Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/10/12

Qeveria Rama si “Klubi i Selanikut”

Nga Alket Aliu

Nëse ndodh që gjuetarë të paligjshëm të dëmtojnë mjedisin, qeveria merr masa të menjëhershme për të ndaluar gjuetinë. Nëse ndodh që një fugon me pasagjerë të bjerë në humnerë, qeveria merr masa të menjëhershme për të ndaluar qarkullimin e furgonëve.

largea_b_0_0_0_00_images_haxhinasto-tahiri-e-cani-dje-ne-kuvend1387354067


Nëse ndodh që drejtuesi i mjetit të mos ketë patentë për drejtim, qeveria merr masa të menjëhershme që asnjë person i aftë të mos detyrohet të paguajë nën dorë, përderisa e meriton patentën. Dhe nëse rezulton se mjeti ishte në gjendje të keqe teknike, qeveria garanton se të gjithë drejtuesit e mjeteve do të paguajnë një më një të gjitha detyrimet financiare që kanë ndaj shtetit përpara se të kryejnë procedurat e kolaudimit. Logjika e kësaj qeverie ka të krahasuar vetëm me atë të “Klubit të Selanikut”. “Të dhemb një sy? Kërreje, të shpëtoç ‘tjatrin”. Ruajna Zot mos ndodhtë ndonjë përdhunim sa të jenë Adhamudhët në qeveri, se mund të japin urdhër edhe të na tredhin për të ulur nivelin e kriminalitetit me sfond seksual.

Vendime gjithnjë e më skandaloze po shikojmë të merren këta muajt e fundit nga qeveritarët e rinj të Shqipërisë. Vendime që në një masë të konsiderueshme rrjedhin o nga paaftësia për të qeverisur, ose nga sëmundje kronike mendore. Vendime që shkelin haptas jo vetëm ligjet, por edhe liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.

Pse furgonët

Ndalimi i qarkullimit të furgonëve për pasagjerët është vetëm i fundit në këtë seri. “Do të ndalet për të shmangur aksidentet me pasoja të rënda. Kur them tani, them menjëherë!”, tha Tahiri. Sipas logjikës tahirjane, nëse bie një avion, ndalohet transporti me avion, nëse bie një autobus, ndalohet transporti i udhëtarëve me autobus e kështu me radhë. Dhe të mendosh se ishte po kjo forcë politike që, dikur në opozitë, do ta konsideronte “politikën e moratoriumeve” si tregues të qartë paaftësie të qeverisë së atëhershme.

As ministri i Brendshëm dhe as ai i Transporteve nuk na dhanë një shifër të qartë se sa është numri i furgonëve që tashmë do të jenë nën “koprifuoko”. Por unë besoj se shifra duhet të jetë vërtet e lartë, padyshim disa mijëra. Një pjesë të licencuar si furgonë-taksi e një pjesë që punojnë në mënyrë pirate. Janë padyshim disa mijëra të punësuar apo të vetëpunësuar si shoferë dhe fatorino. Janë mijëra familje që ushqehen dhe miliona euro kapitale të investuara. Por qeveria nuk do t’ia dijë. Për të shmangur aksidentet me pasoja të rënda, ata do të duhet të qëndrojnë në garazh. Pavarësisht se kanë investuar për të blerë mjetet e punës, për të siguruar për vete një vend pune që qeveria nuk ua siguron dot. Pavarësisht se kanë paguar taksat e tatimet si çdo biznes tjetër, kanë marrë lejet për të ushtruar këtë shërbim dhe kanë vite të tëra që investojnë në mënyrë të vazhdueshme për të përmirësuar komoditetin e udhëtarëve. Pavarësisht se kjo mund të sjellë një situatë aspak të favorshme për udhëtarët në përgjithësi, të cilët do të kenë më pak alternativa shërbimesh apo çmimesh.

“Politikë sociale” vetëm në Lazarat?!

Por ministri Tahiri nuk do t’ia dijë për mijëra familje shqiptare që u heq bukën e gojës. I njëjti ministër që deklaroi në mënyrë skandaloze se “nuk hyn në Lazarat për arsye se më parë duhen marrë masa për politikë sociale”, në rastin e furgonëve të transportit të udhëtarëve nuk do t’ia dijë se nuk është bërë paraprakisht politikë sociale. E pra, edhe shoferët e furgonëve janë qytetarë të këtij vendi dhe nuk meritojnë më pak përkujdesje se banorët e Lazaratit. Nuk kanë bërë ndonjë krim, kanë paguar taksat e tatimet dhe nuk mund të ndëshkohen kolektivisht. Nëse ka nivel informaliteti, mungesë të parametrave të sigurisë teknike të automjeteve apo të dokumentacionit, ato janë arsye të forta për ndëshkime individuale, madje edhe tepër të rënda kur bëhet fjalë për transportin e pasagjerëve. Por jo për ndëshkim kolektiv.

“Ligji”, kjo fjalë e padobishme

Në momentin kur shteti shqiptar ka promovuar parimet e ekonomisë së tregut, në momentin kur ka mundësuar edhe transportin e qytetarëve me furgonë, kur ka lejuar hyrjen në vend të furgonëve të prodhuar nga fabrikat posaçërisht për transport pasagjerësh dhe kur ka licencuar drejtuesit e mjeteve dhe ka pranuar pagesat që ata kanë bërë për taksa e tatime, ka edhe detyrime ndaj këtyre njerëzve. Minimalisht veprohet si kudo në botën e qytetëruar, kur një shërbim zëvendësohet nga një tjetër, duke përcaktuar afate të mesme kohore, që t’u lënë kohën dhe mundësinë drejtuesve të mjeteve t’i shesin ato, t’i përshtatin për qëllime të tjera apo edhe thjesht të kërkojnë një mundësi të re punësimi apo të hidhen në një biznes tjetër. Është minimumi që shteti i detyrohet qytetarit, i detyrohet taksapaguesit. Pasi, pavarësisht se zoti Ministër nuk preferon të lëvizë me furgonë, nga taksat e “furgonxhinjve” rrjedh edhe një pjesë e rrogës së tij.

Këto nuk janë vetëm detyrime morale, por mbi të gjitha ligjore. Taksa që çdo automjet paguan në doganë, përfshirë edhe furgonët, është një lloj kontrate, ku shteti merr përsipër automatikisht të lejojë përdorimin e këtij mjeti sipas legjislacionit në fuqi. Po ashtu taksat vjetore, aq më shumë licencat që shteti jep për përdorimin e mjetit me funksione të caktuara dhe në vende të caktuara. Duke cenuar këto të drejta të pronarëve dhe përdoruesve të këtyre mjeteve, vendimi për ndalimin e përdorimit të tyre për transport pasagjerësh (arsye për të cilën janë bërë pagesat) cenon automatikisht edhe marrëdhëniet-bazë të sistemit tonë ekonomik, ekonomisë së tregut. Në kushtet e një arbitrariteti shtetëror nuk mund të ketë liri tregu, nuk mund të ketë investime. Në çdo shtet me ekonomi tregu të liberalizuar, masa të tilla ekstreme merren vetëm në kushtet e një emergjence kombëtare dhe koston e paguan shteti, jo investitorët, sado të vegjël të jenë ata. Të tilla shkelje ligjore nuk mund të bëhen, qoftë edhe me qëllime të mira, pasi pasojat që ato sjellin në sistemin-zinxhir të ekonomisë dhe në tregun e investimeve, janë afatgjata.

Si Europa apo si “Ballkani”?

Është lehtësisht e kuptueshme se me zhdukjen e furgonëve, menjëherë do të gjallojnë autobusët që deri tani vetëm tek-tuk gjenden në udhëtimet ndërurbane. Ashtu siç ndodhi vite më parë me furgonët në Tiranë që Rama i fshiu “nga faqja e dheut”, edhe këtë radhë, pronarët e kompanive që ofrojnë transport me autobusë do të fërkojnë duart, në mos kanë nisur ta bëjnë (Një e përditshme kishte si kryeartikull sot, lajmin që furgonët do të hiqen nga qarkullimi se vrasin me aksidente).

Në këtë mënyrë, qytetarët do të duhet të përballen me udhëtime rraskapitëse. Ndoshta pak më lirë, por me më shumë rrezik ndër sy dhe stërmundim udhëtimi. Sepse në Shqipëri ende nuk ka një autostradë të mirëfilltë, por vetëm disa autostrada dhe superstrada copë-copë, diku të asfaltuara, diku në punime, diku të shtruara e diku të shkatërruara.

Për më tepër, pjesa më e madhe e rrugëve në vend janë në zona malore e kodrinore, si në veri ashtu dhe në jug, si në Shqipërinë e Mesme ashtu dhe në juglindje. Këto rrugë plot kthesa, janë rrezik evident për autobusët.

E vërteta është se praktika ndërkombëtare në këto 20-30 vitet e fundit i ka mënjanuar furgonët.

Por ndryshe nga Shqipëria ku politika është treguar krejt e papërgjegjshme duke mos arritur asnjë standard të BE, vendet e Europës dhe më gjerë, kanë krijuar dhe ruajnë rigorozisht, standarde optimale për transportin rrugor. Për më tepër, ato kanë jo vetëm rrugë me standarde, por edhe sistem shumë të mirë transporti: kanë trena me shumë orë lëvizjeje dhe çmime modeste, kanë autobusë komodë për udhëtime ndërurbane, disa prej tyre kanë sistemin e metrosë jo vetëm për lëvizje urbane por edhe ndërqytetëse, pa folur pastaj për plot alternativa të tjera qarkullimi, si trami qytetës, makinat me çmime plotësisht të përballueshme për rrogat e qytetarëve të tyre, etj.

Ndërsa po të hedhim sytë nga fqinjët në rajon, si Turqia, vërejmë se furgonët janë mjeti kryesor i lëvizjes së udhëtarëve për rrugëtime urbane, ndërurbane dhe rurale. Edhe pse sistemi i rrugëve në Turqi, vitet e fundit është përmirësuar shumë, këto mjete vazhdojnë të jenë kryesoret në qarkullimin e udhëtarëve, duke mbajtur në një nivel më të lartë, standardet e komoditetit të lëvizjes.

Kush “vret” më shumë?

Mjaft të kujtosh faktin se vitet e fundit, pjesa më e madhe e aksidenteve ku janë përfshirë autobusë, kanë përfunduar me numër të madh viktimash dhe ato kanë ndodhur pikërisht për shkak të rrugëve plot kthesa dhe të mjerueshme.

E nëse i referohemi shifrave statistikore të aksidenteve të raportuara në media, numri i aksidenteve ku janë përfshirë furgonë është inferior ndaj totalit të aksidenteve që ndodhin.

Dhe përderisa ministri Tahiri urdhëron “tani dhe menjëherë” zhdukjen e furgonëve, më së paku duhet të justifikojë vendimin e tij. Sepse deri sot, nuk ka asnjë provë të paktën të bërë të ditur publikisht, se furgonët janë shkaktarët kryesorë dhe kyç të aksidenteve tragjike. Ajo që dihet sikurse thamë është vetëm se ka përfshirje në një pjesë të aksidenteve edhe të furgonëve të udhëtarëve dhe atyre për transport mallrash.

Lirisë i thura hymn në shekullin e ashpër

Pushkini, bardi shpirtndezur i Rusisë


Nga Shpendi Topollaj

Capture

Kultura ruse kurrë nuk do të ishte kaq e bukur, sikur asaj t`i mungonte zëri shkëlqimtar i Aleksandër Sergejeviç Pushkinit. Aq e vërtetë është kjo, sa po t`i besojmë asaj thënies impresionante të Algarotit se “Petërburgu është dritarja përmes së cilës Rusia shikon Evropën”, atëherë, është jashtë çdo dyshimi, se dhe bota e ka parë Rusinë, në radhë të parë, nëpërmjet gjenisë krijuese të Pushkinit. Intuita profetike e Derzhavinit që teksa dëgjonte më 8 janar të vitit 1815, një fëmijë të hijshëm, flokëkaçurrel dhe me sy të zgjuar, të deklamonte në “Kujtime të Carskoje Sjello”:

O bard shpirtndezur i Rusisë

………………………………………….

Buçit mbi harpë përsëri…

nuk gaboi aspak, kur gati sa nuk thirri me të madhe: “Ky është poeti i ardhshëm i Rusisë”.

Mbi dy shekujt që kanë kaluar, e bënë më bindëse këtë profeci së bashku me pohimin e vetë poetit se “Në tër` Rusinë e madhe, emri im do të ndihet”. Pushkini, me penën e tij të zjarrtë, u bë zëri më i ëmbël dhe më i dashur i botës mbarë; ai gjatë gjithë kësaj kohe mbeti patriarku absolut i poezisë që pasqyronte ndjenjat më të holla e fisnike të shpirtit njerëzor. Poezia e tij qe këngë hyjnore e bërë për perëndi dhe vetë ai, magjistar që përmbysi edhe konstatimin e Volterit se dashuria i bën njerëzit poetë, duke i bërë njerëzit, me poezitë që shkroi, dashnorë. Ai, tashmë pranohet nga të gjithë, ashtu siç e përcaktoi i pagabueshmi Bjelinski, si fenomen që jeton dhe lëviz përjetësisht, fenomen që nuk ndalet në pikën ku e kap vdekja, por që vazhdon të zhvillohet në ndërgjegjen e shoqërisë. Ja pse dhe vdekja fizike e tij, në 10 shkurt të vitit 1837, tronditi e përloti miliona njerëz edhe pse ajo qe në pajtim të plotë me epokën kur ai jetoi, me intrigat e urrejtjet e kohës, me mentalitetet e saj, me kryelartësinë dhe konceptin që dhe ai, si pjesë e asaj kohe, kishte për nderin dhe moralin. Ja përse edhe sot, brezat, me shumë të drejtë mallkojnë ditën kur ai njohu në shtëpinë e Karamzinëve, kolonelin emigrant francez Xhorxh D`Antes dhe i mundon dilema për thesaret që do të kishin ndër duar, sikur ai plumb fatal, por gjithsesi historik, nuk do të priste në mes jetën e kryemjeshtrit të dashurisë, në atë duel të panevojshëm, atje në rrugën e Pargolovos, pranë fshatit Odojevski. Asnjëherë, një plumb i vetëm nuk kishte bërë dëm më të madh, sesa ai që shtriu përdhe të vetmin njeri të gjallë që mund të matej me vetë Kupidonin. Se po të parafrazojmë Ciceronin edhe Kupidoni në qoftë se do të mund të fliste, do të fliste vetëm kështu. Legjislatorin e dashurisë së sinqertë dhe pasionante, e vrau dora e pabesisë, e bashkë me të, u shuan përgjithmonë dhe humbën për të mos i parë askush, perla pambarimisht të shkëlqyera që prisnin radhë të merrnin jetë në mendjen dhe zemrën e poetit. Megjithatë, gjerdani i praruar që ai na la edhe pse i këputur në mes, përjetësisht do të mbesë siç thoshte vetë:

Dhe gjat` do jem për popullin i dashur

Sepse me lir finike ndjenja zgjova

Lirisë i thura hymn në shekullin e ashpër

Mëshirë për të rënët unë kërkova.

Simbol i dinjitetit kombëtar, zëri më i kumbueshëm dhe më i fuqishëm i dëshirës për liri, filozofi që gjeti mënyrën më të thjeshtë e më të mençur, për të rrënjosur tek çdo njeri mendimin se jetën e bën kaq të çmuar dashuria e pastër, Pushkini me romantikën, por dhe me vërtetësinë e uraganit të fjalës së tij artistike, u bë shumë shpejt shumë i dashur për shqiptarët, sapo kushtet bënë të mundur përkthimin dhe botimin e veprës së tij. Atyre që jetuan para nesh, u la mbresa të veçanta trajtimi që ky gjigant i bënte nevojës për liri, pasi për ta, mungesa e saj qe preokupimi kryesor. I guximshëm si ai, Pushkini u mor gjatë me këtë temë:

Mbi frone dridhuni tiranë

Me shpirtin djallëzor në gji

Dhe ti ngri krye anembanë

Me burrëri, o robëri!

Por çudia ishte, se ky kryepoet, ëndrrën për liri e shtrinte shumë larg, për të mos thënë, përtej imagjinatës së asaj kohe. Pushkini e donte lirinë jo vetëm për vete:

Ne jemi dy zogj, pa liri s`rrojmë dot!

Mbi male, vëlla, të vërsulemi tok,

Mbi detet e kaltër, të çlirët si lot.

Ku era dhe unë baresim nga mot!

Madje, ai shkroi poezi brilante, të cilat në radhë të parë duhen mësuar nga më të fuqishmit e kësaj bote dhe vënia në jetë e tyre do të qe nderimi më i madh që i bëhet atij që thosh se nuk mund të jesh vetë i lirë, po nuk respektove lirinë e tjetrit, sado i vogël e i pafuqishëm qoftë ai:

Seç m`u kujtua shkretëtirës

Zakon i lasht` i vendit tim

Një zok lëshova t`ik i lirë

Në prag të verës plot blerim.



E qetësova zemrën time

S`ankohem më se kot po rroj

Përderisa dhe një krijese

Lirinë munda t`i dhuroj.

I bukur si një perëndi olimpi, ai siç prekej dhe mrekullohej vetë, ashtu dhe dinte ta shndërronte këtë bukuri në vargje plot melodi për të tjerët. Por bukuri mbi të gjitha bukuritë, për të qe dashuria, të cilën ai e lartësoi në nivele të papara, as më parë e as më pas, për të mbërritur tek poezia margaritar “Ana Kern”:

N`andrralla jete zhurmëkote

Në dhimbje brengash e mërzi

Më grishte larg fytyra jote

E zëri yt plot ëmbëlsi.

Me të tilla vargje, Pushkini mbushi boshllëkun e jetës shpirtërore, veçanërisht në vitet e rinisë tonë. Ne, jo vetëm që i dinim për mendësh ato, por dhe i përdornim me sukses për t`u shprehur dashurinë vajzave që donim, pa e vrarë shumë mendjen për të gjetur diçka më tepër joshëse.

Edhe madhështinë e dashurisë, zemra delikate e këtij skulptori poetik, e shihte të lidhur ngushtësisht me ndjenjën e lirisë:

Sa ju kam dashur! Ndoshta dashuria

Nuk është shuar krejt në shpirtin tim.

Po s`dua që prej dhimbjeve të mia,

Të ngryseni sërish në dëshpërim.



I heshtur e pa shpres` u përvëlova,

me drojtje, xhelozi dhe mall për ju…

Po kaq me dlirësi ju dashurova

Sa ah! Ju dashtë tjetër kush kështu!

Në këtë pikë, kulmi arrin me Tatjanën e “Eugjeni Oniegin” dhe Zemfirën e poemës së gjatë “Ciganët”, ku ai bëri një hap vigan përpara, duke kapërcyer psikologjinë e kohës kur jetoi. Në gojën e Tatjanës , vuri vargje të pavdekshme, në mbrojtje të dashurisë së saj:

Po marr guximin që t`u shkruaj,

Ç`do deshi më veç shpirtit tim,

Kurse në epilogun e poemës së sipërpërmendur, pas krimit të Alekos që vret me thikë dy të dashuruarit, thotë:

Dhe çadrës tuaj në shkretëtirë

Kudo mjerimi pas ju qep

Pasionet lidhen me zinxhirë

Dhe fati mbrojtje nuk të jep.

Hamlet në jetë, ose më mirë Otello i denjë për penën e Shekspirit, Ai që si askush u përzie në ëndrrat dhe deri dashuritë tona, mbetet përfundimisht më i madhi mjeshtër i fjalës që diti të shndërrojë ndjenjat në vargje dhe nga vargjet të zgjojë ndjenja të mrekullueshme tek njerëzit.

Në vite Rusia, nxori piktorë të famshëm të natyrës, por askush nuk mund të na e sjellë atë aq të gjallë, ashtu siç na e përshkroi Pushkini. Pas shpirtit dhe karakterit të popullit rus, pas gjuhës burrërore ruse, Pushkini nguliti në mendjet e lexuesve të pafund, bukurinë prej përralle të pyjeve me berioza, të stepave pa fillim e pa mbarim, të rrugëve të mbuluara nga dëbora e butë, të izbave ku vallëzonte një zjarr bubulak, të sajave që tërhiqeshin nga kuaj me zile, mbi të cilat kishin hipur djem e vajza të bukura, të pasur e të varfër, veç përherë të qeshur e të gëzuar. Ja një tablo e tillë tek “Mbrëmje dimri”:

Shqota qiellin e ka nxirë

Shtyu borën me furi

Herë shfryn si egërsirë,

Herë qan si një fëmi.

Herë mbi çatinë tonë,

Nis papritur e buçet,

Herë si udhëtar i vonë,

Në dritare na troket.

Theksova se poezia e Pushkinit, u pëlqye veçanërisht nga ne shqiptarët, aq sa një shumicë e mësoi përmendësh atë. Natyrisht që shkaqet e kësaj dukurie mund të jenë të shumta. Veç dua të përmend edhe një koincidencë që s`mund të anashkalohet pa i kushtuar vëmendjen që meriton. Plot 100 vjet pasi lindi Pushkini në Rusi, më saktë më 27 dhjetor të vitit 1899, në Shqipëri lindi Lasgush Poradeci, poet i përmasave të jashtëzakonshme, përkthyes i përkryer i shumë prej krijimeve të Pushkinit, tronditës dhe konkuistador zemrash si ai, pra i ngjashëm me të, për të mos thënë, i vetmi poet i pas vdekjes së tij që mund të baravitet me të i cili siç thamë, nga ana e tij, qe i vetmi që mund të matej me vetë Perëndinë e dashurisë. Nuk e teproj aspak, sikur të them, se po të kish ndodhur ajo që s`mund të ndodhë kurrë dhe të ndërronin kohët kur jetuan, Pushkini, jo vetëm që do të mahnitej nga poezia e Lasgushit tonë, por dhe do ta përkthente atë, duke i dhënë popullit rus një arsye më shumë, për të respektuar e përkrahur një popull që edhe pse i vogël në numër, duke nxjerrë një poet kaq të madh, është po kaq i madh edhe nga shpirti e virtytet dhe dëshira për liri, deri në vetëmohim. Se dhe populli ynë, ka për lirinë po atë kuptim që ka ajo për popullin rus, se dhe Lasgushi ynë, tek poezia e tij “Zog i qiejve” duke shprehur dhembshurinë për të:

Ti këndon o zog i pastër, ti këndon, këndon paprerë,

Pa pushim të del nga zemra vaj` i tingullit të mjerë;

lutet:

Që nga bota njerëzore, ku këndoj me shpirtin plot,

Prit – e prit! Se po t`afrohet Zog i Qiejve, o Zot!

Fali këngëtar finoshit gaz të thjeshtë mu në gji;

Posi lot në rreze dielli ndrite në përjetësi!

I ëmbël si Pushkini, filozof si ai, mbret i dashurisë, adhurues i flaktë i natyrës, miku më i madh i lirisë së fjalës dhe i mendimit dhe atdhetar i papërsëritshëm, shiheni sa ngjan me Pushkinin, sidomos në bazamentin e tij botëkuptimor, kur shkruan:

Hija ime nuk di dhunë

Di veç frymëzim lirie

Dhe di punë, punë, punë,

Mund pa fund për art magjie.

Ndërkohë që Pushkini, nga ana e tij, i drejtohej mikut të vet Çadajevit:

Gjersa na djeg liri e shenjtë,

Gjersa mbi dhe për nder jetojmë,

Atdheut sot o mik i shtrenjtë

Të dlirat hove t`ia dhurojmë.

Në tërësinë e saj, poezia e Pushkinit, është një poezi optimiste; në ç`do gjendje shpirtërore që të jesh, pasi e lexon atë, ndien një vegim të qartë drite. Si e tillë ajo, edhe atëherë kur ne shqiptarëve fati na kish braktisur, na ngushëllonte dhe na mbushte me shpresë:

Mos u ngrys prej dëshpërimit

Nëse jeta të gënjen

Hesht në ditën e trishtimit

Rishmëz ditë e gazit vjen.

Duke i mbyllur këto shënime, dua të shtoj se poetët e përmasave të mëdha, mbeten ura të fuqishme që lidhin ishujt e popujve të qytetëruar. Dhe si të tilla, ato duhen respektuar në jetë të jetëve. Nderimi për veprën e tyre duhet të jetë i pranishëm edhe kur janë varrosur pranë nesh, por edhe kur varri i tyre gjendet atje në Rusinë e largët, afër Mihajlovskit, në Svjatogorskij manastir, vendi ku pushojnë përgjithmonë eshtrat e njeriut për vdekjen e të cilit, një miku i tij shprehej: “Vajto o Atdheu im fatkeq! Ti nuk ke për të lindur më të tillë bir! Ardhja në botë e Pushkinit të ka shteruar!” Në gjuhën shqipe emri i vendit ku u varros Pushkini, përkthehet Manastiri i Malit të Shenjtë. Por dhe po të mos quhej kështu, të tillë do ta bënte emri i atij, vepra dhe talenti i të cilit e kthyen në një shenjtor të vërtetë.

Stefan Cvajgu dhe vepra e tij do të rrojnë ndër shekuj


Nga Shpendi Topollaj


l
l

Shtatëdhjete e kusur  vjetët që kanë kaluar nga vdekja tragjike e Stefan Cvajgut edhe sot e kësaj dite nuk e kanë fashitur pikëllimin që shkaktoi humbja e një gjiganti të papërsëritshëm si ai.

Duke e nisur karrierën letrare me librin me poezi “Telat e argjendtë” në vitin 1901, çka u bë shkas edhe për një miqësi të sinqertë me bashkatdhetarin e tij të adhuruar R.M.Rilke i cili u entuziazmua nga talenti i këtij djaloshi, ai edhe pse nisi të shkruante novela pas Gi de Mopasanit, Anton Çehovit, Prosper Merimesë, Xhek Londonit etj, pra kur mendohej se magjia e këtij zhanri kishte shterur, arriti të bëhej i barabartë me ta, për të mos thënë se me erudicionin, ndjenjat e holla dhe analizat e tij frojdiane, ua kaloi atyre. Edhe vetë ai, kur mbërriti në Brazil, pas largimit nga Austria e kohës së nazizmit, gati u befasua kur pa se: “Fama ime në këtë vend është e pabesueshme, ajo është e përhapur në të gjitha mjediset, që nga më të ngriturat e deri te më modestet, dhe jo për këtë apo atë libër, po për të gjithë pa dallim.” Kritika botërore njëzëri ka pranuar si kryevepra të tij “Novela e shahut” dhe esenë “Triumfi dhe tragjizmi i Erazmit të Roterdamit”, por e vërteta është se edhe vetë Apolonit po t`ia vinin si detyrë, do ta kishte të vështirë, ta diferenconte të gjithë krijimtarinë e këtij kryemjeshtri. Ato, në çdo gjini që u shkruan, mbeten kryevepra të padiskutueshme të letërsisë. E gjithë vepra e tij meriton fjalët që ai shprehu për Dikensin: “Kjo, pra, është ajo madhështorja, e pavdekshmja, në këtë vepër tokësore, madje tepër tokësore: brenda saj ka diell, ajo rrezaton dhe ngroh. Veprat e mëdha të artit nuk duhen matur vetëm me intensitetin e tyre, vetëm me autorin që i ka krijuar, por edhe me ekstensitetin, efektin e tyre te masat.” Se po ta perifrazojmë, sidomos atij i shkon konstatimi që i bëri Stendalit se “Rrallë kanë ndodhur në luftën e përjetshme të mendjes me zemrën përleshje kaq të bukura sa beteja e madhe psikologjike, që quhet … Stefan Cvajg.”

Cvajgu, duke depërtuar me mençuri në subkonshiencën e personazheve, më së shumti historikë, arriti t`i gdhendë portretet e tyre me forcën e Praksitelit, Fidias dhe Mikelanxhelos dhe t`i përjetësojë ata.

Kush i lexoi dhe nuk u trondit deri në përlotje me fatin e heronjve dhe heroinave të novelave brilante “Amoku”, “Njëzetekatër orë nga jeta e një gruaje”, “Letra e një të panjohure’, “Guvernantja”, “Bukinisti Mendel”, etj. A nuk ngjisnim edhe ne kur ishim të rinj me ata anglezët e shekullit të nëntëmbëdhjetë, teksa prisnim “diligjencën e postës” për të marrë librat e tij? Kush i lexoi dhe nuk ua rekomandoi të tjerëve për t`i lexuar këto perla të artit të të shkruarit. Kush nuk e justifikoi lëshimin në krahët e pasionit të Misis K. një zonje fisnike që kishte kaluar një jetë të ndershme. Dhe fundja, kush nuk e dashuroi atë njëzetedy vjeçare, si një krijesë të brishtë (që edhe kur u plak, ndërsa tregonte historinë e saj, duart i dridheshin si gjethe vjeshte), me personalitet aq të fortë, sa di t`i japë krahë lirisë, kur rrethanat ia kërkojnë këtë. Është pena magjike e Cvajgut që na bën të tejkalojmë edhe paragjykimet tona. Ai mbetet një mjeshtër i madh i përshkrimit të situatave të koklavitura brenda vetes dhe i zgjidhjes Aleksandriane të nyjës gordiane të ndërgjegjes së njeriut.

Edhe pse ai lindi, pikërisht në kohën kur Gustav Floberi vdiq, e bëri me një herë të vetën atë thënien e artë të tij se “artisti duhet t`i ngjajë Zotit: të gjendet gjithkund, por të jetë i padukshëm.” Dhe Cvajgu, shumë shpejt u bë zot i gjithçkaje që shkroi, gjersa falë një pune të mbinatyrshme arriti të krijojë mbi dymijë personazhe dhe të ngjallë e t`i bëjë të pavdekshëm figura të shquara si Maria Stjuart, Maria Antuaneta, Erazmi i Roterdamit, Magelani, Mishel Montenji, Honore Balzak, Çarl Dikensi, Jozef Fushe, Fjodor Dostojevski, Hanri Bejli, Romen Rolani e deri tek Aleksandër Moisiu ynë.

Ai u fut brenda universit, shpesh paradoksal, të natyrës njerëzore, përligji pasionin dehës të tij që shkel edhe mbi konvencionet e moralit dhe asnjëherë nuk spekulloi me banalitete. Mbeti i pastër në gjithçka shkroi, sikurse edhe pse gjeti shtigje të pashkelura, përsëri, duke përjashtuar “Dashuria e Erika Evaldit”, nuk ra në grackat e rrymave dhe tendencave të kohës.

Shpirtmadh siç ishte në jetë, ai dinte të vlerësonte këdo që e meritonte; si Maksim Gorkin që thoshte se u ngrit aq lart nga asgjëja, si kontin Leon Tolstoi që e quante vetëshprehësin më të sinqertë dhe më të madhërishëm, si R. Rolanin që e konsideronte “nderin e Evropës.”

Shumë nga monografitë e tij që kritika me të drejtë i ka quajtur biografi të letrarizuara, fare mirë mund t`i quajmë edhe romane psikologjikë. Ai vetë e kuptonte se “Idetë dhe teoritë janë, ashtu si hijet e Hadit homerik, vetëm skema të shpërbëra, pasqyrime pa formë: vetëm kur kanë pirë nga gjaku i një njeriu, ato fitojnë zë e trajtë dhe kanë mundësi t`i flasin njerëzimit.” Para situatave të rënda që kalojnë personazhet e tij, dialogët dhe monologët bëhen mbizotërues. Dhe pikërisht këtu, ai shkrimtari i padukshëm, shndërrohet në një Zot të plotfuqishëm. Por ja që dhe Zotat kanë anët e tyre të dobëta; ndodh që në një çast dëshpërimi të gabojnë dhe të nguten. Se po të kishte pritur edhe një javë, sikurse porosiste Volteri, ai nuk kishte pse t`i pinte së bashku me të shoqen, Lote Altman, në Petropolis, atë 22 shkurt të vitit 1942, ato të flamosura doza qetësuesish. Se Cvajgu ishte në kulmin e pjekurisë artistike: sa kishte mbushur të gjashtëdhjetat dhe në duart tona patjetër që do të kishim të tjera kryevepra letrare. Teksa fliste për Balzakun, ai na mëson se çdo pengesë është një shkallë që e lartëson gjeniun, por vetë, për një çast e harroi këtë. Ndaj dhe pikëllimi që la pas ikja e tij, nuk është fashitur edhe sot e kësaj dite, pavarësisht se na duket se teksa jepte frymë, përsëriste fjalët e Horacit “Non omnis moriar”, pra “Nuk do të vdes i tëri.”

Shpendi Topollaj : Zbulimi i enigmave prej papirusi



l

Në romanin e tij “Neveria” Zhan Pol Sartri, ky ndëshkues me zë i kësaj bote imorale, i mërzitur keq, i zhgënjyer dhe i dëshpëruar prej kotësisë dhe absurdit (këtij gjarpëri prej druri që të zë nga këmbët – sikurse thoshte ai), në një nga kapitujt e fundit të romanit me të njëjtin emër, deklaron me zë të plotë këtë paragraf: “Neveria nuk më ka braktisur dhe besoj se nuk do të më braktisë kaq shpejt, por tashmë ajo nuk më mundon më. Ajo nuk është më sëmundje, as krizë kalimtare, neveria jam unë vetë.” Më ka mbetur në mendje dhe më ka bllokuar frymën kjo thënie e tij, ndofta e artikuluar në ndonjë çast dëshpërimi të thellë. Por në fund të fundit, të udhëtosh dhe të frymosh në atelienë ku përgatiten dhe vegjetojnë monstra njerëzore, ku edhe shenjat më të dobëta që njerëzit kanë shenjuar mbi kuptimin e moralit, janë të shuara dhe inekzistente, gjithçka është e kuptueshme. Sepse letërsia e vërtetë s’është tjetër, veçse një grumbullim instinktiv pasqyrash, ku njerëzit shohin shëmbëllimin e fytyrës së tyre (nëse duan ta shikojnë) në pamje dhe gjendje nga më të ndryshmet. Edhe në këtë kohë, ku të gjithë biem dakord se ekuilibrat shpirtëror e moral anojnë gjithnjë e më shumë nga kahu negativ i neverisë dhe personazhet e Sartrit po e dominojnë këtë botë, ka shumë shkrimtarë që me një pasion të çuditshëm, nuk ngurrojnë që të fusin duart dhe “sqepat” e tyre gjer në fund të rropullive të kësaj neverie, pa u bërë merak për erën e keqe që shpërndajnë.

Pa dashur t`i përziejmë të gjithë në këtë vorbull, kam përshtypjen se shumë prej tyre, nuk nisen me qëllimin e mirë për ta demaskuar të keqen, por për të përfituar diçka prej saj në tregun e lirë të ideve. Është e qartë, se sado interesante të jetë menyja me të cilën serviren ato, shija do të jetë në çdo rast po e neveritshme.

Shpendi Topollaj, edhe pse i takon të ndeshet shpesh me përfaqësuesit më tipikë të kësaj skote, ka zgjedhur një mënyrë krejt të vetën për t`iu kundërvënë atyre; evidentimin dhe ngritjen në kult të mirësisë dhe anëve më të bukura njerëzore. Duket se shqetësimi i tij i përhershëm, ka qenë dhe ka mbetur, eksplorimi në viset ku perversiteti dhe amoraliteti konsiderohen ende si specie të rralla. Librat e Shpendit, shpesh herë të ngjajnë me ato vijat e demarkacionit ku ndahet e mira dhe e keqja, dashuria dhe neveria, heronjtë dhe antiheronjtë, e bukura dhe e shëmtuara, poezia dhe karikatura.

Libri i tij i fundit me titullin enigmatik “Libri si Papirus” të krijon përshtypjen se vjen nga një kohë e hershme e cila nxori përfaqësues mjaft dinjitozë si Homeri, Eskili, Virgjili, Horaci, Dante, Shekspiri, etj. të cilët me veprimtarinë e tyre në ato kohë, mundën të hidhnin bazat edhe të moralit tonë të sotëm, ku mbi të gjitha dominonte thirrja për dashuri, vëllazëri dhe respekt. Dhe jo më kot. Duke u njohur me përmbajtjen e këtij libri, vihet re se shkrimtari nuk mund ta fshehë dot simpatinë që ka për këta emra të cilët bënë epope.

I gjithë ky libër ngjason me një ndërtesë prej letre, në të cilën shkrimtari ka vendosur si banorë të saj emra dhe figura të shquara të letrave, të artit, të kulturës, të shkencave, por dhe të punës, të cilët për veprimtarinë dhe përkushtimin e tyre më ngjajnë kaq shumë me personazhet që do të ëndërronte t`i kishte në romanin e tij virtual “Anti neveria” vetë Sartri.

Mjafton të citojmë një thënie kushtuar atij dhe që sot është bërë e njohur në qarqet letrare se “Shpendi Topollaj, me prozën e tij poetike na kujton sesa i detyrohemi ne këtyre njerëzve të thjeshtë por me shpirt vigani, të cilët me veprimtarinë e tyre na e kanë bërë jetën tonë më të bukur.”

Libri hapet me apologjinë e goditur “Ziliqarë! Mjaft e sulmuat Kadarenë” ku ai nuk druhet t`i vërë gjoksin e mbrojtjes njërit prej gjigantëve të letërsisë shqiptare dhe asaj botërore, nga sulmet mjerane të atyre që në kovaçhanat e errëta dhe të zymta të ligësisë, farkëtojnë armët e ndryshkura dhe ngrenë rrjetat e merimangave për ta goditur atë. Besnik i bindjes së tij, se duke mbrojtur shkrimtarin e madh, ai po mbron njëkohësisht edhe nderin e dinjitetin e cenuar të letrave shqipe, Shpendi, si një Diogjen i kohëve tona, vendos të ndezë para syve të verbuar të moralit të tyre, një kandil drite më shumë. Natyrisht, qëllimi i autorit në këtë shkrim, nuk është që t`i detyrojë ata të shkojnë drejt një katarsisi (pasi ligësia e ka në natyrën e saj që të bëjë të kundërtën). Synimi i tij është të deshifrojë ato pjesë të pathënash që me qëllim janë fshehur ose denigruar deri tani. Duke folur për Kadarenë, autori në shkrimin e tij, tenton artistikisht të zbërthejë filozofinë e qëndresës së gjeniut përballë diktaturës, dhe makiavelizmit të udhëheqësit të saj. Për këtë, autori përdor mjaft mirë një postulat të Stendalit “Politika është një gur në qafën e letërsisë dhe një herë në gjashtë muaj atë e mbyt.” Shkrimi apologjik në fjalë, tenton ta fokusojë vazhdimisht I. Kadarenë përballë njollave keqdashëse të asaj dhe kësaj kohe. Ai që e ka njohur nga afër Kadarenë, thotë Shpendi, e ka të qartë si drita e diellit se ai asnjëherë dhe në asgjë nuk të kujtonte komunistin. Përkundrazi, i urrente dhe fliste me neveri për fanatikët dhe bëmat e tyre. Për këtë, akoma më mirë flet e gjithë krijimtaria e tij letrare, çka bëri që të kryqëzohej në atë plenumin e njohur të Lidhjes së Shkrimtarëve, për veprën “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”. Ai edhe vetë e dinte se me kurajën e tij po rrezikonte. Për Sh. Topollajn, figura e Ismail Kadaresë është dhe do të mbetet sinonim i plotë i asaj sentencës së provuar se “Arti i vërtetë qëndron shumë më lart se insinuatat dhe dyshimet meskine të tipit policesk”. Pa hequr dorë aspak nga idhulli i tij Ismail Kadare, autori në këtë shkrim dhe në vazhdimësi, jep mendime dhe opinionin e tij rreth të ashtuquajturës disidencë shqiptare, si dhe atyre që bënë të kundërtën e saj.

Duke kaluar nga njëri kat në tjetrin, autori na njeh edhe me një banor tjetër të nderuar të tij, Stefan Cvajgu, njeriu i cili tronditi deri në përlotje botën letrare të viteve 1900 – 1942 me veprat e famshme “Amoku”, “24 orë nga jeta e një gruaje”, “Bukinisti Mendel”, “Letra e një të panjohure”, “Novela e shahut” dhe me shumë nga monografitë e tij. Për të karakterizuar vlerat e padiskutueshme të këtij kolosi, autori pohon se vetë atij i shkojnë më së miri fjalët e thëna për Dikensin në ato vite: “Kjo pra është ajo madhështorja, e pavdekshmja në këtë vepër tokësore, madje tepër tokësore, brenda saj ka diell, ajo rrezaton dhe ngroh.” Me fraza koncize, por të ngarkuara me një intensitet shprehjesh dhe logjike prej studiuesi, për Shpendi Topollajn, veprat e mëdha të atit nuk duhen matur vetëm me intensitetin e tyre dhe autorin që i krijuar, por edhe ekstensitetin, efektin e tyre te masat. Cvajgu, në vështrimin e tij studimor, duhet vlerësuar për shumë gjëra, por më së shumti për depërtimin e mençur në subkonshiencën e personazheve dhe në raportet e tyre me historinë dhe kohën. Studiuesi, me entuziazëm, evidenton fuqinë e lartë artistike dhe jetësore me të cilën janë përshkruar heroinat dhe heronjtë e novelave brilante të tij. Njëkohësisht, ai sjell edhe emocionet dhe përjetimet e veta, me të cilat i kanë përcjellë këto vepra lexuesit e brezit të tij.

Për autorin, universi paradoksal i natyrës njerëzore, gjeti kulmin e pasqyrimit te Stefan Cvajgu. Shumë nga monografitë e tij që kritika me të drejtë i ka quajtur biografi të letrarizuara, për Shpendin, fare mirë mund të konsiderohen edhe si romane psikologjikë, sepse ai vetë e kuptonte se idetë dhe teoritë janë ashtu si hijet e Hadit homerik, skema të shpërbëra, pasqyrime pa formë. Edhe në këtë shkrim, autori rreket të japë versionet e veta për qëndrimin e gjeniut ndaj diktaturave.

Duke qenë përherë në kërkim të dritës që këto figura kanë përhapur dhe vazhdojnë të përhapin edhe sot e kësaj dite, autori në momentet që i zbulon, nis të ndihet edhe vetë i mbështjellë prej saj deri në atë shkallë sa s’i vjen drojë që ta shpallë edhe vetveten si vazhdimësi, si pjesë apo gjymtyrë të zbulimit të tij. Aq e madhe dhe joshëse është forca dhe induksioni i tyre. Ndaj, nuk është çudi, kur shpesh në bisedat me të, ne e dëgjojmë ta shpërfaqë vetveten me postulate dhe ilustrime nga jeta dhe veprimtaria e këtyre figurave. Jo pa qëllim, ai përmend Pushkinin që thoshte: “Të gjurmosh mendimet e njerëzve të mëdhenj është një shkencë më vete.”Kjo na shtyn të pohojmë se vepra e hedhur në letër e Shpendi Topollajt, aq sa është nostalgji dhe vlerësim shkencor për kontributin e tyre, aq është dhe sugjerim, deri në një urdhër shoqëror për t`u njehsuar dhe për ta parë veten tonë me sytë e modeleve të krijuara prej tyre. Pa asnjë lloj ngurrimi, Shpendi, vazhdimësinë e tyre vijon ta shohë jo vetëm te vetja e tij, por edhe te një aradhë e tërë shkrimtarësh dhe punëtorësh më të rinj të artit të kohëve tona. Shkrimi i gjatë kushtuar njërit prej shkrimtarëve më në zë, Viktor Canosinaj me titullin “Kur letërsia plekset bukur me historinë” është më kuptimploti. Romanin e tij “Mallkimi i grave”, autori nuk e kundron thjesht si një kronikë e marrë nga arkivat e kohës së pashait të Janinës, por si pohim të asaj, se kur një popull dhe klasë politike nuk i kuptojnë gabimet e tyre të njëpasnjëshme për gjëra të rëndësishme, pasojat mbi të do të jenë të rënda dhe të pariparueshme. Edhe te ky roman, autori kërkon me lupë në dorë, me pasionin e një etnografi dhe historiani, atmosferën e kohës, mentalitetin, psikologjinë, zakonet, folklorin dhe mbi të gjitha gjuhën e kohës. Viktor Canosinaj, thekson studiuesi me gëzim dhe entuziazëm, jo vetëm që ka sjellë një vepër të arrirë, por mbi të gjitha e ka pasuruar gjuhën shqipe me togfjalësha të rinj të panjohura më parë.

Po kështu, edhe te romani i Marçel Hilës, të cilin e konsideron një befasi të këndshme për letërsinë, për elokuencën e të folurit dhe finesën në të shkruar. Te romani i këtij shkrimtari shkodran, Shpendit, i tërheq vëmendjen karakterit burrëror i njeriut fisnik, përballë momenteve dhe rrethanave të vështira dhe nuk i rrihet pa vendosur në analizën e tij artistike thënien e bukur “Më mirë i vdekur se i turpëruar”.

Gjithmonë në kërkim të dritës dhe njerëzve të virtytshëm, autori, hedh penelata drite dhe nderimi ndaj personazheve të arrirë të kësaj vepre. Te Gjelosh Gjeto Kola i romanit të Marçelit, ideali i tij njerëzor gjen vetveten. Për këtë personazh, ai shpreh mendime dhe konsideratat e tij më të larta. E vendos në dritën e diellit dhe nuk lodhet së udhëtuari brenda asaj bote dhe peizazhi shpirtëror që edhe sot e kësaj dite, mund të merret si model vlerash njerëzore.

Personalisht, m`u bë qejfi dhe u gëzova, kur në papiruset e këtij libri, gjeta dhe një shkrim dashamirës për poetin e ëmbël të soneteve durrsake, mikun tim dhe të gjithë krijuesve, Ymer Nurka. Lidhur me librin e tij të ri, Shpendi nuk ngurron të citojë një sentencë interesante të Hegelit se “Shpirti është jeta etike e një populli.”

Novruz Zejnatit, historianit dhe studiuesit të palodhur, por dhe njeriut me shpirt të madh edhe pse “me dy fjalë”, autori i kushton një esse të thellë dhe mjaft serioze. Shkak për këtë, është bërë vepra e tij voluminoze për Ahmet Zogun. Ndërmjet të tjerash, studiuesi Topollaj, thekson se “Dr. Novruz Zejnati, nuk ka nevojë t`i ruhet paragjykimeve apo njëanshmërive politike në trajtimin e kësaj figure, pasi edukata dhe formimi profesional i tij, nuk ka vend dhe nuk e lejon atë të bjerë në të tilla kurthe. Dr. Novruz Zejnati – thekson autori – ka pasur dhe ka vetëm një synim: zbulimin e së vërtetës, hedhjen dritë mbi figurën komplekse të mbretit Ahmet Zog i Parë, ndriçimin e rrethanave dhe kohës në të cilën ai jetoi.” Dhe fakti që vepra e Novruzit ka njohur një interesim të veçantë, flet qartë për këtë.

Pa dashur që të bëj portretin e Shpendi Topollajt, nuk mund t`u fsheh lexuesve faktin se ai me dashurinë dhe predispozicionin për ta ndjekur krijimtarinë e të tjerëve hap mbas hapi, më kujton thellësinë e një burimi ku shkojmë për të pirë ujë, por edhe për të parë shëmbëlltyrën tonë reale në të, pasi uji i pastër i burimit nuk di të gënjejë kurrë.

Një grup i madh portretesh në këtë libër janë dhe ata të përfshirë në shkrimet post morte, kushtuar njerëzve të nderuar të shoqërisë shqiptare pas ndarjes së tyre nga jeta, si poeti, kritiku dhe përkthyesi Perikli Jorgoni, gazetari i njohur i Radio Tiranës, Agron Çobani, piktori Nikolet Vasia, gazetari Garip Troci, veterani Qemal Mançe etj. deri te Mjeshtri i Madh i sportit Ali Kastrati, atij që ndikoi mbi të tjerët, jo vetëm me fjalë, por me të gjithë qenien e tij.

Po t`i kundrosh këto shkrime, të kujtohet ajo fraza e Pitagorës se ikja e tyre drejt lavdisë do përshëndetur me duartrokitje.

“Libri si papirus” përmbledhje kritikash letrare dhe portrete, shoqërohet edhe me parathënien e shkrimtarit të mirënjohur humorist Luan Laze i cili me të drejtë nuk e ndan dot te Shpendi dimensionin njerëzor nga ai krijues. Për këtë, ai merr shkak edhe nga një intervistë e tij e dikurshme televizive të viteve 2000, ku ndërmjet të tjerash, Shpendi zbërthen veten me dy fjalë: “Duhet të kesh një zemër të madhe për të vlerësuar njerëzit dhe kohërat që i bënë ata.”

Jaltë 1945. Stalini shpërthen kundër Shqipërisë



Shqipëria, dhe vende të tilla të vogla nuk e meritojnë të jenë në tryezë me fuqitë e mëdha, kështu ka deklaruar Stalini, idhulli i Enver Hoxhës. E përjavshmja “Investigim” zbulon faktin tronditës të shpërfilljes së vendit tonë nga Cari i kuq në Konferencën e Jaltës. Në librin “Ruzvelti dhe rusët: Konferenca e Jaltës” ish-sekretari amerikan i shtetit përshkruan një ngjarje kureshtare që lidhet me historinë e Shqipërisë në prag të Luftës së Ftohtë. Rrëzohet miti që vendin e vogël ballkanik e bojkotuan vetëm anglo-amerikanët, të cilët, përkundrazi kërkonin të respektoheshin të drejtat e fuqive të vogla.

Nga Thanas Mustaqi

Për Stalinin më 4 shkurt 1945 do të ishte absurde të mendohej se një vend i vogël si Shqipëria duhet të kishte votë të barabartë me Trojkën e Madhe (Bashkimi Sovjetik, Amerika dhe Anglia). Deklarata deri tani e panjohur (për lexuesin shqiptar) e idhullit të Enver Hoxhës, shpreh qartë përbuzjen e shefit të Kremlinit, jo vetëm ndaj vendeve të vogla, por edhe ndaj Shqipërisë,: “A doni që Shqipëria të ketë statusin e njëjtë si Amerika? Çfarë ka bërë Shqipëria në këtë luftë për të merituar një pozitë të tillë?” Kështu do të pyeste në mënyrë retorike J.V. Stalini, bash ditën e parë të Konferencës së Jaltës (4-11 shkurt 1945), gjatë një darke në pallatin perandorak “Livadia”, teksa ngrinte dolli me Ruzveltin dhe Çërçllin.

VIKTIMA E PARË E LUFTËS, VIKTIMA E PARË E PAS-LUFTËS

Në librin, tashmë antikuar, me titullin “Ruzvelti dhe rusët: Konferenca e Jaltës” (Roosevelt and the Russians: The Yalta Conference), botuar në vitin 1949, ish-sekretari amerikan i shtetit, Stetinius (1900-1949), përshkruan dhe një ngjarje kureshtare që lidhet me historinë e Shqipërisë në prag të Luftës së Ftohtë. Më 4-11 shkurt 1945 u mbajt Konferenca e Jaltës, një takim i krerëve të qeverive amerikane, britanike dhe sovjetike, përkatësisht presidenti Frenklin D. Ruzvelt, kryeministri Uinston Çërçill dhe Josif Stalini, për të diskutuar riorganizimin e Evropës së pasluftës. Konferenca u mblodh në pallatin “Livadia” afër Jaltës, në Krime. Është një koincidencë e jashtëzakonshme që Shqipëria,viktima e parë e Luftës së Dytë Botërore, në fund të kësaj lufte, të hapte një konferencë të tillë si ajo e Jaltës, që do të merrej me rimodelimin e Evropës. Dhe, ndryshe nga sa dihej deri tani, Shqipërinë e lanë jashtë OKB-së, jo vetëm SHBA dhe Britania, por edhe Stalini qysh në shkurt 1945, teksa nuk e ftuan as në Konferencën themeluese të OKB-së të San-Françiskos, në prill-qershor 1945. Këtë gjë nuk mundën ta zhbënin sovjetikët dot për 10 vjet!

SYTË E BOTËS DHE TË ENVERIT DREJT KRIMESË

Stetinuesi tregon se më 4 shkurt 1945, presidenti amerikan Ruzvelt shtroi një darkë në pallatin “Livadia” për Çërçillin dhe Stalinin. Sekretari i atëhershëm amrikan i shtetit tregon se liderët e Tre Fuqive të Mëdha ishin në humor të mirë gjatë gjithë kohës që po hanin. U rrokëllyen duzina dolli. Në një nga dollitë e Çërçillit, ai vuri në dukje se gjithë bota i kishte drejtuar sytë te Konferenca. Siç tregojnë dokumentet diplomatike amerikane dhe ato të Zyrës së Shërbimeve Strategjike, Enver Hoxha vërdallisej pranë misionit amerikan për të mësuar diçka për Jaltën. Qeverinë e tij nuk po e njihnin as Amerika, as Anglia, por as Bashkimi Sovjetik. Lideri komunist shqiptar nuk e dinte se komunistët e Moskës nuk e përfillnin. Dhe e keqja do t’i vinte nga Kremlini.

SHQIPONJA DHE ZOGJTË E VEGJËL

Pas dollisë së Çërçillit, ngrihet Stalini, që bëri mjaft të qartë se ishte dakord me kryeministrin se tri Fuqitë e Mëdha, të cilat kishin mbajtur barrën e luftës, po ato duhet ta mbrojnë paqen. Cari i kuq shpërthen: do të ishte absurde të mendohet se një vend i vogël si Shqipëria duhet të ketë votë të barabartë me Trojkën e Madhe. Stalini tha se ishte i gatshëm, të bashkohej me Amerikën dhe Britaninë e Madhe për të mbrojtur të drejtat e shteteve të vogla, por kurrë nuk do të binte dakord me çfardo veprimi të ndonjë prej Fuqive të Mëdha për t’iu nënshtruar gjykimit të fuqive të vogla. Ruzvelti dhe Çërçilli u përgjigjën se duheshin respektuar të drejtat e kombeve më të vogla. Por Mareshali ua kthen: “Jugosllavia, Shqipëria, dhe vende të tilla të vogla nuk e meritojnë të jenë në këtë tryezë. A doni që Shqipëria të ketë statusin e njëjtë si Amerika? Çfarë ka bërë Shqipëria në këtë luftë për të merituar një pozitë të tillë?” Nobelisti i ardhshëm në letërsi, kryeministri britanik iu përgjigj me një frazë të hollë: “Shqiponja duhet të lejojë zogjtë të vogël të këndojnë dhe të mos shqetësohet pse kënduan”. Tjetër koincidencë e hidhur: shqiponja, simboli i shqiptarëve, tani ishte simboli i një fuqie të madhe, që ha zogjtë e vegjël.

SAN FRANÇISKO

Por sovjetikët nuk u mjaftuan me kaq. Në Jaltë, SHBA, BS, dhe Britania hartuan ftesa për një konferencë, që do të fillonte punimet në prill 1945 në San Françisko dhe që do të krijonte zyrtarisht Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Konferenca e San Françiskos u hap më 25 prill 1945, me delegacionet nga pesëdhjetë vende. Pas zgjidhjes së çështjeve më të diskutuara, Konferenca e San Françiskos u mbyll më 26 qershor, 1945. Në shenjë mbështetjeje, Presidenti amerikan Truman mori pjesë në sesionin përfundimtar për nënshkrimin e Kartës së Kombeve të Bashkuara, dhe i uroi delegatët për krijimin e një “strukture solide mbi të cilën ne mund të ndërtojmë një botë më të mirë”. OKB-ja zyrtarisht u quajt e themeluar më 24 tetor 1945, pasi Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Sovjetik, Britania e Madhe, Kina dhe Franca, si dhe shumica e nënshkruesve të tjera, kishte ratifikuar Kartën e Kombeve të Bashkuara.

HIDHËRIMI

31 mars 1945 Enver Hoxha me cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Ministrave të Qeverisë Demokratike të Shqipërisë u dërgon një Kërkesë tre kryetarëve të Fuqive të Mëdha, lidhur me pjesëmarrjen e Shqipërisë në Konferencën e San-Françiskos, ku ndërmjet të tjerave ai shkruan: “Ndër shtetet që kanë luftuar krah për krah me shtetet aleate për të mposhtur Gjermaninë hitleriane, Shqipëria zë një vend të rëndësishëm për hir të luftës së pareshtur që ka bërë kundër armikut të përbashkët dhe për hir të sukseseve që kanë kurorëzuar përpjekjet dhe sakrificat e saja të panumërta. Me hidhërim konstatoj se shtete të tjerë, të cilët nuk kanë dhënë asnjë kontribut në këtë luftë, janë ftuar me kohë dhe pregatiten të dërgojnë përfaqësitë e tyre në San-Françisko. Kjo është një arsye më tepër që provon se pjesëmarrja në Konferencën e San-Françiskos i takon me të drejtë Qeverisë Demokratike të Shqipërisë, e cila është shprehja më e gjallë e popullit tonë heroik që meriton në çdo pikëpamje të japë gjithashtu kontributin e tij në rregullimin e çështjeve që i përkasin paqes së ardhshme të popujve, ashtu sikurse nuk ka kursyer në kohë lufte gjakun e tij për kauzën e përbashkët”.

Por më kot. Trojka e Madhe e kishte vendosur: Shqipëria nuk do të ftohej.

Dokumenti

Mareshali: Çfarë ka bërë Shqipëria në këtë luftë?

Fragment nga libri i Edward R. Stettinius Jr. “Roosevelt and the Russians: The Yalta Conference”. Doubleday & Company, Inc., Garden City, New York, 1949

Në 8:30 të mbrëmjes [1] Presidenti [2] shtroi një darkë në pallatin “Livadia” për Çërçillin dhe Stalinin. Të vetmit amerikanët të ​​pranishëm, përveç Presidentit, ishin Harrimani [3], Bohleni [4], Bërnsi [5] dhe unë [6]. Liderët e Tre Fuqive të Mëdha ishin në humor të mirë gjatë gjithë kohës që po hanim. U rrokëllyen duzina dolli. U zbavita së tepërmi kur vërejta se Stalini piu gjysmë gote vodkë dhe, kur po mendonte se askush nuk po e shihte, fshehurazi hodhi ujë në gotë. Gjithashtu vura re se ai me sa dukej parapëlqente më tepër cigare amerikane sesa ruse.

Në një nga dollitë e Çërçillit, ai vuri në dukje se gjithë bota i kishte drejtuar sytë te Konferenca, dhe, nëse ne kemi qenë të suksesshëm, mund të kishim paqe për njëqind vjet. Me tone të sigurta shprehu besimin se të tri fuqitë, që kanë derdhur gjak dhe kanë luftuar, do të mbronin paqen.

Stalini e bëri mjaft të qartë në dollitë e tij se ishte dakord me Kryeministrin se tri Fuqitë e Mëdha, të cilat kishin mbajtur barrën e luftës, po ato duhet ta mbrojnë paqen. Ai tha se ishte absurde të mendohet se një vend i vogël si Shqipëria duhet të ketë votë të barabartë me Trojkën e Madhe. Ai ishte i gatshëm, deklaroi, të bashkohej me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe për të mbrojtur të drejtat e shteteve të vogla, por kurrë nuk do të binte dakord me çfardo veprimi të ndonjë prej Fuqive të Mëdha për t’iu nënshtruar gjykimit të fuqive të vogla.

Presidenti dhe Kryeministri u përgjigjën se ishin dakord që Trojka e Madhe domosdo duhet të mbajë përgjegjësinë kryesore për paqen, por ata vunë në dukje se ishte thelbësore që kjo forcë të ushtrohej në mënyrë të moderuar dhe duke respektuar të drejtat e kombeve më të vogla. “Jugosllavia, Shqipëria, dhe vende të tilla të vogla nuk e meritojnë të jenë në këtë tryezë”, deklaroi Mareshalli. “A doni që Shqipëria të ketë statusin e njëjtë si Amerika?” pyeti ai. “Çfarë ka bërë Shqipëria në këtë luftë për të merituar një pozitë të tillë? Ne tre duhet të vendosim se si të ruajmë paqen në botë, dhe nuk do të ruhet nëse nuk vendosim ne të tre për ta bërë këtë”.

Kryeministri iu përgjigj kësaj deklarate: “Shqiponja duhet të lejojë zogjtë të vogël të këndojnë dhe të mos shqetësohet pse kënduan”.

Gjatë bisedës në darkë, Vishinski [7] thirri mënjanë Bohlenin dhe e paralajmëroi se Rusia asnjëherë nuk do të jetë dakord që shtetet e vogla të kenë të drejtën e gjykimit të një akti të Fuqive të Mëdha. Kur Bohleni tha se delegacioni amerikan në Jaltë duhej të kishte parasysh shqetësimin e popullit amerikan për mbrojtjen e të drejtave të popujve të vegjël, Vishinski u përgjigj: “Amerikanët duhet të mësojnë t’u binden udhëheqësve të tyre”. Bohleni tha pastaj se nëse Vishinski do të vizitonte Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të donte ta shihte të merrte përsipër t’ia thoshte këtë popullit amerikan, Vishinski u përgjigj se ai do ishte i kënaqur të vinte në Amerikë dhe t’ua thoshte këtë gjë amerikanëve.

Përkthimi, titulli dhe shënimet janë të “Investigim-it”

[1] Më 4 shkurt 1945, dita e parë të Konferencës së Jaltës.

[2] Presidenti amerikan Ruzvelt.

[3] Harriman, në atë kohë ambasador amerikan në Moskë.

[4] Bohlen, në atë kohë përkthyes nga rusishtja i presidentit Ruzvelt.

[5] Burnes, në atë kohë këshilltar pranë presidentit Ruzvelt, pas disa muajsh presidenti Truman e emëron Sekretar Shteti.

[6] Autori i librit, Stettinius, në atë kohë Sekretar i Shtetit.

[7] Vishinski, atë kohë zëvendës-komisar i popullit i Punëve të Jashtme i BRSS.



Personazhe të darkës në Jaltë

Frenklin Ruzvel

Franklin Delano Roosevelt (1882-1945), President i SHBA-së (1933-1945), figurë qendrore në ngjarjet botërore në mesin e shekullit XX, udhëhoqi Amerikën në kohë krize botërore ekonomike dhe lufte botërore. Presidenti i vetëm i zgjedhur në më shumë se dy mandate, ai kontribuoi në ndërtimin e një koalicioni të qëndrueshëm që ristrukturoi politikën amerikane. Ka punuar nga afër me Çërçillin dhe Stalinin në udhëheqjen e aleatëve në Luftën e Dytë Botërore, por vdiq atëherë kur fitorja ishte në horizont.

Uinston Çërçill

Winston Churchill (1874-1965), politikan konservator britanik dhe burrë shteti i njohur për udhëheqjen e e Mbretërisë së Bashkuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Është konsideruar gjerësisht si një nga udhëheqësit më të mëdhenj të shekullit të kohës së luftës dhe ka qenë dy herë Kryeministër (1940-1945 dhe 1951-1955). Përveçse burrë shteti dhe orator, Çërçilli ka qenë oficer në ushtri, historian, shkrimtar dhe artist. Është i vetmi kryeministër britanik që kanë marrë çmimin Nobel në letërsi.

J.V. Stalin

Josif Visarionoviç Stalin (1879-1953), politikan dhe diktator sovjetik. Në vitet 1917-1922 komisar i popullit për kombësitë. Nga viti 1922 ishte sekretar i përgjithshëm i partisë. Në gusht 1939 nënshkroi paktin e mossulmimit me Gjermaninë. Nga viti 1941 kryetar i këshillit të komisariatit të popullit, komandant dhe shef suprem i Ushtrisë së Kuqe, në vitin 1943 mareshall. Pas vdekjes së tij Kongresi XX i PK të BS (1956) ndërmori fushatën e destalinizimit dhe të rehabilitimit të viktimave të tij.

Edjuard Stetinius

Edward Reilly Stettinius, Jr. (1900-1949) ka qenë Sekretar i Shtetit nga 1 dhjetori 1944 deri më 27 qershor 1945. Ai luajti rol të madh si ndihmës i posaçëm i Presidentit në vitin 1941 deri në vitin 1943, kur u emërua nën-Sekretar i Shtetit. Pas daljes në pension të Sekretarit të Shtetit Kordell Hall, Stetiniusi zuri vendin e tij. Shoqëroi Ruzveltin në Konferencën e Jaltës në shkurt 1945. Dha dorëheqjen më 27 qershor 1945, për t’u bërë i pari ambasador i SHBA në OKB, deri në qershor 1946.

Çarls Bohlen

Charles Bohlen (1904-1974) ishte diplomat amerikan në periudhën 1929-1969 dhe ekspert për problemet sovjetike, shërbeu në Moskë para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe si përkthyes nga rusishtja i Presidentit Ruzvelt në Konferencën e Teheranit (1943) dhe në Konferencën e Jaltës (1945), ambasador në Moskë (1953-1957), ambasador në Filipine (1957-1959) dhe në Francë (1962-1968). Ai u bë shembull i politikës së jashtme jopartiake në grupin e njohur me emrin “Të Urtët”.

Xhejms Frensis Bërns

James Francis Byrnes (1882-1972) burrë shteti amerikan. Ka qenë anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve (1911-1925), senator (1931-1941), anëtar i Gjykatës së Lartë (1941-1942), Sekretar Shteti (3 korrik 1945 – 21 janar 1947) dhe Guvernatori i Karolinës së Jugut (1951-1955). Ishte një nga politikanë e pakët që ka punuar aktivisht në të tri degët e qeverisë federale, Ishte konfident i Presidentit Ruzvelt, dhe një nga njerëzit më të fuqishëm në politikën amerikane të brendshme dhe të jashtme në mesin e viteve 1940.

Andrej Vishinski

Andrej Januarjeviç Vishinski (1883-1954), politikan, jurist dhe diplomat sovjetik. Në vitin 1935 Prokuror i Përgjithshëm i Bashkimit Sovjetik. Zëvendëskryeministër (1939-1944), zëvendës-komisar i popullit i Punëve të Jashtme i BRSS (1940-1946), zëvendësministër i parë i Punëve të Jashtme (1946-1949), Ministër i Punëve të Jashtme (1949-1953), zëvendësministër i parë i Punëve të Jashtme dhe përfaqësues i përhershëm i BRSS-së në OKB (1953-1954). I famshëm për gjyqet staliniane.

Uilliam Averell Harriman

William Averell Harriman (1891-1986) politikan, biznesmen dhe diplomat amerikan. Kryetar, ambasador dhe përfaqësuesi i posaçëm i misionit special të Presidentit të SHBA-së në BRSS (1941-1943); ambasador në Moskë (1943-46); Sekretar i Tregtisë (1946-1948) në kohën e Presidentit Herri Truman; Guvernator i Nju Jorkut (1955-1958); koordinator i SHBA në Planin Mareshal (1948-1950). Ka shërbyer në pozicione të ndryshme në administratat e presidentëve Kenedi dhe Xhonson.

“PARATHËNJE” E KONFERENCËS SË JALTËS...

Nga Fritz RADOVANI:




“PARATHËNJE”  E  KONFERENCËS  SË  JALTËS...
13 TETOR 1943



ALEATËT  BOMBARDOJNË  TIRANËN

503 QYTETARË TË VRAMË... NË TIRANË!

■Lufta e Dytë Botnore hapi një kapitull të ri, aq sa dramatik edhe të turpshëm për të gjithë ata që me të gjitha mjetët e tyne po, edhe të tonat, kanë punue për shfarosje të Trojeve Shqiptare dhe shkombtarizimin e pandërpremë të Popullit dhe Shtetit Shqiptar Europjan.

■I vetmi shtet që nuk kishte pretendime të zhdukjes sonë nga harta e Evropës, ishte Gjermania. Edhe kur ajo ishte në falimentim të Luftës, autorizon Rregjencën Shqiptare nëpërmjet At Anton Harapit, me u lidhë me Aleatët, për me mujtë me shpëtue nga bolshevizmi stalinist dhe neoshovenizmi ruso – sllav i pashmangshëm që po pushtonte Ballkanin dhe Europen Lindore. (Dishmi gojore e Regjentit Cafo Beg Ulqini, 1968).

■NË SHTËPINË NR. 173, NË RRUGËN E KAVAJËS…ORA 13.13’

Edhe pse isha vetëm 3 vjeç, e kujtoj si tashti…

Një zhurmë e mnershme, shurdhuese, vinte si gjamë prej qiellit, e dukej se po na merr me vedi bashkë me pullaze, oxhakë, hatlla e trena, tue rrënue e prishë murët prej qerpiqësh bashkë me dyer e dritare.  Krizmat e xhamave të thyem përzihëshin me uturimat e avionëve anglezë, që pa pikë mëshire hidhnin bomba mbi krenat tonë, që nuk merrnim vesh asgja se shka po bahej mbi né e pranë nesh. Ashtu si ishim në atë sofër të asaj të zezë drekë, pa u çue mirë e me kafshatë të fundit në gojë, u drejtuem nga shkalla për me zbritë në podrum.

Ajo ishte pamja e vetme e fundit e babës së gjallë, kur u çue në kambë me një vile rrushi që kishte në dorë, më tërhoqi prej krahu…e nuk di gja ma gjatë….veç, për pak çaste, rá në fundin e shkallëve dhe, i shtrimë ndër pllaka të korridorit përballë derës kryesore të hymjes, u mbulue me gjak. Pizhamat ngjyrë banane, me polseta e kolet të zi, i tërhiqja me sa forcë kisha n’atë lamë gjaku, tue thirrë: “BABË, ÇOU !”...
***
14 Tetor 1943, gazeta “Kombi” në Tiranë, fillon me botue listen e të vramëve nga bombardimi i bamë njëditë ma parë në Kryeqytetin e Shqipnisë...Numri i të vdekunve fillon nga shifrat 70... 85... dhe arrinë në 503 vetë. (Shifra asht dishmi i At Pjeter Mëshkallës, Klerik tek Kisha Katolike Tiranë, në Rrugen e Kavajës, që ka vojue Babën tim 30 minuta mbas vdekjes.)

■Bashkë me kufomat e viktimave varroset edhe kjo ngjarje e shemtueme që u ba mbi popullsinë e pafajshme të Tiranës. Populli Shqiptar asnjëherë nuk ka kenë agresor, as pushtues i një pëllambe tokë të shteteve fqinjë. Ai nuk asht angazhue në asnjë blok gjatë Luftës së Dytë Botnore, madje asht shteti i parë që u pushtue nga Italia fashiste më 7 prill 1939.

■Nuk duhet harrue se ngjarja e 13 Tetorit 1943, asht masakra ma e përgjakshme e bame mbi Popullin e pambrojtun Shqiptar gjatë gjithë Luftës së Dytë Botnore.

■Atëherë, pse na bombarduen, na gjakosën, na robnuen nga sllavët... dhe heshtën?

Gati para 20 vjetësh z. Rudina Xhunga asht përsoni i parë që ka shkrue për këte ngjarje pothuej të harrueme... dhe kam shkue për me e falnderue. E pyeta nëse ke mujtë me kuptue pse asht lanë në harresë gjithë këto vjetë një tragjedi kaq e madhe e Popullit Shqiptar, që pa kenë Aleat me pushtuesit, bombardohet një rrugë nga aeroporti e deri tek Kisha e Jezuitëve, kur njerëzit ishin tue ngranë drekë, vritet vetëm popullsi civile dhe asnjë ushtar nazist, dhe Shteti Shqiptar për 55 vjetë heshtë?...Edhe ajo e çuditun kishte pyet pak ditë përpara Nexhmije Hoxhën, e cila i asht përgjegjë: “Nuk kishim sesi përderisa né ishim të lidhun me Aleatët, ata e bënë!...”

■Koha vjen tue kjartësue synin dhe mendjen! Pra, Aleatët e lidhun me sllavokomunistët tanë vrasin vetëm me ushtrue terror mbi popullsinë e pafajshme, për me e nënshtrue e robnue ate!

■Vazhdojmë me dokumenta të botueme kohët e fundit:

Lexoni tek libri “I dashur Stalin...” Letërkëmbimi i plotë i Fraklin D. Ruzvelt dhe Josif V. Stalinit. Radaktuar dhe pajisur me shpjegime nga Susan Butler, Parathënia nga Arthur Schlesinger, Jr.
Përkthye nga Olgerta Visi, Shtypur nga “KRISTALINA-KH”, Tiranë 2006.

■“Ruzvelti – 134 –  (Faqe 240)

              12 Tetor 1943

              Mesazh personal për mareshal Stalinin

              Badolio do t’i shpallë luftë Gjermanisë me 13 tetor.

Bazuar në marrëveshjet e traktatit të mëparshëm, Aleatët do të sigurojnë ndihmë ajrore dhe detare në Azore.                               

   RUZVELT 

■“Stalini – 135 –

              14 tetor 1943

              Stalini, drejtuar Ruzveltit

Mora mesazhin tuaj të datës 13 tetor. Ju falënderoj për informacionin e vënë nën dispozicionin tim. U uroj forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe suksese të mëtejshme.”(Theksimi im F.R.)
***        

■Do t’ishte i tepërt komenti! Vazhdojmë me fakte tjera...

              Faqe 360: Çërçill shkon në Moskë tek Stalini. Me të mërritur në Moskë në mbremje të po asaj dite (10 tetor 1944), i propozoi troç Stalinit të ndanin Ballkanin si më poshtë:

■“Lé të zgjidhim përfundimisht problemet tona në Ballkan. Armatat tuaja ndodhën në Bullgari... Lé të lidhim marrëveshje midis nesh – Britanisë dhe BS-së. Si do të gjykonit, do të ishit të kënaqur sikur të kishit nën kontroll 90 për qind të Rumanisë, ndërsa né 90 për qind të Greqisë dhe Jugosllavia të ndahej përgjysëm?”...

■Më pas sipas pohimeve të Çërçillit, “Stalini mori shkumsin me ngjyrë blu dhe bëri një shenjë V miratimi mbi planin e paraqitur. Gjithçka ishte zgjidhur sa hap e mbyll sytë, më shpejt se të ulesh e të ngrihësh.”

■Faqe 399: “ Jalta.

              6 shkurt 1945.

              I dashur mareshali Stalin,

              ...Jam i vendosur të ndërmarr çdo masë të mundshme që marrëdheniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik të mos cenohen aspak. Sigurisht që pikëpamje të ndryshme do të ketë, por do të gjejmë gjithmonë gjuhën e përbashkët dhe një mënyrë për të sheshuar mospajtimet...
                                                                     
 Sinqerisht i juaji FRANKLIN D. RUZVELT”

■Marrëveshja në lidhje me hyrjen e Bashkimit Sovjetik në luftë kundër Japonisë:

“....Krerët e Tri Fuqive të Mëdha duhej të pajtoheshin njëzëri që, kërkesat në fjalë të Bashkimit Sovjetik, të plotësoheshin pa diskutim pas kapitullimit të Japonisë.” Faqe 449.

■Për mos me ndikue lexuesin e këtij materiali me mendimet e mija në lidhje me këto ngjarje tragjike të fatit të popujve të Botës, do të kaloj në disa dokumenta tjera shumë me rendësi, që i përkasin po kësaj periudhë historike të Luftës së Dytë Botnore.

■Henry Kissinger “Diplomacia”, Leximi, në kancelaritë e Perëndimit, duhet të fillojë detyrimisht nga ky libër”Alan Clark, The Times. Përkthye P.Pojani; Red. M. Raxhimi. Tiranë: Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, 1999. Shtypur në Shtypshkronjën LAERT.

■Henry A.Kissinger asht betue me 22 shtator 1973 si Sekretar i pesdhjet e gjashtë i Shtetit, detyrë që e mbajti deri me 20 janar 1977. Ka marrë çmimin “Nobel” për Paqen në vitin 1973, si dhe çmime të tjera të rëndësishme të Shteteve të Bashkueme të Amerikës.

Falemnderës z. Kissinger per këte thesar historik që i keni dhurue Botës Perparimtare!

■“Fobia e Stalinit u shpreh gjerësisht në eleminimin prej tij të të gjithë kundërshtarëve poltik, të mundshëm të brendshëm dhe në vrasjen e internimin e miljona të tjerëve që e kundërshtonin atë, vetëm në fantazitë e tij.” Fq. 337.

“Rasti ishte Kongresi i XVIII i PK të BRSS, ...mbledhja e parë mbas pesë vjetësh...nga 2000 delegatë, merrnin pjesë vetëm 35 nga ata të pesë viteve maparë; 1100 të tjerë ishin arrestuar për veprimtari kundërrevolucionare; ishin likujduar 98 nga 131 anëtar të K. Q., sikundër edhe tre nga pesë mareshalët Ushtrisë së Kuqe dhe 11 zëvendëskomisarët e mbrojtjes, të gjithë komandantët ushtarakë të rajoneve dhe 75 nga 80  anëtarët e Këshillit të Lartë të Mbrojtjes.” fq.339.

“Çdo ushtri “çlirimtare” sovjetike do të kthehej në një ushtri pushtuese.” fq.343

 ■“Çdo udhëheqës i madh ka rrugën e vet...Ruzvelti kishte krejt karakterin, energjinë e mjeshtrinë e diktatorëve dhe ishte në anën tonë.” Fq.370.

Faqe 371: “Deri në raportin para Kongresit mbi Jaltën me 1945, Ruzvelti qëndronte gjithmonë më këmbë sa herë që mbante ndonjë fjalim të rëndësishëm. Duke qenë se media i përshtatej përpjekes së Ruzveltit për të luajtur rolin e tij me dinjitet, shumica dërrmuese e amerikanëve, asnjëherë nuk e kuptuan sesa i gjymtuar ishte Ruzvelti ose perceptimet e tyre kishin ngjyra mëshire.... ishte një kombinim i papërcaktuar i manipuluesit dhe ëndërrimtarit politik. Ai drejtonte më tepër në bazë të instiktit, sesa analizës...Sikundër e përshkruante Isaiah Berlini: Ruzvelti kishte të meta serioze në karakter, midis të cilave paturpësinë, ashpërsinë, cinizmin...”

■Ruzvelti deklaroi: “Britania e Madhe duhet të mbronte Evropën, pa asnjë ndihmë nga Amerika... Unë nuk dua që Shtetet e Bashkuara të kenë barrën e rindërtimit të Francës, Italisë dhe Ballkanit....Në shkurt 1945, në konferencën e rëndësishme të fituesve në Jaltë, Ruzvelti qortoi Çerçillin në prezencë të Stalinit...ai vuri në lojë qellimin e tij...” Fq.396.

■“Ruzvelti mbështetej në marrëdhënjet me Stalinin në një mënyrë që Çërçilli kurrë nuk do ta bënte...në Teheran nga 28 nëntori deri 2 dhjetor 1943, në Jalta nga 4 deri 11 shkurt 1945.(fq. 410)  Ruzvelti parapëlqente të shihte te Stalini më mirë një mik si xhaxha, sësa një diktator totalitar.”

“Jalta polli turpin për fizionominë e botës së pasluftës.”

***
■“Shpëtimtarët e njerzimit”...kalojnë miljona njerëz nën zgjedhën barbare komuniste për 50 vjet!

Lufta e Dytë Botnore përfundoi me mbi 50 miljon varreza...mbi të cilat, diktatorët ngritën monumentet e tyne rrethue me “lulet” e mbjelluna mbi mjerim të popujve.

U bombardue Moska, Leningradi, Varshava...

U bombardue Berlini, Roma e Tokio...U hodhën edhe bombet atomike në Japoni!

U bombardue edhe Tirana...

Të gjithë popujt filluen rindërtimin e vendit nga rrënimet e luftës...

As sot nuk dihet kush fitoi lirinë dhe të drejtat thëmelore të jetës së njeriut!

Shqipnia,... jo!

Tirana u bombardue me 13 tetor 1943 dhe u la varrezë e një Populli Martirë, që për 50 vjet të tjera vazhdoi me u rrënue, me u torturue, me u masakrue, me u shpartallue, me u burgosë, me u pushkatue, me u interrnue, me u vorfnue, me u dhunue, me u çkombtarizue...Ndersa, qendrimi i Aleatëve ndaj familjeve të viktimave të të vramëve nga bombardimet e komunizmi që na sollen ata, asht një kapitull në vete që duhet trajtue bashkë me kapitullin e diasporës prokomuniste!

Kur Shqipnia, vazhdon me u plaçkitë nga komunistët kapitalistë të Enverit e stërnipat e Stalinit!
Po, si dikur...Vazhdon me trokitë në dyert’ e Evropës, tue kerkue edhe “Rilindjen komuniste”!..


              Melbourne, 12 Tetor 2015.

2015/10/11

Kombëtarja shqiptare në futboll ka jetësuar ëndrrën shqiptare(ARMENIA-SHQIPËRIA:0:3)


“Rrugë të mbarë për në Europian shqipe”, shkruan ne faqen e tij zyrtare në Facebook, Presidenti i Republikës Bujar Nishani.




Ai e shoqëron komentin e tij me foton e një shqiponje, pas pjesës së parë të ndeshjes Shqipëri-Armeni, gjate se cilës Shqipëria shënoi  3 gola.







Armando Sadiku ka shënuar golin e tretë për Shqipërinë në përballje me Armeninë (0-3), takim ky që po luhet në sfidën e fundit të eliminatorëve për EURO 2016.

Sadiku i sapoinkudruar në lojë, ia doli që në minutën e 75-të shënon gol dhe tashmë fitorja thuaj se është e sigurt, kështu që kuqezinjtë tashmë janë në Evropianin e Ardhshëm.







Shqipëria e ka mposhtur në Yerevan Armeninë, me rezultat 0-3, duke siguruar kualifikimin historik për në Evropianin “Francë 2016”.

Ikona e futbollit shqiptar, Lorik Cana bashkë me bashkëlojtarët e tij dhe të dirigjuar shkëlqyeshëm nga strategu Gianni De Biasi, tashmë kanë hyrë në analet e historisë shqiptare, sepse për herë të parë Shqipëria kualifikohet në një eveniment kaq të madh siç Kampionati Evropian.

Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar një super ndeshjes në përballje me armenët, duke qenë skuadër dukshëm më e mirë në terren dhe duke shënuar tre gola.

Futbollistët e Kombëtares sonë pas nëntë minutave lojë kaluan në epërsi me autogolin e Kamo Hovhannisyan, ndërkaq, rezultatin në 2-0 e ngriti Berat Gjimshiti në minutën e 23-të, rezultat më të cilin skuadrat shkuan në pushim.

Edhe në fraksionin e dytë të ndeshjes është zhvil luar lojë mjaft e mirë. Ndërsa sulmuesi Armando Sadiku, i sapo inkuadruar në lojë i dha goditjen e tretë Armenisë duke shënuar golin e tretë dhe të sigurisë për Shqipërinë.

Pas kësaj fitore, Shqipëria tani siguron pozitën e dytë në Grupin I më 14 pikë, ndërsa Danimarka kualifikimin do ta kërkojë në ndeshjen e barazhit.

Përfundimisht Shqipëria pas një rrugëtimi tejet të vështirë, prek ëndrrën shqiptare.

Kualifikimi historik i kuqezinjve ka bërë që tashmë e gjithë Kosova dhe Shqipëria, sidomos Tirana e Prishtina të jenë në festë të madhe.





KUALIFIKIMI I SHQIPËRISË VLEN 
12 MILIONË EURO



Federata Shqiptare e Futbollit pritet të fitojë 12 milionë euro nëse Kombëtarja shqiptare kualifikohet në kampionatin Evropian të futbollit “Francë 2016”.

Tashmë që Shqipëria ndodhet vetëm një ndeshje larg kualifikimit në “Euro 2016, fitorja sot në Jerevan ndaj Armenisë, përveç ndjenjës kombëtare ka edhe një rëndësi në aspektin ekonomik, teksa play­offin e ka të siguruar.

Shqipëria do të ‘lundrojë’ në miliona euro ose miliarda lekë nëse do të kualifikohet.

Kampionati Evropian është mjaft fitimprurës për çdo ekip që arrin të kualifikohet, pasi UEFA, të drejtat televizive, por edhe sponsorët e ndryshëm sjellin përfitime marramendëse, sidomos për federata të vogla, si në rastin e Shqipërisë.

Vetëm për fazën e grupeve për kualifikueset Shqipëria mori 5 milionë euro. Ndërsa nëse kualifikohet, Shqipëria do të marrë 12 milionë euro.

Të njëjtën shumë do të marrin të gjitha kombëtaret që kualifikohen, pa llogaritur financimet përmes sponsorëve. Ndërsa në fazën e grupeve në ‘Francë 2016’, çdo fitore vlen 1 milionë euro, ndërsa barazimet 500 mijë euro.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...