Agjencioni floripress.blogspot.com

2017/05/02

Nga Irena Gjoni (Papas) : Një shpirt nën det

Jashtë filloi të binte shi. Ata të dy u futën brenda në lokal gati me një frymë. Sapo hynë u përplasën me zhurmën karakteristike të një mjedisi të tejmbushur. Pothuajse të dy hodhën sytë tek tavolina ku rrinin shpesh.
– Oh, qenka e zënë, – tha me keqardhje ai duke u kthyer nga e fejuara. Dy “pushtuesit” e pavetëdijshëm të tavolinës së tyre, u çuan si të kishin dëgjuar atë batutë keqardhjeje. Njeri, para se të largohej fiku cigaren e fundit në tavëll dhe bishtin e la në anë të saj. Vajza e pa. Një drithërimë i përshkoi trupin. Gjatë rrugës së shkurtër për tek tavolina e lirë, shikimi i saj u ndesh me atë të fikësit të cigares. Ajo i hoqi menjëherë sytë. Me një qetësi të shtirur vazhdoi të ecte. Në një kthim të lehtë koke (i pa vënë re prej askujt), pa befasimin e tjetrit që ndali pak hapat. Dea u ul tek vendi ku pak më parë gjendej fikësi i cigares. I fejuari u ul përballë saj. Kamarieri me një shpejtësi të rrufeshme mori dhe solli porosinë.
Ajo e kundroi nga afër bishtin e cigares. Do të donte ta merrte e ta thithte fort atë çast. Ndoshta ruante ende ngrohtësinë dhe shijen e buzëve të atij që e kishte pirë. Për sytë e Deas nuk ekzistonte asgjë përreth, veç atij bishti cigareje. Për të ishte baras “AI”. “Dashuria e parë është si ylberi, – mendoi – që ngrihet vetëm një herë në jetën tonë e pastaj e kërkojmë dhe e presim gjithë jetën.”
– Përse u hutove kështu? – e pyeti i fejuari që po e shihte prej një copë here aq të përhumbur.
– E di? – dhe ajo çoi kokën vrullshëm si e dalë prej një ëndrre. – Po bëj çudi. Gjithmonë në çastin që hyjmë te ky lokal, luhet e njëjta muzikë, – i erdhi për të qeshur me veten me atë sajesë qesharake për justifikimin e hutesës së saj.
– Nuk më intereson sfondi. Për mua nuk ka vlerë. Asnjëherë nuk e vë re. Ajo që më tërheq është objekti kryesore që gjendet tek ky sfond, – i tha i fejuari dhe i përkëdheli dorën që ajo e kishte vendosur mbi tavolinë si t’i thoshte: “Ajo që më intereson, je ti Dea ime.”
– Ndërsa për mua sfondi është i nevojshëm. Madje i domosdoshëm, – i fliste Dea dhe kundërshtimi po i jepte kënaqësi. – Prej tij varen shumë gjëra, – vazhdoi ajo. – Mund të jetë një pikturë e mrekullueshme në një sfond skandaloz dhe gjithçka të duket e pavlerë. Si mund të jetë edhe e kundërta.
I fejuari mohoi duke këmbëngulur në mendimin e tij për pavlerësinë e sfondit.
– Shih aty! – i tha Dea duke i treguar një pikturë të varur në mur. – Të lutem, më përcakto sfondin dhe objektin kryesor të asaj pikture! – foli me një cinizëm përzier me ironi dhe me një ton profesori ndaj një shkollari të rëndomtë.
Në pikturë ishte një peisazh deti të dallgëzuar dhe dy pulëbardha paksa të veçuara. Gati mikroskopike para përmasave të pikturës. Megjithëse ishte një bisedë e nisur kot, Dea donte ta sfidonte në mendim të fejuarin e saj. Ai s’po gjente një përgjigje dhe ajo preferoi të fliste vet:
– Është një pikturë e ndërtuar pothuajse nga sfondi. Objekti kryesor nuk duket lehtë. Megjithatë unë e shoh, – i fejuari vazhdonte të heshtte. Edhe Dea heshti dhe filloi të ngacmonte ëmbëlsirën duke shkarravitur mbi krem pa futur asgjë në gojë. La pirunin dhe mori në dorë bishtin e cigares që qëndronte në anë të tavllës. Duke ia ngulur sytë, vazhdoi mendimin e lënë përgjysmë: – Megjithatë unë e shoh. Është një shpirt nën det… . Po përpëlitet për të dalë në sipërfaqe… . Por ai nuk mund… . Ngelet nën det… . Në sipërfaqe duken vetëm dallgët shkaktuar prej tij… . – Ajo vendosi bishtin e cigares mes dy gishtave. Duke e rrotulluar mes tyre, pa në fundin e tij. Aty, nga përthyerjet e filtrit, dalloi që u krijua një shkronjë “D”. Diçka i lëvizi brenda shpirtit. Ishte loja e tyre e preferuar. Sa herë që AI pinte cigaren, Dea ia rrëmbente filtrin për të parë shkronjën në fund të tij. Nuk i kujtohej kush dreq ia kishte treguar atë sekret të vogël lozonjar: AI që kishte pirë cigaren, ishte i dashuruar me një person, emri i të cilit fillonte me shkronjën e krijuar prej përthyerjeve të filtrit në rrotullim. Të dyve u pëlqente ajo lojë. Ende filtri ishte i dashuruar me shkronjën “D”.
– Ej, ç’po bën? Po kërkon të zbulosh sekretet e atyre që kanë të njëjtin vend uljeje me ne në këtë lokal? – e pyeti i fejuari. Dea qeshi hidhur duke vazhduar të rrotullonte filtrin.
– Çohemi? – i tha ajo në vend të përgjigjes.
– Ha, të paktën ëmbëlsirën, – iu lut ai duke treguar ëmbëlsirën e paprekur, por vetëm të shkarravitur, – ti vdes për to.
– Nuk më hahet dhe po më zihet fryma nga gjithë ky tym cigareje, – dhe u çua vet e para pa pritur aprovimin e tjetrit. Filtrin e cigares e mbylli në grusht duke e marrë me vete. Brenda lokalit la shpirtin që vazhdonte të përpëlitej nën det duke krijuar dallgë. Sikur të mos ishin ato dallgë, do mendonte se shpirti ishte mbytur. Të paktën egzistonte, paçka se nën det.
Dolën jashtë. Era i frynte në të kundërt dhe flokët iu përplasën në fytyrë. Ndjeu se ato mbanin erë cigareje. “Si dikur” – mendoi Dea. Vuri re ngjyrën e tyre. E verdha iu duk më e theksuar. Ndoshta kishin ngelur në to gjithë filtrat e cigareve që kishte pirë AI. Në dorë vazhdonte të shtrëngonte bishtin e cigares. . .


Nga Entela Kasi : Shqipëria e përjetshme në veprën e Kadaresë

Që në fillim, ideja se Kadare kishte projektuar librat e Shqipërisë historike pikërisht në ‘post Age of liberation’, me bllokun e romaneve të Shqipërisë, në kohën kur vendi gërryhet nga revolucioni, u bë çështja dhe teza ime kryesore e këtij studimi. Mendimi se ai ndërtoi tempullin e letërsisë universale duke shkruar  veprat e Shqipërisë së përjetshme, më bënte të besoja se ai me vetëdije u shndërrua në një shërbestar apo murg të saj.
Gjithmonë dëshira për ti lexuar shkrimtarët, ka qenë prirja e lexuesve kudo qofshin ata në cepat ndritur apo të harruar të botës, pavarësisht gjuhëve dhe origjinave të tyre. Lexuesi, qoftë ky i zakonshëm apo i specializuar, kur është përballur me vepra të mrekullueshme të letërsisë, ka mbajtur përgjithmonë fuqinë e bukurisë të saj. Bota njerëzore e mbushur me psiqikë, shpirt dhe mendime ka vendosur kështu shkëmbimin e saj me banesën e përhershme të njeriut, planetin. Gjuha me të cilën është endur njeriu në tekste, mbushur me fjalë, thurur prej shkronjash, shndërrohet në gjuhën e universit ku kufijtë e gjuhëve shemben sikur të mos kenë ekzistuar, e të krijohet bindja se fuqia e krijimit të letërsisë të ketë sfiduar shumë-gjuhësinë e kufizuar.
Nga Buzuku tek shkrimi i veprave të letërsisë, në retrospektivën e kujtesës, qëndron përpjekja për të dokumentuar dijen për shqiptarët. Rëndesa e kësaj dije autentike, dëshmohet prej Buzukut, pikërisht në Kolofon, cituar në këtë fjali të shkruar prej tij. ‘Gjithë atyne t arbëneshëve gji ta marrënë me e xgjedhunë e me xanë’[1] Ndërsa Kadare në shekullin e XX-të  do të shkruante romanet e Shqipërisë së përjetshme, duke u kthyer pas në historinë e Shqiptarëve.
Të lexosh Kadarenë si shkrimtar, kupton se temat që ai përzgjedh dhe koha që ai risjell në letërsi, i takon çështjeve të identitetit të shqiptarëve në historinë e tyre. Shqipëria historike do të bëhej cikli i romaneve që e krijuan shkrimtarin[2]Këto romane nuk janë vetëm letërsi, por një dëshmi e Shqipërisë, një dëshmi për historinë e saj. M. Druan, sekretar i akademisë së Francës dhe A. Plantey, do ta shikonin me këtë vështrim veprën e Shqipërisë së Kadaresë, i cili i ka bërë një shërbim jo vetëm letërsisë botërore por vendit të tij veçanërisht. Kadare do të mund të projektonte librat e Shqipërisë historike pikërisht në ‘post Age of liberation’. Ai krijon bllokun e romaneve të Shqipërisë, në kohën kur vendi gërryhet nga revolucioni. Ai ndërton tempullin e letërsisë universale duke shkruar  veprat e Shqipërisë së përjetshme.[3] Ndërsa propaganda krijon histori masive, krijon psikozën kolektive të masave Kadare hedh baza të tjera, pasi me vetëdijen më të lartë ka kuptuar lëvizjen rrethore të kohës, qarkun e saj ciklik. Presioni politik asgjësues është i pafuqishëm përballë gjenisë krijuese të shkrimtarit!
Duke shkruar këto libra të historisë së Shqipërisë së përjetshme, ai vazhdon atë që pa frikë do ta quaja shkolla e nacionalizmit të letërsisë shqipe.
Ndërsa hebrenjtë pas holokaustit dhe armenët e pas gjenocidit, i kthehen etnisë së tyre duke e përdorur këtë argument historik në rilindjen e etnisë së tyre, me bllokun e romaneve të lartpërmendura Kadare  ndërton etninë e Shqipërisë së përjetshme. Kjo etni është boshti i Shqipërisë historike.
Me anti-otomanizmin në të vërtetë ai i rikthehet identitetit të etnisë kombëtare në periudhën kur internacionalizmi ishte bërë parimi i bllokut lindor të shteteve ku identiteti tkurrej e rrudhej prej perandorisë komuniste e cila degjeneroi në diktaturë të egër.
Ai heq paralele midis perandorisë otomane dhe perandorisë komuniste. Sipas tij, të dyja perandoritë vijë nga lindja, dhe popujt e lindjes janë vazhdimisht në përballje me rrezikun  dhunës, gjenocidit, shpërbërjes, shuarjes.
Ai sjell frymën kundër asimilimit të identiteteve në periudhën e perandorisë komuniste. Ngjarjet që ai i vendos në historinë e Perandorisë osmane na udhëheqin në kohën e shkrimit të veprave. Ka një dy-kohësi të habitshme. Një të kohës në të cilën vendos ngjarjet dhe një të kohës në të cilën shkruhen veprat.
Këto romane historikë njëkohësisht janë romane të letërsisë botërore. Të përkthyera në shumë gjuhë të botës, këto romane kanë tërhequr vëmendjen e botës letrare të shekullit të XX.
Kompozicioni i tyre, përshkrimi i mjedisit, alegoria, kodet e fshehta të leximit, kanë bërë që kritika botërore ti qaset Kadaresë, duke zbuluar përmes mjeshtërisë së autorit, dëshmi të historisë qindravjeçare të Evropës së ndarë më dysh, midis lindjes dhe perëndimit prej një kohe të largët, në periudhën e dy perandorive të lindjes, së cilat në rënien e  tyre do të sillnin edhe luftërat botërore. Në fakt luftërat kishin nisur pikërisht në këtë rajon përgjithmonë të tronditur.
Shqipëria e mjedisit të Ballkanit modern të shekullit të XX-të me rrënjët në qytetërimin e hershëm Ilirik, është arkeologjia e shtratit arketip, të mbushur me vepra të letërsisë botërore. Gadishulli është bërë përjetuesi dhe dëshmuesi i ngjarjeve universale. Ati i tragjedisë, Eskili ka jetuar këtu së bashku me dramat e humbura. Këtij humbësi të madh vetë Kadare i ka kushtuar një ese si një rrugë për ti kumtuar botës së shekullit të ftohtë rënien e qytetërimit në një verbërim izolues.
Kadare si pararendësit e tij letrarë, shkruan veprat e Ballkanit modern të perandorive lindore ku nën sundimin e tyre janë shformuar, rrezikuar të shuhen etni dhe kombe dhe popuj.
Akademia Franceze dhe  përfaqësuesit zyrtarë të saj janë shprehur, se Shqipëria përmes magjisë së stilit ka hyrë në historinë e përjetshme. Shqipëria historike është një vlerë e pamohueshme në romanet e Kadaresë.[4]
Duke kapërcyer rajonin e Ballkanit, duke u bërë pjesë e tërësisë evropiane, duke iu bashkëngjitur letërsisë botërore Kadare padyshim mbetet shkrimtari universal. Letërsia mbetet atdheu i tij i përhershëm  pavarësisht etnisë e cila e gjendet në themel të veprave të tij si peshë e rëndesës. Ai ka fuqinë ta shndërrojë letërsinë e tij në një letërsi universale, duke mos dëmtuar as njërën as tjetrën. Ekuilibri midis lokales dhe universales duket sikur të jetë shkrirë në lëndën që mban peshën e arkitraut të ngrehinës së totalit në veprën letrare të Kadaresë.
Letërsia e krijuar në Evropë, nga Mesdheu në veri të saj dhe nga lindja në perëndim do të mbetet një pasuri e jashtëzakonshme për kulturën e Evropës. Në të gjitha kohët shkrimtarët e Evropës, Homeri, Eskili, Virgjili, Ovidi, Dante, Servantes, Shekspiri, Hygoi, Gëte, Dostojevski, Kafka, Kadare, do të mbeten përgjithmonë një pasuri e saj.
[1] Buzuku, – Kolofoni
[2] Përcaktim i imi në lidhje më këtë studim si çështje e temës
[3] Përcaktim i imi, si çështje e këtij studimi
[4] Henri Amovorox, Akademia Franceze


DOSJET KRIMINALE TË TIRANËS, JANË EDHE DOSJET E PRISHTINËS…

Xhejlane Kaçiu Dosjet kriminale të Tiranës, janë edhe dosjet e Prishtinës…

Disa mendime rreth romanit të Rezart Palluqit, 193 kafazet.
193 kafazet, një roman me gjuhë të pasur,me një temë komplekse të trajtuar me shumë kujdes,ngjarje të zhvilluara në kohë të gjatë por të përmbledhura bukur. Personazhet e kompletuara dhe sidomos kryepersonazhi e bëjnë veprën edhe më madhështore. Ylli, një poet shqiptar dhe një kuzhinier universal, dy profesione që atij i kujtojnë atë që më së paku e dëshiron, atdheun. Loja me yjet në fillim të romanit e ka efektin e vet dhe gjatë gjithë zhvillimit të ngjarjeve nuk bëhet asnjëherë e tepërt. Duke filluar me yjet e flamurit amerikan, për të vazhduar me yjet e qiellit e me yllin komunist shqiptar i cili bëhet ”mollë sherri” për Yllin.
Libri edhe pse bën fjalë për periudhën e diktaturës në Shqipëri, shumë lehtë do të mund të pasqyronte vitet 1981-2015 ne hapësirën shqipfolëse të Kosovës.
Po i referohem direkt një paragrafi te romanit, për të ilustruar cka thashë më sipër:
“ Kjo qeveri po bën aq shumë potere, po mburret, po krekoset si gjel deti për zbulimin e eshtrave,por sa për përgjegjesit e zhdukjes së të gjithë atyre njerëzve të pafajshëm po flitet pak ose aspak.Madje besoj se gjysma e dosjeve janë zhdukur me porosi prej vetë spiunëve dhe ish-funksionarëve të lartë hoxhistë.Kur bërtasin si tellallë : “Të hapen dosjet për t’u distancuar nga e kaluara.”,mua më vijnë zorrët në fyt. Është sikur vrasësi t’i bëj autopsinë viktimës së tij ose të kërkosh të vërtetën në një arkivol bosh. Mbas vitit nëntëdhjetë kanë lindur tre breza të rinj dosjesh ,pra një mal i ri me krime.Kjo nuk do të kishte ndodhur nëse dosjet e diktaturës do të ishin hapur fill mbas rënies së saj.”
Edhe gjashtëmbëdhjetë vite pas luftës, këta tanët këtej kufirit, krekosen se do t’i gjejnë eshtrat e të vrarëve.Vetëm përmendet një padi kundër shtetit serb, padi kjo e cila është e pavlefshme pasi është shpërbërë gjykata e Hagës. E sa të tillë u vranë, që vetëm emrin e personazhit të 193 kafazëve,Ylli, nuk e kishin. Dhjetëra të tjerë po lihen ende të vdesin prej urie ,sa e sa të tjerë kërcënohen ose blihen? Bile këta të fundit e përbëjnë shumicën bashkë me ata që lëpihen.
Unë nuk isha ende as 5 vjeç në kohën kur shpërtheu lufta, por duke parë se çka bëjnë ish-“komandantët” e UQK-ës, edhe tash 16 vite pas luftës, sado ta kem imagjinatën e zhvilluar, prapë nuk mundem as ta paramendoj se çka kanë mundur të bëjnë atëherë kur ishte Luftë (nuk thotë kot populli “si në luftë ma”).
Zërat e viktimave kanë hasur shumë në vesh të shurdhër edhe këndej nga ne. Disa prej tyre janë : Ukshin Hoti ( i zhdukur, i gjallë apo i vdekur; spekulimet nuk kanë fund),si Jusuf Gërvalla që u ndoq edhe jashtë kufijve, apo Dino Asanaj në rastin e të cilit policia i dha vulën idiotizmit të vet duke e quajtur vetëvrasje ndërkohë që ai u gjend në një dhomë hoteli me trupin shoshë të shpuar nga plot 11 të rëna thike.
Këta mund të mos jenë dhe sigurisht nuk janë të vrarë për qëllime të njajta, por prapë mbeten raste vrasjesh të dyshimta për të cilët ELITA politike di më shumë ,i dinë edhe fajtorët e padënuar si në rastin e babait të Yllit XIXA në romanin e Palluqit.
Jo më larg se katër muaj më pare, thuajse u ndoqën nga shtëpitë e tyre, mbi 35 mijë kosovarë. Kufijtë u hapën si dyert e stallave të derrave. Kemi të bëjmë pra, me të njëjtat plagë shoqërore, paçka se personazhit tragjik të romanit 193 kafazet, Yllit, iu desh të arratiset përpara 35 viteve. Nuk ishte ose është pra vetëm Ylli që përballet me problemin e atdheut dhe flamujve mashtrues, me të cilët ai në shenjë proteste bën mbathje dhe shami hundësh. Të njëjtin mashtrim e përjetuan pak kohë më parë edhe vëllezërit e tij kosovarë.
Tani po ju jap një citat tjetër nga romani në fjalë.
Cit nga 193 kafazet :”Së fundi ime ëmë u ndje e lumtur ngase mund të falej e lirë përsëri pas aq vitesh ,që kur diktatori Hoxha ,në vitin 1968,e kishte shpallur fenë zyrtarisht të ndaluar duke e shndërruar atëherë Shqipërinë si vendin e parë ateist në gjithë botën”.
Shtet laik jemi shpallur nga e nderuara dhe shumë e respektuara zonja presidente, megjithate ezanin dhe këmbanat janë në proçes për t’i ndaluar. Çka t’i themi tjetër kësaj pune veq “luja diktaturë luja”.
Edhe në kohën e xhaxhit Enver kishte izolim, por atë kënaqësi që e shijonte ai, nuk ju mungon as këtyre tanëve me pasaporta diplomatike, që bredhin botën anembanë ndërsa neve s’na lënë ta qesim as hundën më larg se në Serbi. Që dorën në zemër, po të mos ishte e shkreta Luginë, më mirë do të ishte ta mbyllnin atë kufij me mure 100-metërshe te lartë.
Një ndër tre shtëpi, në mos më shumë, e ka një nënë Florë që vuan në të zeza, siç është edhe NËNA FLORË e kryepersonazhit Ylli Xixa, në roman. Apo një personazh, si Bardhi, i Palluqit, ka Kosova sa të duash, që bëjnë tregti me pushtetarët sa herë të shohin leverdi, tradhtojnë shokët e tyre të fëmijërisë, siç ndodh në rastin e KRYEPERSONAZHIT, Yllit me Bardhin.
Nuk po e zgjas fort me personazhet e tjerë mjaft intrigues dhe të pafytyrë, si ish shefi i sigurimit hoxhist, Viktori, dhe vajza e tij jashtmartesore, ose gruaja e Yllit, Zhaneta, mbasi MBI ta, mund të shkruhen shumë romane të tjerë. Pa harruar këtu Alketën, lajmsen e Yllit, apo spiunin familjar, xhaxhain e Yllit.
Nuk ia vlen të flasim, sepse të gjithë e kemi dikë që është rehatuar për vete dhe aq i bën edhe nëse i del flaka Kosovës. Si, Shpëtimi, jetimi, që kemi shumë të tillë midis nesh. Ylli ia ka vënë birit të tij të vetëm këtë emër, me shpresë që ardhmëria jonë të paktën të shpëtoje. Nuk i harrova as miqësitë por çfarë vlen të përmendet te shoqëria që ndahet si me thikë në dy pjesë: njëra mundohet të të udhëzojë me aq sa ka takatin dhe tërhiqet, ndërsa tjetra provon të të bëj si veten e saj, përndryshe nuk të sheh ose pranon në vatrën e miqësisë së saj.
Thënë në pak fjalë: ish-diktatura e atyre andej nga Tirana, i përcjell këndej nga ne, ende frutat e saj të kalbura ose vrastare, por që NE fatkeqësisht, i shijojmë si fruta të freskëta atdhetare…
Xhejlane Kaçiu/ studente e fakultetit filologjik të Prishtinës

Si dallova diferencat midis “budallait” dhe të çmendurit!

Nga Altin Bamllari
Mos.., goma e makinës! Ç’të bëja?! Edhe kjo më duhej, ndërkohë që po nxitoja të kapja lajmet e orës 19:30 për zgjedhjet në Dibër.
Zbres shpejt e shpejt për të vendosur rezervën dhe në nerva e sipër nuk po gjeja dadiçekët (vidat që shtrëngojnë rrotën).
Turfulloj nga inati që po humbas debatin mes kandidatëve për postin e Shukriut dhe as ia kam idenë ç’duhet të bëj. Ndodhem përballë spitalit Nr. 5 dhe matanë rrethimit një banor i spitalit ka gjithë kohës që ndjek veprimet e mia.
Shoh majtas-djathtas, hap celularin dhe e para gjë që më vjen në mendje është të thërras dikë për të më ndihmuar. Ku i dihet, them me vete, humbas lajmet e Dibrës, por mbase kap këto të hashashit në Tepelenë.
Pikërisht në këtë kohë, banori i 5-ës më afrohet dhe më thotë njerëzisht:
-Nëse je me nxitim, hiqu gomave të tjera nga një dadiçek, vendosja rezervës dhe mbaron punë!
E shoh gjithë dyshim këtë njeri dhe sa s’po pëlcisja që nuk më shkoi në mendje. I kënaqur që po gjeja zgjidhje i drejtohem:
-Po që s’qënke dhe aq budalla ti!
Ai më vështroi ftohtë e ma ktheu:
-Budalla je vetë! Unë jam vetëm i çmendur.
Kishte të drejtë. Isha vërtet një budalla…!

Më iku trishtimi. Se fola me nënën…

Nga Agim Xhafka
Kur je jashtë Shqipërisë çdo ditë të troket malli si breshër kokërrmadh. Për njerëzit më të dashur së pari. Për motrën,më të dashurën,më të përkushtuarën. Ndaj rrëmben kompjuterin dhe në skype bla,bla,bla. E qesh ,e qesh,e qesh.
Po njësoj me vëllain, hallën, xhaxhain, shokët, miqtë,…
Pastaj të vjen si vegim nëna, si valë e butë deti, si vello që bije mbi supe të lakuara nusesh e…ngec. Në grykë të bëhet komb. Nuk të shpëton as skype,as celulari. Nis e si fillim të dridhet buza,sytë njomen e malli vërshon në tru si magmë vullkani.
Fryma ndalet,nis vetiu monologun. I vetmi që të shpëton. Ilaç i shpirtit:
-Nëna ime e bukur,nuk të kam dashur sa më ke dashur. Nuk dhashë dashuri sa më dhe. Nuk të dëgjova sa më dëgjove. Nuk këndova sa më këndove. Nuk të ledhatova sa më ledhatove.
Po,e vërtetë,kështu ndodhi. Bërtisja kur më këshilloje. Plot nerva kur më kërkoje të shkoja një herë për qumësht a vajguri. Të nënvlerësoja kur më shaje për cigaren. Britma në qiell kur nuk kishe ca të holla për mua si pare xhepi.
Nënë unë e di që më ke falur,por veten e dënoj çdo ditë. Se do derdhja dy pika lot më pak po të të dëgjoja më shumë. Por mos u merakos. Se u bëra i mirë. I drejtë e punëtor. I respektuar e i nderuar. E lashë cigaren. Edhe alkoolin. I lashë të gjitha veset. Dhe doja të ishe gjallë që të mburresha.
Por ti më dëgjon. Se ky rrëfim është shmallja me ty. Ja,tani ndjehem mirë. Më iku trishtimi. Se fola me nënën. Do lidhemi prapë nesër. Mos e mbaj mbyllur “telefoni”!
Natën,mëma ime bukur. Good night,i themi në Amerikë. Mos u mërzit se do të t’i mësoj ca fjalë anglisht. Pa merak.

LETËRSIA SHQIPE NË RREZIK TË MADH


“Letërsia shqipe ende është e ngujuar në kafazin e politikës, së të gjithë krahëve. […]politikat kulturore dhe universitare, mendojnë dhe organizojnë veprimtari vetëm për Kadarenë dhe Agollin, sikur letërsia shqipe zë fill me këta shkrimtarë dhe duket sikur do ta ulë siparin e vetë me këta. Letërsia e mirë, do të vijë dhe do të pastrojë shërbesën, përdorimin dhe shpërdorimin e saj, sidomos kur të çlirohet nga mitizimi i korifejve të realizmit socialist, larg shërbesës dhe dobisë së famës…”

Nga Behar Gjoka

Si kortezi e Dritero Agollit

“Letërsia shqipe ende është e ngujuar në kafazin e politikës, së të gjithë krahëve. […]politikat kulturore dhe universitare, mendojnë dhe organizojnë veprimtari vetëm për Kadarenë dhe Agollin, sikur letërsia shqipe zë fill me këta shkrimtarë dhe duket sikur do ta ulë siparin e vetë me këta. Letërsia e mirë, do të vijë dhe do të pastrojë shërbesën, përdorimin dhe shpërdorimin e saj, sidomos kur të çlirohet nga mitizimi i korifejve të realizmit socialist, larg shërbesës dhe dobisë së famës…”

Letërsia në rrezik është titulli i një libri të T. Todorov, botuar në vitin 2007 në Francë. Ky libër u përkthye edhe në shqip, madje u fut me të madhe në leksionet e shkollave të larta. Megjithatë këmbanat e alarmit të studiuesit nuk mbërritën tek ne, të botuesit, politikëbërësit, studiuesit e lauruar me shumë tituj, por pa libra, që t’i qasen seriozisht fatit të hidhur të letërsisë shqipe në vitet e totalitarizmit deri më sot.

Letërsia shqipe është në rrezik, sepse autori dhe teksti, nuk janë as në periferi të axhendës së politikave kulturore dhe botuese. E drejta e autorit ka mbetur pa autor, pra tani ai që paguan determinon hartën e letërsisë shqipe. Letërsia shqipe është në rrezik, sepse mendohet vetëm si biznes, si mall që shitet, fal botuesve dhe reklamave televizive. Letërsia shqipe është në rrezik, sepse politikat kulturore dhe universitare, mendojnë dhe organizojnë veprimtari vetëm për Kadarenë dhe Agollin, sikur letërsia shqipe zë fill me këta shkrimtarë dhe duket sikur do ta ulë siparin e vetë me këta. Letërsia shqipe është në rrezik, sepse politikanë, opinionistët, gazetarët, kushdo që ka nevojë për famë, mjafton të lajmëroj TV-në dhe shpallet gjeni. Letërsia shqipe është në rrezik nga çmimet letrare që ndahen para se të lexohen librat…

Ka shumë faktorë, të cilët e kanë vënë në zgrip letërsinë shqipe e në këtë mjegullnajë, ofrohen si barka shpëtimi, dy alternative absurde:

A – Nga ata që kanë ndarë çmime me shumicë dhe pakicë, shpallet se nuk ka letërsi shqipe. Kur nuk ka letërsi shqipe, çfarë vlere ka të ketë katedra të letërsisë shqipe?

B – Në panairin e librit në Tiranë, sipas medias, u dha si urë shpëtimi, që të shkruhet në gjuhë të huaj, pra të hiqet dorë nga gjuha shqipe! Është më serioze se sa duket, se sa e shohim, se sa rrekemi të bindim veten se kemi ose se nuk kemi tekste letrare. Letërsinë shqipe, po e vrasim nga pak dhe përditë, me të gjithë format, ku askush nga ata që ka shkruar në gjuhën shqipe, nuk shpëton nga përgjegjësia e mjerimit të letërsisë, si vatër ku strehohen horrat, politikanët, delirantët, matrapazët e historisë. Letërsia është atdheu i lirisë, i njerëzve të lirë. Letërsia shqipe ende është e ngujuar në kafazin e politikës, së të gjithë krahëve. Letërsia e mirë, do të vijë dhe do të pastrojë shërbesën, përdorimin dhe shpërdorimin e saj, sidomos kur të çlirohet nga mitizimi i korifejve të realizmit socialist, që e kanë zatet për fyti fatin e letërsisë shqipe larg shërbesës dhe dobisë së famës…

Burgjet mendore dhe diktatura politike në romanin “193 kafazet”e Rezart Palluqit



Shkruar nga kritikja dhe shkrimtarja itlaliane, Irma Loredana Galgano

Shtëpia botuese Ensemble botoi, në edicionin e parë në dhjetor 2016, përkthyer nga Iris Hajdari «193 kafazet» (titull origjinal 193 kafazet) të shkrimtarit shqiptar Rezart Palluqi.

Bëhet fjalë për një libër interesant që duket të jetë shkruar për t’i rrëfyer botës tërë emocionet, ndjenjat dhe sfilitjet më intime e të fshehura të protagonistit, që në realitet mund t’i përkisnin cilitdo dhe ndodhnin kudo.

193 kafazet rrëfen ngjarjet dhe vështirësitë e një fëmije, por dhe të familjes së tij. Të përndjekur nga regjimi diktatorial i Enver Hoxha, ata qëndrojnë të pafuqishëm përballë arrestimit të babait. Më vonë të keqtrajtuar nga paria dhe fqinjët e tyre, ata detyrohen ta braktisin vendin e tyre, Shqipërinë. Madje edhe pse rritet në një vend demokratik si Hollanda Ylli s’ia del ta kapërcejë dramën e të kaluarës, e cila e sfilit gjatë gjithë ditës dhe që i shfaqet si shqetësim psiqik, si dhe gjatë natës si makth. I stresuar e i pa qetë, Ylli përfundon në një tunel marramendës të mashtrimeve e të mistereve, të kurdisur nga prej vjerrit, që teksa i premtonte drejtësi, u hakmor, për të satën herë kundrejt një krijese të pafuqishme dhe të pambrojtur. Kështuqë Ylli, teksa kërkonte të rigjejë e të nderojë kufomën e babait, përfundon edhe ai si i ati, si një qënie krejt e pambrojtur.

Në të vërtetë duke lexuar 193 kafazet e kupton menjëherë që nuk është Ylli protagonisti real i ngjarjes por mendja e tij, e cila mund t’i përkiste kujtdo personi që ka qenë i detyruar të pësojë vështirësi dhe përjashtime, që një diktaturë, e çfarëdo ngjyre apo flamuri ku kanë lindur, u dikton atyre që nuk mposhten nga regjimi. Lexuesi, në fakt fillimisht, has ndonjë vështirësi për të kuptuar strukturën rrëfyese, të përzgjedhur nga Palluqi. Disa meditime të protagonistit duken banale dhe paksa të lodhshme, dhe ai që i lexon, ndjehet thuajse i ‘hutuar’ nga synimet përsëritëse që duket sikur ia heqin vëmendjen nga ngjarja kryesore e librit. Vetëm duke vazhduar leximin, mund të depërtohet në fokusin e përzgjedhur nga autori e në të njëjtën kohë kuptohet se nganjëherë është e nevojshme të ‘largohesh’ nga ngjarja, sepse ç’ka i ka ngjarë Yllit nuk është kaq e largët apo e ndryshme nga dhimbja e atyre që detyrohen ta braktisin vendin e tyre për shkak të luftës, diktaturës, varfërisë…

Megjithë mënyrën shumë ‘intime’ të të rrëfyerit të romanit të Palluqit, ai nuk harron të rrëfeje atë që ka ndodhur në vendin e tij të origjinës gjatë viteve të diktaturës të Enver Hoxhës, udhëheqësi i Partisë Komuniste. Aty ndeshim lista apelesh, arrestime, ekzekutime dhe gropa anonime të cilat janë mbushur përgjithmonë dhe në mënyrë dramatike. Janë e kaluara e një populli dhe një pjese të historisë të vendit të tij, për fat të keq ENDE thuajse të injoruar krejtësisht nga bota.

«Gjermanët kanë dhënë një shembull të madh duke i larë llogaritë me xhelatët e Luftës së Dytë botërore, ndërsa ne jo»- Dhe kur nevojitet të «hapen dosiet» për të bërë llogaritë me të kaluarën, «provon një farë përçudnimi. Sikur vrasësi t’i bënte autopsinë viktimës së tij»- thotë auori ndër të tjera.

Në roman rezultojnë interesante konsiderimet mbi aktualitein dhe fetë që autori ia beson protagonistit të librit, të cilat shkrihen aq mirë në faqet më meditative dhe poetike të romanit. Paksa të sforcuara rezultojnë dialogët me fraza ndërmjetëse pak të natyrshme dhe disi larg nga gjuha e zakonshme, dhe tejet të ngarkuara në frazat që pasojnë në disa pasazhe të ndryshme. Megjithatë faqe pas faqe, lexuesi magjepset gjithnjë e më shumë, sidomos në kapitujt që rrëfejnë mendimet e personazhit kryesor, Ylli Xixa.

Në përfundim, 193 kafazet i Rezart Palluqit rezulton të jetë një libër i mirë, që lexohet lehtë dhe është interesant.

Mizoritë e luftës në Kosovë, 1998/1999. Veprimet makabre të soldateskës serbe në Kosovë:“Histori të tmerrit 1998-1999”.

Nga Flori Bruqi  Sanije Gashi, zonja e madhe e kulturës shqiptare.... “M'u kujtuan, saora, tragjeditë e Shekspirit, edhe ‘Ferri' i D...