Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/08/11

Mohimi i kujtesës: Shqipëria të përballet me të kaluarën komuniste

kom-alb
Nga Shirley Cloyes DioGuardi dhe Roland Gjoni
Diktatori komunist Enver Hoxha e nënshtroi Shqipërinë për 45 vite me një nga regjimet më shtypëse e më të centralizuara që bota ka njohur ndonjëherë. Qindra mijëra shqiptarë iu nënshtruan arrestimeve, torturave, dhe burgosjeve. Disa mijëra u vranë nga viti 1945 deri atëherë kur Hoxha vdiq dhe kur regjimi i pasardhësit të tij, Ramiz Alia, ra në vitin 1991.
luftaeh2
Kur regjimi i Alisë filloi të thyhej në vitin 1990, elita komuniste u kundërvu. Furnizimet me ushqim e energji u pakësuan dhe mijëra shqiptarë vërshuan drejt varkave për të arritur lirinë në Itali. Ikja nga komunizmi u kap nga ekranet televizive në të gjithe botën. Mirëpo, kur qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike e Sali Berishës erdhi në pushtet në vitin 1992, aty nuk kishte një konfrontim me jetën nën komunizëm në Shqipëri. Qeveria e Berishës u lëvdua nga komuniteti ndërkombëtar për një kalim pa gjakderdhje nga regjimi i tmerrshëm i Hoxhës në demokraci. Kjo lëvdatë u meritua me të drejtë, por jo mohimi i kujtesës së komunizmit. Sali Berisha ishte mjeku personal i Enver Hoxhës. Edhe pse ai nuk mori pjesë personalisht në përgjimin, torturimin, arrestimin, burgosjen në kushte që s’përshkruhen, dhe vrasjen e shqiptarëve të quajtur “armiqtë të popullit’ nga Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij, Berisha dhe familja e tij jetuan një jetë të privilegjuar përderisa aq shumë qytetarë po vuanin dhe vdisnin.
kom-alb
Sikurse kombet tjera të Evropës Juglindore që dolën nga fashizmi nën dominimin nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore vetëm që të mbërtheheshin nga komunizmi, Shqipëria varrosi historinë e Holokaustit (edhe pse ndryshe nga popujt tjerë, roli i shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore konsistonte në shpëtimin e secilit hebre që jetonte në Shqipëri ose që kërkonte strehim aty). Shtypja e Holokaustit u lehtësua nga fakti se shumica e Hebrenjve Evropianë që mbijetuan nuk ishin psikologjikisht në gjendje të ndanin me të tjerët tmerrin që kishin përjetuar, veçanërisht me një publik që donte ta harronte luftën dhe të vazhdonte me jetën përpara. I njëjti model do të ndiqej pas rënies së komunizmit. Në Shqipëri, historia e regjimit komunist-stalinist nën Enver Hoxhën u shtyp, dhe shumica e të mbijetuarve kishin frikë të flisnin për krimet ndaj tyre të bëra prej njerëzve të popullit të vet. Dy dekada pas rënies së komunizmit, Shqipëria ka dështuar që të përballet me të kaluarën e saj.
Pajtimi me daljen e tyre nga 400 vite pushtimi Osman, pastaj me okupimin nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe pastaj me 45 vite të komunizmit në shekullin 20-të është detyrë e të gjithë vendeve dhe grupeve etnike të Ballkanit. Në vitin 2012, shume vende në Evropën Jugore kanë filluar të raportojnë detajisht për periudhën komuniste. Siç i tha gazetës The New York Times në shkurt të vitit 2012 Lukasz Kaminski, president i Institutit të Kujtimit Kombëtar të Polonisë:
“Në mënyre që ne të mbrojmë vetveten në të ardhmen ndaj regjimeve totalitare, ne duhet të kuptojmë se si ato kanë operuar në të kaluarën, si një vaksinë. Përgjatë Evropës Qëndore dhe Jugore një konsensus i qetësisë duket të ketë marrë fund, konsensus që kurrë nuk i shoi krejt kritikat dhe diskutimet por që i mbuloi zërat që thirrnin për llogaridhënie të shumëpritur”.
luftapr
Pavarësisht debatit të vazhdueshëm të brendshëm, Shqipëria fatkeqësisht nuk ishte në mesin e kombeve ish-komuniste e angazhuar në dhënien e llogarisë së shumëpritur. Aty nuk ka pasur përmbyllje në formë publike – asnjë gjykim, asnjë burgosje të torturuesve, asnjë komision të së vërtetës – vetëm falje për aktbërësit. Hapja e arkivave komuniste është thelbësore për ti bërë të ditur botës atë që ndodhi nën regjimin e Hoxhës dhe për ti sjellë përmbyllje viktimave – mos ta përmendim faktin se kjo do të shtronte bazën për ti dhënë atyre njohje kombëtare dhe dëmshpërblim për vuajtjet e tyre.
Siç ka shkruar figura e njohur letrare Ismail Kadare në hyrje të librit të Bedri Blloshmit të botuar në vitin 2010 që përshkruan vrasjen e vëllait të tij Vilsonit dhe të Genc Lekës nga regjimi i Hoxhës:
“Komunizmi ka rënë në Shqipëri, por jo edhe pluhuri dhe duhma e tij. Vezët e gjarpërit ende janë gjithkund. Ato vazhdojnë të pjellin mashtrim, dhunë psikologjike, dhe veçanërisht urrejtje. Ato janë shpërndarë në partitë e së majtës e të djathtës, në partitë e vogla dhe të mëdha. Ato qëndrojnë syhapur për të siguruar mbrojtjen historike të diktaturës së rënë. Ato nxisin një kritikë sipërfaqësore, shpesh në nivel të poemave dhe artistëve, për të zhvendosur vëmendjen larg asaj që përbënte thelbin e sistemit: krimin e vërtetë”.
Ekspozimi i “krimit të vërtetë” kërkon konfrontim me të kaluarën komuniste të Shqipërisë – një konfrontim që kërkon së pari dëgjimin e zërave të viktimave të Enver Hoxhës. Në vijim janë historitë gojore të tre shqiptaro-amerikanëve (Pëllumb Lamajt, Rajmond Sejkos, dhe Eqerem Mujos) që ia dolën të mbijetonin vite të burgimit në burgun famëkeq të Spaçit).
Nga viti 1945 deri në 1991, diku rreth 5,500 burra dhe gra u ekzekutuan, dhe afër 100,000 u dënuan me burgim (40 burgje) dhe 50 kampe të internimit dhe punës së detyruar sepse ata u konsideruan “armiq të popullit”. Poeti dhe aktivisti Pëllumb Lamaj, që erdhi në Shtetet e Bashkuara dy vite pas rënies së komunizmit, doli të ishte njëri prej tyre. Ai ishte 20 vjeç kur u dërgua në burgun e Spaçit në vitin 1979, ku do të kalonte 11 vite te jetës së tij.
hackmanlapidar1
Pëllumbi u lind në një fermë në Çlirim, Shqipëri, afër qytetit të Fierit, me 4 Janar 1959.
Për arsye se aty kishte një përqendrim të rezistencës kundër komunistëve në rajon, shumë familje u vendosën në kampe internimi. Në vitin 1957, kur Pëllumbi ishte 8 vjeç, babai i tij, që po fitonte bukën e gojës për familjen e tij shtatë anëtarëshe me rrogë të vogël, u akuzua dhe u dënua nga një “gjykatë kanguri” për rritjen e kafshëve dhe shkëmbimin e lopëve për qumësht pa lejen e qeverisë lokale.
Më herët, gjatë Luftës së Dytë Botërore, anëtarët e familjes Lamaj dhe familjes së nënës së tij, Lepenicët, u vranë gjatë luftimit kundër fashistëve italianë dhe mëpastaj kundër nazistëve si anëtarë të Ballit Kombëtar. Në të dyja rastet, ata u tradhtuan nga komunistët. Xhelal Lepenica, daja i Pëllumbit, u vra gjatë luftës civile që shpërtheu në Shqipëri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Pas vrasjes së tij, forcat shqiptare komuniste vallëzuan në varrin e tij, dogjën dhe shkatërruan pasurinë e tij, dhe konfiskuan të gjitha gjërat materialet të tij. Që atëherë e tutje, regjimi brutal dhe torturues i Enver Hoxhës u shkaktoi dhimbje dhe vuajtje familjeve Lamaj dhe Lepenica për dekada të tëra. Kjo u intensifikua pas ikjes së Qemal Lepenicës, njëri prej dajve te Pëllumbit nga Shqipëria për në Gjermani në vitin 1951.
Pas dënimit dhe burgosjes së babait të tij në vitn 1967, Pëllumbi, nëna e tij, dhe vëllezërit e motrat e tij u transferuan me forcë në një fshat të quajtur Skrofotinë, afër Vlorës. Kështu kujton Pëllumbi:
“Ne u vendosëm në mes të askundit – nëna ime me pesë fëmijë. Si djalë 8 vjeçar, në ndërdije unë fillova të kuptoj domethënien e terrorit komunist. Burgosja e babait time çoi në periudhën më të vështirë të jetës sonë. Gjatë kësaj kohe, nëna ime ishte heroina ime. Ajo ishte kurrizi i familjes.” Në shkollë fëmijët e tjerë na quanin kulak, që do të thoshte “armik i popullit.” Kur shkoja në shtëpi, unë e pyetja nënën time, “Si duhet t’u përgjigjem këtyre fyerjeve” Ajo thoshte, “Thuaj atyre që je krenar që je kulak për shkak të historisë së familjes tënde”.
Kur Pëllumb Lamaj mbaroi shkollën fillore në vitin 1974, ai ishte i vetmi student të cilit iu ndalua e drejta për t’iu bashkuar organizatës së të rinjve shqiptarë sepse, sipas mësuesit të tij Armando Kushta, ai “kishte sytë e tij të fiksuar në perëndim” dhe kishte shfaqur shenja të të qenit “kapitalist.” Sipas Pëllumbit, “kjo ishte përpjekje e Kushtës për të më bindur mua që të mos shkojë në shkollë të mesme”. (Ironikisht, pasi komunizmi filloi të binte në Shqipëri në vitin 1990, Kushta do të jetë njëri prej individëve të parë që la vendin dhe imigroi në Shtetet e Bashkuara.)

Familja e Pëllumbit e konsideronte arrestimin e tij vetëm çështje kohe, meqë ai dhe vëllai i tij refuzuan që të kolaboronin me policinë sekrete të njohur në Shqipëri si Sigurimi – refuzim ky që nën regjimin e Hoxhës nënkuptonte burgimin si dënimin më të vogël, dhe ekzekutimin si dënimin më të lartë. Duke shikuar prapa, Pëllumbi tha se data Mars 1, 1979, është “dita që unë kurrë nuk do ta harroj”: “Është e ngulitur në mendjen time dhe nuk harrohet. Atë ditë, Sigurimi më arrestoi dhe më akuzoi mua si “armik i popullit.” Pas disa muajsh burgimi, u dënova bazuar në dëshmi të rrejshme dhe u dënova me 15 vjet të punës së rëndë në burgun famëkeq të Spaçit. Isha njëri prej të burgosurve më të rinj që u dërgua në Spaç. Edhe këtë ditë, plagët e regjimit të tyre torturues janë në trupin dhe mendjen time”.
Pëllumbi tha se burgu i Spaçit ishte diçka nga Infernoja e Dantes. Sipas tij, “Spaç është një vrimë e zezë në fund të kanjonit, rrethuar nga kodra të errëta e të zymta. E vetmja kohë kur një i burgosur mund të shihte pak qiell të kaltër ishte në mesditë. Natën, kur dritat ndizeshin dhe qëllonin rrethojës së burgut për të parandaluar ikjen e të burgosurve, qielli vijëzohej me refleksionin e telave me gjemba.
“Të burgosurit ishin të ndarë në grupe që punonin pareshtur me ndërrime në miniera nën sytë vëzhgues të rojeve që shkaktonin dënimin – në mënyrë rutine, pa diskriminim, dhe shpesh në mënyre brutale. Për arsye se neve mezi na jepnin ushqim sa për të mbijetuar, shume burra vdiqën. Çdo ditë, kur ne shkonim në miniera, ndiheshim sikur ne po marshonim drejt gijotinës duke mos ditur nëse to do të mbijetonim edhe një ditë tjetër.
“Regjimi na vodhi rininë dhe shkatërroi të gjitha shpresat dhe ëndrrat tona. Por unë kurrë nuk harroj fjalët e të burgosurve më të vjetër që thoshnin “Nëse del prej këtu, të lutem thuaj botës së qytetëruar se ne ishim martirë, se ne kërkuam lirinë nga ata që na morën lirinë, se ne kundërshtuam shtetin kriminal të sunduar me grusht të hekurt nga tirani i pamëshirë, Enver Hoxha”.
Në maj të vitit 1984, një kryengritje ndodhi në burgun e Qafë-Barit. Tre të burgosur u ekzekutuan dhe të tjerët u dënuan me 25 vjet burgim, disa prej të cilëve më pastaj u sollën në Spaç, u torturuan, dhe u hodhën në çeli. Kur ata u liruan në kamp ditë më vonë, trupat e tyre ishin të plagosur dhe rrobat e tyre të zhytura në gjak. Për arsye se disa nga burrat kishin qenë shokë të Pëllumbit në të kaluarën, ai filloi ti ndihmonte atyre me pak ushqim dhe veshmbathje. Duke e parë këtë, kolaboracionistët dhe të burgosurit, thirrën “Rojet e Kuqe,” dhe Pëllumbi i raportoi menjëherë Shyqyri Toskës, Shef i Policisë Sekrete. Pastaj, ai u prangos dhe u dërgua në zyrën e Toskës.
“Toska filloi të bërtiste se ai do më jepte mua një mësim që unë kurrë nuk do ta harroj. Ai i urdhëroi Rojet e Kuqe të më dërgonin në një dhomë afër zyrës së tij, kur ai më torturoi për orë të tëra. Ata më sulmuan me dru, çizmet e tyre, dhe shkopinj të drurit deri sa unë humba vetëdijen. Kur më në fund hapa sytë, një mjek në një xhaketë të bardhë ishte sipër meje duke ma kontrolluar pulsin tim dhe duke më dhënë një injeksion. Ai i tha Toskës ta ndalte torturën se pulsi im ishte shumë i dobët. Isha i shtrirë në dysheme prej çimentos i zhytur në gjak, i paaftë të lëvizja, Dora ime e majtë ishte e thyer dhe rridhte gjak, dhe gishti i madh i këmbës së majtë ishte shtypur.
“Tortura kishte filluar në mëngjes, dhe unë mendova se ishte mesi i natës, kur ata më hodhën në çeli. Kur arrita në kamp, të gjithë të burgosurit panë plagët në duart dhe këmbët e mia, dhe secili e kuptoi se isha torturuar se i kisha ndihmuar të burgosurit e tjerë. Isha krenar që i ndihmova ata, dhe i thashë Shefit Toskës se “Një ditë do të sillesh para drejtësisë për krimet e tua.” Por fatkeqësisht, drejtësia nganjëherë është vetëm një ëndërr. Shumë prej njerëzve që ishin përgjegjës për dekada persekutimi, torture, dhe vrasje në Shqipëri janë duke jetuar jetë të privilegjuar dhe ushtrojnë pushtet në një qeveri të korruptuar. Nuk ka pasur “gjykim Nuremburgu” për komunistët shqiptarë të cilët u munduan ta shkaterojnë popullin e tyre, dhe Perëndimi ka zgjedhur që ti injorojë krimet e tyre.”
Në gusht të vitit 1990, Pëllumb Lamaj u lirua nga burgu – në fjalët e tij, “simbolikisht pas rënies së Murit të Berlinit.” Dy vite më vonë, ai pranoi një mundësi për të ardhur në Shtetet e Bashkuara. Për këtë, ai reflektoi, “Kisha fatin sepse nuk kishte hapësirë për mua në Shqipëri. Të njëjtët njerëz që më kishin persekutuar mua dhe të tjerët, duke përfshirë Shyqyri Toskën, qëndruan në pushtet”.
Pëllumbi kurrë nuk harroi fatin e familjes së tij, të burgosurve në Spaç, dhe të atyre që u shuajtun nën regjimin e Hoxhës: “Gjatë njëzet viteve të fundit,” ai tha, “kam ndjekur drejtësinë përmes çdo mediumi të informimit që kam qenë në gjendje të përdorë për të ekspozuar helmin dhe regjimin torturues që gëlltiti Shqipërinë dhe që i shtriu tentakulet e tij në të gjitha trojet shqiptare në Evropën jugore.”
I lindur në vitin 1922 në Konispol, Temë Sejko iu bashkua Partisë Komuniste gjatë Luftës së Dytë Botërore gjersa luftonte me partizanët. Pasi Shqipëria u çlirua nga okupimi nazist në nëntor 1944, Temë studioi në akademinë ushtarake në Moskë. Ai do të kthehej prapë nga viti 1955 deri më 1957, kur u ngrit në gradë të një admirali të rrallë dhe komandonte forcat detare të Shqipërisë në Vlorë. Shkurt, ai ishte pjesë e regjimit komunist gjatë fazës së parë të sundimit të Enver Hoxhës.
Në fundvitet e 1950-ve, Hoxha filloi të largohej nga aleancat e tij me Jugosllavinë e Marshall Titos dhe Bashkimit Sovjetik. Kur çarja në mes Bashkimit Sovjetik the Kinës Maoiste u bë në vitin 1961, Hoxha mori anën e Maos, e ai dhe aleatët e tij më të ngushtë nisën spastrime për ti eliminuar rivalët. Temë Sejko ishte njëri nga njerëzit që ata synuan. Po ashtu ishin vëllezërit e tij, sepse ata besohej të kishin pikëpamje politike që kërcënonin Hoxhën. Në mëngjesin e 28 korrikut, 1960, Temë shkoi në punë si zakonisht, vetëm për ta gjetur veten të arrestuar dhe të akuzuar për “pjesëmarrje në konsipracion që përfshinte Jugosllavinë, Greqinë, dhe Shtetet e Bashkuara.” Familja e tij nuk e pa atë kurrë më. Ai ishte i burgosur për një vit, gjersa regjimi përgatiste një gjykim farsë kundër tij dhe disa zyrtarëve të tjerë. Me 27 maj, 1961, Temë u dënua me 25 vjet burgim se ishte “armik i popullit.” Por tri ditë më vonë, kafka e tij ishte e thyer dhe ai u mbyt me një kordon.
Kur Temë u arrestua, vëllai i tij Taho po ashtu u arresua, një gazetar i cili gjithashtu kishte luftuar me partizanët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me 1956, në një mbledhje të Partisë Komuniste të Tiranës, ai kishte kritikuar hendekun në rritje mes standardit të jetesës së elitës komuniste dhe shumicës se popullit që jetonte në varfëri. Taho Sejko menjëherë humbi vendin e tij të punës dhe u transferua në një pozitë të nëpunësit në një fabrikë në Shkodër. Edhe pse Taho nuk u ekzekutua bashkë me Temën në maj 1961, ai u burgos dhe u torturua në mënyrë që ai të detyrohej ta përqafonte regjimin e Hoxhës publikisht. Taho refuzoi të kapitullonte dhe në mars 1962 ai në mënyrë sekrete u dënua dhe u ekzekutua. Familja e tij duke përfshirë nënën e tij u përjashtuan nga Tirana dhe u vendosën në Shkodër, pasi iu thanë se Taho ishte marrosur në burg dhe ishte ngujuar në një spital mendor shtetëror.
Në vitin 1963, tri vite pasi regjimi i Hoxhës arrestoi Temën dhe Tahon, vëllai i tyre Sulo u burgos. Ai u torturua, dhe më vonë trupi i tij u gjend në fund të një pusi. Vajza e tyre, Merushë Sejko – Plaku, u internua në një kamp nga 1963 deri më 1968; pastaj ajo u largua me forcë nga 1968 deri me 1974, vetëm për tu internuar prapë për dhjetë vite – nga 1974 deri më 1984. Burri i saj, Rexho Plaku, ishte njeri i pasur që udhëhoqi grupin e partizanëve në Luftën e Dytë Botërore që Temë, Taho, dhe Sulo iu kishin bashkuar. Mirëpo shumë shpejt pas luftës, ai u burgos nga regjimi i Hoxhës, dhe ai do të vuante për 32 vite në burg.
Djali i Temës, Rajmond Sejko, i vetmi në familje që mbijetoi, përshkroi kushtet e këqija në të cilat u detyruan të jetonin ai dhe nëna e tij, Shpresa, dhe vëllai Sokol, kur babai i tyre u damkos si “armik i popullit.” Ai tha: “E njëjta gjykatë ushtarake që dënoi babain tim, dënoi nënën time në të njëjtën ditë, vëllaun tim 11 vjeçar, dhe mua (që isha 13 vjeç) me pesë vite internimi, të njohur si “shpërngulje e brendshme.” Ne u detyruam të vendoseshim në një fshat të vogël e të largët të quajtur Otllak që ishte jashtë qytetit të Beratit, fshat që kishte vetëm 100 banorë, duke përfshirë 20 të internuar. Ne jetuam në një kasolle një dhomëshe, me dysheme prej dheu, me mure prej kashte, dhe kulm plastike. Nuk kishte ujë apo ngrohje. Ne duhej të ecnim për një orë për të marrë ujë për pije, ne pastronim trupin dhe rrobat me ujë të marrë nga kanalet për ujitje, dhe në vend të banjos në kishim katër mure jashtë pa kulm. Ne ishim të ngujuar në Otllak, dhe duhej të kërkonim leje paraprake nga autoritetet lokale për të udhëtuar, madje edhe për të shkuar te mjeku. Ne duhej ti raportonim zyrtarit të sigurisë në fshat të paktën dy herë në ditë.
Nëna ime dhe unë punonim orë të gjata gjashtë ditë në javë në fushë duke filluar në ora 5 të mëngjesit në vërë dhe 7 në dimër. Gjatë pesë viteve që ishim të internuar, asnjë i afërm apo shok nuk guxonte të na kontaktonte duke përfshirë edhe vëllanë e nënës sime, Engjëll, i cili jetonte vetë 10 milje larg. Shumë më vonë, me 1975, gruaja ruse e dajës Engjëll do të arrestohej dhe burgosej për pesë vite, thjesht pse ajo u ndëgjua të ketë treguar shaka politike.
“Kur internimi më në fund mbaroi në qershor 1966 unë isha 18 vjeç. Nëna ime, vëllai, dhe unë u vendosëm në qytetin e Beratit mirëpo ne vazhduam të ishim të izoluar dhe stigmatizuar. Në vitin 1967, unë hyra në ushtri dhe u caktova të isha në një grup që përbëhej vetëm nga bijtë e prindërve të dënuar. Të gjithë ne na u dhanë detyrat më të këqija. Për dy vite, unë bëra punë të rënda në një fermë ushtrie derisa u lirova nga detyra në vitin 1969.”
Rajmondi mendonte se ai dhe familja e tij ishin përfundimisht të lirë në vitin 1970 veçanërisht sepse atë vit qeveria e Hoxhës lejoi shumë pak liberalizim duke përfshirë të drejtën për të shikuar televizionin italian dhe jugosllav. Kjo e fundit tregoi sa e varfër dhe e pazhvilluar Shqipëria ishte në krahasim me shqiptarët që jetonin në anën tjetër të kufirit. Kur populli filloi të bënte thirrje për ndryshim, qeveria u hakmarrë. Në dhjetor të vitit 1972, ata ndalin çdo qasje në televizion; ata sulmuan një festival kushtuar muzikës tradicionale shqiptare (duke e quajtur atë dekadente); ata filluan një sërë spastrimesh dhe arrestimesh të “liberalëve,” që përfshinte të gjithë të internuarit dhe të burgosurit politikë. Vëllai i Rajmondit, Sokoli, ishte mes tyre. Pasi u shkarkua nga puna e tij në një fabrikë në Berat, ai u arrestua në vitin 1973, u torturua në burg nga një “specialist i torturës” të quajtur Ali Xhunga, u vu në gjykim në janar të vitit 1974 nën akuzat për “terrorizëm, sabotazh, shpërndarje të progagandës kundër-qeveritare, dhe pjesëmarrje në krim të organizuar,” dhe pastaj u ekzekutua në mars të po atij viti pasi dëshmitarë të rrejshëm të rreshtuar nga qeveria dëshmuan kundër tij. Ai ishte vetëm 24 vjeç. “Deri më sot,” Rajmondi thotë, “më shkakton dhimbje kur mendoj për vuajtjen që vëllai im duroi”.
Me vdekjen e Sokolit, Rajmondi dhe nëna e tyre, Shpresa Sejko, u shkatërruan nga dhimbja. Gjatë fundit të vitit 1974, ajo shkroi një deklaratë duke e akuzuar qeverinë për vrasjen e burrit dhe djalit më të vogël të saj dhe e shpërndau atë tek kushërinjtë. Me 19 shkurt, 1975, policia arriti në shtëpinë e Sejkos për të arrestuar Shpresën dhe Rajmondin. Rajmondi, që ishtë në shtëpi vetëm, u soll menjëherë në stacionin policor. Nëna e tij ishte në Fier duke vizituar të venë e Tahir Demit i cili ishte vrarë bashkë me Temë Sejkon. Pas marrjes në pyetje, Rajmondi u lirua për ta gjetur nënën e tij. Mirëpo kur ai arriti në Fier, Shpresa ishte në rrugë e sipër për në Berat. Dhe kur ai u kthye në Berat, ai e gjeti trupin e pajetë të saj nën një çarçaf përballë shtëpisë. Ajo ishte qëlluar nga zyrtarët lokalë të cilët po e deklaronin vdekjen saj si “vetëvrasje”.
Rajmondi u morr në paraburgosje, dhe një zyrtarë sigurie i quajtur Bujar Himci vazhdoi ta merrte në pyetje atë për një orë. Himci kërkoi që Rajmondi ta pranonte se e kishte detyruar nënën e tij të bënte vetëvrasjë. Kur ai refuzoi, Himci solli Muhamed Ukën dhe disa zyrtarë të tjerë nga Ministria e Brendshme duke përfshirë njërin i cili në vitin 1974 kishte detyruar Rajmondin dhe nënën e tij që të dëshmonin kundër Sokolit. Ata e morrën në pyetje Rajmondin nga ora pesë e mbrëmjes deri në ora një në mëngjes duke u përqendruar në deklaratën që nëna e tij kishte shkruar kundër qeverisë.
Kur Rajmondi zyrtarisht u akuzua pas disa ditësh, ai u akuzua për “vepra në kundërshtim të qeverisë” me dënimin prej 3 deri në 10 vjet në burg. Me këtë, Bujar Himci psikikisht dhe fizikisht torturoi Rajmondin për 11 ditë të tëra. Pasi një gjykimi farsë në maj 1975, ai u ngarkua për shkuarjen dhe shpërndarjen e deklaratës së nënshkruar nga nëna e tij dhe u dënua me 8 vjet burg. Pasi qëndroi gjallë në një dietë të grurit të zier dhe fjetjes në dysheme të ftohtë betoni në Berat dhe Tiranë, në zinxhirë dhe i rrahur me grushte dhe shkop druri, Rajmondi u tranferua për në Spaç. Kur u transferua aty, ai kishte humbur 44 pounds.
I ndërtuar në vitin 1968, Burgu i Spaçit ndodhej në një truall djerrë në verilindje, rajonin e Mirditës në Shqipëri. Rajmondi e kujton atë si “ndoshta burgun më të rëndë në Shqipëri,” sepse shumica e të burgosurve punonin deri në vdekje në minierat e bakrit e të piritit:
“Në Spaç, unë jetove në baraka pesë metra ma pesë, ku jetonin 52 burra. Ndërtesa përbëhej prej 12 dhomave të tjera të këtij lloji në tre katë. Ne flinim në shtretër të vegjël që kishin çilim prej kashte të hollë, çarçafa të vjetër, dhe disa batanije të holla. Për shkak të numrit të madh të njerëzve aty, mungesës së ventilimit, tymit të duhanit, dhe tymit të gazit nga minierat që na futej ngadalë në rrobat dhe lëkurën tonë, ajri ngurrmonte erë. Më kujtohet kur ngritesha mbi shtrat, me fytin e bllokuar dhe s’mundja të flisja. Ushqimi ishte në përgjithësi bukë, fasule, dhe nganjëherë qumësht. Ata që punonin në miniera kishin pak më shumë”.
Rajmondi punonte në miniera nga 1975 deri më 1982. Kishte patur një revoltë të burgosurish dy vite para se ai të arrinte në Spaç. Pasi revolta u shua, katër udhëheqësit e saj u ekzekutuan dhe 87 të burgosurve iu zgjat burgimi për njëzet vjet ose më shumë. Pas kësaj, restriksione më të mëdha u imponuan mbi çdo të burgosur. Për shembull, vizitat familjare u shkurtuan deri në pesë minuta. Gjatë kohës së tij në Spaç, gjyshja e tij (nga ana e nënës) e vizitoi atë një herë në vit për gjashtë vite, çdo herë duke udhëtuar për orë të tëra për ta parë atë. Eventualisht ajo u bë shumë plakë dhe e sëmurë për të udhëtuar. Librat dhe mësimi i gjuhëve të huaja u ndaluan. Kur Rajmondi u zu duke u munduar të mësonte italisht, ai u hodh në çeli të vetmisë ku temperaturat ishin ngricëse.
Rajmond Sejku më në fund u lirua nga burgu i Spaçit në tetor 1982 dhe u kthye në Berat për të jetuar me gjyshërit e tij. Ai punoi si punëtor krahu nën mbikëqyrjen e një kryetari që e spiunonte atë të qeveria. Një vit me vonë, në tetor 1983, ai u dënua në mënyrë sekrete për një periudhë tjetër internimi, mirëpo kësaj here ai u dëbua në një fshat të vogël të quajtur Kutalli për pesë vite, ku ai jetoi në kushte primitive. Gjyshja e tij iu bashkua Rajmondit pasi gjyshi i tij vdiq në Berat. Rajmondi u detyrua të punonte në një fermë shtatë ditë në javë dhe të raportonte tek zyrtarët lokalë për tu marr në pyetje dy-tre herë në ditë. Në një moment, Vojo Nano, anëtar i policisë sekrete, u mundua ta rekrutonte atë si spiun. I zemëruar, Rajomondi u mundua ta kapte Nanon për fyti.
Në vitin 1985, Enver Hoxha vdiq dhe pasardhësi i tij, Ramiz Alia, erdhi në fuqi. Tre vite më vonë kur dëbimi i Rajmondit duhej të përfundonte, ai u zgjat edhe për pesë vite të tjera. Një vit më vonë në Mars 1989, regjimi i Alisë u mundua ta kthente Rajmondin në burg edhe një herë, kur ai u denoncua nga Ali Gega, zyrtar i Partisë Komuniste në Berat. Gega e kishte akuzuar në mënyrë të rreme Rajmondin se “kishte folur kundër disa zyrtarë të qeverisë shqiptare.” Hysni Kallmi, banor i Kutallit, u zgjodh të dëshmonte kundër tij në gjykim, mirëpo Rajmondi u ngrit për ta mbrojtur veten kundër akuzave dhe ia doli ti tejkalonte përpjekjet e tyre për ta riburgosur atë. Nëntë muaj më vonë, derisa qeveria komuniste po humbte pushtetin, ajo lëshoi amnesti të përgjithshme për të burgosurit dhe të internuarit politikë. Me 30 dhjetor, 1989, Rajmondi u lirua. Më pak se një vit më vonë, regjimi i Ramiz Alisë do të binte.
Në prill 1945, disa nga forcat ushtarake të Hoxhës e morën Bajame Mujon dhe fëmijët e saj, Eqeremin, Fatmirin, dhe Nevrusin nga shtëpia e tyre, i vunë zjarrin shtëpisë, dhe i dërguan ata në Krujë, ku i tufëzuan në një kamp me familjet e tjera. Arsyeja për kapjen e tyre ishte se Sefer Mujo, burrë dhe baba, bashkë me vëllaun e Seferit, Alon, kishin rezistuar ardhjen në pushtet të regjimit komunist të Hoxhës në fund të Luftës së Dytë Botërore. Hoxha dhe njerëzit e tij ndoqën dhe ekzekutuan këdo që luftonte kundër tyre. Megjithatë, disa u larguan, dhe Seferi e Alo ishin dy prej tyre. Sefer dhe Alo u larguan për në Munich, Gjermani, ku iu bashkuan një grupi në egzil të cilët kishin formuar një batalion dhe ishin duke u trajnuar në një bazë ushtarake nën drejtimin e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara për tu kthyer në Shqipëri në përpjekje për ti shpëtuar familjet e tyre dhe për ta përmbysur regjimin e Hoxhës.
Për dy vite, asnjë prej shokëve dhe familjarëve të Mujos nuk dinin se çka u kishte ndodhur atyre. Mëpastaj, në vitin 1947, bashkë me 1,000 familje, ata u tufëzuan në një kamp në Valias jashtë Tiranës. Kampi përbëhej prej barakave që ishin lënë prapa nga forcat italiane kur e dorëzuan Shqipërinë nazistëve gjermanë në vitin 1943. Shtretërit, të përbërë nga batanije të drurit, vargoheshin në mur; ushtarët ishin të vendosur në intervale përgjatë kampit; dhe ishte pikërisht këtu që Bajame Mujo dhe djemtë e saj do të duronin vuajtje me vite të tëra. Më vonë ata u lëvizën në nje fabrikë që ishte afër aty, ku, sipas Eqeremit, ata u bënë “punëtorë skllevër”.
Në ndërkohë, Seferi dhe Alo me kurajo u kthyen në Shqipëri. Eqerem Mujo dhe vëllezërit e tij do të mësonin më vonë se “Babai dhe daja im shkonin nga Gjermania për në Shqipëri e prapa, duke udhëhequr misione për ta përmbysur regjimin e ligë të Hoxhës. Ata mund të kenë dëshiruar hakmarrje; ata pa dyshim donin paqe; por, mbi të gjitha, ata donin të kishin prapë familjet dhe jetën e tyre.”
Nën abuzim të vazhdueshëm fizik dhe mendor, dhe në luftën ditore për ushqim, Eqeremi tha: “Mendimi për babanë dhe xhaxhanë tonë na shkonte ndërmend vetëm si rrufeja. Mirëpo duke e ditur se ata ishin të vendosur për të na shpëtuar neve (që e mësuam kur lajmet rrodhën se batalioni i tyre kishte hyrë në Shqipëri dhe tashmë kishte rimarrë disa familje) na ndihmoi të na mbante gjallë mua, nënën time, dhe vëllezërit e mi. Na mbushi neve me shpresë dhe gëzim, dhe për disa çaste, ishim të lirë”.
Në vitin 1949, kur Eqeremi ishte shtatë vjeç, familja Mujo u lëvizën te një tjetër kamp, këtë herë ne Tepelenë, në bregun jugor të Shqipërisë. Sipas tij, “Kushtet ishin aq të vajtueshme sa që shumë vdiqën dhe ne fëmijët kalonim ditët të mbledhur së bashku duke shikuar jashtë dritareve përderisa nënat dhe babatë tanë formuan një vijë që dukej si mizat, gjersa ata transportonin drurin që nevojitej për të ngrohur shtëpitë e elitave shqiptare.”
Familja Mujo pastaj u transferua në vitin 1954 në një fermë në Lushnjë që “ishte kthyer në një kamp koncentrimi.” Në vitet në vijim, ata do të transferoheshin në shumë kampe të shpërndara nëpër gjithë Shqipërinë. Eqeremi dhe vëllezërit e tij eventualisht u lejuan të ndiqnin shkollën e mesme. Mirëpo jo shumë para se ta mbaronte shkollën e mesme, dikush e akuzoi Eqeremin se ishte spiun.
Në prill të vitit 1976, ai u arrestua në moshën 34-vjeçare. Pas tetë muajsh hulumtimesh nga autoritet ai u gjykua dhe dënua me shtatë vjet burgim në burgun e Spaçit. Një vit më vonë, vëllai i tij Fatmiri gjithashtu u akuzua se ishte spiun dhe u dënua me gjashtë vjet burg ne burgun e Ballshit në Fier.
Kur Eqeremi dhe Fatmiri u liruan në fund të vitit 1983, ata u kthyen në një fermë ku nëna e tyre dhe Nevrusi kishin bërë një jetesë të rëndë gjatë burgosjes së tyre. Megjithatë, për arsye se babai i tyre dhe axha i tyre ishin arratisur në Gjermani dhe ishin pjesë e lëvizjes së rezistencës, persekutimi i familjes Mujo vazhdoi. Katër muaj pasi Eqeremi dhe Fatmiri lanë burgun, familja u arrestua dhe u dërgua prapë në një kamp në Lushnjë. Ata nuk do të shijonin lirinë derisa regjimi komunist ra në vitin 1990.
Sapo ra regjimi, Eqeremi tha: “Familja jone planifikoi ikjen tonë jo vetëm nga kampi, por nga Shqipëria. Ne kaluam kufirin për në Greqi dhe, përmes shumë mundimeve, më në fund patëm sukses dhe fluturuam për në Shtetet e Bashkuara. Kur arritëm në New York, neve na takoi një njeri në moshë me buzëqeshje dhe lotë në sytë e tij. Ishte babai ynë, Sefer Mujo, të cilën nuk e kishim parë për 48 vite. Xhaxhai im, Alo, qëndroi pranë tij. Lehtësimi që vëllezërit e mi përjetuan ishte e papërballueshme. Lehtësimi jonë u pakësua nga mungesa e nënës sonë, e cila ishte përpjekur të na mbronte në udhëtimin e gjatë vetëm për tu mposhtur nga kolapsi dhe vdekja disa muaj më parë”.
Numri i saktë i atyre që u internuan dhe u ekzekutuan nën diktaturën e Enver Hoxhës mund të mos dihet kurrë. Ajo që dihet është se dështimi për ta konfrontuar mizorinë, fanatizmin, dhe instrumentet e terrorit të përdorura gjatë kohës komuniste u ka mohuar të mbijetuarve shërimin dhe drejtësinë që ata e meritojnë. Gjithashtu ka lënë plagë të thella në mendjen e popullit shqiptar dhe ka parandaluar Shqipërinë nga hyrja në Evropën demokratike. Koha ka ardhur për Shqipërinë për të siguruar se mohimi i kujtesës nuk ka sukses, për tu përballur me punën e pambaruar të së kaluarës në mënyrë që të mos vazhdojë ta shtrembërojë te sotmen, dhe të fillojë të ndërtoje një të ardhme të re dhe të realizueshme.
(Autorja Shirley Cloyes DioGuardi  është Këshilltare për Çështje të Ballkanit tek Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane. Ky artikull nuk mund të ishte shkruar pa kontributin e Pëllumb Lamajt, Rajmond Sejkos, Eqerem Mujos dhe Luan Mazrekut).

Monumente dhe lapidarë të fshehur nën bronze ideologjike

hackmanlapidar1
Nga Artan Shabani.
Rrënimi i ish-perandorisë komuniste në Lindje në të gjitha aspektet e saj, përfshirë edhe atë urban, arkitektonik dhe artistik, po tërheq gjithmonë e më shumë vëmendjen e fotografëve perëndimorë.
Fotografi Robert Hackman, australian me banim në Londër, i cili erdhi në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë me një ekspozitë personale, në këtë pikë ecën në një terren të shkelur gjithmonë e më shumë pas vitit 2000: kujtojmë këtu Armin Linke dhe Srdjan Jovanovic Weiss me ciklin fotografik “Socialist Architecture: The Vanishing Act”, fotografitë e jashtëzakonshme të Frederic Chaubin në “CCCP: Cosmic Communist Constructions Photographed” apo Rebecca Litchfield “Soviet Ghosts: The Soviet Union Abandoned: A Communist Empire in Decay”. Por më së shumti ai të kujton fotografin belg, Jan Kempenaers, me serinë “Spomenik, The Monuments of Former Yugoslavia”.

hackmanlapidar1
Shpeshherë kur shkruhet për monumentet, një nga shprehjet më të përdorura është ajo e romancierit austriak, Robert Musil, i cili në vitet 1920 shkruante se “Gjëja më e spikatur rreth monumenteve është se njeriu nuk i dallon ato. Asgjë në këtë botë nuk është më e padukshme sesa një monument. Megjithatë, ata janë ngritur pa dyshim me qëllim për t’u parë”. Hackman ka bredhur rreth e qark Shqipërisë për disa vite me radhë në një përpjekje për të testuar vërtetësinë dhe qëndrueshmërinë e kësaj teme. Pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë gjithë periudhës socialiste, nëpër gjithë Shqipërinë deri në fund të viteve 1980, u ndërtuan me qindra monumente nga një brez i tërë skulptorësh, artistësh dhe ideologësh, të cilët përmes arteve vizuale përpiqeshin të ndërtonin identitetin kombëtar dhe kujtesën e re publike të fitimtarëve, të ndërgjegjshëm për rolin e tyre në raport me historinë e vendit dhe lokalitetit.
Lapidarët dhe monumentet e ngritura kudo përkujtonin ngjarje historike të kaluara, sidomos nga Lufta e Dytë Botërore, heronj të luftës apo të punës socialiste, persona apo simbole me rëndësi të madhe për identitetin e një komuniteti të caktuar në Shqipëri. Shpesh ato paralajmëronin mosharrimin e ngjarjeve specifike negative e cila shenjonte armiqtë në mënyrë permanente, historike. Me përmasat e tyre shpeshherë të tepërta, baroke, këto skulptura, lapidarë dhe monumente ndërtoheshin sipas formulave të realizmit socialist dhe karakterizoheshin në esencë nga kulti stalinist i personalitetit, me qëllim jo informimin, por dominimin, trullosjen dhe nënshtrimin e shikuesit. Pas ndryshimeve dramatike politike të viteve 1990, skulpturat, lapidarët dhe monumentet tashmë të privuara nga konteksti historik dhe ideologjia e cila i ndërtoi, janë përpirë nga peizazhi urban apo natyral, të harruara dhe braktisura nga banorët vendas. Shkaqet për këtë janë të shumta, por më së shumti vijnë si një lloj kundër reagimi njerëzor karshi një sistemi të dhunshëm dhe megaloman që zgjati për dekada me radhë në Shqipëri, për të cilin shumica e shqiptarëve sot nuk ndien nostalgji. Shenjat madhështore të së kaluarës, këto nodule urbane, sot të dekontekstualizuara e shpeshherë të lëvizura nga vendi ku fillimisht u ndërtuan, janë kryesisht të gjëmuara vetëm nga turistë të guximshëm në kërkim të shenjave të lokales historike specifike, të palodhur nga e shkuara ish-socialiste e pajetuar e Shqipërisë; shenja vizuale disi të pakuptimta për një shoqëri moderne, shpeshherë në mëshirë të fatit dhe formimit personal e raportit historik të qytetarit/pronarit të tokës/banorit të zonës më së shumti në kontakt me to, ashtu si e dëshmojnë edhe këto fotografi. Distanca e pakët nga koha e ndërtimit të tyre e thekson në mënyrë akoma më dramatike rrënimin e ideologjisë dhe tezës mbi të cilën u ndërtuan, si dhe pafuqinë e strukturave aktuale lokale për të garantuar një minimum të domosdoshëm jetik të mirëmbajtjes dhe ruajtjes së tyre.
Robert Hackman përpiqet t‘u shmanget përsiatjeve dhe turbulencave politiko-historike të këtij vendi të vogël dhe të përqendrohet më së shumti në cilësitë formale të objektit, duke synuar reflektimin mbi to nga një qasje thuajse asnjanëse estetike dhe hapjen e tyre drejt interpretimeve të reja. Nëpërmjet një këndi të gjerë, ngjyrave të theksuara dhe dinamike, fokusit tek e përditshmja normale e dekontekstualizuar e heroikes së djeshme, Hackman përpiqet të jetë më shumë një dokumentarizues inventarizues sesa një nostalgjik ideologjik (apo triumfatori oksidental), të qëndrojë në rolin e një kronikani modern, një lloj liberatori objektesh të harruara e të neglizhuara në një marrëdhënie të vështirë e shpesh të përçudnuar tashmë me ish-rrezen e tyre të veprimit. Dhe shpeshherë ia arrin kësaj.
Kjo seri e shtyn shikuesin të reflektojë se të njëjtat vepra tashmë nuk qëndrojnë më si monumente glorifikuese, por si dëshmi e të marshit të kohës dhe dallgëve të historisë, të cilat në gjendjen e tyre të mjerueshme dhe melankolinë në të cilën tregohen këtu, sot, japin më së fundmi një dëshmi të asaj që as ato e as sistemi i cili i krijoi nuk e pati dot gjatë asaj periudhe: njerëzoren.
Me sa duket do duhen kalime të fuqishme historike që  monumentet dhe lapidarët e fshehur nën bronze ideologjike të fillojnë të shihen.

Jusuf Vrioni, Golgota e mundimshme e njeriut të përkorë dhe përkthyesit brilant


Nga Albert Vataj.

Plot 100 vite më parë më 16 mars të vitit 1916 lindi një prej personaliteteve më të spikatur të kulturës, Jusuf Vrioni. Tradita shqiptare e përkthimit ruan në kujtesën e vet emrat dhe veprën e shumë zelleve pasionante dhe vetmohuese, tokësorësh që me hirin e tyre të ngadhnjyesit ndërtuan ura komunikimi duke e bërë të përbotshme shpirtin dhe kumtin estetik shqiptar. Jusuf Vrioni është një prej atyre yjeve që shndriti në qiellin e këtij mrekullimi. Sot në këtë kremte i detyrohemi përunjësisht një kujtesë njeriut të përkorë, intelektualit të përmasave botërore, përkthyesit që mësoi të flasin frëngjisht kryeveprën e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare. Ai ishte dhe mbeti një shembull i pashoq i njeriut të mirë, modest dhe zemërbardhë. Megjithëse kjo nuk do ta shpëtonte nga thonjtë e përbindshëm të diktaturës. Gjithqysh ai mbeti i tillë, i tillë edhe kur bisha e horrorit nuk e ndali ferrin dhe nuk i’a kurseu flakët e tmerrit kësaj krijese të pafaj dhe paqësore.

Në librin “Kujtimet e një evropiani”, përgatitur nga studiuesi francez Eric Fay ecën hap pas hapi Golgota e atij që u “kryqëzua” dhe u “ringjall” për të ardhur dhe riardhur pareshtur në kujtesën e gjeneratave, si një dëshmi e frikshme, si një e vërtetë ngjethëse që ka përshkuar kalvarin e një “Krishti” të hyjshëm. Vetëdija shqiptare ka nevojë të gjej aftësi përtëritëse në këtë shfletim të faqeve të ferrit komunist dhe të kuptojë më mirë regjimin, por mbi të gjitha njeriun e pafajshëm që mundi të sfidonte me qëndresën e tij titane. Dhe shembulli i Jusuf Vrionit është një emblemë e këtij kushtimi.
Jusuf-Vrioni-01
Rrëfimi ngjethës

Më kujtohet ajo ditë si një plagë, bërë me sëpatë moshës sime tridhjetë e dyvjeçare. Ishte e shtunë, 13 shtator 1947, një ditë para një ndeshjeje futbolli midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, për të cilën kisha një biletë. E prisja me padurim këtë takim të Lojërave Ballkanike, por gjithashtu edhe me frikë, sepse para dy vjetësh, në Beograd, para syve të mi, Shqipëria ishte rrahur 11 me 2. Por, në radhë të parë, prisja një vajzë me të cilën do të kaloja mbrëmjen. Sahati i qytetit shënonte pothuajse orën njëzet. Pas një pranvere dhe një vere gjithë arrestime në rritje, Tirana po priste me ankth dhe fatalizëm dimrin.

Pasi kisha mbërritur më herët, po bëja ecejake në vendin e takimit tonë, aty ku 20 vjet më vonë do të ngrihej statuja me kalë e Heroit Kombëtar shqiptar, Skënderbeut. Po binte nata dhe në gjysmerrësirë shquhej silueta e bardhë e minares së xhamisë. Papritmas, behën mbrapa meje katër veta, të cilët mu drejtuan me ashpërsi: “Ti je Jusuf Vrioni? Do vish me ne! Kemi ca pyetje për të bërë”. I tronditur nga toni i tyre, si dhe nga formulat që përdorën dhe që tashmë ishin bërë të njohura për shumëkush në Shqipëri, e kuptova menjëherë dhe u zbeha. Ishte koha kur zhvillohej “procesi i deputetëve”, i cili do të përfundonte, ashtu siç do ta mësoja më vonë me 18 dënime me vdekje. E kisha ndjekur këtë farsë makabër nga zyra ime (në atë kohë isha përkthyes tek Bashkimi i Grave Shqiptare), prej nga e dëgjoja ritransmetimin e procesit nëpërmjet altoparlantëve të vendosur në shesh. Mjaft nga miqtë e mi, ndër ta edhe kushëriri im Aziz, ishin futur në burg me arrestimet masive gjatë muajit maj dhe nuk kishim asnjë lajm prej tyre. Shpejt mendova se mikesha ime do të më priste gjatë, shumë gjatë, në qoftë se donte të më takonte përsëri, si dhe se gjithçka po përmbysej në jetën time. Eca pas atyre njerëzve, duke menduar për nënën time, të cilën e kisha lënë vetëm në dhomën ku jetonim. Duhej të ishe tepër naiv që të pandehje se mund të shkoje në ambientet e Sigurimit për një hetim të thjeshtë, pastaj të liheshe i lirë!

Mbërritëm tek Seksioni i Brendshëm, vend famëkeq i Tiranës për qelitë dhe bodrumet e tij, paradhoma të vdekjes, ku të pyesnin, të provokonin e të torturonin. Të gjithë e dinin se ishte një vend i llahtarshëm. Megjithatë, mua më pritën me një ton, njëkohësisht qesëndisës dhe tinëzisht të përzemërt: “Hë more Jusuf, ç’kemi ndonjë gjë të re? Ç’thonë anglezët? Po amerikanët?”. Këto pyetje që mu bënë aty për aty, me një ton gjase gazmor, nënkuptonin marrëdhëniet e mia, ndeshjet e tenisit me punonjësit e misioneve të huaja. Ishin fjalë me rëndësi kapitale: nëpërmjet tyre merrej me mend se në ç’drejtim do të vazhdonin hetimet, në atë të spiunazhit për llogari të një fuqie ideologjikisht armike… Më çuan tek një personazh i kobshëm, Skënder Kosova, anëtar i një tresheje djallëzore që mbillte terror në Tiranë, ku bënte arrestime masive natën. S’kishte njeri në atë kohë që të mos kishte frikë, po të dëgjonte xhipin e këtyre djajve të vdekjes tek ndalonte para derës së shtëpisë në mes të natës! Të tre këta vrasës bënin nga një kontroll të shpejtë dhe kafshëror të banesës dhe, në përfundim të tij, merrnin me vete një apo disa fatkeqë. Këta çoheshin në vende të ndryshme të qytetit, nganjëherë drejt e në burg, nganjëherë në një nga ndërtesat e Seksionit të Brendshëm, ku punonte ajo që nuk quhej ende në atë kohë Sigurimi, por Garda e Popullit.

M’i hoqën gjithçka kisha në xhepa, pastaj më çuan, duarlidhur mbrapa shpine, në krye të një shkalle të errët, e cila zbriste në një bodrum. Mesa dukej, kjo ishte përçapja e parë e presionit. Donin të më tregonin se çfarë më priste. Dëgjova një pllaquritje që vinte nga poshtë shkallës. Pastaj më qartazi, një zhurmë zinxhirësh të shoqëruar me rënkime. Dikush po lëngonte në një bodrum, pasi ishte torturuar gjatë e gjatë. Kush ishte? Ndofta ndonjë nga miqtë që ishin arrestuar muajt e fundit? Më lanë rreth 2-3 orë aty, në krye të shkallëve. Po fillonte një fazë e re e jetës sime, ndërsa bodrumet ishin preludi i saj… Në atë çast mu shfaq në kujtesë, si e copëtuar, e reflektuar nga një kaleidoskop i vetëtimtë, gjithë rinia ime. Sado mundohesha t’ia mbushja mendjen vetes se në çdo rrethanë ngelet gjithmonë një shpresë, qoftë dhe e dobët, se s’ka asgjë të palëvizshme në histori, prapëseprapë nuk më shqitej bindja se regjimi shtypës në fuqi do të qëndronte gjatë dhe se duhej të rezistoja, të gjeja forca, diku brenda vetvetes, për t’i përballuar sprovat, të cilat ende nuk i përfytyroja dot saktë. Mos vallë ishte fundi i gjithçkaje?! I pikëlluar, po vështroja shkallën e zbritjes sime në ferr. Nuk isha vallë unë ai që vajtoja tashmë jetën në një qeli të lagësht? Papritmas, nisën të më shfaqen portretet e njerëzve të mi: nëna e cila ndofta nuk e dinte ende që më kishin arrestuar; babai, i vdekur prej kohësh; vëllai dhe motra, të cilët kishin mbetur në perëndim, si dhe miqtë e tanishëm apo të mëparshëm, të lirë apo si mua të futur në burg. Në kujtesën time pasonin njëra-tjetrën pamje të vendeve ku kisha jetuar. Parisi, Roma, Londra apo Montrëja, si dhe fëmijëria ime. Pastaj Korfuzi, fëmijëria e fëmijërisë. Sa çaste të çmuara kisha parë të kalonin si yje që këputen, përpara se të arrija këtu?!

Isha në pritje dhe stuhia po tërbohej në kokën time. Radha për t’u hetuar më erdhi shumë shpejt. Nisa me guxim të thosha gjithë siguri se nuk dija asgjë. Më bombarduan me grushte, shuplaka, shkelma në pjesët e ndjeshme të trupit, mes sharjesh të ndyra. Pastaj, duke e rritur shkallën e vuajtjes, ma veshën me goditje të tmerrshme kopaçeje, më bënë goditje elektrike dhe, së fundi më bënë torturën e jelekut. Pasi të lidhnin duart prapa shpine, të fusnin një shkop të gjatë midis krahëve dhe kurrizit, të shtrinin përtokë, ku ishe i pafuqishëm dhe plotësisht i ekspozuar, me këmbët përmbi dy anët e shkopit, të godisnin me kopaçe të trashë sa krahu, të shtypnin pjesët e ndjeshme, të kërkonin të flisje, duke të bërë pyetje konkrete. Kështu do të vazhdoja të torturohesha 6 ditë në javë, tetë muaj rresht, me një farë ndryshimi në ashpërsinë e seancave. Edhe kur më kthenin në qeli, duart i kisha të lidhura mbrapa shpine. Duhej të flija kështu siç isha dhe, duke qenë se i kisha shpatullat e gjera dhe gjithë muskuj, kjo ishte një tjetër torturë më vete. Më zgjidhnin vetëm kur haja bukë.

Më e tmerrshmja ishte periudha 15-ditore dhe 15-netëshe, përjashtuar në mënyrë të pashpjegueshme një të diel në mes, periudhë gjatë së cilës qëndroja varur nga duart, me 30 deri në 35 kile zinxhirë rreth qafës. Mezi e arrija dyshemenë dhe isha i detyruar të mbështetesha vetëm me majën e gishtërinjve të këmbëve. Gjithçka ishte llogaritur, sigurisht, që të mos mbështetesha me thembra. Më zgjidhnin vetëm 3-4 orë në ditë, 2-3 herë në ditë, për të shkuar në nevojtore; gjithë kohës tjetër isha i varur natë e ditë me atë peshë..

Mu bë një hetim i thelluar, por në fillim nuk m’i përmendën francezët. Pyetjet drejtoheshin rreth anglezëve, amerikanëve, rreth marrëdhënieve të mia me shefat e misioneve ushtarake në Tiranë, si dhe me oficerët e tjerë vartës. Më kërkuan me ngulm se ç’informata u kisha dhënë atyre. Nganjëherë hetimi merrte një drejtim krejt tjetër. Përpiqeshin të nxirrnin prej meje shpjegime rreth qëndrimit tim politik kur u zhvilluan zgjedhjet e para, të ashtuquajtura “demokratike” të dhjetorit 1945, të më detyronin të tregoja kush ishte nxitësi, kush ishin anëtarët e tjerë të grupit tonë, si dhe cilat ishin temat e mbledhjeve tona. Unë mjaftohesha duke mohuar sistematikisht, duke pranuar një fakt të vetëm: qëllimi ynë i vetëm ishte të krijonim një opozitë të ligjshme, ashti siç e parashikonte ligji zgjedhor. Këtë e përsërisja pa bërë as më të voglin koment, për të mos implikuar askënd dhe mundohesha. Mirëpo, vallë a ia vlente një gjë e tillë, që të vërtetoja se një opozitë e tillë nuk kishte asgjë të dënueshme nga na juridike? “Cili ishte rrethi yt shoqëror? Me kë shoqëroheshe? Çfarë thoshit me njëri-tjetrin? Në ç’datë je takuar me filanin?”. Pyetjet më bombardonin në të njëjtën kohë me goditjet, mirëpo më habiti fakti që nuk u përpoqën asnjëherë të nxirrnin prej meje ndonjë pohim, nëpërmjet premtimeve për një trajtim të mirë, praktikë mjaft e përhapur kjo, që mori më qafë shumë nga ata që ranë në atë kurth.

Nga shtatori deri në nëntor qëndrova në të njëjtën qeli bashkë me 4-5 të burgosur të tjerë. Pastaj u transferova në një tjetër, në burgun e vjetër, ku kisha vetëm një shok. Në qelinë fqinje ndodhej shkrimtari i madh shqiptar Mitrush Kuteli- me emrin e vërtetë Dhimitër Pasko, i cili më recitonte, duke pëshpëritur poshtë derës, poemën e tij të gjatë “Kosova”…

Në shkurt të 1948-ës nisi për mua periudha e izolimit të plotë, e cila do të zgjaste 27 muaj. Më çuan në burgun e ri të Tiranës, në një birucë disi më të madhe, por aq e zymtë saqë dukej si varr. Asgjë prej gjëje, asnjë shpirt njeriu, asnjë send; kishte vetëm një baxhë 15 me 15 cm, nëpërmjet së cilës kalonte një dritë e zbehtë, si dhe një tavan shumë i lartë, më shumë se katër metra nga dyshemeja. Disa muaj me radhë e pata të pamundur të merrja dhe njoftimin më të vogël nga jashtë. Më e keqja ishte se qelia ime ndodhej pranë lumit dhe unë e dija që të gjitha ekzekutimet bëheshin në brigjet e tij. Për më tepër, kisha kuptuar që në këto qeli fusnin kryesisht të dënuarit që do ët pushkatoheshin, një apo dy herë në javë dëgjoja të përsëritej e njëjta skenë: gardianët ndaleshin para ndonjë dere, e hapnin, talleshin me të burgosurin, pastaj i thoshin: “Dhe tani hajde me ne! Do të të çojmë në dasmë”. Pas një gjysmë ore buçisnin, pa një pa dy, automatikët. Pastaj gardianët ktheheshin e shkëmbenin fjalë, si: “E pe si përpëlitej, para se të binte përtokë?!” dasma kishte marrë fund, deri sa të vinte tjetra. Vdekja në këto mjedise të burgut të ri ishte gjithmonë e pranishme. I burgosuri kishte vetëm një pyetje në mendje: A do të shpëtonte apo jo kokën?

…Pas 8 muajve të parë në hetuesi, më lanë disa javë të qetë. Pastaj filluan përsëri të më pyesnin, isha gjithmonë në burgun e ri, rreth një teme që më habiti shumë në fillim, sepse deri atëherë nuk më kishin ngacmuar në këtë drejtim: marrëdhëniet e mija me oficerët e misionit ushtarak francez në Tiranë. U befasova shumë, ngaqë regjimi nuk i kishte sulmuar asnjëherë qeverinë dhe shërbimet franceze; një Zot e di se Parisi kishte aq halle saqë s’kishte nge të merrej me spiunazh në Shqipëri!

… Fjala spiunazh mbulonte në mendjen e tyre një fushë jashtëzakonisht të gjerë dhe… të pamat. Fakti i thjeshtë që unë kisha thënë më 1945-ën, se Partia Komuniste drejtonte gjithçka, ndonëse ajo nuk ishte përmendur asnjëherë publikisht, çka ishte një sekret që e dinin të gjithë, u quajt krim i rëndë politik. Më vonë, gjatë procesit tim, dikush do të akuzohej se “u kishte treguar” francezëve çmimin e gjalpit në Shqipëri. Hetuesit gjykuan se në këtë rast bëhej fjalë për një informatë ekonomike me rëndësi shumë të madhe. Pasi një nga të akuzuarit reagoi, duke thënë se çmimi i këtij lloji prodhimi ushqimor dihej nga të gjithë, u kundërshtua me arsyetimin se ai e parashtronte gabim problemin dhe se kërkonte ta dëmtonte pushtetin, duke nxjerrë në pah dobësinë e mekanizmave ekonomike…

Një ditë papritmas, më nxorën nga qelia e madhe e katit përdhes, ku po kalbesha qysh prej tetë muajsh dhe më ngjitën në katin e parë, ku më rrasën në një si birucë disi të ndriçuar mirë. Pata një ndjenjë absurde çlirimi. Aty ndenja afërsisht 6 javë. Duart nuk i kisha më të lidhura me ato prangat e tmerrshme “italiane” (ishim mësuar t’i dallonim 2-3 llojet e këtyre veglave), por me zinxhirë nga përpara, çka m’i lehtësonte shumë lëvizjet. Nëpërmjet një kanali, që do ta përshkruaj më tej, mësova se kishin filluar të sulmonin Koçi Xoxen. Në Komitetin Qendror po niste një periudhë paqëndrueshmërie. Ishte koha e prishjes me Titon dhe gjithçka që mund të pranohej se kishte qenë gabim, i vishej atij. Me rënien e ministrit të Brendshëm u krijua një atmosferë e zbutur, si për të treguar që Xoxe, shërbëtor i jugosllavëve, ishte i vetmi përgjegjës i gjithë mizorive të bëra deri në atë kohë. U zbut disi trajtimi i të burgosurve, mirëpo kjo klimë përmirësimi ishte e përkohshme.

Gjatë kësaj periudhe zbutjeje, njëri nga gardianët më tha se ishte një miku i familjes së një gruaje që unë e njihja, bashkëshortja e një shkrimtari të njohur në atë kohë, i cili ishte gjithashtu i arrestuar. Ai më dha fshehurazi një copë letër dhe një laps që t’i shkruaja asaj, nëse kisha dëshirë. Me duart e lidhura nga përpara me zinxhirta, që më lejonin t’i lëvizja disi, arrita të shkarravis. Kështu shkrova për Safon një poemë, me pseudonimin “I marri”, e cila fillonte kështu: “Siluetë e brishtë me hijeshi fisnike…”.

…Minjtë përziheshin me frikën, frika ime po merrte pamjen e minjve. Frikë nga vdekja, frikë nga e ardhmja. Në këtë qeli, pak kohë pasi ndodhesha aty, provova të vrisja veten, duke prerë venat. Por i vetmi mjet që kisha, unazat e nallaneve, të bëra me një metal “të butë”, doli i padobishëm. Shenjën e kam sot e kësaj dite në kyç. Gardianët që e vunë re në kohë tentativën time, më vunë fashë, ndërsa mjeku që më vizitoi më tha se ndodhesha jashtë rrezikut për jetën. Natyrisht, ai porositi të më shtohej mbikëqyrja…

Koha e përkthimeve

…Përkthimet e teksteve zyrtare nuk bëheshin gjithmonë pa shkaktuar probleme, të cilat reflektoheshin tek unë, sipas rëndësisë që kishin, herë me mërzi kalimtare, herë me shqetësime të mirëfillta. Më kujtohet një gazetar dhe botues francez, i quajtur Patrik Kesel, i cili erdhi në Tiranë për të përgatitur në Francë Volumin XIX të veprave të plota të Enver Hoxhës, që mbanin titullin “Divergjenca e madhe” dhe që trajton prishjen me revizionistët. Për të kishim përkthyer lloj-lloj dokumentesh: procesverbale të mbledhjeve të anëtarëve të Byrosë Politike, tri fjalime të Hoxhës (atë të Bukureshtit në qershor 1960, atë të Konferencës së 81 partive Komuniste në Moskë, në nëntor të po atij viti, si dhe një tjetër, që ai e mbajti kur u kthye nga kryeqyteti sovjetik). Këtyre teksteve, mjaft të gjalla me ngjyrime, i shtohej edhe shkëmbimi i korrespondencës midis Mehmet Shehut dhe numrit një, midis këtij të fundit dhe Hysni Kapos dhe, së fundi, midis Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë. Keseli kishte si bashkëpunëtor Misto Treskën, kryetarin e Komitetit të marrëdhënieve Kulturore me botën e jashtme dhe frankofon. Pasi i kaluan në sitë tekstet tona, na i kthyen të mbushura me vërejtje, duke vënë në dukje, diku një të ashtuquajtur kuptim të rremë, diku tjetër një kundërkuptim. Gjithë ndryshimet që bënë ata u çuan në sferat e larta, dhe kështu nisi pritja.

Ndërkohë unë, i shtyrë nga skrupujt, por gjithashtu ndofta edhe për të qetësuar frikën që më kishte zaptuar, ia dhashë ta lexonte tekstin e plotë një francezi, i cili në atë kohë punonte në Radio Tirana. Reagimi i tij ishte i shpejtë: “Ata janë të marrë! Nuk ka kuptime të rreme, as kundërkuptime. E shumta, mund të flasim për ngjyrime kuptimi!”.

Pritja u zgjat. Nëndrejtoresha e shtëpisë botuese më njoftoi se ky problem do të shqyrtohej në Komitetin Qendror. Sigurisht, kjo çështje, në realitetin e atëhershëm, bënte pjesë në të pathënat dhe do të shihej, mesa dukej, nga Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e Enverit, e cila do t’ia parashtronte këtij të fundit. Ndjeva se ekzistenca ime po ndodhej përsëri në udhëkryq. E dija se disa prisnin shkasin më të vogël për të më dhënë goditjen përfundimtare. Me prejardhje dhe me formim “të kundërt”, ata më quanin mua “uzurpator”.

Pas dy ditë e gjysmë pritjeje, nëndrejtoresha thirri ekipin tonë të vogël. Nëndrejtoresha, e cila në fund të fundit ishte komuniste, ishte një nga njerëzit më të drejtë dhe më të ngrohtë që kam njohur. Ajo më qetësoi menjëherë. Kisha pasur fat, më tha ajo, sepse kisha shpëtuar për qime. KQ ia linte gjykimit tonë, (d.m.th., timit) versionin përfundimtar të tekstit….

Gjatë kësaj periudhe pati disa episode të tjera, që vërtetonin rëndesën e kontrollit të ushtruar ndaj meje, sidomos lidhur me një libër, të cilin Enver Hoxha e kishte titulluar “Eurokomunizmi është antikomunizëm”. Ishim në vitin 1980. Në këtë vepër, Sekretari i Parë i partisë sulmonte me tërbim rrymën eurokomuniste që ishte shfaqur në Evropën Perëndimore, sidomos në Francë, në Itali dhe në Spanjë. Ai e quante Santiagi Karilon “Renegati Karilo”. Hoxha nuk kursente as udhëheqësit komunistë dhe shkrimtarët francezë; të gjithë e kishin nga një damkë, që nga “Zorzh Marsheja, i cili përqafoi teorizimet e Rozhe Garodisë, dhe na del këtu si një pasardhës i Titos”, e deri tek shkrimtarët dhe “ish-mbrojtësit e realizmit socialist, si Aragoni, Andre Stili, Andre Vyrmser, të cilët, jo vetëm e drodhën, por ia shitën gjithashtu shpirtin dhe lëkurën revizionizmit”…

Libri ishte përkthyer dhe ishte bërë gati për shtyp. I vetmi problem që kisha ishte titulli. T’i vija, apo të mos i vija presje (L’Eurocommunisme, c’est de l’anticommunisme)? Në shqip nuk kishte presje, por unë kisha parasysh veprën e Prudonit, “la proprieté c’est le vol) (Prona është vjedhje). Në disa botime ky titull ka presje, në disa të tjera jo… E vura titullin frëngjisht.. Pas disa ditësh, më telefonuan në zyrë nga Komiteti Qendror, ku kishin çuar kapakun e librit. “Ç’është kjo presje?”, më pyeti një zë autoritar. Unë u përpoqa ta argumentoja zgjedhjen që kisha bërë, jo në rrafshin gramatikor, por duke folur për ritmin, kadencën. Reagimi i zyrtarit ishte i prerë: “Jo, jo! Presja duhet hequr!”. KQ dha urdhër të ktheheshin në karton 50 mijë kapakët e shtypur, sepse ishte e pamundur ta fshije atë dreq presjeje nga letra e lustruar. U porosit një kapak tjetër pa shenjë pikësimi dhe libri u botua. Nga ana personale nuk pata ndonjë pasojë të veçantë. Për fat të mirë, nuk ishin në ato kushte që dikton Siorani kur shkruan: “Ëndërroj për një botë ku mund të vdesësh për një presje”…

…Një ditë tetori të 1980-ës më thirri drejtori në zyrë, ku ndodhej një përfaqësues i Komitetit Qendror, i cili donte të më takonte. “Pa shihni!,- më tha ai sapo hyra, dhe më dha një kopje të përkthimit frëngjisht të “Hrushovianëve” të Enver Hoxhës. Lexoni çka brenda!”, – vazhdoi ai. Pasi ktheva faqen e parë, vura re, me habi të madhe, një kushtim nga vetë autori. Njëshi i partisë dhe i shtetit, udhëheqësi historik i Shqipërisë socialiste më përgëzonte për përkthimet e mia. E kishte fjalën vetëm për përkthimet politike? Jam i prirë të mendoj se, kur ia kishte lexuar “Dimrin e madh” dhe kapitullin që flet për të, diçka kishte shkrepur në mendjen e tij. Me siguri e kishte lexuar. Pikërisht në atë çast, mendova unë, ai ishte nisur të bënte këtë gjest… natyrisht ata që u mërzitën nga ky lloj suksesi u munduan të më zhysnin në hije, duke nxjerrë në pah meritat e përkthyesve të tjerë, për bashkëpunëtorët e Sigurimit, fakti që unë kisha përkthyer Enver Hoxhën nuk e ndryshonte fare shkallën time të “rrezikshmërisë shoqërore”. Fshehurazi, ata pëërpiqeshin të më paraqisnin sa më keq, duke lënë të nënkuptohej se, duke punuar me përkujdesje për përkthimet e mia, mundohesha të bëja, nuk e di se çfarë mashtrimi… fakti që përktheja Kadarenë në frëngjisht më vinte gjithashtu, në një pozitë delikate, sepse në atë kohë ai nuk shihej me sy të mirë nga disa struktura të pushtetit. Atë e kritikonin për trajtimin subjektivist që i bënte historisë, si dhe për përdorimin, krejtësisht personal, sipas tyre, të fondit mitik të Shqipërisë. Shefi i redaksisë, i kishte zët lidhjet e mia, madje mjaft të rralla me Kadarenë. “Po e kalon kohën duke përkthyer Ismailin, – më thoshte ai. Ka libra shumë më të rëndësishëm që presin të përkthehen!” Kështu, pra ndodhesha në një gjendje paradoksale: nga njëra anë përktheja një mjeshtër të imagjinares dhe poezisë dhe, nga ana tjetër, mishëruesin e ashpërsisë dhe të fundin përfaqësues të “vijës së pastër”. Jepja në frëngjisht dy botë antagoniste, të cilat u drejtoheshin dy lloj lexuesish, shumë larg njëri-tjetrit. Për Kadarenë punoja hapur në shtëpinë time, ndërsa për Enver Hoxhën përkthimi rrethohej nga një atmosferë paranoje dhe sekreti tipik për regjimin. Na porosisnin vazhdimisht se nuk duhej të nxirrnim asgjë nga përmbajtja e teksteve. Drejtoria kishte vënë hekura te shkalla e katit, ku punonin përkthyesin e Njëshit; ne ishim të veçuar nga pjesa tjetër e shtëpisë botuese. Në mbrëmje, tekstet e Enver Hoxhës futeshin nëpër kasaforta. Ndihej konkretisht mania e sekretit, frika e përhershme nga spiunazhi. Nuk e di se ç’mund të kishin bërë “revizionistët” e gjorë me këto tekste, në rast se do të ishin përpjekur t’i shtinin në dorë; na thoshin që, në rast se ndodhte një gjë e tillë, do të ishte e tmerrshme. Sikur ato shkrime të ishin përçues të formulave të shenjta, vendimtare për të ardhmen e botës!

Jetëshkrimi

Ai u lind në Korfuz, Greqi, më 16 Mars 1916. Vitet e tij të para i kaloi në Korfuz e më pas në Berat. Pas emërimit të babait të tij, Ilias Bej Vrioni, si Ministër i Jashtëm dhe Ministër i Plotfuqishëm në Paris, familja u shpërngul në kryeqytetin francez më 1925. Ciklin e ulët dhe të mesëm arsimor Jusuf Vrioni e kreu pranë Liceut Janson de Sailly, Paris dhe atë të lartë në Grande École des Hautes Études Commerciales dhe në Institut d’Études Politiques të Parisit.

Më 1939 rikthehet në Shqipëri por shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore e detyron të shpërngulet po atë vit në Romë për të vazhduar studimet e tij të mëtejshme. Rikthehet në Tiranë më 1943, datë kjo që shënon dhe përmbysjen e fatit të tij. Më 13 Shtator 1947 arrestohet nga regjimi diktatorial dhe akuzohet për spiunazh dhe agjitacion e propagandë. Prej Shkurtit 1949 e deri më Prill 1950 torturohet barbarisht një njërën prej shtatëmbëdhjetë qelive famëkeqe të Koçi Xoxes. Në Korrik 1950 dënohet me 15 vite heqje lirie dhe punë të detyruar në Shtyllas të Fierit. Lirohet në fund të vitit 1958 dhe internohet në Fier për një periudhë disamujore. Më 1960, për nevojat propagandës ndërkombëtare të regjimit diktatorial, emërohet në Tiranë si përkthyes.

Ndër përkthimet e tij të para numërohet Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur i Ismail Kadaresë, i cili më vonë u botua në Paris. Ndërkaq, emri i tij si përkthyes do të fillonte të figuronte nëpër botimet në Francë vetëm në vitet 1980. Edhe pse pjesën më të madhe të kohës e shpenzonte duke përthyer dhe redaktuar tekstet propagandistike të Enver Hoxhës, Jusuf Vrioni gjente kohë për të përkthyer romanet e tjera të Ismail Kadaresë. Falë elegacës së frengjishtes së tij, romanet e Ismail Kadaresë nisën të tërheqin vëmendje të jashtëzakonshme në publikun frankofon. Rreth fundit të viteve ’80, Jusuf Vrioni nisi të gëzojë famë si përkthyes si pashoq në qarqet intelektuale dhe artistike të kryeqytetit.

Në vitet e para të Shqipërisë post-diktatoriale, Jusuf Vrioni, falë kulturës së tij multidimensionale si intelektual, angazhohet në qarqet e shoqërisë civile dhe për një kohë shërben si Kryetari i Kominetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. Kriza famëkeqe e vitit 1997 do ta detyronte tashmë të largohej sërish nga atdheu i tij dhe të rikthehej në Parisin e tij të dashur. Më 1998 emërohet Amabasor i Republikës së Shqipërisë në UNESCO dhe më 22 Maj të këtij viti, për kontributin e tij të pasur në gjuhën frënge, dekorohet nga Republika Franceze me urdhërin Chevalier de la Légion d’Honneur, ashtu si dikur i ati, Ilias Bej Vrioni, ish dekoruar në fund të viteve 1920 me urdhërin Grand Officier de la Légion d’Honneur nga Republika Franceze.

Jusuf Vrioni ndërroi jetë në Paris në Maj 2001 ndërsa shërbente si Amabasor i Republikës së Shqipërisë në UNESCO. Berati, vendlindja e Vrionasve, nëpërmjet bashkisë së qytetit do ta nderonte Jusuf Vrionin pas vdekjes së tij, më 18 Qershor 2001, me titullin “Qytetar Nderi”.

Për mirënjohjen dhe vlerësimin e përkthyesve me kontribut të çmuar në njohjen dhe promovimin e letërsisë shqipe në gjuhë dhe kultura të huaja, Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Shqipërisë më 2006 krijoi çmimin “Jusuf Vrioni”.

Kishte patur shumë në jetë, por kishte marrë shumë pak . Dhe kishte qenë ‘Aristokrat i dijes’, njeriu i vullnetit të pathyeshëm, njeriu i papërkulur përpara punës, filozofi dhe mendimtari Jusuf Vrioni. “Më mirë bëji vetes keq, se sa tjetrit, ky ishte një nga parimet e Vrionit”, kujton Edmond Tupja, përkthyesi, i cili ka punuar për vite me radhë me njeriun, i cili edhe pse shumë i nxënë në dije, i diplomuar në Drejtësi dhe Studime të larta tregtare në Francë, me Doktoraturë në Jurisprudencë në Itali, vuajti 13 vjet burg në kampet dhe burgjet famkeqe të diktaturës.

Akuzën “agjent i Francës”, nuk e pranoi kurrë, edhe pse mbi trupin e tij u ushtruan tortura nga më të rëndat. Punoi në tharjen e kënetës së Maliqit, në ndërtimin e Aeroportit të Rinasit, dhe ndërroi disa herë kampet e përqendrimit dhe qelitë e burgut.

“Kam kënaqësi kur gjej vështirësi në punë, se puna e mirë nuk del kollaj”, u thoshte gjithnjë kolegëve të tij, Jusuf Vrioni, i cili pasi doli nga burgu punoi si përkthyes në ish-shtëpinë botuese “8 Nëntori”. Në këtë shtëpi, ku përktheheshin veprat e Enver Hoxhës dhe vepra të Partisë së Punës së Shqipërisë, Jusuf Vrioni, punoi deri sa doli në pension në vitin 1990. Aty ai ndërtoi jetën, aty kishte miqtë e tij, aty do të mësonte me dashamirësinë e tij edukatën e punës tek kolegët, të cilën e kishte në çdo shqisë të tij.

“Intelektual i një niveli të mirëfilltë, një nga mendjet e rralla enciklopedike në Shqipëri, Ai, ishte njeriu”, thotë përkthyesi Edmond Tupja. “Jusuf Vrioni ishte filozof dhe mendimtar, njeri me karakter të fortë, por ishte bujar dhe solidar dhe kurdoherë i papërtuar përpara punës”, thotë Tupja.

Të gjitha veprat e Ismail Kadaresë, të botuara në Francë, mbajnë përkthimin e Jusuf Vrionit. Dhe Vrioni ka padyshim peshë të rëndë në suksesin që shkrimtari i njohur i Shqipërisë, ka patur në një nga vendet më sqimtare në kulturë.

Siç është shprehur Kadare, kur ndërroi jetë Vrioni ,”Ai është humbje kulturore, sa edhe personale, sepse ishte përkthyes i pazëvendësueshëm. Ai ishte miku im, bashkëpunëtori im në një aksion të madh që vazhdoi 40 vjet”.

Si ambasador i Shqipërisë pranë UNESCO-s, Vrioni, ndonëse i thyer në moshë, nuk do të rreshte asnjëherë të punonte. Libri i tij, “Botë të fshira”, i shkruar direkt në gjuhën frënge, njohu sukses të padiskutueshëm në qarqet intelektuale pariziene.

Një avion special e solli trupin e të ndjerit Jusuf Vrioni në Tiranë, më 1 Qershor 2001. Intelektual i mirëfilltë, i nderuar me Medaljen e Madhe të Frankofonisë, me Urdhërin Kalorës i Arteve dhe Letërsisë, me Urdhrin e Legjionit të Nderit, ai mbante dhe titullin Qytetar Nderi i Qytetit të Arles.

Jusuf Vrioni, njeriu që jeta e goditi shumë dhe që pati atë mirësi dhe forcë karakteri për ta përballuar, luajti një rol të pakrahasueshëm në njohjen e letërsisë shqipe në botë, duke i sjellë kështu një shërbim të madh kombit shqiptar. Këtë shërbim ai ia bëri në kohën, kur kombi kishte nevojë më tepër se kurrë të çante izolimin e tij politik e kulturor. Për këtë kultura shqiptare do t’i jetë gjithnjë mirënjohëse.

Një studim mbi konfiskimin e pronës dhe grabitjen e arit nga pushteti komunist

frangaari
“Konfiskimi i pronës dhe grabitja e arit (1944-1955)” është një nga botimet më të fundit të Instituti të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) dhe ka për autor Alvin Saraçin.
Botimi hedh dritë mbi një prej krimeve ende të pandriçuar të komunizmit në Shqipëri siç ishte grabitja dhe konfiskimi i pronave dhe i aseteve monetare të shqiptarëve. Në fokus të studimit janë vitet 1944-1955 kur qeveria komuniste e sapoardhur në pushtet iu vërsul egërsisht pronës private dhe të gjitha aseteve që shqiptarët i kishin krijuar për shekuj me radhë. Studimi ka pesë kapituj duke e ndarë procesin në pesë faza. Ai është i pajisur me të dhëna dhe fakte zyrtare të vjela nga arkivat dhe dokumentacioni i ruajtur.
Ndërmarrja e këtij studimi u bë e mundur në sajë të mbështetjes së Fondacionit Konrad Adenauer.
konfiskimi-198x300PJESË NGA STUDIMI
Ligji i konfiskimit të pasurive të të arratisurve politikë doli në vitin 1943, siç e dëshmon rregullorja e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar. Në Kongresin e Përmetit u parashtrua marrja nën kontroll e firmave private nga Këshilli Antifashist Nacionalç- lirimtar, që të furnizonin Ushtrinë me prodhimet e tyre.
Dolën listat e kriminelëve të Luftës, ku u futën plot kundërshtarë politikë dhe mbrojtja e pushtetit për të mos e ndarë atë me partitë e Legalitetit dhe Ballit Kombëtar. Si rezultat, më 15 dhjetor 1944, doli ligji i konfiskimit të pasurive private të të arratisurve politikë sipas modelit sovjetik dhe jugosllav, çka solli inkriminimin politik të kundërshtarëve dhe një pjesë e madhe u përkiste klasës aristokrate- çifligare, duke përfshirë sipërfaqe të mëdha pronash private në ligjin e Reformës Agrare, si rrjedhim i vendimeve të konfiskimit të pronave private dhe shpronësimeve pa shpërblim të atyre që dispononin pasuri të patundshme…
Gjithashtu, pas vendimeve të konfiskimit, tokat, shtëpitë, dyqanet, mallrat, fabrikat, punishtet, llogaritë bankare i kaluan shtetit dhe u sekuestrua edhe ari pas marrjes nën kontroll të shtëpive të kundërshtarëve politikë. Ligjet e konfiskimit të plotë dhe të pjesshëm mbas ligjit nr.41 për organizimin e gjykatave u shtrinë edhe ndaj të burgosurve politikë, të cilëve iu konfiskua pasuria private… Zbatimi në praktikë i vendimeve të sekuestrimit dhe pasojat e tij Në qendër të vëmendjes së vendimeve të sekuestrimit të komiteteve ekzekutive ishin figurat më të rëndësishme të shtetit shqiptar të para mbarimit të Luftës, që ishin shpallur si kriminelë lufte dhe bashkëpunëtorë me pushtuesin, edhe pse nuk i përkisnin kësaj kategorie, sepse Organizata e Kombeve të Bashkuara kishte bërë publike listën e 385 kriminelëve të vërtetë të Luftës për të gjitha shtetet pas mbarimit të konfliktit, ku bënin pjesë edhe bashkëpunëtorët shqiptarë.
Megjithatë, shumica prej tyre u dënuan si “kriminelë të luftës” me dënime kapitale, burgim të përjetshëm ose me heqje lirie sipas kategorive, dhe me dënim konfiskimi të pasurisë private, sipas vendimeve të gjykatës speciale të 13 prillit 1945. Megjithëse kishte kaluar një vit pas vendimit të konfiskimit, Komiteti Ekzekutiv Durrës i dërgonte “Gazetës Zyrtare” për publikim vendime të disa prej pjesëmarrësve në qeveritë e mëparshme, si vendimi nr.3 i datës 9 janar 1946 të sekuestrimit të pasurisë së patundshme dhe të tundshme të Idomeno Kosturit dhe nr.5, datë 15 janar 1946 të Maliq Bushatit, Zef Kadares, Mark Kodhelit nga Shkodra dhe Ymer Fortuzit nga Tirana. Vendimet e të dënuarve të tjerë u publikuan gjatë gjithë vitit 1946.
Dokumenti i datës 18 korrik 1945, që ishte vendimi i parë i sekuestrimit i shpallur në “Gazetën Zyrtare”, përmban listën me 36 personalitete politike të arratisura dhe të sekuestruara të prefekturës Tiranë dhe nënprefekturave Petrelë e Valias, që përjashtonte nga sekuestrimi vetëm Faik Shuaipin, sepse pas hetimeve të reja nuk figuronte i arratisur, vinte në dukje se si ndryshoi konfiguracioni politik në Shqipëri pas Luftës. Shumica e të arratisurve i kishin lënë të lira vilat e tyre në Tiranën e Re dhe lagjet në qendër të Tiranës, që u morën nga klasa e re politike.
Nga lista e të arratisurve të Komitetit Ekzekutiv të KANÇ të prefekturës Tiranë si dhe pasuritë që ata kishin lënë më datë 11 korrik 1945, dalin edhe të dhëna mbi banuesit e rij të shtëpive të të arratisurve politikë, që shpesh janë vila dhe vihen në dispozicion të drejtuesve të ushtrisë partizane ose të aleatëve të tyre, por në raste të tjera ka dhe shtëpi të mëdha dhe të lëna me qira nga këta deracines dhe qiranë e merrte shteti. Shtëpia në Tiranën e Re e Prenk Previzit banohej nga Sefedin Koleci, partizan i Brigadës IV dhe Ilija Budini, indentent në Korpusin e Armatës, banesa e Mehdi Frashërit i ishte dhënë Misionit Ushtarak Sovjetik, në banesën e Ymer Fortuzit në Rrugën e Fortuzëve jetonte Myslym Peza, ndërsa shtëpia e Asim Abdurramanit në Tiranën e Re ishte e banuar nga dr. Ymer Dishnica, banesa e Sali Vuçiternit regjistrohet se ishte marrë me qira nga Beqir Balluku dhe dy persona të tjerë, si dhe vendbanimi i Hamdi Kërçikut mbahej si qiramarrës nga Koço Tashko dhe tetë persona të tjerë. Disa nga këto banesa u jepeshin dhe partizanëve e personave me gjendje të mirë politike nga Seksioni i Strehimeve pa qira.
Kjo praktikë, siç do të shohim, në vitet e mëvonshme do të ndiqet edhe me të pasurit dhe tregtarët, shtëpitë më të mira të të cilëve do t’u jepen drejtuesve komunistë pas largimit të pronarëve të mëparshëm. Persekutimi i tregtarëve për arin Faza e parë e mbledhjes së arit kishte qenë hartimi i deklaratës së pasurisë për çdo tregtar dhe pagesa e tatimit të jashtëzakonshëm me monedha ari e argjendi shqiptare dhe të huaja, krahas pagesës me franga ari. Tregtarët u munduan t’u shmangeshin statistikave ekzakte të arit, që komiteti ekzekutiv i kërkoi, siç kishte vepruar me statistikat e vlerësimit të pronave dhe të mallrave. Mbledhja e mallrave të fshehur dhe magazinave me mall u shoqërua edhe me zbulimin e arit të fshehur me të gjitha mënyrat edhe me torturat për nxjerrjen e tij.
Për këtë qëllim u krijua edhe sektori i tretë i Ministrisë së Punëve të Brendshme, që do të përgatiste dhe tri procesverbale të sekuestrimit të arit, njëri drejtues i Bankës së Shtetit dhe tjetri i degës lokale të Punëve të Brendshme. Sipas raporteve nga Policia e Korçës, tregtarëve në këtë qytet u ishin marrë 400 kg flori dhe 48 mijë napolona. “Organet e Mbrojtjes së Popullit” dhe seksionet e tyre lokale në qytete të ndryshme ishin të angazhuara në zbulimin e arit të fshehur në qypa ose mallrave të fshehur dhe në bastisjen e shtëpive të të pasurve, duke sekuestruar jo vetëm monedha floriri, por çdo lloj takëmi dhe sendesh me vlerë, si bizhuteri ari, argjendi dhe sermi, unaza, varëse etj., por edhe servise lugësh, pirunësh të larë në ar ose në argjend, si dhe objekte antikuariati si punime në ar të shekujve të kaluar, monedha ari për zbukurim, si dhe kujtime të trashëguara nga paraardhësit e familjeve.
Viti 1946 që ishte dhe viti i shtetëzimeve, do të kishte presion të madh ndaj tregtarëve dhe mbledhja e arit do të kryhej me të gjitha mënyrat. Faza e parë e grumbullimit të arit të tregtarëve përfshiu vitet 1946- 1948 dhe faza e dytë vitet 1950-1952, kurse kundërshtarët politikë u dënuan me konfiskim dhe iu konfiskua ari në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë dhjtevjeçarit të parë. Në vitet 1952-1954 sekuestrimi i arit u shtri edhe mbi shtresa të tjera shoqërore që dispononin ar.
Pasojat e ushtrimit të forcës për nxjerrjen e arit të tregtarëve sollën në burgosjen e tyre. Ata u lanë pa ushqim dhe për muaj të tërë jetuan me bukë të thatë. Më pas u burgosën edhe familjarët e tyre dhe iu nënshtruan një presioni psikologjik të vazhdueshëm, me tortura që kishin si qëllim, nën kërcënimin e dhunës, rrëzimin psikologjik dhe kallëzimin e arit. Madje, në Durrës, tregtarët u zhytën me të gjithë trupin në tokë dhe iu la vetëm koka jashtë, derisa të dorëzonin arin. Si pasojë, në Elbasan vdiqën në burg për floririn tregtarët Sulejman Domi, Xhaferr Çelirama, Mateo Papajani, Refik Myftiu etj.
Në Tiranë, Cen Alimehmetit, siç pohon ai vetë, pasi i ishte sekuestruar malli i dyqanit dhe shtëpia te Kodra e Kuqe, që ishte kthyer në jetimore, si dhe dyqanet në qendër dhe tokat në Mëzez, u detyrua të dorëzonte 3 mijë napolona në vitin 1946 dhe shuma të tjera në vitin 1951 dhe u mbajt nga Dega e brendshme, për të nxjerrë se ku e kishte fshehur arin. Ai nuk rezistoi dhe tregoi vendin se ku e mbante floririn, erdhi në shtëpi dhe gjeti 900 napolona të tjerë. I njëjti fat priti dhe tregtarë të tjerë si Tod Çoka që vdiq nga torturat, sepse nuk pranoi të tregonte se ku e kishte fshehur floririn. Tregtarë të tjerë që dorëzuan arin ishin edhe Hoç Këllezi, babai i ish-ministrit të Financave dhe zv.kryeministrit Abdyl Këllezi, si dhe Murat Begeja, Tahir Gjinali, vëllezërit Radheshi, Mihal Dovana nga Durrësi etj.
Shumë tregtarë të mëdhenj u dënuan me konfiskimin e pasurisë së tundshme dhe të patundshme si kundërshtarët politikë dhe u dërguan në kampin e punës në Maliq. Sipas memuareve të Skënder Stefanllarit, i mbijetuar nga kampi i Vloçishtit, tregtarët u bënë viktima të kënetës së Maliqit nën kërcënimin “tregoni floririn ose do të vdisni në kënetë” dhe iu bënë tortura që nuk mund t’i konceptonte mendja njerëzore. Tregtarët që vdiqën në kënetë ishin Sotiraq Lako, të cilin e varrosën në kënetë, si dhe Kosta Fundo, Bexhet Frashëri, kurse tregtari Koço Misrasi vari veten dhe dhëmbët prej floriri iu shkulën.
Në korrikun e vitit 1948, Skënder Stefanllari rrëfen se si pasi iu lëshuan akuzat e rreme se gjoja kishte krijuar një gjykatë të burgosurish me në krye Niko Kirkën, me rolin e prokurorit për të dënuar regjimin komunist, ai i prekur në sedër u përlesh me rojet e kampit dhe, pasi e goditën me bel në kokë dhe ra pa ndjenja, i shpëtoi jetën, duke e marrë mbi shpatulla tregtari i madh nga Durrësi me origjinë nga Kavaja, Alfons Dovana.
Vetëm 100 kg drithë për ish-kryeministrin Koço Kotta
Vendimi nr. 183, datë 16 korrik 1945, me propozim nr. 1/115, datë 15 qershor 1945 të Komisionit mbi studimin, Administrimin, Sekuestrimin e pasurive të të Arratisurve Politikë Korçë vendosi sekuestrimin e pasurive të ish-kryeministrit të burgosur Koço Kotta, ku përfshiheshin sipas inventarit hipotekor një shtëpi në Korçë, dy vreshta dhe disa ara në fshatin Vinçan dhe Pendavinj të Korçës, si dhe 32 pjesëve si bashkëpronar i 299 aksioneve të kafesë, sallonit dhe kinemasë “Majestik”, së bashku me aksionet e tyre të menaxhuara nga shoqëria anonime “Cinemattaro”, me vlerë 500 franga ar secila dhe përfshinte edhe inventarin e objekteve shtëpiake ku përfshiheshin edhe nga ato me vlerë antike muzeale, si një portret me “stemën mbretërore” me xham, servise me pjata (argjendi) dhe dy sëndukë bosh dhe i liheshin vetëm 100 kg drithë familjes deri në vendimin përfundimtar.
Konfiskimet e viktimave të Ambasadës Sovjetike
Më 13 prill 1951, Dega e Punëve të Brendshme Tiranë i dorëzoi degës së Bankës Tiranë 28 napolona, 25 paund, 9 lira turke, një mbajtëse monedha ari dhe stoli, si dhe 113.590 lekë të derdhura në buxhetin e shtetit dhe 30 kartëmonedha italiane nga 1 mijë- 30 mijë lireta jashtë qarkullimit, të konfiskuara nga Gjykata e Lartë Ushtarake me vendim nr.64, datë 27 shkurt 1951, të të ekzekutuarve të akuzuar padrejtësisht për bombën në Ambasadën Sovjetike: Lluka Raskoviç, Tefik Sheku, Haki Kodra, Reis Selfo, Manush Peshkëpia, Ali Qoralli, Qemal Kasoruho, Petro Konomi, Hekuran Tresake, Mehmet Ali Shkupi, Reshit Shima, Sabiha Kasimati dhe Pandeli Nova.
Më 24 mars 1953, Policia kishte vendosur që për stolitë e gjetura Mediha Libohovës, gruas së ish-ministrit Eqrem Libohova, t’i kthehej asaj shuma prej 31 mijë lekësh, sepse ndaj saj nuk ishte marrë vendim konfiskimi, por ministri i Financave nuk qe dakord dhe kërkoi që me dispozita Ligjore t’i kalonin Bankës së Shtetit pa shpërblim.
Florinjtë e Hamit Matjanit
Në vitin 1954 u futën në Thesarin e Shtetit 7 kg e 870 gr ar, i konfiskuar diversantëve Zenel Shehu dhe Hamit Matjani, që përbëhej nga 607 napolona, 1 gjysmë napoloni, 317 paund, 315 gjysmasterlinash, 1 dydollarëshegjysmë, 27 lira turke, 1 rubël me vlerë 7 1/2, 3 pesërubëlshe, monedha ari austriake me peshë 5 g e gjysmë.

Kur do të kemi një muze memorial të genocidit komunist?


Nga Alba Kepi.

Në vendet e Evropës Qendrore e Lindore beteja ndaj ideologjisë komuniste po përpiqet të fitohet jo vetëm me statuja, monumente apo pllaka përkujtimore, por mbi të gjitha me ndërtimin e muzeve, një trashëgimi e domosdoshme për brezat dhe të ardhmen, ku ruhet e nderohet kujtimi i miliona viktima të saj, por mbi të gjitha dëshmohet se si martirizimi i tyre shërben sot për të kuptuar vlerën e lirisë, të shpresës dhe të drejtave themelore të njeriut.
70 vjet mbushen këtë vjeshtë nga nisja e gjenocidit komunist në Shqipëri dhe një muze të vërtetë historik.

Pak ditë më parë qeveria miratoi fondin shtesë për ceremoninë madhështore të 70-vjetorit të çlirimit të vendit nga Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Kryeministria, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe e Rinisë, Ministria e Kulturës, Ministria e Arsimit dhe e Sporteve, drejtori ekzekutive, organizata joqeveritare janë rreshtuar për të realizuar projektet e tyre festuese. Skenari është kaq i parashikueshëm, ashtu siç ka qenë për gjysmë shekulli pas 1944-ës. Vizita tek Varrezat e Dëshmorëve, takime me familjarë heronjsh të Luftës Çlirimtare, koncerte festive në Pallatin e Kongreseve me rreshtin kryesor mbushur me kryetarë e anëtarë qeverie, ekspozita fotografike me çeta e batalione partizane që luftojnë armikun (le të shpresojmë se janë rikuperuar të paktën fotografitë origjinale e jo ato të retushuarat), si dhe konferenca shkencore që analizojnë kontributin e kësaj lufte në lirinë e jetën e shqiptarëve. Kryetari i Kuvendit do të përsërisë takimin e tij me anëtarë të çetës së Çorovodës apo të brigadës VII sulmuese. Qeveritarë të tjerë të lartë do të nderojnë kujtimin e brigadës partizane të qytetit apo fshatit të tyre të lindjes. Nuk do të mungojnë, ashtu siç po mësohemi këta muajt e fundit të shohim dhe imazhet e kryekomandantit të kësaj lufte me simbologjinë komuniste. Çdo gjë e pranueshme deri këtu, pasi ne shqiptarët nuk kemi vetëm harmoni fetare, por edhe tolerancë bindjesh politike e shumë më tepër se përfaqësuesit tanë në tempullin e demokracisë.

Por po 70 vjet më parë, nisi në Shqipëri terrori më i egër i një sistemi komunist, praktikuar në Evropën Lindore. Rreth 10 mijë shqiptarë të pushkatuar pa gjyqe, të sakatuar për vdekje nga lemeria e torturave në dhoma hetuesish, burgje e gulage komuniste. Mbi 17 mijë të dënuar politikë, më shumë se 33 mijë të internuar e dëbuar nga shtëpitë, pronat, qyteti i tyre. Një masakër komuniste nisur 70 vjet më parë e që këtë vjeshtë meritonte po të njëjtin fond nga qeveria, të njëjtin përkushtim realizues me projekte, koncerte, konferenca e homazhe në emër të bashkëjetesës, tolerancës e lirisë shqiptare.
Le t’i kujtojmë qeverisë së majtë shqiptare Papa Françeskun, Atin e Shenjtë, që i nderoi me vizitën e tij e që zgjodhi Shqipërinë, para së gjithash pasi se qe një vend me regjimin më të egër komunist në Evropë. Le t’i kujtojmë fjalët që ai përsërit shpesh: “Le të mësojmë të flasim e të kërkojmë falje. Mos të shtiremi se jemi kristianë! Cili është ndryshimi midis mëkatit e skandalit? Kush bën mëkate, pendohet e kërkon falje, përulet e gjen shpëtim nga Zoti!”
Kush bën mëkate e nuk kërkon falje, veç skandalizon. Ky skandal prej 24 vitesh vazhdon të rëndojë në ndërgjegjen e politikës së majtë shqiptare. Asnjë falje publike e distancim nga e kaluara e tyre komuniste. Një javë më parë, pranë Zotit për të larë mëkatet personale e një javë më pas, duke nderuar ideologjinë frymëzuese të gjynaheve të tyre të përgjithshme.

Mijëra viktima të pushkatuar e të groposur në varre kufomash masive, dhjetëra mijëra të internuar nëpër kampe internimi e të persekutuar për jetë e në breza, shumë e shumë të tjerë të torturuar e izoluar në qeli burgjesh e spitale psikiatrike. Patriotë, nacionalistë, intelektualë, politikanë, profesionistë të përgatitur në universitetet më të mira të Evropës, klerikë, sipërmarrës e pronarë të suksesshëm, njerëz të thjeshtë e të pafajshëm, të gjithë të ekzekutuar në emër të lirisë së popullit. Shumë prej tyre nuk iu gjetën kurrë eshtrat, pa një varr ku t’i kujtosh me një tufë lulesh të freskëta. Masakra e Devollit, masakra e Lushnjës, masakra e Martaneshit, masakra e Delvinës, masakra e Gjirokastrës, masakra e Allamanit, masakra e Libohovës, masakra e Dibrës, masakra e Hasit, Bytyçit, Krujës, masakra e Tiranës, masakra e hotel “Bristolit”, një gjenocid i vërtetë komunist, që 70 vjet më parë nisi e përgjaku çdo zonë, qytet e mal të Shqipërisë. E dëshmojnë bashkautorët e krimeve, si Gogo Nushi, sekretari i Partisë Komuniste për Tiranën që më 1944 raporton: “Këtë shpirt terrorist e kemi parë ditët e fundit në Tiranë. Kjo tregon vijën tonë. Me hyrjen e forcave tona, janë vrarë 60 vetë. Listën e kemi. Unë mendoj që asnjë nga këta nuk e meritonte këtë dënim. Jemi të sigurtë se do të ketë edhe të tjerë. Numri do të ketë kaluar edhe të 100 vetët (AQSH. f. 14,2/a ). Apo Kristo Themelko, anëtarë i udhëheqjes së degës së Tiranës, bashkë me Qemal Stafën e Gogo Nushin e që po më 1944 do të shkruante: “Duke mos pasur rrugë tjetër, kemi kaluar në atë rrugë ku kemi pasur disa suksese. Kjo rruga jonë terroriste ka lindur si vijë… Nga kjo rezulton se të gjithë ata elementë që janë kundër nesh, por që s’kemi fakte, të pushkatohen që tani… Që elementët me i pastrue gjatë luftës për ata që s’kemi fakte, kjo ka qenë vepër e të gjithëve, veçse duhej me i pastrue me mënyrën që të mos merren vesh prej popullit. Janë vrarë edhe nga ata që janë dorëzuar” (AQSH, f. 14, 2/a). E vërtetojnë dokumentet e kohës që më vitin 1943, ruajtur në Arkivin Qendror të Shtetit: “Komunistët anarkistë duan të vendosin me çdo kusht një regjim diktatorial në këtë vend…”

Rreth 10 mijë shqiptarë të pushkatuar pa gjyqe, të sakatuar për vdekje nga lemeria e torturave në hetuesi, burgje e gulage komuniste. Mbi 17 mijë të dënuar politikë, më shumë se 33 mijë të internuar e dëbuar nga shtëpitë, pronat, qyteti i tyre. Një masakër komuniste nisur 70 vjet më parë e që këtë vjeshtë meritonte po të njëjtin nderim nga qeveria e së majtës shqiptare, që ende sot nuk ka kërkuar falje publike për atë çka paraardhësit e tyre i shkaktuan këtij kombi, tragjedinë më të madhe kombëtare në historinë e Shqipërisë.

70 vjet kanë kaluar nga nisja e kësaj dhimbjeje humane e sot nuk kemi asnjë muze për t’i kujtuar viktimat e terrorin komunist të këtij regjimi. Qysh në origjinën e lindjes në epokën e helenizmit, një strukturë muzeale ka detyrë ruajtjen e njohurisë historike, për të kuptuar të tashmen e të ardhmen. Por sot si e para dhe e dyta kanë për qeverinë shqiptare të njëjtën vlerë me të kaluarën. Miliona lekë për të festuar triumfin e lëvizjes komuniste kundrejt indiferentizmit, injorimit ndaj gjenocidit të idealeve komuniste.
Sa vlejnë fotografitë e martirëve klerikë për veç 24 orë varur në bulevardin e Tiranës, nën një qëllim bombastik mediatik apo ekspozita e hapur me nxitim ndërsa po injorohej martirizimi i klerikëve myslimanë, përballë një harrese kombëtare, përballë një mospendimi zyrtar për atë çka ish-Partia Komuniste, ish-Partia e Punës së Shqipërisë, sot Partia Socialiste, i ka shkaktuar këtij populli. Në çdo vend ish-komunist të Evropës, liderët e së majtës janë distancuar nga e kaluara e tyre, kanë kërkuar falje publike për çdo viktimë shkaktuar nga ideologjia e së shkuarës. Në Shqipëri ende jo, veç shtirje e propagandë mediatike për qëllime e akuza politike sa herë që kujtohet holokausti komunist.

Në Pragë, Bukuresht, Budapest, Vilnius, Tallin, Bratislavë, Uashington, janë hapur prej vitesh muze për të nderuar qindra mijëra viktima të komunizmit, për të kujtuar terrorin e gjenocidit që shkaktoi ky regjim. Në Shqipëri kemi veç një pavijon në Muzeun Kombëtar. Çdo dokument, fotografi, objekt, restaurim i këtij “reparti muzeal” daton më punën e një grup studiuesish e historianësh në vitin 1996. Barrën më të rëndë e pati Drejtoria e Muzeve të Tiranës, që në bashkëpunim me Komitetin e të ish-të Përndjekurve Politikë, me drejtori muzesh në rrethe e qytete, hulumtoi në histori e familje, trashëgimtarë e dëshmitarë të kësaj masakre duke prekur e para nga afër dhimbjen e shkaktuar nga komunistët. Qe koha kur ende nuk dihej numri i saktë i viktimave të komunizmit, Komiteti i të Përndjekurve mbante të shënuar me shkrim dore emrat e tyre duke i ndarë sipas burgjeve, kampeve, fshatrave, rretheve. Zyrat e drejtorisë së muzeve mbusheshin çdo orë nga tregimet e vuajtjes së tyre derisa një ditë mbi një tavolinë shkresash u vendos një pako. Brenda saj një palë pantallona stofi leshi të një ish-të burgosuri, të grisur në çdo anë e të qepura me fije flokësh. Qe viti 1996, kaq pranë në kohë me komunizmin, kaq larg së vërtetës historike mbajtur fshehur për një gjysmë shekulli e kaq i fortë impakti emocional ndaj këtij objekti të ruajtur me copëza mishi e shpirti. Po më 1996, në shtëpinë e nacionalistit Osman Kazazi, me 42 vjet burg komunist mbi kurriz, dy motrat e tij të moshuara e ndihmojnë Mandelën shqiptar të hapë një sepet të vjetër druri, brenda të cilit ka ruajtur një batanije leshi, e holluar dhe plot vrima e që për katër dekada e mbrojti nga lagështira e qelive. Pranë saj një gotë alumini e një lugë gjelle pa bisht. “Bishtat i këpusnin, – tha me zërin e dridhur, – pasi kishin frikë nga ne!”

Diku një veshje, një tel gjembash, një litar, një mur qelie e kështu më 1996 u ngrit ky pavijon i kujtesës së gjenocidit komunist në Shqipëri. Sot nuk ka ndryshuar asgjë, ndoshta veç një restaurim tavani për nevojat e muzeut. Arkivi është po i njëjti, pa asnjë pasurim historik e studim shkencor. Mungon vendndodhja e besueshme, simboli-dëshmi i këtij tmerri komunist. Muzeu “Terror Haza” në Budapest, ngritur në qendrën kryesore të torturave të komunizmit në këtë vend, është shembulli se kur punohet për të rishkruar historinë e vërteta nis nga koka e jo nga bishti.

Në vendet e Evropës Qendrore e Lindore beteja ndaj ideologjisë komuniste po përpiqet të fitohet jo vetëm me statuja, monumente apo pllaka përkujtimore, por mbi të gjitha me ndërtimin e muzeve, një trashëgimi e domosdoshme për brezat e të ardhmen, ku ruhet e nderohet kujtimi i miliona viktima të saj, por mbi të gjitha dëshmohet se si martirizimi i tyre shërben sot për të kuptuar vlerën e lirisë, shpresës dhe e të drejtave themelore të njeriut.

70 vjet mbushen këtë vjeshtë nga nisja e gjenocidit komunist në Shqipëri dhe një Muze të vërtetë historik, ngritur aty ku ky regjim tregoi kulmin e shtazërisë së tij, ua kemi borxh mijëra viktimave, familjarëve e pasardhësve të tyre. Por mbi të gjitha politika ia ka borxh Historisë së Shqipërisë. Ashtu siç thotë dhe Niçe: “Kam bërë këtë thotë kujtesa. Nuk mund ta kem bërë këtë, thotë krenaria duke qëndruar e palëkundshme. Në fund vec memoria dorëzohet.”

“Terror Haza”

Një ndër më të suksesshmit për shkak të konceptimit të strukturës së tij e të numrit të madh të turistëve që e vizitojnë çdo ditë, është muzeu i Komunizmit në Budapest “Terror Haza” (Shtëpia e terrorit).

I ngritur më vitin 2002 nën qeverisjen e qendrës së djathtë të Fidesz ai shquhet për përdorimin e instrumenteve multimediale, për efektet e kushtueshme speciale, për atmosferën e lartë spektrale të realizuara falë fondeve internacionale si dhe për polemikat politike që shkaktojë ngritja e tij. “Shtëpia e Terrorit” tashmë një muze ka qenë teatër i dy periudhave tragjike të historisë hungareze të shekullit të XX. Fillimisht nazistët e më pas komunistët e kthyen këtë ndërtesë në një qendër kryesore të torturës. Më 1944 gjatë dominimit të partisë hungareze të shigjetave kryqe kjo ndërtesë njihej si “shtëpia e besimit” e territori përreth si lagjja kryesore e nazistëve hungareze. Në qelitë e saj anëtarët e shigjetave të kryqëzuara torturuan e vranë me mijëra persona e midis tyre qindra hebrenj të pafajshëm u masakruan e u hodhën në Danubin e akullt. Më 1945 Hungaria bie nën pushtimin sovjetik. Një nga detyrat e para që kryen komunistët hungarez të ardhur mbi tanket ruse, qe zotërimi i banesës me numër 60 në rrugën Andrassy, sot “Shtëpia e Terrorit”. Përsëri kjo godinë e lagjja përreth u kthye në një teatër torture për mijëra hungarez të pafajshëm. Kantinat e saj u shndërruan në një labirint qelish torture e burgimi. Kjo ndërtesë e stilit neorilindas u ristrukturua më vitin 2000 e më 2002 u kthye në një muze. Mjaft i fortë është impakti që shkakton fasada e tij. Një kornizë gjigante mbi të cilën është shkruar “TERROR” dominon pamjen e jashtme të kësaj ndërtese. “Nuk ka viktima të dorës së para apo të dorës së dytë, por ka vetëm viktima”, ky është mesazhi që përcillet menjëherë në hyrje të tij. Dy blloqe graniti kujtojnë viktimat e dy diktaturave, nazizmit e komunizmit. Deri më sot ambientet e tij i kanë vizituar mbi një milionë vizitorë, duke e kthyer në një nga muzetë më të suksesshëm të Evropës Lindore. Zgjedhja arkitektonike, efikasiteti i efekteve zanore, sensibiliteti i ekspozimit të materialeve kanë bërë që ky muze të fitojë çmime mjaft të rëndësishme evropiane. “Hapja e “Shtëpisë së Terrorit” qe vërtetë një gur themelor. U krijua për të qenë një kujtim evident i institucionit të shtazërisë njerëzore, e privuar nga shembuj të mëparshëm”, – citojmë politikanin polak Zbigniew Brzezinski.

Muzeu i Viktimave të Gjenocidit në Lituani

Muzeu i Viktimave të Gjenocidit apo Muzeu i KGB gjendet në Vilnius të Lituanisë. I ngritur më 1992 me fondet e SHBA-së e i riorganizuar më 1997 nga “Research Center of Genocide and Resistance of the Inhabitants of Lithuania”, ai mori sukses në publik më 2004, pas hyrjes së Lituanisë në Bashkimin Evropian, gjë që shënoi rritjen e dukshme të numrit të vizitorëve e të turistëve. Në hyrje të tij është realizuar një panoramë e shpejtë historike e periudhës komuniste e shprehur me anë të filmave të mëdhenj xhami ku shihen posterat e kësaj epoke. Por pjesa më interesante e këtij muzeu ndodhet në katin nëntokësor, ku në ambientet e ngushta e me lagështirë është ringritur një burg i kohës së diktaturës komuniste. Mbi mure panele të mëdha fotosh dëshmojnë detaje të torturave, masakrave, dhunës ndaj kundërshtarëve të regjimit, mjaft prej të cilëve dhe viktima figurash klerikale. Qelitë e izolimit, dyert gjigante prej hekuri, zyra e personelit, centrali i spiunazhit, dhoma e pyetjeve, dhoma e torturave risjellin atmosferën makabre të burgut komunist. E njëjta ndërtesë dikur qendër torturash naziste u kthye në qendër torturash komuniste, diktaturat me sa duket kanë të njëjtat shije. Czeslaw Milosz, shkrimtari nobelist lituan e përshkuan kështu qytetin e Vilnius “…qytet herë i rusëve, herë i gjermanëve, herë i lituanëve, herë i polakëve e përsëri i rusëve, i gjermanëve, i lituanëve. Brenda 50 vjetësh ky qytet ka parë në rrugët e tij ushtri të çdo lloj tipi e çdo herë piktorët ishin mjaft të zënë për të ribërë tabelat e dyqaneve e emrat e zyrave në një gjuhë të re zyrtare”.

Muzeu i Komunizmit në Pragë

“Komunizmi, ëndrra, realiteti, makthi” është tema kryesore e muzeut të Pragës. Ai përqendrohet në pasqyrimin e këtij regjimi totalitar nisur qysh më 1948 e deri në rënien e tij në nëntor të 1989-ës. Ky muze dallohet për një variacion të larmishëm të pasqyrimit të realitetit nën regjimin komunist me dëshmi nga jeta e përditshme, politika, historia, sporti, ekonomia, edukimi, arti, mjetet e propagandës, censura, ushtria, policia, gjykata, e institucionet ndihmëse të saj. I pasuruar nga koleksione të rëndësishme publike e private vizita në të është një eksperiencë tronditëse për çdo vizitor.

Muzeu i Okupacionit në Estoni

Në zemër të Talinit, kryeqyteti estonez, mbi kodrën e Tonismagit ngrihet Muzeu i Okupacionit. I hapur më 2003 ai shkaktoi zemërimin e Moskës, që e konsideronte një akt fyes faktin e barazisë midis nazizmit e komunizmit. Në hyrje mbi dy lokomotiva udhëtojnë kryqi nazist e ylli komunist. Por pjesa e brendshme si në çdo muze të Evropës Lindore fokusohet tek komunizmi.

Një varkë shpëtimi kujton çiftin amerikan Ritso-Kristel (gruaja estoneze) të arratisur me anë të detit. Intervista dëshmitarësh, materiale të arkivit audio-vizive, qindra fotografi, objekte të të burgosurve, literaturë antisovjetike etj. pasurojnë sallat e këtij muzeu. Në sitin e fondacionit të këtij muzeu lexohet: …”Kush janë heronjtë tanë?… Kush janë miqtë?… Kush janë armiqtë?…” Për sa u përket heronjve nuk ka dyshim, këto muze paraqesin si të tillë çdo viktimë që në emër të lirisë propaganduan idetë e tyre antikomuniste.

Memoriali i Viktimave të Komunizmit në Rumani

Memoriali i Viktimave të Komunizmit e të Rezistencës ndodhet në Sighetu Marmatiei të Rumanisë. Ai përbëhet nga një muze i ngritur në ish-burgun politik të Sighet e nga një Qendër Internacionale Studimi mbi Komunizmin në Bukuresht. Ngritja e këtij muzeu është bërë në ish-ambientet e një prej burgjeve famëkeqe të kohës së komunizmit. Çdo qeli është kthyer në një sallë muzeale, ku janë rreshtuar sipas një rregulli kronologjik fotografi, dokumente e objekte të ish-të burgosurve. Nëpër muret e korridoreve janë gdhendur emrat e 8 mijë të burgosurve, të vdekur në burgjet apo në kampet e përqendrimit rumun. Disa vepra të artit plastik kompletojnë profilin special të këtij Memoriali, arkitekturës antike të të cilit i është shtuar dhe një sallë moderne konferencash. Një nga emblemat e muzeut, e mahnitshme nga bukuria e saj artistike është statuja “Kopshti i të sakrifikuarve”, i realizuar në bronz më 1998. Janë 18 profile humane që i drejtohen një muri i cili i mbyll horizontin, ashtu si komunizmi kish mbyllur jetën e miliona njerëzve. Pjesë e memorialit është dhe “Varreza e të varfërve”, e pozicionuar rreth 2.5 km larg qendrës së qytetit e simbol i varreve të qindra të burgosurve, trupat e të cilëve nuk janë gjetur ende.

Muze i Terrorit Komunist në Poloni

Muzeu i Terrorit Komunist në Poloni gjendet në Varshavë në katin nëntokësor të Pallatit të Kulturës, një vend i njohur ndryshe dhe si “Pallati i Stalinit”, pasi u ndërtua me dëshirën e tij si simbol dhurate për qytetin e Varshavës. Sot është simbol i masakrës komuniste.
Çdo 23 gusht vendet e ish-regjimeve komuniste nderojnë Ditën Evropiane në kujtim të masakrave gjatë regjimeve totalitare e mijërave viktimave të komunizmit në Evropën Qendrore e Lindore. Polonia, Rumania, Çekia, Sllovakia, Lituania, Bullgaria, Estonia me iniciativa të përbashkëta i japin jetë memories së martirëve të Komunizmit. Shqipëria sivjet dhe pse me status të BE nën sqetull, vazhdon të mbetet larg tyre.

Parku i Komunizmit në Budapest

Quhet “Szoborpark” e do të thotë Parku i Statujave, por mund të quhej dhe Parku i Simboleve apo Parku i Komunizmit, dhe pse për vendasit është vetëm një varrezë monumentesh. Vendndodhja: Sheshi “Deak” në Budapest. Tramvaji me numër 49 merr drejtimin Etele ter. Pas tij një autobus për Dios/Erd të lejon të zbresësh në stacionin “Szoborpark”. Jemi vetëm 10 kilometra larg Budapestit në drejtim të liqenit Balatano, aty ku shtrihet ekspozita më e madhe e statujave komuniste në Evropën e Lindjes. Nën qiellin e hapur e me formën e një ylli pesë cepash Szoborpark është një park me 42 statuja gjigante. Gjen aty Marksin, Englesin, Leninin, Bela Kun, Gejrgj Dimitrov, Endre Sagvari, Heroin e Popullit, Ushtarin e Popullit, Martirin e Popullit, Punëtorin e Popullit, Lirinë e Popullit, Pionierin e Partisë. Janë rreth 42 monumente komuniste në Hungari, të një epoke nga 1947 deri më 1988, e të vizitueshme nën qiellin e hapur, ajri i të cilit shpërndan pa pushim muzikën e një marshi revolucionar. Janë tingujt e një radio të epokës së komunizmit, që lëshon kioska pranë një makine të vjetër gjermano-lindore e markës “Trabant”. Gjen aty dyqanin e suvenireve,në hyrje të “Szoborpark” me medalje, flamuj, çakmakë, orë dore të asaj epoke, fotografi të liderëve komunistë si dhe bluza të stampuara me portretet e Mao Tze Tung, Lenin e Stalin. 42 statuja me një targë përkatëse përshkruese rifreskojnë historinë e diktaturës komuniste e kujtojnë se si simbolika e saj është e frikshme dhe aty në atë vend të hapur e që vendasit e quajnë qëllimisht “varrezave e monumenteve”. “Szoborpark” ky muze në “open air” është vërtet diçka e rrallë, e nuk ka lidhje aspak me nostalgjikët o fanatikët e regjimit të dikurshëm, përkundrazi gjithçka që ndodhet në të sjell reflektimin e një kujtese që nuk duhet harruar. “Szoborpark” është një zhytje në një histori që s’duhet harruar e që duhet të jetë një e pranishme muzeale në çdo vend ish-komunist e ku pasojat e këtij regjimi janë ende një plagë e hapur për popullsinë e tyre. Kush më mirë sesa monumentet e statujat në emër të lirisë, në emër të popullit, në emër të idealit mund të shprehnin ideologjinë e një sistemi që mbi këto simbole ngriti terrori e tij. Autori i këtij projekti, arkitekti Akos Eleod, zgjodhi statujat monumentale si artin figurativ më të privilegjuar të këtij sistemi, përmbajtjes së tij i dha një moto “Një frazë mbi diktaturën”.

Enver Hoxha u ndihmua nga artistët

MAKS VELO NË NJË RRËFIM PËR MARRËDHËNIET MES ARTISTËVE DHE KOMUNIZMIT. SI E SHEH AI BOTIMIN E KUJTIMEVE MBI DIKTATURËN DHE PLAGJIATURËN NË LETËRSINË E BURGUT


Maks Velo
Maks VeloEnver Hoxha e pati disi të lehtë të krijojë mitin e tij. Ndihmuan shumë shkrimtarët dhe artistët. Lidhja ishte organi i ngarkuar për këtë. Sidomos pas 1973-shit, Dritëro Agolli si kryetar dhe Kujtim Buza si sekretar, bënë një punë të madhe për këtë. Tani të gjithë duan të lajnë duart. Prandaj botojnë kujtime. Këto kujtime kanë shumë pak objektivitet dhe vërtetësi. Më shumë janë si fiksione. Edhe një herë tregojnë veten. Por harrojnë se një ditë (sado që të shtyhet kjo ditë) dosjet do të hapen.
Alda Bardhyli
Cili ka qenë roli i artistëve gjatë diktaturës në Shqipëri? Pas viteve ’90, një nga debatet më të mëdha përsos krimeve të komunizmit, është edhe roli i shkrimtarëve, piktorëve apo kineastëve në raport me regjimin. Shumë akuza janë hedhur në shtyp këto vite mbi protagonistë të kohës, ku artistë akuzojnë njëri-tjetrin për marrëdhënie me regjimin… Maks Velo është një nga ata artistë që ka provuar mbi supe diktaturën me vite të tëra burgim. Gjithë diktaturën që ai njohu, gjithë shenjat që ajo la tek ai, Velo është përpjekur ndryshe nga të tjerë, t’i hedhë në telajot e pikturave që ka krijuar këto vite apo t’i shkruajë në letërsi. Tregimet e tij të burgut janë një tablo e gjallë e asaj çfarë ka ndodhur, dhënë me një stil të thjeshtë e plot jetë. Por çfarë ka qenë diktatura për Maks Velon? Si i sheh ai sot personazhe të asaj kohe, dhe si e gjykon shkrimin e kujtimeve nga protagonistë të kohës? Më poshtë Velo vjen në një rrëfim për “Shqip”…
Historia e artit dhe kulturës gjatë regjimit komunist mbart ende shumë mistere dhe pikëpyetje mbi protagonistë të kohës. Vitet e fundit janë botuar libra me kujtime, autobiografi apo studime mbi atë periudhë… Si protagonist dhe një zë i njohur i kohës, sa objektive do i vlerësonit këto përpjekje?
Burgu i SpacitNuk ka sesi të ishte ndryshe. Historia e diktaturës në Shqipëri u ushqye dhe u mbajt gjallë edhe nga një masë e madhe shkrimtarësh dhe artistësh. Nuk ishte e kotë dhe pa arsye zhgënjimi që bota perëndimore pati nga vonesa dhe zgjatja e jetës së regjimit në prag të nëntëdhjetës. Të mësuar me zgjedhën e gjatë osmane ishim çmësuar me lirinë. Varfëria dhe injoranca janë sindromat e zgjedhave. Enver Hoxha e pati disi të lehtë të krijojë mitin e tij. Ndihmuan shumë shkrimtarët dhe artistët.
Lidhja ishte organi i ngarkuar për këtë. Sidomos pas 1973-shit, Dritëro Agolli si kryetar dhe Kujtim Buza si sekretar, bënë një punë të madhe për këtë. Tani të gjithë duan të lajnë duart. Prandaj botojnë kujtime. Këto kujtime kanë shumë pak objektivitet dhe vërtetësi. Më shumë janë si fiksione. Edhe një herë tregojnë veten. Por harrojnë se një ditë (sado që të shtyhet kjo ditë) dosjet do të hapen. Arti pa moral është anije e mbytur në liman. Detyra e parë dhe më e lartë e artit është edukimi moral. Popujt perëndimorë i ka edukuar feja dhe arti.
Duke qenë se ju jeni një ndër më të sulmuarit nga sistemi komunist, si e keni parë raportin mes artit dhe politikës në atë periudhë, dhe si mund të lexohen sot veprat e krijuara në atë kohë?
Është një detyrë e vështirë. Gjithë problemi qëndron te gjenialiteti. Gjithmonë ka pasur gjeni që kanë koinciduar me periudha diktatoriale. Gjenitë e zgjidhin në mënyrën e tyre. Po marr Shostakovicin dhe Kadarenë. Secili e ka zgjidhur ndryshe.
Kam marrë dhuratë të 15 Simfonitë e tij dhe po i dëgjoj shpesh. Shostakovici ka në muzikën e tij një tragjizëm të panjohur dhe të paarritur asnjëherë më parë në muzikën simfonike. Aty është tragjedia e komunizmit botëror. Kadareja ishte shumë më i sofistikuar. “Pallati i Ëndrrave” është Pallati i Kongreseve të partisë, i pesëvjeçarëve, i delirit socialist dhe i varfërisë ekstreme. Pallati është tërë kampi socialist. Guximi i tij është për t’u vlerësuar lart. Raporti që Dritëro Agolli mbajti në dënimin e librit, është fytyra e vërtetë e Dritëroit dhe jo shprehjet e tij babaxhane “e mo…”. Përse nuk tha edhe aty… “e mo se nuk ka bërë gjë Kadareja… një libër ka shkruar…”?
Kam një përçmim dhe përbuzje për artistët dhe shkrimtarët që shartohen në politikë.
Kur vetë artisti ose shkrimtari bëhet politikan, “territori i vogël i lirisë” kthehet në “territor të vogël diktatorial”.
Këta shkrimtarë dhe artistë sëmuren nga sindroma e madhështisë dhe bëhen më të këqij se zyrtarët. Ata dinë të godasin më mirë shokët e tyre. Dritëroi nuk mund të jetë edhe shkrimtar, edhe patriark i Partisë Socialiste. O njëra, o tjetra. Këta shkrimtarë apo artistë politikanë bëjnë një lojë të dyfishtë. Publikut, kur nuk i mjafton vlera artistike, i imponohen me titujt politikë. Dhe politikanëve u imponohen me vlerat e dyshimta artistike. Mjafton të thuash në Kuvend “…Tanket mbi Vlorë…” dhe jeton 15 vjet (bashkë me djemtë…).
Pse nuk kemi ende sot një histori në versionin zyrtar të asaj çfarë ka ndodhur me artin dhe kulturën gjatë komunizmit?
Nuk mund ta kemi, nuk do ta kemi edhe për 50 vjet akoma. Nuk e shihni sesi duan të manipulojnë historinë tonë të dhimbshme nën sundimin osman? Tani tërë protagonistët janë gjallë. Dosjet nuk janë hapur. Dokumentet kryesore të Lidhjes nuk gjenden. Tërë këto kujtime duan të falsifikojnë. Është domethënëse një fakt. Në vitin 1994, piktorët Hasan Nallbani dhe Sotir Capo, shkojnë në Galerinë e Arteve në Berat, marrin portretet e Enver Hoxhës, bërë prej tyre, por të blera nga shteti dhe i djegin. Në vitin 2000, i propozova drejtorit të Galerisë, Abaz Hados, dhe së bashku me studiuesen Suzana Varvarica ngritëm një muze në natyrë (në kopshtin e Galerisë) me vepra të vogla (buste, torse, monumente). U bë edhe ndriçimi. Reaksioni i autorëve ishte i papritur për mua. Të gjithë nuk e donin dhe bënë çmos deri sa e prishën. Nuk duan asnjë alibi. Por asnjëri deri më sot nuk ka dorëzuar titujt dhe dekoratat që ka marrë me ato vepra. Asnjë shkrimtar, kineast, piktor apo skulptor.
Pastaj që të shkruhet Historia e Artit ose e Letërsisë, duhet të detektohen plagjiaturat. Ka shumë në muzikën e lehtë, atë simfonike, në skulpturë, pikturë, poezi etj. Këtë nuk ka historianë dhe studiues që ta bëjë. Arti duhet patjetër të jetë origjinal. Si vetë njeriu. Nuk ka njeri kopje. Kopja, plagjiatura nuk ka vlerë.
Po si mund të mbrohet e drejta e autorit, kur shteti stimulon ndërtimet pa leje duke i legalizuar. Kemi 400 000 ndërtime pa leje. Ky është treguesi. Kjo është historia më e rëndë, po këtë kush do e shkruajë…? Përderisa ne sillemi me natyrën dhe territorin në këtë mënyrë, çfarë t’i thuash një artisti se vjedh një melodi dhe shkon në Eurovizion…?

Letërsia e burgut, ku ju jeni një ndër autorët që e ka lëvruar, është një tjetër temë shumë pak e prekur në letrat shqipe. Si e shihni këtë letërsi, dhe a është prekur ajo nga plagjiatura?
Kujtime për burgjet, kampet dhe qendrat e internimit të viteve 1945 – 1990, kanë shkruar rreth 30 autorë ish të burgosur apo të internuar. Letërsi kanë bërë pak. Janë katër ose pesë. Megjithatë, nuk do ta quaja një prurje të pakët. Po të shohim letërsinë e burgut në Rusi, emra të njohur botërisht janë po kaq. Dhe Rusia pati miliona të burgosur dhe të internuar. Dhimbja nguroset në pak duar. Më pëlqejnë Lek Tasi, Zef Pëllumbi, Fatos Lubonja. Për mua nuk ka ditur të shkruajë Pjetër Arbnori, meqenëse përmendet shpesh. Më ka çuditur gjithmonë fakti që Kasem Trebeshina dhe Arshi Pipa nuk kanë shkruar për burgjet e tyre. Nuk di si ta shpjegoj. Kjo për më tepër se ka pak, shumë pak, për kampet e para, e kam fjalën për Maliqin. Mitrush Kutelin nuk e fajësoj dot se ishte shumë i trembur. E mbaj mend kur vinte në klubin e Lidhjes. Ulej me kujdes me një buzëqeshje plot mirësjellje që nuk i ndahej kurrë.
Sikur i falej dhe falënderonte JETËN që e la të jetojë. Në qetësinë dhe heshtjen e tij shprehej tmerri që kishte kaluar. Po Arshi Pipa iku, ish në Amerikë, ishte i lirë…përse nuk shkroi. Mos ishte një nga pikat e paktit që pati me Sigurimin që e nxori jashtë…? Nuk bisedoj për librin me POEZI,..poezia nuk jep të vërtetën, është një aludim, një perde filtrimi, jo një dokument. Vetëm proza është dokument. Mbi Poezinë nuk betohesh, mbi Prozën duhet të betohesh. Jam nga të parët që fillova të shkruaj letërsi burgu që në 1991, nuk kisha as një shembull. Botova tregime të shkurtra. Tani gjithsej janë afro 80 tregime, skica dhe ese. Jam munduar të jem i drejtë, i vërtetë dhe i paanshëm, si me të burgosurit e ndershëm, si me spiunët dhe me operatorët e diktaturës. Se ka dhe diktaturë të falsitetit, të gënjeshtrës dhe të mburrjes pa meritë. Shembull unikal është Engjëll Çoba, është i vetmi që, si ka dalë nga një burg i gjatë shkroi kujtimet, por gjatë kohës më të egër të diktaturës.
Është shembull i rrallë guximi dhe ndershmërie. Ata që përbuz janë falsifikatorët, se ka edhe të tillë, bile edhe të mirënjohur. I shkruajnë sot dhe thonë i kemi shkruar në burg me mend…. Çdo letërsi është e prekur nga plagjiatura. Sidomos kjo lloj letërsie. Se është i vështirë, kontrolli mbi të… E di si më tha një ish i burgosur shkrimtar kur i thashë se ke marrë nja 20 ngjarje nga libri im…”po dhe unë isha aty”, tha.
Mjafton të qenët aty në kohën që ishe edhe ti, që atë ta justifikojë për çdo gjë që merr megjithëse i kisha të botuara. Letërsia është gjetje, si gjetja e kryqit ditën e ujit të bekuar në lumë. Të tjerët mund vetëm ta puthin kryqin.
Duke u ndalur te burgu. E kujtoni kohën kur ju arrestuan? Si mund ta përshkruani kaq vite më pas?
Po e kujtoj ekzaktësisht. Besoj se të gjithë që janë arrestuar njëherë e kujtojnë. Them NJËHERË, sepse të burgosurit e vjetër (që ishin arrestuar dy ose tri herë) më thoshin se më nuk të bën atë përshtypje si herën e parë. Më duket normale.
Si puna e martesës. Kush është martuar për herë të dytë, nuk e ka pasur atë gëzim, si herën e parë. Kurse arrestimi i parë është shumë tronditës. Është një ndarje me jetën me botën. Me atë botë dhe jetë që ke jetuar përpara. Marrin fund shumë gjëra, çelen probleme të reja, një jetë krejt e panjohur. Dhe jo e lumtur. Nuk di ç’të pret. Komunizmi në përgjithësi, ishte sistemi i pasigurisë, i të papriturave. Por burgosja ishte ekstremi i pasigurisë. Pastaj ajo që ishte e veçantë në burgosjet komuniste, ishte se Ti nuk përgjigjeshe vetëm për veten. Por për të tjerët. Do përgjigjeshe, për të afërmit e tu. Kjo ishte më e rënda. Arrestimi ishte një ndarje totale me të kaluarën dhe një bashkim me një periudhë që do të vinte. Periudhë që do vazhdonte deri në vdekje. Një vdekje për së gjalli. Është si një vijë e drejtë me tush që mbyllet me një rreth. Pastaj do të jesh brenda rrethit. Përgjithmonë.
Po tani që u bënë kaq kohë, e që ai arrestim është një film i largët, nganjëherë mendoj se pati edhe anë të mira. Më saktë mund të quhen të dobishme. Pati nga ata që lindën dhe vdiqën brenda komunizmit, si në një kuti kartoni. Nuk e kuptoja atëherë atë nënqeshje dinake që vijëzohej në fytyrat e tyre që kishin jetuar përpara në Europë. Ata sikur na thoshin, …”ju të mjerë nuk e dini ç’është lumturia…qoftë edhe për një çast…” E kuptova mbas vitit 1992 kur shkova për herë të parë në Paris në qytetin ku kisha lindur. E brezi ynë e kishte një detyrë të madhe..por po të mos hyje në burg, këtë detyrë nuk mund ta realizoje plotësisht. Kjo detyrë ishte të përshkruaje kuçedrën. Dhe në përrallat kuçedrën e njohin vetëm ata që futen te shpella e saj. Shpella e kuçedrës ishte burgu. Mendoj se po të mos kisha bërë burgun nuk do kisha shkruar ato libra që kam botuar. As cikli i madh me VIZATIME MBI DIKTATURËN nuk mund të ishte bërë. Jam i gëzuar që së fundi po vlerësohen në botë lart nga personalitete të shquara. Nuk mund të shpikesh dhimbjen as torturën, as vuajtjen. Janë këto që krijojnë laboratorin e shenjave.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...