Agjencioni floripress.blogspot.com

2017/11/20

Sindi Bego : Shënime për librin “Easy” me autor Tammara Webber



Ne nuk e dimë asnjëherë se çfarë surprize fati mund të ketë përgatitur për ne,ne gjithmonë jetojmë të sotmen, me shpresën se, e nesërmja do jetë më e mirë,dhe presim me padurim shfaqjen e një rrezeje të vogël dielli, në qiellin tonë të ngrysur. As Zhaklina ,nuk e merrte kurrë me mend, se një njeri për të cilin nuk kishte dëgjuar ndonjëherë, do të kthehej në mbështetjen e forcën e saj më të madhe brenda një nate. Një natë do të mjaftonte për të ndryshuar jetën e saj përgjithmonë. Zhaklina dhe Lukasi ishin dëshmitarë të një dashurie të madhe,por jo të lehtë. Ata ishin prova më e pastër se dashuria mund të mos jetë gjithmonë e lehtë. Momenti i njohjes së tyre ishte një nga gjërat që e ndalonte Zhaklinën i afrohej,sepse të qënit afër me të, i kujtonte natën më të keqe të jetës së saj,dhe faktin që Lukasi dhe pse ishte një njeri i panjohur për të, ishte kthyer në shpëtimtarin më të madh dhe e kishte parë në gjendjen e saj më të keqe .Kjo gjë bënte që Zhaklina ti qëndronte larg dhe ta shmangte vazhdimisht. Por,fati nuk e lejoi një gjë të tillë,fati i afronte çdo ditë e më shumë derisa u bënë të pandashëm dhe gjetën mbështetjen te njëri-tjetri. Jo çdo gjë ishte aq e lehtë,Zhaklina ishte viktimë e dhunës,ndërsa Lukasi kishte kaluar një fëmijëri tepër të vështirë dhe kjo gjë e kishte kthyer në një njeri të ngurtë e të egër. Ai e shihte Zhaklinën si një krijesë që kishte nevojë për mbrojtje dhe u betua ta ruante atë për të mos e humbur ashtu si kishte humbur të ëmën. Përkrahja e tij pas vdekjes së se ëmës kishte qenë një mik i vjetër i babait. Ai e kishte edukuar dhe e kishte nxjerrë nga rruga, gjë të cilën i ati i tij, nuk mundi ta bënte. Pas vdekjes së të shoqes ai kaloi në një gjendje vetmie dhe nuk u kujdes për djalin e tij. Kjo gjë e bëri Lukasin të përballej vetë me jetën që në moshë akoma të re dhe të mësonte gjëra që moshatarëve të tij mund tu dukeshin të pazakonta .Njohja me Zhaklinën ishte si një shpëtim për të,sepse ashtu si Lukasi u bë forca e saj më e madhe,ashtu dhe Zhaklina qëndroi afër tij dhe e ndihmoi të kalonte një traumë që kishte vite të tëra që e jetonte. Kjo ishte një provë dashurie,me këtë histori autorja Tammara Webber na tregon se sa e bukur mund të jetë dashuria në qoftë se, ne dimë ta ruajmë. Është ajo që na jep forcë edhe kur mendojmë se nuk mundemi më,është diçka që ka lindur me njerëzimin dhe do e shoqërojë gjithmonë atë,pa dashuri asnjëri nga ne nuk do ekzistonte,ose bota ku jetojmë do ishte një vend i urryeshëm. Çdo njeri e vlerëson dashurinë,ndaj shkrimtarët shkruajnë romane të tëra e muzikantët i dedikojnë nota. Artistët e tillë janë akoma dhe më të lidhur me dashurinë,sepse ata bëhen dëshmitarë të dashurive të ndryshme,të cilat nuk kanë gjithmonë të njëjtën rrjedhim .Në shkrimin tim të mëparshëm fola për historinë që do doja të lexoja gjatë verës,ndërkohë ajo çka lexova ishte shumë ndryshe nga dëshira ime. Por,mund të them se kjo ishte historia e duhur që mund të lexoje kur ishe shtrirë në shezllonin e plazhit dhe kishe një dëshirë të madhe për të lexuar një histori të bukur që të linte mbresa. U dashurova me këtë libër që në faqet e para, e refuzoja ta hiqja nga duart derisa ta mbaroja. Ishte diçka ndryshe nga ato që kisha lexuar deri tani dhe mendoj se për këtë arsye më pëlqeu aq shumë. Ishte një histori e bukur dashurie ku dy persona provuan se po të ishin bashkë, do ti kalonin të gjitha dhe do të buzëqeshnin në fund. Ka shumë njerëz që nuk e besojnë dashurinë dhe mendoj se e kanë gabim,çdo gjë që ne jetojmë përditë ka lidhje me dashurinë,sepse ne shpërndajmë dashuri çdo ditë tek personat e dashur dhe e marrim mbrapsht këtë dashuri. Ne nuk kemi dashuri vetëm për partnerin e jetës,dashuria më e madhe është ajo për familjen,gjithashtu ne kemi dashuri e për miqtë që kemi afër. Pra,në të gjitha mënyrat ne shpërndajmë dashuri tek njerëzit. Ashtu si personazhet e librit të Tammara Webber ardhur në shqip nga botimet “Pegi” nën përkthimin e Aida Musait, që të tregojnë se dashuria nuk është gjithmonë e lehtë, por asnjëherë e pamundur…

Arjan Konomi : Saga e jetëve legjendë



Si shumë njerëz, të cilët mendojnë dhe dëshirojnë të shkruajnë një libër gjatë jetës së tyre, edhe mua prej vitesh më ka munduar tundimi për të shkruar një roman apo novelë, por asnjëherë nuk kam arritur të gjej kurajon te vetja, për t’u ulur dhe për të hedhur fjalët e para. Mendoja se duhet të vinte një moment që të kisha kohën dhe pjekurinë, qetësinë dhe kthjelltësinë e mendimit, për të arritur të formoja frazat, e pastaj fjalitë e me to, ngjarjet dhe personazhet, ndërveprimi i të cilëve do të krijonte historitë që përplaseshin në mendjen time. Por asnjëherë në gjithë këto vite, nuk kisha menduar të shkruaja këtë libër, që sot e keni në dorë.
Mendimi për të, më lindi krejt papritur tek gjendesha në një udhëtim të gjatë në Brazil, verën e fundit. I pasionuar pas njohjes së botës dhe udhëtimeve gjeografike, kisha arritur të bëja realitet një ëndërr të jetës sime; një udhëtim në lumin e Amazonës dhe eksplorimin e xhunglës së famshme, e cila ka ushqyer dhe zhvilluar fantazinë time, qysh kur isha fëmijë. Isha pajisur si gjithmonë me libra me vete, të cilat i konsideroj të nevojshëm, sidomos kur udhëton i vetëm, në vende të largëta dhe të panjohura duke të bërë shoqërinë më të mirë, për të komunikuar me vetveten dhe për të kaluar orët e gjata të udhëtimit.
Gjendesha prej një jave në tragetin që lundronte në lumin e Amazonës dhe kuptova se librat e marrë më vete, ishin biografi të personazheve të shquar të botës. E teksa magjepsesha me leximin, ndjeja keqardhje, pse e kisha të pamundur t’i tregoja dikujt tjetër për ato çfarë lexoja, ashtu si bëj normalisht në jetën e zakonshme, kur lexoj diçka, që më lë shumë mbresa. Kur nuk e ndaj këtë kënaqësi me dikë, më duket se nuk kam arritur ta përvetësoj edhe vetë ngjarjen, personazhin apo historinë letrare. Kështu, në një bllok ku shënoja të dhëna për udhëtimin apo ato çfarë më nevojiteshin për destinacionet që do të shkoja, hidhja edhe të dhëna mbi jetën e personazhit që lexoja, si dhe shprehje apo citime të tij.
Duke u hedhur një sy këtyre shënimeve më lindi ideja se, mund të shkruaja diçka të përmbledhur mbi ato jetë që më shtangnin, më mrekullonin dhe më marrosnin me jashtëzakonshmërinë e tyre, vulosur mes dehjes së suksesit të arritur dhe thellësisë së dhimbjes së provuar, mes mundimeve të paepura dhe ambicieve të arritura, mes zellit me përkushtim mbinjerëzor dhe talentit të rrallë mbinatyror, mes tragjedisë dhe lavdisë për të krijuar një legjendë jete të vërtetë.
Përzgjedhja e personazheve që kam dashur t’i sjell lexuesit ishte një mundim më vete. Vendosa ta bazoj atë, jo tërësisht në ato, çfarë personalisht kam ndjekur si rregull në leximet e mia, në përpjekje për t’u thelluar në argumenta të përafërta, nisur nga epoka në të cilën kanë jetuar personazhet e duke seleksionuar fusha të caktuara, si arti, shkenca apo diplomacia dhe politika.
Për këtë libër, vendosa të bëj një përzgjedhje tjetër, krejt rastësore, personalisht timen, midis personazheve, jetën private dhe publike të të cilëve, duhet të trajtoja në të. Dhe gjatë shkrimit të tij, nisur edhe nga moria e madhe e personazheve të rëndësishme të historisë njerëzore, disa herë ndërrova mendim duke u përpjekur të sjell tek lexuesi, një gamë sa më të larmishme profesionesh si dhe një shtrirje kohore, të palimituar.
Asgjë nga ana kronologjike apo nga ajo tematike, nuk bashkon një personazh me tjetrin, përveç dy elementëve thelbësorë: janë njerëz, të cilët kanë ndikuar rrënjësisht në shoqërinë njerëzore duke shënuar momente drastike transformimi të saj në fusha të ndryshme, si në art, shkencë, histori dhe politikë. Dhe e dyta, jam shtyrë nga fakti se, janë jetë të pabesueshme për të qenë të vërteta, ku ambicia dhe lavdia përzihen me talentin dhe gjenialitetin e tyre, prandaj edhe pse në vetvete ato janë biografi të përmbledhura, unë kam dashur t’i quaj: jetë legjendë.
Me njëra-tjetrën, në faqet e librit, këto histori jetësh, formojnë një sagë të mirëfilltë rrëfimi, ashtu si shekuj më parë u quajtën “saga” tregimet antike të popujve nordikë, të cilat rrëfenin në shekuj legjenda vikingësh dhe prijësash, historitë e të cilave nuk kanë kufizim në kohë dhe ku fundi i njërës, ia lë vendin fillimit të një historie tjetër, që brezat e mëpasshëm do të krijonin.
Kështu edhe historia që sjell te lexuesi, është një sagë e njerëzimit, nëpërmjet disa prej figurave të shumta të rëndësishme të historisë njerëzore, të rrëfyera duke pasuar njëra-tjetrën, për të mos mbaruar kurrë. Sepse, edhe figurat, të cilat kanë lënë gjurmë në historinë botërore, nuk mbarojnë kurrë me një libër, ashtu si dhe nuk mund të reshtë kurrë, rrëfimi për ta.
Përzgjedhja ime ra mbi gjashtë personazhe duke u përpjekur që ata të jenë të epokave të ndryshme të njerëzimit si dhe të eksperiencave të ndryshme duke shpresuar që interesit të lexuesit t’i ofrohet një shtrirje sa më e gjerë për të zgjuar tek ata kuriozitetin dhe mundësinë e njohjes. Por cilët janë këta personazhe?
Një nga figurat e shquara të politikës dhe të luftës së shekullit të kaluar që më ka bërë kurioz është ajo e Uinston Çërçillit, të cilin shumë e njohin dhe kanë dëgjuar për të, por shumë pak mund të dinë, mbi jetën e tij private dhe atë politike. Është njeriu më i rëndësishëm i Luftës së Dytë Botërore, i cili drejtoi fatet e luftës dhe diti me zgjurasi dhe diplomaci, të bënte për vete edhe diktatorin e Bashkimit Sovjetik, Stalinin, si dhe presidentin e Shteteve të Bashkuara, Ruzveltin. I pushtuar, qysh në moshë fare të re, nga dëshira e flaktë për politikë, kryeministri i ardhshëm i Britanisë së Madhe do të kalkulojë çdo vendim të jetës së tij, në funksion të këtij qëllimi të jetës. Do të shkojë ushtar në Azi dhe në Afrikë duke kërkuar momentin e tij të lavdisë, do të bëjë reporterin e luftës në Afganistan dhe në Kejp Toun duke u përpjekur të bëhet i njohur për opinionin publik anglez, si kusht i rëndësishëm për lançimin e karrierës së tij si politikan.
Njeri i vendosur në atë çfarë kërkon të realizojë, do të zgjidhet deputeti më i ri i parlamentit anglez, por karriera e tij politike do të njohë dështime të mëdha në Luftën e Parë Botërore, hijet e të cilave, do ta shoqërojnë tërë jetën. Jeta e tij, do të kalojë nga kohët, kur shumë herë emërohet ministër dhe viteve të tëra, i gjendur i papunë, por asnjëherë nuk dorëzohet duke pritur momentin e lavdisë së tij, i cili vjen, pikërisht atëherë, kur nuk kishte më shpresë se politika angleze e donte mes radhëve të saj. Babai i katër fëmijëve, Çërçilli nuk do të ketë një jetë familjare, por përkushtimi ndaj politikës e hipnotizon, derisa një ditë mbreti i Anglisë, do t’i kërkojë personalisht të formojë qeverinë britanike. Zotësia e tij, prej një strategu ushtarak, por edhe e një diplomati kalkulues, do të luajë rolin kryesor në luftën kundër nazizmit dhe përhapjes në Europë duke bërë që qëllimi i mposhtjes së një diktatori, të arrihet me paktet e lidhura, me një diktator tjetër. Momentet e luftës si dhe dialogjet e tij me Stalinin dhe Ruzveltin, përbëjnë një interes të jashtëzakonshëm, ku pragmatizmi do të mbizotërojë edhe ndaj pikëpamjeve ideologjike, si në rastin e komunizmit.
Sa ndikonte tek personaliteti i Çërçillit egoizmi dhe ambicia personale? Në çfarë raporti janë këto me përkushtimin dhe detyrën ndaj vendit? A ishte i drejtë një pakt me Stalinin? Sa cinike ishte ndarja me diktatorin bolshevik e influencave të të dy vendeve që ata ishin lider, në Europën e pasluftës? A ka përgjegjësi Çërçilli, në braktisjen e fatit të mëvonshëm të Polonisë? A ka faj ai për rritjen e hegjemonisë sovjetike dhe ngritjen e shumë diktaturave të reja, në vendet e kontinentit? A e justifikoi tërësisht, rezultati përfundimtar i luftës, hyrjen e Britanisë në konfliktin botëror si dhe të qindra mijërave viktimave të saj?
Katerina e Madhe e Rusisë është një figurë madhështore sundimtareje, për atë çfarë arriti të realizojë në jetën e saj dhe për çfarë bëri për Rusinë, njeri me një erudicion mahnitës dhe iluministe në ide, që diti me shumë aftësi, t’i gërshetonte me despotizmin dhe pushtetin absolut, gjatë shekullit të XVIII-të. Është një figurë shumë e kompromentuar nga historiografia europiane, nisur edhe nga fakti se ka paraqitur kreun e ortodoksisë botërore e për rrjedhojë, është veshur me një ngjyrim negativ në Europën katolike e protestante duke u përpjekur, të shohin vetëm anën e errët të saj e duke mos ngurruar ta etiketojnë një vrasëse, satrape dhe ninfomaniake. Por, duke lënë në hije faktin se, ishte sundimtarja më e kultivuar dhe më tolerantja nga tërë mbretërit dhe perandorët katolikë e protestantë të kohës së vet.
Sundimtarja që e transformoi Rusinë nga një vend i parëndësishëm, ku anarkia ishte përherë e pranishme, drejt formimit të një shteti të vërtetë dhe brenda një kohe të shkurtër, e shndërroi në perandorinë më të fuqishme europiane, e cila diktonte fatet e zhvillimeve politike në Europë e duke sjellë për pasojë, ndryshimin e vazhdueshëm të hartës së saj. Njëkohësisht, konsolidoi në fronin rus, dinastinë e Romanovëve, e cila do të qëndronte në fuqi deri në shpërthimin e revolucionit bolshevik. Në figurën e Katerinës së Madhe, nuk ka kontribuar as historiografia ruse, e cila pas ardhjes në fuqi të bolshevikëve, është përpjekur për motive ideologjike, të denigrojë në maksimum tërë carët që kanë sunduar në shekuj Rusinë.
Si mundi një gjermane të mbretëronte kombin, gjuhës së të cilit nuk i kuptonte asnjë fjalë? Çfarë e shtyu dhe si arriti një protestante praktikante të bëhej ikona e ortodoksisë botërore? Çfarë metodash adoptoi për të shkundur përgjumjen shekullore ruse? A ishte Katerina e Madhe një gjakatare? A ishte despotike apo iluministe? A ishte përparimtare apo obskurantiste? Çfarë roli pati ajo në fuqizimin e vendit? Si gërshetonte impulset seksuale me logjikën e akullt të drejtimit të shtetit? A ishte një ninfomaniake, apo e etshme për pasion dhe dashuri? Apo asnjëra nga këto?
Përzgjedhja ime ra mbi një personazh shumë pak të njohur dhe të përmendur nga historiografia e Luftës së Dytë Botërore, e pikërisht ajo që ka trajtuar nazizmin me tërë kompleksitetet e asaj mizorie njerëzore, më të përgjakurën që historia e njerëzimit kishte njohur: Albert Shperin. Është një nga hierarkët e lartë të asaj klike të fuqishme politiko-ushtarake, e cila drejtoi Gjermaninë në periudhën e viteve ’30, të shekullit të kaluar dhe që e shpuri planetin, drejt një lufte botërore me tërë makabritetin e saj. Figurë enigmatike dhe shumë pak e njohur, në krahasim me despotët e tjerë nazistë, për faktin se nuk u përfshi në krime të drejtpërdrejta sa hierarkët e tjerë, por për këtë, jo më pak fajtor në krimet kundër njerëzimit, edhe pse konsiderohet më shumë si arkitekt sesa si ushtarak, ai bëri të mundur të mbajë në jetë me efikasitet duke ushqyer makinerinë shfarosëse naziste dhe duke zgjatur kështu, përfundimin e konfliktit botëror. Ka paraqitur figurën e një teknicieni edhe pse besnik i ideve nacionalsocialiste.
Ndoshta më shumë sesa një besnik ideologjik, ai ishte një ithtar i Adolf Hitlerit, i magjepsur dhe i pushtuar nga karizma e këtij, duke u shndërruar në një nga njerëzit më të afërt të diktatorit nazist, i vënë tërësisht në shërbim të tij. Jeta e tij, tepër befasuese është po aq tronditëse, në të cilën gërshetohet aspekti njerëzor dhe ai kriminal, të dyzuar në psikologjinë personale të qenies njerëzore, pa arritur të kuptohet se ku qëndron filli, i cili i ndan të dyja këto tipare. Ai përbën një nga shembujt tipikë për të shpjeguar një fenomen, vështirë të kuptueshëm ende sot, sesi një njeri i emancipuar dhe me kulturë, mund të transformohet në një tjetër qenie duke na bërë të kuptojmë, atë çfarë ndodhi me vetë popullin gjerman në përgjithësi, si gjatë, ashtu dhe pas ardhjes në fuqi, të nazistëve. Rrëfimi i jetës së tij merr një vlerë akoma dhe më të veçantë historike, sepse mbetet e vetmja dëshmi e gjallë e rrethit të ngushtë të diktatorit, e cila sjell detaje të jetës së Adolf Hitlerit, për faktin e lidhjes shumë ngushtë, të jetëve të tyre.
Pse njeriu papritmas shndërrohet në një kriminel, pa qenë i ndërgjegjshëm? Sa ndikon pushteti në shkatërrimin e karakterit të një njeriu? Çfarë fshihet në thelb të lidhjes së tij me Fyhrerin e Gjermanisë? A është faji një përgjegjësi personale apo kolektive? Çfarë magjie ushtron një ideologji tek njeriu? Si mund të përcaktohet saktë karakteri i një njeriu, kur ai shfaqet si njeriu kriminel dhe njëkohësisht si krimineli njerëzor? Cila është fija e padukshme, e cila ndan të mirën nga e keqja? A ka kuptim fraza “kriminel i mirë”?
Arti i pikturës më ka pushtuar prej vitesh dhe jam përpjekur të vizitoj, jo si një turist kalimtar, një pjesë të madhe të koleksioneve më të rëndësishme në botë, të ndodhura nëpër muzeume dhe të mbledhura në vite. Zotëroj në bibliotekën time, një numër shumë të madh katalogjesh, enciklopedish dhe libra të kritikës mbi pikturën, ndaj dhe dëshiroja që te personazhet e trajtuara në këtë libër, të ishte edhe një piktor. Nuk e pata të vështirë të zgjidhja, sepse ka një element jetësor, i cili më ndikoi në përzgjedhjen time. Qysh fëmijë, kam pasur të varura në murin, ku mbështetej koka e krevatit, tre postera pikturash, të cilat kanë goditur imagjinatën time fëminore. Shumë vite më vonë, do të mësoja se cilët ishin autorët e tyre duke u kuriozuar për krijimtarinë artistike të tyre. Njëri nga autorët e tablove të posterave, ishte piktori italian, Karavaxho. Nuk i përket Rilindjes së famshme italiane dhe emrave ikonë të saj, por menjëherë më pas.
Mikelanxhelo Merizi, nga fshati Karavaxho afër Milanos, me emrin e të cilit, do të thirret në jetë e do të njihet edhe sot, është piktori më i madh i shekullit të XVII-të. Krijimtaria e tij do të thyejë gjithë rregullat standarde të pikturës, të njohura gjatë gjithë njerëzimit dhe të maksimalizuara në epokën e Rilindjes duke krijuar një stil të ri në historinë e artit, si në aspektin e përdorimit të ngjyrave, ashtu edhe në mënyrën e trajtimit të tematikave. Karavaxho është piktori i parë që nuk përdor vizatimin paraprak, por dallimin e formave e bën vetëm nëpërmjet ngjyrës dhe tonaliteteve të saj, njëkohësisht duke hequr dorë nga mistikja dhe hyjnorja që mbizotëronte artin e pikturës së deriatëhershme, për t’i kthyer figurat emblematike të krishtërimit, në njerëz realë, të zhveshur nga ekstazat shpirtërore, me dhimbjen, varfërinë dhe vuajtjen, ashtu si bibla në të vërtetë i rrëfen.
Karavaxho do të jetë gjithashtu i pari piktor, i cili trajton në tablotë e tij, skena reale me personazhe të zakonshëm anonimë, momente nga jeta e përditshme duke sjellë edhe një risi, përsa i përket formës, krejtësisht të re të kompozimit duke i paraprirë me disa qindra vjet, asaj që do të bëjë në të ardhmen, arti i kinematografisë. Ashtu si dritëhija tipike e stilit të tij, do të revolucionarizojë historinë e artit botëror dhe do të krijojë një standard pikture, i cili do të ndiqet më pas nga emra të mëdhenj, si Rembrand, Velazkes, apo Ribeira e duke hedhur bazën e romanticizmit francez dhe të impresionizmit, më pas. Një jetë rebele, e kaluar nga një qeli burgu tek realizmi i një tabloje gjeniale, mes dashurive plot pasion për meshkujt dhe impulsivitetit karakterial, mes jetesës në luks e adhurimit për natën dhe rrugën e bën ekzistencën e tij, një legjendë aventurash jo të zakonshme, për njerëzit normalë.
Por pse është i pari piktor, që trajton skenat biblike me një natyralizëm të pandeshur më parë? Sa ndikoi realiteti ku jetoi dhe talenti në veprën e tij? A është shpresa e jetës, domethënia e burimit të dritës, që ai shpik në pikturë? A ishte më i aftë të pikturonte, apo të përdorte shpatën? Sa efekt pati vepra e tij në pikturën e ardhshme që njerëzimi do të njohë? Çfarë e përcaktonte ndjeshmërinë dhe impulsivitetin e tij? Cili është konceptimi i vërtetë i fesë dhe i besimit? A ishte Karavaxho një i çmendur piktor apo një piktor i çmendur?
Përzgjedhja ime pason me legjendën e muzikës lirike, figurën më madhështore, që skena botërore ka njohur ndonjëherë, greken, Maria Kalas. Talenti i jashtëzakoshëm dhe vullneti i hekurt në kërkim të suksesit, do ta shndërrojnë sopranon në një ikonë botërore, ku zëri i saj do të magjepsë publikun e skenave të gjithë kontinenteve, me ariet e operave, të krijuara nga të mëdhenjtë e muzikës klasike, shumë prej të cilave ishin harruar arkivave, sepse nuk ekzistonte, prej më shumë se një shekulli, vokali i aftë për t’i interpretuar ato. Do të dinte me aftësi të rrallë, të shprehte cilësitë e një sopranoje dhe mexosopranoje, të këndonte brenda pak ditëve vepra, të cilat ishin të pamundura për t’u kënduar nga i njëjti zë, për cilësitë vokale të kërkuara duke u shenjtëruar, si më e madhja këngëtare që historia e muzikës kishte njohur dhe duke bërë publikun botëror, të përshkohet nga ethet e të pasurit mundësi për të dëgjuar këtë zë të mrekullueshëm, apo qoftë vetëm për ta parë, për t’u dhënë mundësinë, që të thonë se një herë në jetë, “isha edhe unë”.
Fati do ta donte, që ashtu si jeta e heroinave të operave, të cilat këndoi, do të kishte edhe jetën e saj duke mishëruar suksesin dhe dështimin, dashurinë dhe vuajtjen, mbushur me dëshpërim e melankoli, me gëzim dhe hidhërim, për ta shndërruar në një tragjedi të vërtetë njerëzore. Jeta artistike e një dive të skenës, por edhe jeta emocionale e një gruaje, shpirtit të së cilës, nuk do t’i kursehet asgjë nga bukuria e të jetuarit, por edhe nga trishtimi i saj. Reaksioni që jeta e saj private ka ngjallë në mediat botërore, nuk njeh precedentë, ku çdo detaj dhe çdo fjalë, do të mbushin titujt e faqeve të gazetave botërore duke shënuar fillimin e një lloj gazetarie të re, të panjohur për kohën, që është ajo e jetës private. Miliona lexues në mbarë botën, do të përpijnë me një interes të jashtëzakonshëm çdo element jetësor të artistes, nga marrëdhëniet familjare, tek recetat e ushqimit, nga karakteri i saj i vështirë deri tek dashuritë e pamundura duke rreshtuar skandale të njëpasnjëshme, në të cilat nuk kuptohet se ku mbaron e vërteta dhe fillon legjenda. Arrogante dhe kapriçoze, por e brishtë dhe e dobët emocionalisht, Maria Kalasi do të dëshmojë në skenë edhe një komponent tjetër të talentit të saj magjik, të pandeshur në skenë më parë, interpretimin dramatik të operas që do të drithërojë publikun e shashtisur. Dashuritë e saj do të kulmohen me pasionin ndaj miliarderit Aristotel Onasis, marrëdhënie që do të jetë, aq sa e bukur, edhe e trishtë.
Por cila është artistja Maria Kalas? Çfarë magjie ushtroi ajo ndaj publikut? Pse kjo magji nuk përsëritet më në historinë e skenës? Cila është femra Maria Kalas? Pse dashuritë e saj ishin dashuri të pamundura? Çfarë shije ka suksesi dhe dështimi? Çfarë krijon në shpirt, lumturia dhe hidhërimi? Sa shekuj duhet të kalojnë, për të njohur skena, një mit të këtyre përmasave?
Tundimi nuk më lë pa shkruar, për një nga figurat më të famshme dhe të njohura të njerëzimit, si Albert Ainshtaini, gjeniu i kohëve moderne, fama e të cilit, e ktheu në një personazh që do të grumbullonte turma më shumë, sesa një aktor Hollivudi apo këngëtar rroku. Shkencëtari, i cili theu rregullat që mbretëronin prej treqind vjetësh fizikën dhe me të, edhe gjithësinë, duke zbuluar një koncept të ri, me të famshmen teori të relativitetit të përgjithshëm, e cila revolucionarizoi shkencën dhe përcaktimin për botën, pjesëz e vogël e të cilës, ne jemi. Në një moshë fare të re, ai do të dëshmojë gjenialitetin e vet duke nisur nga grimcat më të vogla të përfytyrueshme, si kuantet e dritës e deri tek struktura tërësore e universit, nëpërmjet zbulimeve të teorisë së relativitetit specifik, formulimit të ekuacionit të energjisë, bazë për lindjen e idesë dhe zbulimin e bombës bërthamore, shpjegimit fizik të dritës dhe të kuanteve të saj, përfundimit se disa fenomene janë më shumë probabilitet sesa siguri, ndryshimit të principeve të kozmologjisë duke teorizuar se hapësira nuk është e pambarimtë, por megjithatë është e pakufizuar dhe në një sistem të mbyllur, që nuk ka as skaj dhe as kufi.
Ajo çfarë e bën shkencëtarin atipik, në gjithë morinë e gjatë të emrave të shquar, që shkenca ka njohur, është fakti se në përfundimet e teorive të tij gjeniale, ai nuk u bazua tek provat dhe te eksperimentet, si shkenca kishte vepruar deri në atë kohë, por në hamendësime, në përfundime logjike, në rezultate të jashtëzakonshme, vetëm nëpërmjet mendimit dhe asgjë tjetër. I takonte shkencës së njerëzimit, të vërtetonte sesa të sakta, ishin zbulimet e mendjes së tij. Shtetas gjerman por hebre, Ainshtaini nuk do t’i kushtojë rëndësi përkatësisë fetare të tij, derisa në gjysmën e dytë të jetës, ndikuar edhe nga persekutimi masiv i hebrenjve në Europë, ai do të përqafojë sionizmin dhe do t’i përkushtohet kauzës izraelite për t’u tërhequr në një moment të mëvonshëm, për shkak të padrejtësive të kryera, ndaj popullit palestinez. I pëlqenin shumë femrat dhe në jetën e tij do të shfaqen të shumta, si për t’i qëndruar pranë në rolin e bashkëshortes, ashtu dhe të tjera si shoqëruese, me të cilat shkencëtari do të aventurohet, nën stilin e një jete bohemiane, ku pavarësia vetjake ishte gjëja më e shtrenjtë. Shumë social, por edhe i një ftohtësie të akullt, mes nevojës për ngrohtësi njerëzore, por edhe dëshirës së madhe për të qenë i vetmuar, karakteri i Ainshtainit do të përplaset shpesh gjatë jetës, në peripeci dhe aventura nga më të papriturat.
A ishte Ainshtaini një shkencëtar gjerman apo një hebre zvicerian? A beson në Zot, njeriu që zbuloi ligjet, me të cilat gjithësia funksionon? A ishte përveçse një mendje e akullt edhe një shpirt i pandjeshëm? Çfarë e çoi përveç, karpentierit që bie nga çatia, bojaxhiut që rrëzohet nga skeleria para dritares së tij, buburrecit qorr, maces që i shtien me barut, kovës me ujë që rrotullohet e të tjera, të formulojë teoritë më të mëdha të fizikës së të gjitha kohërave? A ishte një socialist dhe deri ku shkonte pacifizmi i tij? A do të kishte arritur Ainshtani në dy teoritë e tij të relativitetit, pa lexuar mendimet për këtë, të dy shkencëtarëve të tjerë, që i paraprinë përfundimeve të tij? A vepronte truri i Ainshtanit apo mendja e tij? Ka qenë logjika apo intuita, ajo që e shpuri në përfundimet gjeniale?
Këto janë disa prej pyetjeve kryesore që lexuesi do të arrijë të marrë nëpërmjet rreshtave të këtij libri. Nga një personazh në tjetrin, zbulohen kështu epoka të shumta, të ndodhura në kohë të ndryshme, të cilat në tërësinë e tyre, përbëjnë një ndihmesë modeste në dëshirën e njeriut drejt njohjes dhe diturisë, përmbajnë një analizë të thjeshtë, drejtuar një publiku të gjerë, dhënë me një shpjegim lehtësisht të kuptueshëm, mbi nocione të rëndësishme, por jo të ndërlikuara, që i përkasin shkencës, pikturës, muzikës, politikës, diplomacisë dhe historisë për t’i sjellë edhe tek një njohës fillestar, qartë dhe kuptueshëm. E të gjitha këto, duke i ndërthurur me detaje të jetës private të personazheve, me gëzimet dhe hidhërimet e tyre, nën synimin e gërshetimit të rrëfimit artistik, me koncepte të nevojshme për kulturën e pafundme të njohjes, si dhe bagazhin intelektual të lexuesit. Pyetjet e mësipërme, gjejnë përgjigje në kapitujt e librit, si nëpërmjet atyre direkte, ashtu dhe të shumë përgjigjeve që merren, nëpërmjet ndjesisë së shkaktuar nga leximi, ku qëllimisht, nuk kam dashur që të jem unë ai, i cili jep përgjigjen, por vetë lexuesi i vëmendshëm, me perceptimin dhe ndjesinë personale të tij. Përpjekja ime finale është, të sjell me këtë vëllim kënaqësinë e shkaktuar prej leximit, zgjerimin e horizontit të njohjes dhe mbi të gjitha, efektin e provokimit dhe të ngjalljes së fantazisë.
Dua të ritheksoj se përzgjedhja e këtyre jetëve legjendë është krejt rastësore, nisur nga ato çfarë kanë ngacmuar personin tim dhe më kanë bërë të reflektoj për jetën, në të gjitha ngjyrimet e saj duke u përpjekur, që nëpërmjet vlerësimit dhe kritikës mos të gjykoj. Elementët jetësorë privatë apo publikë, i kam sjell si një rrëfim, thjesht duke dhënë një opinion, parë nga një këndvështrim disi tjetër, nga sa mund të jetë folur për ta. Të gjithë këto personazhe, janë objekt i vazhdueshëm shkrimesh dhe librash, kështu do të jenë edhe në të ardhmen duke mbetur të pashlyeshëm, në memorien e gjatë të njerëzimit. Dhjetëra libra me biografi janë publikuar për secilin prej tyre, dhjetëra libra të tjerë të shkruar dhe botuar prej më të afërmve të tyre, familjarë apo bashkëpunëtorë, shërbyes apo asistentë qofshin, dëshmi e etjes dhe e kureshtjes së publikut botëror, për t’i njohur këta gjigantë duke mësuar më shumë për ta, për veprën dhe jetën e tyre.
Pikërisht, ky ka qenë edhe qëllimi i dëshirës sime, kur nisa të shkruaja këtë libër. T’i sjell lexuesit shqiptar, copëza që përbëjnë pjesë të rëndësishme, të trashëgimisë njerëzore, pushtuar nga dëshira për të kënaqur një mendje kozmopolite, në kërkim të kulturës dhe të erudicionit.
Nëse, sado pak do të kem arritur ta bëj këtë, mund të them se qëllimi im modest, është plotësuar tërësisht. Jetët e rrëfyera janë të jashtëzakonshme, magjepsëse dhe mbresëlënëse, por ajo çfarë nuk e di, është sesa i aftë jam treguar unë, për t’i shkruar këto jetë, në mënyrë që t’ia sjell publikut, me atë madhështi dhe atë ndjeshmëri të lartë që ato mbartin. Lexuesi, do të jetë dëshmia e gjallë e kësaj.

Pëllumb Xhufi : Sandwich (A është mirë me qenë shqiptar?). Mbi librin e ri të Mustafa Nanos

Kjo nuk është hera e parë që autori Mustafa Nano i largohet për një çast ujrave të ndenjura të gazetarisë e publicistikës shqiptare për të ndërmarrë udhëtimin e radhës nëpër kthinat e fshehta të historisë, kulturës e gjuhës shqipe. Albanologjia, me të vërtetat, dilemat, mitologjitë e me misteret e saj, duket se është pasioni i tij i viteve të pjekurisë. Sprovat e para të kësaj stine të re të krijimtarisë së tij Nano na i kishte dhënë që me botimin e librit “Unë jam gegë”, në vitin 2013, dhe të atij me titull “Pax Albanica”, më 1214.
Jo pa qëllim, autori ka zgjedhur një titull libertin e provokativ për librin më të fundit të tij, “Sandwich (A është mirë me qenë shqiptar?)”. Në fakt, mund të mos duket i gjetur titulli i këtij libri që rreket të trajtojë probleme të debatueshme të historisë, gjuhës e kulturës shqiptare, teksa bie në sy konfeksionimi i tij në një gjuhë dialektore anti-standard, fillimi i tij paradoksal me një fjalë të huaj të kulturës fast food dhe, mbi të gjitha, shtrimi në formën e një dileme shekspiriane i pyetjes “të jesh a të mos jesh…shqiptar”. Ky titull, i zgjedhur qëllimisht nga autori, rrezikon t’i tingëllojë antipatik e irritues lexuesit tradicional, që do të ndihej i fyer në qenien e tij shqiptare dhe në ndjenjat e bindjet e veta puritane mbi historinë, kulturën e gjuhën e popullit shqiptar. Por, pavarësisht titullit ekstravagant, çdo lexues që e njeh krijimtarinë e Mustafa Nanos mund të rri i qetë, se në rastin e këtij libri të ri nuk kemi të bëjmë me një “rrëshqitje” të autorit në pozita renegate, dhe as me një projekt të fshehtë për të çshenjtëruar a demontuar një lavdi kombëtare, siç është albanologjia.
Në fakt, qysh në faqet e para të librit bindesh se qëllimi i autorit nuk është edhe aq i keq. Ky ka zgjedhur të shpërfaqë përpara lexuesit faktet dhe ngjarjet më të rëndësishme e më gjurmëlënëse të historisë, gjuhës e kulturës shqiptare, duke ballafaquar dëshmitë dhe interpretimet e ndryshme e shpesh herë, nëpërmjet analizave të imta, duke artikuluar një qëndrim e vlerësim të vetin mbi to. Ah po, Nano e merr përsipër një mision “mohues”, madje edhe “destruktiv”, por ky është një mision fisnik, pasi ka të bëjë me demontimin e miteve, me rishikimin (revizionimin) e disa “të vërtetave të gjithëpranuara”, por që nuk i qëndrojnë kohës e i bëjnë dhunë të vërtetës. Sigurisht, shqyrtimi në mënyrë kritike i disa prej tezave kryesore të shkencave albanologjike, siç janë ato që kanë të bëjnë me origjinën e popullit shqiptar, me vazhdimësinë iliro-shqiptare, me marrëdhëniet e shqiptarëve me sllavët e me grekët, me gjuhën e kulturën e tyre, me procesin e islamizimit, me rolin e shqiptarëve në ngjarjet e mëdha politiko-ushtarake në rajonin e Ballkanit, etj., është një ndërmarrje që kërkon guxim, e guximi nuk i mungon opinionistit Mustafa Nano, njërit prej zërave të rrallë kritikë të gazetarisë shqiptare të periudhës së trazuar të tranzicionit post-komunist. Por, të flasësh për historinë, gjuhën, kulturën e shqiptarëve dhe vendin e tyre në kontekstin ballkanik, kërkon edhe dije të thella dhe duhet thënë, se shënimet e shumta në fund të faqeve të këtij libri janë aty për të dëshmuar se autori ka studjuar dhe është thelluar mjaft në problematikën rreth së cilës vërtiten hulumtimet, konstatimet dhe analizat e tij. Nano ka zgjedhur një gamë gjithpërfshirëse të literaturës bazë, ku bëjnë pjesë si autorë të konsideruar “filo-shqiptarë” të llojit G. Hahn, Fallmerayer e Durham, ashtu edhe autorë të stigmatizuar si “albanofobë” e deri “albanofagë” të tipit Pouqueville, Gjorgjeviq, Wilkinson, Mackenzie etj. Autori kalon sipër kësaj ndarjeje skematike, duke lexuar e vlerësuar gjithshka. Një qasje e tillë i mundëson në mjaft raste të japë vlerësime origjinale e të besueshme, sipas parimit të vjetër “e vërteta qëndron në mes” (in medium veritas).
Përsa i përket marrëdhënieve historike të shqiptarëve me fqinjët, Mustafa Nano është i bindur se një rishqyrtim objektiv do të sillte një çdramatizim e çtensionim të tyre në ditët e sotme. Vërtet, ai nuk lë, e nuk mund të lërë pa komentuar platformat nacionaliste e antishqiptare të fqinjëve, si “Megali Idenë” greke, apo “Naçertanjen” serbe të Ilia Garashaninit dhe elaboratin albanocid të Vasa Çubrilloviqit. Këto, dihet, u kthyen në ushqimin kryesor të politikave të Greqisë e Serbisë kundrejt Shqipërisë e shqiptarëve, duke prodhuar në terren ngjarje të përgjakshme, masakra e operacione masive të spastrimit etnik, më i fundit prej të cilëve ishte ai i viteve 1998-1999 në Kosovë. Nga ana tjetër, konstaton Nano, Greqia, vendi që para 200 vjetëve ishte më multietniku e multifetari në Ballkan, sot krenohet të paraqitet si vendi etnikisht e fetarisht “homogjen”. Gjë që nënkupton se në këta dy shekuj banorët shqiptarë, vllehë, turq, hebrej e sllavë të saj ose janë përzënë, ose janë greqizuar me dhunë, ose janë zhdukur. Megjithatë, autori konsideron se në një mjedis inkandeshent e skizofren, si ai ballkanik, shfaqjet e nacionalizmit duhen mbytur që në vezë, e në këtë kuptim ai nuk heziton të trajtojë me po aq dorë të rëndë edhe shfaqjet e interpretimit nacionalist të historisë tek shqiptarët, siç ishte edhe ajo tentativë e ndrojtur e vitit 1998, kur Akademia e Shkencave të Shqipërisë kuturisi të hartojë një platformë mbi zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare. Nisma është gjithsesi e kritikueshme, pavarësisht se platforma në fjalë e parashihte realizimin e idealit rilindas të bashkimit kombëtar në kuadrin e projektit evropian të integrimit, dhe aspak si një rezultat luftrash, dëbimesh e spastrimesh etnike.
Kështu, qëndrimet nacionaliste e ksenofobe, që ngrenë krye herë pas here në ligjërimin politik, në shtypin e shkruar apo edhe në veprat akademike gjejnë tek Mustafa Nano një kritik vigjilent e të pamëshirshëm. Në fund të fundit nuk duhej pritur ky libër për të njohur këtë anë të credo-s së tij. Në favor të saj flet veprimtaria më se 20 vjeçare prej gazetari e opinionisti të radhës së parë në betejat për të drejtat e njeriut e të minoriteteve, shembjen e barierave të dhunës e të urrejtjes, për një njohje e komunikim më të mirë, për paqe e mirkuptim mes popujve ballkanikë. Nuk është pa domethënie fakti që Mustafa Nano distancohet prerazi nga kori i intelektualëve hipokritë, kur guxon, si askush tjetër në këta 25 vjet lirie akademike e intelektuale, të kritikojë nervin antisllav të At Gjergj Fishtës në “Lahutën e Malcis”. Përballë vargjeve të poetit, vargje mjeshtërore, po ku janë tepër të ndezur tonet e ngjyrat e një armiqësie të hiperbolizuar e historikisht të papërligjur mes shqiptarëve e malazezëve, Mustafa Nano nuk përmbahet ta thotë açik mendimin e tij:“Vepra më e mirë e Fishtës meritonte një fabul më të denjë historike”.
Në të kundërtën, ai ndjek një tjetër linjë marrëdhënieje me fqinjët, duke kërkuar e duke evidentuar atë çka është pozitive, posaçërisht në marrëdhëniet e tyre me shqiptarët. Momente të shumta të historisë, të rindërtuara nga autori me citim të bollshëm dokumentash, kronikash bashkëkohore e historianësh me emër, flasin për bashkëjetesë normale e bashkëpunim deri edhe me serbët. Tregues i saj është ekzistenca shumëshekullore e një brezi të gjerë të simbiozës shqiptaro-serbe, që fillonte nga Bosnja, në veri, e përfundonte në Mal të Zi e Kosovë, në jug. Në enklava të veçanta të këtij brezi, vazhdojnë të ruhen edhe sot gjurmë të kësaj simbioze, pavarësisht politikave të homogjenizimit etnik të zbatuara me egërsi nga koha e krijimit të shtetit të pavarur serb. Në dy betejat e mëdha të Kosovës, atë të vitit 1389 e 1689, shqiptarët e serbët u ndodhën në një llogore kundër pushtuesit osman. Që nga koha e princit Dhimitër të Arbërit, më 1210, midis shtëpisë mbretërore serbe të Nemanjiqëve dhe princërve shqiptarë nga familjet Balsha, Kastrioti, etj. dëshmohen aleanca ushtarake, të sanksionuara edhe me lidhje krushqie. Akoma më të ngushta rezultojnë lidhjet mes shqiptarëve dhe malazezëve, të cilët autorë të ndryshëm, si kroati Milan Šufflay, anglezja Edith Durham e vetë malazezi Mark Milani, i nxjerrin me origjinë të përbashkët. Në të mirë e në të keq, në virtyt e në ves, shqiptarë e malazezë ngjajnë si dy pika uji. Jo më kot historia, letërsia e folklori i dy popujve rezervon konsiderata e vlerësime për njeri tjetrin. Nano na kujton se në “Kurorën e Maleve” të Petar Petroviq Njegoshit, për shqiptarët flitet përgjithësisht mirë. Në një prej këngëve të tij, tregohet se si Ivan Crnojeviqi, në vend të djalit të tij fytyrëprishur, dërgoi në Venedik një sozia shqiptar nga Ulqini, Gjuron, për të kërkuar dorën e vajzës së dogjit. Edhe vet At Gjergj Fishta, që inatin me sllavët e ka të madh, ndërsa derdh gjithë artin e pezmin e vet kundër “shkjajve” të knjaz Nikollës, nuk mund të bëjë pa shpenzuar ndonjë fjalë të mirë për “cernagorasin trim” e për Mark Milanin, “pikë e djalit”.
Nën dritën e bashkëjetesës e të bashkëpunimit i sheh autori i këtij libri edhe marrëdhëniet historike me fqinjët e jugut, me grekët. Emblematike e vendimtare për nga rëndësia ishte përfshirja e shqiptarëve në kryengritjen e madhe çlirimtare të vitit 1821, ku dhanë kontributin e tyre nga heronjtë e krishterë si Marko Boçari, Odise Andruco e Teodor Kollokotroni, e deri tek dinjitarë të shquar myslimanë, si Ali Pashë Tepelena, Ali Farmaqi e Abas Çami.
Duket se po shkojmë drejt pikturimit të një pejsazhi thuajse idilik marrëdhëniesh, i ndërtuar plot mjeshtëri por edhe me vërtetësi nga Mustafa Nano. Por është po ky që, kur kujtohet se është duke kapërcyer cakun e së lejueshmes e të besueshmes, nxiton të saktësojë se marrëdhëniet mes shqiptarëve e fqinjëve të tyre janë shenjuara edhe nga periudha ngërçi e konflikti. Masakra e vitit 1703 e ushtruar nga vladika i Malit të Zi, Danilo Petroviq, mbi myslimanët shqiptarë, dëbimet e dhunshme të popullsive shqiptare nga viset e Sanxhakut e të Nishit më 1877 apo rrethimi i Shkodrës më 1912-1913 janë disa prej episodeve, që dëshmojnë edhe anën tjetër të këtyre marrëdhënieve. Të cilave, në krahun jugor, iu përgjigjen dëshmitë lebetitëse të masakrave greke të vitit 1822 mbi ushtarët shqiptarë të garnizonit të Athinës, të vitit 1913 e 1914 mbi popullsitë shqiptare myslimanë të Janinës, Çamërisë e Toskërisë. Megjithë bonizmin metodik të tij, autori Nano nuk mund t’i vidhet të vërtetave historike, dhe prandaj nuk mund të rrijë dot pa kujtuar edhe gjëma e ploja të tilla, që rëndojnë jo pak në bilancin e marrëdhënieve të shqiptarëve me fqinjët e tyre, por që gjithsesi nuk e komprometojnë kuadrin e përgjithshëm dhe perspektivën e atyre marrëdhënieve. Autori konstaton drejt se jo rastësisht, ballafaqime të tilla mes popujve të kësaj ane të Ballkanit përkojnë me periudhën e lindjes së ideologjive kombëtare dhe me përpjekjet për krijimin e shteteve kombëtare. Dhe për popullin shqiptar rezultoi me pasoja fatale fakti që ai u paraqit në këtë fazë vendimtare të historisë së tij me një vonesë të theksuar historike, me ndarje të thella kulturore e fetare, pa unitetin e duhur moral e politik e pa aleatë të jashtëm. Nën kërcënimin e fqinjve grabitqarë e të protektorëve të tyre të mëdhenj në Evropë, shqiptarët u detyruan t’i bashkëngjiten Perandorisë Osmane e ta shoqërojnë atë në udhëtimin e mbramë, edhe pse kishin qenë ata që më shumë se çdo popull tjetër ishin përleshur e përgjakur me osmanët. Pikërisht këtë bashkëpunim të orëve të fundit u munduan të shfrytëzojnë fqinjët ballkanikë për t’u kërkuar Fuqive të Mëdha njohjen e territoreve shqiptare të pushtuara. Pa çka se, kishin qenë vetë ata, serbët, bullgarët e grekët, që e kishin shtruar rrugën e bashkëpunimit me turqit osmanë qysh kur këta u hodhën për herë të parë në kontinentin evropian, në fund të shek. XIV.
Si për të rivendosur një ekuilibër, që ai e konsideron të prishur në lëmin e studimeve albanologjike, Nano gjen mjaft raste për të kritikuar qëndrimet “politikisht korrekte”, por “shkencërisht hipokrite” të studjuesve shqiptarë, që ndonjëherë ia nënshtrojnë të vërtetën shkencore një utilitarizmi kinse patriotik. Këtu përfshihen studjuesit, që, siç shprehet Nano, “nuk u rezistojnë dot ngasjeve për të nxjerrë në pah madhështinë putative të kombit apo për të provuar me hir a me pahir autoktoninë e tij”! Makar duke e shtyrë këtë autoktoni deri në kohët e mjegullta pellazgjike. Me të njëjtin nerv kritik, autori fshikullon atë që ai e quan “garë qesharake e absurde mes historiografisë serbe e asaj shqiptare për të hipotekuar një personazh imagjinar”, siç është Milosh Kopiliqi, vrasësi i Sulltan Muratit I në Betejën e Kosovës, më 1389, që fanepset në këngët epike sa të serbëve aq edhe të shqiptarëve. Jo shumë larg, por 2-3 dekada më parë, pikërisht kur çështja e statusit të Kosovës hyri në fazën e saj përmbyllëse, studjues serbë e shqiptarë u stërmunduan në konferenca e botime të posaçme, ku “përvetësimi” i figurës fantazmagorike të Milosh Kopiliqit mori vlerën e një hipoteke historike të shqiptarëve apo të serbëve mbi Kosovën. Me të njëjtin skepsis vlerëson Mustafa Nano edhe versionet serbe e shqiptare të një tjetër ngjarjeje historike, luftës austro-turke të vitit 1689 në Kosovë. Edhe kjo, falë artit të engineering-ut, u shndërrua nga këta historianë në arsyen e të qenit, serbe apo shqiptare, të Kosovës. Me një bezdi gati fiziologjike, dhe duke u mbështetur në autorë të mirënjohur e “asnjanës” të kalibrit të Noel Malcolmit, Nano përpiqet të ndërtojë të vërtetën e asaj ngjarjeje reale, e cila, sipas tij, nuk qëndron me historianët serbë, të cilët pretendojnë se në përfundim të luftrave austro-turke të atij viti, territori i Kosovës u zbraz nga popullsitë serbe, për t’u mbushur më vonë me popullsi shqiptare. Por po aq fantastik i duket Nanos edhe interpretimi i ngjarjeve në fjalë nga ndonjë studjues shqiptar, sipas të cilit e gjithë popullsia shqiptare e Kosovës, si ajo e krishterë, ashtu edhe ajo myslimane, u rreshtua gjatë atij konflikti në krahun e ushtrive austriake e, për rrjedhojë, pas thyerjes së këtyre të fundit, një pjesë shumë e madhe e saj e braktisi Kosovën. Por, pavarësisht këtij eksodi, Kosova mbeti e banuar dëndur nga shqiptarët, gjë që lë të nënkuptohet, se ky vend ishte shqiptar deri në palcë!
Duket qartë, pra, se me përjashtim të një autoriteti shkencor, si E. Çabej, të njohur e të vlerësuar ndërkombëtarisht për akribinë e integritetin e tij shkencor, Mustafa Nano nuk ushqen ndonjë konsideratë kushediçfarë për studjuesit shqiptarë. Kjo e bën të sikletshëm pozicionin e autorit të këtyre radhëve, të cilit i është dashur të komentojë një vepër, sigurisht të guximshme, të argumentuar e solide, duke patur edhe ndonjë mendim a interpretim të ndryshëm mbi faktet e ngjarjet e përshkruara aty. Por me Muçin është kënaqësi e pasurim intelektual të ballafaqohesh, e këtë do ta bëjmë me kënaqësi edhe më tej. Për momentin do donim të nënvizonim edhe njëherë se me këtë “zhytje” të fundit në albanologji, Mustafa Nano i ka sjellë publikut të gjerë një paraqitje kritike të problematikës bazë të shkencave që trajtojnë historinë e kulturën e popullit shqiptar. Faktet e shumta, të përzgjedhura posaçërisht për të lënë gjurmë tek lexuesi, si dhe stili dinamik, prodhon tek ky i fundit adrenalinën e nevojshme për të ndjekur syhapur e me interes shtjellimin e çështjeve të ndërlikuara, gjë që nuk arrin ta bëjë gjuha e ftohtë, e mbingarkuar dhe e lodhshme e një studjuesi të mirëfilltë. Përcjellja e një problematike rigorozisht shkencore nga mjediset akademike tek lexuesi i zakonshëm është, edhe ky, një ushtrim i jashtëzakonshëm intelektual dhe një mision, që vetëm pena të ditura e të stërvitura, si ajo e Mustafa Nanos, mund ta kryejnë siç duhet.
(Parathënie që shoqëron botimin e librit)

Nga MARTA MUÇO : Romani i fundit i Betim Muços

Libri që po merrni në duar u shkrua në gjysmën e dytë të vitit 2014 dhe deri në 14 Janar 2015. Betim Muço kishte kohë që përtypte lëndën e pare të narracionit në mendjen e tij.
Ishte një përsiatje e gjatë që fillonte nga historitë e mbledhura me dashuri nga burimi i pashtershëm i gjyshes së tij dhe rrënjët në Përmetin e largët, ëndrrat e tij për astronominë dhe yjet e deri te vëzhgimet e udhëtimet e pafundme profesionale që ai kishte pasur gjatë dhjetë viteve të para të tranzicionit shqiptar nëpër Europë e më tej.
Unë pata fatin të vështroja nga afër procesin e vështirë dhe sublim të krijimit të këtij libri që për fat të keq autori nuk arriti të vinte pikën e fundit me dorën e tij.
Megjithatë romani “Yjet janë fare pranë” mund të quhet i mbaruar jo vetëm për faktin se vetëm pak faqe të fundit mungojnë, por sepse tashmë nga lënda e paraqitur në 11 kapitujt dhe letrat shoqëruese drejtuar Hamletit del qartë fundi i menduar nga autori si dhe mesazhet që ai përcjell.
Ajo çka e bën këtë libër veçanërisht të dashur për mua është fakti se Betimi punoi në të deri në momentin e fundit të jetës së tij, deri vetëm pak orë përpara se të ndahej nga jeta, dhe unë kam gjithnjë përshtypjen se aty midis rreshtave është fryma e tij e fundit, mendimi i tij i fundit. Ai e punoi romanin në një pjesë të mirë të tij në Sarandë, ku ai qëndroi i ngujuar për dy muaj në apartamentin tonë veror të vogël buzëdetit, në një mjedis që gjithmonë i kishte ngjallur atij frymëzim dhe dëshirë për jetën, frymëzim dhe këmbëngulje për të punuar.
Një nga gjetjet më të goditura të romanit për mua mbetet përcjellja e jetëve paralele të njerëzve në situata të ngjashme tranzicioni dhe transformimesh të thella. Pavarësisht ku ndodhet njeriu dhe roli që gjeografia ka në të, rrethanat jetësore e bëjnë njohjen, vuajtjen, dashurinë dhe dështimin universal pa kufij vendesh e popujsh. Koncepti pannjerëzor i ndryshimeve në karakterin e njerëzve në funksion të ngjarjeve të mëdha të kohërave të ndryshme ku ata jetojnë, sikurse ishte zëvendësimi i një sistemi ekonomik e shoqëror të dështuar me një sistem të ndryshëm që sillte shpresë dhe entuziazëm, por që shoqërohej pashmangmërisht nga zhgënjime dhe transformime në natyrën njerëzore, është thelbi i romanit.
Pavarësisht kushteve ekonomike dhe shoqërore që qëndrojnë në formimin e tyre jetësor, Dritani një profesionist i shkëlqyer që vjen nga një vend i vogël si Shqipëria dhe konkurron suksesshëm në një vend të madh e të zhvilluar, Juri një shkencëtar i talentuar që vjen nga një vend i madh, por që kalon pjesën kryesore të jetës së tij në përvojat e ashpra të ndryshimeve dhe transformim të sistemeve, paraqiten në roman si qenie të afërta njerëzore që vuajnë, kuptohen dhe zhgënjehen në mënyra të ndryshme por që kanë një ndikim të krahasueshëm në karakterin dhe jetën e tyre të përditshme.
Jetët paralele të tyre, një familje që reflekton tranzicionin në Shqipëri me një familje që vuan rrethana të vështira prej të njëjtit ndryshim socio-ekonomik në Rusi, plotësojnë atë brumë jetësor që e bëjnë epokën e përshkruar në roman universale dhe të aplikuar pavarësisht kufijve gjeografikë të ngjarjeve.

Shkrimtari Betim Muço me regjisorin Mevlan Shanaj

Dhe sigurisht njerëzit vijnë në këtë ngjarje nga rrethana të caktuara. Brumi njerëzor i formimit të shkencëtarit shqiptar është i pasur me doke e zakone karakteristike që vijnë nga e kaluara e largët e jugut të Shqipërisë dhe që e bëjnë personazhin kryesor kompleks dhe interesant. Ai është produkt i një historie që vjen pjesërisht nga zonat rurale, në të kundërt të personazhit tjetër i cili vjen nga një familje urbane në Rusi. Dhe përsëri jetët e tyre paralele dhe psikika e transformimeve janë kaq të ngjashme.
Një element i dashur i autorit i përdorur gjerësisht në roman është astrofizika. Ky element e bën librin qiellor dhe e vendos atë në një tjetër plan. Diskutimet e tij mbi yjet dhe paralelizmat që krijohen nga përshkrimet e punës së njërit nga personazhet në observatorin e kërkimeve të astrofizikës janë një nga elementet e veçanta të romanit. Njohuritë e thella të Betimit në këtë fushë i dhanë atij një platformë unikale diskutimi të vetë jetës njerëzore duke kombinuar elementët yllorë, natyrën me të papriturat e zbulimeve të saj me natyrën njerëzore, përpëlitjet, pasiguritë dhe njëkohësisht dashurinë, si ndjenja më e fortë e sublime e njeriut.
Një nga preferencat e mia në gjetjet letrare e autorit është bashkëbisedimi i njërit nga heronjtë me Hamletin. Ky element letrar e përshkon gjithë romanin në formën e letrave që ai zgjedh ti shkruajë Hamletit, heroit të përjetshëm tragjik shekspirian që simbolizon ndershmërinë, dashurinë, besnikërinë dhe integritetin e njeriut në një kontekst të vështirë e të trishtuar psikologjik. Nga pikëpamja letrare bashkëbisedimi i përsëritur i autorit me lexuesin nëpërmjet letrave është një element i përdorur me sukses nga autori edhe më parë në formën e këngëve midis kapitujve në romanin e tij “Gjurma e vetëtimës “ kushtuar vrasjes tragjike të Isa Boletinit. Mbase këto letra te “Yjet janë fare pranë” janë nga përsiatjet më filozofike të Betimit në roman. Nga ana tjetër ato përshkruajnë edhe njëherë me realizëm të thellë tragjeditë dhe dashurinë njerëzore pavarësisht kohës dhe vendit.
Për një koincidencë të dhimbshme rrethanat e hapjes së romanit janë shumë të prekshme për mua. Njeriu që shpëtoi doktori nga vdekja po luftonte pikërisht me diagnozën e vdekjes së Betimit. Monologu i tij për jetën, sa delikate është ajo dhe sa pak e vlerësojmë kur e kemi, tingëllon e shkruar sa për veten e tij dhe për ditët e fundit të Betimit aq edhe për të gjithë njerëzit.
Me të vetmin ndryshim që heroi i tij e shpëtoi pacientin por Betim Muço nuk e pati atë fat. Dhe mua më duket vazhdimisht sikur mi thotë ato fjalë në vesh: jeta është delikate, mos e keqpërdor atë! Ngushëllimi ynë i vetëm, imi dhe i fëmijëve të mi, është ky libër i mrekullueshëm që ai na la para se të ndahej nga ne, që me gjithë kompleksitetin dhe trishtimin që e përshkon është një këngë e bukur për dashurinë njerëzore. Kjo na bëri ne të vendosim ta ndajmë atë me të gjithë ju.

Isuf Luzaj : Çfarë është poezia?


A ekziston një art që quhet poezi?

Në se ekziston ky art, përse shërben?

Poezia është shpikja e parë, pas shpikjes së gjuhës që e dalloi njeriun nga kafsha. Ajo, në fillim qe shprehja e dhembjes shpirtërore, kur qau për vdekjen e ç’do të dashuri: ati, nëna, djali, bija, motra, vëllai, burri, i fejuari e kështu tutje.
Në agim të njerëzimit
Poezia lindi si këngë vajtimi; më vonë këngë gëzimi, pastaj këngë admirimi i ç’do bukurie; natyra, kafsha dhe femra. Kur lindën dhe u zhvilluan njerëzit e një qytetërimi që njohim, poezia zuri vendin e parë në shprehjen e shpirtit me emër Besë. Ajo fillon që me Konfuzin, Budën, Krishtin, Muhamedin e të tjerë, për të afruar njeriun me Perëndinë.
Shumica e lëndës së të katër Ungjijve dhe tërësia e Kuranit, janë poezi.
Më vonë në Mesjetën Judeo – Kristiane dhe shkëlqimet e sajë me poetët viganë që kemi përmendur më lartë.
Rilindja italiane e ngriti poezinë në kulmin e skeletit të shpirtit, sa që u bë gjuha e shenjtë e Poetëve.
Sa më shumë përparoi poezia, aq më shumë filloi t’i largohej mendimit shkencor sa që sot do të ish qesharake të gjejmë poezinë në shkencat moderne.
Kalkuli, Diferenciali, Integrali dhe kompjuteri, u ngritën armiq të poezisë. Mirëpo, sa më shumë u zgjua lumi i konfliktit në mes të shkencës e të arteve, aq më shumë mori fuqi poezia për jetën shpirtërore që shkencat kërkojnë ta sakrifikojnë.
Poezia e bëri ç’do të vërtetë shkencore më të bukur e më të dëshirueshme nga ç’do ndërgjegje e hollë. E vërteta që shpreh poeti, është më e dashuruar se po ajo e vërtetë që shpreh shkencëtari si laboratori farmakologjik, mikroskopi dhe teleskopi i universit. Poeti i jep njerëzimit, cilësitë e eksperiencës në lartësinë e ndërgjegjes së ndritur. Të shohë njeriu që di të shohë, një trup femre, mbi një tryezë të DISEKACIONIT, ku e ndarë në copa, studiohet: stomatologjia, anatomia, biologjia e femrës me funksionet e mrekullueshëm, që kur konceptohet Qenia si xhin – embrion d.n.a = Dioxido Nitro Riboflavin Acid, shkëndija e parë e jetës organike, kimikisht, kjo panoramë e brendësirës së nënës është poezia më e lartë që shkenca ja dhuron artit divin. Poezia meriton këtë emër kur ajo na rrënqeth, na ngre në sfera të larta të ndjenjës duke na bërë për vete, saqë kur e mbarojmë s’të lexuari, na duket sikur zgjohem nga një ëndërr ekstazë e një pas dreke vere.
Poezia është antiteza e së Vërtetës, e cila nuk ka simpati me fantazmat; poezia është ajka e shijimeve ashtu si Pasioni është ajka e ndjenjës morale dhe e Vërteta me intelektin; e vërteta dhe pasioni janë janë shumë rrallë të arritshme në prozë.
Në qoftë se ata janë të ndërhyrë në poezi është sepse ata do të shërbejnë si shkëlqim dritë – dhënës ose ndihmë efektit të përgjithshëm siç bën dezakordi në muzikë për kontrast. Dikush tha që një poemë, nuk ka nevojë të domosdoshme të jetë i gjithë poezi dhe Croce e pranon që pasioni dhe e vërteta duhet të jetë frytdhënëse kur ndërhyjnë në një POEMË, porse mendimi i tija arrin në konkluzionin që sa më shumë një poet të mundë të harmonizojë hartimet e tija aqë më i mirë do jetë prodhimi i tija.
Sigurisht ky është konkluzioni që mendja moderne e pranoi dhe e vendosi: “Po qe’ një gjë e pastër, na bind e na fisnikëron pra, na e duam atë.”
Kur poeti i mbarsur nga emocioni, nga bukuria nga dashuria, po njëlloj nga dhembja, vetmia, tragjedia, deziluzione të tjera ndjenja, vihet të shkruajë një poemë, qoftë ai poet mistik si Danti, i pasionuar si Lamartini, Miltoni ose Leopardi, ose qoftë materialist si Omar Khajami; i pasionuar si Hafiz Sherarxhiu; sensual si Ibrahim Ibn Hamurrabiu; i dëshpëruar si Jorge Luis Borges;realist si Frostu ose Witmani, cilido nga këta yje të shpirtit fisnik, kur filloi të shkruaj vargun e parë, sigurisht që tha lutjen: “Oh Zot, nëm mundësinë të ngjitem në eksperiencën fetare më të lartë, një bashkim mistik me Unin time.” Si konditë e këtij bashkimi, shpirti duhet të kalojë nëpërmjet një periudhe të errësirës dhe dhembjeje për arritur të krasisë ferrat dhe drizat e qenies lëndore, për t’u ngjitur në sferat qiellore.
Këtë varietet të poezisë së pastër, guxoj ta quaj eliptike ashtu si shumë mendimtarë të shekullit tonë e kanë quajtur metafizike sepse i shpëton sferës së filozofisë. Për lexonjësin e zakonshëm karakteristika e parë e kësaj lloj poezie, nuk është natyra e imagjinacionit porse errësira e sajë; është nevojë urgjente me i shtue asaj; shembullin praktik rrëqethës që ndriçon enigmën.
Poezia e pastër qoftë përfytyronjëse ose eliptike, vjen në qenie si një shprehje e sinqertë e sensibilitetit, prandaj e rrënqeth dhe e magjeps njeriun në një ideal mbi njerëzor. Si shembull më komplet të kësaj lloj poezie do të zgjidhja Leopardin, Jorge Lui Borgesin, dhe më ngopës i dashurive fisnike Hafiz Shirarzhine, në poemat e Kopshtit të Nirvanës të mbretit Shena– Sheribit, ose Trëndafilishta – Gjylistani, I Sheh Sadiut, përkthyer në shqip nga Hafiz Ali Koca. Doktrina e poezisë së pastër d.m.th thjesht poezi, është pa dyshim Teoria e Poezisë. Askush nuk mund të përkufizojë poezinë pa e përdorur konceptin, qoftë i ndërgjegjshëm ose jo, stilisti.
Porse duhet shënuar që poezi e pastër, është si lëndët kimike është imagjinare ose ideale. Ajo i përket lëndës së teorisë. Është aq e pamundur me shkruar një poemë të pastër, vetëm poezi, sa ç’është e pamundur me prodhuar një element të pastër kimik. Pyetja është: si duhet të jetë në të vërtetë, sa i pastër duhet të jetë poema?
Si poetët kur shkruajnë poemat, ashtu dhe kritikët duke kritikuar poemat, nuk duhet të kujdesohen shumë me teorinë. A mund të kërkojmë nga poetët, të jenë të ndryshëm nga ç’janë, porse as mundemi na t’i shtrëngojmë atë të jenë Ata’ vetë = uneja e tyre pa u impresionuar nga ambienti, nënë një tirani tragjike të jenë optimistë, të lumtur?
Poetët mund të jenë të errët, për natyrën e humorit të tyre, po a mund t’u themi atyre: ju falemi nderit megjithëse jeni të errët, porse u lutemi mos jini më të errët? Poezia didaktike shumë herë është shkruar prozaike dhe mërzitëse, po a mund të kërkojmë nga poeti: të jetë më optimist, përpara degjenerimit të vlerave morale?
Konditat e një poezie të pastër duhet të jenë: pasqyrat e një shpirti të pastër që mundohet të shprehë sa më sinqerisht, sa më vërtetësish, sa më ethurisht mendimet – ndjenja të tija që të na bëjë të jetojmë në sferën e tija fisnike.
Po qau poeti duke shkruar poemën, është e mundur të qajë lexuesi i mësuar duke e lexuar poezinë: artin e parë të njeriut, me frymëzim qiellor. Bota është plot me poezi; ajri jeton me shpirtin e sajë: valët e lumit rrëmbejnë ç’do gjë me vrullin e sajë, valët e detit tregojnë perseverancën, fuqinë, qetësinë dhe egërsinë e tyre; shpendët këndojnë me fjalë të tyre bukurinë e natyrës; pëllumbat e Shën Markut puthen me frazën e atijë dhe fluturojnë në çifte dy nga dy për të bërë dashuri në çerdhet e tyre; agimi mbi liqerin e Miçiganit, ose në liqerin e New Hampshirit është poezi; perëndimi i diellit në lulishten e Kalkutës, në Alaskë si dhe në Pashalimanin e Vlorës, është poezi, bukuria e femrës si në natyrë të gjallë, në stanet e Labërisë ose në klasat e shkollave të Amerikës; në metropole si në fshatra të vetmuar; në Kisha, xhami, sinagogë, si dhe në Muzeun e Prados, Eva e Durerit, janë poezi e gjallë që i jepë kripë shijim kësaj jetë që është aq gënjeshtare sa ëndërronjëse aqë absurde.

Alda Bardhyli : Të takosh Sarën



Kur Ahmet Zogu e pa për herë të parë Sara Blloshmin e ndjeu se ky nuk mund të ishte thjesht një takim. Teksa ajo lëvizte lehtë, me trupin e saj elegant nën një fustan mbrëmjeve gjithë perla e kristale ai e kuptoi se ajo çfarë flitej për bukurinë e saj hyjnore, nuk ishte thjesht një fantazi e ndezur meshkujsh të padalë. Ajo mbrëmje plot erë, në Tiranën e viteve 30-të, do të ndryshonte përgjithmonë diçka, në jetën e burrit më të rëndësishëm të vendit. Prej asaj mbrëmjeje ai nuk do të ishte më i qetë…”Ti banon në brendësinë time, në thellime të zemrës, si shpirti që trupin banon”. Këto vargje mund ta vizatonin më mirë një burrë të pushtuar nga një grua. Por mendimet e saj përshkonin varka të errëta, dhe ashtu si sekreti i lojës së tenisit, dhe në dashuri, pushteti ndaj tjetrit qëndron tek fshehja e dashurisë. Në historinë e letërsisë bashkëkohore shqipe, Sara Blloshmi, gruaja e marrë nga një kënd i historisë është padyshim një nga personazhet më interesantë. Ajo nuk është një krijim në laboratorin e mistershëm të fantazisë së shkrimtarit, as një grishje e beftë teksa ai u ul të shkruante një libër, por një personazh real, historitë e së cilës për vite me radhë vijojnë të tregohen heshturazi sa herë flitet për jetën private të Ahmet Zogut, apo e mbetur në rafte të rënda arkivash. Në një vend ku historia vijon të jetë një keqkuptim, ajo do të ishte ende në biseda kafenesh nëse Alfred Peza nuk do t’i jepte asaj jetën e përjetshme, që ta japin vetëm librat. Por…unë nuk do të doja ta humbja takimin me Sarën. Është e jashtëzakonshme aftësia e saj, dhe atëherë kur është thjesht një personazh, apo se si një femër shqiptare para Luftës së Dytë Botërore të komunikoj lehtë me një lexuese të shekullit të XXI. Sesi kohët fashiten teksa endesh jetës së saj aspak të lehtë, për të kuptuar një traditë të heshtur të emancipimit të mendimit femëror shqiptar. Sarah që historia ashtu si komunizmi e flaku në harresë, është liria e konfiguruar herët në kulturën tonë, është Europa e hershme brenda nesh. Sarën mund ta takoni tek romani me të njëjtin emër “Sarah” me autor Alfred Pezën, botimet “Mapoedition”. Një roman ku Peza debuton për herë të parë në lëmin e letërsisë, por që tregon një ngjizje të hershme të tij me letrat. Rreth 400 faqe libër mund të lexohen ndoshta dhe në një mbrëmje…Libri nis me zemërimin e Ahmet Zogut, ndaj një femre e cila kishte vallëzuar në një mbrëmje në ambasadën amerikane në Tiranë, pa e ditur se ky vallëzim dhe kjo femër do të luanin një rol të rëndësishëm jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por dhe në jetën e tij. Shpesh shkrimtarët që marrin subjektet e tyre nga historitë reale, bien në kurthin e historisë, por Peza ka arritur ta shmangë lehtësisht këtë kurth, duke e bërë një subjekt që noton në ujëra letrare. Peza është kujdesur të sjellë një tablo të vërtetë të atyre viteve, duke u veshur personazheve kostumin e kohës. Libri përshkohet nga një intensitet ngjarjesh me në qendër historinë e dashurisë së Mbretit Zog me Sara Blloshmin. Në asnjë libër figura e Mbretit Zog, nuk lartësohet kaq shumë, sa në qëndrimin që ai mban ndaj kësaj gruaje. Peza e bën leximin të mos ndjehet, ndërsa kërkon t’i shkosh deri në fund një rrëfimi plot mister. Faik Konica, një tjetër personazh real na shfaqet në libër si rivali i Ahmet Zogut, por jo për pushtetin, por për një grua. Si një njeri i rritur me shkrimin, Konica e dinte se nuk mund ta fitonte asnjëherë flirtin me një grua që mjeshtërisht luante tenis. Ashtu siç godiste me raketa topat në fushën e blertë, aq lehtësisht ajo kishte goditur zemrën e tij me një shikim. Por nuk është vetëm romanca ajo çfarë e bën grishës këtë histori që na vjen nga vitet 30-të, por dhe mënyra sesi autori na e tregon historinë… Një histori që do të lejë përgjithmonë tek ty, aromën e parfumit të Sarës…

nga Arb Elo : Shi dhe qelq



Shkakësia si e tillë e bën vetiu thuajse të pamundur tejkalimin e subjektit nga përshkrimi i këtij, aq më tepër kur bëhet fjalë për qëmtimin e së bukurës.

Rrallëherë ndodh që përshkrimi i së bukurës,- i cili tekembramja mëton ta shpjegojë atë, të hedhë dritë në fshehtësinë që bukuria sidoqoftë është dhe do të mbetet për nga përkufizimi aksiomatik estetik edhe paskëtaj, – të jetë edhe ai po aq i bukur sa çka e ka shkaktuar atë vetë, qëmtimin; rrallëherë ndodh që pasoja të jetë po aq e bukur sa shkaku i asaj vetë pra.

Edhe më rrallë akoma ndodh që kjo të jetë më e bukur se shkaku, se pikënisja e vetes, se burimi prej nga dalë,- i cili është edhe ai mister aksiomatik, në mos sekreti më i madh në varganin e pafund shkak-pasojë,- të karmës, do të shtonte ndoshta këtu një budist; të evolucionit, do ia priste ndonjë darvinist; të energjisë një fizikan.

Fillesa, Hyji, Edeni, foshnjat, këlyshët, virgjëria, e me radhë,- sjellin me vete cilësinë e të qenit të papërlyera nga pikërisht ky zinxhir, herë i artë e herë i rëndë, robërues,- karmik a për mbijetesë qoftë,- duke qenë në të njëjtën kohë edhe parashkaku, si të thuash, i cili, meqenëse nuk i nënshtrohet kësaj ligjësie universale, është kësisoj i çliruar prej peshës së rëndë të fajit potencial që e pason; fillesa identifikohet më së shumti me esencën e së bukurës,- arketip ky elementar i një tjetri syresh misterioz, që është e bukura vetë pra. Mund të krahasohej kjo më sipër me hulumtimin e një luleje diku në botë, bie fjala, prej nga e ka fillesën parfumi që ka përdorur një grua e bukur,- shkurt: i pamundur dhe përunjës për këdo.



E parashtrova këtë hyrje lodhëse për të patur në një farë mënyre një alibi për paradoksin e pafuqisë dhe nënshtrimit që përjeton kushdo që merr përsipër kryqin e kritikut, analistit, ciceronit; llafazanit pra, që kuturiset të përshkruajë diç të bukur, ndërkohë që kjo rri fare mirë edhe vetëm e ashtu siç është e jo vetëm që nuk e ka të nevojshme gjithë këtë, porse edhe e poshtëron pikërisht me cilësinë që mëton të përshkruhet përshkrimin vetë.

Veç në qoftë se vetë përshkrimi është po aq i bukur sa ajo vetë ose,- për të qenë më pak të rreptë,- i qaset asaj me këtë synim; i dërgon një lule, si të thuash, nëse të bukurën e përfytyrojmë si një diva opere, ta zemë.

Dua të them se për mua të shkruarit për letërsinë, kritika letrare, duhet të jetë, në mos e bukur vetë, të paktën tërheqëse; shpresoj që radhët që vijojnë të jenë të tilla, përndryshe do të më duhej të kërkoja ndjesë qysh tani për fëlligështinë e ndërmarrjes, pa i shkruar ato akoma. Aq më tepër që subjekti i saj është fort eterik: një vjershë, brishtësia e një tille mund të tejkalohej vetëm nga ajo e muzikës,- apo dhe vesës ndoshta.

Gruaja e bukur në këtë rast nuk është e rritur; është vajzë e vogël pra. Si i bëhet t’ia përshkruajmë bukurinë pa e rënduar me fjalë? Duke shpresuar që qenkësh ashtu mbase; tjetër nuk mbetet. Besë, dashuri e shpresë, thoshte shën Pali; ja që nganjëherë nuk i bëhet ndryshe, edhe po të duash, e të duhet një shtysë thuajse fetare, pasi shpesh të ngjan se e bukura dhe parajsa janë, tek e fundit, e njëjta gjë.

Çështje besimi është edhe dobia e së bukurës, pasi është e pavërtetueshme, mu si efekti i njohur shkencërisht i placebo–ve,- dobia e tyre është po ashtu e pavërtetueshme dot rrokshëm. Porse e qëmtueshme, së pari tek efekti që na bën vetë, e kjo na e ushqen shpresën se kushedi ajo shtojzovalle e parritur na lejon, duke bërë sikur nuk na vë re, ndokur t’i hedhim ndonjë sy kur lahet, ndërsa besimi na duhet këtu për të na çliruar nga iluzioni i kotësisë së kësaj përçapjeje.

Me një fjalë, shkruesi i këtyre radhëve nuk beson se mahnitja na ndodh kot. Këtë nuk e vërteton dot; këtë tjetri duhet t’ia pranojë si të dhënë, si aksiomë, përndryshe nuk do të kishte pse të lexonte më tutje.

Ai, unë, beson, besoj se një hit si „Imagine“ i Xhon Lenonit, sa për të marrë një shembull, duhet të ketë diçka të bukur në vetvete, përndryshe nuk mund të shpjegohej efekti,- impakti, si ç’quhet së fundmi rëndom,- te publiku dhe kritika muzikore, pavarësisht se mund të silleshin të tjerë shembuj të këqij për të ilustruar shijen e turmave apo edhe të kinse ekspertëve. Ultima ratio e kësaj plekseje mbetet, në fund të fundit, veç qëmtimi i këtij efekti, impakti, në vetvete, në qenien e pëlqyesit e ndaj edhe qëmtimet që vijojnë nuk kanë se si të mos jenë të tilla, thellësisht personale e për pasojë, po aq thellësisht subjektive.

Nëse për lirikën shqiptare mund të përdorej koncepti i hit-it si i tillë, pak poezi kanë patur fatin e asaj njohjeje masive, të asaj dashamirësie të dhuruar nga lexuesi, të atij mirëkuptimi të çuditshëm prej tij, janë pranuar aq vetëkuptueshëm e aq natyrshëm nga ky dhe kritika letrare, sa poezia „Mall“ e I. Kadaresë. Pse vallë?

Pse kjo vjershë me vetëm pak strofa, në dukje fort e thjeshtë dhe e brishtë,- me të gjithë përbërësit potencialë të kitsch-it patetik të vargjeve që shkruajnë gjimnazistët/et: mall, shi, ylberë, lejlekë, etj., porse edhe me po ata elementë që e kanë bërë filozofinë e vjetër greke të jetë ajo që është: ujë, ψυχή (psike), πάθος (pasion) dhe „të errëtin“, Heraklitin, dora vetë, nga ana tjetër,- citohet në krye të çdo renditjeje të poetikës së autorit dhe zë vende parësore në antologjitë (klasifikimet, hit-parade-at) e poezisë shqiptare?

Jo më kot e kjo është paradigma e kësaj vramendjeje, e kësaj përsiatjeje.

Le ta shohim ca më nga afër:

Ca pika shiu ranë mbi qelq.

Për ty unë befas ndjeva mall.

Heroi lirik befas ndien mall, pasi kanë rënë ca pika shi mbi qelq. Në vetëdijen e tij malli ndodh papritur, pa e pritur këtë, Mirëpo është njëkohësisht e pritshme rënia e pikave në qelq, cili i pret edhe në një rrafsh tjetër ato, duke i mbajtur. Befas dhe papritur nuk janë sinonime këtu; malli pritej që të ndodhte, pritet me horizontin e ngjarjes, por ai ndodh befas, paparashikueshëm, mu sikurse prognoza e motit, ku pritet të bjerë shi, por nuk dihet kur e ku saktësisht na gjen ky, na gjen gjithnjë befas, pikëprerja me të është e beftë.

Uni lirik, ashtu si pikat e shiut, bie në mall befas mu si ato mbi qelq; e gjitha kjo shoqërohet a paraprihet nga e papërcaktueshmja ca, ca pika…; edhe uni është i tillë, i papërcaktueshëm sikurse shiu. E përkthyer kësisoj kokëposhtë, hyrja mund edhe të lexohej edhe kështu:

Ca pika mall ranë në mua.

Shiun befas ndieu qelqi.

Të përligjur do të ndieheshim deri diku këtu (në këtë sakrilegj duhet thënë, të të bërit rrëmujë të rendit poetik të vjershës, por vetëm përkohësisht dhe për arsye analitike, nga dashuria për artin, siç i thonë), do të ndiheshim nga vetë autori, i cili në strofën e fundit e përshkruan sërish rënien e dyfishtë në mallin si ëndërr kësaj here, në qelqet që turbullohen prej këtij shiu, të unit lirik dhe të përmallurës prej tij:

Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq,

Që dot s’po zgjohemi ne vallë ?…

Uni si qelq dhe malli si shi që përjetohet nga i pari si rënie e këtij mbi të.

Nëse në rastin e shiut që bie rënia ngjan e natyrshme dhe e përkufizuar nga gjuha, nuk ndodh e njëjta gjë me raportin e përjetimit dhe unit. Për sa kohë nuk e dimë me saktësi se ç’qenkësh uni, lirik a filozofik qoftë, nuk mund të themi që ramë në mall apo na ra një mall. Gjuha i përmban të dyja mundësitë në shprehje si: ra në dashuri, ra në ëndërrim, etj. dhe, në të përkundërt, i ra një hall, i ra pija në kokë etj.

Poeti këtë dyzim të unit lirik, të I.K.-së vetë ndoshta, e di vetiu, pa patur nevojë për filozofi, fetari, psikanalizë a çfarëdo shtegu tjetër për të mbërritur në këtë përfundim, ndaj edhe është i tillë, poet pra. Në një mënyrë të thjeshtëzuar, thuajse vulgare, mund të krahasohej kjo me metodat shkencore të vëzhgimit të botës: nëse filozofia merr shtegun e mendjes, mikroskopin a teleskopin, dhe feja shpalljen që i ndodh një të përzgjedhuri, psikologjia një tjetër metodë e mjete, radiografi, valë e rreze infra të kuqe apo rëntgen etj, poeti ka antenat e tij të posaçme për të përftuar botën e jashtme dhe të brendshme.

Poeti e di pra se ne biem, porse edhe na bie, e bën vetiu zgjedhjen e tij që nuk është as e atillë, pasi uni i tij edhe bie në ëndërr, si edhe në mall, edhe i bie malli në të njëjtën kohë përmbi në formën e pikave të shiut, kur ky ndodhet në gjendje të ngrirë, të qelqtë, të cilës pikat ia turbullojnë tejdukshmërinë, e bëjnë të ëndërrt e po kjo mund të thuhej edhe për tejdukun e pikave vetë. Ai haset me veten pra.

Në këtë kuptim ai, ose më mirë: uni lirik i vjershës në fjalë, është të dyja: edhe shiu, por edhe qelqi, herën e parë si i zoti i shtëpisë e të dytën si mysafir po aty, në shtëpinë e qenies së vet, qelqi mund të jetë ai i dritareve, por edhe ai i syzeve, i gotave, si edhe i syve e me radhë, mirëpo nuk ka pse të përcaktohet kjo dhe jo më kot: sa më substancialë bëhen elementët,- uji këtu në formën e tij të lëngët dhe atë të ngrirë, atë të qelqit, ndonëse shkenca nuk do e pohonte këtë, por ndodhemi në poezi; këtu veprojnë të tjera ligjësi,- sa më shumë elementët i afrohen gjendjeve të tyre arketipale, aq më tepër humbet dallimi mes së jashtmes e së brendshmes, ç’është jashtë është edhe brenda dhe anasjelltas.

Një pyetje e trashë, budallaqe, e dikujt, ta zemë, që nuk do e kuptonte se për çfarë bëhet fjalë në këtë poezi, se ku qenkësh drama aty, pse njëherë e gjitha kjo, se çfarë halli i paskësh rënë heroit, ç’e paskësh zënë atë, ku është motivi këtu për të shkruar, etj. e thjeshton në mënyrë fort vulgare, por edhe e shkoqit njëkohësisht disi këtë më sipër. Pyetja do të ishte: „Pse bën uf e buf, jo ndjej mall, jo po flemë e nuk po zgjohemi dot e kësi gjërash; pse nuk e merr në telefon atë vajzë e t’i biesh shkurt e të na e kursesh edhe ne, por edhe vetes, dufin patetik që të ka rënë për hise?“

Përgjigja është e thjeshtë: heroi ynë nuk ka mall për dikë, ai është i tillë, i përmalluar. Edhe nëse e munguara,- e cila, duhet shtuar, nuk ka pse të jetë medoemos femër; mund të ishte fare mirë edhe një shok, një mik; po të shkonim ca më larg, pa dashur të bëheshim morbidë, për arsye poetike pra: një i/e vdekur mund të projektohej pa asnjë firo në këtë skenografi; ja edhe ca më larg akoma: ndonjë alter ego a klon e heroit, e kështu me radhë,- edhe nëse e munguara do të ndodhej aty pranë, ka shumë të ngjarë që ai të përjetonte të njëjtin mall, pasi malli ndodh gjithnjë në të shkuarën, vjen prej saj e na godet në të tashmen, si pikat e shiut qelqin.

Edhe ndarja e nënkuptuar nga përftimi i një të dyte/i që mungon nuk është në thelb e tillë; plaga dhemb vetëm përbrenda; feksja e mallit ndodh fillimisht si takim në strofën e parë (të shiut me qelqin), për t’u stakuar në dy të tjerat e për të shndrirë edhe një herë të fundit në strofën e fundit në një qark të shkurtër, në pjesëzën se(ç):



Dhe unë për ty seç ndjeva mall.

I ngjan një akuareli e gjitha kjo (bojëra uji, bojëra shiu) dhe është më e brishtë seç do të duhej për të mbajtur një gur të rëndë fjalësh si këto (më ranë si gur këto fjalë në bark…- nga monologu i pikës së shiut) që do i binte t’i binte sipër lules që po donim t’i dhuronim në hyrje divës.

Kam natyrisht frikë se është vërtet kështu, por shpresa që përmenda në hyrje të këtij shkrimi më mban me gajret se nuk qenkësh fare ashtu: nuk qenkësh lulja pra, vjersha që ka mbirë në rrëzë të gurit tim filozofal, porse ky i fundit ka mbirë ndanë saj; ajo ishte më parë e do të jetë edhe më pas aty, ndërkohë që gurin tim, që i ngjan një syreshi varri ku prehet e bukura, miku, kloni, ego-ja e me radhë,- gurin tim filozofal pra do e ketë grirë me kohë era.

Akademik Prof.dr.PhD. Rexhep Qosja mbi çthurjet ideologjike në shoqërinë shqiptare dhe eksperimentin proserb të ashtuquajtur “kombi kosovar”.

AKADEMIK REXHEP QOSJA Ideologjia e shpërbërjes – trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Argumente të shpikura për “k...