Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/07/02

Letra prekëse që Umberto Eco i la nipit para vdekjes

0
(Shkrimtari i njohur italian, Umberto Eko, i shkruan nipit të vet. Me një gjykim personal mbi teknologjinë e kohës ai jep një këshillë që i vlen të ardhmes: të mësojë përmendsh vjershat e njohura por edhe formacionet e skuadrave të futbollit, gjithashtu edhe shërbëtorët e tre musketierëve. Se interneti nuk zëvendëson dot dijet e njeriut dhe kompjuteri nuk i zë dot vendin trurit )
I dashur nipçe
Nuk do të desha kurrë që kjo letër, në prag Krishtlindjesh, të tingëllonte si ta kishte shkruar De Amiçis (Autori i librit për fëmijë “Zemra” Shën. i përkth) e të zgjatesha mbi dashurinë për të afërmit, për atdheun, botën e për gjëra të ngjashme. Nuk do të ma vije veshin e në çastin që do të të shkrepte t’i vije në punë, (ti i bërë burrë e unë shkuar me të shumtit) sistemi i vlerave do të kish ndryshuar aq shumë sa do të kishte të ngjarë që këshillat e mia të dukeshin të vjetruara.
Prandaj do të desha të ndalem veç në njërën këshillë, që ti mund ta ndjekësh që sot, teksa endesh përmbi iPadin tënd dhe nuk do të bëj aspak gabimin që të ta zvjerdh këtë instrument, ngaqë jo vetëm trembem se dukem si gjyshët e qëmotit, por edhe ngaqë atë tani e përdor edhe vetë. E shumta do të të rekomandoja që nëse do të qëllosh të jesh në një nga ato faqet porno, që tregojnë marrëdhëniet mes dy qenieve njerëzore, ose mes një qenieje njerëzore dhe një kafshe, në mijëra e mijëra mënyra, përpiqu të mos e besosh se seksi është ky, që meqë ra fjala është mjaft monoton, ngaqë është ndërtuar aty enkas për mos të të lënë ty të dalësh nga shtëpia e të vështrosh vajza të vërteta. Nisem nga parimi se ti je heteroseksual, përndryshe përshtati rekomandimet e mia për tipin tënd: por ama hidhu e shih vajzat e shkollës ose ato nga ti shkon të lozësh, sepse janë më të mira ato të vërtetat se sa ato televizivet, dhe një ditë do të të japin kënaqësi më shumë se ato online! Besoji një njeriu që ka më shumë përvojë se ç’ke ti (e nëse do të kisha parë në kompjuter vetëm skena seksi, yt atë nuk do të kish ardhur në këtë botë e aq më pak do të kishe ardhur ti).
Po nuk është ky thelbi i letrës sime. Dua të të flas për një sëmundje që ka prekur keq brezin tënd dhe bile brezin e shokëve të tu më të rritur që, për më tepër, ndjekin dhe universitetet: humbjen e kujtesës.
Është e vërtetë se po të shkrepi të dish kush ishte Karli i Madh, apo ku bie Kuala Lumpuri, nuk të duhet veçse të shtypësh ca butona të internetit e ai ta thotë menjëherë. Bëje këtë sa herë të kesh nevojë, por sapo ta kesh bërë, mundohu të mbash mend atë që zbulove, që të mos detyrohesh pastaj ta kërkosh edhe një herë tjetër kur të të paraqitet nevoja për të, fjala vjen, për ndonjë detyrë shkollore. Rreziku është që meqë mendon se kompjuteri të përgjigjet në çdo çast, ti do të humbësh dëshirën për të mbajtur diçka në kujtesën tënde. Do të ishte pak a shumë njësoj si për të shkuar nga rruga iks në rrugën ipsilon, mësohesh të përdorësh autobusin apo metronë që të mundësojnë të lëvizësh pa u lodhur (dhe nuk them mos e bëj, se vërtet është udhëtim më komod dhe nganjëherë mund të kesh edhe ngut). E kështu ti do të mendosh se nuk ke nevojë as të ecësh në këmbë. Por po nuk lëvize këmbët, do të përfundosh ulok, që sot nuk e cilësojnë kështu, ngaqë nuk duan të fyejnë ata që lëvizin me kolltukë me rrota. Mirë, mirë, e di që merresh edhe me sport dhe vetvetiu ia di të mirat lëvizjeve trupore, por lemë t’i kthehem trurit tënd.
Kujtesa është një muskul njësoj si ata të këmbëve dhe po nuk e përdore ai vyshket, kështu që ti bëhesh (nga pikëpamja mendore) ulok dhe kësisoj (të flasim hapur) një copë idioti. E shtojmë këtu, që meqenëse për këdo është rreziku që kur plakesh vjen e të godet sëmundja e Alzheimerit, një nga mënyrat t’i shpëtosh kësaj gjëme është të ushtrosh pambarimisht kujtesën.
Ja pra ku e ke dietën time. Çdo mëngjes mëso dy tri vargje, ndonjë vjershë të shkurtër ose bëj siç na thoshin të bënim ne, të mësonim “Pelën balashe” apo “E shtuna e fshatit” (e para është poezi e Xhovani Paskolit, kurse kjo e dyta Xhakomo Leopardit, poemth tepër popullor, me domethënien paradoksale se vigjilja është, në fakt, më e bukur se vetë festa. Shën i përkth). Fundja hyr në garë me shokët për të parë se kush mban mend më shumë. Po nuk të pëlqeu poezia, mbushe kujtesën me formacionet e skuadrave të futbollit, por kujdesu që të mos renditësh vetëm lojtarët e Romës së sotme, por merr edhe ata të skuadrave të tjera, madje, dhe të atyre që nuk lozin më (përfytyro, unë mund të të rendis formacionin e Torinos, të asaj skuadre që me aeroplanin ku ndodheshin të gjithë, u përplas me malin e Supergas e vdiqën në grup: Baçigalupo, Ballarini, Maroso e të tjerët). Bëj gara kujtese qoftë edhe me librat që ke lexuar (kush ishte në anien Hispaniola kur kërkonin ishullin e thesarit? Po lordi Trelaney, kapiteni Smollet, doktori Livesey, Long Xhon Silveri, Xhim…). Vër re, mbase shokët e tu do të kujtojnë emrat e shërbëtorëve të tre musketierëve dhe të D’Artanjanit (Grimonë, Bazenin, Musketonin dhe Planshetin)… E po nuk deshe të lexosh “Tre Musketierët” (kështu që nuk do të marrësh vesh kurrë se ç’ke humbur) hyrë në garë, me ndonjë nga historitë që lexoni ju.
Duket si lojë (dhe në fakt lojë është), por do ta shikosh se si e qysh koka jote do të popullohet me personazhe, historira dhe kujtime lloj-lloj. Do ta vrasësh mendjen se përse kompjuterët vite e vite më parë quheshin tru elektronikë dhe përse qenkëshin konceptuar me modelin e trurit tënd dhe tonit. Por truri ynë ka më shumë nyje lidhëse se sa ka kompjuteri dhe është ai farë kompjuteri që ti e merr me vete ngado që shkon e që rritet dhe fuqizohet tek ushtrohet, teksa ai kompjuter që mban mbi tryezë, sa më shumë e përdor aq më shumë ai e humb shpejtësinë dhe mbas tri katër vjetësh të duhet ta ndërrosh. Truri yt, në të kundërt, sot mund të zgjatë deri nëntëdhjetë vjet dhe kur të jesh nëntëdhjetë (po ta kesh mbajtur në punë) do të kujtojë edhe më shumë gjëra se sa të kujton tani. E do t’i kesh ato pa shpenzuar qindarkën!
Kemi pastaj kujtesën historike që nuk merret me hollësitë e jetës tënde dhe as me ato që ke lexuar, por me ato që kanë ndodhur më parë se ti të vije në jetë.
Sot kur vete në kinema duhet të hysh në një orë të caktuar kur fillon filmi e kur filmi nis të shfaqet duket sikur dikush të merr përdore e të rrëfen se çfarë po ndodh. Në kohën tonë mund të futeshe në kinema në çfarëdo kohe, dua të them, edhe në mes të shfaqjes dhe e zije filmin ndërsa aty ndodhnin disa ngjarje e ti përpiqeshe të kuptoje se çfarë pat ndodhur më parë (më vonë, duhet të rrije kur filmi të niste nga e para që të mësoje në e kishe kuptuar drejt të gjithë historinë e filmuar, – lere më pastaj, që po të të kish pëlqyer shfaqja mund të rrije ta shikoje edhe për së dyti atë pjesë që pate parë). Ja, jeta është si një film i atyre kohërave. Ne hyjmë në jetë kur tashmë kanë ndodhur shumë e shumë gjëra qysh prej qindra e mijëra vjetësh. Dhe është e rëndësishme që ne të mësojmë se çfarë ka ndodhur para lindjes tonë; shërben për të kuptuar përsetë e shumë gjërave të reja që ngjasin sot.
Tani shkolla (veç leximeve që ti bën për qejfin tënd) duhet të të mësojë që ti të futësh në kokë gjithçka ka ndodhur para ardhjes tënde në këtë botë, por duket që nuk e bën mirë pasi shumë vëzhgime na thonë se çunat e sotëm, edhe ata më të rriturit që frekuentojnë shkollat e larta, kur janë lindur të themi në vitin 1990, nuk dinë (ose nuk duan të dinë) se çfarë pat ndodhur më 1980, (të mos flasim pastaj për ato që kanë pas ndodhur pesëdhjetë vjet më parë). Statistikat na thonë që po të pyesësh disa prej atyre djemve se kush ka qenë Aldo Moro, të përgjigjen se Moroja ka qenë kapoja i Brigadave të Kuqe – teksa të gjithë e dinë që Brigadat e Kuqe e vranë atë.
Të mos flasim për Brigadat e Kuqe se ato mbeten të panjohura edhe për shumë të tjerë paçka se përbënin të tashmen e tridhjetë vjetëve më parë. Unë jam lindur në vitin 1932 , dhjetë vjet pasi fashizmi pat ardhur në fuqi, por ama e dija se kush ishte kryeministër në kohën që nisi Marshimi mbi Romën (ç’është Marshimi(?), do të thuash ti). Mbase shkolla fashiste ma pat mësuar mua për të më vënë në dukje se sa hajvan dhe sa i keq ishte ai burrë që fashistët u detyruan ta heqin që andej e të vinin një tjetër. E mirë, por ama e dija. E pastaj, ta lemë shkollën, një djalosh nga këta të sotmit nuk di cilat qenë artistet e kinemasë të njëzet vjetëve më parë ndërsa unë e dija kush ishte Françeska Bertini, që luante në filmat pa zë, njëzet e ca vjet para se unë të lindesha. E dija mbase ngaqë shfletoja togun e revistave në kanistrat e vjetra të shtëpisë sonë, por ja, të ftoj të shfletosh dhe ti revista të vjetra sepse është edhe kjo një rrugë njohurish për ato që kanë ngjarë para ardhjes tënde.
Po përse vallë na qenka kaq e rëndësishme të dimë se çfarë ka ndodhur më parë?
Sepse shumë herë ajo që ka ndodhur më parë të shpjegon se përse ndodhin ca gjëra sot e, sidosi, ashtu sikurse formacionet e futbollistëve është një mënyrë pasurimi e kujtesës
Mos harro ama, se kjo nuk bëhet vetëm me libra dhe revista por bëhet mirë e bukur edhe me internet. Që është jo për të bërë llogje (le ta themi kështu) por gjatë atyre llogjeve të merremi dhe me historinë e botës. Kush ishin kamisardët? Si quheshin tri karavellat e Kolombit? Kur u zhdukën dinozaurët? Po barkës së Noes a mund t’i vihej një timon? Kishte më shumë tigra njëqind vjet më parë, apo ka më shumë sot? Kush ka folur për perandorinë e Malit? Po ky tjetri, kush ishte, që fliste për Perandorinë e të Keqes? (Lojë fjalësh me Malin – shtet aziatik, dhe termin italisht “il male” – “e keqja”. Shprehjen “Perandori e të Keqes” e pat përdorur Presidenti Regan për Bashkimin Sovjetik. Shën. i përkth). Cili ka qenë papa i dytë në historinë e kishës? Kur na u shfaq Topolinoja?
Mund të vazhdoja pa mbarim e do të ishin të gjitha aventura të pasurimit me dije. E të gjitha për t’u kujtuar. Do të vijë dita kur të jesh i moshuar e do të ndihesh sikur të kesh jetuar mijëra jetë, se do të të duket sikur ti të kesh qenë i pranishëm në betejën e Vaterlosë, sikur të kesh parë me sytë e tu vrasjen e Jul Qezarit e sikur të kesh qenë dy hapa larg atij vendi ku Bertoldoja i Zi, duke përzierë pluhurat në një mortajë për të gjetur rrugën si e qysh të prodhonte floririn, zbuloi gabimisht barutin që e flaku përpjetë (e mirë ia bëri!). Shokë nga ata të tutë nuk do ta kenë lëruar e mbjellë kujtesën e tyre, do të kenë jetuar kësisoj vetëm njëzë jetë, të tyren, që duhet të ketë qenë shumë e mërzitshme dhe e varfër, pa përjetime interesante.
Punoje kujtesën tënde pra, nipçe, dhe që nesër futju të mësosh përmendësh “Tereza trazovaçen” (Vjershë klasike për vocërrakët, shkruar nga poeti Luixhi Sailer, rreth njëqindepesëdhjetë vjet më parë. Shën. i përkth)

“Ligjet e pushtetit”: 45 këshilla si të bëheni një lider

Dikush tërhiqet shumë nga pushteti, por pasi e ka arritur, e humb për ndonjë gabim të pafalshëm.

Të tjerë, në rrugën drejt pushtetit, e shtyjnë veten përtej mundësive të tyre. Ose mbeten shumë mbrapa, pasi guxojnë shumë pak.
Robert Greene, autor i “45 ligjet e pushtetit” ka përpiluar një listë të gjatë për femrat dhe meshkujt në BusinessInsider. Këta rregulla janë bashkuar nga disa prej njerëzve më të fuqishëm në histori:
1 – Mos lë kurrë në hije mësuesin tënd.
2 – Mos i jep kurrë shumë besim miqve, dhe mësoni të përdorni armiqtë
3 – Fshihni qëllimet tuaja.
4 – Thoni gjithnjë më pak nga sa është e nevojshme.
5 – Reputacioni ka të bëjë shumë: mbrojeni me jetë.
6 – Fitoni vëmendjen e të gjithëve me çdo kusht.
7 – Merrni nga të tjerët atë që duhet të jetë juaja, dhe merrni meritat.
8 – Sigurohuni që të jenë të tjerët që vijnë tek ju, dhe përdorini nëse është e nevojshme.
9 – Fitoni me vepra, jo me fjalë.
10 – Qëndroni larg të palumturve dhe atyre pa fat.
11 – Bëni që njerëzit të varen nga ju.
12 – Përdorni ndershmëri dhe bujari për të çarmatosur viktimën tuaj
13 – Kur kërkoni ndihmë, ngjallni interes te populli, jo mëshirën e tyre.
14 – Silluni si mik, punoni si spiun.
15 – Shkatërrojeni armikun aq keq, sa që mos të ketë mundësi të ringrihet.
16 – Përpiquni “të zhdukeni” për të përmirësuar respektin dhe nderin.
17 – Kultivoni terror tek të tjerët, të jeni të paparashikueshëm.
18 – Mos ndërtoni fortesa për t’u mbrojtur, të izolohesh është e rrezikshme.
19 – Studioni personat me të cilët keni të bëni, mos ofendoni kurrë personin e gabuar .
20 – Mbroni pavarësinë tuaj.
21 – Bëjini njerëzit të besojnë se janë më inteligjentë se ty.
22 – Transformoni dobësitë në forcë.
23 – Përqendroni forcat tuaja, mos u hallakatni shumë.
24 – Rikrijoni imagjinatën tuaj.
25 – Duar të pastra për të qenë gjithnjë të besueshëm.
26 – Luani me nevojat e njerëzve për të krijuar vazhdimësi.
27 – Të gjithë admirojnë të guximshmit, asnjë nuk i nderon të turpshmit.
28 – Planifikoni të gjithë rrugën deri në fund.
29 – Bëji të tjerët të besojnë se janë ata që zgjedhin.
30 – Sigurohuni që veprimet tuaja të duken te natyrshme, jo të duken si përpjekje e forte.
31 – Luani me fantazitë e njerëzve, mësoni t’i shfrytëzoni.
32 – Gjeni dobësitë dhe emocionet private të njerëzve për t’i përdorur në favorin tuaj.
33 – Silluni si mbret për t’u trajtuar si të tillë.
34 – Zotëroni artin e kohës për të menaxhuar ankthin dhe për të treguar siguri.
35 – Krijoni shfaqje mahnitëse për të pasur një atmosferë të mirë rreth vetes
36 – Mendoni si të doni, por kini besim vetëm tek disa persona.
37 – Menaxhoni emocionin dhe zemërimin për të çmendur armiqtë tuaj.
38 – Refuzoni vaktin e ofruar, më mirë të mos keni borxhe të lëna pezull.
39 – Ajo që ndodh më parë duket gjithnjë më e mirë dhe më origjinale se ajo që vjen më pas.
40 – Godit bariun për të shpërndarë delet e tij.
41 – Punoni për të fituar zemrat dhe mendjet e të tjerëve.
42 – Lutuni për nevojën për ndryshim.
43- Kurrë mos u dukni si të përsosur.
44 – Mos shkoni përtej qëllimit të fitores, mësohuni të ndaleni përpara se të bëni armiq të rinj.
45 – Mënyra më e mirë për të mbrojtur veten është të jeni fluidë si uji, pa formë.

Si funksionon truri i të dashuruarve pas librave


Trupi – Në praktikë, truri lexon fjalët e njohura si imazhe, duke dalluar me një shikim të shpejtë, pa një analizë të detajuar të shkronjave, termat të cilat tingëllojnë në të njëjtën mënyrë, por janë të ndryshme sa i përket ortografisë
Truri nuk ka nevojë që të skanojë plotësisht fjalët çdo herë që ne lexojmë. Sipas një studimi të publikuar në “Neuroimage”, ai që e praktikon më shumë leximin, arrin që të njohë me shpejtësi fjalët sepse i kategorizon ato në një fjalor specifik vizual, që funksionon i ndarë nga sistemi i njohjes vokale të termave.
Në praktikë, truri lexon fjalët e njohura si imazhe, duke i dalluar me një shikim të shpejtë, pa një analizë të detajuar të shkronjave, termat të cilat tingëllojnë në të njëjtën mënyrë, por janë të ndryshme sa i përket ortografisë.
Kjo është një teori që kundërshton bindjen e përbashkët që për të kuptuar një fjalë, është e nevojshme që ne ta shqiptojmë plotësisht gjatë çdo leximi.
Dy detyra të ndara
Ata persona të cilët lexojnë sporadikisht duhet që të shqiptojnë në tru fjalët kur lexojnë, një proces i gjatë dhe mjaft i ngarkuar”, shpjegoi Laurie Glezer, studiuese në qendrën universitare “Georgetown” (Uashington) dhe autore e studimit. “Edhe lexuesit ekspertë duhet që këtë gjë ta bëjnë në ndonjë rast, në ato fjalë të cilat nuk i njohin. Por kur ata arrijnë që të bëhen të rrjedhshëm, nuk ka pse që të shqiptohen në mendje ato terma familjarë. Ata mund të lexojnë menjëherë”. Glezer shtoi se studimi tregoi se truri ka pjesë të specializuara në çdo një prej këtyre dy elementëve të leximit. Zona që përpunon informacionin vizual është e ndryshme nga ajo që merret me atë akustike”.
Janë të ndryshëm e kjo dukjet
Kërkuesit testuan njohjen e fjalëve në 27 lexues të rritur, në dy studime të ndryshme nëpërmjet rezonancës magnetike funksionale. Fjalët me të njëjtin tingull, por me ortografi të ndryshme, si ‘hare’ (lepur) dhe ‘hair’ (flokë), aktivizuan grupe të ndryshme neuronesh, njësoj sikur truri të duhej që të përdorte dy zëra të ndryshëm të një fjalori.
Nëse tingulli i fjalës do të kishte ndikim në këtë zonë cerebrale (zona vizuale për formën e fjalës, e ndodhur në anën e majtë të korteksit vizual) të dy termat do të kishin aktivizuar neuronet e njëjta ose neuronet e ngjashme, por kjo gjë nuk ndodhi.
Secilës detyra e vet
Zbulimi tregon se kjo zonë cerebrale përpunon vetëm informacionin vizual dhe jo tingullin e një fjale që në fakt analizohet në një zonë të veçantë, në të cilët fjalët ‘hair’ dhe ‘hare’ aktivizojnë të njëjtët neurone.
Një studim i të njëjtit grup pune, i publikuar në 2015, tregoi se truri lexon fjalët e njohura si imazhe, duke i interpretuar si objektet e vetme vizuale dhe pa analizuar shqiptimin.
Kërkimi i ri sqaron se përbërëset e ndryshme të fjalëve, imazhet dhe tingujt trajtohen nga zona të ndryshme. Ky zbulim mund të hedhë dritë në mekanizmat në origjinën e disa shqetësimeve të leximit, siç është edhe sëmundja e disleksisë.

30 librat që ndryshuan kursin e historisë


0
Nga “Ditari” i Anne Frank, “1984” e Orwell, “Manifesti komunist” i Marksit e deri tek “Republika” e Platonit. Librat me më shumë ndikim.
Çdo lexues e di që një libër mund të ndryshojë jetën. Por ç’mund të themi për jetën e një gjeneratë të tërë? A është e mundur që një libër të ndryshojë të ardhmen? Miriam Tuliao, drejtori i qendrës së koleksioneve të kërkimit në Librarinë Publike të Nju Jork-ut, ka ndihmuar studiuesit me një listë të librave që ndryshuan rrjedhën historike. Nga dramat e William Shekspirit tek “1984” e George Orwell-it, këta 30 libra kanë pasur një ndikim të madh në historinë e botës. Renditja e librave është e rastësishme.
“Fabulat e Ezopit” nga Ezopi
Origjinën e botimit besohet se e ka në mes viteve 620 dhe 560 para Krishtit
Libri “Fabulat e Ezop-it” është një koleksion i tregimeve që tregojnë një mësim të përjetshëm. Fabulat i janë referuar shpesh një njeriu të lashtë grek dhe tregimtari të quajtur Ezop (edhe pse origjina e tij mbetet e diskutueshme). Historitë janë ende mësime të rëndësishme morale dhe kanë pasur një ndikim të gjerë mbi letërsinë dhe thëniet e përbashkëta, duke përfshirë “Ujku me lëkurë deleje”, “Djali që  thirri ujkun”, “Pata që bëri vezën e artë”, dhe shumë të tjerë.
“1984” nga George Orwell
Botuar në 1949
1984-by-george-orwell
Romani “1984” flet për një botë që gjendet e ndarë në një konflikt të vazhdueshëm. Konflikti justifikon sundimin e qeverisë, e cila ka zhvilluar shkencën me qëllimin për të kontrolluar dhe shtypur individin. Bota e Orwell është ajo ku jeta private e individit nuk ekziston. Ky libër tregon historinë e Uinston Smithit, një burokrat të nivelit të ulët që jeton në Aeroportin 1, Britani, më 1984, nën sundimin totalitar të Partisë dhe emblemës së saj, Vëllait të Madh (Big Brother). Flet për rebelimin intelektual kundër padronëve, një romancë të paligjshme dhe një tradhti që pason atë, marrje në pyetje dhe torturim në Dhomën 101. “1984” është një kritikë e shoqërive totalitare, por është gjithashtu edhe për personazhin kryesor Uinston Smith dhe mënjanimin e tij nga shoqëria ku jeton. Është ndër librat më ndikues në histori dhe një ndër më të shiturit në të gjithë botën. Gjatë 2013-ës si pasojë e skandalit të përgjimeve, shitjet e librit tejkaluan 7,000%.
“Analet e Konfucit” nga Konfuci
Besohet të jetë shkruar diku në mes viteve 475 dhe 221 para Krishtit
Gjithashtu i njohur edhe si thjesht “Përmbledhje e veprave letrare” ose “Lunyu,” ky libër është përmbledhje nga thëniet dhe idetë të cilat i atribuohen filozofit kinez Konfuci. Më këtë libër ai shpjegoi se si të jetojmë një jetë të virtytshme dhe të jemi të sjellshëm. “Përmbledhja e veprave letrare” vazhdon të ketë një ndikim të thellë në filozofinë Lindore dhe etikës, veçanërisht në Kinë.
“Anne Frank: Ditari i një vajze të re” nga Anne Frank
 Botuar në vitin 1947
anne-frank-the-diary-of-a-young-girl-by-anne-frank
Libri është një përmbledhje e shkrimeve të Ditarit të Anne Frank, një vajzë që ishte fshehur me familjen e saj për dy vjet gjatë pushtimit nazist të Hollandës. Familja u zbulua në vitin 1944, dhe Frank vdiq nga tifoja në kampin e përqendrimit të zonës Bergen-Belsen. Që nga botimi i tij, “Anne Frank: Ditari i një vajze të re” është përkthyer në më shumë se 60 gjuhë dhe mbetet një nga dokumentet më të famshme dhe me ndikim në Evropë gjatë  Luftës së Dytë Botërore.
“Arti i luftës”, nga Sun Tzu
Shkruar diku midis viteve 600 dhe 500 para erës sonë
the-art-of-war-by-sun-tzu
“Arti i luftës” është një traktat i lashtë ushtarak kinez i cili i atribuohet Sun Tzu, një ushtarak i përgjithshëm, strateg dhe takticien. Ky libër është shkruar në 13 kapituj, secili  i përkushtuar për një aspekt të luftës, të menduarit të shpejtë dhe shmangies se masakrave dhe mizorive. Libri ende ka ndikim në të menduarit e popullatës ushtarake Lindore dhe Perëndimore, në taktikat e biznesit dhe strategjinë ligjore.
“Principet Matematikore të Filozofisë Natyrore”, nga Isaac Newton
Botuar në 1687
Shpesh të referuar thjesht si “Principet”, këta tre libra nga Njutoni u botuan në latinisht në 1687 dhe shpejt u bënë monumenti më  i rëndësishëm në qarqet akademike. Librat përmbajnë ligjet e Njutonit dhe mekanikën klasike. Njutoni formuloi ligjet e lëvizjes dhe gravitetit universal që dominoi pikëpamjen shkencëtarëve të universit fizik gjatë tre shekujve të ardhshëm. Libri “Principet” është konsideruar si një nga librat më të rëndësishëm të botuar ndonjëherë në historinë e shkencës.
Kur’ani
Origjinën e ka në vitin 610
Teksti qendror fetar i Islamit, i cili është ndiqet nga 1.6 miliard myslimanë në mbarë botën. Kurani ose Kur’an-i, është shkrimi i shenjtë i fesë islame, i cili siç besojnë myslimanët, përmban fjalë për fjalë zbulesën e Zotit (arabisht: Allahut) ndaj profetit Muhamed nëpërmjet engjëllit Gabriel. Përkthimi i kuranit konsiderohet nga teologjia tradicionale islame si i pamundur, pasi çdo përkthim mbart njëkohësisht edhe një interpretim. Prandaj leximi i kuranit sugjerohet të bëhet në tekstin origjinal arabisht.
“Republika”, nga Platoni
Botuar rreth 380 para erës sonë
“Republika” është shkruar si një dialog sokratik (në fjalë dhe në formë përgjigje). Seksioni më i famshëm është Alegoria e Shpellës. “Republika” e Platonit vazhdon të jetë një nga veprat më intelektuale me ndikim në filozofinë dhe teorinë politike, me tema mbi përkufizimin e drejtësisë, karakterin e një qeverie të drejtë, dhe atë çfarë e bën një njeri të mirë.
“Manifesti komunist” nga Karl Marksi & Friedrich Engels
Publikuar më 21 shkurt 1848
the-communist-manifesto-karl-marx
Ky publikim i shkurtër është shkruar nga dy prej komunistëve më të famshëm në histori. Ai diskuton luftën e klasave, problemet me kapitalizmin, dhe potencialin e ardhshëm kundër komunizmit. Pamfleti politik – pa diskutim më i influencuesi në histori – proklamonte se “historia e shoqërisë se sotme është histori e luftës së klasave dhe e fitores së paevitueshme të proletariatit”, apo të klasës punëtore, që do te sjell njëherë e mirë fundin e shoqërisë me klasa. Fillimisht u publikua ne gjermanisht si “Manifest der Kommunistischen Partei” (Manifesti i Partisë Komuniste), vepër që pati pak impakt të menjëhershëm. Por më pas idetë patën jehone të madhe gjatë shekullit të 20-të, dhe rreth viteve 1950 gjysma e popullsisë se botes jetonte nën qeveri marksiste. Ai vazhdon të ndikojë në partitë politike dhe është studiuar rreth e rrotull botës.
“Një Fjalor i Gjuhës Angleze” nga Samuel Johnson
Botuar në 1755
Fjalori i “Gjuhës Angleze” nga Samuel Johnson është mes fjalorëve më me ndikim në historinë e anglishtes. Atij iu deshën 9 vjet për të përfunduar Fjalorin, edhe pse kishte thëne se do ta përfundonte atë në tre. Deri në botimin e Oxford English Dictionary, 173 vjet më vonë, Fjalori i Johnsonit konsiderohej si i vetmi fjalor autoritativ në anglisht – me 42.773  fjalë të ilustruara me rreth 114,000 citime letrare. Autorët e cituar më shpesh nga Johnson përfshijnë Shekspirin, Milton dhe Dryden. Ndryshe nga leksografët e tjerë, Samuel Johnson futi në fjalor edhe humor e paragjykime në shpjegimin e shumë fjalëve. “Një Fjalor i Gjuhës Angleze” u përdor nga Jane Austen, Charles Dickens, motrat Bronte, etj, dhe  vazhdon të përdoret nga shkrimtarë, akademikë, dhe botues revolucionarë në gjuhën angleze.
“Ese” nga Michel de Montaigne
Botuar në 1580
Descartes René, Blaise Pascal, Jean-Jacques Rousseau, Ralph Waldo Emerson, Friedrich Nietzsche, Stefan Cvajg, Eric Hoffer, Isaac Asimov, Jean-Jacques Rousseau dhe mendimtarë të mëdhenj të botës janë ndikuar nga përmbledhja masive e eseve të Motaigne-së. Aftësia e shkrimtarit dhe burrit të shteti francez për të përzierë pyetjet serioze morale me anekdotat rastësore, ishte një vepër “vetëtoleruese”, por në ditët e sotme konsiderohet si një pjesë e literaturës më të rëndësishme që vjen nga Rilindja Franceze.
“Mistika femërore” nga Betty Friedan
Botuar në 1963
50 vjet më parë, një liber i autores Beti Fridén nxiti debatin për rolin e burrave dhe grave në shoqëri dhe i dha hov lëvizjes për fuqizimin e grave si në familje ashtu edhe në vendin e punës. Gjatë pesë dekadave të fundit, The Feminine Mystique, Mistika Femërore, u shit në tri milionë kopje dhe frymëzoi miliona gra për të luftuar për të drejtat e tyre. Friedan sfidoi reklamat moderne, kulturën, dhe mizogjininë në librin e saj “Feminine Mystique”, duke u përqendruar në trazirat e brendshme të grave amerikane. Libri shkaktoi një shkëndijë të dytë të valës feministe duke inkurajuar gratë që të shikojnë përtej martesës dhe mëmësisë për përmbushjen e tyre, duke sfiduar prirjet tradicionale patriarkale.
“Folio i parë” nga William Shakespeare
Botuar në 1623
first-folio-by-william-shakespeare
Në 1623, një koleksion i dramave të Shekspirit është botuar nga miqtë e tij John Heminges dhe Henry Condell, i njohur si “Dorëshkrimi i Parë”. Këtu përfshihen “Romeo dhe Xhuljeta”, “Mbreti Lear”, “Hamleti”, etj. Kontributi i Shekspirit mbi letërsinë dhe teatrin ka mbetur i pashembullt, dhe ndikimi i tij në zhanër, komplot dhe gjuhë, vazhdon të ndihet nga gjeneratat e ardhshme të artistëve.
“Hiroshima” nga John Herşey
Botuar në 1946
Shkruar nga fituesi çmimit Pulitzer, John Herşey, “Hiroshima” tregon historinë e gjashtë të mbijetuarve nga bomba atomike e lëshuar në Hiroshimë, Japoni, më 6 gusht 1945. Ky libër flet rreth humbjes së jashtëzakonshme, terrorit, dhe kurajos. Dyzet vjet më vonë, Hersey u kthye në Hiroshima për të gjetur të mbijetuarit, për t’i intervistuar dhe për të mësuar fatet e tyre. Libri do të vazhdojë të ndikojë edhe në brezat e ardhshëm që mund përdorin bomba atomike.
“Si jeton gjysma tjetër” nga Jacob Riis
Botuar në 1890
Në fund të shekullit 19, Nju Jorku nuk ishte një vend i mirë për punëtorët industrialë. Ata jetonin në ndërtesa shumëkatëshe të rrënuara, dhe Riis, një gazetar, e nisi misionin e tij, duke treguar çdo ditë, me përshkrime grafike, skica, statistika, dhe fotografi, klasat e sipërme dhe të mesme. Duke vënë në dukje kushtet e rrezikshme me të cilat përballen të varfrit. “Si jeton gjysma tjetër”, jo vetëm që frymëzoi ndryshim të ndjeshëm nëpër shkolla, dyqane ëmbëlsirash dhe ndërtesa, por ishte edhe bazë për të ardhmen e gazetarisë.
Libri i ndryshimeve
Origjina daton që nga mijëvjeçari 3 ose 2 p.e.s
Gjithashtu i njohur si “Klasiku i  Ndryshimeve” ose “Libri i  Ndryshimeve”,  I Ching është emëruar një orakull dhe është  një nga më të vjetrit e teksteve kineze klasike. Rëndësia e I Ching është fenomenale – jo vetëm që Konfucianizmi dhe Taoizmi kanë rrënjë në të, por njerëzit në mbarë botën ende e përdorin atë për hamendësime dhe fat.
“Incidentet në jetën e një vajze skllave” nga Harriet A. Jacobs
Botuar në 1861
Ky tregim mbart në brendësi llogari kronologjike të jetës së Jacobs si një skllave, dokumentimin veçanërisht të abuzimit seksual që femrat skllave ballafaqoheshin, duke përfshirë përdhunimin, presionin për të pasur marrëdhënie seksuale në moshë të hershme, si dhe shitjen e fëmijëve të tyre. Edhe pse “Incidentet në jetën e një vajze skllave” kaloi relativisht pa u vënë re në kohën e botimit të tij për shkak të shpërthimit të Luftës Civile, ai u rishfaq në vitet 1970 dhe 1980 si një përfaqësim i rëndësishëm historik në seksualitetin dhe përdhunimin e femrës skllevër.
“Xhungla” nga Upton Sinclair
Botuar në 1906
“Xhungla” tregoi mjerimin e jetës së fabrikës së Çikagos, tepër të gjallë. Kushtet pikëlluese të punës, tmerret e thertoreve, varfërinë shkatërrimtare dhe dëshpërimin që punëtorët përballën përditë. Sinclair, një gazetar amerikan, shkroi librin për të rritur ndërgjegjësimin mbi çështjet me të cilat përballen emigrantët amerikanë. Ai galvanizoi opinionin publik dhe çoi në një hetim të qeverisë që përfundimisht shkaktoi kalimin e ligjeve ushqimore.
Bibla e King James
Përfunduar në 1611
the-king-james-bible
Bibla e King James është një përkthim anglisht i Biblës së krishterë që është bërë posaçërisht për Kishën e Anglisë në një përpjekje për të rindërtuar strukturën e kishës së re dhe besimin e saj në një klerik të urdhëruar. Edhe pse ishte menduar fillimisht për anglikanët, përkthimi ka pasur një ndikim në emërtimet e reja si Presbyterians, Quakers, dhe baptistët, edhe në kolonitë angleze në botën e re. Është konsideruar ende një risi mahnitëse e prozës, vargut, dhe përkthimit.
“Tregimi i jetës së Frederick Douglass” nga Frederick Douglass 
Botuar në 1845
Një nga autobiografitë më të famshme e shkruar nga një ish-skllav, “Tregimi i Jetës së Frederick Douglass” dokumenton jetën e Douglass si një rob dhe gjërat e tmerrshme që i janë bërë atij nga të ashtuquajturit, zotërit e tij. Libri ka ndikuar në lëvizjen amerikane, si dhe politikën e Britanisë së Madhe dhe Irlandës, ku Douglass më vonë foli publikisht në lidhje me historinë e tij.
“Për lirinë”, nga John Stuart Mill
 Botuar në 1859
Ese-ja e shkurtër nga filozofi britanik Mill u bë një nga librat më të famshëm mbi utilitarizmin e shoqërisë dhe shtetit. Mill theksoi rëndësinë e individualitetit si dhe pavarësinë nga qeveria. “Për Lirinë”, vazhdon të ketë një ndikim të madh në shkencat politike dhe filozofi, dhe pyetjet e saj në lidhje me natyrën e lirisë individuale në një shoqëri demokratike, mbeten po aq të ngutshme dhe të rëndësishme.
“Mbi origjinën e specieve” nga Charles Darwin
 Botuar në 1859
Darwini udhëtoi për në ishujt Galapagos, ku ai identifikoi  një nga zbulimet më të rëndësishme shkencore të shekullit të 19, evolucionin. Sot, pothuajse të gjithë e dinë emrin e tij, çfarë bëri, dhe pse vlerësohet kaq shumë. Duke respektuar natyrën në të gjitha format e saj – Darwin pa se të gjitha qeniet janë të lidhura. Çdo gjë e gjallë ndan një prejardhje, dhe arriti në përfundimin se, shumëllojshmëria e jetës në Tokë rezulton nga proceset në punë gjatë miliona vjetëve, dhe ende në punë sot. Shpjegimi i Darvinit për këtë shpalosje kaq të gjerë të jetës në kohë – teoria e evolucionit nëpërmjet seleksionimit natyror –  transformoi të kuptuarit e botës së gjallë – ashtu si idetë e shkencëtarëve Galileo, Newton, dhe Ajnshtajn ndryshuan të kuptuarit e universit fizik. E thjeshtë por njëkohësisht e diskutueshme, keqkuptuar, keqpërdorur për qëllime sociale, thonë studiuesit, teoria e Darwinit mbetet e pakundërshtueshme si koncepti qendror i biologjisë, duke ndihmuar mikrobiologë e gjenetistë të panumërt.
“Të drejtat e njeriut” nga Thomas Paine
 Botuar në 1791
Fillimisht, ky traktat i të drejtave të njeriut u ndalua në Britaninë e Madhe pasi konsiderohej se mbronte revolucionin francez. Paine argumenton në librin “Të drejtat e njeriut”, se revolucioni popullor politik është i lejueshëm kur një qeveri nuk ka mbrojtur popullin e saj apo të drejtat e tyre natyrore, dhe ai mendonte mënyrën më e mirë për të ndaluar varfërinë, përmes programeve ndërhyrëse si pensionet e mirëqenies dhe të pleqërisë. Në vitet e para të botimit, janë shitur rreth 100,000 dhe 200,000 kopje, dhe libri i tij mbetet i lexuar gjerësisht. Idetë e tij u përdorën edhe nga lëvizjet e mëvonshme të pavarësisë mes irlandezëve, skocezëve, dhe uellsianëve.
“Seksi i dytë”, nga Simone De Beauvoir
Botuar në 1949
the-second-sex-by-simone-de-beauvoir
“Seksi i Dytë” është cilësuar nga shumë kritikë si libri që inauguroi lëvizjen feministe të kohës moderne. “Seksi i Dytë” është puna e një mendje brilante që shquhet për mprehtësi në disiplina të tilla si filozofia, psikologjia, ekonomia dhe historia. Simone De Beauvoir shkruan se “nuk lindim gra; po bëhemi të tilla”. Libri vazhdon të ketë një ndikim të madh në lëvizjet e grave në mbarë botën.
“Pranvera e heshtur” nga Rachel Carson
Botuar në 1962
50 vite më parë, Rachel Carson shkroi dhe botoi librin “Pranvera e heshtur”. Ky libër ishte i parakohshëm për atë kohë.  Zonja Carson tregonte se pesticidet si DDT-ja dëmtonin mjedisin dhe shëndetin e njerëzve. Ndonëse ky libër u kthye në frymëzim për lëvizjen ambientaliste, beteja për dëmtimin e mjedisit vazhdon. Libri u shit në më shumë se 6 milion kopje në Shtetet e Bashkuara. Ai u përkthye në rreth 30 gjuhë të ndryshme. Në rrethinat e Uashingtonit, shtëpia ku zonja Carson shkroi librin “Pranvera e heshtur” tani është qendër historike. Ky libër, cilësohet si një prej më të rëndësishmëve të kohës tonë.
“Libri i rrugës drejt fuqisë” Lao Tzu
Shkruar midis 600 dhe 400 para erës sonë
Taoizmi është një fe kombëtare kineze që daton në shekullin e dytë para erës sonë. Lao-Tzu, themeluesi i shkollës taoiste në dinastinë e hershme Qin, nderohet si babai i taoizmit dhe vepra e tij kryesore “Libri i rrugës drejt fuqisë” përbën bazën e kësaj feje. Për taoizmin ka, gjithashtu, edhe shume vepra letrare si dhe një seri doktrinash të plota dhe të thella.
“Gjërat thyhen” nga Chinua Achebe
Botuar në 1958
Romani “Gjërat thyhen” nga Chinua Achebe tregon për një udhëheqës lokal ferme në Nigeri tronditet nga vdekja aksidentale dhe arritja e një misionari. “Gjërat thyhen” i Achebe-së është një nga romanet më të famshme të Afrikës në histori. Studiuar gjerësisht nëpër botë, ai flet mbi tema të mëdha si nacionalizmi, identiteti afrikan, dhe çfarë ndodh pas kolonizimit.
Tora: Pesë Librat e Moisiut
Origjina daton midis 600 dhe 400 para erës sonë
the-torah-the-five-books-of-moses
Moisiu mbahet si shkruesi i Torahs, apo pesë librave të parë të Biblës (Zanafillës, Daljes, Levitikëve, Numrave, dhe Ligjit të përtërirë) dhe është një profet i rëndësishëm. Tora është koncepti qendror i Judaizmit, veçanërisht pesë librat e parë të Tanakh, të shkruara në hebraishte biblike. Tora është jo vetëm dokumentacioni qendror dhe më i rëndësishëm i hebrenjve, por është gjithashtu ajo çfarë të krishterët e quajnë “Dhjatën e Vjetër” dhe ka ndikuar thellësisht në fetë e botës, historinë dhe kulturën në më shumë se 2500 vjet.
“Pasuria e Kombeve” nga Adam Smith
Botuar në 1776
Pasuria e Kombeve është vepër e Adam Smith-it, e cila mund të konsiderohet si një nga shtyllat e mendimit politiko-ekonomik. Me këtë vepër Smithi u rrek të ravijëzojë një tablo të marrëdhënieve politiko-ekonomike dhe të analizojë se si zhvillohet ekonomia pa ndikimin e shtetit. Kësisoj ai e pasuroi me pikëpamje të reja traditën e mendimit etik dhe traditën e së drejtës natyrore. Smithi sheh një marrëdhënie dallimi midis interesit të individit dhe të interesit të shoqërisë, dhe vë re se mbajtja e individit në brendësi të një bashkësie sigurohet nga mekanizmat e këmbimit: këmbimi lejon lojën e përbashkët të kërkesës dhe ofertës. Përshkrimi që ai u bën mekanizmave të tregut është me vlerë edhe sot.
“Varrose zemrën time në gjurin e plagosur” nga Dee Alexander Brown
“Varrose zemrën time në gjurin e plagosur” zbulon historinë e amerikanëve vendas në fund të shekullit 19, sidomos padrejtësitë dhe tradhtitë e kryera nga qeveria e SHBA dhe zhvendosja e tyre e detyruar. Është ndër librat më të shitur dhe i përkthyer në 17 gjuhë. Nëpërmjet të dhënave të qeverisë, Brown zbuloi masakrën e një populli të tërë në përpjekje për të “fituar” Perëndimi amerikan.

Jetët sekrete të shkrimtarëve të mëdhenj


Shkrimtarë të mëdhenj, poetë të nderuar, misteriozë legjendarë: jeta e disa prej tyre ka plot të fshehura që në shkollë nuk i kemi mësuar kurrë. Ja disa nga sekretet e vogla të shkrimtarëve të mëdhenj:

Franc Kafka (1883-1924)
kafka_by_tunglmyrkvi-d7itp4m.900x600
Autorit të Metamorfozës i pëlqente nudizmi, edhe pse jo gjithnjë e praktikonte. I kalonte pushimet e tij në një hotel në natyrë që quhej “Burimi i të rinjve”, por kishte pak siklet për t’u zhveshur i tëri, dhe i kishin vënë pseudonimin “njeriu me rroba banjo”.

Agatha Christie (1890-1976)
h_24.210616.900x600
Librat e saj kanë shitur miliona kopje, por nuk i ka shkruar ajo. Në fakt ajo vuante nga disgrafia, një aftësi e kufizuar për të mësuar shkrimin e dorës, që e bënte kaligrafinë e saj të palexueshme dhe prandaj ishte e detyruar t’ja diktonte dikujt tjetër romanet e saj.
Oskar Uaild (1854-1900)
h_24.212008.900x600
Autori i “Dorian Greit” shprehu diversitetin e tij që fëmijë, kur atij i pëlqente të vishej si femër. Në kolegj nuk praktikonte sportet tipike mashkullore, por merrej me stolisjen e dhomës së tij me lule e zbukurime.
Xhorxh Bajroni (1788-1824)
h_12.00197425.900x600
Ishte një nga rebelët më të mëdhenj të fillim shekullit 19. Atij i atribuohen një numër i madh të dashurash, plot 250 vetëm në një vit, vitin kur vizitoi Venecian. Për të kujtuar femrat që kishte zënë, mbante disa prej qimeve pubike të secilës në një zarf me emrin e femrës. Lord Bajroni i donte edhe kafshët. Në shtëpinë e tij kishte kuaj, pallua, shpendë të ndryshëm si papagall apo rakun, një dhelpër, një shqiponjë dhe një korb.
Xhejms Xhojs (1882-1941)
james_joyce_by_cenobiteadnaloy-d4p9tto.900x600
Kishte një pasion të vërtetë për të pasmet e femrave. Por jo vetëm, i pëlqente të ishte i frustruar dhe i nënshtruar. Këtë e dëshmojnë disa letra nga e dashura Nora Barnacle, që më vonë ishte dhe partnerja e tij. Autori i Uliksit kishte edhe një frikë të tmerrshme ndaj bubullimave, ishte katolik i devotshëm, dhe thoshte se bubullimat janë shprehje e zemërimit të perëndisë.

Xhek London (1876-1916)
jack london
Djalë i jashtëligjshëm, kishte një njerkë të alkoolizuar që kur ishte fëmijë e çonte në një pijetore për të blerë birra me kovë. Kështu që i vogli Xhek filloi të pinte që 5 vjeç. Dhe nuk u ndal kurrë. Që në moshën 14-vjeçare pinte si një i rritur. Pas një aksidenti humbi dhëmbët e tij të përparme. Njihej për racizmin e thellë sidomos ndaj aziatikëve.
Leon Tolstoi (1828-1910)
h_00561158.900x600
Si fëmijë ashtu edhe adoleshent ishte një student indiferent. Rininë e tij e kalonte mes femrave, bixhozit, alkoolit dhe dueleve. Natën e dasmës detyroi gruan të lexonte ditarin e tij ku ishin shkruar të gjithë aventurat e tij erotike. Këto ndodhën para konvertimit të Tolstoit, që nga ai moment hoqi dorë nga alkooli, duhani, seksi.

Edgar Allan Poe (1809-1849)
h_24.212008.900x600
Kishte frikë nga errësira dhe e mësoi matematikën duke llogaritur moshën e të vdekurve nga lapidarët e varreve. Ishte i gjithë faji i profesorëve të tij që në shkollën fillore i çonin fëmijët në varreza në fillim të çdo viti shkollor. I jepnin një lopatë të vogël dhe e përdornin për të gërmuar varrin e shokëve të tyre që do vdisnin para përfundimit të shkollës. Kur ishte pa para, ai hiqej si gazetar, duke shpikur artikuj të rreme.
J.R.R Tolkien (1892-1973)
bottleshop7.900x600
Autori i “Zoti të Unazave” ishte para së gjithash një studiues gjuhësh: mes gjuhëve antike dhe moderne dinte 12 dhe shpiku 14. Profesor i Oksfordit, ishte publikisht i njohur si një shofer i keq, aq sa gruaja e tij refuzonte të hipte në makinë me të kur ecte në qytet. Kishte gërhitje shumë të fortë, dhe ndonjëherë gruaja e bindte të flinte në banjë.
Uilliam Shekspir (1564-1616)
gettyimages-85308935_preview.900x600
Dramaturgu anglez ishte i fiksuar pas parasë. Merrte shumë para borxh nga miqtë e tij, mashtronte departamentin e taksave dhe ishte shumë i ashpër në kërkesat ekonomike të punës së tij. Ishte një bashkëshort i pabesë. Të shumta kanë qenë lidhjet e tij jashtëmartesore. 

MARIO VARGAS LLOSA:FSHEHJA E FAKTIT


Diku Heminguej tregon se në fillimet e veta letrare, kur ishte duke shkruar një histori, aty për aty, i kishte lindur ideja ta linte jashtë faktin kryesor: ku protagonisti i tij varte veten. Dhe thotë se, në këtë mënyrë, zbuloi një mjet narrativ që do ta përdorte aq shpesh në tregimet dhe romanet e veta në të ardhmen. Në fakt, nuk do ta tepronim po të thoshim se historitë më të mira të Heminguejt janë plot heshtje domethënëse, plot lodra shpejtësie për fshehje faktesh nga ana e një rrëfimtari dinak. Por ai i rregullon gjërat në atë mënyrë, që edhe heshtjet të jenë llafazane dhe ta nxitin imagjinatën e lexuesit aq shumë, sa ai vetë i mbush ato mungesa historie me pandehma dhe supozime nga xhepi i tij. Le ta quajmë këtë sjellje krijuese “fshehje fakti”. Ama, menjëherë, duhet thënë se, megjithëse Heminguej na dha një stil të vetin e të larmishëm (shpesh, mjeshtëror), prapë nuk është ai shpikësi, sepse ajo është një teknikë e vjetër sa dhe proza letrare dhe se është e pranishme tek të gjithë klasikët.

Por, e vërteta është se pak autorë modernë e përdorën atë me zotësinë, me të cilën e përdori autori i veprës Plaku dhe deti. A ju kujtohet juve ai tregimi tjetër i mrekullueshëm, pothuaj më i miri i Heminguejt, i titulluar Vrasësit? Gjëja më e rëndësishme në atë histori është pikëpyetja e madhe: pse duan ta vrasin suedezin Ole Anderson ata dy të arratisurit që hyjnë me pushkë grykë shkurtra në restorantin e vogël Henry’s në atë lokalitet të panjohur? Dhe pse ky Ole Andersoni misterioz, kur i riu Nik Adams e paralajmëron se po e kërkonin nja dy vetë për ta vrarë, nuk pranon të njoftojë policinë dhe i nënshtrohet fatit të vet? Kurrë nuk do ta marrim vesh. Nëse duam një përgjigje për këto dy pyetje që janë vendimtare për këtë histori, duhet ta gjejmë vetë ne lexuesit bazuar tek faktet e kursyera që tregimtari i shumëdijshëm dhe përgjithësues na jep: se suedezi Ole Anderson, para se të vinte në atë vend, dukej se paskësh qenë boksier në Çikago ku çoç kishte bërë (ndonjë prapësi, thotë ai) që vulosi fatin e tij.
“Fshehja e faktit”, apo të rrëfyerit me heshtje, nuk duhet të jetë i kotë dhe arbitrar. Nevojitet që heshtja e rrëfimtarit të jetë domethënëse, që të ushtrojë një ndikim të pagabueshëm mbi pjesën në fjalë të historisë, të bëjë që ajo mangësi të ndjehet dhe të nxisë kureshtjen, shpresën dhe fantazinë e lexuesit.
Heminguej qe një mjeshtër i shkëlqyer në përdorimin e kësaj teknike të të rrëfyerit, siç shihet tek «Vrasësit», një shembull i ekonomisë në rrëfim, ku teksti është si maja e ajsbergut, pjesa e vogël e dukshme që, me vezullimin e vet rrëzëllues, e lejon lexuesin ta marrë me mend tërë masën komplekse anekdotike; masë që ka dashur ta mashtrojë lexuesin dhe mbi të cilën fle ajo majë. Të rrëfesh duke heshtur, përmes aluzioneve që e shndërrojnë fshehjen në pritje të diçkaje dhe e detyrojnë lexuesin të marrë pjesë aktivisht në përpunimin e ngjarjes me hamendje dhe supozime, ky është një nga marifetet më të shpeshtë që përdorin shkrimtarët duke pasuruar kështu përvojat në rrëfimet e tyre dhe duke u dhënë atyre forcë bindëse.
Nuk e di nëse ju kujtohet më e madhja “fshehje fakti” tek romani më i mirë i Heminguejt, sipas meje, «The sun also rises». Po. Ja kush është: impotenca e Xhek Barnesit, rrëfyesit të romanit. Kurrë nuk shprehet qartë; ajo vjen e shfaqet – gati do të guxoja të thosha se lexuesi i nxitur prej asaj që lexon, vetvetiu, do t’ia veshë atë personazhit – nëpërmjet një heshtjeje kumtuese, ajo distancë e çuditshme fizike, ajo sojë marrëdhënieje trupore që e bashkon me Bretën e bukur, grua të cilën ndershmërisht e do dhe që, pa dyshim, edhe ajo do ta kishte dashur, po të mos kishte qenë ndonjë pengesë apo barrierë midis tyre, për të cilën nuk kemi asnjë të dhënë të saktë. Paaftësia fizike e Xhek Barnesit është shprehur mjaft qartë me heshtje, është një mangësi e madhe që sa vjen e bëhet më e dukshme. Lexuesi habitet me sjelljen e pazakonshme dhe kontradiktore të Jake Barnesit ndaj Bretës dhe ai do ta shpjegojë këtë gjë me një mënyrë vetme: duke zbuluar (apo sajuar?) impotencën e tij.
Edhe pse heshtazi apo, ndoshta, pikërisht nga mënyra se si është dhënë, kjo “fshehje fakti” hedh një dritë tepër të veçantë mbi historinë e romanit «The sun also rises».
«Xhelozia» e Robbe-Grillet («La Jalousie», në frëngjisht) është një tjetër roman ku një përbërës themelor i historisë – jo më pak se personazhi qëndror – është i mërguar prej rrëfimit, veçse kjo mungesë reflektohet në të në mënyrë të tillë që bën të ndihet në çdo çast. Pothuaj, si në të gjithë romanet e Robbe-Grilletit, edhe tek «La Jalousie» nuk ka tamam një histori, të paktën, jo siç kuptohet tradicionalisht – një argument me fillim, vazhdim dhe përfundim, – por, më shumë, shenjat apo simptomat e një historie, të cilën nuk e marrim vesh dhe që jemi të detyruar ta rindërtojmë, ashtu si arkeologët rindërtojnë pallatet babilonike nisur nga një grusht gurësh të varrosur gjatë shekujve; ose zoologët ribëjnë dinozaurët dhe pterodaktilët prehistorikë duke u bazuar nga një klavikulë apo një metakarp. Kështu, mund të themi se romanet e Robbe-Grilletit janë të gjithë të ngjizur nisur nga “fshehje faktesh”.
Pra, tek «La Jalousie» kjo mënyrë procedimi është shumë funksionale, sepse, për të pasur kuptim çdo gjë aty, është e domosdoshme që ajo mungesë, ajo qenie e hequr, të bëhet e pranishme, të marrë formë në vetëdijen e lexuesit. Po, kush është ajo qenie e padukshme? Një burrë xheloz, siç e sugjeron edhe titulli i librit me kuptimin e vet të dyfishtë (jalousie do të thotë grilë, një dritare e mbyllur me hekura, por edhe xhelozi), dikush që, i pushtuar nga demoni i mosbesimit, përgjon me kujdes gjithë lëvizjet e gruas së vet, pa u diktuar prej saj. Këtë nuk e ka të qartë lexuesi; ama, arrin në përfundimin logjik apo e trillon i bindur nga vetë natyra e përshkrimit: nga një vështrim i ankthshëm për të kontrolluar imtësisht e marrëzisht lëvizjet, gjestet dhe ndërmarrjet më të vogla të së shoqes. Kush është ky vëzhgues i përpiktë? Pse ia nxin jetën asaj gruaje, duke mos ia hequr sytë? “Fshehjet e fakteve” nuk japin asnjë përgjigje brenda ligjërimit romanesk dhe vetë lexuesi duhet t’i ndriçojë e t’u përgjigjet, mbështetur në ato pak pista që i ofron romani. Ato “fshehje faktesh” që janë të plota, që janë shmangie të përhershme në roman, mund t’i quajmë eliptike, për t’i dalluar nga ato të përkohshmet që i bëhen lexuesit, nga zhvendosjet kronologjike romaneske që bëhen për të krijuar gjendjen e të priturit, për ta mbajtur varur lexuesin, siç ndodh në romanet policeske, ku vetëm në fund zbulohet vrasësi. “Fshehjet e fakteve” të çastit, të zhvendosura, mund t’i quajmë “fshehje faktesh hiperbaton”. Hiperbaton (zhvendosje) është një figurë poetike që, siç do t’ju kujtohet, konsiston në zhvendosjen e një fjale në varg për arsye eufonie apo rime («Ishte e vitit stina e lulëzuar…» në vend të renditjes së rregullt: «Ishte stina e lulëzuar e vitit…»).
Ndoshta “fshehja e faktit” më e spikatur në një roman është ajo që gjendet tek «Faltorja» e frikshme (Sanctuary) e Folknerit, ku krateri i historisë – zhvirgjërimi me një kalli misri, i adoleshentes së pafajshme Temple Drake, nga Popeye, një gangster i fuqishëm dhe psikopat – është zhvendosur dhe shpërndarë në thërrime të dhënash, sa lexuesi, në mënyrë prapavepruese dhe pak nga pak, bëhet i vetëdijshëm për ngjarjen e tmerrshme. Prej kësaj heshtjeje, ku ndihet neveri dhe urrejtje, krijohet atmosfera që përshkon «Faltoren»: një atmosferë egërsie, përndjekjeje seksuale, frike, paragjykimi dhe primitivizmi që Xhefersoni, Memfisi dhe skenaristë të tjerë të kësaj historie, i japin një karakter simbolik për botën e së keqes, për rrënimin dhe rënien e njeriut, në kuptimin biblik të termit. Përpara tmerreve të këtij romani – përdhunimi i Temples është një nga ato; veç kësaj, ka një varje në litar, një linçim me zjarr, disa vrasje dhe një varg të shumëllojshëm poshtërimesh morale – më shumë se ndjenja ndaj një dhunimi të të drejtave njerëzore, na pushton ligështimi që do të pësonim përpara një fitoreje të forcave të skëterrës, përpara një shpartallimi të së mirës prej shpirtit të së keqes, i cili paska arritur të bëhet zot i kësaj toke. E tërë «Faltorja» është pajisur me “fshehje faktesh”. Veç përdhunimit të Temple Drakes, fakte aq të rëndësishme si vrasja e Tomit dhe e Redit ose impotenca e Popeyes janë, së pari, të heshtura, kapërcime që lexuesi do t’i zbulojë vetëm në mënyrë prapavepruese. Kështu, lexuesi, falë atyre “fshehje faktesh hiperbaton” do të kuptojë mirë ndodhinë dhe do të vendos kronologjinë e saktë të ngjarjeve. Jo vetëm aty, por në gjithë historitë e veta, Folkneri ka qenë mjeshtër i përdorimit të “fshehjes së faktit”.
Tani, për ta mbaruar me shembullin e fundit të “fshehjes së faktit”, do të doja të kthehesha pesëqind vjet pas, tek një nga romanet më të mirë të kalorësisë mesjetare, «Tirant lo Blanc» i Joanot Martorelit, një nga romanet kryevepër për mua. Aty “fshehja e faktit” – në të dy modalitetet e veta: si hiperbaton apo si eliptike – është përdorur me zhdërvjelltësinë e romancierëve modernë më të mirë. Le të shohim si është gatuar lënda rrëfyese e njërit prej kraterëve aktivë të romanit: martesat e fshehta që bëjnë dy çiftet, Tiranti me Karmesinën dhe Diafebusi me Stefaninë (episod që fillon në mes të kapitullit CLXII dhe mbaron në mes të kapitullit CLXIII). Përmbajtja e episodit është kjo: Karmesina dhe Stefania i futin Tirantin dhe Diafebusin në një dhomë të pallatit. Atje, pa ditur se Plaerdemavida i përgjon nga vrima e një brave, të dy çiftet e kalojnë natën të zhytur në lojra dashurie; të buta midis Tirantit dhe Karmesinës, ekstreme midis Diafebusit dhe Stefanisë. Dashnorët ndahen në agim dhe, disa orë më vonë, Plaerdemavida i tregon Stefanisë dhe Karmesinës se ka qenë dëshmitare okulare e martesave të fshehta. Në roman kjo sekuencë nuk shfaqet në radhën kronologjike “reale”, por në mënyrë të ndërprerë, përmes “ndryshimit të përkohshëm” dhe një “fshehje fakti” hiperbaton, falë të cilit episodi bëhet një pasuri e madhe përvojash. Tregimi bën fjalë për marrëveshje paraprake, vendimi i Karmesinës dhe Stefanisë për të futur Tirantin dhe Diafebusin në dhomë dhe kuptohet si Karmesina, duke e ditur se do të kishte një “festë martesash të fshehta”, djallëzisht, bën sikur e ka zënë gjumi. Rrëfimtari përgjithësues dhe i shumëdijshëm, brenda rrjedhës “reale” të kronologjisë, vazhdon të tregojë habinë e madhe të Tirantit kur shikon princeshën e bukur, se si bie në gjunjë dhe si i puth duart asaj. Këtu ndodh i pari “ndryshim i përkohshëm” ose prishje e kronologjisë: «Dhe shkëmbyen shumë fjalë dashurie. Kur gjykuan se ishte koha për të ikur, u ndanë nga njëri-tjetri dhe u kthyen në dhomat e tyre». Tregimi bën një kapërcim në të kaluarën, duke lënë në atë ndarje, në atë greminë heshtjeje, një pyetje të mençur: «Qoftë prej dashurisë, qoftë prej dhimbjes, kush mund të flinte atë natë?» Pastaj, rrëfimi e çon lexuesin tek dita e nesërme.
Plaerdemavida ngrihet, hyn në dhomën e princeshës Karmesina dhe gjen Stefaninë «e gjitha plot me lermë të qetë». Ç’kishte ndodhur? Pse ajo shthurje epshore e Stefanisë? Në të vërtetë, shpotitë, pyetjet, talljet dhe fjalët fyese të Plaerdemavidës së këndshme do ta orientojnë lexuesin dhe do t’ia ndezin kureshtjen e mprehtësinë. Dhe, në fund, pas kësaj hyrjeje të gjatë e dinake, Plaerdemavida e bukur tregon se natën e kaluar paskej parë një ëndërr, në të cilën pa Stefaninë duke futur Tirantin dhe Diafebusin në dhomë. Këtu vjen “ndryshimi i përkohshëm” i dytë ose kapërcimi kronologjik në episod. Episodi kthehet tek nata e kaluar dhe, përmes ëndrrës së supozuar të Plaerdemavidës, lexuesi zbulon çfarë kishte ndodhur gjatë martesave të padeklaruara. Fakti i fshehur del në dritë, duke e restauruar tërësinë e episodit.
I gjithë episodi? Jo i gjithë. Sepse, veç atij “ndryshimi të përkohshëm” që ju patë, ka ndodhur edhe një “ndryshim i rrallë”, një ndryshim i veçantë këndvështrimi, sepse ai që rrëfen çfarë ndodh në martesat e fshehta, tashmë, nuk është rrëfyesi përgjithësues dhe i jashtëzakonshëm i fillimit, por Plaerdemavida, një rrëfyes-personazh, që nuk synon të japë një dëshmi objektive, por me ngarkesë subjektiviteti (komentet e tij gazmore, të lirshme, jo vetëm e bëjnë subjektiv episodin, po, mbi të gjitha, e shkarkojnë nga egërsia me të cilën mund të ishte treguar, ndryshe, zhvirgjërimi i Stefanisë prej Diafebusit). Ky ndryshim i dyfishtë – i përkohshëm dhe i veçantë – fut kështu një “kuti kineze” në episodin e martesave të fshehta, domethënë një rrëfim të pavarur (ai i Plaerdemavidës) të përfshirë brenda rrëfimit të përgjithshëm të të shumëditurit-rrëfyes. (Brenda parantezave, do të them se, po ashtu, tek «Tirant lo Blanc» përdoret shumë herë metoda e “kutive kineze” apo e “kukullave ruse”. Bëmat e Tirantit gjatë një viti dhe një dite, kohë sa zgjasin festat në oborrin e Anglisë, nuk i tregohen lexuesit nga i shumëdituri-rrëfyes, veç nëpërmjet raportimit që i bën Diafebusi Kontit de Varonik; marrja e Rodosit prej gjenovezëve tejduket përmes një relacioni që i bëjnë Tirantit dhe Dukës së Bretanjës dy kalorës të oborrit francez; po ashtu, aventura e tregtarit Gobedi është burim i një historie që Tiranti i tregon Vejushës Reposada.) Pra, në këtë mënyrë, me shembullin e një episodi të këtij libri klasik, provuam se pasuritë e procedurave që shpesh duken si shpikje moderne të shkrimtarëve bashkëkohor, në të vërtetë bëjnë pjesë në malin e madh të përvojës së artit letrar, pra janë përdorur me shkathtësi që nga shkrimtarët klasikë. Ajo çfarë kanë bërë shkrimtarët modernë, në shumicën e rasteve, është se i kanë pastruar e stërholluar, duke eksperimentuar me mundësi të reja të heshtura në disa sisteme të rrëfyeri, të cilat shpesh e kanë zanafillën tek shfaqjet më të vjetra të fiksionit të shkruar.
Ndoshta do t’ia vlente barra qiranë që, para se t’i jepet fund këtij shkrimi, për të dhënë një gjykim të përgjithshëm, të vlefshëm për të gjithë romanet, lidhur me një karakteristikë të natyrshme të pjesës së shkruar, nga e cila buron teknika e “fshehjes së faktit”. Pjesa e shkruar e gjithë romanit është vetëm një seksion ose fragment i historisë që tregon: kjo, e zhvilluar saktësisht, me akumulimin e tërë përbërësve pa përjashtim – mendimet, gjestet, objektet, koordinatat kulturore, materialet historike, psikologjike, ideologjike e të tjera, që presupozon dhe përmban historia komplet – përfshin një material shumë më të bollshëm se ai i shprehur në tekst dhe që asnjë romancier, as ai më i kamuri, më i thelli dhe më pak i kursyeri në ekonominë rrëfyese, nuk do të ishte në gjendje të shtrihej në tërë tekstin e vet.
Për të nënvizuar këtë veçori pashmangshmërisht të pjesshme të të gjithë ligjërimit rrëfyes, romancieri Klod Simon – i cili në këtë mënyrë donte të tallej me pretendimet e letërsisë “realiste” për të riprodhuar realitetin – nisej nga një shembull: përshkrimi i një pakete cigaresh «Ciganët». Ç’elementë duhet të kishte ai përshkrim për të qenë “realist”?, shtronte pyetjen. Pa dyshim: madhësinë, ngjyrën, përmbajtjen, shkronjat, materialet me të cilat ai ambalazh përbëhet. Po, do të mjaftonte me kaq? Në një kuptim përmbledhës, në asnjë mënyrë. Edhe sikur të mos linim asnjë të dhënë të rëndësishme pa thënë, përshkrimi do të ishte i mangët. Edhe sikur përshkrimi të përfshinte një informacion të hollësishëm mbi proceset industriale që ndodhen nga ana e pasme e veshjes së kësaj pakete, e pse jo, edhe të sistemeve shpërndarëse e tregtare që e çojnë atë mall nga prodhuesi deri tek konsumatori, prapë do të kishte mungesa. Do të kishte marrë fund kështu përshkrimi i gjithanshëm i paketës «Ciganët»? Sigurisht, jo. Konsumi i cigareve nuk është një fakt i izoluar, përfundim i evolucionit të zakoneve dhe përhapjes së modës. Ai është i lidhur plotësisht me historinë shoqërore, mitologjitë, politikat, mënyrat e jetës të shoqërisë; dhe, nga ana tjetër, bëhet fjalë për një praktikë – zakon ose ves – mbi të cilin publiciteti dhe jeta ekonomike ushtrojnë një ndikim vendimtar, dhe që ka efekte përcaktuese mbi shëndetin e konsumatorit.
Asnjëherë nuk është e vështirë të konkludosh, me atë rrugë demonstrimi të çuar deri në ekstreme absurde, se përshkrimi i çdo objekti, deri edhe më i parëndësishmi, i zgjatur për të thënë gjithçka, përçon thjesht atë pretendim utopik: përshkrimin e universit.
Edhe për fiksionet mund të thuhet, pa dyshim, një gjë e ngjashme. Se, në qoftë se një romancier, kur tregon një histori, nuk u përmbahet disa limiteve (domethënë, nëse nuk merr përsipër të fshehë disa fakte), historia që do të na tregonte nuk do të kishte as fillim, as fund, në një farë mënyre do të ishte një përzierje me gjithfarë historish, një gjithtërësi e fantazuar, një univers imagjinar e i pambarimtë, në të cilin bashkëjetojnë, të kokolepsur me krushqira, të gjitha fiksionet.
Atëherë, në qoftë se pranojmë këtë hipotezë, që një roman, ose, më mirë, një fiksion i shkruar është vetëm një segment i tërë historisë, prej nga romancieri është i detyruar të eliminojë një numër të madh faktesh që për të janë të tepërta, të panevojshme, duhet që ai vetë të na i bëjë të qarta duke na ndezur imagjinatën për to. Ka gjithfarë mënyrash për të dalluar ato fakte të lëna jashtë si të qarta apo të panevojshme, nga ato që i quajtëm “fakte të fshehura”, për të cilët u fol në këtë shkrim. Kështu që “faktet e mia të fshehura” nuk janë as të qarta, as të kota. Përkundrazi, kanë funksion të plotë, kanë një rol të madh në thurjen e tregimit dhe, pikërisht për këtë, heqja apo zhvendosja e tyre bën efekte në historinë që rrëfehet duke u dhënë shkëlqim detajeve të rastit apo këndvështrimit.
Së fundi, do të më pëlqente t’ju përsërisja një krahasim që kam bërë njëherë duke komentuar «Faltoren» e Folknerit. Le të themi se tërë historia e një romani (ajo e shkruar me fakte të thëna dhe të pathëna) është një kub. Të themi, gjithashtu se, në një roman të veçantë, kemi pastruar prej tij faktet e panevojshme dhe ato të nënkuptuara me qëllim që të arrihet një efekt i caktuar. Në këtë rast kubi, domethënë tërë historia e romanit, ka marrë një formë të caktuar: është një objekt, një skulpturë, ku reflektohet origjinaliteti i novelistit. Forma e kësaj skulpture është skalitur falë ndihmës së instrumenteve të ndryshme. Por nuk ka dyshim se një mjet nga më të çmuarit që përdoret për eliminimin e atyre përbërësve që thamë, derisa të ravijëzohet figura bindëse dhe e bukur që ne duam, është ajo e “fshehjes së faktit” (nëse ju nuk keni një emër më të mirë për t’ia vënë kësaj procedure).
Përktheu Bajram  Karabolli
Marrë nga libri «Sfida e krijimit»

Vdiç akademik prof.Fatos Mehdi Daci ,historiani dhe "mjeshtri i madh" i Dibrës

Me dhimbje të thellë njoftohet ndarja nga jeta e Fatos Mehdi Dacit , gazetari, historiani dhe Mjeshtri i Madh, një prej figurave më të shq...