Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/08/11

Faktet flasin ....

pushkatimi
Menjëherë pas intervistës së të vesë së diktatorit Enver Hoxha në një nga kanalet televizive shqiptare, studjuesi Kastriot Dervishi, botoi këtë status në mediat sociale, të cilin e shoqëron me një vendim për dënim me vdekje të firmosur nga diktatori. Ja statusi dhe dokumenti:

“Nexhmija hodhi në treg helmin e saj të fundit. I shfrytëzoi edhe këto minuta apo orë të fundit për të na thënë se ngelet e njëjta. As nuk jam çuditur se as kam shpresuar ndonjëherë se do ndodhë ndonjë kërkim ndjese dhe faljeje prej atyre që kanë bërë krime. Këta janë të gatshëm edhe sot të bëjnë të njëjtat gjëra. Si njerëz mosmirënjohës, të zinj sa s’ka ku të shkojë, luajnë edhe në prag të vdekjes agjitacionin helmsjellës me shpresën se ky do të ndikojë sadopak te brezi i ri.
Nexhmije Xhunglini kur ishte nxënëse është ndihmuar me bursë nga ish ministri Abdurrahman Dibra. Jo vetëm që nuk ia diti për nder, por këtë e burgosi dhe djalin Qenan Dibra, ia pushkatoi. Babai i Nexhmijes, po me ndihmën e A.Dibrës u punësua në Kryqin e Kuq në Tiranë. Gjatë kohës së luftës nuk është internuar sikurse gënjen kjo por ka qenë ekonomat në shtëpinë e fëmijës.
Gënjen kur thotë që mezi “shtynin muajin” në familje, kur kjo familje i grabiti shqiptarëve plot 320 tonë flori. Asnjë pushtues nuk i ka shkaktuar qytetarit shqiptar këtë grabitje kaq masive dhe një rrënim kaq të madh ekonomik. Çifti Hoxha përfaqësoi një regjim mizerabël që me triska e nisi e me triska e bitisi. Në të gjitha raportet ndërkombëtare, Shqipëria e Hoxhës krahasohet me vendet e fundit afrikane. Sikur Shqipëria të kishte “ngrirë” në vitin 1944, do të ishte shumë më e lehtë ta vijonte qeverisjen sot, sesa me pasojën e 46 viteve komunizëm, eksperimentit më tragjik e të kotë të njohur deri sot.
gjyqet-komuniste

Në lidhje me krimet, Nexhmija tha se E.H. ishte “burrë shteti” e nuk merrej me këto gjëra. E para: asnjëherë E.H. nuk u bë dot burrë shteti. Ai ishte shefi udhëheqës i krimit. Është provuar që vendimet për ekzekutimet me vdekje i merrte Byroja Politike e E.H. dhe i certifikonin gjykatat. Lexoni vetëm kujtimet e Enver Hoxhës. Ndër të tjera, në to ka shumë urrejtje, hakmarrje e zili. Dhe natyrisht të urryerit përmenden aty dhe janë persekutuar, vrarë apo dënuar me burgim.
Po bashkëlidh një urdhër ekzekutimi të E.H. për disa persona. Ndër ta ka profesorë shumë të shkolluar. Pasi miraton ekzekutimin, ky “njeriu që nuk di gjë”, kërkon të mësojë edhe fjalën e tyre të fundit. Se normalisht, çfarë pune tjetër kishte veç kësaj?”

Sabiha Kasimati, shkencëtarja që sfidoi diktatorin

sabihakasimati

Nga Daniela Vathi.

Marrëdhënia e grave me shkencën është karakterizuar gjithmonë nga një rrugë e përpjetë qoftë në sferën kulturore, qoftë në atë profesionale. Për të zënë një vend, qoftë edhe minimal, këtyre grave u është dashur të thyejnë barriera të shumta, që u kanë kushtuar sakrifica të mëdha dhe një vendosmëri këmbëngulëse të jashtëzakonshme. Rrallë herë kujtohen sforcimet dhe vështirësitë, që në mënyrë të pashmangshme kanë shoqëruar përparimet e arritura dhe kompetencat shkencore të pashoqe të këtyre “mendjeve të bukura”.

Megjithatë kontributi i tyre për shkencën, dhe si rrjedhojë për të gjithë njerëzimin, është tepër i madh.Edhe pse u është dashur të luftojnë kundër paragjykimeve dhe mentaliteteve kryesisht mashkullore, ato kanë arritur të cajnë udhën mes kolegëve meshkuj dhe të fitojnë respektine tyre.

Emrat e shkencëtareve të shquara si Montalcini, Agnesi, Montessori,Hack, Curie, Meitner, e shumë të tjera, janë të njohur për memorien kolektive, por janë të shumta gratë e tjera të apasionuara pas shkencës, një fushë e konsideruar si tipike mashkullore, që kanë kontribuar për të përparuar njerëzimin edhe pse fatkeqësisht të neglizhuara nga historia dhe vepra e të cilave ka kaluar pa u vënë re.

Po ta mendojmë, janë të pakët ata që dinë se zbulimi që ka revolucionuar gjenetikën njerëzore dhe studimet mbi të, dmth zbulimi i spirales së dyfishtë të ADN-së, është meritë e një gruaje, Rosalind Franklin, por fatkeqësisht asaj nuk ju njoh kurrë merita, që i kaloi gabimisht dy shkencëtarëve Watson dhe Crick, të cilëve “iu dhurua” cmimi nobel për një zbulim të tillë.

Një fat i ngjashëm do i përkiste edhe një shkencëtareje shqiptare, të parës, Sabiha Kasimati.

Janë të pakët shqiptarët që e njohin emrin e saj. Shumëkush mund të kujtohet për përfundimin e trishtë që ajo pati, por pothuajse askush për veprën dhe punën e saj si shkencëtare ose më mirë si gruaja e parë shkencëtare shqiptare.

Historia e kësaj gruaje është shumë interesante nga shumë pikëpamje dhe mund ta quajmë pa asnjë ngurrim si “Një intelektuale perëndimore”, gjë jo shumë e zakonte për Shqipërinë e fillim shekullit të njëzetë. Natyrisht do ishte mirë që historia të mos lexohej në celës politik, pasi është absolutisht dytësore ndaj figurës së kësaj gruaje.

Nën peshën e traditës shumë shekullore dhe nën ndikimin e botës orientale, përfaqësuar asokohe nga perandoria osmane, shoqëria shqiptare ishte shumë pak e hapur ndaj grave, dhe aq më pak e favorshme ndaj rolit të tyre aktiv në shoqëri. Sipas mentalitetit tipik, vajzat martoheshin që në moshë të re dhe i perkushtonin jetën rritjes dhe edukimit të fëmijëve, si dhe kujdesit të shtëpisë.

Dhe është pikërisht ky ambjent i mbyllur që e bën akoma më tërheqëse figurën e Sabiha Kasimatit, si grua mbi të gjitha dhe pastaj si shkencëtare, e destinuar të sfidonte shoqërinë shqiptare dhe paragjykimet që e karakterizonin.

Kush ishte atëhere Sabiha Kasimati?

Sabiha Kasimati lindi në Edirne më 1912, ishte e bija e një mjeku, me origjinë nga Libohova, që ushtronte zanatin e tij si mjek në Turqi.
Edhe pse larg nga atdheu, familja Kasimati i rriti fëmijët me frymën e patriotizmit dhe dashurinë për kulturën, si shqiptare ashtu edhe europiane në përgjithësi.
Kur familja u kthye në Shqipëri, ajo u vendos tek i vëllai në qytetin e Korcës, i njohur edhe sot për kulturën me frymëzim francez.Një fakt shumë i rëndësishëm, që do të shënonte jetën e saj, ishte se ajo qe vajza e parë që ndoqi Liceun Francez të Korcës, duke shërbyer si shembull për shumë të tjera në vijim.Ky lice ishte shumë i vlerësuar në të gjithë Shqipërinë e asaj kohe dhe ndiqej nga fëmijët e eksponenteve kryesorë të vendit. Pra që në moshë shumë të re, fati i saj e bëri që të dallohej dhe të ishte e vetme.

Qe shoqe klase me Enver Hoxhën, diktatorin e ardhshëm, por një njohje e atillë do t’i kushtonte shtrenjtë, shumë shtrenjtë!

Edhe sot qytetarët e Korcës e kujtojnë me nostalgji si “ çupën e parë të liceut”, e bukur dhe e hedhur, spontane, rrezatuese, inteligjente dhe me një karakter pothuajse burrëror saqë shoqërohej me miqtë e liceut në mënyrë shumë spontane.

Nuk vonoi të dallohej për inteligjencën dhe zellin në studime, tashmë zotëronte shumë mirë disa gjuhë të huaja perëndimore, madje arriti të tërhiqte vëmendjen e profesorëve francez të liceut me theksin e saj perfekt në frengjisht.

Pasi mbaroi liceun, punoi për pak kohe si mësuese në lendët edukatë morale dhe frengjisht në Institutin femëror të Korcës dhe më pas dha biologji në shkollën shqiptaro-amerikane në Kavajë.

Në 1936 realizoi ëndrrën e madhe për të vijuar studimet universitare, dhe arriti të fitojë një bursë studimi nga shteti.Universiteti ishte një privilegj i pak fatlumëve. U regjistrua në Fakultetin e Shkencave biologjike në Torino, ku përvecse u diplomua me maksimumin 30/30 cum laude ( tridhjetë mbi tridhjetë me lavdërim), arriti të mbrojë edhe doktoraturën në 1941.

Edhe në Torino shfaqi inteligjencën e saj, saqë iu ofrua mundësia për të punuar si asistente në katedrën e ihtiologjisë në universitetin e Torinos. Me deshirë për t’u kthyer në atdhe dhe për të vënë në shërbim të tij dijen e saj, refuzoi ofertën dhe u kthye.

Pas kthimit në Tiranë, punoi në Insitutin e Shkencave, që ishte bërthama e parë e studimeve shkencore në vend, nën drejtimin e prof. Selahudin Toto, intelektual i njohur.
Këtu realizoi një kërkim shumë të rëndësishëm në fushën e ihtiologjisë ( disiplina që merret me studimin e peshqve) dhe për më tepër qe edhe ihtiologja e parë shqiptare, në një periudhë kur ende nuk egzistonte një përmbledhje e faunës dhe florës egzistuese në vend.

Në dhjetë vite të gjata kërkimi dhe pune plot entuziazëm dhe angazhim, Sabihaja eksploroi dhe studioi gjithë faunën ihtiologjike fluviale dhe detare në ujërat e Shqipërisë, e bindur se studimet mbi peshqit do të kishin një rëndësi të madhe dhe një vlerë ekonomike të cmuar për vendin, që është vecanërisht i pasur. Bëri klasifikimin në bazë të taksonomisë, në klasa, lloje dhe nënlloje, duke përcaktuar zonat ku përhapeshin llojet kryesore të peshqeve me vlerë ekonomike dhe studime të shumta rreth riprodhimit dhe cikleve të tyre biologjike.

Pas një pune të stërmadhe në përmbushjen e mijëra skedave, koleksione të ekspozitave të mbedhura në dhjetra ekspedita, nga liqeni i Butrintit deri në liqenjtë e Lurës, nga liqeni i Prespës deri në detin Jon dhe Adriatik, si dhe në lumenjtë më të rëndësishëm, duke regjistruar dhe përpunuar ndërkohë mijëra referenca bibliografike dhe fotografike, që do të kishin qenë një ndihmë e madhe jo vetëm për Shqipërinë por edhe për të gjitha vendet ballkanike kufitare.

Sabihaja ishte gati të publikonte veprën e saj voluminoze “Peshqit e Shqipërisë”, por ja që fati i saj ndërthuret me atë të Rosalind Franlin, sepse vepra e saj nuk u publikua kurrë në emrin e autores së vërtetë, Sabiha Kasimati, por në emrin e një shkencëtari rus Anatoli Poliakov, dhe të dy studiuesve fillestarë Ndoc Filipi e Ndoc Rakaj.

Sabiha Kasimati, krenare për idealet e saj iluministe, zgjodhi të ndiqte një shembull perëndimor edhe në jetën e saj. Ajo nuk u martua kurrë dhe jetonte vetëm në një apartament në Tiranë, pasi kishte nevojë për hapësirat e saj.Në fakt ajo kishte shpesh vajtje-ardhje me shumë nga miqtë dhe mikeshat e saj intelektuale të kohës, që përbënte një mënyrë diskutimi dhe ballafaqimi mes personazhëve kryesorë të vendit. Sigurisht nuk ishin të zakonta gratë shqiptare që jetonin të vetme (dhe nuk janë as sot), pa rënë në sy në një vend me mentalitet të mbyllur dhe të prapambetur. Pra bëhej përsëri fjalë për një sfidë ndaj zakoneve dhe traditave të shoqërisë se atëhershme.

Ndërkohë në Shqipëri po instalohej diktatura komuniste e Enver Hoxhës, ish shoku i klasës, i cili siç dihet tashmë, eliminoi çdo zë kundërshtues në vend, duke eliminuar fizikisht cilindo të guxonte të vihej kundër regjimit të tij tashmë totalitar de facto. Pjesa më e madhe e intelektualëve që kishin studjuar në perëndim, u dënua me vdekje, por ajo që shqetësoi së tepërmi biologen qe dënimi me vdekje i profesorit të saj Salahudin Toto dhe internimi i shoqes së saj Musine Kokalari, shkrimtarja e parë shqiptare.

E njohur nga të gjithë për karakterin e saj të drejpërdrejtë dhe guximtar, ajo i kërkoi një takim Enverit, ku pasi e qortoi si përgjegjësin kryesor për vrasjet e intelektualëve, miqtë e tyre, duhet ti ketë thënë: “ Ti po vret të gjithë intelektualët! Me çfarë ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë me këpucarët dhe teneqexhinjtë?!”

Në vazhdim, duke mos përfillur rrezikun e sigurtë që i vërtitej tashmë, ajo vendosi të shkonte të takonte miqtë e saj të internuar në kampin e internimit në Jubë.

Disaprovimi i saj i qartë dhe disidenca, që nuk u mundua kurrë ta fshihte, ndaj regjimit të Hoxhës firmosën edhe eliminimin e saj të afërt.

Ishte viti 1951 kur një bombë ose më mirë pak dinamit shpërtheu në oborrin e ambasadës ruse në Tiranë, por nuk shkaktoi asnjë dëm, përvec thyerjes së disa xhamave. Regjimi, në bazë të planeve dhe listave të parapërgatitura më parë, urdhëroi arrestimin e rreth njëqind qytetarëve, të akuzuar për bashkëpunim në plasjen e bombës, prej të cilëve rreth njëzet duheshin pushkatuar që të shërbenin si shembull për këdo të guxonte akte të tilla revolucionare.

Në të vërtetë bëhej fjalë për një justifikim bindës për të eliminuar ata që mendohej të ishin të rrezikshëm për regjimin. Dhe ja që përfshihet edhe biologia Sabiha Kasimati, pranë emrit të saj qe vënë një kryq i kuq që nënkuptonte pushkatim, me akuzën se kishte marrë pjesë në akte terroriste dhe se ishte në shërbim të agjentaturave të huaja.

Ajo mohoi të gjitha akuzat që iu bënë gjatë hetuesisë, duke u përgjigjur: “ Jam kundër pushtetit popullor sepse nuk pajtohet me ideologjinë time. Nuk kam menduar asnjëherë se me anë të akteve revolucionare të mund të arrihej në socializëm. Unë kam studjuar biologji dhe si rrjedhim jam evolucioniste. Evolucioni është në naturën e gjërave. Dhuna nuk çon në socializëm dhe aq më pak në demokraci, por vetëm dhe direkt në shkatërrim!”

E veçanta e këtij rasti qëndron në faktin se 23 intelektualë u pushkatuan pa një proces të rregullt, i cili u mbajt në mungesë, dmth. pasi ishin eliminuar tashmë 23 persona.

Në natën e 26 shkurtit 1951, të lidhur me tela me gjemba, ata u pushkatuan një nga një diku pranë urës së Beshirit dhe trupat e tyre u hodhën të gjithë në një gropë të madhe të hapur disa ditë më parë. Sabiha Kasimati qe e vetmja grua e pushkatuar mes 22 burrave, dhe duke qenë pushkatuar e fundit, atë nuk e kapi plumbi direkt, por u mbyt me dhunë krah ulërimave të saj që tmerruan të gjithë banorët e zonave përreth, deri sa dha frymën e fundit.

Fundi i trishtuar i një gruaje që i kushtoi jetën dijes dhe shkencës, por tashmë është e braktisur në harresë…

Shqipëria ateiste: Si u shembën 2169 kisha e xhami …

Kur prekte çështjen e luftës kundër fesë në vitin 1967, vit kur u shkatërruan në masë gjithë kishat, xhamitë e teqetë në vend, bashkëshortja e diktatorit Enver Hoxhën, Nexhmije Hoxha, e distancoi burrin e saj nga kjo ngjarje. Më poshtë është një urdhër sekret i diktatorit, ku përgënjeshtrohet kjo. Raporti informativ jep me shifra dhe detajon gjithë aksionin për shkatërrimin e objekteve fetare në Shqipëri dhe luftën e hapur kundër besimeve fetare. Ky numër arrin gjithsej në 2169, nga të cilat 740 xhami, 608 kisha ortodokse e manastire, 157 katolike, 530 teqe, tyrbe, mekame etj.

Shqiptarja.com sjell të plotë urdhrin sekret të Enver Hoxhës me direktiva se si do t’i shfarosnin kishat dhe xhamitë dhe do t’i çrrënjosnin njëherë e mirë besimet fetare në Shqipëri. Se sa rezultat pati kjo fushatë e nisur pas urdhrit sekret të Hoxhës, rrëfen dokumenti i dërguar në Komitetin Qendror në muajin gusht 1967, një raport i hollësishëm me rezultatet e para të kësaj “lufte kundër fesë”.

***********

Komiteteve të Partisë së Rretheve

Duke marrë parasysh se kohët e fundit në shumë rrethe është intensifikuar lufta kundër fesë, paragjykimeve e zakoneve fetare dhe me qëllim që kjo luftë të bëhet sa më drejt, pa gabime dhe më me sukses, u pa e nevojshme të jepen orientimet e mëposhtme:

Feja është opiumi i popujve. Këtë të vërtetë të madhe duhet të bëjmë çmos që ta kuptojë çdo njeri, edhe ata (dhe këta nuk janë pak) që janë të helmatisur e që duhet t’i ç’helmatisim. Kjo nuk është një punë e lehtë, por as edhe e pamundur.

Këtë luftë të madhe nuk duhet t’ia lëmë spontanitetit e të kënaqemi duke thënë se brezat e rinj do ta braktisin këtë opium, ose se feja dhe praktikat e saj ruajnë qenien e tyre vetëm tek plakat dhe tek pleqtë. Kjo nuk është ekzakte, këto mund të humbasin virulencën e tyre, vetëm në rast se i luftojmë e i demaskojmë, kurse ringjallen, propagandohen e zgjerohen në rast se i nënvleftësojmë. Sigurisht feja ka të bëjë me botëkuptimet, me ndërgjegjen, por këto me shekuj, feja dhe klerikët jo vetëm i kanë kthyer në dogma filozofike, por për ta rrënjosur këtë dogmë animiste në ndërgjegjen e njerëzve, e kanë shoqëruar edhe me disiplina konkrete, me organizime të veçanta, e kanë lidhur me ngjarjet e jetës së njeriut. Çdo gjë feja është munduar ta lidhi me ndodhitë e jetës së njeriut dhe ka bërë që ky, çdo mendim, çdo veprim të tij ta lidhi me fenë, me besimin idealist, mistik etj.

Luftën tonë kundër fesë ne duhet ta drejtojmë qoftë kundër dogmës fetare vetë, kundër pikëpamjeve filozofike, idealiste e mistike të saj, ashtu edhe kundër disiplinave fetare, që kanë hyrë, deri në zakonet e përditshme të atyre që besojnë, bile edhe të atyre që nuk besojnë, por që i zbatojnë nganjëherë pa i ditur, pa bërë kujdes. Populli ynë, në përgjithësi, nuk është fetar në atë kuptimin që janë shumë popuj të tjerë. Kjo është e vërtetë por prapë se prapë edhe ai diçka beson. Klerikët, me përjashtim të atyre katolikë, aktualisht janë injorantë dhe fenë që predikojnë e mbështesin më shumë në ruajtjen e disiplinave fetare, me anën e një liturgjie arkaike, me psoma dhe duara ose lutje të mësuar përmendësh në rastin e hoxhallarëve, pa u kuptuar as brendinë, pa lerë interpretimin e tyre filozofik.

Ne nuk u kemi lënë asnjë shkollë, qoftë edhe të ulët, për të nxjerrë klerikë të rinj dhe për t’u dhënë këtyre një edukatë të rregullt dhe të interpretuar të doktrinës së tyre fetare..

Kështu që klerikët e çdo besimi kanë shteruar dhe do të shterojnë edhe ca më shumë si kuadro. Kurse për sa i përket shtypit të librave, të dogmave të tyre, kjo ka vdekur me kohë për ta.

Myslimanët as kanë, as mund të kenë, dhe as mund të këndojnë dot ndonjë kuran të vjetër, pse ay është në arabisht. Praktikisht pra ata “rrojnë” me disa bejte të kuranit që i mësojnë përmendësh, që nuk i kuptojnë dhe i transmetojnë gojarisht. Ortodoksët s’janë as më të pasur dhe as më të ngritur. Ata kanë vetëm avantazhin që ungjillin e kanë në shqip. Kurse katolikët dhe kleri sidomos është më i pasur në libra, më i ngritur vetë dhe atje ku mundin ata vazhdojnë të zhvillojnë fenë katolike si filozofi.

Pra, bazën materiale dhe propagandistike për shumëzimin e librave fetare e kemi zhdukur. Ne kemi zhdukur gjithashtu mundësinë e nxjerrjes së kuadrove. Tash është çështja t’u prishen kishat dhe xhamitë, të vetmet mjete kryesore ku klerikët grumbullojnë besimtarët për të mbajtur gjallë besimin, qoftë edhe në forma dekadente. Prishja e kishave, xhamive, teqeve e manastireve, natyrisht, paraqitet më e vështirë, për arsye se nuk duhet shkuar në kundërshtim të drejtpërdrejtë me atë pjesë të popullit që beson. Por mjaft prej tyre janë prishur, pa ngjallur asnjë reaksion, disa të tjerë janë prishur se kanë rënë, ka nga ato që janë kthyer në depo ose kanë mbetur pa hoxhë apo pa prift dhe praktikisht nuk funksionojnë. Në këto forma duhet të vazhdojmë ne për deri sa nuk funksionojnë. Në këto forma duhet të vazhdojmë ne përderisa ti rrafshojmë nga faqja e dheut tonë. Institucioneve fetare ne duhet t’u heqim, atje ku e kemi lënë diçka, të gjithë tokën, ndonjë ulli ose të ardhur tjetër që mund të kenë akoma kishat, xhamitë, etj.

Është interesante se në fshatin tonë nuk ka rezistencë për këto gjëra. Ky është si rezultat i punës ateiste që ka bërë dhe bën partia, por edhe nga mungesa e hoxhallarëve dhe e priftërinjve në fshatra, nga mungesa e librave fetarë. Në përgjithësi, në fshatra çështja e besimit në fenë, mbahet në zakonet e jetës, në interpretimin pragmatik të tyre, por që nuk është as për ta nënvleftësuar, as për ta neglizhuar, pse prapë na dëmton shumë në zhvillimin dhe përparimin e vëndit.

Për ti zhdukur praktikat fetare ne duhet ti luftojmë ato sidomos me frymën revolucionare dhe patriotike. Le të marrim çështjen e praktikave fetare myslimane. Gjatë 14 shekujve ato ruajnë karakterin e unitetit arab, të dominimit arab me anën e fesë dhe kurani është libri i këtij ligji. Çdo gjë tek ai predikon ruajtjen e kësaj ideje, propagandimin e saj, të pleksur natyrisht me dogma filozofike, idealiste, monoteiste, më racionale si të thuash se judaizmi ose kristianizmi.

Disiplinat fetare myslimane ruajnë të paprekur çështjen që, kur një person falet, qoftë ky arab, egjyptian, kinez ose shqiptar, duhet ta kthejë fytyrën nga Meka. Kjo do të thotë ruajtje e besimit të unitetit fetar, por edhe temporal. Për ta qendra për çdo gjë është Meka. Por, disiplina e fesë myslimane kërkon që çdo mysliman, i çdo kombësie që të jetë, duhet të falet në gjuhën arabe, kuranin ta mësojë dhe ta këndojë vetëm në arabisht.Myslimanët falen kudo njëlloj, numri i të falurave çdo ditë është njëlloj, marrja avdes është njëlloj. Njëlloj janë gjithashtu kudo deri në përcaktimin e datave të tyre agjërimi, festa e bajrameve, matemi, etj.

Ne duhet t’i thyejmë këto praktika dhe t’u tregojmë të gjithë atyre që besojnë, sa absurde është t’i ruash dhe të zbatosh gjëra të tilla që nuk kanë asnjë lidhje me jetën tonë, jo vetëm aktualisht, por edhe në të kaluarën. T’u shpjegojmë atyre origjinën e qëllimin e tyre, t’u vërtetojmë se si, nën petkun e perëndisë, fshihej ligji i imperialistëve otomanë, i pushtuesve turq dhe i shërbëtorëve të tyre. Asgjë pra s’na lidhte dhe as na lidh me fenë, me praktikat e saj, jo vetëm si ateistë, por edhe si patriotë shqiptarë. A mund të imagjinohet që shqiptari të vazhdojë t’u bindet ligjeve të të huajve, ligjeve të pushtuesve, qofshin këto ligje të veshura me petkun e fesë e të sheriatit? Të vazhdosh t’u bindesh këtyre ligjeve e zakoneve, do të thotë të jesh shpirtërisht me të huajt, me reaksionin më të zi të huaj. Nuk mundet nga një anë të mendosh dhe të veprosh drejt politikisht, kurse nga ana tjetër ideologjikisht të mendosh dhe të veprosh shtrembër.

Feja të bën të gabohesh rëndë politikisht dhe të frenon të ecësh përpara. Bota po përparon. Shqipëria po ndërton socializmin, kurse disa njerëz vazhdojnë akoma të besojnë ëndërrimet e një njeriu të shekullit të 6-të që kish botëkuptimet e tij mbi jetën, qëllimet e tij mbi popullin e vet dhe mbi popujt e tjerë. Ç’lidhje mund të kenë këto ëndërrime të Muhametit me realitetin tonë të shekullit të 20-të? Asnjë lidhje! Prandaj, përfundimisht dhe pa nishan, duhen këputur këto lidhje që të mbajnë të lidhura këmbë e duar dhe të poshtërojnë.

Këtë anë të shpjegimit historik të praktikave të fesë ne nuk duhet ta harrojmë, po ta përdorim dhe tok me të të ngjallim dhe të vëmë në luftë me këto praktika fetare patriotizmin e madh të masave. T’u shpjegojmë masave historikisht dhe materialisht ç’vuajtje, ç’mjerime, gjakderdhje e shtypje ka pësuar populli ynë, veçanërisht nga feja, se si ajo na përçante, vinte në luftë vëllanë kundër vëllait për të na shtypur më mirë, për të na robëruar më lehtë dhe për të na pirë gjakun në emrin e fesë.

E njëjta gjë duhet bërë kundër fesë ortodokse dhe asaj katolike, pse edhe ato kanë të njëjtin karakter, bile akoma më të theksuar reaksionar, shtypës, idealist, qoftë në zhvillimin e dogmës, në përmbajtjen e saj, qoftë në liturgjinë e ngarkuar, të rafinuar dhe pompoze, qoftë në praktikat dhe në disiplinat fetare. Kur feja myslimane sheh te Muhameti vetëm profetin, domethënë njeriun, të cilit “Zoti” nuk i transmetoi gjoja veçse urdhrat e tij, të cilët u përmblodhën në kuran, Krishti për fenë ortodokse dhe atë katolike është perëndia i bërë njeri, i zbritur mbi tokë etj., etj.

Kur në myslimanizëm xhamia konsiderohet si një vend i thjeshtë për mbledhje, kristianizmi i konsideron kishat frone të Zotit, ku manjifikohet perëndia dhe minimizohet qenia njerëzore, skllavërohet shpirti dhe shtypet ai dhe fiziku i tij nën një liturgji të tmerrshme e pompoze, nën një luks të shfrenuar të klerit dhe të katedraleve, nën një praktikë të tmerrshme të përditshme që i është qepur besimtarit, që kur lind dhe deri sa vdes. Besimtarit sa është gjallë, kisha jo vetëm i merr pasurinë nëpërmjet një mijë zakoneve grabitëse, praktikës frymëmbytëse dhe skllavërimit brutal ndaj asaj, klerit dhe fesë, por kisha, nëpërmjet një mijë teorive animiste, përpiqet të ruajë tek njerëzit edhe kultin, edhe praktikat “e shpirtit të të vdekurit” të katër deri gjashtë mijë vjet më parë, siç janë çuarja në varre e grurit, kuleçve e zahireve të ndryshme, të cilat, natyrisht, grumbullohen në mbrëmje nga priftërinjtë dhe ua shesin në mëngjes besimtarëve, u marrin kështu këtyre shpirtin, u rrjepin lëkurën. Feja kristiane duhet thënë se është më e egra, më reaksionarja.Por të gjithë derrat një fytyrë kanë.

Lufta kundër feve, veçanërisht në vendin tonë, ku nuk ka mundur të zhvillohet në forma filozofike të stërholluara, për arsye të mungesës së një baze klerikësh të zhvilluar e me kulturë, duhet të bëhet me këmbëngulje në zakonet, në traditat, në mënyrën e jetesës, në interpretimin e fenomeneve, pse nëpërmjet kësaj rruge klerikët kanë mundur për shekuj me radhë te fusin helmin e fesë dhe këtë helm ta përziejmë me gëzimet, me hidhërimet dhe me shfaqjet e përditshme të jetës së njeriut.

Neve pra na bie detyra që të studiojmë me imtësi, ku dhe qysh shfaqet ky helm, në ç’forma, ç’trajta ka marrë gjatë zhvillimit, ç’praktika zbatohen, si zbatohen e si kamuflohen ato. Këto ne duhet t’i analizojmë që kur lind i vogli, i cili pagëzohet, bëhet synet etj., që kur martohet njeriu, ngjarje kjo që lidhet me shumë zakone në të cilat ka depërtuar zakoni kishtar si krimbi brenda mollës së kuqe. Duke i njohur këto, këtej duhet të fillojë lufta e studiuar sistematike ideologjike, politike, organizative, pa pushim, pa pushim.

Duke i njohur këto, duke njohur terrenet konkrete ku zhvillohen, ne duhet të ndërtojmë leksione filozofike të bazuara, reale, jo tekste të rënda filozofike që as nuk shpjegojnë gjë dhe as që i kupton njeri. Çdo gjë, për këtë çështje sidomos, ne duhet t’ia përshtatim vendit, njerëzve, zakoneve dhe kapacitetit i intelektual të vendit tonë.Të mos kopjojmë gjëra që nuk i përshtaten realitetit tonë.Të mos anticipojmë në gjëra dhe në mendime që mund të mos jenë as të nevojshme për gjendjen tonë.

Lufta me fenë është mjaft e koklavitur, prandaj kush nuk armatoset mirë kundër saj, mund të mos ketë rezultatet që dëshirojmë. Ne i kemi të gjitha mundësitë dhe terreni ynë paraqitet i favorshëm që këtë luftë ta kryejmë me sukses. Një armë historike kundër fesë dhe klerikëve reaksionarë është edhe fakti se feja myslimane ka qenë ideologjia e pushtuesve turq, feja ortodokse ideologjia e shovinistëve grekë që pushtonin në kohët e kaluara vendin tonë dhe feja katolike me qendër Vatikanin ka qenë ideologjia e pushtuesve italianë, e imperializmit austriak dhe e fashizmit italian.

Ndjenjat patriotike të popullit tonë dhe lufta e tij për t’u çliruar nga zgjedha e të huajve, në mos drejtpërsëdrejti, gjatë shekujve është ndeshur edhe me ideologjinë fetare të pushtuesve dhe me ata klerikë reaksionarë të çdo besimi që u shërbenin atyre.Në këtë fakt historik ne nuk mund të mos shohim edhe një nga arsyet që populli ynë nuk është edhe aq fanatik e i lidhur me fetë, pse këto, në parim dhe në fakt, kanë qenë në kundërshtim me idenë e çlirimit kombëtar.

Gjatë historisë së popullit shqiptar ka pasur klerikë patriotë që edhe pa e mohuar haptazi besimin e tyre, kanë qenë të lidhur me popullin dhe me idenë e çlirimit kombëtar, por në asnjë kohë feja si fe nuk ka qenë tek ne një faktor, jo vetëm përparimtar, por as edhe të ketë dhënë ndihmën më të vogël në çlirimin kombëtar. Ky pra është një tjetër argument me baza historike që ne s’duhet ta lëmë pas dore në luftën tonë kundër fesë.

Duke pasur parasysh të gjitha çka thamë më lart, ne si komunistë dhe ateistë duhet të jemi edhe realistë. Me gjithë propagandën tonë të organizuar kundër fesë, riteve, dogmave, institucioneve fetare dhe klerikëve profesionistë, të kemi vazhdimisht parasysh që të mos futemi në luftë të hapët me njerëzit e popullit, sepse në popull do të ketë edhe njerëz të ndershëm, të lidhur me partinë dhe patriotë të flaktë që do të ruajnë në ndërgjegjen e tyre edhe për shumë kohë, mundet edhe deri sa të vdesin, besimet e tyre. Puna me ta do të jete një përpjekje bindjeje e vazhdueshme dhe me durim të madh, të cilën të mos e lejojmë të kthehet në ofenduese. Me këta njerëz partia duhet të sillet, si të thuash, si doktori i mirë që bën të gjitha përpjekjet për ta shëruar të sëmurin, për ta rikthyer këtë në gëzimet e jetës.

Besimet e kota fetare nuk do t’i gjejmë vetëm te klerikët. Këta janë ata njerëz profesionistë që i propagandojnë, që i ruajnë të gjalla, që bëjnë spekulime dhe mashtrime të poshtra, por ato ekzistojnë edhe në popull. Prandaj, pa a ngadalësuar për asnjë çast propagandën kundër fesë, të kemi kurdoherë parasysh se kemi të bëjmë me popullin. Veprimet e pamatura, ekzaltuese, duhet të evitohen.Çdo veprimi i duhet përgatitur me kujdes terreni politik.

Të zaptosh xhamitë dhe kishat me fushatë dhe me një urdhër, është punë e lehtë, por duhet menduar edhe për pasojat në popull.Pasojat e këqija evitohen duke përgatitur me kujdes popullin, që ai ta kuptojë këtë kotësi, ta zhdukë fenë nga zakonet e jetës, të braktisë me bindje praktikat e saj.Atëherë për të s’ka as rëndësinë më të vogël xhamia apo kisha, prifti ose hoxha.Kjo është një punë më e rëndë, por më e sigurt.Shumë kisha dhe xhami po braktisen dhe po rrënohen.Asnjë ndërtim të mos u bëhet. Disa mund të kthehen në vepra muze, në qoftë se janë të tilla, disa që do populli, të bëhen depo, të mos hezitohet të merren, e kështu me radhë, jo me dhunë, me bujë dhe pa marrë aprovimin e popullit, i cili duhet përgatitur shpirtërisht dhe politikisht.

Në këto situata revolucionare kemi marrë vesh se kryesia e klerit bektashian dhe ajo e klerit mysliman u kanë lëshuar një qarkore të gjithë hoxhallarëve e dervishëve të heqin çallmat e taçet, të heqin xhybet dhe të dorëzojnë teqetë e xhamitë.Këtu nuk ka asnjë shtytje, asnjë presion, qoftë edhe sugjerim nga ana e shtetit.Kjo është krejtësisht një iniciativë e tyre.A është kjo një iniciativë e mirë nga ana e tyre? Po të na kishin pyetur, ne nuk do t’i këshillonim ta bënin, por tash që e bënë, ne as nuk u themi ta tërheqin, por vetëm duhet të dihet dhe, kur e kërkon rasti të shpjegohet që kjo është iniciativë e vetë klerikëve.

Këtë çështje duhet ta kini kujdes se elementët armiq mund ta përdorin kundër pushtetit. Duke i njohur këta klerikë, ne mendojmë se për këtë zell që kanë treguar nuk janë shtyrë nga ndonjë qëllim i keq, pse ata janë të lidhur me popullin dhe me pushtetin. Gjesti i tyre, sido që i shpejtuar, prapë i shërben interesit të përgjithshëm. Ai është një gjest patriotik dhe i guximshëm nga ana e tyre, pse pavarësisht se do të vazhdojnë të besojnë në fe, ata thyen një traditë shekullore gjë që i nderon ata, pse në vetvete është një mendim dhe vendim përparimtar.

Por, do të ishte më politike që ata të kuptonin dhe të ndihmonin, duke ndjekur me kujdes taktikën dhe strategjinë e partisë, në luftën kundër feve. Do të ketë njerëz në popull që nuk do t’i aprovojnë veprimet e këtyre klerikëve. Ne nuk duhet të qëndrojmë sehirxhinj, por t’i mbrojmë në qëllimet e tyre të mira dhe shumica e popullit, e në radhë të parë të rinjtë dhe të rejat, do t’i aprovojnë. Kjo ka rëndësi të madhe. Por, nga ana tjetër, ka rëndësi që kjo çështje të mos bëhet një problem kapital dhe të diskutohet: duheshin prishur kishat dhe xhamitë, bënë mirë këta klerikë apo nuk bënë mirë? Çdo gjë për këtë duhet të kalohet dhe të bëhet pa bujë, me durim, me konsekuencë, në rrugën që ju shpjeguam më lart.

SEKRETARI I PARË I KOMITETIT QENDROR TË PARTISË SË PUNËS TË SHQIPËRISË

ENVER HOXHA

***************

Dokumenti i dytë. Raport informativ: Mbi Rezultatet e para të luftës kundër fesë dhe Disa masa për thellimin e mëtejshëm të saj (30. 08. 1967)

Pas Kongresit të 5-të të Partisë dhe sidomos pas fjalimit të shokut Enver të 6 shkurtit, në gjithë vendin po zhvillohet gjerësisht lufta kundër fesë, paragjykimeve e zakoneve fetare.

Kjo luftë zhvillohet në kuadrin e thellimit të mëtejshëm të revolucionit ideologjik, është luftë e thellë klasore midis dy botëkuptimeve, midis dy ideologjive, me objekt që të çrrënjosë botëkuptimin fetar si një nga bazat e fuqishme të ideologjisë reaksionare, për të edukuar masat me botëkuptimin materialist marksist-leninist. Lufta zhvillohet jo vetëm midis nesh dhe armiqve, por kryesisht në gjirin e popullit e të Partisë, dhe në një terren mjaft të ndjeshëm e delikat.

Ajo dallohet nga këto karakteristika kryesore: a) Zhvillohet në një front të gjerë në qytet e në fshat, në gjithë shtresat e popullit. b) Dallohet nga aksione goditëse direkte, jo vetëm kundër fesë si botëkuptim reaksionar, por dhe kundër bazave që kanë ruajtur dhe ushqyer fenë. c) Nga pjesëmarrja e gjerë e masave të popullit në këto aksione, nga diskutimi popullor mbi kotësinë dhe dëmin e besimeve fetare.

Pra lufta kundër fesë ka marrë të gjitha tiparet e një lëvizjeje të gjerë me karakter të theksuar ideologjik. Në këtë fushë në vendin tonë po kryhet një hop i madh revolucionar i paparë deri tani në historinë e vendeve socialiste.

Sigurisht ky hop i madh nuk është i rastit. Ai është rezultat i gjithë punës 25-vjeçare të Partisë.Qysh në fillim Partia edukoi anëtarët e vet dhe masat me frymën e ateizmit.Mbas çlirimit mori masa të rëndësishme. Ndarja e fesë nga shteti dhe nga shkolla, kufizimi i vazhdueshëm i institucioneve fetare, kufizimi e pastaj likuidimi i mundësive për përgatitjen e kuadrit fetar, duke mbyllur edhe institucionin përkatës, ndalimi i botimit të literaturës fetare etj.,përbën një faktor të rëndësishëm pozitiv për luftën kundër fesë. Por kryesore është puna e madhe e partisë për të përhapur arsimin e kulturën, për të zhdukur injorancën, për të përhapur njohuritë shkencore në të gjitha fushat dhe shumë masa të tjera me karakter ideologjik.Të gjitha këto përbëjnë një periudhë të tërë ndryshimesh sasiore të domosdoshme që po çojnë në ndryshime cilësore.

Ka rëndësi të veçantë fakti që Partia dhe KQ si kurdoherë gjykoi mirë gjendjen shpirtërore të masave, gjeti momentin e duhur për të hedhur parullën e luftës në front të gjerë dhe që jeta po e vërteton plotësisht të drejtë. Lidhur me këtë një ndihmë e madhe ishte dërgimi i letrës së shoku Enver të datës 27 shkurt, ku jepen orientime për zhvillimin sa më të drejtë, pa gabime dhe me sukses të luftës kundër fesë, paragjykimeve dhe zakoneve prapanike.

Me gjithë periudhën e shkurtër mund të bëhet një bilanc i rezultateve të para, të nxirren disa konkluzione e probleme se si e ku duhet të thellohet më tej kjo lëvizje.

1) Lufta në fillim u drejtua kundër bazave të vatrave fetare. Më parë për të marrë disa kisha e xhami kryesore, kurse pastaj masat e popullit shkuan më tej për t’i marrë të gjitha ato.Kjo iniciativë nga poshtë u mbështetu fuqimisht nga lart, nga komitetet dhe organizatat bazë të partisë dhe atyre të masave.

Në një kohë relativisht të shkurtër iu dha tronditja e parë vatrave të ideologjisë fetare. Me përjashtim të kishës së madhe të Tiranës dhe kishës katolike, në të gjithë vendin janë mbyllur të gjitha kishat, xhamitë, teqetë, tyrbet, vakëfet etj. Ky numër arrin gjithsej në 2169, nga të cilat 740 xhami, 608 kisha ortodokse e manastire, 157 katolike, 530 teqe, tyrbe, mekame etj.

Bashkë me institucionet fetare u mor në dorëzim pasuria e tyre. Me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor Nr. 4263 të vitit 1967 pasuritë e paluajtshme të komuniteteve fetare kaluan në pronë shtetërore, ose u janë dorëzuar kooperativave. Kishat, xhamitë etj., që ndodhen në qytete u kanë kaluar komiteteve ekzekutive, kurse ato në fshatra u kanë kaluar kooperativave bujqësore. Gjendja e arkave dhe llogarive rrjedhëse të të gjitha institucioneve fetare deri në fund të muajit mars të këtij viti ishte 1, 959.307 (lekë të reja).

Krahas kësaj ato posedonin edhe disa sasi bagëtish, vreshtash, ullinjsh, bahçesh etj.Kështu p.sh.vetëm 8 manastiret kishin 500 krerë bagëti të imta dhe të trasha, kryegjyshata posedonte 34 dynymë tokë që i kaloi NBSH-së “Gjergj Dimitrov” etj. Një pasuri tjetër e luajtshme dhe e paluajtshme vazhdonte të ishte në duart e tyre.Kjo arrinte në mbi 6 milionë (lekë të reja), nga të cilat 2,150,000 milionë i kishin teqetë bektashiane.(Në këto pasuri përfshihen ndërtesat e banimit me aksesorët, mullinjtë, dhjetëra dyqane e magazina të tyre, pajisjet e brendshme me shtretër të manastireve etj.).Shteti u lehtësua gjithashtu nga subvencioni që bënte çdo vit për pagesat e rrogave e të pensioneve të një pjese të mirë të klerikëve, shifër kjo që arrinte çdo vit në 300,000 lekë të reja.

Ky është një sukses i madh. Kjo qe goditja më e papritur për fenë.Rëndësi të madhe ka fakti që Partia edhe në këtë çështje ndoqi vijën e masave, duke siguruar në këtë lëvizje pjesëmarrjen masive të të gjithë popullit. Kjo ndikoi për zhdukjen e mjaft koncepteve të frikës e legjendave fetare të thurura në shekuj rreth “Çudirave” të vendeve të shenjta, “dënimit me vdekje” dhe “ngrirjes në vend” të njerëzve që tentojnë t’i prekin, se ato i ruan “zoti” etj., etj. Masat panë me sytë e tyre dhe mjaft besimtarë e shprehën hapur këtë, se gjithë ato legjenda rreth “vendeve të shenjta” ishin gënjeshtra të kota, dhe kjo shërbeu për edukimin e tyre. Por ky sukses me rëndësi nuk duhet aspak të krijojë mendimin se çdo gjë mori fund. Ne kemi përpara për të bërë një punë jashtëzakonisht të madhe, sepse siç theksoi shoku Enver në Kongresin e 5-të, lufta kundër ideologjisë fetare është luftë klase.

Me marrjen e institucioneve fetare kanë lindur edhe disa probleme.Pothuajse të gjitha ato, megjithëse po përdoren për qëllime ekonomike e kulturore ruajnë pamjen e parë. Kjo, përveç të tjerash, në heshtje u kujton besimtarëve kishën apo xhaminë, dhe ta konsiderojnë atë gjithmonë si vend të shenjtë, dhe te brezat që rriten ndikon keq psikologjikisht. Prandaj mendojmë se disa prej tyre që pengojnë planimetrinë e sotme e të ardhme të fshatrave apo të qyteteve të prishen, dhe ku ka mundësi të bëhen ndërtime të reja.Po kështu të prishen ato që janë në rrezik shembjeje, të vjetra, dhe që s’kanë asnjë vlerë historike dhe arkitektonike. Sipas mundësive të ndryshojë pamja e atyre që janë vënë në përdorim për nevoja të ndryshme, sidomos ato që përdoren e do të përdoren si kinema, shtëpi e vatra kulture, palestra etj. Nga rrethet propozohet me të drejtë që Ministria e Arsim-Kulturës (Instituti i Ruajtjes së Monumenteve të Kulturës) të rishikojë kriteret që ruajnë një numër të madh kishash e xhamish pa ndonjë vlerë historike.

2) Një rezultat tjetër shumë pozitiv është likuidimi i funksionit zyrtar të klerit profesionit dhe neutralizimi i klerikëve jo profesionistë. Nga të dhënat del se në rrethe kishte 912 klerikë profesionistë nga të cilët rreth 550 hoxhallarë dhe afro 400 priftërinj, dervishë, shehlerë etj. Numri më i madh i tyre ka qenë në ato rrethe ku edhe numri i institucioneve fetare ishte më i madh, veç këtyre një pjesë e kishave e xhamive ka qenë falur nga besimtarë që bënin pjesë në këshillat e kishave apo të xhamive, numri i të cilëve arrin në disa mijëra veta.

Sipas udhëzimeve të KQ të gjithëve u është siguruar punë, por një pjesë duke qenë të moshuar, pas mbylljes së institucioneve, rrinë pranë familjeve të tyre.Shumica punën e ka filluar në kooperativat bujqësore, sepse aty kishin edhe familjet, ndërsa një pjesë fare e vogël është vendosur nëpër ndërmarrje.Në këtë drejtim nuk ka ndonjë problem. Vetëm një çështje del për disa klerikë që përfitonin pensionin dhe që kanë vështirësi ekonomike. Me bllokimin e fondeve u ndalua edhe pensioni që ata merrnin.Kjo mund të shikohet konkretisht nga organet shtetërore duke gjetur një rrugë të arsyeshme zgjidhjeje.Ka rëndësi të shikohet cili qe qëndrimi i klerit.

Në gjithë këtë lëvizje të madhe të masave kundër fesë qëndrimi i klerikëve ka qenë i ndryshëm.Një pjesë e mirë e klerit tregoi edhe në këtë rast patriotizëm, lidhjet e tij të ngushta me Partinë.

Ata të nisur nga besimi që kanë te Partia, në përparimin e vendit, mbështetën e përkrahën iniciativat e kërkesat e masave.Një pjesë tjetër, megjithëse të pabindur për drejtësinë e domosdoshmërinë e mbylljes së institucioneve fetare nga populli, u pajtuan me të ose mbajti qëndrim të heshtur.Kurse disa të tjerë i rezistuan dhe vazhdojnë t’i rezistojnë lëvizjes së masave e mbajnë një qëndrim reaksionar ndaj saj. Në mjaft raste këta në bashkëpunim me elementë të tjerë armiq brenda vendit, janë munduar të na dëmtojnë me të gjitha mënyrat. Diku, duke përfituar edhe nga dobësitë e punës politike dhe ideologjike të disa organizatave të partisë, janë përpjekur të ngrenë besimtarët kundër zhvillimit të kësaj lëvizjeje me përmbajtje të thellë revolucionare.

Veprimtaria armiqësore është përpjekur që me anë të parullave dhe një seri veprimesh reaksionare të prekë pothuajse të gjitha sferat e politikës dhe të ideologjisë së partisë sonë.Ja disa nga drejtimet kryesore të kësaj veprimtarie. Elementi armik dhe klerik reaksionar, si gjithnjë, e drejton luftën e tij kundër Partisë dhe pushtetit popullor duke hedhur parulla nga më të ndryshmet si: “Këtë që bënë këta nuk e ka bërë as turku, greku, italiani e gjermani, kur na kanë okupuar” ose “Kur të vjen fundi vete përplasesh në derë të kishës ose xhamisë, kështu që edhe kjo që bëjnë këta tregon fundin e tyre” (Kolonjë); ose “Kjo qeveri nuk i ka punët mirë me prishjen e fesë” (Gramsh-Shkodër); “Këto janë vetëm fillimi ndërsa fundi i tyre do të çojë në zhdukjen e familjes” (Vlorë) etj., etj.

Ata përpiqen ta lidhin veprimin kundër fesë me kolektivizimin dhe shkurtimin e kopshteve personale e masat e tjera të Partisë për t’i penguar ato, duke thënë se: “Komunistët po i shkatërrojnë kishat e xhamitë, tokat na i morën dhe fenë na e hoqën” (Pukë) ose “Duke prishur teqetë e kopshtet këta i hapën punë vetes” (Tepelenë) etj.

Janë përpjekur gjithashtu, të krijojnë përshtypjen se në pushtetin popullor ka dallime fesh, krahinash etj.Kështu në rrethin e Lezhës ku është më i përhapur besimi katolik janë përhapur parulla se myslimanët përkrahen, dhe për këtë shfrytëzohet edhe ruajtja e xhamisë ku vazhdojnë kërkimet për varrin e Skënderbeut.Po kështu në Pogradec e Fier marrja më parë e kishave nga xhamitë ose ruajtja si monumente e disa institucioneve është komentuar si përkrahje e një besimi dhe luftimi më me ashpërsi i tjetrit.

Në disa rrethe armiku përpiqet ta paraqesë këtë lëvizje si kopjim kinez duke thënë se “Pse imitojnë botën, Kinën” (Fier), “Këta ndjekin rrugën e Kinës” (Shkodër), ose “hoxhallarëve e dervishëve iu hoq mjekra, se tani kanë hyrë në fe tjetër, në atë të Azisë, ata janë pa fe e nuk falen” (Gramsh).

Elementi armik përpiqet të dëmtojë duke shfrytëzuar veçanërisht fenomenet e fatkeqësitë e natyrës si tërmetin, shirat dhe përmbytjet, thatësirat etj. Kështu në Sarandë e Gjirokastër qarkullojnë parulla se “Tashti që u prishën kishat e u ndoqën priftërinjtë, fatkeqësi do kemi më shumë, do të përmbyset bota”.

Përveç parullave elementi dhe kleri reaksionar kanë bërë presione direkt mbi njerëzit e Partisë. Në Vokopolë të Beratit para se të merrej kisha u vendos një fletërrufe anonime ku shkruhej: “Prishja e kishës në Vokopolë ka tronditur gjithë fshatin, të mëdhenj e të vegjël. Ai që gris këtë fletërrufe do të përgjigjet”. Në Jergucat të Gjirokastrës sekretarit të organizatës bazë i vunë natën te dera e shtëpisë një letër në të cilën e mallkonin dhe e kërcënonin për prishjen e kishës.Në Shënavlash të Durrësit disa elementë vagabondë dhe me përbërje të keqe politike qëllojnë me gur të rinjtë e të rejat e shkollës “Naim Frashëri” që kishin shkuar për të përkrahur kërkesën e rinisë së fshatit për të marrë kishën etj.

Kundër këtyre parullave e veprimeve armiqësore kanë vepruar organizatat bazë të Partisë dhe nën drejtimin e tyre organizatat e masave, duke i demaskuar ato dhe sipas rastit ndaj elementëve të veçantë është mbajtur edhe qëndrim nga organet përkatëse. Megjithëkëtë, organizatat e Partisë dhe organizatat e masave nuk duhet të bien në qetësi e vetëkënaqësi.Ato duhet të rritin vigjilencën revolucionare ndaj veprimtarisë armiqësore, të organizojnë një punë të dendur politike e ideologjike për sqarimin e masave të popullit.

1988: Shqipëria, shteti më i çuditshëm i Europës


Nga Aurenc Bebja (Francë), Mars 2016.

Në periudhën time universitare në Francë, një koleg student, nga që e dinte se jam shqiptar, më tha që dispononte një revistë të vjetër franceze, e botuar para viteve 90, në të cilën flitej për Shqipërinë. Menjëherë u bëra kurioz dhe i thashë se jam i interesuar të lexoj se çfarë i tregohej asokohe lexuesit frankofon për Shqipërinë, e cila gjendej plotësisht e izoluar ndaj botës së jashtme.

Revista prestigjoze franceze “GEO Magazine », në numrin e saj të 118-të, të muajit dhjetor 1988, në kopertinën e saj shkruan : “Shqipëria, shteti më i çuditshëm i Europës – Albanie, le plus étrange pays d’Europe ». Reporteri Eduar Bajbi (Edouard Bailby) dhe fotografi Mishel Setbun (Michel Setboun) kanë patur mundësinë të vizitojnë Shqipërinë nga veriu në jug.

Artikulli trajton tema të ndryshme të realitetit shqiptar, si kontrollet në kufi, demagogjia dhe parrullat politike enveriste, bunkerët, feja, ritmi i një jetë të qetë si refuzim ndaj agjitacioneve të kohëve moderne, pamundësia e të huajve për të dialoguar me shoqërinë civile shqiptare, përdorimi i gjuhëve të huaja, uniformizimi i shoqërisë, mënyrat e transportit, Ilirët, Skënderbeu, etj.

Në vazhdim, rrëfimi i reporterit Bajbi në 1988, i cili e fillon shkrimin me titullin “Immobile Albanie – Shqipëria e palëvizshme (e shtangur)” :


image-fr
****

Papritur, pas një kthese, autobuzi ndalet pranë një ndërtese ku valvitet flamuri jugosllav.Na duhet të zbresim valixhet tona dhe t’i hapim të shtrira përtokë. Dy doganierët na shikonin me vëmendje. Që prej tensionit mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë i rritur për arsye të provincës së Kosovës, turistët e rrallë që kalojnë kufirin shikohen me mosbesim. Zyrtarët jugosllavë paralajmërojnë grupin tonë : “Kur të ktheheni, në qoftë se kaloni këtu, ne do të ju konfiskojmë çdo shkrim të botuar në Shqipëri”. Bëhej fjalë edhe për broshurat turistike dhe librat e artit.

Nuk është e thjeshtë të arrish në malësinë e Republikës popullore socialiste të Shqipërisë, e ndodhur mes Jugosllavisë dhe Greqisë.Vendet në avion janë pothuajse të rezervuara për diplomatët, biznesmenët, dhe të ftuarëve të qeverisë së Tiranës. Një linjë e vetme ajrore siguron fluturime nga Evropa perëndimore, dy herë në javë, mes Zyrikut dhe kryeqytetit shqiptar. Përsa i përket hekurudhës së vetme që lidh Shqipërinë me botën e jashtme, të inaguruar në 1986, as që bëhej fjalë t’a përdorje : ajo shërben për transportin e mineraleve dhe mallrave. Mundësia e vetme për të udhëtuar ngelet rruga. Dy poste kufijsh, në jug, për grekët ; dy të tjera, në veri dhe lindje, për evropianët e tjerë.

Pasi kaluam kontrollin doganor jugosllav, grupi ynë, i formuar prej 12 turistësh, drejtohet për në postin kufitar shqiptar, Hani i Hotit.Secili duhet të marrë valixhet e veta dhe të ecë 100 metra në këmbë, një sipërfaqe e cila nuk i përket askujt – no man’s land. Ushtarë me pushkë – mitraloz, ngrejnë barrierën. Na fusin në një ndërtesë të vogël. Gjatë kohës që guida jonë franceze jep dokumentat e vizës kollektive, neve na kërkojnë të hapim valixhet tona. Para se të nisesha nga Franca, pata marrë një dokument të agjensisë së udhëtimëve ku shkruhej : “Materialet e shtypura jashtë Shqipërisë nuk janë të autorizuara të hyjnë në vend. Veçanërisht, prospektet (traktet) mbi Jugosllavinë dhe revistat pornografike”. Një pensionist nga Metz-i (qytet në veri-lindje të Francës) i konfiskojnë një gazetë të përjavshme sportive.Një tjetër turist detyrohet të dorëzojë disa revista mode.

Udhëtari inkurajohet të relaksohet

“Ne do të ju kthejmë të gjitha këto pas kthimit tuaj”, shpjegon doganieri që na bën shenjë të kalojmë dhe të presim në një sallon. Pas një vitrine, disa vepra të Enver Hoxhës – drejtuesi i madh shqiptar vdekur në 1985 pas 40 vitesh pushteti absolut – dhe disa paketa cigaresh.Një gjysëm ore më vonë, ne hyjmë në një autobuz me ajër të kondicionuar d’Alb-turist, agjensisë zyrtare të turizmit. Fjalët e para të guidës (shoqëruesit) tonë, në frengjisht : “Mirësevini në vendin tonë. Mbi të gjitha, relaksohuni…”. Disa herë, gjatë ditëve të para, ai përsëriti : “Ju lutem, relaksohuni.”

Pothuajse para 20 vitesh, reporter për një gazetë të përjavshme franceze e botuar në masë, kisha arritur, pas disa negociatash të rëndësishme, të merrja një vizë individuale.Asokohe, pothuajse vetëm 12 gazetarë perëndimorë kishin arritur të hynin në Republikën popullore socialiste të Shqipërisë, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.Dhe turistët e rrallë ishin për pjesën më të madhe militantë partish politike. Kohët kanë ndryshuar : në qoftë se kuotat e turistëve fancezë (pothuajse 600 në vitin 1988) janë shumë pak në rritje, shoqata e Miqësisë franko-shqiptare nuk e mban më monopolin e udhëtimeve në regjimin më enigmatik socialist të Evropës.

“Shteti i shqiponjave” : ky është emri, në shqip, i këtij vendi pothuajse prej 29 000 km², ku dy të tretat janë zona malore, dhe një e treta fushë bregdetare. Gjatë rrugës buzë liqenit të Shkodrës (45 km i gjatë dhe 10 km i gjërë) është rrëmujë në hyrje dhe në dalje të fshatrave. Nuk ka automjete individuale (të ndaluara nga që përfaqësojnë “egoizmin borgjez”), por karroca të tërhequra nga demat, tufa me dele, lopë duke u shëtitur, fshatarë duke ecur apo punëtorë me biçikleta, dhe ndonjëherë disa autovetura. As traktorë nuk ka, por disa kamionë dhe Jeep-a që u përkasin organizmave zyrtarë. Këto automjete zigzagojnë përmes kafshëve dhe këmbësorëve që ecin në mes të rrugës ose anash saj.

Në fusha, gratë kosisin, presin, punojnë me bel, prashisin fermat e mëdha shtetërore sikur të punonin në një shumëllojshmëri kopshtesh (pronash) individuale. Të krijohet ndjenja e kthimit 50 vite mbrapa, kur plugimet dhe korrjet bëheshin me dorë. ”Më kujton fëmijërinë time” – shprehet një burrë i moshuar nga Burgonja (Bourgogne) i ulur afër meje. Në sytë e tij dallohej një nostalgji e papërcaktueshme…Gjatë rrugës, në hyrje të uzinave, në fasadat e ndërtesave, disa prej tyre të rrënuara, kishte parrulla : “Lavdi RPSSH (glorifikim për Republikën socialiste shqiptare)” ; “Përjetë me Enverin”. Ndonjëherë, një shkrim urdhëron qytetarët : “Merr librin, kazmën dhe pushkën tënde.” Shqipëria i përket një bote, e cila nuk është më ajo e evropianëve të fund-shekullit XX. I përket të shkuarës apo të ardhmes ? ”Japonezët nuk kanë përse të vijnë tek ne.” – thotë shoqëruesi ynë. “Ata vendosin teknologjinë mbi njeriun.”Ky mendimi ka lidhje me nacionalizmin të futur në mendje nga Enver Hoxha dhe vullneti i rezistencës ndaj përparim-zhvillimit të përjetuar nga e gjithë shoqëria perëndimore…

Të ndërtuara me mijëra, bunkerët individualë i gjen në të gjithë territorin shqiptar.I shohim buzë rrugëve, përrreth uzinave, në fushat e duhanit, grurit dhe misrit, në vreshta, në plazhe, në male, ku më i larti është Korabi (2 764 m).Ndonjëherë, bunkerët janë të rreshtuar njëri pranë tjetrit, ose të shpërndarë nëpër fshatra pas asnjë lloj logjike. Rojet që ndodhen brenda, a janë në gjendje t’u rezistojnë trupave ajrore ?Këta bunkerë betoni, në formë të rrumbullakët, janë diçka e pazakontë dhe mbresëlënës. Mos vallë janë rrënojat e një të kaluare të afërt ?Pashë në oborrin e një uzine disa bunkerë të rinj gati për t’u dërguar porositësve të tyre.Që prej ndërhyrjes së trupave sovietike në Ceko-Sllovaki, para 20 vitesh, shqiptarët qëndrojnë në gatishmëri lufte.Ata nuk kanë harruar.Ata e dinë, se në çdo moment, duke mos pasur asnjë lloj mundësie aleance, as me Jugosllavët, as me Sovietikët, as me kinezët e largët, mund të jenë viktimë e një konflikti në Europë.Ata i njohin fare thjeshtë virtytet e guximit. Në shkollë, vazhdojnë të mësojnë që vendin e çliruan vetëm në fundin e Luftës së Dytë Botërore…

Shkodra, qyteti më në veri të Shqipërisë, është vendi i parë që vizitojnë turistët perëndimorë.Eshtë një zonë e banuar me shumicë katolike, që mund të përbëjë 15 % të popullsisë totale.Mos pyesni ku ndodhet katedralja, një nga më të mëdhajat në Ballkan. Do ju përgjigjen : Ju pyesni për pallatin e sportit ? Ai është i hapur për vizitorët – publikun. Një parrullë vë në dukje virtytet e marksizëm-leninizmit.E pajisur me karrige – shkallë stadiumi, aty ftohen të luajnë ekipet e basketbollit dhe volejbollit.Vendi i peshkopit pret të ftuar prestigjozë, dhe sakristi (aneksi i katedrales) është transformuar në tualet.

Ekspozita ateiste irritonte vizitorët e huaj

Gjatë udhëtimit tim të parë në Shqipëri (1971), pata vizituar në Shkodër një “ekspozitë ateiste”. Pata parë një koleksion imazhesh fetare, krahun e një shenjtorje, dhe disa fotografi priftërinjsh të akuzuar për tradhëti dhe të dënuar me vdekje si arsye bashkëpunimi me pushtuesin nazist. U bë disa vite, që kjo ekspozitë është në ri-amenaxhim. “Në fakt, më treguan disa zyrtarë, ajo irritonte vizitorët e huaj”.

Kur qeveria e Enver Hoxhës mori iniciativën të zhdukë kultin e Zotit në 1967, ajo mbylli 156 kisha katolike, 608 kisha ortodokse dhe 740 xhami. Pati disa rezistentë më këmbëngulës nga ana e katolikëve dhe myslimanëve.Për disa muaj, vendet e kultit (fesë) u transformuan në salla teatri, kafene, shtëpi kulture, ose u braktisën.Deri më sot, çdo praktikë fetare është e ndëshkuar me dënim me burg.Biblën nuk e gjen askund, përveç se në Bibliotekën kombëtare. Megjithatë, autoritetet vazhdojnë restaurimin e monumenteve më prestigjoze : në Berat, qytet historik, disa punëtorë rinovojnë kishën ortodokse të Fjetjes së Hyjlindëses, e ndodhur brenda kështjellës. Ikonat e piktorit Onufri, ku ngjyra e kuqe e tyre është legjendare, ekspozohen aty. Në hyrje, disa rreshta të Enver Hoxhës kujtojnë që ”këta vepra i përkasin trashëgimisë kombëtare shqiptare”, pavarësisht arsyeve të frymëzimit të tyre…Në Korçë, në juglindje të vendit, ku liceu francez kishte dikur mësues Enver Hoxhën, 6 000 ikona destinuar artit mesjetar janë duke u restauruar.

Xhamia e pushtuar nga dy dyqane

Shqipëria mundohet të rikonstituojë të shkuarën e saj. Katolikë, myslimanë, ortodoksë dhe hebrenj kanë bashkëjetuar, mirë dhe keq, gjatë kohërave të ndryshme. Më shumë se pesë shekuj pushtim turk i kanë siguruar fesë islame një vend të rëndësishëm. Sa ishin që lexonin Kuranin çdo ditë para regjimit aktual ?Mes 50 e 70 % e popullsisë. Xhamia kryesore e Tiranës, në sheshin qëndror, është e mbyllur ; ajo e Beratit, pranë hotelit të madh, është pushtuar nga dy dyqane.

Përgjegjësit (drejtuesit) shqiptarë janë shumë të mbyllur për praktikat e tyre fetare familjare.Sidoqoftë, moda e sotme është t’u vësh fëmijëve emra ilirë, edhe në familjet tradicionale myslimane. Për cilën arsye ?Para ardhjes së grekëve, në shekullin e VII para erës sonë, Iliria ishte një perandori e madhe ku kufijtë e saj shtriheshin deri në brigjet e Danubit.Shqipëria, në kufijtë e sotëm të saj, ishte zemra e kësaj perandorie.Flitej që atëherë një gjuhë indo-evropiane. Tre shekuj më vonë, kur romakët filluan të zgjeronin territoret e tyre, duke krijuar rrugën kryesore të komunikimit mes Romës dhe Bizantit, via Egnatia, tre perandorë me origjinë iliriane – Aurel-i, Diokleciani, dhe Konstandini – drejtuan vendin që shtrihej atëherë deri në mesdheun lindor.

Sot, në gjuhën shqipe, kanë mbetur vetëm 8 % e fjalëve me origjinë latine, por shqiptarët konfirmojnë që kjo periudhë e historisë u ka trashëguar atyre me shumë elementë se pushtimi osman. Zyrtarët shqiptarë, gjatë bisedave me vizitorët, nuk reshtin të përsërisin këtë fakt, ndoshta për të dëshmuar vullnetin e tyre për t’u integruar në Evropë.Në të gjithë Shqipërinë, janë rrënojat (gërmadhat) greko – iliriane që turistët ftohen të vizitojnë.Më të shquarat, janë ato të Butrintit, të cilat gjenden disa kilometra afër kufirit grek.Qyteza, e ndërtuar gjatë shekullit të VI-të para erës sonë, ngrihet buzë një lagune. Eshtë për tu admiruar tempulli i Asklepit, teatri, dhe fortesa turke…Më lart, në rrethanat e Fierit, rrënojat e Apollonisë, themeluar në fillim të shekullit të VI-të para erës sonë nga kolonët grekë, u krijojnë mundësinë vizitorëve të shohin një stom të mrekullueshëm, një teatër dhe një kullë mbështetëse, tempullin e Apollonit dhe disa shtëpi të dekoruare në mozaik…

Eshtë ora një e natës. Në Tiranë, në dhomën e hotelit, ndërtesë 15 katëshe e ndërtuar në vitet 80 dhe “grataçela” e vetme e kryeqytetit, dalloj një burrë që fshin sheshin qendror (Sheshin Skënderbe), me metodë, pa u ndalur. Ndonjëherë, një kalimtar i vonë kalon xhaden me hapa të ngadaltë.Asnjë veturë, asnjë zhurmë.Pastruesi fshin edhe një herë gjurmat e këpucëve. Po ashtu, në brigjet e detit Adriatik, në Durrës, kam patur gjithashtu ndjenjën e përjetimit të një filmi të viteve 30. Në mbrëmje, kur dielli fillon të zhduket në horizont, qindra shëtitës ecin mbi rërë me një ritëm të qetë.Në qytete, në fshatra, nuk kam parë njeri të ngutë hapat.Bota duket sikur rrotullohet me ngadalësi. ”Relaksohuni”, përsëriste guida jonë. Në fakt, ne kishim ndjenjën sikur të ishim katapultuar në orbitën e një kohe të harruar. Në vitin 1971, në zemër të Tiranës, dëgjoja vetëm zhurmën e gjinkallave.S’kishte semaforë, disa Jeep-a zyrtarësh, dhe busti i Stalinit përballë atij të Leninit në bulevardin e Heronjve.

Që nga ajo kohë, sheshi qëndror i Tiranës është zbukuruar me një shatrivan të ndriçuar dhe disa ndërtesa moderne. Dhe dy semaforë janë instaluar në kryeqytet. Muzetë, të amenaxhuar shumë mirë, tregojnë historinë kombëtare…Në lulishtet e shumta publike, stolat presin qetësisht familjet dhe të dashuruarit.Kudo është e njëjta qetësi, sikur Shqipëria refuzon agjitacionin e kohëve moderne. Në një kodër mbi Tiranë, dy ushtarë ruajnë gjatë gjithë kohës varrin e Enver Hoxhës. Asgjë madhështore, përveç bukurisë së peisazhit…

Gjatë gjithë qëndrimit tim në Shqipëri, u mundova me të gjitha mënyrat të flas me qytetarët në lulishtet publike apo kafenetë e Tiranës, Durrësit, Beratit, Krujës, Sarandës apo Gjirokastrës (qyteti i lindjes së shkrimtarit Ismaïl Kadaré, i bërë i famshëm për librin e tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”). Nuk arrita, ishte e pamundur.

Të rinjtë duan të mësojnë italishten

Shqiptarët komunikojnë shumë pak dhe me vështirësi me të huajt. Frika, indiferenca apo mosnjohja e gjuhëve ? Viktima të pushtimit italian gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, brezi i vjetër flet akoma italishten. Por edhe të rinjtë po fillojnë të studiojnë këtë gjuhë. A mos vallë është radioja italiane, të cilën e kapin lehtë në radiot e tyre, që i tërheq drejt botës së jashtme ? Gjithsesi, gjuha frënge është një gjuhë e privilegjuar, sidomos tek klasa drejtuese, dhe anglishtja po fillon të zë një vend sa më shumë të rëndësishëm në arsim…

Ka pasur 12 000 turista gjatë këtij viti në Shqipëri.Të gjithë kanë ardhur me grupe, nga 12 apo 15 persona minimumi. Asnjeri nuk lejohet të lëvizë lirshëm dhe vetëm…Guidat e Alb-turist preferojnë të flasin për shoqërinë shqiptare, origjinën dhe gjeografinë e saj, influencën bujqësore, minierat apo luftërat heroike për pavarësinë, në vend se të angazhohen në çështje që e kanë të vështirë t’u përgjigjen.

Çmimet nuk janë rritur që prej 1944

Disa fakte mjaftojnë për të treguar që Republika popullore socialiste e Shqipërisë është e veçantë në llojin e saj. Kështu, çmimet nuk janë rritur që prej 1944 !Madje, kohët e fundit, çmimi i një kilogrami sheqer ka kaluar nga 10 në 8 lek. Përsa i përket rrogave, egzistojnë dy lloje : minimumi 500 lek në muaj, dhe maksimumi 1 000 lek. S’ka lluks, s’ka të privilegjuar dhe as nomenklaturë si në Bashkimin Sovjetik. Toka (prona) i përket shtetit, dhe pothuajse të gjitha banesat. Pajisjet shtëpiake kushtojnë shtrenjt dhe janë të ralla : 3 000 lek për një lavatriçe, 4 500 për një televizor. Ndërsa biçikletat, i vetmi mjet udhëtimi individual i pranuar zyrtarisht, kushtojnë rreth 750 lek secila.Nuk ka shumë kohë që edhe disa motoçikleta të huaja janë në treg. “Nuk është një shkelje e regjimit marksist-leninist sipas të cilit prona private duhet dëbuar nga shoqëria ?” Para kësaj pyetje, bashkëbiseduesi im është i paqartë : ”Blerësit janë diplomatë ose inxhinierë që kanë punuar jashtë shtetit. Kanë bëre disa kursime para se të ktheheshin”.

Eshtë e vështirë të dallosh në rrugë një punëtor nga një funksionar, një katundar nga një ministër, një fshatar nga një qytetar, madje edhe një ushtar nga një oficer. Tek të gjithë thjeshtësia është rigorozitet…

Biçikletat, mbretëreshat e vogla të Shqipërisë

Biçikletat ishin ende të rralla para 20 viteve, madje edhe në Tiranë.Ato importoheshin nga Kina popullore, shtet me të cilin Shqipëria kishte asokohe marrdhënie të mira.Sot, shohim mijëra të tilla që përbëjnë mjetin kryesor për të lëvizur.Atobuzat nuk janë të shumtë…Përsa i përket rrjetit hekurudhor, para vitit 1945 nuk egzistonte.Linja prej 37 km që lidh Tiranën me portin e Durrësit është e mbingarkuar gjatë stinës verore.

Durrësi ka një plazh me rërë të hollë, gjashtë hotele, ndër të cilët Hotel Adriatikun, i ndodhur buzë detit dhe i hapur për të huajt. Dushet funksionojnë vetëm dy a tri herë në ditë, gjatë një gjysëm ore dhe gatimet nuk janë më të mirat e vendit. Kamarierët shërbejnë birrë dhe ujë mineral, ndonjëherë edhe raki, pija tradicionale.Në katin e parë të hotelit ka një dyqan të thjeshtë që ofron prodhime artizanale, si për shembull disa qilima me ngjyrë të kuqe, qeramikë dhe cigare.

Në Berat, ku gjendet plantacioni më i madh i fiqve në të gjithë Europën, turistët kërkojnë me entuziazëm kavanozët me reçel që shiten me një çmim të vogël. Kudo gjenden cigare dhe verë e kuqe, dy prodhime kombëtarë me një cilësi të mirë. Në përgjithësi, dyqanet nuk furnizohen dhe aq sa nevojitet. Shqiptarët thonë : ”Ne jetojmë thjeshtësisht – por, shtojnë – Tek ne, asnjeri nuk jeton mjerisht. Ne kemi të hamë dhe të vishemi”.Nuk pashë asnjë lodër fëmijësh, qoftë plastike apo druri. Në shëtitoren e Sarandës, bregut detit, djem dhe vajza lozin me disa rrathë të vegjël të fabrikuar në mënyrë artizanale. : një tel hekuri në forme rrote et dhe një tjetër që shërben si shkop. Ecën (rrotullohet), dhe nuk bën zhurmë…

Ruajtja e kulturës dhe rezistenca ndaj pushtuesit

Të nënshtruar gjatë shekujve ndaj pushtimeve të njëpasnjëshme të grekëve, romakëve, sllavëve, osmanëve, italianëve dhe gjermanëve, shqiptarët janë strehuar në zonat e tyre malore për të ruajtur kulturën e tyre dhe për t’i rezistuar pushtuesit.Heroi më i madh kombëtar mbetet Gjergj Kastrioti Skënderbeu.I lindur në fillim të shekullit të XV-të në një fshat të pushtuar nga ushtria osmane, ai u dërgua në Stamboll ku realizoj studimet. Më vonë, si pjesë e ushtrisë turke në Nish, në vitin 1443 dezertoj turqit për t’u larguar drejt Shqipërisë me një batalion prej 300 ushtarësh me origjinë shqiptare dhe orgazinoj sa më shpejt rezistencën. Pasi mori Krujën, një vend i mrekullueshëm në veri të Tiranës, ai mblodhi rreth tij me mijëra luftëtarë dhe formoj një ushtri e cila i shkaktoj gjatë 25 viteve disfatë pas disfate Osmanëve, duke i mundësuar Shqipërisë, për herën e parë në histori, të jetë totalisht e pavarur. Një muze i mrekullueshëm në kështjellën e Krujës kujton jetën e tij…Skënderbeu vdiq i pamposhtur në 1468.Pas vdekjes, pasardhësit e tij humbën lirinë ndaj turqve. Shqiptarëve pritën deri me 28 nëntor 1912 që të valvitet përsëri flamuri i tyre kombëtar…

Spaç 11 prill 1985, kur diktatori nuk merrte më frymë

Nga Bedri Blloshmi.
Kjo humnerë është rrethuar nga të gjitha anët me kodra të larta e të rrjepura. Kjo gropë me reliev të thyer në fund të dy maleve, që qëndrojnë ballë për ballë, kanë të përbashkët dheun e djegur në ngjyrë të kuqerremtë. Shkuret e mbira luftojnë më natyrën për të mbijetuar në këto pllaja të djegura. Përpiqen të ngulin rrenjët e tyre të dobta në tokën e zhuritur. Në të dyja anët e përroit, i cili zhurmon nga uji i përzier me acidin e ngjyrat e kripura që dalin nga barku i nëntokës. Me siguri udhtari kur kalon këtyre anëve thot me vete: “Ky vend qenka i mallkuar! As zogjtë e malit nuk mund të jetojnë në të mendo pastaj për njeriun!”
Kjo sipërfaqe, që për asgjë s’vlen, kjo pamje e një krateri vullkani, kjo gropë gjigande, vetëm një mëndje djallëzore mund ta fut në punë. Kur bie biseda se si është gjetur kjo shkretëtirë, tregojnë se Sigurimi famëkeq i Shtetit e ka zbuluar me anë të fluturimeve me avion dhe e konsideroi të përkryer për të sjellë sklevërit e komunizmit barbar. Kjo gropë e egër dhe e djegur qëndronte e fshehur nga çdo sy. Ditën e 11 prillit kampi u gdhi me polici të përforcuar.
spaci2016
Shëtisnim me kokë ulur si mizat. Altoporlanti rënkonte nga zhurma e muzikës funebër. Punoja në zonën 2 të këtij ferri, në galerinë 20. Ishim turni i parë dhe e gjithë kodra e djegur u mbush me policë dhe shumë fytyra të panjohura të cilët na thërrisnin të dilnim nga galeria dhe të rreshtoheshim përpara kohe për t’u futur në kamp.
Te pikat ushtarake, jashtë rrethimit, dukej flamuri në gjysmë shtizë. Diçka kishte ndodhur. Kur na futën në vendbanim, në barakat buzë përroit, policëve të regjimit të brendshëm u dukeshin sytë të skuqur nga të qarat. Përpiqeshin të fshinin sytë me kurrizin e dorës.
U kuptua qartë se gjithë ky shqetësim dhe përforcim i oficerëve ia kishte frikën të burgosurve politikë të cilët mund ta shfrytëzonim këtë rast humbjeje për ata dhe rast gëzimi për ne. Ditën e 12 prillit u ngritëm shumë të gëzuar se morëm vesh që diktatori nuk merrte me frymë.
Atë natë e gdhiva i shtrirë në shtrat me kokën të mbuluar me batanije. Nuk vura gjumë në sy nga gëzimi. Gjatë gjithë natës, si brenda në kapanonin e fjetjes ashtu dhe jashtë tij, policia nuk ndali asnjë sekondë varavingot dhe ecejaket.
Në orën 5 shkuam në mensë, mora gotën e qumështit, e piva në këmbë me fjalët: “Gëzuar o shokë!” Dola nga mensa dhe i lashë porosi një shoku të na bënte një tenxhere me hallvë. Ishim tek kafazi në pritje të policëve për t’u nisur te galeritë vdekje-prurëse.
Më kujtohet si tani: qëndronim mbi urë me dy miqtë e mi, Agim Hamiti nga Dukati i Vlorës dhe Et’hem Ibrahimi po nga Vlora. Po bisedonim dhe po llogaritnim kohën se kur do liroheshim. Shefi i policisë, Josif Sadiku erdhi dhe më pyeti se kush ishte Et’hem Ibrahimi. E mori atë më vete dhe kaloi nga pjesa tjetër e kampit, ku rrinin ordinerët dhe u duk përsëri. Thirri emrin tim:
-Bedri Blloshmi?
-Këtu jam, i thashë.
-Hajde pas meje! – bërtiti.
U afrova.
-Të shoh shumë të gëzuar. Pse je kaq i qeshur? Ke ndonjë martesë apo fejesë nga shtëpia? Sot, kur e gjithë bota qan e mban zi për vdekjen e shokut Enver mban zi, ti qesh? Hajde shkojmë matanë të sqarohemi.
Na rrahën për vdekje. Na futën në birucë ku gjatë një muaji policët na rrihnin pa pushim. Për këtë ditë po botoj proces-verbalin se kush më raportoi dhe vendimet që u morën ndaj meje për këtë rast.
Më arrestuan dhe më dërguan në degën e Rrëshenit, ku më mbajtën për një kohë të gjatë. Më kthyen përsëri në Spaç dhe më thanë se nuk do dënohesh përsëri, sepse ishin të sigurt që unë do të flisja përsëri dhe kështu do ruanin rastin për të m’i dhënë të dyja dënimet bashkë. Aty më nxorën përpara kolektivit të të dënuarve dhe disa të dënuar kërkuan dënimin tim me pushkatim ose me varje në mes të kampit.
Dhe e gjitha kjo vetëm se u gëzova për vdekjen e diktatorit.

Urdhrat me shkrim dore të Enverit për pushkatime dhe ekzekutime

firma-e-h

Nga Dashnor Kaloçi.

Në fillimin e viteve ’90-të, por edhe më pas, kur filluan të dilnin nga arkivat e shtetit shqiptar dokumentet e para që hidhnin dritë mbi krimet e regjimit komunist, mjaft njerëz, fanatikë të atij regjimi apo jo, me ose pa dije, ndërmjet të tjerash shpreheshin: “Enveri nuk ka firmosur dënime me vdekje…”, “Enveri ka qenë Sekretar i Parë i PPSH-së, dënimet i jepnin gjykatat…”, “Enveri nuk ka lënë gjurmë….”, “Epo luftë ishte aherë, nuk kishte gjykata…”, “Enveri del i larë…”, etj., etj.

Por koha dhe hapja e arkivave tregoi e vërtetoi më së miri të kundërtën e atyre thënieve që cituam më lart…! Enveri jo vetëm që ka firmosur dënime me vdekje, por i ka bërë ato krejt në mënyrë flagrante, duke dalë mbi gjykatat dhe ligjet në fuqi të asaj kohe. Dhe këto dënime me vdekje, ai i ka nënshkruar jo vetëm në periudhën e luftës, (gjëra që tashmë janë të njohura prej vitesh për publikun e gjerë), por ai e ka vazhduar atë gjë, deri vonë në vitet ’50-të.

Ky fakt, veç të tjerash konfirmohet edhe nga këto dokumente arkivore që po botojmë më poshtë në këtë shkrim, (me faksimilet përkatëse), të cilat bëhen publike për herë të parë. Siç shihet edhe nga dokumentet në fjalë, ish-ministri i Punëve të Brendshme, Mehmet Shehu, në praktikën rutinë të punës së tij, i dërgon shkresat zyrtare në kabinetin e Sekretarit të Përgjithshëm të PPSH-së, Enver Hoxhës, ku njofton vendimet e Gjykatës Speciale (të krijuar pranë asaj ministrie), Gjykatës së Lartë, apo gjykatave të rretheve, mbi personat që janë dënuar me vdekje prej tyre, për faje politike apo ordinere.

Dhe mbi këto shkresa me vendime gjykatash, Enveri ka shënuar me dorën e shkrimin e tij: “Të pushkatohen”, “Të ekzekutohet”, “Jam dakord me vendimin e gjykatës”.

Po kështu, ka nënshkruar edhe vetë ministri i Brendshëm, Mehmet Shehu. Dhe vetëm në dy raste, Enver Hoxha ka shkruar: “Mendoj t’i falet jeta” apo “Ta shohë edhe njëherë presidiumi”.

Pra, siç shihet, Enveri dhe Mehmeti kanë qenë mbi gjykatat dhe mbi Presidiumin e Kuvendit Popullor të asaj kohe, organ i vetëm i cili kishte tagrin që të aprovonte apo jo dënimet me vdekje. Dhe si “për të qenë në rregull” me vijën e Partisë, në të gjitha dokumentet në fjalë, shefi i kabinetit të Enver Hoxhës, Haxhi Kroj, ka shënuar: “U njoftua dhe shoku Gogo Nushi”, i cili asokohe mbante detyrën e sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, që mbulonte organet e diktaturës së proletariatit.

Një gjë tjetër mjaft e rëndë që shihet nga këto dokumente është fakti se në disa prej tyre, Haxhi Kroj ka shkruar: “Sipas porosisë së shokut Mehmet, të ruhet vetëm në arkiv, pasi veprimet janë kryer”. Gjë e cila do të thotë se personat ishin ekzekutuar përpara se ato shkresa të mbërrinin në kabinetin e Enverit.

Disa nga këto dokumente po i botojmë të plota në këtë shkrim, duke u munduar që të japim sadopak një ide apo panoramë se si ka funksionuar ai regjim ndër vite.



LETRA E SHEFIT TË KABINETIT TË ENVERIT PËR GOGO NUSHIN
Shoku Gogo Mbrëmë shoku Komandant më porositi t’ju njoftoj sa më poshtë: Të dënohen me vdekje: 1. Martin Kol Ndreu nga katundi Mëhill i Pukës, sepse për hakmarrje personale, së bashku me vëllanë e tij, Gjelosh Ndreu, kanë vrarë plakun 70-vjeçar Kol Nikën nga katundi Kaçinar i rrethit të Shkodrës. 2. Avdulla Sheme Zoto nga katundi Milec i rrethit të Kolonjës dhe Tahir Mehmet Kalo nga katundi Milec i Kolonjës, sepse të dy të fundit kanë rënë në lidhje me diversantët të ardhur nga Greqia, janë rekrutuar prej tyre, kanë ngritur grupe në Milec, Lubonjë, e Korçë dhe i kanë drejtuar vetë. Ata kanë dhënë informata me shkrim me karakter politik, ushtarak, dhe ekonomik, janë shpërblyer me flori dhe janë pajisur me armë nga diversantët dhe prisnin t’u vinte edhe një radio transmetuese. Sipas udhëzimeve të diversantëve, kanë menduar të vrasin njerëz të Partisë e të pushtetit dhe ishin gati që po të diktoheshin, të arratiseshin.

Me porosi të Sekretarit të Përgjithshëm të P.P.SH.

(Haxhi Kroi) Tiranë më 10.4.1953

***************
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË V.F.L.P.

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME, DREJTORIA E POLICISË POPULLORE “DEGA E HETUESISË”

Oh.___ T.S. Tiranë më 27.4.1953.
SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË P.P.SHQIPËRISË SHOKUT (ENVER HOXHA)
Gjykata e Lartë me vendimin e saj nr.275 datë 3.3.1953 ligjëroi vendimin me vdekje (ekzekutim në litar) Nr. 101. Datë 20/2/1953 të Gjykatës Popullore të rrethit të Tiranës, të dhënë për të pandehurin: Beqir Mancakun, i biri i Mustafait dhe i Gjylqanes, D.L. 1912, lindur dhe banues në Tiranë, me profesion nëpunës pranë N.I.SH. Liqerna, me arsim fillor, me origjinë shtresë e mesme qytetare, pa parti, pa dekorata, i martuar me tre fëmijë me shtetësi dhe kombësi shqiptar, i besimit mysliman, shërbimin ushtarak e ka kryer, i padënuar, porse ka qenë i arratisur në vjetin 1944 për krime të kryera gjatë luftës NÇL dhe i dorëzuar në vjetin 1949 si mbas amnistisë së Presidiumit të Kuvendit Popullor. I sipër shënuari u dënua me vdekje (ekzekutim në litar) për këto arsye: Se duke qenë si peshues i N.I.SH., Liqerna, kur fshatarët dorëzonin ullinjtë shtetit, i pandehuri u shënonte në listat e dorëzimit sasira më të mëdha ullinjsh se sa në realitet ata dorëzonin, duke u shlyer pa të drejtë atyre detyrimin e ullinjve ndaj shtetit dhe së fundi ata në bazë të listave të dorëzimit të ullinjve, tërhiqnin të hollat, të cilat i përvetësonin dhe i ndanin së bashku, si kundër është rasti i fshatarëve Sefer Qershori, Hasan Arrës, Zyber Arrës dhe Ramiz Picalli, të cilët janë dënuar bashkë me këtë nga 7 deri në 13 vjet. Sasia e ullinjve të përvetësuar prej të pandehurit Beqir janë 106 Kv. Që vlerësohen në 656.800 lekë. Nga këto, shumë janë përvetësuar vetëm prej të pandehurit lekë 442.000 ndërsa pjesa tjetër është e përvetësuar prej tij dhe të pandehurve të tjerë. Krimi i kryer prej të lartëpërmendurit rëndon ekonominë shtetërore, përveç kësaj dhe e kaluara e tij si i arratisur që ka qëndruar për 5 vjet tregon se është armik i betuar i Pushtetit Popullor dhe i rrezikshëm për shoqërinë, prandaj për këto arsye i dënuari me vdekje Beqir Mancaku të ekzekutohet me litar konform vendimit të Gjykatës.

MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME GJENERAL-LEITNANT (Mehmet Shehu)

******************

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE V.F. L.P.

MINISTRIA E P. BRENDSHME Tiranë TIRANE

Landa: SEKRETARIT TE PERGJITHSHEM I P.P. SHQIPERISE SHOKUT ENVER HOXHA TIRANE
Ju njoftojmë se Gjykata e Nalt me vendim Nr. 4 datë 29.I. 1953 ligjëroi vendimin e Gjykatës Ushtarake të Shkodrës nr. 271 datë 26.12.952 të Vesel Koçi Camaj, i biri i Koçit dhe i Lulës, vjeç 21 i lindun dhe banues në katundin Vuksan-Lekaj të Podgoricës – Jugoslalvi, me profesion bujk dhe gjysëm mekanik, i martuar me një fëmijë, autodidakt, fshatar i mesëm, pa parti, i dënuar në Jugosllavi me 30 muaj burg, arrestuar më datën 30.6.952, dënuar më vdekje me pushkatim se: I pandehuri në vitin 1949 dërgohet në vendin tonë nga UDB-ja nën maskën e emigrantin politik dhe si i tillë, ai ka mbledh informata me karakter ushtarak, politik etj., dhe mandej takohet me xhaxhanë e tij agjent i UDB -së, i dërguar dhe ky nën maskën e emigrantit dhe që të dy së bashku bisedojnë rreth punës armiqësore dhe vendosin të arratisen në Jugosllavi, mbasi simbas mendimit të tyre, e kishin kryer misionin e ngarkuar nga UDBja. Me ndërmjetësinë e Marie Kolës, banuese në Tiranë, takohen me një person të panjohur nga Fieri dhe mbasi armatosen me një revolver prej tij, arratisen në Jugosllavi. I pandehuri mbasi arrin në Jugosllavi, takohet me një agjent të UDB-së dhe mbasi i jep informatat e mbledhura, flet edhe para një mikrofoni, duke çpifur kundra Republikës Popullore të Shqipërisë, ashtu siç e mësonin padronët e tij titistë, çpifje të cilat botohen edhe në gazetën titiste “Pobjeda”. Veprimtaria e të pandehurit nuk mbaron me kaq, si gjatë kohës që qëndron në Jugosllavi ngarkohet nga UDB-ja me detyrë që të vëzhgonte lëvizjet e patriotëve jugosllavë dhe t’ia raportonte asaj, detyrë të cilën e kreu. Mbasi kryen të gjitha këto detyra, dërgohet përsëri në Shqipëri për qëllime spiunazhi dhe udhëzohet nga UDB-ja që të paraqitet sikur iku nga Jugosllavia, gjoja për t’i shpëtuar persekutimit të saj. Por nuk mundi që t’ia arrijë dot qëllimit, mbasi porsa hyri në tokën tonë, u arrestua nga organet e Sigurimit të Shtetit. I pandehuri besnik deri në fund ndaj UDB-së, duke qenë i mbyllur në burg, u thotë të burgosurve se s’kanë ça më bëjnë pa fakte, do të më lirojnë, ose do të më shpien në kamp, por sido që të bëhet, përsëri do të iki dhe në fakt prish dorezën e burgut, shpërthen tavanin dhe ikën nga burgu, por përsëri kapet. Për fajin e kryer dhe rrezikshmërinë e theksueme shoqërore jemi të mendimit që të ekzekutohet konform vendimit të gjykatës.

MINISTRI I P. MBRENDESHME GJENERAL-LEITNANT MEHMET SHEHU
Dakord me propozimin. Enver (firma) U njoftue dhe shoku Gogo Nushi. Më 12.3.1953

**********************

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE V.F.L. P. MINISTRIA E P. TE BRENDSHME
Drejtoria e Sig. të Shtetit Nr……….. Të Res.

SEKRETARIT TE PERGJITHSHEM TE P.P. SHQIPERISE SHOKUT ENVER HOXHA TIRANE
Gjykata Speciale e Ministrisë së P. të Brendshme me vendimin e saj nr… dt. 2.2.1953, dënoi me vdekje me pushkatim: Gani Posa, i biri i Ibrahimit dhe i Nazes, lindur në katundin Gërmenj të Durrësit më 1928, fshatar i varfër, polic popullor me shërbim në Degën e P. Brendshme të Tiranës, shtetësi dhe kombësi shqiptare. I dënuar se: Duke qenë i ngarkuar me ruajtjen e disa diversantëve, bie në marrëveshje me njërin prej tyre, rekrutohet prej tij dhe në mbrëmjen e datës 28 tetor 1952, të dy bashkë, duke qenë i armatosur, dalin nga Dega e Punëve të Brendshme të Tiranës dhe arratisen duke tentuar të kalojnë në Jugosllavi, por të ndjekur nga forcat tona, në datën 2.XI.1952. Diversanti vritet, ndërsa ky kapet i gjallë. Për tradhtinë që bëri, jemi të mendimit të ekzekutohet sipas vendimit të gjykatës.

Të ekzekutohet, Enver (firma)

U njoftua shoku Gogo Nushi

MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME GJENERAL-LEITNAT MEHMET SHEHU

**********************

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE V.F. L. P. MINISTRIA E P. TE BRENDSHME

Tiranë më 1953 Nr…. Prot.

SEKRETARIT TE PERGJITHSHEM TE P.P. SHQIPERISE SHOKUT ENVER HOXHA TIRANE

Ju njoftojmë se Gjykata e Lartë me vendimin e saj nr. 3 datë V.I.1953 ligjëroi vendimin me vdekje nr. 166, datë 13.12.1952 të dhënë nga Gjykata Popullore e rrethit Berat për të pandehurit:

Jasin Myrto, i biri i Sulejmanit dhe i Anifes, vjeç 22, punëtor, lindur në katundin Sqepur të Çamërisë (Greqi) dhe banues në Berat, me arsim dy klasë fillore, i martuar me një fëmijë, i dënuar me dy muaj burgim për dëshmi të rreme, pa parti, origjina shoqërore fshatar i mesëm, shtetas grek, i rreshtuar më datën 11 korrik 1952.
Mehmet Madhi, i biri i Nexhipit dhe i Sherifes, vjeç 29, bujk, lindur në Drashovicë dhe banues në Berat, pa arsim, pa parti, i padënuar, ka kryer shërbimin ushtarak, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, i pamartuar, shtetas shqiptar, i arrestuar më datën 11 korrik 1952.
Mersin Toska, i biri i Asllanit dhe i Hysnies, vjeç 38, lindur në katundin Luardhe banues në Berat, rojtar, me arsim fillor, i dënuar si armik i popullit, pa parti, origjina shoqërore fshatar i mesëm, i martuar, me dy fëmijë, shtetas shqiptar, i arrestuar më datën 6.X.1952. Të lartpërmendurit u dënuan me vdekje për këto arsye: Duke filluar nga viti 1946 deri në vitin 1951, në formë grupi të organizuar dhe të armatosur kanë kryer vjedhje bereqeti, bagëti, stofna, beze të holla e tjera në rrethin e Beratit, sidomos në dëm të katundarëve të Orizaj, Vetërnik, Lapardha, Morav, Dëshnik, depo të grumbullimit shtetënor, fabrika shtetënore, fabrika mielli me ujë të ftohët dhe në Perondi, Bashk. Koop. Treg. Berat, Koopetartivë Sh.Blerje. Perondi, Ndërmarrja Asfaltimi Rruga e të tjera. Kanë mbajtur armë pa leje, kanë ushtruar tregtinë e arit dhe Jasin Myrto ka shpuar me thikë Hajdar Kilen, kur këtij i kanë vjedhur dyqanin. Dëmi që i kanë shkaktuar sektorit shtetëror me vjedhjet e sipërme është 500.019 lekë, sektori kooperativist 451.250 lekë, dmth., pasuri socialiste gjithsej 1.017.269 lekë, përveç sektorit privat që edhe këto vjedhje arrijnë në shumë të konsiderueshme. Megjithëse vjedhjet e mësipërme kanë dëmtuar rëndë pasurinë socialiste dhe private, por duke marrë parasysh se Jasin Myrto dhe Mehmet Madhi janë të rinj nga mosha, i pari 27 vjet dhe i dyti 29 vjeç, jemi të mendimit që t’u falet jeta, ndërsa të ekzekutohet konform vendimit të gjykatës vetëm Mersin Toska.
MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME GJENERAL-LEITNAT MEHMET SHEHU
Të ekzekutohen të tre – M.Sh (firma e Mehmet Shehut). Sipas porosisë së shokut Mehmet, të ruhen vetëm në arkiv, pasi veprimet janë kryer. 2.2.1953.

Bardha Gjon Markagjoni: Një jetë në burg, internim dhe persekutim

b.markagjoni03
b.markagjoni03
Nga Fatbardha Saraçi Mulleti.
Bardha Gjon Markagjoni u lind në vitin 1925, në Mirditë, në familjen fisnike dhe te nderuar, të prijësit të Mirditës, Gjon Markagjonit.
Vazhdoi shkollën e murgeshave në Shkodër, mandej kolegjin në Itali. Në vitin 1943, erdhi për pushime pranë familjes. U mbyllën kufijtë, pas luftës mbeti në Shqipëri, duke i mbetur studimet përgjysëm. Ardhja dhe vendosja e diktatures komuniste në Shqipëri, do të ndryshonte jo vetëm jetën e kësaj familjeje, por edhe të të gjithë femrave, domethënë kasta e kuqe u muar me persekutimin e tyre, me gra e fëmijë, kështu ndodhi dhe me Bardhën, që sapo fillonte te njëzet pranverat e jetës së saj.
Në moshën 20 vjeçare e internuan. E mbajten në shtëpinë e Guljem Dedës  (e kishin bërë burg), mandej e internuan në Berat, ku i jepnin për ushqim vetem një copë buke. E derguan me punë të detyruar tek ullishtat e Beratit dhe në fermën e Kuçovës. Si shperblim për punën i jepnin vetem bukë. E persekutuan Bardhën dhe të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjës, se djemtë ishin me rezistencën kundër komunizmit.
b.markagjoni02
b.markagjoni02
Bardhën e mbajten te internuar katër vjet në Berat, po këtu e arrestuan pa fletë arrestimi. Te burgosurën e mbajtën pesë  (5) muaj të lidhur nga këmbët, që të mos kishte mundësinë te takohej me të burgosur të tjerë. E kanë futur në një gropë, pa dritë, mandej në një dhomë të madhe, vetëm. . . Torturohej vajza e re nga xhelatët e kuqë, ajo qendronte, po zemra e saj vuante, se shihte si po i torturonin te arrestuarit e grupit Sami Qeribashi. Çdo natë ato i rrihnin pa nderprerje dhe britmat e dhembjeve të tyre i dëgjonte vajza e re. . .
Me sytë e saj pa se si i arrestonin njerëzit pa fletë arrestimi, të dënuarit i torturonin dhe në trupin e tyre përdornin lloj-lloj torturash dhe në fund i pushkatonin dhe i groposnin në gropa të përbashkëta.
Në ditën që doli nga burgu, takoi gjyshën e saj Davën nëntëdhjetë vjeçare, e cila vdiq në interrnim.
E varrosi vajza e re gjyshën.
Ja si e tregon ajo: – E hapëm gropën unë dhe gruaja e vëllaut tem, Mrika, që i kishte fillue paraliza. E varrosen nanën e nderueme të Gjon Markagjonit. . . Gjyshës Davë i humbi varri.
Në vitin 1949, e derguan në kampin e Tepelenës. Jetonin në kapanonë, deri në 200  (dyqindë) njerëz, pa dallim gjinie. Era e murlanit bënte që i ftohti të hynte deri në palcë. Të gjitha gratë e vajzat, ndër to edhe Bardha, transportonin drutë në shpinë, kurrizi i tyre bëhej dyfish nga ngarkesa e rëndë dhe zbritnin malin e Turanit.
Ulnin në fushë ngarkesat me drurë, për furnizimin e Degës së Punëve të Brëndshme, të furrës dhe të familjeve te oficerëve.  (Ndërsa në kapanonet e të interrnuarve ndalohej ngrohja).
Çdo ditë i ngjitëshin malit përpjetë, mandej zbrisnin të ngarkuara.
Bardha tregon:
“Me qindra njerëz vdiqen nga uria, në veçanti me dhjetra fëmijë ndërruan jetë, sepse ra epidemia e dizanterisë. . .
Mbas këtyre vdekjeve u detyruan të vënin kazanin për ushqim, që ishte vetëm lëng, lëng. . . Kaluan vitet në interrnim, me punë të rëndë dhe me dhimbjen që provonte kur shihte nënën e saj, Mrika, gruaja e Gjon Markagjonit, nëna e dhjetë fëmijëve që vuante fizikisht dhe shpirtërisht, që iu vranë djemtë në rezistencën antikomuniste, ndersa vajzat, mbesat dhe nipi gjashtëvjeçar, po rriteshin në interrnim dhe i mungonin gjërat më elementare, apo dhimbjen e zemrës se nënës për djalin e saj Dedën, që në moshë të re provoi vetem burgje e kampe pune.”
Bardha provoi shumë kampe të punës se detyruar. Mbas pesë  (5) vitesh në Tepelenë që çdo ditë ishte me te papritura, në vitin 1953 vazhdoi interrnimin në Saver, punë në bujqësi, apeli dy herë në ditë.
Në çdo transferim, transportonin në vig, të paralizuaren, gruan e të vëllait, Markut, që mbeti kështu për tre dekada.
Bardha Markagjoni 40 vjeçare – 1965 – martesa me Z. Gjergj Bici
Në vitin 1965, tashmë 40  (dyzetë) vjeçare martohet me zotin Gjergj Bici  (që kishte bërë 20  (njëzetë) vjet burg politik. U vendosen në Milot, kishin të drejtë te lëviznin në rrethet: Lushnjë, Fier e Krujë. Dhjetë vjetë martesë, fëmijë nuk pat.
Në vitin 1975, i arrestuan te dy  (burrë e grua), i dënuan për agjitacion e propagandë. Deshmitarë në gjyq i dolen një burrë dhe një grua qe nuk i kishin parë asnjëherë në jetën e tyre. Tashmë, Bardha Markagjoni u bë 50  (pesëdhjetë) vjeçe. Në këtë moshë provoi persëri torturat dhe çiftin e dënuan me nga dhjetë vjetë burg secilin. Bardha tregon: – Me kanë mbajtur 11  (njëmbdhjetë) muajë te izolume, atë periudhë e kam kaluar e veshur me një fund e një bluzë  (si në stinën e verës, ashtu edhe në dimër). Ushqimi ishte supë lakrash, gjella e vetme e kazanit. Mbasi me dënuan, me derguan në burgun Kosovë të Elbasanit, ndërsa burrin në kampin e Ballshit në Fier. Punë vetem në fermë, në bujqësi. Jetonim 75  (shtatëdhjetë e pesë) të burgosura në një kapanon. . .
Në vitin 1982, e liruan nga burgu  (e kapi falja), ia ulen dënimin.
Në vitin 1986, e interrnuan në Fishtë – Zadrime te rrethit të Lezhës. Bëri persëri 8  (tetë) vite interrnim. . . Bardha tregon: – Në vitin 1985, me erdhi bashkëshorti i em, Gjergji, mbasi i bani dhjetë vitet e burgut të dytë, njeriu i mirë, i vuajtjeve te pafund, por në vitin 1986 me vdiq. Nga burgu erdhi i sëmurë, me kancer në mushkëri. Mbeta e vetme persëri, vazhdonte jeta ime në internim. Pjesëtarët e tjerë të familjes nuk i kisha pranë. Ata ishin të burgosur e të interrnuar në vende të tjera.
Në vitin 1991, sapo filluan proçeset demokratike Bardha shkoi në Shkodër, u fut në shtëpinë e prindërve, me vështirësi u sistemua në një dhomë. Atëherë filloi një erë e re, ajo e bashkimit.
1992: Era e bashkimit
Mbas periudhës së persekutimit, që nga janari i vitit 1945 deri në vitin 1991, dmth pas 46  (dyzetë e gjashtë) vjetësh  (ose në shkodranishten e bukur katërdhjetë e gjashtë) u grumbulluan pjesëtarët e familjes që kishin mbetur gjallë. Por zemra e saj u trondit shumë kur ndërroi jetë nipi i saj i dashur, ai – Gjoni – 6  (gjashtë) vjeçari i tyre që lëshoi shtat e u rrit interrnimeve.
Bardha Markagjoni, vajza e re që u plak interrnimeve e burgjeve te komunizmit, që lufta e klasës i vazhdoi gjatë gjithë jetës së saj, mbet shembull në vuajtje e dhimbje. Jeta e saj është një monument i gjallë, i forcës, i ndershmërisë, i rezistencës, mbijetesës, krenarisë, që dhuroi shumë dashuri e bujari, mbetet shembull i përkryer i mbijetesës. Kjo figurë e femrës së përkushtuar u shqua në dhimbje por edhe në rezistencë. Bardha, sot tetëdhjetë vjeçare, jeton me të motrën Martën nëntëdhjetë vjeçare, me vëllain Dedën shtatëdhjetë e tetë vjeç. Mbetën te nderuar, te respektuar. Kur bisedon me ta zemra e shpirti të gjejnë qetësi, kur mëson se si përballuan dallgët e forta të sundimit komunist. Ata sot nuk kanë nevojë për ne, por njerëzit të mësojnë dhe të mos harrojnë kalvarin nëpër të cilin kaluan të persekutuarit politikë, në Shqipërinë diktatoriale socialiste e komuniste.
Ky shkrim është shkruar më 2005, ndërsa Bardha (Bici) Markagjoni vdiq në Shkodër në shtëpinë e saj më 19 Mars 2013.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...