Agjencioni floripress.blogspot.com

2018/07/15

Çfarë u tha për Skënderbeun në Konferencën e Paqes në Paris?

Ja çfarë tha poeti i madh kombëtar Atë Gjergj Fishta për heroin tonë Gjergj Kastrioti në Konferencën e Paqes në Paris:


…“Pushtime të hueja janë përshkue mbi komb shqiptar, por të gjitha kanë kalue pa lanë kurrfarë gjurme, si ujët që rrëshet mbi shpinë të rosës”.

Për lirinë e vet, zotni, shqiptari ban fli shpinë, tokën dhe mjerisht, edhe besimin. Fakti veç që shqiptari në mes të sa ndodhive dhe te papritunave politike e për nji periudhë kaq të gjatë shekujsh, ka mbrrijtë me e ruejt gjuhën, doket dhe karakterin e vet kombëtar – dhe këtë jo vetëm në Shqipni, por edhe jashtë kufijve të sajë – kjo difton çiltas se ai asht dhe don të mbesë shqiptar. E gjithë kjo ndodhë sepse ndërgjegja kombëtare ka lëshue rrajë të thella në shpirt të tij. Por ma mirë se kurrkund njeti, dashunia e popullit shqiptar për liri dhe pamvarësi kombëtare, duket në faqet e historisë, për të cilën mundemi me thanë se asht e endun vetëm prej luftash për liri e pavarësi. Unë këtu, për mos me e vu fort në provë durimin e Zotnisë suej, po ju përmend vetëm punët e mëdha, që ndërgjegja kombëtare e këti populli, kreu që prej të XV qindvjetë e mbrapa.

Bota mbarë mbështjellej në zi. Të flegrueme droje, shuejtën zanin mbretnitë e Europës. Kur qe, mbi kep të Krujës titanike, po del nji hije burri, vetullat ngërthye si dy hulli rrufeje, me dy sy zjarmi e nji mjekër të thinjtë, e cila shtëllungë gjatë nofullës i derdhej, si ajo mjegulla rreth nji shkambi të thepisun. Mbi krye flakë i shkëlqen përkrenarja me brena qi, tmerrshëm kah i vezullon nën rreze të diellit, kometë zharitëse dánë ndër sytë e anmikut. Ai asht fatosi i ndimun, i madhi Gjergj Kastrioti, Skanderbegu. Me flamurin kuq e zi shpalosun përpara, poshtë rrëmoreve të maleve të thepisuna, si stuhi bore që zdrypë prej ndonji kulmi të rrëmbyeshëm, u prin shqyptarëve, qi vërsulen vetëtimthi mbi formacionet e turqve, të cilët, prej së largu tuj ua pa hovin, thonë se kulshedra me dragoj po u turret.

Por mundet ndokush me më thanë se Skanderbegu këto lufta i ka ba për qëllime fetare, dhe jo i shtymë prej nji ndërgjegjeje kombëtare, pra për me i dalë zot lirisë dhe pamvarësisë së vendit të vet.

Të vertetën ta kallëxon çka ndodhi mbas tij. Mos kujtoni se me dekë të Skanderbegut u shue ndjesia e lirisë dhe e pamvarësisë në shpirtin e shqiptarëve. Historia e Turkisë ka shenjue jo ma pak se 54 kryengritje të mëdha të cilat gjatë rrjedhjes së katër shekujve kombi shqiptar i bani qeverisë otomane ose për me pshtue prej zgjedhës së sajë, ose për me e ngushtue që mos t’ia mohonte të drejtat e tija.

300 tulla me alfabet të vjetër shqiptar u zbuluan në Rusi



Me një shqipe të shkëlqyer, të cilën e ka mësuar nga dy pedagoget ruse që kishin jetuar në Shqipëri në vitet ’50, Gertruda Intrei dhe Irina Horonina, studiuesi bjellorus, Aleksandër Novik, rrëfen një nga zbulimet më të mëdha në Rusi të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Në më shumë se dhjetë shekuj arkeologji, faktet e ekzistencës së një alfabeti shqip mungojnë. Mbishkrimet e zbuluara më së shumti janë ose në alfabetin latin, ose grek, dhe ka vetëm ndonjë gjurmë të pastudiuar ende të alfabeteve të vdekura të shqipes…

Por, në vitin 2015, arkeologu rus Dmitry Zenyuk ka zbuluar në fshatin Margaritovo në zonën e Uzovit, në Rusi, mbishkrime në gjuhën shqipe të shkruara në tulla. Në fillim, kur arkeologët zbuluan objektet me mbishkrimet shqipe, i krahasuan me Alfabetin e Elbasanit dhe u mendua se ishte një alfabet që shqiptarët e Ukrainës e kishin marrë me vete.



Për fat të keq, historia e vajtjes së një numri të madh shqiptarësh në territorin e Perandorisë Ruse, për studiuesit shqiptarë është pothuajse e panjohur. Për shumë vite, kjo histori ka qenë e panjohur, jo vetëm për shoqërinë ruse, por edhe për shkencëtarë dhe specialistë në fusha të ndryshme të disiplinave humanitare.

Zbulimi i 200 tullave ku janë ruajtur shkronja e fjalë shqipe ka tronditur tashmë opinionin shkencor, ndërkohë që sot në muzetë ruse numërohen rreth 300 copë të ngjashme. Fakti që për dy shekuj mërgimi në Rusi dhe tre shekujt të tjerë në Bullgari shqiptarët e Ukrainës kanë ruajtur identitetin, traditat dhe gjuhën shqipe, nuk ka befasuar vetëm studiuesin e njohur Aleksandër Novik, por edhe albanologë të tjerë të huaj.


“Tre vitet e fundit unë shkova bashkë me studentët e kolegët e mi në jug të Rusisë, në brigjet e detit Azov, në rajonin e Ostovit. Në fund të shekullit të XVIII në këtë vend ishin në themeluar disa fshatra, domethënë Margaritovo, Epirski, Albanski, domethënë fshati i albanëve, i shqiptarëve. Para 20 vjetësh arkeologu rus Midriz Injuk ka zbuluar disa tulla me mbishkrime të sistemit të vjetër të shqipes”, thotë ai. “Themeluesi i fshatit Margariti mendohet se ishte shqiptar nga Kreta dhe ai ka marrë shumë tokë nga qeveria ruse për shërbimin e tij në ushtri dhe kishte afërsisht 200 kilometra tokë. Kështu ai ka organizuar një ndërmarrje të tillë që ta rrethonte një pjesë të madhe me tulla dhe në çdo tullë të kishte një shenjë, shkronjë shqipe”.

Pas këtij zbulimi që bëri bujë në Moskë në vitin 2015, arkeologu Dmitry Zenyuk në një konferencë për mediat është shprehur se: “Në fakt, ky është një zbulim që u bë për një kohë shumë të gjatë. Tulla e parë e ngjashme që kam gjetur ishte kur isha nxënës në klasën e tretë. Ndërsa në këtë moment nga zbulimet e bëra tulla të tilla njihen me rreth 300 kopje…. Është e mahnitshme! Në botë mbijetojnë disa shembuj të përdorimit të alfabetit të vdekur të shqipes në arkivat shtetërore në Tiranë, ku një nga ato është ‘Bibla e Anonimit të Elbasanit’ dhe disa letra nga tregtarët dhe artizanët nga Elbasani të afërmit e tyre të mërguar. Prandaj gjetjet nga fshati Margaritovo janë me interes serioz shkencor!”.

Thënie të Winston Leonard Spencer-Churchill (1874-1965) : Perandoritë e së ardhmes janë perandori të mendjes!


Winston Leonard Spencer-Churchill (1874-1965) ishte kryeministër i Britanisë së Madhe, në momentet më të rënda gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishte oficer, por njihet si historian dhe një nga oratorët më të njohur në histori. Më 1953 fiton Nobelin për Letërsi, “për mjeshtërinë e tij të përshkrimeve historike dhe biografike, si dhe për oratorinë brilante në mbrojtje të vlerave njerëzore”. Më poshtë mund të lexoni 30 thënie të tij.

• Shakaja është një gjë shumë serioze!

• Gënjeshtra ka shkuar deri në gjysmë të botës, përpara se e vërteta të ketë mbathur pantallonat!

• Njeriu bën çfarë duhet bërë – pavarësisht pasojave personale, pavarësisht pengesave, rreziqeve dhe presioneve – dhe kjo është baza e gjithë moralit njerëzor.

• Një pesimist shikon vështirësi në çdo mundësi; një optimist shikon mundësi në çdo vështirësi.

• Politikani ka aftësinë të parathotë se çfarë do të ndodhë nesër, javën tjetër, muajin tjetër dhe vitin tjetër. Dhe, e ka aftësinë pastaj të shpjegojë pse të parathënat nuk ndodhën!

• I burgosuri i luftës është një njeri që përpiqet të të vrasë ty dhe pastaj të kërkon ty të mos e vrasësh atë!

• Edhe pse unë jam krejt i kënaqur me eksplozivet ekzistuese, e ndjej se nuk duhet të ecim në drejtim të përmirësimit të tyre!

• Ndonëse isha i përgatitur për martirizim, parapëlqeva ta lë për më vonë!

• Paqebërësi është ai që përpiqet ta ushqejë krokodilin, duke shpresuar se ai do ta hajë atë të fundit!

• Sjellja është një gjë e vogël që përbën një ndryshim të madh!

• Betejat janë fituar me masakra dhe manovra. Gjenerali i madh, sa më shumë që i jep përparësi manovrës, aq më pak lë vend për masakrën!

• Trimëria me të drejtë është vlerësuar si cilësia e parë njerëzore… sepse ajo është cilësia që i garanton të tjerat!

• Kritika mund të mos jetë e pranueshme, por është e nevojshme. Ajo përmbush të njëjtin funksion që ka dhimbja në trupin njerëzor. Ajo tërheq vëmendjen ndaj gjendjes jo të shëndoshë të gjërave!

• Vështirësitë e mposhtura janë mundësi të fituara!

• Mos lë hapësira të mëdha për një botë të re, kënaqi energjitë tua së shpëtuari çfarë ka mbetur nga e vjetra!

• Ngrënia e fjalëve nuk m’i ka bërë asnjëherë keq tretjes!

• Çdokush e ka ditën e tij dhe disa ditë zgjatin më shumë se të tjerat!

• Sa për mua, mendoj se do të ishte shumë më mirë për të gjitha palët t’ia lëmë të shkuarën historisë, sidomos përderisa kam qëllim ta shkruaj historinë vet!

• I madh dhe i mirë janë rrallë i njëjti njeri!

• Ai i ka të gjitha virtytet që nuk më pëlqejnë dhe nuk e ka asnjë nga veset që unë i admiroj!

• Qytetarët e shëndoshë janë pasuria më e madhe që mund të ketë çdo vend!

• Historinë e shkruajnë fitimtarët!

• Sado e bukur të jetë strategjia, unë herë pas here vështroj rezultatet!

• Unë gjithmonë shmang dhënien paraprake të profecive, sepse është shumë më mirë të profetizosh pasi një zhvillim ka ndodhur tashmë!

• Jam gjithnjë gati të mësoj sado që asnjëherë nuk më pëlqen të më japin mësim!

• Sigurisht që nuk jam një nga ata që kanë nevojë të më nxitin. Në fakt, nëse diçka jam, atëherë jam vetë nxitja!

• Unë kënaqem lehtë me të bukurën!

• Më pëlqejnë derrat. Qentë na shikojnë ne nga lart. Macet na shikojnë nga poshtë. Derrat na trajtojnë si të barabartë!

• Perandoritë e së ardhmes janë perandori të mendjes!

• Nuk kam ndërmend të kem të bëj më me politikën ose politikanët. Kur kjo luftë të mbarojë, unë do të merrem vetëm me shkrime dhe pikturë! /Përktheu: Elida Buçpapaj/

‘Dembelët e Kosovës ’/ Ne shqiptarët, me ligj fabrikojmë pushime


1 Maji është një ditë simbolike për mbrojtjen e të drejtave të punonjësve në mbarë botën.

Në Shqipëri, prej vitesh e ka humbur simbolikën dhe është kthyer në një ditë pushimi, kryesisht për punonjësit e administratës shtetërore, ndërsa në sektorin privat jo të gjithë e bëjnë pushim, teksa mbrojtja ligjore për punët jashtë orarit dhe ditëve të pushimit në Shqipëri është e ulët.

Jo më kot vendi ynë rezulton që ka orë shumë më të gjata pune sesa mesatarja e vendeve të zhvilluara. Sipas INSTAT, që i referohet vitit 2017, në Shqipëri punohet mesatarisht 2,173 orë në vit, ose rreth 42 orë pune në javë. Ndërsa mesatarja e vendeve të zhvilluara të OECD është 1764 orë. Në krahasim me mesataren, të punësuarit me pagë në Shqipëri punojnë rreth 409 orë më shumë.

Vendet me numrin e orëve mesatare më të ulët se mesatarja e OECD janë ato të Europës Perëndimore, si Holanda me 1435 orë pune në vit, Franca me 1472 orë në vit, Zvicra me 1589 orë.

Edhe në krahasim me rajonin, ne punojmë më gjatë. Në Maqedoni, sipas të dhënave zyrtare, orët e punës vjetore janë më pak se 1900.

Por, pavarësisht se punojmë me orë të zgjatura, ditët zyrtare të pushimit nuk i kemi të pakta, madje kryesojmë në rajon. Nga festat e Vitit të Ri deri tek Dita e Flamurit dhe lejet vjetore shqiptarët kanë 34 ditë pushimi të paguara.

Sipas Kodit të Punës, në Shqipëri janë 20 ditë pune leje vjetore, apo 28 ditë kalendarike. Ndërsa festa zyrtare numërohen 14, (shiko tabelën). Ditët kur festat zyrtare përkojnë të dielën, e hëna është ditë pushimi (kjo është llogaritur vetëm si një ditë pushimi).

Me 34 ditë pushimi në vit, shqiptarët renditen në mesataren e vendeve të Europës.

Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria ka numrin më të lartë të ditëve zyrtare të pushimit. Në Malin e Zi, sipas të dhënave janë 8 ditë pushimi zyrtar. Në shtetin më të ri të Europës, Kosovë, duke iu referuar të dhënave zyrtare ka rreth 9 ditë pushimi, përveç të shtunave dhe të dielave, dhe ditëve kur pushimet i bien gjatë fundjavës. Në Serbi, Maqedoni dhe Bosnje, janë rreth 11 ditë zyrtare pushimi.

Për sa i përket ditëve totale të paguara, Shqipëria numëron rreth 34 ditë, numri më i lartë në rajon. Më pas renditet Mali i Zi me 32 ditë pushimi të paguara, Bosnja me 31, Serbia me 31, dhe Kosova me 29.

Në Europë, sipas një harte të publikuar nga Ëikipedia, në krye të klasifikimit si vend me më shumë ditë pushimi të paguara është Malta me 40 ditë, e ndjekur nga Austria, Danimarka, Franca dhe Spanja me 36 ditë pushimi. Në vend të tretë është Italia së bashku me Gjermaninë, Zvicrën dhe Mbretërinë e Bashkuar me 32 ditë pushimi. Ndërsa Holanda ka vetëm 20 ditë pushimi të paguara.

Vendet që kanë numrin më të ulët të pushimeve, me 21 ditë, është Izraeli, Greqia me 24 ditë, Turqia me 26.

Bodrumet e diktaturës në një përkthim



Nga Sait SAITI

Historia e çdo familjeje ka peripecitë e veta, por disa familjeve iu ka rënë për hise edhe më shumë se kaq – është kjo lloj fjalie hyrëse për filmat që më vjen të them kur më duhet të rrëfej diçka mbi të mitë. Falë arkivistit dhe historianit Kastriot Dervishi m’u pat dhënë mundësia të shihja dosjen hetimore të tim eti, tek procesverbalet e marrjes në pyetje nga hetuesi Shyqyri Çoku përcjell të vërtetën e tij mbi pse pati atë qëndrim ndaj regjimit komunist.


Sa i përket itinerarit të burgimit të tij, di që ka përshkuar trekëndëshin e burgjeve në Burrel, Spaç e në fund në Qafë Bari. Im át kishte bërë një vit shkollë në Bashkimin Sovjetik (kohë kur tregon në hetuesi se qe diziluzionuar, 1959-’60), më vonë pësoi fërkimin e këtushëm që patën autoritetet për të ardhurit nga Rusia dhe më pas u riinkuadrua në marinën tregtare. Duke u përsiatur postum kam menduar ndonjëherë se arsyeja se pse pati zgjedhur të ndërmerrte një veprimtari për të cilën ishte i vetëdijshëm që do të dënohej, ishte përveçse një bindje e sprovuar nga përvoja duke krahasuar me mendje të lirë botën e jashtme me vendlindje, arsyeja ishte edhe ngushtësisht familjare dhe intime: prania e vëllait të vogël në burg. Axha i vogël, Shuajpi, u arratis në Jugosllavi më 1966 dhe mbasi u kap nga autoritetet e atjeshme, u kthye mbrapsht për t’u dënuar më pas, dhe burgosur. Më 1973 pas pjesëmarrjes aktive në Revoltën e Spaçit, ridënohet dhe për më tepër, në mënyrë të përsëritur nuk bindej që të punonte në minierë dhe përfundonte në izolim – gjë për të cilën, pas afro 24 viteve burg, pati pakçka prej mushkërive të veta funksionale. Hamendja ime më shpie të mendoj që vëllai i vogël, më i pabinduri ndër shtatë vëllezërit – siç e kemi edhe arketipin nga përrallat – ishte nakli i vëllait të parafundit.


Kam dëgjuar vetëm në mënyrë të vagullt mbi përvojën e tyre në burg, copëza ndodhish që pak me intuitë e pak me fantazi jam përpjekur t’i lidh, duke përpiluar disi një lloj hartografie kujtimesh dhe hamendjesh.
Në Burgun e Burrelit, nuk e di se si, por përktheu tetë vepra të Dostojevskit dhe mund të ketë ndihmuar ndonjë bashkëvuajtës për ndonjë përkthim. Kam dëgjuar fjalë se ka pasë debate, me Dom Nikollë Mazrrekun – një emër që më është thënë – për çështjen e përkthimeve nga rusishtja. Gjithmonë postum e mirëkuptoj padren, i shquar për temperamentin e tij që me një kundërpërgjigje që i dha Cordignano-s, që mund ta ketë pa rusishten si gjuhën e investitorëve madhorë për krijimin e regjimit komunist në Shqipëri, mirëpo im át nuk fajësonte gjuhët për çka kishin sjellë rrethanat historike. Aq e vërtetë është kjo, saqë dashamir i gjuhëve siç ishte, hyri në burg ditur 3 gjuhë dhe doli me njohje së paku teorike edhe për tre të tjera. Për të cituar Arshi Pipën në një intervistë të bërë nga Visar Zhiti, bashkëvuajtës i babës po ashtu, për një pjesë që përkon me t’im át: e ka marrë burgun si universitet.

Përkthimi “Shënime nga bodrumi” është përkthimi i parë i botuar nga shtatë përkthimet që kam në dorëshkrim, përkthyer në standardin e vjetër me bazë gegnishten, por me një hartë frazeologjike e leksikore të viseve etnike tona.

Ndër mbamendjet e para që kam me t’im át asht njëra duke bashkëndarë përkujdesin për kanarinat dhe gardalinat, si merakli që ka qenë. Tashmë, bashkë me këtë kujtim dhe botimit, po bashkëndahet me lexuesin se ka qenë edhe merakli i shqipes.

Rrëfimi i Eleni Foureras: Për shkak të sulmeve u mbylla në dhomë duke qarë

Këngëtarja me origjinë shqiptare, e cila përfaqësonte Qipron në Eurovizon, Eleni Foureira, ka rrëfyer se pjesëmarrja e saj në Eurovizion nuk ka  edhe aq e thjeshtë për të.


Përveç presionit që ajo ka pasur nga Greqia për shkak të deklaratave në lidhje me origjinën e saj shqiptare, Eleni ka treguar në një intervistë për mediat greke se ka kaluar një stres shumë të madh.

“Përveç këngës unë duhet edhe të kërceja prandaj nuk duhet të haja asgjë 5 orë pëpara provave. Brenda 10 ditëve kam humbur 3 kilogramë. Ushqimi im kryesor ishte vakti i mëngjesit dhe omëleta e mrekullueshme e hotelit. Isha në skenë nga ora 08:00 deri në orën 12 të darkës”, -shprehet këngëtarja.

Po ashtu, Eleni ka rrëfyer se për shkak të stresit të shkaktuar nga sulmet personale, ajo ishte mbyllur në dhomë duke qarë për disa orë

Gjuha poetike e Asllanit për Havën


Asllan Qyqalla lindi më 1.4.1959. Ka mbaruar Fakultetin e Filologjisë – Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe, Universiteti i Prishtinës.

Ka botuar librat:

Bardhësi në Bardh, monografi, Prishtinë, 1995

Nimfa e një zemre të lënduar, tregime, Prishtinë, 2013

Loti – det dhimbjesh, poezi, Prishtinë, 2016

Loti – det dhimbjesh, rumanisht, Bukuresht, 2016

Lora, poezi, Prishtinë, 2017 (edhe rumanisht, “Pasaporta e dashurisë”, Bukuresht, 2018 dhe frëngjisht, “Lora, dashuria ime”, 2018)

Gani Xhafolli – princ i letërsisë për fëmijë, monografi (bashkautor me Reshat Sahitajn), 2018

Malli poetik i Kosovës 5, 6, 7 e 8, 2014, 2015, 2016 dhe 2017 (përgatitja)

Në konkursin ndërkombëtar të poezisë në Torre Meliso në Itali ka marrë çmimin I më 2017.

Dramatizoi romanet: “Dashuria e Talatit me Fitneten” të Sami Frashërit, “Zezona” të Musa Ramadanit, “Nga jeta në jetë Pse?” të Sterjo Spasses etj.

Jeton e vepron në Prishtinë.




Ishte vetëm një, dhe ajo ishte shenjtore e heshtjes…




Fotografia e Hasan Hasanramaj


Nga Hasan Hasanramaj,prof.

Fatet shpesh dine të hakmerren në këtë botë hokatarë, por ngushëllimi nuk është ndjesia e kohës së shkuar dhe as deti i ngrirë të dëshirave, jeta ka parimet dhe filozoftë, ka pentagramet, notat dhe tekstin me mesazhin që le si trashëgimi në kodin e adenës portretizo të materies së njeriut

Këto ditë do li nga shtypi dhe u promovua vepra e poetit tone Asllan Qyqalles me titullin “Lora”. Në kumtesën e Izet Shales dhe fjalët përshëndetëse të tjerave kushtua këtij librit me poezi në mes tjerash u tha:” Që në kontaktin e parë me poezinë të vepra ,,Lora “të autorit Asllan Qyqallaes – e deri kur provon të përmbyll meditimin për Lorën, brenda kopertonave të kësaj vepre, ndjesia e komunikimit, degdisë pulset dhe vrushkujt e gjakut, sa nuk pëlcasin nga zjarri në oqeanin e ngrirë. Vepra si tërësi dhe secila poezi në veçanti, përforcon, komunikimin adaptim nëpër shkallët sipërore të formës, të kuptuarit, analizuarit, sitentizuar e të praktikuarit në formë dhe përmbajtje. Poezia, ngjyrat e dhembjes, komunikon me lexuesin e secilës pozitë, shtresë shoqërore, institucion profesional dhe përfundimisht kush më shumë e kush më pak gjënë në vargje, ndjesinë, komunikimin, përditshmërinë e përballje në mes dëshirës dhe realitetit pa dashur që të humbë para verdiktit të ligjit të universit, vargjet komunikojnë:

Unë poeti

Serenatën e mësova në dimrin e vonë

Nuk dita të lozë në harpën e Betovenit
Në Kohë

Ky kompozicion përveç divergjencave komunikuese, ka akordimin metaforik të poetit Qyqalla, kur bashkon kërkesën dhe synimin, me plotë sinqeritet dhe korrektësi shpalos kohën e cila e ka tejkaluar dhe nuk i ofron privilegje. Këmbëngulësia që të rrugëtoj pas fatit Sermbian, autorin e Lorës as cunamet e uraganet, pavarësisht ndjesive, fuqive dhe fytyrave që shpërfaqin, nuk e prapësojnë në misionin e shenjt që i ka shkruar vetvetes, përball njeriut dhe universit, sepse për autorin mjalti i shërimit të jetës është ëndrra e Lorës.

Poetet, nuk i takojnë përditshmërisë së rëndomtë të frymoreve, jo për nga emërtim, por shija, formësimi, ndjesia, komunikimi, misioni, përballja , përjetim dhe kurorëzimi pa llogaritur çmimin në aktin e fundit, për të hyjnore është ëndrrën të kthej në shtratin e vet. Këtë planimetri na përforcon, poezia ,, Lora e Prishtinës” ku autori, Asllan Qyqalla shprehet: Sërish takim në Prishtinë hyjnesha hanë zbret në kujtime e cila me vete kishte heshtjen shenjtërore. Asnjëherë të vetme, poetet në këto momente tha Shala nuk sprapsen as nuk heqin kërkesën e vet të realizimit në bashkëjetesë me fatin, sa do që koha dhe njerëzit nuk anojnë dhe s`i krijojnë favore në këtë ëndërr real të autorit, Qyqalla. Ai kthehet në Prishtinë dhe kërkon takim me Lorën e Prishtinës, por hyjnesha e poetit ishte dhe mbetet, hyjneshë, Lora, e poetit ishte vetëm një, dhe ajo ishte Lora shenjtore e heshtjes së poetit, Lora që kishte ndjesinë me poetin, ëndrrën dhe shpresën me poetin, kishte jetën e diellit dhe hënës së poetit, pikërisht dhe realisht , Lora e Prishtinës. Poeti Qyqalla melodizonë fishkëllimat e erës dhe lotët e Lorës, me Lorën në shi. Kjo shpalos dhimbjen, largësinë fizike të dy personazheve, përveç përafrisë së komunikimit që përzihet mes mallit dhe kohës apo Lorës dhe Lanit. Ky kumt sjell demistifikimin abstrakt të komunikimit sikur në këto vargje.

Lora brumon gjinjtë

Me mall dashurie

Lani ndjen kohën

Në detin e ngrirë të dëshirave.

Fatet shpesh dine të hakmerren në këtë botë hokatarë, por ngushëllimi nuk është ndjesia e kohës së shkuar dhe as deti i ngrirë i dëshirave, jeta ka parimet dhe filozoftë, ka pentagramet, notat dhe tekstin me mesazhin që le si trashëgimi në kodin e adenës portretizo të materies së njeriut. Sinkronizimi kronikat i poetit Qyqalla vjen në afektin sentimental, që shkakton drithërim emocionale të fjalës dhe mungesës së shikimit në pasqyrë të Lorës dhe revoltohet duke përplasur parimin e mos durimit deri në ikje të pakthyeshme.

Fjala ngrit ndjesinë emocionale, përjetimi i poetit dhe para imagjinomi i Lorës në pasqyrën e emocionit, shkakton shkarje, mllef dhe pezëm të afektin e poeti, duke kërkuar ikje të njëanshme që ky nuk e pranon dhe i bindet reales por idealizon me sintagmën e fjalës. Se letërsia dhe komunikimi poetik-metaforik rivërteton besueshmërinë e autorit për dashurinë e Lorës dhe i jep jetë e shpresë, kuptim emblematik, që jeta jetësohet pavarësisht kalivareve, një dëshmi e pashlyer janë vargjet e poezisë ,, Drithërimë” ,

Mirëmbrëma Lan

Me del një portret në ekran

Vajzë bionde me plotë andralla

Emër i veçantë në këtë acar të ftohtë.

Ekranit të poetit nuk i mungojnë drita as kur pakësohet Drini i Bardhë e Drini i Zi,as kur sterron Vjosa e Osumi, ai dhe Lora kanë Adriatikun dhe Jonin, kanë Thëllëzën që drithërimat muzikale të acarit të ftohtë i kthejnë në koncert pranvere. Ky vargëzim po më sforcon në argumentin e pamohueshëm se , autori ka eksploruar në galeritë e pasura të eksperiencave, të ndërtimit poetik të poezisë lirike dhe elegjiake në erotikën si vlerë sublime në jetën e artistit dhe njeriut.

Zjarri padyshim se ngroh, dritëson dhe qëndron i ndezur, nëpër kohë brezash se Lora dhe Lani kanë yjet dhe hënën dashuri të përjetësive që ndriçojnë universin e jetës së tyre. Se është kështu plotësisht bindem sikur që është bindur edhe autori, e që na ritregon. Se kaq i pathyer është Lani dhe vargu i tij në librin Lora, reflekton në dashuri njerëzore të bashkë rrugëtarit të tij në natën me Hënë e yje dhe mrekullinë çudibërëse të mendimit elitar artistik-letrar me veprën Lora. Sa do që fjalët i ka cunam ato nuk vrasin, por e tregojnë mbi fuqinë e dashurisë në gjolin e kriptë të jetës. Po e përmbylli kumtesën time me dy citate te lyrësueseve tjerë për veprën Lora, me autor Asllan Qyqallen Kurse për veprën ,, Lora “ te tjerë vlerësuese si: Kaltrinw Hoti , Nju Jork, shprehet. ,, Ai na mëson se dashuria i ruan lotët e dhimbjes, kurse dhimbja e shprehe fuqinë e dashurisë”. Ndërsa, dr. Zejnepe Alili Rexhepi thotë: ,,Ne vargjet e autorit te veprës Lora , është i ndjeshëm përjetimi, jo si ndonjë postulat biblike, por është i lirshëm qe buron nga shpirti i njeriut, qe ka nevoje me shërua dhembjen dhe plagën e saj, plage e vet”.



*****


Nikollë Loka: Rreth vëllimit poetik “Lora” të poetit Asllan Qyqalla




Vëllimi poetik “Lora”, i poetit Asllan Qyqalla, është i veçantë në llojin e vet dhe na kujton këngët e Laurës së Petrarkës apo Llorën e Ismail Kadaresë. Të tre krijimet janë dedikime kushtuar dashurisë së jetës dhe si të tilla, pavarësisht nga një fill i përbashkët tematik, shprehin veçanësitë e tyre që lidhet me intimitete dhe fate të ndryshme njerëzore. Në librin “Lora”, Asllan Qyqalla jep përjetimet e tij, të shprehura artistikisht me individualitet artistik si një poet i formuar dhe me profil të qartë krijues. Poezitë e tij përcjellin mesazhe që lexuesit i dekodojnë sipas mënyrës së tyre, si vijimësi jete, përpjekje për të mbajtur fillin e dashurisë midis dy njerëzve kur njëri prej tyre nuk jeton, ose si pranim i fatit njerëzor dhe refuzim i tij.



Në vëllimin poetik “Lora”, në funksion të qëllimeve të veta, përmes teknikave poetike të larmishme, Ligjërimi poetik i autorit është idiomatik dhe përtej kuptimit të parë e të drejtpërdrejtë, kemi domethënie dhe interpretime të tjera. Poeti kërkon tri ditë hua për një serenatë, ai s’di t’i përtypë shtigjet e vetmisë, ai është mëkatar i sojit të ri, etj. Poeti bën kapërcime në kohë, bashkon kohën që s’është me të tashmen, duke shkelur në të kaluarën përmes kujtimeve, “i përndjekur nga malli”, siç e shpreh vetë ai.



Dashuria dhe vdekja janë obsesionet kryesore të qënjes njerëzore. Dashuria në të gjitha format e saj na lidh me njerëzit, ndërsa vdekja si fund i pashmangshëm i jetës e proekupton vazhdimisht vetëdijen dhe nënvetëdijen tonë, duke bërë që qënja njerëzore të jetë e dënuar të dashurojë dhe të vdesë. Poeti e kapërcen kohën dhe vdekjen dhe në datëndërrimin e orës së zanave, pra në një kohë jashtëtokësore e takon të dashurën e tij, në tokë, aty te molla në kopësht. Kjo përzierje mjedisesh reale dhe joreale, jetësore dhe qiellore shërben për të lehtësuar komunikimin e poetit me shpirtin e tij binjak, tashmë në amshim.



Ndërkohë, Lora hyjnore, ajo që flet nga qielli, apo që e rikthen në kohë, kthehet shpesh në përditshmërinë e jetës njerëzore dhe vjen për t’i kujtuar poetit vazhdimësinë e jetës dhe bukuritë e saj. Në poezinë e Asllanit shfaqet një realitet i ndërtuar mbi gjurmë që tejkalojnë kohën, me vende nga ka kaluar Lora hyjnore, që poeti i sheh, i ruan në kujtesë,mbi të cilat poeti pikëllohet dhe gjen ngushëllim. Këto vende janë për autorin të shenjta sepse krijojnë me të një marrëdhënie të veçantë, shprehur bukur në poezinë mjaft domethënëse “Letra e vonuar”, ku pëllumbi zbret në adresën e gabuar dhe përshkon tridhjetë vjet kohë. Është koha e çmuar e poetit që ai s’don ta lëshojë e ta braktisë. E për ta rikujtuar ai kalon nga Ura e lirisë, klloçka e lejlekut, Kroj i bardhë, e ulet në sofrën e pashtruar. Këtë ndjesi, lexuesi e provon edhe në poezi të tjera, disa prej të cilave po i përmend: Lora e Prishtinës, Lora pa vello; Për vitet e ikura; Pas Shën Valentinit”; Njohja e ëndërrës; Ik nga unë.



Në të gjitha këto poezi, vendet shërbejnë për të aktualizuar kujtimet dhe për të afruar kohën; për të ruajtur kujtesën dhe pasionet. Shfaqjet e pejsazheve dhe vendeve përdoren si shprehje të trazimeve të brendëshme shpirtërore, që vijnë herë si mall dhe herë si dhimbje.



Dashuria në vargjet e poetit është qiellore, diellore dhe hënore. Kështu në poezinë “Ekspoze romantike” autori shkruan: Hëna përkëdhel dashurinë në tokë/ toka mbrun dashurinë në hënë/ Lora në ylber/ qëndis vashën në orbitë/ hënë mbaje sekret/ këtë ikonë dashurie/ tokë mos e prano/ përkëdheljen e diellit.



Nga toka në qiell është gjithmonë një prag për t’u kapërcyer, që e bën të mundur diçka që duket e pamundur, ruajtjen e dashurisë në jetë dhe lidhjes përmes dashurisë me vdekjen. Në poezinë e këtij libri, gjendet një vend ku poeti ndodhet më shpesh, Është vendin ku ndahet realja me endërrën. Imzhet vizuale të jashtme shërbejnë për të zbuluar të fshehtat dhe poezia flet të njëjtën gjuhë si ëndrra dhe, nëse ka dallim në mes të poezisë dhe ëndërrës, ai bëhet i dukshëm vetëm sepse poezia është e kursyer në fjalë, ndërsa ëndrra e pakursyer. Në këtë rast, ëndrra dhe poezia nuk duhen kuptuar fjalë për fjalë, por duhet të shihen si një përpjekje për të ngjallur emocione dhe ndjenja të forta, ku realiteti herë jepet në mënyrë pothuajse të drejtpërdrejtë, pastaj kalon në fushën e imagjinatës, ku poeti na tërheq në botën e tij. Nga e gjithë kjo, bëhet e qartë se poezia është e ndjeshme në interpretim, me të njëjtën kompaktësi si ëndrra.



Poeti Qyqalla shprehet me gjuhë të kursyer, sikur t’i kishte vënë vetes qëllim që me sa më pak fjalë të shprehë sa më shumë mendime dhe emocione njerëzore. Marrim si shembull poezinë “Sogjetoj ëndërrën” ku poeti shkruan: “Mbrëmë sogjetoja ëndërrën e Lorës/ aty ku vishet e zhvishet jeta/ në trajta horizontale/ puth yjet në ballë/ Lora shtrirë në shtratin e nusërisë/ pa vello/ e këngën e kanës/.



Autori, për ta bërë kohën e tij më të kuptueshme, fut në poezitë e veta elemente poetike ekzemplarë nga prurjet më të mira botërore dhe të traditës sonë, për të na treguar se ndarja, malli dhe dhimbja që vjen prej saj kanë ekzistuar pavarësisht kohës, dje sot dhe nesër. Në libër shprehet fort poetikisht dëshira për ta kapërcyer fatin dhe për të mos iu nënshtruar atij. Në poezinë e autorit ndeshim Mona Lizën, Zhuljeta, Odiseu, Gjergj Elez Alia etj.



Qyqalla i kushton rëndësi fjalës dhe gjuhës figurative të saj, që shpesh luan rol vendimtar në kondensimin dhe zgjerimin e kuptimit. Metafora vjen natyrshëm si mjet komunikimi, kur poetit i duhen dy jetë dhe dy botë, kur dashuria e tij projektohet herë si tokësore dhe herë si qiellore.



Poezia e Qyqallës është e strukturuar mirë dhe e harmonizuar në të gjithë elementet e saj, tregues i pjekurisë së lartë të autorit. Nganjëherë ai përdor të njëjtën bashkëtingëllore për t’i dhënë më shumë forcë mendimit të vet. Kështu në poezinë: Udhëtim pa pasaportë, ai përdor vargun “udhëton në tejhorizont pa itinerar”. Tre “t”-të i japin më shumë forcë vargut. E njëjta gjë duhet thënë edhe në vargun tjetër: Krokama kukuvajkash harlisur në shtatzënë, ku përsëritet “k”-ja. Edhe emri Lorë përsëritet shpesh si referencë sematike dhe poetike, sidomos në dialogjet poetike midis Lanit dhe Lorës.



Poeti Asllan Qyqalla ka guxuar ta trajtojë temën e dashurisë së munguar, mjaft e rrahur nga poetë në të gjithë botën dhe për të cilën poetët më të mirë botërorë kanë shkruar kryevepra. Krijimi i një poezie origjinale në këtë rast duhet vlerësuar si sukses i madh. Përveç pejsazheve poetike të vetat, që poet ii nxjerr nga intimiteti dhe i përdor em mjeshtëri, ai na sjell metafora origjinale mjaft shprehëse si: poet i përndjekur nga malli, rinohem me virgjëri, kukuvajka harlisur në shtazënë, mall i shtrydh në tokë, sorrat qëndisin kurorë, toka mbrunë dashurinë në hënë, në logun e ëndrrave, në besën e yjeve etj. Poezia e mirë nuk është aftësia për të lidhur së bashku frazat të shprehura bukur, ose për të thënë diçka absurde që tingëllon poetike vetëm për injorantët. Poezia e mirë mund të kuptohet nga kushdo që e lexon atë. Shkrimi i poezisë së mirë do të thotë të kesh aftësinë për të shkruar rreth të zakonshmes në një mënyrë që kurrë nuk është thënë më parë. Poezia e mirë kërkon saktësi që të mund të krijojë një pikturë në mendje dhe një emocion në zemër.



Vëllimi poetik “Lora” e ka imazhin dhe ndjenjën të shprehur sipas mënyrës së poetit, si imazh dhe ndjenjë e poetit Asllan Qyqalla. Dëshmi e cilësisë së lartë të këtij libri poetik është edhe fakti se një poezi e tij, ajo me titullin “Shën Valentin” ka fituar çmimin e parë në konkursin ndërkombëtar “Veliero” që u mbajt në maj të këtij viti në Çirò Marine të Italisë, e cila, sipas mendimit tim, nuk është më e mira e këtij vëllimi poetik me lirika të bukura.



Vëllimi poetik “Lora” me origjinalitetin, mjeshtërinë e teknikave poetike, gjuhën e zgjedhur dhe mjaft të kursyer si dhe metaforat e shënuara mendoj se është njëri ndër librat poetikë lirikë më të realizuar të këtyre viteve të fundit në letërsinë shqipe. Pas këtij libri cilësor, i uroj poetit Asllan Qyqalla vepra të tjera cilësore dhe suksese në vijimësi në procesin e tij krijues.


*****

Gjuha poetike e Asllanit për Havën, "Loti- det dhimbjesh"




Duhet të themi që në fillim se poeti ka kujdes të madh në përdorimin e gjuhës për ta bërë vargun, për ta shtjelluar artistikisht idenë dhe për ta bartur porosinë. Ai e ka kuptuar mirë se gjuha poetike nuk është vetëm poetike, po është gjuhë e shkruar me teknikat e shkrimit, duke bërë ligjërim me koherencë në nisjen, zbërthimin dhe përfundimin e idesë, ose të vetë temës së shtjelluar nëpërmes vargut poetik në poezinë e tij, në këtë vepër.


Për të thënë më shumë sot lidhur me këtë përdorim stili gjuhësor, të mjetit më rëndësishëm, gjuhës, kam shkëputur një poezi që përmbeldh artsitikisht idenë e Asllanit për:

Havën - Hesti-hyjneshë e zemrës, familjes dhe harmonisë familjare

Havën - pedagoge - hulumtuese dhe me 30 vjet pune në arsim

Havën - dashuri e Asllanit, aq më shumë edhe pas ndarjes fizike me të.



Këto elemente i gjejmë te poezia Hesti

Hava - Hesti - hyjneshë e zemrës, familjes dhe harmonisë familjare\

-Në vargjet e fundit të poezisë Hesti “ti flakron në kaltërsi, qiellit i dhurove hirësi, buzëqeshja jote oazë magjie Diell i paperënduar si Haesti…!, poeti e thotë të gjithë mendimin e tij për Hyjneshën e tij të zemrës e të familjes, të harmonisë familjare.

Sa do subjektive të na duken, po aq këto vargje shpërfaqin një realitet artistik, i nxjerrë fuqishëm nga një realitet objektiv, i ndjenjës që ka poeti për të dashurën e tij, për ta shprehur shumanshëm personalitetin e gruas hyjneshë, nënës hyjneshë, hyjneshë e harmonisë familjare. Me gjuhën e pastër poetike poeti nuk e fsheh afërsinë me hyjneshën, përkundrazi e shpërfaq harmonishëm brenda relacionit që ka me personalitetin, me hyjninë e saj.

Mesazhi njerëzor i poetit që nxirret nga ky relacion, për ta kërkuar sublimen e dashurisë, të dashurisë ndaj tjetrit, ndaj njeriut, është mesazh njeriu-për të dashurën e tij, për Hestinë e tij, - është shumë real, është njerëzor.

Hava - pedagoge. Ata që e njohën e dinë mirë sjelljen e saj prej pedagogeje. Nuk mund të ishte pedagoge e mirë pa qenë nënë e mirë, grua e mirë, intelektuale e mirë. Poeti përpiqet t’i sublimojë këto elemente për ta nxjerrë fuqishëm në varg hyjneshën e tij.

Në një ditë kujtimi si kjo, në një orë si kjo apo edhe në një minut si ky, bëhen bashkë dhe shkrihen në një: malli për nënën, dashuria prindore, dashuria për gruan, e mbi të gjitha dashuria njerëzore për të afërmin, për njeriun me vlera intelektuale, atdhetare dhe njerëzore.



Hava - dashuri e Asllanit. Dhe sublimja e dashurisë për njeriun mbetet duke përmbajtur në vete njerëzisht, ndienjërisht e intelektualisht, respektin për atë që e duam më së shumti; për njeriun me të cilin ndahen: dashuria, vështirësitë, të qeshurit, halli, hidhërimi e gëzimi, jeta.

Të gjitha këto tani, në një ditë si kjo, njerëzorja mbi të gjitha, ndjenja, mblidhen dhe bëhen bashkë si në një arkë kujtimesh, për atë që ikën nga jeta fizike, për Havën- Hestinë - hyjneshën e zemrës, të familjes dhe harmonisë familjare. Këto bëhen bashkë në art, në poezi për të shpërthyer me vrull, artisitkisht, përmes vargjeve dhe njerëzisht, si tani këtu, me nderimin që po i bëjmë përmes këtij përurimi të librit kushtuar “Hestisë” së poetit.

Është vargu i fuqishëm i poezisë që mund ta ndalë, ta ndalojë, ta harmonizojë, por edhe ta himnizojë dhembjen dhe krenarinë, hidhërimin e gëzimin, ta bëjë dashurinë sublime. Vargu i poezisë nuk e lë Asllanin të shpërthejë me lot për gruan, për nënën e fëmijëve, për familjaren. Vargu i tij është i fuqishëm bashkë me ato ndienja të kujtimit për Havën. Prandaj, me kujdes dhe me mjeshtri Asllani e ka gjetur mënyrën dhe mjetet për ta mbushur zbraztësinë e tij, për ta mbajtur në kontroll të gjithë “anijen” e tij ndjenjore familjare, kapiten i së cilës është vetë ai, vetë poeti.

Poeti e ka kuptuar dhe e ka zbatuar mirë se kujtimi më i mirë për dashurinë e tij ndaj gruas, mund të ruhet në prehrin e tij, jo në atë objektiv, por subjektiv, me një realitet tjetër shumë të fuqishëm, me shpërthim të përmbajtur, pra me realitetin artistik poetik, si një mjet balansi i mirë i dy anëve të një realiteti, i jetës dhe i pasjetës, në këtë rast.

Një varg poezie a një rresht arti janë më shumë se një shpërthim ndjenjash, janë më shumë se një porosi. Fundja poezia dhe arti në përgjithësi ka këtë mision që njeriu të iki nga udhëkryqi; na kujtohet takimi i Kadaresë me Lasgushin, kur ky i fundit, në një nga takimet e tyre, njëherë, duke e shikuar vëngër i thotë, të dy njëjtë jemi; po të dalim në një udhëkryq do t’i binim kokës së njerëzve, po është poezia ajo që s’na lë.

Është poezia që e bëri Asllanin që realitetin e tij me hidhërim ta kthejë në një realitet tjetër, në një realitet artistik, të ndieshëm, por më të përmbushur.

Përmes poezisë “Më fal, Hava” shohim se poeti e ka kuptuar mirë se duhet t’i kërkojë falje Havës, një herë, dy herë, tri herë, qindra herë dhe t’i duket pak, sikur nuk duhet ngopur me kërkimfalje. Është e kuptueshme se është kjo ndienjë e fuqishme dhe e përsëritur e poetit në situata arti si zbërthim i gjendjes reale të tij. Është përdorimi i gjuhës, është vetë gjuha që ia mundëson që në secilën gjendje të poetit, pas çdo kërkimfaljeje, ta vë prapë nën kontroll gjuhën si reflektim të gjendjes së tij reale. Gjuha është ajo që nuk e lë poetin t’i kalojë kufijtë e të thënës së mundshme dhe të nënkuptuarës, të pathënës për situatat e tij objektive, por të kthyera në gjuhën subjektive artistike figurative në vargje. Autori e nxjerr një diskurs kohesiv, poetik të balancuar me koherencë të pandërmjetshme të gjendjes së tij ndjenjore.

Sot, kërkimfalja përmendet ndër tri fjalë, nocione themelore të mirësjelljes, jo thjesht kurtuazi si: faleminderit, ju lutem dhe më fal!

Pa u hamendur,poeti Asllan QYQALLA i thotë më fal, Havës!

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...