Agjencioni floripress.blogspot.com

2018/05/23

Republika dhjetëditëshe e Krushevës nuk mund të jetë “emërtim” për Maqedoninë

Skënder Karaçica


Ka disa vjet që në mes Athinës dhe Shkupit nisi loja politike e boshtit pansllavistë për të bërë hartën e re për Maqedoninë në Ballkan,ku në hapësirën etnike jeton me shekuj populli shqiptar me të gjithë krenarinë dhe tragjiken historike.Në tërë këtë lojë faktori politik shqiptar nuk është pyetur fare dhe në këto rrethana të politikës antishqiptare,ata me rolin e vëzhguesit dhe të mosguximit kanë miratuar çdo ,,platformë,,që ka sjellë regjimi në Shkup dhe ai ndërkombëtar i OKB-së.

Çfarë rëndësie ,,historike,,paskësh lufta e popullit maqedonas në vitet e para të shekullit XX kur më 2 gusht të vitit 1903 filloi kryengritja e Ilindenit dhe u formua Republika e Krushevës,në të cilën siç theksojnë kronikat historike të kohës,në këtë luftë për çlirim nga zgjedha osmane kanë luftuar edhe shqiptarët.

Tërë kjo kohë e ,,kontestit,,të emrit Maqedonia, Athina zyrtare me gjithë problemet e mëdha të krizës së thellë ekonomike me kolapsin e madh deri në shembjen e sovranitetit,në plan të parë në tryezën e diplomacisë ajo i mëshonte telit për ndryshimin e emrit kushtetues të Maqedonisë,që nga rrethanat e boshtit pansllavistë Beograd-Moskë-Athinë-Shkup,kanë për qëllim të bëjnë vija dhe hartën e re në Ballkan,ku popullin shqiptar e ndanë midis shteteve fqinje dhe ,,shtetit të Maqedonisë,,të krijuar nga manifesti komunist në ish-Jugosllavi me vulën e Beogradit.

Tërë odisejada politike në Maqedoni rreth kontestit nga Athina ishte refreni i përsëritur që u bë i neveritshëm dhe pa ndonjë kuptim në kohën kur në këtë pjesë të Ballkanit të trazuar dhe shpërbërjes së ish-Jugosllavisë e krijuar dhe e prishur nga tre popujt sllovenë,serbë dhe kroatë në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar.Po themi e neveritshme,ndonëse në tavolinën e diplomacisë së këtyre dy vendeve Athinë-Shkup,faktori politik shqiptar më shumë e ka luajtur rolin e vëzhguesit pa afruar asnjë argument historik në vijat e diplomacisë dhe përballë vetëdijes së paçliruar nga mendësia totalitare të regjimit në maqedonas dhe të ngarkuar me psikologjinë anarko-liberaliste dhe kuazishkerncore se populli shqiptar në hapësirën e vet etnike në Maqedoni,nuk jemi pasardhës të ilirëve dhe kemi zbritur nga malet në ,,tokën e maqedonasve,,(sic!)

Pse shqiptarët përmes faktorit politik nuk kërkuan të bisedojnë me ndërmjetsuesit e BE-së dhe OKB-së lidhur me ,,kontestin,,e Athinës lidhur me emrin e Maqedonisë?Për shqiptarët argumentet historike janë në anën e tyre dhe po ritheksojmë se se shkenca e historiografisë maqedonase është e mbushur me tiptare të huazuara nga historia serbomadhe,e nxitur nga borgjezia serbe në gjysmën e shekullit XX nuk i përgjigjet kohës dhe propozimit të emërtimit të ri të Maqedonisë me Ilindenin(Republikën dhjetëditëshe të Krushevës).

Shqiptarët në Maqedoni janë banorë të hershëm e eutoktonë me rrënjë të thella në truallin e vet dhe nuk janë ,,ardhës nga malet,, e as qiraxhinjë në kurrfarë ,,territori maqedonas,,.Për të forcuar këtë argument hisgtorik po i referohemi udhëpërshkruesit anglez H.N.Brailsfort në librin e tij me titull,,Maqedonia ,racat e saj dhe ardhmëria e tyre,,të botuar në Londër në vitin 1906,thotë:

,,Nga racat që jetojnë sot në Maqedoni,vetëm shqiptarët mund të thuhet se janë autoktonë,,(H.N.Brailsfort,Macedonia ,its races and their future,London,1906).

Është në interes të kohës që shqiptarët mos të pranojnë që Republika dhjetëditshe e Krushevës të bëhet bazë e re për hartën dhe Kushtetutën e Maqedonisë,por të dalin para faktorit ndërkombëtar BE-OKB-SHBA me argumentin e fortë politik,historik,shkencor dhe duke marrë e me vete botën intelektuale-akademike shqiptare për të shpaluar të vërtetën se ata në tërë rrjedhën e kësaj ,,politike,,Athinë-Shkup nuk e kanë kryer detyrën dhe përgjegjësinë që kanë para popullit të vet dhe të votës së lirë,për të dalë me projektin e vet kombëtar për hisen që e kanë në truallin e vetë etnik kur e kur bëhet fjalë për emërtimin e ri të Maqedonisë së Ilindenit!

LUFTËTARI I LIRISË AVDULLA TAFILI I KAÇANIKUT


Image result for rexhep shahu

REXHEP SHAHU



(Fragment nga libri im ne proces Lufta ime per Kosovën)



Sakrifica e familjeve shqiptare që jetonin në vendet e perëndimit, që ia dhanë luftës burrat, kryefamiljarët apo bijtë, është e pavleresuar si e sa duhet nga shoqëria.



Avdulla Tafilin e bëra mik sa e njofta që kur erdhi në Kukës me trupat e Kosovës në fillimet e vitit 1998. Ishte 51 vjeç atëhere, ose ndër më të vjetrit në atë kohë përveç 72 vjeçarit Zymer Kryeziu që ishte më i vjetri i angazhuar me trupat dhe që njihej si shok i Jusuf Gervallës.

Avdulla Tafili kishte lënë Gjermaninë ku kishte qenë mirë e bukur. Ishte ingjinier minierash, apo “teknik i ndërtimtarisë” siç kishte deshirë ta quante veten ai.

Kishte lënë Gjermaninë për të ardhë në luftë ndonëse familja e tij kishte frikë e ankth për të. Lufta gjithmonë ngjall frikë se lufta nuk është mbrëmje vallëzimi, atje në luftë vallëzojnë plumbat, vallëzon vdekja e duhet të vallëzosh me to tango vdekje.

Sa herë binte fjala e më tregonte se si ka ardhë në luftë, si merrte pjesë në takime e tubime shqiptarësh, si organizoheshin shqiptarët atje para luftës, si shfaqeshin të angazhuarit, si shfaqeshin disa të tjerë që kërkonin “të drejtonin, të ishin e bëheshin drejtues…”, i mbusheshin sytë me lotë dhe më fliste se si e kishte përcjellë vajza me 15 maj 1998 për në luftë.

Më bëhet se e dëgjoj zërin e vajzës dhe të qamen e saj në telefon kur hypa në tren për në Frankfurtër, më thoshte shpesh me lot në sy Baca Dullë. Kështu më mësoi që ta thërrisja, Baca Dullë.

Kaçanikasi Avdulla Tafili, që iu bashkangjit luftës për Kosovën, që iu nda luftës kur ajo mbaroi, pasi u dëbua Serbia prej saj, dhe bashkë me luftëtarët e tjerë të fundit zbriti fitimtar nga Kosharja e qëndresës, që dha sa mundi e sa kishte për luftën, ingjinier miniere, shqiptar i dëbuar nga Kosova në kuadër të programeve speciale çubrilloviqiane, është miku im, përmes të cilit unë arrita ta kuptoj më mirë sakrificën e madhe, të jashtëzakonshme, të rëndë, të dhimbshme, të pabujshme e shpesh të padukshme, se nuk duam ta shohim dramën, të familjeve shqiptare që jetonin në vendet e perëndimit dhe pjesëtarë të tyre vinin në luftë e kurrë nuk dihej a do të vriteshin a do të mbeteshin gjallë.

Dramën e familjeve shqiptare që jetonin në perendim dhe djemtë apo burrat e tyre iu bashkangjitën luftës ne ende nuk e dimë, ende nuk e kemi shkruar, ende nuk e kemi konsiderue. Por dihet se ëshët një dramë e rëndë, dihet se ka krijuar pasoja të rënda e shpesh të parikuperueshme. A i ka lufta këto? Edhe i ka. Por ne sot duhet t’i përmendim, t’i nderojmë këto sakrifica, të mos i përgojojmë, ta provojmë ta ndjejmë dhimbjen në zemrën tonë, në shpirtin tonë.

Ankthi e frika e familjeve të luftëtarëve ishte luftë më vete që duhej ta përballonin ushtarët që vinin nga vendet e perëndimit dhe duhej ta përballonin sa të mundinin e si të mundnin familjet shqiptare, nënat e gratë shqiptare, ato më të sakrifikuarat e kombit, ata që e mbajtën gjallë, e ruajtën dhe e lartësuan kombin shqiptar dhe falë të cilave është, ekziston ky komb.

Përveç frikës për jetën se mund të vriteshin në luftë, ushtarët shqiptarë që vinin në UÇK humbisnin vendet e punës, humbisnin të ardhurat mujore e vjetore, humbisnin sigurinë e garancinë që kishin në shtetet ku jetonin si emigrantë të ligjshëm. Por vetëm të ardhurat mujore a vjetore që do tu mungonin familjeve ishte dënim i madh e njëherësh ishte sakrificë e kontribut i madh për Kosovën e lirinë, pa llogaritë sa shqiptarët jepnin vetë si kuota financiare kontributi. Por kishte edhe raste kur familjet shkatërroheshin.

Mijëra njerëz si Avdulla Tafili lanë punën, lanë familjet dhe erdhën të hynin në luftë. Ata janë krenari për Kosovën, krenari që nuk e shëmtojnë dot ata që blenë me marka pjesëmarrjen e tyre në luftë pas mbarimit të luftës. Të pacipë e të pafytyrë ata që blenë pjesëmarrjen në luftë, më të poshtër e të pafytyrë ata që shitën dokumente apo vertetime se X apo Y ka qenë në luftë pa qenë në fakt në asnjë betejë asnjëherë.

Është e pamundur të tregohet si ka qenë, është e pamundur për pena si e imja të tregojnë madhështinë epike të shqiptarëve që vinin nga vendet e perendimit për të hyrë në luftë. Është gjest që nuk mund ta rrëfejë askush. Ato pamje madhështore kanë emocionuar mijëra njerëz që I kanë parë, janë ngurtësuar ashtu krenarë, madhështorë e të lavdishëm në mijëra sy e zemra.

Kam parë me sytë e mi trupa të bukur ushtarësh shqiptarë të UÇK, jashtëzakonisht të bukur, më të bukur se të çdo ushtrie në botë kur vinin nga vendet e perëndimit a nga Amerika e zbrisnin nga anijet në Durrës, kur rrjeshtoheshin në Durrës, Kukës a Tropojë. Dhe kurrë më i frymëzuar nuk kam qenë e nuk do të jem. Kurrë më shumë se ato kohë nuk jam mburrë që jam shqiptar. Ata nuk ishin thjeshtë ushtarë shqiptarë, ata ishin si zota, ata të frymëzonin të shkoje me deshirë në luftë dhe të bënin të harroje se ka vdekje, se mund të vdesësh ndonjëherë.

Ndaheshin familje, ndaheshin burra e gra, ndaheshin nëna e djem dhe nuk dihej a do të ktheheshin, a do të shiheshin më, a do të mbeteshin djemtë gjallë apo do të vriteshin me serbët.

Avdulla Tafilin e takoja në kafe në Kukës dhe ai më tregonte për veten e shokët e tij. Ishte i besuar i trupave dhe i komandës dhe ai vinte çdo ditë e bënte furnizimin me materiale të ndryshme për nevoja ditore për ushtarët dhe i dërgonte në Kolsh te qendra e stërvitjes.

Ishte i vemendshëm deri në imtësi, i kujdesshëm si diplomat profesionist kariere, i matur e i urtë. Pakënaqësinë e shfaqte me buzë në gaz dhe nuk fyente asnjëherë, nuk fliste keq për vendasit edhe kur silleshin keq me të policë apo civilë vendorë, edhe kur e gjobisnin pa të drejtë, edhe kur ia dëmtonin makinën.

Punë shqiptarësh, i thoja unë, kur e shihja të deshpëruar prej policëve apo prej hajnave.

Paj si kudo na shqiptarët njejtë jena bre Rexhë…

Kam shumë kujtime me Avdulla Tafilin që nga qershori i 1998 kur e njoha.

Kur shkoja në Kolsh, dhe shkoja shpesh të takoja Ahmet Alishanin e të tjerë, e takoja edhe bacën Dullë. Ai e dinte hierarkinë, ai ishte njeri e ushtar lirie që e dinte gjithmonë vendin e tij, detyrën e tij dhe nuk bënte kurrë shaka apo lojë me detyrën apo urdhërin ushtarak. Avdulla Tafili ishte shumë serioz me detyrën.

Më tregonte hollësira për takimet e mbledhjet e shqiptarëve në qyetetet gjermane Wesel dhe Bacholt ku kishin nisë aktivitetet patriotike e politike para lufte.

Ai pastaj shkoi në Koshare në luftë në maj 1999 deri në qershor 1999 kur mbaroi lufta dhe mbeti gjallë për ta gëzue lirinë. Sot jeton në Gjermani dhe vjen shpesh të rregullojë e mimëmbajë shtëpinë e tij në Ferizaj. Sa herë vjen në Shqipëri, më takon. Është nga njerzit e rrallë që nuk harron të çojë selam, të thërrasë për kafe.

Në korrik 1998 shkuam bashkë me Bacën Dullë dhe Nehat Koçinën në Pogaj. Nga atje vëzhgonim bazën ushtarake serbe në Shkozë, afër Vermicës buzë Drinit të Bardhë. Shofer ishte baci Dullë dhe udhëtuam nga Kukësi, në Gjinaj, Domaj Has e Pogaj.

Ishte hera e parë që pashë me sytë e mi aq shumë makina ushtarake, topa, tanke, një bazë aq të madhe luftarake në kufi me Morinin.

Avdulla Tafili ishte njeri i besuar i ministrit të Mbrojtjes Ahmet Krasniqi. Kishte besim të madh ministri Krasniqi dhe e thërriste në zyrë, ia jepte lekët për meremetimet e ndërtimet që do të bëheshin. Meqenëse ishte ingjinier ndërtimi, ai ishte përgjegjës i grupit të punës për rehabilitimin e objekteve të ushtrisë ku do të stërviteshin e qëndronin ushtarët e UÇK. Ministri Ahmet Krasniqi, pohon Dulla, ia jepte lekët direkt vetë për rehabilitimin e objekteve në Kolsh, Kalimash, Babinë, Papaj, Viçidol, Laprakë.

Ai ka bashkëpunuar me Qerim Shalën e Llogjës së Pejës në gjithë aktivitetin për ndërtimin e meremetimin e objekteve luftarake.

Avdulla Tafili më tregon kujdesin e ministrit Krasniqi edhe për kuajt e luftës. “Tu bësh strehë kuajve” i thotë ministri, të rregullohen disa dritare në Papaj dhe të lidhesh me Agim Ramadanin.

Baci Dullë tregon me krenari se ka fjetë në krevatin ku flinte ministri Ahmet Krasniqi, pasi vetë ministri i kishte thënë që të flinte në krevatin e tij në Tropojë.

Avdulla Tafili një ditë solli në shtëpinë time në Kukës çantat dhe paisjet ushtarake të 10-15 ushtarëve të UÇK-së që ishin përgatitë për të hyrë në luftë..

Për mos me u endë me çanta e paisje në shpinë nëpër qytet, bre Rexhë, po i lëmë te banesa jote për pak kohë, sa të bëhen gjërat gati. Kush mund t’ia prishte bacës Dullë dhe ushtarëve që ishin me të.

Kujtoj emrin e Naim Çarrollit nga Rahovica e Ferizajt që ishte bashkë me grupin që lanë çantat në ruajtje të përkohshme te shtëpia ime.

Ky grup luftëtarësh nuk pritën gjatë për me hy në Kosovë, por hynë direkt në luftë për në rajonin e Suharekës, si grup luftarak më vete i organizuar. Naimi ishte ushtar shumë aktiv në meremetimin e objekteve ushtarake dhe pastaj ka hyrë në luftë, pasi ai dinte, kishte kryer kurse ushtarake.

Kujtoj se në korrik të 1998 Dulla bashkë me Isa Agushin epror i lartë ushtarak nga Gjilani, nga Zherga, më marrin me vete dhe ngjitemi te lagjja ime në Shahe, mbi shkollën e mesme në Bardhoc. Ata kishin mësuar se kishte shtëpia bosh atje. Isha ankuar pse nuk përdoret bjeshka e Bardhocit dhe Morinit për kalime të ushtarëve e armatimit por rrezikojnë ushtarët në zonën e Pogajve ku shihet edhe gjarpëri natën në dritë të hënës. Përdorimi për kalime e qoftë luftime i zonës Pogaj-Gorozhup më ishte dukë absurdi dhe aventura më e keqe ushtarake, gjëja më pa mend. Ndërsa nga bjeshka e Bardhocit edhe predha vonon të bjerë në tokë se zë në degë lisash, e pengojnë degët e lisave të shpeshtë…

I panë shtëpiat, panë fshatin, por nuk i përdorën asnjëherë ato shtëpia të braktisura.

Avdulla Tafili ka hyrë në Koshare dhe ka meremetuar kazermën atje pasi e kanë bombardue serbët. Dhe ka ikë nga Kosharja në qershor 1999 pasi ka mbaruar lufta.

E takoj Avdulla Tafilin pothuaj përvit. Ai nuk di të jargavitet pas lavdisë, nuk kërkon lavdi, nuk kërkon të imponohet askund, nuk troket dyerve të zyrave për dëshmi meritash. Ai është tamam ai shqiptari, ai luftëtari që i është përgjigjë atdheut, që nuk i kacavirret pas lufte atdheut për të lëpirë eshtrat e atdheut, eshtrat e lavdisë, që di të tregojë, që ka çfarë të tregojë, çfarë t’u thotë pasardhësve të tij, nipave e mbesave, që di e mundet t’i përgjigjet pyetjes “Ku ishe ti shqiptar kur i duheshe atdheut…”.

Avdulla Tafili ishte në luftë për lirinë e Kosovës.

2018/05/22

Srdjan Srdić : Satori

Romani Satori ndërthur edhe tekste nga Edukimi sentimental i Gustave Flaubert, nga Oblomovi i Ivan Goncharov, ku shfaqet mishërim i njeriut të tepërt dhe të paaftë për të ndërmarrë veprime të rëndësishëme. Të dallueshme në tekst janë edhe kolazhet narrative që autori përdor, duke iu referuar grupeve muzikore eksperimentale apo personazheve të serialeve vizatimore. Romani Satori është vlerësuar nga kritika për pasurim të teknikave narrative. Hapja e librit me thënie të post-strukturalistëve si Roland Barthes e Jean-François Lyotard si dhe grupit post-rock Mogwai, ndihmon leximin e romanit Satori.

Romani Satori i Srdjan Srdić u botua në vitin 2013. Personazhi i vetëm i Satorit i drejtohet vetes si Shoferi . Ai i largohet qytetit dhe përgjegjësive shoqërore. Përmes gjuhës së veçantë të personazheve të flakur në fundin e shoqërisë, përcillen ndjesitë e anknthit e horrorit të njeriut vetmitar që, i mbyllur në solipsizmëm, beson se mendimet, përvojat, dhimbjet dhe emocionet e tij janë të vetmet që ekzistojnë. Me një distancë ironike libri rrëfen banalitetin, ankthin dhe lirinë e njërëzve që provuan pasojat e krimeve të luftës. Aty shprehen edhe ndjenjat dhe çrregullimet posttraumatike të atyre që nuk u prekën në mënyrë të drejtpërdrejtë nga lufta.

Megjithëse përdor mjete dhe teknika të përbashkta me romanin e rrugës dhe me Bildungsroman-in , autori i referohet kësaj vepre si një anti-bildungsroman , ku protagonisti nuk shkoi askund dhe nuk mësoi asgjë.

VLERESIME RRETH LIBRIT

I mrekullueshëm romani i Srdić , përsa i përket ritmit të temave, ashtu edhe realizimit gjuhësor. Vladimir Arsenić Srdić sërish nderon kthimin e një poeteke të modifikuar moderniste në letërsi, e cila me të nuk është përthyer në mënyrën e thjeshtë.

Davor Beganović

...një zë i ri i çmuar për prozën bashkëkohore serbe dhe do të shtoja se Srdić është autori më i talentuar që u shfaq në skenë pas brezit të antologjisë "Psec i vek" së Sasa Ilić .

Goran Lazižić

Tahar Ben Jelloun : Racizmi shpjeguar vajzës sime

Racizmi shpjeguar vajzës sime

"Një fëmijë është kureshtar. Ai bën shumë pyetje dhe pret përgjigje të sakta dhe bindëse. Nuk bëhen hile me pyetjet e një fëmije. Kur po më shoqëronte në një manifestim kundër një projektligji për emigracionin, vajza ime, dhjetë vjeçe, më pyeti për racizmin. Ne biseduam gjatë. Fëmijët janë në gjendje të të kuptojnë më mirë se kushdo tjetër se njeriu nuk lind racist, por bëhet.
Racizmi shpjeguar vajzës sime

Ky libër që përpiqet t'u përgjigjet pyetjeve të vajzës sime, u drejtohet: fëmijëve që nuk kanë ende paragjykime dhe duan të kuptojnë; prindërve, mësuesve, edukatorëve. Më shumë se dhjetë vjet pas këtij bashkëbisedimi me Merjemen, unë doja t'i këmbëja këto mendime me fëmijët nga gjithë bota, të cilët vazhdoj t'i takoj. Sepse ne së bashku konstatojmë se racizmi jo vetëm nuk është sprapsur, por është bërë i zakonshëm, bile në disa raste është përkeqësuar. Ne përpiqemi të kuptojmë formnat e reja të shfaqjes së tij: rritja e antisemitizmit dhe islamofobisë, diskriminimet, viktima të të cilit janë emigrantët, dhe futja në skenë e `identitetit kombëtar`..."

Ahmadou Kourouma : Allahu nuk është i detyruar

Romani “Allah n'est pas obligé“(Allahu nuk është i detyruar...) rrëfen historinë e një fëmije jetim që niset të shkojë te tezja në Liberi dhe bëhet fëmijë-ushtar.



Ahmadou Kourouma është një nga zërat më të fuqishëm të letërsisë frankofone. Romani i tij i parë “Les Soleils des indépendances”(Diejt e pavarësisë), çmimi Francité, çmimi Tour-Landry i Akademisë franceze, çmimi i Akademisë Belge më 1968, është një analizë kritike për qeveritë post-koloniale. Romani “Allah n'est pas obligé“(Allahu nuk është i detyruar...) është nderuar me çmimin Renaudot dhe Goncourt des lycéens
“Allahu nuk është i detyruar te jetë i drejtë në gjithçka që ai bën mbi tokë”, thotë shpesh rrëfyesi i romanit të jashtëzakonshëm që ka për autori shkrimtarin Ahmadou Kourouma. Kjo është credo-ja nëpërmjet së cilës ai duron tmerret e jetës në të cilën ai është lindur. Birahima (ky është emri i personazhit kryesor) është një ushtar-fëmijë, i cili merr pjesë në luftërat që përfshinë gjithë Afrikën Perëndimore gjatë viteve 1990, një seancë të së cilës e përjetuan edhe shqiptarët në trazirat e 1997-ës. Por kur kreu i bandës, bajraktari, vritet, çeta me ushtarë e fëmijë marrin arratinë. Birahima e gjen veten,së bashku edhe me fëmijë të tjerë, duke kërcyer sa nga një palë luftuese në tjetrën, secila e drejtuar nga karaktere të veçanta e të shumëngjyrshme. Ai i ofron të gjithëve shërbimet e tij e zgjedh atë që ka racionet më të mira ushqimore dhe kallashnikovët më të rinj. Këta fëmijë kontrollohen nëpërmjet drogave, lutjeve e ushqimit; ushtarët-fëmijë janë aseti më i vlefshëm e, për këtë arsye, më i mirëushqyeri i ushtrisë, por më së shumti nga fakti i thjeshtë se çetat janë familja e vetme që ata kanë. Për këta luftëtarë, me emra si Tete Brulee dhe Kapiten Kid, të cilët grinden e qëllohen me njëri-tjetrin e më pas shpërthejnë në të qeshura, qëllimi i vetëm, ashtu si Birahima, është vetëm një: të gjejnë një familje, çfarëdo familje...

Primo Levi : Armëpushimi

Përgjatë gjithë "Armëpushimit", kësaj historie të trazuar dhe të larmishme të një pranvere lirie të pashpresuar, nota më e thekshme është ajo e një ankthi të tmerrshëm, e një trishtimi të pangushëllueshëm njerëzor.


"Armëpushimi", libri i kthimit, odiseja e Europës mes luftës dhe paqes, është vijimi i "A është vallë, njeri...?," një ndër librat më të bukur të letërsisë europiane lindur nga kampet e shfarosjes. Nëse libri i parë ishte shkruar menjëherë pas kthimit, thuajse me qëllimin për t'u çliruar së brendshmi nga barra e rëndë shpirtërore, si nevojë dëshmie, duke qenë se ai ishte një ndër të paktët hebrenj që mbijetuan në kampin e përqendrimit dhe duke iu bindur nevojës së menjëhershme për "t'u treguar të tjerëve, për t'i bërë të tjerët pjesëmarrës" të asaj tragjedie, libri i dytë është shkruar me njëfarë largësie nga ngjarjet, në një klimë më të shtruar e më të qetë.

Aventura europiano-qendrore e Levit nuk mbyllet me çlirimin e Aushvicit nga ana e Ushtrisë së Kuqe, përkundrazi, si në një shtegtim fantazmagorik, Levi bashkë me një mijë e katërqind italianë të tjerë vërtiten nëpër hapësirën e paskajshme ruse për muaj me radhë, nga janari deri në fund të vitit 1945.

Nuk dihen as sot e kësaj dite arsyet e kësaj sorollatjeje të panevojshme, ndoshta edhe thjesht për shkak të neglizhencës ose rrëmujës burokratike që mbizotëronte në Bashkimin Sovjetik të asokohshëm.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, të mbijetuarit e Aushvicit përshkojnë gjithë Europën Qendrore dhe Lindore, përmes Polonisë, Rusisë së Bardhë, Ukrainës, Rumanisë, Hungarisë dhe vetë Gjermanisë. Lufta ende s'ka mbaruar ose siç thotë greku i Levit, një ndër personazhet më të spikatura të romanit, "Luftë është përherë", Europa po shijon njëfarë "armëpushimi" para se të mbërrijë lufta tjetër, "Lufta e ftohtë" që do ta copëtonte sërish Europën.

Me vërtetësi, ironi therëse deri në sarkazëm, Levi përshkruan tipa dhe karaktere nga më të ndryshmet, tregjet klandestine të Krakovës dhe Katovicës, çmobilizimin e shthurjen e radhëve të Ushtrisë së Kuqe, tokën ruse të pafund, të pushtuar nga lavdia, mjerimi, harresa dhe forca jetësore; këneta e pyje të paprekura, trena të shkatërruar, gostitë e shfrenuara të rusëve të dehur nga fitorja; fjetoret plot ëndrra të italianëve në udhën e pasigurt të kthimit.

VLERESIME NGA KRITIKA

Një prej librave vërtet më të nevojshëm të shekullit tonë.

Philip Roth

“Armëpushimi” është historia e një marrëzie kolektive, e një ligësie, e një budallallëku të pabesueshëm, gjithashtu dhe e një naiviteti njerëzor, e një shpirti, mirësie, kokëfortësie dhe natyre të zakonshme të fatit kombinuar me sipërmarrjen. Ky është më shumë se një reportazh: është përjetimi i llahtarit në një prozë lirike e të ngjeshur. Në fund të fundit, mbetet një libër që ngre jetën në kult, sepse zgjeron horizontet, në vend që t’i eklipsojë: përforcon dëshirën për të jetuar mirë dhe ndershmërisht. Të frymëzon mirësi.

The Indipendent

Përballë tmerrit dhe shtypjes, Levi na jep mundësinë të shohim se njerëzimi nuk do të shkatërrohet krejtësisht apo lehtësisht.

The Guardian

Vepra e Levit shërben për të dekonstruktuar forcat e së keqes. Triumfi i identitetit njerëzor dhe vlerave të tij mbi patologjinë e shkatërrimit të njeriut shkëlqen kudo në shkrimësinë e Levit. Për shumë arsye, veprat e tij zënë një vend të veçantë ndërmjet pasurisë së Letërsisë së Holokaustit. [...] I pamposhtur si impulsi nekrotik, nevoja për të "treguar", për të përshkruar "tmerrin monoton të baltës" është jetike për të, sepse ai flet në emër të miliona njerëzve që vdiqën.

Toni Morrison

Fragmente nga libri

1) Në kohë luftë, për dy gjëra duhet menduar para së gjithash: së pari për këpucët, së dyti për ushqimet; dhe jo anasjellas, siç pandeh vegjëlia: se kush ka këpucë mund të gjezdisë lirshëm për të gjetur ushqim, ama e kundërta s’bëhet.

– Po lufta ka mbaruar, – kundërshtova: dhe mendoja vërtet se kishte mbaruar, si shumë të tjerë në ata muaj armëpushimi, në një kuptim shumë më universal se ç’guxoj të mendoj sot.

– Luftë është përherë, – m’u përgjigj në mënyrë të paharrueshme Mordo Nahumi.

2) Malli është një vuajtje e brishtë dhe e ëmbël, ndryshe qysh në thelb, më intime, më njerëzore se vuajtjet e tjera që kishim përballuar deri në atë kohë: rrahje, të ftohtë, uri, terror, skamje, sëmundje. Është një dhembje e kthjellët dhe e pastër, por ngulmuese: pushton gjithë minutat e ditës, s’të lejon të mendosh për asgjë tjetër, e të shtyn drejt nevojës për arrati.

3) Ishte po ai turp që e njihnim mirë, ai turp që na fuste në dhé pas seleksionimeve, apo sa herë që na takonte të shihnim, ose t’i nënshtroheshim vetë, përdhosjes: ai turp që gjermanët s’e njohën kurrë, ai turp që njeriu i drejtë ndien para krimit të kryer nga të tjerët dhe e bren ndërgjegjja që një krim i tillë ekziston, që, në mënyrë të pandreqshme, është bërë pjesë e rendit të kësaj bote, dhe vullneti i mirë i këtij njeriu nuk ka sjellë asnjë dobi ose mbase fare pak, e dëm ka shkuar gjithë mundi për t'u mbrojtur.

4) Kësisoj, edhe për ne, ora e lirisë ra e rëndë dhe e errët, na mbushi shpirtrat me hare e njëkohësisht me një ndjesi të dhembshme turpi, ndaj do të kishim dashur të pastronim ndërgjegjet dhe kujtimet tona nga shëmtia që dergjej në to; na i mbushi edhe me brengë, sepse e ndienim që kjo s’mund

të ndodhte, që kurrë më s’kish për të na ndodhur diçka kaq e mirë dhe e dëlirë sa të fshinte gjithë të shkuarën tonë, dhe damka e përdhosjes s’do të na shlyhej kurrë, s’do të shlyhej as nga kujtimet e atyre që i kanë përjetuar, as nga vendet ku ndodhi, as nga tregimet e rrëfimet që do të shkruanim. Ngase,

dhe ky është privilegji i tmerrshëm i brezit dhe i popullit tim, askush tjetër, kurrë, s’ka arritur të rrokë natyrën e pashërueshme të poshtërimit, që përhapet si epidemi. Është marrëzi të mendosh që drejtësia njerëzore do ta shfarosë.
Maska është frikë nga realiteti, është frikë nga vetja, por edhe të fut frikën me pamjen e saj të gënjeshtërt e të pazakontë. Por këtu autori Lucgjonaj e ka stilizuar maskën me efektin e mashtrimit, të gënjeshtrës, të djallëzisë, të falsitetit. Dhe ka luajtur bukur me paradoksin e Romani “Ligji i maskave” i shkrimtarit shqiptar që jeton në Mal të Zi, Mark Lucgjonaj, lundron mes njerëzores dhe fantastikes në një lojë që prek mendjen, ndjenjën e dashurinë në kufijtë e transhendencës; një roman ku kohët dhe ngjarjet takojnë njëra-tjetrën pa u ndier, mes portave sekrete të qiellit dhe ligjeve të pushtetit okult. Një histori fantastike që ruan tensionin e pritjes për të parë kufijtë e deformimit, si metaforë e pakohë dhe e pavend, por, njëkohësisht, lehtësisht e identifikueshme dhe e gjithmonshme e qenieve njerëzore.


Romani “Ligji i maskave” i shkrimtarit shqiptar që jeton në Mal të Zi, Mark Lucgjonaj, lundron mes njerëzores dhe fantastikes në një lojë që prek mendjen, ndjenjën e dashurinë në kufijtë e transhendencës; një roman ku kohët dhe ngjarjet takojnë njëra-tjetrën pa u ndier, mes portave sekrete të qiellit dhe ligjeve të pushtetit okult. Një histori fantastike që ruan tensionin e pritjes për të parë kufijtë e deformimit, si metaforë e pakohë dhe e pavend, por, njëkohësisht, lehtësisht e identifikueshme dhe e gjithmonshme e qenieve njerëzore.
                                                                                                  Ermira Çaku-Aliaj, Shkodër
 
Me një mënyrë të eksperimentuari të guximshme, në laboratorin e tij krijues realiteti merr një tjetër dimension dhe zhvishet plotësisht para një shoqërie të nënshtruar ndaj rregullave dhe ligjeve absurde. Stili tërheqës bën që lexuesi të jetë i përfshirë në rrjedhën e ngjarjeve dhe situatave, jo vetëm duke ia shtuar kureshtinë për të zbuluar atë çfarë ndodh, por edhe për t’i nxitur impenjimin për të lexuar mes rreshtave.
“Ligji i maskave” është romani i dytë i Mark Lucgjonaj, pas atij me titull “Fshati i heshtjes”, të dy botuar në Tiranë nga “Naimi”, ndërkohë që Mark Lucgjonaj ka botuar edhe vëllimin poetik “Zhurma e mendimeve”.
                                                                                                                    Lori Kola, Lezhë

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...