Agjencioni floripress.blogspot.com

2017/02/07

Ju rrëfej Dritëro Agollin e UÇK-së



Nga  Prof.Arben Llalla

Të gjithë folën fjalët më të mira për poezinë dhe penën e Dritëro Agollit. Sapo morrën vesh që u shua poeti i madh, nisi gara me turravrap se kush të fliste i pari në gazeta dhe televizione për poezinë e tij, vargjet e për kohët, kur ishte ligjvënës pas viteve 1990. Por, askush nuk foli për kontributin e tij kombëtar, lidhjet me Diasporën shqiptare në Turqi, Itali dhe shqiptarët vendas në Greqi, arvanitasit. Pata fatin të bashkëpunoj me Dritëro Agollin jo për poezinë, publicistikën, penën letrare, por për çështjet kombëtare, për UÇK-në e Kosovës dhe arvanitasit. Ishte viti 1998, kur nëpërmjet telefonit Dritëro Agolli më këshillon që të lidhem me arvanitasin e shquar Aristidh Kolën dhe publicistin e njohur dibran Abdurahim Ashikun, i cili jep një kontribut të shquar në emigracionin në Greqi, duke më dhënë madje numrat e tyre të telefonit.

Pikërisht, këshilla e Dritëro Agollit më çoi të njihem nga afër me studiuesin Aristidh Kola dhe të bashkëpunoj me atë deri sa u largua nga kjo botë në tetor të motit 2000. Dritëro Agolli bashkë me intelektualë të tjerë shqiptarë kishte shumë vite që jepte kontributin kombëtar tek shqiptarët e ish-Jugosllavisë. Ai pati lidhje me drejtuesit e lartë të UÇK-së e më njohu edhe mua me këta drejtues për të dhënë kontributin në luftën e drejtë të Kosovës. Gjatë vitit 1998-2000, unë drejtova Forumin e Emigrantëve Shqiptar në Selanik, në qytetin, ku ishte baza e fuqishme e propagandës së Millosheviçit. Në Selanik djali i Sllobos, Marko Millosheviçi kryente disa sipërmarrje të ligjshme dhe të paligjshme.

Një pjesë e këtyre fitimeve përdoreshin në propagandën mediatike të Greqisë kundër UÇK-së dhe shqiptarëve. Atë periudhë bashkë me shumë shqiptarë e arvanitas, ne shkruanim dhe dilnim në mediat greke për të sqaruar opinionin e keqinformuar vendas rreth të vërtetës së UÇK-së dhe luftës së saj të drejtë. Kur avionët e NATO-s nisën bombardimet mbi Serbinë dhe Kosovën më 24 mars 1999, më bie telefoni; ishte njeri nga diplomatët e lartë shqiptar, i cili më rrëfeu se Dritëro Agolli bashkë me Limos Dizdarin janë në Turqi në një takim ndërshtetëror dhe për pasojë që aeroplanët nuk mund të fluturojnë nga Turqia për në Tiranë, ata do kalonin në Selanik dhe duhet t’i gjenim një vend të sigurtë, ku duhet të qëndronin atë natë. Në atë kohë Selaniku ishte një qytet i frikshëm, ku shërbimet inteligjente të ndryshme kryenin misionet e tyre, sepse në portin e këtij qyteti ndodheshin disa anije luftarake të NATO-s. Por, në fakt nëpërmjet Selanikut dhe Maqedonisë kalonin ndihmat për ushtrinë serbe, ku qeveria e Greqisë mbyllte njërin sy. Më 25 mars 1999, diplomati shqiptar më njoftoi që të shkoja të merrja Dritëro Agollin, bashkëshorten e tij, Sadijen dhe mbesën Anën.

Trupi diplomatik shqiptar kishte vendosur që Dritëro Agolli do të qëndronte në shtëpinë time, ndërsa Limos Dizdari në një tjetër shtëpi, kuptohet për çështje sigurie. Nuk bëhej fjalë për punë rehatie e luksi, sepse ata mund të qëndronin në hotelet e Selanikut apo në shtëpitë e diplomatëve, por ishte në pikëpyetje siguria e tyre. Makina me targa diplomatike të Turqisë që kishin udhëtuar dy deputetët shqiptar Agolli dhe Dizdari gjatë gjithë rrugës në territorin e Greqisë ishte përndjekur nga makina të ndryshme dhe kjo kishte ngjallur një farë droje për të panjohurën. Natën e 25 marsit familja ime pati nderin të kishte mysafir Dritëro Agollin, zonjën Sadijen dhe mbesën e vogël, Anën, të cilën nuk e ndanin asnjëherë siç më thanë. Atë natë e gdhimë me Dritëron duke pirë recinë dhe uiski. Jemi kënaqur me muhabet bashkë me prindërit e mi. Kemi folur për arvanitasit, UÇK-në, historitë e familjeve tona, pothuaj aspak për poezinë dhe letërsinë. Të nesërmen në orën 10.00 paradite i përcolla miqtë e mi, familjen Agolli për në Tiranë. Kështu e njoha unë Dritëro Agollin si njeri të thjeshtë, njeri që ka kontribuar në çështjen kombëtare, ku ka dhënë një kontribut të shquar në Çështjen e Kosovës.

Vajza e Agollit i përgjigjet kritikëve të të atit: Jeni karkaleca!

Kur kanë kaluar vetëm pak nga momenti kur iu desh t’i japë lamtumirën e fundit të atit, Elona nuk mund të rrijë pa iu përgjigjur penave të hidhura, që në këto ditë dolën kundër Dritëro Agollit.

Dhe këtë ajo e bën me vetë fjalët e Dritëroit, i cili ata që e sulmonin 25 vite më parë i quante “karkaleca”.

Lexoni më poshtë shkrimin e plotë:

Betohen për të vërtetën, puthen me gënjeshtrën”, shkruar 25 vjet më parë, në vitin 1992, botuar në përmbledhjen e publicistikës “Teshtimat e lirisë”, nga Dritëro Agolli: “Keni ecur ndonjëherë përmes një livadhi me karkaleca? Ata kërcejnë përpara fytyrës tënde.

Ti i përzë me dorë, qindra të tjerë të hidhen në sy, në hundë, në vesh, në qafë. Ti vrapon, ata të mblidhen si re. Mua më kërcejnë çdo javë nga livadhi i gazetave mijëra fjalëkarkaleca.

E përzë një tufë, një tjetër më lëshohet duke kërcyer. Tani, së fundi, edhe dy karkaleca pleq m’u lëshuan, duke kërcyer nëpër livadhin e gazetave me kërkërimat e tyre plot instinkt të lashtë insekti.

Ju tregoj kohën kur Rama nuk linte gjë pa thënë kundër Agollit



Nga Artur Zheji

Sigurisht njeriu bën shumë zig-zage në jetë, sepse jeta është e vështirë, duam s’duam! Por normalisht mund të luhatesh sidoqoftë rreth një boshti dhe të mëkatosh hera herës, por të lexosh kryeministrin, që është sot në majë të piramidës së shumë pushteteve, në krye të arkivolit të Agollit, të kap trishtimi.

Të kap trishtimi, se edhe aty ku është, ay, kryeshefi, nuk thotë dot një të vërtetë të vetme! Ose të shkëlqejë me pak fjalë t’thjeshta si e lyp rasti. Por jo! Edhe në vdekje të Agollit, kërkon përmes shtirjes prej firauni të përvuajtur, të budallallepsë, budallenjtë.

Për brezin e intelektualëve, tashmë të lashtë të viteve ’80, Agolli ishte kryekoka e censurës staliniste shqiptare, në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve, kryeroja e zgjuar e linjës politike të kuqe flakë, në letërsi dhe art, që mbijetoi si një dorë e fortë në të gjitha spastrimet më të tmerrshme të viteve ’70-’80, në krizën vrastare të Enver Hoxhës.

Kur u internuan dhe u burgosën këngëtarët e Festivalit 11 në Rtsh, kur u burgos dramaturgu Todi Lubonja, Minush Jero apo u internua regjizori i mrekullueshëm, Kujtim Spahivogli që kam patur fatin ta njihja, apo regjisori Mihallaq Luarasi sëbashku me të shoqen, të supertalentuarën Edi Luarasi dhe qindra raste të tjera.

Apo kur u burgos Edison Gjergo, për një pikturë me partizanë që rrinin rreth zjarrit në një mëngjes acari, që më pas u bojatis dhe u shqye. S’po flas për poetët e pushkatuar, për poetët apo shkrimtarët e shtypur dhe të tredhur në heshtje, për intelektualët, që më pas u përzunë si zgjebe nga Shqipëria pas viteve ’90.

Dhe të gjitha këto ndëshkime kriminale të Partisë, kishin të paktën një “Ok”, të dorës së parë edhe nga Agolli, që ndërkohë shkruante poemën “Nënë Shqipëri” kushtuar Komandantit të Përgjithshëm Enver Hoxha dhe rrinte kurdoherë në bashin e vendit dhe në bashin e tribunave, me raki dhe kabuni.

Në të vërtetë është një ditë e keqe për të shkruar këto, por ngushëllohem se i kam shkruar edhe në të gjallë të Agollit dhe me gjithë bisedat e gjata telefonike me Sadijen besnike dhe të adhurueshme nga ana njerëzore, nuk mund të ndërroj as mendim, as gjykim dhe as bindje, që shqiptarët sapo varrosën, një nga pinjollët më të rëndësishëm të diktaturës që e la kaq prapa dhe e masakroi mizorisht Vendin tim.

Nuk dua të hy në polemikën politike të Etërve dhe bijve, por dua të kthehem vrik e te kryeministri qaraman dhe shkrimtaruc, që mallëngjeu me hipokrizinë e tij perfekte, Sadijen dhe miletin në të zeza që ishte aty, por sigurisht jo Agollin e fjetur dhe aq më pak mua.

Ishin vitet e largëta ’80. Kryeministri i sotëm do të mbronte diplomën me një pikturë ambicioze murale në katin e parë të shesh pushimit që bashkonte degën e Dramës me Artet Figurative. Ishte i emocionuar por edhe i trembur, sepse ishin vite të këqia dhe frika ishte e madhe. E gdhinim si dy shokë të mirë, deri në mëngjes dhe ai kuronte çdo detaj, ndërsa unë bëja rolin e “komisionit” mbikëqyrës të censurës që do të vinte.

Dhe ja hodhëm komisionit me një hile artistësh, duke u përqendruar te natyra.

Isha nën ndikimin e Ëalt Ëhitmanit, aso kohe dhe të kryeveprës së tij poetike “Fije bari”. Dhe kështu muralja e Edit u mbulua nga gjelbërimi, lulet, “fijet e barit” dhe ca të rinj të lumtur, pa kominoshe aksioni, pa pushkë zbori dhe pa shall të kuq, në kujtim të partizanëve. I vetmi mëkat ishte firma e autorësisë, në cepin e djathtë të asaj gjëje, “edi” me të vogla dhe me linja të spërdredhura, për të cilën, Mumtaz Dhrami dhe komisioni u tall sa mundi. Por Edvini i atëhershëm, sot Edi, ja hodhi paq, me sukses dhe pa telashe.

Porse çdo natë që rrinim përpara pikturës së tij të zbehtë nga e keqja, nuk linim gjë pa thënë e pa sharë, për medioktitetin dhe censurën kriminale të Lidhjes së Shkrimtarëve. Në krye të së cilës ishte gjithmonë Agolli, i ri asokohe, energjik, i pushtetshëm dhe i përkëdheluri i oborrit të Enver Hoxhës.

Me Agollin, kryeministri i sotëm, ish-presor te Artet, u ndesh në një mbledhje maratonë gjatë viteve ’89. Madje përpara sherrit, më thirri për ndihmë. Duhet të ndihmonim me diskutimet tona edhe një film shumë të sulmuar televiziv të Mevlan Shanajt, që dridhej si purteka nga frika e Lidhjes dhe Agollit që pinte cingar.

Kam shkruar për këtë episod dhe skam kohë për të humbur që ta rikthej. U fol për pushtetin popullor, që me gjak u fitua dhe vetëm më gjak do të lëshohej, e të tjera si këto, por Rama, pas asaj mbledhjeje që vazhdoi rreth tre ditë, nuk la qyfyre e sharje pa lëshuar për Agollin.

Ishin kohë të tjera.

Mendoj se çdo vdekje është e dhimbshme, edhe ajo e Agollit. Madje duhet të shtoj me aq sa di, se Agolli, nuk ishte aspak më radikali i llojit të vet. Përkundrazi, kishte qasje të dashur dhe të ngrohtë prej babaxhani dhe ishte larg së qeni një krijesë e sertë apo gjuhëgjarpër, si ata që popullonin Lidhjen e Shkrimtarëve të asaj kohe. Kjo sepse ishte i sigurtë, se ndërmjet komunistëve, ishte ndër më të talentuarit dhe dinte të vjershëronte me vargje të puthitura dhe tingëlluese, që i pëlqenin bossit Hoxha.

Për mua personalisht dhe në rrafshin njerëzor, do të ishte mirë që Agolli të jetonte edhe 100 vite të tjera, sepse çfarë është bërë, është bërë tashmë dhe nuk zhbëhet më. Por të vërteta të hidhura e pendestare, ai nuk tha kurrë me sa di.

Por tek lexova fjalën e vrerosur të kryeministrit, që fliste për Agollin, me qëndismat e veta boshe dhe hipokrite që nuk kishin të sosur, më erdhi një e pështjellë në stomak, tek ndesha te fjalët “pluhur yjesh” dhe qurravitje mashtruese të tjera si këto.

Nuk jam ende i bindur pse shkrova.

Dritëroit, si Kristian që jam, i uroj gjumë të qetë dhe takim paqësor në Botën Tjetër, me poetët e pushkatuar dhe të “Mjerët” që ikën nga kjo botë, më dhimbshëm dhe më pa bujë se qentë, që vriten sot rrugëve nga makinat e shpejta.

Por nuk mund të tërhiqesha dot, përpara britmës që vjen nga përtej varri, i “Pluhurit të vërtetë të Yjeve Shqiptare”, që ranë në moçalin e zymtë të Shqipërisë.

Moikom Zeqo tregon sjelljen e Dritëro Agollit në fushatën elektorale



Mik i vjetër me Dritëroin, Moikom Zeqo ka treguar disa sjellje dhe ngjarje të panjohura më parë të Dritëro Agollit, që nga Kongresi i vitit 1991 deri tek episode të veçanta nga takimet me njerëzit, udhëtimin në Shën Petërburg dhe qasjen e politikanëve shqiptarë ndaj Dritëro Agollit.
Ju jeni bashkudhëtar i vjetër i Dritëro Agollit para viteve ’90, por kulmin e miqësisë e keni arritur gjatë viteve që keni qenë në Partinë Socialiste pas viteve ‘90 e në vijim. Si ka ndikuar Dritëroi në atë kapërcim të PPSH¬-së në PS?
Unë e kam njohur Dritëroin që në vitet ’70 të shekullit të kaluar. E kam njohur edhe si gazetar, por miqësia jonë u forcua nga 1991, kur në mënyrë paralele pa biseduar me njëritjetrin mbajtëm të njëjtin qëndrim kritik në Kongresin e 10¬ të, kongresi i fundit i PPSH¬së, për të bërë një transformim i cili ishte pozitiv dhe jetik për atë kohë të shkuarjes drejt një programi socialdemokrat dhe të një partie që u quajt PSSH.
Diskutimi i parë ishte i Dritëroit. Ai ishte emër shumë i njohur dhe pesha e fjalës së tij ishte shumë e madhe. Pas tij kam diskutuar edhe unë, që ishin dy diskutimet kryesore. Situata në opozitë e zhvilloi mendimin politik brenda PS¬së. Ne rrinim shpesh bashkë si deputetë dhe përballeshim me shumë elementë të autoritarizmit të pushtetit të atëhershëm. Madje, ndonjëherë kur kuvendi mbaronte vonë dhe unë nuk e arrija trenin për t’u kthyer në Durrës, kam fjetur te shtëpia e Dritëroit.
Si vlerësohej Dritëroi në PS në atë kohë?
Pesha e Dritëroit në Partinë Socialiste ishte referenciale, edhe Fatos Nano që bëri burg gati katërvjeçar e ka çmuar Dritëroin. Madje në listat tona për deputet, emri i tij ishte i pari dhe para kryetarit të PS-së. Dritëroi pati një jetë më të gjatë si deputet i PS¬së dhe ka pasur një vlerësim shumë të madh në elektorat. Për gati 20 vjet, edhe kur isha unë drejtor i Muzeut Kombëtar, kemi bërë një lëvizje të pashembullt nëpër të gjithë vendin, në çdo cep dhe në çdo fshat. Kur shkonte në ndonjë fshat, Dritëroi mbushte xhepat me karamele dhe çokollata dhe ua shpërndante fëmijëve të shtëpisë që na priste, saqë më të vjetrit çuditeshin me këtë ritual të tij. Një herë ishim në Bogovë dhe në rrugë kalon një varg dasmorësh. Ndalon makinën e çiftit dhe daroviti nusen pa e njohur fare. Ata u çuditën një moment dhe pastaj e njohën. Kur u nisëm, na vjen një makinë e dasmorëve nga pas dhe na jep dy damixhanë, me verë dhe me raki. Një herë në fshatin Gjerbës shkuam sepse fëmijët e këngëtarit të madh të Skraparit, Demir Zykës, kishin rregulluar varrin e të atit dhe donin që ta përuronte patjetër Dritëroi. Dritëroi aty ia mori edhe këngës, ai dinte mbi 100 këngë popullore të të gjitha trevave, kishte një marrëdhënie të veçantë me popullin.
Edhe në zonat e djathta ju prisnin njëlloj?
Kur më bënë “Qytetar Nderi” në Libohovë, erdhi edhe Dritëroi me mua. Rrugës për në Tiranë, Dritëroi më thotë do të kthehemi në Lazarat. Lazarati ishte shumë problematik, kishin qëlluar kur Makbule Çeço kishte qenë atje. Shkuam në qendrën e fshatit, e njohën Dritëroin dhe na bënë një pritje të jashtëzakonshme, sepse te Dritëroi, pavarësisht bindjeve politike, shikonin një njeri të popullit që i donte njerëzit. Ka shumë raste të tilla spontane me Dritëroin.
Si ka qenë udhëtimi juaj në Moskë?
Ka qenë një udhëtim i çuditshëm. Kemi shkuar në 2004 për të bërë një film për Dritëroin në Moskë dhe Shën Petërburg.
Kishte qenë ëndrra e tij e jetës rikthimi në Shën Petërburg?
Po, ashtu ka qenë. Unë isha shumë i interesuar edhe për të përjetuar se si do të ishte takimi i tij me njerëzit që kishte lënë në Shën Petërburg. Nga Moska në Shën Petërburg shkruam me tren, i cili ishte i ndarë në kompartimente dhe dhoma gjumi njëkohësisht, sepse ishte udhëtim i gjatë. Në një dhomë ishte Dritëroi me Sadijen, në një tjetër regjisori dhe operatori, dhe mua më qëlloi në një dhomë tjetër.
Tek ajo dhomë hyri një vajzë e re ruse për të fjetur. Dritëroi me humor i thotë asaj në rusisht: “Moikomi është shkrimtar, jo bandit, prandaj mos ki frikë që do flini në një dhomë!”. Ajo nuk e kishte problem këtë gjë, që ishte më se e zakonshme. Në Universitetin e Shën Petërburgut shkuam në sallën ku ai ka marrë leksionet. Një nga pedagogët që ishte dhe studiues i njohur rus i folklorit takoi 2¬3 studentë, të cilët ishin shkrimtarë të njohur dhe na bënë një mbrëmje poetike për nder të Dritëroit që ishte rikthyer. U lexuan poezi në rusisht dhe në shqip të Dritëroit, por ai u prek shumë dhe ishte i heshtur.
Dritëroi aty u takua edhe me djalin e tij që e kishte nga gruaja e parë?
Po, aty Dritëroi takoi pas shumë vitesh djalin e tij. Ai erdhi me bashkëshorten e vet dhe nuk kam parë takim më prekës. Arjani kishte një ngjashmëri shumë të madhe me Dritëroin, ishte një Dritëro i rinisë. Nga emocionet Dritëroi u bllokua dhe për gati gjysmë ore nuk foli fare. Arjani e kishte harruar shqipen se kishte ikur 7 vjeç nga Shqipëria. Unë e pyeta: a di ndonjë fjalë shqip?
Ai mbante mend nënën e Dritëroit, Xhixhenë. “Ku iku macja?”, ishte shprehja shqip që Arjani mbante mend nga gjuha shqipe. Sapo zbritëm në Moskë, gjëja e parë që bleu ishte një konjak gjeorgjian, “Ararac”. “Ky ka qenë¬ më tha ¬konjaku që ka prodhuar gjithë Rusia në atë kohë dhe këtë pinim ne si studentë”. Kur ishim në Shën Petërburg i thashë “Pse rri në hotel, dil se mos takon dhe ato vajzat që ke njohur kur ishe student. Çfarë vajzash¬ më tha¬ unë të parën që njoha me të u martova”.
Libri i tij i fundit, “Prit edhe pak”… Si e shihni nga ana filozofike këtë raport që ai kishte me vdekjen?
Poezitë për vdekjen Dritëroi i ka trajtuar edhe më parë, jo vetëm në vëllimin e fundit. Ai e shikonte poetikisht vdekjen. Është një mendim për të provuar se ç’koncept ke ti për jetën. Nuk besoj se ai kishte ndonjë frikë nga vdekja. Përkundrazi, ai e ka jetuar vdekjen dhe për hir të së vërtetës ka qenë shtruar disa herë në spitale, ku unë kam qenë bashkë me të, e shikoja që ai bënte shumë shaka me mjekët. Poezitë e fundit kanë një mendim filozofik për gjërat kalimtare që ikin, kalojnë, ndërsa ato të përjetshmet mbeten.
Mua më vjen mirë që Dritëroi nuk i mohonte bindjet e veta. Madje, edhe në ato që ai i quan epitafe, e thotë se aty do të dergjet një ish¬komunist. Ai nuk bëri redaktim të jetës dhe bindjeve të tij. Nuk kam dëgjuar që të krijonte alibi e pranonte që kishte kënduar ato poezi dhe poema, i bindur për ato që kishte shkruar. Ai mbetet një shkrimtar që ka jetuar dy epokat e socrealizmit dhe kapitalizmit kaotik të sotëm dhe vepra e tij letrare është një fotografim real i kohës kur ka shkruar.
Fakti që Dritëro Agolli u vlerësua njëlloj si para edhe pas ’90 tregon se ai ka qenë i vërtetë në ato që thoshte dhe shkruante?
Dritëroi nuk bëri konvertim in extremis të pikëpamjeve të tij. Pikëpamjet e tij ishin një evoluim drejt një të majte demokratike, por nuk kaloi në një mohim in extremis që do të ishte më pas i pabesueshëm. Ai ka qenë i besueshëm me qëndrimet e tij. Ai nuk bëri apologji të jetës dhe krijimtarisë së tij. Dritëroi e jetoi jetën e tij siç donte, ka takuar njerëz që shumë shkrimtarë që hiqen si elitarë nuk e kanë bërë dot, se i mungon ana njerëzore.
Si e shpjegoni faktin që politikanë të majtë dhe të djathtë, kur kanë ardhur në pushtet, duket se kanë marrë një bekim prej Dritëro Agollit?
Këtu unë dua të tregohem pak skeptik. Ata kanë pasur nevojë për emrin dhe figurën e Dritëroit. Politikanët kanë mandat të përkohshëm, ndërsa Dritëroi, si shkrimtar dhe njeri, ka mandat të përjetshëm. Nuk është se politikanët e kanë vlerësuar me këtë rast Dritëroin, e kundërta ka ndodhur, ata kanë dashur të shfrytëzojnë emrin e mirë të Dritëroit. Brenda vetes së tij, Dritëroi nuk ka pasur ndonjë besim të madh për politikanët tanë, ai kishte pengje të mëdha për politikën tonë. Ata kanë dashur ta shfrytëzonin për interesa të tyre figurën e Dritëroit.

Nis gallata: Trump i kërkon Thaçit, Mustafës dhe Veselit që të hiqet shtatorja e Bill Clintonit nga Prishtina

Ka nisur gallata në rrjetet sociale me deklarata dhe fotografi të presidentit amerikan Donald Trump.Ironia më të po shfaqet në mënyra të ndryshme dhe në forma interesante.

Sonte ka filluar të qarkulloi një fotografi e bashkangjitur me një postim ku shkruhet se kinse presidenti Trump ka kërkuar nga udhëheqësit e Kosovës të largohet shtatorja e Bill Clintonit nga Prishtina.


Por fotografia është një montazh kompjuterik dhe se gjithçka është gallatë.

”I nderuar president Thaçi, kryeministër Mustafa dhe kryeparlamentar Veseli, ju ftoi që ta hiqni shtatorën e Bill Clintonit neë Prishtinë në mënyrë që të ju mbeshtes tutje me administraten time drejt rrugëtimit për zhvillimin e Kosovës – Donald Trump, president i SHBA-ve” mesazhi në shqip i gallatës.

trumpp

Arianit Akil Koci, avokati mbrojtës i Ramush Haradinajt, ka treguar se kërkesa e Serbisë për ekstradimin e Haradinajt do të shqyrtohet pasnesër prej orës 14:00, në Colmar.

Shirley Cloyes DioGuardi: Haradinaj është shpallur dy herë i pafajshën në Tribunalin e Hagës



Kryetari i Lidhjes Shqiptaro-Amerikane, ish-kongresisti Joseph Dioguardi, dhe Shirley DioGuardi flasin për ndalimin në Francë të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe për çështjen shqiptare në Maqedoni.

Shirley Dioguardi ka thënë se është arrestuar personi i cili është liruar nga Tribunali i Hagës dy herë i pafajshëm. Ajo ka thënë se nëse vërtet Ramush Haradinaj ekstradohet në Serbi kjo do të çojë në kryengritje të shqiptarëve.


Ish-Kongresmeni Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi ishin të ftuar  në emisionin 7 pa 5 në Vizion Plus ku folën rreth situatës pas ndalimit të Ramush Haradinajt .

Shirley Cloyes DioGuardi tha se është e trishtueshme që çdo anëtar i parlamentit të Kosovës me pasaportë diplomatike mund arrestohet dhe ekstradohet në Beograd. Unë jam shumë e shqetësuar për këtë.

Po flasim për dikë që ka qenë dy herë në Tribunalin e Hagës, vijon Shirley Cloyes DioGuardi, dhe prej andej ka dalë dy herë i pafajshëm. Mendoj se gjendemi në një kohë shumë të vështirë. Nëse Haradinaj do të ekstradohet vërtetë në Serbi kjo do të çojë në kryengritje të shqiptarëve”.

Mendoj se është shumë e rëndësishme në Europën Juglindore që të thuhet “mjaft”, “është mjaft”.

Më tej Shirley DioGuardi ka kritikuar politikanët që kanë përfaqësuar Kosovën në tryezën e bisedimeve. Janë nënshkruar 18 marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit dhe vetëm 5 janë plotësuar pjesërisht.

“Nuk është rasti i vetëm Ramush Haradinajt. Edita Tahiri dhe shqiptarët e tjerë që ka përfaqësuar shqiptarët në tryezën e bisedimeve duhej të kishin thënë me kohë që këto mandate arresti duhet të hiqen”.

Më poshtë ndiqini flalën e tyre ne emision.

Ajo ka thënë se nuk është çështja vetëm te Ramush Haradinajt, por, Edita Tahiri dhe të tjerët që e kanë përfaqësuar Kosovën në bisedime, sipas saj, do duhej që këto mandate arresti duhet hequr.


Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj po vazhdon të mbahet ende në Francë për shkak të arrestimit në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004.

Tashmë kur pritet që të enjten më 9 shkurt, të dihet edhe vendimi i gjykatës franceze për kërkesën e Serbisë për ekstradimin e Haradinajt, organizatat e dala nga lufta të rajonit të Dukagjinit i kanë nisur një memorandum autoriteteve franceze, transmeton Telegrafi.
“Kryetarët e Degëve të OVL të UÇK-së Deçan, Pejë, Istog dhe Gjakovë, Abdyl Mushkolaj, Gazmend Syla, Bekë Berisha dhe Sadri Hoxha, në një takim që u zhvillua sot ora 16:30 me ambasadorin e Francës në Kosovë Didier Chabert, i kanë dorëzuar atij një Memorandum lidhur me arrestimin e Ramush Haradinajt”, thuhet në njoftimin e dërguar për media.

Më tej në njoftim thuhet se memorandumi i drejtohet krerëve të shtetit Francez.

“Ambasadori Chabert shprehu gatishmërinë e tij për bashkëpunimin me Organizatat e dala nga Lufta dhe të dyja palët presin një vendim pozitiv rreth çështjes Haradinaj”, thuhet më tej në njoftim.

Përmes Ambasadës së Francës në Kosovë dhe përmes postës elektronike, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, u ka dërguar autoriteteve të Francës Memorandumin lidhur me arrestimin e Ramush Haradinajt.

“Në këtë memorandum janë sjellë fakte që dëshmojnë se “Dosja Haradinaj” është dosje e porositur nga strukturat politike të regjimit të Millosheviqit, e sajuar nga Shërbimi Sekret Serb dhe e shpërndarë nga njerëzit e këtij regjimi. Si e tillë, akuza kundër Ramush Haradinaj është një akuzë e motivuar politikisht dhe urdhër-arresti i lëshuar nga Serbia është urdhër- arrest i porositur nga politika e Beogradit”, thuhet në komunikatën e Nismës.

Që të shmang grackën e politikës serbe Nisma thotë se drejtësia franceze duhet ta lirojë menjëherë dhe pa asnjë kusht Ramush Haradinajn.




Arianit Akil Koci, përmes një statusi në Facebook, ka pyetur se pse është e nevojshme që vazhdimisht, krerët shtetërorë të Serbisë, të deklarohen për këtë çështje.

“Pasnesër prej orës 14.00 në Colmar, do të shqyrtohet kërkesa e Serbisë, për ekstradimin e z. Haradinaj. Dua të theksoj që është evidente që kërkesa e Serbisë është politike. Pse duhet Ministrja e Drejtësisë, Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, në kontinuitet të deklarohen në media, për këtë çështje?”, ka thënë Koci, raporton Koha.net.

Koci ka kujtuar se Aleksandar Vuçiq ka qenë ministër për informacion në kohën e Millosheviqit dhe Ivica Daçiq ka qenë zëdhënës i partisë SPS.

“Pushtetarët serbë nuk do t’ia falin kurrë z. Haradinaj, angazhimin e tij për pavarësinë e Kosovës dhe luftimin e politikës gjenocidale të pushtetit të Millosheviqit”, ka shkruar më tej ai.

Sidoqoftë, Koci thotë se kërkesa për ekstradim është e pabazuar, madje, edhe është një keqpërdorim i rëndë i të drejtës ndërkombëtare nga ana e Serbisë.

“Z. Haradinaj është liruar nga ana e Tribunalit të Hagës, dhe të gjitha pretendimet e Serbisë janë reciklim i atyre akuzave. Ramush Haradinaj do të kthehet. Asgjë s’e ndalë”, ka theksuar ai.

Novosti: Kosova dhe BE duan ta largojnë Serbinë nga dialogu

Gazeta “Novosti online” e Beogradit shkruan sot se “regjimi i Hashim Thaçit me ndihmën e gjithanshme të BE-së po planifikon të ndryshojë formatin e dialogut me Beogradin ashtu që ai të bartej në Prishtinë e të vazhdonte vetëm ndërmjet shqiptarëve e serbëve të Kosovës”.

Portali, duke i cituar burimet pa emër e që thotë t’i ketë vetat, shton se plani i palës shqiptare është edhe në këtë mënyrë të konfirmojë “sovranitetin” e vet, sepse Beogradi praktikisht do të përjashtohej nga Brukseli e Brukseli edhe më tej do të ishte ndërmjetësues.

Për këtë arsye edhe marrëveshja për murin tek ura kryesore në Mitrovicë është formalizuar në Prishtinë edhe po ajo më parë ka qenë në tavolinën e Federica Mogherinit. Në arritjen e marrëveshjes në kryeqytetin e krahinës sonë jugore ka marrë pjesë Thomas Bush, nga Shërbimi për Punë të Jashtme i cili edhe udhëheq një pjesë të bisedimeve, citon Koha.net shkrimin e këtij portali.

Në favor të këtij pohimi, sipas portalit, janë edhe deklarata e shtuara të autoriteteve të Prishtinës se duhet ndryshuar formati i dialogut si dhe konstatimi se “çështja e murit është çështje e brendshme e Kosovës”.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...