Agjencioni floripress.blogspot.com

2017/03/13

Londo: Rasti Stani- Lleshanaku, kur Lidhja edhe të martonte


Bardhyl Londo

- “Jeta që na dhanë” i Bardhyl Londos është një libër me kujtime të brezit të tij. Në kapitullin e V të këtij libri gjenden kujtimet gjatë periudhës që Londo ka qenë pjesë e Lidhjes së Shkrimtarëve. Kanë qenë plotë 20 vite që ai i kaluar si gazetar, kryeredaktor dhe kryetar i Lidhjes, derisa më pas u kthye përsëri, në Ministrinë e Kulturës. Ndonëse nuk ka dal ende nuk ka përfunduar procesi i botimit nga “Toena”, por që në fillim ka ngjallur kureshtje dhe debat. “Nuk e di nëse Bardhyl Londo ka shumë për të thënë për Lidhjen, por mund të them se ai është një nga protagonistët, një nga shkaktarët kryesorë të rrënimit, shkatërrimit, e korrupsionit në Lidhjen e Shkrimtarëve" thotë Hysen Sinani kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për gazetën “Shqiptare”. Kjo është akuza e parë publike që i bëhet shkrimtarit Bardhyl Londo, në një kohë kur libri ende nuk ka dalë. …Rasti e solli që pas shumë vitesh që kur kisha ikur nga Lidhja ku kalova një periudhë njëzetvjeçare si gazetar, kryeredaktor dhe kryetar i Lidhjes, të kthehem përsëri, kësaj here në Ministrinë e Kulturës. Isha duke ndjekur ndeshjen Bullgari-Shqipëri që luhej në Sofje kur një gazetare e kulturës e gazetës Shekulli diçka më pyeti për një vendim qeverie i cili do ta kthente godinën e dikurshme të Lidhjes në Ministri Kulture. Po shikoj ndeshjen, i thashë, më merr më vonë. Kur mori përsëri i thashë të vërtetën se nuk dija gjë dhe se tani po e merrja vesh lajmin. Tetë vjet që isha kryetar në Lidhje dhe të tjerë që erdhën pas meje mundëm ta ruanim godinën e Lidhjes megjithëse tundimi për ta marrë në administrim ka qenë i përhershëm dhe i fortë. Por erdhi një ditë që kjo godinë po keqmenaxhohej deri në masakrim dhe ata që kishin përgjegjësinë e patolerueshme për këtë në vend të reflektonin dhe të dinin si të mbronin godinën, fajësonin paraardhësit e tyre, kërkonin të gjenin fajtorë pa faj. Ditën e përurimit të kësaj godine të rikonstruktuar dhe të përshtatur për ministri, me gjithë thirrjet telefonike të ministrit të atëhershëm Ylli Pango që donte një fotografi me gjithë stafin, nuk pranova të shkoj. Fotografia më dukej si një lloj tradhtie ndaj së kaluarës sime. Edhe të nesërmen kur më pyeti ministri se në cilën zyrë dëshiroja të punoja, me shaka i thashë se këtu, në këtë godinë, unë jam i vetmi pronar nga të gjithë ata që punojnë… E mendoja me më shumë emocion rikthimin tim në këtë godinë ku kam aq shumë kujtime të të gjitha ngjyrave dhe ngarkesave emocionale. Por nuk doli kështu. Për çudi që ditën e parë të rikthimit e deri sot, më duket se kam të bëj me një ambient që nuk më prek aspak, më duket sikur hyj e dal në një muze gati të vdekur ku nuk ndiej asnjë zë të ngrohtë, asnjë ngjyrë të më tërheqë. I vetmi tundim që ngre krye herë pas here brenda meje është tundimi për të dëshmuar përvojën time me ministrat e shumtë që ndërrova gjatë kohës që kam punuar në Ministri. Kjo, duke i shtuar vitet e përvojës sime politike, më pëshpëritin gjithmonë dhe herë pas here dëgjoj zërin e tyre të më thonë: jemi këtu…këtu… tu… Nuk është çudi t’u rikthehem këtyre kujtimeve. Tani për tani është vetëm një tundim. Por unë e di mirë se tundimi për të rrëfyer dhe për t’u rrëfyer shpeshherë është i parezistueshëm…
Lazri dhe Luljeta po “shkatërronin rininë e pastër shqiptare”
Shkrimtari Lazër Stani, që atëherë kishte botuar disa tregime shumë të bukura dhe i ishte imponuar realitetit letrar shqiptar si një shkrimtar “ndryshe” jo si tipi i shkrimtarit me të cilin ishte mësuar ky realitet që e kishte formuar dhe pranuar censura, në mënyrë krejt të natyrshme kishte filluar lidhjet me poeten Luljeta Lleshanaku me të cilën jeton edhe sot e kësaj dite. Por Lazri, që aso kohe punon te te gazeta “Zëri i rinisë” nuk duhej të fejohej me Luljetën, sepse ajo ishte mbesë apo fis i Abaz Kupit. Problemi kishte shkuar deri në kupolën e Komitetit Qendror të rinisë. Lazri dhe Luljeta po “ shkatërronin rin inë e pastër shqiptare”. Faruk Myrtaj vjen një ditë në një gjendje sa të këpuste shpirtin. E more vesh, më tha. Lazër Stanin e kanë vrarë duke kaluar kufirin... Për fat të mirë, lajmi nuk ishte i vërtetë. Lazri për shkak të problemeve vërtetë absurde që i kishin hapur, ishte ngujuar disa ditë në Pultin e tij, në Dukagjin.

“Kur isha kryeredaktor i “Dritës” e kuptova sulmin e “Zërit të popullit”

Në vitin 1986 kur u ndodha për një vit kryeredaktor i komanduar i “Dritës” e kuptova mirë se çfarë kuptimi kishte të të sulmonte “Zëri i popullit”. Kjo gazetë që kishte të drejtën të bënte gjithçka dhe askush nuk mund t’i përgjigjej qoftë dhe për t’u mbrojtur, çdo ditë të diele faqen e tretë filloi t’ia kushtojë problemeve të letërsisë dhe arteve. Por në vend që të merrej me këto probleme, sulmonte vetëm gazetën “Drita”, e gjykonte dhe etiketonte atë sipas dëshirës së redaktorit të saj mendjeshkurtër. Ishte një situatë shumë e tensionuar dhe fyese: çdo të diel prisnim ditën e gjyqit. Kur qëllonte që për arsye të ndryshme nuk përmendeshim në faqen e tretë “të gazetës mëmë” fillonim të bënim humor të hidhur me veten: çfarë kemi bërë që na paska harruar “gazeta mëmë”? Në fillim të atij viti hapëm një diskutim për gjendjen e përkthimeve në Shqipëri. Pa dyshim që ishte një diskutim shumë i mirë për atë kohë. Mundëm të tërheqim në diskutim edhe figura të tilla të përkthimit si Lasgush Poradeci (e ringjallëm, pra) apo Robert Shvarci. Gazeta filloi të kërkohej shumë më tepër se më parë, madje të diskutoheshin gjerësisht në qarqet letrare ato që shtroheshin në faqet e saj për përkthimet. Siç duket i kishim nxjerr këmbët jashtë madhësisë së jorganit që na kishin caktuar. Atëhere nuk vonoi kundërpërgjigja e së dielës. Ishte një shkrim i stërgjatë që, ndryshe nga herët e tjera, shtrihej në dy apo tre faqe të “gazetës mëmë”. Edhe autori ishte krejtësisht special. Ishte përdorur Hamit Beqja, i njohur për autoritetin e tij në Komitetin Qendror dhe për lidhjet e tij të ngushta me Ramiz Alinë. Shkrimi ishte shumë fyes dhe irritues. Donin të na mbyllnin gojën duke na sulmuar atje ku ishim më të fortë. Sulmonin pikërisht diskutimin e hapur për përkthimet dhe na akuzonin se hidheshim degë më degë. Nënteksti, apo më mirë urdhri, ishte i qartë: mbylleni gojën dhe duhet të merreni me ato diskutime që i përcaktojmë ne.

Ndjesinë që shkaktonin korridoret nuk i prishte as bilbili i Teodor Kekos

Korridoret e Lidhjes, sidomos kati i tretë, ishin shumë hijerëndë. Për atë që vinte nga jashtë dhe sidomos nga provinca ata impononin një lloj respekti që mund të arrinte deri në misticizëm. Për ata që punonin atje nuk ekzistonte fare kjo ndjesi. Ndjesinë që u shkaktonin të jashtëmve këto korridore nuk mund ta prishte as bilbili i Teodor Kekos. Nuk e di ku e kishte gjetur Dori një ditë një bilbili polici apo arbitri dhe i frynte në krye të korridorit si një polic trafiku. Ata nëpunës që ishin lart zgjatnin kokën nga zyrat e tyre për të parë ngjarjen e jashtëzakonshme. I pari e nxori kokën Kujtim Buza, pas tij Fehim Ibrahimi, të dy sekretarë të Lidhjes. Buzëqeshën dhe u futën prapë në zyrat e tyre. Dori i fryu edhe nja dy herë bilbilit dhe pastaj e futi në xhep. Çfarë bën, e pyeta. Kot, tha, se si më duket kjo qetësi...

Gabimet në gazetën Drita

“Dritën” e shikonin me lente zmadhuese dhe kur nuk gjenin gabime ndodhte të dëshpëroheshin shumë. Nuk kaloi shumë dhe na ndodhi “bëma” tjetër. Në një tregim të Jakov Xoxës botuar në përvjetorin e tij, ishte fjala bythë ose më saktë b... që ai e kishte përdorur vetë. Meqë sapo na kishte ndodhur rasti me tregtarin partizan, dikush shfaqi dyzimin si do pritej kjo fjalë që kishte përdorur Jakov Xoxa. Mirë ai që e ka përdorur, po ju ku i kini sytë që e botoni, përse iu kemi venë aty? Atëherë u detyruam të lajmërojmë shefin e drejtorisë së shtypit sepse gazeta ishte shtypur tashmë. Por, tha ai, tashmë ka përfunduar, gazeta nuk mund të anulohet, çfarë propozoni të bëni? E vetmja mundësi ishte ta kruanim faqe për faqe në të gjitha gazetat germën b..., gjë që ishte e pamundur. Mirë, tha shefi i shtypit, kruani atëherë vetëm ato kopje që vijnë në Bllok dhe nëpër zyra. U thërrit gjithë redaksia, morëm nga një copë qelqi dhe vazhduam të kruajmë deri sa erdhi makina që do të merrte gazetën ta shpërndante. Xani, përgjegjësi i turnit të shtypshkronjës, vinte dhe na thoshte: ju jeni të marrë, askush nuk ka për ta kapur këtë. Kur mbaruam, veçuam rreth dy mijë kopje që kishim arritur t’i kruanim dhe iu lutëm Xanit që këto kopje t’i çonte patjetër në Bllok dhe nëpër zyra. Mos u bëni merak, tha Xani dhe nënqeshte nën buzë. Të hënën, në mbledhjen e redaksisë, ra telefoni. Ju, tha zëri nga ana tjetër e telit, nuk jini fare seriozë. Edhe më thatë vetë që do ta kruanit gazetën dhe mua më ka ardhur gazeta me bythë. Të paktën mos më kishit thënë. Ishte shefi i shtypit. E kuptuam që kjo ishte shakaja ose hakmarrja e Xanit të cilin bashkë me veten e kishim mbajtur në shtypshkronjë deri në mëngjes: kopjet që kishim kruar gjithë natën ai i kishte nisur në Pukë dhe Tropojë.

Koha e kujtimeve të harruara



Behar Gjoka/ Studiues

-Pas librave të Fatos Arapit, Fatos Kongolit, Elena Kadaresë, Nasho Jorgaqit dhe shumë të tjerëve, i erdhi radha Bardhyl Londos, që të paraqesë kujtimet për Lidhjen e Shkrimtarëve dhe aktorët kryesorë të saj, që tani i ka mbetur vetëm hija dhe kujtimet më tepër janë fashitur. Fakti, që është pritur me kaq zhurmë dhe rrëmujë fjalimesh, si kohë e kujtimeve të harruara, sidomos në median e shkruar, të vë në mendime për të parë se çfarë po ngjet me librin e shkruar në gjuhën shqipe, madje me vetë letërsinë? Në pamje të parë, nuk ka asnjë të keqe, që të shkruhen kujtimet, sepse kështu çlirohemi nga makthi i së kaluarës, por megjithatë të mos harrojmë letërsinë, si dhe të mos krijojmë idenë fiktive se historia, qoftë edhe ajo e diktaturës, mundet të paraqitet vetëm me anë të kujtimeve, që ngrihen mbi themelet e biografizmit. Duke qenë jo shumë larg kohës, që e lamë pas, ku shumë ngjarje dihen nga të gjithë, komunikimi me anë të kujtimeve, shpesh gjendet në zgripin e betejës mes të vërtetës dhe të pasaktësisë, mes objektives dhe personales.
Përveç qasjes subjektive, me anë të kujtimeve, e kaluara edhe në fushën e kulturës dhe letërsisë, ka gjasa që të verifikohet me dokumente, në arkiva dhe me dëshmi faktike, por edhe me studime të thelluara, mbështetur në dokumentet e kohës. Mbi të gjitha, do të duhet që në këtë situatë, kur e kaluara ngatërrohet ende nëpër këmbë, kur atëherë nga dëshira apo pamundësia vetëm është heshtur, e tani flasim me krenari të frikshme, përsiatjet e kujtimeve, duken më tepër si mençuri pas kuvendit, dhe trimëri pas beteje. Rrekja mentare, e paraqitur përmes kujtimesh, me shtysa të një biografizmi të vonuar, të kujton një rrethanë komunikimi, të moteve të kaluara, që lidhej me rrëfimin e trimërirave në luftë me gjermanët, e ciklit të bisedave: “veteranët tregojnë”. Puna është se në jo pak raste, tregojnë kujtime, që çalojnë në marrëdhënie me kohën dhe personazhet, sepse librat me kujtime dhe përsiatje, nuk hyjnë në tipin e literaturës së sirtarit, pra që të sjellin mendime të hedhura qysh atëherë, por më tepër janë shkruar në këtë periudhë, pra janë të përditësuar. Shkrimi i kujtimeve, gati është kthyer në mani, në kriter të vërtetash dhe shenjash estetike, duke krijuar shijen e mungesës së shkrimit të letërsisë. Shkrimtarët, në një masë të konsiderueshme janë lëshuar me turr për të shkruar kujtimet, për kohën e diktaturës, pra edhe për Lidhjen, ku duket se më në fund po hapet kutia e Pandorës.
Megjithatë, sërish e sërish, gjysmë të vërtetat fshehin të vërtetën e heshtjes tonë, e pëshpërimave të pazëshme, në atë kohë. Përballë, morisë së librave, me kujtime, shkruar tashmë sipas midesë së kohës, gjendemi në situatën që është vënë në rrezik ekzistenca e letërsisë. Shkrimi i kujtimeve, përveç të tjerash, na sugjeron se është mbyllur kapitulli i shkrimit të letërsisë, dhe ke përshtypjen se një tru autorësh, po mbyllin hesapet me lexuesin. Librat me kujtime, ndërkaq kanë krijuar një pamje absurde, sikur janë libra të jashtëzakonshëm, të cilët qëndrojnë mbi vetë letërsinë, dhe mbi të gjitha sikur mbi supet e tyre kanë kriterin e të vërtetës. Nuk ka asnjë të keqe, që të shkruajnë, libra me kujtime, madje edhe të vlerësohen me çmime të tredhura, por si pa kuptuar, pothuajse kemi harruar se çfarë po ngjet me letërsinë? Me poezinë që na mbytën me librat e botuar, me gjeni me shumicë dhe me fare pak vlera?! Me prozën, që ka hyrë në ujë, e sidomos me tregimin e shkurtër, që duket se po fshihet nga lëvrimi?!
Me kritikën letrare, ku leksionet teorike dhe përsiatjet akademike, pra mungesa reale e saj shetit për kritikë letrare e nivelit të naltë. Nisur nga panorama e botimeve, e vlerësimeve, e promovimeve në median e shkruar dhe vizive, sa vitrinat skematike të librave, të krijojnë përshtypjen e rrejshme sikur jemi qendra e botës në punët e letrave, kur shkrimtarët, janë kthyer ish-poet dhe ish-tregimtar, jo vetëm pse ia kanë mësy kujtimeve, porse letërsinë në gjithë kohën e kanë trajtuar si medalje trimërore, kur në fakt ajo ka të bëjë me artin dhe shenjat estetike.

Valeria Dedaj : Pandeli Koçi: “Odhise Grillo u dënua nga Lidhja vetëm për një poezi”



Pandeli Koçi


-Në rastin e lexuesit të sinqertë, fëmijës, gjithmonë bëhet fjalë për një letërsi të kontrolluar e të orientuar. Vihet re se shtëpitë e botimit e kanë ulur në masë të konsiderueshme botimin e letërsisë për fëmijë. Qarkullimi i kësaj letërsie transmetohet tek lexuesi i ri. Një sektor i ngritur pranë Ministrisë së Arsimit, programon dhe çfarë i është dhënë lexuesit të vogël vetëm për në programet didaktike shkollore. Rreziku për autorë të rinj të kësaj letërsie nuk shihet si një argument serioz dhe duket se botuesit janë të kënaqur me ata që deri tani kanë pasur, me meritë, dhe e kanë “monopolin“ në letërsinë për fëmijë prej 60 viteve.
Janë rreth 200 tituj, që nga legjenda e Rozafës deri tek ajo e heroit Adem Jashari. Kurse për sa i përket përkthimit të letërsisë për fëmijë ajo kthehet në antivlerë. Krijohet dhe përkthehet një letërsi, ku mungojnë 100 për qind fjalët shqipe. “Letërsia jonë për fëmijë dominohet nga ajo e huaj. Është letërsia me koston më të ulët, edhe pse nuk e konkurron në cilësi letërsinë shqipe. Kjo ka lejuar dhe hyrjen në masë të botimeve pirate. Në raste të tilla, shkurtohen në maksimum për botuesit shpenzimet e ilustrimit, pika që bën aq të kushtueshme këtë letërsi”, thotë në një intervistë për “Shekullin”, Pandeli Koçi, kryetar i Shoqatës mbarëshqiptare për Letërsinë për fëmijë. Shkollat janë i vetmi institucion ku letërsia për fëmijë duhet të hyjë e rekomanduar. Për hartimin e një programi të veçantë me autorët e vendas e të huaj të letërsisë për fëmijë, pranë Ministrisë së Arsimit ekziston një bord i posaçëm me emra të njohur shkrimtarësh.

Zoti Koçi, jemi në prag të një qershorit. Por ç’mund të na thoni për situatën e letërsisë origjinale të fëmijëve në shqip?

Jemi në prag të 1 qershorit dhe fatkeqësisht kujtohemi për letërsinë për fëmijë vetëm me rastin e kësaj feste. Por duhet të kujtohemi çdo ditë për letërsinë për fëmijë, pasi është ushqimi më i shëndetshëm për ta. Fëmijët sot shikojnë televizion, luajnë në internet e kanë lodra të ndryshme. Prandaj është sfidë e shoqërisë njerëzore është se sa do ti rezistojë libri për fëmijë, përballë kësaj teknologjie të lartë. Gjithsesi unë mendoj se leximi filloj me shkronjat në gur dhe do të mbaroj pikërisht me këtë proces, sy dhe shkrim. Pavarësisht se me çfarë mjetesh do të transmetohet. Letërsia shqipe për fëmijë fillon qysh herët me Kristoforidhin, Naim Frashrin, Ndre Mjedën etj. Gjithë kjo letërsi është një fond i artë që ne do ta botojmë dhe do ta ribotojmë. Brezat e fëmijëve kalojnë nga viti në vit, por gjerat më të bukura ripërtërihen, por dhe në ditët e sotme ne kemi vepra shumë të mira. Por duke u nisur nga interesi komercial i biznesit, shumë botues e mohojnë letërsinë e sotme me syzet e errëta të nililizmit.

As vjet në Panairin e Librit nuk u dha asnjë çmim për letërsinë për fëmijë?

Panairi i Librit tregoi se nuk kishte mundësi që të vendosnin disa njerëz që të thoshin se nuk ka vlera. Sepse duke marrë dhe botuar nga letërsia botërore gjërat më të bukura që padyshim kanë vendin e tyre, për interesa komerciale mohojnë dhe letërsinë shqipe. Sepse duke botuar letërsinë shqipe të një autori të njohur shqiptar, duhet që të paguash dhe për piktorin dhe autorin. Këtë një botues nuk e bën sepse do fitimin 100 për qind për vete. E prej kësaj thonë se ato janë vepra të mirëfillta, sepse i do gjithë bota.

Por a kishte një përfaqësues letërsia për fëmijë në jurinë që dha çmimet?

Nuk ka pasur asnjë që të vlerësojë letërsinë për fëmijë. Prandaj në kushtet kur nuk ka një kritikë letrare për letërsinë për fëmijë ka dhe spekulime. Është e drejta e tyre të fitojnë, por jo të spekulojnë. Këtu jemi përpara një fakti dramatik. Faik Konica në kohën e tij do të thoshte se “në qoftë se duam të kemi shpirtin shqiptar si të gjithë kombet e tjera dhe të jemi barabartë me ta, ne duhet të kemi letërsinë tonë. Botuesit tanë duhet të botojnë 50 për qind letërsi të huaj dhe 50 për qind letërsi shqipe”. Kjo është një thënie e madhe që edhe pas 100 vitesh ngelet aktuale. Është e dhimbshme që kemi një situatë të tillë.

Mund të na përmendni disa tituj që vjet kanë qenë pjesë e Panairit të Librit për fëmijë?

Nga këto botime mund të përmend librat e 2012-ës që nuk janë vlerësuar me çmime. Janë librat e Viktor Cenosinajt, libri me tregime dhe novela historike të Moikom Zeqos, përrallat e Xhavit Bushatit, libri me fabula të Vangjush Saros, vepra të shkrimtares Nexhime Muça, romani i Riza Brahollit etj, të gjithë këta libra sjellin diçka të re. Pa përmendur dhe libra të autorëve të rinj.

A ka autorë të rinj për letërsinë për fëmijë?

Këtu dalim në një problem tjetër. Pasi emrat që përmenda janë emra që shkruajnë përditë, por janë nga 80 vjeç. Por a kemi ne një 20 vjeçar që t’i lançojmë? Unë mendoj dhe kam bindjen se ka. Problemi është se sa ne i lançojmë, sa i nxjerrim në dritë botimet e këtyre autorëve të rinj. Këtu nuk kemi të bëjmë me botime të karakterit komercial që i boton një mësues dhe ua shet nxënësve në shkollë me njohje, por libra që kanë vlerat e duhura.

Ekziston një konkurs letrar për autorët e rinj?

Unë mund të flas vetëm për një gjë. Për atë që bëri Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Ministria e Arsimit për ta nxitur këtë letërsi në 100-vjetorin e Pavarësisë, në një kohë që ne si shoqatë i kërkuam që të bëjmë një konkurs letrar. Por ata nuk na dhanë asnjë përgjigje.

I keni pyetur nëse kjo neglizhencë vinte për mungesë fondesh dhe apo për mungesë të letërsisë për fëmijë?

Kë të pyes, muret?! Muret e burokracisë. Unë kam folur në media, kam protestuar për këtë fakt dhe si përgjigje kam marrë vetëm heshtjen. Heshtja tregon se sa interesohen për këtë letërsi. Shkrimtarët nuk merren me botimin e librit. Ata kanë detyrë të shkruajnë me cilësi, ashtu sikurse mund të pranojnë dhe kritikat.

Realisht a kemi një kritikë letrare të letërsisë për fëmijë?

Mund të them se ka studime letrare. Mund të them se janë botuar libra, leksikonë të rinj dhe të vjetër nga studiuesit më të mirë që kemi si Xhavit Bushati, Xhevat Syla etj, që kanë shkruar kritika dhe kanë bërë studime për letërsinë për fëmijë. Por mund të them se studimet janë tjetër gjë dhe kritika është tjetër gjë. Ne kemi ngelur tek recesioni. Pasi nëse bëhet një kritikë duhet që të dish kush e boton këtë kritikë. Sepse po të ulesh dhe të shkruash të dalin dhe probleme. Një kritikë duhet të jetë me konceptet estetike dhe me parimet e reja që ka bota sot. Nuk duhet më të tregosh subjektin. Por duhet të bësh një kritikë që të jetë mbi bazat e pedagogjisë, psikologjisë dhe të estetikës së sotme botërore. Por a i kemi ne këta të rinj të edukuar për të bërë kritik? Kjo ngelet për të diskutuar.

Sa i përket përkthimeve të letërsisë për fëmijë, çfarë mund të thuash?

Duhet të them se kemi pasur një traditë të mirë të përkthimeve në kohën e komunizmit sepse kalonin në një filtër të gjatë. Nga recesioni, në redaktim, në korrekturë deri tek botimi i librit, natyrisht brenda kufizimeve ideologjike dhe politike të kohës. Nuk duhet harruar ky fakt, sepse vërtetë kishte kërkesa, por dhe libri dilte pa asnjë gabim drejtshkrimor. Sot në treg është fakt që përkthimet nga përkthyesit e mirë janë shumë të mira, por ka dhe përkthime të dobëta, me fraza që nuk janë në gjuhën shqipe. Me fraza që u mungon redaktimi dhe korrektura gjuhësore. Për shembull nëse thua ishte prezent filani, duhet ta zëvendësosh me ishte i pranishëm. Këto ne nuk i shikojmë të dëmshme, por fëmija me këto mësohet.

Çfarë roli luan shkolla tek letërsia për fëmijë?

Shkolla luan një rol të jashtëzakonshëm. Sepse me letërsi për fëmijë nuk nënkuptojmë vetëm letërsinë artistike, por atë enciklopedike, historike të cilat janë për mosha të caktuara. Krahas librit të historisë mësuesi u jep dhe materiale shtesë. Në këto kushte i ngelet detyrë që mësuesi të rekomandojë libra. MASH ka një bord, një komision që propozohen librat jashtëshkollor që duhet të lexohen. Kjo është pozitive, por sesa zbatohet është tjetër problem. Që nga vitin 1991 kur ne u shkëputëm nga Lidhja e Shkrimtarëve, kjo shoqatë ka luajtur rol për të afruar shkrimtarët, duke përkujtuar shkrimtarët dhe duke bërë konkurse letrare. Por shoqata pret dhe nga institucionet.

Para ’90-ës, ju keni qenë anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve. Çfarë kujtoni nga puna që bëhej për letërsinë për fëmijë asokohe?

Duhet të jemi realistë. Lidhja e Shkrimtarëve ishte një Lidhje aq sa të jepte mundësinë, aq dhe të kufizonte. E kufizuar nga kriteret ideologjike të partisë-shtet që për bazë kishte normat e realizmit socialist dhe estetikën marksiste-leniniste. Në atë kohë leje krijuese të jepej për të botuar në gazetat “Drita”, “Zëri i Nëntorit”, apo në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” ku çdo njeri mund të çonte librat për të botuar. Por jo çdo njeri mund të botonte nëse nuk arrinte një nivel mesatar të asaj kohe. Liria krijuese ishte e kufizuar për autorë të ndryshëm, por jepeshin leje krijuese për shkrimtar profesionist që realisht punonin si të tillë. Nëse shkelje ato rregulla të ngurta të të ashtuquajturit realizmi socialist dënoheshe, ose të hiqej e drejta e botimit. Ose të ndodhte siç u ndodhi shumë shkrimtarëve që u futën nëpër burgje sepse kishin shkruar disa gjëra jashtë vijës së Partisë.

Cilët kanë qenë ata shkrimtarë për fëmijë që nuk janë influencuar nga normat e realizmit socialist?

Letërsia për fëmijë ishte identike siç ishte letërsia për të rritur. Por në letërsinë për fëmijë duhej patjetër që ti këndohej xhaxhit Enver dhe partisë në poezitë që bëje, sepse redaktori duhet të ishte brenda. Mund të them se i vetmi autor që nuk shkroi ndonjëherë për mëmën parti dhe që diti të manovronte ishte Xhavat Beqari. Ai nuk shkroi dhe nuk e ideologjizoi poezinë e tij, këtë shumë autorë të tjerë nuk e bënë. Mes tyre jam dhe unë. Unë vetë kam shkruar poezi që kanë një frymë ideologjike për theks për partinë. Ajo që ka qenë mbizotëruese në gjuhën poetike të kësaj letërsie shqipe ka qenë retorizmi dhe patetika, dy element që ne i quanim vlera nëse poezia i përmbushte. Këtë e theu vetëm poezia e Ismail Kadaresë, Fatos Arapit, me një frymë më popullore e Dritëro Agollit dhe të tjerë që sollën një lirizëm në letërsisë për të rritur. Ata sollën vlera. Në atë thesin e letërsisë për fëmijë ishin poezitë e Spiro Çomorrës, të Bedri Dedjës, vepra të cilat kanë vlera dhe sot e kësaj dite. Prandaj unë mendoj se nuk duhet mohuar çdo gjë në mënyrë kategorike, ashtu siç nuk duhet pohuar çdo gjë në mënyrë kategorike. Duhet të nxjerrim atë që është e paprekur për t’ia dhënë brezave të ardhshëm. Kjo është detyrë e kritikës letrare, e botuesve dhe e shkrimtarëve.

Ka pasur shkrimtarë për fëmijë që janë dënuar?

Patjetër që po.

Kush ka qenë?

Ka qenë “Mjeshtëri i madh” Odhise Grillo. Ai duke u nisur nga një këngë popullore e bregut të Himarës, shkroi një këngë për heroin Zaho Kokën. Në këtë këngë popullore thuhej se “O Zaho Koka trimi, në ballë ç’të digjej ylli”. Grillo e merr këtë varg popullor dhe i shton pjesën “ dhe digjen yjet, dhe digjen teserat, dhe digjen flamujt” dhe e boton në rastin e 1 qershorit. Kritika e asaj kohe ia quan gabim ideologjik, sepse nuk ka sesi të digjeshin teserat dhe flamujt. Për këtë e dërgojnë Odhise Grillon në Elbasan ku qëndron 7 vjet rresht. Aty herë punonte si mësues dhe herë si punëtor i thjesht. Në mos gaboj vjersha është botuar tek “Zëri i Popullit”.

Mihal Hanxhari, ky ajsberg i vetmisë



Nga: Yzedin Hima

Mihal Hanxhari tërë jetën ledhatoi librat e të tjerëve, por nuk arriti kurrë të prekte librat e tij. Ai punoi gjatë si punonjës biblioteke në bibliotekën e Universitetit të Tiranës.Veprat e tij në proze dhe poezi u botuan pasi ai ndërroi jetë, në vitin 1999. Arsyeja kryesore e mospublikimit të këtyre teksteve, ose arsyeja e fshehjes në kohë të këtyre teksteve, gjendet te vetë këto tekste. Shkrimtaria dhe vepra letrare e Mihal Hanxharit bie ndesh me metodën dhe produktet e vetdijes kolektive të shkrimtarëve të socrelizmit. Pas botimit, tekstet letrare të Mihal Hanxharit shpejt ranë në sy të lexuesit dhe kritikës letrare për shkak të diskursit origjinal dhe modern të tyre. Shkrimtari Mihal Hanxhari e tronditi “protokollin e ngrirë të letrave shqipe”, duke zënë vendin e nderuar si poet e prozator. Mihal Hanxhari me tekstet e tij letrare përfaqëson atë letërsi që qe krijuar dhe shkruar gjatë diktaturës, por nuk qe çuar kurrë në shtëpinë botuese, sepse pengohej prej frikës se nuk do të pranohej për botim. Autori ishte i vetdijshëm se kjo letërsi nuk ishte nyjëtuar sipas metodës së realizmit socialist. Këto tekste nuk janë çuar për botim prej frikës së dënimit të tekstit dhe prej frikës së dënimit edhe të autorit të tekstit, siç kishte ndodhur rëndom. Mihal Hanxhari me tekstet e tij letrarë përfaqëson atë letërsi të penguar që u shfaq pas rënies së diktaturës dhe shkaktoi habi estetike te lexuesi. Mihal Hanxhari i përket si shkrimtar një letërsie tjetër, e cila u zhvillua krahas letërsisë së realizmit socialist në Shqipëri gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX. Kjo letërsi, për shkak të dallimeve esenciale me letërsinë e realizmit socialist, mund të emërtohet si letërsia e penguar. Kjo letërsi ekziston si rrjedhë e veçantë me një sens të kundërt si shkrimtari me letërsinë zyrtare. Kjo letërsi me tekste letrare të autorëve si Mihal Hanxhari, Zef Zorba etj. zë një vend të rëndësishëm në mozaikun e “Letërsisë shqipe” si vazhdim i letërsisë së modernitetit, letërsi e ndërprerë dhunshëm nga metoda e realizmit socialist, por që vijoi rrjedhën pikërisht në kushte ilegale ose gjysëm ilegale. Kjo letërsi i ruajti tiparet e modernitetit si shkrimtari dhe si tekst, duke i pasuruar më tej këto tipare. Mihal Hanxhari ka qënë njohës i disa gjuhëve perëndimore dhe e ka ndjekur me vëmëndje rrjedhën e letërsisë botërore, gjë që ka ndikuar edhe në formën e nyjëtimit të teksteve të tij letrare. Në teoritë e sotme të leximit ka mendime se kuptimi i një teksti gjendet dhe zbulohet edhe te lexuesi. Përfytyrohet fati i keq i teksteve që burgoseshin në kohë. Këto tekste humbnin lexuesin e kohës së tyre, por humbnin edhe një pjesë të kuptimit të tyre që gjendej pikërisht te ky lexues. Dihet se një tekst që është shkruar dyzet vjet më pare, nuk lexohet krejt njëlloj nga lexuesi i dyzetë viteve më pas. Mungesa e lexuesit, sidomos lexuesit të kualifikuar, mungesa e krahasimit të teksteve letrare, mungesa e konkurimit të tyre e dëmton krijimtarinë letrare. Mungesa e receptimit në kohë të veprës letrare të Mihal Hanxharit dhe e disa shkrimtarëve të tjerë si Zef Zorba, Frederik Rreshpja, Visar Zhiti, natyrisht ka deformuar rrjedhën normale shkrimtar- vepër letrare – lexues, duke krijuar një hierarki vlerash letrare me mungesën mbreslënëse pikërisht të këtyre autorëve.

Mihal Hanxhari trondit protokollin e ngrirë të letrave shqip

Tekstet letrare të Mihal Hanxharit, krahasuar me tekstet letrare të autorëve bashkëkohës me të, dallojnë qartë. Tekstet letrare të Mihal Hanxharit nuk janë nyjëtuar sipas parimeve të ngurta të socrealizmit, por kanë tiparet më të mira të letërsisë së modernitetit të viteve 30 – 40 të shekullit të kaluar. Autori e ka pasuruar këtë tipologji me karakteristika të letërsisë bashkëkohore europiane. Diskurset e kësaj letërsie nuk ishin qëllimore, nuk ishin ideologjike. Shkrimtarët bashkëkohës të Mihal Hanxharit, të cilët i ngjizën tekstet e tyre letrare sipas metodës së realizmit socialist, me disa përjashtime, lanë pas një letërsi të zotuar, një letërsi të qëllimshme, e cila në mjaft tekste të saj nuk i qëndron më kohës për shkak të politizimit dhe nivelit të zbehtë artistik. Metoda e socrealizmit do të çmineralizonte çdo lloj teksti të krijuar në letërsinë shqipe dhe letërsia do të humbte tiparet si e tillë. Edhe përpjekja e ndonjë shkrimtari me talent letrar për të bërë “martesën” e letrares me propagandën mund të prodhonte një farë teksti letrar apo vepre letrare që mund të klasifikohet si letërsi e zotuar, apo letërsi e qëllimtë. Krahasuar me tekstet letrare të krijuesve bashkëkohës të tij, tekstet letrare të Mihal Hanxharit kanë epërsi sepse janë shkruar pa autocensurë, duke refuzuar parimet e ngurta të socrealizmit dhe publikimin e tyre në kohën e diktaturës. Vepra e tij i shpëtoi kontrollit të censurës zhdanoviste për faktin e thjeshtë se nuk u botua, e për rrjedhojë nuk kaloi nëpër morsën e shtërnguar fort të letërsisë së socrealizmit, gjë që kishte ndodhur me të gjithë tekstet letrare të botuara të autorëve bashkëkohës të tij. Mihal Hanxhari për nga mosha i përket brezit të artë të shkrimtarëve që krijuan disidencën estetike në vitet ’60 të shekullit të kaluar si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Dhori Qiriazi, Fatos Arapi etj. Kemi të bëjmë me një brez krijuesish mjaft të talentuar, të cilat falë talentit të tyre thyen kornizat e ngurta dhe krijuan mjaft tekste letrare, të cilët zor se mund të përkufizohen si letërsi e socrealizmit. Sidoqoftë, edhe në këto tekste ndihet autocensura dhe censura. Tekstet letrare të Mihal Hanxharit, për nga niveli artistik qëndrojnë pranë teksteve letrare të këtyre autorëve të shquar, por pa ato “tatuazhet” që lë në to autucensura dhe censura. Në tekstet letrare të Mihal Hanxharit miti i turmës, që gjendet rëndom në tekstet letrare të bashkëkohësve të tij, zëvëndësohet me mitin e vetmisë. Te teksti i poezisë “Ajsberg” njeriu është peshk i vetëm nën trysninë e ajsbergut të vetmisë: Ajsberg i vetmisë / Kujtimi yt i bardhë flet me yllin polar / Po dëshpërimi yt i heshtur nën ujë /… (poezia “Ajsberg”). Një tekst i tillë zor se mund të shihte dritën e botimit para viteve ’90, ndonëse është krijuar dhe shkruar në ato vite. Miti i fitores, aq shumë i pranishëm në tekstet letrare të autorëve të brezit të tij, te Mihal Hanxhari zëvëndësohet me mitin e humbjes, miti i krijimit të njeriut të ri zëvëndësohet me mitin e metamorfozës: … Dhe ne të gjithë jemi memecë / Ngjajmë me thnegla që venë e vinë / Me nga një mal sipër në shpinë… / ( poezia “Fjalët”) Në tekstet letrare të shkrimtarëve bashkëkohës, me një farë futurizmi i këndohet betonizimit dhe pallateve me shumë kate, ndërsa Mihal Hanxhari shkruan:… Zot shpëtoje Tiranën / Lërja këto ura nate me hënë…/ Lërja aromat e lashta / Që derdhin pjergullat / Lëri mos i tremb shpirtrat e bardhë / Të stërgjyshërve tanë / Që janë aty aty…/ (Tirana). Disa nga tekstet poetike për dashurinë të poetit Mihal Hanxhari, parë në aksin estetik dhe atë kuptimor janë antologjikë, krahasuar në kontekstin e brezit të tij letrar e më gjerë. Uni poetik në lirikën e Mihal Hanxharit ndihet i lirë pikërisht kur arratiset në dashuri: …Atë natë në ajrin e vakët / Sikur qemë zhytur lakuriq në qiell… ( poezia “Ti ankora ime”). Dy poemat për dashurinë të titulluara “Aldebaran” dhe “Menhir” janë unikale në llojin e tyre dhe është pakëz e vështirë për të gjetur simetrinë e tyre në poemat lirike të kohës. Në poemat lirike të poetëve bashkëkohës të Mihal Hanxharit nuk gjen tekste që t’i këndojnë dashurisë nga fillimi deri në fund; aty lirika e dashurisë ndërthuret me atë të krijimit të koncepteve të reja për jetën, krijimin e mardhënive të reja midis njerëzve në kantjere etj., ndërsa te dy poemat e Mihal Hanxharit i gjejmë të gjithë arketipet e dikursit poetik të tij si: dashuria si zanafillë dhe njëkohësisht si përjetësi e ekzistencës së njeriut, dashuria si perandori e përjetshme, dashuria si kontinuitet i pandërprerë i jetës njerëzore.

Iku më 1999 dhe u kthye më 1999

Mihal Hanxhari u lind më 1930 në Kentaki (SHBA) dhe u rrit në Tiranë. Studimet e mesme i kreu në gjimnazin e Tiranës, ndërsa studimet e larta në Universitetin e Budapestit në degën Histori – Gjeografi. Në vitet ‘60-‘75 emërohet Drejtor i Bibliotekës Shkencore të Universitetit të Tiranës, ku kryen një punë të shquar për ngritjen në nivele evropiane të kësaj biblioteke. Në vitin 1975 u pushua nga puna si njeri liberal dhe përhapës i kulturës borgjeze dhe u dërgua sportelist në një filial të bibliotekës, ku punoi në hije dhe i izoluar për 15 vjet, derisa doli në pension. Me shembjen e diktaturës, kultura dhe aftësitë e tij u vlerësuan dhe në vitet ‘94-‘95 mban leksione në Institutin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale në Paris. Mihal Hanxhari për shumë vjet me radhë pati shkruar një numër të madh poezish, prozë dhe përkthime, të cilat u gjetën pas vdekjes së tij në qershor të 1999, që u botuan nga familjarët dhe shokët. Ato përbëhen nga dy vëllime me poezi, tri vëllime me proza poetike dhe gjashtë vëllime me përkthime të poetëve të mëdhenj botërorë. Kritikët shqiptarë e kanë vlerësuar lart këtë krijimtari. Këto vlerësime janë botuar në një vëllim të veçantë të titulluar: “Mihal Hanxhari. Njeriu dhe vepra”. (Shënimet janë nxjerrë nga libri “Gdhend një statujë”- poezi- 2005). Krijimet e Mihal Hanxharit përbëhen nga dy vëllime me poezi origjinale, tri vëllime me proza poetike origjinale dhe gjashtë vëllime me përkthime të poetëve të mëdhenj botërorë, si Mikelangelo, Shakespeare, Tagore, Wilde, Baudelaire, Gide. Vitet e fundit janë botuar librat e tij në prozë, poezi dhe përkthime. Kështu janë botuar “Se sytë e mi kështu e shohin botën “, poezi, 1999; “Na ishte njëherë”, prozë, 2000; ” Ti vdekja ime e mbushur me jetë”, poezi, 2002; “Gdhend një statujë”, poezi të zgjedhura, 2005; “Malli për Shqipërinë”, poezi dhe tregime për shkollat 8-vjeçare, 2002; “Duke dëgjuar heshtjen”, skica dhe tregime, 2002. Mihal Hanxhari duhet të përfaqësohet në historinë e letërsisë shqipe si një shkrimtar i shenjuar i gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë. Po pse? Sepse vepra e tij letrare, parë në kontekstin e veprave të shkrimtarëve të brezit të tij, është mjaft e arrirë dhe qëndron me dinjitet artistik në mozaikun e krijimtarisë letrare të këtij brezi të artë krijuesish. Ai duhet të përfaqësohet në një histori letërsie sepse, krahas vlerave artistike të pazakonta, ai përfaqëson krijuesin që nuk bëri asnjë lloj kompromisi në dëm të artit, duke refuzuar botimin e receptimin e teksteve letrare të deformuara sipas metodës së socrealizmit. Shkrimtari Mihal Hanxhari në antologjinë letrare mendoj se mund të përfaqësohet me këto tekste: poezitë “Ajsberg”, “Fjalët” dhe “Elegji për Kosovën”, me fragmente nga poemat “Aldeboran” dhe “Menhir” dhe me prozën poetike “Dritare të hapura”.

Habi estetike

Në tekstet poetikë të Mihal Hanxharit dukuritë, objektet, njerëzit, ngjyrat, tingujt, format shfaqen në një dritë zanafillore, që projekton skenën e pandërprerë të shndërrimeve të tyre. Kjo mënyrë konceptimi e ndihmon mjaft poetin për të ndërtuar realitete artistike, ku shenjat sjellin imazhe të gjalla të metamorfozës nga zanafilla deri në çastin fatlumë të shfaqjes.

Poezia “Fjalët” është tipike, ndaj mendoj se duhet të jetë në antologji. Ashtu siç krijohet një stalakmit duke pikur për mijra vjet, ashtu është krijuar edhe fjala. Onomatopeja pike pike krijon muzikën e këtij krijimi: Sa mija vjet sa mija vjet / Sa errësirë sa terr në net’ / Sa vezullim e sa shkëlqim / Pikë pikë pikoi pikoi / Shkronja me shkronjë u lidh ngadalë / U bë rrokje u bë fjalë…/ Në këtë tekst autori ka parathënë fatin e poezive të tija: … Të gjitha fjalët e bëra gurë / Të gjitha fjalët e bëra rërë / Ah si do të vijnë të gjitha tok / Në këmbë do ngrihen do marrin krahë / Do hedhin tej plloçën e gurtë / Me dritë qiellore me kor qiellor /. Mendoj se poezia “Ajsberg”, gjithashtu, duhet të përfshihet në antologji për shkak se një tekst letrar i tillë është vështirë të gjendet te tekstet letrare të poetëve bashkëkohës, për arsye që merren me mend: poezi simbolike, me theks të fortë te fati i njeriut në tirani: Ajsberg i vetmisë / Kujtimi yt i bardhë flet me yllin e polit / Po dëshpërimi yt i heshtur nën ujë / Peshon peshon më shumë se qielli /… Poezia “Hije reshë” sjell energjinë e pazakontë që ka fjala tek tekstet e Mihal Hanxharit për të shprehur dhembjen për mungesën e lexuesit: Ku drita kish ikur nëpër terr / Për t’u bërë gjak i mpiksur / në një varg / … Mendoj se kjo poezi është antologjike, parë në rrafshin estetik dhe atë kuptimor.

Poezia “Elegji për Kosovën”, mendoj se është një poezi atdhetare unitare për këto arsye: Eshtë një lutje e gjatë drejtuar Zotit për të shpëtuar sytë e fëmijëve të Kosovës: …. Zot shpëto ata sy të kaltër të peshqve blu / Që flenë në shi dhe ëndërrojnë engjëjt e tu /…; për të shpëtuar heshtjen e pleqve të Kosovës: Zot shpëto ato heshtje të pleqve të Kosovës / Që flasin me brazdat e baltës plot ujë të vjetër / Ujë nga shiu i pare i botës që njomi këtë dhe … / Në poezinë atdhetare bashkëkohëse të Mihal Hanxharit kemi urrejtje, kushtrime, vringëllima armësh, luftime, heronj, ndërsa te ky tekst kemi një lutje. Një lutje elegante, sa njerëzore aq edhe poetike, ku poeti i përunjgjur i drejtohet të Gjithfuqishmit.

Mihal Hanxhari ka shkruar mjaft poezi në forëm proze, apo siç emërtohen proza poetike, ndër tekstet e tij poetike më të arrira. Në antologji mund të sjellim njërën prej tyre të titulluar “Dritaret e hapura”. Autori me një frymë, vetëm me një fjali të përbërë, vizaton një pejzazh mahnitës, ku fjalët janë edhe ngjyrë, edhe muzikë, edhe mendim.

Poemat lirike të Mihal Hanxharit “Aldebaran” dhe “Menhhir” janë dy krijime të cilat duhet të jenë në antologji. Të dy poemat janë ndër krijimet më të arrira të llojit në gjithë lirikën e dashurisë të krijuar nga poetët e brezit të tij. Poeti Mihal Hanxhari, siç nënvizuam edhe më lart, e sheh dashurinë të vjetër sa bota, dhe të dashuruarit të vjetër sa dashuria. Në rrafshin semantik ky përcaktim është i përligjur. Te njeriu ekziston e djeshmja, e sotmja dhe e nesërmja në forëm kujtese, gjuhe, genesh, experience, tiparesh. Edhe dashuria e sotme shndërrohet dhe krijon menhiret e së nesërmes: Dhe aty buzë detit lëshuam hijen tonë / Hije menhiresh dashurie që përqafohen përjetë me kujtimin /.( Poema “Menhir”) Mahnia estetike e lexuesit është e përligjur kur takon vargje të tillë: O natë erdh’ muzika zbathur nëpër erë / Deti nisi zërat me gjemit’e tia / Këngë, o këngë ku mbytet dashuria / Shpirti rri zgjuar, dhembjen vë të flerë / O natë erdh’ muzika zbathur nëpër erë. / (vargje nga poema “Aldebaran”). Mendoj se dy poemat janë menhirë të gdhendur në gjuhë nga poeti Mihal Hanxhari. Ai e shihte dashurinë edhe si strehë, ku mund t’i shmangej urrejtjes dhe dhunës, ku mund të ndihej i lirë.

PROF.DR.SALI BYTYQI: MODERNITETI I NDËRPRERË NË POEZINË E VITEVE '70: MOIKOM ZEQO


Prof.Dr.Sali Bytyqi  


Poezia e sotme shqipe, e krijuar në Shqipëri gjatë kohës së diktaturës, kishte raporte të çuditshme me censurën: herë i nënshtrohej asaj, herë e kundërshtonte, por vazhdimisht si hije ishte e përcjellë nga censura. Pas poezisë së viteve ’60, të cilës i dhanë tonin poetë si Ismail Kadareja, Dritëro Agolli, Fatos Arapi etj., në dekadën në vijim, poezia e krijuar në Shqipëri bëri përpjekje të shkonte përtej; të bëhej zë i subjektit lirik i cili e shihte ndryshe botën. Deri në këtë kohë ky subjekt lirik veten e kishte parë përmes botës, pikëvështrim që me poezinë e të lartpërmendurve ishte kthyer në një klishe letrare, tani kishte ardhur momenti të bëhej e kundërta, pra bota të vështrohej përmes pikëshikimit të subjektit lirik. Kështu, në fillimvitet ’70 nisi të përvijohej një frymë e re që binte ndesh me frymën zyrtare të poezisë që ishte krijuar deri në këtë kohë, por edhe që vazhdonte të krijohej më tej. Poetët që e nisën këtë rrugëtim të ri dhe të cilët u ballafaquan me censurën ishin: Fatos Arapi, Moikom Zeqo, Thanas Dino, Xhevahir Spahiu, Frederik Rreshpja, Faslli Haliti, Viktor Qurku, Sadik Bejko etj. Në këtë kohë ka krijuar edhe Zef Zorba, por nuk ka botuar deri në vitet ’90. Kjo poezia, e shkruar në periudhën 1970-1973, është bashkëkohore me poezinë moderne, të krijuar jashtë Shqipërisë, por përpjekja e saj, që të tejkalonte praxisin e poezisë shqipe të deri kësaj kohe, që edhe ia arriti deri diku, ishte fatale, sepse dora e dhunshme e pushtetit e ndërpreu, duke mos e lënë të zhvillohej më tej.

Profili krijues i Moikom Zeqos

Para se të botonte ciklet me poezi moderne në vitet ’70, Moikom Zeqo kishte botuar edhe dy vëllime poetike, “Vegime të vendlindjes” (1968) dhe “Qyteti Feniks” (1970), në të cilat shpërfaqej individualiteti i tij i veçantë krijues, por i cili shpërthen kryesisht në poezinë që e shkruan pas tyre.

Poezia e Zeqos, e shkruar në këtë kohë, shkëputet nga poezia zyrtare së cilës edhe i dhe i kundërvihet; ngjyrat e errëta, ankthi, trishtimi krijojnë atmosferën e këtyre poezive; mitikja dhe modernia gërshetohen, ndërsa imazhet surrealiste, simbolet dhe metamorfozat janë disa nga veçantitë që e shenjojnë poetikën dhe estetikën e poezisë së tij. “Kualitativisht te kjo poezi janë ngjizur në mënyrë të pastër e origjinale tiparet e lirikës bashkëkohore evropiane, kategori estetike të imazhit dhe vizionit spektral, çka e bën këtë poezi të jetë, larg ajrit të vjetruar provincial”, 1 kështu e ka karakterizuar Agron Tufa, poezinë e Moikom Zeqos të viteve ’70.



Dr.Moikom Zeqo, në shtëpinë e poetit amerikan Aaron Page - në vitin 2007.


Zeqo i kthehet mitit kombëtar dhe baladave popullore, ai është poet i bregoreve të detit dhe i limonëve që i stolisin ato; poet i erës së jugut, por edhe i antikitetit. As subjekti lirik i poezisë së tij, po as gjuha, as figuracioni, as harmonia e tij me botën dhe shoqërinë, nuk janë të realizmit socialist. Shkurt, poezia e Zeqos është e krijuar sipas poetikës moderne. Të gjithë përbërësit e saj të çojnë në këtë konkluzion.

Përmbysja e estetikës së realizmit socialist

Në kohën kur poezia, po edhe krejt letërsia shqipe, ishte e mbushur me një fjalor pozitiv, me të cilin shprehej optimizmi për perspektivën e ndritshme të shoqërisë së re, ku hapësira dridhej nga zhurma e zërave të njerëzve, subjekti lirik i poezisë së Moikom Zeqos refuzon komunikimin me jashtë. Ai është një qenie anonime, jeton në një botë të padefinuar, ekzistenca e tij nuk ka qëllim etj.:

Është bota pa emra,

ku ti s’ke emër,

s’di pse ke lindur, ekzistencë pa qëllim.2

Ky subjekt mbyllet në vete, refuzon komunikimin me jashtë; në shenjë mospajtimi me të, por edhe në shenjë vetëmbrojtjeje nga rreziqet që i vijnë prej saj:

Mos më folë të lutem mos më folë!

Fantazma hamletiane më janë fjalët në ëndërr

(Mos më fol)3

Përse mbyllet në vete subjekti lirik i poezive të Moikom Zeqos, në kohën kur shumica e poetëve shqiptarë i këndonin kohës së madhe të partisë, zhvillimit të teknologjisë, arritjeve të reja në industrializimin e vendit? Arsyen e kësaj mbylljeje e zbulojmë përmes dekodimit të fjalorit shekspirian, personazheve të Shekspirit dhe shprehjeve që i hasim në këtë poezi, kryesisht ato nga tragjedia “Hamleti”, si: fantazma hamletiane, kumti i orakujve etj. Pra, Shqipëria e subjektit lirik dhe Danimarka e Hamletit këtu vihen përballë, ndërsa jeta e subjektit lirik të kësaj poezie zhvillohet në analogji me jetën e Hamletit.

Të gjithë e dinë fatin e Hamletit.

Hamleti bir mbreti, student i cili para vetes ka jetën, por që e gjithë kjo shprishet kur atij i paraqitet fantazma e babait të tij të vdekur, e cila i tregon se vdekja e tij nuk ishte e natyrshme. Ashtu si Hamleti, edhe subjektit lirik i poezisë së Zeqos, të gjitha ato që nuk i mëson nga realiteti, i mëson nga ëndrra, kur fjalët i shndërrohen në fantazma hamletiane. Kur i lexojmë këto vargje, nëpër kokë na sillen thëniet nga tragjedia e Shekspirit “Hamleti”: Të rrosh apo të mos rrosh, është çështja; bota që u prish dhe Hamleti duhet ta ndreqë etj. Këtu zotëron një realitet i rremë, i cili, për t’u shprishur, mjafton një shkëndijë; pra është i njëjti realitet me atë të tragjedisë “Hamletit”.

Pra, sikur në tragjedinë e Shekspirit, edhe në këtë poezi, dominon vdekja; kur ajo është regjisore e dramës që quhet jetë, dihet fati i personazheve të saj.

Si përfundim, nëse vepra prej së cilës i ka nxjerrë poeti këto figura që i përmendëm më lart është tragjedi, dihet fundi i subjektit lirik të kësaj poezie. Përfundimi me disfatë, është në analogji me fatin e Hamletit:

Me kafkën time në duar endem,

me ankthin sartrian e them dhe sentencën-

bëj të ringjallem e... abortoj vetveten!4

Në çdo varg të poezisë së Zeqos kemi një përmbysje të estetikës së realizmit socialist. Për subjektin lirik të kësaj poezie, pas ndarjes, “fjalët janë Afërdita të thyera, trena të përmbysur nga shinat” (Mbas ndarjes),5 por ky subjekt është edhe Krisht i fjalës:

Në kishën e artë e të pafund të vjeshtës

unë Krishti i fjalës kryqëzohem tani...

(Vjeshta e dhimbjes)6

Në poezinë e Zeqos, të krijuar në gjysmën e parë të viteve ’70, fjala është një kalë i cili ia merr kohës lëvizjen, për ta dërguar subjektin lirik te dritarja e yllit (Për të mbërritur).7

Subjekti lirik-identiteti

Ndërsa në poezinë zyrtare të kohës subjekti lirik identifikohet me klasoren, në poezinë e Zeqos ky subjekt identifikohet me kombëtaren. Ai botën e sheh përmes identitetit vetjak, i cili është edhe identitet i komunitetit të cilit i takon, identitet i popullit të tij. Shenja me të cilat identifikohet ky janë baladat, qytetet antike, Rozafa, e cila është “metaforë prej guri” etj.: “Metaforë popullore prej guri/ E gjakut tonë dhe jetës” (Rozafa).8

Ky subjekt është i lidhur me emrin e tij; është sa real po aq edhe mitik; lëviz në thellësi (në të shkuarën). Pra nuk është një qenie që lëviz në kohën e madhe të Partisë, nuk lëviz në sipërfaqe, po në thellësi:

Lëviz vertikalisht, emrin s’e jap,

se prapë i dyzuar ngrihem prej ëndrrës

gjigant i nëndheshëm legjende.

(Prej dheu jam)9

Ndërsa vazhdon jetën, ushqimin e merr nga vetvetja, pra është qenie që nuk ushqehet nga e huaja. Këtu “e huaj” mund të konsiderohet ideologjia që ishte në fuqi; ky subjekt lirik ushqehet nga vetja, nga e kaluara e tij, e cila përbën edhe trupin shpirtëror të tij:

Ushqehem për gjithë shekujt që vijnë

duke ngrënë e ripërtypur trupin tim!

(Vetëm)10

Vetmia, trishtimi, mërzia

Ky subjekt është dy herë i izoluar: ai, nga jashtë, jeton në një ishull të largët, por ai në të njëjtën kohë është i izoluar edhe nga brenda, pra dy herë i izoluar. Jeton në ishull, por edhe vetë është një ishull:

Dhe ti thinjesh si Robinsoni,

jo vetëm në një ishull të izoluar të largët:

po dhe brenda vetes tënde mbyllur.

(Shpjegimi i fjalës vetmi)11

I vetmuar si Robinsoni, me ankthin sartrian në shpirt, një fantazmë që sillet hamletiane ja “dekori” në të cilin gjendet subjekti lirik i poezisë së Zeqos. Ky subjekt lirik më shumë është Hamlet dhe Faust, në të njëjtën kohë, por edhe një Robinson i vetmuar:

Në sfond Sahara dhe piramidat

Jam vetëm. Më tmerron vetmia (bile më tepër

se vdekja)

(Kënga e Urës së Qabesë)12

Tonet trishtuese e përcjellin subjektin lirik të poezive të Moikom Zeqos kur trishtimi ishte i ndaluar zyrtarisht:

Ku të futem Trishtim? me lëkurën time

u bëj metaforave një çati!

(Çast në muzg)13

Po ashtu edhe grotesku zë një vend të gjerë në poezinë e Moikom Zeqos. Çamçakezi i reve që mbllaçitet nga yjet ose një botë që mbllaçit vetveten, duke u kthyer në një çamçakëz universal (Çamçakëz),14 ose një kohë e marrëzishme mbyt ditët si Medea fëmijët! (Koha).15 Në një poezi tjetër koha përfytyrohet si një shpend vigan:

Koha është një shpend vigan,

një krah i saj dita, tjetra nata.

Krau, klith – unë i jap mishin tim

ndryshe fluturimi s’vazhdon.

Krau, krau – një skelet në kozmos fluturon!

(Koha)16

Përfundim

Izolimi i letërsisë së krijuar në Shqipëri nga zhvillimet artistike bashkëkohëse jashtë saj, në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë, ka qenë më i theksuar se në kohën e sundimit otoman apo gjatë periudhës së monarkisë. Fare të paktë ishin shkrimtarët shqiptarë që kishin privilegjin të dalin jashtë shtetit, të takonin ndonjë shkrimtar të huaj, të gjallë, të merrnim në dorë botimet e letërsisë moderne.17 Megjithatë, në bibliotekën e Tiranës kanë ardhur botime të huaja, të cilat mund të lexoheshin me autorizime të posaçme.18

Poezia e tij është shumështresore. Kjo poezi edhe pse edhe sot e kësaj dite nuk është studiuar sa duhet, që në kohën e krijimit të saj është karakterizuar qartë, edhe pse armiqësisht, nga kritika zyrtare: “Tipar themelor dallues i këtyre krijimeve ishte largimi i patosit qytetar, zëvendësimi i heroit të ditës me një ‘un’ individualist, abstrakt e shoqërisht të papërcaktuar. (......) U botuan poezi (.....) me përmbajtje të errët (hermetike) apo pa kurrfarë brendie; filloi të ishte në modë tema e vogël individualiste, tema nostalgjike nga e kaluara e largët (qytete antike, statuja, zhvarrime antike)) etj. tema e mallit të trishtuar (për fëmininë, plazhet, fiqtë e detit, vjeshtën, dashurinë e humbur etj), apo tema filozofike abstrakte (koha, lëvizja, njeriu, jeta, vdekja etj.). disa poezi e humbën lidhjen me realitetin, ato u zhvilluan mbi një plan abstrakt, jashtë kontekstit shoqëror bashkëkohor. (.....) Figura humbiste karakterin konkret dhe lidhjet me logjikën e sendeve; fitoi terren animizmi i theksuar në ndërtimin e tyre”.19Të gjitha ato që kjo kritikë i regjistronte si vese të kësaj poezie, ishin pikërisht virtyte të saj, përmes së cilave krijuesit e kundërshtonin atë zgjedhë që i ishte vendosur artit të tyre. “Është hera e parë që poezia shqipe harmonizohet me koordinatat e bashkësisë së poezisë moderne. Është hera e parë që poezia shqipe universalizohet, duke sublimuar jo vetëm teknikat dhe poetikat e përparuara, por duke artikuluar fuqishëm edhe kredencialet kombëtare dhe shpirtërore”.20 Por ishte grushti i fortë i pushtetit ai që e ndërpreu prirjen moderne të poezisë shqipe, e cila sidomos në gjysmën e parë të viteve ’70 kishte dhënë shenja të fuqishme drejt ngritjes së saj dhe përballjes me letërsinë zyrtare të realizmit socialist.

Pas Plenumit të Katërt të Komitetit Qendror (qershor 1973) ishte krijuar një atmosferë e rëndë, botoheshin vetëm vargje folklorike ose vjersha të thata për nga figuracioni dhe metaforzmi, sepse pas çdo fjale kërkohej ‘ujku ideologjik’, shkurt poezia ishte kthyer në vargëzim që s’kishte të bënte me poezinë.21

____________________

Literatura e shfrytëzuar:

1. Cituar sipas: Moikom Zeqo, Meduza. “Onufri”, Tiranë 1994, f. 168.

2. Moikom Zeqo, Meduza (Poezi 1970-1974). “Onufri”, Tiranë 1995, f. 12.

3. Po aty, f. 23.

4. Po aty, f. 23.

5. Po aty, f. 42.

6. Po aty, f. 91.

7. Po aty, f. 5

8. Moikom Zeqo, Brenda vetes. “Rilindja”, Prishtinë 1974, f. 13.

9. Moikom Zeqo, Meduza. “Onufri”, Tiranë 1994, f. 80.

10. Po aty, f. 105.

11. Po aty, f. 12.

12. Moikom Zeqo, Brenda vetes, f. 11.

13. Po aty, f. 105.

14. Po aty, f. 62.

15. Po aty, f. 150.

16. Po aty, f. 85.

17. Dr. Anton Papleka, Kodi i metaforave. “Globus R.”, Tiranë f. 108.

18. Po aty, f. 108.

19. Stavri Pone, ”Novatorja dhe pseudonovatorja”, cituar sipas librit “Probleme aktuale të traditës dhe të novatorizmit në letërsinë shqiptare të realizmit socialist”, shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1975, f. 128.

20. Moikom Zeqo, “Poezia e viteve ’70 në Kosovë ishte ndryshimi më i madh konceptual dhe shkëlqimi më i lartë estetik” (në librin “Pavdekësia e poetit” të Smajl Smakës, botoi “SMS”, Prishtinë 2012, f. 186.

21. Bardhyl Londo, Jeta që na dhanë, f. 184

Persekutimi i shkrimtarëve dhe artistëve nga diktatura komuniste

Visar Zhiti Pictures

Nga Visar Zhiti 


Ka patur një kohë paradoksale, të pabesueshme dhe të rëndë, aspak të largët, madje ngjitur me tonën si pas një muri tashmë të shembur, kur në Shqipëri dënoheshin shkrimtarë e artistë, libra, lexues, drama, festivale këngësh, ngrehin bibliotekash, madje dhe vetë metafora, edhe pse duket e pamundur të arrestohet një figure letrare, duke shkuar deri në dënime varre shkrimtarësh.
Goditeshin vandalisht realiteti përballë dhe kolonat e traditës, gjithçka që dilte kundër sundimit të fitimtarëve të pas Luftës II Botërore, utopisë së tyre me doktrinë gjysmake, socializmit real, asaj diktature që gjakonte me gjak të krijonte rendin e ri të njeriut të ri. Dhe më përpara se të hapeshin universitete, u hapën burgje.
Shqipëria ishte vendi më i vogël në perandorinë komuniste me diktaturën më të madhe në Europë, ku u provuan të gjitha: komplotet e heshtjes vrastare, zhbërjet, larje kolektive trush, internime, burgosje, pushkatime, madje dhe Krijuesi suprem, vetë Zoti, u ndalua, pasi u shembën tempujt e besimeve dhe kulteve.
Ndërkohë diktatura kultivonte shkrimtarët e saj, artistët e vet dhe i mirëmbante ata ashtu si policinë, fabrikat apo fermat, ndërkaq duke bërë zëvendësimin e Zotit me vetveten dhe kishat e xhamitë me komitetet e partisë dhe ekzekutive. Në fund të fundit dhuna permanente ushtrohej po me intelektualë, jo vetëm me policë, me propagandistë, me shkrimtarë dhe veprat të tyre në shërbim të ideokracisë dhe sistemit totalitar.
Njohja e së keqes, studimi i saj tani, institucioni i kujtesës janë të domosdoshëm, për t’u njohur e kaluara, historia jonë dhe e vërteta jonë, pra vetja si individ dhe kolektiv, që shumëçka të shndërrohet në përvojë dhe vizion, me qëllim që të mos përsëriten diktaturat dhe e ardhmja të bëhet sa më shpejt e tashme.
Kundërshtimet e mëdha, ndarjet, disidenca, martirizimet, revoltat, diksioneri i qëndrestarëve, deri dhe te viktimat, jo vetëm që meritojnë nderim, por shërbejnë dhe si mësim i mekanizmit të madhërishëm të kundërveprimit ndaj maqinerisë së përbindshme të dhunës dhe tjetërsimit çnjerëzor.
Të kujtojmë. Kemi 20 vjet që kujtojmë me mençuri, duke (ri)edukuar kohën tonë.
Fitimtarët e tmerrshëm
Menjëherë sa erdhën në pushtet fitimtarët, pas 1944, teatrot dhe kinematë ekzistuese i shndërruan në salla gjyqesh. Në skenën e Teatrit Kombëtar u vendos trupi gjykues, jo me aktorë, por me komisarë dhe komandantë të luftës, Përballë intelektualë, deputetë, gazetarë e shkrimtarë mes tyre, patriotë, etj, ata që ishin kundërshtarë, por që sistemi i shihte dhe i trajtonte si armiq që duheshin vrarë. Në llozha të teatrit rrinte Enver Hoxha, ndiqte gjyqin dhe ndoshta, teksa dora zgjatej për monoklin, kapte revolverin. Në altoparlantët jashtë në rrugë dëgjohej gjyqi si gjëmim, formë e re kërcënimi. Dënohen me pushkatim: Kol Tromara, Alizoti… Hurshiti… Konstandin Kote… Leka, Merlika, Golemi… Terenc Toçi, Zef Kadarja… Borshi… Valteri… Omari… Cani… Përmeti, Daut Çarçani, Gustav Mirdashi… Me burgime të rënda: Koço Kota, Vrioni… Cara, Leskoviku… Jakov Mile, Mihal Zallari, Lazer Radi… Gjergj Bubani, Libohova… etj, etj. Duartrokitje si batareja e plotonit të pushkatimit. Vazhdojnë vrasjet: Dom Ndre Zadeja… Intelektuali i lartë Xhevat Korça vendos të vdesë në burgun e Burrelit me grevë urie, e para grevë në komunizmin e këtushëm. Ndërkaq poetit Gjergj Fishta, i cilësuar si “Homeri i fundit”, madje i propozuar dhe për çmimin “Nobel”, do t’i prishën varrin dhe do ia hidhnin eshtrat në lumin Drin. Nga që kishte qënë prift antibolshevik dhe nacionalist, s’duhej të ishte as i vdekur.
Edhe autori i romanit të parë shqiptar Dom Ndoc Nikaj u fut në burg në moshën 82 vjeçare si kundërshtar i regjimit dhe vdiq po në burg pas 5 vjetësh. Dhe tragjediani Ethem Haxhiademin e helmojnë një javë para lirimit. Edhe dramturgu tjetër Krist Maloku vdes në burg.
Madhështia e qëndresës
Megjithatë “Shqipëria që shtypej” ruajti dinjitetin, guxoi dhe u ngrit. Kryengritja e Postribës më 1946. Këtu u kap dhe poeti Martin Camaj, që do të arratisej për në Gjermani, sipas së dëshmisë se poetit të burgosur politik Pano Taçi. Vetëm 19 ditë ishte ajo që bota e quan Revolucioni Hungarez i 1956-ës, ndërsa maleve të Shqipërisë do të vazhdonin të qëndronin me armë në dorë Gjomarkajt, Mirakajt, Bajraktarët, Kolët, Sulkurtët, Merlikajt, Kazazët, Lleshanakët dhe betejat e tyre do të zgjasnin 10 vjet. Përrenjtë sillnin dhe gjakun e tyre. Në burg çuan dhe autorin e librit të parë me kritika, shkrimtarin Mitrush Kuteli, themelues i tregimit modern shqiptar së bashku me Ernest Koliqin, por ky i dyti i shpëtoi dënimit, u arratis në Itali, ku themeloi në Romë katedrën universitare të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Por në atdhe u dënua vepra e tij, u ndalua dhe dënohej lexuesi i tyre. Po edhe ai i dënoi diktaturën komuniste duke shkruar dramën e mrekullueshme “Rrajët lëvizin”, ku si një antioruellian, me të cilin ishte moshatar, parashikoi, si asnjë shkrimtar tjetër, rënien e komunizmit, që e filloi tatëpjetën pothuaj kur ai e profetizoi. Edhe gruan e parë shkrimtare, Musine Kokalari, e lauruar në Romë, disidenten e parë grua në të gjithë perandorinë komuniste, themeluese e nje partie demokratike, e burgosën, më pas e internuan, punoi si punëtore në ndërtim dhe vdiq e vetmuar, ndërsa kamioni i llaçit, pa funeral, e hodhi në gropën e hapur për të.
Poeti dhe studiuesi, profesor Arshi Pipa, kundërshtar i hapur, pasi doli nga burgu, u arratis bashkë me poezitë e tij, i kishte shkruar fshehurazi në letra të holla cigaresh, i gjithë libri ishte më i vogël se një kuti shkrepseje. E botoi në Romë më 1959.
Në burg futën dhe drejtorin e parë të Radios-shqiptare, gazetarin dhe përkthyesin Gjergj Bubani. Edhe autori i operas së parë që u vu në skenë pas Luftës, Preng Jakova, pasi i vranë vëllanë si kundërshtar, kurse atë e liruan si moshë e vogël, do të mbetej gjithë jetën me maninë e persekutimit deri sa vrau veten. Në burg ishin përkthyesit e mëdhenj të Homerit, Dantes. I Shekspiriti nuk u kthye kurrë nga Amerika…
…Siç thashë, këtu dënoheshin dhe libra, edhe kur ishin letërsi e përkthyer po nga vetë sistemi, ndaloheshin sipas konjukturave p.sh. Remarku, Hemingueji, Shollohovi, Mopasani, madje dhe Go Mo Zho, etj, nxirreshin nga qarkullimi për arsye ideologjike dhe bashkë me libra të tjera nga letërsia shqipe, të traditës ose të porsabotuar gabim dhe çoheshin në fabrika për t’u ricikluar në letër. Ndodhte që punëtorët vidhnin ndonjë, unë ende ruaj libra të tillë në bibliotekën time, nuk m’i gjetën kur më arrestuan dhe mua për metaforat, se nuk lejohej hermetizmi i tyre, shumëkuptimësia e dëmshme, se përçonte ide të fshehta kundërshtuese. Më dënuan me 10 vjet burg. Akt-ekspertizuesit e poezisë time ishin dy anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve, që zbuluan se nxinin realitetin dhe shpesh aludonin hapur kundër udhëheqjes së partisë dhe sistemit socialist.
Perspektivë dhe retrospektivë:
I ndihmuar nga distanca kohore dhe nga vizionet e reja që të jep liria, unë them tani se shkrimtarët dhe artistët shqiptarë kanë qenë të dënuar në mënyrë gjenerale: një pjesë e ndjeshme, si kundërshtarë, duke i futur burgjeve, duke u ndaluar veprën dhe duke mos i lejuar të shkruajnë a vrarë dhe pjesa tjetër u mbyllën në metodën e realizmit socialist, duke krijuar letërsi propagandistike, mashtruese dhe lajka për sistemin, deri sa u tjetërsuan, në viktima fatlume, po i quaj. Mediokriteti kështu ishte dënim po aq i rëndë, por për letërsinë dhe kulturën, jo për autorët e tij të privilegjuar.
Prandaj dhe poeti qiellor shqiptar, liriku i mrekullueshëm Lasgush Poradeci vendosi të mos shkruante më. Ai thuri poemën e mallkuar të heshtjes së vet dhe, për të mbijetuar, përkthente Gëten, Hajnen, Pushkinin, por edhe Brehtin. Nga klasikët e vdekur lejohej ndonjë gjë. Madje një hebre shqiptar, Robert Shvarc, guxoi dhe përktheu nga Brehti “Marrshi i viçave” si i shkruar posaçërisht për këtu: Dhe viçat pas daulles/ hedhin çapin/ lëkurën për daulle/ vetë e japin.
Është paradoksale dhe shtirje naive të besosh që në diktaturë, me mungesë të tmerrshme lirie, mund të bëhen vepra të mëdha. Regjimet totalitare e racionojnë lirinë ashtu si ushqimet e përditshme. Cave ua heqin lirinë fare dhe ndocave, të përzgjedhur dhe këta, u japin më tepër se racioni. Pse? Që të shkruajnë për të bërë alibinë e diktaturës ndaj botës jashtë dhe ndaj së ardhmes. Pati shkrimtarë në komunizëm që ditët ta shfrytëzojnë këtë kusht dhe kjo është arsyeja kryesore që dhe në diktaturë arrihet të bëhen vepra jetëgjata, të cilat ndodhte t’u jepeshin që t’i përkthenin të burgosur pa emër dhe shteti ua ofronte që të botoheshin në vende të tjera si maskë politike e diktaturës, që ajo të mos dukej aq e keqe. Dhe shpenzimet merreshin nga puna e pa paguar e të burgosurve nëpër minierat infernale, ku ishin dhe kolegë të tyre, por me shenjën minus.
Me shpërbërjen e perandorisë komuniste dhe me rënien e diktaturave të saj, Shqipëria zbuloi një letërsi tjetër, e rroposur, që vinte nga nëntoka, por që dukej se kishte dalë të priste në të ardhmen. Letërsia tjetër po sillte dëshminë e saj dhe vlerë artistike të tjera dhe nuk kërkoi të përzërë ç’ka qenë vlerë, por për të sjellë vetveten. Dolën vepra nga burgjet, erdhën nga balta e internimeve, i nxorën nga sirtaret e brejtur nga koha. Shqipëria e mrekulluar pa se paskësh patur, edhe pse ilegale, disidencë, kundërshtarë, martirë, jo vetëm viktima, të cilat edhe ato ndërgjegjësoheshin në burg.
Persekutimi frymëzoi dhe tragjeditë antikitetit grek e Shkrimet e Shenjta.
Na trondit së thelli aq sa revoltat ajo që kanë shkruar poetët e pushkatuar, aq të rinj në moshë, Trifon Xhagjika, që pasi recitoi në gjyqin e tij “Atdheu është lakuriq”, në fjalën e tij të fundit kërkoi, si artilier që ishte, një top, që t’i binte Komitetit Qendror. Poeti Bedri Blloshmi edhe para pushkatimit refuzoi kërkesën për t’u bërë bashkëpunëtor, më mirë baltë, u tha, se sa me ju. I varuri i fundit në perandorinë komuniste është bashkëvuajtësi ynë Havzi Nelaj, ai kishte shkruar në burg poezi për Helsinkin dhe të drejta e njeriut, kur këtu jashtë burgut nuk i dinin ç’ishin këto.
I burgosurit politik Astrit Delvina ka ende romane në dosjet e Ministrisë së Punëve të Brendshme si dhe polemikat e tij kundër socrealizmit në hetuesi. Por ai ka vdekur që t’i kërkojë dhe në vendin tonë të vdekurit harrohen shpejt.
Letërsisë shqipe iu shtuan veprat monumentale të kujtesës të At Zef Pllumit dhe Amik Kasoruhos, nga Fatos Lubonja e Marsen Bungo, nga Pjetër Arbnori e Agim Musta, Engjëll Çoba e Spartak Ngjela, Jorgo Bllaci e Pano Taçi, Petrit Kalakulla e Zyhdi Morava, Ahmet Kolgjini, Ylber Merdani e Leka Tasi, Frederik Rreshpja, Henrik Gjoka e Eugjen Mërlika, Gëzimët, Çela e Medolli, vëllezërit Çoku, që ishin bashkë në burg me një prangë dorë më dorë.
Dolën nga varret e heshtjes poezitë moderne të ish të burgosurit Zef Zorba dhe komeditë e ish të burgosurit tjetër Hekuran Zhiti. Edhe vepra madhore shkencore e Profesor Kolec Topallit, por edhe lutjet e shenjtores tonë Nënë Tereza…
Emra, emra, emra, emra një apel i hatashëm. Unë kam nxjerrë 201 emra shkrimtarësh dhe artistësh të dënuar, 43 në Kosovën e pushtuar, pra sa 1/5, kurse në Shqipëri më shumë se aq u pushkatuan, edhe gra si shkencëtarja që kishte studiuar në Torino, zonja Sabiha Kasimati. Në Kosovë u vranë vetëm 15, shumica në luftën e 1999, është fjala për shkrimtarë e artistë, kur dhe një njeri është shumë.
Ndërkaq në Shqipëri po ndodh një dukuri e çuditëshme, nëse trashëgohej dënimi si një pasuri e patundëshme si p.sh., at e bir, Lazër dhe Jozef Radi, bij të dënuarish po tregojnë tani për burgun, kur shkonin të takonin prindërit si shkrimtari Agron Tufa, poetja Luljeta Lleshanaku, studiuesi Leka Ndoja, Ron Kubati dhe Ornela Vorpsi përtej detit në Itali
Edhe unë arrita të nxjerr poezi nga burgu, botova dhe të tim eti duke besuar se po vëmë gurët tanë në këtë mozaik marramëndës, që nuk është më i nëndheshëm.
Ringjallje e quan në një nga veprat e tij historiani-shkrimtar Uran Butka, që bashkë me Pjetër Pepën kanë zhvarrosur histori kombëtare. Por mjerisht kurrë nuk do të vijë dot ajo që nuk u la të bëhej nga jetët e ndërprera, kultura jonë do të ketë brenda një si varrezë të madhe kolektive. Koha do ta kujtojë gjithmonë që është vrarë kohë njerëzore:
Në Shqipërinë e diktaturës socialiste shqiptarët bënë: 914.000 vjet burg dhe 256.146 vjet internim, pra më shumë se 10 mijëvjeçarë dënim. Kurse koha pas pushkatimeve është e pamatshme, llahtar me shenjën infinit.
I vetmi ngushëllim është mospërsëritja e tyre.

Fjala me shkurtime, mbajtur dje në Konferencën ndërkombëtare të Kujtesës, organizuar nga Instituti për Studimin e Krimeve kundër Komunizmit

*****
Visar Zhiti, lindur më 2 dhjetor 1952 në Durrës është shkrimtar shqiptar.

Visar Zhiti ishte bir i aktorit dhe poetit Hekuran Zhiti (1911-1989). Visar Zhiti u rrit në Lushnjë, ku ai përfundoi shkollën e mesme në vitin 1970. Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër (sot Universiteti Luigj Gurakuqi), ai filloi karrierën e tij të mësimdhënies në qytetin malor verior të Kukësit, duke demonstruar një interes në fillim në vjersha, disa nga të cilat u botuan në revistat letrare.

Në 1973, ai përgatiti për botim një përmbledhje, "Rapsodia e jetës së trëdafilave". Ishte koha e Plenumit të 4-t të KQ të Partisë së Punës (Partia Komuniste)në të cilin diktatori komunist Enver Hoxha filloi një fushatë të egër kundër të rinjve që pëlqenin kulturën perëndimore. Babai i Zhitit kishte pasur më parë një konflikt me autoritetet, dhe poeti i ri papritmas u bë një nga viktimat politike të diktaturës për të frikësur intelektualët shqiptarë. Dorëshkrimi i përmbledhjes së tij të përmendur më sipër, që kishte qenë dorëzuar për botim në shtëpinë botuese Naim Frashëri, u konsiderua si një krijim me gabime të rënda ideologjike dhe që nxinte realitetin socialist. Ai u arrestua më datë 8 nëntor, 1979 në Kukës. Mbasi u dënua në një gjyq qesharak në prill të vitit 1980 me trembëdhjetë vjet burg, ai u dërgua në burgun e Tiranës dhe më vonë transferohet në burgun famëkeq të Spaçit. Shumë nga të burgosurit që ishin me të në burg vdiqën nga keqtrajtimet, torturat dhe kequshqyerja ose pësuan çrregullime mendore.

Ai u lirua nga burgu në fillim të vitit 1987 dhe u "lejua" nga pushteti komunist për të punuar në një fabrikë të prodhimit të tullave në Lushnjë. Mbas rënies së diktaturës komuniste në vitin 1991, ai arriti të shkojë në Itali ku punoi në Milano deri në 1992. Përmes një burse studimi nga Fondacioni Heinrich Boll, Zhiti shkoi në Gjermani në vitin 1993 dhe vitin e ardhshëm shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas kthimit të tij në Shqipëri, ai punoi si gazetar dhe u emërua kreu i ndërmarrjes botuese e cila kishte planifikuar të botonte librin e tij të parë. Ai ka qenë i punësuar më vonë nga shërbimet administrative të parlamentit të ri shqiptar dhe në 1996 u zgjodh vetë në parlament. Mbas Realiteteve të zymta të politikës shqiptare, ai u tërhoq nga politika. Në vitin 1997 ai u emërua atashe kulturor në ambasadën shqiptare në Romë, ku ai qëndroi deri në vitin 1999.Tash është ambasador në Vatikan.

Veprimtaria krijuese

Libri i tij i parë me poezi, "Kujtesa e ajrit" u botua në Tiranë në vitin 1993, i cili përfshinte disa poezi nga burgu. "Hedh një kafkë te këmbët tuaja" u botua vitin e ardhshëm. Ky vëllim përmbante të gjitha 100 poezitë të krijuara në burg në mes 1979 dhe 1987, të cilat kishin mbijetuar vetëm në kujtesën e tij. Vëllime të shumta pasuan, dhe ai është i njohur tani si një prej poetëve të mëdhenj shqiptare të shekullit të 20-të. Ai ka shkruar edhe shumë tregime të shkurtra, të mbledhura në dy vëllime, dhe ka përkthyer në gjuhën shqipe vepra nga Garcia Lorka dhe poeti italian Mario Luzi. Kujtimet e tij nga burgu, "Rrugët e ferrit : burgologji" u botuan në Tiranë në vitin 2001. Në vitin 1991 atij iu dha çmimi italian për poezi "Leopardi d'oro" (Leopardi i artë), dhe në 1997 ai mori çmimin prestigjioz "Ada Negri".

Listë e librave me poezi :

Kujtesa e ajrit (Tiranë: Lidhja e shkrimtarëve, 1993)

"Koha e krisur”, Tiranë, 1993

Hedh një kafkë te këmbët tuaja (Tiranë: Shtëpia Botuese Naim Frashëri, 1994)

Mbjellja e vetëtimave (Shkup: Flaka e vëllazërimit, 1994)

Dyert e gjalla (Tiranë: Eurorilindja, 1995)

Kohë e vrarë në sy (Prishtinë: Rilindja, 1997)

Si shkohet në Kosovë (Tiranë: Toena, 2000)

Rrugët e ferrit: burgologji(2001)

Ka shkruar edhe Pazari i Këpucarit.

Përkthyer në Gjuhën Agleze :

Condemned Apple (Molla e dënuar): Poezi të zgjedhura, përkthyer nga Robert Elsie (Los Angeles: Green Integer, 2005).

Poezia – kjo materie e prekshme që shpirti i poetit e kthen në materie hyjnore.

FerikFerra_portret

Intervistë me poetin Ferik Ferra, nga Anton Çefa

I dashur Ferik, i gëzohem kësaj bisede me ju për artin poetik si një poet që u vetëmohove, në kohën kur Fjala e Lirë qe ndaluar, por që gjalliste e njomë dhe e freskët në shpirtin tënd dhe strukej nën hijen e dendur të sirtarëve. Por, kur fitoi të drejtën për të qenë e lirë, ajo u shpall para lexuesve me gjithë hijeshinë e saj, e bukur dhe dinjitoze . Heshtja e gjatë, që “ka tingull guri”, siç e kam quajtur në një nga poezitë e mia, e kishte stolisur atë me dhuntitë e një arti të pjekur. Deri atëherë i vetvetes u bëre poeti i të tjerëve. Kjo datoi në vitin 2000, me botimin e përmbledhjes së parë poetike “Duke kapërcyer shekullin”. Mbas atij botimi, ju i dhuruat dashamirëve të poezisë pothuajse nga një vëllim poetik për çdo vit, dhe vazhdoni me të njëjtin ritëm, edhe pse tanimë i moshuar.
Pyetje: Poezia është arti më i vështirë për t’u përcaktuar. Më duket se poeti ynë hermetik i heshtjes 50-vjeçare, Zef Zorba, i ka dhënë zgjidhjen më mbushamendëse kësaj çështjeje, kur ka thënë: “Si të na shkojë mendja me përkufizue të pakufizueshmen? E pikërisht poezia asht e pakufizueshme.” Me gjithë këtë, ajo është arti që është çanësuar më shumë se çdo art tjetër.Poeti nobelist italian Salvatore Quasimodo(1901-1968), duke bërë fjalë për poezinë lirike ka shkruar: “Kur poezia fillon të thotë pushon së qeni”, duke nxjerrë në pah natyrën evokuese e sugjestionuese të saj; ndërsa poeti amerikan Archibald MacLeish (1892-1982), në esenë e tij poetike “Ars Poetica”, e ka përforcuar këtë mendim, duke thënë: “Poezia nuk duhet të thotë, por të jetë”. “Ajo që mund të shpjegohet nuk është poezi”, ka shkruar poeti i madh irlandes William B. Yeats (1865-1939). . Cili do të ishte përkufizimi i poezisë simbas përvojës suaj?,
Përgjigje: Të përkufizosh poezinë në mbështjelljen e nji formule për t’i dhënë formulës nji pamje algjebrike nuk është e mundur ose më mirë të themi është e pamundur.
Ç’është poezia lind pyetja? është grumbull shekujsh, ndoshta edhe më tutje se Gilgameshi, që përjetësia e ka marrë nën sqetull dhe shpirti i njeriut e kthen atë nga materia e prekshme në materie hyjnore. Flas për atë poezi që hyn në tempullin e pavdeksisë, se ka edhe poezi që kanë jetë fare të vogël e treten si bora e maleve nën rrezet e nxehta.
Vizitoja muzeun e Luvrit. Mona Liza “banonte” në nji sallë të veçantë me një xham katër gishta të trashë para portretit. Sytë e vizitorëve rrotulloheshin nga të gjitha anët sikur kërkonin diçka që s’e kapnin dot. Ajo vinte nga vinte Vinçi, kishte ndaluar në rrugë dhe na shikonte me at buzëqeshjen e saj pa na i hequr sytë, katër shekuj para. Po ç’është kjo buzëqeshje, kuriozitet, mospërfillje, dashamirësi, ambëlsi, vanitet, dashuri, e kënaqur nga jeta, e zhgënjyer, ia vlen jeta me gjithë ëndrrat e saj a po jo. Arti i Leonardos kishte kapur majën me atë buzëqeshje, të cilën na e la ta shpjegojmë ne që deri sot nuk arrijmë ta zbërthejmë.
I dashur Anton, kjo është poezia, kur kujton se e prek, ajo të rrëshqet nga duart e mendjes e s’e kap dot as atëherë e as sot dhe as në të ardhmen. Materia hyjnore s’ka kohë e s’ka kufij. Bokaçio thonte sa më shumë kalon koha vijnë e bëhen më brilante tercinat e Dantes. Kjo është poezia, ajo çka mbetet në duart e çdo shpirti, lumturia e atij që e ka krijuar, e pavdekshme si drita. Kishte shumë të drejtë i ndjeri Zef në këndvështrimin e tij. Poezia nuk thotë, nuk i tregon kurrë “këmbët e veta”, por nuk duhet që poezia të mos thotë asgjë, ruajna, o Zot nga absurdi! Tani që po u përgjigjem pyetjeve tuaja kam në dorë poezitë e Silvia .Y. E shkreta poete, pati nji jetë të turbulluar, e të them të drejtën, e vështirë poezia e saj, duhet ta lidhësh kokën me shami, si i themi ne shqiptarët.

Anton Çefa
 Anton Çefa

Pyetje: Poezia juaj, në përgjithësi, është realizuar në kapërcyell mes epikës dhe lirikës. Në dukje parësia i takon epikës, por janë hovet shpirtërore të shprehura shpesh përmes një figuracioni të ndërlikuar, që i japin tonin lirik motiveve. Cili është mendimi juaj lidhur me këtë çështje?
Përgjigje: Un linda dhe u rrita në Krujë. Shtëpia ime është në pikën më të lartë të qytetit. Në mëngjes kur zgjohesha nga gjumi gjeja në xhamin e dritares sime kalanë, kodrat e Krastës, fushën e Krujës dhe kaltërsinë e Adriatikut. Syri prekte me një rreze të vetme nga mali, kodrën, fushën e detin e anasjelltas. Ne si shqiptarë lindim epikë, por ndryshon shpirti nga shpirti dhe epika në lindje gjen lirikën në jetë, pak a shumë poezia ime, e miqve të mi, poezia jonë shqiptare.
Pyetje: Esteti i talentuar dhe analisti i aftë Defrim Cani, që e ka shoqëruar poezinë tuaj që nga botimi i vargut të parë deri tek i sotmi, ka shkruar: “Poezia e Ferrës ka një ‘ingranazh’ me shumë hallka, e cila mbahet fort pas elementeve fondamentale të strukturës poetike dhe të origjinës simboliste, pavarësisht sa të dukshëm e bën atë poeti.” A mund të na i tregoni dhe të na i bëni sa më të dukshme për lexuesin këto hallka poetike?
Përgjigje: Po, është një libër i shkruar posaçërisht për fenomenin poetik timin në një studim të imët, të një zëri të veçantë të studimit dhe të kritikës së letërsisë në Shqipëri. Autori (Dëfrim Cani) e ka titulluar librin “Dielli i vështirë’ – dhe koha e poezisë”, të cilin unë e konsideroj një titull emblematik, pasi brenda tij ka metaforën e diellit të vështirë, për të cilin unë do të flas më poshtë, në një çështje tjetër të intervistës, dhe kohën, një nocion po kaq i diskutueshëm për letërsinë artistike.
Studiuesi e ka quajtur vargun tim “ingranazh” me shumë hallka, dhe këtë ide e ka ezauruar në të gjithë shtrirjen e vargut. Po ashtu, studiuesi ka një qasje të imët dhe për figurën në poezinë time, veçmas mbi simbolin si një kryefigurë. Besoj ka të drejtë, ashtu si e ndjej dhe unë. Ngado të sillemi, poezia që na vjen në buzë dhe që e shkruajmë shpejt e shpejt dhe ajo që rrin gjatë deri kur gatuhet, ka një simbol të thellë, ndryshe ajo nuk do t’i rezistonte kurrë kohës. Na ka ndodhë mua dhe ty, kujtdo poeti, që një poezi ka fjetur brenda nesh vite të tëra dhe pastaj është shkruar. Unë jam i mendimit se simboli që ka brenda ajo poezi e ka ruajtur gjatë atë brenda poetit.
Në hallkat e tjera të vargut, studiuesi ka vërejtur zgjedhjen e fjalës, ritmin, strukturën e komunikimit, strukturën poetike, ekonominë e shprehjes, gjithmonë nën nji petk poetik. Ndoshta kjo ka të bëjë me pasurinë e madhe leksikore që ka fjala gege, e cila zë vend shumë në poezinë time, veçanërisht në poezinë që është shkruar deri në vitin 1990. Fjala është gjëja më e rëndësishme në poezi. Besoj se dhe marrëdhënien që ajo krijon me bazën simbolike të poezisë, për të cilën flet autori, kjo ka rëndësi, për të kuptuar pastaj dhe metaforën, që zakonisht e ka çdo poezi dhe krijim letrar.
Ndërsa për kohën në poezi, mendoj se studiuesi përmes poezisë sime është përpjekur të shtojë koncepte fondamentale mbi nocionin kohë në letërsi, të cilën ai e konsideron një të “tashme” të përjetshme, d.m.th që një poezi e mirë duhet ta ketë këtë kohë edhe po të lexohet mbas 100 a më shumë vitesh. Kjo lidhet natyrshëm me aftësinë e poetit e të shkrimtarit për të sjellë apo “ndërtuar” metafora universale, ashtu siç kanë bërë poetët më të mirë të botës dhe ata shqiptarë.
Pyetje: Po ky estet, fillesën e botimit të poezive pas rënies së diktaturës e ka shpjeguar me Mitin prej Antigonës, ose me “të drejtën për të qëndruar”, a edhe më përtej me “çështjen e refuzimit”. Si e shpjegoni ju këtë fakt të jetës dhe të veprimtarisë suaj letrare?
Përgjigje: I dashur Anton, kjo është e vërtetë, mbasi Antigona shkëlqeu në vuajtjen dhe kalvarin e Edipit. Qe njëra nga vajzat, e cila nuk e braktisi kurrë babanë e saj, deri në vdekje. Unë besoj se pak a shumë dhe unë dhe ti e kemi pasë fatin prej poeti të njëjtë. Më vjen mirë që studiuesi ka marrë në referencë nji mit antik, jo për mua apo dhe të tjerë si unë, por për të respektuar dhe nderuar poezinë, letërsinë në përgjithësi, që në afër 50 vjet është masakruar, është dhunuar, është skllavëruar, e çfarë nuk i kanë bërë letërsisë. E kam fjalën për atë letërsi, që nuk iu bind rregullës ideologjike të kohës.
Poeti i mirë, shkrimtari i mirë, gjuhëtari i mirë dhe cilido i çdo fushe qoftë nuk duhet të lëkundet dhe të përulet para presionit dhe të poshtërojë dijen e vet, mendimin e vet. Ky është dhe një pakt për të mos u nënshtruar. Është një pakt burrnor, i njour nga shumë poetë të huaj dhe shqiptarë. Dhe pse kaluam gati një gjysmë shekulli, poezia ime dhe jotja, por dhe e shumë të tjerëve, arriti të dalë në dritë. Ajo ka pasur të drejtë të qëndrojë, të përkojë me një “disidencë” të heshtur, mbasi ajo nuk e pranoi rregullën dhe imponimin. Dhe heshtja në kësi rastesh është sfidë dhe rezistencë. Dhe studiuesi Defrim Cani këtë çështje e ka pleksur me një mit antik, i cili është modeli sipëror i të drejtës për të qëndruar.
Pyetje: Krimitaria juaj dëshmon për një vlerësim të traditës, në të njëjtën kohë ajo është sa tradicionale aq edhe novatore, sa klasike aq edhe moderne, si në përmbajtje ashtu edhe në formë. Çfarë mund të na thoni për këto dy kahje të poezisë tuaj?
Përgjigje: Tradicionalen e mësuam në djep. Kuptohet, ishin këngët që na vënin në gjumë, këngë djepi, po ato rima folku u rritën bashkë me ne. Mandej shkolla. Vitet e para në “Këndimet” simbas klasave të fillores. Kështu nisi mësimi i vargut vertikal, të cilin e kishim të detyruar për ta mësuar përmendësh. Autorët e këndimeve kishin shkruar poezi të mrekullueshme, të cilat e përgatitnin nxënësin me një dashuri të pafund për jetën, për artin, për dijen, nëpërmes të një metodike pedagogjike adapte për moshat. Ata na mësonin për atdheun, për lirinë, për botën që na rrethon si afër nesh ashtu dhe larg nesh. Kjo valë na mbeti në shpirt për gjithë jetën, e megjithëse ndjekim zhvillimin e vargut horizontal, si i thonë, hap mbas hapi ajo dashuri e parë për klasiken nuk na hiqet nga shpirti. Bile kemi një repekt të madh për ata poetë që frymën e mënyrën poetike moderne e shkruajn me vargun vertikal, kam parasysh midis të tjerëve Mendelshtajnin.
Pyetje: Lidhur me ndikimin e traditës, poeti i shquar modern Thomas Eliot ka thënë: “Asnjë poet, asnjë artist, vetëm nuk e ka kuptimin të tejdukshëm. Rëndësia e tij, të çmuarit e tij është të çmuarit e marrëdhënies së tij me poetët dhe artistët e vdekur . . . Me kënaqësi flasim për hollësitë e ndryshimit të poetit nga paraardhësit e tij, veçmas nga ata menjëherë para tij; orvatemi të gjejmë diçka që mund të izolohet me qëllim që të kënaqemi me të. Ndërkaq, nëse i qasemi një poeti pa këtë paragjykim, shpesh do të vërejmë se jo vetëm pjesët më të mira të veprës së tij, por edhe ato më individualet mund të jenë mu ato me të cilat poetët e vdekur, stërgjyshërit e tij, e kanë siguruar pavdekshmërinë e tyre në mënyrën më të fuqishme. Dhe nuk e kam fjalën për periudhën impresioniste të rinisë, por për atë të pjekurisë së plotë.” A jeni i një mendimi me Eliot-in?
Përgjigje: Po jam dakord me Eliotin. Paraardhësit nuk janë vetëm mësuesit tonë po edhe ata poetë që pavdekësia i ka marrë në ndërtesën e vet. Danteja kishte nji adhurim për Virgjilin me të cilin bëri atë udhëtim në “Komedinë Hyjnore”. Le të mos nisemi nga Homeri, kur Platoni na thotë se nuk bëjmë gjë tjetër vetëm se kthejmë nga njëra anë në anën tjetër të gojës vargjet e mjeshtrit të madh të antikitetit. Mësuesi është mësues, dhe ai do të ketë vendin e tij sa herë që do t’i drejtohemi atij si në rini dhe në pjekuri.
Pyetje: Cilët prej poetëve të traditës, tanë ose të huaj, vlerësoni më shumë dhe mendoni se kanë ndikuar në formimin tuaj poetik?
Përgjigje: Krahu verior pesëqindvjeçar i gjuhës e i poezisë (krah nga jam edhe unë), kuptohet duke u nisur nga eposi e deri te Martini, Arshiu, Zorba, Reshpja e Çefa, kanë vendin e vet në zemrën e poezis sime. Kuptohet, vendin e parë e zë Fishta, mandej Mjeda, Koliqi, Gaspër Pali, gjithë gama e Veriut, që më mësoi atë që e ka emrin poezi dhe më mban gjallë shpirtin poetik. Duhet t’i njohim merita edhe Jugut me vargun e shtrirë, sidomos te Lasgushi, Asdreni, Asllani e të rinjve si Pogoni e Arapi etj. Nuk po shkoj më larg se dy gjigantët Dante e Shekspiri, mandej radha është aq e madhe si në klasikët ashtu edhe tek modernët, në shkolla e në rryma. As sot nuk di kë të vë më parë, kush na bie në dorë dhe nuk e lexojmë me gjithë vëmendjen tonë!
Pyetje: Në një analizë timen vite më parë, ju kam cilësuar si një poet veprimtaria e të cilit lidhet me Dy Shkollat Letrare Shkodrane, të cilat i ka studiuar dhe klasifikuar Koliqi. A pajtoheni me mendimin tim ?
Përgjigje: Është një mikst letrarësh e përkthyesish pa harruar Frano Alkajn e Dom Lazër Shantojën, është djepi i artë i vargut tonë poetik, që sa më shumë shkon koha aq ma shumë bën dritë e zë vend në mjeshtërinë poetike, në gjuhën e psikologjinë e vendit.
Pyetje: Si poet që gjatë gjithë periudhës së sundimit të diktaturës keni shkruar në heshtje, ju lidheni gjithashtu me poetët e disidencës së heshtur shkodrane: Zorbën, Perdodën, Krroqin, Gerën (pjesërisht), Shllakun dhe mua. A mendoni se me ata keni afri edhe në çështje që lidhen me veprimtarinë poetike dhe mjeshtërinë artistike si tematikën e motiveve, gjuhën, mesazhet, metrikën, figuracionin, etj.?
Përgjigje: Plotësisht. Shkruam në heshtje, nuk kishim me kë ta matnim vargun, nuk kishim komunikim midis nesh, ndoshta shumë rrallë. Nuk dinim se ku kishte arritur njëri ose tjetri. Ndoshta ky moskomunikim, kjo heshtje shkrimi ishin ato vargje që prisnin një kohë tjetër, një stinë tjetër. Vargjet tona e pritën atë ditë. Ato e ndjenin që do të vinte ajo ditë. Ne ishim aq shumë afër njëri- tjetrit në mendime, në gjuhë, në stil, në figuracion. Na afronte moskomunikimi. Ne e gjenim rrugën në errësirë, sepse ishte drita e vargut tonë që na çonte aty ku duhej. Paraardhësit tonë na i kishin ngulur piketat e ne duhej t’i gjenim ato. Ishte ajo shkollë disa shekullore që na çonte në drejtimin e duhur.
Pyetje: “Çdo vepër duhet të vlerësohet si e zbrazët dhe e pavarur kur nuk ka domethënie të thellë, një diell të brendshëm, por synon vetëm të kënaqë ose të dëshmojë se autori i saj është i shkathët.”, ka thënë De Rada. Si mund të përcaktohet shkurt ky “diell i brendshëm” në poezinë tuaj?
Përgjigje: Pa diell s’ka jetë. Ai duhet të jetë kudo, po në radhë të parë në shpirtin e njeriut, të njeriut që shkruan. Un nuk mund të them, nuk kam se si të flas për diellin e brendshëm të poezive të mia. A ka me të vërtetë diell në poezinë time? Këtë duhet ta shohin e ta gjejnë ata që e lexojnë.
Pyetje: Në “Credo-n” tuaj, të shkruar në vitin 1961, keni shprehur kënaqësinë që ndjeni për rrezatimin e një dielli mëngjesor dhe për dëshirën që zemra juaj të ngjitet në lartësitë diellore, por keni ndjerë edhe nevojën që “sytë me i ruajtë t’mos bien n’këtë gardh shkëlqimi.” Një shpjegim më i plotë për Credo-n tuaj poetike, në përgjithësi, dhe për frikën nga “gardhi i shkëlqimit”, në veçanti, mendoj se do të ishte i dobishëm për një lexues të zakonshëm.
Përgjigje: Po i referohem tingëllimit tim “Credo”. Dëshira e madhe e imja ishte që kredoja t’i kushtohej artit, vargut. Dëshiroja që vargu të kishte diell duke iu referuar atij. Po më e madhe ishte dëshira për të mos e tepruar me atë kërkesë, mund dhe t’i afrohesha aq shumë sa mund të digjesha në atë gardh shkëlqimi. Deri në kufijt e të mundurës, por gjithnjë me dëshirën e diellit, pa e tepruar ambicien, ndoshta ashtu siç e kishin dëshiruar paraardhësit e mi.
Pyetje: Në poezinë “Në diellin e vështirë”, keni shkruar për vështirësitë që krijonte koha e diktaturës, “kur agimet binin në prita të çdo dite / po zemrat shkulnin gardhet e çdo prite / e jeta kapej në diellin e vështirë”, një simbolikë që lidhet sa me jetën, aq edhe me kushtet e krijimtarisë poetike. Për hir të lexuesve të rinj, që nuk e kanë jetuar kohën e diktaturës, do të ishte i nevojshëm një koment sqarues për këto “prita”, shkuljen e tyre dhe për simbolikën e diellit të vështirë.
Përgjigje: Sa nga ata që shkruan e punuan me dëshirën e lirisë, nuk pyetën se çdo t’i gjente po të zbuloheshin se kishin shkruar vargje e prozë ku nuk flitej për partinë, për jetën që po lulëzonte, jo në një stinë po në gjithë vitin. Realiteti duhej të hidhej në vargje se ndryshe priste gijotina. Pat nga ata djem trima që shkruan të vërtetën e gjetën burgun, torturën, vdekjen. Disa dolën hapët e disa u mbyllën në burgun që i bënë vetvetes. Jeta ishte ekstremisht e vështirë, ku në çdo hap duhesh t’i hapje sytë për të mos rënë në pritë, se ndryshe e paguaje tepër, aq sa nuk ta priste mendja. Burgu ishte afër derës së shtëpisë, në fillim përçmimi, pastaj dënimi në lagje, pastaj hekurat, burgu dhe a do të dilje gjallë se po të vdisje në burg, për familjarët ishte nji këngë iso, që nuk mbaronte kurrë, ata mund të internoheshin ose depërtoheshin diku në malësi ose afër kënetave. Dielli i bukur që jep jetë, dritë ngrohtësie, shpresë, kthehej në nji kalvar të përditshëm, sa vinte puna të mallkoje veten dhe ta prisje ditën e re e ta masje atë me vuajtjen e përditshme, dhe çdo diell dite, agimi kthehej në diell të vështirë, që duhej ta bartje në shpinë çdo ditë. Ky ishte “Dielli i vështirë” i atyre ditëve, i atyre kohëve.
Pyetje: Në përgjithësi, është pranuar që në procesin krijues poetik merr pjesë edhe nënvetëdia. Për Pipën, poezia në hullinë e procesit krijues është “ankth i pavetëdishmes instinktive për me dalë në pastërtinë e mendimit, në shpirtin e kthielltë. Pse poezia kjo asht: krymbi qi bahet flutur, e dheshmja qi bahet qiellore, errësina qi bahet dritë.” A jeni i këtij mendimi dhe nëse po, a mund të na e ilustroni me ndonjë fakt konkret ?
Përgjigje: jam i një mendjeje me të ndjerin Arshi. Ngacmimi më vjen si një prekje jo në portë po në derë. Në atë moment zgjohet gjithçka. Hapet dera dhe çdo gjë hyn fluturimthi. Nënvetëdija zotëron deri caqet më të largëta të shpirtit. Ajo fillon të “vjellë” brumin me të cilin gatuhet buka poetike. Ka raste që ajo është e momentit, sikur preket një tast pianoje po ka dhe raste kur trokitja mund të ketë goditur para, jo disa javësh, muajsh apo viti, po para disa dhjetëra vitesh në vetëdije. Kështu ndodhi me një poezi timen me titull “Semaforët”. Makbethin e kishim lexuar e komentuar aty kah viti 1952-53, po ajo goditje ose prekje ta quajmë, erdhi më 2014. Gjatë kësaj kohe ajo kishte fjetur për vite e vite të tëra. E kam shkruar me një frymë fillim e mbarim brenda disa minutave. Çfarë nuk ban nënvetëdija! Nënvetëdija është zgjim vullkani, zgjimi nga “koma” poetike, pastaj vesh pulovrin e kohës kur lind me shpresën e rritjes e të mosplakjes.
Pyetje: Është thënë se kur prania e nënvetëdijes është e gjerë, poezia lirike fiton edhe një funksion parathënës, parafolës, profetik. Mitologjia greke, në figurën e Orfeut ka çanësuar një kuptimësi tejet të vlertë të poezisë, në kohën kur ajo nuk ishte ndarë ende nga melodia. Aq e magjishme ishte kënga e tij e shoqëruar me lirë, sa që qetësonte kafshët e egra, i bënte pemët të përkuleshin për ta dëgjuar, shkëmbinjtë të afroheshin, tallazet e detit të qetësoheshin … Kur xhelozia e grave që e dashuronin e copëtoi kortarë-kortarë dhe kokën ia hodhi në lumin Ebro, ajo nuk u mbyt, por qëndroi mbi valë dhe vazhdoi të këndojë. Më vonë ajo u shndërrua në orakull. Epistemologjia ia njeh rolin njohës mitologjisë. Edhe Frojdi e psikanalistët tjerë pas tij kanë parë tek mitet dukuri të nënvetëdijes. Duke u nisur nga përvoja juaj krijuese, a i njihni lirikës këtë rol parathënës?
Përgjigje: Lirika është mbretëresha e poezisë. Ajo kap të gjitha anët e shpirtit me një ngacmim të atillë, sa bën të lëvizin gurët dhe drunjtë. Miti në themel të lirikës krijon një gjendje shpirtërore, sa e prek tjetrin deri në thellësitë e shpirtit. “Ajkuna vajton Omerin”. Kush nuk ndjeu dhimbjen e nënës që në rreze të hanës e vajton të birin në bjeshkët e Jutbinës. Spektri lirik këtu është i pakapshëm, miti, nata, vdekja e 12 vjeçarit, hëna që zverdhet edhe më në lotët e nënës, kërkesën e nënës për t’i ruajtur të birit varrin, veç ta shihte gjallë e duke çetuar me agët. Epika legjendare kthehet në lirikë legjendare, për t’iu afruar mitit, që me Orfeun nuk ka ngjashmëri .
Kur Fishta dëgjoi poezinë e Prendushit, qëndisjen e flamurit kombëtar nga vajza shqiptare, e cila dha frymën në momentin e mbarimit të qëndisjes, atij iu mbushën sytë me lot. Dikush i tha: Atë Gjergj, si kështu ty, që s’të kanë bërë me lot sa e sa ndeshtrasha të prekesh kaq thellë. Atë Gjergji iu përgjegj: kjo poezi bën të qajë edhe arushat e malit.
Nënvetëdija e kishte kryer efektin e vet, lirika në këtë rast kishte prekur thellë shpirtin e epikut të madh të letrave tona, i cili ishte edhe lirik. Kur lirika kthehet në mit dhe miti vishet me lirikë, poezia ka hapësirë të pafund e kohë të pafund.
Pyetje: Në procesin krijues të poezisë dhe të çdo arti, momentin e zanafillës e përbën frymëzimi. Mendohet se ai ka origjinë hyjnore. Poetë dhe estetë tanë dhe të huaj i kanë njohur vlera hyjnore frymëzimit poetik, e kanë trajtuar atë si dhunti të blatuar prej së larti. Homeri i pari ka shprehur mendimin e vet mbi poezinë si dhunti shpirtërore. Poeti dhe esteti ynë De Rada ka shkruar: “Poezia është një privilegj si dhe Profecia, nuk bëhet sipas vullnetit të njeriut. Vizioni i veprimit hyjnor për ndryshimin e fateve të njerëzve është një dhunti e Profetëve, përgatitja për jetën e lartësive u përket Poetëve të lindur.” Për Fishten, Poetin tonë Kombëtar, që na ka lënë edhe një trashëgimi të vlertë lënde estetike, poeti është “i lindur”. Ndërsa Lasgushi, poeti i fluiditeteve më të brishta lirike, ka thënë: “Poezia është divine”. Estetë të tjerë mendojnë që frymëzimi është një atribut psikologjik që e kanë njerëz të veçantë, si edhe atributet e tjera të kësaj natyre. Cili është mendimi juaj ?
Përgjigje: Është divine poezia, pa dyshim që është divine poezia. Ajo është shpirti dhe materia bashkë, por pa një shtysë (ngacmim) ajo nuk fluturon nga shpirti për të marrë rrugët e hapësirës e për të hyrë në shtëpinë e përjetësisë. Çdo gjë i jap jetës, tha Esenini, po lyrën jo. Këtë ma ka besuar mua zana (frymëzimi) divinja. Këtë e kanë disa njerëz e quhen poetë, të cilët në botë janë shumë e të rrallë janë pak.
Pyetje: Lidhur më këtë çështje, më kujtohet që kur u ndamë prej njëri-tjetrit në vitin 1954, në Derjan të Matit, ku jetuam dhe punuam bashkë vetëm katër muaj, i kushtuam njëri-tjetrit si kujtim nga një poezi; të cilat mjerisht “i dogji” koha. Kujtesa ime riprodhon sot nga poezia yte vetëm këto vargje:

“Po shkoj,
e vetmitar qendroj përmbi rrugnajë,
tue t’ përshëndetë ngadalë e zemërthye
e n’zemër ndjej nji vaj të pashpërthye
qi tash largimi ngjallë,
se ndamja therëse mërriti.”

Këto pak vargje të një 19-vjeçari, me kumtin e zymtë të ndarjes dhe nënvetëdijen e pasigurisë për të ardhmen, me një tekst leksikor të hijshëm, në të cilin zotëron ajo rimë oksitone me një “y” të theksueme, mbasi në prozodinë gege diftongjet nuk lexohen të plota, dhe me atë kadencë ritmike që i shkon përshtat aq natyrshëm motivit, dëshmojnë se poezia yte që heret kishte filluar të merrte krahë për fluturim hapësirave të mirëfillta të qiellnajeve poetike. Si e shpjegoni këtë pjekuri poetike të hershme?
Përgjigje:Të falënderoj nga zemra që i ke ruajtur në kujtesën tënde ato vargje të asaj poezie, që shkrova në prag të ndarjes sonë!
I dashur Anton, si ty ashtu edhe mua Zoti na dha dhuntinë vargut. Më vjen keq që këtë poezi s’e kam të gjithë, se siç e di, më 1956, unë i eliminova shumë poezi, ndoshta edhe këtë. Pata një moment pasigurie me frikën se po të binin në dorë të “dikujt” puna do të shkonte ndryshe, ndoshta shumë keq. Do të mundohem ta shtie diku këtë poezi, që tani ka mbetur vetëm me gjashtë vargje, dhimbja e ndarjes me një mik. Sa për efektin e saj, ç’të them më shumë. Megjithëqë kishim pak eksperiencë poetike, po … e kishte dhënë dozën tamam.
Pyetje: Me që e kemi fjalën për prozodinë, vihet re që më së shumti, sidomos në poezi të tilla si sonetet, poezitë strofike, po edhe në vargjet e lira, ju përdorni prozodinë gege. P. sh., këto dy vargje të nxjerra nga soneti “Në kapërcyell të qiellit”: “Ngec kundërshtimi yt në një gjuhë të mekur” dhe “Tërmeti ndjehet poshtë deri në themele”, vetëm simbas prozodisë gege, ku nuk numërohet ë-ja fundore, janë 11 rrokëshe, çka e kërkon soneti, ndërsa në atë toske dalin 13 rrokëshe. Pyesim: cila prozodi ju duket më e natyrshme dhe më e përshtatshme për poezinë, prozodia gege apo ajo toske?
Përgjigje: Pa dyshim prozodia gege. Në botimin e dy vëllimeve me poezi të zgjedhura nga ç’kam shkruar, botuar me rastin e urimit të 80 viteve, e gjithë poezia është gegënisht. Unë nisa ta shkruaj vargun gegënisht, po kur erdh rasti i botimit të parë më sugjeruan standardin, e kështu gegënisht mbetën fare pak vargje. Tani unë i jam kthyer gegënishtes letrare, po për këtë do të flas më poshtë. Poezia gege është e bukur, epike, lirike, satirike, sepse e kursen “ë-n” dhe e ndihmon apostrofi, duke i dhënë atë forcë, që Lasgushi e quan energji të brendshme, “potencë”. Kështu në vargjet me rimë gegënishtja ka nji avantazh të pa treguem, forcë magjike do ta queja unë.
Pyetje: Që nga viti 1945, filloi të zbatohet një politikë kulturore e gjuhësore e mënjanimit të kulturës gege dhe të gegënishtes letrare, që zëvendësoi politikën e mëparshme të Komisisë Letrare Shqipe të afrimit të dy dialekteve, e cila vlerësonte variantin letrar të Elbasanit, si urë për të shkuar drejt një gjuhe letrare të njësuar. Politika e re u kurorëzua me Kongresin e Drejtëshkrimit në vitin 1972. Askush, nëse do të flasë me ndershmëri, nuk mund të mos pranojë që në këtë Kongres ka munguar liria e fjalës. Kongresi vetëm i vuri vulën një gjendjeje që ishte praktikuar më parë, duke e mbuluar “teorikisht” me një mantel të ashtuquajtur “koine”- një gjuhë e njësuar sui generis, me ndonjë element të gegënishtes. Rrjedhimi social-psikologjik i këtij Kongresi qe jashtëzakonisht i rëndë. Veç faktit të përshpejtuar të miratimit të toskërishtes si standard gjuhësor, ai krijoi një përçarje të re në popull, duke ia shtuar përçarjes së madhe të luftës së klasave. Me keqardhje konstatohet sot se për çdo toskë mbahet i drejtë e shkencor mënjanimi i gegënishtes. Si e mendoni të ardhmen e këtij standardi dhe të gjuhës letrare shqipe?
Përgjigje: Në vitin 1972, u mblodh Kongresi i Drejtshkrimit, i cili sanksionoi diktaturën mbi gjuhën shqipe, duke vendosur dialektin e Jugut, pa marrë parasysh se ç’të mira kishte dhe çfarë i mungonin këtij dialekti për ta vendosur në themel e deri në tavan si gjuhë letrare. Veç kësaj, nuk u mor parasysh që pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare fliste gegënisht dhe as nuk u pyet, qoftë edhe për kortezi. Gjithashtu, nuk u mor në konsideratë se çfarë të metash kishte ky dialekt kundrejt gegënishtes letrare, e cila kishte jo pak po rreth gjashtëqind vjet që shkruhej e flitej dhe që gëzonte një gramatikë e sintaksë përfekte.
Do t’i duhej kësaj gjuhe, të quajtur standarde, të bënte kurban në gramatikë, në leksik, në rregulla ortografike, në atë të shkretën zanore “ë”, që merrte një hapësirë të pa kufizuar. Me ndonjë përjashtim të rrallë si Mjeda e Migjeni, për autorët e tjerë të Veriut nuk bëhej fjalë më veç për diskreditim. Kështu, me nji të rënë të kalemit, u fshi çdo gjë sikur nuk kishte ekzistuar. Thuhej se në gegënishte kishin shkruar autorë reaksionarë, dekadentë me një gjuhë të rëndë, të cilën nuk e fliste më Shqipëria. Dëgjohej vetëm gjuha e bukur e zyrave, të cilën e fliste gjithë Shqipëria dhe Kosova. Kosovarët për t’ iu bashkuar atdheut bënë si bënë dhe e pranuan standardin.
E gjithë kjo që ndodhi mori vulën e formës së prerë. Të ndjerit përkthyes të Iliadës iu desh të shtonte jo pak, po 340 vargje, se në gegnënishte nuk e kuptonte kush, po duhej kthyer në standard. Erdhi një moment që gjuha letrare gege u hodh në grumbullin e harresës si shumë gjëra të tjera. “O ha këtë supë o hidhu nga dritarja!”. Standardi u kthye në gjuhën e ditës, e gjygjit, e urdhërit, e gazetës, e poezisë, prozës letrare e shkencore, etj.
Nuk përmendej se në dialektin e Jugut patën shkruar në “Hyllin e Dritës” Faik Konica, Lumo Skendo, Eqren Çabej, Spiro Konda, Namik Resuli e të tjerë. Lavrohej pa asnjë diskutim fjala e bukur shqipe gege dhe toske. Po gjatë këtyre kohëve u bënë përpjekjet serioze shkencore nga Komisia letrare e Shkodrës të afroheshin dy dialektet, duke u mbështetur tek gjuha e Elbasanit. Ndërsa sot po ndodh ajo që nuk pritej. Disa akademikë- senatorë, një ditë u hodhën përpjetë të revotuar se po cenohej standardi, dhe bile pati edhe urdhëra nga dikushi që të merren masa ndaj atyre që nuk respektonin standardin.
Me interes vërejmë se sot në Tiranë po tretet standardi me gjuhën e bukur që e flasin vajzat dhe djemtë e rinj, një gegënishte të përzier me pak standard, që po shkon gjithnjë drejt Veriut, po pa influencën e asnjë dialekti, me diksionin e Shqipërisë së Mesme, një shqipe e re që na i lë me gojë hapët senatorët akademikë, të cilët nuk pushojnë së mallkuari me nostalgjinë e zemrës, që i karakterizon. U ruajt infinitivi dhe gjuha mori bukuri, sa çuditem se si ndodhi kjo.
Jeta dhe dëshira u jep të drejtë atyre që e kanë. U krijua gjuha letrare e Tiranës, që e flasin ato që vijnë në Tiranë, të rinjtë e të vegjëlit, gjuhën që rrjedh dhe shkon drejt burimit nga ka ardhur, në formë të re, të ëmbël, të hijshme, të saktë, me të gjitha kohët gramatikore, ku fjalori shtohet e pasurohet me fjalë të rralla, me stil të rrjedhshëm, duke e lënë pak nga pak standardin në hije.
Ka disa autorë që shkruajnë në gjuhën letrare të Veriut, midis të cilëve jam dhe unë. E nisa vargun tim në gegënisht, kalova në botimet e para në standard, siç e thashë më lart, po në përmbledhjen e poezive të mija të zgjedhura do t’i gjejsh të gjitha në dialektin verior, me përjashtim kur vargjet u takojnë ngjarjeve ose ndeshtrashave në Jug.
Pyetje: Arshi Pipa lidhur me problemin e gjuhës letrare ka shprehur mendimin që shqipja të përfaqësohet me dy gjuhë letrare, toskërishten dhe gegënishten. Dukuri që e kanë edhe popuj të tjerë. Veç të mirave në fushën e gjuhësisë dhe të letërsisë, duke begatuar lakmueshëm shqipen, kjo gja do të ishte një faktor psikologjik pozitiv shumë i fuqishëm, sepse do të shmangte situatën përçarëse që përmendem më lart. Si ju duket një mendim i tillë?
Përgjigje: I ndjeri Arshi e mendonte drejt. Ai ishte me origjinë nga Jugu po u rrit në Shkodër dhe kuptohet se qëndronte mes ishujve gjuhësorë. Kjo nuk ia prishte qejfin askujt, po jeta na çoi diku tjetër, që ndoshta nuk do ta mendonte kush. Kryeqyteti lind e rrit atë që Komisia gati një shekull më parë parashikoi me shumë largpamësi.
Pyetje: Çdo poet ka një marrëdhënie të veçantë me fjalën. Tek poezia juaj qëmtohet një respekt i thellë në disa rrafshe për këtë element themelor ndërtimi: respekt për fjalën si strukturim gjuhësor i njëmendtë, si bartëse e kuptimësisë së parë; për fjalën si kumt që shqipton një ideal në jetë; respekt për fjalën si ligjërim poetik që sublimon të bukurën; respekt për fjalën si mjet çlirimi, pasurimi dhe fisnikërimi shpirtëror vetjak dhe si mjet përçimi të vlerave humane tek të tjerët. Refleks i këtij vlerësimi është edhe përdorimi nga ana juaj i një fjalori tejet të pasur që arrin të aktivizojë edhe fjalë që vështirë pajtohen me poezinë. Çka është për poetin fjala, cili është roli i saj në krijesën poetike?
Përgjigje: Fjala për poetin asht jeta e poezisë. Ajo qe e para dhe e para mbetet. Zoti veç gjuhës, fjalës, ia dha dhe fjalën shenjave, gjuhën shenjave. Po poezia pa fjalën nuk ekziston, nuk ka jetë. Poezia pa fjalën nuk shkruhet. Ajo me fjalën lexohet, recitohet, prek shpirtin aty ku nuk arrin ta prekë shenja, po duhet të zgjidhet si kokrrat e pjekuna të frutave, të vendoset si gurët e themelit, si tullat në mur, pa teprime, ashtu si duhet, ashtu si thuhet, po gjithnjë nga arkitekti i vargut. Kësisoj ajo merr bukurinë që ka të mshefur brenda vetes, del në dritë, jep ato reflekse drite nëpër të gjitha kohët.
Pyetje: Gjithsesi, ndjenja është më e thellë se fjala, dhimbja është më e thekshme se gjuha. Është shprehur mendimi i pafuqishmërisë së gjuhës për të zbuluar në plotninë e vet shpirtin poetik. Lasgushi, poeti i brishtësisë më të epërme të fjalës shqipe, e ka vënë në dukje këtë fakt aq sa i është drejtuar gjuhës me epitetin “o mos-e kuvenduar”:

“Ti ndrin në thelb të jetës si dritë e përvëluar,
O gjuhë e zemrës sime, o mos-e-kuvenduar”.

Në këto dy vargje, ai na ka dhënë atributin e gjuhës si kumt, si burim drite (dijeje, informacioni), dashuri-dhimbjen e tij për të dhe njëkohësisht pafuqishmërinë, paaftësinë e saj për të depërtuar në skajet më të hijesuara të shpirtit. Këtë “mos-kuvendim” e pati poetizuar më parë mësuesi dhe udhëheqësi i tij i parë shpirtëror e artistik, Naimi: “E ku shkruhen në kartë / fjalët e gjuhës së zjarrtë ?” A hasni vështirrësi për këtë pafuqishmëri të gjuhës dhe si çliroheni prej saj?
Përgjigje: Në jetë nuk thuhen të gjitha, sepse jeta nuk mjafton. Shumë vargje mbesin pa e parë dritën, sepse nuk arrin të thuhen, shumë fjalë pra nuk arrin dritën, o nga mosdashja jonë, o nga pakujdesia jonë, o sepse nga ndonjëherë kushtet dhe momentet të detyrojnë të mos thuash çdo gjë. Kështu ndoshta do vinte fjala e Lasgushit – O mos-e-kuvenduar që për ne që shkruajmë do të ishte nji fatkeqësi e madhe. Po dialektika e jetës e ka edhe mos kuvendimin, kjo do të ishte një hapësirë e re për brezat që vijnë, ku ato do të mund të plotësonin atë që ne nuk kemi arritur ta kuvendojmë në vargje e në letra, në prozë e në poezi.
Pyetje: Një i urtë ka thënë: “Të mos jesh kurrë i kënaqur me atë që krijon”. A e keni provuar shpesh këtë ndjenjë ?
Përgjigje: Ne, i dashur Anton, nuk na hiqet pena nga dora. I shohim e i rishohim vargjet e mundohemi t’i përsosim. S’jemi të kënaqur me ato që krijojmë, as me sasinë, as me cilësinë. Këtë gjë ne do ta bëjmë sa të jemi gjallë. Ndoshta moskënaqja me atë që kemi bërë është bërë shtysa jonë e përditshme.

Duke ju falënderuar për përgjigjet e çlirëta dhe të një niveli të lartë kulture, ju uroj shëndet, mbarësi e suksese në rrugën e pasurimit të poezisë sonë me vlera të reja!

Intervistoi Anton Çefa

Botime

1.Duke kapërcyer shekullin
2.Në diellin e vështirë
3.Nata e vdekjes së dytë
4.Ëndrra e bregut tjetër
5.Nata pa agim
6.Flautet e dimrit
7.Pellgje dielli
8.Katër shekuj para Krishtit
9.Sytë Kast (dy botime)

Në gjuhë të huaja

1.Diell i vështirë (anglisht)
2.Diell i vështirë (italisht)
3.Perënditë e heshtjes (greqisht)

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...