Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/10/15

Andrea Stefani: Heroi im nuk është Ballist Morina, por serbi Vojkan Udovičić

Andrea Stefani: Heroi im nuk është Ballist Morina, por serbi Vojkan Udovičić
Andrea Stefani ka bërë një shkrim tek gazeta Dita, për atë që ai e cilëson si dalldia nacionaliste që shpërtheu në Shqipëri pas kualifikimit të Kombëtares në Europian.

“Dalldia nacionaliste e turmave që shpërtheu pas kualifikimit të përfaqësueses së Shqipërisë për në finalet e kampionatit europian, tregon se ca shqiptarëve akrepat e orës u kanë mbetur shumë prapa në kohë, atëherë kur çështja e kombëtare ishte parësore dhe përparimtare në Europë dhe më gjerë. Por sot gjërat kanë ndryshuar thuajse rrënjësisht.

Nacionalizmi etnik që shpallej revolucionar dhe i dobishëm është sot i prapambetur dhe i rrezikshëm. Në Europë sot parësore nuk është çështja kombëtare por përkundrazi, tejkalimi i trazimeve dhe narcizmit kombëtar, për një integrim mbikombëtar (supranacional). Kjo është sot ambicia, strategjia europiane.

Në qendër të kësaj ambicieje është forcimi i shtetit të qytetarëve të lirë dhe, si i tillë, edhe si shoqëri e hapur e aftë të integrohet edhe me shtetin tjetër fqinj, nëse edhe ai është një shoqëri qytetarësh të lirë, drejt një bashkësie politike supranacionale”, shkruan Stefani.

Ai thotë se Ismail Morina, që shumë e konsiderojnë si hero, në fakt nuk është.

Stefani shkruan se heronj janë studentët serbë që erdhën në Tiranë.

“Ata studentë serbë që erdhën në Tiranë dhe u deklaruan për paqe e fqinjësi të mirë mes serbëve dhe shqiptarëve, janë ku e ku më europianë se Ismail Morina që me ngritjen e dronit në stadiumin e Beogradit, nuk bëri gjë tjetër veçse e ushqeu edhe më shumë marrëzinë e turmave nacionaliste që, padyshim, janë prezente akoma në të dy vendet.

Por a është e dobishme për një vend, a është e qytetëruar, a është patriotike të udhëhiqet në politikën e vet nga marrëzia e turmave? Morina dhe gjithë turmat nacionaliste në Beograd dhe në Tiranë, shohin prapa duke mbetur skllevër të së kaluarës, të së vdekurës, viktima të asaj sëmundjeje të tmerrshme që e ka emrin nacionalizëm!

Ata, në thelb, janë pacientë dhe jo heronj. Kanë nevojë të kurohen nga virusi i etnonacionalizmit dhe jo të brohoriten. Aq më pak të pasohen”, shkruan Stefani.

“Është shumë më europian studenti serb, Vojkan Udoviçiç, që pas vizitës në Tiranë, duke u ngritur mbi mllefin këmbëngulës të disa mediave në atdheun e tij për të ngjallur paragjykime dhe antipati për shqiptarët, duke u ngritur mbi nacionalizmin dhe armiqësitë e kalçifikuara ndër shekuj, deklaroi se, ndryshe nga ç’propagandohet rëndom në Beograd, ai kish parë me sytë e tij se shqiptarët janë njerëz shumë të mirë, të besës, mikpritës dhe tolerantë “të ngrohtë si klima e Shqipërisë”. Një mesazh fisnik që kërkon të vadisë atë që është natyrore, miqësinë mes kombeve”, vijon ai.

Stefani shkruan se heronj nuk janë nacionalistët, por njerëzit që kanë zgjedhur të shohin nga vlerat europiane.

“Ata e dhanë mesazhin e paqes dhe emancipimit kur krejt europianisht, krejt ndryshe nga ç’ndodhi në stadiumin e Beogradit, përcollën ndeshjen Shqipëri-Serbi në Tiranë. Edhe ata janë heronjtë e mi, patriotët e vërtetë, dhe jo Morina dhe as turmat nacionaliste në Beograd apo Tiranë, që replikojnë në distancë me “raketat” sharjeve vulgare, kërcënimeve dhe gjakimeve barbare vdekjendjellëse”, e mbyll shkrimin e tij Stefani.

Sylejman Dida, a asht kjo lufta e fundit?!



Ramiz LUSHAJ

Sylejman Dida, a asht kjo lufta e fundit?!
1.
Në vjeshtë ’99 nëse Kukësit nuk iu dha Nobeli ndërkombëtar për Mirëpritjen e Mikpritjen e Shqiptarëve të Kosovës të dëbuar nga spastrimi etnik millosheviçian, atëherit po mendoj se Sulejman Dida, ky djalë i Kukësit, në kit’ vjeshtë 2014 me veprën e tij “Dëbimi i shqiptarëve prej Kosove në vitin 99” e meriton një Nobel panshqiptar. Një Nobel shpirtëror si mirënjohje për tematikën e zgjedhur, si vlerësim për veprën e mbrrime.
Qytetari i Dy Drinave, gazetari kryeredaktor i Radio Kukësit, studiuesi i etno-historisë së Veriut Shqiptar i ndamun në tri shtete, poeti e shkrimtari i mirëpritun në Letrat Shqipe të shek. XXI, Sulejman Dida i ka të dyja njëherash: edhe penën e tij Nobel, edhe vet është djalë Nobel.
Një Nobel i tillë panshqiptar shpirtëror plot dritë iu përket edhe djemve të tjerë të Kukësit që kanë shkrue libra për Vitin ’99 si Petrit Palushit e Rexhep Shahut, Besim Cengut e Januz Kolës, pasi e gdhendën në historinë globale e breznitë shqiptare kit’ vit të lavdisë së vështirë e të rilindjes së madhe.
Çmim shpirtëror panshqiptar Nobel meriton edhe djali bregdrinas, biznesmeni Flamur Hoxha, për financimin me zemër e meritë të botimit të kësaj vepre të re të Sulejman Didës me plot dëshmi, përjetime e refleksione për Vitin ’99 të qytetit të Kukësit me rrethina dhe të dy anëve të doganës të vjetër e të re të Morinit.
Sigurisht, një çmim të tillë Nobel e meritojnë gjithata biznesmenë të rrethit të Kukësit që kanë financue me çek e xhep për lirinë e pavarësinë e Kosovës, për vepra e veprimtari për Kosovën, si Kadri Morina i Eurosig e Piazza, Hajri Elezi i Ujit “Lajthiza” e i “Euroil”, Basri Ruka i “Auto-Star Albania”, Shyqyri Duraku i “Euro Drini”, Sokol Kolgjini i “Valdrin” e Selim Istrefi. Sigurisht ka edhe të tjerë po kaq janë në njohje e dijeninë time.
Ne nuk ua dijmë aq fort këtyne biznesmenëve, pasi këto vlera e kontribute i quajmë diçka të zakonshme, detyrë, obligim, traditë. Ndaj, Kukësit si qytet, rreth e qark, edhe bijave e bijve të tij, Zoti ua dit’të ma shumë e ma mirë, pasi ua ka shkrue emnin në librin e vet, ua ka dhanë bekimin e vet.
2.
Ky libër i Sulejman Didës për Vitin 99 e ka një dimension të veçantë, Sinqeritetin. Shfaqet mirë në germat e tij. E ndeshim rrallë në veprat e jetët tona. Është i sinqertë autori në dëshmitë, përjetimet e refleksionet e tij në faqet e librit. Është i sinqertë ky libër në sytë tanë, në bibliotekat tona.
Dimensioni i Sinqeritetit vrellon e lundron në germa, ngjarje, emna dhe e ban kit’ libër prej të vërteti dhe me të verteta. Të drejtë. Jetësor. I ka të gjitha ngjyrat e realitetit: hyjnor, tragjik, biblik, dramatik, mburrje, tkurrje, krenari, sakrificë, sfidë, lavdi, mirënjohje. Autori ia nis nga vetëvetja e flet për të tjerët. Si rrallkush Autori kur flet për të tjerët e mendon sikur të ishte vetëvetja. Si pak kush. Mision qytetari. Profesionalizëm gazetari.
Pra, tue e lexue kit’ libër të sinqertë të Sulejman Didës për Vitin e madh e të vështirë 99 herë pijmë kafe të idhtë, e herë pijmë kafe me sheqer. Duhet të mësohemi t’i pijmë të dyja. Na bajnë mirë te dyja.
Në kit’ vepër Sulejman Dida është i dyfishtë: sa autor edhe aktor si në Vitin ’99, si gazetar i Radio Kukësit me stilolapsin e zërin e tij tue e pasqyrue atë kohë, me ndihmesë disaplanëshe edhe ndaj të dëbuarve prej Kosove. Edhe sot është i tillë në kit’ libër për Vitin ’99. Në të dy herët i ka krye mirë detyrat. Ka qënë në lartësinë e misionit të tij të shenjtë si gazetar i lirë i kombit tonë dhe i botës globale, si qytetar i Kukësit dhe i Rendit të Ri Botëror. Si atëherit në vitin 1999 kur pushka na bahej top për Kosovën edhe në vitin 2014 kur topi i kombëtares tonë në Beograd bahet glob me flamur e hartë të Shqipërisë Etnike në Beograd.
Gazetari, studiesi, shkrimtari e poeti Sulejman Dida tue fol gegnisht e shqiptarisht në faqe e refeleksione të librit na e paraqet filozofinë liridashëse e paqedashëse të Lumës me vargjet e kangë popullore: Ani, bini djem-o / Ah more djemt e Jupit-o / Ani çekjo asht / Lufta e fundit-o /.
Pra, Ne, Shqiptarët në Kukës e në Ballkan, nuk i deshëm luftërat as me i mësy me pushtime e aneksime kojshit shovinist sllavë dhe as me na shty e tkurr’ ata në territoret tona etnike. Mozamakeq, po na kanë qëllue kojshitë e këqinj. Fatkeqësisht ende kena disa misione të pambyllura të Kombit tonë të ndarë në gjashtë shtete. Tanë jetën po e kena luftë e vetëm luftë. Nuk po dijmë se kur asht lufta e fundit. Pjesë e kësaj lufte për mes sakrificave e paqes është edhe kjo vepër e Sulejman Didës, edhe vet Sulejman Dida.
3.
Në kit’ vepër me disa kulme gjejmë një thanie të flamurtë të Sadako Ogata – Komisionere e Naltë e OKB-së për Refugjatët: “Familjet kukësiane i treguan botës një përmasë që e kishte harrue”. Bota sa globale dhe individualiste e ndjen kit shembull shqiptar të Kukësit në Vitin ‘99.
Sot, po due me e cek një përmasë tjetër: Kukësi ishte një Rreth e Qark Luftëtar. Kurrkujt nuk asht ka i lyp çertifikatë dhe as pension. Po disa kësish e asish nuk janë ka don’ me na i dhanë as Meritat, po don’ me na i harrue kontributet, hjeksohen me na i hup atributet. Po nuk jena ka i lamë as me na i marrë, as me na i harrue, as me na i hup asnjanen nga këto të Vitit 99. Ndaj, prapa perdes e sy botës këtë deshmon ky libër i Sulejman Didës “Dëbimi i Shqiptarëve prej Kosove në Vitin 99”, edhe librat e Rexhep Shahut e të Petrit Palushit, të Besim Cengut e të Januz Kolës, si dhe shkrimet e kukësianëve të tjerë: Shefqet Hoxhës, Izet Durakut, Isa Halilajt, Fejzulla Gjabrit, Enver Bytyçit e dhjetra të tjerëve.
Sulejman Dida në refleksionet e tij, veçmas në kapitullin e fundit: “Ne jemi mbetja jonë”, dituron se si Shqiptarët si rrallëherë në histori mundën ta kthejnë Vitin ’99 në Fitore. Ky Viti 99 e krejt dekada e fundit e shek. XX ishte Luftë për Kosovën.
Në kit luftë të madhe për Kosovën ishte dhe Kukësi si qytet, si rreth, si qark. Masivisht. Aktivisht. Dihet. Në luftë merret pjesë me të gjitha armët: Dikush ka bombë atomike me pult. Dikush avion bombardues. Dikush top apo raketa. Dikush pushkë apo revole. Dikush jep bukën, ndan pasuninë e tij. Dikush me laps e letër. Kukësi nga Gjallica, Pashtriku e Shëklzeni mori pjesë në Luftën e Madhe për Kosovën, me njerëzit e vet të mëdhenj e të thjesht nga gjeneralë tek gazetarë, si shpirtdhënës nga fjala, buka dhe jeta e vet.
Kukësi, si qytet, si rreth, si qark, në dy anët e rrjedhës së Drinit, në Vitin 99, ishte dy herë “Kryeqytet Shqiptar”: Ishte “Kryeqytet i Mikpritjes” po ishte edhe “Kryeqytet i Luftës”. Këto “kryeqytete” kishin edhe erën e barutit të luftës, edhe erën e bukës së çerepit, edhe lotët e nanave e fëmijëve të dëbuar nga Kosova, edhe gjakun e bijve të vet të vrarë në aksione, misione, beteja. Në historinë botërore kryeqytete të tilla kanë pasë sakrifica të mëdha, iu kanë dhanë merita të mëdha.
Kryeqyteti ynë metropolitan, Tirana, lidhet me territoret e veta administrative në kit’ Shqipëri Londineze me katër rrugë: Elbasanit, Durrësit, Kavajës e Dibrës (Arbërit), po me shtetin tjetër shqiptar të pas Vitit ‘99, me Kosovën dardane euro-atlantike, ka vetëm një lidhje kufitare: nëpërmjet Qarkut të Kukësit e kryesisht me Rrugën e Kombit. Prandaj, nuk ka strategji të plotë të Bashkimit Kombëtar Shqiptar dhe progres të mirë të Shqipërisë Londineze pa e zhvillue Kukësin ndërmjet Dy Drinave e Dy Morinave, nga vrrini tek bjeshkët, nga Ultinat tek Alpet. Kukësit si Qark ia ka dhanë Zoti të gjitha po nuk duhet t’i mugojnë edhe diçka tjetër: Qeveria Shqiptare me fonde, me investime, me zhvillim ma të shpejtë e ma të lartë.
Ne nuk mund të jemi Zhyl Vern që me veprën e tij “Viti ‘93” e lartësoi e përjetësoi Revolucionin e madh Francez, po gjithësesi mundemi të kontribuojmë edhe si ky shembulli e modeli i sotëm Sulejman Dida me veprat e tij për të përjetësue e lartësue Luftën e Kosovës, Luftën për Zhvillim, Bashkim e Integrim Panshqiptar. Sot ma shumë se kurrë duhet të mos i bjerrim Fitoret, të matemi jo vetëm me forcë të muskujve e pushkës po edhe me mendje të shëndosh e zhvillim të shpejt me lartësitë e shekullit të ri shqiptar e planetar.

Rexhep Shahu ecë i sigurtë në udhën e publicistikës kombëtare ....

Rexhep Shahu dhe kontributi i tij në publicistikë





Nga Sulejman Dida 



Poeti Rexhep Shahu u formua si gazetar në Radio Kukësi e më pas si drejtues i periodikut kulturor Dy Drina etj. në vitet 90 të shekullit të shkuar. Ai ka ecë i sigurtë në udhën e publicistikës së shkruar si autor që nuk i ngjan askujt, sepse nuk ndjek asnjë idhull, ndonëse ka të tillë. Ai ndjek shtegun e vet. Sepse do që të jetë vetvetja. Eshtë i arsimuar në letërsi, i njeh mirë metrat dhe shabllonet e çdo kontributi publicistik por ai ka formën e vet, ka veçorinë e vet në çdo sipërmarrje. E thashë në fillim cilësorin poeti Rexhep Shahu, pasi ai edhe në publicistikë mbetet i tillë. Në të gjitha shkrimet e deritashme karakterizohet nga shpirti i angazhuar, nga ndjenja atdhetare, këmbëngulja për të pohuar identitetin dhe të vërtetën, nga prirja për të qenë vetvetja, nga thirrja që çdo person të jetë vetvetja, që gazetarët, ata të pavarurit (nga Tirana) të lirohen nga sahalëpirja, që njerëzit e kulturës të mos e shesin shpirtin, që për me i ba qefin dikujt të mos e përlloçim atdheun e kështu me radhë. Në vitet e vështira shqiptare 1997 dhe 1998 zoti Shahu, gazetar në Radio, u angazhua plotësisht duke u investuar jo vetëm si krijues por edhe si qytetar. Ai i ka shkruar me shumë kujdes dhe nerv përvojat e veta në ngjarjet e trazuara, shqetësimet e tij, që ishin edhe shetqësimet e kohës shqiptare, se si njerëzit tek e tek dhe kolektivisht vunë në pikpyetje të nesërmen e tyre, se si e dogjën memorjen e shkruar me sakrificë, si i shembën urat integruese dhe ngritën mure që na ndajnë nga njëri-tjetri dhe nga qytetërimi të cilit i përkasim. Të gjitha këto ai i ka përmbledhur te libri i Marsi i Minave (T. 2006). Sepse te shqiptarët, Serbia, e cila e përgjaku Kosovën, duke e parë se muri i vendosur padrejtësisht në vitin 1913 me presionin e Rusisë, kufiri ndërshqiptar pra po binte, instaloi një tjetër mur, e mbolli me mina krejt zonën e kufirit Kosovë-Shqipëri. E, për ironi serbët mbollën me mina edhe zonën e kufirit Shqipëri-Kosovë, pra hynë në territorin e kësaj Shqipërie të 13-tës. E për më tepër serbët mbollën mina edhe në mendjet e shumë njerëzve këtu, dhe prandaj çoroditja jonë vazhdoi bukur gjatë. Edhe në përpjekjet madhore të shqiptarëve për lirinë e Kosovës zoti Shahu ka qenë aktiv në media, madje edhe në terren, në Kukës, aty ku mblidheshin eksponentët e dy kahjeve politike të FARK-ut dhe UÇK-s, me thirrjet e tij në radio Kukësi qysh në vitin 1998 për të mbështetur UÇK-n me armatim dhe gjithçka tjetër. Jo për me ba pazar me djemt që shkonin në luftë duke ua shitë një pushkë sa nuk bën, por duke dhënë gjithçka për luftën. Jo duke mohue dhe denigrue potenciale të mëdha shqiptare por duke i bashkuar ato kundër një armiku që po na rrezikonte si komb. Mbas çlirimit të Kosovës shumë individë apo fraksione dolën si luftëtarë se me demek kishin luftuar, në ndonjë rast na u zbuluan edhe do asish antiamerikanë, por Shahu i ka njohur shumë mirë disa prej tyre dhe për këtë ai shkroi pamfletin e fuqishëm Ku ishe Ti, pra kur shtëpitë kalleshin në flakë e kur fëmijët shqiptarë ekzekutoheshin nga milicia serbe ku ishe ti… Ky ka qenë maraku i Rexhep Shahut. Ai i ka shkruar këto siç i ka përjetuar pa ia bërë qefin askujt. Ky libër përbën një shenjë dalluese, një dëshmi dhe analizë krejt të veçantë të kohës dhe e çmoj si një nga kontributet më të spikatura të krejt publisitikës shqiptare. Rexhep Shahu dallohet për forcën e logjikës, për bukurinë e tekstit por edhe për fuqinë emotive të trajtimit të temës. Ai ka një aftësi të çuditëshme të realizimit të intervistës, ka magjinë e familjarizmit të shpejtë me të intervistuarin, pavarësisht nga homri që mund ta karakterisojë. Ai shkëput prej të intervistuarit rrëfimin e sinqertë, atë që rrallë ndodh në median tonë. Shahu ia ka dalë të shkëpusë qëndrimin individual dhe të sinqertë prej kujtdo të cilit i është drejtuar. Disa nga përsonalitetet që i ka intervistuar, kanë pasë edhe konseguanca. Ishte rasti i bisedës me gazetarin Filip Smakër të Uashington Post-it në prill të 98-tës, bisedë pas të cilës, siç pat thënë më vonë vetë Smakër, kishte kaluar telashe jo të vogla pikërisht për shkak se ishte rrëfyer si tepër në bisedën me Rexhepin. Po nga ana tjetër, ndikimi i asaj interviste ishte i padiskuueshëm te shqiptarët dhe tek të tjerët pasi dëshmoi për genocidin që po ndodhte në Kosovë dhe u shpreh se rruga e zgjidhjes së krizës është lufta, kur në Tiranë thuheshin terman shumë të butë referuar çështjes së Kosovës. Edhe të tjerë kanë pasë rastin ta takojnë të njohurin Smakër, dhe kanë zhvilluar plot biseda me të, por askush nuk pati magjinë ta bëjë atë që të rrefehet. Kështu i ka bërë të rrëfehen edhe Elez Biberin, Daniel Enders, të famshimin Kurt Shcork etj. Nuk do të rendis emra njerëzish të shquar që ka intervistuar Rexhepi, pasi këto intervista, ndoshta jo të gjitha, i ka përmbledhur te libri tjetër publicistik Misioni për Paqen. Poeti Shahu nuk i kërkon temat, nuk ka këtë luks. Ato ndodhin, pra ngjarjet ndodhin. E ndërsa shumkush e ka luksin ti soditë nga distanca ose të përfitojë prej tyre, ai vëren deformimin e të vëttetës dhe bërtet, nuk mund të rrijë indiferent. Duke qenë se ai i jeton ngjarjet edhe si poet, nuk mundet mos me folë kur vendit i mohohet hisja e diellit për shkak se dikush këkron të përfitojë ose të bëjë interesantin, nuk mundet mos me folë kur ne na shahen urat që po ngremë me mundim, kur na shahen udhët po ndërtojmë me shumë sakrificë, nuk mundet mos me folë kur krijohet rrethi vicioz i mendimdhënësve që zaptojnë të gjitha ekranet, ku për tu hequr modernë shajnë çdo gjë të vyer prej antikuareve evropianë që kanë firmën e kombit tonë, që shajnë deri edhe Kanunin e Vjetër, shajnë kostumin që na identifikon, shajnë bukurinë shqiptare. Nuk mundet mos me folë kur opinionbërësit hiqen si internacionalistë ende pa e pasë një vend tonin në tryezën e vendeve evropiane. Kështu pra ai është i ndjeshëm dhe merr përsipër ti bëjë avokaturën të bukurës, autentikës, arritjes, shpresës. Pa u zgjatur duhet të nënvizoj si një kontribut librin Apologji për Udhën e Kombit. Përveç këtyre botimeve zoti Shahu, pikërisht këto ditë na sjell edhe librin tjetër me publcistikë Bukën tonë të Përditëshme. Në dhjetra shkrime ai glorifikon tokën e shenjtë shqiptare, inkurrajon dhe nxit punën me tokën, bekon njeriun e punës, duart që na sigurojnë bukën e përditëshme. Jan shkrime të botuara më herët në revistën Bujqësia Shqiptare të cilën e drejtoi duke shënuar një kontribut në konceptimin dhe në përmbajtjen e saj. Ai, siç e theksova në fillim, ka si kontirbut edhe Revistën Dy Drina që e ka drejtuar shumë vite, gazetën Kallz (për fëmijë) dhe ndonjë botim tjetër të natyrës publicistike siç është monografia Bllaca (si bashkëautor) etj. Rexhep Shahu përbën një rast frymëzues për median në Shqipëri dhe unë e përgëzoj.

Nga Behar Gjoka 



Në gjurmët e poetit dhe publicistit Rexhep Shahu

Image result for rexhep shahu



Emri i Rexhep Shahut, poetit dhe publicistit të njohur, në skenën e letërsisë bashkëkohore shqipe, ka ardhur natyrshëm, brenda një ligjësie të pashkruar. Fillimisht, në mendjen time, shpresoj edhe të lexuesve të tjerë, ka ardhur teksti poetik apo publicistik, e mandej vetë autori. Pra, kontakti më krijimtarinë e tij, nuk hyn tek paradoksi i zakontë, që njeh poetin, e pastaj do të duhet të presësh me vite, që të duket ndonjë shenjë poetike, e cila edhe mundet të mos vijë fare. Shkas i rinjohjes, pas leximit rastësor të ndonjë shkrimi a poezie, me veprën e gjerë, u bë vëllimi i katërtë, me titullin domethënës, Qyteti i Lutjeve, që për mua ishte befasi shkrimi, në frymë dhe mendim, në vjershërimin poetik, që në fakt më dha shansin që të hidhja një vështrim me të plotë në librat të autorit. Vëllimi poetik, Qyteti i Lutjeve, nga ana tjetër, është edhe një arsye kryesore, për diskutimin letrar, mbi të gjitha librat e autorit, në të dyja përmasat e përfaqësimit, në poezi dhe publicistikë. Bazuar në shijen e leximit, në besimin se në shumësinë e librave me poezi, nuk është gjithçka terr dhe poetizim ndjesor, ende ligjërimi poetik që gjellin sërish në qerthullin e dritëhijeve. Në hapësirat e librit më të ri të R. Shahut, ndesha në poezinë që bart dhe përçon vlera, si një ekzistencë spektrale. U bëra pjesë e veprimtarisë, si diskutim letrar, me dëshirën e mirë që të kthejmë vëmendjen nga letërsia e shqipe, nga pjesa që kumton shenja dhe vlera letrare, pa zhurmë. Teksti i përmbledhjes, ndërkaq kuptohet se është shtysa parake për të ndërkomunikuar me gjithë krijimtarinë, gjithnjë aq sa na e mundëson një tryezë e diskutimit letrar. Interesimi për poezinë dhe krijimtarinë e autorit, është i hershëm dhe i shumanshëm, në varësi të vlerave, që përçojnë tekstet poetike dhe publicistike. Në këtë diskutim, vërtet do të jemi të përqëndruar më tepër tek poezia, me shumë gjasa, tek poetika e përmbledhjes Qyteti i Lutjeve, por njëherit, në fakt është gati e pashmangshme, që t’i iket profilit të autorit, ku kemi të dëshmuar, me libra të mirëfilltë, tri lami shkrimi të autorit: A – Shkrimi i librave publicistike, ku veçohet gjerësia e problematikës, duke profilizuar një publicist me kontribute, me disa libra: Misioni për Paqen, kushtuar krizës së Kosovës dhe aktorëve të kohës, Marsi i Minave, si dhe Apologji për Udhën e Kombit. Në këto tekste, nga njëra anë vijnë ngjarje të njohura, tepër tronditëse, ku madje kemi edhe ekulibrin në mes ngjarjeve të tmerrshme dhe atyre që sjellin gëzim, si dhe nga ana tjetër, na zbulohet profili i njeriut, qytetar dhe mendjehapur, vëzhgues i hollë, i problematikave të shoqërisë, si dhe një publicist, që rrëmon dhe aspiron të vërtetën dhe mbi të gjitha e thotë pa doreza.

Image result for rexhep shahu

B – Sprova e shkrimit të monografisë që vjen me librin Bllaca, një punim i plotë, që i kushtohet një fshati në Suharekë, në Kosovë, që ka nxjerrë deputetin e famshëm shqiptar, Ramë Bllaca, që ndërtonte kullën e tij, në kohën kur shumica e banorëve kishin ngarkuar plackat për Turqi, si një shembull i qëndresës nën tmerrin dhe genocidin serbomadh. Një fshat që ka nxjerrë edhe burrin e shquar, luftëtarin e paepur të çështjes shqiptare, Qazim Bllaca, që për shkak të veprimtarisë patriotike, ka bërë 32 vjet burg, në Shqipëri dhe Kosovë.


C – Shkrimi i poezisë që përmblidhet në katër libra, e ku vëllimi i fundit, është caku dhe shenja se ku ka mbërrit larmia e poezisë së autorit. Poezia e tij, ka nisur me përmbledhjen Mali i Hënës, 1988, që në krye skicon tiparet e ligjërimit poetik. Pas 12 vitesh, pra një kohë e gjatë reflektimi, vjen me përmbledhjen Bregu i Brengës, në vitin 2000, që simbas mendimit kritik, shënon një nivel të ri, të shqiptimit poetik. Në vitin 2006, krijimtaria poetike, pasohet nga përmbledhja: Lisi i vetëm në Fushë, që profilizon poetikën autoriale. Në 2014, boton librin poetik Qyteti i Lutjeve, që evidenton lirikën qytetare dhe intime, që vjen me disa gjetje poetike. Kohështrirja si dhe tekstura poetike, e materies së të katër librave të autorit, ndër të tjera, ka përtheksuar, veçmas dy tipare:

Image result for rexhep shahu

Së pari: Një marrëdhënie reale me letërsinë, sidomos me poezinë, në mes pranisë dhe papranisë, heshtjes dhe zëshmimit, pa kufi distance dhe paragjykimi.

Së dyti: Një shtegtim poetik, që zbulohet përmes një shkallëzimi të rrokshëm në secilin nga librat, duke synuar artikulimin e poezisë që e ka braktisur autorin dhe vrapon drejt lexuesit, pavarësisht nivelit dhe interesit për poezinë. Prania e këtyre tipareve shqiptohet dukshëm në poezitë: kur t’më shohësh në sy, deti të rrijë në punë të vet, jam i lirë të vdes, na urdhëruan, hijet në bulevard, a do t’i shesim varret, një qiell tjetër, lehja e qenëve, një urë për te vetja, asgjë s’ka mbetë nga unë atje, ta ka pa diellin mbi krye, të ka vra bukuria jote, kur ti vdes, me trastë në sup, shpirti i zi, zogjtë e dinë, në motet që do të vijnë, nuk shiten sy askund, dorëcung, zemra e burrit është varrezë, etj. , që përbëjnë një tufë të përveçme poetike, që formëson tiparet me cilësore të shkrimit të poezisë. Pjesë e shenjave autoriale, kryesisht të vargut të lirë, të fjalës së hapur, të metaforikës tërësore, që fytyrëzon tipologjinë shkrimore të autorit, është edhe shkrimi i poemave, shkrimi i distikut, të cilat shpesh shpalosin një energji fjale të pazakontë.

Image result for rexhep shahu


 Në detin e vargëzimeve që ndeshim përditëzaj, në hapësirën shqiptare, është vështirë të gjesh atë që është e veçantë tek poezia që shkruhet. Megjithatë, udhëhequr nga ideja e Benedetto Kroçes, se poezia duhet kërkuar aty ku gjendet dhe aty ku fshihet, e vlen që të rrëmosh edhe në këtë situatë, jo pak të ndërlikuar të ekzistimit të poezisë shqipe. Poezia e librit të fundit të Rexhep Shahut është e veçantë, sidomos për faktin së është një poezi që shpërfill kodet se si do ta marrë shoqëria ligjëratën poetike, shpërfill në mënyrë të veçantë kodet e akademizmit, shpërfill të gjitha paragjykimet dhe thotë atë që ndien, atë që është poezi, në konceptin autorial. Te ky libër gdhendet “uni” i qytetarit zemërak, që lëshohet kundër mbrapshtive të botës, pa doreza dhe kufizime, por bashkë me të është edhe “uni” i një raporti krejt intim me jetën, me erotikën, me dashurinë. Këto janë dy prani dhe esenca unike, që shpërfaqin përmasën e shkrimit poetik të autorit. Ngjizja e tillë, e unit të dyfishtë, kuptohet se është pjesë e vetëdijes, është pjesë e udhëtimit në krahët e poezisë për të folur me poezinë dhe jo për të jetuar me poezinë, siç ngjet rëndom në hapësirën shqiptare. R. Shahu si poet, në varësi të tekstit poetik, të hapësirave të komunikimit, është nga ato raste, që nuk ka nevojë të ulërasë. Libri i tij, në një kuptim shpërthyes ndaj mbrapështive të realitetit, në vështrimin dhe shijen time, sjellë një atmosferë migjeniane, poetikën e të vërtetave që ne i prekim, por dikush nuk sheh, dikush nuk do, dikush në mënyrë të shëmtuar i mbulon ato me hipokrizi. Poeti thotë të verteta të cilat, kur shndërrohen në poezi, janë të tilla që të mrekullojnë për faktin e një poetike të vargut të lirë, të një fjalësie e cila sjell pranë lexuesit gjithë atmosferën e kohës, rrok shpirtin e qytetarit sot, shpirtin e qenies shqiptare, me gjithë ato mungesa, të dhëna me dritëhije dhe përthyerje të befta poetike. Në ligjëratën e vetë poetike, si një element vetjak që më ka bërë përshtypje, është edhe pashaportizimi tashmë i paskajores, në shkrimin poetik, që me rikthimin e vetë sendërton një hapësirë tjetër, si frymë dhe kumt i mirëfilltë letrar. Poeti flet natyrshëm dhe me art me këtë mjet stilistik-gjuhësor, që dihet se është pjesë e ligjërimit të sistemit të shqipes. Poezia nuk ka nevojë të ulërasë, poezia e ka misionin, parësisht estetik, që gjellin brenda saj. Pra, veçanësitë janë të shumta, janë të prekshme, por vetëm leximi dhe rileximi i tyre na mundëson t’i zbulojmë ato. Qysh me përshtypjen e parë, por edhe në leximin e dytë, erdhi duke u thelluar dëshira, që ky libër të shkojë te lexuesi, sepse kemi shumë poetë gjeni por që nuk kanë poezi, madje pavarësisht marrjes së jo pak çmimeve letrare. Poeti, nuk ka nevojë të jetë gjeni, sepse poeti flet me poezi. Më ndodh rrallë të ndihem mirë në poezi, të mrekullohem në poezinë shqipe të tanishme, për arsyen e thjeshtë se jo çdo ndjenjë është poezi, jo çdo ndjesi tragjike është poezi, jo çdo vargëzim, që na vjen rastësisht në majë të gjuhës, realizon detyrimisht shenjën poetike. Poezi është atëherë, kur imazhi dhe vizioni paraqitet me ligjësi estetike. Harold Bloom, në mes të tjerash, thotë se poezia është e pritur të mos merret shumë me histori por të merret më atë që quhet përthyerje shpirtërore dhe, prizmi i poetit është i tillë që po tingëlliu nuk të le rehat. Nëse nuk tingëllin, jeho sa të duash, bubullo më zhurmë etj. , tashmë se poezia ka mërguar për në brigje të tjera. Në rastin e përmbledhjes “Qyteti i Lutjeve”, më ka bërë për vete vargu i sigurtë, metafora e larmishme, plazmimi i shpirtit të kohës, përmes një uni, që është i vetëdijshëm për atë që thotë, e madje që e thotë jashtë aspiratës me rrëmby breroren. Poezia e këtij libri është një cak krejt i ri i autorit, krejt i veçantë, por në morinë e botimeve, në detin e poezisë që shkruhet, është vështirë të gjesh një libër që të ketë, sipas gjykimit tim, mbi 15 poezi që janë të nivelit antologjik. Mbretëresha e synuar nga të gjithë, siç është poezia, mbretëresha e fjalës, mbretëresha e shpirtit, mbretëresha e të sotmes, e të nesërmes, e atdheut, ku madje vetë qenia ekziston në formën e një kurore të mrekullueshme, le të synohet nga të gjithë. Gara për të mbërritë atje është krejt e hapur dhe zakonisht në cakun e fundëm mbërrijnë shumë pak. Në këtë situatë ku botohet gjithçka, pa sita përzgjedhëse, pa një lexim të vëmendshëm, shumëçka që lidhet me poezinë dhe letërsinë, në përgjithësi do të hante debat pa dyshim. Unë do të thoja që jemi një shoqëri që po shijojmë larinë, natyrisht ajo ka një kufi, kur mbaron dikur, por ne ende nuk po kapim ekuilibrin shpirtëror. Nuk është poezia ajo, që them unë, poezia është ajo që shijohet dhe misioni i poetit është të thotë fjalën e tij dhe, fjala e tij më tutje pastaj është hipotekë shpirtërore që shijohet nga të tjerët.

Origjinaliteti i poezisë së Rexhep Shahut


Image result for rexhep shahu

Nga Izet Duraku


 Në fund të viteve ’70 dhe në fillim të viteve ’80 të shekullit të kaluar, në qytetin e Kukësit ishte krijuar një bërthamë e vogël krijuese, por mjaft aktive, ku krijuesit poetë, prozatorë, piktorë, muzikantë e dashamirës të artit, mblidheshin në degën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe pothuajse gjithnjë në kafenetë e qytetit të vogël flisnin për letërsinë, për miqtë e letrave në qytetet e tjera, për letërsinë botërore që botohej, për pjesët letrare, kryesisht poezi të korifejve të huaj që, ashtu të botuara apo të shkruara me dorë, përpiheshin me etje. Ndonëse në kushte të vështira, krijuesit u përpoqën të jenë në një rrjedhë me kohën dhe të krijojnë fizionominë e vet poetike. Në këtë klimë të ngrohtë shoqërore u maturuan poezitë e para të autorit Rexhep Shahu, libri i parë i të cilit “Mali i Hënës” u botua megjithatë relativisht vonë, në vitin 1998, kur kishin rënë barrierat e kuptueshme të regjimit totalitar. Poezia, letërsia në përgjithësi ashtu si çdo gjallesë për ajrin, ka nevojë për lexuesit e saj, për të hyrë në qarkullimin e madh artistik, për tu ndikuar nga bota e artit dhe për të ndikuar tek ajo. Dëmi më i madh i ndalimit të veprës së shkrimtarëve në diktaturë ka ardhur veçanërisht prej kësaj vonese që i ka shkëputur nga mjedisi letrar, prej mundësisë që, duke u lexuar, të hynte në jetën e krijuesve të tjerë dhe të lexuesve në kohën e shkrimit të saj. Kjo mungesë tragjike, bie fjala si e veprave të Kasem Trebeshinës që u botuan me vonesë vetëm pas viteve ’90, nuk e ka dëmtuar vetëm reputacionin e shkrimtarit, por organizmin e letërsisë shqipe. Po kështu mund të thuhet edhe për njohjen më se një shekull me vonesë të poezisë brilante të De Radës, Serembes etj dhe akoma edhe më me vonesë të Zef Skiroit. Rexhepi ishte 38 vjeç kur botoi së pari herë libër. Në fund të viteve 80 ai pati dorëzuar në shtëpinë e vetme botuese një libër, por botimi iu refuzua, për mungesë të trajtimit të temave të mëdha e entuziaste për të cilat kishte nevojë regjimi. Kur kihet parasysh tash vepra e tij mund të thuhet se Rexhepi në fakt nuk ka humbur shumë prej kësaj vonese, sepse poezia e vërtetë i reziston kohës. Koha rrjedh pa e dëmtuar poezinë, përkundrazi mund të gjallërojë më tepër ngjyrimet e saj. Ajo shijohet njëlloj si të jetë shkruar para shumë vjetësh ose siç mund të shkruhet edhe pas shumë vjetësh. Edhe në letërsinë tonë për fat të mirë, kemi poetë tradicionalë, madje të cilësuar të vjetër, që ngjajnë ende kaq të rinj e modernë. Kur lexoi “Malin e hënës”, shkrimtarit Faruk Myrtaj nuk i hyri në sy vonesa e botimit të tij. Mbi të gjitha ai vlerësonte faktin se u arrit që poezia të shkruhej. Për shkak të lakonizmit, dendësisë së emocionit ajo mund të lexohej gjithsesi në mënyra dhe kontekste të ndryshme.

“Ka ditë që sytë e tu s’më kërkojnë,
Dhe zëri im s’bën më për fjalë.”

Mund të thuhet kështu për të dashurën, për poezinë, muzën, për… E, merret vesh, kur arrin të lexohet ndryshe, mu këtu është thelbi i të qenit art”. Që nga botimi i librit të parë poetik të Rexhep Shahut “Mali i Hënës” në vitin 1998, kanë kaluar 16 vjet. “Mali i Hënës” u pasua në vitin 2000 nga libri “Bregu i brengës”. Pas tyre, në 14 vjet të vrullshëm shpeshherë të turbullt, Rexhepi u muar më shumë me publicistikë “me një qiri të ndezur në dorë për me ndritun atë të vobektë dhe”, siç thoshte Bogdani i Sibilave, vendlindja e të cilit është krejt përballë Bardhocit, vendlindjes së Rexhepit. Vitet pas “Malit të Hënës” janë të mbushura me ngjarje të rëndësishme për jetën e vendit. Mjafton të përmendim luftën e Kosovës, e cilësuar si lufta e fundit çlirimtare në Europë, ku u lartësuan përpjekjet e përgjakshme e heroike të UÇK, në një betejë të pabarabartë me një nga ushtritë më të mëdha të kontinentit, ku trupi i pambrojtur i shqiptarit u përball me marshin e vdekjes së fortifikuar në çelikun e tankeve dhe avionëve të pushtuesit. Ishte koha kur bota u befasua me madhështinë e shpirtit tonë të pamposhtur në shembëlltyrën e qytetit të Kukësit, të cilin për qëndresën dhe bujarinë e pashoqe në pritjen e gjysmë milionë njerëzve, e kandidoi për t’i dhënë Nobelin e Paqes. Duke qenë në qendër të ciklonit si gazetar i radio Kukësit dhe reporter i të përditshmeve të kryeqytetit, si bashkëpuntor i radio Tiranës dhe Top Albania Radios, Rexhepi intervistoi personalite të rëndësishme botërore që erdhën aso kohe në Kukës. Kontributet e tij u transmetuan me sukses dhe u botuan në disa gazeta të njohura, një pjesë e të cilave u rimblodhën në dy libra: “Misioni për Paqen” dhe “Marsi i Minave”. Ndërkohë më shumë se prej publicistikës, drita duket se lind nga poezia, sado e trishtuar, e mjegullt, e zymtë dhe ankthioze të vijë ajo. Rexhepi nuk iu nda për asnjë çast dashurisë së vjetër, dashurisë poetike, që lindi rrëzë malit të Pikëllimës, përballë malit të shenjtë të Pushtrikut, buzë rrjedhës së Drinit të Bardhë. Krahas publicistikës ku nuk mungojnë motivet migjeniane ai shkroi gjithmonë poezi duke jetuar me trillet e saj, duke i qëndruar besnik vetes në ndjekje të një instinkti të ngulur krijues që vlerat i kërkon te vetja duke rizbuluar e rijetuar brenda të sotmes, të gjitha kohrat njëherësh. Kur ka botuar më shumë se 370 poezi dhe poema të përfshira në katër libra: “Mali i hënës”, “Bregu i brengës”, “Lis i vetëm në fushë” dhe “Qyteti i lutjeve”, mendoj se është me vend të flitet për një kristalizim të mënyrës së tij krijuese dhe nisur nga vlerat e kësaj poezie të tërheqim vëmendjen ndaj origjinalitetit të saj. Ku shfaqet ky origjinalitet? Në mijvjeçarët e ekzistencës së letërsisë që prej eposit homerik duket se është ngjeshur lënda në mënyrë të tillë sa duket se nuk mund të ngrihet diçka e re, e pangjashme me atë që tashmë është krijuar. Një vëtëdije e tillë është e domosdoshme për të ndalur zellin shterp të grafomonënëve të panumërt, që sa vijnë e shtojnë grumbullin e jo vlerave duke rrezikuar t’ia zënë frymën letërsisë së vërtetë. Po kështu, përvoja mijvjeçare, e thithur drejtpërdrejt prej letërsisë sonë gojore dhe letërsisë së kultivuar, duhet të nxit më tepër nevojën e njohjes së vazhdueshme të saj. Sepse nga mosnjohja, edhe nëse rastësisht i shpëton theqafjeve, verbëria të çon gjithnjë në udhë pa krye. Duket paradoksale, por origjinaliteti i veprës letrare vjen nga përthithja e përvojës kombëtare e botërore dhe jo nga injorimi i saj. Ky injorim në të shumtën e herës ndër ne vjen jo për shkak të qëndrimeve novatore apo eksperimenteve moderne a postmoderne, po thjesht për mungesën e plotë të kulturës letrare ose më qartë për shkak të analfabetizmit kulturor. Ndërkohë shkruesit e zellshëm që ia bëjnë qejfin njëri- tjetrit, nuk i lënë askujt hapësirën e duhur për të treguar lakuriqësinë e mbretit. Për këtë shkak, me kohë është bërë e domosdoshme që vendin e djalit naiv që tregon me gisht të vërtetën bërtititëse të lakuriqësisë, duhet ta zërë kritika profesioniste që duhet të rrëzojë jo vlerat dhe t’i paraqesë pa patetizëm, vlerat reale. Poezia e Rexhep Shahut është lehtësisht e komunikueshme me të gjithë lexuesit, e hapur, e kthjellët, e vetëvetishme dhe rrjedh pa sforcim, duke përcjellë dhimbjen tronditëse për humbjet tona, trishtimin e hollë, tragjizmin dhe shpresën njëkohësisht, ku pjesa e vdekshme bashkëjeton me pjesën e pavdekshme të individit. Në poezinë e Rexhepit ndjehet rrjedha e trazuar e kohës që i bën trysni shpirtit njerzor, për ta mpakur dhe rrudhur deri në asgjësimin e plotë të individit. Kërkohen të dystohen ëndrra, të rrafshohen vlera. Dashamirës, njohës të poezisë kanë vërejtur se kjo poezi nuk mashtrohet, as joshet nga lulkat pa aromë të përsiatjeve të ashtuquajtura moderne. A mund të shtiresh përjetësisht, a mund t’i mbyllësh sytë para brengave vetjake e njerëzore? Vuajtja është tipar i poezisë së tij, një vuajtje për shkak të dyzimit midis vetes dhe vetvetes. Dyzimi në përmasa planetare përfshin gjithçka edhe kohën që ndrron rrjedhën e saj normale, jo nga e sotmja drejt të ardhmes, por nga e sotmja drejt së kaluarës, drejt zanafillës, kthimit tek kaosi. Ky lloj apokalipsi synon të zhbëjë jetën. Poezia ngjan me librin e lutjeve dhe psalmet. Gjuha biblike parlajmëron ndëshkimin. Profecia të dërmon me gjykimin e ftohtë të saj:

“Ka me ra shi me baltë
Në llomin e fjalëve kemi me rrëshqitë
E kokërdhak kemi me ra…”

Ndihet vuajtja migjeniane, por zymtësia e pesimizmi e tejkalon Migjenin. Njeriu, i lindur tashmë, nuk do t’i kanoset krijuesit të tij duke e sfiduar, por do të mbarojë, do të zhduket për shkak të llumit të vet shpirtëror. Duket se rrufeja poetike e hyut të padukshëm do ta zhdukë sodomën dhe gomorrën që jetojmë. Rrudhja shpirtërore ka asgjësuar vlerat dhe individi është shndërruar në kufomë shetitëse. Qerthulli i humbjeve sa vjen e rritet. Shpesh përmes përsëritjeve ciklike shfaqen mundimet e Sizifit dhe vuajtjet e Tantalit. Por ka një spirancë që të mos mbytet anija e jetës. Kjo është, Dashuria, gjithnjë e pranishme në poezinë e Rexhep Shahut si një ndjenjë e thellë që jetohet me intensitet, që është e prekshme, por edhe e përjetuar me dhimbjen e largimit dhe mungesës së saj therëse. Dashuria është prej uji, prej ajri, drite dhe ëndrre, por edhe krejt lëndësore, që ndjehet, preket e shijohet plotësisht. Si e tillë, mungesa e saj barazohet me mungesën e jetës deri në vdekje. Poezi të tilla intime dikur quheshin poezi të vogla, vetjake. Fat i individit i shqetësimeve dhe dashurive të tij kërkohej të merrej nëpër këmbë, por poezia më e mirë e viteve 80 ia doli t’i vinte në substancë të saj këto fate të vogla, këto shpirtra që shpëtuan nderin e krijuesve dhe jetën e poezisë. Poezia e Rexhepit ecën në këtë tragë dhe poezia e tij mbetet thellësisht personale, ku mund të pajtohesh me gjithçka, por jo me mungesën e dashurisë.

“Dëshirë të frikësuar s’do të ketë më
Ajo është mosdashje, s’ka emër tjetër
Unë shkaku i saj s’do të jem askund
Ndoshta në rrënjët e një lisi të vjetër.
…………………………………………………
…Prej sysh më del
Si hyjni qielli, sirenë deti
Përpara meje e veshur me dritë
Ndërsa zhdukesh pa gjurmë
Nëpër tymin e shkrumbit tim
Unë mekem pa frymë
Lis i shituem prej zanash.”

Me teknika që tingëllojnë të njohura e klasike, poezia e Rexhepit arrin të përftojë gjendje të vërteta emocionale. Vargjet që citova janë krejt të zakonshme në libër, nuk janë nga më të zgjedhurit. Por kjo poezi qenka e hapur për interpretime të ndryshme, për rivlerësime. Tani më jep një imazh tjetër, një domethënie më të thellë. Dhe kjo ngjet më shumë tek ajo pjesë ku mungon krejt nervi i retorikës. Ato janë të ftohta, madje të akullta në dukje. Neutrale. Bukuria e vargut i shpëton syrit të pavëmendshëm. Edhe kur ndjeshmëria e lexuesit arrin optimumin e përthithjes, zbulimi është i pamundur të arrihet menjeherë dhe plotësisht. Pamje të reja do të shfaqen më vonë si nënshtresa të pikturuara në kohë të ndryshme. Dhe mund të thuash me vete si nuk i kam vënë re më parë. Tonaliteti i poezisë së Rexhepit nuk vjen i rrafshët, por i shumllojshëm, i përthyer si relievi i vendlindjes. Një pjesë poezish vijnë të zhurmshme , madje të marrin përpara me spontanitetin e tyre, me të shkruajturën me një frymë. Ato u ngjajnë përrenjve malorë që zbresin me shkumë dhe gjëmime. Vrulli i tyre nuk mund të mbërthehet në pritat, ledhet, argjinaturën e metrikës e ritmikës. Përmbytja sjell fundosjen e rregullit strikt gjuhësor. Fuqia e poezisë vendos në sovranitet të plotë mënyrën e shprehjes…Malet e lartë të mbuluara nga mjegulla e bora, ujëra të vrullshëm që sulen brinjave, dimra të rreptë, ortiqe të frikshëm, krijojnë pamjen e një vendi, ku natyrshëm mund të lindë epika. Dhe vërtetë në këto treva gjendet dhe djepi i epikës, por në Lumë, krahas epikës historike, krahas mrekullisë së rrëfimeve realiste, alegorike e plot zgjuarsi, ku elementet fantastike zbehen, gjallon e përtërihet një lirikë e fuqishme. Në raport me epikën lirika në Lumë dhe jo vetëm atje, si gjini më e vjetër, moshatare me njeriun, prandaj dhe më themelore, më prekëse dhe më gjithëpërfshirëse, zë vendin kryesor. Pranë vatrës së ndezur të netëve dimërore, si i vetmi burim drite në kullat të zymta, gruaja lumjane (gjyshe, nënë, motër) tirrte dhe këndonte nën hundë vajin e shpirtit të vet, dëshpërimin e thellë për humbjet e saj dhe humbjet historike të brezave, dhimbjet e shkuara dhe dhimbjet e ardhshme. Prej këtij shpirti tragjiko- poetik lumjan duket se është gatuar e mbrujtur origjinaliteti i poezisë së Rexhep Shahut, ku miq krijues të poetit kanë mundur të shohin pamje të ndryshme të kësaj lirike, ku ndërthuret tragjizmi vetjak me tragjizmin e përgjithshëm, ku vërehet dyzimi, tuajzimi dhe dashuria e përjetshme. Dëgjojmë të thuhet se poezia është në vështirësi, ka mbaruar koha e saj, duhet një poezi e re, të vijnë poetë të rinj. Ndërkohë që botohen qindra libra me vargje që nuk kanë lidhje, as me poezinë e vjetër të Bogdanit, as me poezinë moderne… Nuk janë poezi. Prej këtij konstatimi të dhimbshëm të përsëritur e të stërpërsëritur si një mallkim, (askush prej vargjeshkruesve nuk e gjen veten te ky përcaktim) shtohet nevoja e diskutimeve letrare ku të shoshiten vlerat. Mbi të gjitha shkruesit, lëvruesit e poezisë vetë edhe për shkak të asaj që quhet konflikt interesi, janë në gjendje të grupohen sipas shoqërisë e shijeve të përbashkëta, por nuk mund të vetëpastohen nga jo vlerat. Ky është edhe misioni i kritikës profesioniste, i katedrave të letërsisë që duhet të arrijnë përmes studimeve të bëjnë analiza objektive, të klasifikojnë prurjet e reja poetike, t’i japin fund kaosit të sotëm duke përcaktuar vlerat reale, gjithnjë duke parë zhvillimet në raport me prirjet e sotme të letërsisë europiane e botërore. Natyrisht ka një brez të rinjsh të afirmuar që nderojnë ekzistencën tonë njerëzore dhe letrare, që meritojnë vëmendjen e studimeve të thelluara. Librat e Rexhep Shahut me vlerat që sjellin e meritojnë një vëmendje të tillë.


DASHNORET, GARDIANËT E LIGJIT DHE ISMAIL MORINA


Image result for rexhep shahu

REXHEP SHAHU

Historia e Ismail Morinës, e djalit kuksian që ngriti flamurin e tij në të cilin shkruhej Autoktonë, në qiellin e stadiumit të Beogradit para një viti dhe që hyri në histori si askush deri sot për bëmën e tij, hyri në histori si askush deri sot dhe nuk mund t'ia zërë vendin askush, kurrë sepse akush kurrë s'do të ketë rast ta bëjë atë që bëri ai, dhe edhe po e bënë, do të jetë kopje e bëmës së tij, që e quajtën edhe Ballist Morina, ka trazuar shumkënd sidomos tani që e panë kalorës të pambrritshëm në historinë tonë, në historinë e ndeshjeve e përplasjeve shqiptaro-serbe, në historinë e fitoreve e humbjeve, të urrjetjeve e dashurive shqiptaro-serbe.

Duhet të ndalemi dhe të mos bëhemi qesharakë, të mos e urrejmë Ismail Morinën sepse ai tashmë është i pacënueshem në lavdinë dhe famën e tij, thjeshtë është i pambrritshëm.

Nuk kemi ç'ti bëjmë, është bërë shumë i famshëm. Pa dashjen dhe lejen tonë.

Aq i famshëm sa pesha e famës po e përkul, po e kërrus.

Por ai edhe pse ka famë me tepri, nuk i jep dot ndonjë copë famë askujt, asnjë copë famë nuk ia jep dot askujt edhe pse ai, jam i bindur, don ta heqë qafe famën e tij.

Sepse ai vetem për famë nuk ka punuar. Famën po ia vjelin të tjerët për interesa të tyre.

Fama e bëma e tij janë diçka tjetër dhe arrestimi i tij për armëmbajtje pa leje është diçka tjetër.
Gjykojeni, dënojeni, po deshet edhe me 50 vjet burg dënojeni, por mos lëpini në famën e lavdinë e tij, mos ia përjargni famën dhe lavdinë e tij përsonale.

Ai s’ka asgjë tjetër veç famës së shqiptarit të thjeshtë që ua kujtoi gjithë shqiptarëve serbët, që ua kujtoi gjithë shqiptarëve shqiptarët e vrarë prej serbëve, që ua kujtoi gjithë serbëve të gjallë e të vdekur shqiptarët, që ua kujtoi serbëve masakrat, genocidin dhe shpërnguljet që kanë bërë ndaj shqiptarëve. Po, ua kujtoi të gjithve gjithçka. Dhe thjeshtë, me një veprim individual. I shtyrë dhe nxitur nga dashuria për vendin e tij.

Duke iu përgjigjë thirrjeve të varreve që ka në oborr të shtëpisë së tij në Shikaj të Kukësit. Thirrjeve të dy palë varreve, të varreve serbe në oborr të shtëpisë së tij të vrarë prej të parëve të tij duke u mbrojtë, dhe të varreve të të parëve të tij që u vranë prej serbëve pushtues, në oborr të shtëpisë së tij.
Por ju që bëni bla-bla-bla kundër Ismail Morinës nuk i dëgjoni ato thirrje varresh.

 Keni harruar të dëgjoni thirrjet e varreve të të parëve tuaj që serbët i vranë në oborre të shtëpive të tyre. Keni harruar të dëgjoni thirrjet e varreve dhe jeni mësuar me ikë prej varreve duke i lënë vetëm, duke i braktisë, duke i harrue.

Ismail Morina nuk ju spërkat dot me famën e tij. Asnjë burrë a grua, asnjë gazetar apo lexues, asnjë politikan apo votues ai nuk e spërkat dot me famën e lavdinë e tij, nuk u jep dot nga fama e tij.
Por as biografinë nuk ua prish Ismail Morina. Por as nuk ia prishni dot kurrë asnjëherë biografinë atij, çfarëdo që t’i bëni, çfarëdo që t’i ndodhë e kurdo që t’i ndodhë.

Mos u tutni, nuk ia prish biografinë askujt Ismail Morina. Ju siguroj se nuk ua prish biografinë. Por as nuk ua shton dozën e patriotizmit e të atdhedashurisë.

Ai nga njëra anë është hero. Nga ana tjetër ka shkelë ligjin.

Nuk e di kush dreqin e mësoi dhe nxiti të gjente armë, të mbante armë. Ai nuk e di se nuk e mbron arma. Ai nuk e di se arma vetëm e vret.

Por dikush nga "dashuria" e madhe për të e mësoi dhe nxiti të paisej me armë.

Tani duhet ta vuajë dënimin. Edhe me mllef po të dënohet, ai duhet ta vuajë dënimin.
Ai nuk duhet të kërkojë mëshirë sepse nuk i ka hije mëshira.

Atij nuk i ka hije t'i jetë mirënjohës askujt pse mund ta lirojnë apo lehtësojnë dënimin.

Une po shkruaj një monografi për të, siç është, unë nuk po e kuroj atë, as heroizmin e tij, as bëmën e tij, as veprën e tij.

Por ata që janë gardianë të zbatimit të ligjit, që vetëm me moralin nuk kanë lidhje, ata që janë dashnore(ë) të kallur të ligjit e të zbatimit të ligjit, duhet të jenë të tillë edhe në rastet kur baballarët e tyre kanë vjedhë 500 mijë euro, 800 mijë euro, 1.2 milionë euro, kanë vjedhë, kanë marrë apo janë deshmitarë dhe përfitues të përfitimeve të shumta të paligjshme të fondeve publike apo të granteve të dhuruara shtetit shqiptar e me këto para janë shkolluar e kanë shirë lëmë metropoleve të huaja, janë shkolluar universiteteve të huaja dhe nga paratë e shumta nëpër duar janë bindë se nënat e tyre nuk i kanë pjellë si të tjerët por i kanë nxjerrë nga sqetullat dhe për baballarë njohin vetëm portretet e figurave që janë stampuar në kartmonedha vendase e të huaja..

Dashnoret e gardianët duhet të jenë gjithmonë të tillë dhe jo të bëhën gardianë të ndershëm, të rregullt, vetëm në rastin e Ismail Morinës.

Nëse ndokujt i dhemb që Ismail Morina sfidoi serbët dhe patriotët e fjalëve, nëse ndokujt I vjen keq për stuhinë që krijoi Ismail Morina në qiejt serbë e shqiptarë dhe e quan atë budalla dhe nuk i dhimbset edhe po e vranë serbët, unë e ngushëlloj atë deledash kampion të internacionalizmit, interlekutor serbo-shqiptar, e ngushëlloj sepse Ismail Morina nuk pshurr dot famë për atë njeri që ta spërkasë me pika fame.

Unë jam kundër lëmoshave për Ismail Morinën, jam për zbatimin korrekt të ligjit ndaj tij.

Ai duhet të paguajë për atë që ka bërë. Heroi bën dhe paguan.

Ai mund të vinte kufomë nga Beogradi. Mund të shpallej kriminel internacional. Mund të shpallej prishësi i paqes e dashurisë shqiptaro-serbe, sjellësi i dimrit e prishësi i pranverës së shpikur e të shtirme shqiptaro-serbe. Mund të vinte në arkivol dhe mund të pritej i vdekur por hero.

Dhe do t’u mungonte, siç po ju mungon, vetem fëmijëve të tij, prindërve të tij. Do të harrohej si bora e parë, si bora e vjetme.

Por ai është gjallë. Është hero. Kacavirren shumë në lavdinë e tij. Ai nuk e di ende çfarë është. Dhe kjo është fatlume që ai nuk e di çfarë është. Ai nuk ka bërë atë që bëri për të qenë dikushi. Ai thjeshtë duhet të ketë kujtuar babanë e tij që i thërriste IsmailQemal dhe pasi ka ngritë flamurin në qiellin e Beogradit vetëm me babanë e tij ka folë pa zë, duket t’i këtë thënë e ngrita babë flamurin tim, nuk e turpërova emrin Ismail Qemal.

Po ta dijë se çfarë është e si e sa është, ai hesht krenar, nuk pranon lëpirje, nuk pranon mëshirë, nuk pranon falje sepse kështu do të mbetej peng i dikujt, do të përdorej e keqpërdorej nga dikush.

Keqpërdorimi që i bënë naivitetit të tij e çoi aty ku është në burg.

Herojtë përgjithësisht janë naivë. Naiviteti i bën të bukur.

Ismail Morina është hero i bukur.

Mos u përpiqni ta shëmtoni, ta pështyni e kafshoni duke dashtë me e puthë.

Mos hidhni gurë mbi të. Mos e gjykoni si armik të popullit e të partisë.

Gjanëm, bëni si të doni, gjykojeni si të doni dhe rëndë sa të doni, por ai edhe në burg, edhe në varr është hero.

Sepse ka bërë atë që as në ëndërr nuk e keni parë ju që e keqgjykoni, që e pështyni dhe lëpini.
Ka bërë atë që kurrë nuk do te keni rast e shans ta bëni ju që kujtoni se keni në dorë fatin e famën e tij.

2015/10/12

Kush ta bëjë demokratizimin e dytë?!


Image result for eshref ymeri

Prof.dr. Eshref Ymeri



Lexova me mjaft interes analizën e publicistit të mirënjohur, zotërisë Ajet Nuro, me titull, “Shqipëria ka nevojë për një valë të dytë demokratizimi”, të botuar në 10 tetor 2015 në faqen e internetit “Tribuna Shqiptare”.

Si njëri nga përfaqësuesit e mirënjohur të Diasporës Shqiptare, zotëria Ajet Nuro shpreh me shumë të drejtë shqetësimin e vet intelektual për gjendjen e demokracisë në Shqipëri gjatë këtyre 25 vjetëve. Është e vërtetë se në Shqipëri janë bërë shumë ndryshime, por megjithatë ne jemi ende larg standardeve demokratike në ndërtimin dhe në funksionimin e shtetit ligjor.

Populli shqiptar, për fat të keq, ka përfunduar në“skllav” të partive politike, të cilat përpiqen me thonj e me dhëmbë për të kapur majat e pushtetit. Ky i shkretë pushtet në Shqipëri është shndërruar në një lopë mjelëse për politikanët shqiptarë, të cilët vijnë e bëhen milionerë si me forcën e magjisë.

Pjesën më të madhe të kohës gjatë shtatë vjetëve të fundit e kam kaluar te fëmijët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Heraherës atje më ka qëlluar të bisedoj me qytetarë amerikanë për problemet e politikës dhe më ka bërë përshtypje njëfakt interesant: që t’i hysh politikës në Amerikë, duhet të harxhosh para, madje para të madhe, qoftë nga paratë e veta, qoftë nga mbështetja financiare e biznesit privat. Sepse shteti amerikan nuk shpenzon as edhe një dollar të vetëm për partitë politike. Pra, kapitalin atje nuk e vë dot, duke shfrytëzuar postin politik.

Figura të tilla politike, si ish-kongresmeni Xhejms Trafikan dhe ish-guvernatori i Ilinoisit Rod Bllagojeviç, të cilët patën shfrytëzuar postin politik për përfitime financiare, patën përfunduar në burg për korrupsion. Ky i fundit, i dënuar në vitin 2011 nga drejtësia amerikane me 14 vjet heqje lirie, po dergjet në një koloni të Kolorados.

Në Shqipëri, përkundrazi, posti politik shfrytëzohet për të vënë miliona dhe askujt nuk i hyn gjemb në këmbë. Të ashtuquajturit krah i majtë dhe krah i djathtë në politikën shqiptare, në të vërtetë, nuk përfaqësojnë as të majtën dhe as të djathtën, në kuptimin euroamerikan të kësaj fjale.

Pra, në vendin tonë ekzistojnë dy klane të etura për pushtet që janë pasuruar në një mënyrë marramendëse dhe që, përmes tribunës së parlamentit, po luajnë një komedi të hollë në sytë e opinionit publik, me të vetmin qëllim që të krijojnë përshtypjen sikur janë kundërshtarë të rreptë me njëri-tjetrin.

Ky realitet tragjik ka bërë që populli të mbetet rob i partive, të cilat janë vetë zot e vetë shkop në zgjedhjen e deputetëve që gjoja e përfaqësojnë atë në parlament. Kësisoj të dyja klanet ia kanë mohuar popullit të drejtën për të votuar drejtpërsëdrejti për kandidatët që ai dëshiron, duke e detyruar të votojë vetëm për partitë.

Dhe kryetari i partisë, duke qenë fuqiplotë në krye të saj, kandidatët për deputetë i përfshin në listë sipas dëshirës.

 Kjo mënyrë zgjedhjeje e deputetëve, nuk ka as ndryshimin më të vogël nga praktika e zgjedhjes së deputetëve në periudhën e diktaturës komuniste: listën e tyre e hartonte formalisht Kryesia e Frontit Demokratik të Shqipërisë, por faktikisht vendimin e merrte personalisht Enver Hoxha.

Me këto praktika, karakteristike për një sistem të dështuar politik, nuk mund të ndërtohet demokracia. Nuk mund t’u besohet ndërtimi i demokracisë kryetarëve të partive, të cilët, pavarësisht nga fitoret ose nga dështimet gjatë ndërrimit të pushteteve, nuk dëshirojnë kurrsesi të largohen nga kreu i tyre.

Prandaj kryetarët e përjetshëm të partive politike janë një fatkeqësi e rëndë për fatet e demokracisë në Shqipëri. Një fakt i tillë dëshmon fare shkoqur se në vendin tonë nuk u bë përmbysja e sistemit komunist, si në vendet e tjera të Evropës Lindore, me përjashtim të Rusisë.

Në vendin tonë u bë thjesht një ndërrim sistemi. Ishët e diktaturës komuniste dhe bijtë apo nipat e tyre, iu përshtatën situatës së re në kushtet e pluralizmit politik.

 Prandaj ata nuk mund t’i flakin dot nga vetja e tyre mendësitë komuniste. Kjo solli si pasojë që Shqipëria të vazhdojë ende të përjetojë një periudhë të stërgjatur tranzicioni që nuk i dihet fundi ende.

Në këto kushte, zotëria Ajet Nuro, me shumë të drejtë, hedh një ide interesante, sipas së cilës “Shqipëria ka nevojë për një valë të dytë demokratizimi”.

Mirë do të ishte vërtet që të kishim një valë të dytë demokratizimi. Por problemi është se kush duhet ta ngrejë një valë të tillë.

Normalisht, në rastet e nxjerrjes së çdo vendi nga amullia politike, rolin kryesor e merr dhe duhet ta marrë përsipër inteligjencia, sidomos inteligjencia dhe rinia universitare.

Në vendin tonë inteligjencia vazhdon të bëjë një gjumë të rëndë letargjik, duke i lejuar klanet politike të tallen me fatet e popullit si t’ua dojë mideja.

Dhe tallja e popullit prej klaneve në fjalë ka arritur në përmasa katastrofike, sidomos në proceset zgjedhore. Në këto fushata,klanet politike janë munduar me të gjitha mënyrat dhe ia kanë arritur qëllimit që një masë jo të paktëzgjedhësish t’i kthejnë në mercenarë të vet përmes shitblerjes së votës.

 Praktika e shitblerjes së votës në Shqipëri përbën një dukuri sa të turpshme, aq edhe skandaloze që vihet re gjatë fushatave zgjedhore.

Shumë e drejtë është ideja e zotërisë Ajet Nuro për rolin që duhet të marrë përsipër Diaspora Shqiptare për ngritjen e valës së dytë të demokratizimit.

Jam plotësisht në një mendje me zotërinë Ajet Nuro se në radhët e Diasporës Shqiptare, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka figura të nderuara që kanë bërë emër me punën e ndershme, me djersën e derdhur për lartësimin e figurës së vet dhe që mund të japin kontributin e tyre të drejtpërdrejtë për ngritjen e një vale të dytë demokratizimi në atdheun amë.

Por që të vihet në jetë kjo ide interesante, duhet që Diaspora Shqiptare, pikë së pari, të gëzojë të drejtën e votës dhe të drejtën për t’u zgjedhur në atdheun amë përmes votimit elektronik. Veçse për ta siguruar pjesëmarrjen e saj në votime, duhet që e drejta e votës së saj të sanksionohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ashtu siç e ka të sanksionuar shteti zviceran.

 Prandaj edhe 700 mijë zviceranë që jetojnë në diasporë, marrin pjesë rregullisht në zgjedhjet e vendit nëpërmjet votimit elektronik. Për vendin tonë përbën problem fakti që klanet politike nuk e dëshirojnë pjesëmarrjen në votime të Diasporës Shqiptare.

Madje klani politik qëështë në pushtet jo vetëm që nuk e dëshiron një pjesëmarrje të tillë, por po krijon kushte të rënda ekonomike edhe për shtresën e varfër, shumë anëtarë të së cilës kanë marrë arratinë nëpër shtete të ndryshme të Evropës, në kërkim të azilit ekonomik.

Një tjetër arsye e vështirësisë së ngritjes së një vale të dytë demokratizimi, qëndron në faktin se klanet politike në vendin tonë, sapo ulen në karrigen e pushtetit, për shkak të frymës së mercenarizmit që i karakterizon në marrëdhëniet me të huajt, vuajnë nga kompleksi i inferioritetit para tyre.

A nuk dëshmon për kompleksin e inferioritetit të klaneve politike shqiptare lejimi i Janullatosit në krye të Kishës Ortodokse ish-Fanolianepër një periudhë më shumë se 23-vjeçare?

A nuk dëshmojnë për një kompleks të tillë të gjitha dukuritë që u vunë re para dhe pas ndeshjes së futbollit me përfaqësuesen e Serbisë?

Kompleksi i inferioritetit të palës shqiptare, të përfaqësuar nga Thaçi e Mustafa, është shfaqur pastër fare para Beogradit gjatë gjithë procesit të bisedimeve në Bruksel me krerët më të lartë të qeverisë serbe, tërësisht në dëm të interesave të Kosovës. Dhe inteligjencia kosovare vazhdon të heshtë.

Këto fakte dëshmojnë ditën për diell se klanet politike shqiptare janë të zhveshura krejtësisht nga dinjiteti kombëtar, se dinjitetin në fjalë kanë një çerek shekulli që ia kanë falur Athinës dhe Beogradit. Dhe Athina me Beogradin, në shkëmbim të dinjitetit kombëtar, klanet politike të Tiranës i kanë pajisur me “çertifikatën” e kompleksit të inferioritetit.

Pikërisht ky kompleks i mallkuar inferioriteti ka bërë që të huajt, dhe konkretisht Brukseli zyrtar, ta kenë shumë për zemër ndjenjën e inferioritetit të klaneve politike shqiptare, qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë.

Sepse me këto klane politike në pushtet, pa vetëdije kombëtare, në të dyja shtetet shqiptare, ata mund të sillen siç u do qejfi, ashtu siç edhe janë sjellë konkretisht në Shqipëri për një çerek shekulli gjatë vëzhgimit të fushatave zgjedhore dhe siç po vazhdojnë të sillen edhe në Kosovë për më shumë se 16 vjet.

Se nuk u bëhet shumë vonë për fatet e popullit shqiptar. Sepse kombin shqiptar, në mungesë të një klase politike me vetëdije të lartë kombëtare, në mungesë të një Kryeshtetari dinjitoz, ata e kanë trajtuar dhe vazhdojnë ta trajtojnë thjesht si një parcelë eksperimentale.

Dhe inteligjencia shqiptare vazhdon të heshtë, si pa gjë të keqe.

Tiranë, 12 tetor 2015


Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...