Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/09/23

Zymer Mehani: Lisin e madh e rrah era më shumë


nana tereze


Reagim ndaj shkrimit tendencioz të shkrimtarit indian Osho: “Nënë Tereza mashtruese dhe hipokrite”

Për dekada me radhë, shkrimtari dhe mistiku nga India, Osho, ka shpërfaqur pikëpamjet e tij lidhur me veprimtarinë e Nënë Terezës , agjendën religjioze të saj dhe” indoktrimin” e fëmijëve, që ky shkrimtar e ka vërë në pikëpyetje dhe e ka vlerësuar si abuzim. Pikëpamjet e tij, tash nga të tjerët, janë riaktualizuar pas shenjtërimit të humanistes shqiptare. Kush është OSHO? Osho (1931-1990) është shkrimtar nga India, librat e të cilit janë përkthyer në më shumë se 60 gjuhë nga rreth 200 shtëpi botuese, ndër to edhe në shqip. Ai konsideron se politikanët dhe priftërinjtë gjithmonë kanë qenë në një konspiracion të thellë. Sipas tij, këta të dy e kanë ndarë njeriun: politikani kontrollon të jashtmen, prifti rregullon brendësinë e njeriut. Lidhur me këtë Osho shprehet: “Ata janë së bashku në një konspiracion të thellë kundër humanizmit. Ata mund të mos jenë të vetëdijshëm çfarë bëjnë, por nuk dyshoj në qëllimet e tyre”. Më tutje ai pretendon për një letër që ia kishte shkruar Nënë Tereza, disa ditë pasi kjo e kishte fituar çmimin Nobel për paqe:“Sapo më erdhi një pjesë e fjalimit tënd. Më vjen shumë keq për çfarë keni folur. Për gjithë çfarë më keni atribuuar, unë ju fal me dashuri të madhe”, citon Osho, letrën e Shën Terezës. Letrës, ajo ia kishte bashkëngjitur fjalët që Osho i kishte shkruar në gazetë: Mashtruese, sharlatane dhe hipokrite. Osho thotë se i pëlqeu letra e Nënë Terezës, por i vjen keq për të se nuk e ka kuptuar qartë çfarë ka shkruar ai. Sipas tij, mashtruesi nuk është vetëm ai person që mashtron dikë, por edhe që mashtron vetëveten. Ai e konsideron Nënë Terezën në këtë nivel. Sipas tij, shenjtorja me origjinë shqiptare nuk ka pasur qëllime të këqija, por duke mashtruar vetëveten, ka mashtruar edhe të tjerët, sepse sipas Osho-s, rezultatet nuk varen nga qëllimet. “Ajo u ka shërbyer të varfërve, por të varfërve u është shërbyer prej shekujsh dhe varfëria nuk është zhdukur. Varfëria nuk zhduket, duke u shërbyer atyre”, konsideron mistiku dhe mësuesi spiritual nga India. Sipas tij, pranimi i çmimit Nobel nga Nënë Tereza, është një arsye pse atë e konsideron mashtruese të pavetëdijshme. Kjo sepse ky çmim i është dhënë nga një shoqëri e çmendur, duke marrë shembull filozofin francez Jean Paul Sartre, i cili kishte refuzuar Nobelin për të një jtën arsye. Ai e justifikon këtë edhe duke shtuar se paratë e Nobelit nuk dihet se nga vijnë. Osho arsyeton tutje duke thënë se e ka quajtur Nënë Terezën “sharlatane”, sepse një njeri religjioz nuk do ta pranonte çmimin Nobel në asnjë mënyrë. “Një njeri vërtet religjioz është i rebeluar, shoqëria e përjashton atë. Jezusi është dënuar si një kriminel dhe Nënë Tereza është respektuar si një shenjtore. Sharlatanët gjithmonë janë vlerësuar nga shoqëria, për shkak se ata janë të dobishëm për këtë shoqëri, për këtë status quo”, shkruante Osho. Ai shton se e ka quajtur “hipokrite” sepse sipas tij, të gjithë njerëzit që shfaqin diçka tjetër nga jashtë dhe nga brenda janë e kundërta, janë të gjithë të tillë. Ai arsyeton se të gjitha këto atribuime që ia ka bërë Nënë Terezës, nuk mund të merren si ofendime. Osho hedh dyshimet se nga i kishte siguruar Nënë Tereza gjithë ato fonde për ushqime. Me një fjalë, nga e gjithë kjo që u tha, del se Osho është një mendjekrisu

Sevdail Hyseni : Vetë – ve – ndosja…( Satirike)

mentaliteti karikatura (1)


“Vetëvendosja” vet

U kap në grep

I kishte të thyera

Vezët në xhep



As gazi s’i shkrepi

Me tym në Kuvend

E doli në rrugë

Të kërkoj mend



Afera e rrugëve

Nuk i solli nam

Nëpër sheshet tona

Pordhë e piskamë



E pipëzat u shurdhën

Për faqe të zezë

Meqë ishin blerë

Në tregun kinez



Vetëm në Afrikë

Kufijtë si dikur

Thonë se Luanët

I shënojnë me shurrë



Kufijtë nuk lëvizin

Si dera pa rezë

Seç ngeli Kosova

Pa “Vizë” e pa “Vezë”!

Përçasje e gjendjes shpirtërore e shkrimtarit të mërguar


rruges-jam

Disa fjalë rreth librit poetik “ Rrugës jam…” autor i të cilit është Besnik Camaj, që jeton e vepron në Cyrih të Zvicrës

Shkruan: XHAVIT ÇITAKU

Të jesh krijues në mërgatë asesi nuk mund të mbetesh indiferent për asgjë që është motiv i reflektimit dhe shtytjes për të bërë diç që atë që të mundon ta shprehesh në letër, në këngë apo në forma të ndryshme të komunikimit. Pra, ai vihet në qendër të veprimit për ta mbajtur të ndezur shkëndijen e atij veprimi që gjallëron e forcon shpirtërisht për aksione praktike që aq mirë i pret lexuesi dhe publiku në përgjithësi. Në këto raste, prandaj, shpeshherë koordinohen veprimet shpirtërore me veprimet praktike dhe shkrimtari rrok lapsin dhe shpreh ndjenjën e dashurisë që ndien për atdhe.

Kësisoj vepron edhe Besnik Camaj në librin e tij të fundit “ Rrugës jam…” zëri i së cilit nuk del si një i thjesht e pakuptim, por është një kontrapunkt i vërtetë ku vrujojnë në të njëjtën kohë dhimbje e rënkime për vendlindjen sipas intensitetit të frymës dhe të vlerës artistike, që shkon krahas formimit të vet shkrimtarit në ngjarjet e së kaluarës, përkatësisht të jetës kur ishte në vendlindje dhe mallit të madh që tash ndien kur gjendet larg mëmëdheut. Është me rëndësi të theksohet edhe kjo se duke lexuar vjershat e Besnik Camajt, vërejmë edhe këtë se ai në mërgim ka formuar individualitetin e vet në modelet e letërsisë evropiane.

Pa ta si pa sy

Atë ditë u zgjova këndes

Shoshita natën në diell

Ndriti në mengjez

Përcëllon më shumë nga largësia

U fika

Shumë kam mall për ty

Mendja gjithnjë tek ti me rri

Me lot tu kja e të tjera, bie në sy sidomos dashuria për atdhe. Ajo që i cilëson këto vjersha është zakonisht toni nostalgjik dhe dëshira e madhe për ta vizituar folën ku kishte lindur dhe se siç thotë edhe vetë se ka shumë mall për të dhe se gjithherë mendjen e ka tek ajo dhe atje dëshiron të rri. I larguar kohë të gjatë nga vendlindja, poeti shpesh për të derdh edhe lot. Besnik Camaj në vargjet e tij përshkruan aq mrekullueshëm edhe bukuritë e natyrës së atdheut, kujtimet fëmijërore, që janë edhe motive të vjershave të këtij autori. Këto vjersha kanë parasysh përçasjen e gjendjes shpirtërore të shkrimtarit të mërguar, të realizuar me përpikëri me një dozë të realitetit të asaj gjendjeje.

Duke vazhduar së lexuari poezitë e Besnik Camajt mund të krijohet edhe parafytyrimi i qartë i vendlindjes së bukur e të begatshme, të pasur me fusha e lumenj, të kurorëzuar me male të larta, të përshkruara me tingëllimin e zamareve të shoqëruara edhe me këngë të zogjve, të stërpikur me tallaze detrash, ku bëjnë jetë të gjatë turma blegtoresh e bujqish dhe shumë të tjerë të pasionuar me veprimtaritë e tyre. Zaten ky është një qëllim për të tëholluar, në një mënyrë, ndjenjën e dashurisë por edhe të krenarisë për prejardhjen që e ka autori. Camaj me një mjeshtri krijuese aq mirë e tëhollon ndjenjën e dashurisë për gjithçka që i sheh syri dhe dëgjon për vendin e tij. Ai, po ashtu, pastaj ngacmon edhe pikturimin me anë të vargjeve të bukurisë mahnitëse të tërë atyre pjesëve ku u lind e ku u rritë dhe kësisoj poeti jep konturat e një gjendjeje pikture që plotëson, ilustron dhe përsëritën më pastaj si lajtmotiv në tërë poezinë e tij mallëngjyese në librin “ Rrugës jam…”. Mendoj se poezia e Camajt është në nivelin e duhur të kritereve dhe vlerave artistike dhe kësisoj ajo bëhet e fort dhe parimore në pikëpamje të koncepteve të tërësishme të këtij motivi që reflektohet aq shumë nga ndjenja e tij e dhimbshme, e vuajtjes dhe mungesës së pranisë së tij në vendin e lindjes. Pra, ai artistikisht pasqyron bukur manifestimin e jetës shpirtërore, jo vetëm të autorit, por edhe të shumicës së mërgimtarëve tanë të shpërndarë në të gjitha kontinentet e botës.

Fadil Demaku: Lotët e dytë; të fundit apo…të përjetshmit …


Fragment nga libri im “Abria e stines se armeve”



1236006_597134527005271_412095797_n

Pas dy vitesh qëndrimi në SHBA marrë rrugën për në vendlindjen time.U ktheva me shpresë se do të gjej rrugën për t’u riatdhesuar së shpejti, ngase fëmijtë po rriteshin dhe qëndirmi i mëtejmë në SHBA, do të thoshte qëndrim i përjetshëm…O zot , këtë nuk e kam menduar kurrë!

Amerika mund të ishte ëndërra e shumëkujt, por unë gjithëmonë u ndjeva me ëndërra të vrara në Amerikë!Arrita në Abrinë time. Shtëpitë ishin rindërtuar dhe askund gjurmë lufte. Madje secili kishte ngritur shtëpi më të mirë se që kishte patur më heret. Zemra më bëhej mal tek i shihja këto ndërtesa kaq të bukura. Shkolla në mes të fshatit tani shëndriste si një lule e bukur dhe i kishte ndërruar pamjen fushës së Milimerit. Sa kënaqësi të shikoje nga shpati bukurinë e këtij ndërtimi të ri të katundit tim, por…Askund nuk takoj njerëzit e së kaluarës sime. Edhe shokët e fëmijërisë sime, tash ishin shumë të rezervuar. Hallet dje na bashkonin, hallet sot i kishin përçarë. Ajet Demaku kishte vdekur e bashkë me të edhe gazi dhe humori në Milimer.E kjo ishte goditja më e rëndë që mora në jetë. Zot., çfarë po ndodhte në Abri?!Shtëpitë ishin rindërtuar, madje shumë më të bukura se që ishin dikur, por ishin rrënuar kullat e miqësisë dhe dashurisë mes njerëzve!Ika nga Abria me lotë në sy! Më besoni, kësaj radhe kam qajtur si fëmij.E lëshova Abrinë, pas dy vitesh e gjysëm lirie, shumë në gjendje më të rënd se dikur kur po digjej e tëra dhe unë e shumë bashkëfshatarë të mi u ngrohëm në flakët e shtëpive tona edhe për javë të tëra.Robëri e re politike në emër të lirisë kishte pllakosur Abrinë. Edhe bashkëpuntorët e mi të djeshëm ishin bërë “patriotë ”e mua më kishin dhënë dhjetëra epitete jokombëtare. Dje më paten akuzuar pse e para inteligjencia studenteskeg pë rmes gazetes “Bota e re”, të cilen e udhëhiqja do ta kundërshtojë regjimin Millosheviqian, sot…?! Ania e shpresave për t’u kthyer përfundimisht po fundosej, si Titaniku dikur në ujërat e Atlantikut. U ndjeva njeriu më fatkeq në rruzullin tokësor.Qajta si një fëmijë që kishte humbur lodrën më të çmueshme jetësore.Zot, a do të jenë këta lotët që do të më përcjellin gjatë gjithë pjesës së mbetur të jetës sime!!!???

Skandaloze: Shtohet numri i përdoruesve të narkotikëve, ngritet çmimi i drogave në tregun e Kosovës!


droga-780x439-750x375


Sipas Policisë së Kosovës momentalisht në Kosovë ka rreth 3 mijë përdorues të rregullt të substancave narkotike ndërkaq droga me e frekuentuar në Kosovë ka qene dhe mbetet marihuana

Arbenita Marmulaku 

Përdorimi i substancave narkotike në Kosovë, është një problem shqetësues që po merr përmasa të mëdha, sidomos të të rinjtë e vendit tonë. Kështu shifrat zyrtare prej rreth 3 mijë vetave, mund të jetë edhe më e madhe, ndërkaq masat parandaluese të organeve përgjegjëse megjithëse po shënojnë rezultate, nuk mund të themi se kanë arritur t’i fusin nën kontroll grupet kriminale që merren me shitjen dhe trafikimin e substancave narkotike në Kosovë dhe të parandalojnë këtë dukuri negative.
Botapress, ka kontaktuar zyrtarët e Policisë së Kosovës prej të cilëve ka marrë të dhëna zyrtare për sasinë e konfiskuar të materialeve narkotike, për numrin e të dyshuarve, e të ndaluarve, si dhe për moshën e përdoruesve të këtyre substancave narkotike.
Zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë bërë të ditur për Botapress, se për luftimin e dukurive negative në shoqëri, përveç veprimeve aktive policore është e domosdoshme ndërmarrja e masave proaktive.
Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik(DHTN) angazhohet  në veprimtarinë e parandalimit, hetimit, zbulimit dhe arrestimit të personave qe kryejnë të gjitha format e veprave kriminale që kanë të bëjnë me substancat narkotike (drogat)  të parapara me legjislacionin e Republikës se Kosovës.
Kujdes i veçantë i  kushtohet fushës së bashkëpunimit ndërkombëtar dhe parandalimit.
Në mënyre qe të arrihet efikasiteti në parandalim janë ndërmarr hapat si në vijim:

  • Janë intensifikuar  takimet me burime të terren.
  • Janë intensifikuar vizitat në lokacionet e ndryshme të frekuentuara nga trafikantet.
  • Janë mbajtur takime me institucione kombëtare dhe ndërkombëtare
  • në shkollat e mesme të Kosovës janë mbajtur ligjërata me qellim vetëdijesimi për pasojat nga përdorimi i drogave.
  • Janë shtuar kapacitetet logjistike ( pajisje për identifikimin e drogave) etj.

Droga me e frekuentuar në Kosovë ka qene dhe mbetet marihuana. Luftimi serioz i autoriteteve të  Republikes se Shqiperise ka pasur efekt, por edhe pse verehet se ka ndryshuar rruga dhe kërkohen rrugë detare praë se prapë marihuana mbetet prezente.
Qarkullimi i heroinës përmes rrugës ballkanike është   reduktuar në masë të  madhe.
Kjo ka ndodhur për arsye të  shumë faktoreve por konsiderohet se faktoret kryesore jane: luftimi serioz nga autoritetet e zbatimit të  ligjit, bashkepunimi nderkombatere, transporti më i lehtë përmes rrugëve detare etj.
Hetimet tregojne se çmimi i drogave në tregun e Kosovës  kanë pësuar ngritje në krahasim me përpara.

Për 7 muaj (janar korrrik) janë identifukuar 563 persona të dyshimtë për përdorim të substancave narkotike

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, të cilin e ka siguruar Botapress, prej janarit e deri në korrik të këtij viti janë shënuar 429 raste të përdorimit të substancave narkotike në Kosovë. Muaji janar ka qenë muaji me numër më të vogël të rasteve ndërkaq rekord ka shënuar muaji korrik me 93 raste.
Prej tyre, 563 veta janë identifikuar sit ë dyshuar, 423 janë arrestuar, 156 veta janë ndaruar.
Prej këtij numri, janë identifukuar 507  shqiptarë, 10 serbë dhe 46 të tjerë.
Gjina e të dyshimtëve për përdorim të substancve narkotike përfshin 549 meshkuj dhe 14 femra.
Policia e Kosovës ka ndalur 387 veta për posedim të substancave narkotike, 35 veta për kultivim ndërkaq ka identifukuar 8 grupe kriminale që merren me shitjen dhe shpërndarjen e substancave narkotike.
Gjatë hetimit të rastevet të tilla prej janarit deri në korrik ka realizuar 411 aksione policiore për parandalimin dhe identifikimin e rasteve të përdorimit të substancave narkotike në Kosovë.

Për më shumë shih tabelën e poshtëshënuar
tabela 1

Ja sa është sasia e konfiskuar e lëndëve narkotike?

Të kontaktuar nga Botapress, Policia e Kosovës ka dhënë edhe shënime të sasisë së konfiskuar dhe të llojit të substancave narkotike, prej janarit deri në korrik të këtij viti.
Kështu sipas shënimeve të Policisë së Kosovës në Kosovë përdoren këto substance narkotike: heroina, marihuana, hashashi, kokaina, bimë kanabis, fara kanabis, ekstazy e droga të tjera.
Nga këto lloje të drogave janë konfiskuar:
Heroinë: 19.55 gramë,
Marihuanë 274 kg 318.26 gr  (vetëm në muajin korrik 208 kg e 03 gramë
Hashash 8 gram (vetëm në muajin korrik)
Kokainë 87.8 gramë
Bimë të kanabisit  1.603 kilogramë
Fara kanabisi  2.486 kilogram  + 3.58 gramë
Ekstazy 192.35 gramë
Nga drogat e tjera janë konfiskuar edhe 2 hapa tramadol, 9 kg 614gr  paracetamol me kafeine,  207 gota pastike të  mbjellura me bime kanabisi, 10 ml metadon me diazepam, 1 cigare, 2 gjoint  0.9 gr, 2gjoint , 50 shishe të  prera pergjysme me fara të  mbjellura, 9 saksi të  dyshuar të  mbjellura me kanabis, 3 gjoint   99 hapa,  242.7 gr speed,  11.8 gr panjohur  60 ml metadon , 2 hapa tramadol.   9 kg 614gr paracetamol me kafeine, 207 gota pastike të  mbjellura me bime kanabisi,70 ml metadon me diazepam, 1 cigare, 8 gjoint  , 50 shishe të  prera pergjysme me fara të  mbjellura
9 saksi të  dyshuar të  mbjellura me kanabis, 242.7 gr speed , 99 hapa, 11.8 gr panjohur etj

Për më shumë shih pasqyrën e poshtëshënuar
taberla 2

Mosha më e preferuar e përdoruesve të drogave, prej 22 deri më 35 vjeç
 Gjithnjë sipas të dhënave të Policisë së Kosovës mosha më e preferuar e përdoruesve të substancave narkotike sillet prej 22 deri në 35 vjeç. Kështu sipas këtyre të dhënave, 53% e të përdoruesve I takojnë kësja moshe, 27% të moshës 19-21 vjeç, 11% të moshës mbi 35 vjeç ndërkaq 9% të moshës 14- 18 vjeç.

Për më shumë shih pasqyrën e poshtëshënuar

tabela 3
Policia e Kosovës ka ardhë në përfundim duke u bazuar në raportet e organizatave relevante, si vendore ashtu edhe ndërkombëtare se numri i përdoruesve të heroinës  sillet diku rreth 3.000 por kohëve të fundit numri i përdoruesve të  heroinës ka rënie të madhe dhe me tepër përdoret metadoni ( substance legale e cila përdoret për trajtim).

Eshref Ymeri: Një përkthim me një shqipe të shpifur



Tek po shtegtoja nëpër faqet e internetit, rastësisht hasa në një material me titull:

“Gjermani kërcënon: Du ju heqim statusin e vendit kandidat”.

Materiali ishte botuar në faqen e internetit të gazetës “Mapo” të datës 29 qershor 2016.

Menjëherë më bëri përshtypje shprehja në fillim të titullit “Gjermani kërcënon”, sepse ajo i kall drithërimën lexuesit se i kujton vitet e Luftës II Botërore, kur Hitleri gjithandej kërcënonte vendet e Evropës Perëndimore për t’i pushtuar

Por më e çuditshmja është se në vend të shprehjes “Do t’ju heqim statusin…”, është shkruar “Du ju heqim statusin…”. Kjo është e turpshme për një gazetë që e mban veten për serioze në raport me lexuesit e saj. Është e pahijshme për pronarin e gazetës, për kryeredaktorin, për redaktorin dhe për korrektorin, nëse një i tillë figuron ose jo si i punësuar në redaksinë e saj. Kjo është një mungesë e theksuar respekti për lexuesit dhe një shëmtim flagrant i gjuhës shqipe.

Në intervistën që i është marrë Kryetarit të Komisionit për Çështjet Evropiane në Bundestag, zotërisë Krichbaum, nuk thuhet absolutisht se kush është intervistuesi dhe kush është përkthyesi i kësaj interviste. Kjo duhet bërë e ditur, në mënyrë që lexuesit ta mësojnë se përkthyesi na paska qenë një copë injoranti që ka turpëruar faqen e gazetës “Mapo”. Por edhe nëse përkthimi ështe bërë përmes “Google”, situata bëhet edhe më e rëndë: kryeredaktori dhe redaktori e paskan marrë intervistën drejtpërdrejt nga përkthimi dhe, sikur të kishin të bënin me ndonjë bagazh hesapi, e paskan rrasur në faqet e gazetës, pa kurrfarë kontrolli.

Në përgjigjet që ka dhënë zotëria i nderuar Krichbaum, hasen mjaft fjali të shëmtuara, të cilat lexuesin e revoltojnë dhe e mbushin me maraz. Po citoj vetëm disa prej tyre:

Nese nuk gjendet kompromis reforma nuk do i jape drejtesine te pavaruar.

Kjo eshte e qarte per peicesurat e perzgjedhjes per keshillat e larte…

Ne ju mbeshtesim ne te gjitha ceshtjet, ne jete kuader moret statusin kandidat.

Zbatimit i ligjeve qe te vijne investitire dhe shqiperia te behet e besueshme.

Por, për çudi, po këtë titull të shëmtuar të intervistës në fjalë, e kanë të botuar edhe tri faqe interneti: “Piruni Media”, “Opinion”, “Opozita.Com”.

Vetvetiu lind pyetja:

Si është e mundur të lejohet botimi i një shëmtire të tillë në faqet e një gazete të njohur dhe të fyhet deri në këtë shkallë gjuha shqipe, të cilën e kemi pasuri me vlera të jashtëzakonshme kombëtare?

Botimi i kësaj shëmtire e ka burimin te tallja e politikës shqiptare me këtë pasuri kombëtare. Me sa kam informacion, në sirtarët e Kuvendit ka zënë myk Projektligji për Gjuhën Shqipe, i cili ka dhjetë vjet që prehet atje. Dhe kryetarët e Kuvendit, që hipin e zbresin nga kolltuku, nuk e kanë çarë kokën absolutisht ta shtrojnë për diskutim dhe ta kthejnë në ligj me kërkesa të rrepta për mbrojtjen e pastërtisë së gjuhës shqipe dhe të normave të saj si gjuhë e njësuar. Hesht Qendra e Studimeve Albanologjike, hesht Akademia e Shkencave për moskalimin në Kuvend të këtij Projektligji, heshtin profesorët, të cilët janë specialistë të gjuhës shqipe dhe atë e kanë lëndë mësimi për studentët në universitet. Heshtin politikanët-deputetë për mbrojtjen e gjuhës shqipe nga ndotje të tilla flagrante, se jo pak syresh e bëjnë pis me fjalë të huaja, krejtësisht të panevojshme.

Gazeta “Mapo” duhet t’u kërkojë ndjesë publike lexuesve të saj pë fyerjen e rëndë që i ka bërë gjuhës shqipe me botimin e kësaj interviste me një leksik të përçudnuar.

Prof.Dr. Eshref Ymerit : Pak fjalë për një libër që meriton shumë

NGA DR. ANDON DEDE, NJU YORK 

Në një cikël emisionesh për historinë e Kinematografisë, që e pata ndjekur vite më parë, jepej një detaj tepër interesant e domethënës. Duke bërë fjalë për një dokumentar për peshkatarët, autori theksonte se ”ai peshk që ju hani në restorant apo në shtëpi, në një mjedis komod dhe e shijoni për shtatë palë qejfe, ndofta as që ju shkon në mëndje se sa mund e djersë është derdhur, për të përfundar ai peshk tek pjata juaj…”. Dhe autori, përmes një retrospektive, kthehej tek gjuetia e peshkut në një ditë jo të zakonshme, por në një det me dallgë e stuhi që e bënte peshkimin aq të vështirë sa që të rrezikonte dhe jetën e peshkatarëve. Më pas ai tregonte rrugën që bënte peshku i zënë deri sa përfundonte tek pjata jonë.

M’u kujtua kjo histori tek po lexoja librin e Prof. Dr. Eshref Ymerit, botuar tani vonë, me një titull tepër tërheqës: ”Përkthimi, një histori pasioni”.

Lexuesi, me të drejtë, mund të habitet nga kjo përqasje: e ç’lidhje ka peshkimi me përkthimin? Në vështrim të parë edhe unë bashkohem me të. Por, më lejoni ta shpalos deri në fund idenë që më lindi nga përqasja e mësipërme. A nuk kënaqemi dhe ne, tek lexojmë një roman, përmbledhje me poezi apo tregime, në mos dhe çdo libër të ndonjë fushe tjetër dhe, ndofta, jo për fajin tonë, as që na shkon ndër mend se atë kënaqësi po na e jep jo vetëm autori por dhe ai që e ka sjellë aq bukur, natyrshëm në gjuhën tonë sa ne jo vetëm që e kuptojmë plotësisht por dhe e shijojmë estetikisht. Për hir të së vërtetës duhet thënë se jo gjithmonë i jemi mirënjohës edhe përkthyesit krahas autorit, ndonëse ai, për të na e sjellë në gjuhën tonë, ka derdhur mund e djersë, në mos sa ai peshkatari në dallgë e stuhi, por shpirtërisht e mendërisht, është lodhur e cfilitur jo më pak se ai. E, pra, me punën krijuese por dhe të vështirë e të mundimëshme të përkthyesve, pse jo dhe me heroizmin e heshtur të tyre, na njeh libri i sipërcituar.

Autori shkruan diku se : “njëlloj siç njohim arrtistin e madh në secilin prej roleve që ai luan, po ashtu edhe në çdo vepër të përkthyer gjejmë se cili është përkthyesi i shquar që domosdoshmëisht duhet të jetë një mjeshtër i vërtetë i fjalës artistike me artin që prodhon pena e vet.” Më tej ai shtjellon bindshëm idenë se për një përkthim cilësor është e domosdoshme jo vetëm zotërimi mjeshtëror i gjuhës burimore por dhe i shqipes, çka nënkupton njohjen me themel jo vetëm të pasurisë leksikore por dhe të strukturës gramatikore të të dyja gjuhëve, të cilat mund të mos kenë përputhje me njera tjetrën.Ajo çka mund të shprehet me mjete morfologjike në një gjuhë, në tjetrën mund të kompensohet me mjete leksikore.

Por, ky aspekt i përkthimtarisë është vetëm njera nga trajtesat e shumta që përmban libri. Autori e ka parë këtë veprimtari intelektuale në shumë plane e prerje, horizontale e vertikale. Ai e nis shtjellimin e kësaj teme që nga orgjina e lashtë, si lindi vetë termi përkthim, si një nga llojet e hershme të veprimtarisë së njeriut dhe, kapitull pas kapitulli, vjen deri në ditët tona. Ndërkohë që je duke lexuar librin, ti iu je përgjigjur një sërë pyetjeve që edhe mund t’i kesh pasur që më parë në mëndje apo që t’i ofron vetë autori si fjala vjen, pse lindi nevoja e përkthimit; sa lloj përkthimesh kemi; a ka dallim midis përkthimit të një vepre artistike dhe të një tjetre tekniko-shkencore, të biznesit e të tregëtisë, diplomacisë apo të gazetarisë e të publicistikës.

Po në vetë letërsinë artistike, a përdoren të njëjtat mjete e rrugë për të sjellë në gjuhën tonë prozën e poezinë? A e vlen të ripërkthehen veprat e përkthyera tashmë, qoftë dhe nga mjeshtër të shquar të fjalës shqipe, si Fan Noli, Mitrush Kuteli, Skënder Luarasi e plot të tjerë? Parë në këtë prizëm libri, krahas kënaqësisë që të jep të pasuron edhe me një informacion të bollshëm. Për të qënë sa më bindës autori nuk mjaftohet thjesht me shpalosjen e mendimevet të veta por iu hap derën dhe krijuesve e përkthyesve të tjerë për të plotësuar sa më gjerë e sa më thellë përgjigjet për pyetjet që shtruam më sipër e për shumë të tjera që gjallojnë në faqet e këtij libri.

Do të mjaftonte gjithë sa thamë më lart për të përligjur botimin apo dhe leximin e tij. Por, po ta linim me kaq do të bënim një mëkat të madh se libri përmban dhe shumë e shumë informacione e trajtesa të tjera, njera më interesante se tjetra. Autori përveç shtjellimit teoriko-shkencor të kësaj veprimtarie të vyer intelektuale e sheh atë edhe në një sërë planesh psiko-sociale. Ai ndalet gjerësisht tek puna kolosale, po, po e përsëris, kolosale e një brezi të tërë përkthyesish që kanë sjellë në gjuhën tonë kryevepra botërore, jo vetëm të letersisë artistike por dhe politiko-shkencore-shoqërore dhe që jo vetëm nuk u shpërblyen materialisht për atë stërmundim prej sizifi por, për arsyet që merren me mënd nga ne që e kemi jetuar atë kohë, emri i tyre nuk është vënë as në ballinën e shumë e shumë botimeve voluminoze. Le të përmendim, fjala vjen përktheysit e veprave të klasikëve të Marksizëm-Leninizmit.

Mos e paragjykoni nga përmbajtja apo konotacioni i keq që mori kjo rrymë e shkencave shoqërore me dështimin e utopisë komuniste. Por, a e merrni dot me mend se ç’punë e madhe është bërë për të sjellë në gjuhën tonë vepra të tilla si “Kapitali”, “Teoritë e Mbivlerës” e plot të tjera, kur edhe terminologjia e përdorur në to thuajse mungonte fare.

Parë në këtë prizëm, autori, që është edhe vetë një përkthyes i njohur, i bën një homazh të shkëlqyer atij brezi që punoi pa u lodhur, me sakrifica të mëdha, për të pasuruar fondin e literaturës tonë politiko-shoqërore, apo dhe atë të terminologjisë përkatëse. Është kjo arsyeja që autori, këtë libër, siç e pohon vetë që në faqet e para të tij, ua blaton “të gjithë atyre Njerëzve të Shquar të Kombit Shqiptar, që ia kushtuan jetën artit të përkthimit, duke dhënë një kontribut të paçmueshëm për pasurimin e kulturës sonë kombëtare me thesare të kulturës botërore, paçka se disave prej tyre, si pasojë e luftës së klasave që e ushtroi me aq dhunë diktatura komuniste, ose thjesht për tekat autoritariste të kësaj të fundit, emrat nuk u figurojnë në ballinat e veprave të përkthyera dhe ata mbetën heronj të heshtur.” S’ka si të mos ndjesh dhimbje në shpirt kur lexon një nga rrëfimet e sjella në libër të një koleges së tyre, Violanda Canko: “Fatkeqësia është se ndokënd nga përkthyesit e përkryer të asaj kohe, e ndesh rrugës, të katandisur mos më keq, në një pleqëri të mjerë ekonomikisht dhe të mbaruar shpirtërisht.”

Me shumë interes janë dhënë nga autori apo dhe nga ata që ia kanë përcjellë atij mbrest e tyre, portretet e shumë përkthyesve të shquar, duke nisur me Gjon Shllakun që solli në shqip “Iliadën” e Homerit, e deri tek Isuf Vrioni që përktheu në frengjisht Kadarenë.

Por, edhe me këtë parantezë që bëmë nuk i treguam gjithë shtigjet që ka çarë autori për të plotësuar tablonë e përkthimtarisë në vendin tonë. Jo pa qëllim e theksojmë këtë aspekt se ne, ndryshe nga tërë bota, edhe në këtë fushë kemi specifikën tonë. Brezi im nuk e ka vështirë ta marrë me mend se përse e kemi fjalën. A ju kujtohen veprat “madhore” të diktatorit që përktheheshin e botoheshin në tërë ato gjuhë të botës? Me siguri që iu kujtohet por jo të gjithë e dinë se si është punuar për to dhe sa kanë kushtuar. Në libër jepet një tablo e saktë dhe e plotë e tërë asaj pune të jashtzakonshme që kanë bërë përktheysit e Shtëpisë Botuese “8 nëntori” për t’i përkthyer ato jo më nga një gjuhë e huaj në shqip por në drejtim të kundërt. Vetëm kush është marrë sadopak me të tilla punë mund ta kuptojë se sa e mundimëshme ka qënë ajo. Jo vetëm kaq, por siç vë në dukje autori, mjaft prej atyre “veprave të shquara”, duhet të përktheheshin shumë shpejt se “mezi i priste proletariati botëror e marksist-leninistët në tërë rruzullin për t’u njohur me përvojën e shkëlqyer shqiptare dhe me mendimin teorik të udhëheqësit të shquar ku i pat drejtuar sytë gjithë bota”. Ato vepra, thekson autori, duhet të përfundonin në duart e antarëve të grupeve dhe të partive M-L, të cilat kishin për mision të “zgjonin proletariatin botëror për tu çuar peshë në këmbë që të hidhej në revolucion, për të marrë pushtetin me grykën e pushkës.” Pohime të tilla janë njëkohësisht tragjike e komike kur mendon se sa mund e djersë është derdhur për to e, bashkë me to dhe paret e një populli ekstremisht të varfër që s’ngopej as me bukë. Kujtojmë me këtë rast, se ato libra u botuan me letër shumë të shtrenjtë, me kapak të fortë e me lidhje speciale, pra bëhet fjalë për miliona e miliona dollarë. Tragjizmi merr përmasa edhe më të mëdha kur njihesh me fatin e tyre, shumica e të cilave, në mos të gjitha, përfundonin në koshin e plehrave.

Duke qënë shef i asaj redaksije, autori ndjen keqardhje për atë punë që i qe ngarkuar. Ja si shprehet ai: “Më vjen keq për kolektivin e redaksisë që punonte duke gogësitur mbi makinat e shkrimit, që raskapitej me orar aq të stërzgjatur dhe në fund të pesëmbëdhjetëditëshit, (siç paguheshin rrogat asokohe), nuk merrte asnjë shtesë mbi rrogën. Ajo ishte një grabitje e pastër e punës intelektuale, të cilën, përveç mohimit të mbishpërblimit material, shteti e shoqëroi edhe me mohimin e pronës intelektuale, duke mos lejuar shënimin e emrave të përkthyesve dhe të redaktorëve në ballinat e librave të përkthyer.”

Por autori nuk bije në pozita qaramane, por sheh me objektivitet dhe anën tjetër të medaljes se, siç thotë një fjalë e urtë, çdo e keqe e ka dhe një të mirë. Mund të them me bindje të plotë, - pohon ai, - se puna në atë Redaksi ka qënë një “kudhër” e vërtetë, një “universitet i dytë”, siç e quan me shumë të drejtë përkthyesi i njohur Edmond Tupja. Pra, ajo djersë e derdhur atje për gati dy dhjetvjeçarë, nuk shkoi dëm për përgatitjen e gjithanshme shkencore të përkthyesve, të cilët, pas shpërbërjes së Shtëpisë Botuese, u larguan me disa gjuhë të përvetësuara dhe me një bagazh të admirueshëm kulturor e profesional, çka bëri të mundur që ata të gjenin veten pa vështirësi në kushtet e reja të ekonomisë së tregut.

Në libër është pasqyruar edhe puna e vëllimshme që është bërë jo vetëm në atë shtëpi botuese por dhe në Radion e Jashtëme e në ATSH.

Libri nuk është vetëm një pasqyrë e përkthimtarisë tek ne dhe as një paradë e sukseseve të saj por, në të njëjtën kohë, edhe një vështrim kritik për të meta e dobësi që vërehen në këtë fushë, veçanërisht të theksuara këto pas ndryshimit të sistemit. Me të drejtë autori vë në dukje se shumë shtëpi botuese, që mbas ’90-ës mbinë si kërpudhat pas shiut, tashmë janë të lira të përkthejnë e të botojnë ç’të duan, mjafton që të tërheqin vëmëndjen e lexuesve e të shesin libra, duke shkelur me këmbë parimet aq të domosdoshme për një përkthim dinjitoz, siç e vumë në dukje më lart. Ne të gjithë jemi dëshmitarë të kësaj të vërtete të thjeshtë. Të më falë lexuesi që po rrëfej një përjetim timin: sa herë që shkoj në Shqipëri, mbushem me libra të autorëve të ndryshëm. Pa ekzagjerim mund të them se më ka ndodhur disa herë që librat e përkthyer nga ato gjuhë që nuk i zotëroj, të botuara në shqip, nuk i kam marrë vesh, jo më fraza e paragrafe por jo rrallë edhe pjesë të tëra të librit. Ndaj, me të drejtë në veprën që po diskutojmë, tërhiqet vëmëndja se përkthime të tilla jo vetëm që i bëjnë një shërbim të keq autorit të përkthyer por dhe vetë lexuesve me shijen e keqe që iu lënë. Gjuha shqipe, - shprehet në një intervistë autori i librit, - është shpirti dhe zemra e kombit shqiptar, “dritarja” përmes së cilës, nëpërmjet përkthimit, thesaret e kulturës botërore, në lëmin e letërsisës artistike, vijnë e bëhen pjesë e pandarë e thesarit të kulturës sonë kombëtare se, siç thotë një nga teoricienët e shquar të praktikës dhe të teorisë së përkthimit, J.I.Recker, “ Përkthyesi ka për detyrë të përcjellë me mjetet e një gjuhe tjetër, në mënyrë tërësore dhe të përpiktë, përmbajtjen e orgjinalit, duke respektuar veçoritë e tij stilistikore dhe shprehëse”.

Për të evidentuar bukurinë e Shqipes autori ka paraqitur tre fragmente veprash artistike, nga tre autorë të ndryshëm, të sjella në gjuhën tonë nga tre përkthyes të njohur. Këtu, thekson ai, kemi të bëjmë me një lidhje të goditur martesore të gjuhës së huaj me atë amtare.

Edhe pse voluminoz, libri me atë mozaik formash e polifoni zërash që përmban, paraqitet tepër i larmishëm dhe si i tillë lexohet me një frymë, nga fillimi në fund. Autori ka kombinuar bukur memoristikën e përsiatjet e veta me intervista të të tjerëve, me kuriozitete nga tërë bota që lidhen me këtë temë. Aty këtu, në funksion të ideve që hedh, ka futur citate e aforizma që të ngelen në mëndje për nga forca përgjithësuese e tyre. Ai ka shpalosur në të edhe përvojën e tij të pasur, jo vetëm si përkthyes por dhe si pedagog i përkthimit në Universitetin e Tiranës. Pa e tepëruar, mund të themi se ai është si një enciklopedi që hedh vështrimin në tërë aspektet që lidhen me përkthimtarinë.

Ne e pamë këtë libër nga këndvështrimi i lexuesit por ai është në të njëjtën kohë dhe një manual i vyer për përkthyesit e rinj, nëse duan t’i përkushtohen kësaj veprimtarie sa të vlertë aq dhe të bukur e të vështirë njëkohësusht. Siç vë në dukje Mira Meksi, në parathënien e librit, ky libër i Prof.Dr. Eshref Ymerit përmban një informacion shkencor tejet të pasur të nivelit erudit për problemet e përkthimit dhe bart vlera të jashtazakonshme njohëse. Kam bindjen, përfundon ajo, që kjo vepër e përmasave encikopedike do të jetë një traktat plot vlerë për studentët e degëve të gjuhëve të huaja”.


Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...