Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/12/28

KUSH ISHIN 39 KRYEMINISTRAT SHQIPTARË TË PERANDORISË OSMANE?

Ilir KONTI


SulltanTrojet shqiptare, pas vdekjes së Skënderbeut, ranë tërësisht nën pushtimin osman, me përjashtim të disa zonave autonome në bregdet dhe malësi dhe viti 1506 njihet si viti i këtij pushtimi tërësor.
Ashtu si në Romë edhe në Bizant, regjimi ushtarak u jepte mundësi ushtarakëve më të zotë të qeverisnin perandorinë. Shqiptarët, ashtu si në perandoritë e tjera, janë dalluar për forcën e krahut dhe të mendjes, edhe në perandorinë osmane.
Ata e qeverisën me shekuj, duke i dhënë asaj një pushtet të fortë dhe lavdi. Pa frikë mund të themi se perandorinë osmane e krijuan shqiptarët sepse ata pushtuan të gjitha territoret që hynë nën perandori, dhe i qeverisën ato gjatë gjithë ekzistencës së saj. Ka një numër të madh kryeministrash dhe strategësh të perandorisë. Si kryeministrat e parë me origjinë shqiptare flitet se kanë qenë Bajazit Pasha dhe Isak Pasha, por të dhënat më të sakta janë për Gjedik Ahmet Pashën.
1 – Gjedik Ahmet Pasha
Kryeministër i perandorisë me origjinë shqiptare. Ai ka qenë kryeministër në vitet 1475-1479. Gjatë kohës së qeverisjes së tij me anë të flotës ushtarake, arriti të pushtojë pjesën më të madhe të Krimes, e cila bllokoi rrugën tregtare të Evropës për në lindje. Arriti që të fitojë luftën kundër Venedikut, duke i imponuar një marrëveshje paqeje të favorshme, sipas së cilës Venediku do u kalonte osmanëve të gjitha ishujt e Egjeut, përveç Kretës dhe Korfuzit dhe do i paguante tribute vjetore perandorisë. Në 1478 ushtritë osmane ndërmorën ekspedita plaçkitëse në territoret austriake. Ai nuk pranoi të merrte pjesë në pushtimin e Shkodrës, dhe për këtë u shkarkua nga posti i kryeministrit. Kryeministrat kishin meritën për sukseset ushtarake, sepse ata ishin komandantë të operacioneve ushtarake dhe përgjigjeshin me kokë para sulltanit në rast dështimesh.
2 – Daut Pasha
Sipas Sami Frashërit, është me origjinë shqiptare, i marrë rob nga sulltani kur ishte fëmijë. Në saje të aftësive dhe talentit të tij të lindur, në kohën e sulltanit Mehmed II u bë bejlerbe i Rumelisë dhe Anadollit. Në vitin 1483, në kohën e Sulltan Bajazitit, duke qenë bejlerbe i Anadollit, kaloi në postin e kryeministrit dhe arriti të drejtojë me sukses punët e rëndësishme të shtetit osman. Në vitin 1496, u largua nga detyra, dhe pas dy vitesh vdiq.
3 – Haim Ahmet Pasha
Kryeministër me origjinë shqiptare nga vitet 1496-1514. Gjatë qeverisjes së tij nënshtroi Hercegovinën dhe ndërmori disa ekspedita plaçkitëse në Hungari, Austri, Poloni. Edhe pse ishte vendosur paqja me Venedikun, ai ende mbante disa pika strategjike të cilat lakmoheshin nga osmanët, prandaj vazhduan luftimet, kryesisht në det.
Flota osmane korri një fitore historike në betejën e Leopantos në Korinth, kundër flotës së Venedikut me të cilin ishte bashkuar Hungaria, Franca dhe Spanja, të bekuara nga Papati. Fitorja mbi Venedikun nuk solli ndonjë plaçkë lufte të madhe, por vetëm u futi frikën evropianëve që të mos merreshin me osmanët, dhe nga ana tjetër, nxori superioritetin e flotës osmane kundër flotës perëndimore. Në këtë kohë, e gjithë Azia e vogël u përfshi në shtetin osman. Gjatë qeverisjes së tij filloi një luftë e gjatë me shahun e Iranit, sepse ai kishte pushtuar Irakun, Armeninë, Kurdistanin dhe kërkonte edhe Azinë e Vogël shtëpinë e osmanëve. Kjo luftë mori karakter fetar, sepse iranianët ishin shiit dhe turqit synit. Përfundimisht, Irani u mund në vitin 1514 aq sa Osmanët hynë në territoret e vetë shtetit të Iranit dhe morën një pjesë të madhe të arkës së shtetit. Ai arriti që gjatë qeverisjes së tij të mundte Venedikun fuqinë mesjetare detare, dhe pas kësaj edhe vetë Iranin, i cili kishte më tepër zotërime se sa osmanët. Përfundimisht, Azia e vogël, gjatë qeverisjes, së tij u bë e osmanëve, që do të ishte dhe qendra e kombit turk. Pra, shqiptarët pushtuan edhe territoret historike ku shtrihet sot kombi turk.
4 – Ahmet Pash Dukagjini
Ka qenë kryeministër për një periudhë të shkurtër kohe nga vitet 1514, deri në vitin 1515 dhe rrjedh nga familja e madhe e Dukagjinëve. Gjatë qeverisjes së Sulltan Selimit, ai ka qenë ushtarak i lartë me titullin gjeneral, dhe më pas ka qenë bejlerbe i Rumelisë, pra, qeveritar i Ballkanit, dhe më vonë u bë kryeministër. Dukagjini, gjatë kohës së qeverisjes së tij si qeveritar i Egjiptit, synoi pavarësinë e këtij vendi nga pushteti i Sulltanit. Ai u rebelua kundër sulltanit, por u mund nga forcat ushtarake, dhe koka e tij e prerë iu dërgua sulltanit në Stamboll.
5 – Ibrahim Pasha
Ishte me origjinë nga Butrinti, por ka studiues që thonë nga Parga e Çamërisë, gjithsesi, ishte shqiptar. Gjatë një ekspedite ushtarake në trojet shqiptare sulltani e mori, dhe e rriti në pallatin e tij së bashku me të birin, Sulejmanin, i cili në 1520, bëhet sulltan, dhe shokun e tij të fëmijërisë e bën kryeministër. Pra, ai u rrit me sulltan Sulejmanin e ndritur që ishte një nga sulltanët më të mëdhenj të perandorisë, ndoshta më i madhi. Ai u edukua dhe mori arsimin e mjaftueshëm për të qenë një ushtarak dhe politikan i zoti. Ka qenë kryeministër nga vitet 1523-1536. Ai u martua me motrën e sulltanit, i cili i bëri një dasëm madhështore. Si u bë kryeministër, drejtoi fushatat për pushtimin e Beogradit dhe Rodosit.
Kështu, në vitin 1526 ai u vu në krye të një ushtrie prej 100.000 vetash, dhe u nis kundër Hungarisë. Në gusht të po atij viti u zhvillua beteja e Mohaçit ku Hungarezët u mundën dhe, pas kësaj, ushtria osmane mori Budën kryeqytetin e vendit. Kjo betjë, në të cilën mori pjesë dhe sulltan Sulejmani, ishte një betejë historike, sepse osmanët pas kësaj erdhën në kufijtë e Evropës qendrore dhe e kërcënonin seriozisht atë. Beteja e Mohaçit ishte një nga betejat më të mëdha që kanë zhvilluar osmanët, por me komandant shqiptar. Po të kihet parasysh që Hungaria bëri një luftë 100-vjeçare, që nga 1444 kur kërkoi ndihmën e Skënderbeut, rëndësia e kësaj fitoreje është historike.
Në vitin 1529 ushtria osmane prej 250.000 ushtarësh, të komanduar nga Ibrahimi, në të cilën merrte pjesë dhe vet sulltani, rrethoi Vjenën. Vjena u bombardua ashpër por nuk u dorëzua. Në dështimin e ushtrisë osmane, në marrjen e Vjenës, ndikoi negativisht i ftohti me të cilin nuk ishte mësuar ushtria osmane, pasi ajo vinte nga një zonë e ngrohtë. Në vitin 1532 ishte kryekomandant i një lufte tjetër me Austrinë por më tepër për territoret hungareze. Në këtë luftë ai i shkaktoi disfatë Austrisë dhe arriti që përfundimisht të kthente Hungarinë në një provincë të perandorisë osmane. Në vitin 1534 arriti të pushtonte Azerbajaxhanin dhe zgjeroi më tej territoret e shtetit osman në lindje. Ibrahimi ka nënshkruar dhe Kapitulacionet me Francën, që shumë studiues i quajnë në disfavor të Turqisë përsa i përket ekonomisë, sepse tregtarët francezë ishin të privilegjuar në perandori, por nga ana tjetër kapitulacionet ishin një marrëveshje me Francën kundër armikut të përbashkët, Austrisë, të cilën donin ta sulmonin njëkohësisht. Kështu, e parë në kuadër të politikës së jashtme nuk ishte aspak një marrëveshje e keqe, sepse bënte aleate një shtet perëndimor. Ai arriti të shtypte me armë të gjitha kryengritjet brenda vendit.
Në vitin 1536 vritet në pallatin e Sulltanit aty ku u rrit, por nuk dihet se kush e vrau dhe për çfarë, megjithëse shumë historianë thonë se u vra për xhelozi, ngaqë kishte arritur të kishte sukses. Nuk besoj të ketë pasur dorë sulltani në vrasjen e tij ashtu siç ndodhte rëndom tek osmanët, sepse ata ishin rritur bashkë që fëmijë, dhe një sulltan i madh si Sulejmani nuk mund të kishte shpirt kaq të vogël. Në histori mbetet një nga vezirët më të mëdhenj të njërit prej sulltanëve më të mëdhenj të perandorisë osmane. Ai ka meritën se arriti të pushtojë Hungarinë, e cila kishte 100 vjet që sfidonte osmanët, sulmoi Austrinë edhe pse s’e pushtoi me atë veprim tmerroi Evropën, pushtoi Azerbajxhanin, nënshkroi marrëveshje aleance me Francën etj.
6 – Ajaz Mehmet Pasha
Qe kryeministër në vitet 1536-1539 pas vdekjes së Ibrahimit. Ishte nga Vlora dhe kishte lindur në Vuno. Hyri në pallatin e Sulltanit me sistemin e devishermesë, që ishte marrja e fëmijëve të krishterë në moshë të vogël, dhe edukimi për shërbimin në ushtri ku më të mirët mbaheshin për shërbimin në pallatin e sulltanit. Në fillimet e karrierës së tij ka qenë bejlerbej, pra qeveritar i Anadollit dhe i Damaskut. Shtypi kryengritjen e shqiptarit Ahmet Pasha, një funksionar i lartë i shtetit i rebeluar ndaj qeverisë qendrore. Mori pjesë në betejën e Mohaçit dhe të Rodosit krahas shqiptarit tjetër që ishte në atë kohë kryeministër Ibrahm Pashës. Në vitin 1536 u bë kryeministër, detyrë që e mbajti derisa vdiq në 1539. Gjatë qeverisjes së tij ai drejtoi fushatën ushtarake kundër Rumanisë dhe arriti të pushtojë Rumaninë e Mildavinë. Midis lumenjve Dniepër dhe Dniestër u krijua një sanxhak i ri me tokat e pushtuara.
Në vitin 1538 flota osmane mundi në Prevezë flotën e tre fuqive të perëndimit, atë të Karlit të V Habsburg, të Venedikut dhe Papatit. Pas kësaj humbjeje Venediku u detyrua të lëshonte disa qytete në Dalmaci dhe të paguante një tribut vjetor të rëndë në favor të osmanëve. Ai mori pjesë në shtypjen e kryengritjes në vendlindjen e tij, Himarë, pasi ishte kryeministër e ndoshta nuk mund të bënte dot ndryshe se i priste kokën sulltani. Kryeministri Ajaz Ahmet Pasha ka meritën se pushtoi Rumaninë dhe Moldavinë si edhe mundi flotën detare evropiane.
7 – Lutfi Pasha
Qeverisi si kryeministër në vitet 1539-1541. Ishte me origjinë nga Vlora, nga ku osmanët e morën që të vogël. Ai u rrit në pallatin e sulltanit, ku mori të gjithë edukimin e nevojshëm politiko-ushtarak. Historianët e kohës kanë thënë se është “Shqiptar kokëfortë e inatçi Ai mori pjesë në rrethimin e Vjenës në vitin 1529 së bashku me ushtarakë të lartë shqiptarë, dhe kryeministrin po shqiptar. Ka qenë bejlerbe i Rumelisë, pra i Ballkanit. Ai ka marrë pjesë në betejën e Otrantos kundër italianëve, të cilët edhe u mundën. Pas vdekjes së kryeministrit, shqiptari Ajaz Mehmet Pasha, ai u bë kryeministër. Gjatë qeverisjes së tij, bëri paqe me Venedikun, që ishte tepër e favorshme për osmanët sepse ajo sillte territore, para dhe qetësi. Ai hyri në bisedime për paqe me Austrinë. Në luftë me arabët mori disa territore të Jemenit, dhe arriti të dalë në detin e Kuq. Në vitin 1541 u tërhoq nga detyra me dëshirën e vet, por arsyet nuk dihen. Marrëdhëniet e tij me sulltanin qenë të mira, sepse ai ishte dhëndër te sulltani, pasi ishte martuar me motrën e tij.
8 – Rustem Pasha
Kryeministër i perandorisë me origjinë shqiptare, që qeverisi në vitet 1544-1552 dhe për herë të dytë, në vitet 1555-1560 pas vdekjes së Kara Ahmet Pashës, pra ai qeverisi perandorinë për 13 vjet. Ai arriti të fusë në perandori disa vise të Jemenit. Në qeverisjen e tij u pushtua Tripoli në Libi, pasi theu flotën spanjolle, që mbante një pjesë të madhe të Afrikës Veriore. Ai organizoi e drejtoi një luftë të dytë kundër shahut të Iranit në vitin 1548 e cila do të përfundonte me disfatë për Iranin dhe marrëveshjen e paqes do e nënshkruante një shqiptar tjetër, Kara Ahmet Pasha.
9 – Kara Ahmet Pasha
Atë e morën të vogël nga trojet shqiptare dhe e rritën në pallatin e sulltanit, ku mori dhe edukimin e nevojshëm për të qenë një qeveritar dhe ushtarak i zoti. Sulltani i dha të motrën për grua, ashtu siç bënin shpesh sulltanët me figura të mëdha e të forta të shtetit. Gjatë karrierës së tij ka qenë bejlerbej i Rumelisë, me këtë emër quheshin zotrimet osmane në Ballkan. Në 1526 mori pjesë në betejën e Mohaçit kundër Hungarisë. Gjatë kohës që ishte kryeministër, në vitet 1553-1555, u ngarkua të merrej vesh me shahun e Iranit dhe nënshkroi me të një marrëveshje paqeje, sipas së cilës Iraku mbeti nën sundimin osman, Gruzia dhe Armenia u ndanë më dysh, ndërsa Azerbajxhani kaloi nën sundimin e shahut të Iranit. Marrëveshja e paqes ishte e favorshme se perandoria doli në gjirin Persik, pra ishte një tjetër shqiptar pas atij që e nxori perandorinë në detin e Kuq, që i dha gjirin Persik shtetit osman. Me flotën osmane u kryen edhe disa pushtime në Afrikën Veriore. Në 1555 i prenë kokën, edhe pse qe dhëndërr i sulltanit, arsyet se përse nuk dihen.Megjithëse qeverisi për një kohë të shkurtër ai arriti që t’i japë perandorisë gjirin Persik dhe një pjesë të Afrikës Veriore.
10 – Semiz Ahmet Pasha
Ishte kryeministër me origjinë shqiptare gjatë viteve 1579-1580 pra, për një kohë të shkurtër, ku nuk janë shënuar shumë ngjarje të rëndësishme. Përpara se të bëhej kryeministër ishte bejlerbe i Rumelisë. Ai mori për grua të bijën e ish-kryeministrit Rustem Pasha.
11 – Koxha Sinan Pasha (1506-1596)
Ka qenë kryeministër i perandorisë 5 herë në vitet 1580-1582; 1584-1585; 1589-1591; në 1593; 1595-1596. Ka lindur në Topjanë të Lumës, pra ishte shqiptar dhe u rrit në pallatin e sulltanit. Gjatë karierës së tij ka shërbyer si qeveritar në Tripoli të Libisë dhe në Damask të Sirisë. Ai ka meritën që nënshtroi përfundimisht Jemenin të cilin pjesërisht e kishin nënshkruar dy shqiptarë të tjerë. Me pushtimin e Jemenit perandoria doli në detin Arabik.Në vitin 1580 drejto vetë fushatën ushtarake kundër Persisë dhe Hungarisë, edhe pse ishte në moshë të thyer. Ai mori pjesë edhe në një luftë tjetër kundër Austrisë, e cila përfundoi me marrëveshje paqeje, por pas vdekjes së tij. Vendlindjes së tij, Lumës, i lehtësoi taksat dhe detyrimet, gjithashtu ngriti në Kaçanik një kështjellë dhe një xhami.
12 – Ferad Pasha
Edhe ai si kryeministrat e tjerë shqiptarë u rrit në pallatin e sulltanit ku mori edukimin e nevojshëm. Gjatë karrierës së tij qeverisi Rumelinë, si bejlerbe. Qe kryeministër gjatë viteve 1591-1592 dhe në vitin 1595. Ka marrë pjesë në luftë kundër Austrisë e cila në këtë kohë zgjati disa vjet. Ai drejtoi luftën kundër Vllahisë, pas së cilës u pushua nga puna dhe u vra nga rivalët e tij po shqiptarë.
13 – Merre Husein Pasha
Ishte me origjinë shqiptare. Ka nisur karrierën si kuzhinier, dhe më vonë shërbeu si vali në Misir. Shërbeu si kryeministër në vitet 1601-1602, pra për një kohë të shkurtër. Ai quhej Merre, sepse për kundërshtarët e tij përdorte fjalën shqip merre, zhduke, kështu që i mbeti ky emër.
14 – Jemishxhi Hasan Pasha. Sipas Sami Frashërit është me origjinë shqiptare. (Sami Frashëri… f.komp.45).Ka ngjitur shkallët e karrierës ushtarake dhe qeveritare në sajë të aftësive të tij. Në vitin 1602-1603, ishte kryeministër i perandorisë.
15 – Kujxhu Murat Pasha. Ka qenë me origjinë shqiptare. Ishte kryeministër gjatë viteve 1606-1611, pra për rreth 5 vjet. Gjatë qeverisjes së tij u nënshkrua amrrëveshja e paqes me Austrinë, me të cilën perandoria kishte disa vite që kishte rifilluar luftën. Në 1606 me Austrinë u nënshkrua një traktat paqeje 10 vjeçare, sipas së cilës, të dyja palët nuk patën përfitime territoriale. Austria i dha perandorisë një tribut vjetor prej 200 000 dukatësh ari dhe nga ana tjetër, osmanët njohën sundimtarin e Vjenës si perandor. Këto kushte nuk ishin të favorshme për osmanët, por shteti u detyrua, pasi në vend kishte plasur një kryengritje e madhe dhe nuk kishte se si të luftohej jashtë kur kishte probleme e anarki brenda vendit. Ai arriti që të shtypte kryengritjen e madhe brenda vendit, të quajtur si kryengritja Xhelaliane. Kështu në një betejë në vitin 1608, kur kryeministri ishte 90 vjeç, arriti të shkatërrojë ushtrinë kryengritëse dhe të asgjësojë pjesën më të madhe të sajr.
16 – Nasuh Pasha
Ishte shqiptar dhe qeverisi si kryeministër në vitet 1611-1614 vite gjatë të cilave mbretëroi një gjendje paqeje pa luftra të mëdha. Para se të bëhej kryeministër ka punuar si qeveritar i Halepit dhe i Bagdadit.
17 – Ohril Hysein Pasha
Ai lindi në zonën e Pogradecit, dhe vdiq në vitin 1622. U rrit në pallatin e sulltanit dhe më pas u bë komandant i jeniçerëve, dhe qeveritar i Rumelisë. Mori gradën vezir dhe shërbeu si kryeministër gjatë vitit 1621.
18 – Hasan Pasha.
Ai ishte me origjinë shqiptare. U mor i vogël dhe u edukua në oborrin e sulltanit. Në fillim ka qenë bejlerbej i Rumelisë, pastaj vezir i gradës së ulët deri sa u bë vezir i madh ose kryeministër në vitin 1624.
19 – Taban Mehmet Pasha
Ishte kryeministër me origjinë shqiptare i perandorisë në vitet 1631-1637, pra për 5 vjet. Vite që nuk patën ngjarje të mëdha. Pas detyrës u burgos dhe u ekzekutua, sepse kështu bënin shpesh sulltanët.
20 – Mustafa Pashë Kamekeshi
Lindi në Vlorë, dhe hyri në ushtrinë osmane me anë të sistemit të devishermes. Kushti i parë që të bëje karrierë në perandorinë osmane ishte që të bëheshe mysliman, kështu, duke qenë se shqiptarët nuk janë fanatikë fetarë, por përkundrazi, janë tepër tolerantë për fenë e tjetrit, nuk e patën problem të ndërrojnë fenë. Në fillim hyri në radhët e ushtrisë së jeniçerëve, dhe arriti deri në postin e komandantit të flotës ushtarake osmane. U dallua si kryekomandant në rrethimin e Irakut ku merrte pjesë dhe vetë Sulltan Murati IV, për suksesin e së cilës mori dhe titullin vezir i madh që ishte titulli më i lartë në hierarkinë e qeverisjes, dhe qeverisi vendin në vitet 1637-1644. Ai nuk ishte vetëm ushtarak i zoti, por edhe financier i zoti, sepse arriti të kryejë me sukses një reformë financiare me anë të së cilës nxori buxhetin e shtetit nga kriza. E vrau sulltani sepse ky donte të ndërmerrte një reformë administrative që nuk i pëlqeu, pasi binte ndesh me interesat e tij.
21 – Xhixhan Mehmet Pasha.
Me origjinë shqiptare nga i ati, ndërsa nga e ëma nga familja e sulltanit. Ai u rrit dhe u edukua në oborrin e sulltanit, dhe qeverisi në vitet 1644-1645. Karrierën e nisi si vali i Egjiptit, dhe më vonë i Damaskut. Gjatë kohës së qeverisjes së tij mori Kretën, të cilën e mbante ende Venediku. Marrja e Kretës ishte një fitore për perandorinë, sepse ajo kishte një pozitë gjeografike të mirë, dhe nga ana tjetër dëbohej përfundimisht Venediku nga Egjeu dhe Mesdheu lindor.
22 – Kara Mustafa Pasha
Me origjinë shqiptare, i lindur në Shqipëri. Ai shkoi në Stamboll si jeniçer dhe arriti të bëhej komandant i ushtrisë së jeniçerëve. Ka qenë dy herë kryeministër në vitet 1649-1650 dhe 1655. Gjatë detyrës si ministër i marinës, mundi flotën Venedikase.
23 – Tarhanxhu Mustafa Pasha
Ishte me origjinë nga Mati dhe qeverisi vendin në vitet 1652-1653. Karrierën e nisi si qeveritar i Egjiptit, dhe më vonë i Selanikut. Ishte kryeministër i parë që në kushtet e ndalimit të fushatave dhe plaçkitjeve arriti të bëjë buxhetin e shtetit për të menaxhuar më mirë të ardhurat dhe shpenzimet. Ai ra viktimë e zgjuarsisë së vet, sepse askujt nuk i interesonte buxheti i shtetit, se të gjithë kërkonin të hanin sa të mundeshin, pra fenomeni i korrupsionit është aq i vjetër sa dhe profesioni më i vjetër në botë. Për të thuhej se ishte i pakorruptueshëm, dhe bënte detyrën si duhej, kështu që natyrisht s’do ta kishte të gjatë. Xhelozitë e kundërshtarëve bënë që ai të pushohej nga puna dhe të ekzekutohej.
24 – Qypyrli Mehmet Pasha
Ishte shqiptar nga Berati, lindur në një familje të varfër dhe kishte punuar si kuzhinier i sulltanit. Ai nuk kishte arsim, madje, ishte analfabet, nuk dinte të shkruante dhe të lexonte. Por edhe pse i pashkolluar, kishte cilësi të tjera që e bënë kryeministër të perandorisë në vitin 1656-1661, në moshën 75-vjeçare. Para se të bëhej kryeministër, kishte punuar si qeveritar i Damaskut, Jerusalemit dhe Tripolit. Ai e mori pushtetin duke i vendosur disa kushte sulltanit si; të zgjidhte vetë ndihmësit e bashkëpunëtorët e tij në qeverisje dhe të ishte i lirë në qeverisjen e vendit, gjë që s’e kishte bërë asnjë kryeministër deri në atë kohë. Vendi ishte futur në krizë, dhe ai arriti të balancojë buxhetin e shtetit duke vënë dorë në arkën e vakëfeve dhe të sulltanit. Forcoi disiplinën në ushtri e cila kishte filluar të çartej dhe të humbiste betejat, rriti efikasitetin e flotës ushtarake. Gjatë qeverisjes së tij mundi Venedikun, dhe drejtoi fushatën ushtarake në Poloni. Vendosi qetësinë në vend duke vrarë me mijëra vetë që nuk i bindeshin dhe midis tyre partirarkun ortodoks të Stambollit.
25 – Fazlli Ahmet Pasha Qypyrliu
Pas vdekjes së Mehmetit vendin e tij e zuri i biri Fazlliu, që qeverisi për një kohë prej 15 vjetësh nga 1661-1676. U edukua në Stamboll dhe ishte më pak i ashpër se sa i ati. Karrierën e filloi si vali i Damaskut dhe pastaj si kryeministër në një moshë të re 26-vjeçare. Në politikën e jashtme u mor me Austrinë, të cilën gjeneralët shqiptarë nuk e kishin thyer dot. Ai pushtoi kështjellat rreth Vjenës, dhe po përgatitej të pushtonte dhe vetë kryeqytetin Austriak, gjë që tmerroi Evropën. Me gjithë përpjekjet e mëdha nuk arriti të pushtojë Vjenën. Gjatë qeverisjes së tij pushtoi tërësisht Kretën, pasi shqiptari që e pushtoi për herë të parë kishte lënë disa kështjella pa pushtuar dhe në vitin 1666 ripushtoi Jemenin i cili ishte pushtuar më parë nga 2 kryeministra shqiptarë, por që nga 1635 ishte shkëputur nga perandoria.Vdiq në moshën 46-vjeçare, në vitin 1676 nga një sëmundje e pashërueshme.
26 – Fazlli Mustafa Pashë Qypyrliu
Ishte djalë i dytë i Mehmet Qypyrliut dhe ngjiti shkallët e karrierës shumë shpejt me ndihmën e të afërmve, por dhe me meritat e veta.
Në vitin 1690-1691 u emërua kryeministër në një kohë kur Austria, gjatë mungesës së shqiptarëve, në qeverisje, nga 1676 deri në 1690, pra për 14 vjet kishte mundur ushtrinë osmane në vitin 1683 dhe kishte marrë territore të mëdha në Ballkan. Në krye të një ushtrie mundi austriakët dhe rimori territoret në Danub, Nishin dhe Beogradin. Ai trajtoi shumë mirë të krishterët dhe popullsinë jomyslimane të perandorisë, ashtu siç kanë bërë historikisht shqiptarët.r
27 – Ali Pashë Arabxhiu
Lindi në Ohër. Hyri në ushtri si jeniçer dhe përfundoi si komandant i jeniçerëve. Më vonë u bë komandant i rojeve në oborrin e sulltanit. Në vitin 1691 bëhet kryeministër deri në 1692. Sulltani nuk miratoi disa veprimtari politike të tij në drejtimin e shtetit, dhe për këtë arsye e ekzekutoi.
28 – Hysen Qypyrliu
Me origjinë nga familja e madhe e Qypyrlinjëve, kushëri i parë me bijtë e Mehmet Qypyrliut. Në fillim qe ministër i marinës, dhe pas mbrojtjes së Beogradit kundër austriakëve, u bë kryeministër në vitet 1697-1702.
29 – Dalltaban Mustafa Pasha
Ishte shqiptar i lindur në Manastir, i cili ngjiti shkallët e karrierës në sajë të aftësive të tij politiko-ushtarake. Nga jeniçer në komandant të jeniçerëve. Ai qeverisi në disa vilajete si në Bagdad, Bosnjë dhe Anadoll. Qeverisi vendin si kryeministër në vitet 1702-1703.
30 – Numan Pashë Qypyrliu
Me origjinë nga familja e qypyrlinjëve, ishte nipi i Mehmet Qypyrliut, dhe qeverisi shtetin në vitin 1710. Para se të bëhej kryeministër në vitin 1708 u martua me të bijën e sulltanit.
31 – Haxhi Halil Pashë Shqiptari
Ishte nga Shqipëria i lindur në Elbasan. Ai ngjiti shkallët e karrierës me mundim dhe punën e vet, duke kryer disa detyra si komandant ushtarak e qeveritar, deri sa në vitin 1716 u bë kryeministër.
32 – Ivaz Zade Halil Pasha u bë kryeministër në vitin 1770.
33 – Almedar Bajraktar Mustafa Pasha
Ishte shqiptar dhe mori detyrën e kryeministrit pasi hipi në fron sulltan Mahmut Hani II. Ka qenë një ushtarak dhe tregtar i zoti. Ka marrë pjesë në ekspeditën ushtarake kundër Rusisë. Ai ndihmoi Selimin III që të reformonte ushtrinë e pabindur të jeniçerëve dhe u bë kryeministër nga sulltan Mahmuti II.
34 – Memish Pasho i zgjuar ishte kryeministër në vitet 1808-1809.
35 – Gjirtili Mustafa Nail Pasha
Ishte me origjinë nga Kosturi, që sot grekët e quajnë Kastoria, dhe u bë kryeministër 3 herë me ndërprerje në 1853, 1854, 1857. Përpara se të bëhëj kryeministër ai qeverisi Kretën për disa vjet duke vendosur paqen dhe qetësinë atje. Ai qe ministër disa herë, derisa u bë kryeministër i perandorisë.
36 – Mehmet Ferit Pashë Vlora
Ishte kryeministër në vitet 1902-1908 dhe ka lindur në Janinë, pasi la postin e kryeministrit u bë kryetar senati dhe ministër i brendshëm.
37 – Mirsili Said Halim Pasha
Ishte nipi i Mehmetit të Kavallës. Ai u bë senator dhe më pas kryetar i Senatit në 1912, ministër i brendshëm, dhe kryeministër në vitet 1913-1917.
38 – Ahmet Izet Pasha
Me origjinë nga Manastiri, qe kryeministër në vitin 1918.
39 – Demat Ferit Pasha
Ishte kryeministri i fundit i perandorisë osmane në 1919-1920.
Shqiptarët qeverisën perandorinë osmane si kryeministra, për një periudhë prej afro 150 vjetësh. Kryeministrat shqiptarë i dhanë osmanëve Anadollin, Konstandinopojën, Irakun, Jemenin, Egjiptin, Algjerinë, Libinë, Arabinë, Sirinë, Hungarinë, Krimenë, Kretën etj. Pra, me punën dhe mendjen e shqiptarëve, u ngrit perandoria osmane. Ky është një fakt që pranohet nga vetë turqit dhe historianët që studiojnë këtë periudhë të historisë. Gjatë shekullit të 18-19, nuk ka pasur shumë shqiptarë në rangun e kryeministrit dhe shihet që perandoria pati disfata të tmerrshme që vunë në pikëpyetje ekzistencën e saj. Po të mos ishte për disa shtete perëndimore të cilat donin ta mbanin për kundrapeshë ndaj Rusisë, patjetër që do të kishte rënë. këto 2 shekuj shqiptarët nuk ishin pa pushtet, por kishin fituar pavarësinë nga sulltani, dhe qeverisnin për llogari të vet në disa shtete, si në Arabi, Siri, Egjipt etj.

SUNDIMI OSMAN S’MUND TË KONSIDEROHET “GROPË E ZEZË”


Ferid Duka
Prof. Ferid Duka
Historiani Ferid Duka, i specializuar për periudhën osmane, në një intervistë dhënë të përditshmes ‘Shekulli’ shpjegon, ndër të tjera, rëndësinë që ka rishikimi i një teksti historik.
Sipas Dukës, duke u përgjigjur përkitazi me peticionin e nënshkruar nga intelektualët shqiptarë, në mesin e të cilëve dhe Kadare, “shkrimi dhe rishkrimi i historisë duhet të jetë një proces i natyrshëm, i cili ka logjikën e vetë, ka dinamikën e vetë. Dhe është ekskluzivitet i historianëve”.
Pa përjashtuar të drejtën e peticioneve të tilla, Duka është i mendimit se mbi të gjitha duhen pritur përfundimet që do të nxjerrë Komisioni i formuar për shqyrtimin e teksteve. “Personalisht, mendoj se historia jonë kombëtare nuk duhet cenuar. Sepse janë vlerat të rinisë për të cilat ka luftuar populli gjatë shekujve. Por kjo duhet të bëhet duke iu përmbajtur edhe parimit që historiografia ka nevojë të zhvillohet gjithnjë si çdo shkencë tjetër”.
Çka gjithsesi duhet të kihet kujdes, është të mos politizohet gjuha kur flitet për çështje historie, mendon Ferid Duka. “Historia është një shkencë, e cila ka dinamikën e vetë të zhvillimit, shkruhet nga historianët, pëlqehet nga publiku. Sepse i gjithë publiku është pronar i së kaluarës dhe ka të drejtë që të ketë zërin e tij për të kaluarën e vet. Por kur vjen puna për shkrimin e historisë përgjegjës janë historianët. Unë mendoj se, duhet që të jenë ata që shkruajnë dhe rishikojnë historinë sa herë që dalin dokumente të reja, sa herë që duhen rishikuar probleme të caktuara, periudha të caktuara, personalitete të caktuara. Në këtë mënyrë historia do të ketë karakter shkencor”.
Për rrjedhojë, Duka është edhe kundër imponimit nga ana e një shteti tjetër të mënyrës se si duhet shkruar historia. Çka është e pranueshme janë “propozimet e zakonshme që paraqiten nëpër tryeza siç ndodh për çdo çështje që diskutohen nëpër vendet e Ballkanit, si heqja e etiketimeve, gjuhës vulgare, brutale,fshirja e një gjuhë propagandistike etj., që mund të burojnë që nga periudha e komunizmit, edhe për këtë në periudhën post-komuniste, historianët kanë bërë ndryshime të mëdha. Këto ndryshime kanë qenë në mënyrën sesi shkruhet dhe sesi shtrohen çështjet që i paraqiten publikut të gjerë. Është pasuruar teksti me materiale faktike dhe dokumentare. Kështu që, ky proces në republikën e Shqipërisë ka nisur në vitet e para post-komuniste dhe vazhdon edhe sot duke iu përmbajtur logjikës se historia jonë ka nevojë të rishikohet dhe të rishkruhet vazhdimisht. Pavarësisht se, nga cili vjen ky shqetësim apo kjo kërkesë, mund të vijë nga qeveria apo nga rrethet e historianëve, por çështja është se sa e drejtë është kërkesa. Sa racionale është ajo”.
Duka, përkundër Kadaresë, nuk mendon se Turqia po bën agresion kulturor. Kërkesa e Turqisë, shprehet Duka, është po ashtu kërkesë e Këshillit të Europës, pra “që të rishikohen tekstet e historisë nga vendet ballkanike, të hiqen nga këto tekste termat fyese, terminologjitë propagandistike etj. Por duhet që teksti i historisë të mos modifikohet, por të ruajë të vërtetat historike, natyrën shkencore, duke qëndruar larg gjuhës së urrejtjes dhe gjuhës fyese. Në këtë mënyrë, historiografia në Ballkan nuk kthehet në nxitje të urrejtjes ndëretnike. Por të jetë nxitëse e një klime identiteti dhe t’u japë fund plagëve të vjetra”.
Ai e konsideron periudhën osmane “një nga periudhat më të rëndësishme të Ballkanit dhe të shqiptarëve në veçanti… Në qoftë se, ne do ta konsiderojmë periudhën osmane një “gropë të zezë”, atëherë nuk mund të shpjegojmë as edhe një dukuri, as edhe një ngjarje dhe asnjë proces të rëndësishëm që ka ndodhur brenda kësaj periudhe. Ne nuk mund të shpjegojmë, fjala vjen, sistemin ekonomiko-politik që u vendos në tokën ballkanike dhe shqiptare apo ndryshimet e mëdha me karakter social dhe politik që ndodhen gjatë këtyre shekujve. Kam parasysh intelektualët rilindës që i dhanë jetë këtij procesi. Kemi babain e pavarësisë sonë kombëtare, Ismail Qemalin, që doli nga radhët e burokracisë Osmane. Edhe shumë pashallarë të tjerë dolën nga radhët e burokracisë osmane. Prandaj as nuk mund t’i ikim dhe as nuk mund ta shmangim këtë periudhë. Nuk mund ta shpallim “nul”, por duhet të bëjmë atë që bën sot e gjithë bota akademike në katedrat e botës. Akademikët nëpër botë kanë bërë studime të shkëlqyera, kanë zbuluar dokumente nga fondet arkivore me shumë rëndësi. Në të gjithë universitetet e botës, kjo periudhë ka katedrat e veta, ka studentët e vet. Dhe në hapësirën shqipe ka pasur zhvillim dhe pse duhet që të ketë akoma më shumë. Në periudhën osmane, sigurisht që, duhet t’i ruhemi zbukurimit dhe trajtimit të saj.
Duhet që të trajtojmë me objektivitet çdo periudhë që nga pushtimi osman, luftërat e Skënderbeut, sistemi ekonomik dhe politik që u vendos, raportet që krijoi populli shqiptar me strukturat osmane, bashkëjetesën, integrimin, fenomenet sociale, religjioze, siç ishte konvertimi i shumicës së shqiptarëve në myslimanë etj. Pa zbukurime, pa idealizime, por duke i qëndruar besnik objektivit shkencor, mendoj se historianët këtë periudhë jo vetëm që nuk do ta lënë pas dore, por kanë se çfarë mund t’u thonë të tjerëve”.
Duka beson se këto debate mbi rishikimin e teksteve të Historisë nuk do të kenë ndikim të keq në Kosovë. “Kërkesat që mund të vijnë nga një shtet i caktuar, mund të jenë propozime edhe të gabuara, por kam përshtypjen se institucionet e Kosovës kanë mundësi të reagojnë në mënyrën e duhur ndaj një partneri të barabartë. Kanë mundësinë të reagojnë në mënyrën e duhur aty ku shikojnë se një propozim që vjen është i gabuar. Theksoj se, këtu nuk duhet që të ketë keqkuptime, sepse shtetet e Ballkanit nuk janë vetëm për t’u mësuar të tjerëve sesi duhet që të jetë historia e vendit, por duhet që ta shikojnë edhe vetë. Sepse edhe Turqia, sipas meje, ka shumë për të parë në tekstet e historisë së saj. Këtu duhet të kërkojmë parimin e reciprocitetit. Ashtu siç duhet të rishikojë dhe Serbia, Greqia dhe vende të tjera. Prandaj, këshillimi reciprok me historianë të rajonit për çështjet bazike të historisë mendoj se është një rrugë pozitive dhe frytdhënëse për të përgatitur një të ardhme të ndritur për Ballkanin”.

KOMBI, DEMOKRACIA DHE EVROPA: DUKE LEXUAR VEPRËN E UKSHIN HOTIT

Enis SULSTAROVA

Një popull, ose e dëshiron realizimin e një qëllimi politik dhe për të është i gatshëm të sakrifikojë, ose nuk e dëshiron. Qëllimi politik i popullit shqiptar nuk mund të jetë tjetër pos bashkimit të tij në një shtet të vetëm shqiptar.
                                                                                                                                                                                                                                                          Ukshin Hoti
Enis Sulstarova
Enis Sulstarova
Hyrje
Falënderoj Lëvizjen Vetëvendosje! për ftesën që të marr pjesë në këtë tribunë për mendimin politik dhe filozofik të Ukshin Hotit. U jam mirënjohës, sepse më bëtë të rilexoj së fundmi dy libra të Hotit, Filozofia politike e çështjes shqiptare (Prishtinë, 1996) dhe Bisedë përmes hekurash (Tiranë: Toena, 2000), ky i fundit një bisedë e autorit të burgosur me shkrimtarin Ismail Kadare. Çdo rilexim ndryshon nga paraardhësit, ngaqë lexuesi jo vetëm kujton atë çfarë ka lexuar, por edhe mund të zbulojë gjëja të reja. Rileximi merr vlerë të veçantë atëherë kërkojmë që të gjejmë përgjigje për pyetjet që kemi për aktualitetin, aq më tepër kur ke të bësh me një mendimtar që e kanë munduar po ato pyetje që kemi ne, aq më tepër kur ke të bësh me një autor/aktivist që ka luftuar dhe është martirizuar për qëllimin që mbetet i parealizuar dhe që kërkojmë ta realizojmë: bashkimin politik të kombit shqiptar. Për sa kohë që kombi është i ndarë, përpjekja për bashkim është aktualitet dhe mendimi i Ukshin Hotit mbetet bashkëkohor.
Nuk është aspak rastësi që jemi mbledhur në Prishtinë për të diskutuar mbi mendimin e Ukshin Hotit. Sot, në Kosovë, republika është në rend të ditës, sikurse ishte në marsin e vitit 1981. Sot i jemi drejtuar atij, si personi që më shumë se kushdo mbrojti me argumente, pasion, elokuencë dhe me tërë qenien e tij drejtësinë e parullës “Kosova Republikë”. Të njëjtën parullë sot aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje! po e shpalosin nëpër sheshe, rrugë dhe ndërtesa për t’ia kujtuar qytetarëve se qeveritarët po e heqin dorë prej saj. Po heqin dorë jo thjesht për faktin se së fundmi qeveria e kryesuar nga Hashim Thaçi ka rënë dakort me Serbinë që republika të zëvendësohet nga një fundshënim në dokumentet ndërkombëtare, por më shumë prej faktit se që nga pavarësia (edhe ajo e kushtëzuar nga Pakoja Ahtisari) qeveritë nuk po bëjnë përpjekje për ta realizuar republikën së brendshmi. Kur republika nuk është më qëllimi politik, kur ajo në politikën e brendshme të shtetit mbetet vetëm në letër, atëherë është shumë e lehtë që në dokumentet ndërkombëtare të pranosh që ajo të fshihet fare.
Si jeta, por ashtu dhe krijimtaria teorike e Ukshin Hotit janë të ndërprera dhunshëm. Gjatë jetës së tij, Hoti nuk arriti që të ketë kushtet optimale për të krijuar vepra të plota teorike. Edhe kur nuk ndodhej në burg, ai ishte i veçuar nga mjediset intelektuale dhe politike të Prishtinës. Pas vitit 1981 atij iu pamundësua punësimi i përhershëm dhe jeta e qetë familjare. Libri Filozofia politike e çështjes shqiptare është një përmbledhje e artikujve të shkruar në rrethana dhe për tema të ndryshme, letrave dhe mbrojtjes së tij në gjyq. Libri tjetër, Bisedë përmes hekurash, e përmban paradoksin qysh në titull: nuk kemi të bëjmë me një bisedë normale, ballë për ballë mes dy personash, por me një komunikim në kufijtë e të pamundurës, me pyetje që i kalohen me mundime brenda në burg për fare pak kohë, dhe me përgjigjet që Hoti arrin t’i shkruajë dhe mrekullisht t’i nxjerrë nga burgu për t’ia dërguar shkrimtarit. Vepra e fragmentarizuar nuk do të thotë se idetë janë të tilla. Përkundrazi vihet re një kthjelltësi dhe vazhdimësi në argumentet kryesore të Hotit, që buron jo vetëm nga bindja e tij e palëkundur për drejtësinë e kërkesave kombëtare të shqiptarëve, por edhe nga një rrokje e thelbit të zhvillimeve ndërkombëtare të kohës së tij, që ndikuan në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Në vitet 80-90 të shekullit të kaluar, Hoti ishte dëshmitar i shndërrimeve rrënjësore në Evropë e në botë dhe ndoshta nuk e zmadhojmë vlerësimin tonë kur themi se ai, më shumë se kushdo intelektual tjetër shqiptar i atyre viteve,kuptoi drejt kahun e zhvillimeve të mëdha politike në kontinent dhe zgjidhjen e çështjes shqiptare e konceptoi brenda tyre.
Në këtë rilexim të veprës së tij, nisur edhe nga ngjarjet e fundit në Kosovë, sugjerojmë se tri ide ide janë në themel të mendimit të tij: kombi, demokracia dhe Evropa. Për këtë arsye, kumtesën e kemi organizuar në tri pjesë kryesore, të ndjekura nga një shënim përmbyllës për aktualitetin e veprës së Ukshin Hotit. Organizimi i kumtesës nuk do të thotë aspak se secila nga idetë qëndron më vete dhe e veçuar nga të tjerat; siç do ta shohim më poshtë, ato janë të pandashme dhe mbështesin njëra-tjetrën. Mund të shprehemi se kombi, demokracia dhe Evropa formojnë një trini në mendimin e Hotit, prandaj secila nga ndarjet analitike të mëposhtme vetëm sa thekson një aspekt të saj.
Kombi
Shqiptarët janë një komb, që së pari do të thotë se ata kanë një identitet. Ky identitet na është dhënë nga historia jonë në kontinentin e Evropës dhe rrjedhojë e dallimit tonë nga popujt e tjerë përreth. Vetëdijësimi për gjuhën që flasim është themeli i dallimit të ilirëve dhe vazhdimësisë së tyre me shqiptarët. Prania e kurdohershme e gjuhës u tregonte se ata i përkitnin “një kolektiviteti të veçantë që e fliste një gjuhë, e cila shtrihej në një territor të caktuar dhe kishte interesa të veçanta nga të tjerët, por mund të kishte dhe ndonjë interes të përbashkët” (Filozofia politike e çështjes shqiptare, f. 134-135; më poshtë do t’i referohemi shkurtimisht si Filozofia). Kombi është një bashkësi njerëzore që ka vazhdimësi biologjike, në këtë aspekt Ukshin Hoti nuk druhet të thotë se shqiptarët janë etnikisht të pastër, jo prej ndonjë programi politik të përmirësimit biologjik (eugjenetika) dhe as për t’u krenuar me këtë, por për faktin e thjeshtë se në histori nuk ka pasur të tjerë që të jenë deklaruar si shqiptarë, por ka pasur shumë shqiptarë të asimiluar që janë deklaruar si pjesëtarë të kombeve të tjerë (Bisedë përmes hekurash, f. 139; më poshtë do t’i referohemi shkurtimisht si Biseda). Në mungesë të dokumenteve të shkruara, vetë mbijetesa e shqiptarëve në histori, me gjithë tkurrjen territoriale të tyre në shekujt e fundit, është një dëshmi e ruajtjes së një kolektivit dhe mosdëshire, apo vullneti për t’u shkrirë me popujt e tjerë, por për të qëndruar ai që është. Forcimi i identitetit kombëtar është pjesë e detyrueshme e modernizimit dhe e përparimit material, ai është “ecje progresive drejt së ardhmes. Një ecje që nuk mohon vlerat pozitive të së kaluarës, por i inkuadron në vetvete dhe i kuptimëson në kohë” (Filozofia, f. 195).
Ruajtja e vetes është interesi jetësor i kombit. Në një botë të shteteve kombëtare, ekzistenca e kombit ruhet përmes shtetit. Historia e ka dëshmuar se shteti kombëtar është kuadri më i mirë institucional për ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kombëtar. Nuk ka shtete për hir të vetes, por për hir të kombit: “Në qoftë se është kështu për të gjithë popujt e civilizuar të botës… dhe në qoftë se jemi popull i civilizuar… atëherë nuk mund të jetë ndryshe as për ne shqiptarët” (Filozofia, f. 143). Prej këndej, Hoti argumenton se interesi jetësor (vital) i shqiptarëve është ruajtja e shtetit të formuar shqiptar (Shqipërisë) dhe bashkimi i pjesëve të ndara të kombit dhe atdheut me Shqipërinë: “çdo politikë që do të çonte drejt realizimit të qëllimit të tillë mund të cilësohet si politikë gjithëshqiptare… Brenda suazave institucionale dhe normave ndërkombëtare juridike Shqipëria është dhe duhet të jetë bartëse e një politike të tillë” (Filozofia, 77-78).
Kombet bëjnë përpjekje për të vazhduar ekzistencën e tyre, prandaj “lufta e kombeve për pushtet (fuqi) është imanente në vetë natyrën e kombit” (Filozofia, f. 41). Vullneti për t’u bërë, apo për “t’u shtetëzuar” siç e shpreh Hoti solli krijimin e Shqipërisë si shtet. Shqipërinë nuk e krijuan fuqitë e mëdha evropiane nga hiçi, por si njohje prej tyre të vullnetit të shqiptarëve: “edhe ne duhej të ishim diç, të cilit mund t’i ndihmohej. Kjo ‘diç’ ishte lëvizja politike shqiptare” (Biseda, f. 66). Ndarja e kombit shqiptar nuk erdhi si vullnet i tij, por si pasojë e gjeopolitikës evropiane. Eshtë e vërtetë se bashkimi i kombit varet sërish nga fuqitë e mëdha, por këto të fundit “nuk merren me zgjidhjen e çështjeve të tilla pa pasur interesat e veta dhe sidomos jo pa u bërë inicimi i zgjidhjes së një çështjeje të tillë nga vetë faktori politik shqiptar” (Filozofia, f. 75). Hoti mendon se vala demokratike që përshkoi Evropën në vitet 80 dhe projekti i bashkimit të saj janë kushtet që bëjnë të mundur zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, prandaj shqiptarët duhet të lëvizin drejt këtij qëllimi.
Rihapja e çështjes kombëtare shqiptare u shënua nga kërkesa për republikë në Kosovën e vitit 1981. Ajo erdhi natyrshëm si një kërkesë për përparim dhe zhvillim të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, krahas lëvizjeve që po bënin në këtë drejtim edhe popujt e tjerë jugosllavë. Ishte e qartë në atë kohë se pozita juridike e Kosovës ishte bërë pengesë për zhvillim. Përderisa konteksti ndërkombëtar nuk e lejonte ndryshimin e kufijve të Jugosllavisë, logjike ishte kërkesa për republikën brenda federatës (Filozofia, f. 135). Republika do të ishte një hap drejt bashkimit të kombit dhe njëkohësisht do të ruante dhe nuk do të rrezikonte kufijtë e shtetit ekzistues shqiptar, sipas rregullimit ndërkombëtar të vendosur nga fuqitë e mëdha.
Nuk mjafton të njihet vetëm qëllimi politik, por edhe mjeti për realizimin e tij. Hoti shkruan:
Kur një popull arrin t’i njohë jo vetëm interesat e veta, por edhe mënyrën e realizimit të atyre interesave, vetëm atëherë mund të flitet se mund të kihet shpresë dhe mbështetje për optimizëm. Por kur një popull manipulohet me parulla të ndryshme, atëherë nuk mund të flitet as për shpresë dhe as për optimizëm (Filozofia, f. 265).
Rendi ndërkombëtar i vendosur në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore nuk e lejon ndërrimin me dhunë të kufijve shtetërorë. Padyshim që kjo normë është në interesin e shteteve, mirëpo nuk duhet harruar se shtetet janë instrumente të kombeve, jo qëllime të vetvete. Prandaj është lënë e hapur mundësia e ndryshimit të kufijve me pranimin e palëve dhe me rrugë paqësore. Ne jemi dëshmitarë se aty ku interesi kombëtar nuk përputhej me ruajtjen e kufijve shtetërorë, këta të fundit ranë dhe ndarjet brenda shtetërore u kthyen në kufij të rinj sovranë. Duke pasur parasysh kontekstin ndërkombëtar, edhe Hoti shkruan se bashkimi i kombit shqiptar duhet kryer në rrugë institucionale dhe me mjete demokratike (Filozofia, f. 191). Mjet demokratik është p.sh. referendumi, i cili parashikohet në programin e Lëvizjes Vetëvendosje! Politika gjithëshqiptare duhet sinkronizuar me atë ndërkombëtare, brenda zhvillimeve ndërkombëtare në Evropë: “Ne do të bashkohemi më Shqipërinë nëse këtë do ta mundësojnë proceset evropiane… Ndryshimi i kufijve mund të bëhet vetëm si produkt i marrëveshjes së superfuqive” (Filozofia, f. 257). Por nuk mund të ketë pritje që Evropa të bëjë Republikën e Kosovës dhe më tutje bashkimin e shqiptarëve (Filozofia, f. 136).
Hoti ishte dëshmitar i shpërbërjes me luftë të Jugosllavisë dhe nga fundi i jetës së tij edhe i luftës së Kosovës. Për të, lufta erdhi për arsyen se serbët nuk deshën që ndjekin tendencën demokratike në Evropë, por iu kundërvunë asaj për të ruajtur epërsinë e tyre në Jugosllavi dhe sidomos në raport me shqiptarët që i trajtonin si një popull të nënshtruar, ngjashëm me situatën e popujve aziatikë dhe afrikanë në epokën e kolonive evropiane. Lufta ishte e pashmangshme në ish-Jugosllavi, jo sepse kombet janë luftënxitës nga thelbi i tyre, por sepse ata do të mbronin interesat e tyre me gjithë kërcënimin e luftës. Lidhur me këtë, Hoti te Filozofia shkruan se “një popull që nuk i frikësohet luftës mund të jetë vetëm i marrë, por frika e luftës kurrnjëherë, asnjë popull, nuk e ka penguar të luftojë për idealet e veta” (f. 230), kurse në bisedën me Kadarenë i mëshon faktit se “nuk është në natyrën e njeriut dhe as të kombit të pajtohet me statusin e robit” (f. 130). Lidhur me Luftën e Kosovës, ai shënon se shqiptarët e dinin se Serbia ishte sipërore në mjetet e luftës, prandaj nuk kishte kuptim të thuhej se shqiptarët ishin luftënxitës, se ata do të zgjidhnin luftën ndaj paqes. Përkundrazi, shqiptarët luftonin sepse nuk u kishte mbetur mjet tjetër për të pasur një “ekzistencë dinjitoze kolektive dhe… zhvillim të papenguar si komb brenda trojeve të veta” (Biseda, f. 137). Prandaj, ai besonte se UÇK-ja me arritjen e qëllimit të republikës së pavarur do të dinte ta mposhte edhe luftën si të tillë.
Demokracia
Sipas Ukshin Hotit, demokracia është mjet dhe vlerë. Ai shkruan se demokracia, si formë e rregullimit shoqëror, demokracia ndihmon në njohjen dhe përsosjen e njeriut, shoqërisë dhe në fund mbarë njerëzimit në kushtet e lirisë (Filozofia, 231). Për këtë arsye, ne themi se ajo është mjet për qëllime të tjera, por edhe vlerë, ngaqë përvoja njerëzore e ka veçuar më lart midis mjeteve të tjerë. Demokracia nuk është statike, por e përshtatshme sipas nevojave dhe kushteve shoqërore. Demokracia i përket popullit dhe nuk është pronë ekskluzive e elitës: “demokracia nuk mund të jetë kundër elitës, por është kundër elitizmit” (po aty). Demokracia nuk mund t’i importohet një kombi, por ajo lind nga nevojat e tij, si kërkesë për institucionalizimin e kërkesave të tij. Për këtë arsye Hoti përdor termin e “demokracisë autentike”, jo për të treguar se në Kosovë u shpik një lloj i veçantë i demokracisë, por se lëvizja për republikë është demokratike dhe nuk përbën dallim nga proceset evropianizuese tjetërkund në Evropë. Si e tillë, demokracia në Kosovë është kontribut në “zbatimin e parimeve universale, të gjithëpranueshme të demokracisë” (Filozofia, f. 231-232).
Demokracia është autoktone në Kosovë si pasojë e përpjekjes popullor për fitimin e statusit të Republikës në vitin 1981. Demokracia është mjet për lirinë, ndërsa nga ana e saj liria është një mundësi për vetëkrijim. Përderisa kërkesa për republikë ishte në vetvete një shprehje e lirë e shqiptarëve për më shumë liri dhe mundësi zhvillimi për veten e tyre, atëherë kërkesa për Republikë ishte demokratike (Filozofia, f. 116-117). Atëbotë  disa thanë se nuk është koha për të kërkuar demokraci, por për Hotin ishte pikërisht dëshira e një brezi të ri për mos e pranuar botën e tyre ashtu siç ishte: botë e sunduar nga i huaji, autoritare dhe patriarkale. Si e tillë, kërkesa për demokraci ishte brenda frymës së kohës në Jugosllavi dhe në Evropë.
Demokracinë në Kosovë nuk e lindën të tjerët, e as nuk u lind për qejfin e tyre. Ishte e ndërlidhur me proceset demokratike të Evropës dhe me synimet e tilla të njerëzimit. Demokracia në Kosovë u vetëlind në vitin 1981, do të rritet vetë, së bashku, e barabartë dhe e ndërlidhur me të tjerat (Filozofia, f. 118).
Hoti mbeti i vetëm ndër intelektualët e Kosovës që përkrahën parrullën për republikë në vitin 1981. Në një intervistë pas dhjetë viteve ai mendon se ishte udhëheqja partiake dhe elita intelektuale ato dështuan për të udhëhequr masat, edhe pse ato ishin të bindura se kërkesa ishte e drejtë. Ato kishin mbetur në pritje të premtimeve dhe masave për demokratizim të shoqërisë nga lart, duke mos besuar në fuqinë e demokracisë si mjet i qytetarëve për ndryshim (Filozofia, f. 249). Edhe sot shumë ndër elitën politike të Kosovës, një pjesë në pushtet dhe një pjesë në opozitë, mendojnë se nuk është koha për republikën sovrane, por për atë të mbikëqyrur. Prandaj nuk e mbrojnë as së brendshmi ndaj strukturave paralele serbe dhe mosrespektimit të reciprocitetit dhe as së jashtmi, duke pranuar shuarjen e “republikës” pre dokumenteve ndërkombëtare. Sërish mbivlerësohet “lart” dhe nënvlerësohet “poshtë”, duke harruar se në demokraci pushteti buron nga poshtë. Prandaj demokracia e pritur po ia lë vendin hap pas hapi autoritarizmit. Prandaj parlamenti i Kosovës është kapur në rrethin vicioz të “korrigjimit” të vetvetes: sapo merr një vendim si përfaqësues i vullnetit të popullit dhe forcimit të republikës, menjëherë prapson vendimet e tij me porosi nga lart. E më pas vijojnë “këshillat” qetësuese nga diplomatë se përmendja e republikës është e parëndësishme, anakronike, apo lojë fëmijësh. Nga të njëjtët diplomatë perëndimorë që e kanë të sigurt republikën në vendet e tyre. Nga diplomatë që kujtojnë se republikën ahtisariane ia kanë bërë dhuratë (të pamerituar) popullit të Kosovës.
Demokracia është edhe ideologjia e madhe e rendit të ri ndërkombëtar pas Luftës së Ftohtë. Mbizotërimi i Perëndimit të kryesuar nga SHBA-ja në marrëdhëniet ndërkombëtare legjitimohet nga demokracia dhe përhapja e saj në botë. Demokracia i kapërcen kufizimet kulturore dhe fetare, prandaj Rusia, shkruan Hoti nuk mund të jetë një fuqi botërore bazuar mbi ortodoksinë apo pansllavizmin (Biseda, f. 95). Në kushte të tilla, është e vështirë që nga ana teorike të kundërshtohet zbatimi i vetëvendosjes së shqiptarëve: “Cila formë e demokracisë do të mund të quhej demokratike, po qe se një populli të tërë të madh sa shqiptarët… do t’ia mohonte të drejtën e vetëvendosjes? Në emër të çkafit do ta bënte një gjë të tillë?” (Biseda, f. 105-106). Bashkimi i shqiptarëve në një shtet të vetëm sot po kundërshtohet fuqishëm nga ideja e bashkimit të Evropës. Jo vetëm nga diplomatët e huaj, por edhe nga shumica e elitave politike dhe kulturore të shqiptarëve integrimi i shteteve ballkanikë në Bashkimin Evropian paraqitet si zëvendësim i programit të bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Hoti ka argumentuar pikërisht të kundërtën, që procesi i bashkimit politik të Evropës e bën të pashmangshëm bashkimin e shqiptarëve. Integrimi evropian është, sipas tij, plotësues dhe jo alternativë e bashkimit kombëtar.
Evropa
Shqiptarët ndodhen gjeografikisht në Evropë dhe ndarja kombit në disa shtete është rrjedhojë e gjeopolitikës evropiane. Përplasja e madhe gjeopolitike në kontinent ka qenë midis grupimit të popujve gjermanë me ata sllavë dhe shtetet detare, ndërsa Britania e Madhe anonte në çaste vendimtare për të ruajtur balancën mes fuqive. Shqipëria londineze ishte kompromisi për të ruajtur paqen evropiane më 1913 dhe vazhdimi i copëtimit të shqiptarëve pas Luftës së Dytë Botërore u përcaktua nga Lufta e Ftohtë midis Perëndimit dhe Lindjes. Kjo situatë e rëndë e shqiptarëve në Evropën e fillimshekullit, d.m.th. si kurban i gjeopolitikës, Ukshin Hoti mendon se në fund të shek. XX mund të kthehet në përparësinë e shqiptarëve. Që bashkimi i Evropës të realizohet dhe të qëndrojë në të ardhmen, duhet që gjeopolitika si e tillë të kapërcehet nga shtetet evropiane. Kapërcim i saj do të thotë që nuk ekziston më arsyeja themelore për ndarjen e shqiptarëve (Biseda, f. 71-73), sikurse nuk ekzistonte as arsyeja themelore për ndarjen e Gjermanisë (Filozofia, 89). Prandaj, çështja shqiptare kthehet në një gur prove i projektit të bashkimit të Evropës:
Lufta e popullit shqiptar për të zgjidhur problemet e veta dhe çështjen e vet është pikërisht në funksion të zgjidhjes së proceseve të Evropës dhe të avancimit të proceseve të saj pozitive, përveç faktit se është edhe masë për matjen e ecurisë së tyre. Për këtë shkak dhe nga ky aspekt, shqiptarët vetëm sa po e kryejnë pjesën e vet të detyrës gjithevropiane (Biseda, f. 154).
Jo më kot shumë intelektualë evropianë ndërhyrjen e NATO-s më 1999 e quajtën si provën e Evropës së nesërme përballë Evropës së djeshme si peng i lojës mes fuqive të mëdha. Hoti nuk do të thotë se gjeopolitika në Evropë ka përfunduar, por se ajo është në agoni, në tërheqje e sipër, dhe se vdekja e saj është parakusht për integrimin evropian (Biseda, f. 105-106). Eshtë e vërtetë se as serbët dhe as shqiptarët nuk e kanë në dorë bashkimin e Evropës, mirëpo ata mund të sillen në pajtim ose në kundërshtim me integrimin. Serbët duan që pozitën e tyre hegjemoniste përballë shqiptarëve dhe popujve të tjerë të rajonit, pozitë e fituar për shkak të gjeopolitikës, ta “kontrabandojnë” edhe brenda BE-së (Biseda, f. 63), ndërsa shqiptarët me përpjekjen e tyre kombëtare nuk duan tjetër veç barazi mes kombeve, gjë që është në pajtim me projektin e bashkimit të kombeve të kontinentit, siç konceptohet p.sh. nga Edgar Morin (Filozofia, f. 87). Barazia mes kombeve evropianë është edhe kriteri kryesor që modeli evropian të jetë tërheqës jashtë Evropës dhe të shërbejë si model në botë (Filozofia, f. 125).
Pajtimin me tendencën kryesore evropiane, lëvizja kombëtare shqiptare e ka pasur qysh në vitin 1981, sepse kërkesa për republikë “në esencë ishte kërkesë për evropeizimin e Kosovës, në qoftë se fjala “evropeizim” kuptohet drejt si tendencë për barazimin dhe nivelizimin e zhvillimit në shtetet e zhvilluara të Evropës” (Filozofia, f. 135-136). Kur është kështu, atëherë përse duket sikur përfaqësuesit e BE-së sot nuk e nxisin, por e shkurajojnë përpjekjen për bashkim të shqiptarëve? Përveç efekteve të gjeopolitikës që mbeten të fuqishme akoma, një arsye tjetër, sipas Hotit është edhe frika nga e panjohura që mund të sjellë ndryshimi i kufijve mes shteteve ku jetojnë shqiptarët. Në përgjigje të kësaj frike, që është frikë e Evropës nga vetja, shqiptarët nuk duhet të përgjigjen duke shpallur se po heqin dorë prej bashkimit, por se bashkimin po e kryejnë në pajtim me parimet e lirisë, demokracisë dhe vetëvendosjes që qëndrojnë në themel të Evropës së sotme. Këtë gjë Hoti e theksonte në kohën kur në Kosovë kishte filluar lufta e armatosur kundër pushtimit serb (Biseda, 106-107).
Mendimi i Hotit priret të shquajë universalen te përpjekja kombëtare shqiptare. Pra jo bashkim paçka asaj që po ndodh në Evropë dhe në botë, por bashkim kombëtar sipas parimeve universale mbi të cilët po kryhet integrimi evropian dhe ruajtja e paqes dhe e rendit ndërkombëtar. Ai nuk e shtyp partikularizmin e çështjes shqiptare në emër të parullave universale (internacionalizmi komunist, globalizimi, integrimi evropian etj.), por e shtron detyrën kombëtare të shqiptarëve së bashku me detyrën që ata kanë ndaj bashkimit të Evropës dhe ndaj paqes e barazisë mes popujve dhe njerëzve në mbarë botën. Nëse integrimi i Evropës do të dilte nga kursi i universales dhe do të ndiqte linja partikulariste, si p.sh. shquarjen e identitetit fetar si bazë për pranimin ose jo të kombeve evropianë, atëherë Hoti përgjigjet se kjo gjë do të fuqizonte identitetin e tij kombëtar dhe evropian: “një gjë e tillë do ta përforconte mendimin tim se do të duhej të mbetesha ashtu çfarë isha dhe se nga ajo pozitë, tani, do të duhej të luftoja edhe për identitetin tim evropian, përveç atij shqiptar, në Evropë” (Biseda, 153).
Për fundin që është fillim
Qenia e Ukshin Hotit ishte e lidhur me kombin e tij. ai ishte ndër intelektualët e paktë shqiptarë që nuk e veçoi fatin vetjak nga ai i popullit. Edhe në fundin e jetës së tij ai nuk u nda nga martirizimi që po pësonte populli i tij. Ai nuk mund të ishte i lirë kur shqiptarë të tjerë po flijonin jetën për lirinë. Shkrirja e fatit vetjak me atë të popullit dhe të idealeve e bënte Hotin që në bisedën me Kadarenë të shkruante këto fjalë lapidare: “Me vrasje nuk mund të vriten të vërtetat dhe as idealet dhe as që mund të shuhen aspiratat legjitime të një populli të tërë. Vrasja nuk e tremb njeriun e idealit dhe as popullin e vetëdijesuar për veten” (f. 164). Ai nuk mund të bënte më shumë për kombin e tij. Zbulimi se si mbaroi jeta e tij dhe gjetja e rivarrosja e eshtrave të tij nuk është nderim për të, por është nderim i shqiptarëve për veten. Kombi duke nderuar dëshmorët nderon veten, sepse dëshmorët ia falën qenien e tyre kombit.
Ne sot mund te supozojmë se si do të ishte politika në Kosovën e pasluftës në rast se ai do jetonte. Këtë nuk mund ta dimë asnjëherë, por një gjë e dijmë me siguri: ai do të përkushtohej për republikën. Rruga e tij sapo ka filluar. Kosova duhet të bëhet me domosdo republikë sovrane. Që më pas të bashkohet me Shqipërinë siç e planifikonte Ukshin Hoti. Fundi i tij është fillimi ynë.

Prof. Dr. Zymer Ujkan NEZIRI : Aspekte të kufirit Kosovë – Mali i Zi në Luftën e Dytë Botërore

Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri
Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri


Kufiri shtetëror me Malin e Zi, si pjesë e indentitetit të shtetit të Kosovës, është çështje e sotme për shqyrtim shumë serioz. Dihet se ka lloje e lloje kufijsh, por tash po veçoj kufirin ndërshtetëtor të vendosur me dhunë, kufirin e vendosur me marrëveshje dhe kufirin e vendosur me ndërmjetësim.

 Për të dy variantet e fundit presim që nga Qeveria në Podgoricë të mbizotërojë arsyeja për vijën e demarkacionit Kosovë-Mali i Zi, e kontestueshme nga ana e ekspertëve tanë, për rreth 12 mijë ha tokë të rrethinës së Pejës, të krahinave Rugovë dhe Podgur, por duke pasur parasysh edhe kufirin Kosovë -Mali i Zi të viteve 1912-1944-1999.
Rugova në Luftën e Dytë Botërore

Lidhur me këtë kumtesë timen, Aspekte të kufirit Kosovë-Mali i Zi në Luftën e Dytë Botërore, që ka theks të veçantë në mbrojtjen e kufirit të Rugovës me Malin e Zi, paraprakisht bën të shtrohen tri pyetje:

1.Cili ishte kufiri Kosovë-Mali i Zi në Luftën e Dytë Botërore?

2. Si është mbrojtur ky kufi në Luftën e Dytë Botërore?

3. Kush e ka mbrojur këtë kufi në Luftën e Dytë Botërore? Në pyetjen e parë, kemi këtë përgjigje: Kufiri Kosovë-Mali i Zi, në Luftën e Dytë Botërore, në krahinën e Rugovës, ishte në pikat Çakorr-Mokna-Glloxhi-Murgash-Smilevicë. (Dëshmi: Arkivi i Kosovës, Procesverbali i hetimeve ndaj Zhukë Haxhisë, komandant ushtarak i Rugovës, Pejë, më 14 3.1947). Dy, ky kufi është mbrojur ushtarakisht në Luftën e Dytë Botërore. (Dëshmi: Arkivi i Kosovës, Procesverbali i hetimeve ndaj Zhukë Haxhisë, Pejë, më 14.3.1947). Tre, këtë kufi në Luftën e Dytë Botërore, në krahinën e Rugovës, e kanë mbrojtur gjashtë grupe të armatosura: Grupi i Zhukë Haxhisë, Stakaj, Grupi i Rizë Zymerit, Koshutan, Grupi i Salih Ramës, Bogë, Grupi i Isuf Mehmetit, Shtupeq i Vogël, Grupi i Haxhë Mustafës, Shtupeq i Math, Grupi i Sak Faslisë, Koshutan. Grupi i fundit, i dyti nga Koshutani, ishte i formuar pjesërisht edhe me luftëtarë nga katundi Pepaj, që i takonin bajrakut të parë, Bajrakut të Shtupeqit të Vogël, me lejën e Zhukë Haxhisë, për shkak se grupi nuk kishte luftëtarë të mjaftueshëm.

Gjashtë grupet kishin një komandë të përbashkët, mbi gjashtë muaj. Zhukë Haxhia ishte komandant ushtarak, kurse Rizë Zymeri ishte komandant politik. (Dëshmi: Arkivi i Kosovës, Procesverbali i hetimeve ndaj Zhukë Haxhisë, Pejë, më 27.2.1947). Këtë detyrë e kishte marrë Rugova nga Komiteti i Pejës, në krye me atdhetarin e madh të Lëvizjes Kombëtare, Bedri Pejani. (Shihni: Azem Azemi, Procesverbal i marrjes në pyetje të Zhukë Haxhi Çelës, shkruar në Drejtorinë e Qarkut të Drejtoratit të Sigurimit Shtetëror (UDB) në Pejë, më 5.II.47, në: Instituti i Historisë, rev. Kosova, nr. 25, Prishtinë, 2003, f. 225).

Këto gjashtë grupe mbronin gjashtë sektorë në kufi me Malin e Zi. Forca ushtarake e këtyre gjashtë grupeve të armatosura përbëhej nga 600 vullnetarë gjithsej. (Dëshmi: Arkivi i Kosovës, Procesverbali i hetimeve ndaj Zhukë Haxhisë, Pejë, më 14.3.1947). Pjesët e tjera të kufirit, në dy krahë, i kanë mbrojtur njësitë nga Plava e Gucia dhe nga Rrafshi i Dukagjinit. Këto grupe të armatosura të Rugovës kanë pasur edhe disa beteja me forcat e armatosura të Malit të Zi. Madje, kanë luftuar edhe për mbrojtjen e Pazarit të sulmuar. Ndonëse pati edhe humbje në këto beteja, të plagosur e të vrarë, e ndër ta ra dëshmor edhe Sak Faslia, Rugova doli fitimtare.
Pas përfundimit të Luftë së Dytë Botërore, Zhukë Haxhia u zgjodh kryetar i Rugovës, por shpejt gjendja politike ndryshoi. Pushteti synonte t’i burgoste prijësit. Në Shtupeq të Vogël, në lagjen Nilaj, u pushkatuan shtatë burra: pesë të vëllazërisë së madhe Lajçi dhe dy mysafirë: Idris Jaha-Nilaj, Ali Mustafa-Nilaj, Halil Shabi-Vaçaj, Metë Zymeri-Nilaj, Kacup Zeneli-Broçaj, si dhe Brahim Haxhia nga Shkreli dhe Ali Rexha-Nreshaj nga Bogët (Z. U. Neziri, ÇFSH, 9, Tiranë, 2006, f. 145). Zhuka me bashkëluftëtarët e vet doli në mal e jetoi në mal deri në shkurt 1947, kur pushteti e dënoi me vdekje, pasi ra në dorë, kurse Rizë Zymerin e pushkatoi bashkë me të birin, Hasan Rizën. Shumë të tjerë u dënuan me dënime të rënda, e disa kanë vdekur në burgjet jugosllave.

Shembuj burrërie në Luftën e Dytë Botërore

Në luftë me Malin e Zi, përveç betejave, që fillonin edhe me dyluftime, si ai dyluftimi i trefishtë i të famshmit Adem Isufi të Rexhajve të Shkrelit në Betejën e Nokshiqit, në dhjetor 1879, kishte edhe burrëri, krahas trimërisë. E burrëri ishte respektimi i ndërsjellë i kodit moral të luftës: se malli i kundërshtarit bën të plaçkitet, se shtëpia bën t’i digjet, por jeta dhe nderi i familjes nuk bën t’i preket, andej, si këndej kufirit.
Kështu ishte para e pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, por vetëm deri më 1912, kur Mali i Zi e theu këtë kod burrërie në Rugovë. Mali i Zi, bashkë me Serbinë, edhe më 1919, më 16 shkurt, e shkeli këtë kod burrërie kur masakroi 432 fëmijë, gra e pleq, e shumë prej tyre i dogji të gjallë në Hanin e Isufit në Shtupeq të Math. (Z. U. Neziri, Mërgimi politik në epikën historike të Rugovës, në: Studime për folkorin, I, IAP, Pr., 2006, f. 261-273).

Por, Rugova nuk e theu kodin e burrërisë, se rast të mirë për hakmarrje kishte kur në LDB kaluan duke ikur nëpër Rugovë rreth 30 mijë njerëz, gra e fëmijë, kryesisht malazez, që i solli pushteti jugosllav dhe i vendosi në tokat e në shtëpitë e shqiptarëve. (Dëshmi: Arkivi i Kosovës, Procesverbali i hetimeve ndaj Zhukë Haxhisë Pejë, më 5.II.1947). Dhe, Rugova tha: nuk e çburrnojmë pushkën n’ta! Pra, ajo nuk e theu kodin e burrërisë, sepse nuk i ndali dhe nuk u hakmor në ata 30 mijë njerëz, gra e fëmijë, kryesisht malazez. Ajo fisnikërisht u hapi rrugë atyre, madje edhe njerëzisht u ofroi ndihmë nënave me fëmijë të vegjël, atyre me këmbë të mërdhira, po edhe një lehone, që lindi fëmijën e saj në katundin Drelaj. Në historinë e dy popujve është dëshmi në përmasa evropiane për shpirtin fisnik e bujar të shqiptarëve, për burrërinë e madhe të tyre.
Ky ishte vendim i parisë së Rugovës, që mos të çburrërohet pushka, kur kapitulloi Jugosllavia e Parë, në prill 1941: Osman Rrustemi, Drelaj, kryetar i Komunës së Rugovës, dhe kryepleqtë: Isuf Mehmeti nga Shupeqi i Vogël, Haxhi Zeka nga Shtupeqi i Madh, Din Zeka nga Rieka e Allagës, Rrustem Veseli nga Pepajt (Pepiq), Rexhep Mustafa nga Malajt, Hysen Syla nga Bogët, Sokol Çela, nga Stakajt, Agan Seku nga Haxhajt, Fasli Zymeri nga Kuqishta, Tahir Abazi nga Drelajt, si dhe Zhukë Haxhia, Stakaj. (Shihni: Azem Azemi, Procesverbal i marrjes në pyetje të Zhukë Haxhi Çelës, shkruar në Drejtorinë e Qarkut të Drejtoratit të Sigurimit Shtetëror (UDB) në Pejë, më 5.II.47, në: Instituti i Historisë, rev. Kosova, nr. 25, Prishtinë, 2003, f. 221-222. P.S. Mungojnë: Dugaiva, Shkreli, Koshutani? Disa emra i përmirësova, se janë shkruar me gabime, Z.U.N). Natyrisht, nuk harrohet edhe lejimi i kalimit të të shpërngulurve tanë në Mal të Zi, në vitet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 1998-99, dhe lejimi i vendosjes së tyre atje, në familjet shqiptare, nga Rozhaja e deri në Ulqin.
Rugova pas Luftës së Dytë Botërore

Vija Çakorr-Mokna-Smilevicë, pra, ishte vija e kufirit të Rugovës me Malin e Zi në LBD edhe pas saj. (Dëshmi: Fjala hyrëse e Komisionit të Besëlidhjes së Rugovës: Guri i Vajzit, Qafa e Diellit, Moknat, Livadi i Turkut, më 20.11.1970). Duhet pasur parasysh se kur Mali i Zi e sulmoi Vilajetin e Kosovës në tetor 1912, pikat Çakorr-Mokna-Smilevicë nuk ishin vija e kufirit të Shqipërisë me Malin e Zi. Gjenerali Janko Vukotiq i mbretit Nikollë të Malit të Zi duhej më parë për të marrë Beranin dhe e pushtoi pas luftës së përgjakshme në gjysmën e tetorit 1912, ku morën pjesë edhe rugovasit në mbrojtjen e tij. E, para Beranit, Vukotiqi duhej pushtuar Mojkovcin e Bjello Polen, dy qendra kufitare të Vilajetit të Kosovës me Malin e Zi, dhe pas pushtimit të tyre e sulmoi Beranin.

Rugovasit luftuan kundër Vukotiqit, pos në Beran, edhe në Çakorr, në Mokna e në Shtupeq, deri më 30 tetor 1912, kur ai hyri në Pejë dhe e pushtoni pjesën veriore të Rrafshit të Dukagjinit, duke bërë krime të rënda në popullsinë shqiptare, nga plaçkitjet e vrasjet e deri te ndërrimi i dhunshëm i fesë në Rugovë e Pejë dhe deri në Gjakovë. (Shihni librin e Zef Mark Harapit (1891-1946), shkrimtar nga Shkodra, mësues në Pejë, Ditt e trishtimit n’Pejë e nder rrethe: 1912-1913, f. 81, 83, 86, Dukagjini, 2004). Edhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur Kosova ripushtohet nga Jugosllavia, rugovasit vepruan politikisht kundër robërisë jugosllave, sidomos në organizatën Nacional Demokratike Shqiptare, me Sylë Mehmetin dhe brezin e tij, dhe më 1968, brezi i Isa Demajt, e më 1981, brezi i Ali Lajçit. Shumë rugovas, gjatë gjysmë shekulli, si në krejt viset shqiptare, janë ndjekur politikisht, janë përjashtuar nga puna dhe janë burgosur. Disa kanë vdekur burgjeve e disa i kanë vrarë në kufi.

Edhe pesëdhjetë vjet më vonë, në luftën me Malin e Zi e me Serbinë, në vitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 1997-1999, brigada 136 ‘’Rugova’’ e Zonës Operative të Dukagjinit e ka konsideruar linjën Çakorr-Mokna-Smilevicë-Hajlë, vijë e kufirit me Malin e Zi, ku ranë dëshmorët e lirisë: Selman B. Lajçi, Besnik M. Lajçi, Ramush M. Lajçi, Xhavit S. Lajçi, Ramë A. Lajçi, Tone Lajçi-Husaj, Sokol Z. Nikçi. Ashtu konsiderohet edhe sot.

Mirëpo, edhe duhet të dihet saktësisht se Mali i Zi ishte në bashkësi shtetërore me Serbinë dhe kjo bashkësi e fundit jugosllave dyshtetërore e humbi luftën me Kosovën në qershor 1999. Pra, Mali i Zi e plaçkiti, e dogj dhe e masakroi Rugovën edhe më 1999, po edhe Pejën e anën veriore të Rrafshit të Dukagjinit, por doli humbës bashkë me Serbinë, e fitimtarit, Kosovës, i takon vija e mbrojtur e kufirit Çakorr-Mokna-Smilevicë-Hajlë, po edhe pjesa tjetër e bjeshkëve deri në Kullë.

Përfundim

Kjo është gjendja e Rugovës me Malin e Zi, pra vija Çakorr-Mokna-Smilevicë, në Luftën e Dytë Botërore, ndonëse as historikisht e as etnikisht edhe kjo nuk është e drejtë, sepse edhe ky ishte kufi i dhunshëm i Mali të Zi, së paku i treti me radhë (1912, 1878, 1859 etj.), i vendosur me pushtime në territoret shqiptare në dy shekujt e fundit, natyrisht, me lejen e Evropës dhe me ndihmën e saj, sidomos në prag të Kongresit të Berlinit e pas tij, në Tivar e Ulqin, e pastaj në Sanxhakun të Pazarit, si dhe më 1912, në Plavë e Guci, Beran e Rozhajë dhe në pjesën e Malësisë së Madhe, ku nuk kishte fare popullsi malazeze.
Në këto territore shqiptare të pushtuara nga Mali i Zi për rreth një shekull u asimilua shumica e popullsisë shqiptare, pra, ajo është tjetërsuar gjuhësisht, sidomos në qytete, përveç Ulqinit, në qytetet e tjera tash flet kryesisht boshnjakisht ose kroatisht. Kjo çështje mbetet e hapur, kurse problemi i vijës Çakorr-Mokna-Smilevicë-Hajlë, deri në Kullë, ku Republika e Kosovës dëmtohet për rreth 12 mijë hektarë tokë, duhet të mbyllet si punë e tashme e ngutshme ndërmjet qeverive, ajo e Malit të Zi në Podgoricë dhe kjo e jona në Prishtinë, e nëse duhet, edhe me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, si dhe duke e lënë derën të hapur për diskutim edhe për çështje të tjera shumë me rëndësi dhe për të gjetur zgjidhje për problemet e viseve tona të copëtuara e të falura në Berlin (1878) e në Londër (1913), duke pasur parasysh standardet e fqinjësisë së mirë parimet universale për lirinë e popujve.
Bibliografi

ARAPI Mark, Zef, Ditt e trishti¬mit n’Pejë e nder rrethe: 1912-1913, Dukagjini, Pejë, 2004.
AZEMI, Hysen, LNDSH-ja dhe Sigurimi Shtetëror Serb, vëllimi II, 1945-1957, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, Prishtinë, 2014.

AZEMI, Hysen, Procesverbal i marrjes në pyetje të Zhukë Haxhi Çelës, shkruar në Drejtorinë e Qarkut të Drejtoratit të Sigurimit Shtetëror (UDB) në Pejë, më 5.II.1947, në: Instituti i Historisë, rev. Kosova, nr. 25, Prishtinë, 2003, f. 221-222.

ARKIVI i Kosovës, Procesverbale të hetimeve ndaj Zhukë Haxhisë Pejë, më 5.II.1947-27.III.1947.
CULAJ, Lush, Keri i Sadri Bardhit -jeta dhe veprimtaria atdhetare, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinës, 2007.

KOJÇINI-UKAJ, Sulltane, Roli i Zhukë Haxhisë në qëndresën kombëtare të Rugovës, në: rev. Kosova, nr. 28, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2006.

KOMISIONI i Besëlidhjes së Rugovës, Fjala hyrëse, Drelaj, Rugovë, më 20.11.1970.

NEZIRI Ujkan, Zymer, Mërgimi politik në epikën historike të Rugovës, në: Studime për folkorin, I, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2006, f. 261-273.

NEZIRI, Zymer, Veçori etnokulturore dhe epikografike të krahinës së Rugovës, në: Çështje të folklorit shqiptar, 9, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë, 2006, f. 139-200.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...