Agjencioni floripress.blogspot.com

2017/03/14

GJUHËT INDOEVROPIANE


Xhelal Zejneli


Gjuhët indoevropiane janë grup gjuhësh të cilat për nga krijimi i tyre janë të afërta. Ky grup i gjuhëve përbën familje gjuhësore të veçantë. Që nga lashtësia fliten ose janë folur në një brez të gjerë prej skajit perëndimor i Evropës deri te cepi lindor i Indisë dhe deri te Turkestani kinez, në zemër të Azisë. Prej zbulimeve gjeografike e këndej, këto gjuhë fliten po ashtu në zonat e të shpërngulurve të Amerikës, Veriore, Qendrore dhe Jugore, të Australisë, të Zelandë së Re, pastaj në Siberi dhe gjetkë. Emërtimi “indoevropian” për këto gjuhë është më i vjetri dhe i pranuar nga të gjithë. Pothuajse po kaq i vjetër është edhe emërtimi: gjuhët “indogjermane” , që përdoret në vendet e shprehjes gjuhësore gjermane. Në Angli ngandonjëherë shfaqet edhe emërtimi “ariane”. Mirëpo, termi arian i përgjigjet gjuhës së indasve dhe të iranianëve të vjetër, të cilët janë të vetmit nga indoevropianët që e kanë quajtur veten arianë.

Ngjashmëria ndërmjet gjuhëve indoevropiane, në shumë raste edhe sot është evidente. Për shembull fjala “tre” në indishten e vjetër është trayah, në greqishten e vjetër treis (në të vërtetë tres), në gotishte preis, në lituanisht trys, në sllavishten e vjetër trije, në latinisht tres. Kuptohet, ka edhe shumë fjalë të tjera që shqiptohen ngjashëm në disa gjuhë të kësaj familjeje. Në bazë të tyre, gjuhëtarët kanë ardhur në përfundim se në të kaluarën e largët banorët e hapësirave të lartpërmendura kanë folur në gjuhën e lashtë indoevropiane, d.m.th. në gjuhën e indoevropianëve të parë. Supozohet se atdheu i parë i indoevropianëve ka qenë diku në Evropën Qendrore dhe Juglindore, por ka të tillë që e vendosin në Azinë Qendrore. Pothuajse para gjashtë mijë vjetëve fiset indoevropiane kanë filluar të shpërndahen duke kërkuar hapësira të reja për t’u vendosur. Në këtë kohë bashkësia e parë gjuhësore indoevropiane fillon të shpërbëhet. Kështu lindën më vonë edhe degët dhe nëndegët e familjes gjuhësore indoevropiane. Gjuhë të caktuara indoevropiane përfshihen në to në bazë të afërsisë së ndërsjellë, diku të madhe, diku më të vogël.
Gjuhët indoevropiane gjuhëtarët i kanë ndarë në dy grupe: në grupin satem dhe në grupin kentum. Në gjuhët që i takojnë grupit satem, velaret palatale të indoevropianishtes së stërlashtë k, g, g h kanë kaluar në sibilantë. Satem buron nga gjuha avestike për numrin “njëqind” - satem. Ndërsa kentum rrjedh prej fjalës latine centum për numrin “njëqind”. Ka pasur studiues të cilët ndarjen e gjuhëve indoevropiane në satem dhe në kentum e kanë vënë në dyshim.

Në familjen e gjuhëve indoevropiane bëjnë pjesë gjuhët, si më poshtë:

1. Gjuha shqipe, e cila përbën degë indoevropiane të veçantë. Nuk është aq e afërt me asnjërën nga gjuhët e njohura indoevropiane. Sipas gjuhëtarëve eminentë evropianë, sidomos gjermanë dhe austriakë, shqipja është pasardhëse e gjuhës ilire. Flitet: në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë), në viset shqiptare në Maqedoni, në viset shqiptare në Mal të Zi, në Çamëri. Në Ballkan, gjuha shqipe flitet prej shtatë milionë shqiptarëve. Shqipja flitet edhe në ngulimet e arbëreshëve në Kalabri dhe në Sicili, në Zarë të Dalmacisë në bregdetin kroat (lagjja Arbanasi) etj. Shqipja flitet edhe në diasporën shqiptare në Evropë, në SHBA, në Kanada, në Australi. Një numër i madh i shqiptarëve banojnë në Turqi.
Gjuha shqipe i ka ruajtur tiparet thelbësore të trashëguara nga një fazë e hershme indoevropiane, siç janë sistemi i rasavedhe zgjedhimi foljor, natyrisht, me ndryshime të dukshme të përftuara në rrjedhën e shekujve. Ajo ka edhe një fond të konsiderueshëm fjalësh të trashëguara, si: ditë, natë, dimër, ujk, ujë, punë, zemër, i lehtë, i thellë, i rëndë, jam, kam, bie, ha, pi etj. Ky fond i trashëguar arrin në rreth 2000 fjalë të parme, nga të cilat janë formuar shumë fjalë të tjera të prejardhura, të përbëra dhe të përngjitura, si p.sh.: punëtor, punëtori, punishte, punoj, punim, punonjës, punëdhënës etj. Sipas studiuesve të huaj, shqipja ndodhet pikërisht te rrënja e gjuhëve indoevropiane.
Disa fjalë në gjuhën ilire kanë shënuar shkrimtarët antikë. Emra të përveçëm vendesh e njerëzish janë ruajtur në veprat e shkrimtarëve antikë apo në mbishkrimet ilire. Për ilirët dhe Ilirinë bëjnë fjalë burimet e autorëve antikë grekë e latinë dhe bizantinë të hershëm, prej kohëve të lashta homerikederi në shekullin VII të e.s. (Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, Instituti i Historish dhe i Gjuhësisë i USHT-së, 1965, vëll. I, ribotuar në vitin 2002). Fise të veçanta ilire, panojët dhe tesprotët përmenden në poemat Iliada dhe Odisea. Emri i përbashkët ilirëdel vetëm në shekullin V p.e.r. te Herodoti. Iliria, e banuar nga ilirët, përmendet për herë të parë në gjysmën e dytë të shekullit IV p.e.r. nga Demostenisi fqinjë perëndimore e Maqedonisë. Nga gjuha ilire janë ruajtur pak glosa, si: sika “thika”, peli “qelq” (Epir), aspetos “i shpejtë” (Epir), sabaja “një lloj birre” etj.; emra njerëzish, si Dardania“dardhë”, Dalmatia “delme, dele”, Ulkin “ujk”, Bardhyl “bardhë”, Bala “balë”, Daz “dash” etj.
2. Gjuha armene po ashtu është degë e veçantë. E flasin armenët në atdheun e tyre dhe jashtë tij, armenët në emigracion. Njihet në dy forma: armenishtja klasike dhe armenishtja e sotme e re.

3. Dega indo-iraniane

A. Nëndega indike - Gjuhët e vjetra indike: gjuha vede dhe sanskritishtja; gjuhët indike të mesme prakërt, siç janë: pali, shaurasen dhe maharashtri si dhe një numër i madh i gjuhëve të reja indike: gjuhët letrare – gjuha urde në Pakistan dhe gjuhahindu në luginën qendrore dhe perëndimore të Gangesit dhe në Rajasthan, gjuha guxharat në Guxharat, gjuha penxhapnë rrjedhën e epërme të Indit, gjuha pahar në Himalaje dhe në Nepal, gjuha land në luginën qendrore të Indit, gjuha sind rreth rrjedhës së poshtme të Indit, gjuha marat në Maharashtri në anën e pasme të Bombeit, gjuha bihar në Bihar dhe në luginën lindore të Gangesit, gjuha orise në Orissi, gjuha bengale rreth grykës së Gangesit në Bengal. Jashtë Indisë fliten gjuha sinkaleze në Sri-Lankë, gjuha nepalenë Nepal, gjuha cigane ose rome, gjuhë e ciganëve apo e romëve evropianë. Në Pakistan fliten sot 60 gjuhë, me gjuhën urdu si gjuhë kombëtare. Në Indi fliten sot 200 gjuhë, 14 nga të cilat mësohen. Ka dhe shumë dialekte. Gjuhë zyrtare është indishtja.
Në gjuhën sanskrit (indishtja e vjetër) u shkrua Mahabharata (Historia e madhe e Bharatas) njëri nga dy eposet e mëdha të letërsisë sanskrite në Indi, i konsideruar si një prej teksteve të shenjta hindu. Përfshin 110.000 kuplete (215.000 vargje) dhe është ndoshta poema më e gjatë në letërsinë botërore. Tema e saj qendrore është lufta ndërmjet dy familjeve kushërinjsh, Kauravas dhe asaj që në fund del fitues, Pandavas. Mahabharata nuk është vepër e një poeti të vetëm, por përfaqëson një varg të tërë poezish të rapsodëve të Indisë së lashtë, e ka të ngjarë të jetë përpiluar ndërmjet viteve 400 para erës së re dhe 200 të erës së re.
B. Nëndegës iraniane të degës indo-iraniane i takojnë: prej gjuhëve të vjetra iraniane – gjuha avestike, d.m.th. gjuha e librave të shenjtë të ithtarëve të Zaratustrës, gjuha e vjetër persiane me të cilën janë shkruar mbishkrimet të mbretit të Persisë Darit dhe të trashëgimtarëve të tij; gjuhët e mesme iraniane: gjuha pehlevi, gjuhë persiane nga fisi i sundimtarëve Sasanid, gjuha part, horezmike dhe sodike e partëve dhe pasardhësi bashkëkohor i saj gjuha jagnobike në lindje të Samarkandit. Gjuha sogdike ka qenë e afërt me gjuhën e vdekur skite që e kanë folur skitët. Supozohet se nga gjuha skite rrjedh gjuha osete e sotme – gjuhë iraniane në Kaukaz. Në Azerbajxhan fliten gjuhët iraniane: gjuha tal dhe gjuha tat. Në gjuhën kurde flasin 25 milionë kurdë të Kurdistanit, d.m.th. në Irak, në Turqi, në Iran dhe në Siri. Gjuha pashto ose afgane është gjuhë zyrtare në Afganistan, kurse gjuha baluxhe flitet në krahinën Baluxhistan të Pakistanit. Në Pamir fliten disa gjuhë pamiri.

4. Dega baltike-sllave

A. Në gjuhët baltike bëjnë pjesë:lituanishtja, letonishtja dhe prusishtja e vjetër e vdekur.
B. Gjuhët sllave përbëhen prej tre grupeve: gjuhët sllave lindore, ku bëjnë pjesë: gjuha rusishtja, ukrainishtja dhe bjellorusishtja; gjuhët sllave perëndimore, ku hyjnë: polakishtja, polapishtja e vdekur, çekishtja, sllovakishtja, gjuha luzhe e epërme, gjuha luzhe e poshtme; dhe gjuhët sllave jugore, ku bëjnë pjesë: kroatishtja, serbishtja, sllovenishtja, bullgarishtja, maqedonishtja dhe forma e vjetër e saj sllavishtja e vjetër. Në grupin e gjuhëve sllave jugore pretendojnë të përfshihen edhe: gjuha boshnjake dhe gjuha malazeze. Sipas shkollës serbe, kroatishtja, gjuha boshnjake dhe gjuha malazeze nuk janë veçse serbishte apo dialekte të saj. Edhe bullgarët e mohojnë ekzistimin e maqedonishtes. Sipas tyre, maqedonishtja popullore është bullgarishte.
Pesë degët e lartpërmendura të gjuhëve indoevropiane bëjnë pjesë në grupin satem.
Për dallim nga grupi i mësipërm i gjuhëve indoevropiane, te të cilat velaret palatale (qiellzore) k, g, g h kanë kaluar në sibilantë, grupi kentum i gjuhëve indoevropiane që pasojnë më poshtë, velaret palatale i ruan si velare. Pothuajse të gjitha gjuhët kentum i takojnë pjesës perëndimore të hapësirës së banuar me indoevropianë.
5. Dega kelte – Prejsaj, deri në vitet ’70 të shekullit XX, janë ruajtur deri diku tri gjuhë: bretonishtja në Bretanjë, e cila, nën ndikimin e frëngjishtes është në zhdukje e sipër, gjuha velse dhe gjuha skoceze. Nëndegës ishullore të gjuhëve kelte i takojnë edhe gjuha man në ishullin Man dhe gjuha kornike e vdekur në Cornëall.
Gjuha kelte apo gjuha e galëve në pjesë kontinentale ka vdekur në shekujt e parë të epokës sonë, por fushatat luftarake të keltëve e përhapën në tërë Galinë, në Spanjë, në Italinë veriore, në Panoninë e lashtë (hapësirë e rrafshët në Hungari dhe në Vojvodinë – Serbi), në Ballkan, e deri në Azi të Vogël, ku disa emra në gjuhën kelte ruhen edhe sot, si p.sh.: krahina Galatia në Azi të Vogël. Beogradin e quanin Singidunum.
6. Gjuhët gjermanike – Ndahen në nëndegën lindore, me përfaqësuesen kryesore - gotishten e vdekur; në nëndegën veriore, me gjuhët: islandishtja, norvegjishtja, suedishtja dhe danezishtja; në nëndegën perëndimore, me gjuhët: gjermanishtja me dialektet e saj të larta dhe të ulta, gjuha frige në Friesland, holandishtja në Holandë me afrikansën, gjuhë e emigracionit holandez në Afrikën e Jugut si dhe anglishtja.
7. Dega italike – Në fillim kanë qenë gjuhët e vjetra në Italinë qendrore, si: nëndega latino-faliske me gjuhën latine, në fillim gjuhë e qytetit të Romës dhe e krahinës së Lacisë dhe me gjuhën faliske, gjuhë e qytetit të Falerisë; nëndega osko-umbre, me gjuhën oske dhe me gjuhën umbre. Pas një kohe, latinishtja mbizotëroi ndaj të gjitha gjuhëve të tjera italike dhe u bë gjuhë botërore e Perandorisë Romake. Nga e ashtuquajtura latinishte vulgare (popullore) lindën gjuhët romaneapo neolatine të sotme, siç janë: portugalishtja, spanjishtja, katalonishtja, gjuha provansale, frëngjishtja, tre grupet e dialekteve retoromane në Alpe të cilët disa i konsiderojnë si gjuhë të veçanta, d.m.th. grupi grizhun, tirol dhe furlan, gjuha istroromanenë zonën prej Pulle deri në Rovinj (qytete në bregdetin kroat dhe slloven) në Istrie, gjuha istrorumune në disa fshatra në Uçkë, gjuha dalmate e vdekur në bregdetin kroat, prej Kërke deri në Dubrovnik (flitej deri në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit XX). Këtu përfshihen edhe do gjuhë që fliteshin jashtë Evropës, e që ishin zhvilluar mbi bazën romane, si p.sh. gjuha haite, kreole.
Në veri të Danubit ndodhet Dakia, vend i vjetër në Evropë, sot Rumania. Perandori romak Marko Ulpie Trajani (sundoi në vitet 98-117) në vitet 101-107 pas K. e pushtoi Dakinë. Banorët e saj – dakët, u romanizuan. Rumanishtjaështë e vetmja gjuhë neolatine e folur në Evropën lindore, e cila u zhvillua nga latinishtja që e solli aty Trajani. Romanë konsiderohen edhe moldavët, vllehtë, cincarët (arumunët).
Në shekullin VI gjuha latine del nga përdorimi publik dhe mbetet të përdoret kryesisht nëpër kisha.
8. Gjuha greke – Si shqipja dhe armenishtja, edhe greqishtja përbën një degë indoevropiane të veçantë. Dallohen: greqishtja e vjetër e cila kishte një numër të madh dialektesh; greqishtja e mesme (bizantine) dhe greqishtja e sotme ( e re).
9. Dega anatolike – Në lashtësi, në Azi të Vogël janë folur disa gjuhë të vdekura. Në radhë të parë është hetitishtja, gjuhë e Perandorisë Hetite në mijëvjeçarin e dytë p.e.s. Kjo gjuhë u zbulua në fillim të shekullit XX në pllakat e argjilës që u zbuluan prej arkeologëve në lindje të Ankarasë, në Turqi. Pastaj gjuhët që janë të afërta me hetitishten, si gjuha luvike, palaje; gjuhët më të reja të Azisë së Vogël, po ashtu të vdekura, siç janë gjuhët: likike, lidike, mbase edhe gjuha karike.
10. Dega e tokarishtes – Në Turkestanin kinez, në lindje, janë gjetur shkrime në dy gjuhë. Emri i tyre i vërtetë nuk dihet. Në literaturë i quajnë: tokarishtja A dhe tokarishtja B.

* * *

Gjuhët indoevropiane të vdekura - Përpos gjuhëve anatolike - hetitishtessi dhe tokarishtes janë edhe do gjuhë të tjera indoevropiane të vdekura. Në Azi të Vogël, në lindje të Lidisë, Mizisë dhe Karisë janë gjetur ca mbishkrime në gjuhën frige. Sipas legjendave, frigasit në Azi të Vogël kanë ardhur prej Gadishullit Ballkanik, e që andej në Armeni, kështu që disa mendojnë se frigishtja ka qenë mjaft e afërt me armenishten. Në Maqedoninë antike është folur maqedonishtja. Sipas studiuesve grekë, maqedonishtja ka qenë një dialekt i greqishtes së vjetër. Ka studiues që thonë se nuk dihet në mënyrë të sigurt në ka qenë ndonjë dialekt i greqishtes së vjetër apo gjuhë në vete. (Çështjet që ndërlidhen me gjuhët dhe me prejardhjen e popujve, shpesh në histori janë interpretuar njëanshëm për qëllime politike). Në krahinën e Apulisë në Italinë jugore janë gjetur mbishkrime të shkruara në mesapishte - dialekt i veçantë i ilirishtes. Ka studiues që thonë se mesapët në gadishullin italian kanë ardhur nga Ballkani. Në rajonin e Venetit të sotëm në veri të Italisë, para ardhjes së romakëve është folur venetishtja. Një kohë të gjatë është konsideruar si një dialekt i ilirishtes. Më vonë do studiues e konsideruan si një degë indoevropiane të veçantë. Në periudhën antike, deri në shekujt e parë të erës së re, në Iliri është folur ilirishtja. Trakishtja ka qenë gjuhë e fqinjëve veriorë të grekëve – trakasve. Prej trakishtes janë ruajtur vetëm fjalë të veçanta dhe dy mbishkrime të shkurtra. Trakia në kohën antike ka qenë vend i Heladëve në veri. Sot është pjesë e Bullgarisë, e Greqisë dhe e Turqisë (më 1923, e gjithë traka në lindje të lumit Maricë në Bullgari, iu rikthye Turqisë - Rumelia).
* * *

Pellazgët - Pellazgët kanë qenë popullsi e lashtë mesdhetare parailire dhe paragreke. Sipas autorëve antikë (Homeri, Hesiodi, Herodoti, Tukididietj.) pellazgët banonin në pellgun e Egjeut dhe në bregdetin perëndimor të Azisë se Vogël, në Peloponez, në Greqinë Qendrore, në Tesali e gjetkë. Përcaktimi i karakterit etnik të kësaj popullsie u shtrua si çështje që në kohën e lashtë, p.sh. nga Straboni. Gjatë Rilindjes Kombëtare pikëpamja se nga pellazgët e ka prejardhjen populli shqiptar u përkrah si mbështetje për të treguar lashtësinë e tij. Pikëpamjet e sotme më të rëndësishme mund të përmblidhen në dy qëndrime kryesore: 1) Në Ballkan e në Mesdhe ka jetuar një popullsi e tejlashtë me emrin pellazgë, që shërbeu si bazë për formimin e popullsive të mëvonshme të kësaj treve; gjuha e tyre pellazgjishtja duhet konsideruar si një gjuhë e parë indoevropiane. 2) Në kohën e tejlashtë në Ballkan e në Mesdhe nuk ka pasur një popullsi të njëjtë dhe as një emër të njëjtë për të gjitha këto treva; prandaj – sipas disa studiuesve - emërtimet pellazgë e pellazgjishte janë të pasakta. Në këtë rast popullsitë quhen parailire, paragreke e paratrake dhe – sipas disa studiuesve - përjashtohet mundësia e përcaktimit të karakterit të tyre etnik.
Pellazgjishtja – Sipas disa studiuesve, gjuha e pellazgëve është gjuhë e panjohur. Disa të dhëna për të, nxirren në mënyrë të tërthortë. Janë bërë përpjekje për të zbuluar lidhje të pellazgjishtes me gjuhë të tjera indoevropiane. E kanë afruar atë herë me ilirishten dhe nëpërmjet saj me shqipen, herë me trakishten, herë me gjuhët gjermanikeetj. Si mbetje të pellazgjishtes janë vështruar disa fjalë të greqishtes dhe disa emra vendesh, personash e perëndish me disa prapashtesa të veçantë, që nuk kanë të njëjtat tipare fonetike që karakterizojnë greqishten.
Që në shekullin XVIII, por veçanërisht me rilindësit e shekullit XIX, nga studiues shqiptarë e të huaj u hodh e u trajtua teza e lidhjes së pellazgëve me shqiptarët dhe e pellazgjishtes me shqipen. Për të treguar lashtësinë e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, tezën e prejardhjes pellazge të shqiptarëve e shtjelluan sidomos rilindësit De Rada, Dhimitër Kamarda, Pashko Vasa, Naim Frashëri, Sami Frashëri. Në mënyrë të veçantë këtë tezë e trajtoi dhe e bëri të njohur në rrethet shkencore evropiane diplomati, filologu dhe albanologu austriak, i konsideruar themelues i studimeve shqiptare Johan Georg fon Han (Johann Georg von Hahn, 1811-1869). Gjatë shekullit XX me pellazgët e me pellazgjishten janë marrë disa gjuhëtarë të njohur, si linguisti gjerman Paul Kreçmer (Paul Kretschmer, 1866-1956), linguisti dhe filologu bullgar Vladimir Ivanov Georgiev (1908-1986), gjuhëtari dhe studiuesi belg Albert Joris van Vindekens (Albert Joris van Windekens, 1915-1989), linguisti austriak Fric Lohner-Hytenbah (Fritz Lochner-Hűttenbach, 1930-) etj.
Vindekensi pellazgjishten e quan gjuhë indoevropiane.

Në vitet ’60 të shekullit XX tezën e prejardhjes pellazgjike të shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe e kanë mbrojtur edhe studiues shqiptarë, si: filologu, helenisti dhe historiani, pellazgologu i parë shqiptar, i lindur në Korçë, i diplomuar në Universitetin e Athinës, Prof. Spiro N. Konda - në librin historiko-filologjik “Shqiptarët dhe problemi pellasgjik”, të botuar në vitn 1962 në gjuhën greke dhe në Korçë më 1964 në gjuhën shqipe; dhe pellazgologu i shquar, i cili studioi drejtësinë në Universitetin e Sienës në Itali, nip i Thimi Mitkos – Prof. Dhimitër Pilika (Korçë, 1923-2003, Tiranë) në librin “Pellazgët, origjina jone e mohuar. Cilët janë pasardhësit e pellazgëve”, Botimet enciklopedike, Tiranë, 2005.

* * *
Gjuhët që fliten në Evropë, e që nuk i takojnë familjes së gjuhëve indoevropiane - Nuk u takojnë gjuhëve indoevropiane: gjuha baske, finlandishtja, hungarishtja, estonishtja (në Baltik).Familjes së gjuhëve indoevropiane nuk i takon as turqishtja. Gjuha finlandeze i takon grupit baltiko-fin të gjuhëve ugro-fine dhe është e afërt me estonishten. Gjuhën baske (baskishten) e flasin në vendin bask (në Spanjë dhe në Francë) rreth një milion folës. Nuk lidhet me ndonjë gjuhë të njohur dhe ndoshta është mbetje e gjuhëve para-indoevropiane të Evropës. Hungarishtja është një nga gjuhët ugro-fine dhe është e vetmja gjuhë e madhe e degës ngrike.
* * *
Studimet e para të gjuhëve indoevropiane - Qysh në lashtësi u pa se ndërmjet greqishtes dhe latinishtes ka disa ngjashmëri. Por, për paraqitjen dhe për zhvillimin e indoevropianistikësndikoi vetëm njohja e Evropës me kulturën indase dhe me sanskritin. Që nga fundi i shekullit XVI u vërejtën ngjashmëri të caktuara të sanskritishtes me disa gjuhë evropiane. Jehonë më të madhe patën mendimet e orientalistit anglez Viliem Xhonsit (Wiliem Jones, 1746-1794) i cili kishte shërbyer në Indi. Poeti dhe kritiku gjerman Fridrih Shlegel (Karl Wilhelm Friedrich Schlegel, 1772-1829) dhe romantika e hershme, konstatimet e Xhonsit (Jones) lidhur me sanskritin i pritën me entuziazëm. Në këto rrethana u paraqit vepra e njohur e studiuesit gjerman Franc Bopit (Franz Bopp, 1791-1867) “Mbi sistemin e zgjedhimit të sanskritit në krahasim me sistemin e zgjedhimit të gjuhës greke, latine, persiane dhe gjermane”. Kjo vepër merret si fillim i periudhës krahasimtare në historinë e gjuhësisë. Bopi është një nga themeluesit e linguistikës si shkencë e pavarur. Është i pari që argumentoi se shqipja bën pjesë në trungun e gjuhëve indoevropiane. Është autor i veprës “Gramatika krahasuese e gjuhëve indoevropiane” (1833-1852). Në dhjetëvjeçarët e ardhshëm indoevropianistika mori një zhvillim të hovshëm: u shtruan çështjet që kishin të bënin me gjuhën para-indoevropiane, me atdheun e hershëm të para-indoevropianëve dhe me popullin para-indoevropian. U paraqit teooria e linguistit gjerman August Shlajerit (August Schleicher, 1821-1867) – Teoria e trungut gjenealogjik të gjuhës indoevropiane si dhe Teoria e valëve (Wellentheorie) e linguistit gjerman Johan Shmitit (Johannes Schmidt, 1843-1901). Në vitin 1861 August Shlajeri botoi veprën e tij të madhe Përmbledhje e gramatikës krahasuese të gjuhëve indogjermane. Tentoi ta bëjë edhe rikonstruktimin e gjuhës proto-indoevropiane. Filloi botimi i revistave linguistike të rëndësishme. U ndërruan drejtimet kryesore në shkencën e gjuhësisë, siç janë komparativizmi i hershëm, natyralizmi biologjik, psikologjizmi dhe Teoria mbi botën e filozofit dhe gjuhëtarit gjerman Humboldit (Karl Vilhelm, baron Von Humbold, 1767-1835). Me veprat e gramatikanëve të rinj, kjo periudhë e formimit të gjuhësisë arriti kulmin e vet. Në vitin 1880 doli vepra e linguistit dhe leksikografit gjerman Prof.Herman Paulit (Herman Paul, 1846-1821) “Parimet e historisë së gjuhës”, me të cilën u vunë bazat teorike të shkencës së gjuhësisë. Gramatika krahasuese indoevropiane u bë model i studimit të familjeve të tjera gjuhësore dhe burim i rëndësishëm i njohjes së gjuhës në përgjithësi. Në fillim të shekullit XX, pas linguistit zviceran Ferdinand de Sosyrit (Ferdinand de Saussure, 1857-1913), shpejt e zëvendësoi në atë rol linguistika e përgjithshme, por ndikimi i gramatikanëve të rinj në vende të caktuara ende ishte i fuqishëm.
* * *
Familje të tjera gjuhësh: familja e gjuhëve uralo-altaike, gjuhët hamite, gjuhët semite - Përpos familjes indoevropiane të gjuhëve, ekzistojnë edhe familje të tjera gjuhësh, si: gjuhët uralo-altaike – grup gjuhësor turan në të cilin bëjnë pjesë gjuhët: ugro-fine (hungarishtja...), samojed dhe altaike, përkatësisht manxhu-tunguze, turko-tataredhe mongole. Gjuhët hamite fliten prej popujve hamit të cilët banojnë kryesisht në Afrikë, siç janë berberët, egjiptasit e vjetër, koptët etj. Në grupin e gjuhëve semite bëjnë pjesë gjuhët: babilonase, asirike, hebraishtja e vjetër, fenikase, arameike dhe sirike, arabishtja, etiopishtja e vjetër (gejez), amhar – gjuhë e Etiopisë bashkëkohore dhe disa gjuhë të tjera etiopike. Izraelishtja e sotme quhet ivrit.

Nga Kostaq Xoxa : Gallatë shkrimtarësh të famshëm






Shumë autorë kanë humbur një pjesë të kohës për t’u marrë me tuhafllëqet e
shkrimtarëve italianë e francezë. Përfshihen ndër këta edhe shkrimtari i njohur
Gabriele D’Anuncio me atë veprën “La “Recherche” (Hulumtim) , në këtë rast për
spitullaqët . Por edhe të tjerë janë marrë me paragjykime letrarësh.
Për kohën e lirë, le të paraqesim për kureshtarët shqiptarë një pjesë të qyfyreve.
Disa nga ata që përgojohen nga gjurmuesit e spitullaqëve janë me emër në
letërsinë italiane dhe franceze. Shpesh disa nga gallatat e mbledhura janë edhe
paksa të tepruara. Por dihet, ama, se shumë shkrimtarë janë talente të vërteta
por edhe tuhafë, qyfyret e të cilëve mbulohen nga talenti. Lexuesi ka të drejtë të
mos i besojë 100 % ato që do të lexojë në këtë shkrim. Le t’i gjykojë vetë.
Marsel Proust (Prusti) dhe Xhejms Joyce (Xhojsi), pas një ftese që kishin pasur
për një takim mondan, u bashkuan në hotel “Ritz” të Parisit. Mezi shkëmbyen disa
fjalë. Francezi, që duket se nuk e kishte lexuar “Ulisin” , nuk e kishte hequr peliçen
gjatë gjithë mbrëmjes. Irlandezi, që s’ishte mësuar në ambiente aristokratike,
kishte vajtur pa ‘smoking’. Hipën në të njëjtën taksì, për t’u kthyer në hotel. Zhojsi
hapi dritaren e makinës, se nuk iu durua pa e ndezur cigaren. Për një asmatik si
Prusti, ishte më keq se t’i ngulej një thikë brinjëve...
Grouço Marks, për të lënë një përfytyrim më të pëlqyeshëm në një darkë me
T.S.Eliot-in, vajti i përgatitur: kishte lexuar dy herë “Tokën e shkretuar”. Por
muhabeti mori udhën e të folurit për maçokët e për cigaret...
Tuhafllëqe, antipatira, huqe e teka, kërshërí, trille e grindavecllëqe ndërmjet
letrarëve italianë dhe francezë mbushin faqet e “Entre Nous” (Ndërmjet nesh), që
përmban edhe një tekst të Alen Elkanit, me titullin “Kujtime të një italiani në Paris”.
Duke qëmtuar letra, kujtime dhe dëshmi, Daria Galateria tregon për një
shekull takimesh e tubimesh, mondane ose private, nëpër tavolinat e bareve,
në papafingot apo në shtëpitë botuese. E fillon këtë përmbledhje tiparesh të
jashtme të njerëzve të letrave, në vitin 1900, me Ardengo Soffici (Sófiçin), në
takim me Romen Rolland (Rolanin); nuk ranë dakord në asgjë prej gjëje!
Vepra vijon me Bernard-Henri Lévy (Leví) me Leonardo Sciascia (Sháshian). Tërë
natën folën në restorantin ‘Savini’ të Milanos për vrasjen e Aldo Moros dhe për
psikologjinë e brigatistëve. – “Po të vihej në tavolinë një diktofon, do të mund të
mblidhej lëndë sa për një roman të tërë”,- bën një koment folozófi, me njëfarë
keqardhje.
Lista e emrave është tepër e gjatë. Aty gjejnë vend shkrimtarë tepër të ngjashëm
me librat e tyre, si Koleta e “Chérie-së” (E dashur) dhe me serinë që në atë kohë
u quajt si skandaloze e që kishte për protagoniste Klodinën. Në Romë, me një
mikeshë që luante në një film, qëndronte në dhomë me pallton e madhe veshur,
lakmonte djemtë e rinj dhe i boshatiste kasapët duke kërkuar mushkërí për
maçokët.
Margarita Yourcenar (Jursënar) iu duk Paolo Milanos si e pajisur më një “intelekt
mashkullor”. Tema më e pëlqyeshme për Margaritën, gjatë bisedë, ishte urrejtja.
Ky mllef, sipas autores së “Kujtimeve të Adrianit”, është njëri nga lidhjet më të
qëndrueshme ndërmjet njerëzve”... Bashkëbiseduesi e quajti këtë shprehje si
paradoksale.
Shkrimtarë të tjerë thonë “bëj si them unë, por mos bëj si bëj unë”.
Filip Tomas Marineti, armik i vezullimit të hënës, i erdhi vërdallë në góndola
vajzës së një pashai egjiptian. Mbase e bëri edhe qejflie makaronash, paçka se
himnizonte kuzhinën futuriste...
Prusti ishte fjalëpakë (Xhojsi, pra, nuk ishte një përjashtim), vishej si mos më keq
dhe Gabriele D’Anuncios iu duk si një mender-borgjez! Ndoshta për inatçillëk
(shkrimtarët përgjithësisht mbajnë mërí,- sipas Marioza Mankuzos), meqë
D’Anuncio kishte lexuar faqen që ironizonte veprimtarinë e Fiumes, që i digjte
paksà italianit: Ky episod është hequr nga botimi i fundit i “Recherche-s”.
“Entre nous”, pas Sallonit të librit ndërkombëtar në Paris (ku Berluskoni refuzoi
të merrte pjesë, edhe po ta lutnin, për shkak të shprehjeve fyese të ministres
franceze të kulturës, Taska.) dhe pas polemikave me “kush po na jepka mend”,
pa harruar edhe romuzet antifranceze të Paolo Kontes. Libri “Midis nesh”,
pra, - trajton njëqind vite admirimesh dhe paragjykimesh, nga të dyja palët.
Elsa Morante, në spital, pas aktit për vetëvrasje, përshkruhet Nga Zhan - Noél
Schifano (Skifanit), me të gjitha veçoritë e një melodrame.
Me kalimin e viteve zhduken tuhafët (ekscentrikët) e mëdhenj, por portretet
mbeten të gjalla, pa përjashtuar edhe disa thashetheme për ta. Mësojmë se Zhan
Giono paska patur një surrat prej zdrukthëtari, ndërsa Albert Camus (Kamysi)
ngjaka me një garazhist! Blaise Cendrars (Bléz Sandrarit) të shëmtuar, që kishte
humbur edhe krahun në luftë, ia paska gjetur nusen miku italian Riciotto Canudo
(Kanudo).
André Gide (Zhidi) e priti në shtëpi Indro Montaneli-n , publicistin e ardhshëm
antikomunist nga më të mëdhenjtë e Europës, me derën e hapur, një trëndafil
dhe një biletë: “Hyr, jam në banjo!”. Koprac gjer ku nuk mban më, shkrimtari francez
hante gjithmonë qyl nëpër restorante: paguanin vazhdimisht të tjerët...
Në shtëpinë e Zhan Cocteau (Koktósë) Ennio Flaiano u pengua me një djalosh që
rrinte ulur, në bisht. Mezi pati kohën ta shohë të ngrihej befasisht e të paraqitej
menjëherë e më shkathësí pranë tij, aktori tepër i njohur në filmat që patën fatin
të jepeshin te né gjatë asaj kohe që s’na vjen mirë t’i përmendim as emrin. Ishte
aktori Zhan Marais (Maré).

Si u njoha me Bekim Fehmiun? (Pjesë nga libri në dorëshkrim i Agron Y. Gashit: Rrëfimet e Maestros- Dialog me avangardistin e viteve ’70- të Musa Ramadanin)





(Pjesë nga libri në dorëshkrim i Agron Y. Gashit: Rrëfimet e Maestros- Dialog me avangardistin e viteve ’70- të Musa Ramadanin)

A. Y. Gashi: Deshëm apo nuk deshëm, biseda po orientohet rreth aktorit të madh Bekim Fehmiu. Megjithatë, me sa e di unë, ai nuk ka luajtur në asnjë shfaqje shqiptare...

Musa Ramadani: Ka diçka që ka luajtur.

A. Y. Gashi: Cila është ajo?

Musa Ramadani: Kur e kanë përjashtuar prej gjimnazit të Prizrenit, pra në vitin e fundit, Bekimi ka ardhur këtu dhe e ka dhënë një provim. Abdurrahman Shala e ka pranuar në këtë teatër. Ndryshe atje ka qenë një Shemsedin Kirajtani, një burrë shumë i trashë dhe shumë i shkurtër, i cili bënte regji me amatorë. Bile ky tipi ka qenë edhe matës i metaleve të çmuara si:  ari, argjend etj. Pse po përmend këtë? Sepse është pikërisht ky Shemsedini, i cili i pari e ka zbuluar Bekim Fehmiun në teatrin amator. Ai, veç tjerash, i kishte thënë Bekimit: “Veç një gjë më pengon tek ti: i ke buzët shumë të  trasha!” Po, po kështu i ka thënë! Pasi erdhi dhe u pranua në teatër, Bekimi luajti në komedinë Kryet e hudrës të regjisorit Kristë Berisha. Pastaj ka luajtur edhe në dy shfaqje të tjera. Duhet të ketë qenë viti 1953-1954, mbase mund të ketë qenë edhe viti 1955.

A. Y. Gashi: E përmendet më herët se  Bekim Fehmiun, në Prizren, e kanë përjashtuar nga gjimnazi. Cila ishte arsyeja?

Musa Ramadani:  Ndoshta për shkak të babait të tij. Nuk e di a ta kam thënë ndonjë herë, babën e tij, Ibrahim Fehmiun, e kam pasur mësues në shkollë fillore. Motrën e Bekimit, më të voglën, Luljetën, e kam pasur në klasë. Bile me të kam qenë në një klasë në shkollën “Bajram Curri”. Kur vdiq Ibrahim Fehmiu... (më duket ta kam përmendur një ditë atë dramaturgun me violinë)....

A. Y. Gashi: Po, Xhemil Dodën...

Musa Ramadani: E di çfarë ka bërë Xhemil Doda, bre?! Ai ka qenë burrë i madh. Në varrimin e babës së Bekimit, Ibrahim Fehmiut, ai nxori flamurin shqiptar. Për këtë është dënuar me 15 vjet burg. Ai ishte Xhemil Doda! Bile si sot më kujtohet, kur Anton Pashku më ka dërguar në mënyrë speciale për ta bërë një intervistë me të. Fillimisht, me sugjerimin po të Antonit, shkova ia mora një shkrim etnologut Kadri Halimi. Edhe ky ish i burgosur politik të cilit ia botuam shkrimin vetëm me inicialet K.H, e që më vonë do të provonim t’ia publikonim emrin dhe mbiemrin. Po sipas këtij parimi i botuam edhe Shaqir Shaqirit edhe Muhamet Terrnavës. Ata sapo kishin dalë nga burgu.

A. Y. Gashi: Siç u pa, lidhja e juaj me Bekim Fehmiu paska qenë e trefishtë!

Musa Ramadani: Tridhjetë vjet jam shoqëruar me të. Madje disa miq po më thonë se pse nuk po shkruaj për të! Qysh me shkru për Bekimin, kur ende nuk e kam krijuar atë distancë fizike sa duhet. Ende po e shoh, ende po bëj dialog, madje po me bren ndërgjegjja se pikërisht këtu e kemi pasë një dialog shumë vehement, të vrullshëm, të rreptë. Këtu e dy vite më pare, para tavolinave të Teatrit Kombëtar i pata thënë: “A po don me luejtë diçka, apo po don me mbetë si Aleksandër Moisiu, pa lënë asnjë gjurmë?”. Ai m’u hidhërua shumë. Edhe unë u hidhërova, megjithatë i thashë: “Herën tjetër ose përgjigjen, ose  çohemi”.  U ndamë të heshtur me një ushtimë të madhe të gjeneratorëve, të cilët u ndezën sapo u ndal rryma.

A. Y. Gashi: Kur jeni takuar për herë të parë me Bekim Fehmiun?

Musa Ramadani: Pas serialit të Franco Rossit Odisea, ai erdhi në Rilindje. Atëherë ia pata kushtuar bile një vjershë pa e njohur ende, por desha diçka tjetër të them. Kishte tridhjetë vjet e ma tepër që njiheshim me Bekim Fehmiun. Ishte e pamundshme që të botoja diçka pa m’i lexuar Bekimi dorëshkrimet. Përveç dorëshkrimeve, ai i lexonte veprat e mia edhe pasi botoheshin.
Ka qenë shumë i pasionuar pas leximit. Te kthehemi tash te takimi i parë: më duket Abdurrahman Shala  i madh e solli në Rilindje. Ne që ishim në rubrikën e kulturës na ftuan për t’u njohur me të. Aty iu shtruan disa pyetje dhe u diskutua në përgjithësi për aktivitetin e tij artistik në botë. Unë përfitova nga ato pyetje dhe përgjigje herë më të shkurta e herë më të gjata dhe e bëra një intervistë, të cilën  e botova te Flaka e vëllazërimit në Shkup.

A. Y. Gashi: Pse jo në Rilindje ?

Musa Ramadani: Për shkak se në Rilindje ishin caktuar dy- tre vetë të tjerë për të shkruar për të. Duhet të ketë qenë viti 1969-1970, kur unë veç sa pata kaluar në rubrikë të kulturës nga reporteri i lirë në teatër.

A. Y. Gashi: U botua ajo intervistë?

Musa Ramadani: Po u botua dhe doli interesante. E kam ruajtur atë diku. Atëherë Flaka e vëllazërimit vinte në Kosovë.

A. Y. Gashi: E kam një ‘dilemë’ për të cilën dua të diskutoj me ju. Përderisa më flisnit për Bekim Fehmiun edhe në cilësinë e mikut, edhe në cilësinë e kritikut të teatrit,  më thatë se ai ka qenë lexues i pasionuar. Pastaj që ai ka lexuar edhe dorëshkrimet tuaja. Më thatë se ai...

Musa Ramadani: Jo veç të miat, por ai ka lexuar edhe literaturë politike e historike, jo veç drama dhe skenarë, që i kanë hy në punë. Çdo gjë që i ka rënë në dorë dhe, natyrisht, që ka pasur vlerë, ai e ka lexuar. Literatura dokumentare ishte ‘specialiteti’ i tij.

A. Y. Gashi: E kam fjalën diku tjetër; ai ishte bir i një atdhetari të madh, siç ishte Ibrahim Fehmiu. Pastaj, si pasojë e kësaj, Bekimi ishte përjashtuar nga shkolla e mesme. Në anën tjetër, vjen në Prishtinë, pranohet në Teatrin Popullor Krahinor dhe vazhdon karrierën në Beograd! Kjo e fundit po na hedh në dy skaje të ‘litarit’. Pra, me të gjitha këto probleme të cilat i ka pasur, megjithatë ai është integruar dhe, në një farë mënyre, është ‘privilegjuar’! Kjo më krijon një mëdyshje të madhe, gjë që në raste të tjera, në një sistem të tillë nuk kishte pasur mundësi të ndodhë. Pastaj, tërë jetën në Beograd dhe asnjë projekt në dhe përkinematografinë shqiptare!!

Musa Ramadani: Ndal! Ka pasur projekte, por që i kanë dështuar. Dështimi i tij kryesor ka qenë te filmi Kur pranvera vonohet i përgatitur sipas ditarit të Fadil Hoxhës. Bekimi aty ka punuar, ka bërë skenar, ka bërë libër xhirimi, por se çfarë ka ndodhur, çfarë kanë bërë, kurrë nuk mund ta kuptoj. Nuk e di, nuk e di! Vetëm e di që e ka marrë dikush tjetër. Madje e di që Bekimi i ka zgjedhur aktorët, e ka gjetur terrenin, çdo gjë e ka vendosur në vendin e duhur. Ndërsa, në aspektin politik, nuk kisha pasur dëshirë të flas, sepse ata kanë qenë krejt familjarisht të orientuar kah e majta, madje u bënë shumë të majtë.

A. Y. Gashi: Megjithatë, nuk është realizuar asnjë projekt në shqip.

Musa Ramadani: Ka qenë i angazhuar edhe në tragjedinë Hamleti të Shekspiritpor sa ka filluar së lexuari teksti nga aktorët, prapë ka dështuar. Ka pasur edhe disa projekte të tjera...


  1. A.   Y. Gashi: Prapa këtyre projekteve kush ka qëndruar?

Musa Ramadani: Teatri ynë, mbase edhe njerëz nga jashtë teatrit!

A. Y. Gashi: Kush e drejtonte teatrin në atë kohë?

Musa Ramadani: Hazir Myftari, ndërsa Azem Shkreli e drejtonte Kosova-filmin.

A. Y. Gashi: Sipas jush, cili ishte shkaku i dështimit?

Musa Ramadani: Ka shkaqe të ndryshme. Por dihet që pastaj e kanë angazhuar një regjisor  nga Londra jo fort të njohur, një regjisor ndoshta i nivelit mesatar. Edhe ai ishte i rekomanduar, si i thonë,  me të njofshëm, prandaj ka dështuar.

A. Y. Gashi: Pas këtyre projekteve, a u angazhua më Bekim Fehmiu?

Musa Ramadani: Pas këtyre rasteve, Bekimit ia kanë ofruar edhe projektin-drmatiziminDervishi dhe vdekja të Mesha Selimoviqit. Aty kam qenë i kyçur edhe unë me disa njerëz të tjerë të kulturës. Prej Bekimit u kërkua që ta luante rolin kryesor (Ahmet Nuredinin) ose ta bënte regjinë. Bekimi u interesua për rol, ndërsa vetë sugjeroi që dikush tjetër ta bënte regjinë. Konkretisht, u propozua regjisori maqedonas Vladimir Milçin. Çuditërisht edhe ky projekt dështoi që në nismë. Duket, fati ishte kundër Bekimit!

A. Y. Gashi: Tash për fajin e kujt?

Musa Ramadani: Dikush nga brenda teatrit ka ndërhyrë… Por, të kthehemi sërish te projekti i Hamletit. Pasi Bekimi i dëshpëruar hoqi dorë, ky rol iu besua Dibran Tahirit.

A. Y. Gashi: Pse hoqi dorë?

Musa Ramadani: Sipas fjalëve të tij, (janë edhe disa aktorë të tjerë gjallë), në fillim të provave të leximit Bekimi iu paska thënë disa aktorëve të ansamblit përafërsisht kështu: “Ne po i mbajmë provat paradite në teatër, por më tregoni nëse keni dëshirë ta marrim një dhomë në Hotelin Grand, apo të shkojmë në shtëpinë time të mbajmë prova leximi, sepse e kemi regjisorin e huaj dhe, natyrisht, që ai ka problem me gjuhën shqipe”. Dije, Bekimi i ka kushtuar rëndësi çështjes së gjuhës, madje edhe detajeve më të vogla. Ai bile, kur i ka recituar në Sarajevë në të dy gjuhë poezitë e disa poetëve shqiptarë, shqip edhe serbisht, të gjithë njerëzit janë ngritur në këmbë duke i duartrokitur. Në fakt, problemi i gjuhës është një përgjegjësi e jashtëzakonshme dhe pikërisht për këtë, Bekimi gjithmonë ka kërkuar njerëz superprofesionistë, të cilët kurrë nuk ia kanë mundësuar as regjisorin e huaj, as kostumografin, as skenografin, as grimerin. Madje shpesh  e kanë shpotitur duke i thënë: “Aii Bekim, ti a prej Hollyëood-it po mendon me i pru k’tu a!?” Me një fjalë, Bekimi u ka kërkuar aktorëve që  të ushtrojnë edhe pasdite, për çfarë një pjesë e ansamblit ka reaguar. Ky vetëm i ka falënderuar dhe është larguar, bile me arsyetimin se ai nuk e ka për vete, po për vetë aktorët. Fundja, regjisorit anglez i ka interesuar vetëm shfaqja dhe për gjuhë, a e flasim shqipen mirë apo jo, atij nuk i ka “hangër palla” bash hiç. Ndoshta nuk kishte faj, sepse ai ishte regjisor i huaj dhe nuk e dinte natyrën e gjuhës shqipe.





A. Y. Gashi: Si e kishte emrin regjisori?

Musa Ramadani: Jeremy, Jeremy Jang. Meqë jemi këtu, duhet thënë se, pavarësisht interesimit të Bekimit, Fakulteti i Arteve në Kosovë në asnjë moment dhe asnjëherë nuk është kujtuar që ta ftojë seriozisht atë për ta marrë një klasë aktorësh. Madje, ai ishte angazhuar për të bërë një herë seleksionimin e studentëve, dhe për këtë qe shpallë një konkurs përmes gazete. Pasi është bërë seleksionimi, ia kanë pështjellë serish, a nga teatri, a nga fakulteti, a nga kryetari i Lidhjes së Rinisë... Dikush po! Prandaj, Bekim Fehmiu është dëshpëruar totalisht. Këtu Bekim Fehmiu ka të drejtë. Prandaj, kur unë ia thashë atë që mendoja për të, ai u mllefos shumë. Megjithëse është një e vërtetë e madhe: dikush përherë ka qenë i interesuar t’ia ndërpresë punën këtij aktori të madh. Pavarësisht nga kjo, në bisedë e sipër, i pata thënë një herë, pavarësisht çfarë pengesash të kanë dalë, unë me pasë qenë në vend tëndin, një herë të vetëm nuk e kisha lënë pa kaluar nëpër ata rrathë të ferrit dhe patjetër që e kisha realizuar një shfaqje në shqip, pastaj e kisha shikuar punën time.

A. Y. Gashi: Ju kujt ia hidhni fajin për këtë?

Musa Ramadani: Të gjithë jemi fajtorë. Sidomos, ata që e udhëhiqnin kulturën.

A. Y. Gashi: Të kthehemi edhe një herë në fillim. Si e shpjegoni integrimin e tij në Beograd, meqë ishte bir i një nacionalisti të madh?

Musa Ramadani: Si duket, unë po supozoj dhe nuk po kam qejf të jetë kjo e vërtetë, gruaja e tij, Branka, ka qenë prej një familjeje me ndikim të madh atje. Bile një vëlla i saj duket të ketë qenë funksionar në një shërbim diplomatik në ish-Jugosllavi. Kështu që, sipas të gjithave gjasave, Branka ka pasur një rol të madh te Bekimi. Ajo ka qenë tepër e dashuruar në të. Absolutisht edhe si studente, edhe si aktore e njohur. Ajo gjithmonë e ka ndjekur prapa. Bekimi ka lëvizë shumë, nuk ka ndjekur ligjërata, vetëm herë pas here. Ka qenë tip i gjallë. Më kujtohet në një rast për një film, brenda katër javësh e ka mësuar gjuhën angleze për të folur si aktor. Shkurt, Bekim Fehmiu ka qenë tip hazarder-i.

A. Y. Gashi: Dihet që Bekim Fehmiu e ka shkruar autobiografinë e tij dhe një pjesë të saj e ka botuar. Ju ka folur gjë për të, për njerëzit që e kanë penguar?

Musa Ramadani: Më ka folur shumë dhe, për ato të cilat më ka folur, nuk kisha pasur dëshirë që ai t’i botojë. Por, unë e kam nxitur që ta shkruante pjesën e parë të autobiografisë, që nga fëmijëria e deri te hyrja në Akademi.

A. Y. Gashi: Pse?

Musa Ramadani: Sepse aty përmenden shumë emra. Mbase nuk ka gjithmonë të drejtë. Ka të drejtë nga aspekti i vet, subjektiv, po aq sa jemi secili nga ne subjektiv. Ai më ka folur rreth analizës së filmave, mosrealizimit, rreth konkurseve, për pengesa të ndryshme. Autobiografia e tij duhet të jetë në dy-tri vëllime, të cilat unë i kam thënë që s’dua t’i shoh, as si dorëshkrim. Veç vëllimin e parë të autobiografisë, i cili është botuar serbisht, e për të cilin i kam thënë: botoje edhe në gjuhën shqipe ose botoje së pari në gjuhën shqipe, që të mbetej në histori se është përkthyer nga gjuha shqipe në gjuhë të tjera.

A. Y. Gashi: Dhe?

Musa Ramadani: Nuk më dëgjoi. Ndonëse dorëshkrimin në gjuhën shqipe e ka dorëzuar te botuesi Abdullah Zeneli. Pyete Abdullahun se çfarë i kam thënë, sepse dorëshkrimin ai e ka! Nuk e di nëse ia ka dhënë lejen e botimit. Më duket se Bekim Fehmiu kishte kërkesa të mëdha rreth botimit të autobiografisë së tij.

  1. A.   Y. Gashi: Cilat ishin disa nga kërkesat e tij?

 Musa Ramadani:  P.sh. kërkonte që t’i botoheshin 30.000 kopje, gjithashtu kërkonte një pagesë irracionale për kushtet tona. Pastaj kemi pasur një dilemë rreth titullit. Unë i propozova që për titull ta ketë Farfurimë. Ai ia futi një titull tjetër, Trishtim apo diçka të tillë. Nejse, s’është me rëndësi. Edhe  në Tiranë, siç duket dikush i ka ofruar diçka, po nuk e pranoi. Sidoqoftë,  ndaj shtëpisë botuese Buzuku ka pasur obligim moral, se Abdullahu natë e ditë i ka ndenjtë afër, prej mëngjesit e deri në mbrëmje.

A. Y. Gashi: E keni lexuar atë dorëshkrim?

Musa Ramadani: Ia kam dhënë njëfarë “vize”... Ai ka qenë shumë i sinqertë në dorëshkrim, shumë kritik dhe shumë vetëkritik, jo vetëm ndaj vetes, por ndonjëherë edhe ndaj familjes së vet […]

A. Y. Gashi: Çfarë ju ka penguar te Bekimi?

Musa Ramadani: Po, në disa raste diçka më pengonte shumë. Bekim Fehmiu ishte së tepërmi i politizuar. Kjo më ka penguar dhe më pengon edhe sot. Ndërsa, për futjen dhe integrimin e tij, ka qenë (ndoshta) rezultat i Brankës. Për këtë jam i bindur, edhe pse nuk kam qejf të jetë ashtu. Megjithatë, Bekimi ka qenë talent. Nëse ka hyrë në teatër të madh dhe në repertorin e teatrit ka pasur rreth pesë ose  gjashtë shfaqje, Bekimi komplet rolet kryesore i ka mësuar. Bile edhe rolet e dyta, që shpesh regjisorët i quajnë edhe role të mesme. Kjo për faktin se po ndodhi që një aktor të sëmuret, ose t’i ndodhë diçka tjetër, Bekimi ka qenë alternativa e parë për t’u futur menjëherë në skenë. Pra, kujtoj kjo ka qenë, nëse mund të them, forma e vetme e Bekim Fehmiut për çfarë iu ka ‘imponuar’ teatrove jugosllave, për dallim prej Istref Begollit, i cili në Beograd ka ndenjur për dy-tri vjet radhazi, pastaj është bindur se nuk mund ta përballoi...(...). Prandaj, Istrefi vullnetarisht është kthyer në Prishtinë. Më kujtohet si sot, e  kam pyetur Istrefin për këtë çështje dhe ai po të njëjtën gjë ma pohoi. E tash, te Bekimi, më duket e gruaja ndikoi, jo për të hyrë në teatër, por për të marrë rolin e rëndësishëm te Mbledhësit e puplave. Ai që e ka bërë regjinë e këtij filmi, praMbledhësit të puplave (e që Beqir Musliu këtë titull e mori si analogji e Mbledhësit të Purpurit), ishte jevg, i lindur në Paris. Përndryshe, ky i fundit rrënjët i ka prej Vojvodine, atje ku edhe është xhiruar filmi me ato patat dhe gjëra të tjera. Fjala është për Aleksandar Sasha Petroviq. Regjisori në fjalë e ka bërë edhe një film shumë të mirë nga një pjesë e librit Maestro dhe Margarita të Bullgakovit. […]

A. Y. Gashi: Çfarë do të veçonit diçka nga Bekim Fehmiu e që nuk do ta harronit kurrë?

Musa Ramadani: Ai ka pasur një memorie fenomenale. Ai ka ditë me qenë edhe fëmijë në sjellje. Sidomos kur ishin momentet e sinqeritetit të madh, por ka ditë me qenë edhe i rreptë. Bile, në fushën profesionale ai fare nuk të falte. Ka qenë tepër këmbëngulës në mendimin dhe në vlerësimin e tij profesional. Ndoshta kjo ka ndikuar që, përmes tij, dialogu me të gjithnjë ka qenë i pashkëputshëm, jo veç për film. Atij i kanë interesuar edhe çështjet politike, ka qenë kureshtar për të ditur për çdo gjë. Bekim Fehmiu, për sa e kam njohur, është njëri prej aktorëve që ka lexuar më së shumti, jo vetëm beletristikë, por edhe libra dokumentarë, biografi të udhëheqësve  të ndryshëm ushtarakë, libra për personalitete politike dhe historike, enciklopedi të ndryshme. Vërtet, ai ka qenë një artist erudit, një artist i pashembullt në botën shqiptare.

Anmiku në shtëpi - Ernest Koliqi





Të dielave e të marteve nadje Simon Rrukulli s’e linte kurrë pa shkue në meshë. Donte me qenë në rregull me Zotin. Aty në kishë, ndër banga të para, lutej për vete e për punët e veta. Natyra e tij shumë e përshpirtshme, nuk e shtynte fort me u lutë për kënd tjetër, por lutej shpesh ku ndër disave, sidomos kundër anmiqve të besimit të tij. “Faroji, o Zot!”. Deri diku qëndronte mbrenda rregullës e zakonit, prandaj duhej, në një pikëpamje, lëvdue. Çudia e përshpirtnisë së Simon Rrukullit niste aty kur ai, në vargun e anmiqve të besimit, fuste të gjithë ata që urrente për arsyena vetjake. As nuk i shkonte mendja se mund të gabonte në gjykim, kaq bindje ushqente në drejtësinë e pastërtinë e shpirtit të vet. Kur, me gjithë hovin e shpirtit të pastër naltonte kah qielli lutjen zharritëse: “Faroji, o Zot!”, mendja i shkonte te Tef Ballstani, që s’i linte kurrkah shteg tash do kohë në tregti, te kushrini i vet që i qiste fjalë për disa tokë të pandame, te një varg i gjatë njerëzish që, në
një mënyrë a në një tjetër, ia kishin prishë qejfin.
Veçse çka, ditë-ditë, aty në kishë, të gjithë ata që përmendëm, kalonin në rend të dytë e
shigjetat e mënisë së tij fetare ai i drejtonte vetëm kundër Tush Kezenës.
“Faroji, o Zot!”
Lutjen e bante në shumës, pse Tush Kezena para tij përfaqësonte masën e re të sotme. Lypte prej qiellit, tue mendue ate, farimin e tij edhe të gjithë shokëve që i ngjanin.
Si shifet, natyra e Simon Rrukullit, prirej ma fort kah mënia se kah simpatia. Pak sende ai
pëlqente e donte në këtë botë, por shumë tjera urrente e mëninte. Kishte maraz fletoret, si shqipe, ashtu të hueja, edhe kurrë s’i prekte me dorë; kishte maraz marrëdhaniet shoqnore e prandaj as vetë nuk shkonte, as familjen s’e çonte kund e jetën e përmblidhte në shtëpi, në dugajë dhe në kishë; kishte maraz e njihte të kota të gjitha ato punë që s’lidheshin drejtazi a zhdrejtazi me dobinë vetjake. Por, në mënyrë të veçantë, urrente të rijt e sotëm… Anima ata që mbaronin ndonjë shkollë jashtë. Gjithçka në ta e tërbonte.
Mëninte atë mënyrë të zhdërvjellët e të sigurtë ecjeje të tyne, fjalët e qarta në çdo rasë,
çiltërsinë e sjelljeve, thjeshtësinë ndër marrëdhanie.
-Po shifi…shifi…
Prej dritorjet të dugajës tregonte me gisht kur përshkohej atypari ndonjë sish.
-Pse i japin gjithë atë randësi vedit, xhanëm? Çka kujtojnë se janë?
Kur kalonte Tush Kezena, s’e zinte vendi. U hidhte prej ndejses, shëtiste mbas banakut tue u dridhë në një zemrim të pakuptueshëm. Edhe shegertat u çuditnin për furinë e asaj mënie. Edhe mendonin qenien e ndonjë shkaku të msheftë.
Por, jo: nga asnjë shkak i msheftë s’buronte ajo mëni. Në asnjë punë të tregtarit s’ish përzie kurrë djaloshi. Ai e urrente vetëm pse shumëkush vinte tue ia lëvdue.
Tush Kezena, shkrimtari i ri shkodran, shembër i Hilush Vilzës, kalonte habitshëm, para dugajës së anmikut të panjoftun, humbë ndoshta në ndonjë aso përftimesh që, mandej, veshë me një shqipe të harmonishme dilnin ndër libra të tij. Kurrë s’i shkonte mendja se aty afër, dikush, e shante me të dhanun.
-Shife si ecë njëherë… I duket se vetëm ai asht i meçëm në Shkodër, e kurrkush tjetër…
Simon Rrukulli s’e njifte mirë Tushin. Jo vetëm që librat e tij s’i këndonte (ai s’këndonte asnjë libër), por vonë mori vesht se djaloshi shkruente. Filloi me pasë maraz kur e
ndeshi së pari në një vizitë për emën, te një mik i përbashkët. Tregtari i njoftun, krenar për pasuni e punë të ngritun, ndejë në krye të vendit në odën mbushë me gjind, kuvendonte tue shitë dije e marifet, si gjithmonë. E qe, hyni i riu… Zuni vend në një skaj. Dikush e pyeti diçka sa u ul. E sa nisi ai me folë, të gjithë u sollën me e ndëgjue, edhe harruen bisedën e Simon Rrukullit. Edhe ky qe i shtrënguem me ia vu veshin, tue e mshefë pezmin e përmbrendshëm.
Djaloshi thonte sende e fiiste në mënyrë që ai s’kuptonte mirë. Vetëm vinte re se fjalët e tia, të rrjedhshme e të sigurta, e mbushnin me një shqetësim të hollë. Simon Rrukulli, i cili besonte ngultas në zotësinë e truve të veta, shka do që kapërcente kuptimin e tij, e numëronte ja marri për t’u përbuzë, ja mbrapshti kundër feje e kundër Zotit. Kështu që edhe bisedën e asaj dite, mbajtë prej djaloshit e ndjekë me vërejtje prej të tjerëve, mbasi
s’mundi ta përfshijë me kuptim të vet, e numëroj të rrezikshme e trushkyese.
-Ah, ai luteran!
Nxitohej me dënue fjalët e djaloshit se ato ia cënonin parimin gjykues themelor që tregtari përdoronte me shoshitë sendet e këtij shekulli. Ndiente qartas se për atë djalë parja e gjaja, zotsia në tregti, nderi i mbështetun mbi ato rregulla jete që ai mbante me fanatizëm, mendimet që frymëzuen e gjithënjë frymëzonin çdo vepër të tij, s’përmbanin atë vlerë që urtia dhe përvoja e tregtarit u jepte. Tush Kezena peshonte e maste veprat e njerëzve me një kandar e me një masë tjetër. Kjo gja e tërbonte Simon Rrukullin. Mos me nderue e admirue atë, me gjithë atë zotësi në rregullim të punëve të veta, mos me pranue me bindje të plotë çdo parim e gjykim të tij, që ishte në hir e në rrugë të Zotit, i dukej mëkat e krim. Kush binte në këtë mëkat, jo vetëm ishte anmik i tij, por edhe i fesë. Prandaj: “Faroji, o
Zot!”.
Një ditë, pak para mesdite, erdhi në dugajë me ndreqë disa llogari Kel Mashi, burrë bukur i motnuem, mësues shkolle fillore në qytet, njeri i squet dhe i urtë. Mbante në dorë një fletore shqipe. Simon Rrukulli, si kryen punë, pyet pak si në shpoti:
-Çka thonë këto gazeta?
Mësuesi, ndejë në karrige para tryezës së zotit të dugajës, hapi fietoren, ia solli faqet tue i
hedhë një sy. Tha: -S’e kam pa ende. Por kjo s’asht një fletore me lajme.
Merret me letërsi. Paska një artikull të Tush Kezenës.
Tregtari kërceu:
-Çka din me shkrue ai bihude?
-Jo, sa me shkrue, shkruen mirë – përgjegji mësuesi qet-sisht. -
Shumëkush s’e merr vesht pse ai ka ndiesi të reja e prandej përdorë edhe trajta të reja shprehjeje. Trutë tona janë mësue me u rrokullue mbi shina të një letërsie të vjetrueme. Ai rreh një rrugë të parrahun ndër ne deri më sot.
Tregtari shprazi fishekun që në të tilla biseda ruente për në fund:
-Paj, unë s’kam nge me u habitë mbas këtyne sendeve, që ju njihni ma mirë. Vetëm tham se për atë djalin ka ardhë koha me zanë mend e me gjetë ndonjë punë, pse kështu asht
në rrezik me ndejë pa bukë me gjithë nanë e motër.
Mësuesi ndëgjoi kumbonët e mesditës dhe u çue tue ia pritë:
-Kurrkush ma tepër s’e meriton një punë. Ndoshta mos të ishte aq i zoti e kishte gjetë. Mundet që tash vuen edhe për bukë. Poetët i ndjek ky fat i zi. Por unë tham, simbas meje,
padrejtësi e madhe më duket mos me qenë i ushqyem prej dheut shqiptar shi njaj që këndon me dashuni të parrëfyeshme bukuritë e atij dheut.
E shkoi.
-Kanë dalë mendsh të gjithë – u idhënue Simon Rrukulli.
- Për me pasë të drejtë me hangër duhet me punue.
E ajo që ban ai… teveqel, s’asht një punë.
U ngjit nalt në shtëpi, që e kish sipër dugajës. Sofrën e gjet të shtrueme. Dita, e bija e tij njëzetvjeçare, priste të anë me u ulë në tryezë. Pështetej në kanape me një libër në dorë. Sa
hyni i ati, la librin dhe i qiti të atit gotën e zakonshme të rakisë. Simon Rrukulli, me raki në të djathtën, shtrini kot të majtën kah libri mbi kredencë. U përdrodh si ta kish hangër gjarpni.
Vikati: -Si? Edhe këtu në shtëpi time?
-Çka ke, more njeri? – pyeti Ganxhja, e shoqja, tue hy në odë të bukës.
Ai, ndezë në fytyrë, me një furi të tërbueme, shqeu katër copash librin edhe e flakëroi në tavanr
-Çka qe? – pyeti rishtas grueja, tue u afrue trembshëm kah burri.
Ky, as me folë s’mundte prej zemrimit. I qiste shkumbë goja. Shëtiste nëpër odë si i çmendun.
-Po a s’e shef se na ka mblue marrja e turpi? Edhe në shtëpi time këso punësh! Ia mbrrijtme edhe kësaj dite! E ka hangër dreqi vajzën; a s’e shef-a? a i ke sytë në ballë? Por
këtu, sa të jem gjallë, sundoj vetë. A morët vesht? Sundoj vetë.
Dhe tue u drejtue kërcnueshëm kah vajza:
-E ti, në’ daç me u shnjerëzue… E ama ndërhyni:
-Çka ke me vajzë: a ban me e dijtë?
-Deli zot, po; banu edhe ti me te…
-Çka ka? – u soll e ama e pyeti të bijën. – Çka e ka kapë? Kjo që kish ndejë tue e shikue të atin deri atëherë me çudinë ma të madhe, u shkund e bani me za të tanë pezëm:
-Për punë të librit, veç…
-Por çka asht ai dreq librit, mos më ban me e true? –Një libër shqip…
Dhe i ati prap filloi me za shpotie të idhët:
-Po, po; shqip… Sot librin e nesër ate… Shqip, po. S’asht për t’u çuditë kur ta gjejë
një ditë edhe ate këtu… Asht nisë kështu: sot libri, nesër ai…
-Pashë fenë që kemi, për ke flet? – pyeste gjithnjë e ama të bijën.
Dita, për të parën herë në jetë të vet, u idhënue aty para prindëve. Ato dyshime, ato të
fyeme të zhdrejta që ia lëshonte i ati, e neveritën. Padrejtësia e qartë i dha guxim me folë ashtu si nuk kishte folë kurrë.
-Don me ditë për ke flet?
Për Tush Kezenën flet. Më ka gjetë me një libër të tij e mendon kush e di se çka. Por a doni me dijtë një gja? Dal e iku e ju la, po më fojët prap ashtu. Pse këndoj librat e tij, nuk më duket se jam ulë aq poshtë sa…
Ia këputi vaji fjalën. Doli prej odës tue lanë të dy prindët me gojë hapët. Ishte e para herë që vajza fliste me aq hov në sy të atit.
-A shef? Njëkëtë vajzë të vetme kemi, edhe kësaj don me ia shti dergjën – i bërtiti e shoqja të shoqit e shkoi me pajtue të bijën.
Simon Rrukulli mbet vetëm para sofrës së shtrueme. U lëshue në kanapë, i lodhun në
trup e në shpirt. Shkaku i atij…, tashti turbullime edhe në familje. Ai lutera… Çoi sytë përpjetë e, me të tanë hovin e shpirtit të përshpirtshëm, u lut me mend:
- Faroje, o Zot!
Këso here lutja i doli në njëjës…

Muret absurde - Alber Kamy


Ashtu si veprat e mëdha, ndjenjat e thella kanë gjithmonë një domethënie shumë më të madhe sesa duket që shprehin. Qëndrueshmëria e një ndjenje ose e një pakënaqësie brenda një shpirti rishfaqet në veprimet dhe mendimet e përditshme, pasurohet në rrjedhime që vetë shpirti nuk i njeh. Ndjenjat e mëdha shpalosin vetvetiu universin e tyre të shkëlqyer ose të mjeruar. Me dritën e tyre ndriçojnë një botë të vetën ku gjejnë klimë të përshtatshme.
Ekziston një univers i xhelozisë, ambicies, egoizmit ose shpirtgjerësisë. Një univers, domethënë një metafizikë e një mënyre të menduari. Ajo që është e vërtetë për ndjenjat e specializuara duhet të jetë ende më shumë për emocionet, në thelb, të papërcaktuara, njëherësh, po aq konfuze dhe po aq të “sigurta” , po aq të largëta dhe po aq të “pranishme” sa ato që na jep e bukura ose që zgjon absurdi.
Ndjenjat e absurditetit, në çdo kthesë rruge, mund të godasë çdo njeri. Ashtu siç është, në lakuriqësinë e vet trishtuese, në dritën e saj pa rrezatim, kjo ndjenjë është e pakapshme. Për këtë vështirësi ia vlen të mendohesh. Ndoshta është e vërtetë që njeriu asnjëherë nuk mund të njihet dhe se gjithmonë gjendet tek ai diçka që nuk e kapim dot. Por, praktikisht, unë i njoh njerëzit, i njoh nga sjelljet e tyre, nga tërësia e veprimeve të tyre, nga rrjedhojat e qëndrimit të tyre në jetë. Po ashtu, të gjitha këto ndjenja irracionale, të paanalizueshme, unë mundem praktikisht t’i përcaktoj, praktikisht t’i vlerësoj, të mbledh shumën e rrjedhojave të tyre, sipas renditjes së arsyes, të rrok e të shënoj të gjitha pamjet e tyre, të ravijëzoj gjithësinë e tyre. Është e sigurt, me sa duket, se edhe po ta shoh njëqind herë të njëjtin aktor, personalisht nuk do ta njoh më mirë. Megjithatë, po të mbledh shumën e heronjve që ka mishëruar dhe nëse pohoj që e njoh pak më mirë pas personazhit të tij të njëqindtë, ndihet që këtu ka një pjesë vërtetësie, sepse ky paradoks i dukshëm është edhe ai një apologji. Ai ka një natyrë morale, e cila na mëson se një njeri përcaktohet njëlloj mirë nga komeditë e tij dhe nga shpërthimet e tij të sinqerta. Kështu ndodh, një shkallë më poshtë, me ndjenjat, të pakapshme në zemër, por pjesërisht të tradhtuara nga veprimet që nxisin dhe nga qëndrimet intelektuale që nënkuptojnë. Ndihet qartë se po përkufizoj, në këtë mënyrë, një metodë. Por ndihet gjithashtu që kjo metodë është analitike dhe aspak njohëse. Meqë metodat përmbajnë metafizikë, ato tradhtojnë, pa dashje, përfundime që pretendojnë ngaherë që nuk i njohin ende. Për rrjedhojë, faqet e fundit të një libri gjenden që në fillim të tij. Kjo nyjë është e pashmangshme. Metoda e përcaktuar këtu pohon që çdo njohje e vërtetë është e pamundur. Vetëm shfaqjet mund të shkoqiten dhe vetëm mjedisi mund të ndihet.
Këtë ndjenjë të pakapshme të absurditetit, ndoshta mund ta rroknim në botët e ndryshme, veçse vëllazërore, të inteligjencës, të artit e të jetuarit ose fare shkurt të artit. Klima e absurditetit është në fillim. Fundi përfaqësohet nga gjithësia absurde dhe nga kjo mënyrë të menduari që ndriçon botën me një dritë të veçantë për të nxjerrë në pah fytyrën e saj të privilegjuar e të përkthyer që ajo di t’i zbulojë.
Të gjitha veprimet e mëdha dhe të gjitha mendimet e mëdha kanë një fillim të thjeshtë. Veprat e mëdha lindin shpesh në kthesën e një rruge ose në kthinat e një restoranti. Po kështu ndodh edhe me absurditetin. Bota absurde, më shumë se të tjerat, fisnikërohet nga kjo origjinë e mjerë. Në disa situata, heshtja para një pyetjeje mbi natyrën e mendimeve të tij mund të jetë një shtirje te ky njeri. Qëniet e dashuruara e dinë mirë këtë gjë. Por nëse kjo përgjigje është e sinqertë, nëse ajo na bën të përfytyrojmë atë gjendje të veçantë shpirtërore ku boshllëku bëhet elokuent, ku zinxhiri i veprimeve të përditshme është këputur, ku zemra kërkon më kot nyjën lidhëse, atëherë ajo është shenja e parë e absurditetit.
Ndodh që dekoret përmbysen. Zgjimi, tramvaji, katër ore punë në zyrë ose në uzinë, drekë, tramvaji, katër orë punë, darkë, gjumë, dhe e hënë, e martë, e mërkurë, e enjte, e premte dhe e shtunë me të njëjtin ritëm, kjo rrugë ndiqet lehtësisht shumicën e kohës. Vetëm se një ditë bëhet pyetja “përse” dhe gjithçka brenda kësaj kapitjeje fillon të duket e çuditshme. “Fillon”, këtu është fjalë e rëndësishme. Kapitja është në fund të veprimeve të një jete të vetvetishme, por në të njëjtën kohë, ajo përuron ecurinë e ndërgjegjes. E zgjon dhe shkakton vazhdimin. Vazhdimi është kthimi i pavetëdijshëm te zinxhiri, ose është zgjimi përfundimtar. Në fund të zgjimit me kohë vjen rrjedhoja: vetëvrasja ose shërimi. Në vetvete, kapitja ka diçka të pështirë. Këtu më duhet të arrij në përfundimin se ajo është e mirë, sepse gjithçka fillon nga ndërgjegjja dhe ka vlerë vetëm nëpërmjet saj. Këto vërejtje nuk janë aspak origjinale. Po janë të vetëkuptueshme: kjo gjë mjafton për njëfarë kohe, me rastin e pranimit, në përgjithësi, të origjinave të absurdit. “Shqetësimi” i thjeshtë është në origjinë të gjithçkaje.
Po ashtu dhe për të gjitha ditët e një jete pa shkëlqim, koha na merr me vete. Por gjithmonë vjen një çast kur duhet ta mbajmë. Jetojmë në të ardhmen: “nesër”, “më vonë”, “kur të rregullohesh”, “kur të rritesh do ta kuptosh”. Këto inkonsekuenca janë të admirueshme, sepse në fund të fundit bëhet fjalë kur të vdesësh. Megjithatë vjen një ditë dhe njeriu vëren ose thotë se është tridhjetë vjeç. Kështu ai pohon rininë e vet. Por njëherësh përcaktohet në raport me kohën. Zë vend aty. Pranon se gjendet në një çast të dhënë të një kurbe që e pranon se duhet ta përshkojë. Ai i përket kohës dhe te tmerri që e ka pushtuar ai sheh armikun e vet më të madh. Nesër, ai priste të nesërmen, kur gjithçka tek ai duhej ta kundërshtonte. Kjo revoltë e trupit është vetë absurdi.
Një shkallë më poshtë dhe gjendesh i habitur kur vëren se bota është e “papërshkueshme”, kur sheh në ç’pikë një gur është i huaj për ne, me çfarë force natyra, p.sh një peizazh, mund të na mohojë. Në brendësi të çdo bukurie gjendet diçka çnjerëzore dhe këto kodra, butësia e qiellit, këto vizatime pemësh, të gjitha brenda një minute humbin përmbajtjen iluzore që ne u japim dhe janë për ne, këtej e tutje, të largëta më shumë se parajsa e humbur. Armiqësia primitive e botës në rrjedhën e mijëvjeçarëve vjen deri te ne. Për një sekondë, nuk e kuptojmë më meqë për shumë shekuj ne kemi kuptuar tek ajo figurat e vizatimet që paraprakisht i kemi vënë vetë, meqenëse këtej e tutje nuk kemi forcë ta përdorim këtë artificë.
Boa del jashtë kontrollit tonë meqë bëhet përsëri ajo që është. Këto dekore të maskuara nga veprimet tona të zakonshme bëhen përsëri ato që janë. Largohen prej nesh. Po ashtu siç ka ditë kur te pamja e njohur e një gruaje shohim fytyrën e një të panjohure që kemi dashuruar para disa muajsh ose vitesh, ndoshta do të kërkonim të mbeteshim papritur vetëm. Por koha nuk ka ardhur ende. Vetëm një gjë. Kjo papërshkueshmëri dhe kjo tëhuajtje e botës është përsëri vetë absurdi.
Njerëzit, gjithashtu, prodhojnë jonjerëzoren. Në disa çaste qartësie, aspekti mekanik i veprimeve të tyre, pantonimat e tyre të pakuptimta bëjnë idiote gjithçka që i rrethon. Një njeri flet në telefon brenda në kabinë, nuk dëgjohet, po shohim mimikën e tij të parëndësishme: pyesim veten përse jeton. Ky shqetësim përballë natyrës çnjerëzore të vetë njeriut, kjo rënie e pallogaritshme para figurës sonë, kjo “neveri” siç e quan një shkrimtar i ditëve tona, është gjithashtu absurdi. Po ashtu, i panjohuri, i cili, në disa sekonda, vjen të na takojë në pasqyrë, vëllai i dashur dhe megjithatë shqetësues që shohim në fotografitë tona, është gjithashtu absurdi.

Përktheu: Petrit Sinani
Fragment nga “Miti i Sizifit”

Dashuria dhe dëbora - Horst Bienek




Kjo do të thotë se shkruhen ende poezi dashurie, kohët e fundit madje gjejmë libra me vjersha, të cilat mbajnë guximshëm në titullin e tyre fjalën dashuri; dhe na shfaqen antologji, të cilat përmbledhin fare thjeshtë “histori dashurie të kohës tonë”. Sigurisht unë e besoj, e gjitha kjo është e gabuar.
Poezitë e vërteta të dashurisë nuk gumbullohen – dhe aq më tepër jo prej poetëve. Ai grusht poezish të vërteta të dashurisë, që u shkrua në dhjetë – njëzet vitet e fundit në gjuhën gjermane, vjen nga poete femra, nga Marie Luise Kaschnitz, nga Ingeborg Bachmann, Rose Ausländer, nga Sarah Kirsch.
Po ta shohim mirë, poezia ngjitur është një poezi ndarjeje nga dashuria, edhe pse në titull dhe në rreshtin e parë, që tingëllon njësoj si titulli pritet diçka e tillë. Poezia flet për kohën e iluzionit të bukur. Sepse nëse ajri mban aromë dëbore, ka kaluar vera, koha e kulmit të dashurisë, e pasionit, e ekstazës, siç tingëllonte dikur në poezitë e vjetra.
Sigurisht, të ashpra dhe në kundershtim me tradicionalen, shfaqen në poezi pakënaqësitë për dimrin që po vjen, ah, dimri – pa një psherëtimë nuk mund të lihet. Tingullimi i bukur gjatë recitimit, i cili e bën gjuhën kaq të zhdërvjellët dhe i lë fjalët të vërshojnë, nuk na e largon mendjen nga fatkeqësia, e cila ndihet në ajër, ose më të shumtën na largon për aq kohë sa recitohen fjalët.
Dimri thirret në mënyrë përgjëruese, ai duhet t’i bashkojë të dashuruarit, t’i lidhë ata, duhet ta bëjë më të ngushtë bashkimin e tyre, dhe dashurinë më të madhe, më të fuqishme.
Autorja nuk ka frikë të ëndërrojë mbi figurat dhe metaforat e fëmijërisë: lulet e akullta mbi dritare, qymyrin që digjet në vatër dhe çiftin e zagarëve, në heshtje, përpara derës. Është dëshira për siguri, e cila na flet me zërin e përrallave për “Bardhësinë më të bukur të dëborës”, për përjetësinë e ndjenjave – sigurisht pas kësaj fshihet fundi, vetmia, të ftohtët.
Me një gjest të bukur prekës gruaja e mbështet kokën e të dashurit në prehërin e saj, dhimbshëm, dhe e di me siguri, që nuk ka më asnjë shtyrje, se në momentet në ekstazë të dashurisë, ajri tashmë kundërmon aromë dëbore dhe të ftohti, dhe në zjarrin e të dashurit, paralajmëron tanimë acari i ndarjes. Dëbora bie mu në mes të zemrës. Një fjalë mbetet, ndoshta; e hedhur atje: Darling (i dashur). Krejt e largët, e zbehtë. Edhe kjo së shpejti bëhet hi, merret me vete në kova si mbeturinë e zakonshme.
Një poezi e haluçinacionit, e cila fillon me afsh dhe mbaron me ngrirje. Dashuri dhe dëborë. Një slitë e cila kalon para syve tanë me të gjitha dëshirat dhe ëndrrat.
Sigurisht ngushëlluese: poezia nuk flet për vdekjen. Në fund çuçlon mëllenja. Për verën tjetër, dashurinë që do të vijë? I dashuri mban flokë të gjatë. Shulamiti është vetëm.


SARAH KIRSCH

Ajri tashmë kundërmon erë dëbore
Ajri tashmë kundërmon erë dëbore, flokë të gjatë
mban i dashuri im, ah dimri, dimri që prapa
dyerve na burgos mbërriti,
me çiftin e zagarëve vjen ai. Lule akulli
përhap nëpër dritare, qymyri digjet në vatër
dhe ti, bardhësia më e bukur e dëborës, mbështet kokën në
prehërin tim
Kjo është
slita e cila nuk ndalet më, bie dëborë
mes zemrës tonë, ajo përvëlohet
mbi grumbujt e hirit në oborr, i dashur, mëllenja çuçlon.

Kur puthemi të dy


Një tufë me poezi që shenjojnë sfidën e përkthimit, por edhe larminë e lirikave kushtuar gjendjes njerëzore si sharm estetik dhe model i larmive stilistikore. Himne të thellësive shpirtërore që dëshmojnë natyrizimin e gjuhës shqipe përballë perlave klasike të vjershërimit


Natë
(Poezia e shkruar në muajt e fundit para se të vdiste më 4 maj të vitit 1967)
Mitrush Kuteli

E çaj stuhinë porsi studi-
Për ju, për ju, o zogjtë e mij.
Nga helm i jetës, që jetën merr,
Ju nxjerr mjaltë dhe sheqer.

Kjo llamb’ e ndezur ndriçon gjer von,
Babaj i krrusur punon, punon.
Ju vriten sytë-kini durim,
Ja edhe pak, pastaj pushim.

Por ja, papritur, nëpër gëdhënj
Ze sharr’ e fjalës: moti u vrënj…
Fjalorët hapen: i zymti qiell
Dalëngadalë sërish u kthiell.

Kalojnë orët, s’dëgjohet zë-
Puno dhe më, puno dhe më,-
Më thotë shpirti. Dhe ja punoj,
Të fundit faqe po e mbaroj.

***

Lutje nën shtypjen e një ankthi të madh
ROBERT BËRNS

O Zot i madh, nuk kam fuqi
që të të njoh kush je,
po Veprën tënde, unë e di,
të dobët Ti e ke.

Krijesa jote është e mjerë
e frika e rrëmben,
përulur rri, dëgjon përherë,
urdhërin tënd suprem.

I plotfuqishëm, dorën mbaj,
inati kur të ndez,
e syt’ të lutem m’i përthaj,
ose m’i mbyll të vdes!

Në do të jem gjithnjë plot vrer,
qëllimit tënd t’i bindem,
forcoma shpirtin, mos ma merr
dhe mos më bëj të grindem!

“Nesër takohemi sërish”

Shqipëroi: Dhori Qiriazi

***

NUSJA
Bella Ahmadulina

Dhe dua të jem nuse
E bukur, kaçurrele,
Nën vello pak e turpshme
E brishtë – luledele.

Dhe duart të më dridhen
Unazave të ftohta
Tek ngren’ shëndet për çiftin,
Tek çoken, zbrazen gota


Tek shtyhen derës miqtë,
Secili me dhuratë,
Secili më ka idhull:
“Me trashëgim e fat!”


Këmisha sjellin, pjata,
Dandela si askurrë,
Më puthin gjith’ në faqe
Gjer hë për hë s’kam burrë


Me pika loti vere –
Fustani im i gjatë.
Rri ulur pas tryeze
E lumtur dhe e ngratë

Me frikë e ngasje rri
Ç’do vijë më pastaj.
Erdh’ koha, ja tani,
Nënoke, ti mos qaj.

… Ky princi im jep urdhër,
Në shtat më shtrin me sy,
Ç’më kap një frikë e bukur
Kur puthemi të dy.

Karriget po kërcasin
Pas murit… u qetua.
Tani diçka do ngjasë
Me ty edhe me mua?

Shqipëroi: Qazim Shemaj

***


ËNDRRA IME E ZAKONTË
Paul Verlaine

Shpesh natën më çudit një ëndërr, më sëmbon,
Një grua që s’e njoh, q’e dua dhe më do,
Që s’është kurdoher’ as fare gjithajo
As fare tjatër, dhe më do, më kupëton.

Më kupëton, dhe zemrën si kristal të kjartë
Ma di vetëm ajo, edhe ma zgjidh problemn’ e saj
Vetëm ajo; ballin e zbet’ e dirsur valë
Vetëm ajo ma alladit me lot’ e saj.

A ësht’ e zeshk’ a blonde ruse? Nukë e di!
Ç’i thonë? Emr’ i saj i ëmbël tingëllin
I dashur dhe syrgjyn prej jetës plot me zi.
Ka sy si të statujës, edhe zën’ e ka
Të larkmë dhe të qetë, plot me rëndësi
Dhe me lezet, si zë që s’bën më shamata.

Përktheu: Fan Noli

***

SHPIRTI MË DHEMB…
PAUL VERLAINE (1844-1896)

Shpirti më dhemb, më dhemb pa cak,
Ngaqë një femër u bë shkak.

Dhe ngushëllim nuk mund të gjej,
Ndonëse me shpirt kam ikur tej,

Ndonëse me shpirt, ndonëse me zemër,
Kam ikur larg nga ajo femër.

Dhe ngushëllim nuk mund të gjej,
Ndonëse me shpirt kam ikur tej.

Dhe zemra ime, kjo zem’r e vrarë
Shpirtit i thotë: – A ka të ngjarë

Të ikë njeriu vrik e përçart
Me zemrën copë dhe ballin lart?

I gjegjet shpirti: – Mos unë e di
Qysh na u ngrit ky kurth i zi,

Që, dhe pse na ndajnë largësitë,
Të jemi prapë me të përditë?


Përktheu: Romeo Çollaku


TRËNDAFILIT
RAINER MARIA RILKE (1875-1926) (nga vjershat frëngjisht)

Për ty nuk po flasim. Sepse je
vetiu diç që s’thuhet me gojë.
Plot lule e stolisin tryezën, porse
pamjen krejt ti e bën të ndryshojë.

Të vendosin diku në një saksi-,
dhe ndryshon papritmas çdo gjë:
është ndoshta po ajo fjali,
por e kënduar prej engjëlli tashmë.

Përktheu: Romeo Çollaku


FATALISTËT
KOSTAS VARNALIS (1883-1974)

Mes tymit poshtë në një gjellëtore,
nëpër të shara e shpoti,
nën klithma veglash muzikore,
po pinim dje si shoqëri,
dje, si gjithë mbrëmjeve të tjera,
të na mëlconte brengën vera.

Shtrënguar rrinim në tryezë,
pështynte një në dysheme,
ah, vuajtje s’paska më të zezë
se kjo e jetës, që s’ka fre!
Dhe në e vrafsh mendjen e shkretë,
një ditë të bardhë s’e gjen në jetë.

O diell, det i kaltëremë
dhe ti plangprishësi qiell blu,
e agut fashëz e verdhemë,
të muzgut karafila ju,
shkëndrini, shuheni matanë
dhe nuk i prekni shpirtrat tanë!

Babai njërit iu shndërrua
nga paraliza në lugat
dhe tjetrit ditëshkurtrën grua
e keqja po ia ha në shtrat;
djali i dikujt ka zënë qelinë,
dikush ka bijën në çmendinë.

- Fajin na ka e fatit rrota!
- Zoti i pashpirt, ai ka faj!
- Para së gjithash e ka gota!
- Dhe kjo rradakja jonë pastaj!
Faji askujt nuk i ka mbetur,
se nuk e kemi ende gjetur.

Kështu, mes territ në gjellëtore,
përmbi karrige biem shtrembër
dhe, gotën pa e ndarë prej dore,
si krimb gjithnjë na shkel çdo thembër;
pa zell, besim e pa kurajë,
presim ndonjë çudi të ngjajë.

Përktheu: Romeo Çollaku

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...