Agjencioni floripress.blogspot.com

2017/02/10

Kevin Patrick Cullen: Jetëgjatësi e shkurtër, Tirana si një poemë gri

Kevin


Në poezitë e Kevin Patrick Cullen, Tirana duket e veshur me një gri smogu që të lejon ta shohësh mjerimin edhe pisllëkun të pakamufluar, mes lypsarëve dhe qenve endacakë që vuajnë nga zgjebja, mes landfilleve, Lanës që kundërmon urine dhe gurgullon ujëra të kafenjta. Si një dehje poetike, me fjalëformime që ndoshta tingëllojnë të reja edhe për gjuhën angleze, e shqipëruesja Eva Sula i ka qëndruar besnike stilit të autorit, duke ruajtur formën e tyre, që ashtu si edhe tabloja që përshkruajnë, shpesh duket e veshur me absurd.



Suadela Balliu

Një djalë me flokë të kuq e me sytë blu, i shoqëruar kurdoherë nga qenushja e tij lozonjare që shëtit në rrugët e Tiranës apo pi një birrë në ndonjë klub në zonën e Bllokut, përveçse do të na çonte menjëherë te klisheja e të menduarit (kësaj here do qëllonim në shenjë me stereotipizimin) se vjen nga viset e Irlandës nuk do të dukej si “një alien…një englishman in New York”, siç thotë Sting në këngën e tij, por ca vite të shkuar kur Kevin Patrick Cullen erdhi për herë të parë në Tiranë, atmosfera ishte krejt tjetër.

Ishte pranvera e vitit 2012 kur mbërriti në vendin, të cilin as që e njihte më parë, duke pranuar një punë si mësues i gjuhës angleze në një gjimnaz privat. “Në fillim njerëzit m’i ngulnin sytë. Ishte e çuditshme, sepse në Irlandë askush nuk të sheh. Edhe sikur flokët t’i kesh në ngjyrë violë. Por më pas mësova edhe unë t’ua ngul sytë njerëzve. Më dukej vetja si i arratisur, sikur kishin dalë postera me fytyrën time “Kërkohet!” – thotë Kevin ndërsa qesh.

Tani pas disa vajtje-ardhjeve nga Dublini në Tiranë ia ka marrë dorën edhe mënyrave shqiptare dhe nuk ndihet më aq i huaj sa më parë.

Ndryshe nga dy vizitat e para, që zgjasin nga një vit secila (herën e dytë u rikthye në qershor të 2014–s), tashmë po merret me diçka krejt ndryshe nga gjuha angleze – për të cilën me bindjen e një irlandezi thotë se në Irlandë flitet anglishtja më e mirë dhe si një shkrimtar i ri i diplomuar për Letërsi dhe Shkrim argumenton se vendi i tij ka shkrimtarët më të mirë, duke përmendur disa syresh, si: James Joyce, Samuel Becket apo Oscar Wilde.

Prej pak kohësh ka çelur dyqanin e tij “The Gentelman Tirana” – një studio e stilit vintage irlandez, ku ofrohen trajtime jo vetëm për prerje dhe stilim flokësh, por ku edhe serviret falas whiskey i ardhur prej nga ku tjetër veçse nga Irlanda.

Por gjatë kohës që ka qëndruar në Tiranë, Cullen përveçse është miqësuar thuajse me të gjithë qentë endacakë të qytetit dhe i ushqen çdo ditë – një prej tyre e ka adoptuar kur ishte ende këlysh pasi e pa të pamundur të gjente tjetër rrugë shpëtimi për të pastrehët e gjorë në Parkun e Liqenit që kishin rënë në ligësinë e një piromani që kërkonte t’i digjte – ka botuar edhe një libër me poezi në dy gjuhë, shqip edhe anglisht. Janë afro njëzet poezi ku Cullen sjell ndjesitë e tij rreth Tiranës. Nuk mundohet të tregohet politikisht korrekt, as nuk u ngjan të huajve që i fshehin mendimet e vërteta pas buzëqeshjeve apo habisë për mirë që u lë Tirana ekzotike e me shumë ngjyra. Jo, në poezitë e Kevin Patrick Cullen, Tirana duket e veshur me një gri smogu, që të lejon ta shohësh mjerimin edhe pisllëkun të pakamufluar, mes lypsarëve dhe qenve endacakë që vuajnë nga zgjebja, mes landfilleve, Lanës që kundërmon urine dhe gurgullon ujëra të kafenjta. Si një dehje poetike, me fjalëformime që ndoshta tingëllojnë të reja edhe për gjuhën angleze, e shqipëruesja Eva Sula i ka qëndruar besnike stilit të autorit, duke ruajtur formën e tyre që ashtu si edhe tabloja që përshkruajnë shpesh duket e veshur me absurd .

Libri është i ndarë në dy pjesë, sipas kronologjisë kur autori e ka shkruar “Zogu i Zi” që daton në periudhën mars-qershor të 2012–s, pjesë që Cullen ua ka kushtuar qenve të këndshëm të rrugëve të Tiranës, plakut që më qerasi me një paketë cigare një dreq nate të pirë e me xhepa bosh dhe Public House-it dhe “Këngë Vere” kushtuar qenit të tij të parë Aisling, shkruar nga qershori –tetor të 2014 –s.

“Aty, në rrugët sterr të zeza të Tiranës, humba të vetmen mendje, Aty, në rrugët hënore të Tiranës, ia dhashë erës marraqeshëse. Dhe kur të shohësh qentë e ngrënë zgjebesh tek ulërijnë në erë, krenarë e të uritur, shkelja syrin dhe vazhdo të ecësh. Nuk e kanë me të keq. Dhe kur të shohësh zogjtë këngëtarë të hirnosur tek i çukisin, murmurijnë një vaj të lashtë. Nuk është për fajin tënd që ata kanë harruar si të këndojnë”, shkruan në prologun e librit Cullen.

Ky është libri i parë i Cullen-it, por ai thotë se nuk shkruan vetëm poezi por edhe prozë, dramë dhe artikuj gazetareskë.

Ai thotë se nuk kishte qëllim botimin e këtij libri, i cili erdhi rastësor. “Nuk shkruaj për t’u botuar, i shkrova për qejf, por dikush i lexoi, i pëlqyen dhe më tha se donte t’i botonte”.

Kështu erdhi “Jetëgjatësi e shkurtër” apo “Seasonal Ephemera” në gjuhën angleze. “Ephemera në anglisht është diçka që përdoret apo gëzohet vetëm për një kohë të shkurtër. Të shkruash fjalë në letër, të mbash shënime apo gjëra vetjake për pak kohë dhe në fund t’i hedhësh tej” –thotë Cullen, duke shtuar se ai në fakt më shumë sesa i shkruan poezitë, i gdhend ato.

“Nuk i kam shkruar si poema. Janë si momente, një shkrirje, kur kisha kompozimin për të shkruar. Nganjëhrë më duket sikur nuk jam unë, është thjesht dora ime. Kam hedhur në letër shumë mendime dhe më vonë i gdhenda si poema. Është më shumë gdhendje e poemave sesa shkrim i tyre” – rrëfen ai duke zbuluar se ka edhe shumë poezi të tjera, porse për momentin është i fokusuar në shkrimin e dramave. Thotë se e ka përfunduar një dhe ka folur me një regjisor teatri për ta ngjitur në skenë në Tiranë.

“Kam shkruar edhe një dramë rreth Tiranës. Po shpresoj të bashkëpunoj me regjisor për ta vënë në skenë. Por kam mësuar që këtu mbretëron mentaliteti ‘avash-avash’” -thotë duke qeshur, i shoqëruar gjithmonë nga e pandashmja Lady që ka nisur të kuisë çuditshëm, sikur të ndiqte muzikën që luan Gent Rushi në bar “Radio” ndërsa përgatitet për mbrëmjen live.

Duket se dashuria për qentë e ka shoqëruar gjithmonë , por vitet e fundit sidomos kur erdhi në fillim në Shqipëri u bë edhe më e madhe.

“Kur erdha në fillim në 8 muajt e parë nuk njihja askënd, nuk kisha miq, miqtë e mi ishin qentë që i ushqeja . Ishte i vetmi ndërveprim social që kisha për një kohë të gjatë me qentë.

Doja të shoqërohesha me njerëz por mënyrat ishin krejt të ndryshme, tani i kam tejkaluar. Pastaj nuk kisha shumë kohë pasi punoja shumë gjatë gjithë kohës. Nuk kisha shumë kohë” –thotë,

Ata nuk mungojnë në poezitë e tij. Kaosi i Tiranës i duket pjellor dhe atij si vëzhgues i jashtëm nuk i shpëton asgjë. “Tirana më ndihmon për të shkruar sepse është jashtë zonës sime të rehatisë. Kur je brenda zonës normale, nuk motivohesh, nuk ka frymë për të shkruar, por kur gjërat janë të huaja është më e lehtë, sigurisht varet nga rrethanat. Nis ta shohësh botën në një mënyrë krejt të re, nuk është më rutina jote. Je i vetëdijshëm dhe me sytë hapur për të mësuar gjithçka të re” – vijon Cullen, ndërsa i drejtohet biznesit të tij të ri, duke bërë bashkë letërsinë dhe coiffeur-in. “Oh shkojnë shumë bashkë. Për mua është një formë tjetër e artit”- thotë duke qeshur.

Kjo është çmenduria, mani raki-pëlcitëse mes qiellit të helmatisur, qerpikët e gjatë të gazmendit dhe ligjeve, lira dhe Ilirë dhe dëlir, shpërthime lotësh të fermentuar. Ah këto vite, këto vite. Edhe një u iku tutje, një dekadë u zhduk tej. Këto vite vallë ku shkojnë, vdesin?

Kjo është rruga, ky është udhëtimi, kjo është mëngjes-çapitja xurxull-pagdhirëse përmes portave të Betlehemit. Dua që yjet zogj-zjarri të të mbajnë sy-djegshëm zgjuar natën, dua që dielli hakërryer të të ndukë e lëpijë fytyrën. Dua që hëna të këndojë një vat të vjetër të hirnosur tek tinëzon ëndërr-sëmurë mbi qytet. Dhe dua që zotat të lajnë këmbët e tua çapitje-kalbura.

“Amen. Kështu qoftë. Mirë se vjen, O jetë!” – shkruan si epilog Cullen, në qytetin që ndoshta i ngjan me shprehjen e Henry Miller-it, “Qyteti rritet si një kancer, mua më duhet të rritem si një diell”, me të cilën e ka hapur edhe këtë libër. Megjithë zymtësinë, duket se ka nisur ta pëlqejë këtë vend me të cilin mësohet çdo ditë, aq sa mendon të qëndrojë edhe ca vjet të tjerë.



Autobiografi

Kevin Patrick Cullen vdiq kur ishte vetëm 16 vjeç (histori e vërtetë), kështu që teorikisht në kohën e botimit të këtij libri ai ishte 15 vjeç. Ka mbaruar studimet për letërsi dhe shkrim në Universitetin e Dublinit, Irlandë, në vitin 2009. Më pas ka udhëtuar nëpër Evropë, duke i shkruar përvojat e tij në vargje pa rimë. Tashmë i vendosur në Tiranë së bashku me qenin e tij Lady, ai mbijeton me dietën personale , e cila ka si përbërës kryesor petullat dhe rakinë. Nuk mbahet mend që kur ka qenë për herë të parë te mjeku, ndërkohë që vazhdon të shkruajë.



Të dhëna teknike

Titulli: Jetëgjatësi e shkurtër

Origjinali: Seasonal ephemera

Autor: Kevin Patrick Cullen

Shqipëroi: Eva Sula

Botoi: Shtëpia botuese “Botart”



*****

-qentë e rrugës

me një sy e këmbë-thyer kujisin

shkuar dëm në plehra dhe zgjeve.

-endacaku kokë-mbathur e këmbë prerë deri në gju,

kostum-veshur, zvarrit-çaluar

rrugëve në agim.



-jevgu i atrofizuar

në komë e diellpjekur trotuarit,

gjymtyrët litar-dobta shtypur

lëkunden nga një kafkë kudhër,

teksa shtrin dorën për monedhën.



lypsi pa këmbë zvarritet

mes rruginave qelq-thyera,

krahët i dridhen,

duart përzier me zhavorr e gjak.



-vajza ushqehet në kazan plehrash,

flokët e verdhë, sytë blu

fytyra e zhgërryer në zi.



Dhe mes gjithçkaje,

mespermes gjtihçkaje – Lumi Lana

baltë-gurgullues i kaftë

aromat hundëshpuese helmojnë.



Mbaj frymën

dhe shpreso të kalosh matanë

shpreso të kalosh edhe një ditë.



******

Grafika e rrënuar e njeriut në diktaturë


Nga Agim Baçi



Një këndvështrim mbi laboratorin psiko-social të formimit të njeriut nën diktaturë, mbështetur në romanet “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut” e Ismail Kadaresë, “Absurdi” i Koço Kostës dhe “Jetë në kuti shkrepëse” e Fatos Kongolit

kadare2

“Njohja është i vetmi moral i romanit”. (Milan Kundera, “Arti i Romanit”)

Grafika e portretit të Njeriut, ardhur përmes letrares, pasqyruar në disa prej veprave që kanë udhëtuar në lexime publike, sjell nevojën e leximit të letërsisë edhe si shprehje e kujtesës shoqërore. Jo e ardhur veçanërisht si e tillë, por njëkohësisht në domosdoshmërinë morale për të mos e shmangur leximin e asaj që ka ndodhur, ne duhet të shënjojmë disa lexime për letërsinë pas vitit 1990. Padyshim, leximi që ka të bëjë me atë që vijon të vendosë mbi jetët tona, mund ta kthejë letërsinë në flamurin më të rëndësishëm për të mos udhëtuar në anijen e harresës e aq më pak në detin që fsheh aq shumë nën barkun e tij atë që nuk u tha dot me zë të lartë për shumë e shumë vite.

Këndvështrimet e lidhura me historinë, e më pas, për pasojë, edhe sociologjinë dhe psikologjinë, edhe pse nuk janë leximet që synojnë jetëgjatësi në këndvështrimet mbi prozën, janë gjithsesi domethënëse për rrokjen e një aspekti të rëndësishëm, që në Shqipëri e Kosovë përputhen me diktaturën e egër komuniste dhe me represionin ekstrem, racist e çnjerëzor të një pjese ndaj një pjese tjetër të popullsisë me kombësi e besim tjetër. Në këtë aspekt, letërsia nuk mund të jetë assesi shpërfillëse, pasi do të humbte mundësinë e bashkëjetesës me të vërtetën për njeriun. Madje, duke tentuar lexuesin në kohë, ajo kthehet në një dëshmi të rëndësishme, jo për të dënuar të shkuarën, por për të synuar leximin e drejtë të asaj që mund të ndodhë sa herë nuk e kemi pohuar me zë të lartë.

Por a duhet ta lexojmë letërsinë si pjesë të vetëm kohës që i përket ngjarja, apo rrëfimi dhe personazhi që vjen nga diktatura mund të “qëndrojë edhe më shumë në fushëbetejën e leximeve”. Praktikisht, për këdo që ka bashkëjetuar sadopak me një sistem të tillë, apo edhe me njerëz të ardhur nga ai sistem, do të ishte e vështirë të mos përfshinte përvojat e tij personale. E megjithatë, siç shprehet studiuesi Fraj, “pavarësisht se është gati e pamundshme për poetin kritik t’i ikë zgjerimit të shijeve të veta, që janë të lidhura intimisht me praktikën vetanake, kritiku duhet të mbështetet në atë që aktualisht është e tërë letërsia: në dritën e saj!”. Nën këtë dritë, ku destinacioni i fundmë mbetet gjithnjë Njeriu, duke mos anashkaluar aspak “Horizontin e Pritjes” të sugjeruar nga Jauss, ne duhet të projektojmë një lexim “më të gjerë sesa e djeshmja”. Ky lexim, mund të ndikohet nga ajo që profesori i Harvardit, Harold Bloom, e konsideron si “Kompleksi i Edipit” në lexim[1], ku gjithçka duhet ta lidhim me interpretimet apo gjykimet e mëparshme apo të trashëguara nga prindërit tanë. Ne kemi nevojë më së pari për një lexim që lidhet me estetikën, e më pas të gjitha këndvështrimet e tjera “kanë kohë”. Duke besuar se realiteti është barku i madh i botës, por fantazia e ardhur nga letërsia është ajo që “merr pjesën që jeton”, ne duhet të gjykojmë këto vepra lidhur me një “lexim kohor”, siç do ta konsideroja shpjegimin e njeriut në diktaturë përmes letërsisë, pasi një lexim i tillë, edhe pse psikologjikisht dhe sociologjikisht është i domosdoshëm, nuk mbetet gjithsesi objekti kryesor i letërsisë.

Për një lexues të sotëm, sidomos të ri në moshë, absurdi që vjen nga realiteti në diktaturë konkurron hapur me trillin artistik. Përbindëshi që shkaktoi dehumanizimin e madh shoqëror rrezikon të mbetet peng i imagjinatës nëse nuk do të kemi lexime të lidhura ngushtësisht me jashtëletraren. Ndaj, në këtë sprovë, të leximit të letërsisë si projekt psiko-social të njeriut në diktaturë, vlen të bashkojmë edhe atë lexues që sipas Mark Twein, “në një vepër arti sheh atë që ka brenda vetes”, ashtu edhe lexuesin e Henri Bergsonit që “pavarësisht leximeve të ndryshme të realitetit maksimumi mund të pranojë vetëm vetveten”. Ne kemi nevojë pranimin, vështrimin, e padyshim, edhe hyrjen në botën e asaj mungese të madhe të Njeriut, ku vetëm letërsia mundi ta mbante gjallë edhe pse me penelata të zbehta.

Personazhi në tranzicion?

Letërsia shqiptare pas vitit 1990 mbeti thuajse në kufijtë e të vëzhguarit politikisht të personazhit dhe rrëfimit. Lënia pas e asaj që shkoi dhe gjithë humbja e orientimit nga e djeshmja e gabuar kanë cenuar në 20 vite romanin shqiptar nga ndërtimi i personazhit të vërtetë, që në lëmin rrëfimor do t’i përshtatej kohës letrare, dhe jo kohës fizike, pavarësisht domosdoshmërisë që ta riprojektojë njeriun që u deformua përmes letërsisë. Mirëpo personazhi i derisotëm është i burgosur i “kohës fizike”, pavarësisht se ka shënjuar gjithsesi një arritje të rëndësishme për kuptueshmërinë e leximeve të mekanizmit denatyrues të qenies njerëzore në diktaturë. Kur themi i “kohës fizike” nuk kemi të bëjmë thjesht me jetën në një kohë që shkruhet apo lexohet, por me kuptimin vetëm për atë kohë të cilës i përket subjekti. Megjithatë, siç shprehet Nathrop Fraj në librin e tij “Anatomia e kritikës”, “Letërsia është një degëzim qendror i humaniteteve, hedhur nga njëra anë nga historia dhe nga ana tjetër nga filozofia. Pasi që letërsia nuk është vetë një strukturë e organizuar e njohurisë, kritiku duhet t’i kthehet kornizës konceptuale të historianit për ngjarjet dhe asaj të filozofisë për idetë”.[2] Parë në “lupën e Frajt”, letërsinë që merr personazhin në diktaturë apo edhe të dalë prej saj, duhet ta shohim si një destinacion të rëndësishëm të shprehjes së kujtesës, e veçanërisht projektit psiko-social të njeriut në diktaturë, ku deformimi i universales për t’i hapur rrugë “Njeriut pa histori” ishte edhe qëllimi kryesor i tërë sistemit, një njeri që ende duhet ta studiojmë pasi “sëmundjet e tij shpirtërore e mendore” vijojnë të jenë pjesë e veprimeve të mëvonshme. Personazhet që vijnë përmes Kadaresë, Kostës dhe Kongolit janë një kujtesë e kësaj mungese, e kësaj pamundësie, që ajo kohë ia dhuroi njeriut. Madje, duke e vijuar peshën e së keqes edhe në Liri.

Humbja e dinjitetit, si çelësi drejt “Njeriut të ri”, si njeriu i duhur i sistemit

Të tri romanet, si në rastin e Kadaresë, ashtu edhe Kostës e Kongolit, kanë një të përbashkët në rrugëtimin e zhbërjes së njerëzores: greminën që vjen prej humbjes së dinjitetit. Projekti i brendshëm simbolik që krijohet nga lëmi rrëfimor për personazhet krijon një simbolikë të gjithë asaj që përfaqësonte sistemi, duke dhënë kështu një sintezë jo të vogël të modeleve degraduese dhe të degradueshme.

Në rastin e romanit “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut” të Ismail Kadaresë, dy personazhet kryesore nisin deformimin e tyre psikik, njëri nga “një ëndërr e pamundur e aktorit” (Lul Mazreku) dhe tjetra nga “marrëdhënia jonatyrore seksuale” (Vjollca Morina).

I “ardhur” nga romani “Spiritus”, Lul Mazreku, që mbeti pjesë e një ëndrre për shkak të pjesëmarrjes në një shfaqje, hyn në lojën e jetës tashmë i zhgënjyer po nga ajo që e lumturoi dikur. Ndërtimi i gjithë atmosferës në jetët e Lul Mazrekut dhe Vjollca Morinës në kapitujt e parë synon dhënien e një raporti me botën përreth, si për të na kujtuar se do të merrte “vetëm nga një prej tyre”. Nuk kishte më asnjë dallim, pasi këdo që të merrje, thuajse kishte “të njëjtin mëngjes dhe të njëjtën mbrëmje”.

Kadare përdor “të panatyrshmen seksuale” si lidhje për “denatyrim moral”. Madje, kjo vjen e pasqyrohet nga vetë Morina teksa flet me rekrutuesin e saj në “botën e spiunëve”, duke dhënë pikërisht poshtërsinë dhe panatyrshmërinë njerëzore në të qenurit pjesë e mekanizmit që sjell humbjen e dinjitetit.

“- E çë pastaj? – tha me zë të ulët. – Sipas jush unë… meqenëse e paskam bërë atë gjë që quhet … e turpshme … e panatyrshme… qenkam e aftë për të bërë poshtërsira?”[3].

Por edhe për Lul Mazrekun dashuria ka një kosto, atë të “panatyrshmërisë” si në rastin e Vjollca Morinës, por tashmë “për hatër të dashurisë”, duke pranuar “të shëtisë me varkë vetëm me komandantin”. Duke na futur në koston e panatyrshmërisë Kadare ndërton grafikën e rrugës që sugjeronte sistemi për të qenë pjesë e jetës pa trazim. E ç’mund të ndodhë me njeriun që humb gjithçka? Cila është fytyra e mëpastajme morale? Padyshim që një jetë pa kuptim dhe një vdekje pa kuptim janë dy zgjidhjet. Kështu, edhe Vjollca Morina humb gjithë fillin e jetës së saj dhe kthehet në “Dashnore në shërbim të shtetit”[4], edhe Lul Mazreku humb gjithë ëndrrën e tij, për të përfunduar në rastësinë, ashtu edhe siç ndërtoi profilin e vet. “Gjatovina: Kur Lul Mazreku më dha të kuptoj se ishte gati që për atë vajzë të jepte gjithçka, qoftë edhe nderin e tij, siç thuhej, unë ndonëse u brengosa, e kuptova”.[5]

Te romani i Koço Kostës “Radha mbahet me trup”[6]. Ka humbur njeriu “me kokën”, ka mbetur vetëm trupi. Por për çfarë mund të shërbejë?- për nevoja por assesi për vlera. Njeriu që ka një ëndërr, që kërkon liri, te Koço Kosta vjen përmes Gavrilit. Por për ata që e kanë njohur, Gavrili është veçse “sandale e varur në pemë që tundet nga era”. Ndërkohë që pasqyrohet edhe i gjithë konstelacioni i absurdit të kontrollit dhe mendimit të tjetrit. E ka emrin Peposh Buzbati, por duket se ka shumë ngjyra të zeza për të qenë një i vetëm.

“Atë pasdite, operativi i sigurimit për zonën, më tha:

E sheh këtë lumë?
Ja, te ky vend e te këto ujëra zbriste në pushime ai Gavril Besho. Ulej diku dhe hidhte grepat dhe e mbante kallamin nga bishti.

E vështroja drejt.

Ne kemi bërë shkollë,- tha operativi i Zonës. Ne dimë sa lugë e sa pirunë ka çdo familje. I tillë është Sigurimi Ynë! Po të besoj: Di ti ç’bënte me grepat dhe me atë kallam Gavril Besho? Nuk do më dekonspirosh, ë?

Unë s’doja të dëgjoja të liga për Gavrilin.

Vazhdoi operativi:

-Ai grepi ishte një lloj aparati që ia kishte sjellë spiunazhi dhe ai sojsëzi Gavril Beshoja afronte buzët te goja te fundi i kallamit dhe i jepte të dhëna UDB-së. Ai fliste direkt me Titon dhe po me atë grep, po nga ai kallam i dërgonin porosi. Mos u habit”.[7]

Ndërkaq, në rastin e Fatos Kongolit, njeriu i kotësuar brenda “kutisë së shkrepëseve” është gjithnjë pranë humnerës. Duke ardhur nga mungesa e plotë e raportit moral, Bledi Terziu, personazhi kryesor i romanit, është i paracaktuar të udhëtojë nga mungesa e lirisë drejt mungesës së lumturisë. Ai është “panair kotësish i ardhur nga kotësia”. Jeta në një “kuti shkrepësesh” e ka kthyer Terziun në një njeri që nuk beson, që nuk dashuron, që nuk përjeton. Dikush tjetër kish vendosur për atë që duhet të merrte ai në jetën e tij, nga ata që e lindën. “…E quanin Sotir… Ky ishte një burrë i shkurtër, i bëshëm, me bark të kërcyer e flokë të rënë. Prindërit e mi e respektonin: punonte në komitetin e partisë të rrethit. Me këtë shpjegohet përse fjala e tij në shtëpinë tonë peshonte. Për çdo gjë do të pyetej ai, madje disa vjet më vonë, kur Anila i vuri në dijeni prindërit se tashmë ajo e quante veten të fejuar dhe u kërkoi ta bënin fakt të kryer, këta, të paktën formalisht, kërkuan mendimin e Sotirit, të cilit iu deshën vetëm pak orë për të kthyer përgjigje, siç pritej, pozitive. Kandidati për dhëndër, Dhimitër Mikeli, i përmbushte të gjitha kërkesat: familje e shëndoshë në pikëpamje politike, pa të burgosur, të internuar apo të arratisur në farefis, pa ndonjë të përjashtuar nga partia”.[8]

Pas edukimit në “kuti’ Bledi Terziu del në jetë si sinonim i instinktit dhe vetëm tek instinkti mbështetet. Por, instinktivisht i vjen edhe fundi, si një e pamundur për ta shmangur. Ashtu siç edhe nisi – pa një jetë të tijën dhe nga të tijtë, ai shkon drejt joshjes, si foleja e vetme e trupit, duke mos pasur më kurajë për të pranuar atë që i vjen.

[1] Harol Bloom, “Si dhe pse të lexojmë”, Dudaj, Tiranë, 2009

[2] Nathrop Fraj, Anatomia e Kritikës, Rilindja, Prishtinë, 1990, f. 15,

[3] Ismail Kadare, Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut, Onufri, Tiranë 2002, f. 28

[4] Ismail Kadare, Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut, Onufri, Tiranë 2002, f. 111

[5] Ismail Kadare, Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut, Onufri, Tiranë 2002, f. 131

[6] Koço Kosta, Absurdi, Dudaj, Tiranë 2009, f. 97

[7] Koço Kosta, Absurdi, Dudaj, Tiranë 2009, f. 253

[8] Fatos Kongoli, Jetë në kuti shkrepsesh, Toena, Tiranë 2012, botimi katërt, f 60,

Një shtëpi me pamje nga lufta



aleppo



Këto ditë, falë studiueses Eli Krasniqi, lexova poezi të Ghayath Almadhoun, (lindur në kampin e refugjatëve në Damask, fëmijë me baba palestinez dhe nënë siriane). Në tekstin e tij gjen pohimin se ka shitur ditët e tij të bardha në tregun e zi dhe me to bleu një shtëpi me pamje nga lufta. Njëlloj si ne, që e ndoqëm luftën nga ekranet led dhe versionet online të gazetave



Nga Arian Leka

Theodor Adornos ia kujtojnë shpesh fjalët mbi shkrimin e poezive pas holokaustit. Është barbare, nënvizoi ai, është gati një depersonalizim, të shkruhet poezi pas Auschwitz-it. Më tepër se poezinë apo se tekstet e Primo Levit, Adorno duhet të ketë patur ndër mend poetizimet, sidomos estetizimin e ndjenjave, që e shfaq indiferencën si ndjesi të thellë humane. Vendin kryesor mes tyre e zë gjithmonë ai që mungoi më shumë: heroizmi – heroizimi i vullneteve që nuk shfaqen kurrë në kohë.

Pas lufte klisheja përsëritet. E ndeshim në të njëjtën formë dhe po në të njëjtin vend, si yjet dhe engjëjt në pemën e Krishtlindjeve. Vazhdimi dihet. Kur trupat qeveritare, trupat rebele dhe mbikëqyrësit të largohen, mbi gërmadhat-monumentet e kulturës së sotme të terrorizmit dhe dhunës, do të ftohen të marrin pjesë sërish artistët, ambasadorët e paqes që gjetën ngjasime mes “luftës së shenjtë” në tokë dhe versionit të fundit epik në serialin Star War. Koncerti i parë mbi rrënoja për piano dhe violonçel. Performanca tragjike mbi pengjet, gratë e dhunuara dhe fëmijët kamikazë. Instilacion me vrimat e mureve dhe paralelizmin e tyre të varfër me plagët. Hutim pas vargjeve mistike “më mirë viktimë sesa gjahtar”. Këto ditë, falë studiueses Eli Krasniqi, lexova poezi të Ghayath Almadhoun, (lindur në kampin e refugjatëve në Damask, fëmijë me baba palestinez dhe nënë siriane). Në tekstin e tij gjen pohimin se ka shitur ditët e tij të bardha në tregun e zi dhe me to bleu një shtëpi me pamje nga lufta. Njëlloj si ne, që e ndoqëm luftën nga ekranet led dhe versionet online të gazetave. Që kur filloi kriza humanitare e botës arabe dhe zhvendosja e Afrikës veriore drejt Mesdheut, ëndrra europiane për të patur një shtëpi me dritare nga deti u përmbush. Ishin të shumtë njerëzit e Perëndimit që e kishin një shtëpi me pamje që shihte luftën, një shtëpi me fytyrë nga eksodet, nga emigrimet dhe nga mbytjet masive. Të gjithë njerëzit e “kërcënuar me lumturi”, por edhe ata me ethen e eksportimit të modelit më të mirë demokratik, e kanë më në fund shtëpinë me mure high definition, prej lufta reale u shfaq më e realizuar se filmat me luftë.

Veçse një nga problemet e luftës, siç shkruhet në poezitë e Ghayath Almadhoun, qenkëshin jo viktimat, por ata që mbeten gjallë. Ata do të dëshmojnë për fëmijët, për burrat dhe gratë, për qytetet arabe të kthyera në pluhur dhe kryeqytetet europiane, që pranojnë turistë në kohë paqeje, muxhahedinë në kohë lufte dhe që përgjaken në festa.

Një ditë, herët a vonë, lufta do të mbyllet, siç mbyllet çdo plagë. Pas kësaj do të fillojë lufta që nuk do të ketë fund. Lufta e kujtesave. Rrëfimet si e mbajmë mend luftën. Çështja se kush do të tregojë mbi atë që ndodhi. Kjo ka qenë dhe mbetet çështja me luftën dhe revolucionet. Çfarë mbajmë mend? Çfarë kujtojmë? A janë të besueshme ato që rrëfejmë mbi heroizmin që rrallë ndodh në kohën e duhur dhe po aq rrallë përkon me heronjtë? E pastër apo e manipuluar do të jetë kujtesa e botës, kur edhe shkruesit edhe heronjtë të kenë vdekur?

Czesław Miłoszi ishte ndër të parët që vuri re se në pjesën më të madhe të asaj që shkruhej, publikohej, lexohej, përkthehej dhe promovohej, nuk përshtatej fare me jetën dhe me botën, në kohën mes luftërave, diktaturave dhe dhunës. Si shkruhet poezia sot, kur Krishtlindjet vijnë më të përgjakura se kurrë më parë, kur bota duket edhe më e ndarë tek ajo që presim dhe që urojmë: – njëra pjesë e botës pret mesnatën kur, si çdo vit do të lindë Krishti-fëmijë. Tjetra anë e botës, e cila më me cinizëm se kurrë quhet Lindje, varros fëmijët e vet.

Si çdo gjë tjetër, edhe poezia duhet vënë në provë. Do të ketë çmime për metaforat dhe imazhet poetike, që krijojnë analogji mes tymit të krematoriumeve, tymit mbi Aleppo e Damask dhe krelave të zeza të një vejushe? Në të kundërt, përse lipset stilistika, botimet luksoze me qepje (si plagët), edicionet e rralla të ballinave me këmishë dhe me kopertinat më të forta se kokat që e mbajnë luftën në këmbë? Çfarë poezie duhet shkruar në kohë të tilla si ato që ndërmendi Adorno kur kujtoi Auschwitzin?

Fjala “poet i angazhuar”, sigurisht që për ne mbart kuptim të keq dhe na kujton llojin e poetit që trashëguam nga realizmi socialist, që i këndoi flladit tek përkund kallëzat e fushës me grurë, por jo të njëjtit fllad që përkundi si lavjerrës edhe poetët e varur. Masakra ka vend për të gjithë, gjendet e shkruar në vargje. Edhe për vëzhgues me dritare të kthyera nga fushat, nga puthjet, nga përqafimet e ngrohta dhe nga ai trishtim që bora e parë la pas. Fjalët klithma, vrasje dhe varre masive, trupa të djegur, mbytje në det, thonj, plumb, thikë, gjak, flokë të pluhurosur me kundërmim pluhuri dhe tymi i përkasin “Valles së vdekjes” të Paul Celanit. Bombat e bëra me dorë, në shtëpi, janë produkte handmade, homemade, siç na i ka ënda t’i kemi disa sende edhe në shtëpitë tona me dritare të kthyera nga Adriatiku apo Mesdheu, ku vazhdon lufta për mbijetesë. Sërish te Adorno mbi shkrimin e poezive pas tragjedisë, kur auschwitzët përsëriten. Mendimi i tij se mbetet barbare të shkruash poezi inteligjente, të soditësh i vetëkënaqur nga vëzhgimi, kur fjala art bëhet e papërkufizueshme dhe kur gërmadhat e qyteteve të shkatërruara janë kryeveprat qytetërimit të sotëm, e ndan sektin e poetëve më dysh. Jeta e imitoi sërish artin në qytetet e botës arabe, siç e imitoi këto ditë edhe në tregun e Krishtlindjeve në Berlin. Është e njëjta “Guernica”. E dallojmë se arti u imitua nga jeta edhe në vitin 2016. Edhe po t’u rikthehemi teksteve të Jean Améry edhe po të lexojmë poezitë e Ghayath Almadhoun do të dëgjojmë klithmat e luleve, të diellit, të librave, të njerëzve, të hënave dhe të kujave të rrëzuar dhe të teksteve me të cilat të gjitha këto janë veshur, por që nuk i lexon më njeri.

Ervin Hatibi mes Përditës dhe Qiellit

Ervin Hatibi është një poet dhe autor këngësh shumë i njohur. Ervin Hatibi (1974-) është një nga poetët e brezit te ri, ose më mirë i brezit rinor të fundkomunizmit. Ka lindur ne Tiranë dhe ka studiuar Frengjisht ne Institutin e Gjuheve te Huaja.

Ismail Kadare ka thene se Hatibi është vazhdimesia dhe e ardhmja e poezise moderne shqiptare, pra nje talent qe e ka treguar veten qe kur ishte vec 15 vjec. Ervin Hatibi ka shkruar shume poezi te "modeleve" te ndyshme, pra mund te gjejme nje potpuri stilesh ne poezine e tij.

Dallohet për origjinalitet dhe perdorjen e mrekullueshme te gjuhes shqipe. Poezia e dhene me lart është shkruar nga Hatibi për grupin e muzikes se lehte Ritfolk, te cilet e kane kthyer ate ne kenget e tyre me te preferuara nga publiku shqiptar.

Pothuaj gjitha tekstet e kengeve te Ritfolk kane dale nga pena e Ervin Hatibit.


Krijimtaria letrare:

Përditë shoh qiellin (Tiranë, 1989)
Poezi (Tiranë, 1995)
Pasqyra e lëndës (Tiranë, 2004)
Republick of Albanania (Tiranë, 2005)

Image result for ervin hatibi






Viteve `90 kur e bëja aq dendur rrugën e ngeshme Shkodër-Tiranë e kthim, si përpjekje për me nxjerrë në dritë ndonjë poezi, kam ndeshur edhe Ervin Hatibin, librin e parë të të cilit e kisha përpirë tashmë në krye e në trup. Manifesti i parë dhe i parakohshëm i lirisë poetike dhe asaj qytetare. Ervin Hatibi, ndër ata pak njerëz emri i të cilit kumbon ende e gjithnjë dhe kryet e ka të rrethuar me një fashë të pandryshueshme drite.



“Qyteti është ajo gjë, e cila ndriçon natën” (E.H.)


Nga Ledia Dushi

Viteve `90 kur e bëja aq dendur rrugën e ngeshme Shkodër-Tiranë e kthim, si përpjekje për me nxjerrë në dritë ndonjë poezi, kam ndeshur edhe Ervin Hatibin, librin e parë të të cilit e kisha përpirë tashmë në krye e në trup. Manifesti i parë dhe i parakohshëm i lirisë poetike dhe asaj qytetare.

Ervin Hatibi, ndër ata pak njerëz emri i të cilit kumbon ende e gjithnjë dhe kryet e ka të rrethuar me një fashë të pandryshueshme drite.

“Përditë shoh qiellin”(1989) paraqitja e parë e Hatibit, atëherë 14-15 vjeçar. Poezia shqipe që deri atë ditë as që e kishte konsideruar përmasën shpirtnore të sendeve (edhe kur e kishte pasur, ishte bërë e pamundura për me e leçitë), nuk kishte si të mos e vinte re e thuajse ta pësonte Hatibin si prani e protagonist të padiskutueshëm në poezinë dhe eseistikën shqiptare të mbas viteve `90.

Të bëhet se poezitë e para ndërtohen nga një ndjenjë e thellë e cila vjen e ruajtur mirë nga mendime më shumë të bukura se sa të thella…

“Pellgu me baltë që po thahet, / Është Nata / Kurse yje janë lulet e shegës të rëna aty. / Mos e shkelni qiellin me yje”.

Tirana e Ervin Hatibit, ajo e fillimviteve `90 është një qytet realitetet tranzitore të të cilit nuk janë as poliedrike e as kozmopolite; nuk shquhej sigurisht as për shfaqje universale të cilat mund të promovonin ndonjë aspekt të posaçëm dinamik kulturor, ekonomik apo industrial.

Vëmendja e poetit evokon këtë hapësirë që e rrethon, që në krye të herës. Duket se gjithçka ai e sheh diku prej nalt, mbase nga naltësia e mansardës së tij, si një sy i madh e i kthjellët kundrues rreth të cilit sendet lëvizin vazhdimisht dhe pa ndaluar.

“Goca të mira, të njohura, të Tiranës së natës / Me zhargonin tuaj të zhdukur tashmë / Bashkë me baret efemere / Në jug t’Unazës / Bashkë me pseudonimet romantike të spaçatorëve të Vjetër / Që në fakt e nxirrnin bukën / Me ndonjë zanat tjetër / Zhdukur zërat tuaj si mente në mitingun e opozitës / Që zgjaste sa besimi ndaj politikës / Zhdukur përfundimisht silueta juaj e mirë”.

Në përmbledhjet poetike që do të pasojnë, “Gjashta Maç” (Marin Barleti, 1995) si dhe tek “Pasqyra e lëndës” (Ora, 2004), Hatibi i kushtohet gjithësisht fjalës, pra gjuhës, metaforës. Fjala është vetë metafora. Poezia e tij është tashmë nji plotni ndjenje e mendimi, simbioza e të cilave duket sikur krijon qytetarin që shkruan poezitë e Ervinit.

Poetizimi i pangatërrueshëm i Hatibit te “Gjashta Maç” sidomos, të bën ta konsiderosh pa kushte atë se çka heqin poetët kur shkruajnë poezi… Kjo zeje pa zanat i shkakton kaq lëkundje të forta e ku gjithçka u përplaset ndër sy, filtrohet prej syve.

Hatibi poet mban largesë ndaj sendeve dhe kundron. Kundron dhe përjetëson gjithçka në ikje, me vëzhgim prej piktori, çka edhe është, nën një proces “fotografimi”, pra një korpus poetik ushqyer e shuar me imazhe. Secili gjest poetik nuk është tjetër, veçse provë e shenjës.

Hatibi është bartës i shikimit të dyfishtë, siç e quante dikur Leopardi, nji aftësi e bebes së syrit dhe e shpirtit paralelisht, një duplicitet konstant i gdhendur në vështrimin e poetit, një ushtrim real jete.

Vështrimi poetik i Hatibit ka aftësinë të lexojë brenda dritës, ngjyrave, formës, prespektivës së një veprimi, apo edhe brenda lëvizjes, ashtu si brenda kohës, për të përkthyer mandej gjithçka, çdo entitet në një botë fjalësh e metaforash.

Presupozohet që poeti “punon” mbi një material verbal, por tek Hatibi duket sikur në të vërtetë zëri i parë bulëzon prej syve, hapur apo mbyllur qofshin, në dialog të vazhdueshëm me unin i cili do t`i “përkthejë” lexuesit atë që ka menduar dhe atë që e ka bërë të vuajë.

Ajo çka e përshkon poetin, nuk është thjesht një paqe e kundrimit, por një tanësi iluminacionesh figurative e shndërruar në vargje, në një rënie ritmike, asnjëherë në rënie rastësore.

“Të shtëna / Nata shpohet e pikon / U mbush qyteti me ujë prej macesh / Të shtëna, të shtëna / Rrëzohet gjumi përmbi nënat / Të shtëna, të shtëna / Zhurmojnë nëpër qepalla këpucët e rënda / Me këmbë të mitura ushtarësh brenda”.

Poezia e Hatibit qysh tek “Përditë shoh qiellin” deri tek përmbledhja e fundit e botuar, i ngjan një rrugëtimi për kah vetja, brendësia. Vjen si një mundësi endjeje nga “përdita” e fillimit tek “qielli” i pafundit, nga mjegullnaja e tranzicionit (aq poetikisht e me ironi shënuar përgjithnjë prej tij) tek drita e sigurt (nga Ferri tek Parajsa).

Qielli dhe drita nuk janë më referenca të qashtra e të përkora simbolikash të thjeshta të adoleshentit që “sheh përditë qiellin”, por tashmë një raport i ngushtë i pasur me implikime e i mbarsur me frymëzim e refleksione, që nga mitet e legjendat, për t`u shtrirë më tej në një tjetër dimension, në artikulimin e saj (dritës) si mundësi për të ndriçuar ndërgjegjen dhe shpirtin njerëzor.

“o hënë mos ma humb gjakun / klithte / njëri tek vdiste në këmbët e tjetrit / që vazhdonte ta vriste-mbytur në gjak e hëna / sipër e plotë s’humbiste / mes resh mbi shtegun shkretan…/

në i rrëfen gruas ç’ke sipër brezi-janë të njëjtët gjinj: / ajo të hedh e rend të gjejë ndonjë / që ia del të mbajë më gjatë të errët / fshehur / në një këmishë burri me kuadrata / gjysmëhënat e njëjta të anës tjetër”.

Më vjen ndër mend Borgesi kur thotë꞉ “Poezia mundohet ta sjellë gjuhën në rrënjët e veta“.

E po ashtu Ervin Hatibi, përpiqet dhe e sjell poezinë tek rrënjët e gjuhës shqipe.


******

Ervin Hatibi, Albanian poet, essayist and painter. Ervin Hatibi was born in Tirana, Albania, in 1974. At the age of 14, Ervin Hatibi published his first poems in the literary pages of the main newspapers of the epoch. His first poetry collection Përditë Shoh Qiellin, Naim Frashëri, Tirana prefaced by Ismail Kadare, was published in 1989 when he was only 15 and was widely acclaimed by the critics of the communist regime. At that time, following the sudden fame of the young author and his grooming as future national poet of the communist state, the National Film Studios of Albania "Shqiperia e Re", produced a documentary film on his works, entitled "The 15 Year Old Poet".


His first painting exhibition was held in spring 1991 at the National Gallery of Fine Arts. In 1992, while finishing up his studies at the School of Foreign Languages "Asim Vokshi" in Tirana, Ervin Hatibi co-founded the literary avant-garde magazine "e per-7-shme". In the ensuing years, he wrote extensively on matters of social and literary import, and also actively took part in youth movements, which preceded the democratic changes in his country. He wrote memorable lyrics for well-known pop singers and bands in Tirana, and had his own share of rock scene with his band, as a front man.

Education

Having finished his studies in Albanian Literature & Language at the University of Tirana, and before moving to Jordan with the purpose of studying the Arabic language and Islamic Theology, Ervin Hatibi published his second and most notorious poetry collection 6, Tirana, 1995. From that point on his poetry was published in various anthologies on major Albanian poets: Anthology of Albanian Poetry, in Macedonian, Republic of Macedonia, 1998, Anthology of Contemporary Italian and Albanian Poetry, in Italian & Albanian, Italy, 1998, Three Albanian Poets, in Spanish, Spain, 2003, Lightning from the Depths: An Anthology of Albanian Poetry, Northwestern University Press, Evanston, Illinois, 2008, in English. During these years he served as editor in chief of Drita Islame magazine of the Muslim Community of Albania but resigned from his post as editor in chief of Drita Islame after the killing of Salih Tivari, the secretary general of Muslim Community.

Writings

His most recent collection of poems, Pasqyra e Lëndës (Table of Contents), came out in 2004 in Albania. This book and many of his essays after 2000 reflect strong Islamic overtones.
Along the years Ervin Hatibi's writing has progressively intensified in the genre of essays. He has periodically written and published articles and essays in all major newspapers and magazines in Albanian language: the leading Albanian newspaper Shekulli and the historical Albanian Macedonian magazine Lobi, Bota Shqiptare, in Italy and Fjala, in Albania, have also frequently been tribunes of his writings. Ervin Hatibi has written in length on issues related to culture, religion and arts.
His collection of essays, Republick of Albanania, Albania, 2005, is a colourful collage of some of his best essays written during this past decade where he displays his Sufi Islamic ideals regarding the reshape of the Albanian society.
Ervin Hatibi has exhibited his works in Paris, France 2003, Ferrara, Italy 2004, Skopje, Republic of Macedonia 2004, Istanbul, Turkey 2008. In 2007 he was called upon by the National Gallery of Fine Arts and the Ministry of Culture of Albania to curate the yearly international visual arts contest Onufri '07, Albania's most important visual art event.

Works

Përditë Shoh Qiellin, Naim Frashëri, Tirana, 1989
Poezi, Marlin Barleti, Tirana, 1995
Pasqyra e Lëndës, Ora, Tirana, 2004
Republick of Albanania, Ora, Tirana, 2005

Romani Muza e errët nga Armin Ohri.

Diana Culi


Nga Diana Çuli



Shtëpia botuese DITURIA kohët e fundit ka nxjerrë në qarkullim një roman të shkrimtarit Armin Ohri, nga Lihtenshtajni, por që jeton në Zvicër. Romani titullohet Muza e errët (titulli origjinal: Die dunkle Musel), me të cilin autori fitoi dhe Çmimin Europian të Letërsisë, dy vjet më parë. Armin Ohri ka lindur në vitin 1978 dhe ka studiuar për histori, filozofi dhe letërsi e linguistikë gjermane. Prej vitit 2009 ai ka botuar një numër të konsiderueshëm tregimesh e romanesh në dy shtëpi botuese të njohura të gjuhës gjermane. Veprat e tij kryesisht e vendosin subjektin në një sfond historik dhe bazohen në mënyrën e të rrëfyerit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, veçanërisht të lidhura me zbulimet e krimeve, që në atë shekull patën lulëzim të veçantë. Siç shprehet vetë autori në intervistën e tij me rastin e Çmimit Europian të Letërsisë, ai zhvilloi një stil të tijin, origjinal, “thjesht duke lexuar letërsinë e shekullit të 19-të; të preferuarit e mi, Charles Dickens, Stevenson, Wilkie Collins, Balzaku e të tjerë…”. Ndoshta, vazhdon ai më tej, ky stil nuk u shkon romaneve me temë bashkëkohore, por për ata me temë nga një periudhë më e shkuar, tingëllon i përshtatshëm. Të gjithë librat e Armin Ohrit që trajtojnë ngjarje nga e shkuara, lidhen me njeri tjetrin nga një personazh gjysmë detektiv, Julian Benthaimi. Për shembull, romani Muza e errët, ku ngjarjet zhvillohen në vitin 1865, lidhet me romanin tjetër të Ohrit, Lidhja e okulistëve, ku ngjarjet zhvillohen në vitin 1866. Hetimi i krimit dhe historia e tij mbyllet, por vazhdon jeta e të riut Julian.

Muza e errët, është pra, pjesa e parë e një serie kronologjike romanesh të lidhur me njëri-tjetrin – një histori e ndërlikuar e krimit që përdor teknikën ose formulën, e zbritjes nga lart-poshtë. Që në faqet e para lexuesi mëson se vrasësi është një profesor i filozofisë, i cili me gjakftohtësi e me përllogaritje të menduara mirë vret një prostitutë. Lexuesi e ndjek në çdo hollësi të vrasjes, madje profesori troket te dera e fqinjit dhe e pohon krimin. Lexuesi, bashkë me hetuesit do të përpiqet të gjejë – dhe kjo është një mundësi që e jep vetë autori – përse profesori i njohur Boto Golc e vrau vajzën e re. Një sërë kapitujsh përshkruajnë sallën e gjyqit dhe procedurat ligjore të kohës së Bismarkut kundër profesor Golcit dhe tregojnë se si mendja e tij brilante i kthen në të kundërt akuzat ndaj tij, del i pafajshëm dhe ai që ekzekutohet është një i pafajshëm i vërtetë.

Gjysmë detektivi Jul Benthaim, i cili në të vërtetë e ndjek çështjen nga dëshira e tij për të gjetur të vërtetën, është një student i ri prusian, i cili për të përballuar studimet, skicon skenat e krimit. Përmes syve të protagonistit, lexuesi ndjek këtë histori të çuditshme nëpër rrugët dhe rruginat e Berlinit të shekullit të 19-të. Në romanin Muza e errët gjejmë edhe ngjarje të vërteta historike, po edhe personazhe historikë, si: Bismarku, Fontane, Moltke etj., që autori i vendos edhe për të krijuar një atmosferë të kohës. Ndihet në roman se sa dokumente dhe burime historike janë përdorur për të krijuar një tablo vërtet të gjallë edhe të vendit e të psikologjisë së njerëzve në kohën kur zhvillohet ngjarja. Dhe, meqë përmendëm psikologjinë, në këtë roman ajo luan një rol të veçantë, sepse të gjitha karakteret duken sikur janë të ngërthyera në një lojë psikologjike macja me miun me njëra-tjetrën.

Personazhi i Boto Golcit, i cili në fjalimin e tij, pasi i ka shpëtuar dënimit, shpreh kredon e një grupi gjermanësh, e cila shërbeu më vonë si bazë për ideologjinë naziste, të simbolizuar te Mein Kampf-i i Hitlerit. Golci mburret që pastroi nga faqja e dheut dy njerëz që nuk vlenin për asgjë, veçse e ndotnin shoqërinë me jetesën e tyre plot vese. Kjo filozofi e “pastrimit”, e cila më vonë u mishërua në kampet famëkeqe naziste dhe në pastrimin racial, nuk jepet në roman vetëm si një tekë dhe përsiatje mendore e një njeriu. Kuptohet, nga shumë detaje në libër, se Golci është një zëdhënës i një shtrese shoqërore, i një fryme, i një rryme brenda shoqërisë gjermane që sa vinte e rritej.

Sot, romanet thriller janë mjaft të përhapura dhe kulmuan para disa vjetësh me një shpërthim në botimet skandinave, përsa i përket Europës, por romani i Ohrit, nuk është thjesht një thriller. Ai është një roman mbi të vërtetën njerëzore, e cila është kaq e vështirë të mbijetojë në një shoqëri të korruptuar, ose të paaftë – qoftë edhe me ligjet e saj sado të përpunuara, ose hipokrite dhe individualiste.

Përmbi të gjitha, ky roman na vjen nga dora e mjeshtrit të përkthimit të gjuhës gjermane Afrim Koçi, i cili na sjell jo vetëm në mënyrë të përkryer një vepër të vështirë nga ana stilistikore, por kryesisht me shqipen e tij të pasur e të fuqishme për të përballuar forma të ndërlikuara sintaksore, të gjallë e të thellë në shumëkuptimësinë e saj.

Ylljet Alickaj, një libër për të kuptuar identitetin shqiptar




Komunikimi dhe kultura: Imazhi në veprim”, botim i UET-Press, është një përmbledhje me ese, intervista dhe publicistikë të Ylljet Aliçkajt. Gjatë promovimit të librit, miqtë dhe kritikët e vunë theksin pikërisht tek ky dimension i ri i autorit, pra daljen para lexuesit me mantelin e studiuesit, hulumtuesit në shkencat e komunikimit…


Ylljet Alickaj


“Parullat me gurë” apo “Rrëfenja të një ndërkombëtari” janë tituj që të kujtojnë menjëherë autorin e tyre, shkrimtarin Ylljet Aliçka, i cili ndryshe nga sa mund të pritej nga lexuesi këtë herë vjen me një libër studimor. “Komunikimi dhe Kultura: Imazhi në Veprim”, botim i UET-Press, është në fakt një përmbledhje me ese, intervista dhe publicistikë të Ylljet Aliçkajt. Gjatë promovimit të librit miqtë dhe kritikët e vunë theksin pikërisht tek ky dimension i ri i autorit, pra daljen para lexuesit me mantelin e studiuesit, hulumtuesit në shkencat e komunikimit. Aliçka aktualisht është pedagog në Universitetin Europian të Tiranës dhe botimi i librit vjen në kolanën “Ese dhe studime” të shtëpisë botuese pranë këtij universiteti. Kolegu i tij dr. Tomi Treska e vuri theksin pikërisht tek ky fakt, ose tek “rikthimi i profesorit” siç e cilësoi ai këtë libër.

“Mendoj se ky është një rast unikal, pasi ne e dimë që Ylljet Aliçka ka sukses në fushën letrare, por ky libër vjen si studim dhe lajtmotivi i sotëm është rikthimi i profesorit. Unë nuk surprizohem, por ndihem i vlerësuar që e kam pasur në dorë këtë libër, që më ka konfirmuar personalitetin e tij, jo vetëm si mësimdhënës i talentuar, por edhe si hulumtues në fushën e komunikimit dhe studimit, pavarësisht se atij laku ose kurthi që i ka dhënë natyra, që unë e quaj talent, duket se nuk i ka rrëshqitur as në këtë libër. Pikërisht bashkimi i stilit të të shkruarit me skrupulozitetin e studiuesit sjell një krijim të një dimensioni të ri”, tha ndër të tjera profesor Treska.

Zv.ministrja e Arsimit, Nora Malaj, në fjalën e saj tha se ndihej dyfish e nderuar edhe si zv.ministre edhe për shkak të profesionit të saj në mësimdhënie, që të fliste për një “profil shumëdimensional”, siç e cilësoi ajo Aliçkajn. Malaj theksoi se në stilin e të shkruarit të tij vihet re “humori irlandez ose “black humor” që sjell njëkohësisht me finesë tragjedinë dhe komedinë e jetës”.

Ndërsa gazetari Alfred Lela vlerësoi si tipar dallues të tekstit të Ylljet Aliçkajt ironinë dhe autoironinë. “Njohja ime me tekstin e tij ka ardhur si pasojë e punës si gazetar në gazetën Mapo duke lexuar shkrimet para se të botoheshin. Sot këto shkrime ribotohen në një libër. Kjo tregon se rileximi është sprova e një teksti. Në rastin e tij në një pjesë të mirë teksti ballafaqohet me rileximin. Thelbi i asaj që mund të thuhet për tekstin e Ylljet Aliçkajt është autoironia dhe kjo është cilësi e inteligjencës më shumë se sa e tekstit, tregon një tipar oksidental të tekstit të autorit”, tha Lela.

Gjatë promovimit e vlerësuan aftësinë e shkrimtarit Aliçkaj për të të emocionuar, si dhe ngacmimet me temat më të prekshme të jetës dhe moralit me librin e ri me ese dhe publicistikë edhe miq të tjerë të autorit si ambasadori i OSBE-së, Florian Raunig, Bujar Kapexhiu, Mirush Kabashi, Nevila Nika, Valbona Nathanaili etj.





Virtyti është i mundur vetëm në gjirin e mos-virtytit

*Nga Ylljet Aliçka

1.Kosova : Realitetet dhe dëshmitë monstruoze, krimi masiv, polimorf dhe i shumëfishtë në Kosovë, nuk është ende i njohur plotësisht. Kjo për mungesë mjetesh komunikimi apo dhe për shkak të drojës dhe turpit që ka rëndom qenia njerëzore ndaj poshtërimit të vet.

Me qëllim apo kinse spontanisht me një mjeshtëri të përsosur manipulimi në fushën e përpunimit të opinionit publik, krimi i vërtetë serb përpiqet të fshihet duke iu kundërvënë me ngjallje dyshimi mbi një tjetër krim monstruoz hipotetik, mjeshtëri kjo instrumentalizuese që ia doli mbanë të mobilizojë fuqinë karizmatike të turmave, të banalizojë urrejtjen dhe të shpikë armikun objektiv të kombit serb.

Peter Handke: shenjë e barazisë dhe simetri mes krimit të programuar serb dhe luftës për mbijetesë të popullit kosovar. U mbështet nga Elfiede Jelinek.

Për pasojë: Dilema dhe mëdyshje të shumta mbeten pezull :Ç’duhet bërë me kujtesën e vonë? Cila është detyra e kujtesës dhe ritmi i saj? Përtej emocioneve njerëzore, cili është interesi i bashkëjetesës në Ballkanin e sotëm, harrimi i krimit dhe vështrimi ndaj së ardhmes, apo pranimi i tij dhe përpjekjeve të të kuptuarit mes popujve? krimi mundohet edhe një herë të marrë theksin e virtytit.

Liria postkomuniste
Shpesh rrugëtimi përmes lirisë postkomuniste, në mungesë të herëpashershme të rendit dhe kaosit, precipitoi rëndom me një ngushtim të maskuar mjeshtërisht të hapësirave të lirisë e të vërtetës si dhe në instalimin e sistemit personal te qeverisjes dhe i suksesit vetjak të liderit. Dhe gjithë ç’ndodh, bëhet duke respektuar ligjin dhe në emër të një të ashtuquajturi “revolucion moral” për pastrimin e shtetit nga paligjshmëritë korruptive apo kapja e shtetit nga klikat, thënë ndryshe, në emër të gjithçkaje për mbrojtjen e interesave jetike të popullit, pasi njihet fakti se virtyti është i mundur dhe tërheqës vetëm në mesin e mos-virtytit.

Kam përshtypjen se gjatë këtyre dy dekadave të jenë shfaqur ide, vizione mobilizuese apo ringjallëse në fushën shpirtërore e morale që do lëkundnin klishetë e vjetra të mendimit, apo që do t’i ofronin individit shqiptar arsyen dhe orientimin e ri për të jetuar.

Nën të tilla retorika dhe stereotipa populiste, morali po merret me qira nga njerëz të devotshëm që, ndihur nga koraca e moralit të mirë, spërkasin me baltë këdo që guxon të mendojë ndryshe. Shpifja mediatike dhe ngushtimi i hapësirave për të vërtetat po merr fuqi të përbindshme, pasi shantazhi po bëhet një mënyrë e përkryer për të nënshtruar dhe dyshimi po zë vend një hap para akuzës. Ka një ringjallje të kulturës së dyshimit, e cila vetëm nuhat viktimën e radhës, por që, nga ana tjetër, mbjell paaftësinë e gjykimit real të rrethanave dhe dorëheqje nga kuptimi i gjërave. Kjo ndodh pasi radikalët e zgjidhjeve ekstreme dhe ultrasit e të gjitha ngjyrave të ylberit kanë nevojë për tronditje të mëdha që të mundësojnë pastrimin e madh, me motivimin: na duhet revolucioni moral ngaqë po zgjerohet vesi.

“Zakoni i intrigës dhe i shpifjes me mjete gjuhësore, si dhe pjesëmarrja në përndjekje e individit, kanë qenë dhe mbeten, historikisht, një mënyre jetese.” -thoshte Adam Micnik.

Përgjatë 25 vjetëve postkomunizëm monopolin e së vërtetës, e kanë rimarrë ish persekutorë të cilët pasi ofrojnë dëshmi moraliteti, strehuar në turmën e mediokritetit dhe banalitetit, konvertohen në politikë apo media, duke folur si ndërgjegjja e kombit. Në tregun e shpifjes rikërkohet fanatizmi i verbër dhe i ashtuquajturi ‘pastrimi i kujtesës kolektive’.

Të paaftë për të ndryshuar botën a për ta sfiduar atë, shpifësit dhe përndjekësit, si të vetmin kompensim, kanë kultivimin e ëndrrës së fshehur gjatë dhe kujdesshëm për t’u hakmarrë ndaj atyre që janë fajtorë për mjerimin shpirtëror të jetës së tyre. Duhet të jetë ky vetëhelmim shpirtëror që nxit zhvlerësimin e tjetrit.

Për pasojë, njeriu i sotëm është i ndjeshëm ndaj indoktrinimit, me modele të imponuara sjelljeje, mendimi dhe përfaqësimi, me individë me sistem njohës të manipuluar. Thënë ndryshe, gjykatës të varfër të interesave vetjake.

Në një mënyrë apo tjetrën është vetë shoqëria e sotme shqiptare ajo që ofron elemente të mjaftueshëm për atë që do e quaja “ndërgjegjësim fals të grupeve të gjera të popullsisë”, ku informimi publik është shndërruar në komunikim interesash, apo ku narcisizmi etno-kulturor shitet si vatër e vlerave të së ardhmes, mjedise këto të përshtatshme për të fikur në mendjen e njeriut çdo lloj dyshimi të natyrës njohëse, për të kontrolluar mendimet, si dhe për të rritur pandjeshmërinë ndaj mendimit alternativ.

Identiteti
Kam përshtypjen se problemi i identitetit trajtohet më tepër nga këndvështrimi kolektiv apo historik, duke injoruar nivelin individual të tij. Duam apo s’duam ta pranojmë, njeriu përshtatet apo përfshihet nën një ombrellë vlerash identifikues, krahas të tjerave kur ndjen se aty fiton ekonomikisht, se aty mbrohet nga një rrezik, apo se aty merr vlerë protagonizmi i tij. Parë nën këtë këndvështrim, është evident fakti se inercia dhe ndikimi i vlerave dhe antivlerave njerëzore nga e kaluara është shumë e fortë.

Rëndom, njeriu i sotëm ia fsheh vetes se pse ai krijon simpati apo tifozllëk për një lëvizje politike apo antipati për tjetrën, duke u përpjekur t’i veshë, përligjë apo interpretojë këto preferenca me argumente objektive, të moralit të mirë e të pranueshme për një opinion të gjerë, si për shembull, lufta ndaj padrejtësive, imoralitetit. Rrallë ndodh që në një plan individual apo kolektiv kur individi apo një grupim politik, pse jo dhe institucional, kryen një intrigë apo padrejtësi ndaj dikujt, apo një komuniteti dhe nuk e vesh atë me argumente të pranueshme të moralit të sotëm njerëzor.

Duhet të jetë ky niveli i maturimit të një individi apo shoqërie, pra raporti midis faktorëve objektivë të përqafimit të një partie politike me atë që lidhen me interesat apo egon e ngushtë të individit. Bie fjala, karshi situatës aktuale të një frenezie elektorale, në tallazin e betejave të perceptimeve të opinionit publik, lind natyrshëm dyshimi nëse shpenzimet kolosale të fushatës politike e japin apo jo rezultatin e ndikimit dhe ndërrimit të bindjeve politike të individit? imitim të modeleve propagandistike të botës perëndimore, apo me strategji të diktuara nga kushtet specifike të Shqipërisë? Pra, a ka mundur dot bashkëlidhja e medies me politikën vënë në shërbim të fushatave zgjedhore, të ndikojë mbi mënyrat e konceptimit të mesazheve politike të individit, apo ndryshimit të mëpasshëm të bindjeve politike? Dhe ndaj cilit target?

Imazhi
çdo vend e institucion ndërkombëtar apo popull, kërkon të njihet me fizionominë e një vendi tjetër, në rastin tonë të Shqipërisë, sipas interesave apo shtysave të veta politike, ekonomike, morale e shpirtërore. Ne, për shembull, motivohemi të njohim identitetin, fizionominë ose realitetin francez për aq sa na duhet për të përmbushur interesat tona ekonomike, kulturore, shpirtërore e pragmatike. E njëjta gjë i bie të ndodhë dhe me imazhin e ngritur nga opinion i huaj ndaj nesh, pa pretenduar se jemi në qendër të vëmendjes dhe se tërë bota e ka mendjen te ne. Identifikimi me etiketime fetare, antikulturore e historike. Por ka një diferencë të madhe se si e shohim ne veten, si na shohin të huajt në përgjithësi dhe si jemi realisht, mospërputhje që shpesh bëhet burim keqkuptimesh e zhgënjimesh.

A ka një masë që të vlerësojë diferencat kulturore për të kaluar për pasojë në pabarazitë dhe diskriminimet, kur pranohet që çdo kulturë që bart vlera, nënkupton edhe hierarkinë e tyre. Mirënjohja e thellë dhe toleranca e tepruar e shqiptarëve ndaj kontributit jetësor për zhvillimin e Shqipërisë postdiktatoriale, u keqkuptua nga një pjesë e opinionit të huajt? Ndofta vuajtjet historike për dinjitet kombëtar u bënë burim i kësaj tolerance të ekzagjeruar? Ndërkohë që sot pranohet gjerësisht se asnjë vend historikisht i lumtur apo fatkeq nuk heq dorë nga perceptimi i tij unik i vlerave të jetës si vlera kulturore. A është interesi aktual i Perëndimit për Shqipërinë emergjencë, partneritet, bashkëpunim apo alibi? realiteti shqiptar është më i ndërlikuar dhe më i copëtuar se parimet e vetë organizmave ndërkombëtare. Shpesh parimet në bllok, apo rregullat universale, konsiderohen si të papërshtatshme për raste e situata specifike. Shqetësimi tek ne filloi sapo u ballafaquan kufijtë midis imagjinatës dhe realitetit,kjo është kryesisht çështje kulturore, çështje politikash e prioritetesh. Më shumë se sa deficiti demokratik :pasojë e një deficiti komunikues.

Fatkeqësisht, ne po e kuptojmë me shumë vonesë se nuk jemi as më të mirë, as më të këqij se popujt e tjerë, se glorifikimi pa kushte i gjithë asaj që vjen nga jashtë dhe nënshtrimi servil ndaj saj nxit pështirosjen dhe të fundos më keq në pozitat e nënshtrimit.“aleancat e flirtet fluide me të huajt me qëllim që “t’ia futësh tëndit”.

Në opinion mediatik, ka gjurmë apo ngutje të qëllimshme apo naive për të zbuluar shqiptarët primitivë e të rrezikshëm, nën këndvështrime sensacionale, apo ekzotike, të cilat më tepër synojnë të shuajnë kuriozitete të sëmura, dhe që pashmangshmërisht sjellin jo vetëm opinione të deformuara mbi vendin tonë, por krijojnë, njëkohësisht, ato situata zhgënjyese, që prekin e lëndojnë vetë dinjitetin e qytetarit shqiptar.

Letërsia shqipe në botë
Aktualisht, problematikat në lidhje me përkthimin dhe botimin e letërsisë shqipe në botë nuk kanë të bëjnë vetëm me ambiciet apo aventurën artistike të autorëve shqiptarë, është bërë jo vetëm shkak zhgënjimesh e deziluzionesh në planin individual, por dhe një pengesë serioze në planin politik e atë institucional. Letërsia shqipe nuk po e ka të lehtë për të vazhduar përfaqësimin e saj në botë me vlerën apo peshën e saj reale, që me apo pa dashje, me vetëdije apo jo, priremi t’i projektojmë apo t’ia faturojmë një faktori pengues jashtë vetes, që rëndom në mendjen e krijuesit perceptohet si armik apo sabotator i botimit të tij jashtë vendit.

Një lexues apo botues i huaj, nuk i njeh mirë pikë orientimet me Shqipërinë, apo në të shumtën e herëve i njeh si klishe ekzotike (gjakmarrja, gratë e shndërruara në burra, bunkerët apo prostitucioni…). Lexuesi apo botuesi i huajt nuk mund të mirorientohet me vlerat apo antivlerat, të kuptojë se ku fillon fantazia e shkrimtarit apo realiteti apo ku mbizotëron prirja për t’iu përshtatur perceptimit të mësipërm klishe, vlerësimi real të një vepre letrare nga një vend i vogël, apo të kuptojnë se ku fillon fantazia e shkrimtarit ose realiteti i vendit të tij. Në një farë mënyre, një orientim jo i saktë apo real ndaj këtij realiteti aspak të lehtë, ofron për ne autorët shqiptarë gracka dhe zhgënjime të shumta,

Instrumentalizimi
Në një plan më të gjerë, më shumë se sa ideologjia apo politika në vetvete më ka interesuar instrumentalizimi ideologjisë, politikës apo dhe fesë për të vënë në jetë ligësinë apo instinktet e errëta njerëzore. Më konkretisht, më shumë më ka intriguar e më intrigon veshja apo përligjja etike, morale që i bëhet ligësisë njerëzore, e cila rrallë herë manifestohet me synimin e saj të vërtetë. Si një platformë vetëjustifikimi e qenies njerëzore për të vënë në jetë instinktet e tij shtazarake, të dhunimit të dinjitetit të njeriut apo mbizotërimi të jetës së tjetrit. për të vënë në jetë ligësinë apo instinktet e errëta njerëzore. Ç’kishte komuniste kënaqësia që ndjente sekretari i partisë së kooperativës kur propozonte masën e internimit ndaj një mësuesi fshati pse ai nuk e mbante mirë drejtimin e shkrimit të një parulle politike në mur apo në kodër… Them se, përveç kënaqësisë sadiste karshi vuajtjes së tjetrit, nuk kishte motivacion tjetër.

*Fjala e autorit gjatë promovimit të librit “Komunikimi dhe Kultura: Imazhi në Veprim”, botim i UET-Press





Kanë thënë për librin

Mesazhe bashkëkohore të një shkrimtari-diplomat

E kam pritur me interes botimin e një përmbledhjeje të tillë, sepse ai i përqaset me guxim- midis të tjerash- një dimensioni të rëndësishëm në jetën shoqërore, atij të vëzhguesit të realiteteve kulturore, që janë pjesë e pandarë e tharmit etnik të popullit tonë.

Përmbledhja në fjalë, që i jepet sot publikut shqiptar, përfshin mbi 30 studime, ese kritike, analiza mbi natyrën njerëzore, intervista mbi dimensionin artistik/ vlerësim personal dhe të autorëve të tjerë si dhe opinione prognostike për qenësinë e identitetit shqiptar dhe të kuptuarit e vetvetes, të mbështetura fort në përvojën e tij të gjatë në ballafaqim me realitetin shqiptar dhe me të huajt. Mbasi e lexova me kureshtje përmbajtjen e lëndës, unë nuk e pata të vështirë t’i ndaja ndihmesat e përfshira në këtë botim në disa grupe: shkrime për histori të jetuara; konvergjenca të shkrimtarit krijues me diplomatin aktiv në çështjen e imazhit të shqiptarëve, midis alibive (të synuara enkas) dhe realitetit të prekshëm; statusi i letërsisë shqipe në mesin e letërsisë evropiane; ndikimi i vlerave dhe antivlerave nga e kaluara; trashëgimia kulturore në ballafaqim me incentivat e integrimit evropian të shqiptarëve; shfrytëzimi i trashëgimisë proverbiale nga retorika politike; sensi i humbur i paskomunizmit; sfidat dhe dilemat për politikën kulturore në realitetin e sotëm të Shqipërisë etj.

Ajo që më bën më tepër përshtypje në këtë mori temash e problemesh lidhet me karakterin aktual të tyre: aty ku mesazhi jepet në formën më të thjeshtë, të kapshme nga të gjithë, ai ka një impakt të vërtetë mbi ne, që jetojmë në këtë mikrokozmos paksa të çuditshëm: shqiptarët i konceptojnë ngjarjet dhe përvojat që hasin gjatë jetës së tyre mbi bazën e një organizimi konjitiv ende defektuoz, nisur nga një pragmatizëm fals që nuk i lejon të shohin përtej së tashmes. Nga mesazhet e freskëta për kohën që jetojmë, unë do të ndalesha në disa dimensione me vlerë të shtuar, që kanë impakt të drejtpërdrejtë në sferën e antropologjisë kulturore.

Kolegu Ylljet Aliçka, me një aftësi mjeshtërore poliedrike, na ka dhënë përmes këtij botimi një model të ri të komunikimit kulturor me publikun vendas dhe të huaj. Tashmë dihet se, ashtu siç ndikon kultura mbi komunikimin, edhe ky i fundit ndikon mbi të parën dhe përforcon tipare të veçanta të saj. Mënyra me të cilën komunikon autori në një kontekst kulturor të kultivuar përforcon identitetin kulturor të tij/ tonë prej shqiptari. Sepse e gjithë vepra e deritanishme e tij është, para së gjithash, ritual- qoftë ndonjëherë edhe sarkastik- që kontribuon pa mëdyshje në atù-në e një sensi identiteti, për shkak se në brendësi të tij gjallon çdo qelizë e tharmit letrar, politik, diplomatik dhe shkencor të Aliçkës.
Dimensioni i dytë ka të bëjë me shfrytëzimin e trashëgimisë popullore, konkretisht të proverbave, në parullat politike të ditës. Këtë studim fondamental, autori e ka hartuar në bashkëpunim me asistenten Bisej Kapo, një ndër asistentet më premtuese të Universitetit Europian të Tiranës në sferën e shkencave politike. Aty zbërthehet përmbajtja strukturore dhe funksionale e dikotomisë proverba/ parulla politike, duke e marrë nxitjen nga libri dhe skenari me të njëjtin titull të filmit ”Parullat në gur” që shënoi rrugëtimin e suksesshëm të autorit në panteonin e letërsisë bashkëkohore shqiptare.
Së pari është për t’u vlerësuar fakti që Ylljet Aliçka, me këtë studim, inauguron në Shqipëri një fushë të re si pariemologjia, që- për hir të vërtetës- njihet pak ose aspak në vendet e Europës lindore. Ndaj edhe interesi për ’të ia vlente të përfshihej në këtë libër. Meqenëse vërtetësia e brendshme natyrore që bartin proverbat i bën ato lehtësisht të asimilueshme nga masa e gjerë e popullit, ato mbeten pjesë e fshehur e taktikave manipulative të përpunimit të opinionit publik”, siç shprehet me të drejtë Aliçka, çka do t’i shërbente ideologjisë totalitare (në rastin shqiptar) për ligjërimin politik të tjetërsuar, mbi bazën e logjikës së “veprimit të grupit”.Përdorimi i proverbave në ligjërimin e liderëve politikë totalitarë ka funksion të dyfishtë: nga njëra anë, ky lloj ligjërimi ka natyrë performuese; nga ana tjetër, ai krijon bindje, si pasojë e përsëritjes në kontekste të ndryshme kulturore, prej nga i hapet rruga manipulimit të dëshiruar. Ky ”funksion i dyfishtë” i proverbës shfrytëzohet nga retorika politike si “aftësi rigjeneruese” e parullave politike, që- me shumë gjasë- s’e kanë të vështirë mandej të përftojnë statusin e proverbës në realitetin e ri politik.

Me të drejtë, autori citon në këtë rast Bourdieu-në, sipas të cilit ”struktura të patjetërsueshme njerëzore konceptohen në mënyra të ndryshme, si rrjedhojë e faktit që çdo komunitet njerëzor i jep fjalës kuptimin që do”. Kjo paradigmë ngjan më se e vërtetë, po të kemi parasysh faktin se në botën shoqërore ekzistojnë edhe struktura subjektive (në rastin konkret: lidershipi politik), të cilat janë në gjendje të pengojnë veprimin e strukturave objektive, ose të ndikojnë në përfytyrimin e njerëzve mbi ’to. Dhe, efekti i një veprimi të tillë është më efikas kur ata i drejtohen sistemeve simbolike, sidomos gjuhës, mitologjisë dhe traditës popullore.

Përkundër këtij ndikimi të imponuar, Ylljet Aliçka i kthehet dilemës: kush e ka ”pësuar” më tepër në diktaturë, kolektivi apo individi? Sipas tij, ”dramatikja [e kohës] zbulohet më mirë në të përditshmen, në rutinën e zakonshme, se sa në heroizma”. Ndaj, shumica e personazheve të tij janë njerëz të zakonshëm. Por, a përbën shumësia e këtyre njerëzve të thjeshtë, ”të prerë njëlloj”, një ”dhuratë” të sistemit të kohës? Dhe më tej, a la ajo mendësi pasoja në memorien kolektive? Patjetër po, madje në formën e një ndjesie iracionale, çka Aliçka e vë formalisht ”në gojën” e shkrimtares austriake Anne Kim, por mendoj që mesazhi i tij, në mënyrën e thurjes, është më tepër një aset i tij personal i karakterit ekzistencial.

Lidhur me dimensionin e tretë të natyrës kulturore ka të bëjë me disa mendime të vyera të autorit mbi sfidat e reformës kulturore që duhet të ndërmerren për t’i dhënë jetë rolit që i takon aksionit kulturor mbarëkombëtar në krijimin e një shoqërie të hapur, që përmbush njëkohësisht aspiratat europiane të shoqërisë shqiptare.
Mesazhi më i rëndësishëm që përcillet përmes këtij aksioni është: instancat vendimmarrëse dhe publike ta shndërrojnë lirinë kulturore në një nga ”shtyllat” e shtetit. Për ta konkretizuar këtë ide, autori ka renditur disa nga prioritetet kryesore që duhet të plotësojë reforma kulturore, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. Sipas opinionit të autorit, në paketën ligjore të kësaj fushe nuk është punuar ende mbi bazën e një strategjie afatgjatë, për shkak të nevojave emergjente të tranzicionit, përkatësisht në mbështetje të iniciativave spontane. Por, edhe sa duhet të presim që të kapërcehet kjo fazë kalimtare? Kush e mban përgjegjësinë institucionale-politike dhe qytetare për një ”javashllëk” të tillë? Mos vallë na mban shpresa se kultura përshtatet më shpejt se sa strukturat ekonomike e sociale?

Së pari, ne nuk na lejohet të postulojmë se kultura nuk mund të ndryshojë sensin (drejtimin) e saj origjinal nga ku e ka burimin. Të dhënat e antropologjisë kulturore na tregojnë se globalizmi sjell njohuri të reja kulturore; si proces i gjithanshëm dhe i kudondodhshëm, ai mund të sjellë në të ardhmen edhe koncepte kulturore krejt të ndryshme nga ato të një vendi të caktuar ”të sotëm”, por do t’i lërë gjithmonë rrugë të hapur zgjidhjeve më të pranueshme.

Së dyti, integrimi kulturor sipas ”kutit” europian kërkon domosdo qartësim të përgjegjësive dhe të barazisë së të drejtës për kulturë për të gjithë shtetasit, pavarësisht nga përkatësia etnike, feja, raca etj.

Së treti, nxitja e misioneve madhore për zhvillimin dhe studimin e trashëgimisë së përbashkët kombëtare nuk duhet të bjerë ndesh me studimin e thelluar të realiteteve/ veçantive lokale e rajonale kulturore.

Prof. dr. Aleksandër Dhima, Pedagog i Antropologjisë në UET

*Pjesë nga parathënia e librit “Komunikimi dhe kultura: Imazhi në veprim – Refleksione” e Prof. asoc. dr. Ylljet Aliçka

Zuzana Finger: Një gjermane për gjuhën shqipe

Zuana Finger

Zuana Finger

I njeh dhe i ka përkthyer në gjuhën gjermane disa prej poetëve dhe prozatorëve bashkëkohorë shqiptarë, këtej dhe andej kufirit. Me një shqipe të patëmetë dhe me seriozitetin e profesionit, përkthyesja gjermane Zuzana Finger rrëfen procesin e përkthimit, marrëdhënien me ata që i quan shkrimtarët e saj, reagimin e lexuesit gjermanishtfolës ndaj letërsisë shqipe që e njohin fare pak dhe me përvojën e saj disavjeçare flet mbi tendencat e fundit të poezisë shqipe



Nga Suadela Balliu

Me një shqipe të patëmetë, të kujdesshme , të pastër , të folur rrjedhshëm me një ritëm të shtruar, të duket e vështirë ta besosh se zonja elegante me flokë të gjatë e të zinj, e shoqëruar nga një buzëqeshje të pandashme prej portretit, nuk është prej trojeve tona.

Ka ardhur nga Gjermania për të qëndruar një muaj në Tiranë , si fituese e bursës së Rezidencës së Shkrimtarit dhe Përkthyesit Letrar , organizuar nga “Poeteka” dhe rrjeti Traduki dhe në njëzet e gjashtë vitet që i numëron tashmë në njohjen e shqipes, janë pikërisht këto periudha që e gëzojnë më shumë.

Jo vetëm që ka mundësi ta flasë më intensivisht dhe të njihet me zhvillimet e reja të gjuhës, por edhe të takohet përsëgjalli me ata që i quan shkrimtarët e saj. Autorët që Zuzana Finger i përkthen nga shqipja drejt gjermanishtes.

“Është mirë që kam mundësi të komunikoj me autorët kur kam ndonjë paqartësi. Gjuha evoluon shpejt dhe kjo kohë këtu në Tiranë është shumë e mirë, për t’i takuar autorët, për t’i pyetur nga afër, për të parë ku frymëzohen, për të kuptuar më shumë gjuhën që përdorin…” – rrëfen Zuzana, e ulur në kafenenë “Friend’s book house” .

Në javën e fundit të qëndrimit të saj në rezidencë, Tirana jo vetëm që nuk është më një qytet i panjohur dhe ajo jo vetëm që nuk ndihet e huaj, por ashtu si vendasit di të orientohet me emrat e rrugëve, por edhe toponimet e zonave apo lagjeve të vjetra dhe di ku janë stacionet urbane të autobusëve…

Nuk është hera e parë që ajo vjen në Tiranë, por është qëndrimi i saj më i gjatë këtu.

Ishte viti i largët 1988 kur e vizitoi kryeqytetin e një shteti asokohe ende nën regjimin diktatorial, edhe pse në grahmat e fundit.

Ishte studente e fakultetit të gjuhës e historisë në Berlinin Perëndimor kur së bashku me profesorin, ajo ishte pjesë e grupit të studentëve që erdhën në një ekskursion në Shqipëri.

Qëndrimi i parë zgjati një javë udhëtimi në disa prej qyteteve shqiptare.

Kjo do të ishte edhe grishja e parë ndaj gjuhës shqipe. Një vit më vonë aplikoi dhe fitoi për një bursë të Shërbimit Akademik gjerman për një kurs njëmujor të shqipes në Tiranë.

Do të kalonin disa vite, një përmbysje e sistemeve dhe shkrimi i një historie të re të Shqipërisë . “Kam qenë si vëzhguese zgjedhjesh më 1996. Kam qenë më shumë në jug… Vlorë Himarë, Sarandë “ –kujton Zuzana.

Tranzicionin e vendit të cilit ia njihte gjuhën dhe kulturën e ka ndjekur nga afër në vajtje-ardhjet e saj. Zbulon se në vitin 2000 punoi si lektore e gjuhës gjermane në Universitetin e Prishtinës dhe po atë vit erdhi për disa ditë në Tiranë për të organizuar provimet e gjuhës gjermane në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë. “Pastaj erdha sërish në vitin 2006 dhe tani kthehem pas dhjetë vitesh” – përfundon ajo itinerarin e vizitave në kohë, në vendin tonë.

“Tirana ka ndryshuar shumë. Është tashmë një metropol europian” –thotë njëmendi duke pasur më shumë sesa një përshtypje të parë, porse edhe imazhet që i kanë mbetur në kujtesë.

Prej vitit 2002 ajo përkthen rregullisht autorë shqiptarë në gjuhën gjermane, edhe pse disa përkthime për net leximi i ka bërë edhe shumë më herët, të disa teksteve të Natasha Lakos e Bardhyl Londos. Ishte Nevijana Dosti, një zonjë që punonte në ambasadën gjermane ,që në takimin e tyre të vitit 2000 e inkurajoi të përkthente letërsi. Do të përkthente për një lexim me autorë bashkëkohorë shqiptarë në gjuhën gjermane. E kujton ende drojën e parë për të përkthyer letërsi, por qysh atëherë ajo ka përkthyer thuajse të gjithë autorët bashkëkohore shqiptarë të Shqipërisë e të Kosovës. Autorët e parë ishin Arian Leka, Ledia Dushi, Luljeta Dano, Luljeta Lleshanaku. Pas një ndërprerjeje, bashkëpunimi nisi sërish.

Jeton Neziraj, Doruntina Basha, Xhevdet Bajraj, Ervina Halili, Arben Idrizi, Ballsor Hoxha, Halil Matoshi, Eqrem Basha, Shpetim Selmani, Arian Leka, Parid Teferiçi, Luljeta Lleshanaku janë disa prej autorëve që Zuzana ka transportuar drejt lexuesit gjerman.

Vitin e shkuar qëndroi një muaj në Kosovë, në rezidencën letrare “Prishtina nuk ka lumë” dhe një vit më vonë zgjodhi qytetin me lumë si Tirana.

Muaj frytdhënës për Zuzanën që në këtë mënyrë ka pasur mundësi të kuptojë dhe krahasojë letërsitë e të dy vendeve shqipfolëse.

Nëse poetët e rinj të Shqipërisë kanë ndikim të fortë nga Mitologjia apo priren kah elementët filozofikë, në Kosovë janë të ndikuar nga brezi i poetëve Beat . “Është një stil urban që duket se nuk ka asgjë poetike, por ata e poetizojnë jetën” –tregon Zuzana. Vitin e kaluar në Rezidencës e Prishtinës përktheu disa poezi të poetes Blerina Rugova Gaxha.

Rezidencat për të janë një periudhë e mirë për të folur me autorët, për t’u konsultuar, për t’u njohur me veprat e tyre më të reja dhe për t’u përditësuar me shqipen në një formë që as fjalori më i pasur nuk do të mund ta bënte.

Ka përkthyer tekste për panaire ndërkombëtarë të librave që zhvillohen në Gjermani, si ai i Frankfurtit apo Lajpcigut, por kryesisht rrëfen se përkthen poezi, të cilat janë botuar në një sërë revistash letrare dhe antologji në botën gjermanishtfolëse.

Në punën e saj si përkthyese e quan veten me fat se ka pranë dikë që ia lexon përkthimet dhe e sugjeron kur ato nuk tingëllojnë krejt gjermanisht.

Si e lindur në ish-Çekosllovaki, gjermanishtja nuk është gjuha e saj amtare, edhe pse më shumë se gjysmën e jetës e ka kaluar në Gjermani.

Është bashkëshorti i saj ai që lexon gjithë ç’përkthen Zuzana.

“Im shoq i lexon përkthimet si të ishin një vepër gjermane dhe kur ka diçka që nuk shkon më sugjeron si mund ta përktheja pak më ndryshe. Duhet që përkthimi të ketë një vlerë origjinale në gjuhën gjermane të mos vërehet që është përkthim. Im shoq më kritikon dhe ky është fat i mirë për mua. Shtëpitë botuese kanë lektorë, por disa shtëpi botuese e kanë kursyer, por lektorët janë të domosdoshëm për përthyesin. Është vlerësim nëse dikush me sens kritik e lexon. Edhe përkthyesi është njeri” – thotë ajo, duke pranuar se shpesh përfshihet nga teksti në shqip. “Por nganjëherë duhet më shumë distancë”- vijon.

Po sa interes tërheqin autorët dhe letërsia shqipe në një vend si Gjermania?

Zuzana rrëfen se revistat letrare të brezit të ri kanë kureshtje për letërsinë shqipe, e cila është fare pak e njohur për lexuesit atje. Por nuk është e njëjta panoramë kur vjen puna te botimet e librave, ku interesi është më i vogël dhe ende emri i Ismail Kadaresë mbetet më i njohur ndër autorët shqiptarë , vepra e të cilit është përkthyer dhe botuar në disa gjuhë.

“Për të rinjtë është pak më e vështirë. Kohëve të fundit po ndodh edhe një fenomen tjetër. Ka shumë autorë shqiptarë që nuk shkruajnë në gjuhë amtare, por zgjedhin një gjuhë të dytë për të shkuar direkt te lexuesi” – rrëfen Zuzana.

Pasionin për gjuhën shqipe, të cilin asaj ia injektoi profesori i saj Norbert Reiter , ajo ia përcjell studentëve të gjuhës në universitetin “Ludëig Maximilian në Mynih.

Si e lindur në Çekosllovaki ajo nuk e kishte fare të vështirë t’i kuptonte gjuhët sllave, të përafërta me gjuhën e saj amtare, ndaj edhe zgjodhi të studionte gjuhë sllave dhe Ballkanologjinë në Institutin e Europës Lindore , në Universitetin e Berlinit.

Ishte sfida me veten ku dëgjoi shqiptarë të Kosovës (asokohe pjesë e ish-Jugosllavisë) , të cilëve nuk ua kuptonte dot gjuhën, që e shtyu ta njihte dhe ta studionte më tej shqipen.

Por vendimtari qe profesor Norbert Reiter, njohës i disa gjuhëve sllave, polonishtes, rusishtes dhe shqipes që e çoi në radhët e studentëve të shqipes.

Sot si lektore e Albanologjisë ajo vëren se ka gjithnjë e më pak studentë që e zgjedhin gjuhën shqipe. Edhe ata janë kryesisht shqiptarë apo studentë gjermanë që studiojnë gjuhësi dhe interesohen për strukturat gjuhësore. “Gjuha shqipe është studiuar gjithmonë në kohë krizash, si në kohën e luftës së Kosovës, ku njerëzit e mësonin për të shkuar të punonin. Në kohë të tilla, edhe pse të trishta, janë krijuar vende të reja pune dhe ka lindur nevoja për njohuri të gjuhës dhe përthyes”. Edhe ajo vetë u njoh së pari me shqipen e Kosovës, ndërsa mënyra sesi profesor Reiter ua mësonte gjuhën studentëve e entuziazmoi edhe më shumë.

Sjell ndërmend duke buzëqeshur metodat e profesorit për t’ua mësuar shqipen.

“Kishte një metodë të çuditshme. Ne kemi lexuar Kështjellën e Kadaresë dhe disa kapituj i kemi mësuar përmendësh. Ai e kishte lexuar Kadarenë në gjermanisht dhe na detyroi ta përkthenim në gjuhën shqipe. Mënyra më e lehtë ishte ta mësonin përmendësh”, kujton ajo duke shtuar se përkthimi në gjermanisht kishte qenë aq i mirë sa edhe ripërkthimi në gjuhën shqipe qëndronte besnik me origjinalin.

Edhe ajo është me një mendje me profesorin e saj se praktika e të mësuarit përmendësh është e mirë kur bëhet fjalë për të mësuar një gjuhë të huaj. Periudhat kur komunikimi në shqip mungonte ishin ato kur e ndjente se diç ishte zbehur prej shqipes. “Në kohë të tilla e ndjej në komunikim…kur nuk më vijnë fjalët gjatë bisedës dhe pak më vonë them “Po këtë fjalë unë e dija!” – pranon duke qeshur, duke shtuar se tani e tutje nuk do të ketë ndërprerje aq të gjata me Shqipërinë dhe shqipen. Është e kënaqur me faktin se ka përkthyer autorë të ndryshëm. “Natyrisht që është mirë të kesh një autor dhe ta përkthesh ekskluzivisht, por për mua është sfidë të përkthej disa autorë e t’i bëj që në gjuhën gjermane të mos tingëllojnë njëlloj, por të kenë larmi”. Zuzana Finger e sheh letërsinë shqipe të ecë në një hap me atë çka shkruhet edhe në botë. “Mendoj se autorët bashkëkohorë shqiptarë janë shumë europianë në mënyrën e të shkruarit. Rezidencat letrare ndihmojnë shumë dhe autorët shqiptarë kanë qenë në aq shumë rezidenca në botën e huaj”- thotë ajo.

Deri më tani ka përkthyer prej shqipes dhe gjuhëve sllave drejt gjermanishtes, por ende jo prej gjermanishtes në shqip. “Ndoshta do ta provoj, por më duhet dikush këtu me të cilin të bashkëpunoj shumë ngushtë, me një shqiptar . Kam ndërmend një poet gjerman shumë të mirë…” .Kohën e kaluar në rezidencën e Tiranës e ka shpenzuar duke lexuar prozë shqipe, gjë që e ndihmon të kuptojë më mirë disa metafora në poezi, ndërsa jashtë shtëpisë i është gëzuar takimeve me shkrimtarët , që i quan të vetët për të diskutuar mbi projekte të reja përkthimore . Është ky rol që Zuzanën e bën një lloj ambasadoreje të letërsisë shqipe drejt lexuesit gjermanishtfolës.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...