Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/12/08

Angazhimi intelektual dhe atdhetar i Sami Repishtit

Image result for sami repishti
Sami Repishti është shkrimtar, humanist dhe historian shqiptar. Ka shërbyer shumë për njohjen e çështjes shqiptare në perëndim.

Leu në gjirin e familjes së Hafiz Ibrahimit dhe Hava Bushatit në lagjen Dudas në Shkodër më 6 prill 1925, i ati figurë me autoritet në shoqërinë shkodrane të asaj kohe dhe më pas deputet në Kuvendin Kombëtar. 

Në vendlindje kreu mësimet fillore në shkollën "Oso Kuka" dhe të mesmen pranë gjimnazit të Shkodrës ku ra në kontakt edhe me lëvizjen komuniste që lëvrinte ngahera në mjediset rinore të qytetit por sidomos pas 7 prillit 1939. 

I rritur në një familje me traditë muslimane s'e ndjen veten të joshur nga ide aq të largëta për mendësinë njëmend autentike shqiptare.

 Më 1942 mbaron maturën. Niset në Tiranë për të marrë pjesë në një konkurs, për shkollën e lartë jashtë shtetit. 112 kandidatura, konkuronin për 28 bursa studimi të profesioneve të ndryshme. 

Mbas 2 ditëve, ai merr vesht se ka fituar bursë nga ministria e Arsimit për në Fakultetin e Historisë së Firences.

Me mbërritjen në atdhe më 1943 shkon të verojë në Repisht, prej ku kishte origjinën familja e tij. 

Prejse strehoi një nip të tijin që kishte ide komuniste, autoritetet fashiste e arrestojnë të atin dhe e torturojnë duke vdekur kësodore prej hemoragjisë më dt. 29 shtator 1943. 

Duke qenë kështu i pari i shtëpisë detyrohet t'i sigurojë bukën familjes.

Punon në Sektorin e Rindërtimit me të hyrë në pushtet regjimi i ri. Themelon me shoqërinë e tij një Organizatë të Rinisë Demokratike, shpërndanë trakte dhe i dorezuan një Memorandum një deputeti anglez që vizitoi Shkodrën dhe ndihmonin familjet e të arratisurve. 

Në maj të 1946 mori pjesë në proçesionin e varrimit të Arqipeshkvit Imzot Gaspër Thaçi. Ishte data 22 tetor 1946, kur në vendin e punës mbërrijnë forcat e Sigurimit dhe marrin nën pranga të riun me akuzën “Agjitacion e propagandë kundër shtetit”. 

Për 14 muaj, Samiu iu nënshtrua hetimeve intensive ku takon dhe prof. Kolë Prelën. Dënohet nga pretenca e gjyqit me 15 vjet heqje lirie, në burg do shoqërohej me P. Çiprian Nikën dhe vëllanë e prof. Kolës, Markun. Më 28 nëntor 1947 dërgohet në Burgun e Madh, dhe më tej në kampin e Vloçishtit, në Beden të Kavajës më 1948. Mbas kampit të punës së detyruar në Orman Pojan të Korçës, Samiu rikthehet në burgun e Shkodrës, në fund të muajit nëntor.


Mbas daljes nga burgu më 1956 punoi javën e parë si pastrues i barit të keq në stadium, javën e dytë e caktojnë të punojë në kanalizimin e tokave të Qendrës Zooteknike. 

Kështu e gjeti edhe viti 1956. Më vonë si ndihmës karpentier në vendlindje deri në ditën e arratisjes, 22 gusht 1959. Në Jugosllavi izolohet dhe mandej lirohet nga ky izolim në prill 1961

dhe punësohet përkohësisht (ndërkohë studion serbokroatishten dhe anglishten.) Por shumë shpejt (qershor 1961), përfundon në kampin e refugjatëve të Gerovës, Kroaci.

Më 1 shtator 1961, arratiset nga kampi i Gerovës dhe vendoset në Itali. Qëndroi në Trieste, në kampin e refugjatëve San Sabba, ku në tri javë fitoi të drejtën e azilit politik. Mbas një qëndrimi gjashtëmujor në kampet e Capua-s dhe Latina-s, pranë Napolit dhe Romës, mbas shumë vuajtjesh, më 9 prill 1962, emigroi për në ShBA. Merr pjesë në takimin e pesëdhjetë vjetorit të "Vatrës", ku dhe takon mikun e të atit në periudhën e opozitarizmit, Imzot Nolin. Fitoi qytetarinë (citizenship) amerikane më 1968. Doktoroi pranë Departamentit të Frëngjishtës në City University of New York (1977). 

Për 25 vjet me rradhë, ka dhënë mësim në college-t amerikane. Ka qenë kryetar i Departamentit të Gjuhëve të Huaja, për shkollat e qytetit Malverne, New York, Koordinator i programit për studime të avancuara, Lice-University, Adelphy, Garden City, NY, 1976-1991, dhe po aty pedagog i jashtëm. Udhëtimin e vetëm në Kosovën e shliruar e bëri në prillin e 2000.

Angazhimi intelektual dhe atdhetar

Eshtë autor i më shumë se 100 studimeve e artikujve me tema shqiptare dhe të Drejtat e Njeriut. Tematika e tyre, përfshin kryesisht vuajtjet e shqiptarëve në ish-Jugosllavi e çamët, të botuar në shtypin amerikan dhe shqiptar. I

ntelektuali erudit Prof. Repishti, ka qenë koordinator për ish-Jugosllavinë e Shqipërinë pranë Amnesty International në ShBA, për periudhën e vitëve 1979-1982. Është i pari shqiptaro-amerikan, që ka dëshmuar para Kongresit Amerikan për Kosovën në prill të vitit 1965, dhe ka vijuar me dëshmi të shumta para komisioneve kongresiane e qendrave studimore amerikane, kryesisht për problemin kosovar. 

Ne vitin 1968, formoi organizaten “Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë”. Në nëntor 1982, me Arshi Pipën organizuan Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën me pjesëmarrjen e 14 profesorëve evropianë dhe amerikanë, duke i bërë edhe peticion Pjesëtarit të Parlamentit Evropian Otto von Habsburg. 

Punimet e Konferencës janë botuar në librin “Studies on Kosova” (C.U.P.1984). Në vitin 1978, shoqërinë “Kosova Relief Fund, USA, Inc.” për ndihmë financiare familjeve të persekutuara në Kosovë, fondacion të cilit i qëndroi në krye gjer më 2000. Për më se dhjetë vjet ka mbajtur rubrikën mbi Kosovën për gazetën Dielli.

 Në vitin 1986, kërkoi hapjen e Zyrës Amerikane në Prishtinë, që u realizua me sukses në vitin 1996, dhe atë kosovar në Washington, që u aprovua nga Presidenti i 46-të i ShBA-së Mr. William Jeferson Clinton (1993). 

Është bashkthemelues i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane (1986) dhe drejtor ekzekutiv (1989-1992), bashkthemelues i American Friends of Albania e sekretar/arkëtar i saj (1992-1996), bashkthemelues i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC 1996) dhe president i parë (1996-1998) - grupi i lobimit më me ndikim në Washington D.C.

Vazhdon të merret me studime shqiptare dhe mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.

Është i martuar me Dianën e ka dy fëmijë: një djalë Daren me profesion mjek, e vajzën Ava avokate, me nipa e mbesa. Banon në Ridgefield, CT ShBA.

Burime

^ Repishti S., Shënime Personale, letër dërguar studjuesit shkodran Islam Dizdarit më dt. 20 prill 2008 nga Baldwin, New York, ShBA.

^ Repishti S., “Pika loti” tregime burgu, Bot. “At Gjergj Fishta”, Shkodër, 1997.

^ Repishti S., Si asht e mundun që ish-komunistët drejtuen Lëvijen Demokratike në Shqipni (I & II), Intervistë e Ajet Nuro për Tribunën Shqiptare, 21 & 29 maj 2014.

^ Kapinova K., Repishti: Shqipëria, sot jeton në pellgun e padrejtësisë, Republika. - Nr. 250, 24 tetor, 2008, f. 14 - 15.



Nga  Prof.Dr.Sami Repishti, PH.D : 38 Martirë: Ata kurrë mos u harrofshin!



Simbas njoftimit formal të Argjipeshkvisë ShkodërPult sot, në qytetin e Shkodrës mbahet ceremonia e Lumnimit të 38 martirëve të klerit katolik shqiptar, viktima të pafajshme të terrorit komunist në Shqipëri. I përjetëshëm qoftë kujtimi dhe mirënjohja e jonë! Sot, nga Amerika e lirë, unë bashkëfestoj simbolikisht këte ceremoni që çmon vlerën e sakrificës supreme.

Sot, bashkëfestoj fitoren mbi të Keqën, hirin e këtyne 38 martirëve, pjesëtarë të bashkësisë dinjitoze të vuejtjes së pameritueme, dëshmitarë të mesazhit çlirimtar, të qëndisun me duer sot të palëvizëshme e të shueme nga kryqëzimi i pakufishëm, “martirë” që kthyen dinjitetin për ne, të gjithë ne, në atdheun tonë të përbashkët shqiptar, tue premtue shpresën e pavdekshme të demokracisë e të lirisë së plotë për të gjithë familjen njerëzore… nji dhe të pandame!

“Ata kurrë mos o harrojshin!” (Atë Gjergj Fishta, O.F.M.) * * * “Nuk ndërtohet mbi boshllek!” shkruen nji shkrimtar françez. Duhen themele të shëndosha për nji ndertesë të fortë e permanente siç ashtë Kisha Katolike Apostolike Romane Shqiptare. Sot, themi se këto themele janë të vadituna me gjak dëshmorësh e martirësh të pa faj për ma shumë se 45 vjet me rradhë. “Nuk ndërtohet parrizi me muratorët e ferrit!” shkruen nji shkrimtar shqiptar. Duhen duer të pastra dhe të dedikueme për nji “mision”, ashtu siç ishin duert e martirëve të Klerit Katolik Shqiptar!
martiret-foto
Tradita historike e krishtënimit në Shqipëri, e pasunueme me ngjarjet tragjike të periudhës së diktaturës së kuqe ka trasformue tragjedinë në nji “angazhim” solemn e koshient të ruejtjes dhe përparimit të pranisë katolike në Shqipëri me sensin e përgjegjsisë së plotë. Plagët akoma të hapuna e kërkojnë; na duhet të respektojmë! Tradita historike e krishtënimit në Shqipëri, si feja e parë në vendin tonë, buron nga dy drejtime: nga Roma në formën e ritit katolik apostolik roman, dhe nga Konstantipoli në formën e ritit bizantin. Shqipëria u bekue nga shenjtët Pal dhe Andre. Megjithëse nuk dimë datën e saktë, krishtënimi hyni në Shqipëri para Koncilit të Sardikës (343-344), sepse në Sinodin Shenjtë morën pjesë edhe ipeshkvijtë e Epirus Nova dhe Dardanisë (Kosovës).

Me ardhjen e invazioneve sllave e barbare, e ma vonë atyne otomane, gjithçka u shkatërrue! Shqiptarët e Veriut i u veshën maleve ku ruejtën të gjallë katolicizmin e Romës; ata të Jugut vershuen Greqinë, dhe ma vonë Italinë e Jugut. Me 1089, u formue qendra metropolitane e Tivarit, dhe në shekullin XIII , gjatë sundimit venecian,u formue Argjipeshkvia e Durrësit. Që në vitin 1220, kur Shën Françesku i Asizit themeloi qendrën e parë të Urdhënit të tij, e për shekuj me rradhë, kujdesi i katolikëve shqiptarë u la në duert e fretënve françeskanë. Katoliçizmi mori hov me Gjergj KastriotinSkenderbeu dhe me lidhjet e tia të ngushta me Vatikanin. Me 1457, Papa Kalisti III i shkruente heroit shqiptar: “Nuk ka njeri në botë që të mos dij ndërmarrjet e jueja heroike, dhe që me fjalët ma të nalta nuk ju ngren në qiell, dhe nuk flet për ju si kampioni dhe mbrojtësi bujar i krishtënimit”.

Struktura e “shtetit” të Skënderbeut ka qenë efektivisht struktura e Kishës katolike në Shqipëri: çdo kishë ka qenë nji qendër mbledhjesh, organizimi dhe përkrahje; çdo famullltar ka qenë nji udhëheqës lokal dhe nji propagandist i rezistencës. Çdo ipeshkëv ka qenë nji drejtues krahinor dhe Argjipeshkvi Pal Engjëlli i Durrësit ka kryesue veprimtaritë diplomatike të kohës, shkruen Imzot Fan S.Noli. Papa Klementi XI (1700-1721) me origjinë arbëreshe, u tregue i gatshëm me ndihmue katolikët shqiptarë. Me kërkesën e tij, Sinodi i parë kishtar shqiptar u mbajt afër Lezhës, në vitin 1703.

Në vitin 1856, u hap Kolegji Papnor, dhe ma vonë Seminari i Jezuitëve në Shkodër; u themelue nji shtëpi botuese. Po në këte datë, u rrit puna e organizueme e klerikëve katolikë për faljen e gjaqeve në Malësitë tona,dhe zhdukjen e vesit të mbrapshtë të hakmarrjes. Me Kongresin e Berlinit (1878) qyteti i Tivarit u okupue nga malazezët (që formuen shtetin e tyne!) dhe Argjipeshkvia e Tivarit, që deri në atë kohë ishte kryeqendra edhe për katolikët e Shqipërisë së Veriut, në mbështetje të nji Konkordati me Malin e Zi (1886), hoqi dorë nga drejtimi i punëve kishtare në Shqipëri.

Po atë vit, Selia e Shenjtë, caktoi Shkodrën si kryeqendër, me ipeshkvitë tjera si degë (me përjashtim të Durrësit). Nji veprim i këtill i Vatikanit tregonte sensibilitetin e kësaj Qendre Ndërkombëtare për ndjenjat kombëtare të shqiptarëve- shembull që shohim sot të përsëritun këtu në Shqipëri, me emnimin e argjipeshkvit dhe tre ipeshkvijve (1993). Nji seri klerikësh shqiptarë u emnuen barij të besimtarëve katolikë shqiptarë. Kjo konfirmoi gjithashtu në mënyrë simbolike, njohjen e bashkësisë katolike si nji entitet kombëtar i dalluem. Që nga viti 1938, Shqipëria e Veriut ka qenë nën juridiksionin e Propaganda Fide-s; Shqipëria e Jugur nën atë të Kongregacionit Oriental. Që nga fillimi deri në ditët tona, kleri dhe besimtarët katolikë shqiptarë kanë vazhdue traditën e tynë të lavdishme të përpjekjeve për çlirim kombëtar.

Në luftën me armë, ata janë gjetë gjithmonë në ball të ma shumë se 48 kryengritjeve të mëdha kundër perandorisë otomane. Në luftën me penë, ata kanë qenë për afër katër shekuj dritëdhanësit e vetëm në natën e errët e të gjatë të pushtimit otoman.

Që nga Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani, Kazazi e Gjeçovi me shokë, e deri te “shkolla e Shkodrës” me shoqënitë Agimi, Përparimi, Hylli i Dritës, Leka etj. me Fishtën, Mjedën, Koliqin e me plejaden e madhe të shokëve të tyne, vëllaznit e motrat tona katolike shqiptare kanë qenë ndër mendjet ma të ndrituna të kombit tonë, pararoja e zhvillimit tonë kulturor të vonuem nga rrethana jashtë kontrollit tonë, dhe themeluesët e shoqënive të para kulturore, artistike, qendrave arsimore e bamirëse në të gjithë Shqipërinë e Veriut dhe Kosovën – zona të popullueme nga ata.

Tue folë për Shkodrën, Madre Superiore e Urdhënit të Motrave Stigmatine shkruente: “… U vendos të hapet nji shkollë dhe nji konvikt në Shkodër. Kur u hap shkolla, në vjetin 1920, vajzat ortodokse, myslimane, hebreje e katolikët erdhën nga Korça, Tirana, Elbasani, Tivari, Cetinja, Shkodra për rregjistrim. Ishte fillimi i nji pune ma intensive për përgatitjen e mësueseve të kualifikueme shqiptare…”.

Në malet e egra të Shqipërisë veriore, kleri katolik zbuti pezmin që grumullonte hakmarrja, u pajtuen gjaqet u afruen miqt, u shpëtuen familje të tana. Në qytetet e vorfëna të Shqipërisë u hapën klinika, u mbushën spitalet me “Motra”, u themeluen strehimoret për jetimë, për të vorfën, për pleq.

Kushdo që jetoi ato ditë dëshmon për besimin e madh që vuni populli i jonë në duert e “Motrave” të mëshirës së krishtenë. Kjo ishte e kaluemja e lavdishme! (Asht nji ironi e fatit të dhimbshëm kur mendon njeriu që në vitin 1944, Vatikani dërgoi ndihma për Shqipërinë, dhe vetë diktatori E.Hoxha falënderoi delegatin apostolik Msgr. Nigris.)

Në nandor 1944, papritmas, perdja e hekurtë ra; në Shqipëri filloi tragjedia që zgjati plot 45 vjet… pa mëshirë, pa pushim! * * * Sot, në këte ditë përkujtimore dhe kryenaltësie për Lumnimin e 38 Martirëve të Klerit Katolik Shqiptar, unë jam kredhë në mendime që më sjellin kujtimet e paharrueshme të së kaluemes së errët, dhe njikohësisht heroike e fisnike, nën terrorin komunist: emna, fytyra, gjeste që nuk harrohen! Natyrisht, diçka duhet ba! Duhet të përpiqemi të mos lejojmë ramjen në “gropën e zezë të harresës” që thithë viktimën pa shpresë dalje. Para së gjithash, duhet krijue atmosfera e pastër, vëllaznore e bashkëpunimit që pengon sulmet e ndërsjella në mes të viktimës së komunizmit e “mohuesve”– meturina toksike të komunizmit- që na ndajnë kaq shumë. Duhet gjetë fjalori i përbashkët që tragjedia e jonë meriton.

E sidomos, duhet çmue si meriton përpjekja e secilit, e sakrifica e çdonjenit nga ne, tue theksue sidomos rastin e sakrificës supreme. Këtu vlen të theksohet vendi i nderit që zen kleri katolik shqiptar. Kjo ashtë nji e dhanun që duhet pranue a priori nga të gjithë njerëzit vullnetmirë. Kjo ashtë bindja e ime sot, ka qenë dje dhe do të jetë edhe nesër! Duhet thye heshtja! Kjo heshtje e thellë më tmerron! Sepse, nuk gjej nji përgjigje që ngush- ëllon: si mund të luftohet ecja e këtij fenomeni që eventualisht lejon përsëritjen e konfliktit, e që reflekton imazhin e nji vendi në turbullim kercënues.

Fatmirësisht, sot, dokumenti i Vatikanit “Nostra Aetate” (Në ditët tona) flet për unitetin e njerëzimit. Sot, Vatikani flet “për nji bashkësi e cila përbahet nga të gjithë popujt”. “Katolik” don të thotë “universal”. Sot, Vatikani pranon se Shpirti Shenjtë “… punon efektivisht edhe jashtë strukturës që ne shohim e që na quejmë Kishë”. Koncili i II i Vatikanit pranon se besimet monoteisie (Judaizmi e Islamizmi) në botën tonë “janë sisteme adhurimi dhe sisteme etike njikohësisht, të cilat theksojnë randësinë e së mirës dhe damin e së keqes”.

Njikohësisht, Islamizmi thekson mësimet e Kuranit se besimtarët hebraikë dhe të krishtenë janë “popujt e Librit” dhe gëzojnë mëshirën e Zotit, dhe mbrojtjen e autoritetit islam. Kjo ashtë “fryma e re “ që duhet të na ushqejë të gjithëve sot. Në vitin 1984, në New York, SHBA, unë shkruejshe për Buletinin Katolik Shqiptar (San Francisco): “… si besimtar i lindun mysliman, jam i bindun se feja në Shqipëri, me përdorë nji metaforë të famëshme, mbetet si guri që mbijeton zhdukjen e muratorit që e gëdhen; dhe se do të vijë dita kur ky gur solid dhe i përherëshëm do të çfaqet përsëri, në mënyrë misterioze dhe të fuqishme, dhe do të paraqitet si mjeti udhëtues që transporton zemrat dhe shpirtët tonë të mbushun me devocion, drejt nji kahu të shpresës së pa shueme, nji besimi frymëzues, nji dashunie hyjnore të domosdoshme”. Ashtu ngjau! Ky duhet të jetë mesazhi i pa kompromis që popullsia e heshtun e Shqipërisë duhet të sjellë për popujt e botës sonë sot.

I ndjeri Imzot Rrok Mirdita, Argjipeshkëv Metropolitan i Tiranës dhe i Durrësit, shkruente, në 2010: “… të nxirrja nga harresa historinë e gjatë dhe për nji çast të kujtohesha se ajo që rregjimi ishte përpjekë me zhdukë, nuk ishte zhdukur, donte të thoshte se nuk bahej historia e re në Shqipëri pa i bërë llogaritë me dëshmitarët e gjallë. (Theksi im.SR) Takimi im me këto dëshmitarë ishte hir i madh, hir që bahej angazhim”.

(Për një Shqipëri me Zotin dhe për njeriun” Tiranë, 2010,v.1 ,f.39) Unë kam qenë nji nga legjoni i madh i viktimave të gjalla, dhe përvoja e ime më detyron me marrë nji “angazhim” cilë- si e vjetër që nga ditët e profetënve biblikë, dhe i ri aq sa edhe ditët tona që jetojmë në këte vend martir, e në këte kohë plot shqetësime, “angazhim” që transformohet në një imperativ kategorik moral. Bashkëvuejtësi i im Atë Zef Pllumi e përcaktoi: “Rrno, vetëm për me tregue”. Vetëm për me tregue! Me tregue vuejtjet e vështira të “hetuesisë” në qelitë e errëta te ish-Sigurimit të Shtetit, (“monstra më e madhe që ka pjellë gjer më sot kombi shqiptar” I.Kadare) vitet e gjata në burgjet e errëta mesjetare, stinët e pandërpreme në punë të detyrueshme, dimën e verë, në moçale e në punime betoni nën kamxhikun e policëve idiotë dhe çizmen e ndytë të oficerëve kriminelë, sadistë për natyrë e specialistë për torturë të mësueme në kurset e nëndheshme, larg nga drita e diellit, larg nga sytë e botës…, që flinte gjumin e randë të frikës e të lodhjes së pakufishme…!

Vetëm me tregue! Unë shoh veten si dëshmitar okular i epokave që kam jetue. Si i këtill duhet të flas haptas sepse heshtja ashtë e pa pranueshme.

Me folë, don të thotë me thanë të vërtetën që, pa qenë absolute për arsye të kontekstit që e përmban, ashtë shprehja e nji dëshmitari me të gjithë vlerën që ajo mund të ketë…. Zoti e deshi të njoh mjaft prej viktimave në burgje e kampe: “aristokratin” me sjellje e mendim, Dom Mikel Koliqin, kardinalin e ardhshëm, i heshtun, kryenaltë për vuejtjen që e mbuloi; Atë Frano Kirin, “burrë si motit”, i pa frikë, i pa përkulshëm; Atë Donat Kurtin, i përvuejtun, punëtor si bleta, që në msheftësi përkthente shqip Testamentin e Ri nga frëngjishtjae konsultohej me mue për gjetjen e fjalës ma të përshtatshme-, të gjithë kohën me libër ose me lutje; Atë Aleks Baçlin, gjithëherë buzëqeshun , ma të shumëten i vetëm, me nji biz në dorë tue gëdhenë bustin e nji fetari në dru të fortë, e jo ma të madhe se nji kokër gruni. Kur e pyetshe ai përgjigjej: “Ka qenë nji murg që skulptoi bustin e Papës në nji kokër orizi”.

E, natyrisht, At Çiprian Nikën që njoha shkurtimisht në qelitë e ish-Sigurimit, vetëm për pakë ditë…e që u pushkatue pa faj! Dom Ndoc Sumën, i plakun e i hutuem që u arrestue në mëngjez, u denue mbas dreke me 20 vjet burgim e që betohej: “Pasha Krishtin nuk di pse më kanë arrestue…!” Lista ashtë e gjatë.

Martirizimi i klerit shqiptar, e sidomos klerit katolik shqiptar, nuk mund të jetë i pa qellimshëm. Por, sakrificat e tyne do të njohin vlerë- simin e plotë, e mirënjohjen e përjetëshme vetëm atëherë kur parimet që ata mbrojtën me çmimin e jetës së tyne do të pasunojnë mendimin tonë, dhe do të udhëheqin veprat e bashkatdhetarëve të tyne në të ardhmen.

Nga qelitë e errëta të torturës dhe nga kampet e vdekjes së rregjimit komunist në Shqipërinë time të martirizueme, nji botë e re përpiqet me lindë, nji brezni e re po rritet me i dhanë formë nji të ardhmje ma të mirë për vete dhe për fëmijtë e tyne, si dhe për prindët që sot vuejnë nga pesha e fajit të heshtjes…! Feja tradicionale po tregon se nuk ashtë “vjetrue” dhe se mendimi shkencor nuk ka pasë sukses me na kurue nga dëshprimi ekzistencial.

Nga forma elementare e besimit të njeriut të thjeshtë, nepërmjet vuejtjes, unë mendoj se vëllaznit e motrat shqiptare po hyjnë në fazën e “burrënimit shpirtënor”.

Nji hap cilësor në rrugën e drejtë ashtë hjedhë! Le të festojmë…!

Rrno vetem per me tregue, At Zef Pllumi

Nga Flori Bruqi etj.


Zef Pllumi (Mali i Rencit, 1924 - Romë, 2007) qe frat françeskan, publicist e shkrimtar. Me prirje përgatitore për kah historia para se të ndërmerrte kalvarin, me të arritur lirinë merr ndër duar frerët kulturorë të trashëgimisë françeskane.

Image result for zef pellumbi

(Prenkë)At Zef Pllumi


I pagëzuar Prenkë, leu më 28 gusht 1924, në Malin e Rencit (Lorencit) nga një familje me origjinë prej Shkreli. U lind nga e ëma, Luke Mrija në një zabel . Malësorët që kishin rënë me kohë në ultësirë venin të veronin në bjeshkë për t'iu shmangur verës pranë zonave bregdetare të pabonifikuara. Fisi i Prenkës kishte tëbanin në Qafë të Tëthores së Bogës, mes Shkrelit dhe Shalës - bajrak ky i fundit ku ishte nip. Xhaxhai i Prenkës, Pashko Toma, ishte i pari i shtëpisë dhe burrë i shquar në ato male si plak, kuvendar e bukëdhanës. Gjatë fëminisë takoi P. Gjergj Fishtën dhe P. Anton Harapin që i kishin ardhur miq te tëbani i tyre ndër bjeshkë. Shtati dhe prania imponuese e të parit dhe çehrja prej asketi e të dytit lanë mbresat të cilat i përcjell te libri autobiografik "Saga e fëmijnisë". Gjatë atij takimi xhaxhai u thotë fretënve se djaloçi kishte shprehur dëshirën të bëhej frat. Dëshirë kjo e ftilluar në librin e lartpërmendur, që kishte marrë shkas prej një takimi të mëparshëm me P. Bona Gjeçajn ofm. Me atë rast P. Harapi i jep një medaljon të Shën Françeskut që mbante në qafë, duke i thënë që ta ruante me shumë kujdes në mënyrë që kur të shkonte në Kolegjin Françeskan të paraqitte atë medaljon
.
I bindur për meshtarinë, i grishur nga zhguni i murrmë dhe konopi me tri nyje të të Vorfnit të Asizit, në vitin 1929 bëhet nxënës i Dom Alfons Trackit. Në vitin 1931 hyn në kolegjin françeskan të Shkodrës, kolegj në të cilin jepnin mësim personalitete të shquara të kulturës kombëtare si vetë Fishta, Harapi, kompozitori P. M. Gjoka, P. Gj.Shllaku etj. Merr formim klasik në filozofi, teologji, letërsi dhe përvetëson mjaft mirë gjuhët e huaja: latinisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht e greqishten e vjetër. Nga mësuesi i tij, historiani P. M. Sirdani mëkohej me libra historie e numizmatike. Tek libri i tij kumton se i njihte perandorët romakë për nga fytyra, ndër monedha, pa pasur nevojë me lexue ç'përmban monedha. Kreu maturën në liceun "Illyricum" më 1943.

 Në vitet 1943 – 1944 Zef Pllumi ende xhakon, është një nga bashkëpunëtorët e revistës “Hylli i Dritës” dhe po ashtu sekretar personal i P. Harapit, kur ky i fundit ishte Provincial i françeskanëve në Shqipëri. Gjatë kohës që ishte dhjak, P. Antoni e vuri të rëndiste e ndihmonte në Arkivin Françeskan; aty has dokumente të hershme e ndër më të vlefshmet për historinë kombëtare. Ishte gjatë kësaj periudhe kur partizanët mbushën boshllëkun e pushtetit dhe shfaqin shenjat e para të asaj që do të vinte.

Kalvaret

Ishte 22 vjeç, kur më 14 dhjetor 1946 arrestohet dhe dënohet me tre vjet burg. Dënim që vuajti pranë Burgut të Madh të Shkodrës dhe në kampet famëkeqe të Bedenit në Myzeqe, dhe Orman-Pojanit në Maliq. Me t'u liruar shkon herë në Shkodër e herë në Shëngjin, tek familja e tij, në vartësi të situatës.
Shkak për arrestimin e tij sipas P. Zefit, edhe pse ishte më i riu ndër të arrestuarit ishte prej të qenët sekretari personal i Provincialit, komunistët mendonin se duhej të dinte shumë.

Kthehet në Kuvendin Françeskan kur negociatat mes Kishës e Qeverisë u "qetësuan". Nga viti 1949–1951 merret me numizmatikë si teknik i Muzeut të Shkodrës. Në vitin 1958 shugurohet meshtar, caktohet në fillim si i besuar për t'u dërguar ndihmat priftërinjve nëpër kampet e ndryshme. Më tej, për 12 vjet shërben si meshtar i Dukagjinit me qendër në Shosh, për ku niset me dt. 14 shtator 1958 bashkë me provincialin, Át Augustin Ashikun.

Në vitin 1967 arrestohet dhe për 23 vjet vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme. 1967–1989, për 23 vjet rresht, burgoset përsëri dhe vuan dënimin në Spaç, Reps, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll, Shën Vasil dhe Tiranë.


Njeh gjatë burgut personazhe me ndikim në hierarkinë komuniste, si Gjin Marku, Kasëm Trebeshina, Zef Mala, Dashnor Mamaqi, të cilët panë tek frati bariun ku dhe ata mund të rrëfeheshin. Zef Mala i la porosi që të gjente kujtimet që kishte lënë të shkruara, kujtime të cilat nuk mund t'i gjente kurrë.

Liria e shumëmunguar


Doli nga burgu me 11 prill[4] dhe, Natën e Kërshëndellave fillon meshtarinë tek Kisha e Shn'Andout në Tiranë deri në vitin 1997. Njeh Nanën Terezë të cilën e përcolli për në Shkodër ku u mbajt mesha e parë në Katedralen e Shkodrës.

Prej atëherë nuk pushon edhe pasioni i dikurshëm për dijen dhe kulturën. Me rënjen e diktaturës boshllëku kulturor i lënë lypte restaurimin e institucioneve kulturore pararendëse, dhe P. Zefi si një i mbijetuar merr mbi supe këtë përgjegjësi. Nga viti 1993 deri 1997 rinxjerr revistën Hylli i Dritës, e cila pas një ndërprerjeje ka dalë dhe në vitin 2003. Janë gjithashtu këta vite, kohë e një veprimtarie krijuese për Át Zefin.

Ai shkruan dhe boton trilogjinë Rrno vetëm për me tregue, vëllimet Françeskanët e mëdhenj, Frati i pashallarëve Bushatli, Erazmo Balneo, Ut heri diçebamus-siç i thonim dje. Kohë kur edhe pse i lodhur nga mundimet dhe mosha nuk mungon angazhimi në lëmin e kulturës.

Ndër nismat e tij me vlerë të pamasë është gjetja e eshtrave të Át Gjergj Fishtës. Më 13.11. 1995 filluan gërmimet për varrin e Fishtës. U gjetën një pakicë eshtnash shpëtuar prej dhunimit të varrit. Më 1996-ën i kushton një numër të Hyllit dhe u vendos të bëhej një varr për Fishtën.

 Në vitin 2005 me nxitjen e tij nisi projekti për botimin e kolanës me autorë fretërit françeskanë.

Kjo kolanë pasurohet vit pas viti me botime të reja që pasurojnë dhe bibliotekën e Françeskanëve në Gjuhadol të Shkodrës, në të cilën ndodhen dhe dhjetëra dorëshkrime që presin të botohen.

Pjesë e këtyre dorëshkrimeve janë dhe disa letra dhe shkrime të P. Zefit.


Vdiq më 25 shtator të vitit 2007 në spitalin Gemelli, Romë të Italisë, dhe u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër.

Dëshmia e tij "Rrno vetëm për me tregue" u përkthye në anglisht nga Kathleen Schank botuar më 2008 nën titullin "Live to tell", ndërmarrje ndaj të cilës kishte përpjekje qysh në të gjallë të fratit nga miku i tij, përkthyesi Petro Zheji.

Më 6 mars 2014 u prezantua edhe varianti në italisht i përkthyer nga Keda Kaceli me titullin "Il Sangue di Abele - Vivi per testimoniare"

Mirënjohje


Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2006 dekoroi At Zef Pllumin me Urdhrin "Nderi i Kombit". Presidenti Moisiu vlerësoi Atë Zefin “si përfaqësues të pasurisë kulturore e njerëzore, si një institucion të vërtetë, që i rezistoi regjimeve dhe kohërave më të vështira dhe si simbol i qytetarit të lirë, vizioni i të cilit frymëzohet nga vlerat evropiane”.

Nga ana e tij Atë Zef Pllumi u shpreh se e pranon këtë nderim me dëshirë, si një shenjë që sot e mbrapa nuk do të ketë më censurë e dallime krahinore, fetare e ide, që e copëtojnë kulturën shqiptare dhe si një shenjë e unitetit të kësaj kulture gjatë shekujve.

Po në vitin 2006 Át Zef Pllumi merr çmimin letrar "Penda e Artë" për trilogjinë e tij me kujtime Rrno vetëm për me tregue të akorduar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë.

Juria paska pranue edhe mendimin ndryshe, edhe mendimin e kundërt, këtu besoj âsht vlera që ka demokracia. Kjo âsht vlefta mâ e madhe që i bâhet librit tim. Të tjerat janë për mue kunora që çohen në funerale që i vdekuni s'i sheh,─ tha P. Zef Pllumi me rastin e pranimit të çmimit.
Në nder të tij është hapur edhe një shkollë në Tiranë, në rr. "Frang Bardhi" e cila mban emrin e At Zef Pllumit.

Veprat

Rrno vetëm për me tregue

Françeskanët e mëdhaj - kujtimet e Padres rreth Etënve duke rreshtuar 12 prej tyne, si apostujt.

Frati i pashallarëve Bushatli, Erazmo Balneo - shkruar mbi bazën e një ditari të 1802 që Át Zefi ka lexuar kur punonte në Arkivin Françeskan.

Histori kurrë e shkrueme - libër i botuar në formë përmbledhjeje, ku shkrimi i fundit që është një intervistë të cilën Arben Marku i ka bërë Át Zef Pllumit i jep dhe titullin përmbledhjes.

Përfshin: 1. Frati i pashallarëve Bushatli, Erazmo Balneo - shkruar mbi bazën e një ditari të 1802 që Át Zefi ka lexuar kur punonte në Arkivin Françeskan.

2. Ut heri diçebamus-siç i thonim dje.

Saga e fëmijnisë - libër i 2009 nën kujdesin e gjuhëtares Enkelejda Shamku-Shkreli që i ka qendisë dhe parathënjen. Trajton vitet e para të jetës së fratit deri në prag të regjimit komunist.

Burime

^ Data e lindjes i mbeti 7 prill ngaqë pat një rivendosje prej gjykatës civile mbasi doli për herë të parë nga burgu dhe nuk morën parasysh as datën e lindjes që pasqyrohej në regjistra shkollor, e as atë të shënuar në burg (që ishte tjetër).

^ a b Pllumi Z., "Saga e fëmijnisë - tregim autobiografik", red. & kur. Ledi Shamku, Botimet Françeskane, Shkodër 2009.

^ Kurti D., Provinca Françeskane Shqyptare (E ripertrime në vj. 1906), Cokesë (Skicë historike). Shkodër 1965. fq. 39-98.

^ Emisioni "Opinion" tek TV Klan me Blendi Fevziun: Nostalgji Át Zef Pllumi
^ Nikolli F., Varri i Fishtës, At Zef Pllumi: E dhunuan hienat e kuqe me tërbim, Gazeta Shqiptare, 29 korrik 2014.

^ Tuci A., Dorëshkrimet që “fshihen” te Françeskanët, Mapo, 29 korrik 2014.
^ Demo E., Kathleen Schank: Ç’na mëson miku ynë, at Zefi, Shekulli. - p. 2387, 24 gusht, 2008, fq. 11.

^ Demo E., Kurrgjë më shumë se liria: [intervista e fundit e At Zef Pllumit], Shekulli. - Nr. 2061, 27 shtator, 2007, f. 14 - 15.

^ Gjergji A., Keda Kaceli: Át Zef Pllumi... e mbajta premtimin! Vlera e besës kapërcen edhe vdekjen..., Koha Jonë, 13 mars 2014.


Rrno vetem per me tregue, At Zef Pllumi




rrno_vetem_per_me_tregue_m

Rrno vetëm për me tregue Autori: At Zef pllumi Shtëpia botuese 55, 2006 f. 738


Gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër. Kanë nevojë për të ata që e kanë jetuar atë kohë, e po aq, në mos për më tepër, ata që s'e kanë jetuar. Kanë nevojë të shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, e mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët.
Shkurt për të ka nevojë ndërgjegjja jonë. - Ismail Kadare

"Rrno vetëm për me tregue", na bën të mendohemi se sa e vështirë është të "vlerësosh" përmbajtjen historike të një gjysmë shekulli shqiptar... Kam bindjen se një shumice shqiptarësh do t'u hyjë në punë kjo dëshmi për ta kuptuar se mohimi i së kaluarës - kulti i harresës - është një nga mënyrat më perfide për të përligjur a posteriori gjithë sa ka pasur kriminale një rregjim. - Aurel Plasari
Rrno vetëm për me rrefye”! Një libër i jashtëzakonshëm, ngjethës, por edhe reflektues. Një libër, që përbën padyshim korpusin qëndror të momuaristikës së burgut e më gjerë në vitet e komunizmit, por që përbën një monument të rëndësishëm për gjithë vuajtjen e klerit në Evropën Lindore komuniste. -

Blendi Fevziu

* * *
Ishte më i riu i Etënve të zhgunave shqiptarë të Shen Françeskut, kur At Marin Sirdani, historiani i shquar dhe mësuesi i tij, në kohën që oficera të UDB-ës po merrnin në “dorëzim” nga oficera të Sigurimit tonë materiale të Arkivit të Fretënve (që ishte unik në Shqipëri, fillimet e të cilit mbërrinin në vitin 1415 dhe kishin vazhdimësinë e dokumentave kishtare dhe shoqërore historike-ekonomike deri në ato ditë), për t’i çuar në Beograd, e porositi: “Rrno vetëm për me tregue”. Dhe Padër Zefi, kështu e kemi thirrur gjithmonë, e pati peng të jetës së tij këtë porosi. Rroi dhe tregoi. Me antologjinë e kujtimeve dhe botimet e tjera dhe me gjithë veprimtarinë e tij në dobi të kishës, të Urdhnit të Shen Françeskut dhe të Atdheut, sfidoi vdekjen dhe pavdekësoi veten. Tani që nuk e kemi më fizikisht, e kemi në Panteonin e lavdishëm të personaliteteve më të larta të kombit dhe, sidomos, në një hauz të veçantë të atij Panteoni, në atë të paraardhësve dhe mësuesve të tij të mëdhenj: Gjergj Fishtës, Shtjefen Gjeçovit, Pal Dodajt, Ambroz Marlaskajt, Vinçenc Prendushit, Marin Sirdanit, Anton Harapit, Justin Rrotës, Martin Gjokës, Bernardin Palajt, Donat Kurtit, Benedikt Demës, Gjon Shllakut, etj.
E prisnin shumë punë mbasi u lirua nga burgu dhe u rrëzua diktatura. Filloi me njëherë nga puna, me një “Ut heri dicebamus – siç thonim dje”, duke na treguar, nëpërmjet një anekdote, se si duhet t’i hapte rrugë progresit inteligjencia shqiptare: “Në kohën e Mesme, në një ndër ato vende ku ishte në fuqi Inkuizicioni, dënuen nji mendimtar me dhetë vjet burg. Kur duel prej burgut ai kthej gjithnji në katedrën e Universitetit ku kishte mësue dikur dhe filloi leksionin me këto fjalë: “Ut heri dicebamus – siç thonim dje”. Kështu veproi edhe At Zefi për “me lidhë fijet me të kaluemen”, duke u bërë interpret dhe vijues i ideologjisë kombëtare të Françeskanëve të Mëdhenj, i atdhedashurisë dhe i veprimtarisë së tyre kulturore.
Duhej të kryente të gjitha detyrat e një institucioni, Institucionit të Françeskanëve, të hidhte në çdo “truall” të tij një gur të qëndrueshëm themeli. Mbi të gjitha duhej të ngrinte Kishën Françeskane, që i ka hedhur themelet ne vendin tonë që në mesjetën e hershme, dhe që i ka sjellë aq e aq të mira atdheut, të organizonte besimin, të hapte kuvendin e shkollat, të shkruante kujtimet dhe të jepte mendimin e tij për ndërtimin e demokracisë, të krijonte bibliotekën, të hidhte bazat e arkivit, të ndërtonte shtypshkronjën, të ribotonte veprat e harruara, të mohuara e të blasfemuara për 50 vjet të profesorëve të tij, dhe sa e sa punë të tjera që ia ngarkoi vetes dhe i kreu më së miri. Edhe pse qe i kaluar nga mosha, i lodhur nga burgjet dhe i sëmurë.
Në vitin 1993, rifilloi botimin e revistës “Hylli i Dritës”, revista më e vjetër e kulturës shqiptare, themeluar nga At Gjergj Fishta në vitin 1913, dhe të ngritur prej tij dhe sivëllezërve të tjerë të Urdhnit në kulm jo vetëm të kulturës shqiptare, po edhe asaj ballkanike. Ai filloi të botojë revistën, sepse “shtielli i punëve e ngjarjeve të vendit tonë sot ngarkon me përgjegjësi çdo shqiptar e aq ma tepër intelektualët”. “Çdo dritë sado e vogël që të jetë, shkruan ai, e largon terrin. Sigurisht që një hyll në mos pastë aq dritë sa me ndriçue ku të vemë kambën, së paku na shërben se ku ta drejtojmë hapin. Hylli Polar nuk asht ma i ndritshmi në konstelacionin e vet, por për njerëzit udhëtarë asht ma i randësishmi: aty synon redaksia e kësaj reviste.”
Përveç dorëshkrimeve dhe një pjese të publicitikës, që presin botimin, na la këto vepra të botuara: trilogjinë “Rrno për me jetue” (botuar, pj. I , 1995; pj. II, 1997; pj. III 2001); “Françeskanët e Mëdhaj” (2001), “Antipoezi për shekullin XX” (2001), “Ut heri dicebamus . . . siç thonim dje . . . “ (2002); “Para nji mijë vjetëve – Ngjarje të Dheut të Arbënit” (tre skenarë filmash; 2003); “Frati i pashallarëve Bushatli të Shkodrës (At Erasmo Balneo 1756 – 1788) Kronikë e gojdhanë”, (2004); “historia kurrë e shkrueme” (Intervistë, 2006); në dorëshkrim: “Saga e fëminisë”.
* * *
Në shkrimet publicistike, intervistat, veprat, sidomos në “Rrno vetëm për me tregue”, ai i ka bërë një analizë shkencore periudhës së diktaturës dhe ka përvijuar detyra konkrete për ndërtimin e një Shqipërie të lirë e demokratike. Para së gjithash, ai na porositi të mos harrojmë për asnjë moment të kaluaren, si kusht të domosdoshëm për të ndaluar kthimin e saj dhe për ndërtimin e një të ardhmeje të mirë.
Kultura e gjerë, edukata kombëtare, aftësitë e shquara intelektuale, liria e mendimit, i hapën shtigje për konceptime origjinale në trasetë e filozofisë, sociologjisë, historisë, politikës, kulturës, gjuhës, letërsisë, artit, etj., me moton strikte të një lufte të hapur për një ideal të pastër kombëtar. Ishte i pajisur, gjithashtu, me gjenuinitetin, thjeshtësinë dhe qartësinë, me të cilat i parashtronte mendimet e tij.
Toni dhe tehu i shkrimeve të At Zefit është kritik e polemik. Kritikë dhe polemikë që buron nga ideali dhe ndjenja kombëtare e kristiane. Sa për ilustrim, po ndalem shumë shkurt në ndonjë mendim me vlerë të At Zefit për ndonjë problem të rëndësishëm.
Me rastin e 80-vjetorit të Pavarësisë së Atdheut, në Fjalimin e mbajtur përpara një grupi studentësh shqiptarë në Padovë, me 28 Nëntor 1992, ai tha: “Ashtë nji realitet i idhtë sot, se ndërsa përkujtojmë 80-vjetorin e Pamvarësisë, e Lirisë së popullit shqiptar, ne gjindemi në po ato kushte, në po ato rrethana, me po ato probleme, me po ato vështirësi që kishin të parët tonë. Një popull që për 80 vjet nuk ka ba nji hap përpara në historinë e vet, nuk ka përse t’i thuri vedit lavdime.”
Vërtet, historia jonë disa herë ka pretenduar kthesa, që ne shqiptarët nuk kemi mundur t’i realizojmë. Kështu ka ndodhur fill mbas Kongresit të Lushnjes, në kohën e Lëvizjes së Qërshorit dhe në vitet ’90 të shekullit që shkoi, në këtë periudhë që ne e quajmë tranzicion drejt demokracisë dhe qytetërimit europian, dhe që At Pllumi e ka përcaktuar si “demokracia shqiptare me dy diktatorë”. “Hapni sytë e shikoni realitetin me sy – shkruan ai - shihni se jemi vendi ma i mbrapambetun i Europës e konkurojmë edhe për botën. Pse? . . . Mjerisht duket se tash shumë kohë ne nuk na punon logjika si tjerëve: i thurim lavde vedit për mbrapambetjen tonë, turpet i quejmë ‘virtyte të larta të kombit’. Jemi verbue shpirtnisht pse na mungon mendja e kthjelltë e inteligjenca për me pa se ku jemi; na mungojnë vullneti e trimnia për me thanë të vërtetën . . . Shka na mungon ne që mos të jemi si evropjanët tjerë? Toka, jo; dielli e deti, jo. Na mungon mendja e mentaliteti e, mbi të gjitha dashunia. Nuk na sjell lavdi lashtësia, në qoftë se nuk jemi të qytetnuem. Nuk na sjell lavdi origjina, në qoftë se jemi të përçamë dhe mendojmë si t’i bajmë vorrin vëllaut”.
Një ndihmesë të veçantë për historinë tonë kombëtare përbën libri “Frati i Pashallarëve Bushatli të Shkodrës (At Erasmo Balneo, 1756-1788; Kronikë e gojdhanë”, ku flitet për bashkëpunimin e parë historik ndërmjet myslimanëve e kristianëve për me krijue një shtet të pavarun shqiptar, në çerekun e tretë të shek. XVIII, realizuar nga Mehmet Pashë Bushati. At Pllumi e quan këtë fakt: “E para shkëndi e pamëvarësisë së Shqipnisë nga pushtimi osman.” Dhe shton “në historinë zyrtare nuk vërehet ky fenomen, ndoshta edhe errësohet qëllimisht”. Gjithashtu, tregohen përpjekjet e sukseshme të Karamahmud Pashë Bushatit për t’u shkëputur nga Porta e Lartë dhe projektet e tij për formimin e “Konfederatës Ilirike”. “Ky shtet i lirë, i drejtuem prej tij, shkruan ai, do të përfshinte banorë myslimanë, katolikë e ortodoksë me të drejta të barabarta kombësije, gjuhe e feje” dhe do të përfshinte, në vija të përgjithshme, trojet e popullit tonë.
Mendimet e At Pllumit kanë shpesh herë vlerë universale. Duke u nisur nga pozicioni i tij fetar, si besimtar i bindur, njohës dhe adhurues i Zotit, ai kritikon në rrafsh filozofik e praktik dy rrymat filozofike që mbizotëruan gjatë shek. XX: materializmin dialektik, komunist marksist-leninist, që ai e quan “religjion të kurrgjasë”, dhe materializmin praktik a kapitalizmin konsumist, sepse të dyja këto rryma “mbërrijnë në të njajtin vlerësim të njeriut, e çmojnë sikur të ishtë nji vegël ose nji vidë n’impjantin e madh të prodhimit material”. Është i madh dëmi kombëtar i edukatave të bazuara mbi këto dy doktrina. “Demoralizohem shumë – shkruan ai – kur shof turmat e popullit tonë të katandisun në greminë, ndoshta edhe ajkën e rinisë, pa nji ideal të naltë, por vetëm në kërkim të nji përfitimi material aq të ultë – pasojë e nji edukate të gjatë materialiste.” Herë mbas here, ai ka shtruar problemin e edukimit shpirtëror e kombëtar të rinisë e të popullit si kusht të domosdoshëm të progresit kombëtar.
Përballë “materializmave”, në bazë të filozofisë, ai vë repektin ndaj njeriut. Pa respektuar njeriun nuk mund të ndërtohet një shoqëri mbi baza të shëndosha morale, juridike, sociale, politike, ekonomike, etj.; nuk mund të ketë progres shoqëror.“Të gjithë ata që me teori ose me praktikë e kundërshtojnë Zotin me siguri që nuk do ta respektojnë njeriun, por do ta përbuzin e nëpërkambin.” Respekti ndaj njeriut kërkon nga shteti e nga shoqëria t’i njohë e t’i sigurojë atij lirinë: lirinë e mendimit, ndërgjegjes, besimit, fjalës, shtypit, etj. Mbi çdo gjë At Pllumi vlerësonte lirinë vetiake, pa të cilën nuk mund të shprehet plotësisht personaliteti i njeriut dhe të sigurohet liria e vërtetë shoqërore e kombëtare. “Liria vetjake asht themeli i të gjitha lirive: i asaj shoqërore e i asaj politike”, shkruan ai.“Të gjithë njerëzit i kemi të drejtat e barabarta. Nuk i kemi aftësitë. Por ata që i kanë aftësitë ma të mdha se të tjerët, nuk kanë të drejtën të sundojnë mbi të tjerët e t’i shfrytëzojnë. Unë jam për njëriun e lirë ose lirinë e njeriut. Kurrkush nuk ka të drejtë ta cenojë atë, as nga pikëpamja kombtare, as fetare.”.
Pllumi ka vënë në dukje dhe ka kritikuar ashpër mungesën e plotë të lirisë në periudhën e diktaturës, që u ngrit dhe sundoi me parullën “Liri Popullit!”. Pllumi shkruan: “Vetëm ata (duke pasur parasysh sundimtarët në regjimin komunist) kanë pasë liri e këtë liri e kanë shfrytzue për të shkatërrue popullin shqiptar në të gjitha pikëpamjet.”. “Për mbajtjen e pushtetit me dhunë u flijua liria individuale dhe çdo liri tjetër. Por ai ka kritikuar edhe shpërdorimin e lirisë së fituar mbas rënies së komunizmit, kur liria e ndërgjegjes u kuptue se individi kishte të drejtë me përmbysë çdo ligjë morale e mos me iu bindë asnji ligje shtetnore.”
Në një rast, duke vlerësuar lart shqiptarët e traditës, në mënyrë të veçantë ata të maleve, për çmimin e lirisë, (“shqiptari i vërtetë ka shpirtin e lirisë dhe të ndjenjave ma njërëzore”), ai shfren ashpër për rënien morale të popullit gjatë periudhës së regjimit komunist: “këtë popull skllav, që për çudi, brohoriste se ish ma i liri i botës.”
Duke i njohur lirisë burimësinë hyjnore, motoja e konceptitmit të tij për këtë atribut shpirtëror është thënia e Shen Palit: “Ubi Spiritus Domini, ibi libertas – Ku asht shpirti i Zotit, aty asht liria.”
I thirrur prej presidentit Mojsiu për t’u nderuar në emër të kombit, i veshur me zhgunin e shajaktë të fratit, i lidhur me konopin e Shen Françeskut, si i dalë prej një kapitulli të kahmotshëm të historisë së Françeskanëve shqiptarë, i zhytur në një përvujtni shpirtërore e fizike, që e tradhtonte herë pas here shikimi disi rebel i syve të tij të skiftertë, dëshmoi se e pranonte nderimin që iu bë:
“si përfaqësues i pasurisë kulturore e njerëzore, si një institucion i vërtetë, që u rezistoi regjimeve dhe kohërave më të vështira dhe si simbol i qytetarit të lirë, vizioni i të cilit frymëzohet nga vlerat evropiane”,
si vlerësim i nderimit që i bën kombi bëmave të paraardhësve të tij.
Ndoshta, proza e tij e shtruar, e thjeshtë, e ndërprerë nga dialogjet mjeshtërore, me pajën e pasur e të larmishme të përshkrimit të ngjarjeve e personaliteteve, njëmendësuar shpesh edhe nga një stil anekdotik, i dhanë atij “Penën e Artë” në letërsi.
Tani që vdiq, më bëhet t’i them: ti vdiqe At Zef, duke pyetur për “Hyllin e Dritës” dhe me dëshirën për të vdekur në Shqipëri, por ti je gjallë, do të rrosh për të na treguar çfarë ndodhi gjatë viteve të diktaturës dhe pse ndodhi, dhe për të na ravijëzuar vizionet e së ardhmes për atdheun dhe popullin tonë; do të jesh përgjithnjë me ne, me shkrimet që na ke lënë dhe me gjurmët e pashlyeshme të jetës dhe të punës sate. - Anton Cefa

Si i hodhën në Drin eshtrat e At Gjergj Fishtës…



Nga A. Bardhyli.


gj.fishta01Image result for zef pellumbi


Kujtimet për Fishtën në penën e Atë Zef Pllumit… Njohja kur ishte ende fëmijë, dhe si u denigrua figura e tij gjatë komunizmit

Atë Zef Pllumi ishte vetëm 16 vjeç dhjetorin e vitit 1940 kur një nga personazhet më të njohura të mendimit shqip, Atë Gjergj Fishta, mbylli sytë përgjithmonë. Djaloshi që ende nuk kishte kaluar adoleshencën, e ndiente se ajo mbrëmje e ftohtë dhjetori kishte marrë me vete një figurë që do të mbetej në kujtesën jo vetëm të qytetit të tij. Ai e kishte takuar Fishtën kur ishte ende fëmijë, kur ai bashkë me Padër Anton Harapin kishin ardhur miq te xhaxhai i tyre në bjeshkë.

Shtati dhe prania imponuese e Fishtës, do t’i mbetej në mendje. Ai ishte përshëndetur me ta, dhe gjatë asaj përshëndetjeje të shkurtër xhaxhai u kishte thënë miqve që djaloshi donte të bëhej frat kur të rritej. Padër Arapi do t’i afrohej duke i dhuruar një medaljon të Shën Françeskut që do ta mbante gjatë në qafë, duke i thënë ta ruante me shumë kujdes në mënyrë që kur të shkonte në kolegjin françeskan ta paraqiste atë medaljon.

Më pas Atë Zef Pllumi do ta njihte Fishtën si mësuesin e tij, kur më 1931 hyri në kolegjin françeskan të Shkodrës. Në kujtimet e shkruara pas burgut, Atë Zef Pllumi do të linte pasazhe të gjata dhe për Fishtën. Në vitin 1996 revista “Hylli i dritës” do t’i kushtonte një numër të posaçëm Atë Gjergj Fishtës, i cili hapet me shkrimin e Atë Zef Pllumit “Nji vorr për Atë Gjergj Fishtën”.

“Ajo natë e 31 dhjetorit 1940 nuk kje natë gzimi: nji ndër bijt ma në za të Shqipnisë mbulohej në dhe të zi. Nuk pati andrra lirije, pse dy pushtues të huej luftojshin mes vedit mbi këtë truell. Qielli kje i ngrysun, i ftoftë, i merdhitun si zemrat e shqiptarëve e toka me borë e me skllotë, kur po zhvillohej funerali i zi mortuor i Fishtës.

Vonë në natën e 31 dhjetorit nji grup i vogël françeskanësh hapëm atë vorr me zemër të thyeme e me lot ndër sy. Te kryet nji kryq dullije për me çue në vend dishirin: Nji kryq druni, t’kojsha true,/nxierre e venma përmbi krye…Qindra kurora lulesh, që e mbuluen vorrin, nuk e zbukuruen atë vdekje”, shkruan At Zef Pllumi. Më pas ai ndalet në kohën kur komunizmi nisi të instalohej në vend, dhe lufta e parë që ai shpalli ishte kundër fesë.

Ja si e përshkruan ai momentin kur ushtarët hynë në kishë dhe kërkuan të dinin ku ishte varri i Fishtës, për t’u hakmarrë ndaj tij. “Dukej sikur në luftën e madhe të popujve mëndjeçoroditun Fishta po binte fli. Vorri ishte aty, në fund të kishës. Heshtje e mallëngjim. A thue se bota kje përmbysë me tërbim. Furishëm hynë ushtarët e 1944-trës me hyllin e kuq në ballë. Ata shpallën se kishin shembë botën e vjetër dhe do të ndërtonin “botën e re”: “Internacionale do të jetë bota e re!”. Para tyne u duk sikur kombit tonë iu përvdorën të gjithë hyjt e diejt e vet.Nga vorri në fund të kishës u hoqën në fillim kunorat me lule. Kryeqi dullije u zhgul.

Mbet vetëm nji rrasë e bardhë e ftohtë mermeri, pa emen e pa kombsi. “Bota e re” që kishte ardhë nuk kje botë shqiptare; kjo e huej, sdihej e kujë. Nji botë me inade e maraze, pa din e pa iman, pa fe e pa atdhe, pa nderë e pa liri, pa gëzime as dëshirë , pa shpresa për të ardhmen. Kështu u ngrysën vitet e gjatë mbi atë vorr, ku prehej poeti: në nji robni që vetëm armiku e dëshiron”, shkruan At Zef Pllumi. Më pas frati françeskan ndalet në 6 shkurtin e vitit 1967 për të shpjeguar atë që u quajt nga regjimi si “revolucion kulturor” në qendër të cilit ishte shfarosja e fesë. “Kishat e xhamijat u shembën në tokë, bashkë me to Atdheu e njeriu. Herojt e kombit u quejtën spijuen e tradhëtarë. Hienat e kuqe, në tërbim e sipër iu suellën varrit në fund të kishës e dhunuen e shkatërruen”, kujton Atë Zef Pllumi. Më tej ai vazhdon duke shkruar se “Kjo natë.

Simbas nji dishmitari okuar, eshtnat e të vorruemit i nxuerën gjithë inad e i hodhën në Drin. partia kishte vendosë që Kishën Françeskane ta kthejë në kino-teatër, ndoshta nga friga se nga fundi i Kishës mund të ngjallej nji za, kje shkak i veprimit të shëmtuem. Por ai çast i turpshëm për mbarë kombin dhe racën shqiptare ishte pregatitë kaherë: fillonte që te programet e para shkollore të pushtetit të ri. Vazhdonte me urdhën partiak, në fillim në surdinë te mbledhjet e plenumet e shkrimtarëve e gjuhëtarëve ndër rrethe të mbyllura, deri që shpërthente haptë me korin e neveritshëm të shkrimtarëve, kritikëve e historianëve të realizmit socialist, që u vunë në garë mes vedit se cili po hjedh gurë e baltë më shumë mbi poetin”, shkruan At Zef Pllumi. Gazeta letrare “Drita” do të niste një fushatë kundër personalitetit të Fishtës, e cila më pas do të vijonte dhe me heqjen e emrit të tij nga tekstet shkollore.

Por sipas Atë Zefit, një sistem i tërë diktatorial nuk mundi ta hidhte në koshin e harresës një personazh si Fishta. “I mbetun pa vorr, Fishta vazhdoi me jetue i strukun në kujtesën e legjendën e kombit, bashkë me herojt e epopesë së tij. Me gjasë lexuesit e tij nuk dinin kurrgja mbi fatin e trupit e t’eshtnave , dinin se kishte dikund një vorr, ku Poeti pushonte në paqe , ndoshta as nuk u jepnin randësi të mbetunave të tij. Ndërkaq në heshtje nën za, recitonin me ngulm kangët e “Lahutës së Malcis”, ky ishte një veprim konspirativ antishtetnor, antisocialit, antitiranik, antiservil që dënohej së paku me 10 vjet burg”, kujton At Zefi. pas rënies së regjimit komunist në 50-vjetorin e vdekjes së Fishtës një grup intelektualësh vendosin që ky përvjetor të mos kalohej në heshtje. Ishin Aurel Plasari, Skëndër Buçpapaj, Rudolf Marku, të cilëve iu bashkua dhe aktori Ndrekë Luca.

Më 28 dhjetor 1990 në sallën e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve do të ishte një moment emocionues, pikërisht në vendin ku ishte denigruar figura e tij. “Gjysmë shekulli ka kaluar prej vdekjes së tij fizike, e ka vërtetuar jetëgjatësinë e veprës së tij letrare, me gjithë kushtet specifikisht të vështira në të cilat i është dashur asaj të gjallojë. Na bie neve, breznisë që do të përgjigjemi tash e tutje për respektin ndaj traditës sonë letrare, t’ia japim asaj votën e dashurisë. Jo me fjalë. Ta mbrojmë me jetëgjatësi, duke ia shtypur e rishtypur pjesën më të mirë të kësaj vepre, e sidomos duke rregulluar marrëdhëniet e saj me historinë e letërsisë. Unë do të thosha jo duke i dhënë Fishtës vendin që i takon, por duke i kthyer historisë së letërsisë atë çka i mungon”, do të shprehej Aurel Plasari. Pas kësaj ceremonie do të niste rikthimi i emrit të Fishtës në letrat shqipe, përmes aktiviteteve në Shkodër e Tiranë e shkrimeve që nisën që nga gazeta “Drita”.

Ndërkohë, në vitin 1993 kishte nisur rindërtimi i Kishës Françeskane të Gjuhadolit. “Kur u emnue Provinçial Superjoj i françeskanëve të Shqipërisë, At Flavio Cavallini, fola me të për këtë punë që na priste. Dhe ma premtoi se kah mbarimi i rindërtimit të kishës, me siguri do të punohej edhe për reperimin e vorrit të përdhunuem. E mbajti premtimin. Mbas dy vjet punimesh erdh radha me u shtrue dyshemeja e kishës me rrasa mermeri. Ajo nuk u shtrue pa u ba sondazhet për vorrin, simbas të dhanave që kishim tregue. Më datë 13.11.1995 ditën e hënë, rreth orës 14.30 minuta, filluen gërmimet në prani të noteres V.Sulkaj. Aty kah ora 18.00 mbërritja edhe unë me At Leo Kabashin dhe kryeredaktorin e Hylli Aurel Plasari, kishim thirrë edhe drejtorin e radio Shkodrës, Z.D Luka. Me disa të tjerë që punojshim në rindërtimin e kishës ishte dhe Z. Ferdinand Topalli i cili dishmonte se e kishte pa me sy dikur kah i bajtën me karro eshtnat e Fishtës për me i hedh në Drin. Nga gërmimi i deriatyshëm u pa kjartë se nuk ishte dhe i zakonshëm i tokës, por nji material i ardhun nga prishje ndërtesash si copa tullash, gëlqere suvatimi, etj.

Atë natë u punue deri aty kah ora 21 në thellësinë rreth 2 metra u gjetën vetëm pak eshtra të vogla dhe nji unazë kurrizore. U vërtetue plotësisht se vorrprishësit kishin gërmue jo vetëm në mes, ku gjindej rrasa e mermertë por në çdo qoshe, derisa kishin ra në eshtna. N’e nesre gërmimet vazhduen përsëri. U gjet fundi i kalbun i nji arkivoli drunit, nji copë nga petku fetar (stola), si dhe pak ornamente metalike t’arkës. Dheu aty përreth u kalue nëpër sitë e u gjetën edhe nji pakicë eshtnash , shpëtue prej dhunimit të vorrit”, kujton At Zef Pllumi, i cili do të vazhdonte të këmbëngulte deri në rivarrosjen dinjitoze të Fishtës.

Drejtuesja e IDMC-së, Jonila Godole: Pakkush beson në hapjen e dosjeve para zgjedhjeve 2017


Nga Lindita Arapi

Hapja e dosjeve, përvoja e Lindjes, ndryshimi i kurrikulave shkollore, kujtesa tek rinia: Drejtuesja e IDMC-së, Jonila Godole mbi rrugën e gjatë të shoqërisë shqiptare për të krijuar kujtesën e vërtetë për diktaturën.

1-jonila-godole-idmc-executive-director-crop-u34823

Deutsche Welle: “Ditët e Kujtesës” të organizuara nga data 24-28 Tetor 2016 nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, (IDMC) në partneritet me Fondacionin Konrad Adenauer e shoqata të tjera „Ditët e Kujtesës” përfunduan. Sa mundi të rizgjohet vëmendja e shoqërisë shqiptare për kohën e diktaturës me këto ditë?

Jonila Godole: „Ditët e Kujtesës” u iniciuan për të sjellë në qendër të vëmendjes së shoqërisë ballafaqimin me të shkuarën për sa kohë mungon një ditë që të njihet dhe të pranohet nga të gjithë për krimet dhe pasojat e regjimit komunist. Ndërsa kemi rreth 700 lapidarë dhe „vepra të Partisë” të ngritura me punë të detyruar nga ish-të burgosurit. Dhe kur një ditë e tillë mungon, krijon një boshllëk që lë vend për spekullim, për relativizim, dhe kjo ushqen harresën. Kjo harresë përcillet pastaj nëpër breza, duke rritur e edukuar një rini pa kujtesë për atë se çfarë njerëzit mund t’u shkaktojnë njerëzve. Synimi jonë si organizatorë të aktivitetit ishte të ulnim me njëri-tjetrin ekspertë brenda dhe jashtë vendit që të shkëmbenin punën dhe përvojën e tyre në fushën e kujtesës për ta njohur publikun me zhvillimet më të fundit në debatin mbi kurrikulat shkollore; mbi hapjen e dosjeve, mbi projektet konkrete të grupeve të interesit etj. Numri i lartë i vizitorëve gjatë këtyre ditëve tregoi interesin që ka shoqëria për këto tema, të cilat nuk i has në axhendën e politikës dhe të medias.

Deutsche Welle: Në aktivitet ishin ftuar institutet e ballafaqimit me të shkuarën komuniste nga disa vende lindore. Çfarë ndihmese mund të japin ata në drejtim të ballafaqimit të shoqërisë shqiptare me të shkuarën?

Jonila Godole: Historia shqiptare është pjesë e historisë europiane dhe kësisoj edhe e kaluara e saj në diktaturë dhe pasojat që ka lënë deri më sot, nuk mund të trajtohen më jashtë perspektivës europiane. Nga ana tjetër duke njohur të kaluarën e vendeve të tjera që kaluan një kalvar vuajtjesh të ngjashëm me ne, kemi mundësi të reflektojmë më mirë për historinë tonë. Përballja me përvojat e huaja gjatë DITËVE TË KUJTESËS, tregoi sa pas jemi në këtë proces dhe sa të papërgatitur për të folur të njëjtën gjuhë me shoqëritë e vendeve lindore. Sidomos në kurrikulën shkollore gjendja u shfaq problematike. Edhe pse janë ndërmarrë nisma pozitive për të rishkruar tekstet e historisë, mënyra si janë shkruar ato mbetet problematike. Çdo institucion përpiqet t’ia hedh fajin tjetrit, duke mos mbajtur në fund asnjëri përgjegjësi për cilësinë e teksteve me të cilat mësojnë të rinjtë shqiptarë. Si përfundim humb e gjithë shoqëria. Sepse katarsi me të shkuarën do të na kishte shërbyer të gjithëve jo thjesht ish-të burgosurve politikë, të internuarve etj.

Deutsche Welle: Gjatë “Ditëve të Kujtesës” u vu një fokus i veçantë tek tërheqja e rinisë. A e ka rinia shqiptare sot një vetëdije për të shkuarën e vendit në diktaturë dhe vlerën e lirisë e demokracisë?

Jonila Godole: Në realitet kemi një rini që rritet pa kujtesë historike për diktaturën. Dhe nuk ka nga ta ketë fituar vetëdijen për të shkuarën, kur në shkolla flitet pak ose aspak, në media përciptazi, në shtëpi vetëm atëherë kur kanë provuar persekutimin mbi shpinë. Mbi të gjitha qeveritë nuk kanë qenë kurrë të interesuara për të hartuar politika të vërteta që do të kishin mbështetur zbardhjen e të shkuarës. Ky është dështimi ynë, dhe në fakt duhet të ishte detyrim që kemi ndaj brezit të ri. Kush thotë se të rinjtë nuk interesohen për të shkuarën, gabon. Në takimet që ne bëjmë me të rinjtë nëpër shkolla, duke i përballur ata me histori personale të personave që vuajtën gjatë regjimit, hasim një interes të madh dhe pyetje, se përse takime të tilla me dëshmitarë të kohës nuk organizohen rregullisht, siç bëhet me veteranët, vizitat e të cilëve janë pjesë e natyrshme e kurrikulës. Pjesëmarrja e tyre masive në konkurse kreative si „Born in the 90s” me 2015 dhe „Pyet Gjyshërit” 2016 tregon se ata kanë interes për të këtë periudhë dhe janë gati të bëjnë pyetje, madje edhe të vështira si në familje ashtu edhe jashtë saj. Gjithashtu, vetëm gjatë këtij viti, interesimi i të rinjve, studentëve, mësuesve, pedagogëve për të vizituar „vendet e kujtesës” (Burgun e Spaçit, të Telepenës, Burrelit etj) është dy-trefishuar gjë që na përforcon bindjen se misioni ynë në këtë drejtim duhet të vazhdojë.

Deutsche Welle: Një debat tjetër, ku u fokusua kjo iniciativë ishte edhe „Hapja e Dosjeve”. Çfarë debati ishte ky, kur qeveria shqiptare vërtet e ka një ligj për hapjen e dosjeve, por realisht asnjë dosje të hapur?

Jonila Godole: Debatet për dosjet janë pozitive dhe duhet të jenë të vazhdueshme, edhe pse për momentin kemi një situatë absurde: kur ekziston ligji për hapjen e tyre që prej 30 prillit 2015, por ende nuk është ngritur autoriteti përkatës për to. Por është e rëndësishme të flitet për pasojat negative që moshapja dhe vonesa shkaktojnë për shoqërinë shqiptare. Ndarja me të shkuarën duhet të ishte bërë që në fillim, por edhe tani hapja e dosjeve përveçse do t’u jepte mundësi viktimave të njiheshin me dokumenta të rëndësishëm që ndryshuan rrjedhën e jetës së tyre, ajo do të na tregonte të gjithëve si shoqëri se si funksiononte makineria e propagandës dhe terrorit instaluar për afro pesëdhjetë vjet në shqipëri.

Deutsche Welle: Si reaguan të ftuarit nga vendet e tjera për këtë situatë, si thoni ju “absurde”?

Jonila Godole: Të ftuarit në debat ishin përfaqësues gjermanë dhe shqiptarë, ekspertë në fushat e tyre. Ata sollën jo vetëm perspektiva të reja në këtë çështje, por e njohën publikun edhe me vështirësitë që sjell mospërballja me të shkuarën për shoqërinë, dhe për viktimat e diktaturës, të cilët janë të detyruar të përballen me një sërë problemesh dhe traumash që ende ua vështirësojnë jetën.

Deutsche Welle: Dosjet janë tema më e keqpërdorur në politikën shqiptare. Duket se zvarritjet e kanë bërë efektin e tyre …pakkush pyet sot për dosjet në Shqipëri. A prisni reagim nga politika për debatin për hapjen e dosjeve pas këtij aktiviteti?

Jonila Godole: Është e vërtetë se dosjet janë përdorur dhe stërpërdorur nga të gjitha qeveritë deri tani pa u hapur në fund. Dhe pakkush ka shpresë se ato do të hapen para zgjedhjeve 2017. Megjithatë anëtarë të parlamentit siguruan se po ndërmerren hapa dhe masa që autoriteti të plotësohet me kandidaturat që mungojnë deri në fund të muajit nëntor. Këto kandidatura duhet të propozohen në parlament nga të paktën 28 deputetë çdonjëri. Por mbi të gjitha nëse do kishte hapje të dosjeve që vitin tjetër duhej parashikuar që tani buxheti për autoritetin në vitin e ardhshëm, që akoma nuk është në rend të ditës.

Shkrimtari Ismail Kadare: Në arkiva sekrete s’ka një rresht timin që denoncon ndokënd


000

Ky dialog i Kadaresë me shkrimtarin dhe publicistin e njohur Stéphane Courtois, autorin e librit t famshëm “Libri i zi i komunizmit”, përbën pjesën përmbyllëse të librit “E vërteta që del nga qilarët” (nëntitulli në frëngjisht i librit “Dosja K., i Shaban Sinanit), përkthyer dhe botuar nga shtëpia botuese franceze “Odile Jacob”, në vitin 2006
Kadare: “Në arkiva sekrete qindra faqe kundër meje, s’ka një rresht timin që denoncon ndokënd”
Stéphane Courtois – Ju ishit dhjetë vjeç kur Enver Hoxha vendosi një pushtet komunist në Shqipëri. Ju u larguat nga Shqipëria në vitin 1990. Keni jetuar, pra, nga mosha dhjetë vjeç deri në moshën dyzet e pesë vjeç nën këtë regjim totalitar. Si u formua ndërgjegjja juaj për tiraninë? Përmes leximeve? Përmes takimesh dhe pyetjesh (me prindërit, miqtë, gruan)? Pas ballafaqimeve të para me sistemin? Nga spektakli i ballafaqimit me sistemin të personave të tjerë? Duke e krahasuar me modele të huaja jototalitare?

ISMAIL KADARE – Ashtu si për mijëra shqiptarë të vegjël, ndërgjegjësimi i parë në raport me tiraninë, ka ndodhur tek unë në mënyrë të natyrshme, në mjedisin familjar. Familja ka qenë gjithmonë shumë e rëndësishme në Shqipëri. Qëndrimet e mëvonshme në jetë të njeriut, programimi i tij i ardhshëm vendosej shpesh brenda rrethit ose klanit familjar.

E veçantë në fëmininë time ishte prania jo e unitetit, por e kundërta, e disunitetit brenda rrethit familjar. Siç e kam përshkruar në dy libra të mi, “Kronikë në gur” dhe “Çështje të marrëzisë”, fëminia ime ka kaluar në dy shtëpi të mëdha: ajo e prindërve të mi, dhe tjetra, e gjyshit nga nëna.

Në këto dy shtëpi prirjet politike ishin të kundërta dhe qysh në fëmini u bë e natyrshme për mua të jem i pranishëm në këtë përballje. Ungjërit e mi, ndonëse nga një familje e pasur pronarësh tokash ishin komunistë. Im atë, ndonëse nëpunës modest, kishte pamjen e rëndë të konservatorit kokëfortë. Në sytë e tij, ungjërit e mi ishin “komunistë budallenj”, kurse për këta të fundit, im atë ishte një “puritan reaksionar”.

Meqenëse kisha një nderim të heshtur për tim atë, pikërisht ngaqë ishte hijerëndë, fjalëpakë, kokëfortë dhe i vetmuar, më dukej se isha në anën e tij. Ndërkaq ungjërit e mi, studentë në lice, kishin kapela të bukura, i thoshin të fshehtat e tyre në latinisht dhe kryesorja kishin libra. Te shtëpia e tyre, gjeta dhe lexova së pari “Makbethin” e më pas “Hamletin”.

Kjo gjendje e dyzuar, sidomos tensioni midis tim eti dhe ungjërve e bëri të zakonshme për mua të dëgjoj, në të njëjtën kohë, atë që quhej propagandë kundër shtetit, si dhe tjetrën, të kundërtën e saj. Kjo më ka ndihmuar ndoshta për të qenë i pavarur në mendime, aq sa mund të jetë një fëmijë. Në rrafshin letrar më ka dhënë, me sa duket, shijen e parë të “epicitetit”, vështrimit nga jashtë, asnjanës, të njerëzve dhe ngjarjeve.

S.C. – Kjo pavarësi do t’ju sjellë më vonë probleme serioze. Kështu, në vitin 1974, ju keni shkruar një poemë, “Pashallarët e kuq”, e cila, me vendosmëri, tregonte drejtpërdrejt me gisht “burokratët”, “ogurzinj, duart të gjakosura deri në bërryla, kështu i shoh”. Në tetor të vitit 1975, ndërkohë që po bëhej gati të publikohej, poema u tërhoq nga shtypshkronja në çastin e fundit, të gjitha dorëshkrimet tuaja konfiskohen dhe ju shtrëngoheni të bëni një autokritikë të tmerrshme, përmbajtjen e së cilës mundëm ta lexonim në dokumentet e “Dosjes Kadare”. Cilat ishin ndjenjat tuaja kur kuptuat se kjo poemë humbi në mënyrë të pakthyeshme dhe se nuk mund ta rindërtonit vetëm falë kujtesës? A ka njëfarë mospërfilljeje ose, përkundrazi, një plagë të rëndë, njësoj sikur të ishit gjymtuar nga një pjesë e vetes suaj? A e konsideroni këtë si një akt torture psikologjike?

Kam përshtypjen se ju e bëni më shumë tragjike, një ngjarje, që për ne, shkrimtarët që kemi jetuar në atë botë, ka qenë disi e zakonshme.

Ne ishim mësuar me ndalime veprash, me zhdukje të tyre, me ndalim të të shkruarit, ndalim të botimit etj., pa përmendur dënimet më të rënda.

Kur poema ime për “Pashallarët e kuq” u fundos për të mos dalë më në sipërfaqe, unë kisha ndërkaq dy vepra të varrosura. Novela “Ditë kafenesh” dhe romani “Përbindëshi”. Një tjetër vepër, romani im i parë, “Qyteti pa reklama” i shkruar në Moskë më 1959, kur isha student, kishte mbetur gjithashtu pa u botuar për arsye politike. “Pashallarët e kuq” ishte humbja ime e katërt.

Kam zbuluar se terrori stalinist i bën njerëzit fatalistë dhe bestytë. Shumë shkrimtarë e kishin përjetuar këtë: Pasternaku, Grosmani, Solzhenicini. Ne ishim mësuar aq shumë me humbje veprash, saqë kur kalonte një kohë e gjatë pa to, nisnim të shqetësoheshim.

S.C. – Pse “të shqetësuar”?

Kjo mund të duket qesharake, por ju duhet ta dini se perandoria komuniste na bënte bestytë. Po përjetonim atëherë një lloj rishfaqjeje të fatumit antik.

Në disa vende komuniste, kanosja e fatumit u rikrijua me qëllim. Ishte një prej më të rëndë-sishmëve mes mekanizmave të terrorit. Ndjenja fataliste përforcohej nga ajo që quhej “goditja irracionale e Shtetit”. Kjo ndodh kur pushteti godet befas, qorrazi dhe pa logjikë. Këto goditje, që dukeshin enigmatike, ishin në fakt të llogaritura me cinizmin më të madh. Kjo strategji vepronte kështu në dimensione të shumta.

S.C. – Si mundët të ruanit qetësinë përballë deklaratave të nëntorit të vitit 2001 të Znj. Hoxha, që ju akuzonte për mungesë sinqeriteti? A nuk menduat, më duhet ta pranoj, sipas një modeli shumë “perëndimor”, ta padisnit për shpifje? A mendoni se ajo nuk e meritonte një vëmendje të tillë?

Zonja Hoxha e ka bërë këtë pohim, për të shpjeguar sipas saj, “gabimet” e mia të përsëritura. Në mendjen e saj komuniste më 2001 problemi shtrohej njëlloj si në kohën kur ajo sundonte bashkë me burrin e saj. Pra, përderisa unë kisha pranuar më 1975 se “Pashallarët e kuq” ishte një poemë kundër regjimit, si ishte e mundur që, shtatë vite më pas, më 1982, unë përsëritja të njëjtin faj me romanin “Pallati i ëndrrave”, i cili gjithashtu u quajt kundër regjimit. Sipas saj, përsëritja e fajit, tregonte mungesë sinqeriteti.

Natyrisht as që më shkoi ndër mend ajo puna e gjyqit, që thoni ju. Iu përgjigja fare thjesht dhe qartë me një intervistë ku shkruaja se unë jam qenie njerëzore dhe detyrimin e sinqeritetit e kam ndaj qenieve homologe njerëzore dhe jo ndaj bishave të egra, ta zëmë krokodilëve, ose gjarpërinjve. Ju, zonja Hoxha, ishit më keq se ata, sepse ju ishit vrasës me thika në duar.

S.C. – Kjo anekdotë e lë pa mend një demokrat perëndimor. E veja e diktatorit mund të akuzojë publikisht një shkrimtar për mosbesnikëri ndaj regjimit. A mendoni se procese gjyqësore për krime kundër drejtuesve kryesorë të këtij regjimi mund të kishin lehtësuar te shqiptarët një dalje prej universit mendor komunist? Mënyra se si Shqipëria largohet prej komunizmit, a nuk favorizon amnezinë ndaj krimeve dhe amnistinë e përgjegjësve? A mund të rindërtohet një shoqëri që ka pësuar traumatizma të tilla, nëse puna e historisë dhe e kujtesës pengohet kështu?

Ashtu siç ju thashë pak më parë, një proces dhe një dënim i krimeve komuniste në Shqipëri do të kishin qenë më se të domosdoshme. Jam një nga ata që kam kërkuar me këmbëngulje dy gjëra: e para, hapjen e arkivave sekrete, dosjeve të spiunëve etj., dhe, e dyta, dënimin e krimit. Por zëri im, ashtu dhe i shumë të tjerëve që kanë këtë mendim, për fat të keq nuk është dëgjuar.

Amnezia e krimit dhe amnistia e kriminelëve janë të rrezikshme në Shqipëri, si kudo. Është e habitshme të konstatosh se pikërisht në Shqipëri, një vend që ka namin e gjakmarrjes së famshme, nuk ndodhi kurrfarë reverishi serioz kundër dhunës komuniste. Me sa duket, rigoroziteti me të cilin njeriu shqiptar ka kërkuar shpagim kundër të keqes, në planin privat, njerëzor, nuk ka kaluar në atë shoqëror.

S.C. – Do t’i rikthehemi kësaj pike. Një prej vështirësive kryesore që ndeshin perëndimorët, edhe ato në mirëbesim, përballë një regjimi totalitar, nuk është dhe aq të kuptuarit e terrorit spektakolar – pushkatime, proceset e mëdha të Moskës, gulagun etj., – por sidomos të kuptuarit e terrorit të përditshëm, në veçanti e spiunimit të përgjithshëm. Ndërkohë që te ne, diskutim do të thotë liri, dinjitet, krijimtari, Maks Velo, me të drejtë, vë në dukje se në një regjim totalitar “diskutimi është forma masive, demokratike e spiunimit ”, se e rëndësishmja nuk është dhe aq objekti i spiunimit sa vetë akti i spiunimit (që shkatërron automatikisht çdo lidhje shoqërore), dhe se në këtë tip “shoqërie”, “gjithçka i duhet thënë” Partisë. A mund t’i riktheheni kësaj pike, të shpjegoni dinjitetin e atyre që nuk denoncuan?

Mendoj se terrori i përditshëm, sistematik, monoton, ka qenë më i keq se dhuna spektakolare. Kjo ka qenë gjëja e re që solli komunizmi. I krahasuar p.sh. me terrorin fashist, terrori komunist ka qenë shumë më i pabujshëm, i heshtur dhe i maskuar. Strategjia e komunizmit në gjithçka ishte shumë më afatgjatë. Nga kjo pikëpamje komunizmi ishte më rrënjësori se të gjitha rendet shtypëse që ka njohur bota.

Të marrim, për shembull, politikën lidhur me letërsinë. Veprimet brutale të nazistëve: turra e druve për të djegur librat, dëbimi i shkrimtarëve hebrenj ose censura e veprës së tyre, e përcjellë me bujë në shtyp, ishte vështirë të përfytyroheshin në botën komuniste. Tek ne stili ishte fare i ndryshëm. Të gjitha këto ndodhnin, por të maskuara me kujdes, të shoqëruara me muzikë feste dhe entuziazëm popullor. Kryesorja ishte se komunizmi, për t’u siguruar nga dëmtimi që mund t’i vinte prej letërsisë, shpiku gjënë më djallëzore që mund të mendohej: fabrikimin e racës së re të shkrimtarëve, të asaj që me duart e saj do të prishte letërsinë. Kjo ishte më e tmerrshme se turrat e druve. Në fakt, komunistët kryen me sukses një zhvendosje të vërtetë të krimit. Ata ia dolën ta transferonin brenda vetë familjes, atje ku është më i vështirë për t’u zbuluar. Kjo bënte pjesë natyrisht në projektin monstruoz “të njeriut të ri”, që me duart e veta, madje duke kënduar e vallëzuar do të mbyste lirinë.

Spiunimi i përgjithshëm, për të cilin flet Maks Velo, ishte pjesë e kësaj tabloje. Me mijëra ishin “lexuesit e rinj”, ata që duke qenë të bindur se e adhuronin letërsinë, po aq me zjarrmi e spiunonin atë. Fjalët e Krishtit “fali o Zot se s’dinë ç’bëjnë!” më shumë se çdo epoke u përshtaten turmave në komunizëm.

S.C. – E gjithë intriga rreth “Pashallarëve të kuq” tregon se sa ky sistem totalitar përgjithëson dhe acaron prirjet më të errëta të njeriut: ambicie gllabëruese, xhelozi, pabesi, gëzim i lig, mizori, vullnet pushteti, dëshirë dominimi total, ndjenjë mosdënimi në krim.

Pikërisht. Rendi komunist u përpoq të ndërtonte një botë koherente, pa të çara dhe pa mungesa në ngrehën e saj. Të gjitha dobësitë dhe veset njerëzore u thirrën në ndihmë, në mënyrë që sistemi, domethënë e keqja të ishte totale.

Ky është dhe thelbi i totalitarizmit.

Në gjithë kronikën e trishtueshme të jetës letrare në këtë perandori, dobësitë njerëzore: me në krye smirën, kanë luajtur rol të dorës së parë. Komplekset e tjera njerëzore, duhmat e fshehura thellë në ndërgjegje, mllefet, dështimet, cenet e gjer te shëmtimi trupor, të gjitha këto janë shfrytëzuar si burim energjetik për të prodhuar urrejtjen, ajo që vë në lëvizje makinën e madhe të terrorit.

S.C. – Nuk mund të jetohet përherë pa vuajtur pasoja nën një klimë të tillë terrori. Edhe pse ju keni rezistuar fort, a mendoni se keni pësuar personalisht, plagë intelektuale dhe afektive?

Në kohën që jetoja nën këtë sistem nuk e kam ditur as vetë nëse jam dëmtuar prej tij ose jo. Kam menduar se ndonëse trupi im kishte një shëndet plotësisht normal, më vonë, ndoshta, do t’i ndieja pasojat. Të njëjtën gjë mendoja për shëndetin shpirtëror, atij që gjithmonë është më i fshehtë. Tani, 15 vite pas mund të them se nuk jam dëmtuar. Me sa duket, stinë pas stine e vit pas viti, vaksinimi kundër të keqes ka qenë tepër i fortë.

Mendoj se në kushte të tilla ka dy mundësi: ose rrëzohesh përgjithmonë, ose shpëton përgjithmonë. Për ne shkrimtarët ka një tregues të qartë: letërsia që prodhojmë. Ajo e dëshmon edhe mposhtjen edhe ngadhënjimin. Vepra që unë kam krijuar në liri, pas rrëzimit të komunizmit, nuk ka ndonjë gjë superiore nga ajo që kam shkruar në robëri. Kjo do të thotë se liria ime e brendshme ka qenë e pacenuar.

Lidhur me lirinë, më lejoni të përsëris mendimin se ngaqë e kam njohur letërsinë përpara lirisë, ka qenë letërsia ajo që më ka çuar drejt lirisë dhe jo e kundërta. Kjo kronologji e gjërave ka bërë që letërsia, të mos e humbë asnjëherë përparësinë në jetën time.

Do ta kuptoni ndoshta më mirë këtë po t’ju them se, kur në moshën katërmbëdhjetëvjeçare, pas Shekspirit dhe poemave romantike gjermane, lexova aq shumë të lavdëruarën “Nënën” e Gorkit, jam lemeritur prej shterpësisë dhe mërzisë së saj, përpara se të lemeritesha prej shkretëtirës së socializmit. Ende sot ka mbetur për mua një enigmë se si ka qenë e mundur që ky libër të ketë ndezur entuziazmin e shumë intelektualëve në Romë, Paris a Madrid, në kohën që dy djem të vegjël, unë dhe një shoku im i klasës, në një skutë të humbur të botës komuniste, e kishin kapur mërzinë mortore të tij?

S.C. – A nuk ka në këtë tip sistemi, ashtu siç e kemi parë me aferën e “Pallatit të Ëndrrave” ose “Koncertin”, një lloj spiraleje të spekulimit në denoncimin dhe në riafirmimin e nënshtrimit të tij, pushtetit që krijon në mënyrë pothuaj mekanike një klimë histerie dhe kushtet e vrasjes – reale ose simbolike?

Në këtë botë shumë gjëra duken të turbullta, ngaqë janë të ngjitura bashkë dy realitete: ai i njëmendti dhe tjetri, virtuali. Është njëfarë antipeizazhi, qoftë gjeografik, qoftë shpirtëror. Mandelshtami kështu e përfytyronte pak a shumë ferrin dantesk: të papërcaktuar, si kufijtë e një epidemie.

Ishin gjëra që dalloheshin qartë. Pas tyre ishin ato që nënkuptoheshin. Ishte një lojë e madhe teatrale, në të cilën përfshiheshin ata që e kuptonin se po loznin teatër e ata që loznin pa e kuptuar. Nuk ishte e qartë nëse ishte më mirë: ta kuptoje që lozje apo jo.

Pas Luftës së Dytë Botërore, është folur shumë për “teatrin total”. Gjatë epokës së famshme të teatrit elizabetian, konceptimi i teatrit si “pasqyrë e botës” ishte shumë në modë. Një lloj Ars Rotunda që imitonte globin tokësor. Kjo paraqitje gjithëpërfshirëse duket se është e krijuar posaçërisht për botën komuniste.

S.C. – A ju kujtohen përshtypjet tuaja kur morët pjesë për herë të parë në një seancë autokritike? A ju dukej kjo në rregullin e gjërave të kohës? Ky parim i autokritikës publike, a ju është dukur ndonjëherë i shëndoshë, njerëzor, normal?

Ka qenë viti 1968, një vit i errët si shumë të tjerë. Shkrimtari Dhimitër Xhuvani, miku im, me të cilin kishim qenë bashkë në institutin “Gorki” në Moskë, po dënohej për romanin e tij “Tuneli”. Mbledhja bëhej në Klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve. Atmosfera ishte e zymtë. E zymtë dhe e trishtuar ishte autokritika e tij.

Dh. Xhuvani besonte Zotin, ishte natyrë e ndjeshme, dhe pata përshtypjen se e ndiente veten fajtor, pikërisht për shkak të natyrës së dhembshur të tij. E akuzuan se ishte treguar cinik me personazhet e tij minatorë, në përshkrimin e të cilëve ishte ndikuar, me sa dukej, nga Emil Zola.

Në mbarim të mbledhjes u mor vendim të çohej për të punuar në ndonjë tunel, për të njohur jetën dhe për të mos guxuar më “të tallej me heronjtë minatorë”.

Asgjë normale a njerëzore nuk kishte në atë mbledhje, përveç atij vetë, të dënuarit.

Ai kishte shumë miq. Më të afërt ishin poeti Dhori Qiriazi dhe unë. Në vitin 1986, që të dy ishim në pozitë të pasigurt. Dhori Qiriazi, prej problemit të përhershëm të babait të tij, i cili kishte emigruar në Australi, dhe unë prej faktit se, pak kohë më parë, kisha përjetuar, po në këtë sallë, dënimin dhe ndalimin e romanit “Përbindëshi”. Mirëpo, në çdo dënim të ri, përmendeshin ata të vjetrit për t’i rifilluar. Kjo quhej “të mbaje gjallë frymën revolucionare”.

S.C. – A ishte e mundur të mbroje një shkrimtar – ose një mik – në një moment të tillë?

Ishte shumë e vështirë, por nuk përjashtohej. Gjithçka varej nga rrethanat.

Nëse dënimi ishte kërkuar prej “së larti” dhe nëse mbledhja ishte publike, mbrojtja ishte e pamundur, madje fatale për viktimën. Mbrojtja publike konsiderohej si një sfidë publike ndaj Partisë. Viktima dhe mbrojtësit e tij menjëherë do të deklaroheshin “grup armiqësor”. Fjala “grup” ishte sinonim pa dyshim me burgun dhe, ndoshta, me ekzekutimin.

Në shumë raste, viktimat, para mbledhjeve të tilla, u përgjëroheshin miqve të tyre: “Mos më mbroni, përndryshe do të vdisni, dhe unë bashkë me ju”.

Në mbledhjet e mbyllura ose “sekrete”, gjërat shkonin ndryshe. Në një nga këto mbledhje të kryesisë së Bashkimit të Shkrimtarëve pata rastin kështu të mbroja Lasgush Poradecin, poetin më të madh të vendit ende gjallë, i dënuar me heshtje, dhe Maks Velon, arkitekt, poet dhe miku im që ishte pranë arrestimit.

Maksi dhe unë ndanim të njëjtat bindje. Ai mund të më kishte tërhequr pas vetes kur u ndalua, nëse do të ishte thyer gjatë marrjes në pyetje pak më vonë. Po me gjithë kalvarin e vuajtur, ai nuk më tradhtoi.

Nëse ka ndonjë gjë në jetën time që më bën të ndihem shumë krenar, është fakti se, ndërkohë që arkivat sekretë kanë brenda qindra faqe plot me denoncime kundër meje, nuk është gjetur kurrë dhe nuk do të gjendet kurrë, qoftë edhe një rresht i imi që denoncon ndokënd.

Më shumë se edhe vetë në veprën time, në këtë qëndron përparësia ime. Përparësia ime absolute.

Për fat të keq, në vendet dhe epokat moralisht të korruptuara, është pikërisht kjo epërsi morale që lind pezmatimin. Arsyet janë të lehta për t’u kuptuar.

S.C. – A keni ndier një dallim të madh ndërmjet autokritikës me dyer të mbyllura dhe autokritikës publike përpara katërqind personave?

Janë të ndryshme aq sa janë të ngjashme. Në qoftë se do të kërkoja një krahasim për autokritikat, do të thosha se ato u ngjajnë gjarpërinjve helmues. Aq shumë të larmishëm, por të gjithë helmues.

Autokritika ishte një nga makinat më monstruoze të stalinizmit. Ajo përgatiste dënimin tënd. Të bënin thirrje “të ndihmoje partinë” duke treguar të vërtetën. Po të pohoje fajin ti kishe nënshkruar ndëshkimin tënd. Po të mos pranoje, quheshe armik i betuar ngaqë nuk dëshiroje ta ndihmoje partinë. Shumë njerëz ngatërroheshin në ingranazhet e makinës, dhe ashtu, pa e kuptuar as vetë nëse kishin bërë zgjedhjen e duhur, rrëzoheshin në humnerë.

Autokritika ime e parë, ajo e vitit 1975 për “Pashallarët e kuq”, e cila është botuar për herë të parë në këtë libër (dokumenti nr. x), ka qenë në rreth të mbyllur. Kur lexuesit e mi e lexuan atë të botuar në librin e Maks Velos, shumë vite më pas, mbetën me gojë hapur. Nuk besoj se ka një tjetër rast kur shkrimtari të ketë pranuar se ka shkruar një vepër kundër regjimit komunist, kundër partisë, kundër shtetit, kundër diktaturës së proletariatit, kundër gjithçkaje që quhej e shenjtë në botën komuniste.

Unë pranoja pa asnjë ekuivok se e kisha goditur partinë. E vetmja mbrojtje që i rezervova vetes ishte se këtë gjë nuk e kisha bërë me qëllim për të shkaktuar përmbysjen e shtetit dhe se nuk e kisha tradhtuar partinë (lexo: nuk e kisha tradhtuar atdheun – fjalë që zëvendësohej zakonisht nga fjala “parti”). Të dyja rezervat ishin të vërteta.

Pse e bëre këtë? Shumë nga miqtë e mi duke përfshirë dhe M. Velon poet dhe arkitekt, që kishte kaluar vetë nëpër hetuesi, përpara se të burgosej, nuk e kuptonin dot këtë pranim.

Arsyetimi im ka qenë i thjeshtë. Së pari, shteti komunist, sipas mendësisë së tij, kishte të drejtë: ajo poemë ishte kundër tij, pra, sipas ligjeve të tij ishte e dënueshme.

Së dyti, ishte e vërtetë se unë me dorën time kisha nënshkruar dosjen gjyqësore kundër meje, por ata, mund të sajonin një dosje kur të donin, madje një dosje edhe më të zezë.

Së treti, dhe më kryesorja, ishte një kënaqësi e fshehtë të deklaroje, qoftë edhe në një mbledhje të mbyllur, fraza të tilla si “unë kam goditur partinë, kam goditur diktaturën e proletariatit” etj. Në krejt perandorinë e gjerë komuniste, për çdo shkrimtar që kishte rezerva kundër regjimit, deklarata të tilla ishin një ëndërr e papërfytyrueshme.

Për sa i përket autokritikës në mbledhje publike, pas deklarimeve të tilla autori duhej të arrestohej mu në sallë.

S.C. – Ju flisni për një “ndjenjë kënaqësie të fshehtë”, a mund ta sqaroni këtë?

Pyetja juaj është e kuptueshme. Është një ndijim që i përket veçanërisht këtij mjedisi. Do të përpiqem t’ju përgjigjem në mënyrë konkrete, jo nëpërmjet një analize psiko-filozofike, por duke ju treguar se si e kam përjetuar vetë unë.

Ju keni parë në dokumentet atë çfarë kam thënë lidhur me marrëdhëniet e mia, kur isha student në Moskë, me poetin rus sovjetik, David Samoilov. Samoilovi ishte përkthyesi dhe botuesi i librit tim të parë të publikuar në Rusi dhe në gjithë botën, “Vepër lirike”.

Në atë periudhë, para dyzet vjetësh, askush nuk e dinte se ai ishte tashmë një poet i madh, por ai ishte i njohur për ndershmërinë e tij dhe si mik i një numri të madh disidentësh. Ai përgatiti librin tim me përkujdes të madh. Por një ditë, ishte në vitin 1959, më thirri, për të më dhënë një “lajm të keq”. Shtëpia botuese e vinte para një alternative: të hiqte dorë nga publikimi i librit tim ose ta publikonte me kusht që parathënia të përmendte se jepja shenja “dekadence perëndimore”. Një praktikë e tillë sapo ishte vendosur në Bashkimin Sovjetik prej Hrushovit dhe konsiderohej si liberale. Sipas këtij vendimi, lexuesi sovjetik mund të njihej me “veprat moderne dekadente”, me kusht që shtëpia botuese të distancohej me veprën.

David Samoilovi këmbëngulte që të hiqja dorë prej publikimit të këtij libri, duke menduar se një parathënie e tillë do të ishte një njollë e pashlyeshme për gjithë jetën time. Ndërkohë që ai fliste, ndieja një emocion të fortë. Por jo për arsyet që ai merrte me mend. Përkundrazi. Lajmi që më dha, jo vetëm që nuk më dukej si i keq, por, përkundrazi, më dukej lajmi më i bukur në botë. Sipas kësaj shtëpie botuese sovjetike, i përkisja, pra, literaturës së botës perëndimore, asaj literature që kishte të nevojshme një parathënie distancimi të botuesit. Po kjo literaturë, që ndërkohë përbuzej gjatë gjithë ditës, adhurohej fshehtas gjatë natës, sidomos mes studentëve.

Sapo kisha mbaruar romanin tim të parë, “Qyteti pa reklama”, një vepër që e kisha ndërtuar si vetë kundërmodeli i “realizimit socialist”. Isha, pra, i ndërgjegjshëm për shumë gjëra. Por, megjithatë, nuk e prisja të shquhesha aq shpejt.

I thashë David Samoilovit që pranoja çfarëdolloj parathënieje, me kusht që libri të publikohej. Ai këmbënguli që të ktheja mendje, duke më përsëritur se isha tepër i ri për t’i kuptuar mirë këto gjëra. Ai pothuajse më quajti hajvan. Por unë nuk hoqa dorë.

Përballja jonë zgjati për një kohë të gjatë. Kisha ardhur në apartamentin e tij me mikeshën time moskovite. Sytë e saj shkëlqenin me zjarr. Më tha duke dalë se ishte shumë e entuziasmuar. Ishte hera e parë që ajo kishte për mik një “dekadent”. Ishte një prej paradokseve të kësaj jete, ku fyerjet tingëllonin si elozhe dhe elozhet si fyerje.

Pas kthimit në Shqipëri, konstatova se atje vepronte i njëjti mekanizëm. Çdo ndalim i një prej veprave provokonte një reaksion të dyfishtë: nga njëra anë sillte rrezikun dhe nga ana tjetër ishte njësoj me një lloj aureole, sidomos kur ndalimi vinte pas publikimit. Kështu, një pjesë e famës sime në Shqipëri vjen pikërisht prej librave të mi të ndaluar, sidomos “Përbindëshi” dhe “Pallati i Ëndrrave”.

Në këtë grindje me David Samoilovin, që zgjati tri ditë, fitova unë në fund. Kërcënimi im, për të shkuar vetë për të folur me shtëpinë botuese, për të pranuar çfarëdolloj parathënieje, e cila, sigurisht, do të kishte qenë më e keqe se e tija, e përkuli.

Libri, pra, së fundi, u publikua me parathënien e tij. Ajo ishte shkruar me ndershmërinë më të madhe të mundshme. Megjithatë, fjali si “V jevo stihah zamjetny sljedi zapadnovo modernizma” (“Në këto poema, gjenden gjurmë modernizmi perëndimor”) ishin të paevitueshme. Jam i sigurt se e gjitha kjo, duke qenë kaq në kundërshtim me bindjet e tij dhe edhe pse ai nuk ishte aspak fajtor për këtë, kjo parathënie mbeti për një kohë të gjatë një barrë në ndërgjegjen e tij.

Kur u publikua libri në vitin 1961, kisha lënë Moskën përgjithmonë. Prishja e marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike e kishte bërë kthimin të pamundur. Nuk munda dot, pra, t’i shprehja asnjëherë mirënjohjen time.

Në të vërtetë, e di tani se paralajmërimet e tij ishin të drejta. Një parathënie e tillë mund të kishte qenë shumë e rrezikshme për mua. Por është pikërisht kjo thyerje politike, që më shpëtoi. Në atë kohë, të gjithë drejtuesit shqiptarë shiheshin prej Moskës si “shërbëtorë të Perëndimit”. Në atë zhurmë sfondi, vetë “dekadenca” ime kaloi, pa u vënë re në Tiranë.

Pas rënies së komunizimit, duke menduar se ai ishte akoma gjallë, përmenda këtë episod në një intervistë, që e mbyllja me fjalët: “David, ti ishe i ndershëm”. Por ai nuk ishte më dhe përfitoj nga kjo bisedë, për të përsëritur këto fjalë, me mirënjohjen time të thellë, për përkthyesin dhe botuesin e parë të veprës sime, David Samoilovin.

S.C. – Ish-përgjegjës komunistë i paraqesin shpesh këto seanca autokritike si një formalitet, gjë që do t’i hiqte dimensionin e tyre kriminal. A nuk është një kontradiktë? A nuk duhet kuptuar pikërisht e kundërta: fuqia e këtyre seancave qëndronte pikërisht në ritualin, një ritual i vërtetë flijimi njerëzor që rithemelonte çdo herë solidaritetin e komunitetit komunist? Shpesh rituali i seancave autokritike krahasohet me ritualin e rrëfimit në Kishën Katolike. Megjithatë, ekzistojnë dallime themelore të shumta: rrëfimi është i lirë, autokritika është e detyrueshme dhe e kryer nën shtrëngim; rrëfimi është sekret, autokritika është publike; rrëfimi është i rrafshit shpirtëror, autokritika është e rrafshit politik dhe u nënshtrohet të gjitha forcave detyruese të Shtetit; rrëfimi sanksionohet me falje dhe me disa pikëllime intime, autokritika sanksionohet me një “falje” që i korrespondon një ekzekutimi me vdekje publik simbolik ose me një mungesë faljeje dhe një ekzekutim me vdekje të vërtetë. Autokritika është një akt flijues, ndërkohë që rrëfimi është një ritual riintegrimi i individit në komunitetin njerëzor.

Siç e thoni edhe ju vetë, përveç një ngjashmërie të jashtme të autokritikës me konfesionin, në thelb janë fare të ndryshme.

Autokritika në regjimet komuniste nuk ka të bëjë me ndërgjegjen, në kuptimin e mirëfilltë njerëzor. As me pastrimin, lehtësimin apo shëlbimin e saj. Autokritika është një vegël për gjymtimin e njeriut, për të arritur te mposhtja e tij. Pas një autokritike njeriu, zakonisht nuk duhet të jetë më ai që ka qenë. Ai është i plagosur. Si çdo recidivist ai mund të bjerë shumë lehtë. Armata e pafundme e njerëzve të shenjuar prej saj ishte një armatë e sëmurë.

Ana tjetër, edhe më e rëndësishme ka qenë, thyerja e të tjerëve. Rrezatimi i saj ka qenë monstruoz, jo vetëm tek të pranishmit, por te familjet ku ata ktheheshin në mbrëmje. Shkurt autokritika ishte pjesë themelore e makinës së terrorit.

Ata që nuk thyheshin nga autokritika, mund të quheshin ndërkaq të pathyeshëm.

S.C. – Ju thoni: “Isha i ndërgjegjshëm se disa paguanin për të tjerët, për të ushqyer terrorin. ” A mund ta shtjelloni këtë pikë paksa të errët për publikun francez?

Mendoj se s’ka ndonjë gjë për të mos u kuptuar. Në të gjitha vendet komuniste terrori bëhej me një kalkulim cinik. Llogariteshin valët e goditjeve, të spastrimeve, të proceseve gjyqësore, të pushkatimeve. Llogaritej numri minimal ose maksimal i viktimave të domosdoshme për të mbajtur gjallë terrorin. Llogaritej leverdia e operacionit, statusi i viktimave (fama, lidhjet, klanet). Në bazë të kësaj vendosej, për shembull, përse do të pushkatohej Babeli e të kursehej Ahmatova, ose përse Mandelshtami e jo Pasternaku.

Në Shqipëri, pas pushkatimit më 1945 të shkrimtarëve katolikë si Anton Harapi, më pas, me përjashtim të dy shkrimtarëve të shquar: Dhimitër Pasko e Petro Marko, të dy të futur në burg më 1947 e të nxjerrë pas një viti, nuk u burgos tjetër shkrimtar i njohur. Madje dhe për ata të dy faji u hodh mbi jugosllavët. Më i madhi poet i gjallë, Lasgush Poradeci, jetoi i mënjanuar 40 vjet, gjersa vdiq më 1987. Personaliteti tjetër i madh i letrave, peshkopi Fan Noli, nuk u nëpërkëmb, ndoshta ngaqë ai ruante një lloj aureole, që regjimi nuk kishte mundur dot ta rrëzonte.

Hapja e shkollave shqipe në Kosovë ...




Nga Sadik Elshani.*

Me vendimin e padrejte te Konferences se Ambasadoreve ne Londer me 1913, me shume se gjysma e tokave dhe popullsise shqiptare mbeti jashte kufijve te shtetit te pavarur shqiptar. Kosova dhe trojet shqiptare ne Maqedoni e Sanxhak iu dhane Serbise, pjesa tjeter malit te Zi, ndersa Cameria iu dha Greqise. Per shqiptaret regjimi serb ishte shume me i eger se ai turk. Ne periudhen ne mes ted y lufterave boterore (1918 – 1941), shqiptaret ne te ashtuquajturen Mbreteri e Serbeve, Kroateve e Slloveneve po perjetonin nje shtypje te padurueshme te eger e cnjerezore. Ne kujtesen e shqiptareve te Kosoves kjo periudhe njihet si “Koha e Serbise”. Dhuna ishte bere pjese e perditshma, e pandare e jetes se shqiptareve. Dhuna ushtrohej ne te gjitha menyrat fizike e shpirterore vetem e vetem per ta bere jeten e shqiptareve sa me te mjerueshme dhe per t’i detyruar ata qe t’i braktisnin trojet e tyre e te shpernguleshin ne Turqi, ndersa ne vend te tyre t’i sillnin kolonet serbe e malazeze. Po zbatohej me perpikeri plani famekeq, “Memorandumi” i akademikut, po ashtu famekeq, Vasa Cubriloviq.

shkollat-kosove1

Nuk kishte shkolla ne gjuhen shqipe, gjuha shqipe ishte e ndaluar ne jeten publike dhe ne administrate. Ne ato pak shkolla qe kishte hapur qeveria jugosllave, nxenesit shqiptare mesonin ne gjuhen serbokroate: mesonin letersine, kulturen, historine serbe – po mesonin per Kraleviq Markun, Karagjorgjeviqet e Pashiqet, mitet e sterzmadhuara e te rrejshme serbe. Qellimi kryesor i ketyre shkollave nuk ishte arsimimi i shqiptareve, por tjetersimi, asimilimi, serbizimi i tyre. Neper disa mejtepe gjuha shqipe mesohej ilegalisht nga hoxhallaret atdhetare. Te etur per t’u shkolluar ne gjuhen amtare, shume te rinj kosovare u arratisen ne Shqiperi. Gati ne te gjitha shkollat e mesme te Shqiperise kishte nxenes nga Kosova dhe trojet tjera shqiptare ne ish Jugosllavi. Konvikti “Kosova” ne Krume ishte shnderruar ne nje vater te ngrohte per nxenesit nga Kosova. Atdhetaret shqiptare edhe perkunder rrezikut te madh, sillnin ilegalisht libra shqip nga Shqiperia. Ende me ka mbetur i fresket ne kujtesen time rrefimi i nje plaku atdhetar ne nje emission te Televizionit te Prishtines ku rrefente sesi kishte sjellur fshehurazi libra nga Shqiperia dhe nga frika e ndonje kontrolli te befasishem, nuk i kishte mbajtur ne shtepi, por i kishte fshehur ato ne mal, ne nje te care te lisit. Perkunder ketyre vuajtjeve te medha, shqiptaret nuk u dorezuan, por ben perpjekje mbinjerezore per t’i dale zot vendit, duke ruajtur gjuhen, zakonet e traditat tona burrerore, qenjen shqiptare.

“Kohes se Serbise” i erdhi fundi, Jugosllavia e Kralit kapitulloi dhe u pushtua nga Gjermania e Italia. Pas 30 viteve nen sundimin e eger serb, tani Kosova dhe trojet tjera shqiptare ne ish Jugosllavi iu bashkuan Dheut Meme, shqiptaret po merrnin fryme pak me lehte. U happen shkollat shqipe, u vendos administrata ne gjuhen shqipe, me nepunes shqiptare, me prefekt e nenprefekt shqiptare. Perseri po valonte Flamuri Kuq e Zi! Thirrjes se ministrit te arsimit, Ernest Koliqi, iu pergjigjen qindar mesues atdhetare dhe shkuan vullnetarisht per te punuar ne Kosove dhe trojet tjera shqiptare ne Maqedoni e Mal te Zi. Ishin keta mesues te rinj me plot energji rinore, entuziazem, mesues qe kishin kryer Normalen e Elbasanit. E gjeten Kosoven ashtu sic e kishin paramenduar: kreshnike, keshtjelle burrerie e trimerie, djep te shqiptarizmit. Edhepse po ballafaqoheshin me shume problem e veshtiresi te medha, sepse ishin shkolla qe po hapeshin per here te pare, ata punuan me vetmohim te papershkrueshem, pa u ndalur dite e nate. Mesonin femijet qe ishin te etur per dituri, mesonin edhe te rriturit, sepse ne ate kohe popullsia e Kosoves ishte mbi 90% analfabete. Edhe populli i Kosoves i priti mesuesit me dashuri vellazerore, respekt e mirenjohje te thelle per misionin e tyre te shenjte.

Keta mesues u ben pishtare te arsimit shqip ne Kosove. Ne vitin shkollor 1941 – 1942 u happen 173 shkolla fillore, 3 te mesme dhe disa gjimnaze te uleta. Ndersa ne nentor te vitit 1941 u hap Shkolla Normale ne Prishtine. Ne fillim ne kete mission u angazhuan 80 mesues. Ne mesin e ketyre mesuesve kishte edhe mjaft te rinj nga Kosova qe ishin shkolluar ne Shqiperi,por nuk kishin mundur te ktheheshin me pare ne Kosove. Ky numer me vone arriti ne 264, ndersa ne vitin shkollor 1943 – 1944 ky numer u rrit ne 400. Po ne kete vit shkollor mesimet i vazhdonin mbi 25 mije nxenes. Keto shkolla u ben vatra te diturise dhe atdhedashurise. Tani nxenesit e Kosoves po mesonin per here te pare historine tone kombetare, po mesonin per iliret, Skenderbeun, Lidhjen e Prizrenit, Ismail Qemalin. Po mesonin vjershat e Naimit, Cajupit, At Gjergj Fishtes, Dom Ndre Mjedes, Asdrenit – vjersha qe me dashuri i kendonin atdheut, gjuhes shqipe, i thurnin himne Shqiperise. Pervec njohurive qe po merrnin per gjuhen, letersine, kulturen, historine shqiptare, ata po brumoseshin edhe me ndjenjat e atdhedashurise e krenarise sone kombetare. Per here te pare e kane pare flamurin duke u valvitur perpara syve te tyre, e kane kenduar Himnin e Flamurit, me shume dashuri i kane kenduar kenget atdhetare: “Per Memedhene”, “Dalengadale po vjen behari”, etj. Pervec punes me perkushtim me nxenesit, ata permes kurseve te ndryshme pergatiten edhe mesuesit e pare shqiptare, te cilet me vone do ta vazhdonin kete mision. Pas vitit 1944 nje pjese e ketyre mesuesve u largua nga Kosova, ndersa pjesa dermuese u largua me 1948 kur u prishen marredheniet shqiptaro – jugosllave. Por, disa qendruan edhe pas vitit 1948 dhe tere jeten e kaluan ne Kosove. Mehmet Gjevori (1910 – 2007), Tajar Hatipi (1918 – 1977) e shume te tjere e pane te nevojshme qe te qendronin ne Kosove dhe ta vazhdonin kete mision, duke u bere bartesit kryesor te zhvillimit te arsimit shqip, veprimtarise botuese, hartimit te teksteve shkollore, etj.

Periudha 1941 – 1944 njihet ne Kosove si “Koha e Shqipnise”, sepse shkollat, administrata ishin te gjitha ne gjuhen shqipe, nepunesit dhe drejtuesit e pushtetit vendor ishin shqiptare. Kuptohet, vendi ishte i pushtuar nga Italia e me vone Gjermania. Pushtues te mire nuk ka, por per shqiptaret e Kosoves, “Koha e Shqipnise” as qe mund te krahasohet me kohen e eger e barbare, “Kohen e Serbise”. Per fat te keq te shqiptareve te Kosoves dhe trojeve tjera shqiptare ne ish Jugosllavi, pas vitit 1944 perseri erdhi “Koha e Serbise” – kete radhe nen masken e komunizmit. Sidomos e veshtire ka qene periudha 1945 – 1966, e njohur si “Koha e Rankoviqit”, Ministrit te Puneve te Brendshme te Jugosllavise. Ata u munduan t’i mbyllnin shkollat shqipe, por shqiptaret i mbrojten ato me kembengulje e vendosmeri. Tani autoritetet jugosllave nuk mund te loznin edhe aq lehte me shqiptaret e shkolluar. Pas renjes se Rankoviqit (korrik, 1966) u happen shume shkolla te mesme e te larta anembane Kosoves, u formuan institucionet e larta arsimore, shkencore e kulturore, u themelua Universiteti i Prishtines (1970), Akademia e Shkencave dhe Arteve te Kosoves (1975), Televizioni i Prishtines (1975), etj. Dhe te gjitha keto te arritura, burimin, rrenjet i kane te “Koha e Shqipnise”.

Ne Suhareken time (tani Theranda) mesues ka qene zotni Ilmi Duli, nga Shkodra. Te gjithe ish nxenesit e tij, gjithe qytetaret e Suharekes qe e kane njohur ate, gjithmone e kujtonin me shume mall, me shume dashuri e respekt. Edhepse Shqiperia e para viteve 1990 ishte e mbyllur hermetikisht, suharekasit kurre nuk i kane nderprere lidhjet me mesuesin e tyre te dashur. Dikush e kontaktonte permes letrave, dikush i dergonte te fala permes familjareve qe i kishin ne Shqiperi, dikush i dergonte te fala permes pjestareve te grupeve sportive e artistike qe e vizitonin Kosoven, ndersa disa, pak nga ata qe kishin patur rastin te vizitonin Shqiperine, gjithesesi jane munduar qe ta takonin mesuesin e tyre te dashur, te nderuarin Ilmi Duli. Pas permbysjes se komunizmit ne Shqiperi, kur u happen edhe kufijte, atehere shume ish nxenes kane shkuar per ta vizituar mesuesin e tyre te pare. Keto lidhje, takime jane duke vazhduar edhe sot me familjaret e mesues Ilmiut. Jane keto lidhje shume te forta, sepse jane farkuar ne nje kohe te jashtezakonshme, ne “Kohen e Shqipnise”

Daja im, Bafti Gashi (ndjese past), nga Suhareka, ka qene nxenes i mesues Ilmiut dhe ai gjithmone na fliste per pervojen e tij shkollore, per mesuesin qe i kishte mesuar, edukuar me shume dashuri e perkushtim. Ai i ka ruajtur me kujdes librat dhe canten e tij shkollore. i kishte fshehur ne tavanin e shtepise se tij dhe ne femijet duke luajtur “fsheza”, duke u fshehur ne tavan i zbuluam ato libra margaritare. Ende me kujtohet permbajtja e dy nga ato librave, “Libri i Kendimit” dhe “Gjeografia e Shqiperise” e professor Ahmet Gashit. Per ne ato libra ishin n je thesar i vertete. Aty per here te pare jemi njohur me vjershat e Naimit, Cajupit, Dom Ndre Mjedes e shume autoreve te tjere qe per here te pare po ua degjonim emrin. Ato vjersha me prmbajtje atdhetare, ato shkrime per Pirron, Skenderbeun, Ismail Qemalin, Flamurin Kuq e Zi, dhe shume atdhetare te tjere e ngjarje historike, ato pjese leximi me motive mjaft edukative, na ngjallen ndjenjat e atdhedashurise qe ne ate moshe te njome femijerore. Tavani ishte bere vendi me i dashur per ne, aty fshiheshin thesare shume te cmuara. Ato libra permbanin dicka krejt ndryshe nga librat tane qe ne atehere i perdornim ne Kosove. Libri “Gjeografia e Shqiperise”, sic e tregon edhe vete titulli, e pershkruante ne imtesi gjeografine e tere Shqiperise Etnike, duke perfshire shume fotografi dhe duke i pershkruar te gjitha qytetet dhe qytezat e Shqiperise Etnike, perfshire edhe Suhareken time. Aty per here te pare i kemi pare se si dukeshin qytetet e Shqiperise. Profesor Ahmet Gashi, si nje atdhetar i vertete qe ishte, e kishte shkruar kete liber me shume atdhedashuri. Ato libra ishin bere per ne ura kontakti me Shqiperine. Kishte kohe qe “Koha e Shqipnise” kishte kaluar, mesuesit ishin kthyer ne Shqiperi, por ja ato libra ende vazhdonin t’i edukonin, t’i brumosnin me ndjenjat e atdhedashurise edhe shume breza te rinj te Kosoves, pse jo edhe te rriturit. Shpesh ulesha ne mes te odes dhe burrave te pranishem ne ato ndeja u lexoja vjershat atdhetare nga ato libra me vlera te padiskutueshme edukative e atdhetare. Kam degjuar e lexuar se edhe shume te tjere e kane bere te njejten gje.

Ne fund te letres qe Ministri i Arsimit, Ernest Koliqi,i dergonte kryetarit te ketij Misioni te Jashtezakonshem Shkollor, Ali Hashorves, shkruante: “Ju uroj te gjitheve pune te mbare ne te kryemit e kesaj detyre te shenjte kombetare e me randesi historike” (23 qershor, 1941). Dhe vertet i tille ishte ky mission: i shenjte e me rendesi te jashtezakonshme historike qe dha te korra mjajt te begatshme. Kjo periudhe duhet te nalizohet ne imtesi, te shkruhen studime e disertacione per ta mbajtur gjalle ne kujtesen e kombit tone. Populli i Kosoves gjithmone e ka shprehur mirenjohjen per te gjithe mesuesit qe punuan ne ate kohe me shume perkushtim. Por institucionet shteterore, dy qeverite shqiptare, ne Tirane e Prishtine jane duke e kaluar ne heshtje kete pervjetor historik mjaft te rendesishem per te gjitha arsyet qe jane cekur me larte. Shkollat, rruget, sheshet, institucionet arsimore, pedagogjike e kulturore duhet te mbajne emrat e Ernest Koliqit, Ali Hashorves dhe te gjithe atyre mesuesve atdhetare qe punuan ne te kater anet e Kosoves ne ato rrethana te jashtezakonshme historike.

Le te jete ky shkrim modest nje shprehje mirenjohjeje e falenderimi per te gjithe ata titullare, arsimtare, administratore, nxenes e prinder qe u angazhuan ne kete Mision te Shenjte e Historik Kombetar – mision qe i ringjalli shpresat e shqiptareve te Kosoves dhe e mbajti te ndezur zjarrin e atdhedashurise. Ju falaminderit perjete!



*Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...