Nga Flori Bruqi
Rilindja shqiptare, bashkë me pararendësit dhe pasrendësit e
saj, e kapi hijen e vdekjes që po i vërtitej kombit.
Robëria e gjatë po pillte filozofinë e robërisë, ngadhënjimi i
së cilës do të ishte shumë herë më fatal se robëria vetë.
Shkrimtarët veriorë, Pjeter Budi(1566-1622), Frang Bardhi(1606-1643), Pjetër Bogdani(1625-1689),
më pas arbëreshët me Jeronim De Radën(1814-1903)
në krye, e fill pas tyre vargu i vetë rilindësve, të herët a të vonë, si Naim
Frashëri(1846-1900), Ndre Mjeda(1866-1937), Andon Zako Çajupi(1866-1930),
Gjergj Fishta(1871- 1940), e deri te Theofan Stilian Noli (1882-1965), u ranë
gjithë kambanave që duhej të zgjonin shqiptarët, për t‘i ngritur kundër
robërisë, por sidomos kundër filozofisë së saj.
Për aksionin e saj, dëshpërimisht solemn, Rilindja shqiptare
solli në Shqipëri fantazmën e dëbuar, Gjergj Kastriotin-Skendërbeun , të cilin
Europa, për fatin tonë, na e ruajti, jo vetëm në sheshet dhe rrugët e pagëzuara
me emrin e tij, por edhe në kujtesën e saj.
Mit’hat bej Frashëri (1880-1949)
i cili ishte njëri nga rilindësit që i jetoi të tria kohët, atë të sundimit
osman, të Shqipërisë së pavarur dhe fillimin e komunizmit, asgjësuesin e tij.
Koha e republikës së Theofan Stilian Nolit (Fan Nolit) dhe ajo e
mbretërisë së Ahmet Zogut(Ahmet Muhtar Zagollit), e para mjaft e shkurtër, e
dyta jo aq e gjatë sa ç‘do të duhej, ndonëse në kundërshtim me njëra-tjetrën në
shumë gjëra, u bashkuan në një pikë themelore, njëmendësimin e ideve të
Rilindjes shqiptare, dhe testamentin e Gjergj Kastriotit -Skendërbeut, thënë
ndryshe, nxjerrjen e tyre nga statusi idealist e romantik dhe vënien në themel
të institucioneve, të filozofisë, të politikës e të strategjisë shqiptare.
Për fat të keq, koha e pavarësisë ishte e shkurtër për t‘ia lënë
vendin periudhës groteske të varfërisë, terrorit dhe izolimit komunist.
Vallë,përse Shqipëria vazhdon të jetë e pafat, përse të tjerët
ecin e ajo ngec, bëheshin tani, me të njëjtin pezm fatalist, ndonëse për një
tjetër fatkeqësi.
Ato pyetje do të përsëriteshin më pas, atëherë ku s‘do të duhej,
pas rënies së komunizmit.
Ato vazhdojnë të bëhen
sot, jo vetëm nga mendjet elitare, por nga shumica e shqiptarëve, gjithkund ku
ata ndodhen. Përgjigjet për to janë të ndryshme dhe kjo është e kuptueshme.
Pas dy robërive, aq pranë njëra-tjetrës, vizioni shqiptar i
botës mbetet ende i turbullt e kaotik.
Midis përgjigjeve është njëra që gjithmonë e më shpesh
përsëritet, në mënyrë ogurzezë: në Shqipëri punët do të shkojnë gjithmonë e më
mbrapsht, përderisa në qendër të Tiranës nuk do të hiqet shtatorja e
Skënderbeut për t‘u zëvendësuar me atë të Sulltan Muratit të I (1362-1389) .
Ngjan e pabesueshme, por këto fjalë të një rimohuesi nga
Shqipëria, hulumtuesit mund t‘i gjejnë jo më larg se tre muaj më parë. Një
tjetër rimohues, këtë herë nga Kosova, shkruan, e zezë mbi të bardhë, se
"antishqiptari Gjergj Kastrioti Skënderbeu, është protagonist kryesor i
historiografisë komuniste, i futur në tekstet e historisë prej komunistëve.
Emrat e rimohuesve
të huaj janë bukur të shumtë si fjala vjen Ahmediu,
Tursuni, Idris Bitlisi,Kemal Pashazade,Oliver Jens
Schmitt etj. por ka edhe bukur shumë shqiptarë që e rimohojnë Skendërbeun janë Hysamedin Ferraj,Olsi Jazexhi ,Mustafa Nano e disa të
tjerë , dhe sa ç‘është e madhe habia për mashtrime të tilla, po aq, në mos më
shumë, është habia tjetër se këta rimohues
paskan përkrahje në rrethet universitare
e gjysmëzyrtare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj.
Këta , e të tjerë si këta, duke abuzuar me lirinë kaotike,
shpesh karikatureske shqiptare, guxojnë të hedhin mendimin se regjimi i egër
komunist shqiptar, ishte i tillë ngaqë u projektua në bazë të orientimit të
rilindësve shqiptarë!
Për të mos u zgjatur me këtë barbari shembujsh, po e mbyllim me
fjalët e një tjetër rimohuesi, prapë nga Kosova, që bën paralajmërimin se të
kesh qëndrim mohues ndaj Perandorisë Osmane sot është njëlloj si të sulmosh
miqtë tanë amerikanë, që çliruan Kosovën!
Ç‘të thuash për këtë nostalgji të ringjallur befas një shekull
pas ikjes së osmanëve? Ta quash groteske, tragjike, komike nuk mjafton.
Të thuash se po t‘i përmbahej programit të Rilindjes, Shqipëria
jo që s‘do të bëhej kurrë komuniste, por do të ishte prej kohësh një shtet
model në Bashkimin Europian, është prapë pak.
Të thuash se i
ashtuquajturi "mit" i Skënderbeut, u ngjiz shekuj më parë kur
komunizmi nuk ekzistonte askund, se u sublimua prej Rilindjes dhe pastaj prej
kohës së pavarësisë, prej Nolit dhe Zogut, se komunizmi jo vetëm ishte i huaj
për të, por në vitet e flirtit me jugosllavët 1946-1947, emri i heroit
pothuajse u zhduk nga shtypi shqiptar.
Të vazhdosh me kronikën e asaj që mund të quhet "lufta e
shtatoreve", kur më 1968, qeveria shqiptare bëri çmos që pagëzimi i
sheshit "Skënderbe" në Paris, bashkë me shtatoren midis, të mos
lejohej prej qeverisë franceze dhe bashkisë së Parisit?
Të vazhdosh me ngritjen e shtatores së shefit të komunistëve
shqiptarë, njëzet hapa pranë shtatores së heroit, paralajmërimi i hapur, se
Kastrioti do të zhvendosej së shpejti dhe sheshi i parë i Shqipërisë do t‘i
përkiste këndej e tutje, patronit të ri komunist? (Brenda tre viteve, historia
do të jepte një nga mësimet madhështore të saj, kur princi mesjetar do ta
shihte rivalin jetëshkurtër të tij t‘i zvarritej mu përpara syve, krejtësisht
në stilin e Mesjetës.)
Shumëkujt mund t‘i duket
se të ngresh çështje të tilla, pra të polemizosh me të çmendurit, është kohë e
humbur.
Ndërkaq, të çmendurit (që në këtë rast do t‘i përligjnim po të
ishin thjesht të tillë), vazhdojnë veprën shkatërruese mu në sytë tanë.
Në kohën që po shkruhen
këto radhë, metropoli shqiptar vlon nga polemika: ta ruajmë apo ta rrëzojmë
Skënderbeun!
Vetë shtrimi i çështjes është njollë e zezë për Shqipërinë.
Dihet se kush do ta fitojë këtë polemikë, por vetë fakti që ajo ndodhi, që
populli shqiptar, një shekull pas osmanllisë, ende guxoi ta lejojë një pyetje
të tillë, është një turp për të.
Nën këtë ndriçim të keq,
do të zbulohet ndoshta më qartë ai cen që e ka shtyrë disa herë nga gabimi në
gabim.
Polemika vulgare dhe
imorale për rilindësit dhe Skënderbeun është shenja e një sëmundjeje më të
thellë, prej së cilës kombi shqiptar, nëse kërkon një të ardhme në këtë botë,
duhet të shërohet.
Intelektualët që nismëtuan baltën kundër Skënderbeut dhe
Rilindjes nuk janë katundarë me shallvare që i bien daulles e klithin "Dum
Babën!".
E ndërkaq, mund të thuhet se janë jo vetëm më të rrezikshëm, por
më vulgarë e më pa moral se ata. Duket fyerje, natyrisht, të merresh me ta. Dhe
ashtu është. Por kur ujërat e zeza vërshojnë befas, dikush duhet të merret me
to.
Të mësuar të nderojmë
personazhe të shquar, artistë, politikanë e gra të bukura, në çastin kur ujërat
e zeza shpërthejnë, ne kujtohemi për ata që përveshin mëngët e zbresin të
punojnë mes tubave, veglave e territ, atje ku nuk guxon të zbresë kush.
Duke kujtuar se po ia hedhin publikut, intelektualët gjysmakë,
ata që ushqehen kryesisht nga "Google", merren me raportet
mit-histori, pa kuptuar asgjë prej tyre. Pa e ditur se nocionet mit, histori,
mitizim e çmitizim janë shumë më të ndërlikuara se ç‘i di mendja e tyre e
ngushtë.
Me nocione të tilla zakonisht, e sidomos me raportet
mit-histori, është e lehtë të bëhen spekulime.
Përpara se të jenë
kundërthënëse, ato janë plotësuese, dy vizione të botës, njëri i dendësuar
jashtë mase, e tjetri, po ashtu, jashtë mase i faktuar, që mëtojnë të njëjtën
gjë: të rrëfejnë botën dhe njerëzimin.
Seriozë nuk janë
provokatorët e këtij diskutimi, por serioz është, ndërkaq, problemi.
Në kohën kur Shqipërisë së sotme, familja e popujve europianë i
kërkon zbardhjen e së vërtetës për regjimin e saj të turpshëm, prej të cilit
nuk ka as njëzet vite që ka dalë, një aksion thellësisht çoroditës kërkon ta
kthejë energjinë dhe vëmendjen gjashtë shekuj pas, në një hulumtim krejtësisht
të kotë.
A ka alibi për këtë
çoroditje? A ka vërtet diçka serioze për të qortuar e ndrequr në atë që është
quajtur "moti i madh" i shqiptarëve?
Ajo epokë, si asnjë
tjetër, është zbardhur e dëshmuar në mijëra libra e studime, nga Uashingtoni në
Tokio, nga Tirana, Venediku e Roma në Londër, Stokholm e Shën Petërburg.
Nga kjo mizëri botimesh e faktesh del një dëshmi përgjithësisht
unanime: një luftë për jetë a vdekje e shqiptarëve dhe gjithë ballkanasve
kundër Perandorisë Osmane. Një thyerje me pasoja fatale: shkatërrim fizik,
kulturor, moral. Për ironi të fatit, populli shqiptar, ai që besoi se po
favorizohej, pësoi goditjen më të rëndë. Ajo ishte në logjikën osmane: popullit
që iu vu shenjë për t‘u turqizuar, pikërisht ai, në rast kundërshtimi, do të
ndëshkohej më rëndë.
U shestuan, kështu, dy
projekte paralele: shkombëtarizimi, që do të ndodhte në truallin shqiptar,
shpërngulja masive, gjenocidi i fshehtë, që do të përfundonte në rrafshinat e
Anadollit.
Akti i fundit i kësaj shpërnguljeje do të ndodhte në shekullin
XX, si rrjedhojë e pakteve të fshehta turko-jugosllave për të zbrazur një pjesë
të Kosovës.
Ajo që më së shumti
vërteton jo favorizimin, por diskriminimin shqiptar, është ndalimi i gjuhës së
shkruar shqipe dhe ndalimi i shkollave shqiptare. Asnjë gjuhë tjetër dhe asnjë
shkollim në Europë nuk kanë pasur një martirizim të tillë: pesë shekuj dënim.
Për të mos u zgjatur,
mjafton një statistikë tmerruese nxjerrë nga "Historia e
shqiptarëve", e francezit Serge Metais, botuar në vitin 2006, Paris.
Tabloja e shkollimit është e pabesueshme. Më 1887, në Shqipëri
kishte tre mijë shkolla.
Prej të cilave një mijë e dyqind shkolla publike turke, po aq
shkolla private greke, treqind shkolla bullgare, serbe dhe vllahe, shkollë
shqipe vetëm një, me drejtor Pandeli Sotirin!
Pra, gati çdo gjuhë lejohej të mësohej në "perandorinë
tolerante", përveç njërës: gjuhës shqipe!
Dhe historia s‘mbaron me
kaq. Katër vite më pas, Pandeli Sotiri vritet, shkolla shqipe mbyllet!
Kjo është e vërteta, që ende nuk është shpalosur qartë përpara
popullit shqiptar. Por rimohuesit nuk e duan këtë të vërtetë.
Në vend të saj, ata duan të vendosin një tjetër histori. Siç u
pa më lart, për ata pushtimi, pra, sundimi osman nuk ka qenë i keq.
E keqe dhe kundërproduktive ka qenë qëndresa e Gjergj
Kastriotit. Duke e sulmuar Kastriotin, më shumë se njeriun e shpatës, ata
sulmojnë vizionarin e madh, princin, që, ndryshe nga të tjerët, e ktheu
vështrimin drejt Europës.
Në këtë mënyrë, bashkë me
doktrinën e lirisë, ai nismëtoi programin më europianist shqiptar, më modernin
program të këtij populli.
Është e qartë tani përse
rimohuesit shqiptarë janë kundër testamentit të tij. Teza e tyre se sundimi
osman s‘ka qenë i keq, e keqe ka qenë qëndresa, mund të përkthehet fare saktë:
e mirë për Shqipërinë nuk është Europa, por Azia.
Andej, pra, të kthehemi! Nga ky këndvështrim, mendimi gjenial i
Mithat Frashërit kur e përqasi mizorinë haxhiqamiliste me atë bolshevike, e
ruan ende të plotë vlerën e vet.
Rrënimi i Skënderbeut, natyrshëm shfaqet këtu si synim i
përbashkët i dy armiqve kryesorë të Europës, otomanizmit dhe bolshevizmit.
Rrënimi i Skënderbeut
është i pandarë nga rrënimi i Shqipërisë. Gjergj Kastrioti është vënë kështu në
një rrethim të dyfishtë: nëse përbaltet, siç ëndërrojnë rimohuesit, problemi
mbyllet thjesht.
Nëse mbetet në këmbë, siç
ka ndodhur e do të ndodhë përsëri, të mbetet i tillë jo si shqiptar, por me
tjetër kombësi.
Kjo do të ishte nga njëra anë zbrazja më e madhe e Shqipërisë, e
nga ana tjetër mbyllja e një cikli të zi për Kosovën, kur kjo e fundit,
provincë e përjetshme serbe dhe djep i Serbisë, siç ëndërrohet prej sllavëve,
do ta kishte të natyrshëm, sipas tyre, një kryezot serb.
Schmitt mendon se një emër nuk të jep çelësin për gjuhën e aq më
pak për identitetin.
Pas një varg pyetjesh që ngacmonin prej javësh kureshtjen e
shqiptarëve, Schmitt, autori i veprës më të re “Skënderbeu” na shuan shumë
dyshime që ngritën krye gjatë ditëve të debatit mbi figurën e heroit tonë
kombëtar Skënderbeu...
Ai debat nxorri në pah vetinë tonë për t’u ngutur ngaherë e për
t’u ngatërruar me fjalët tona si në një qerthull. Shumë debatues u hodhën në
diskutime, pa e lexuar librin, e të tjerë e paragjykuan pa dashur të dinë asnjë
detaj rreth tij.
A ishte i qëllimshëm
drejtimi që mori ky debat?
Ndoshta po. “Libri im nuk ka për qëllim të çmitizojë
Skënderbeun.
Askund nuk kam thënë se babai i Skënderbeut Ivan Kastrioti ishte
serb.
Ngaqë librin e kam
shkruar në radhë të parë për lexuesin gjerman dhe jo atë shqiptar, kam ruajtur
atë formë që gjendet në burimet dokumentare të kohës së tij; e këto si
latinishte ashtu edhe greqishte japin trajtën Ivan, ndërsa në burimet osmane
Jovan...”
Shmit thotë se temat
kryesore të diskutimit nuk kanë të bëjnë aspak me librin dhe se diskutimi në të
vërtetë nuk ka një objekt. Por si u përgjigjet Oliver Schmit gjithë akuzave që
i drejtohen atij, si i komenton deklarate shkrimtarit Ismail Kadare?
Në këtë rrëfim të gjatë historiani Oliver Schmit zbardh shumë të
“vërteta” që lidhen me qëndrimet e tij rreth figurës së Skënderbeut dhe sidomos
mbi rrjedhën që mori debati i lindur pas botimit të librit të tij në gjuhën
shqipe.
Schmitt dhe shqiptarët... Z.Schmitt, mund të na flisni pak për
lidhjen tuaj me Shqipërinë dhe shqiptarët?
Interesimi im për kulturën shqiptare ka filluar herët, gjatë një
udhëtimi që bëra në kufirin greko-shqiptar në vitin 1991. Më 1996 kam ardhur në
Shqipëri për herë të parë, vizitova sidomos jugun midis Korçës, Gjirokastrës
dhe Sarandës.
Qysh shpejt lindi plani për të shkruar një disertacion me temë
shqiptare, që do t’i kushtohej “Arbërisë venedike” në fund të shekullit 14 dhe
në shekullin 15.
Shqipen e kam mësuar me një mik e koleg shqiptar në Vjenë dhe
kam mundur ta përmirësoj vitet e fundit në një numër udhëtimesh në hapësirën
shqipfolëse.
Kam patur kontakte të ngushta me kolegë shqiptarë qysh gjatë
studimeve në Vjenë – aso kohe studionin këtu shqiptarë që sot japin mësim në
Prishtinë dhe Tetovë; më i njohuri është pa dyshim ministri i sotëm i arsimit
të Kosovës Enver Hoxhaj. Kam patur gjithmonë kontakte të mira me studentë
shqiptarë gjatë mësimdhënies në universitetet e Mynihut dhe të Vjenës, mes tyre
edhe me asish që kanë vetë sot punime hulumtuese.
Gjatë viteve të fundit
kam udhëtuar disa herë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, jam takuar këtu me
kolegë të shumtë, me disa kam patur edhe diskutime shumë intensive, mes të
tjerash në konferencat për Skënderbeun që u organizuan në vjeshtë 2005.
Instituti universitar ku unë punoj mban kontakte me institucione
analoge në hapësirën shqipfolëse, e unë i zhvilloj më tej këto kontakte edhe
nëpërmjet veprimtarisë sime në Komisionin Ballkanik të Akademisë Austriake.
Akademia Austrike në janar 2008 nënshkroi një marrëveshje me Akademinë e
Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Në vitet e fundit, me përkrahjen e rektoratit të Universitetit
të Vjenës arrita të ngre edhe një program bursash për historianë të rinj shqiptarë
(nga Shqipëria dhe Kosova).
Së fundi Instituti im ka marrë në gjirin e vet bibliotekën e
Institutit Shqiptar të Mynihut, një nga koleksionet më të rëndësishme
albanologjike të Europës perëndimore.
Cilat janë fushat e
studimeve shqiptare që përbëjnë interes për ju? Merrem sidomos me historinë
mesjetare, por kiam shkruar edhe një studim për Faik Konicën, së fundi edhe një
histori të Kosovës.
Më 2006 dhe 2008 u zhvilluan në Vjenë dy konferenca
albanologjike, njëra për kritikën e historiografisë , tjetra për historinë e
fesë, në këto morën pjesë kolegë shqiptarë dhe ndërkombëtarë.
Përfundimet do të botohen vitin e ardhshëm. Vizitat tuaja në
këtë vend? Midis viteve 1996 dhe 2008 kam ardhur shumë herë në Shqipëri, por më
kanë lënë mbresa sidomos udhëtimet e viteve 2006 e 2007 në viset e Skënderbeut
(Mat, Dibër) e në Shqipëri të veriut. Kujtoj me dëshirë mikpritjen, sidomos në
zonat e thella. Cilat kanë qenë kontaktet e para të njohjes me Skënderbeun, dhe
çfarë ju joshi për të hulumtuar rreth tij?
Tek e fundit pse një libër për Skënderbeun?
Që në gjimnaz pata lexuar klasikët e albanolgjisë historike
(sidomos Šufflay-n dhe Jireèeku-n). Kështu plani për të kryer vetë hulumtime
arkivore për Skënderbeun ka lindur shpejt. Munda ta realizoj këtë plan midis
viteve 1999 dhe 2007, ndërsa vepra “Arbëria venedike” dhe një numër shkrimesh e
botimesh dokumentare ishin paraprijëse të to. Libri dhe reagimet…
Ndalojmë pak tek libri juaj i ri, “Skënderbeu”. Sa është i
pranishëm elementi artistik në veprën tuaj? Biografia është, në kuadrin e
historiografisë , një zhanër me rregullat e veta, të cilat lejojnë që të lidhet
puna shkencore edhe me mëtimin artistik.
Vitet e fundit në dije
është zhvilluar një diskutim intensiv lidhur me teorinë e biografisë, ndër të
tjera edhe mbi mundësinë e lidhjes së modeleve narrative me ato analitike. Jam
përpjekur të shkruaj një libër, i cili përdor edhe metodat e shkencës
historike, por lexohet mirë.
A e morët me mend që do të kishte një reagim të tillë kur po e
shkruanit? Jo. Si mendoni, çfarë e lëndoi sedrën e shqiptarëve në këtë rast?
Diskutimi mbi librin
ndjek mekanizma mediale, të cilat njihen edhe nga raste analoge.
Këtu libri vetë shërben
si sipërfaqe projektimi për stereotipe, ideologji dhe me sa duket, edhe
frikëra. Shumica e pjesëmarrësve shprehin sidomos mendime të parapërgatitura.
Përmbajtja e vetë librit nuk luan ndonjë rol. Më të shumtët e librave që janë
kontestuar ashpër, nuk janë lexuar prej kritikëve të tyre më të rreptë.
Në rastin konkret ata që e kanë lexuar librin janë shprehur në
mënyrë të diferencuar ose pozitive (Fatos Lubonja, Beqir Meta, Artan Lame), të
tjerë, që nuk e kishin në dorë, nuk kishin nevojë ta lexonin, pasi “e dinin”
paraprakisht çfarë përmbante ai. Ndaj debati dhe rrjedha e tij nuk të habit
fort.
Më 2007 në Bullgari
ndodhi një debat edhe më i ashpër: një koleg gjerman dhe një kolege bullgare,
të cilët kishin punuar mbi ikonografinë e masakrës së Batakut (1876) u akuzuan
nga nacionalistë bullgarë se po e mohonin masakrën.
Këtë gjë të dy këta studiues në të vërtetë nuk e kishin bërë,
megjithatë opinioni publik bullgar, ndër ta edhe presidenti i shtetit ishin të
bindur se të huajt po sulmonin nderin kombëtar të bullgarëve. Sapo që aktivohet
ky lloj stereotipi, është gati e pamundur të argumentosh kundër tij në mënyrë
racionale.
Këto stereotipe nacionaliste dhe ksenofobe u përdorën nga
sistemet komuniste si mjete pushteti, ato në Shqipëri janë edhe më të forta se
në Bullgari. E meqë në të dyja këto shtete nuk është zhvilluar, ose veç sapo ka
filluar të zhvillohet një diskutim publik mbi pasojat e politikës izolacioniste
komuniste, paragjykime të tilla mund të aktivohen fare lehtë.
Në mbyllje dua të nënvizoj se temat kryesore të diskutimit nuk
kanë të bëjnë aspak me librin:
1. Në libër nuk thuhet se Ivan Kastrioti paskej qenë serb.
2. Në libër nuk thuhet se
gjakmarrja paskej qenë motivi i kryengritjes; fjala është në të vërtetë për të
vetmin motiv personal, të shfaqur qartë në dokumentet, të Skënderbeut, si
renegat i vetëm dhe oficer i suksesshëm osman që filloi një kryengritje kundër
sulltanit. Vetë kryengritja kishte arsye shumë më komplekse, të cilat
analizohen me hollësi në libër.
3. Libri nuk ka për
qëllim “të demitologjizojë” Skënderbeun – kjo gjë thuhet që në parathënie.
Krejt debati në të vërtetë nuk ka objekt, siç e shprehu Ardian Klosi. Shumë
shqiptarë mendojnë se figura e Skënderbeut është e studiuar mjaftueshëm dhe
s’ka vend për ndonjë të re entuziaste që mund të ndryshojë imazhin tonë mbi
këtë figurë.
Të tjerë thonë se studimet e shumta shqiptare mbi Skënderbeun
nuk lënë ndonjë vend që një studiues i huaj të ngrihet e të mbulojë boshllëqet.
Ka nota xhelozie këtu?
Nga se shkaktohet? Këtë
të fundit unë nuk mund ta gjykoj. Në tërësi duhet vërejtur se çdo hulumtim do
parë si një proces: materiali i ri dhe shtrimi i ri i pyetjeve të çojnë në
rezultate të reja. Ndërsa trajtimi që u bën shoqëria këtyre hulumtimeve është
diçka tjetër.
Mes diskursit shkencor dhe atij shoqëror shpesh nuk ka
përputhje, sidomos në ato raste kur përfundimet e hulumtimit, për shkaqe të
ndryshme, mund të ndjehen si të sekëlldisshme ose negative nga një shoqëri.
Vetëm se kjo nuk është diçka tipike shqiptare, por mund të
vërehet edhe në shumë raste të tjera – një shembull këtu është roli i Zvicrës
në Luftën e dytë Botërore, i cili në paraqitjet zyrtare del shumë më pozitiv
sesa në hulumtimet e historianëve.
Mirëpo një debat i gjerë
i krejt shoqërisë solli në situatën që tani shoqëria e ka kapërcyer këtë mit
kombëtar, konkretisht ngaqë nuk diskutoi vetëm në mënyrë emocionale, por edhe
racionale, dmth. duke vënë në themel të diskutimit materialin dokumentar, nga
arkivat, e jo mendimet e parapërgatitura.
Natyrisht që jo të gjitha
pjesët e popullsisë pranuan në të njëjtën masë, megjithatë është arritur një
konsensus i ri mbi këtë pjesë të historisë nëpërmjet një diskutimi të hapur,
zakonisht me nivel të mirë. Por nuk ka qenë aspak proces i lehtë.
Ekziston një mendim i përgjithshëm, se librat që në një farë
mënyre thyejnë mitet kombëtare janë më interesantë, rrjedhimisht më të
shitshëm.
Hyn libri juaj në këtë kategori? Jo. Në të vërtetë mjafton të
lexosh hyrjen. Qëllim i librit nuk është “shkatërrimi i një miti”, por
rindërtimi historik mbi bazën e gjithë burimeve të shfrytëzueshme e me peshë.
Në pjesën përmbyllëse analizohet dhe shpjegohet receptimi i Skënderbeut në
Europë dhe në Ballkan, si lindi imazhi i sotëm i Skënderbeut. Debati mbi
“demitologjizimin” i shkon tangent qëllimit të librit – ashtu siç nuk kanë të
bëjnë me librin edhe elementet e tjera të debatit. Veç kësaj mendoj se për të
arritur mirëqenien ka rrugë më të mira nga hartimi i librave shkencorë. Emrat
sllavë…
Emërtimet në librin tuaj janë kryesisht në gjuhën sllave.
Nisur prej tyre janë nxjerrë edhe konkluzione të shpejtuara të
tipit: Schmitt e cilëson Skënderbeun serb, edhe pse në tekst nuk ka cilësime të
tilla të drejtpërdrejta. Pse janë përdorur këto emra në gjuhën sllave?
P.sh, pse Ivan dhe jo
Gjon? Bëhet fjalë për një keqkuptim thelbësor. Një emër nuk është në gjendje të
tregojë për përkatësinë gjuhësore ose etnike të një personi. Një shqiptar që
quhet Ali bëhet arab prej këtij emri po aq pak sa bëhet vetiu serb një person
që quhet Ivan. Në libër nuk thuhet se Ivan Kastrioti paskej qenë serb. Nuk e di
se kush e hapi këtë farë debati për herë të parë – porse ai pohim vuri në
veprim mekanizmin medial.
Ndaj reagimi emocional negativ nuk ka asnjë bazë. Kushdo që e
lexon librin ka për ta vërejtur këtë gjë; kurse ai që nuk e ka lexuar do të
vazhdojë të ndjekë mendimin e tij të parapërgatitur. Meqë jemi në këtë temë,
çfarë përkatësie do t’i jepnit Skënderbeut? Kjo pyetje niset prej hipotezës se
etnia ka vazhdimësi dhe mbetet e pandryshuar, diçka me të cilën dija
ndërkombëtare nuk pajtohet. Përkatësia etnike në Mesjetë nuk kishte ndonjë
rëndësi të madhe. Njerëzit patjetër që ishin të vetëdijshëm për ndryshimet
gjuhësore; mirëpo përkatësia fetare, pozicioni shoqëror, dallimet midis
shoqërive të qytetit dhe të fshatit, mënyrat e ndryshme të jetesës në malësi
dhe në ultësira kishin peshë më të madhe. Sidomos në rastin e fisnikëve
kategoria etnike nuk ndihmon shumë: sa më e rëndësishme të ishte një familje,
aq më ndërkombëtare ishte ajo. Kjo vlente edhe për Kastriotët, të cilët ishin
të lidhur me familje serbe dhe greko-bizantine dhe ishin krenarë për këtë. Në
ndryshim nga identiteti etnik, kishte rëndësi identiteti politik dhe kulturor:
Skënderbeu e shihte veten si „zot të Arbërisë”. Në lëmin
kulturor humanizmi, të cilin e kishte prurë në Arbëri kisha katolike, luajti
aty nga fundi i jetës së Skënderbeut një rol të rëndësishëm – kështu duhet
kuptuar lidhja e tij me epirotët e antikitetit ose imitimi i kurorës mbretërore
të Maqedonisë (njëra pjesë e së ashtuquajturë s përkrenare e Skënderbeut në Vjenë).
A kanë lidhje këto emërtime me faktin se ju keni dashur t’i qëndroni besnik
dokumenteve të cilave u jeni referuar? Po. Emri Gjon u përdor nga intelektualët
e Rilindjes shqiptare. Në shumicën e shoqërive europiane emrat e princave
përkthehen në gjuhën përkatëse: Henri IV në librat gjermanë shfaqet si Heinrich
IV. Në këtë pikëpamje studimet shqiptare ndjekin një praktikë të zakonshme. Por
unë, ngaqë librin e kam shkruar në radhë të parë për lexuesin gjerman dhe jo
atë shqiptar, kam ruajtur atë formë që gjendet në burimet dokumentare të kohës
së tij; e këto si latinishte ashtu edhe greqishte japin trajtën Ivan, ndërsa në
burimet osmane Jovan.
Kështu babai i Skënderbeut shfaqet në gjuhë të ndryshme nën këtë
emër, kurse forma Gjon nuk dëshmohet. Ndaj duhet menduar që ai kështu e ka
quajtur vetveten, prandaj edhe u njoh si në Ballkan ashtu, edhe në Itali nën
këtë emër. Një kancelar që shkruante latinisht nuk kishte ndonjë arsye të
përdorte një trajtë sllave të emrit, një historiograf bizantin si Halkokondili
do mund ta kishte quajtur edhe “Ioanis”: mirëpo ai nuk e bëri këtë gjë, por
përdori atë trajtë emri me të cilën njihej përgjithësisht Ivan Kastrioti. E pra
këtu ndjek thjesht gjuhët burimore. Kjo zgjidhje sigurisht që ka më pak
ngarkesë ideologjike sesa emërkrijimi i ri “Gjon”. Më tej dua të theksoj sërish
se një emër nuk të jep çelësin për gjuhën e aq më pak për identitetin.
Portretizimi i Skënderbeut…
Figura e Skënderbeut është ezauruar thuajse në të gjithë fushat
e artit, në letërsi, muzikë dhe artet pamore, në pikturë e skulpturë. Për aq sa
njihni, si e komentoni portretizimin që i është bërë Skënderbeut deri më sot,
sidomos në Shqipëri? Veprat më të rëndësishme u krijuan vetëm pas vitit 1945
dhe ato i përgjigjen konceptit të realizmit socialist përkatësisht të
stalinizmit kombëtar, siç e modeloi Enver Hoxha. Ndërkaq nuk ekziston ndonjë
ikonografi e gjerë parakomuniste, e cila do mund të bëhej një alternativë ndaj
mënyrës komuniste të të lexuarit. Monumentet në Prishtinë dhe Çair/Shkup qenë
një shans për t’i ftuar artistët që të jepnin forma të reja të paraqitjes; por
ky shans u dogj. Diçka e ngjashme vlen edhe për letërsinë artistike: letërsia
për Skënderbeun kishte nën diktaturën e Hoxhës një karakter stabilizues për
sistemin. Ajo kontribuoi që Skënderbeu të bëhet feja civile e një shteti
ateist, siç e ka formuluar në një ese Egin Ceka.
A kanë artistët shqiptarë një koncept të qartë për këtë figurë?
Në kuptimin e përgjigjes së mësipërme, po. Saktësime... Ndër tezat e shumta
tërheqin ende vëmendjen argumentet që ka dhënë Fan Noli në vitin 1960, pas
ripunimit të veprës së tij “Skënderbeu”. Ndër to do të përmendim katër. Noli
argumenton se: a) Skënderbeu ka lindur më 1400. Në tekstet tona vijon të
shkruhet 1405 si vit i lindjes së tij. b)Ai nuk ishte 9 vjeç kur u dërgua peng
te sulltani, por 30 vjeç. c)Nuk ka asnjë dokument që të provojë se ai u
konvertua në fenë islame; dhe d), se Skënderbeu, ndryshe nga ç’thotë Barleti,
nuk e ka kryer akademinë ushtarake të Kostandinopojë s. Çfarë mund të
saktësojmë në këto katër raste? Viti 1405 duhet mbajtur si i vlefshëm.
Skënderbeu shkoi në oborrin e sulltanit pas vitit 1423, pra si djalosh i ri.
Barleti e përshkruan konvertimin me shumë saktësi, shton edhe një përshkrim të
urdhrit të dervishëve, çka lë të kuptosh se Skënderbeu kaloi në Islam në një
mjedis dervishësh.
Ky konvertim nuk vërtetohej aso kohe me shkrim, por bëhej para
dëshmitarësh (çka e përmend edhe Barleti). Në Konstantinopojë Skënderbeu nuk
mund të ndiqte ndonjë “akademi ushtarake”, pasi ky qytet mbeti bizantin deri në
vitin 1453, ndërsa kryengritja e Skënderbeut filloi qysh më 1443. Kadare në
debat... Në vazhdën e debateve të fundit, më shumë vëmendje tërhoqën deklaratat
e shkrimtarit Ismail Kadare. Do të donim të komentit disa prej tyre. P.sh,
Kadare thotë: 1) “Çfarë ka bërë ky Skënderbeu të keqe që ne shqiptarët duhet ta
vëmë në diskutim? Dhe del një gjerman në mënyrë të papritur, kur ka nja njëmijë
e pesëqind libra për të, dhe ne duhet si servilë të ulim kokën të gjithë dhe të
shohim ç’thotë ky gjerman, kur kemi qindra e qindra libra dhe vlerësime të
padiskutueshme të Skënderbeut…” 2) Në fillim u gjet që babai i Skënderbeut
paska pasur një grua sllave. Kjo mund të jetë e vërtetë. Tërë feudalët, tërë
princat e Europës merrnin gra të huaja dhe asnjëherë gruaja e huaj nuk kthente
identitetin e vendit. Tani i gjetën edhe babanë, na e paska serb...
Ky është kuptimi i shëmtuar i kësaj, d.m.th që nëse kjo figurë
do të mbahet, do të mbahet si figurë më zanafillë sllave, që nuk është e
vërtetë fare. D.m.th, që Kosova do të kthehet përsëri në statusin e provincës
serbe, dhe normalisht kryezotin e saj, heroin e saj do ta ketë serb. Këto
deklarata në të vërtetë thonë më shumë për personin që i lëshon, sesa për atë
për të cilin bëhet fjalë. Sa për të tjerat ato janë po aq të sakta sa dhe
pohimi që unë qenkam gjerman, kur në të vërtetë jam zviceran. Reliket në muzeun
e Vjenës... Ende ka dyshime mbi autenticitetin e dy relikeve të Skënderbeut që
ruhen në muzeun e Vjenës. A i përkisnin vërtet atij ato relike? A janë përdorur
prej Skënderbeut? Specialistët e muzeumit janë të mendimit se me përjashtim të
brirëve të dhisë mbi përkrenare, pjesët e tjera nuk janë origjinale.
Nuk ka ndonjë dokument që të flasë për përdorimin eventual të
kësaj pjese. Do menduar se brirët, simbol i Mbretërisë antike maqedone,
simbolizojnë mëtimin e Skënderbeut për të ripërtërirë këtë mbretëri: si
Aleksandri i Madh i ri, si mbret i maqedonëve dhe epirotëve, duke iu përgjigjur
kësisoj gjuhës antikizuese të Rilindjes europiane. Këtu vepronte sidomos ndikimi
kulturor i kishës katolike (papës Piu II, arqipeshkvit Pal Engjëlli të
Durrësit). Dhe në fund… Shumë prej debatuesve, për të mos thënë të gjithë, nuk
e kanë lexuar ende deri në fund librin tuaj. E megjithatë, diskutojnë. A ka
vend për debate në këto kushte mosnjohjeje? Ecurisë së debatit nuk mund t’i
ndryshosh më gjë. Por meqë në vitet e ardhshme kanë për t’u përkthyer herë pas
here në shqip libra historianësh të huaj albanologë, do të ishte mirë që në
diskutimin e ardhshëm pjesëmarrësit të njohin më së pari librin e të mos e
përdorin atë thjesht si sipërfaqe projektimi për diçka tjetër.
Do të ishte gjithashtu e dëshirueshme që të vihet njëherë në
pikëpyetje skema mik-armik që përdoret kundrejt studiuesve joshqiptarë. E
ç’kuptim kanë këto nocione? Çfarë kushtetsh duhet të plotësojë dikush që
dëshiron të bëhet “mik i shqiptarëve”? Kush e përkufizon se çfarë është
“shqiptare”? Debatet kulturore të viteve të fundit kanë treguar së paku një
gjë: që në këtë pikë në shoqëritë shqiptare të Europës Juglindore dhe të
diasporës nuk ka konsensus. Librat zyrtarë të shkollave dhe të historisë
vazhdojnë të ndjekin modele të periudhës komuniste – veçse nga debatet kuptohet
që ata nuk pranohen më përgjithësisht. Hulumtimi shkencor duhet të ndjekë
metodat dhe parashtrimet shkencore të pyetjeve, ai duhet t’u qëndrojë larg
klasifikimeve të thjeshta politike pro ose kundra.
Përfundimet shkencore paraqiten në mënyrë të rrokshme, dmth.
historianët japin burimet që kanë përdorur, në mënyrë që lexuesi të mund t’i
shqyrtojë ato. Së fundi, ajo që më bën të jem disi optimist është fakti që janë
të shumtë shqiptarët e rinj që studiojnë jashtë vendit dhe që nuk ndihen më të
detyruar ndaj një diturie të administruar dhe të kontrolluar prej një elite të
vogël. Revista si “Përpjekja” dhe “Hylli i dritës” janë shembujt më të mirë të
potencialit intelektual që ekziston në Shqipëri. Natyrisht që shoqëritë në
Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni duhet të jenë edhe të gatshme që ta shfrytëzojnë
këtë potencial dhe ta zëvendësojnë në shkencë klientelizmin me cilësinë dhe
kompetencën. Atëherë nuk kanë për të ndodhur më debate të tilla: pasi shkenca
dhe hulumtimi shkencor janë ndërkombëtarë dhe të hapur ndaj kujtdo që punon sipas
metodash shkencore. E këtë janë duke bërë ndërkaq disa intelektualë dhe
studiues shqiptarë. Vetëm se zëri i tyre duhet dëgjuar më shumë e atyre u duhet
dhënë shansi që të ndjekin një karrierë shkencore.
(Autori
është Drejtor i Deparatamentit për mardhënie me publikun pranë Akademisë së
Shkencave dhe Artëve Shqiptaro-Amerikane në New York,Tiranë,Prishtinë dhe
Shkup dhe mbanë titullin shkencor Akademik Prof.Dr.Ph.D).