Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/09/21

EKZISTENCIALIZMI ME TONE SURREALE NË PROZËN E PALUSHIT


Nga (Hamdi) Erjon Muça
(Romanet “Shtrati 13”, “Këpucët e Kaltrinës” dhe “Njeriu që kujdesej për varrin e vet”)
Romani “Shtrati 13”, ndofta mund të mos e gjejë veten lirshëm tek lexuesi i masës, por që është po aq i fuqishëm dhe i domosdoshëm për letërsinë, aqsa janë pak romane të tjera, jo vetëm në hapësirën shqipfolëse.
Me autorin Petrit Palushi ka disa vite që njihem; vetëm si autor, se si njeri këtë verë e njoha. Me të u njoha fillimisht me romanin “Njeriu që kujdesj për varrin e vet” (2007) dhe më pas,  me një ritëm të shfrenuar lexova romanet “Shtrati 13” (2016) dhe “Këpucët e Kaltrinës” (2013). Me anë të këtyre tre librave dua të bëj një zbërthim të udhëgjetjes së këtij autori; e di që nuk mjaftojnë këta libra, sepse për të pasur  një tablo më të plotë do të duhej të kisha lexuar edhe romanet “Përroi i Andrës”, “Tri motra në një qytet” dhe “Artemisa e Mëkatit”. E megjithatë besoj se mund t’ia dal edhe kështu, ngaqë si kronologji pune jam thuajse në rregull;  librat që unë kam në dorë i përkasin, njëri fillesave të krijimtarisë letrare të Petrit Palushit dhe dy të tjerët janë punët e fundit me të cilat ai është marrë.
14269376_882581371873768_1805703153_n
1-Romani “Njeriu që kujdesej për varrin e vet”
14269376_882581371873768_1805703153_n
Romani “Njeriu që kujdesej për varrin e vet” ka një subjekt mjaft delikat dhe të “turbullt”; nëse nuk e merr librin me gjakftohtësi, bie pre e bindjes se subjekti është ngulitur mjaft thellë tek vdekja. Po nuk është kështu. Subjekti flet për jetën, merret me të, dhe me anë të vdekjes paraqet të gjitha trysnitë psikologjike, konceptet mbytëse dhe fobitë njerëzore që ia kushtëzojnë jetën atij. Vdekja na paraqitet vetëm si skenografi e këtij spektakli, por në skenë luhet drama e jetës. Ashtu si tek Portreti i Dorian Greit, ku autori ka nevojë për një tabllo fiktive që të na paraqesë portretin real njerëzor,  ashtu edhe tek ky roman vihemi përballë vdekjes për të vlerësuar më tepër jetën. Petrit Palushi sillet me lexuesin, si prestigjatori me publikun e tij, ai e huton atë, me lëvizjet e shpejta të dorës së djathtë, për t’i fshehur punën që po kryen e majta.
Romani është vendosur në një hapësirë të përcaktuar, por në një kohë që mund të ketë qenë, mund të jetë tani, ose do të vijë në të ardhmen; pra kufirin kohor e ka tejkaluar. Kurse atë hapësinor jo, pasi në të gjenden tradita, bestytnitë, dhe zakonet e shqiptarëve, që ndonëse në treva të ndryshme, veset i kanë të njëjta…
Romani, në përgjithësi është shkruar me një frymë të ndjeshme ekzistencialiste. Madje duke lexuar disa punime që janë shkruar për librat e Petrit Palushit, kuptoj, se ai thelbin e ekzistencializmit e ka të lindur dhe e gjen natyrshëm, pasi në ato punë asnjë nga shkruesit nuk ka vënë në plan të parë jetën, por vdekjen. Falë mjeshtrisë së tij, “kritikët” kanë rënë pre e skenografisë dhe jo të skenarit. Këtë frymë të dhunshme ekzistencialiste e vëren tek përdorimi mjaft i goditur që Petrit Palushi i bën bestytnive:Dheu i vorrit të Egzonit kish lëvizë…
Ose me anë të fjalive të shkurtra:
A po sheh me dritën e syve?
Fërkoi sytë me duar…
Apo me terrin e dritës?!
Fërkoi prap sytë me duar…
Nuk pa gjë…
Ka edhe plot fraza të tjera që shprehin me pak fjalë trysninë e rëndë psikologjike, me të cilën përballet lexuesi në këtë libër: – Për të mirë mbas këndej! Zoti të ruajt mendtë e kresë!
Po ka një pikë në këtë roman që trysnia bëhet edhe më shtypëse. Merita e autorit është tek përzgjedhja e emrit të personazhit, Egzon Drini, që të mund ta përdorë në shërbim të subjektit.
– Unë i lidh shumë gjëra edhe me emrin dhe mbiemrin, – vijoi ai.
Shpati po e shihte si  me dyshim.
– Ja, për shembull Egzoni, – foli prap Luli,- Egzon Drini.
Shpati po ia ngulte sytë gjithnjë e më tepër.
– Pra  Egzon Drini. E gzon Drini…
Kur thashë se i kemi veset e njëjta, përpos krahinës nga e cila vijmë, pikërisht për këtë e kisha fjalën; mua më digjen mustaqet dhe ti kërkon të ndezësh cigaren. Egzoni vdiq dhe njerëzit kërkojnë medoemos një arsye irracionale, për një akt  racional siç është vdekja…
Përpos të gjithë kësaj që thashë që është një vlerë e pamohueshme dhe e patundshme e këtij romani, ai ka edhe disa grisje të lehta në subjekt; të paktën mua kështu më  janë dukur ato luhatje të stilit në disa vende. Mund t’i kisha marrë edhe për një lloj eksperimenti ato luhatje, si bie fjala eksperimentimin që ka bërë Umberto Eco, te libri “L’isola del giorno prima” (Ishulli i një dite më parë), por nuk e gjeta të njëjtë. Në librin e vet, Eco e nis eksperimentimin dhe nuk i ndahet atij deri në fund të librit, duke e bërë librin gati të papërballueshëm; lexuesi shtypet shumë e më shumë në çdo fjali. Kurse Petrit Palushi duket që e bën padashur dhe mundohet t’i largohet menjëherë. Nga ai ekzistencializmi i thekshëm që ve përballë surrealizmin me realitetin në mënyrën më alkimike të mundshme, tek ky libër, Petrit Palushi bie pre, herë pas here, e një neoromantizmi nopran. Nuk i vë faj. Askush nuk është perfekt. Edhe pse Petrit Palushi, në kohën e socrealizmit shkretues nuk botoi asnjë rresht në prozë. Duhej të vinte viti 2004 që ai të botonte romanin e parë “Përroi i Andrrës”.
Ndokujt mund të mos i vijë mirë ekspliciteti im. Madje edhe mund të thotë: Sa kërkues që je? Pse nuk shkruan vetë në vartësi të kërkesave që ke për të tjerët?
E drejtë! Unë nuk do shkruaj kurrë as si Petrit Palushi dhe as si askush tjetër që merret me këtë zhanër letrar. Mua më pëlqen të rrëfej thjeshtë dhe të dëfrehem. Kjo lloj letërsie, së cilës Petrit Palushi i përket, më pëlqen, ia ndjej forcën, dhunshmërinë psikologjike, përplasjen e madhe të racionales me irracionalen që duhet të ketë autori brenda vetes,  por e ndjej se nuk do më jepte dëfrim nëse do t’i vihesha për t’a shkruar. E unë kur shkruaj dëfrehem. Do shkruaj deri ditën që do më japë kënaqësi personale.
Pra në përmbyllje për romanin “Njeriu që kujdesej për varrin e vet”.
Përpos lodhjes së madhe, që mendoj se ky roman ka ushtruar në shpirtin e autorit Petrit Palushi
(Mos kujtoni se po vë notë apo po jap ndonjë vlerësim despotik, janë thjeshtë ndjesitë e mia),  ia ka arritur qëllimit të vet; ta vendosë njeriun përballë dilemave të veta jetësore dhe të na e sjellë ashtu siç është realisht, një qenie të brishtë dhe frikacake. Plot me defekte dhe aspak ashtu siç njeriu kërkon me forcë të tregohet… Surrealizmi këtë funksion ka; me anë të vizionit të vet të ndërlikuar, thjeshtëzon këndvështrimin tonë për realitetin. Nuk e quaj aspak humbje kohe, nocioni që m’u desh të merresha me këtë libër. Përkundrazi qe një eksperiencë mjaft frytëdhënëse për mua. E unë, në jetën time të shkurtër, libra që më kanë vjedhur kohën time të pakët, kam lexuar mjaftueshëm, aq sa kur i shoh në bibliotekë them: humbje kohe, një, dy, tre, katër…. Ka nga ata libra që pseudokritikët dhe pseudoanalistët i kanë cilësuar si libra që po bëjnë revolucion në letërsinë shqipe…
Libri i dytë që lexova nga shkrimtari Petrit Palushi është romani “Shtrati i 13”, por tani nuk do shkruaj për atë; unë po bëj sikur kam lexuar më parë romanin “Këpucët e Kaltrinës”, ndërsa ju bëni sikur nuk e dini që këtë roman e kam lexuar pas romanit “Shtrati i 13″…
13442281_833017630163476_7680040491210796582_n
2. Romani “Këpucët e Kaltrinës”
13442281_833017630163476_7680040491210796582_n
Kohë-hapsirë tek romani ” Këpucët e Klatrinës” nuk është tejkaluar, ai zhvillohet në kohë ekzakte dhe në hapësirë të pashpërngulshme. Që në fillim e kupton se ky roman është pjesë e ekzistencës personale të autorit. Janë disa lloje subjektesh që ndoshta kanë ngulur themele në jetën e autorit që në rini dhe presin vetëm një shkëndi që të ndizen; të çdo autori jo vetëm të shkrimtarit Petrit Palushi .
Bindja që Petrit Palushi, ekzistencializmin me tone surreale e ka të ngulitur në ADN e vet, vetëm pas leximit të këtij romani m’u përforcua, madje edhe ajo që unë nuk e quajta eksperiment romanin “Njeriu që kujdesej për varrin e vet”, pikërisht vetëm pas leximit të romanit “Këpucët e Kaltrinës”, m’u formësua në mendje.
Romani nis me një peizazh normal, përmbytje, por Petrit Palushi vetëm pas pak fjalive e vë realitetin përballë surreales. Pas mbushjes së liqenit jonatyral me sende të përdorimit njerëzor, si këpucë, libra, bidona të kauçuktë, dru të thatë: Të cilat, për së largu ngjanin si fantazma të lëshuara rrëmujshëm prej qiellit…
E në disa fjali më tej, shton dozën e surrealizmit të vet duke shkruar: “Edhe pse shiu, në krye të njëzetekatër orëve e ndërpreu si papritshëm rrjedhën e vet, dy lumejtë sillnin ujë paprajshëm sa kupa e liqenit po mbushej thuajse kulmas me ujë…”.
Sa e vrullshme është kjo fjali dhe sa surreale na e paraqet situatën; një liqen mbi të cilin uji krijon një kulm…
Nga kjo pikë e më pas në roman nis e shtohet trysnia psikologjike; panoramë surreale, pjellë e një realiteti të jetuar prej nesh dhe autorit. Liqen i mbushur me këpucë të vjetra, shumë këpucë, gati një pafundësi këpucësh; skenografi e denjë për më të arritshmen vepër të teatrit absurd… Njerëz që rendin sa nga një breg tek bregu tjetër i liqenit, për të mbledhur këpucë të vjetra; për të bërë këpucë të reja me to. Njerëz që i mbledhin, si të ishin Solomonë në miniaturë, që i shkëmbejnë, njerëz që rrezikojnë jetën nën ujrat e liqenit për të gjetur shojen munguese… Realitet surreal! Bunkerat realë, përbindsha të idiotësisë vetiake të një diktatori, të kthyera në përbindësha të idiotësisë kolektive dhe në mes tyre pirgje me vjetërsira, siç i quan autori, tapa…
Kur u përballa me skenën, në të cilën nxënësit gjejnë një grumbull me tapa te vjetra brenda një bunkeri, mendja më shkoi tek romani “Kështjella” i Kafkës, tek skena e bujtinës, me shërbyeset që flinin të stivuar si të ishin sende. Kurse tek “Këpucët e Kaltrinës” kemi sende, për më tepër të pavlera, që nisin dhe kushtëzojnë deri në sfilitje, jetën e njerëzve…
Në çantat e shkollës, tapat pranë librave. Tapat, gjetje surreale, për të përshkruar një realitet, të rëndomtë, varfërie dhe shtypje. Njerëzit i shkëmbejnë tapat, njerëzit jetojnë me psikozën e tapave; duket sikur personazhi kryesor përjeton një shterrim mendor gjatë kërkimeve për një tapë. Dashuria, ndjenja më sublime që njeriu ka mundësi të përjetojë në jetën e vet prej pluhuri, lidhet ngushtë pas pavlefshmërisë së një tape… Një qytezë e tërë, e varfër, ngërthyer nga një valle e çmendur tapash këpucësh të vjetra, e mes tyre, tapat për këpucët  e reja të Kaltrinës që nuk gjenden…
Trysnia psikologjike, në radhët e këtij romani, arrin majat, me ardhjen në skenë të personazhit Blerona.  Ky personazh është si ajo vala madhështore e lumit, që shkatërron gjithçka i del përpara. Ajo valë që del si nga hiçi, mbjell terror dhe po me atë shpejtësi largohet, për të lënë nga pas një qetësi të shurdhër, të frikshme; qetësi vdekje… Pas Bleronës, si mbyllje madhështore qendron ardhja e ministrit e bashkë me të, në skenën suerreale të librit shfaqet sindroma e Lei Fen-it; duket sikur surrealizmi i orëve që shkrihen, përplaset me realitetin e gozhdëmbledhësit, tapambledhësve. Koha nuk shkrin, ajo ka ndalur, e ngrirë…
Në fillim theksova që ky subjekt ka themele mjaft personale. E pikërisht tek ky intimitet kaq i prekshëm qendron edhe thembra e Akilit të këtij libri. Subjektet personale kanë mjaft lehtësi, por edhe kurthet e veta. Unë vetë personalisht e kam botuar një subjekt të tillë (” Besimi Komunist”), e pikërisht intimiteti i pamatë që unë kam me atë subjekt, më ka shtyrë që ta nxjerr në mënyrën më naive të mundshme.
Tek romani “Këpucët e Kaltrinës”, Petrit Palushi është përmbajtur mjaft, por në një pikë, dhimbja e tij shpirtërore, ka ndërhyrë në shtypjen psikologjike që po përjetonte personazhi i tij.
Të gjithë personazhet dalin nga shpirti i shkrimtarit, janë krijesat e tij, por në momentin që ata nisin dhe gjallojnë faqet e librit, marrin jetë dhe duhet që shkrimtari t’i lërë të jetojnë, pa ndërhyrje të mëvonshme. Nëse ata i lejon, jetojnë të plotë, nëse nis dhe i influencon përgjatë rrugës, duken si të cunguar, të frikësuar,  nuk lëvizin lirshëm përgjatë radhëve.
Pikërisht, sipas meje, ajo ndërhyrje e shpirtit të autorit, ia ka zbehur në disa vende forcën e madhe këtij libri. Dhimbjen e vet personale, duke menduar, se ndoshta duke ia shtuar dhimbjes së personazhit, do e ndihmonte atë, e ka cunguar disi këtë libër. Ky libër kishte tapat, mjaftonin ato, të kota, të shumta, në vendin dhe në momentin e duhur, e rreth tyre kishte varfërinë; pantallona si letër gazete. Më pas erdhi në skenë Blerona, e dhunshme, shtypëse, mbytëse; realiteti që na tregon se jemi; ne kensit që zbuluem hy’n, edhe aq ma tepër e ngatërruem ny’n…
Mosgjetia e tapave, për “Këpucët e Kaltrinës”, e dhunshme, shtypëse, le të ishte përfundimi i këtij libri. Ndonëse i hidhur, për mendimin tim, do të kish qenë mbyllja më perfekte e mundshme. Me të vërtetë, “shpresa vdes e fundit”, por kur njeriu jeton ama, kur je në kufijtë çnjerëzorë të mbijetesës, nuk ka shpresë, ka vetëm luftë për ekzistencë… Dilemës: “Me qenë a mos me qenë”, autori ka dashur t’i japë me forcë përgjigjen pozitive. Kjo e ka penguar disi librin të shprehë realitetin e vet, por ka nxjerë në pa shpirtin pozitivist të Petrit Palushit; njeriut të mirë i dhimbsen edhe qeniet fiktive…
3-Romani “Shtrati 13”
kopertina
Mbas këtyre përsiatjeve, mendoj se ka ardhur momenti i “Shtratit 13”, libër që sipas të gjitha gjasve duhet të kem qenë i unë i pari lexues, pas botimit.
Nëse për romanin ” Njeriu që kujdesj për varrin e vet” thashë se ka një subjekt të “turbullt”, “Shtrati 13” subjektin e ka adimensional, të lëvizshëm, aspak të parashikueshëm. Nocioni kohë-hapësirë është shkrirë në një, aq sa mund ta marrësh si hapësirë kohore ose kohë hapësinore. Gjthçka ka ndalur në kufijtë e të njohurës, e megjithatë gjithçka duket sikur lëviz rrëmujshëm, si një vorbull. Në fillim, pikërisht nga kjo shtrirje nocionesh, nuk e kupton sensin e lëvizjes së vorbullës, atë e ndien kur gjendesh brenda saj. Një vorbull që lexuesin e thith drejt qendrës, kurse personazhin jashtë saj. Subjekti është i ndërtuar në formën dhe mënyrën e dhomës së pasqyrave, ndaj, lexuesi, për asnjë moment nuk e ka të qartë që personazhi po largohet nga qendra thithëse e vorbullës, dhe ai mbetet i vetëm, nën shtypjen psikologjike të monologjeve. Dialogët janë mjaft të pakët, koha është e pakohë dhe gjithçka ndodh në brendësi të romanit, duket sikur po luhet në një nga skutat e shpirtit të lexuesit.
Në sfond shfaqet vdekja; pika më e errët e evolucionit njerëzor. E rëndë, mbuluese, gllabëruese; është normale që njerëzit, me të parë vdekjen ta harrojnë jetën. Jetën e njohin, e jetojnë, kurse vdekja është një pikëpyetje e madhe. Vdekja nënkupton errësirë e duke qenë se në errësirë asgjë nuk duket, njeriu nis e hamendëson, zmadhon, vlerëson mbi normalen diçka mjaft normale, që ka miliona vite që ripërsëritet…
Kjo është magjia e Petrit Palushit, unë e thashë edhe më lart. Na vendos në skenografi vdekjen dhe vetë nis dhe flet për jetën. Flet qetë, ëmbël, qartë, pa u ngutur, ndërsa lexuesi është i ngërthyer pas skenografisë, zëri i tij i vjen si përsëlargu, megjithëse ai është mjaft pranë. Lexuesit merren me vdekjen, ndërsa ai flet për jetën. Për të shkuarën, për momentin, monologon me kujtimet, por kurrë nuk i jep rëndësi asaj që shkoi, ajo i duhet vetëm për të lidhur fort pas jetës atë që është dhe që do vijë. Shfaq kujtimet fëmijërore, si në një film bardh e zi, risjell në skenë një shkëndi dashurore djaloshare, por edhe atë të zbehtë. Kjo vetëm e vetëm për të përforcuar magjinë skenografike të verdhë – vdekjes. “Shtrati 13” është kufiri i fundit i betejës së irracionale me racionalen që luhet në shpirtin njerëzor. Në këtë kufi gjithçka merr vlerë e në të njëjtën kohë humbet vlerë. Vetë fjala vlerë humbet kuptim në këtë pikë kalimi; duke përdorur nuancat e ndryshme të ngjyrës së verdhë, pikërisht këtë relativitet vlerash, sipas meje, do të tregojë.
Absurdi jetësor pikërisht pranë vdekjes merr kuptim. Marrin kuptim dëshirat e parealizueshme: fëmija që do të mësojë gjithçka që në ditën e parë të shkollës. Kjo është normale dhe aspak absurde. Ai qëndron nëse e analizojmë më thellë. Njeriu që kërkon të dijë gjithçka ndonëse i paevoluar. Njeriu që kërkon të shbirojë të fshehtat e vdekjes, ende pa njohur të fshehtat e jetës. Njeriu, që kërkon medoemos të hamendësojë atë që ndodhet mes errësirë, por që nuk sheh atë që fshihet mes burmit më të fuqishëm të dritës. Njeriu; dilemë mbi dilema, ngrehinë që merr formë mes nuancash maramendëse të të verdhës… Po të vërehet hollë, njeriu pyet çfarë ka pas vdekjes, por në të vërtetë e gërryen pyetja se çfarë do i ndodhë jetës. Me atë është i lidhur, ajo është e materieshme, ndërsa për momentin, vdekja, është e mjegullt… Në kufirin “Shtrati 13” njeriu kupton se e boshtë ka kaluar jeta, se sa pak kohë ka mbetur vetëm në formën e kujtimeve, në krahasim me shumicën e sekondave, minutave, orëve, ditëve, muajve dhe viteve të dënuara me harresë; vetëm një përqindje e papërfillshme. Ato i ka ruajtur si reliket më të çmuara, duke humbr tjetër kohë për t’i sjellë e risjellë në mëndje; kohë për të risjellë në mendje tjetër kohë, zhytur në një hapësirë të ikur. Kohë që është mbivlerësuar, në krahasim me çdo lloj kohe që ai ka përdorur…
Tek “Shtrati 13”, Petrit Palushi e ka gjetur Agshtegun e vet. Pas shumë mundimeve të mëparshme, ka arritur të gradojë si duhet kufirin e përballjes së irracionales me racionalen, e ato qendrojnë pezull duke shtyrë dhe tërhequr njëra-tjetrën reciprokisht; aq natyrshëm sa kur e lexon, kushdo mund të mendojë se mund t’ia arrijë të shkruajë diçka kaq psikologjikisht shterruese. Pikërisht ky natyralitet rrëfimi e shtyn lexuesin të kapet pas argumentit vdekje dhe jo argumentit, jetë = mkohë – hapësirë…
Nuk e di nëse Petrit Palushi ka kryer një revolucion në letërsi me romanin “Shtrati  13”. E as nuk ngul këmbë nëse teza ime është e drejtë apo e jo. Një gjë ama e di me bindje. “Shtrati 13” është një roman adimensional, si ajri, i plotë dhe vlefshëm, për këdo që nuk lexon tregimin, por tekstin; me vëmëndje. Një roman që ndofta mund të mos e gjejë veten lirshëm tek lexuesi i masës, por që është po aq i fuqishëm dhe i domosdoshëm për letërsinë, aqsa janë pak romane të tjera, jo vetëm në hapësirën shqipfolëse.

Letra anonime më groteske në Akademinë e Nobelit

Kadare: Letra anonime më groteske në Akademinë e Nobelit
Një rrëfim ekskluziv i shkrimtarit Ismail Kadare për çmimin Nobel; si e pret çdo vit shkrimtari nominimin prej Akademisë Suedeze; Rasti unik, letrat anonime që shkojnë në arkivin e Akademisë së Nobelit nga Shqipëria që flasin kundër Kadaresë, për të bllokuar dhënien e çmimit. Historia që tregohet për herë të parë e një prej letrave që është konsideruar grostesk….
Takimi me Kadarenë është gjithnjë një histori zbulimi. Shkrimtari e ka në natyrën e tij rrëfimin historik, konstatimin, ruajtjen e një memorieje absolute për njerëz, ngjarje, vende…Bota letrare në Shqipëri këtë vit është e përfshirë në festimin e 80 vjetorit të lindjes së shkrimtarit. Është quajtur viti i Kadaresë. Festimet vazhdojnë në Prishtinë dhe Tiranë, jo duke hedhur këngë e valle, por duke njohur veprën, duke kuptuar e zbuluar shkrimtarin. Po ky vit e ka sjellë shkrimtarin edhe më shpesh në vendin e tij. Ai është një rast unik. Ka “bashkëjetuar” me diktaturën dhe ka sjellë antropologjinë e saj kur ishte në zenit. I ka shpëtuar persekutimit, por jo censurës së veprës.  Prej kohësh arkivat po zbulojnë e qartësojnë një situatë etike por edhe estetike mbi autorin dhe veprën, sidomos asaj që mbahet një nga veprat monument të krijimtarisë kadareane në diktaturë, “Dimri i vetmisë së madhe”. Për herë të parë, këtë vit, ky roman pati një edicion kritik nga studiuesi Metteo Mandala. Vepra në dorëshkrim, kaloi një aventurë gjyqësore, pasi deri para pak vitesh mbahej me forcë nga e veja e ish diktatori. Kadare është shprehur se kishte frikë mos e digjte, pasi ishte e vetmja kopje që ekzistonte në dorëshkrim. I vetmi në origjinal.  Ndërsa ka vlerësuar punën e studiuesit arbëresh, Mandalasë, mbi dorëshkrimin në dëshifrimin dhe zbulimin e tekstit. “E kam shkruar dhe daktilografuar direkt dhe kam punuar mbi tekstet e daktilografuar. Ajo ishte kopje e vetme. S’ka tjetër. Mahnitem kur e shikoj, sa sa kam punuar, shkruar prishur e ndrequr. Ishte një tekst mjaft delikat. Donte shumë kujdes sepse për një fjali mund të të ikte gjithë libri…”, ka rrëfyer shkrimtari për këtë anë të errët, të panjohur të procesit të veprës, si kulturë filologjike që kryhet për herë të parë për një autor bashkëkohor të cilit i ka “ardhur” vepra nga diktatura, nëpër shumë procese “censure”, duke i shpëtuar kartonit.
Ky edicion kritik i “Dimrit të vetmisë së madhe” është vlerësuar si ngjarja e vitit, që ka përkuar me ditëlindjen e shkrimtarit. Por nga ana tjetër, botuesi ekskluziv i Kadaresë, “Onufri” brenda këtij viti boton dhe riboton 15 romane e novela në format të vogël, si një formë me e thjeshtë për lexuesin. Ky densitet veprimtarie letrare në 80 vjetorin e lindjes, merr me vete edhe përkimin tjetër me afrimin e ndarjes së çmimit Nobel. Para pak ditësh mediat ndërkombëtare kanë lançuar një listë me nominuesit e këtij viti, ku Kadare renditet sërish, edhe këtë herë në një listë të ngushtë,  i pesti në kandidaturë për marrjen e çmimit.
Akademia e Shkencave të Shqipërisë e ka propozuar sërish Kadarenë, në krye të këtij viti për të marrë çmimin Nobel në Letërsi. Drejtuesja e departamentit të albanologjisë në Akademinë e Shkencave, akademikja Floresha Dado, ka thënë se ai është një titull i merituar për shkrimtarin Ismail Kadare.
“Akademia e Shkencave dërgoi zyrtarisht, përsëriti edhe një herë tjetër, kërkesën në Komitetin e Nobelit të Akademisë Suedeze për t’i dhënë çmimin Nobel. Në këtë kërkesë ne kemi shtuar si argumente të tjera jo vetëm përmasat e jashtëzakonshme botërore që ka Kadare, faktin që vepra e tij është përkthyer në 45 gjuhë të botës, që për të kanë shkruar kritikë me vlerësime maksimale në vende të ndryshme të botës. Kadare është bërë pjesë e jetës shpirtërore të shumë popujve nëpër botë. Nuk e di se çfarë duhet të bëjë më shumë një shkrimtar për të marrë çmimin Nobel se sa të botohet në gjithë botën dhe të shkruajë vlerësime të larta për artin e tij kritikë të njohur nga gjithë bota, dhe që të marrë edhe shumë çmime të tjera të rëndësishme ndërkombëtare” –ka deklaruar Floresha Dado.
Dhe ja ku jemi, mbi 15 vite që pritet ceremonia e Nobelit për të tërhequr vëmendjen nga imazhi i Shqipërisë, përmes një shkrimtari. Kadare mësojmë se sot është larguar për në Paris, pas disa muajsh qëndrimi në Shqipëri, ku edhe kaloi një gjendje të vështirë shëndetësore duke iu nënshtruar një operacioni. Familjarët kanë deklaruar se gjendja e shkrimtarit tani është më mirë. Udhëtimi i tij drejt Parisit është itinerari i vazhdueshëm ku Kadare ndan jetën me Shqipërinë prej vitit 1991, kur u largua për të kërkuar azil në Francë, si rebelim ndaj udhëheqësit të atëhershëm Ramiz Alisë, të cilit i drejtoi edhe një letër publike ku shpjegonte dhe denonconte politikisht arsyet e largimit të tij nga Shqipëria.
Nga ana tjetër, duke qenë një emër që shpesh ka ngjallur reaksione të brendshme midis nostalgjikëve të diktaturës, atyre që ishin shkrimtarë e shërbëtorë të saj, Kadare ka mbajtur përsipër riskun e komprometimit të figurës së tij, duke u anatemuar për “shpëtimin” e tij nga persekucioni, pse nuk u bë kundërshtar i regjimit. Ndërsa vepra e shkrimtarit ka treguar të kundërtën, një lexim historik i shfrytëzuar për të kuptuar sistemin diktatorial.
Në këtë vështrim nominimi për Nobel i Kadaresë ka qenë motivuar gjithnjë, duke u përkrahur nga pjesa e shkrimtarëve dhe intelektualëve më me integritet. Ndërsa në një bisedë me shkrimtarin duket se kjo histori ka tjetër perceptim. Pyetjes sonë për këtë marrëdhënie kaq të gjatë me Nobelin, Kadare e ka marrë me indiferentizëm, si një process pothuaj i mbyllur për të, aq edhe zhgënjyes.
Ajo çfarë na bën t’i kërkojmë shkrimtarit drejtpërdrejt, gjatë bisedës tonë të lirë, lidhet me ironinë shqiptare për letrat anonime. Prej kohësh është folur se në Akademinë suedeze të Nobelit nga Shqipëria janë dërguar shumë letra anonime, me qëllimin për t’i bllokuar dhënien e çmimit.  I vendosur në këtë situatë edhe vetë shkrimtari ka rrëfyer, ndoshta për herë të parë mbi këtë histori absurde, pothuaj unike në 100 vjetët e Nobelit.
Natyrisht Kadare ka një përgjigje për Nobelin, jo vetëm për të si shkrimtar. A do të ishte mirë të kishim një Nobel? Kadare thotë: “Po do të ishte imazh shumë i mirë për vendin tonë përballë prapësive. Do t’i kishte dhënë imazh, si vend i vogël me gjuhë të lashtë…”
Por për Kadarenë kjo është shndërruar në një gjë normale, ku çdo vit ai bashkë me emra të tjerë nominohen për Nobel, këtë e pohon edhe vetë shkrimtari duke thënë se bashkë me autorë të tjerë “jemi bërë tashmë si të shtëpisë me anëtarët e jurisë së Akademisë së Nobelit dhe Sekretarin e përhershëm të tyre…”
Shkrimtari ka treguar se ka dashur të shikojë Arkivin me letrat anonime të dërguar nga Shqipëri kundër tij, në Akademinë Suedeze. “Një ditë madje mua dhe Helenën na ftoi një prej tyre për drekë. Iu luta të hyja në Arkiv, doja të shikoja letrat anonime për mua, por refuzoi. Iu luta të më thoshte çfarë shkruanin, por ai më tha vetëm një rast që iu është dukur të gjithëve grotesk. Se ishte grotesk nuk do të thotë se nuk ishte marrë në konsideratë sado banal të ishte. Aq të çuditur me këto “anonime” shqiptare”, ka treguar Kadare. Jo pak herë ka ndodhur që në prag të çmimit Nobel, kur është përmendur emri Kadaresë ka nisur “fushatë” kundër të tij, në mënyrë absurde që ky çmim të mos mbërrijë në Shqipëri. Ndërsa ne, jemi njohur nga shkrimtari me një rast të përmbajtjes së një prej letrave anonime të shqiptarëve kundër shkrimtarit, që mbahet në arkivin e  Akademisë Suedeze. Shkrimtari  tha se i kanë treguar   për një letër anonime ku mes të tjerash ishte shkruar se me veprën e tij, “sulmohet gjuha shqipe”, se Kadare nuk shkruan në gjuhën shqipe.
“Kjo ishte vërtet grosteske dhe e pakuptueshme”, thotë shkrimtari. Nxitur nga kjo ngjarje, Kadare ka treguar se botuesi i tij ekskluziv, në Francë botoi gjithë kolanën në gjuhën shqipe si dhe frengjishte, duke ua bërë dhuratë Akademisë suedeze.
Fragmente nga shkrimtarë shqiptarë që janë shprehur për gazetën “Mapo” për Nobelin për Kadarenë:
Ylljet Aliçka: Ne, jo Kadareja, kemi nevojë për këtë çmim
“…Më duket e pamundur  të gjejmë apo gjykojmë arsyen se pse Kadare apo çdokush tjetër kandidat nuk e fiton çmimin “Nobel”. Por, nëse na duhet të kërkojmë anën pozitive të humbjes së radhës, them se kjo gjendet te fakti që për dekada me radhë, një autor shqiptar që shkruan në gjuhën shqipe është i pranishëm në listën e të nominuarve për çmimin “Nobel”.
Veçse për ne shqiptarët, zhgënjimi do ishte më i madh, nëse (është thjesht hamendësim) mosdhënia nuk buron nga vlerësimi estetik apo nga ajo që Komisioni Nobel nderoi shkrimtarin Modiano, pra “nga arti i kujtesës që zbulon universin e pushtimit” (nuk di që kjo vlerë t’i ketë munguar ndonjëherë veprës së Kadaresë), por nga ndonjë paragjykim i mundshëm.
Hamendje e tillë më vjen ndër mend kur kujtoj se çmimi “Nobel” i është dhënë dhe një shkrimtari që, as më shumë e as më pak, propozoi “ndarjen e Shqipërisë mes Italisë dhe Jugosllavisë dhe shpërnguljen e shqiptarëve myslimanë në Turqi” (Bogdan krizman:1977, L’analyse  du Dr Ivo Andriç sur l’albanie de l’anne 1939, vol 2, Zagreb, P.77-89).
Vetë historia e çmimit “Nobel” është karakterizuar nga polemika dhe kontestime të nxehta, ku jo rrallë kriteri i “idealizmit”, i fiksuar në testamentin e Alfred Nobel-it, është komprometuar nga konsiderata politike apo gjeografike. Sipas shkrimtarit Philippe Roth, çmimi “Nobel” më shumë bazohet te “vlera e perceptuar e drejtësisë shoqërore, sesa te cilësia letrare”, ndërkohë që sipas kritikut të njohur Laroche “çmimi Nobel po merr një dimension të theksuar diplomatik”.
Vetë përfaqësuesit e Akademisë mbrohen se “ne mbështetemi te vlera letrare, por është opinioni publik e ai mediatik që bën interpretime të tilla politike”.
Visar Zhiti: Nobeli, nuk i jepet vetëm shkrimtarit…?
“…Nuk do të doja ta komentoja çmimin “Nobel” pasi shpallet, nuk ka kuptim, sipas meje, nuk ndryshon asgjë, edhe kur shkon atje ku nuk pritej.
…Në fund të fundit, çmimi “Nobel” paradoksalisht është dhe i padrejtë, se e meritojnë shumë e më shumë shkrimtarë nëpër botë, një pjesë e meriton më shumë se fituesit,  por e merr vetëm njëri, i cili nuk ia “rrëmben” askujt dhe nuk mposht “kurrkënd”, siç ndodh dhe  trajtohet ndonjëherë. Rishoh motivacionin e botuar për shkrimtarin e 2014, Patrick Modiano:“Për artin e të kujtuarit… O Zot, mos ne jemi popull që harrojmë më shumë?… ka evokuar fatet njerëzore më të vështirët për t’u kuptuar…pra letërsia është e atyre që e pësojnë historinë dhe jo e atyre që e bëjnë historinë. Jo në anën e më të fortëve, të fitimtarëve, të shtetit. Po letërsia është letërsi, ç’punë ka me halle të tilla? Është fjala për frymën e saj… dhe ka zbuluar universin e pushtimit… atë nazist të Francës, kështu po thuhet, por sipas meje të çdo pushtimi, dhe të atij nga vetvetja, më e keqe, nga diktaturat…”
Rudolf Marku: Kadare e ka merituar prej vitesh çmimin “Nobel”
“…Krijimtaria e shkrimtarit Ismail Kadare e ka merituar prej vitesh çmimin “Nobel”, dhe kjo nuk përbën më asnjë sekret për njohësit e mirë të letërsisë. Por fakti se shkrimtarëve më të mëdhenj iu është mohuar ky çmim, shpjegon arsyet përse një shkrimtari si Kadare,vepra e të cilit i ka folur dhe vazhdon t’i flasë me një zë sa origjinal aq dhe të fuqishëm njeriut të sotëm modern, i mohohet përsëri çmimi “Nobel”. Kadare ka folur dhe vazhdon të flasë nga një vend dhe nga një gadishull i mbushur me tragjedi njerëzore, nga një vend që paragjykohet- me dashje dhe padashje- në mediat e botës, duke u bërë pre e ca stereotipeve të mendësisë së klasit të katërt. Dhe në krijimin e këtyre stereotipeve kemi kontribuar dhe vazhdojmë të kontribuojmë me një zell të frikshëm dhe ne shqiptarët, me snobizmin tonë provincial, tek besojmë se të gjitha fatkeqësitë ndodhin vetëm në shtëpinë tonë, dhe se vetëm shkrimtarët që marrin çmimin “Nobel” janë vërtet shkrimtarët më të mëdhenj, dhe se vetëm shkrimtarët që kanë emra të huaj janë shkrimtarët më të shquar…”
Histori
Kur Alfred Nobel vendosi të lërë në testamentin e tij shpërndarjen e çmimeve “Nobel”, askujt nuk ia mori mendja se një ditë ato do të bëheshin një ngjarje botërore. Për shumë vite, çmimet mbetën monopol i Europës, por tashmë janë bërë një event prestigjioz që priten me kureshtje nga bota akademike dhe jo vetëm. Mësoni faktet interesante të “Nobelit” të letërsisë nga zanafilla deri tani
Përse quhen laureatë?
Laureatë i referohet nderimit nëpërmjet kurorës së dafinës. Në mitologjinë greke, Apollo përfaqësohet nga mbajtja e një kurore dafine mbi kokë. Kurora përbëhet nga degët dhe gjethet e një peme dafine që në latinisht shkruhet “laurus nobilis”. Në Greqinë e lashtë, kurora prej dafine u jepej fitimtarëve si shenjë nderimi, si konkurrentëve atletikë, ashtu edhe atyre në konkurset e poezisë.
Veprat e Kadaresë me njohje ndërkombëtare
Ndër veprat kryesore të Ismail Kadaresë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar janë: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Kronikë në gur”, “Dimri i madh”, “Ura me tri harqe”, “Prilli i thyer”, “Dosja H, Piramida”, “Pallati i ëndrrave” etj. Anëtarët e Akademisë Suedeze do të mblidhen gjatë ditëve në vijim, për të vendosur se cili shkrimtar do të jetë fitues, në tetor, i çmimit Nobel për Letërsi 2016

Perandorët më të përgjakshëm të historisë së Romës

Perandorët më të përgjakshëm të historisë së Romës
Ata shpesh përshkruhen si të pamëshirshëm dhe të etur për gjak, të famshëm për mbretërimit e tyre tiranike. Historiani Sean Land na rrëfen për 8 perandorët më të përgjakshëm të Romës së Lashtë, nga perandori ilir Diokleciani tek Neroni.
Ne të gjithë kemi dëgjuar për perandorët romakë, i njohim ata si të çmendur, të këqij e shumë të rrezikshëm. Në fakt, siç historianët tregojnë, shuma nga perandorët e listës së mëposhtme, kanë qenë administratorë të aftë. Disa perandorë, si Neroni apo Domiciani, kanë kaluar në histori si modele tiranësh paranojakë, ndërsa të tjerë, si Diokleciani, ishin administratorë të aftë, që bënin një qeverisje të mirë. Edhe nën sundimin e perandorëve më të këqij Roma vazhdoi të funksiononte, por përfshirja në jetën publike mund të kthehej në një biznes të rrezikshëm.
Tiberi (sundoi në vitet 14-37)
Tiberius_0
Tiberius_0
Tiberi ishte pasardhësi i Augustit, edhe pse Augusti nuk donte që Tiberi ta pasonte atë, por ishte vdekja e parakohshme e nipërve të tij Gaius dhe Lusius, që bëri që Tiberi të merrte fronin. Tiberi ishte një komandant ushtarak i zoti, dhe respektonte autoritetin e senatit. Megjithatë, për të pati një opinion të zymtë dhe dyshime që e çuan në grindje të ashpër me Agrippina-n, të venë e nipit të tij hero të luftës. Shumë persona që donin të arrinin pushtet Tiberi i arrestonte dhe ekzekutonte. Dyshimet mbi të kishte kudo dhe nga kushdo rreth tij. Ai u tërhoq në ishullin e Kaprit dhe ringjalli akuzën e lashtë të tradhtisë, duke e përdorur atë për të dënuar të gjithë të dyshuarit me vdekje. Historianët romakë na rrëfejnë një pikturë të jetës së Tiberit atje si një grabitqar i çoroditur seksual.
Gaius ose Kaligula (sundoi në vitet 37-41)
Caligula pic 3
Caligula pic 3
Gaius është i njohur për një sërë veprimesh të çuditshme, si shpallja e luftës në det dhe shpallja e vetes Zot. Mbretërimi i tij ishte premtues në fillimet e veta, por pas një periudhe të vështirë që kaloi për shkak të një sëmundjeje, ai u bë paranojak, gjë që e çoi në sjellje të çrregullta, ku përfshihet këtu edhe incesti me motrën e tij, Julia Drusilla. Gaius kënaqej nga fakti që poshtëronte senatin, duke deklaruar se ai mund të bënte konsull kë të dëshironte, madje edhe kalin e tij. Gaius ishte i etur për të krijuar kredencialet e tij ushtarake, edhe pse me fushatën e tij në Gjermani nuk arriti shumë dhe pushtimi i tij i dështuar i Britanisë u kthye në një luftë me Zotin e detit, Neptunin. Thuhet se ai kishte urdhëruar trupat e tij të sulmonin dallgët me shpatat e tyre. Gaius e shpalli veten Zot dhe përdorte statusin e tij hyjnor për të vendosur monarki absolute në Romë. Ai ndoqi shembullin e Tiberit duke përdorur gjykimet e tradhtisë për të eliminuar armiqtë, realë e imagjinarë. Pas sjelljeve të tij foshnjërore, ndaj tij u organizua një vrasje. Dhe mendohet që Gaius të ketë protestuar se nuk mund të vritej pasi ishte një Zot i pavdekshëm, gjë që nuk rezultoi e tillë.
Neroni (sundoi në vitet 54-68)
Roman emperor Nero_0
Roman emperor Nero_0
Neroni është një perandor romak të cilin ne të gjithë duam ta urrejmë, dhe jo pa arsye. Ai ishte një administrator i zoti, dhe rrethohej nga njerëz të aftë, përfshi dhe tutorin e tij – shkrimtarin Seneka. Megjithatë, ai ishte një vrasës i pamëshirshëm, duke filluar që me vrasjen e gjysmë-vëllait të tij, me të cilin supozohej të ndante pushtetin. Duke vazhduar me bashkëshorten e tij, Oktavia, të cilën e braktisi për të dashurën Poppaea, dhe më pas e ekzekutoi për tradhëti bashkëshortore. Ndoshta për t’i bërë qejfin të dashurës së tij ai vrau dhe nënën e vet, që pas një komploti të shkuar keq për ta mbytur me një varkë, e rrahën për vdekje. Më vonë ai vrau dhe të dashurën pas një çasti zemërimi, ndërkohë që ajo ishte shtatzënë dhe priste fëmijën e tij. Pasioni i madh i Neronit për muzikën dhe poezitë e veta, bëri që ai të detyronte senatorët të uleshin e të dëgjonin recitalet e tij të pafundme e të kota. Neroni gjithashtu u urrye shumë pasi ndërtoi shtëpinë e tij të artë e të madhe në rrënojat e asaj që më parë ishte zona publike e Romës. Ai persekutoi një numër të madh të krishterësh dhe këmbëngulja e tij fëmijërore për të fituar famë në Lojërat Olimpike në Greqi, bëri që perandoria të përçahej. Neroni u rrëzua nga një revoltë ushtarake.
Domiciani  (sundoi në vitet 81-96)
Image result for domiciano
Domician ishte djali më i ri i gjeneralit Vespasian, i cili kishte dalë nga kaosi pas rënies së Neronit dhe kishte vendosur stabilitetin në jetën publike romake. Domiciani nuk trashëgoi asgjë nga sharmi i babait të tij, dhe kishte dyshime të mëdha nga njerëzit përreth tij, gjë që e çoi në paranojë, mbase edhe për shkak të arratisjes së tij dredharake gjatë luftës civile për rrëzimin e Neronit. Shumë qytetarë u vranë për dyshime komplotesh kundër tij, përfshi edhe 12 konsuj dhe dy kushërinj të tij. Sundimi i Domicianit u bë edhe më autokratik, dhe kërkoi që të trajtohej si Zot. Domicioani u kthye kundër filozofëve, duke dëbuar nga vendi shumë prej tyre. Domiciani u rrëzua pas një komploti të organizuar nga gruaja e tij Domicia, dhe më pas u godit me thikë nga një shërbëtor i pallatit. Disa historianë mendojnë se tirania e Domicianit ishte e ekzagjeruar, ndërsa të tjerë e kanë krahasuar atë me Sadam Hysenin e ditëve tona.

Komodo (sundoi në vitet 180-192)
Bust of the emperor Commodus_0
Bust of the emperor Commodus_0
Komodo ishte perandori i luajtur nga aktori Joaquin Phoenix në filmin Gladiatori. Komodo ishte një ndjekës i apasionuar i betejave të gladiatorëve, madje dhe vetë ai luftoi në arenë, shpesh herë i veshur si Herkuli, dhe që më pas e shpalli veten Herkuli romak. Komodo ishte djali i perandorit filozof Mark Aurelit. Edhe pse skena e filmit ku Komodo vret të atin është shpikje, është e vërtetë që ai ishte kundër çdo gjëje që vendoste i ati i vet. Komodo falimentoi thesarin romak dhe u mundua ta rimbushte atë duke ekzekutuar qytetarë të pasur të tradhëti në mënyrë që t’i konfiskonte pronën. Shumë shpejt, njerëzit filluan të thurnin komplote kundra tij, madje edhe vetë motra e Komodos. Komplotet dështuan, dhe ai vazhdoi të ekzekutonte më shumë njerëz, ata që kishin komplotuar kundër tij, ose nga ata që ai mendonte se do ta bënin në të ardhmen. Prefekti pretorian punësoi një atlet profesional që e mbyti Komodon në banjë.

Mark Aurel Antoni I (Karakalla) (sundoi në vitet 211-217)
Mark Aurel Antoni ishte djali i perandorit të aftë e efektiv Septimius Severus. Që të shmangte skenarit e ndarjes së pushtetit me të vëllain e tij Geta, Mark Aurel Antoni e vrau atë. Ai i trajtonte në mënyrë brutale kundërshtarët, dhe shfarosi të gjithë përkrahësit e Getës. Mark Aurel Antoni njihet për kompleksin e tij madhështor të banjove në Romë që mbanin emrin e tij, dhe për dhënien e shtetësisë romake për të gjithë njerëzit e lirë brenda perandorisë. Ai përpiqej të mblidhte paratë e nevojshme për shpenzimet e tij vetjake. Pasurinë e trashëguar nga babai i tij e ktheu në një defiçit të rëndë. Mark Aurel Antoni I u vra nga një grup oficerësh.
Mark Aurel Antoni II (Elagabalus) (sundoi në vitet 218-222)
Ishte i afërm i gruas së Septimus Severus, e që më pas mori fronin pas vrasjes së Mark Aurel Antoni I. Edhe ky i fundit u dallua për mbretërimin e tij të çuditshëm. Mark Aurel Antoni ofendoi parimet morale e fetare romake. Si simbol i perëndisë së diellit ai përdori një gur të zi, gjë që për të cilën më parë do të ishte dënuar për vdekje. Romakët u ofenduan nga sjelljet seksuale të Mark Aurel Antonit. Ai njihej haptazi dhe për marrëdhëniet e tij seksuale me meshkuj. Vetëm pak historianë flasin mirë për Mark Aurel Antonin. Ai u vra nga një komplot i organizuar nga vetë gjyshja e tij.
Diokleciani (sundoi në vitet 284-305)
Diokleciani
Diokleciani
Mbase do duket e padrejtë ta përfshish Dioklecianin në këtë listë, pasi ai është i njohur për vendimin e rrezikshëm që mori për ta ndarë qeverinë e Perandorisë Romake në dy pjesë, duke bërë bashkë-perandor Mark Aurel Maksimianin. Dioklecianni ishte një administrator i mirë, dhe arriti të mbante të bashkuar strukturën e ndarë të komandës në kohën kur perandoria romake u vu nën presion të madh nga armiqtë e jashtë kufijve. Por ajo që e bën Dioklecianin pjesë të kësaj liste, ishte persekutimi i pamëshirshëm i të krishterëve. Diokleciani kërkonte një zhdukje totale të fesë. Kishat u shkatërruan, shkrimet e u dogjën e priftërinjtë e krishterë u burgosën. Të krishterët që refuzuan të heqin dorë nga besimi i tyre u torturuan dhe u ekzekutuan. Në një kohë kur bashkimi ishte thelbësor për mbijetesën e perandorisë, frika ishte ajo që Diokleciani reflektonte.

Gjeneral Belisariusi i Ilirisë: Kush ishte “Romaku i fundit”

Belisarius nga Jacques-Louis David
Gjenerali i fundit i madh i Romës. Belisari, i quajtur shpesh ‘Romaku i fundit’ pasi ëndërronte ri-bashkimin e dy perandorive te ndara Romë – Bizant, lindi në një familje ilire dhe e filloi karrierën e tij ushtarake që në moshë të re, duke shërbyer si truproje personale e perandorit iliro-romak Justin I.
Nga familja e varfër ilire ai bëhet gjenerali  më i fuqishëm të Perandorisë Bizantine. Pse cilësohet në rangun e Cezarit dhe të Aleksandrit.
Nga Joshua J. Mark
Flavius Belisarius ishte një gjeneral i Perandorisë Bizantine që jetoi gjatë shekullit të 6 pas erës sonë. Ai njihet si një prej gjeneralëve më të mëdhenj të Perandorisë Bizantine. Ai gjithashtu është një nga kandidatët për titullin “I fundit i romakëve” që do të thotë personi i fundit që mishëronte vlerat më të mira të Perandorisë Romake.
Nëse emri i Belisarit rezulton të jetë më pak i njohur se ushtarakë të famshëm, si Jul Cezari e Aleksandri i Madh etj., kjo me siguri ka ndodhur për shkak të mungesës së vëmendjes në masën e duhur nga historianët e asaj kohe të vështirë në të cilën ai jetoi. Gjenialiteti ushtarak i Belisarit del më shumë në pah nëse marrim parasysh faktin se ai arriti të korrte fitore të jashtëzakonshme, pavarësisht se në fushatat e tij ushtarake qe mbështetur pak e shpeshherë aspak nga perandori Justiniani I, i cili i kishte zili fitoret e tij të bujshme e të herëpashershme, që në njëfarë mënyre e linin në hije figurën e tij perandorake.
Historianët theksojnë se asnjë gjeneral që nga koha e Cezarit nuk ka fituar kaq shumë beteja me kaq pak burime të kufizuara në fonde dhe burra sa Belisariusi.
Të rrallë kanë qenë ata që e kane kaluar atë për strategji dhe taktika, për popullaritetin me burrat e tij dhe mëshirën ndaj armiqve të tij.
Historia e Belisariusit ndahet në tre pjesë – fillimet e tij të përulura, ngjitja drejt pushtetit, dhe rënia.
Belisarius, mozaiku në Ravena
Belisariu


s, mozaiku në Ravena
Fillimet e tij
Belisari lindi në vitin 500 në qytetin Miria të Ilirisë nga prindër te varfër dhe ndërroi jetë më 565 në Kostandinopojë.
Belisarius, mozaiku në Ravena

Historiani Eduard Gibbon, në veprën e tij “Historia e Rënies së Perandorisë Romake” shkruajti se Belisarius lindi dhe ndoshta u arsimua në mesin e fshatarëve trakas.
Për shkak të suksesit të tij të mëvonshëm në rimarrjen e provincave afrikane për Perandorinë Bizantine, Gibbon e quajti Belisariusin si “Afrikanusi i Romës së re”, një referencë për gjeneralët e mëdhenj të Republikës Romake, Scipio Afrikanus dhe nipi i tij i adoptuar me të njëjtin emër, të dy të përfshirë në fushatat kundër kartagjenasve në Afrikën e Veriut.
Ndryshe nga këta romakë, megjithatë Gibbon vë theksin tek fillimet modeste të Belisariusit duke shkruar se ai nuk kishte avantazhet që kishin Scipio dhe nipi i tij: origjinë fisnike, studime liberale dhe rivalitetin e një shteti të lirë.
Kur ishte i ri, Belisarius u bë ushtar dhe shërbeu si truprojë për perandorin bizantin Justin I. Edhe pse i kishte shërbyer perandorit plotë trimëri, ai akoma nuk ishte një figurë e shquar. Me vdekjen e Justin I në vitin 527, Belisarius hyri në shërbim të perandorit të ri, Justinian I. Pikërisht nga ky moment, fati i Belisarius ndryshoi, dhe pushteti i tij nisi të rritej
Belisarius-Ian-Hughes-20091-667x1023
Ngjitja drejt pushtetit
Belisarius-Ian-Hughes-20091-667x1023
Mundësia e parë e Belisariusit për të provuar vlerën e tij erdhi kur ai u emërua nga Justiniani në komandant të ushtrisë në lindje për t’u marrë me inkursionet nga rivali i madh i Perandorisë Bizantine, Sasasianët (Siria e sotme). Belisariusi arriti të mposhtte ushtrinë më të madhe sasasiane në vitin 530 në Betejën e Daras. Edhe pse Beteja e Kalinikumit në vitin 531 përfundoi me fitoren e Pirros për Sasanianët kundër Belisariusit, kjo lejoi të nënshkruhej marrëveshja e “Paqes së Përjetshme” mes dy fuqive vitin që pasoi. Si rezultat, për një periudhë kohore që zgjati deri në vitin 540 u vendos paqja mes Perandorisë Sasaniane dhe asaj Bizantine.
Me vendosjen e paqes, Belisarius u lirua nga puna si komandant i ushtrisë në kufirin lindor, dhe u rivendos në kryeqytet, Kostandinopojë. Edhe pse humbja në Kalinikum ia zbehu pak reputacionin, mundësia e Belisariusit për të treguar veten erdhi në vitin 532. Pikërisht gjatë këtij viti shpërthyen trazirat Nika, që pothuajse rrëzuan Justinianin.
Për tre ditë rresht Justiniani I u mbyll në pallatin e tij. Ai premtoi uljen e taksave dhe kërcënoi se drejtuesit e kësaj kryengritje do të kishin pasoja, por këto nuk bënë dobi, sepse kryengritësit kërkuan largimin e tij nga froni perandorak, duke shpallur ndërkohë si perandor Flavius Hypatius, djalin e motrës së perandorit Anastasi I. Në ditën e pestë kryengritësit arritën të kangjellat e pallatit perandorak, gjë që shkaktoi aq panik, sa perandori Justiniani I filloi të ngutej për t’u larguar nga Kostandinopoja. Në mënyrë shumë të fshehtë ai ngarkoi në një anije tërë thesarin perandorak dhe u bë gati të hipte në të, për të ikur një herë e mirë.
Belisarius dhe Justiniani
Belisarius dhe Justiniani
Ishte bashkëshortja e tij Teodora ajo që e pengoi ta bënte një gjë të tillë. Ajo i dha zemër perandorit dhe arriti ta bindte që të mos largohej. Justiniani e mblodhi veten dhe menjëherë urdhëroi që kryengritja të shtypej me gjak. Gjenerali që e kishte për detyrë të mbronte pallatin perandorak ishte Narseti, por Justiniani ia caktoi detyrën për të shtypur kryengritjen Belisarit, i cili në atë periudhë qe katandisur në një oficer të thjeshtë. Belisari e rivendosi rendin me dhunë dhe e mbrojti me armë fronin e Justinianit I. Thuhet se në këtë ngjarje u vranë 35 mijë veta.
Si shpërblim në vitin 533, Belisarius u dërgua për të rimarrë provincat afrikane, gjë që ai ia arriti brenda një viti. Kur u rikthye në Kostandinopojë, atij iu dha Triumfi Romak. Mendohet që ky të ketë qenë Triumfi i fundit Romak i dhënë ndonjëherë.
Pushtimi i Siçilisë dhe rebelimi në Afrikë (535–536)

Belisarius dhe Justiniani
Justiniani vendosi ta rimerrte sa më shpejt që të ishte e mundur Perandorinë Romake të Perëndimit, kështu që në vitin 535 ai urdhëroi Belisarin të sulmonte ostrogotët. Me të marrë detyrën e konsullit, Belisari zbarkoi në Itali në krye të 7200 kalorësve e 300 këmbësorëve dhe brenda një kohe shumë të shkurtër ai pushtoi Siçilinë. Në pranverë u detyrua ta ndërpriste këtë fushatë, që synonte pushtimin e tërë Gadishullit Italik, sepse u detyrua të shkonte në Afrikë për të shtypur një kryengritje. Arriti në Kartagjenë vetëm me 1000 ushtarë dhe e shtypi me shpejtësi kryengritjen. Ende pa përfunduar mirë as kjo betejë, ai u dërgua sërish në Siçili për të shtypur një tjetër kryengritje që kish shpërthyer atje në mungesë të tij. Në këtë kohë mbreti i parë gotëve, Teodati, duke iu druajtur përplasjes me Belisarin, pranoi ta lëshonte përfundimisht Siçilinë. E jo vetëm kaq, ai ishte gati t’ia lëshonte ushtrisë bizantine tërë Italinë në këmbim të një pensioni prej 1200 librash ari. Ndërsa ishte gati ta bënte një gjë të tillë, erdhi lajmi se ushtria bizantine në Dalmaci kishte pësuar humbje, gjë që e shtyu Teodatin të ndërronte mendje. Kësisoj lufta për Gadishullin Italik vazhdoi.
Marrja e Napolit dhe e Romës (536–537)
Pasi nënshtroi përfundimisht Siçilinë, Belisari u hodh për të pushtuar tërë Italinë. Ushtria bizantine arriti në Napoli dhe e rrethoi qytetin. Një dërgatë përfaqësuesish të popullit të Napolit e këshilluan Belisarin që të mos humbte kohë me rrethimin e qytetit, por të vihej në kërkim të mbretit got, ta mposhtte atë e pastaj të kthehej për të marrë Napolin. Përgjigjja që u dha Belisari ishte: “Kur hyj në bisedime me armiqtë e mi, jam më i prirur të jap këshilla sesa të marr. Unë mbaj në njërën dorë shkatërrimin e pashmangshëm të Napolit, ndërsa në dorën tjetër mbaj paqen dhe lirinë, të cilat mund t’i shijoni edhe ju ashtu siç po i shijon ndërkohë Siçilia.”
Qyteti u pushtua dhe u plaçkit.
Në këtë kohë, për shkak të qëndrimit të tij pasiv dhe dyshimit për tradhti, mbretin got Teodati e kishin vrarë njerëzit e tij. Mbreti që e zëvendësoi ishte Vitixhi.
Pasi fortifikoi Kumën dhe Napolin, Belisari u lëshua drejt Romës. Kur arriti në muret e saj, ai u prit si çlirimtar dhe portat e qytetit u hapën, pavarësisht pranisë së garnizoneve ostrogote që gjendeshin aty. Komandanti ostrogot i garnizonit të Romës u dërgua në Bizant që t’ia dorëzonte perandorit Justinianit I çelësat e Qytetit të Përjetshëm. Çlirimi i Romës nga bizantinët u festua me saturnale. Pas Romës ranë edhe disa qytete të tjera, si Narni, Peruxhia e Spoleto.
Belisarius duke refuzuar oferten e Goteve
Belisarius duke refuzuar oferten e Goteve
Rrethimi i Romës (537-538)
Belisarius duke refuzuar oferten e Goteve
Mbreti got Vitixhi nuk kishte ndër mend të dorëzohej, kështu që vendosi ta ripushtonte Romën. Rreth dy milje larg mureve të Romës u zhvillua një betejë e ashpër mes bizantinëve dhe gotëve. Më në fund fitorja anoi nga bizantinët, të cilët masakruan më shumë se 1000 gotë, ndërsa të tjerët morën arratinë. Në këtë betejë u përhap fjala se Belisari qe vrarë, por në të vërtetë gjenerali vetëm sa qe plagosur, gjë që i dha zemër ushtrisë bizantine.
Edhe pse e humbën këtë betejë, gotët nuk hoqën dorë nga dëshira për të ripushtuar Romën, ndaj e rrethuan sërish qytetin. Rrethimi zgjati plot një vit, por dështoi sërish. Gotët u tërhoqën me humbje të rënda. Më shumë se një e treta e ushtrisë së tyre humbi jetën.
Rënia e Ravenës
Belisarius nga Jacques-Louis David
Në vitin 540 Belisari sulmoi Ravenën, kryeqytetin e ostrogotëve. Ndërkohë që kishte organizuar rrethimin e Ravenës, ai mori lajmin se Justiniani I kishte firmosur një traktat paqeje me gotët, i cili parashikonte që bizantinët të mbanin Italinë e Jugut deri në lumen Po, ndërsa Italia e Veriut nga lumi Po e sipër t’u mbetej ostrogotëve. Duke qenë se ishte i vendosur që ta çonte medoemos mbretin Vitixh të lidhur me pranga në Kostandinopojë, Belisari refuzoi ta pranonte këtë traktat dhe vazhdoi luftën. Në këto kushte, gotët i propozuan Belisarit që ai të bëhej mbreti i tyre në vend të Vitixhit. Belisari bëri sikur e pranoi këtë propozim, por synimi i tij i vërtetë ishte thjesht hapja e portave të Ravenës. Portat u hapën dhe trupat bizantine vërshuan brenda. Vitixhi u kap rob dhe u dërgua në Kostandinopojë së bashku me gruan e tij dhe me tërë thesarin që gjendej në Ravenë.
Akuzat për tradhti
Ishte perandoresha Teodora (e cila nuk ishte thjesht bashkëshortja e Justinianit I, por edhe një pjesëmarrëse aktive në qeverisjen e perandorisë) ajo që bëri që Belisari të binte në fatkeqësi. Një herë ndodhi që perandori Justiniani u sëmur dhe disa komandantë hapën fjalën se, nëse në Bizant do të zgjidhej si perandor një tjetër Justinian, ushtarakët do t’i kundërviheshin. Kur perandori u shërua, komandantët thanë se këto fjalë kishin dalë nga goja e Belisarit dhe e Buces, një gjeneral bizantin me origjinë nga Traka. Perandoresha Teodora, e cila mendonte se në mënyrë të tërthortë këto fjalë kishin lidhje me të, i thirri që të dy, Belisarin dhe Bucen. Si rezultat, Bucen e prangosi dhe e mbylli në një burg të nëndheshëm, ku vuajti në kushte çnjerëzore për dy vjet e katër muaj dhe doli krejtësisht i shkatërruar fizikisht. Kundër Belisarit nuk u gjet asnjë provë, megjithatë perandoresha Teodorë nuk hoqi dorë nga synimet e saj kundër tij. Ajo arriti t’ia mbushte mendjen Justinianit I që ta shkarkonte nga detyra e komandantit të ushtrive të Lindjes, t’ia largonte truprojat e shërbëtorët, t’ua hiqte të drejtën miqve të tij që të shkonin për ta takuar, si dhe t’ia konfiskonte tërë pasurinë.
Belisarius nga Jacques-Louis David
Belisarius nga Jacques-Louis David
Në veprën e tij “Historia e fshehtë” Prokopi shkruan: “Një ditë te Belisari erdhi një oborrtar, i cili i solli një letër nga perandoresha Teodorë. Në letër thuhej: Ti e di mirë se si më ke trajtuar mua, i dashur, por ja që unë kam shumë detyrime ndaj bashkëshortes sate. Kësisoj kam vendosur t’i asgjësoj akuzat që bien mbi ty dhe të fal jetën. Nga ky çast mund të qetësohesh sa i takon shpëtimit të jetës dhe të pasurisë sate. Tashti le të shohim se si do të sillesh me të këndej e tutje.”
Rënia e Belisarius
Belisarius nga Peyron
Në vitin 562, Belisarius u akuzua për korrupsion dhe u dërgua në burg. Megjithatë më vonë u fal nga Justiniani, iu rikthyen nderimet dhe iu dha sërish e drejta për të qëndruan në oborrin perandorak bizantin.
Belisarius nga Peyron
Belisarius nga Peyron
Sipas një legjende, që sot konsiderohet pak e besueshme, Belisari u verbua dhe u detyrua të endej rrugëve duke kërkuar lëmoshë. Gjithsesi, sipas dokumenteve të kohës, rezulton se disa muaj më vonë, më 19 gusht të vitit 563, Justiniani I e çliroi Belisarin nga akuzat dhe ia riktheu të gjitha nderet që i takonin brenda oborrit perandorak.
Sado që pjesa më e madhe e historianëve e kanë përgënjeshtruar legjendën e verbimit, pas botimit të rrëfimit me titull “Bélisaire” (1767) të Jean-François Marmontel, historia e verbimit u bë një temë shumë popullore për piktorët e shekullit XVIII, mes të cilëve përmendim Jacques-Louis David me pikturën e tij që ka diçiturën “Belisari kërkon lëmoshë” (1781) dhe François Gérard me një pikturë që ka diçiturën “Belisari” (1795). Autorë të tjerë, si Van Dyck e Salvator Rosa, realizuan piktura që kishin si subjekt Belisarin duke lypur. Në kontekstin e verbimit, emri i Belisarit nisi të përmendej gjerësisht si një simbol që padiste dhe dënonte mosmirënjohjen që mbretërit e perandorët tregojnë ndaj njerëzve që u shërbejnë me përkushtim.
Gjenerali i madh ilir i Bizantit ndërroi jetë në Kostandinopojë më 13 mars të vitit 565, duke hyrë në histori si një ndër strategët më të mëdhenj ushtarakë të të gjitha kohërave

Emiljano Shullazi:Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri sfidon PD-në: Pse nuk ngre komision hetimor ndaj meje?

“Shullazi”, Tahiri sfidon PD-në: Pse nuk ngre komision hetimor ndaj meje?
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka folur në një intervistë për “Njerëz në Fokus” të “Neës 24” për arrestimin e Emiljano Shullazit.
I pyetur pse arrestimi nuk ka ndodhur më parë, Tahiri tha se për këtë duhet të pyetet Prokuroria dhe jo Policia.
Sipas tij, ishin blutë ata që bënë arrestimin e Shullazit me iniciativë të lirë dhe më pas, u fut në lojë dhe Prokuroria. Ndërkohë ai sfiduar edhe opozitën duke u kërkuar atyre të ngrejnë një komision hetimor për çështjen “Shullazi”.
Ndalimi i Shullazit, është shoqëruar me disa pikëpyetje. Cili ka qenë roli i Policisë?
Unë nuk dua të bëj rolin që nuk e kam. Sqarime të detajeve mund t’i merrni pranë policisë dhe unë ju ftoj që të bëni një kërkesë me shkrim dhe Policia do u përgjigjet. Ajo që unë ju garantoj është që Policia e Shtetit gjithçka ka mundësi dhe ka shtyrë përpara këtë çështje aq sa i takon. Kjo sa i takon përgjigjes lidhur me pikëpyetjen që ju thanë se ngrihet përgjithësisht.
Unë besoj se kjo pikëpyetje është dashakeqe. Është bërë publikisht interesante dhe mjaft e kollajtë që të sulmohet Policia. Kur ndërkohë që sot policia është institucioni më i besueshëm, jo se e them unë, por nga sondazhe që janë bërë.
Unë mendoj se zgjidhja që kemi me sistemin e drejtësisë nuk vlen, në rast se ne nuk marrim kurajën t’i drejtojmë gishtin përgjegjësit real që nuk funksionon. Ka një korporatë gati kriminale, me gjyqtarë e prokurorë, e duke thënë këtë nuk përjashtoj edhe Policinë e Shtetit.
Por më pak të prekura nga reformimi janë këto dy institucione. E kjo nuk zgjidhet as duke sulmuar Qeverinë dhe as Policinë. Nuk them që Policia s’ka gabime, që s’ka policë që nuk bëjnë detyrën e që nuk korruptohen, por sot Policia është në proces reformimi. Nuk është e njëjta gjë në Gjykata e Prokurori.
A ka pasur përplasje mes Policisë dhe Prokurorisë?
Jo nuk ka pasur asnjë përplasje.
Pse u arrestua tani Shullazi dhe jo më përpara?
Edhe unë e kam pikëpyetjen nëse do ishte arrestuar nëse s’do e kishte shoqëruar Policia me iniciativën e vet për çështjen e kandidatit për rektor, tashmë rektor. Po për këtë duhet ta japë përgjigjen Prokuroria, jo unë.
Është përfolur se Shullazi ka kërcënuar një person me shtetësi amerikane. Cili është komenti juaj?
Për këtë duhet të pyesni Policinë.
Sa ndikim ka pasur takimi juaj në FBI me këtë arrestim?
Asnjë ndikim.
Zoti Berisha tha në Parlament që Shullazi ju ka dërguar ju mesazh nga burgu. Ditë më përpara u kërkua edhe dorëheqja juaj…
Unë nuk i përgjigjem dot çdo lloj diarreje të ish-kryeministrit. Nuk kam as kohë. Por është fatale që degradimi ka arritur deri në këtë pikë. Unë i kam sfiduar që të ngrenë një komision hetimor për të parë se çfarë ka bërë Policia në këtë kohë. Unë jam aty dhe angazhohem.
Jam shumë i sigurt se edhe prokurori i përgjithshëm do të angazhohet. T’i hyjë verifikimit me një komision hetimor. Unë di t’ju them që Policia ka bërë detyrën një më një. Këto aludimet që thotë Saliu, i merrni ju dhe mi ktheni në pyetje mua, apo të tjerëve vetëm pse e thotë Saliu, unë nuk ia kam terezinë t’i përgjigjem. Unë vazhdoj të jem i hapur për komisionin hetimor.
Do jem që ditën e parë në këtë komision. Do i vëmë në dispozicion, çdo dokument, çdo tabulat, çdo kamera. Një mini kusht i dytë, që për këto që thotë të kërkojë edhe ndjesë. Pyetja mbetet, pse nuk e pranon opozita ngritjen e një komisioni hetimor? Me pretendimin se po e heton prokuroria.
Kjo është një histori që duhet të marrë fund një herë e mirë. Unë nuk e imagjinoj dot të kem një standard moral me Sali Berishën. As merrem dhe as dua të merrem. I ftoj për ngritjen e një komisioni hetimor dhe nuk e kuptoj pse nuk e pranojnë. Nuk e di pse rrinë e merrem, jo gardiani dixhital, jo polici dixhital, jo komisariati dixhital…

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...