Agjencioni floripress.blogspot.com

2019/07/09

Rreziku i Shqipërisë janë PPP-të e konfirmon FMN-ja



Nga Jorida Tabaku

Shqiptarët dje mbushën Bulevardin Dëshmorët e Kombit njësoj si 9 protestate tjera. Një protestë e tillë paqësore i tregoi kryeministrit dhe enturazhit të tij minorancën reale që ai përfaqëson.

Ato qenë qytetarët që shprehën pakënaqësinë e tyre në kulmin e një krize ekonomike dhe sociale të prodhuar nga papërgjegjshmëria politike e Ramës. Vizioni politiko-ekonomik i qeverisë mund të jetësohet në “PPP”. Gjithçka e prodhuar nga kjo mazhorancë rrotullohet rreth këtyre tre gërmave të shenjta, këtë e konfirmon FMN, Banka Botërore dhe raportet e Bashkimit Europian.

Në raportin e fundit të FMN, Shqipëria nënvizohet si një vend me një strukturë ekonomike të dobët dhe të pafuqishme për të përballuar rreziqet. Gjendja aktuale e buxhetit dhe PBB-së është në varësi të plotë nga situata klimaterike e vendit, nëse bie shi atëherë ekonomia ecën mirë dhe nëse ka thatësirë shqiptarët do vuajnë një ekonomi të dobët. E pa imagjinueshme por e vërtetë, Shqipëria e shekullit të 21 ngjason me atë të shekullit të 18.

Ndërsa ekonomia, sipas FMN, është në epokën paramoderne investitorët edhe oligarkët përfitojnë ligje speciale apo super struktura speciale të qeverisë në favor të tyre. Korporata e Investimeve Shqiptare apo Ligji i Investimeve janë kritikuar ashpër pasi zhdukin tregun e lirë dhe keqpërdorin buxhetin e shtetit, siç raporton edhe Bashkimi Europian në raportin e fundit, ne kurrizin shqiptareve rëndojnë jo vetëm ligje speciale për investitorë të veçantë por edhe rritja e borxhit publik pasi PPP nuk po përllogaritet si borxh. Edhe pse FMN këmbëngul që kjo e fundit të përllogaritet si e tillë.

Kjo situatë e nderë ka prodhuar një nga problemet më të mëdha në vendin tonë. Largimin e popullsisë dhe plakjen e Shqipërisë. Sipas FMN rreziku i emigrimit dhe uljes së të rinjve në Shqipëri, do të prodhojë një krizë të thellë demografike dhe ekonomike në afatgjatë. Sipas tyre në intervalin 2015-2019 numri i të rinjve është ulur me 0,6% ndërsa numri i të atyre që dalin në pension është rritur me 12%, pra Shqipëria po plaket me shpejtësi.

Kjo do të thotë që më pak shqiptarë janë të gatshëm të punojnë, gjithnjë e më pak biznese do të jenë të gatshëm të investojnë por edhe që skema e pensioneve do të dështojë shumë më shpejt pasi gjithnjë e më pak kontribues do të ketë në të.

Raporti i FMN është diagnostikimi i një realiteti për të cilin ka folur pa rreshtur opozita. Sa më shumë kjo qeveri vazhdon aq më e pariparueshme bëhet kriza. Vendi po kalon një gjendje të thellë depresioni ekonomik që do të shoqërohet me bjerrjen e vazhdueshme të rinjve shqiptarë nga atdheu jonë.

Shqipëria do të bëhet. Do të bëhet nga të rejat dhe të rinjtë me energji, me ide të qarta, me një sistem ekonomik e politik që krijon mundësi për të gjithë, që vlerëson punën e meritën!

Dialogu Kosovë-Serbi pasuroi burrështetasit e pafytyrë, varfëroi shqiptarët




Kim Mehmeti

Studiuesi dhe analisti i njohur Kim Mehmeti, në një publikim në facebook, duke i kthyer dialogut Kosovë-Serbi shkruan se ky dialog prodhoi vetëm një efekt, që pasuroi disa burrështetas të saj dhe varfëroi shqiptarët.

“Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë prodhoi vetëm një efekt: i mbajti në pushtet dhe i pasuroi disa burrështetas të saj të paaftë e të pafytyrë dhe, i rraskapiti dhe i varfëroi shqiptarët!

Nuk ka krim më të madh politikë se sa, varfërinë dhe mjerimin e popullit, ta keqpërdorësh për të mbetur sa ma gjatë në pushtet!

Mirënjohja ndaj Perëndimit dhe SHBA-ve, për atë që bënë për shqiptarinë, nuk nënkupton mosrespektim ndaj vetvetes!

Nga djep ku mëkohej atdhetaria dhe patriotizmi shqiptarë, burrështetasit e saj, Kosovën e shndërruan në dëshpërim dhe ‘varrezë masive’ të ëndrrave dhe shpresave rinore!”...

Samiti i Poznan-it, Shqipëria me gisht në gojë




Nga Shezai Rrokaj:



Sapo mbaroi Samiti i Poznanit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Plot 180 milionë euro për Ballkanin përveç Shqipërisë. E para ishte Bosnja me 94 milionë, më pas Maqedonia me 42 milionë dhe në vijim Serbia me 26 milionë e Kosova me 12 milionë. Shqipëria nuk kishte paraqitur projekte. Qysh prej vitit 2015, ku investimet nga BE-ja për Ballkanin Perëndimor kanë kapur shifrën e mbi 800 milionëve, vendi ynë ka përfituar vetëm 78 milionë.
Me përfundimin e projekteve të Tapit dhe Devollit, të filluara nga qeveria paraardhëse, vendi ynë nuk po përfiton më investime të huaja relevante për të paktën tri arsye themelore. Së pari, paaftësia e administratës së qeverisë aktuale për të hartuar dhe prezantuar projekte. Së dyti, mungesa e sigurisë juridike dhe paqëndrueshmëria politike, e cila ka frikësuar sipërmarrjen e huaj për të investuar në vend. Së treti, lidhja e qeverisë me oligarkët ka bërë që ata ta mbajnë të mbyllur tregun, në mënyrë që t’i përfitojnë vetë ata projektet, pavarësisht faktit se përmbushja e tyre mund të kërkojë kohë të madhe e të dëmtojë perspektivën e zhvillimit të vendit. Nga ana tjetër, qeveria shqiptare, në kundërshtim me MSA-në dhe legjislacionin evropian të tërësi, ka deformuar parimin e konkurrencës dhe të garës për edhe të sipërmarrësit e huaj. Në shkelje të ligjeve ndërkombëtare të nënshkruara prej nesh, ajo ka mbajtur anën oligarkëve, duke i vënë pengesa depërtimit të investitorëve të huaj si dhe duke deformuar rregullat e tregut. Shumë tendera publikë janë bërë me konkurrentë fantazmë ose është shkuar deri në miratimin me ligj të një investitori, siç ishte rasti i Ligjit për Teatrin.
Ky dëm i madh ekonomik i vendit nuk e merakos fare kryeministrin autokrat, i cili e ka mendjen se si të blejë zgjedhjet, të godasë opozitën, të flirtojë me oligarkët dhe krimin e organizuar dhe të endet rrugëve me shallvare duke bërë humor me tepsi, timon e kazan teksa shqiptarët e dëshpëruar në vendin e tyre kërkojnë të ikin prej tij.

Eliot Engel kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan





Ligjvënësi amerikan, Eliot Engel, tha të enjten në Preshevë, se nuk mbështet idetë për shkëmbim territoresh dhe përpjekjet duhet të përqendrohen në arritjen e një paqeje afatgjate ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ligjvënësi Engel po qëndron në Luginën e Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë në një mision faktmbledhës.

Pas takimit me kryetarin e komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ai foli për përfshirjen e gjatë në Ballkan dhe posaçërisht për pavarësinë e Kosovës, ndërsa vuri theksin tek nevoja për një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk mendoj fare që është drejtim i duhur shkëmbimi i territoreve. Jam i shqetësuar për këtë sepse, nëse filloni të ndryshoni kufijtë në Ballkan, ku përfundon kjo? Ka shumë vende tjera që duan të ndryshojnë kufijtë dhe për këtë arsye Ballkani u fut në telashe në radhë të parë”, tha ai.

Zoti Engel tha se përpjekjet duhet të përqendrohen në arritjen e një paqeje afatgjate dhe marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për të arritur këtë, palët duhet të bisedojnë më njëri tjetrin.

“Shpresoj që kjo do të ndodhë dhe shpresoj që Shtetet e Bashkuara mund të luajnë po ashtu një rol pozitiv në këtë drejtim”, tha zoti Engel.

Ai shkoi në Luginën e Preshevës pas vizitës në Beograd, ku ai bisedoi me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, lidhur me bisedimet me Kosovën, arritjen e paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjate në Ballkan dhe vënien e drejtësisë për të gjitha viktimat e luftës në Kosovë.

Zoti Engel, i cili njihet si një nga miqtë e mëdhenj të shqiptarëve dhe mbështetës i fuqishëm i zgjidhjes së çështjes së Kosovës, do të qëndrojë më vonë gjatë ditës në Prishtinë ku do të marrë pjesë në manifestimet me rastin e ditës së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara dhe përurimin e ndërtesës së ambasadës amerikane.

EURALIUS e trajton Drejtësinë tonë si “miun e laboratorit” për të kryer eksperimente



Artan Lazaj, ish-gjyqtar

Shkelet në mënyrë të pariparueshme serioziteti i të ashtuquajturës tashmë të Reformës në Drejtësi. Në qoftë se pranohet kjo ide e mbrapshtë, atëherë do të kthehemi në nivelet e vitit 1945 me gjyqtarë nga mali. kam frikë se Misioni EURALIUS është kthyer në marionetë të dikujt tjetër

Artan Lazaj, ish gjyqtar në intervistën për gazetën “Telegraf” analizon rekomandimet e EURALIUS V, i cili propozon që vakancat në Gjykatën e Lartë të zëvendësohen me gjyqtarë të përkohshëm. Artan Lazaj, duke u nisur nga përvoja e vet, thotë për gazetën “Telegraf” se “EURALIUS V” e ka kapërcyer kompetencat e saj, sepse ka mision vetëm “Konsolidimin e Sistemit të Drejtësisë në Republikën e Shqipërisë”, ndërsa edhe propozimi që EURALIUS bëri për Prokuror i Përgjithshëm i Përkohshme po e shohim që ishte skemë qesharake dhe po dështon dhe demaskohet dita ditës.

Artan Lazaj thotë se nëse ishte pranuar propozimi i tij, që gjyqtarët me 25 vite pune shembullore mund të marrin statusin e “Gjyqtar i Lartë” dhe në kësi rastesh, mund të bëhen përkohësisht anëtar të Gjykatës së Lartë. Së fundi, Artan Lazaj shprehet për gazetën “Telegraf” se EURALIUS është kthyer në marionetë të dikujt, duke nënkuptuar kryeministrin aktual.

– Zoti Lazaj ju si e vlerësoni opinionin e EURALUIS që të plotësohet Gjykata e Lartë me gjyqtarë të Përkohshëm edhe nga gjyqtarë të niveleve të ulëta të gjykatave?

Unë kam kohë që në mënyrë informale korridoreve por edhe së fundmi nga zhvillimet e përditshme jam njohur me një nismë të tillë.

Misioni Euralius, me këtë opinion në radhë të parë shkel mbi vetveten, për arsye se ky mision, në kuadër të Bashkimit Evropian, ka vetëm për mision “Konsolidimin e Sistemit të Drejtësisë në Republikën e Shqipërisë”. Vetëm për këtë qëllim ai është kontraktuar nga Republika e Shqipërisë dhe konsolidim do të thotë forcimi i zbatimit të ligjit në Sistemin e Drejtësisë.

Koncepti “Gjyqtarë të përkohshëm”, “Prokuror të përkohshëm” e sajesa të tilla, nuk gjenden asgjëkund në asnjë ligj. Çdo gjyqtar i çdo niveli ka mënyrën e vetë të emërimit dhe karrierës së tij pa u zgjatur shumë. Prokuror i Përgjithshëm i Përkohshëm po e shohim që ishte skemë qesharake dhe po dështon dhe demaskohet dita ditës. Jemi bërë gazi i botës dhe kërkojmë nga këta të “Botës”, mos të na i shtojnë më këtë gaz.

Cilat ligje shkelen, nëse ky opinion i EURALIUS pranohet?

Shkelen të gjitha ligjet që kanë të bëjnë me organizimin dhe funksionimin e Sistemit të Drejtësisë, që nga Kushtetuta e Republikës dhe deri ne ligjet e posaçme të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, gjykatave dhe me radhë.
Shkelet në mënyrë të pariparueshme serioziteti i të ashtuquajturës tashmë të Reformës në Drejtësi, si dhe besimi i publikut që ka rënë ndjeshëm si rezultat i keqzbatimit të kësaj Reforme.
Një gjë po jua them me bindje të plotë profesionale dhe qytetare që, në qoftë se pranohet kjo ide e mbrapshtë, atëherë do të kthehemi në nivelet e vitit 1945, me gjyqtarë nga mali.

Por, gjithashtu kam frikë se Misioni EURALIUS është kthyer në marionetë të dikujt tjetër dhe për këtë Bashkimi Evropian duhet të marrë masat sa më shpejt, pasi ka të bëjë drejtpërdrejt me kredibilitetin e saj.



Cila është rruga që duhet ndjekur për të ngritur sa më parë Gjykatën e Lartë?

E vetmja rrugë është ajo e zbatimit korrekt të ligjeve të këtushme, që nga Kushtetuta dhe çdo ligj që ka të bëj drejtpërdrejt ose indirekt me Gjykatën e Lartë. Me dhimbje e them, se këtu ka shumë kohë që nuk e çan njeri kokën për zbatimin e ligjit, por vetëm për artifice të shëmtuara për “zbatimin” e saj.

Ndoshta po te ishte miratuar në ligjin për Statusin e Gjyqtarit ai propozim i bërë nga unë që një gjyqtar me 25 vjet karriere të pandërprerë, pune si gjyqtar, pa masa disiplinore në fuqi, të gëzonte të drejtën për të fituar titullin Gjyqtar i Lartë, me të gjitha benefitet ligjore dhe financiare, ndoshta duhet të kishte vend ky propozim i përkohshëm.

Në qoftë se do të bëhet një ndryshim i shpejtë që gjyqtari në bazë të një sasie të caktuar vite pune të gëzoj statusin e Gjyqtarit të Apelit dhe më tej të Gjykatës së Lartë, pavarësisht ku punon, mundet që Këshilli i Lartë Gjyqësor, të kryejë komandime të tilla, por vetëm në këtë rast dhe në asnjë rast tjetër, pasi në ligj është e shkruar se “Çdo ndërhyrje në sistemin e Drejtësisë, përbën shkelje penale”.

Kjo mund të ishte një rrugë e ndërmjetme për të rikuperuar sa më shpejt dëmet e zbatimit të reformës dhe rifillimin nga puna të Gjykatës së Lartë.

Përfundimisht, kam frikë se gjoja në emër të urgjencës së krijimit të Institucioneve të Drejtësisë, do te abuzohet në mënyrë të shëmtuar me zbatimin ligjor të Reformës, siç po abuzohet dhe bomba është gati të pëlcasë.

Opozita dhe gracka e Ramës

“Popullit i kushton më shtrenjtë të vazhdojë të ushqejë një diktator, sesa ta flakë atë nga pushteti”.

 
Akademik Prof. Dr. Eshref Ymeri,Ph.D.

Situata në vendin tonë sapo vjen e bëhet më e ndezur. Protesta e fundit e opozitës vërtetoi se vala e pakënaqësisë së frontit opozitar, sa vjen e bëhet më e fuqishme. Por kryeministrit Rama nuk i bën përshtypje kjo gjendje tensioni. Madje, në një takim që pati me gazetarët, më 12 maj, ai deklaroi se nga kapsollat e hedhura nuk dëmtohet qeveria, por Shqipëria.
Një kryeministër me gjykim të ftohtë, me mendje të kthjellët, nuk mund t’i lejojë vetes të nxjerrë nga goja një deklaratë të tillë. Me këtë deklaratë, kryeministri Rama vërteton në praktikë, se për të është shumë më e çmuar selia kryeministrore dhe kolltuku i tij personal, sesa emri i Shqipërisë në sytë e opinionit ndërkombëtar. Sepse ai është i vetëdijshëm për dëmin që i bëhet vendit tonë para syve të botës nga gjendja e tanishme kaotike, por për këtë atij nuk i bëhet vonë fare, mjafton që kolltuku i tij të mbetet i paprekur. Kjo është një mendësi karakteristike prej diktatori të kulluar.
Ky qëndrim i hapur kundër popullit opozitar, çdo shqiptari me vetëdije kombëtare, pavarësisht se cilit krahu politik i përket, i sjell në kujtesë sloganin e shpëlarë të Ramës për të ashtuquajturën Rilindje socialiste, e cila, siç tregoi rrjedha e ngjarjeve të mëvonshme, paska pasur si qëllim vetëm rilindjen e sundimit njëpartiak të kohës së diktaturës së kriminelit Enver Hoxha, një sundim ky neokomunist në kushtet e ekonomisë së tregut. Rrjedha e ngjarjeve, po ashtu, vërtetoi konkretisht se reforma në drejtësi paska pasur po të njëjtin qëllim.
Duhet besuar me domosdo se për pasojat e rënda që ka sjellë qeverisja e Ramës në gjendjen ekonomike të shumicës së familjeve shqiptare, është i bindur edhe elektorati i majtë, mbi të cilin, ashtu si edhe mbi elektoratin e djathtë, rëndojnë taksat e papërballueshme përmes çmimeve të larta të energjisë elektrike, të ujit, të karburantit, të biletave të avionëve, çmimet e larta të produkteve ushqimore, e të tjera e të tjera. Por elektoratin e majtë, për fatkeqësinë e tij, e drejton një parti socialiste, e cila s’është gjë tjetër, veçse një“parti-kufomë” që tërhiqet zvarrë para kryeministrit Rama. Kjo është arsyeja që nga radhët e forumeve të saj, nga asambleja e saj, nga kryesia e saj, nuk pipëtin askush kundër tij, të gjithë janë katandisur në “të vdekur e të pakallur”, prandaj edhe Ramën e vështrojnë në dritë të syrit, sepse kanë frikë se mos u bën gjëmën politike po të lëvizin bishtin, tamam si krimineli Enver Hoxha një herë e një kohë. Në fushatën zgjedhore të vitit 2013, Rama, në një fletëpalosje, të cilën familjeve shqiptare ua hodhi poshtë derës, premtoi se taksën e vlerës së shtuar të energjisë elektrike (tvsh) do ta ulte nga 20% në 06%. Çuditërisht, kur u ul në kolltukun e kryeministrit, mashtroi hapur dhe jo vetëm nuk e uli, por edhe çmimin e energjisë elektrike e ngriti me 20%. Por askush nga pjesëtarët e strukturave të larta të partisë socialiste nuk u bë i gjallë dhe t’i tërhiqte vëmendjen për këtë mashtrim skandaloz që i bëri mbarë popullit shqiptar. Edhe këta muajt e fundit, kur opozita është hedhur në protesta të fuqishme, askush nga radhët e strukturave të larta të partisë socialiste s’e ka ngritur zërin kundër mënyrës antikombëtare të qeverisjes së Ramës. Dy zëra që janë dëgjuar kundër me shumë të drejtë, si ai i zonjës Arta Dade dhe i zotit Hamdi Jupe, kryeministrit Rama nuk i prishin punë fare, sepse ata s’janë më deputetë dhe as që kanë ndonjë peshë në strukturat e partisë socialiste. Në këto kushte, opozita, për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike dhe të përqendrimit të pushtetit politik dhe ekonomik në duart e një grushti njerëzish me Ramën në krye, është hedhur në protesta të fuqishme për rrëzimin e tij. Një situatë të tillë, të cilën e ka përjetuar edhe Ukraina dikur nën sundimin e argatit të regjur të Kremlinit, ish-presidentit të përmbysur Janukoviç, e ka karakterizuar fare bukur Majkll Shçur (1982), gazetar i njohur i televizionit të këtij vendi, aktor, skenarist dhe muzikant, i cili thotë:
“Popullit i kushton më shtrenjtë të vazhdojë të ushqejë një diktator, sesa ta flakë atë nga pushteti”.
Mirë është që Rama ta mbajë shënim këtë thënie aforistike të këtij gazetari të talentuar. Sepse vazhdimi i sundimit të tij është varrmihës për shumicën dërrmuese të popullit shqiptar, çka është dëshmuar më së miri nga braktisja e atdheut prej 500 mijë bashkatdhetarëve, siç i deklaroi analisti italian Alberto Negri vetë Ramës kur ishte i ftuar në programin televiziv TG2 të RaiDue në Itali në fund të shkurtit të këtij viti. Duke qenë i prirur për ta mbajtur pushtetin me thonj dhe me dhëmbë, kryeministri Rama po mundohet ta futë në grackë opozitën, duke kërkuar të hyjë në bisedime me Bashën, të cilit i bën thirrje t’i lërë “shëtitjet” në bulevard dhe të bëjë një takim me të. Me sa duket, ai kërkon të përsëritë skenarin e 18 majit 2017, i cili, për faj të Bashës që ra në grackën e Ramës, rezultoi katastrofik për opozitën. Veç kësaj, janë vënë në lëvizje edhe ca servilë të pushtetit të Ramës, të cilët njoftojnë nga ekranet televizive se zgjedhjet e parakohshme do të zhvillohen në muajin tetor. Por edhe nga radhët e opozitës janë dëgjuar zëra për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, zëra këta që çojnë ujë në mullirin e qeverisjes socialiste. Këto thirrje për zgjedhje të parakohshme janë gracka që po i ngrihen opozitës, me qëllim që ajo të shkojë drejt vetasgjësimit përfundimtar. Sepse zgjedhje të parakohshme nuk mund të zhvillohen në asnjë mënyrë, edhe sikur Rama tani të japë dorëheqjen nga posti i kryeministrit. Kjo për arsye se oligarkët politikë rreth tij, krejt strukturat e krimit ekonomik, ai vazhdon t’i ketë më këmbë, gati për t’i hedhur në sulm për hapjen e pazarit të blerjes së votave. Pra, pisllëku politik që ka pllakosur mbarë vendin, nuk lejon kurrfarë trualli për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Zgjedhjet e parakohshme janë fitore e padiskutueshme e Rilind(Rivdek)jes socialiste, janë rikthim në pushtet i Edi Ramës. Prandaj opozita duhet të synojë jo zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, por krijimin e një qeverie tranzitore me specialistë-teknicienë, të zhveshur nga ethet e pushtetit, me integritet të lartë intelektual dhe moral (le të shpresojmë dhe të besojmë se në mjedisin tonë gjenden të tilla personalitete, paçka se praktikat qeverisëse pas vitit 1990 na kanë bërë që të mos i besojmë as këmishës që mbajmë në kurriz), të cilët duhet që, gjatë një afati, të paktën, dyvjeçar, të punojnë për pastrimin e pisllëkut politik që ka pllakosur gjithandej, për ndëshkimin e krimit ekonomik, i cili i është imponuar mbarë popullit shqiptar me kanabizimin që i bëri krejt vendit qeverisja e kryeministrit Rama. Vetëm paskëtaj, në një truall të pastruar nga krimi ekonomik përmes çmontimit të kapitaleve oligarkiane, të vëna me grabitjen e pasurisë kombëtare, mund të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme, në përputhje me një kod të ri zgjedhor, sipas të cilit në Kuvendin e Shqipërisë duhet të hyjnë deputetë që zgjedh populli drejtpërdrejt dhe jo deputetë të listave partiake, të hartuara sipas tekave të kryetarëve të partive.
Kryeministri Rama është vetë fajtor për krijimin e një situate kaq të rëndë ekonomike që ka sjellë si pasojë varfërimin e pjesës dërrmuese të familjeve shqiptare. I verbuar nga ethet e pushtetit, ai ka harruar të mendojë se çfarë ia shkallmon themelet e qeverisjes së tij me teka diktatoriale.
Së pari, themelet e pushteti të një diktatori i minojnë lajkatarët, puthadorët, servilët që ai grumbullon rreth vetes.
Poeti francez Pjer de Ronsar (Pierre de Ronsard – 1524-1585) ka thënë:
“Është fatkeq ai sundimtar që ka afruar pranë vetes njerëz lajkatarë”.
Faktikisht, kryeministri Rama e ka rrethuar veten me lajkatarë, me puthadorë, me servilë shembullorë, të cilët ia kanë rritur mendjen shumë, ia kanë bërë mendjen veri, duke e katandisur deri në atë derexhe, saqë të bëhet gazi i shqiptarëve me ato që nxjerr nga goja, kur shkon në takime me popullin poshtë e përpjetë Shqipërisë. Kjo është njëra minë e nëndheshme që e ka rrezikuar dhe vazhdon ta rrezikojë pushtetin e tij me kahe diktatoriale, i cili ka kohë që lëshon “erë” të keqe.
Së dyti, themelet e pushtetit të një diktatori i minon varfërimi i shtresave të gjera të popullit.
Personaliteti i shquar anglez, Benxhamin Dizraeli (Benjamin Disraeli – 1804-1881), figurë e njohur politike (dy herë kryeministër i Anglisë në periudhën mes viteve 1868-1880), shkrimtar, njëri nga përfaqësuesit e romanit social, ka lënë pas një thënie kuptimplote për sërën e sundimtarëve që vuajnë nga ethet e pushtetit:
“Pallatet nuk mund të mos jenë të rrezikuara atje ku kasollet i ka pllakosur varfëria”.
E, pra, varfëria që pllakosi popullin shqiptar gjatë qeverisjes socialiste me Ramën në krye, është mina e dytë e nëndheshme që po ia gërryen ca nga ca themelet e pushtetit.

2019/07/08

Rama me llafe drejt Perëndimit me vepra drejt Putinit...

Rezultate imazhesh për eshref ymeri


Akademik Prof.Dr.Eshref Ymeri,Ph.D.


Siç është bërë e ditur nga media, më 03 korrik 2019, Kryeministri Rama paska formuluar një paketë ligjore kundër mjeteve të informimit masiv që quhet “Paketa antishpifje”.

Një projekt i “Paketës antishpifje” qe prezantuar për herë të parë me dy projektligje në dhjetorin që kaloi. Por ai qe shndërruar në objekt kritikash dhe qe vlerësuar si antikushtetues, meqenëse dhunonte lirinë e shprehjes.

Ndërkohë, shtatë organizata ndërkombëtare të lirisë së medias i patën kundërshtuar dy projektligjet dhe i patën kërkuan qeverisë t’i tërhiqte, duke i vlerësuar si të paprecedentë në kontinentin evropian. Në reagimin e tyre kundër atyre dy projektligjeve, thuhej:

“Organizatat besojnë se të dy projektligjet, në formë dhe në frymë, bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me Të Drejtën Evropiane. Ato përbëjnë kufizim krejtësisht të panevojshëm të lirisë së shprehjes e lirisë së medias dhe përmbajnë rrezikun e krijimit të një regjimi policor mbi median në internet” (Citohet sipas:“Qeveria rikthen projektligjet drakoniake kundër medias”. Faqja e internetit “Reporter.al”. 04 korrik 2019).

Me “Paketën antishpifje”, Kryeministri Rama dëshmon hapur fare se me llafe ai po mundohet me të gjitha energjitë e veta të pakursyera që Shqipërinë ta bëjë pjesë të Perëndimit evropian, përmes hapjes fillimisht të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, çuditërisht, me vepra ai po bën të kundërtën, duke e shtyrë vendin tonë drejt Rusisë së Putinit.

Përgatitja me një ngut të jashtëzakonshëm e “Paketës antishpifje”, fill pas “fitorjes enveriane” në votimet e 30 qershorit, e vërteton në praktikë pikësynimin e Ramës për të ecur drejt përqafimit të psikologjisë diktatoriale të Putinit në qeverisjen e vendit.

Rama e ka ditur me kohë e me vakt që “Paketën antishpifje” Putini e pati përgatitur dhe aprovuar shtatë vjet më parë. Nga mjetet ruse të informimit masiv, është bërë e ditur se parlamenti rus (Duma Shtetërore), më 13 korrik të vitit 2012, pati rikthyer në Kodin Penal nenin për shpifje. Këshilli i Federatës e pati aprovuar më 18 korrik, Presidenti Putin e pati firmosur menjëherë dhe më 10 gusht ai pati hyrë në fuqi, duke u botuar në Fletoren zyrtare.

Personalitete shoqërore dhe gazetarë të ndryshëm rusë, rikthimin në Kodin Penal të nenit për shpifje e patën vlerësuar si një kërcënim për lirinë e shprehjes. Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për qytetin e Moskës, Ludmilla Aleksejeva, nenin kundër shpifjes e pati karakterizuar si “një ligj të poshtër, i cili mbron burokratët nga kritikat e qytetarëve” (Citohet sipas: “Shtypi: Dhelpra dinake Putin po shndërrohet në një diktator të zakonshëm”. Faqja e internetit “DW Made for minds”. 30 korrik 2012).

Lind pyetja: po si shpjegohet që Rama “Paketën antishpifje” e formuloi shtatë vjet pas firmosjes nga ana e Putinit të nenit kundër shpifjes? Përgjigjja është e thjeshtë. Ramës i duhej të konsolidonte pozitat e veta qeverisëse, nëpërrmjet shtirjes në dorë të të gjitha pushteteve. Prandaj në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, ai e hoqi qafe bashkëqeverisjen me LSI-në e Metës dhe, përmes shitblerjes proverbiale të votave, e shndërroi Kuvendin në një “ngrehinë” njëpartiake, me një opozitë sa për sy e faqe, me të vetmin qëllim që ta këqyrte veten nga froni i një autokrati absolut.

Tani, kur tashmë ai i ka shtirë në dorë të gjitha pushtetet, kur partinë socialiste e ka shndërrur përfundimisht në një kone të bindur, kur deledeputetët e tij, në përputhje me Kodin Zgjedhor të vitit 2008, e kanë përvetësuar përsosmërisht artin e servilizmit politik para agait të tyre autokrat, kishte ardhur koha që të rikthehej në Kodin Penal neni kundër shpifjes, në mënyrë që paskëtaj askush të mos guxojë të prekë tufën e hierarkëve politikë, më në krye Ramën e plotpushtetshëm.

Me rastin e formulimit të së lartpërmendurës “Paketë antishpifje”, intelektuali i njohur Sulejman Mato ka reaguar si më poshtë:

“Mirëpo, unë mendojj se paralel me të, do të ishte mirë që në atë Këshillë Ministrash, të udhhequr nga vetë Kryeministri, të miratohej një paketë ligjore dhe për mashtrimin e zyrtarëve dhe qeveritarëve, përfshirë këtu dhe vetë Ministrat dhe Kryeministrin” (Citohet sipas: Sulejman Mato.“Paketë për shpifjen, po për mashtrimin me shifra të rreme?”. Faqja e internetit e gazetës “Koha Jonë”. 04 korrik 2019).

Ka shumë të drejtë intelektuali i nderuar Sulejman Mato. Si është e mundur që Ramës as që i ka shkuar ndër mend absolutisht se krahas “Paketës antishpifje”, duhej formuluar edhe një paketë ligjore për mashtrimin? Nuk i ka shkuar dhe as që mund t’i shkonte, sepse, sipas mendësisë së tij autokrate, dajaku i “Paketës antishpifje” duhet të bjerë vetëm mbi shpatullat e njerëzisë që kritikon kryeministrin dhe hierarkinë rreth tij, kurse një paketë ligjore për mashtrimin prek pikërisht atë vetë, taborrin e ministrave dhë tufën e servilëve në krye të pushtetit lokal. Sepse të gjithë këta, me Ramën në krye, mashtrimin e përdorin si mjet propagande gjatë fushatave zgjedhore. Dhe vazhdojnë të mbeten të pandëshkuar, ashtu si vetë Rama, të cilit nuk i hyri as edhe një gjemb në këmbë për mashtrimin që bëri gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2013, kur premtoi se po të vinte në pushtet, tarifën e vlerës së shtuar (tvsh-në) të energjisë elektrike do ta ulte nga 20% në 06%. Ai premtim paskej qenë një mashtrim i pastër, sepse tvsh-në e energjisë elektrike jo vetëm që nuk e uli në 06%, por edhe çmimin e energjisë elektrike për çdo kilovat (kw), duke filluar nga 01 shurti i vitit 2015, e shtrënjtoi në masën 20%.

Po mbushen gjashtë vjet që kur Rama mori postin e kryeministrit. Pikërisht gjatë kësaj periudhe gjashtëvjeçare të qeverisjes së tij, sipas mjeteve të informimit masiv, vendin e kanë braktisur 500 mijë qytetarë, një shifër kjo e frikshme për popullsinë e një vendi të vogël, siç është Shqipëria. Por analistët “e gjithdijshëm” të kanaleve televizive dhe moderatorët e tyre, Kryeministrit Rama, në studiot televizive, nuk i janë drejtuar as edhe një herë të vetme me pyetjen se cila është arsyeja e largimit të kaq shumë njerëzve drejt vendeve perëndimore.

Braktisja e vëndit nga një shumicë kaqë e madhe njerëzish është pasojë e një politike antikombëtare që ka ndjekur Kryeministri Rama në këta gjashtë vjet. Sepse varfëria që ka pllakosur shumicën dërrmuese të popullit tonë gjatë qeverisjes së Ramës, çmimet e larta dhe pagat e ulëta nuk mund të vlerësohen ndryshe, përveçse se si politikë antikombëtare.

Ja një fakt tronditës që dëshmon për arsyen e largimit të njerëzve dhe sidomos të specialistëve drejt Perëndimit evropian:

“Një i ri që ka mbaruar studimet e larta për infermieri tregon se nuk mund të qëndrojë në Shqipëri me një rrogë prej treqind mijë lekësh të vjetra. I riu thotë se nuk mund të qëndrojë as edhe një sekondë më shumë në Shqipëri dhe se i bëhet mishi kokërr, kur mendon se si mund të qëndrojë në Shqipëri kur e pret një e ardhme e ndritur në Gjermani. Ai thotë se i kanë ofruar një kontratë pune me 2800 mijë euro në muaj dhe se muajin e ardhshëm do largohet. I riu thotë se nuk ka asgjë kundër Shqipërisë dhe se e gjitha është kundër sistemit, i cili po i largon të rinjtë nga Shqipëria” (Citohet sipas: ““Patriot jam në gjak edhe në zemër!”. Infermieri i ri që do të largohet nga Shqipëria jep mesazhin e madh”. Faqja e internetit “lajme”. 26 qershor 2019).

Pra, Ramës nuk i mjaftuaka vetëm varfëria ku e ka katandisur shumicën e njerëzve, por kërkon që edhe atyre që kanë mbetur këtu, t’u hakërrohet me “Paketën antishpifje”, për t’i shndërruar në “dele të Krishtit”, siç e ka shndërruar krejt anëtarësinë e partisë socialiste dhe deledeputetët socialistë, me qëllim përjetësimin e pushtetit personal.

Mirë do të ishte që Kryeministri Rama ta kishte parasysh një proverb të anglishtes me përmbajtje tepër domethënëse:

Higher the ape goes, the more he shows his tail – sa më shumë t’i ngjitesh pemës, aq më të holla bëhen degët; sa më përpjetë të kesh shkuar, aq më shumë mbetesh i zbuluar.

Santa Barbara, Kaliforni

07 korrik 2019

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...