Agjencioni floripress.blogspot.com

2017/03/14

Si u sulmua Lasgush Poradeci në Lidhjen e Shkrimtarëve


“Jeta që na dhanë”, libri që pritet të dalë në treg.

Londo: Diskutimet kundër Poradecit në Lidhjen e Shkrimtarëve.

Dënimi me harresë i poetit, debati i ashpër në vitet ’80 dhe ceremonia pompoze mortore.

Shemëria mes gazetave “Drita” dhe “Zëri i Popullit”

“Raporti i nderë me Ramiz Alinë e sulmet ndaj redaksisë”




Bardhyl Londo

Gjatë viteve të diktaturës ishe i detyruar të vishje kostumin që të kishin prerë të tjerët, në të kundërt kishte pasoja të rënda. Jo më kot shkrimtari e poeti Bardhyl Londo e ka quajtur librin e tij me kujtime nga ajo kohë “Jeta që na dhanë”. Përmes librit të tij, ai na tregon se si trajtoheshin poetët nën diktaturë, edhe ata më të mëdhenjtë, si Lasgush Poradeci. Në listën e gjithë dënimeve, sipas Londos, ishte edhe ai me vetmi, me harresë. Dhe ky dënim i ishte caktuar edhe Poradecit, poetit që nuk pranoi të ndiqte rregullat e realizimit socialist, që jetonte mes të gjallëve e të vdekurve. Si e trajtonte Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve poetin e madh, sulmet e vazhdueshme dhe përvjetorët hipokrite. Por ç’ndodhte ndërkohë në redaksinë e gazetës “Drita”, ndaj së cilës nuk mungonin sulmet e drejtpërdrejta e të tërthorta nga Ramiz Alia. Cila ishte marrëdhënia e ish-kryeredaktorit të gazetës më të lexuar në vend me Raiz Alinë dhe pozicioni i Dritëro Agollit. Të gjitha këto në një fragment shkëputur nga libri “Jeta që na dhanë”.

Lasgush Poradeci, e bija Marie Poradeci dhe qeni i tij

Mes shumë dënimeve, kishte dhe një dënim tjetër, dënimi me vetmi, me harrim, me izolim. Ndonëse mund të jetoje në mes të kryeqytetit dhe të lëvizje lirisht, vinte një ditë që e kuptoje se ishe krejt i izoluar, i harruar, i përjashtuar nga jeta publike. Nuk mund të shkruaje më ashtu siç kishe shkruar deri tani, por duhet të shkruaje për atë dhe siç donin ata. Nuk mund t’i zgjidhje vetë dhe t’i botoje vjershat e tua vetë ndonëse i kishe shkruar qysh në vitet tridhjetë, por vjershat do të t’i zgjidhnin të tjerët, do t’u vinin një titull “Poezi të zgjedhura” dhe do t’i hidhnin në treg me një sasi të tillë kopjesh që e përcaktonin po vetë me synimin që libri të binte sa më pak në duart e njerëzve. Natyrisht që këto masa pasoheshin nga të tjera që ishin po aq të rënda. Porositeshin gazetat ose të mos shkruanin fare për librin, ose po të shkruanin u përcaktohej edhe numri i rreshtave, vendi ku do ta faqosnin, tonaliteti i shkrimit, kishte raste kur u rekomandohej edhe autori që mund ta shkruante shkrimin dhe që duhej të ishte besnik dhe i dëgjuar ndaj asaj që kërkohej nga shkrimi i tij, por duhej të kishte patjetër edhe një cilësi të domosdoshme: të ishte sa më i paaftë dhe i panjohur, ose i njohur për moral të dyshimtë, në mënyrë që poetit në vend që t’i bënin nder me shkrimin në gazetë apo revistë, e kryqëzonin. Martiri më tipik i kësaj procedure dënimi tepër të stërholluar ka qenë Lasgush Poradeci i cili kishte vite dhe dekada që jetonte i shkëputur nga të gjallët dhe e kishin detyruar të bisedonte apo të monologonte vetëm me të vdekurit dhe me Cucin, qenin e tij.
Në fillim të viteve tetëdhjetë në kryesinë dhe në organizatën e partisë të Lidhjes u zhvillua një debat i ashpër për Lasgush Poradecin, debat që arriti deri në kupolën më të lartë partiake dhe qeverisëse të asaj kohe. Askush nuk e dinte sa vjeç ishte Lasgushi me saktësi, por u kujtuan se duhej festuar një përvjetor i tij, i tetëdhjeti apo i nëntëdhjeti. Diskutimet ishin të ashpra sa vendimi u mor në instancat më të larta shtetërore dhe partiake. Sipas meje, më tepër se për Lasgushin ishte një debat që u zhvillua për modelin që përfaqësonte poeti, pra për letërsinë e angazhuar hapur, letërsi të cilën në njëfarë mënyre Lasgushi e kishte bojkotuar dhe pothuajse nuk kishte pranuar të shkruante fare ose kishte shkruar shumë pak pas vitit 1944 (edhe poemën “Kamadeva” e kishte mbajtur në sirtar) dhe modelit të letërsisë së lirë, pa tezë, model që poeti e kishte mbrojtur me tërheqjen dhe vetminë e tij prej shenjtori asket.
Sa u përhap lajmi se do festohej përvjetori i Lasgushit salla e Lidhjes ishte mbushur si asnjëherë tjetër. Interesimi ishte në shkallën më të lartë. Në orën e caktuar, kur Lidhja gëlonte nga njerëzit e shumtë, Lasgushi nuk po dukej. Grupi iniciator i festimit të përvjetorit të tij, filloi të ndjehej shumë keq. Me vështirësi të madhe gjetën një makinë dhe rreth një ore më pas, e sollën poetin në sallën e Lidhjes. Me një kostum të zi, me një kapele republikë po të zezë, me bastunin që nuk e ndante kurrë nga dora poeti hyri i përhumbur duke shikuar tavanin e sallës a thua se donte të bisedonte me qiejt dhe jo me ata që e prisnin në sallë. Mungonte vetëm Cuci, qeni i tij, që Lasgushi nuk e ndante kurrë si për të sfiduar njerëzit dhe për t’u thënë se miqësia me qentë është shumë më njerëzore se shoqëria me njerëzit. Ishte aq i zbehtë sa dukej sapo ishte ngritur nga varri dhe ndjehej shumë i bezdisur që ia prishën qetësinë dhe vetminë në të cilën ishte zhytur prej kush e di sa vitesh.
Pasi mbaruan ato që ishin parashikuar dhe që po thuaj përsëriteshin sipas parimit të kallëpeve të sapunit në çdo përvjetor, të gjithë prisnin çfarë do të thoshte Lasgushi. Poeti vazhdonte të shikonte i përhumbur tavanin. Dikush e nxiti dhe i kujtoi se duhej të thoshte dy fjalë. Kundër zakonit të atëhershëm që duhej të falënderoje Partinë dhe organizatorët e ceremonisë, poeti doli nga përhumbja, ngriti gishtin duke ia tundur sallës dhe shqiptoi me një zë që u përpoq të forconte disa fjalë thelbi i të cilave ishte: dëgjoni këtu, poeti është i shenjtë, poeti është mbi gjithçka… Pastaj u përhumb prapë në botën e tij dhe u bashkua me qiejt, me kostumin dhe kapelën republikë të zezë, me bastunin, me zbehtësinë e tij prej shenjtori. Ishte sfida e tij e fundit publike, në një jetë mbushur plot me sfida shumë prej të cilave kanë mbetur proverbiale. Pas disa kohësh poeti vdiq dhe e varrosën në Pogradec. Varrimi ishte shumë më pompoz se të gjitha nderet që i ishin bërë sa ishte gjallë. Dhe, siç ndodh rëndom në këto raste, më të pikëlluar dukeshin ata që nuk e ishin dashur kurrë dhe që kishin luftuar të mos i festohej përvjetori.
Nuk imponohej vetëm dënimi, por edhe masa deri ku duhej t’i shtrinte këmbët një autor. Kur e kuptonin se këmbët e një shkrimtari e kishin kaluar jorganin që kishin përcaktuar për të, fillonte prerja e këmbëve. Kishte një xhelozi dhe ligësi djallëzore jo vetëm ndaj sukseseve të shkrimtarëve, por edhe ndaj jetës dhe gazetave ku shkruanin dhe botonin ata. Mundoheshin që herë pas here firmat më të njohura t’i tërhiqnin edhe te “Zëri i popullit” por pendoheshin shpejt sepse shkrimtarët sado të kujdesshëm dhe të përkorë të tregoheshin, u dilnin nga brazdat e tyre. Në këto raste ua kthenin shkrimin dhe u thoshin se është shumë letrar, shkon për “Dritën”… Ishte një paradoks i jashtëzakonshëm: gazeta “Drita” për lexuesit ishte më e kërkuara dhe më e veçanta. Mjaftonte kjo që gazeta të shikohej me një sy shumë xheloz, si një gazetë që gjithmonë ka pasur mundësinë për të bërë gabime ideologjike në çdo rast, si një gazetë që duhej lexuar me një trajtim dhe vëmendje të veçantë nga censura. Për të sulmuar dhe zvogëluar popullaritetin e “Dritës” shpesh përdoreshin edhe sulmet e “gazetës mëmë”, “të primadonës” së shtypit shqiptar, “Zërit të popullit”.
* * *
Në vitin 1986 kur u ndodha për një vit kryeredaktor i komanduar i “Dritës” e kuptova mirë se çfarë kuptimi kishte të të sulmonte “Zëri i popullit”. Kjo gazetë që kishte të drejtën të bënte gjithçka dhe askush nuk mund t’i përgjigjej qoftë dhe për t’u mbrojtur, çdo ditë të diele faqen e tretë filloi t’ia kushtojë problemeve të letërsisë dhe arteve. Por në vend që të merrej me këto probleme, sulmonte vetëm gazetën “Drita”, e gjykonte dhe etiketonte atë sipas dëshirës së redaktorit të saj mendjeshkurtër. Ishte një situatë shumë e tensionuar dhe fyese: çdo të diel prisnim ditën e gjyqit. Kur qëllonte që për arsye të ndryshme nuk përmendeshim në faqen e tretë “të gazetës mëmë” fillonim të bënim humor të hidhur me veten: çfarë kemi bërë që na paska harruar “gazeta mëmë”?
Në fillim të atij viti hapëm një diskutim për gjendjen e përkthimeve në Shqipëri. Pa dyshim që ishte një diskutim shumë i mirë për atë kohë. Mundëm të tërheqim në diskutim edhe figura të tilla të përkthimit si Lasgush Poradeci (e ringjallëm, pra) apo Robert Shvarci. Gazeta filloi të kërkohej shumë më tepër se më parë, madje të diskutoheshin gjerësisht në qarqet letrare ato që shtroheshin në faqet e saj për përkthimet. Siç duket i kishim nxjerr këmbët jashtë madhësisë së jorganit që na kishin caktuar. Atëhere nuk vonoi kundërpërgjigja e së dielës. Ishte një shkrim i stërgjatë që, ndryshe nga herët e tjera, shtrihej në dy apo tre faqe të “gazetës mëmë”. Edhe autori ishte krejtësisht special. Ishte përdorur Hamit Beqja, i njohur për autoritetin e tij në Komitetin Qendror dhe për lidhjet e tij të ngushta me Ramiz Alinë.
Shkrimi ishte shumë fyes dhe irritues. Donin të na mbyllnin gojën duke na sulmuar atje ku ishim më të fortë. Sulmonin pikërisht diskutimin e hapur për përkthimet dhe na akuzonin se hidheshim degë më degë. Nënteksti, apo më mirë urdhri, ishte i qartë: mbylleni gojën dhe duhet të merreni me ato diskutime që i përcaktojmë ne.
Me zor e kam shtyrë të dielën dhe prisja me padurim të hënën. Qysh në mëngjes, i lashë të gjitha punët edhe mbledhjen e radhës së redaksisë, dhe hyra te Dritëroi. Dritëroi nuk kishte ndryshim fare nga ditët e tjera: ose nuk e kishte lexuar shkrimin, ose nuk i kishte bërë fare përshtypje. Atëherë e pyeta unë a e kish lexuar shkrimin. Çfarë shkrimi, më tha. Të “Zërit të popullit”, i thashë. Jo, m’u përgjigj, po çfarë thotë. I shpjegova me pak fjalë çfarë thoshte shkrimi dhe i lashë të kuptonte qartë se diçka duhej të bënim si reagim. E, mo, tha, ashtu e kanë ata, pse ua vë kaq shumë veshin…
Ika, natyrisht i nxehur dhe i fyer, por çfarë mund të bëja unë kundër “gazetës nënë”? Nuk kaloi gjatë dhe kësaj here ishte Dritëroi që hyri te zyra ime. Po mirë, më tha, çfarë mendon ti të bëjmë? T’i përgjigjemi, i thashë. Mirë, tha, do t’i përgjigjemi. U mbyll në zyrën e tij dha pas rreth një ore më thirri në zyrë. Kyçi nga brenda derën dhe më zgjati dy letra të bardha ku kishte filluar përgjigjen që do të botonim të dielën. Kur fillova të lexoj ato që kishte shkruar Dritëroi me shkrimin karakteristik dhe me një stilograf krejt të veçantë, sa nuk më ra tavani në kokë. Ajo nuk ishte përgjigje, ishte sulm në stilin e fejtoneve më të mprehta të Dritëroit ndaj “gazetës mëmë”. Mirë unë, shkruante Dritëroi që kaloj degë më degë, por ti që hidhesh hu më hu? Po kujdes se një ditë do të të ngulet patjetër ndonjë hu…
Ishte rreth tre çerek kolone e faqes së gazetës sonë. Duheshin dhe tre kolona e pak të mbushej faqja. Tani, tha Dritëroi, do ta vazhdosh vetë. Unë do të iki në Pogradec, por nga kjo që kam shkruar unë nuk do të ndryshosh asnjë germë. Ishte urdhër i prerë nga eprori im direkt.
E kuptova që shkova si breshka te nallbani. Por tashmë dorashka ishte hedhur dhe sfida ishte pranuar. E vazhdova vetë shkrimin, natyrisht me stil dhe gjuhë shumë më të qetë dhe deri të shtunën në drekë e kam mbajtur të kyçur në sirtar. Nuk ia dhashë as daktilografistes, as korrektores se kisha frikë mos merrej vesh, siç na kishte ndodhur herë të tjera dhe na e hiqnin nga shtypshkronja. Të shtunën rreth orës tre, në afatin e fundit, ia dorëzova dezhurnit në shtypshkronjë dhe e porosita që ai shkrim do të botohej patjetër dhe nuk mund të hiqej kushdo t’ia kërkonte këtë. Mora Teodor Kekon dhe u zhdukëm në Pogradec pa lajmëruar se ku ishim. Kaluam një natë makthi dhe në mëngjes dolëm nga dhoma pak vonë. Dritëroi me Sadien dhe Niko Nikollën po pinin kafe. E pe gazetën, më tha Dritëroi gjithë qejf. Jo, i thashë, sapo u ngrita. Ka dalë shumë bukur, më tha, edhe ti e kishe shkruar aq mirë sa nuk kuptohej fare që shkrimi ishte shkruar nga dy duar. Ku më rreh mua, ku e ka hallin ky, thashë me vete. Megjithatë qetësia olimpike e Dritëroit, më siguroi deri diku edhe mua.
Për t’i shpëtuar së hënës dhe telefonave torturuese nga drejtoria e shtypit ndenjëm me Dorin deri pas dreke në Pogradec. Dritëroi u nis në mëngjes herët se të hënën kishte mbledhjen e Komitetit Qendror. Sa po arritëm në Tiranë e mbajtëm vrapin te hotel “Tirana” për të pritur Dritëroin. Kryetari erdhi gjithë humor. Hë, i thamë, çfarë të thanë për shkrimin? Shumë mirë, u përgjigj shkurt Dritëroi. Vetë Foto Çami (atëherë sekretar i Komitetit Qendror për propagandën) më tha se debat kërkojnë, debat gjetën…
Ndryshe nga ç’prisja, historia e atij shkrimi u mbyll po atë ditë. Mua nuk më thirrën të jepja llogari apo shpjegime. Por, pak kohë më vonë vetë Ramiz Alia filloi një sulm shumë të egër ndaj gazetës. Unë kuptoja vetëm egërsinë, por nuk merrja vesh përse kritikoheshim dhe çfarë kërkonin prej nesh. Një gjë ishte e qartë: nuk e kishin gëlltitur dhe nuk na e kishin falur kurrë guximin për të ngritur krye ndaj “gazetës mëmë”. Pak muaj më vonë Dorit i kishte qëlluar të kthehej nga Lezha me të njëjtën makinë ku ishte sekretari i partisë i gazetës “Zëri i popullit”, një gazetar me të cilin njiheshim qysh në fakultet. Dori i kishte hapur bisedën e shkrimit. Ju të “Dritës” i kishte thënë sekretari me nervozizëm, jeni të gjithë rrugaçë, nuk mund të merresh me ju… Dhe vërtetë më të mirën që pati shkrimi ishte se “gazeta mëmë” nuk u mor më me gazetën “Drita” dhe të dielat tona u kthyen në normalitet… Sot mund të duket si ajo fjala që thonë të mbytesh në një pikë ujë, por për atëherë nuk ishte pak.
* * *
Episodi i mësipërm ishte tamam në stilin dinak e tinëzar të Ramiz Alisë. Më vonë do të kisha shumë herë rastin ta ndjeja këtë stil. Por tashmë kisha fituar shqisat për t’i kapur e deshifruar sinjalet e tij. Në fillim të viteve ’90, në Shqipëri kishte ardhur një gazetar rus i “Literaturnaja gazeta”, përkthyer ndryshe motra e “Dritës” në Moskë, edhe kjo gazetë me një reputacion të jashtëzakonshëm për kohën. Gazetari, një dendi i vërtetë, që mua më dukej se shtirrej shumë më tepër se ç’ishte, kërkoi takim me presidentin Ramiz Alia. Më numëroi disa presidentë me të cilët ishte takuar dhe i kishte intervistuar dhe më tha se menjëherë pas takimit me Ramiz Alinë do shkonte në Beograd të intervistonte Milosheviçin me të cilin kishte lënë edhe ditën edhe orën e takimit. Megjithse më dukeshin të gjitha si përralla, telefonova administratën e Ramiz Alisë, atëherë president, dhe u shpjegova kërkesën dhe kush ishte gazetari rus. Kola Stavri, ky ishte personi me të cilin fola, më dëgjoi me shumë vëmendje dhe me një mirësjellje të lexueshme më tha se do të më telefononte vetë sa po t’ia paraqiste kërkesën shokut Ramiz. Nuk kaluan as pesë minuta, dhe nga ana tjetër e receptorit Kola Stavri më tha se shoku Ramiz është gati ta presë gazetarin rus. Brenda po asaj dite, caktuam orën. Po kush do ta shoqërojë, më tha Kola. Olga do të vijë patjetër i thashë, se do të bëjë edhe përkthimin. Olga ishte një punonjëse e ambasadës ruse që dinte shumë mirë shqip dhe që me mua mbante vazhdimisht marrëdhënie miqësore. Po tjetër, më tha nëpunësi. Tjetër nuk e di, i thashë, ajo është në dorën tuaj. A mund të vini ju, më tha duke m’u drejtuar me “ju”. Është kënaqësi, iu përgjigja unë po me stil diplomatik gjë që ka qenë dhe është kundër natyrës time. Presidenti na priti në një sallë të madhe në katin e parë ku binte në sy mbi gjithçka një portret a bust i Skënderbeut. Ramizi që në fillim e nisi bisedën në mënyrë të çliruar, duke pasur parasysh se kishte përpara një gazetar të një gazete letrare dhe jo të një gazete politike. Kur gazetari i tha emrin, presidenti nuk e la të vazhdonte gjatë, e ndërpreu me intimitet dhe i tha se shkrimet e tij i kishte përcjellë gjithmonë me interes. Unë ula kokën që të mos më shikonin buzëqeshjen ironike: kisha disa vjet që e ndiqja rregullisht “Literaturnaja gazetën” për arsye se ajo na vinte në Lidhje dhe emrin e këtij gazetari nuk e kisha parë ndonjëherë. E vërteta është, që pas takimit “gazetari i përcjellë me interes nga Ramiz Alia” nuk shkroi gjë as për Tiranën, as për takimin me Millosheviçin.
Ramizi, megjithëse e dinte shumë mirë rusishten, linte Olgën të përkthente dhe vetë fliste shqip. Vetëm në një rast i ndërhyri me shaka përkthyeses: e përktheve gabim, i tha. Dhe vërtetë, Olga që dridhej nga emocionet dhe ishte skuqur a thua se kishte pirë një fuçi me verë, ngatërroi fjalën verë (stinë) me verë (pije). Kaq u desh që Olga ta humbte fare dhe pjesa e bisedës së mbetur u zhvillua në rusisht.
Nga fundi i bisedës, gazetari e pyeti për rolin e intelektualëve në situatën që po kalonte Shqipëria dhe gjithë vendet e ish-Lindjes komuniste. Kanë një ndikim shumë të madh në Shqipëri, i tha presidenti. Ja, tha dhe më tregoi mua, po të dojë ky, bën një poemë dhe ndikon shumë, tha. Sapo kisha botuar poemën “Thirrjet e gjakut” dhe kujtova vërtetë se presidenti nuk e kishte lexuar. Sapo e botova, i thashë. Cilën, më tha. Thirrjet e tua, u përgjigj vetë duke u zbuluar plotësisht. Aha, tha, jo ashtu… ndryshe, ndryshe… një poemë siç duhet…

Nga ALEKO LIKAJ : Si e vranë Drita Çomon


Arkivolin e ulën për një çast në tokë. Kishin kaluar pragun e një shtëpie, që gjasonte më tepër me një barangë të vjetër pas postës së policisë së qytetit, ku përgjoheshin prej viteve. Dy gra që lëviznin drejt derës. Njëra prej tyre e mbylli bravën dhe çelësin e futi në xhepin e një xhakete të vjetër të zezë, të dalë boje. Gruaja tjetër diç kërkoi në çantën që mbante në supin e djathtë, pastaj u afrua drejt kreut të arkivolit. Burri që ishte aty dhe që i dalloheshin nga larg një palë mustaqe të holla, bëri një shenjë rrefuzimi. Nga dritarja e dhomës së fjetjes, i mbështetur mbi parvaz, pashë "zukun" gri të komunales së Cërrikut. Së bashku me shoferin, një punëtor me kombinoshe gjithë gëlqere e llaç, hapën spontin e makinës që dukej tepër e vjetër. Qëndruan aty. Mbase dikush nga larg nga një kënd që unë nuk mund ta shikoja, i urdhëroi. Duhej të ishte një hije. Mundet edhe sigurimsi i ri, i sapombërrritur në atë qytet të vogël, që kishte marrë përsipër të zëvendësonte fytyrëkuqin, Karlo, që i kishte gjurmuar prej më shumë se tre vjetësh Liri Belishovën me të bijën, Drita Çomon.
I heshtur, arkivoli u vu përsëri në udhë. Katër personat që mezi e mbanin, kaluan kanalin që ndan asfaltin e prishur nga oborri i shtëpisë. Të dyja gratë mbanin fundin, por u duk se u lodhën shpejt. Aty në rrugë e ulën përsëri. Njëri prej burrave kërkoi të ndërroheshin dhe gruaja me flokët e mbledhura topuz, doli në fillim. Çantën e mbante në krah. Dukej se e pengonte. Në një çast fërkoi duart. Mbase nga lodhja. Liria dy metra më tej kaloi lehtë dorën mbi suprinën e ndritshme të arkivolit, sikur donte të përkëdhelte edhe njëherë të bijën, që ishte shtrirë brenda si në gjumë të thellë. Pastaj fshiu lotët me një shami. Një prej burrave e kapi nga krahu dhe e tërhoqi duke e mbështetur për një çast pranë gjoksit të tij. Dukej që dëneste. Burri tjetër erdhi pranë. Diçka i foli e pastaj i kaloi dorën në supet që i dridheshin. U kthye nga pallati ynë. Më pas e kaloi vështrimin tek dy pallatet e tjera që rrinin përballë. Me siguri që dalloi dritaret e mbyllura dhe perdet e hapura. Kuptoi se qyteti përgjonte. I heshtur dhe gojëprerë. Me një ndjenjë frike, por edhe keqardhjeje për vajzën me sy të veçantë, të hijshme dhe nga me bukurat në hapësirat e tij.
Nëna ime më bëri me shenjë që të mbyllja dritaren. Një çast më parë ajo kishte zgjatur kokën dhe kishte pëshpëritur:"Të shkretën Liri ç'e gjeti. Korba, ajo..." Ime shoqe që ishte nuse e re në shtëpinë tonë, kafshoi lehtë buzën e poshtëme, sikur donte të më thoshte: "Mos u bëj i keq! Kërkon të na shkatërrosh?" Kishim mbërritur atë mëngjes nga Elbasani ku jetonim së bashku prej dy muajsh. Fund jave, si zakonisht mblidhesha te prindërit e mi, të cilët më dukej sikur i kisha braktisur dhe harruar. Babai në kuzhinë lexonte “Zërin”. Fshihte sytë e vegjël gri poshtë kristalit të qelqtë të syzeve dhe herë pas here shfrynte me kraharor. Gjetiu e kishte mendjen... E ndoqa në një çast të vetëm me sytë nga dera e hapur dhe u ndjeva vërtet keq. Nuk mund të flisje edhe pse tej një vajzë e ndrojtur po largohej nga kjo botë e mbyllur brenda një arke, jo krejt e panjohur për ne, edhe pse askush nga familja ime nuk mund t’i fliste. Por ne e njihnim atë. Edhe jetën e saj deri në detaje. Me motrën time të vogël shpesh herë përshëndetej me një ulje koke të lehtë . Ishin vajza fqinje prej disa vjetësh, edhe pse ime motër ishte disa vite më e vogël. Shpesh herë ajo na tregonte, por babai një ditë i kishte thënë: " Je e vogël dhe ca gjëra nuk i kupton. Ajo nuk është e lirë. Jeton si në një burg të vërtetë. Mëkat!..."
- Po e hipin në zuk, - tha motra ime e vogël që zgjati një çast të vetëm kokën në dritare duke më shkundur edhe mua nga përhumbja.
Arkivolin vërtet po e vendosnin në karrocerinë e makinës që një çast më parë kishte transportuar llaç për brigadën e muratorëve të komunales, të cilët po riparonin fasadën e banjos së vetme të qytetit , diku pranë kinemasë, në qendër të qytetit të Cerrikut. Këtë herë punëtori dhe shoferi po e shtynin arkën drejt mesit të mjetit. Pastaj fërkuan duart sikur kërkonin t’i shpëlanin ato. Ndoshta për të thënë se: "në këtë histori ishin krejtësisht të pafajshëm". Por ky çast nuk zgjati shumë. Lirinë njëri prej burrave e mori për krahu për ta hipur përpara me shoferin, por ajo nuk pranoi. M’u duk më e kërrusur se zakonisht. Mbase edhe nga pesha e gjëmës që i kishte rënë mbi kokë. Gruaja tjetër mbylli derën duke e përplasur me zhurmë. Zuku lëvizi dhe mori kthesën majtas përpara çerdhes e pastaj devijoi për në rrugën kryesore që të çon në Elbasan. Diku pas lagjes së Malasejit, ku banonin një pjesë e familjeve çame të Cërrikut si dhe disa familje jevgjësh, ndodheshin edhe varrezat e qytetit. Makina lëshoi një tym të hollë e u zhduk përfundimisht nga sytë tanë vetëm një çast më vonë. Ndjeva një peshë në gjoks. E ndala frymën në një çast. Ishte një dhimbje njerëzore...
Kurrë nuk do ta harroj atë çast...
Kështu më ka mbetur në mendje edhe sot e kësaj dite.

* * *


Nuk e di se pse, por Drita Çomo më ngjante me një Anna Frank të vërtetë. Kjo ide kishte nisur të më pushtonte që në çastin kur e kisha parë të nisej e heshtur në shkollë një mëngjes shtatori. Me një fustan të thjeshtë në ngjyrë të ëmbël gështenje e të prerë thjesht deri një pëllëmbë poshtë gjunjëve, kaloi e ndrojtur përpara meje. Ishim te kryqëzimi i rrugës që vjen nga spitali përpara postës së policisë e që pastaj degëzohej për në gjimnazin "Tomor Sinani" e në "bulevardin" e vetëm të qytetit të Cërrikut. Ajo ishte ende e parritur mirë. Me një trup të drejtë e të dobët dhe e brishtë si një fije bari, të cilin e përkund një fllad i lehtë pranvere. E heshtur dhe e trishtë. Me një fytyrë në ngjyrë të grurit që zgjatej paksa poshtë e me mollëzat të rrumbullakosura. Një portret fëmije që shprehte veçse dhimbje. Mbase fati e kishte goditur që të vuante ashtu si të mëdhenjtë një lloj persekucioni ku i mohohej liria. Kjo e fundit varej në perin e një operativi që i ndiqte tashmë prej vitesh si një hije. Madje e frikshme.
Ato ditë kisha parë në kinemanë e qytetit filmin e Anna Frankut. Ndoshta kjo ka qenë arsyeja që e lidha portretin e saj me këtë protagoniste që më kishte emocionuar. Në kokë më hipi një ide e mendim i çuditshëm. Edhe kjo vajzë, ashtu si Anna, duhet të mbajë shënime. Mbase edhe ditar. Drita kishte se çfarë të thoshte në ato radhë duke e përshkuar ditën e kredhur në vetmi si në një burg ku realisht i mungonin hekurat. Paraqitja tri herë në ditë përpara sportelit të policit Hetem apo Qinam, që përgjonin në dritaren e dhomës aty pranë...
Ishte fillimi i viteve ‘70 . Liri Belishova, ish anëtarja e Byrosë Politike, më kishte mbetur në mendje që nga fëmijëria e largët në një foto me flokët e prera shkurt që i rrumbullakoseshin mbi një fytyrë, ku binin në sy veçanërisht shkëlqimi i dy syve të vegjël e të zinj. Kur erdhi në Cërrik, e sistemuan në lagjen tonë. Disa ditë para se të vinte i kishin ngritur një si barakë pranë postës së policisë së qytetit. Tri metra më tej përpara derës kalonte rruga e spitalit. Ai ishte fare pranë pas dy pallateve dykatëshe, tip arkitekture sovjetike, të populluar kryesisht me naftëtarë që punonin poshtë në uzinë. Si vend pune i siguruan një prej magazinave të mëdha të ndërmarrjes së konsumit dhe tregtisë. Detyra e saj ishte seleksionuese zarzavatesh në sektorin që vinin nga kooperativat. I shoqi, Maqoja, ish ministër i bujqësisë, ishte në burg. Natyrisht me një dënim të rëndë e të zgjatur.
Kur e pashë për herë të parë, ndjeva një lloj zhgënjimi brenda vetes sime. Liria nuk i ngjante më asaj që kisha parë në foto. Isha i ri asaj kohe, pa i mbushur të njëzet e pesë pranverat. Punoja si mësues në fshatrat e Dumresë në kufi me Kuçovën dhe në shtëpi vija vetëm në fundjavë, sa për të bërë dy shëtitje mbrëmjeve në bulevardin që zinte fill nga kinemaja e qytetit deri para pallatit të shtëpisë sime. Gjithsejt 300-400 metra.
Familja e Liri Belishoves mbyllej brenda katër mureve të shtëpisë dhe nuk e kishte këtë lloj "privilegji" që të hazdisej si "kali në lëmë", ku zakonish ngrifeshin disa djem të rinj të sapoardhur nga fshati me punë në uzinë dhe që ëndërronin karrierën. Dilnin edhe vajza. Kryesisht gjimnaziste apo edhe studente të ardhura nga kryeqyteti për të pushuar dy ditë pranë familjeve. Anash në trotuare qëndronin kryesisht sehirxhinj, disa të mitur e çamarrokë, por edhe hafije, që nuk ishin të paktë në këtë qytet. Një pjesë e mirë e familjeve që e kishin një lloj "luksi " vendoseshn nëpër ballkonet që ishin përballë bulevardit, sapo vinte mbasditja. Pinin kafenë. Gratë bënin triko dhe gjysmëvështrimin e mbanin nga "bulevardi". Diskutonin e flisnin për të rejat e ditës që kishte mbërritur nga ndonjë thashethem absurd dhe natyrisht bënin edhe biografitë e njerëzve që i kishin përpara gjatë asaj xhiroje që mbaronte shpejt, aty rreth orës shtatë.
Më pas qyteti mbyllej brenda mureve të shtëpisë për të rënë në gjumë menjëherë. Nesër duhej të ishin që të gjithë të gatshëm për në punë. Natyrisht me energji të reja, të cilat u duheshin për të dhënë rendimente sa më të larta "për të mirën e shoqërisë".
Pikërisht në këtë bulevard do ta shikoja një buzëmbrëmje Drita Çomon, vajzën që kishte fituar tashmë një bukuri magjepsëse, me fytyrën gati fëminore e që rrezatonte veçse mirësi. Ishte më e rritur. Ishte gjimnaziste në vitin e parafundit. Ka qenë ndoshta vetëm një gjysmë xhiro. Mbase mund të ketë qenë deri te MAPO – ja në qendër. Ishte shoqëruar nga vajza e komandatit të regjimentit. Kam qenë me një shok. Ai më ceku supin me bërryl, nga që ishte pak më i gjatë se unë, si për të më thënë: "Shiko si është bërë!"
- Është bija e Lirisë. Shih çfarë trupi të rregullt që ka. Dhe sa e hajthme! Alamet goce... e shkreta! - tha ai pastaj dhe u mbush për një çast me frymë.
Shoku im e ndoqi për një çast me vështrim, derisa ajo u zhduk te kthesa në fund të ballkonit të Petref Latifit. Kishte marrë rrugën për në shtëpi .
"Sa shpejt që qenka rritur?! - bëra të çuditurin.Vërtet që më erdhi mirë për atë vajzë që kishte një botë dhe natyrë të veçantë.
Gjatë asaj kohe më kishte rënë në sy një djalë me trup mesatar, me një portret të dobët e brun. Nuk ishte më shumë se shtatëmbëdhjetë vjeç. Ishte Petriti, i biri i Lirisë dhe vëllai i Dritës. Natyrisht ai rrinte me dy a tre djem që kishin probleme me sjelljet e tyre në atë qytet të vogël punëtorësh. Të paktën ata kishin kurajon që ta shoqëronin në atë kohë. Në një ditë me shi kisha zbritur nga biblioteka e qytetit dhe më duhej të qëndroja poshtë strehës së kinemasë. Diku në qoshe pashë Petritin që fliste me pasion. Veshi ma kapi se ata diskutonin për futbollin. Flisnin për kampionatin shqiptar të asaj kohe. Djali fliste me pasion për njërën nga skuadrat e kryqytetit, që kërkonte të merrte titullin. Disa muaj më vonë në sezon vere e pushimesh në lulishten e qytetit rreth një stoli së bashku me këta shokë, vazhdonin të diskutonin përsëri për futbollin, edhe pse kampionati kishte mbaruar.
- Është tifoz i madh, - më tha Qani Arapi, që rrinte me shtëpi përballë asaj të Lirisë. Vetëm rruga i ndante. - Po ç’të bëjë i ziu. Veçse për atë mund të diskutojë. E ka nga halli. E përgjon Karloja.
Sigurimsi Karlo ishte një fytyrëkuq dhe me leshtë e kokës gati të kuqe. Nofulla e tij ishte e tejzgjatur dhe në pamjen e parë të ngjasonte me një kalë të hazdisur. Ashtu e kishte edhe të ecurën. Njëri sup i varej gjithmonë e sytë i kishte të mëdhenj e si të çakërdisur. Thuhej se ishte nga Shkodra. Kishte disa vite që e ndiqte Lirinë aty në Cërrik. Për këtë e kishin sjellë nuk dihej nga ku. Jetonte me shtëpi pranë Qaniut. Dy dritaret, atë të kuzhinës dhe të dhomës së gjumit, i kishte përballë nga barraka e Lirisë. E kontrollonte sapo ajo hapte derën për të shkuar në punë te magazina e konsumit prapa komunales.
Thuhej që e kishte qejf gotën dhe në shumicën e rasteve qëndronte në një gjendje ekstaze, ku kutërbonte veçse alkool. Më kishte rënë në vesh se ishte edhe qejfli pas grave. Në atë kohë flitej se kishte zënë të dashur edhe një bufetiere, që sapo i kishte vdekur burri me kancer, duke e lënë të ve me një vajzë të vogël. Karloja të imponohej me një natyrë të rrëmbyer dhe me fjalët e vrazhda, aspak të hijshme. Të fyente për hiç mos gjë. Të kërcënonte dhe këtë e bënte realitet. Më kishin thënë se i thërriste në polici djemtë e bukur të qytetit, sepse i shihte si rivalë. U bënte presion. Dikë ndofta arriti ta bëjë edhe bashkëpunëtor. Kësaj nuk i dihet mirë filli. Punë të fëlliqura dhe të fshehta bëheshin shumë asaj kohe. Unë nuk pata folur ndonjëherë me të.
Lirisë nuk i ndahej. E kontrollonte disa herë te magazina e Gani Elezit gjatë orarit të punës, edhe pse ajo paraqitej tri herë në ditë në polici për të bërë listëprezencën. Ai kishte pushtet të pakufishëm mbi familjen e saj.
Në çast, kur i a njoha mirë karakterin këtij tipi që hiqej si Fusheja, mendova për Dritën. Ai mund t’i kthehej edhe vajzës në emër të detyrës. Nuk e di, por ato ditë e kam menduar mirë këtë lloj aventure ndaj asaj vajze të brishtë, e cila rrezatonte edhe një karakter të paepur ndaj farsave të tilla. Zor se mund t’i binte në dorë atij fytyrëkali që mbante erë alkool. Por ai e kishte mendjen tek të tjerat. Bufetierja e gostiste vazhdimisht me pije. Madje i jepte me vete edhe ndonjë shishe. Ajo ishte në një moshë që e kërkonte dashurinë dhe shtratin. Jetonte e vetme në qytet, në një pallat që nuk binte në sy të askujt. Një shok yni që banonte aty, na thoshte vazhdimisht se Karloja vinte pas mesnate e dilte afër mëngjesit. Gruas së tij me siguri që i thoshte se "ishte në detyrë". Po kjo punë zuri të binte erë. Jo vetem në qytet. Një teknik i komunales që rastësisht hyri në bufenë e së dashurës së tij, i gjeti pas banakut në kthinën e vogël.
Bufetierja thërriste nga kënaqësia, duke mos e kontrolluar veten e Karloja si një derr i egër gërhinte, duke lëshuar disa tinguj krejt të pakuptueshëm. Po pas teknikut në atë moment u ndodhën edhe dy klientë të tjerë. Karloja, me pantallonat nëpër këmbë, u hungëriu dhe i kërcënoi se do t’ua shkatërronte jetën nëse e hapnin gojën. Por fjala mori dhenë dhe historia kaloi nëpër gjithë familjet e atij qyteti thashethemnajash. Ime ëmë ma tregoi këtë ngjarje, që ishte kthyer në kryetemën e ditës, ndërsa u ktheva si zakonisht në fundjavë.
- Shpëtoi edhe Liria, - më tha duke arnuar aty në ballkon. - Atë kodoshin do ta heqin. Kështu flitet.
Por Liri Belishova me djalin e vajzën e saj nuk kishin se si të shpëtonin. Karlon dikush do ta zëvendësonte dhe ajo sërish do të ishte nën pushtetin e përndjekjes e të persekucionit psikologjik, ashtu si më parë.
Pas ca ditësh mbërriti një tjetër hafije dhe Karloja nuk u pa më në Cërrik. Se ku iku e çfarë u bë me jetën e tij, ende nuk di gjë edhe sot e kësaj dite. Besoj se nuk do t’ia kenë falur. Nganjëherë diktatura bënte shembuj edhe bijtë e vet më të devotshëm. I riu, ndryshe nga fytyrëkali Karlo, nuk ra në sy fare. Këtë herë strategjia e përndjekjes ishte më e veçantë dhe e heshtur.
* * *
Ka qenë sërish buzëmuzgu. Madje errësira dukej se vinte me hap të shpejtë, duke ngjyruar qiellin me penelin e zi. Plepat në të dy anët e rrugës që të çon në Elbasan, ngjanin si një figuracion i çuditshëm nga ato të tablove kontemporane. Nga rrugët dhe sheshi kryesor i qytetit kishin filluar të rralloheshin njerëzit e paktë që në atë fundvere dukeshin më të lodhur e më të pagjumë. Së bashku me dy shokë të mitë, arsimtarë fshatrash, kaluam përmes lulishtes. Dikush propozoi të uleshim për pak minuta në një stol të lulishtes. Qëndruam dhe vazhduam të diskutonim për gjëra të parëndësishme të asaj kohe. Njëri prej nesh dalloi Drita Çomon. Nuk e di sa nga erdhi, por kaloi qetësisht përpara nesh duke shtrënguar pranë gjoksit një libër. E ndoqa me sy, ndërsa u zhduk pas një masivi të gjelbërt në një rrugicë të ngushtë asfalti të lulishtes që të nxirrte përballë dyqaneve dhe klubit "1 Maji". Pas një çasti ndjeva praninë e një njeriu tjetër që qëndroi i heshtur në krahun tonë. Ishte krejtesisht i panjohur për ne. Diç foli më tej. Mbante për dore një biçikletë tip "Ylli", që ishte në modë aso kohe. Prodhim vendi.
Njëri prej shokëve tanë u ngrit dhe iu afrua. Pamë që i ndezi cigaren dhe kuptuam se djaloshi i ri dhe i gjatë, me supe të rëna, ishte një duhanpirës. Pastaj ai mori rrugën për në Elbasan me biçikletën që duhej ta kishte sjellë prej andej.
- Me pyeti për Dritën, - tha shoku ynë, që i ndezi cigaren. - Tha se kishte ardhur nga Elbasani. Dukej i dashuruar marrëzisht pas saj. Mbase nuk e ka ditur se ç'rrezik të sjell shoqërimi me të.
Shoku tjetër imi nuk u ndie mirë. Lëvizi nga stoli, sapo duhanxhiu ynë tha se djaloshi i kishte treguar edhe një intimitet se "i kishte prekur buzët ai elbasanasi."
- Ia fut kot ky spurdhjaku, - tha me një frymë ai që lëvizi. – Drita, edhe pse vajzë në moshë, edhe pse i mungon ajo ndjenjë, zor se mund t’i falë një çast dashurie, qoftë edhe këtij birkoje, që udhëton nga Elbasani këtu me një biçkletë në emër të dashurisë së zjarrtë.
Dukej që kishte një dozë inati miku im dhe nuk i besonte asaj që u tha aty, mes nesh nga një njeri i huaj. As unë nuk i zura besë atij djaloshi dhe këtë bindje e kam edhe sot e kësaj dite. Ai nuk duhej të kishte njohur botën e saj të ndrydhur e të mbyllur. Madje ndofta edhe rrethanat që e ndiqnin atë që prej ardhjes në jetë.
Ky ishte një kujtim që u tret me atë mbrëmje, duke mbetur mbrapa atij konfiguracioni të çuditshëm drurësh të asaj nate pa hënë...
Tri ditë më vonë në shtëpinë time e bija e komandantit të regjimentit, Rajmonda Bulku, më tha në intimitet: "Drita është poete. Shkruan poezi të ndjera."
Ishin shoqe klase. Së bashku me Vanina Canin, që më vonë mbaroi për inxhinieri kimike, ishin bërë si tri shoqe të pandara. Këto të fundit ishin vajza komunistësh, por që nuk mund ta përkthenin ndryshe shoqërinë e bangave të shkollës. Ndaheshin gjithmonë në cepin e pallatit tim aty, te ballkoni i Petrefit.
Ca ditë më vonë Rajmonda më solli edhe një poezi të Dritës. Ishte një fletë me katrore nga fletorja e matematikës. Vetëm tri strofa. Shkruar me një shkrim që dukej si një dhimbje që dilte nga fundi i shpirtit të saj. Poezia fliste për një mbrëmje, së cilës i mungonin yjet...
Shumë vite më vonë, kjo poezi, nuk e di se pse nuk u përfshi në vëllimin që i përgatitën asaj me një shënim nga vetë Kadareja. Mbase duhet që edhe të ketë humbur. Ajo mund të ketë përfunduar dorë më dorë, por edhe në ndonjë sirtar sigurimsi, atje ku ruheshin të fshehtat e padeklaruara të gjurmimeve monstruoze.
Disa ditë më pas babai solli në shtëpi një shokun e tij. Ishin njohur që në jetën partizane në zonat e jugut. Shoqërinë e kishin ruajtur gjer në vitet e mëvonshme. Nuk e di se si ishin takuar.
Atë mbrëmje ai ishte mysafiri ynë. Të nesërmen, ndërsa nëna përgatiste drekën dhe mysafiri duhej percjellë deri poshtë në stacionin e Paprit për të udhëtuar pastaj me tren për në Tiranë, dy burat rrinin e kuvendonin aty në ballkon.
Fund jave dhe mes vere. Dielli digjte që në mëngjes. Një hardhi rrushi, e mbjellë aty që prej disa vitesh, kur mbërritëm nga kryeqyteti me transferim në Cërrik, lëshonte hije. Atë ditë, si për të respektuar mikun, nuk kisha shkuar për plazh në lumin Shkumbin, ku ne arsimtarët kalonim verën nën rrezet e diellit e pranë një rëre të imët si ajo e plazheve të Adriatikut. Natyrisht biseda midis dy miqve të vjetër shkonte edhe në ngjarje e njerëz të njohur vite më parë. Prag dreke dhe nga kuzhinat përreth ndiheshin errërat e specave të fërguara, por edhe e mishit që nuk kishte filluar të na mungonte në treg.
Në cepin e trotuarit u duk portreti i Liri Belishovës: trupi i harkuar dhe fytyra e ngritur paksa mbi supet e varrura. Ecte qetësisht, sikur t’i kishte mbaruar që të gjitha detyrat. Në të gjithë gjatësinë e pallatit ajo u duk sikur u çapit mbi trotuarin që kishte zënë të prishej nga erozioni i shirave të dimrit dhe pranverës. Unë e dallova i pari, ndërsa dy burrat vazhdonin të kujtonin miqtë e tyre të vjetër duke treguar për ta histori që përfundonin me një humor të lehtë. U zgjata pak mbi bordurën e ballkonit dhe bëra sikur do të shija andej nga gjimnazi. Kalimi i kësaj gruaje disa herë në ditë përpara ballkonit dhe dritares së kuzhinës sonë ishte bërë, si të thuash, një ritual që nuk na mungonte. Herë pas here, të ardhur apo komshij, që vinin aty për të pirë një kafe, kryesisht gra, shoqe të nënës sime, nisnin e tregonin edhe të rejat e ditës për Liri Belishovën, gjitonen tonë të internuar. Nuk mungonin edhe bëmat për ata që e ruanin dhe e përgjonin familjen Çomo. Aty mësonim, për shembull, kur Liria bëhej gati të shkonte të takonte Maqon në burg. Ajo interesohej për lejën e takimit, që e kishte depozituar në polici që përpara një muaji e ca më parë, nëse ajo kishte mbërritur apo jo.
E vuri re edhe im atë. Miku vazhdonte të tregonte histori shokësh e bëmash.
- Moreee! A të kujtohet Liria? - pyeti pyet nën zë babai në një cast, kur gruaja e përndjekur çapitej përpara ballkonit tonë.
Tjetri kthehu kokën menjëherë.
- Ç'më thua, bre Zeqooo, - tha e hodhi sytë nga e internuara, e cila vazhdonte të çapitej ngadalë mbi trotuar dhjetë metra më tej.
U prish në fytyrë menjëherë. Një rreze u duk sikur e spërkati për një çast të vetëm. Shtrëngoi fort buzët dhe tundi kokën lehtë.
- Në fillim kam qenë shoqëruesi i saj për disa vite. Heee...! - psherëtiu dhe tundi sërish kokën. Pastaj qëndroi për një çast sikur të donte të sillte ndër mend kujtimin e largët. - Paska ndryshuar. Qenka transformuar krejt. Nuk e kam parë qysh atëherë. Ka qenë edhe partizane trime. Grua e zonja. Pastaj... e prishi... Punë grash. Flokëgjatë e mendjeshkurtër, siç thonë. Por shoku Enver e kurseu. Gjynah!
Mëshira që shprehu shoku i babait m’u duk krejt e pavend në atë çast. Më ngjante me një mëshirë kristiane. Kisha mendimin se Liria më shumë se "gabimi i saj" kishte shërbyer në skakierën e shahut të politikës shqiptare si një figurë që duhej “ngrënë”, për të realizuar pastaj një bllof ndaj kundërshtarit, që luante me gurë me ngjyrë tjetër. Për një "shah mbreti", që nuk do të na mungonte. Përralla me “Hrushov”, që tregohej atëherë në mbledhjet e Frontit Demokratik të lagjes sonë, më dukej si ajo e Kësulëkuqes. Ishte nisur që nga Kina të takonte gjysh Enverin, për t’i sjellë një shportë me lajme dhe në rrugën përmes pyllit, kishte dalë ujku (udhëheqja revizioniste sovjetike e asaj kohe). Madje ata kishin veshur edhe skufjen e gjyshes apo maskën me të cilën kërkonin të imitonin atë për të marrë ç’kishte brenda në shportë, pra, lajmet kineze. Ato në fakt i priste Enveri. Në fund ujku Nikita, Kosigini apo Brezhnjevi e hëngrën Kësulëkuqen... Sidoqoftë kjo ishte vetëm një përrallë.
* * *
Vera kishte kohë që kish shkuar dhe shtatori i atij viti ishte tepër i ngrohtë. Isha i sëmurë nga “shytat” dhe atë ditë nuk kisha shkuar në mësim atje në një fshat pas kodrave e liqeneve të Dumresë. Kisha marrë një raport mjekësor te Xhevdet Xheloja, mjek edhe ky me një cen në biografi për shkak të vëllait të tij ish gjeneral, i cili kishte vdekur në burgun e Burrelit. Por nuk mund të rrihej në shtëpi. Edhe pse me temperaturë, vendosa të dilja andej nga biblioteka e qytetit, një sallë në katin e dytë të kinemasë, ku mund të gjeje gjithçka, pasi aty kishin punuar për vite me radhë njerëz të apasionuar pas librit.
Ka qenë mbasdite dhe aty nuk kishte asnjë lexues tjetër. Bibliotekarja, Liri Spaho, një komshia ime dhe shoqe me motrën e madhe, po më tregonte për librin "Fundi i misterit etrusk", për të cilin kishte ardhur një udhëzim: të hiqej nga qarkullimi. Autori i tij, një çifut francez, i cili kishte qenë edhe në Shqipëri dhe ishte pritur nga vetë Enver Hoxha, figuronte tashmë tek të ndaluarit. Më tregoi edhe listën ku përfshiheshin librat e ndaluar.
Në derë u dha Liri Belishova. U duk krejtësisht e lëshuar. Madje përshtypja e parë që m’u krijua, sapo i hodha një vështrim, kishte të bënte me lotët. Ajo duhej të kishte qarë. Sytë i kishte të skuqur, edhe mollëzat gjithashtu. Kishte një vështrim të mjegullt, që nuk shprehte asgjë. Ngriti dorën dhe e kaloi mbi flokët e shkurtër, gjysmë të thinjura. Qëndroi për një çast e kredhur në mendime. Mbase u pendua që u fut në atë derë. Shtrëngoi gishtin e majtë tregues, sikur donte të thoshte diçka.
- Urdhëro, Liri, – i tha bibliotekarja dhe i doli përpara.
E internuara e Cërrikut bëri edhe një hap tjetër drejt banakut ku shërbehej libri. Në mes ishte punonjësja e institucionit.
- Kam ardhur...kam ardhur... - zëri ishte i ndrojtur sikur të dilte me vështirësi nga një hon i thellë e i padukshëm. - Nuk e di nëse e keni ju librezën e notave. Ka qenë disi si në formën e fletores apo e një libri që përdorej më përpara nga shkollarët.
Bibliotekarja ngriti supet. Hodhi një vështrim nga etazheret e mëdhenj të mbushur plot me libra e pastaj tundi kokën.
- Nuk e di. Nuk ma kanë zënë sytë. Asnjëherë. E di që e kemi patur në shkollë, kur e vazhdonim disa vite të shkuara, por... Pse e kërkon?
- Ah! - bëri tjetra. - Pse e kërkoj? Në fund ka patur rregullat e shkollës si dhe detyrat e të drejtat për një nxënës, që e ndjek atë. Janë nxjerrë nga legjislacioni dhe urdhëresat e Ministrisë së Arsimit.
- Po pyes një herë Alekon mos ka ndonjë kopje të kësaj libreze, - tha bibliotekarja dhe u kthye nga unë që rrija në tavolinën e parë pranë dritares. Edhe Liri Belishova më hodhi një vështrim të përvuajtur.
E sigurova që e kisha . Madje, kujtim nga vitet e shkollës dhe premtova se do ta sillja në bibliotekë të nesërmen në mëngjes. Për t’ia dhënë vetë Lirisë as që bëhej fjalë. Ishte me rrezik, gjë që nuk e pranoi as edhe ajo.
Biblioteka ishte e të gjithëve dhe Liria mund të vinte aty pa patur as edhe një problem, ashtu siç kishte bërë deri në atë çast. Në fakt ajo lexonte rregullisht dhe kishte edhe një kartelë lexuesi aty.
Në një çast u duk sikur ajo ndërroi mendim.
- Po ç'ta marr kot, - tha e psherëtiu përsëri.
- Nuk po të kuptoj, - iu drejtua bibliotekarja e Cërrikut. - Përse të duhet?
- Ah! - bëri përsëri e internuara dhe sytë kësaj here iu njomën nga lotët që rrëshqitën në mollëzat e faqeve që kishin zënë rrudha. Nuk kishte kohë që t’i fshinte. - Po pse nuk më çoi dhe mua tek të tjerët, po më la, moj Lira, që të vuaj kështu. Është tepër e tmershme. Nuk mund të durohet te fëmija. I kanë mohuar maturën Dritës. Ajo e mori përpara dy muajsh me rezultate të mira. I thanë që nuk ka bërë punën fizike. Nuk shkoi në aksion në hekurudhë, në Lushnjë me gjimnazin. Vetë nuk e morën, pasi për të shkuar deri atje për Dritën, duhej të merrej leje nga lart. Drejtori më tha sot në mëngjes se vajza ishte rrëzuar në maturë dhe se ajo nuk do t’i quhej e përfunduar. Më vjen keq se vajza po vuan shumë në shtëpi. Ka gjithë drekën që derdh lot. Si mundem ta qetësoj?Ah! Nëna mos qoftë!...
Pastaj nxitoi që të nxjerrë nga xhepi i xhaketës së zezë një shami dhe në çast i erdhi turp. Ktheu kokën mënjanë dhe fshiu rrëketë e lotëve që kishin lënë gjurmë në faqe si përrenj të shterur. Lira i afroi karrigen e saj dhe gruaja e sapoardhur rinisi sërish të dënesë.
U ndjeva vërtetë keq. Lëviza nga vendi dhe drejtova hapat tek e internuara. Ishim shumë pranë për të parën herë në atë qytet, edhe pse prej vitesh ishim komshij, fare afër. I vura dorën në sup. E dija se kjo do të ishte me pasoja për mua dhe familjen time, prindërit. Mbase mund të më vihej në pikëpyetje vetë e ardhmja ime si njeri, por edhe si krijues. Kisha botuar në atë kohë dy libra për fëmijë te Shtëpia Botuese "Naim Frashëri". Thashë diçka sa për ta qetësuar. Po kështu edhe Lira.
- Jemi komshinj, moj Liri, dhe nuk të duam të keqen, jo! - i foli si shoqe bibliotekarja, ndonëse ishte katër dyzina më e re. - Ishallah ... dhe gjërat rregullohen më mirë. Por edhe për Dritën që e ke flori, do të ketë një ditë të mirë.
- Ç' ditë të mirë... E zeza vajzë, si na bënë dhe na katandisën kështu.
Liria u duk se mori frymë thellë dhe pas një çasti u ngrit për të ikur.
- Më falni. Ç'kusure keni ju të dëgjoni hallet e mia? Ju faleminderit për kurajon që më dhatë. Puna ime është parë me kohë. Maqoja në burg. Unë këtu me dy fëmijë, fillikat e vetme, pa asnjë shpresë, pa njeri. Torturë për së gjalli... Mos e pësoftë asnjë kështu si unë! Mbeta si qyqe e vetme!
Me trupin pak të kërrusur shkoi te dera. Qëndroi një çast aty dhe ktheu kokën nga ne. Me sa duket u pendua sepse u duk sikur donte të thoshte diçka.
- Mirëmbeçi!... - tha pastaj dhe e heshtur kaloi në korridorin gjysmë të errët për të zbritur poshtë në hollin e asaj shtëpie kulture, të vetmes në atë qytet të vogël punëtorësh.
- Kemi qenë me fat, - tha Lira. - Nuk na erdhi njeri. Po të na shihnin? Për ty, Leko, do të ishte edhe më keq, sepse unë mund të justifikohesha për punë librash. - Pastaj vuri buzën në gaz. Në një çast tjetër: - Shpëtove këtë herë!
Por unë kuptova se Lira kishte kohë që komunikonte me Liri Belishovën; ato njiheshin mirë. Mbase edhe librat, por bibliotekarja ishte bërë si të thuash një dritare e vogël, nga ku e internuara shihte një tjetër botë.
* * *
Lajmi i sëmundjes së Drita Çomos erdhi krejt papritur. Ajo menjëherë ishte bërë tema e ditës në familjet e Cërrikut. Vellai, Petriti, ishte ushtar. Ai mungonte prej kohësh në mjediset e qytetit, edhe pse gjendeshin tifozë të thekur që komentonin me pasion sportin e kampionatin shqiptar, por edhe "Champion Ligën". Vetë Liria dukej më rrallë në qytet. Dilte vetëm atëherë kur i duhej të merrte ndonjë ushqim për vajzën e sëmurë. Dukej më e merakosur dhe më e trishtuar si nënë. Paramendonte gjëmën, e cila do të ishte vërtet tragjike dhe e papërballueshme për të.
- Edhe kjo i duhej Lirisë! - tha ime ëmë. - Si do ta durojë vallë?
Babai gjithmonë bënte indiferentin. Sikur nuk kishte dëgjuar asgjë. Sa herë që binte fjala për të internuarit e qytetit, të cilët kalonin përpara dritares së shtëpisë sonë për t’u paraqitur në polici, im atë heshtte si varri. Mbase nuk donte të kishte probleme. Sapo kishim nxjerrë vëllanë e vogël nga burgu. Kishte qenë ushtar në Rinas dhe e kishin zënë në gjumë gjatë shërbimit të natës së bashku me dy roje të tjerë. I kishin akuzuar si grup. Pas disa muajsh në Torovicë dhe në Valas im atë ia kishte dalë që të siguronte një falje me kondicionel për Agimin, edhe pse i takonin edhe 15 muaj të tjerë burg. E mbanim sekret në atë kohë. Problemi nuk ishte vetëm te fqinjët tanë. Në polici duhej të dinin ndonjë gjë. Më i informuar duhej ishte operativi, por edhe ndjekësi i Lirisë, që kishte detyra të veçanta. Babai ishte bërë si një pus i thellë që zor se nxirrje ujë.
Tre muaj më vonë shkova në poliklinikën e qytetit. Sapo erdha në shtëpi, më thanë se babai ishte sëmurë dhe e kishin çuar në poliambulancë. U merakosa. Nxitova dhe me një frymë ngjita shkallët e katit të dytë ku bënin vizitat mjekët e ndryshëm. Në korridorin gjysmë të errët dallova siluetën e një vajze, që rrinte e ndrojtur dhe e pështetur pas murit. Te kembët e saj ishte edhe një stol i gjatë nga ata të lulishteve, por që ishte i lyer me ngjyrë kafe. Në fillim nuk e njoha. Sapo i kisha ngjitur shkallët me një frymë atë pasdite të thellë, ku mungonin pacientet.
- Mos u tremb. Xha Zeqoja është mirë. Po e viziton doktor Xhevdeti. Është dhe mamaja jote aty brenda.
Nuk i kisha vënë rëndësi vajzës që qëndronte e mbështetur pas murit, por zëri i butë i saj, që rrezatonte vetëm mirësi, më bëri të qëndroj në vend. Nuk do ta mendoja asnjëherë që Drita Çomon do ta takoja në këto situata dhe në një vend të tillë. Isha përpara saj. Nga brenda dhomës së vizitave dëgjova zërin e Xhevdet Xhelos, që ishte vëllai i Halimit, ish gjeneral, që kishte vdekur në burgun e Burelit. Ai bënte gjithmonë shaka me tim atë, pasi babai kishte qenë shok e mik i Halimit qysh gjatë luftës partizane. Madje kishte bërë edhe shoqëruesin për të disa vite pas çlirimit. U qetësova. Shikova nga vajza që rrinte ende në pozicionin e saj te muri dhe më erdhi mirë që më tha ato fjalë. Për një çast m’u duk sikur e humba. Nuk dija se çfarë t’i thosha asaj vajze për të cilën tashmë për sëmundjen e saj diskutonte i gjithë qyteti.
- Do të marr një recetë te doktor Xhevdeti, - tha me një zë të ulët e intim, sikur të ishim njohur prej kohësh.
- Ti je poete, -i thashë dhe ndjeva se u emocionova. - Të kam lexuar një poezi.
Dallova që vuri buzën në gaz. Pastaj heshti për një çast. M’u duk mosbesuese nga përcaktimi im. Vërtet që nuk u besoi fjalët e mia.
- Unë nuk shkruaj. Lexoj, po.
- Më ka rënë në dorë një poezi juaja. Nuk më kujtohet se në ç'rrethana, por më ka pëlqyer.
- Nuk besoj se do të ketë qenë imja, pasi unë nuk kam shkruar.
Ajo mund ta vazhdonte ligjëratën që do të tirrte dhe do të mohonte vargjet që kisha lexuar dikur, por një kërcitje dere u duk se e trembi. Madje e struku më shumë atje në mur dhe në gjysmerrësirën e atij korridori.
Xhevdet Xheloja u dha në derë me bluzën e bardhë të mjekut dhe stetoskopin e hedhur në supin e majtë. Kishte një zë si bubullimë.
- Gazetarin e paskemi këtu. Është merakosur. Dil, Zeqooo! I lemerise fëmijët. Lër duhanin dhe nuk ke asgjë. Do që të rrosh? Hiqe mavrinë! Pas tij doli edhe nëna. Doktori i ishte afruar tashmë Dritës. Po e pyeste për kurën dhe ilaçet. Atë nuk po e dëgjoja më. Doli edhe im atë. Ai kishte kaluar një atak të thellë azmatik në shtëpi.
- Si je, moj çupë? - pyeti nëna ime, kur doktori u kthye për në dhomën e tij të vizitave, që të përgatiste receten për Drita Çomon. Tjetra u duk se i u përgjigj, por nuk u mor vesh se çfarë tha.
I futi krahun babait dhe doli te shkallët.
- Po rri, moj grua, na lër rehat. Këtu kanë veshë edhe muret, - tha im atë duke e ulur zërin në fjalët e fundit. Hodhi vështrimin përreth e zbriti me ngadalë deri në katin e parë.
* * *
"Dritë që vjen nga humnera" është libri me poezi i Drita Çomos, që erdhi në duart e lexuesit pas rrëzimit të diktaturës. Ai m’u duk si një vegim i largët i një jete që nuk egziston më. Drama e një adoleshenteje, e një vajze që vuante një "faj" të pafajshëm në një kohë absurdesh. Mbase që nga lindja e saj. Histori rrëqethëse persekucionesh që përtypeshin në ingranazhe të çuditshme të një mekanizmi vrastar çdo minutë, ditë dhe orë... Ishte një kohë...
Një mbrëmje pa drita, një vit më vonë pas rrëzimit të diktaturës nxitoja të kthehesha në shtëpinë time, në Elbasan. Ishin kohë me trazira. Nga cepi i bankës, aty ku kryqëzohen katër rrugë, në qendër të qytetit, përballë Bashkisë, një zë që erdhi nga errësira më bëri të qëndroj hapat. Dallova hijen e një njeriu të kërrusur, që erdhi ngadalë pranë meje. Kuptova se kërkonte që ta ndihmoja. Më pyeti se si mund të shkonte drejt ish postës së vjetër. Vetëm kaq. Zëri m’u duk si i njohur, por nuk mund ta kujtoja atë çast.
Ndërsa u afrua, dallova siluetën e një çante që ishte gjysmë e varur dhe pastaj portreti i njeriut të natës më solli ndërmend Liri Belishovën.
- Uaaa! - bëri ajo e habitur duke e zgjatur zërin. - Djali i madh i ....Si të kam, mor bir? - U afrua që më jepte dorën.
- A më përcjell pak deri te posta e vjetër, se nuk orientohem dot. Është edhe natë tani, pa le. Plakë jam dhe e pamundur, siç e di dhe ti, - më kërkoi ndihmën time, pasi më kishte pyetur me radhë për të gjithë njerëzit e shtëpisë atje në Cërrik. E çova. E dija se do të vinte te kunata e saj, e cila punonte si gjeometre në ish komunalen e Elbasanit, por unë nuk i rashë në sy. E dija se ajo atje banonte. Madje ishte gruaja që e kishte shoqëruar arkivolin e së bijës, disa vite më parë. Liri Belishova për këtë punë duhej të kishte ardhur: për të takuar të bijën në varrezat e Cërrikut. Atje ishte ende ajo, në një pllajë, në të hyrë të qytetit, kur vjen nga Elbasani, ndërsa familja tashmë ishte sistemuar në Tiranë. Kjo kishte ndodhur pas rënies së komunizmit.
Varrin e Drita Çomos e kam parë edhe disa vite më pas. Si gazetar u ndodha aty kur ish pronarët kishin bllokuar gjithë procesionet mortore të Cërrikut. Nuk lejonin të bëhej më asnjë varrim në tokat e tyre. Sherr me Bashkinë e qytetit.
Nuk e mbaj mend se kush ma vuri përpara librin me lirika të Drita Çomos. U befasova, por edhe u gëzova njëkohësisht. Për të qenë i sinqertë, asnjëherë nuk më kishte shkuar mendja se autorja e një lirike maji, që shkruante me aq ndjenjë: "një natë pa hënë", e cila më kishte emocionuar së tepërmi në atë kohë, do ta shihja në ballinën e një libri. Do të më emociononte sërish me të njëjtin intensitet si atëherë përpara një dekade e gjysmë. Më solli një kujtim të largët. Historia dhe jeta e një vajze që jetoi së bashku me familjen e saj persekucionin më të egër që lamë pas. Brenda saj është jeta. Është drama e papërsëritshme jo vetëm e një grushti njerëzish që figuronin në listat e zeza të internimeve e dënimeve makabre, por e një kombi. Kemi jetuar marrëzinë e madhështisë sonë false.
Më duket se Drita Çomo aty ka thënë shumë gjëra, për të mos thënë, të gjitha. Ato që na kanë munguar, por edhe jetën që e jetuam ndryshe. Nuk e di, por që atëherë kam menduar se komshia ime " gojëprerë" duhej të mbante ditar. Të mbante ditar për të thënë të pathënat që nuk mund t’i thoshte dot, por edhe për ne që kishim "lirinë", që në thelb na mungonte. Atë na e kishin vrarë dhe na e vrisnin çdo ditë, çdo orë e çdo minutë.
"Dritë që vjen nga humnera" është në thelb ditari për ditët që ikën, por edhe për ato që do të vijnë. Tani më pas shpesh vras mendjen dhe si në një celuloid filmi më kalojnë ato vite, ato ngjarje që realisht më trishtojnë dhe përpara syve më del vajza me emrin Drita Çomo, me buzëqeshjen si një karafil në buzë. E çiltër dhe me botë të madhe. E ndjeshme si një fije bari...
Sapo i kishte kaluar të njëzet pranverat e një jete brenda katër mureve të shtëpisë. Portreti dhe imazhi i saj ende nuk më hiqen nga mendja....
Por shteti aso kohe kishte shpikur një mekanizëm, pa pushkë e plumb, pa karrige elektrike: izolimin dhe vetminë. Të dyja të vrisnin njësoj. Ky mekanizëm mjerisht funksionoi dhe mori me dhjetëra e qindra jetë të pafajshme. Edhe Drita Çomon. Ajo kishte shumë këngë që i buronin brenda kraharorit të brishtë.
... dhe kënga e fundit e mjelmës:

Të jesh kudo i tepërt, i huaj,
Mik i paftuar në botë, hije
Pa një kujtim që të bëjë të vuash,
Pa një shpresë, për atë që do të vijë...

Dhe pastaj ... humnera...ku e rrëzuan atë.
Në vend të Epilogut
Ka qenë muaji mars. Fillim pranvere këtu në Bordonë e largët, dy vite të shkuara, në librarinë më të madhe të regjionit të Aketenës, "MOLLAT", hyra që të ndjek botimet e reja. Natyrisht edhe autorë të rinj . Instikti, por edhe nostalgjia për miqtë e mi krijues e të fushës së letrave, më çoi te stenda e letërsisë shqiptare. Disa muaj më parë isha takuar në kinemanë e një qyteti të vogël me Besnik Mustafajn. Kishim folur dhe diskutuar si dy të njohur të vjetër, por edhe si dy "shqiptarë të vërtetë". Atëherë biblioteka e këtij qyteti kishte organizuar një sërë takimesh me lexues francezë dhe më erdhi mirë që një shkrimtar shqiptar shpërndante me autografe librat e tij në gjuhën franceze. Në "Mollat" kisha gjetur edhe librat e tij, krahas romaneve të Kadaresë, por edhe të Fatos Kongolit, mikut tim të vjetër.
Ndërsa kërkoja autorë të tjerë, gishtat u fiksuan te një libër më i hollë. E tërhoqa me kujdes nga etazheri që kishte të shënuar: "Letërsi shqiptare" dhe lexova me kujdes: "Cette leur qui monte de l'abime". Tradui de l'Albanais par Edmond Tupia. (Monaco), Paris 2004. 139 f.
Një muaj më vonë, në të njëjtin vend, te Lettre Albanais "Mollat", mungonin dhjetë kopjet e librit të Drita Çomos. Së bashku me një keqardhje provova edhe një ndjenjë gëzimi: ato tashmë ishin në duart e lexuesit francez. Mjelma ka patur se çfarë të tregojë në këngën e fundit të saj.

Hysni Ndreu:Ndërthurja epike dhe lirike si dëshmi e mjeshtërisë letrare të Sadri Ahmetit






Nuk është më diçka e pazakontë që, në Shqipërinë paskomuniste, disa nga korifejtë e kulturës shqiptare vazhdojnë të mbeten thuajse të panjohur nga lexuesi i gjerë, shumë pak të trajtuar nga kritika dhe studimet letrare, qëllimisht të harruar nga institucionet kulturore. Deri më tash duket se jemi mjaftuar vetëm me nisma individësh të veçantë, dashamirës të autorëve të anatemuar, ndërkohë që institucionet përkatëse, të kulturës dhe shkencës, vazhdojnë të tjerrin harresë e mospërfillje ndaj një arti që klith i vetëm dhe në “pritje të dëshpëruar” për të fituar hapësirë gjeografike e shpirtërore, si dhe për të nxjerrë në pah atë vlerë që meriton. Ky short harrese u ka rënë në hise shumë prej autorëve e artistëve që nuk u pajtuan me totalitarizmin, ndër ta edhe Sadri Ahmeti, Martin Camaj, Frederik Rreshpja, Arshi Pipa e plot figura të tjera, për të cilat jo vetëm nuk është thënë sa duhet, por edhe ato pak që janë thënë, nuk e kanë sjellë të plotë përmasën dhe rolin e shkrimit letrar.


Sadri Ahmeti, në marrëdhënie me artin dhe letërsinë, është më tepër një univers artistik që pret të zbulohet, një univers i artistit të ngjyrës dhe i mjeshtrit të fjalës, i cili magjinë e shkrimit letrar e ka skalitur veçanërisht në sendërtimin e poezisë së larmishme. Poezia e tij është atdheu i lirë, pa dhunime e burgime, pa mjerim dhe shkatërrim të qenies; në një farë mënyre, është atdheu i dëshiruar dhe i projektuar në morinë e librave poetikë, ku lëvrohen poemat dhe poezitë e laryshisë letrare. Befasia më e madhe e poezisë së Sadri Ahmetit, e kësaj dukurie të mëvetësishme, që pa humbur kohë, tashmë do të duhet hipotekuar në vlerat e mëdha shpirtërore, është fakti i vizatimit të atdheut, real dhe shpirtëror, në disa pamje. Midis këtyre pamjeve, teksa shtegtojmë në pyllnajën poetike të këtij autori, do të veçonim:

Së pari: Shenjat e një epizmi unik dhe specifik, i cili ka të bëjë me sjelljen përmes vargut, të llojeve të ndryshme të poezisë, të konceptimit dhe parashtrimit autorial të fatit të shqiptarëve në trojet etnike, ku veçohet tmerri i përjetuar në librin poetik Masakra e Tivarit; apo ditënetët e vrazhda në atdheun e komunizmit dhe të burgjeve të diktaturës, që na vijnë të gjalla në librat e tij, ku kemi të lëvruar gjerësisht poemën, numri i të cilave shkon në tetë dhe ku skicohet natyra epike e shkrimit poetik të autorit. Në këtë mënyrë, poezia e Sadri Ahmetit kthehet në një dëshmi shpirtërore të njëmendtë dhe të pakrahasueshme, ku paraqitet historia e poetit, e bashkëshkrirë në historinë e një populli që vuan tragjikisht, një populli ... Ku kallin krupë kumti krisma karikatorësh / kundruall kasolleve, konaqeve e kullave...

Bashkëshkrirja e unit poetik me kombin/bashkëkombasit, në të gjitha hapësirat ku ato jetojnë, u jep një tjetër përmasë poezive të këtij autori, duke i bërë më të përbotshme ato, sepse mesazhi nuk transmetohet prej vetëm një individi, por nga një ndërgjegje e tërë kolektive. Frymëzim kryesor i Sadri Ahmetit duket se është bota shqiptare, mbi të gjitha, njeriu shqiptar, shpirti dhe fati i tij. Pra, e gjithë tematika e poezive të tij ndërtohet mbi ndërthurjen realitet konkret/realitet historik, por që të shkrira së bashku krijojnë një tjetër realitet, i cili jetësohet, para së gjithash, nëpërmjet strukturës gjuhësore dhe mesazhit poetik që përcjell, një mesazh unik dhe i ngjeshur me figurshmëri metaforike. Më konkretisht, le të shohim nga afër disa prej vargjeve të poemës Masakra e Tivarit: ... Unë përpëlitem, luftash i rrënuar / me kanosje për dështim / nëmos, shfarosje. / Ndër nofullat sllave dhe protezave të vllamëve / të infektuar nga kutërbimi / i kolerës së tufëzimit, / pa asnjë rrugëdalje / dhe pa shpresë shpëtimi. / Dardania antike e përflakur / përjeton Trojën e lashtë / që në thëngjij shkrin. / Tashmë jo vetëm nga jugu / nga të katër kahjet: / lindja, perëndimi, jugu dhe tani veriu.

Nëpërmjet këtyre vargjeve, të befta dhe që anojnë nga rrëfimi i asaj ndodhie tmerri, autori ka krijuar një imazh të pazakonshëm poetik, që çdo receptues e ndien sipas mënyrës së vet, i jep përmasën e qenësisë përbërëse, të veçantisë, të komunikimit, si dhe shpalon universin poetik të poemës më të realizuar në krijimtarinë e Sadri Ahmetit. Vargjet e kësaj poezie dhe kuptimësitë që dalin prej tyre të përfshijnë menjëherë në dramën e tragjiken që i ka ndodhur një kombi të tërë. Përjetimi i kësaj tragjikeje bëhet më i prekshëm për shkak të ndërlidhjes që poeti ka bërë qoftë me të shkuarën historike, qoftë me të tashmen, duke derdhur e shkrirë të gjithë unin e tij poetik, duke aktivizuar të gjitha energjitë dhe emocionet që nevojiten për ta çuar poezinë në skajet e një tendosjeje të pazakontë psikologjike. Kjo ka bërë që, sidomos te poema Masakra e Tivarit, të krijohen tablo sa rrëqethëse, aq edhe tronditëse, po kaq edhe artistikisht të papërsëritshme.

Së dyti: Në poezinë e Sadri Ahmetit, përveç pranisë së epizmit, vlerë e njëmendtë shpirtërore dhe estetike është edhe mënyra e rrokshme e një lirizmi të mëvetësishëm, që pranëvihet me humorin brilant; pra, kemi të bëjmë me një lirizëm shumëngjyror, human dhe mençurak, grotesk dhe shpotitës, i zi dhe i bardhë, që na sjell pranë një un poetik, domethënë, poetin e mirëfilltë, tepër të shqetësuar për fatin e qenies njerëzore, për fatin e kombit shqiptar, për fatin e lirisë. Bota e brendshme e poetit, përgjithësisht frymon në marrëdhënie të ngushtë me botën e njerëzve të tij, të gjinisë dhe gjakut, të fatit të jetës dhe mbijetesës së tyre në këto hapësira. Përmes krijesës poetike, më së shumti imagjinare, madje edhe në rastet kur shtjellon konkreten të mbështjellë me një vello imagjinative, ai gjakon pasurimin dhe rindërtimin e vet shpirtëror dhe të njerëzve që e rrethojnë, gjë që na vjen edhe më e besueshme kur vetë autori, në një intervistë të hershme, shprehet: Përjetësisht i dashuruar për njeriun, jam tretur, jam t’holluar në fushën e poezisë dhe akuarelit, duke i quajtur të dyja anë të një medaljeje artistike dhe jam përpjekur të konsumoj mesazhe të fuqishme ndaj dashurisë që kam për njeriun nëpërmes këtij arti. Në këtë konglomerat artistik kam derdh krejt shpirtin në favor të rritjes së emancipimit shpirtëror të bashkëqytetarëve. (Artit tim) i kam dhënë frymën e dritës së Shqipërisë, që është një nga vendet më të bukura të Ballkanit, të mbushura me dritë dielli, me barishtet më erëmuese dhe me njeriun më të krisur edhe më të dashur. Për të bukurën jam konsumuar edhe fizikisht, edhe shpirtërisht për të komunikuar me njeriun. Në të vërtetë, këtu kemi edhe një vetëshpjegim dhe një autoportret të natyrës krijuese të Ahmetit, mjeshtrit të artit të fjalës, por edhe të akurelit.

Poezitë lirike, ku gjallon një shpirt i madh dhe i lirë, një natyrë e brishtë dhe qëndrestare, zënë një vend të konsiderueshëm në krijimtarinë e tij, por që shpalohen të plota në dy libra, posaçërisht te vëllimi poetik Një e qeshur harbon nëpër errësirë dhe te vëllimi Vallja e katrahurave. Dashuria shihet më tepër si përmasë thelbësore njerëzore sesa si ndjenjë intime, shihet si diçka konceptuale, si një gjakim drejt lirisë, si një përmasë universale, që s’i përket vetëm një uni, që nuk është e hipotekuar tek askush. Edhe në rastet kur trajtohet si ndjenjë intime, ajo i kalon caqet e një dashurie të zakontë, del përtej kufijve të unit, shndërrohet në “çmenduri të pashërueshme”, “të trashëguar”, që gëlltit dëshpërimin, përtyp trishtimin dhe “...ngado, kurdo, mbjell gëzim”. Në disa vargje të shkëputura nga vëllimi poetik A do mund të takohemi nesër, poeti shprehet: E trallisur, / më përfshive në tërsëllimë! / Të përgjërohem: / mos më përpi pjesë-pjesë / më gëlltit njëherësh! / Ose bëhu e paqenë, / së toku me mua, / rrokopujë. / Ti dashuri e imja për tjetrin! / çmenduri e pashërueshme / e trashëguar... / gëlltite vargun e dëshpëruar! / përtyp trishtim! / dhe ngado, kurdo, mbill gëzim!

Së treti: Bashkëshkrirja, në shumicën e teksteve poetike, e të dyja këtyre gjendjeve të veçanta, pra e ngjyrave epike, ku ndjejmë shumë afër kohën e burgimeve dhe dëbimeve të pamerituara, po kaq edhe shpirtin rebel dhe krejt të lirë, të poetit që i këndon dashurisë, bukurisë femërore, si pak të tjerë të brezit të vet. Rrethana e shkrimit poetik, të ndërthurjes dhe e shkrirjes së përmasave epike e lirke, në fakt është gjurmë qe mbetet nga magjia e poezisë, po kaq është edhe treguesi më i mirë artit të tij, stilit të veçantë, pra, i mjeshtrit të shkrimit të poezisë, në një shteg jo shumë të ligjëruar në poezinë shqipe të përiudhës bashkëkohore.

Siç shihet, uni poetik i Sadri Ahmetit, derdhur në morinë e librave me poezi, edhe dëshmon faktiken epike, të ngjarjeve tronditëse, edhe shpalos ndjesitë më të holla, më të brishta, që përshkojnë poezinë shqipe të shekullit XX. Në këtë mënyrë, ai kthehet në një shkollë unike të shkrimit poezisë jashtë shërbesës së kohës. Gjendur kështu në një befasi të pazakontë, në një atdhe poetik që kumton e komunikon në tri pamje njëherësh, vështirësia për të depërtuar në këtë univers është shumë e madhe. Poezisë së gjerë, e sidomos poetikës së pazakontë të Sadri Ahemtit, do t’i rrinte për shtat pohimi i bërë nga Luis Borgesi, sipas të cilit: ... gjëja më e rëndësishme e një shkrimtari është toni i tij, ndërsa gjëja më e rëndësishme e një libri është zëri i shkrimtarit, ky zë që mbërrin deri te ne, e poetika e Sadri Ahemtit i përmbush dhe shpalon të dyja cilësitë që sugjeron Borgesi.

“SI TË SHKRUAJMË SHQIP”, NJË LIBËR I DOMOSDOSHËM PËR SHKOLLAT SHQIPTARE (Me autor, prof. dr. Gjovalin Shkurtaj-akad. as.)


Nga: Dr. Anila Kananaj,në Qendrën e Studimeve Albanologjike-Tiranë




Gjuhëtarët shqiptarë nuk kanë rreshtur kurrë së shkruari e së foluri për mbrojtjen dhe ruajtjen e gjuhës shqipe dhe të kulturës shkrimore të saj, si një element përbashkues identifikues, i domosdoshëm për të gjithë shqiptarët, veçanërisht në këtë kohë të tranzicionit të kulturës shqiptare. Me këtë qëllim parësor bashkohet edhe libri “Si të shkruajmë shqip” (Baza të shkrimit akademik), i prof. dr. Gjovalin Shkurtaj –akad. as. Ai u përurua më 15 mars 2013, në një takim me studentët e Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, organizuar nga Zyra e Karrierës së këtij Fakulteti, në kuadër të përgatitjes sa më të mirë të studentëve për një punë të suksesshme.



Ky libër, në fakt, vjen në këtë botim të përmirësuar, si rrjedhojë e kërkesave për të, pas tërheqjes së shpejtë të dy botimeve të mëparshme, më 2008 dhe 2012. Autori e ka “latuar e lëmuar” librin, duke u mbështetur edhe në këshillat e mendimet e shprehura për të, nga lexuesit dhe kryesisht pedagogët, që zgjodhën të përdornin dy botimet e mëparshme të tij, si bazë për ligjëratat dhe seminaret me studentët, në universitetet shqiptare, publike ose jo.

“Si të shkruajmë shqip” (Baza të shkrimit akademik) është hartuar me një penë tërheqëse dhe profesionale, nga profesor Gjovalin Shkurtaj, gjuhëtar i pasionuar e i palodhur për gjuhën shqipe. Libri ka në qendër të vëmendjes domosdoshmërinë e përvetësimit të bazave të shqipes, si nga studentët, dhe profesionistët e rinj shqiptarë të specialiteteve të ndryshme. Nevoja bëhet edhe më e ngutshme po të merret parasysh se këta të rinj ndjehen të papërgatitur për t’i qëndruar ndikimit dhe presionit të vazhdueshëm të gjuhëve të huaja, sidomos të anglishtes, italishtes e greqishtes. Në 310 faqe të tij, teksti në fjalë jep njohuri themelore: për hartimin, redaktimin, gatitjen e punimit shkencor, shkrimin e recensioneve, raporteve shkencore, rekomandimeve, cv-ve dhe shkrimeve të tjera profesionale. Por ai jep edhe njohuri bazë për drejtshkrimin e shqipes. Vlen të theksohet aspekti zbatues i këtij libri, që do të thotë se studentët mësohen si të shkruajnë sa më mirë shqip, nga përvoja e gjatë e një prej studiuesve dhe njohësve më të mirë të gjuhës shqipe.



Njohuritë teoriko-formuese, të dhëna në tetë kapituj të këtij libri, shoqërohen gjithandej me shembuj të shumtë të karakterit shkrimor, por edhe teknik. Shumë ndihmues në këtë drejtim është edhe treguesi i fjalëve të huaja, që mund të zëvendësohen plotësisht ose pjesërisht, si dhe shqipërimi i një sërë prapashtesash të huaja, të dhëna në fund të lëndës së trajtuar. Rëndësi i është kushtuar edhe zgjedhjes së fjalëve dhe termave të ligjërimeve specifike për profesione të ndryshme. Me këtë libër, autori synon të ndreqë dhe shumë pasaktësi e ngatërresa të panevojshme në përdorimin e termave të ndryshëm. Përmendim këtu vetëm një prej ilustrimeve të dhëna nga profesor Shkurtaj. Është fjala për përdorimin e termit shqipfolës, në vend të termit shqiptar. Me të drejtë, autori sqaron se, në rastin e bashkësive shqiptare në trojet kompakte ballkanike, ka “shqiptarë, universitete shqiptare dhe flitet shqip; pra, ka bashkësi shqiptare dhe jo shqipfolëse”.

Serioziteti i këtij botimi dëshmohet dhe nga gjuhëtarët e njohur, që kanë bërë recensimin e tij: prof. dr. Tefë Topalli e prof. prof. dr. Valter Memisha. Një recension të gjerë për këtë libër ka shkruar edhe prof. dr. Ali Jashari, dekan i Fakultetit të Mësuesisë, në Universitetin e Korçës “Fan S. Noli”. Ndër të tjera, ai shprehet se “ky libër u vjen në ndihmë të gjithë atyre, që duan të rregullojnë penën për të shkruar “shqip, thjesht, bukur, qartë dhe lehtë, sepse vetëm kështu i bëjmë nder vetes dhe kombit tonë”. Më tej, prof. dr. Jashari vazhdon: “Madje, veç të mira do të kishte futja e një lënde mësimi, me titull “Si të shkruajmë shqip”. Ky libër është dhe një gjedhe për t’u ndjekur nga gjithë hartuesit e teksteve shkollore...”. Vlerësim të lartë, për librin e profesor Gjovalin Shkurtajt, jep edhe prof. dr. Avni Presheva, titullar i logjikës në Universitetin e Prishtinës. Gjithashtu, ky autor këshillon që “ai libër duhet të përfshihet në programin mësimor të të gjitha shkollave të larta të hapësirave shqiptare, brenda e jashtë Shqipërisë”.

Bashkohemi me këto e të tjera vlerësime, të shprehura për këtë libër, i cili ndryshon shumë nga përkthimet shabllon të bëra nga gjuhët e tjera, për nevojat e mësimdhënies së lëndës “Shkrim akademik”, në universitet. Vërtet lënda e shkrimit akademik mësohet në të gjitha universitetet botërore sot, por secili mëson të shkruajë në gjuhën e vet. Siç dihet, çdo gjuhë ka rregullat dhe specifikat e veta, të cilat nuk mund t’u montohen gjuhëve të tjera. Pikërisht këto lloj përkthimesh përbëjnë dhe një prej faktorëve dëmtues të gjuhës shqipe në kohën e tanishme. Këtu nuk është fjala thjesht për përdorimin e pikave ose të presjeve, a të ë-ve, siç tentohet të mendohet shpeshherë, në këto raste. Ajo që përbën vërtet shqetësim, është ruajtja e strukturës morfologjike e sintaksore të shqipes, gjë të cilës profesor Shkurtaj i kushton vëmendje të veçantë, në librin e tij.

Me pak fjalë, në radhë të parë, duhet të mendojmë shqip, të shkruajmë shqip dhe qartë. Vetëm atëherë do të jemi në gjendje të bëhemi profesionistë të vërtetë, pavarësisht se cilës fushë i përkasim. Nuk mund të kemi kurrë juristë, psikologë, mësues etj. të suksesshëm, nëse flitet një një gjuhë, e cila është gjysma shqip e gjysma në ndonjë gjuhë tjetër.

Veçanërisht në këtë kohë, kur shumë familje emigrantësh po kthehen në atdhe dhe po i regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollat dhe universitetet shqiptare, ndihet domosdoshmëria e një lënde me karakter të përgjithshëm formues, për shkrimin profesional shqip, në përputhje me strukturat morfologjike-sintaksore dhe rregullat drejtshkrimore të gjuhës së sotme shqipe. Dhe ato, botimi “Si të shkruajmë shqip” (Baza të shkrimit akademik), i prof. dr. Gjovalin Shkurtaj-akad. as. i plotëson më së miri. Ai përbën një libër pune të përshtatshëm për mësimdhënien e lëndës së Shkrimit akademik dhe të Kulturës së gjuhës, por edhe për të gjithë korrektorët dhe redaktorët e rinj të gjuhës shqipe, për studentët universitarë e pasuniversitarë dhe për mësuesit e gjuhës shqipe, në të gjitha hapësirat, ku shqipja flitet dhe mësohet, gjuhë amtare.





(Kontaktet me autorin e librit: shkurtajg@yahoo.com; Tel: 0035542367126; Celulari: 068 632 4785 e 069 663 0713)

Letërsia e Facebook-ut, fiksimi i shqiptarëve që duhet marrë seriozisht








Librat e ndaluar në kohën e komunizmit në Shqipëri




Lufta dhe Paqja-Leo Tolstoi (Koment: Babit tim 'Lufta dhe Paqja' për pak i ka kushtuar jetën. Ai thotë që kur ishim gjimnazistë lexonim libra të ndaluar prej emocionit të gjësë së ndaluar. Nuk kuptonim ç’rrezik mund të kishte nga një libër shteti. Vetëm duke lexuar kuptuam që nuk ka gjë më të rrezikshme se libri për një diktaturë.)


Sikur të isha djalë-Haki Stermilli

Dashuri e ndaluar-Vangjush Vercani

Bibla Satanike-Anton LaVey

Gremina e dashurisë-Mustafa Gerblleshi

Çifutja e Toledos-Franz Grillparzer

Dekameroni-Boccaccio

Dimri i madh-Ismail Kadare (U ripërpunua përtë shmangur ndalimin)

Dreri i trotuareve-Diana Çuli

Vargjet e lira- Migjeni

Manastiri i Parmës-Stendhal

Ernest Koliqi, Gjegj Fishta, Martin Camaj, Petro Marko u ndaluan si autorë



Artikuj të ngjas

Presidenti i Kosovës ndalon librat anti-semitike


Pas një ankese nga dy ekspertë të shquar të antisemitizmit, njëri prej të cilëve ishte ftuar në një konferencë mbi racizmin në Kosovë, Hashim Thaçi ka ndaluar shitjen dhe shpërndarjen e librave anti-semitike që ishin në dispozicion në rrugët e kryeqytetit.


Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi urdhëroi autoritetet të ndalojnë librat anti-semitike, pasi një izraelit i cili ishte në vizitë i bëri thirrje drejtpërdrejt atij pasi në mënyrë të hapur hasi në botime anti-semitike dhe naziste në bulevardin kryesore të kryeqytetit, Prishtinë.

Ido Daniel, një ekspert mbi luftën kundër antisemitizmit dhe racizmit, erdhi në Kosovë me ftesë të qeverisë dhe Organizatës Evropiane për Bashkëpunim për të marrë pjesë në një konferencë mbi luftën kundër racizmit dhe radikalizmit. Në konferencë morën pjesë ekspertë mbi terrorizmin nga e gjithë bota pasi që Kosova lufton kundër nxitjes dhe rekrutimin për organizata ekstremiste si ISIS.

Librat anti-semitike në shitje në Kosovë

Një ditë gjatë konferencës, Daniel ishte duke ecur në bulevardin kryesor të Prishtinës dhe vuri re se shumë stenda dhe librari po shisnin libra anti-semitike të përkthyera në gjuhën shqipe. Në mesin e veprave të shitura ishin tri versione të ndryshme të Mein Kampf.

“Sa njerëz i ishin ekspozuar këtij helm? Mijëra njerëz kalojnë andej çdo ditë. Rezulton se ekziston një industri e tërë e literaturës anti-semitike e përkthyer në gjuhën shqipe dhe gjuhë të tjera në rajon, si pjesë e një fushate të organizuar të nxitjes kundër hebrenjve në Ballkan”, tha Daniel.

Daniel iu drejtua Ministrisë për Siguri Publike të Kosovës, të cilët e ftuan atë në konferencë, dhe paraqiti një ankesë. Së bashku me Dr. Shimon Samuels të Simon Wiesenthal Center, të dy i shkruan një letër Presidentit të Kosovës për të hetuar çështjen.

Presidenti u përgjigj me një letër drejtuar Danielit dhe Dr. Samuelsit duke thënë: “Ne jemi të shqetësuar thellë nga përpjekjet e individëve për të futur ideologji radikale dhe kërcënuese në Kosovë. Kështu, ne me seriozitet jemi duke marrë informacione mbi aktivitetet e tilla”, ka shkruar Thaçi. “Pavarësisht, ky incident është i rrallë, dhe unë mund t’ju siguroj se kam drejtuar autoritetet të hetojnë menjëherë këtë incident dhe të ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm për të parandaluar përhapjen e urrejtjes në një shkelje flagrante të kushtetutës”.

Duke u përgjigjur, Danieli tha: “Njerëzit në Kosovë sot janë pro-Izraelit, por kush e di se çfarë mund të ndodhë në dhjetë vitet e ardhshme? Unë vetëm mund të falënderoj Presidentin e Kosovës pasi ka vepruar me vendosmëri kundër shitësive”.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...