyre. Mirëpo ilirët vetë nga e kanë prejardhjen? A janë bërë studime në këtë çështje nga tanët, apo bazohen kryesisht në ato ç’kanë thënë deri sot të tjerët? Këto kanë rëndësi, por shkencëtarët tanë duhet t’i analizojnë këto teori në bazë të teorisë dhe të analizës marksiste dhe nga e njohura (ilirët) të shkojnë tek e panjohura (epoka parailire).

Çështja tjetër që kërkon studime është kjo: “Ç’është bërë me jetën e me zhvillimin e prejardhësve të ilirëve – me shqiptarët?”. Sa është studiuar ky problem? Mendoj se në këtë fushë duhet punuar sistematikisht dhe me metoda shkencore [që nga koha kur janë dhënë këto porosi, studimet në fushën e arkeologjisë ilire dhe të mesjetës së hershme kanë zgjeruar rrethin e tematikës së tyre dhe kanë sjellë një varg rezultatesh, që kanë pasuruar njohuritë shkencore në këto fusha. Është rritur veprimtaria e gërmimeve dhe kanë dalë në dritë qendra të reja me material tepër të pasur, që hedhin dritë mbi gjenezën e ilirëve dhe të shqiptarëve. Një sërë studimesh e konferencash u janë kushtuar problemeve të etnogjenezës së shqiptarëve, siç qe konferenca e vitit 1982, e cila bëri një sintezë të parë të rezultateve të studimeve gjuhësore, arkeologjike dhe historiko-etnografike lidhur me këtë problem. Këtyre rezultateve u janë kushtuar një varg botimesh të Akademisë së Shkencave të RPS të Shqipërisë].

HALLKAT E ZINXHIRIT

Duhet të lidhen njëra pas tjetrës hallkat e zinxhirit, që nga paraardhësit e ilirëve, ilirët dhe deri në ditët tona. Për ilirët jemi interesuar, interesohemi dhe do të interesohemi, por mendoj se duhet parë metoda e studimit dhe e interpretimit të materialeve arkeologjike, që të dihet mirë se si ka jetuar ky popull, si ka luftuar, si ka menduar, si ka besuar, ç’marrëdhënie shoqërore ka pasur, si janë zhvilluar e transformuar këto, cilat kanë qenë influencat e brendshme dhe të jashtme, ç’ndryshime kanë sjellë të gjitha këto në jetën ekonomike, shoqërore, intelektuale, morale etj. Kjo, mendoj unë, ka rëndësi shumë të madhe, pse ndryshe qëndrojmë në metodën e çalë të shkencëtarëve të huaj, natyrisht duke zgjeruar vetëm gamën e zbulimeve arkeologjike.

Nga një punë e tillë do të kalojmë nga e panjohura në të njohurën, domethënë ç’bënë, si jetuan e ç’besuan paraardhësit dhe pasardhësit e ilirëve, shqiptarët. Duhet, pra, të mos qëndrohet në vend, vetëm tek ilirët, por të njohim zhvillimet para dhe pas ilirëve.

GJURMË

Ilirëve u gjejmë shumë gjurmë arkeologjike. Po pas ilirëve, në periudha të ndryshme, nuk ka gjurmë? Ka, patjetër, edhe më shumë, ka një zhvillim progresiv dhe më të përparuar se qytetërimi ilir derisa ne, prejardhësit e ilirëve, as nuk u zhdukëm, as nuk u asimiluam nga popujt e tjerë më të mëdhenj. Kjo tregon vitalitetin e popullit tonë, zotësinë, kulturën, organizimin e mbrojtjes dhe të jetës shoqërore të përparuar. Kjo duhet studiuar, duhet zbuluar, duhet zhvilluar. Këtu ka vazhdimësi dhe jo ndërprerje, kjo është një çështje dialektike. Ne nuk mund të bëjmë përjashtim nga historia dhe nga zhvillimi i popujve të tjerë.

Mund të thotë ndokush se s’kemi të dhëna, s’kemi dokumente, ku t’i gjejmë, si t’i kërkojmë. Me të vërtetë ky është një problem aq i madh sa dhe i vështirë, por të ngresh duart lart pa u menduar, s’del gjë.

Një punë, një detyrë e tillë, duhet të zgjidhet nga historianët tanë, të cilët duhet të kuptojnë mirë se historia nuk është një përrallë ku të përzihen legjendat dhe evenimentet e mbinatyrshme mitike, sido që edhe këto kanë vendin dhe rolin e tyre në studimin e historisë së lashtë të popujve, por historia është një shkencë dhe si e tillë ajo duhet njohur, studiuar dhe shkruar.

Historianët tanë duhet t’i futen një pune të tillë, ata duhet të dalin nga guaska e historive të cekëta shkollore ose të formuluara në bazë të të dhënave të pakontrolluara dhe shumë të kufizuara.

Historianët tanë, që duhet të merren me këto studime të lashta për popullin tonë në mesjetë, në mesjetën e hershme, në kohën e Romës dhe para saj, duhet të jenë dhe të bëhen eruditë, pse erudicioni është një mjet jo vetëm për të ditur shumë gjëra të ngatërruara, por është një mjet me rëndësi që duhet të përdoret mirë dhe jo të lihet që “koka të bluajë si mulliri pa kokrra”. Erudicioni

historianit duhet t’i shërbejë për të bërë ballafaqime shkencore të ngjarjeve, të zhvillimeve, të lidhjeve, të prejardhjeve, jo vetëm për sa i përket thjesht popullit tonë, por në lidhje edhe me të tjerët.

Çështja e dokumenteve për të shkruar historinë e një epoke të lashtë, nuk mund të bazohet vetëm në shkrime, pse shumë popuj nuk kanë pasur shkrimin e tyre, por ata kanë lënë gjurmë të pashlyeshme gjatë shekujve. Dhe këto gjurmë nuk janë vetëm zbulimet arkeologjike, të cilat zënë një vend të rëndësishëm në punën për të shkruar jetën dhe historinë e një populli. Por nuk janë vetëm këto dokumentet e një historiani.

LINGUISTIKA

Gjuha dhe veprimtaria prodhuese janë dy thesare të paçmuara për të njohur historinë e një populli. Populli ynë i lashtë, si gjithë popujt e lashtë, ka pasur gjuhën e vet, pavarësisht se nuk janë gjetur dokumente të shkruara. Studimi i gjuhës sonë ka bërë disa hapa të mirë përpara, por mendoj se ky studim nuk duhet të mbetet si diçka e thatë, si një shkencë e palidhur me transformimet e shoqërisë në shekuj. Ne, marksistët, duam të dimë pse bëhen ndryshimet fonetike në një epokë të caktuar, pse ndryshoi fjala, tingulli, kuptimi? Këto ndryshime nuk u bënë vetvetiu, pse deshën njerëzit mijëra o qindra vjet më parë, por u bënë se u zhvillua jeta shoqërore dhe këto ndryshime i solli veprimtaria prodhuese, e cila zhvilloi njeriun dhe shoqërinë. Në rast se linguistikën e studiojmë të shkëputur nga jeta shoqërore, në rast se bën një analizë të palidhur me analiza të tjera, ajo nuk mund t’i shërbejë çështjes së madhe. Linguistika, mendoj unë, nuk shërben vetëm për të njohur gjuhën e tashme, por sidomos ajo duhet të shërbejë që nëpërmjet saj të njohim edhe historinë e lashtë të popullit tonë.

Përveç linguistikës, gërmimeve arkeologjike, mësimit me imtësi dhe në zhvillim të gjeografisë së vendit dhe faktorëve të tjerë, historianët e këtyre epokave duhet të tregojnë një interesim të gjallë edhe për këngët popullore, për legjendat e besimet fetare. Marksizmi nuk i hedh këto në kosh, si “ëndrra”, si misticizëm, por i studion me syrin e materializmit dialektik. Shqiptarët e periudhës pasilire kanë besuar, kanë ëndërruar dhe dëshirat e ngjarjet edhe ata, si popujt e tjerë, i kanë kthyer në legjenda. Këtu qëndron forca e historianit, që nga të gjitha këto të nxjerrë dhe të bëjë analizën historike që na mëson Marksi, i cili ka qenë mjeshtri i analizës shoqërore, që bota dhe njerëzimi tjetër më të madh nuk kanë nxjerrë. Dhe historianët tanë duhet ta ndjekin këtë metodë të Marksit, metodën e materializmit dialektik.

ERUDICION

Ekzistenca e dëshmive materiale është kryesore në studimin e historisë së një populli, me to lidhet edhe studimi i grupeve shoqërore, që kanë zhvillim të pabarabartë, format dhe metodat e punës, nëpërmjet të cilave zhvillohet intelekti, transformohet njeriu dhe grupi shoqëror, me to lidhen zakonet, të folurit dhe transformimet më të hollësishme të kuptimit që marrin fjalët, besimet fetare, ndryshimet dhe ndarjet që janë vërtetuar në to, si edhe gjithë jeta shpirtërore. Të gjitha këto mund të quhen “arkeologjia” e çështjeve të jetës së njerëzve, të jetës së përditshme të tyre, që historiani duhet t’i zbulojë dhe t’i studiojë. Kështu, me durim, me studim, me erudicion, me gërmime, duke përdorur krahasime dhe analogji shkencore materialiste mund të zbulohet koha e lashtë, të vihet në dukje dhe të gjallërohet “inercia” shekullore, të zbulohen sistemet e ndryshme shoqërore të epokave të ndryshme, të zbërthehen e të lidhen ato në mënyrë të pashkëputur. Për t’ia arritur këtij qëllimi çdo gjë vlen, çdo gjë shërben, deri edhe një vegël pune prej hekuri, prej bronzi apo prej stralli, një unazë, një pandatif [varëse zbukurimi], një praktikë, një traditë, një mënyrë të ngrëni e të piri, mënyra e veshjes dhe kujdesi për trupin etj.

MISIONI

Misioni i historianit, siç na mësojnë klasikët tanë, është i lartë. Puna e tij duhet të karakterizohet nga rregulli dhe vërtetësia në drejtim të kërkimeve, duke kaluar nga dokumenti bruto, në klasifikim, në renditje, në krahasim me të tjerat dhe, këtej del historia e vërtetë, sinteza që kërkohet. Historiani duhet të bazohet në fakte të natyrave të ndryshme, që përmban një epokë e caktuar. Këto fakte duhen grupuar e klasifikuar, pse janë të ndryshme: politike, ekonomike, strukturore, shoqërore, të jetës besimtare etj. Detyra e historianit është të gjejë lidhjet e vërteta në mes tyre, të hedhë urat, si me thënë, dhe të vendosë kështu raportet në. mes një vargu të tillë heterogjen të dhënash. Të gjitha këto fakte të natyrave të ndryshme heterogjene, të cilave u krijohet dhe u shpjegohet lidhja, përbëjnë qytetërimin. Ky quhet qytetërimi i një epoke, nga të dhënat e të cilit duhet të gjesh unitetin.

Por detyra e historianit të vërtetë, që di të zbatojë si duhet materializmin dialektik, është të vihet

më lart dhe të shikojë më tej nga burimet që na kanë lënë shekujt. Shembullin më të shkëlqyer na e jep Engelsi në librin e tij të famshëm “Origjina e familjes, e pronës private dhe e shtetit”. Nga veglat prej guri, nga zakonet, zhvillimi i ngadaltë i tyre dhe nga qindra e mijëra shenja të tjera, që kanë lënë kohët dhe popujt gjatë shekujve, Engelsi përcaktoi jo vetëm origjinën materialiste të zhvillimit shoqëror dhe të njeriut si qenie shoqërore, por na dha edhe armën e metodës së kërkimeve të sakta e realiste.

ZGJERIMI I KULTURËS

Fola më sipër për erudicionin që i shërben historianit. Natyrisht ky erudicion s’ka kufi si në kohë, si në gjerësi. Njeriut i duhet shumë kohë që të mësojë çdo gjë dhe mirë. Megjithatë, njeriu në jetën e tij e ka për detyrë që, në përputhje me zhvillimin materialist të shoqërisë, të zhvillojë edhe njohuritë e tij të përgjithshme, në përgjithësi dhe në veçanti të zhvillojë thellë dijenitë e tij në sektorin ku punon. E kam theksuar shumë herë se njerëzit tanë kanë bërë përparime të mira në këtë drejtim, por kultura e përgjithshme e tyre ka mbetur akoma gati në stadin e asaj që është mësuar në shkollë. Edhe thellimi e zgjerimi i kulturës në specialitetin ku punon secili dhe të ambientit që e rrethon, është jo i plotë; nuk bëhen sa duhet përpjekje për nxitjen e kuriozitetit shkencor. Shumë lëndë, me gjithë përmirësimet që janë bërë, në disa raste, trajtohen pothuajse në atë vijë që i kanë trajtuar shkencëtarët e huaj. Flas këtu për disa çështje gjuhësore. Disa shkencëtarë të huaj kanë punuar për gjuhën shqipe, por jo për historinë e popullit tonë që fliste këtë gjuhë. Ata flasin për prejardhjen e gjuhës sonë dhe për transformimet që ka pësuar ajo, por pse u bënë këto transformime ata s’flasin, po kanë mbledhur të dhëna dhe kanë proceduar kryesisht me krahasime. Rezultati i punës së tyre mund të jetë i drejtë, por jo i mjaftueshëm, pse neve nuk na duhet vetëm që kjo ose ajo gjuhë është me origjinë indoevropiane ose nga ndonjë tjetër, por ajo duhet lidhur me të gjitha studimet e tjera, të bashkuara me ura me njëra-tjetrën dhe që nga gjithë ky ansambël shkencor të dalë qytetërimi ilir, parailir, pasilir, dhe deri në ditët tona si një zinxhir i pashkëputur.

INVENTAR I SAKTË

Për sa thashë mbi studimin e historisë së lashtë të popullit tonë, sidomos të periudhës ilire dhe pasilire, duhet të bëhen kërkime e studime të thella në vend, për të arritur në burimet dhe, për këtë qëllim, duhen përdorur metoda shkencore. Përveç kësaj, duhet ribërë një inventar i saktë i çdo materiali që është shkruar te ne për popullin tonë, deri te këngët, te legjendat, te zakonet, te ritet fetare, te veshjet, te mënyra e të ngrënit, te prodhimet, te bujqësia, te blegtoria, te gjeografia etj., etj. Të gjitha këto duhen analizuar në mënyrë shkencore për qëllimin që thamë dhe jo në mënyrë propagandistike. Të gjitha këto të dhëna duhet t’i klasifikojmë dhe nga çdo e dhënë të shohim në drejtimin që thashë më parë, më lart dhe më larg nga dokumenti, pse vetëm kështu zbulohet dhe shkruhet historia.

Shumë gjëra që aktualisht kanë kaluar si të vërteta historike, do t’i verifikojnë dhe t’i vënë siç duhet në vend këto studime, pse në mjaft prej tyre kanë luajtur një rol subjektivizmi dhe rrethanat e krijuara nga të huajt, të cilat shtynin dijetarët dhe patriotët tanë të adoptonin qëndrime më tepër politike-propagandistike sesa historikisht të vërtetuara.

BISHTI I PALLËS

Në shkolla, si mua dhe bashkëkohësve të mi, na mësonin, dhe kështu e dinim dhe dimë, se Bishti i Pallës në Durrës ardhka nga fjala pallë, pasi ka formën e pallës dhe, për më tepër, se atje Skënderbeu kishte luftuar me turqit me pallë, prandaj këtij vendi i paska mbetur emri “Bisht i Pallës”. Mirëpo në një libër të serisë “Mémorial des Siécles” lexova një ditë një shkrim të vjetër “Aleksiada” të shkruar nga princesha Ana Komnena [historiane bizantine (1083-1148)], vajza e perandorit të Bizantit Aleksis i Parë, që mbretëroi nga 1081 deri 1118 në Bizant, nën sundimin e të cilit ishte dhe Dyrrakiumi (Durrësi). Princesha Ana Komnena flet për kryqëzatën e parë dhe pikërisht për mbretin Ubos, që valët e detit e përplasën në Durrësin e Vjetër dhe është pikërisht ajo që thotë se anija e këtij mbreti u shkatërrua në “kepin Palli”. Pra, Bishti i Pallës, sipas Ana Komnenës, s’ka të bëjë as me pallën, as me Skënderbeun, që jetoi tre shekuj më vonë nga kjo ngjarje.

HISTORITË E POPUJVE TË TJERË

Këtë shembull nuk e solla vetëm për saktësinë historike, por edhe në lidhje me çështjen e erudicionit. Të tjerë kanë shkruar për popullin tonë, drejt ose shtrembër, drejtpërdrejt për të apo kalimthi, kanë shkruar në epoka të ndryshme, siç i kanë parë, siç i kanë menduar dhe siç i kanë interpretuar vetë. Historiani ynë e ka për detyrë shkencore që t’i kërkojë këto të dhëna, t’i analizojë, t’i krahasojë, t’i verifikojë dhe kjo hyn në atë grumbullim dokumentesh që thashë. Por për historinë e popullit tonë kanë vlerë dhe historitë e popujve të tjerë, sidomos të atyre me të cilët kemi pasur lidhje. Prandaj e ngre unë këtë problem dhe e konsideroj sa të zorshëm, aq edhe të domosdoshëm. Çdo gjë e zorshme në këtë drejtim mund të kapërcehet. Ne duhet të ngjallim interes dhe të krijojmë pasion në kuadrot, t’u mësojmë atyre edhe metodën marksiste-leniniste të kërkimeve, disiplinën shkencore në punë, në studim dhe në konkluzione.



Disa veprimtari për ilirët, diktuar nga Enver Hoxha



- Simpoziumi “Ilirët dhe gjeneza e shqiptarëve” (1969)

- Kuvendi I i Studimeve Ilire (1972)

- Konferenca “Mbi formimin e popullit shqiptar, gjuhës e kulturës së tij” (1982)

- Kuvendi i II i Studimeve Ilire (1985)

1981. Enver Hoxha, sinjale SHBA dhe Gjermanisë për Kosovën

Capture
                                    Enver Hoxha me një grup kosovarësh në vitin 1981



“Ka vetëm një popull e një komb gjerman!” Kështu Enver Hoxha miklonte Bonin 8 vjet para rënies së murit të Berlinit. Gazeta “Investigim” boton një dokument të 22 majit 1981, ku zbulohet strategjia për të tërhequr Gjermaninë Perëndimore dhe SHBA-të në anën e Kosovës. Lideri shqiptar synonte të shmangte edhe ndonjë ndërhyrje sovjetike, duke “lundruar” kështu sërish ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit



Nga Thanas Mustaqi



Me deklaratën e bujshme në “Zërin e popullit” se “ka vetëm një popull e një komb gjerman”, qeveria shqiptare i dha “një sinjal të butë” qeverisë së ish-Gjermanisë Perëndimore, shkruante më 22 maj 1981 shefi i regjimit të Tiranës, Enver Hoxha. Në këtë mënyrë u krijua “një atmosferë dashamirëse” ndaj Shqipërisë, që mund të kishte edhe pasoja politike jo vetëm në mbrojtjen e çështjes kosovare, “por edhe për çështjen e dëmshpërblimeve”, shton Hoxha. Udhëheqësi komunist ishte gati të sakrifikonte gjithçka për t’u afruar me Republikën Federale të Gjermanisë, por dhe me SHBA-në për hatër të demonstratave të mars-prillit 1981 të studentëve të Prishtinës. Madje, rreth 6 muaj më vonë, në nëntor 1981, në Kongresin e 8-të të PPSH, Enver Hoxha deklaroi botërisht se midis Shqipërisë dhe RF të Gjermanisë “nuk ekzistojnë pengesa të pakapërcyeshme për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Ne besojmë se me një mirëkuptim nga ana e të dy palëve për disa çështje të mbetura pezull që nga Lufta e Dytë Botërore, kjo gjendje mund të rregullohet”.

NDRYSHIMI

Pas përkeqësimit të marrëdhënieve kineze-shqiptare në vitin 1978 u vërejt një ndryshim rrënjësor në politikën e jashtme të Shqipërisë dhe qëndrim shumë më miqësor ndaj Bonit. Udhëheqësit shqiptarë filluan të lavdërojnë Bonin për “qëndrimin pozitiv” të tij kundrejt Shqipërisë. Në vitin 1981 filluan bisedime paraprake për vendosjen e marrëdhënieve në nivel diplomatik, fillimisht në Beograd, pastaj në Vjenë dhe Paris. Këto përpjekje u kurorëzuan vetëm në vitin 1987, kur u vendosën marrëdhëniet diplomatike. Ndërkaq Enver Hoxha vëren se “edhe në SHBA flitet pro nesh, por ne nuk u drejtohemi këtyre. SHBA-ve mund t’u thotë kancelari gjerman Shmid se ç’po bëhet në Jugosllavi me Kosovën e kosovarët e t’u shprehë mendimin se kjo nuk është e drejtë”.

INFLUENCA

Me këtë rast lideri shqiptar harton një strategji të hollë: “një nga ambasadorët tanë duhet të bisedojë, të marrë kontakt me një nga ambasadorët e RF të Gjermaninë. Por plani i këtij bisedimi duhet të hartohet me mend, pse këtë veprim e konsideroj si një përpjekje diplomatike që ka për qëllim të dobësojë shovinizmin serb. Ne zgjedhim pikërisht Gjermaninë Perëndimore si një vend që ka mundësi të influencojë mbi udhëheqjen jugosllave, po sa e qysh do të influencojë, këtë nuk mund ta dimë… mund të na shkojë në mëndje që kjo t’u thotë udhëheqësve jugosllavë të ulin gjakrat në Kosovë, të mos i acarojnë, gjithashtu, marrëdhëniet me Shqipërinë. Kjo gjë do të jetë pozitive për ne dhe një dobësim i pozitave të shovinistëve serbë. Ne mendojmë që, në rast se ndërhyn në këtë çështje RF e Gjermanisë, ajo do ta bëjë këtë në ato qarqe ku ka mundësi të dëgjohet më shumë fjala e saj, domethënë te sllovenët e te kroatët dhe jo te serbët. Pra presioni i saj mbi serbët, në qoftë se mund të bëhet, do të bëhet tërthorazi, domethënë do të ushtrohet nga ana e sllovenëve dhe e kroatëve”.

MESAZHI

Në fakt, një nga udhëheqësit autoritarë të Federatës Jugosllave ishte dhe slloveni Stane Dolanc, një nga miqtë më të ngushtë të kroatit Josip Broz Tito. Enver Hoxha luan në distancë me sllovenin, nëpërmjet ndonjë ambasadori gjerman: “ne e kuptuam zotin Dolanc, kur foli herën e parë dhe me të drejtë tha se ne nuk kishim marrë pjesë në ngjarjet e Kosovës. Ai ishte i sigurt për atë që tha atëherë. Në të njëjtën kohë edhe neve na jepte të kuptonim se duhej të mos flisnim. Ne, të vazhdojë të thotë ambasadori ynë, e kuptuam këtë dhe nuk folëm. Por Dolancin nuk e kuptuan shokët e tij. Ata filluan sulmet e ashpra e të vazhdueshme kundër nesh, prandaj u detyruam t’u përgjigjeshim atyre”.

TË MAJTËT GJERMANË DHE FRANCEZË

Është interesante që personalisht Enver Hoxha ndërton dhe dialogë imagjinarë me të dërguarit e Bonit. Ai mëson ambasadorët apo të emisarët e tij se si duhet të shtrojnë problemin, çfarë përgjigjesh duhet të japin kur flasin gjermanët. Po ashtu flet dhe për diversionin që duhej bërë në udhëheqjen jugosllave, për shpresat që var në ardhjen në pushtet të liderit socialist Miteran, “përdorimin” që i duhej bërë kancelarit socialdemokrat gjerman Shmid, që kishte miqësi personale me presidentët e ish-presidentët Xherald Ford dhe Ronald Reagan etj. Enver Hoxha po synonte të lëvizte të gjithë gurët për çështjen kosovare dhe nxjerrjen e Shqipërisë nga vetizolimi ku e kishte futur, sidomos pas prishjes me Kinën tre vjet më parë.



Dokumenti



Ofensiva ndërkombëtare për Kosovën

22 maj 1981. Po vëmë re se Kë d’Orse-ja* në përgjithësi nuk po tregohet dashamirëse ndaj çështjes sonë dhe aktualisht nuk po mban qëndrim të paanshëm. Përkundrazi, ajo po favorizon Jugosllavinë. Kjo nuk është në interesin tonë. Por në Francë ne kemi miq si Rober Eskarpí-a**, që flasin me simpati të madhe e publikisht për Shqipërinë. Dihet se personalitete të tilla me rëndësi si Rober Eskarpí-a, ashtu edhe shkrimtarë, publicistë, profesorë të njohur kanë edhe rrethin e tyre. Prandaj Ministria jonë e Punëve të Jashtme, në radhë të parë, duhet të mendojë se si duhet punuar me këto personalitete miq në favor të çështjes sonë. Tani që në fuqi në Francë erdhi Miterani***, me siguri do të bëhen ndryshime të mëdha edhe në qeveri. Ja në këtë drejtim e për këtë çështje Ministria jonë e Punëve të Jashtme duhet t’i japë të dhëna ambasadorit tonë në Paris, ta udhëzojë atë si duhet të bisedohet e çfarë të bisedohet, çfarë lidhjesh duhet të mbajë me personalitete të ndryshme.

Ja, për shembull, të marrim ngjarjet në Kosovë. Për to duhet t’u flitet jo thjesht sa për t’i informuar e për t’i bindur për drejtësinë e qëndrimeve që kemi marrë ne, por, duke pasur parasysh rrethin dhe mundësitë e njërit a tjetrit për të influencuar mbi të tjerët në favorin tonë, t’ua ekspozojmë qëndrimet tona politike dhe ky ekspozim që do t’u bëhet, të ketë frymën e një bashkëbisedimi si në mes kolegësh e miqsh.



Opinioni publik ndërkombëtar



Kjo punë ka rëndësi të madhe për ne. Ne nuk duhet të lëmë që përhapja dhe jehona e qëndrimeve tona politike të mbetet vetëm në duart e opinionit gazetaresk, të këtij apo të atij gazetari, të kësaj apo të asaj rryme, por duhet ta përpunojmë këtë opinion dhe t’ia forcojmë bindjen rreth drejtësisë së politikës sonë. Ne, pra, duhet të kemi parasysh një gjë: opinioni jashtë nuk krijohet pa orientime. Janë gënjeshtra ato që thuhen se shtypi është i lirë e demokratik. Në demokracinë borgjeze ai është i lirë e demokratik deri në njëfarë shkalle, se në thelb ai orientohet e manipulohet nga dikush dhe jo nga dikush në përgjithësi, por nga dikush në kuptimin konkret. Në demokracinë borgjeze ekzistojnë interesat e grupeve financiare e monopoliste. Këtyre interesave u konformohen e u nënshtrohen si shtypi, ashtu edhe politika e përgjithshme e qeverive borgjeze dhe si rezultat opinioni gazetaresk i konformohet e i shërben politikës së përgjithshme të qeverisë së vendit të vet. Këtë nuk duhet ta harrojmë.

Prandaj në këtë drejtim duhet të punojmë seriozisht dhe jo të ecim, siç thotë francezi, à la dérive, të themi fjalën tonë, pa le të dalë ku të dalë, më tej nuk na duhet gjë! Jo kështu. Ne jo vetëm duhet ta themi fjalën tonë, por duhet edhe të punojmë që ajo të zërë vend në opinionin publik, ta përpunojmë atë që të na kuptojë drejt e të na mbështetë.

Aktualisht janë ngjarjet në Kosovë dhe lidhur me to çështja e vetë Jugosllavisë. Ne kemi ndjekur dhe duhet të ndjekim me vëmendje të veçantë jehonën, përshtypjet që krijojnë ato në qarqet gazetareske në botë e sidomos në Evropë. Duke u nisur nga fakti se këto qarqe përfaqësojnë opinionin e qeverive të vendeve të tyre, në atë formë që theksova më lart, ne duhet të bëjmë dallimin cila gazetë, cili shtyp është treguar më në favorin tonë, të çështjes sonë të drejtë, domethënë të çështjes së drejtë të popullit të Kosovës dhe të pikëpamjeve që kemi shprehur ne në mbështetje të vëllezërve tanë kosovarë e të kërkesave të tyre.

Ne duhet të bëjmë, gjithashtu, një analizë edhe të qëndrimeve që kanë mbajtur kancelaritë e ndryshme, domethënë të përcaktojmë e të njohim cilët ambasadorë të vendeve të botës, sidomos të vendeve të Evropës e në mënyrë të veçantë të atyre vendeve që kanë ose që mund të kenë influencë mbi qeverinë jugosllave, janë treguar pro nesh, kundër veprimeve të jugosllavëve dhe i kanë dënuar ato. Këtu të mos harrojmë se ka edhe nga ata që janë treguar asnjanës.

Deri tani kemi parë se disa gazeta kanë shkruar më realisht në favor të çështjes së popullit të Kosovës dhe të qëndrimit tonë. Të tilla janë disa gazeta e gazetarë të Republikës Federale të Gjermanisë, pra gjermano-perëndimorët, pastaj vijnë austriakët. Me Gjermaninë Perëndimore ne nuk kemi as lidhje diplomatike, ndërsa me Austrinë marrëdhëniet janë të mira. Austriakët mbajnë këtë qëndrim, sepse kanë kontradikta për çështje pakicash me jugosllavët, kurse gjermano-perëndimorët nuk kanë.



Ka vetëm një popull e një komb gjerman



l1

Në foto: Presidenti amerikan Ronald Reagan (në mes) dhe Kancelari gjerman Helmut Shmid (djathtas) më 11 qershor 1982 në pikën e kontrollit kufitar të Murit të Berlinit.





Prandaj ne duhet të gjykojmë pse Gjermania perëndimore mban qëndrim më realist ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe ndaj Shqipërisë, e cila e ka kritikuar kurdoherë dhe është në mosmarrëveshje me të. Atë çka thashë për Republikën Federale të Gjermanisë, për shembull, e thashë në bazë të reagimeve që patën atje dy artikujt e parë. Tani të shikojmë çfarë reagimesh të tjera do të ketë pas artikullit të fundit. Por mbrëmë lexova një artikull që ishte shumë i mirë dhe më duket se ishte shkruar në një mënyrë të tillë, që të linte të kuptoje sikur autori i shkrimit shtronte mendimet e veta dhe nuk e kishte lexuar artikullin tonë. Por unë krijova bindjen se ai e ka lexuar atë dhe se me qëllime të caktuara nuk e përmend. Kjo është një manovër diplomatike. Ne, pra, duhet t’i kuptojmë këto gjëra dhe jo të ecim kuturu. Kështu, pasi të kemi arritur në konkluzione të sakta për këto qëndrime të favorshme, duhet të gjejmë cili nga ambasadorët tanë ka, për shembull, lidhje me gjermano-perëndimorët.

Me ta kanë lidhje të gjithë, por veçanërisht lidhje më konkrete, më duket, ka ambasadori ynë në Vjenë ku, siç dihet, trajtohet edhe çështja e dëmshpërblimeve. Ne në artikullin tonë të fundit, duke u shprehur se ka vetëm një popull e një komb gjerman****, qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë i dhamë një sinjal të butë dhe pamë se kjo u vu në dukje menjëherë atje. Domethënë në Gjermaninë Perëndimore krijuam, siç po duket, një atmosferë dashamirëse ndaj vendit tonë, që mund të ketë edhe pasoja politike jo vetëm në mbrojtjen e çështjes sonë aktuale kundrejt jugosllavëve, por edhe për çështjen e dëmshpërblimeve.

Atëherë, ashtu siç thotë francezi decemment, ambasadori ynë, në një takim të rastit që mund të ketë me ambasadorin gjerman, ia hap këtë çështje pa pasion, por duke i thënë afërsisht: Kemi konstatuar se shtypi juaj ka shkruar me dashamirësi për çështjen e Kosovës dhe për qëndrimin tonë lidhur me të, dhe, megjithëse nuk kemi relata aq të mira me ju, këtë gjë e kemi çmuar si një gjykim realist të shtypit të Gjermanisë Perëndimore. Mund të jetë kështu, të vazhdojë ambasadori ynë, por unë kam arritur në përfundimin se, pavarësisht nga mosmarrëveshjet që kemi midis nesh, rreth kësaj çështjeje edhe qeveria e Bonit mendon realisht dhe shikon që veprimet e jugosllavëve janë shumë të gabuara dhe këtë e bën jo për hatrin tonë, por për interesin e përgjithshëm të paqes në Evropë. Ne, nga ana jonë, mendimet rreth këtyre ngjarjeve dhe qëndrimit të jugosllavëve i kemi shprehur deri tani në tre artikuj.



Diferencime në udhëheqjen jugosllave

Dhe të vazhdojë: Pavarësisht nga mosmarrëveshjet, marrëdhëniet dhe bisedimet kanë qenë kurdoherë miqësore, prandaj ju flas hapur dhe, nëse ju dëshironi, zoti ambasador, mund t’jua jap artikullin tonë të fundit. Por, do t’ju lutem, e lexoni me kujdes të madh dhe arsyetoni realisht rreth qëllimeve të Qeverisë sonë. Aty ne mbrojmë vëllezërit tanë që janë në shumicë, mbrojmë Federatën Jugosllave, mbrojmë paqen në Evropë. Udhëheqja jugosllave nuk dëshiron ta shikojë këtë çështje kështu. Në artikullin ne japim edhe mënyrat dhe rrugët se si duhet të zgjidhet kërkesa e popullit të Kosovës dhe kush duhet ta zgjidhë atë. Kosova nuk mund të qetësohet, ashtu siç mendojnë qeveritarët jugosllavë. Përkundrazi, në rast se nuk merren disa masa, ajo do të bëhet një gangrenë e rrezikshme. Haptazi themi ne se udhëheqja serbe nuk dëshiron ta gjejë rrugën e drejtë të zgjidhjes dhe kjo do t’i shkaktojë dëme të mëdha vetë Federatës Jugosllave, gjë të cilën ne nuk e duam. Prandaj këtu duhet të ndërhyjë dikush tjetër. Lexojeni artikullin tonë dhe do të shikoni se ne aty bëjmë diferencime. Për shembull, ne e kuptuam zotin Dolanc*****, kur foli herën e parë dhe me të drejtë tha se ne nuk kishim marrë pjesë në ngjarjet e Kosovës. Ai ishte i sigurt për atë që tha atëherë. Në të njëjtën kohë edhe neve na jepte të kuptonim se duhej të mos flisnim. Ne, të vazhdojë të thotë ambasadori ynë, e kuptuam këtë dhe nuk folëm. Por Dolancin nuk e kuptuan shokët e tij. Ata filluan sulmet e ashpra e të vazhdueshme kundër nesh, prandaj u detyruam t’u përgjigjeshim atyre. Pas gjithë këtyre gjërave që ngjanë, në artikullin e fundit ne përsëri themi se dimë të gjykojmë me gjakftohtësi e të bëjnë diferencime dhe këto diferencime po i bëjmë. Ne mendojmë se për ngjarjet aktuale dhe për kërkesën e drejtë të popullit të Kosovës dikush duhet të reflektojë me gjakftohtësi, që ato të zgjidhen drejt, popullit të Kosovës t’i jepen të drejtat që kërkon dhe kjo në rrugë të drejtë. Udhëheqja e Serbisë këtë gjë nuk dëshiron ta bëjë. Si rezultat punët do të acarohen.



Dialogu i paramenduar



Kështu ambasadorit gjerman ne nuk i themi drejtpërsëdrejti të ndërhyjë qeveria e Bonit, as dikush tjetër. Unë, t’i thotë ambasadori ynë, flas me ju si koleg, sepse, siç ju thashë, konstatoj se Gjermania Perëndimore i shikon drejt këto probleme. Ne mendojmë se çështja duhet të zgjidhet ashtu siç e kërkojnë kosovarët. Ne deklarojmë haptazi se të drejtat e kosovarëve, që dikush ua mohon dhe i shtyp, do t’i mbrojmë. Me sharje, me slogane dhe me demonstrim të forcës, me mbylljen e universitetit, me gjyqe false, që dihet pse bëhen, nga cilët e për ç’qëllime bëhen, kjo çështje nuk zgjidhet. Por në Jugosllavi duhet të ketë njerëz, të cilët kanë autoritet dhe këtë autoritet ata duhet ta përdorin për të mirën e Federatës së Jugosllavisë. Këtë e kemi thënë sinqerisht dhe ne as nuk flasim, as nuk jemi me dy faqe. Ne e themi të vërtetën haptazi, ja, kështu siç po flas tani me ju, edhe pse, siç ju thashë që në fillim, nuk kemi marrëdhënie aq të mira me ju, por e bëj sepse për këto probleme nga ana juaj shoh një logjikë të drejtë e në interes të paqes në Evropë. Ne ndjekim, gjithashtu, me vëmendje edhe qëndrimin që mban kancelari Shmid****** në lidhje me politikën e përgjithshme në mes BS dhe SHB të Amerikës. Pse ta fshehim këtë. Prandaj po jua themi, dhe ju duhet ta dini, që ne jemi në rrugë të drejtë dhe nuk ka kush të na lëkundë nga kjo rrugë. Ne nuk kemi frikë nga askush, pra as nga jugosllavët. kur shprehemi së nuk duam që Federata të prishet, këtë nuk e duan as kosovarët dhe, besojmë, nuk e doni as ju.

Ambasadori gjerman mund t’i thotë ambasadorit tone: pse m’i thua këto gjëra mua?

- Jua them, – t’i përgjigjet ambasadori ynë – për të sqaruar pozitën tonë dhe, e përsëris, ia them një ambasadori, me të cilin kam pasur bisedime për probleme që ende nuk po zgjidhen, megjithëse ne kemi të drejtë për to, pse shoh që shtypi juaj këtë çështje e shikon me dashamirësi.

- Po ç’mund të bëj unë? – ndoshta do t’i thotë përsëri gjermani.

- Nuk e di, – t’i përgjigjet shoku ynë. – Unë vetëm si përfaqësues i Shqipërisë po ju them disa çështje, po jua ritheksoj ato, se për të thënë ato i ka thënë e i ka shtruar mirë artikulli i gazetës sonë.



Edhe në SHBA flitet pro nesh


l2


Faksimile e një prej faqeve të dokument i CIA-s të 30 prillit 1981 mbi demonstratat e studentëve të Prishtinës





Në këtë mënyrë, ne ndërmarrim një veprim diplomatik që kjo çështje të zgjidhet në favorin tonë, domethënë në favorin e Kosovës, që është në të drejtën e saj. Duke vepruar kështu, ne nuk qëndrojmë vetëm me artikujt që kemi botuar dhe me mendimin se këta artikuj i mbështetin gjoja të gjithë pa përjashtim, i mbështet gjoja gjithë shtypi botëror. Por ne dallojmë cili shtyp është më në favorin tonë, mbasi dimë se jo i gjithë shtypi botëror, pa përjashtim, është në favorin tonë. Ka edhe gazeta që nuk janë në favorin tonë, por që në këtë rast arrijnë në konkluzionin se qëndrimi ynë është i drejtë. Pra, armiku ynë thotë se ju keni të drejtë dhe ky armik ka influencë të madhe në Jugosllavi, i ka dhënë asaj kredi e para, ka pranuar 700 deri në 800 mijë punëtorë, shumica e të cilëve shqiptarë, që punojnë e jetojnë në Gjermani. Prandaj ne nuk duhet të presim shumë gjatë e të shohim çfarë do të thonë ata e çfarë të themi ne, që artikulli të bëjë punën e vet, të bëjnë punën e tyre edhe jugosllavët e të tjerët dhe pastaj të veprojmë kështu apo ashtu. Jo.

Unë them se kjo punë përbën një objektiv të veçantë të diplomacisë sonë në drejtim të Republikës Federale të Gjermanisë. Një hap të tillë mund ta bëmë edhe me Turqinë, por turqit nuk pinë shumë ujë në Jugosllavi, nuk kanë influencë atje.

Franca nuk flet. Shtypi i këtij vendi thotë se ka urdhër nga qeveria që të jetë “i paanshëm”!

Greqia edhe flet, edhe nuk flet në favorin tonë. Në Greqi ata që flasin, bile që kanë edhe influencë, e bëjnë këtë sepse nuk duan që Jugosllavia të prishet.

Edhe në SHBA flitet pro nesh, por ne nuk u drejtohemi këtyre. SHBA-ve mund t’u thotë kancelari gjerman Shmid se ç’po bëhet në Jugosllavi me Kosovën e kosovarët e t’u shprehë mendimin se kjo nuk është e drejtë.

Me qeverinë austriake jemi një çikë më afër, mund ta bëjmë këtë hap, por me një formë tjetër, sepse austriakët nuk kanë influencën e gjermano-perëndimorëve në Jugosllavi dhe, përveç kësaj, kanë edhe problemin e pakicës me Jugosllavinë.



Përpjekje diplomatike



Po vij përsëri te çështja që një nga ambasadorët tanë duhet të bisedojë, të marrë kontakt me një nga ambasadorët e RF të Gjermaninë. Por plani i këtij bisedimi duhet të hartohet me mend, pse këtë veprim e konsideroj si një përpjekje diplomatike që ka për qëllim të dobësojë shovinizmin serb. Ne zgjedhim pikërisht Gjermaninë Perëndimore si një vend që ka mundësi të influencojë mbi udhëheqjen jugosllave, po sa e qysh do të influencojë, këtë nuk mund ta dimë. Qëllimi ynë, që synon në vendosjen e stabilitetit paqësor në Evropë, është që RF të Gjermaninë, e cila ka interesa ekonomikë në Jugosllavi dhe është kundër sovjetikëve, ta interesojmë që, lidhur me këto ngjarje, të ushtrojë influencën e vet mbi këtë vend. Po në ç’drejtim të influencojë? Që Kosova të bëhet republikë? Askurrë të mos na shkojë në mendje që të bëhet kjo nga ana e Gjermanisë Perëndimore. Megjithatë mund të na shkojë në mëndje që kjo t’u thotë udhëheqësve jugosllavë të ulin gjakrat në Kosovë, të mos i acarojnë, gjithashtu, marrëdhëniet me Shqipërinë. Kjo gjë do të jetë pozitive për ne dhe një dobësim i pozitave të shovinistëve serbë. Ne mendojmë që, në rast se ndërhyn në këtë çështje RF e Gjermanisë, ajo do ta bëjë këtë në ato qarqe ku ka mundësi të dëgjohet më shumë fjala e saj, domethënë te sllovenët e te kroatët dhe jo te serbët. Pra presioni i saj mbi serbët, në qoftë se mund të bëhet, do të bëhet tërthorazi, domethënë do të ushtrohet nga ana e sllovenëve dhe e kroatëve.



Ne synojmë diçka



Po çështja varet edhe nga vetë kosovarët. Në qoftë se këta do të vazhdojnë kërkesën e tyre në forma të ndryshme, por të vazhdueshme për republikën, atëherë përveç presionit nga ne, pse ne do t’u përgjigjemi masave që mund të marrin serbët kundër kosovarëve, presioni që do të bëhet kundër jugosllavëve nga opinioni ndërkombëtar dhe veçanërisht, në qoftë se ia arrijmë, edhe nga ana e Gjermanisë Perëndimore, kjo do t’i detyrojë udhëheqësit e tjerë, nga pjesët e ndryshme të Jugosllavisë, të kërkojnë ta marrin këtë çështje në shqyrtim. Po ç’të marrin në shqyrtim? Që ta bëjnë Kosovën republikë? Jo, kjo do të jetë pika e fundit, por që ta bëjnë Kosovën një element më të rëndësishëm, shumë më të rëndësishëm, njëqind herë më të rëndësishëm se ç’është tani që është nën vartësinë e Serbisë. Edhe pas shqyrtimit të kësaj çështjeje, Kosova mund të mbetet prapë nën Serbinë, por ekonomikisht ajo do të ndihmohet më shumë, çështja kombëtare dhe ajo arsimore në Kosovë do të shikohen më drejt e kështu do të vijnë gradualisht me radhë gjithë çështjet e tjera.

Prandaj, ky problem nga Ministria e Punëve të Jashtme duhet të mendohet që tani, pastaj e caktojmë ne se kur duhet bërë kjo përçapje. Por ky hap duhet të bëhet në një mënyrë të atillë që ambasadori gjerman të kuptojë përse ia themi ne. Gjithashtu t’i lëmë atij të kuptojë që këtë ia themi pa asnjë qëllim, megjithëse ai do të kuptojë që ne synojmë diçka, prandaj ia ngremë këtë çështje. Këtu rëndësi të madhe ka takti diplomatik i paraqitjes së këtij problemi.



Fusnota (shënime) të “Investigim”-it

* Kë d’Orse (Quai d’Orsay) ndodhet në bregun e majtë të lumit të Senës në Paris, sinonim për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës.

** Rober Ekskarpí (Robert Escarpit, 1918-2000), sociolog, shkrimtar dhe gazetar i famshëm francez, bashkëthemelues i shoqatës së miqësisë Francë-Shqipëri, Kalorës i Legjionit të Nderit të Francës. Në shqip, në vitin 1972, është botuar romani i tij “Literatroni”.

*** Fransua Miteran (François Mitterrand, 1916-1996) Presidenti i Francës në vitet 1981-1995, lider i Partisë Socialiste Franceze. “Një nga shumë mesazhet e ngushëllimi [për vdekjen e Enver Hoxhës në prill 1985], të dërguara nga vendet e huaja, ishte dhe ai nga presidenti francez Fransua Miterran, në të cilin ai shprehte dëshirën për përmirësimin marrëdhënieve shqiptaro-franceze”, vinte në dukje radioja amerikane “Evropa e Lirë/ Liria”.

**** Citimi i plotë: “Shqiptarët e Shqipërisë së vogël prej gati 3 milionë banorësh ose të “Shqipërisë së madhe” (apelacion që e ka përdorur pushtuesi italian, dhe tani po e përdorni edhe ju për të na akuzuar ne si shovinistë) prej më tepër se 5 milionë, janë të gjithë shqiptarë. Kësaj nuk keni ç’t’i bëni zotërinj shovinistë serbë. Ekzistojnë dy Gjermani, një e Lindjes dhe një e Perëndimit, ashtu siç ekzistojnë dy Kore, një e Veriut dhe një e Jugut. Por askush nuk dyshon se ekziston një popull e një komb gjerman i vetëm, ashtu siç ekziston edhe një popull e një komb i vetëm korean. Shqiptarët janë një etni, një popull, quaje Shqipëri të vogël ose Shqipëri të madhe. Këta shqiptarë të kësaj Shqipërie të vogël ose të madhe, që përbëjnë një popull kompakt dhe që ka të gjitha tiparet e një kombi të vërtetë, as kanë zaptuar tokat e të tjerëve, as kanë shkelur të drejtat e kurrkujt. Ata vetëm të drejtat e veta kanë kërkuar, i kanë mbrojtur dhe do t’i mbrojnë”.

***** Stane Dolanc (1925-1999), politikan jugosllav nga Sllovenia, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të presidentit Josip Broz Tito (1892-1980) dhe një nga njerëzit më me ndikim në politikën federative në vitet 1970-1980, Sekretar i Byrosë Ekzekutive të Presidiumit të KQ të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë në vitet 1971-1978, Sekretar Federal i Punëve të Brendshme në vitet 1982-1984 dhe anëtar i Presidencës së Jugosllavisë në vitet 1984-1989. Në një panoramë të 17 prillit 1981, Enver Hoxha citon Dolancin të ketë thënë se në një konferencë shtypi: “i njohim cilët janë organizatorët. Ata janë në Shtutgart, në Bruksel dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”… kur një gazetar i huaj e pyeti: “A ka gisht Shqipëria?”, u përgjigj jo.

******* Helmut Shmid (Schmidt), lindur në vitin 1918, politikan gjerman social-demokrat, kancelar i Gjermanisë Perëndimore në vitet 1974-1982.

Sqarim: Titulli dhe mes-titujt janë të redaksisë

Nga Ing. Ahmet Çollaku : Ja si vidhet Shqipëria jonë

nafta4



Shqiptarët dhe Shqipëria nuk kanë për ta harruar kurrë punën e madhe që u bë nga naftëtarët para se të fillonte shpimin pusi Papër-4. Gjithnjë, është fjala para viteve ’90 të shekulli të kaluar, kur qytetarët tanë numëronin thërrimet, tiktaket e orës dhe rënkimet e daltës së shpimit. Ishte koha moniste, ku shteti bënte gjithçka për naftën, për kuzhinë dhe për bunkerë. Pa dyshim, preventivi i plotë i gjithë punimeve për projektimin e atij pusi duhet të ketë arritur miliona e miliona lekë, sepse ajo punë në atë zonë më reliev tepër të aksidentuar, u bë me angazhimin e disa brigadave dhe zgjati vite të tërë. Pusi Paper-4 i ishte pusi i parë që do të testonte atë strukturë të madhe, po siç rezultoi, ai nuk i kapi gëlqerorët sipas skemës strukturore të vizatuar nga ne, autorët e atij projekti. Pa dyshim, më mirë se ne grupi i autorët, nuk ka persona apo kompani nafte vendase apo e huaj që të njoh më mirë problemet e pusit Papër-4. Ne, vetëm ne grupi i autorëve bëmë ristudimin e të gjithë të dhënave ekzistuese gjeologo-gjeofizike, gjetëm dobësitë dhe saktësuam pozicionin e të mundshëm të strukturës së Papërit, domethënë pozicionin e pusit tjetër. Për këtë pus, u bënë analiza të thella nga të gjithë anët, u bënë dhjetëra mbledhje, u zbrazën inate personale, të cilat gjenden të dokumentuara në fondet e Institutit të Naftës dhe në atë të Ndërmarrjes Sizmike të Fierit. Si nisi puna për studimin e strukturës së Papërit dhe si u zhvilluan punimet sizmike, është histori e gjatë, që do fletë të tëra të shkruhet. Po, le ta lëmë këtë për një here tjetër, dhe të shikojmë ekspozenë e hapët të vjedhjes së naftë shqiptare, jo një kovë naftë, jo një fuçi naftë po perspektivën e jashtëzakonshme të një vend burimi kolosal me premisa shumë të mira. Ja, kështu vidhet Shqipëria ime dhe juaja, Shqipëria e sotme dhe e ardhme, shumë lehtë, në mes të ditës, duke bërë ca kopjime me ngjyra…

Si është puna do të pyesni ju? Tani afër, krejt rastësisht hasa në faqen e internetit të kompanisë PETROMANAS ENERGY vizatimin e mëposhtëm, (fragmenti B), ku ajo kompani paska në plan të shpojë një pus të thellë në objektin e Papërit, pikërisht në atë pozicion që kemi përcaktuar ne specialistët shqiptarë, gati tridhjetë vite më parë. Pa bërë komente, theksojmë me të madhe se ky kopjim është një vjedhje monstruoze, ashiqare e punës tonë shqiptare bërë për disa vite. Çfarë do të ndodhte sikur këtë gjë ta kishim bërë ne shqiptaret, të kishim kopjuar një studim te huaj dhe të pretendonim si studimin tonë? Më qesharakja është se disa nga këta gjoja specialist ekstra, në atë kohë nuk kanë qenë dakord me shpimin e pusit Papër-4. Për më shumë akoma, para ca kohe dikush nga këta autorë “UFO”, më merrte mua në telefon dhe më pyet pa druajtje, ku e mendoj unë kulmin e ngritjes së Papërit(!?) Po, se mos është vetëm ky rast, vetëm rasti Papërit! Ja shikoni çfarë po ndodh në zonën e Beratit, tek puset Sqepur, Shirag dhe Molisht! Po turren me dhjetëra specialistë nafte, vendas dhe të huaj apo hibrid, kush të marrë kurorën më të madhe, duke lënë në heshtje autorët real, ata të parët, ata të plakurit të cilët nuk bëjnë asgjë për të mbrojtur punët e tyre. Poshtërimi më i madh po ndodh me problemin e autorësinë në naftë.

Po le të vazhdojmë me problemin e Papërit. I habitur dhe i shqetësuar, sa konstatova në faqen e Kompanisë PETROMANAS ENERGY, u përcjellë disa shokëve këto dy prerje gjeologjike. Fragmentin A vizatuar nga ne shqiptarët mbas shpimit të pusit Papër-4, dhe fragmentin B vizatuar nga Kompania PETROMANAS ENERGY, në vitin 2014. Si mendoni, i pyes unë ata, kush ka kopjuar njëri-tjetrin, ne shqiptarët të huajit, apo të huajit ne shqiptarët? Kujt do t’i takonte merita nëse pusi do të shpohej aty ku kemi projektuar ne shqiptaret dhe do të jepte naftë? Dhe ata më përgjigjen kështu:

I pari, Ç. A. Prof.Dr.: Pa dyshim është e njëjta ide. Dihet që ti je nga të parët që ke propozuar variantet e mbihypjeve në zonën e Papërit konfirmuar nga Papër 4. Tani blloqet në fjalë menaxhohen nga Pertomanas dhe ti duhet të jesh krenar që idetë tuaja janë mbështetur. Problemi është se nuk ruhet autorësia dhe përfundimisht nuk merret vesh se kush është i parë dhe i fundit.

I dyti. F.A. Prof.Dr.: Mos dysho, do të thonë, shkruajnë e trumbetojnë: Petromanas gjeti naftë! Do të ketë që edhe do të shkruajnë e thonë: atje ku shqiptarët nuk e gjetën dot! Po mos u mërzit, kjo botë kështu qenkërka, ose më saktë kjo kohë!

I treti. V.T. Prof.Dr.: Të dy vizatimet janë si dy pika uji. Më i vonshmi ka kopjuar të parin. I pari ka meritat, kurse i dyti është një kopjues dhe asgjë më shumë.

I katërti. K.V. Prof.Dr.: Të dy prerjet gjeologjike janë identike. Të huajit kanë marrë gjithçka, sepse ua jep vet shteti. Më 29 janar u mor vendimi i qeverisë nr. 33 për shitjen 100% të fushave të naftës të “Albpetrolit” dhe dhënien e gjithë Shqipërisë në ankand me koncensione për kërkim dhe shfrytëzim nafte dhe gazi. Shqipëria do të mbledhë vetëm taksat dhe rentat (thërrimet që do na hedhin të huajit!). Pra, Shqipëria 1 Euro! Shqipëria në ankand! Më 24 prill, u mbajt forumi mbi transparencën në industrinë nxjerrëse të naftës dhe mineraleve. Lutem, lexoni fjalimin e ministrit Damian Gjiknuri. Mua me duket si fjalim i një gagaçi, sepse ai nuk di si të mbrojë poshtërsitë: “Industrinë përpunuese e gjetëm në një gjendje jo të mire”, (këta e rregulluan!!! Edhe tani Uzina e Ballshit punon 1 muaj në vit!!!). Lutem, mos ma merrni për keq, por as mos t’u shkojë mëndja për të drejtë autori, sepse ky është vend i padrejtësive. Qeveria e re i ka nxjerr brirët dhe tregon qartë se është vazhduese e tradhtisë kombëtare.

Nga Albert Vataj : Amik Kasoruho, ikja e pakohë e një vullnetmiri

Ai ka ndalur. E djeshmja, e tashmja dhe e ardhmja e kohërëndjes që sendërtoi në gjënezë dhe kumt, rrokaqiellin me kaltërsinë e grishur ndër re të prillit, ku ngutëm të ngremë apoteozën e tij. Amik Kasoruho, është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare. Ka lënë pas shumëçka, por ajo që mbledh kureshtia e atyre që nuk e njohën është dhimbja, lotët dhe trishtimi i ndarjes. I përkorë si njeri dhe krijues. Vullnetmirë në timbër dhe në kremtimin fizik. Ai e la rrugën, vetëm ai e di se ku, anipse një udhë e hequr mes hekash dhe vuajtjesh, persekucioni dhe nënshtrimi. Golgota e tij e mundimshme nuk ia prishi shpirtin, nuk ia ligështoi krenarinë, nuk ia përlyu dlirësinë dhe mirësinë, kallëp ku ai derdhi tana ditët e lirisë.


20091112141459_12110974_ScFS3

Krijuesi dhe kumtuesi i rradhëshoqtë i letrave të sotme shqipe, mendimit dhe qytetarisë, antikomunistit dhe iluministit, Amik Kasoruho, ndahet nga jeta. U shua një njeri vullnetmirë, dlirësia e të cilit është plaga e dhimbjes për familjarët dhe miqtë, për admiruesit e shumtë dhe veçmas për tempullin e letërsisë shqipe.

Sëmundja e mushkërive prej së cilës lëngonte, nuk e lejoi të rendte ende. E ndali atë, por pa mundur ta ndajë nga memoria e letrave dhe të sotmes, nga kujtimi ngjethës i të shkuarës të tehur në ferrin komunist. Ai që bëri të flasin shqip të mëdhenjt; Pirandello, Isabel Allende, Harold Robbins, Patrick O’Brian, John Selby etj. ka vendosur të hesht.

Kasoruho për shumkënd behu papritmas në realitetin e mendimit të urtë politik dhe tubimet e letrave, anipse ai ishte aty me punën e tij vetëmohuese si përkthyes dhe krijimtarinë që e pararendi. Pas kthimit nga emigracioni, ku ai qëndroi gjatë periudhës 1990-2009, Amik Kasoruho do të rrëmbente përnjëherë vëmendjen, jo vetëm të medias, por krejt opinionit publik, në veçanti atyre që e njihnin dhe kishin rënë në kontakt të mëhershëm me veprimtarinë e tij krijuese dhe shqipëruese. Ai gjithashtu behu në realitetin shqiptar me pamjen e tij të puhizshme dhe delikate, zërin e tij atëror dhe delikatesën, me të cilën ai trajtonte tematika të ndryshme, edhe ato politike, të shkuarën e tij të trishto, vragën e persekucionit diktatorial.

Gjithsesi ai foli më shumë për letërsinë. Mbase nuk donte të ishte pjesë e tollovisë politikë, mosmarrëveshjeve dhe intolerancës, e cila shfaqej dukshem dhe prej së cilës ai kërkonte të distancohej. Megjithëse i sëmurë dhe me shumë vite mbi supe, ai nuk reshti së dhëni një kontribut të pashoq në letërsi. Lëmi i shqipërimit do ta vendoste atë në podin e nderit, ku të tjerë pararëndës kanë shkruar dhe skalitur me pasion dhe përkushtim në shqip dhe për shqiptarët kryeveprat botërore.

Kasoruho lindi në vitin 1932 dhe njihej si përkthyes dhe shkrimtar. Gjatë komunizmit ai u arrestua nën akuzën për agjitacion dhe propagandë. I përjashtuar përgjithmonë nga të gjitha shkollat e Shqipërisë, pasi doli nga burgu jetoi në Kavajë në periudhën 1956-1962. Më tej, u dëbua familjarisht në Gosë në vitet 1962-1990. Nga 1956-1960 punoi si punëtor krahu në Elbasan, Lushnjë, Kavajë. Në vitet 1960-1980 punoi si gjeometër në fermën Gosë. Në vitet 1980-1981 si punëtor ndërtimi në Gosë, në vitet 1981-1990 si teknik ndërtimi në “NSHN” Durrës. Prej vitit 1990- 2009, jetoi si emigrant në Itali. Në këtë periudhë u mor me publicistikë, përkthime, studime dhe shkrime librash duke vazhduar punën e nisur në Shqipëri, që nuk kishte parë asnjëherë dritën e botimit. Krijimtaria e tij më e madhe është në fushën e përkthimit dhe të publicistikës. Njihen botime të katër librave të tij në Itali dhe në Shqipëri. Ka sjellë në shqip mbi 60 vepra të autorëve të huaj. Ka përkthyer mbi 10 autorë shqiptarë në gjuhë të huaj. Është autor i disa librave: “Një ankth gjysmëshekullor” (1997), “Çmimi i një ëndrre” botuar në Itali (2000), “Midis qiellit dhe burgut” dhe romanin autobiografik “Ikje nga trilli i perëndive”. Është fitues i çmimit special të jurisë në konkursin Eks & Tra për shkrimtaret emigrantë në vitin 1999. Në 2000 ka marrë çmimin “Civitas – Arberia 2000 Calabria” për mirëmbajtjen e revistës italo-shqiptare të arbëresheve “Katundi Ynë”.

Kujtesa e Kontinentit të Vjetër, nganjëherë është e dobët. Dhe kjo është një e keqe e madhe: në rrugët e së ardhmes shkohet duke marrë me vete trashëgiminë e së kaluarës. Komunizmi nuk kishte qenë një plagë vetëm e Europës Lindore dhe aq më pak një sëmundje e papërsëritshme. Mjerë në rast se euforia do të sillte amnezinë e popujve.

“Shqipëria, ankthi dhe ëndrra” me autor Amik Kasoruho, një libër ku krijohet një pamje e plotë, ku ankthi dhe ëndrra e një vendi shfaqen me të gjitha emocionet, qartësinë, qetësinë dhe thellësinë e mendimit të një dëshmitari. Një dëshmitari që njohu gjithë breroren dhe maturinë e shtresës nga e cila rrjedh, që u rrit me edukatë dhe rrëfime për shtet, ligj, letërsi, kulturë. Po mbi të gjitha libri është shkruar nga dëshmitari që njohu burgun, pushkatimin e babait, dëbimin, mohimin e shumë të drejtave për vete dhe familjen e tij, që mbajti shumë gjatë në shpirt peshën e varrit të humbur të të atit.

Megjithatë, librit i mungon urrejtja. Jo vetëm në këtë rast, jo vetëm nga Kasoruho, por në shumë libra të tjerë ku, ose janë shkruar kujtime burgu, ose janë bërë analiza të ftohta të situatave, personazheve dhe ngjarjeve që krijuan Shqipërinë gjysmëshekullore të Enver Hoxhës, nuk ndihet urrejtje. Nuk shfaqet ndjenja e hakmarrjes. Njerëz që u dënuan për shkak të mllefit dhe urrejtjes, njerëz që u veçuan për shumë vite si të deklasuar, të dëbuar, të internuar, nuk mund të mbartin apo të përcjellin urrejtje. I tillë është edhe libri i Kasoruhos: “Shqipëria, ankthi dhe ëndrra” dhe lexuesi shqiptar, i mbushur kaq shumë me supozime, hamendësime, dyshime apo dëshirë për hakmarrje do të ketë një rast të dialogojë me autorin për një histori që edhe ai ndoshta e njeh, por reflektimi i matur dhe i qetë e bën një dialog qoftë edhe të heshtur, të suksesshëm. Një logjikë e lakmueshme, e mbajtur nga pesha e një sintakse për t’u admiruar. Përvoja e gjatë në fushën e përkthimit e ka bërë autorin mjeshtër në ndërtimin e infrastrukturës së librit. Ai është i qartë për kapitujt, temat, hyrjet dhe mbylljet, asnjë e plasaritur nuk gjendet në analizën që bën. Hera-herës fjalitë dhe paragrafët janë si kurthe të bukura të mendimit, ku lexuesi gjendet përballë një alternative që e bën të thellojë vëmendjen dhe përqendrimin, të ketë zellin për ta lexuar deri në fund shumë shpejt dhe për t’u menduar në mënyrë të pavarur shumë gjatë. Kjo lloj shkrimtarie nuk harrohet. Sepse mënyra e të shkruarit është e shpëtuar nga fjalë parazite, nga ndërhyrje auto-lëvdonjëse të autorit. Nuk gjejmë gjëkundi fjali që mund të hiqen, apo fjalë që mund të shtohen në libër.

“Shqipëria, ankthi dhe ëndrra” i Amik Kasoruhos, është një refleksion i ftohtë, i thukët i historisë së Shqipërisë së Enver Hoxhës. Libri ose më mirë të themi pjesa e parë e tij, u botua së pari në vitin 1994 në Itali dhe prej asaj kohe ka njohur katër ribotime, vlerësime të kritikëve, profesorëve të filozofisë dhe politikës, është shoqëruar me parathënie nga njerëz të fushës së letrave. Në Shqipëri pati një botim në vitin 1996, botim që u përthith pa bujë dhe njëherësh, duke lënë pas një titull të munguar, një analizë të domosdoshme që duhet rilexuar dhe mbi të gjitha, po t’i shtojmë vlerën e koherencës në atë që autori e ka shkruar para pothuaj 20 vjetëve dhe që tani është po aq i vërtetë si atëherë.

“….në 20 shkurt 1951, qyteti kishte jetuar një natë terrori. Dhjetëra qytetarë të pafajshëm ishin nxjerrë nga shtëpitë e tyre e qenë ndryrë në burg. Një pjesë prej tyre u pushkatuan pesë ditë më pas[...] Kjo ndodhi sepse një ditë me parë ishte hedhur një bombë në oborrin e ambasadës sovjetike (duke dëmtuar dy rrënjë trëndafili). Ndoshta askurrë në historinë e njerëzimit dy trëndafila nuk janë paguar me gjakun e dhjetëra viktimave. Qytetarët e mësuan këtë krim më 1 mars, kur panë kamionët ushtarakë që po nxirrnin jashtë Tiranës familjet e viktimave. Këto viktima u flijuan në altarin e miqësisë së pathyeshme shqiptaro-sovjetike.

Saktësisht dyzet vjet më vonë, në të njëjtën datë, në të njëjtin shesh, populli do të shembte përtokë shtatoren e diktatorit Hoxha. Ironi e kohës apo hakmarrje e Perëndive?

Këtu nis dhe saga e vuajtjeve të familjes Kasoruho.

Amik Kasoruho: Po të ktheja kokën pas, ja ç’do i thosha E. Hoxhës, babait e nënës sime

Qamil Kasoruho ishte një ndër 22 intelektualët që u pushkatuan më 22 shkurt të vitit 1951, pas incidentit të bombës që u hodh në ish-ambasadën sovjetike në Tiranë. Amik Kasoruho ishte vetëm 17 vjeç kur ia pushkatuan të atin, por mosha i ndaloi persekutorët të arrestonin dhe ta dënonin edhe të riun 17-vjeçar me 10 vjet heqje lirie, anipse as ai dhe as i ati (siç dolën faktet më vonë) nuk kishin të bënin me atë ngjarje që u mori jetën 22 intelektualëve dhe lirinë dhjetëra të tjerëve. Pas burgut, i riu Kasoruho, bashkë me familjen jetoi për 27 vjet në internim. E nisi përkthimin në burg, një profesion që do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës. Krahas përkthimit Kasoruho ka vënë “firmën” edhe si shkrimtar në letërsinë shqipe. Ka botuar romanin autobiografik “Ikje nga trilli i perëndive”, ka botuar në italisht “Shqipëria, ankthi dhe ëndrra”

Goditja që u dha njerëzve sistemi komunist ka qenë aq e fortë, saqë njerëzve iu desh të krijonin një mekanizëm për t’i ngulur në kujtesë, t’i ruanin, të mos i harronin kurrë. Pastaj mendoj se është njerëzore që njeriu të mos e harrojë dhunën, fyerjen, depersonalizimin që u pasua për gjysmë shekulli, çast pas çasti, ditë pas dite, vit pas viti.

Sot në ndarjen e tij, shprehim ngushëllime dhe mirënjohje për aktin sublim të qëndresës dhe kontributit të vyer. I përjetshëm kujtimi i tij!

Pasurimi i kulturës Shqiptare me kryeveprat e letërsisë botërore është një kontribut i çmuar i emrave më të njohur të botës së letrave veçanërisht përkthyeseve studiuesi dhe përkthyesi i mirënjohur Amik Kasaruho sjell në gjuhën shqipe veprën madhore të Ina Randi “Revolta e Atllasit”.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...