Agjencioni floripress.blogspot.com

2019/07/09

Eliot Engel kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan





Ligjvënësi amerikan, Eliot Engel, tha të enjten në Preshevë, se nuk mbështet idetë për shkëmbim territoresh dhe përpjekjet duhet të përqendrohen në arritjen e një paqeje afatgjate ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ligjvënësi Engel po qëndron në Luginën e Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë në një mision faktmbledhës.

Pas takimit me kryetarin e komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ai foli për përfshirjen e gjatë në Ballkan dhe posaçërisht për pavarësinë e Kosovës, ndërsa vuri theksin tek nevoja për një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk mendoj fare që është drejtim i duhur shkëmbimi i territoreve. Jam i shqetësuar për këtë sepse, nëse filloni të ndryshoni kufijtë në Ballkan, ku përfundon kjo? Ka shumë vende tjera që duan të ndryshojnë kufijtë dhe për këtë arsye Ballkani u fut në telashe në radhë të parë”, tha ai.

Zoti Engel tha se përpjekjet duhet të përqendrohen në arritjen e një paqeje afatgjate dhe marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për të arritur këtë, palët duhet të bisedojnë më njëri tjetrin.

“Shpresoj që kjo do të ndodhë dhe shpresoj që Shtetet e Bashkuara mund të luajnë po ashtu një rol pozitiv në këtë drejtim”, tha zoti Engel.

Ai shkoi në Luginën e Preshevës pas vizitës në Beograd, ku ai bisedoi me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, lidhur me bisedimet me Kosovën, arritjen e paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjate në Ballkan dhe vënien e drejtësisë për të gjitha viktimat e luftës në Kosovë.

Zoti Engel, i cili njihet si një nga miqtë e mëdhenj të shqiptarëve dhe mbështetës i fuqishëm i zgjidhjes së çështjes së Kosovës, do të qëndrojë më vonë gjatë ditës në Prishtinë ku do të marrë pjesë në manifestimet me rastin e ditës së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara dhe përurimin e ndërtesës së ambasadës amerikane.

EURALIUS e trajton Drejtësinë tonë si “miun e laboratorit” për të kryer eksperimente



Artan Lazaj, ish-gjyqtar

Shkelet në mënyrë të pariparueshme serioziteti i të ashtuquajturës tashmë të Reformës në Drejtësi. Në qoftë se pranohet kjo ide e mbrapshtë, atëherë do të kthehemi në nivelet e vitit 1945 me gjyqtarë nga mali. kam frikë se Misioni EURALIUS është kthyer në marionetë të dikujt tjetër

Artan Lazaj, ish gjyqtar në intervistën për gazetën “Telegraf” analizon rekomandimet e EURALIUS V, i cili propozon që vakancat në Gjykatën e Lartë të zëvendësohen me gjyqtarë të përkohshëm. Artan Lazaj, duke u nisur nga përvoja e vet, thotë për gazetën “Telegraf” se “EURALIUS V” e ka kapërcyer kompetencat e saj, sepse ka mision vetëm “Konsolidimin e Sistemit të Drejtësisë në Republikën e Shqipërisë”, ndërsa edhe propozimi që EURALIUS bëri për Prokuror i Përgjithshëm i Përkohshme po e shohim që ishte skemë qesharake dhe po dështon dhe demaskohet dita ditës.

Artan Lazaj thotë se nëse ishte pranuar propozimi i tij, që gjyqtarët me 25 vite pune shembullore mund të marrin statusin e “Gjyqtar i Lartë” dhe në kësi rastesh, mund të bëhen përkohësisht anëtar të Gjykatës së Lartë. Së fundi, Artan Lazaj shprehet për gazetën “Telegraf” se EURALIUS është kthyer në marionetë të dikujt, duke nënkuptuar kryeministrin aktual.

– Zoti Lazaj ju si e vlerësoni opinionin e EURALUIS që të plotësohet Gjykata e Lartë me gjyqtarë të Përkohshëm edhe nga gjyqtarë të niveleve të ulëta të gjykatave?

Unë kam kohë që në mënyrë informale korridoreve por edhe së fundmi nga zhvillimet e përditshme jam njohur me një nismë të tillë.

Misioni Euralius, me këtë opinion në radhë të parë shkel mbi vetveten, për arsye se ky mision, në kuadër të Bashkimit Evropian, ka vetëm për mision “Konsolidimin e Sistemit të Drejtësisë në Republikën e Shqipërisë”. Vetëm për këtë qëllim ai është kontraktuar nga Republika e Shqipërisë dhe konsolidim do të thotë forcimi i zbatimit të ligjit në Sistemin e Drejtësisë.

Koncepti “Gjyqtarë të përkohshëm”, “Prokuror të përkohshëm” e sajesa të tilla, nuk gjenden asgjëkund në asnjë ligj. Çdo gjyqtar i çdo niveli ka mënyrën e vetë të emërimit dhe karrierës së tij pa u zgjatur shumë. Prokuror i Përgjithshëm i Përkohshëm po e shohim që ishte skemë qesharake dhe po dështon dhe demaskohet dita ditës. Jemi bërë gazi i botës dhe kërkojmë nga këta të “Botës”, mos të na i shtojnë më këtë gaz.

Cilat ligje shkelen, nëse ky opinion i EURALIUS pranohet?

Shkelen të gjitha ligjet që kanë të bëjnë me organizimin dhe funksionimin e Sistemit të Drejtësisë, që nga Kushtetuta e Republikës dhe deri ne ligjet e posaçme të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, gjykatave dhe me radhë.
Shkelet në mënyrë të pariparueshme serioziteti i të ashtuquajturës tashmë të Reformës në Drejtësi, si dhe besimi i publikut që ka rënë ndjeshëm si rezultat i keqzbatimit të kësaj Reforme.
Një gjë po jua them me bindje të plotë profesionale dhe qytetare që, në qoftë se pranohet kjo ide e mbrapshtë, atëherë do të kthehemi në nivelet e vitit 1945, me gjyqtarë nga mali.

Por, gjithashtu kam frikë se Misioni EURALIUS është kthyer në marionetë të dikujt tjetër dhe për këtë Bashkimi Evropian duhet të marrë masat sa më shpejt, pasi ka të bëjë drejtpërdrejt me kredibilitetin e saj.



Cila është rruga që duhet ndjekur për të ngritur sa më parë Gjykatën e Lartë?

E vetmja rrugë është ajo e zbatimit korrekt të ligjeve të këtushme, që nga Kushtetuta dhe çdo ligj që ka të bëj drejtpërdrejt ose indirekt me Gjykatën e Lartë. Me dhimbje e them, se këtu ka shumë kohë që nuk e çan njeri kokën për zbatimin e ligjit, por vetëm për artifice të shëmtuara për “zbatimin” e saj.

Ndoshta po te ishte miratuar në ligjin për Statusin e Gjyqtarit ai propozim i bërë nga unë që një gjyqtar me 25 vjet karriere të pandërprerë, pune si gjyqtar, pa masa disiplinore në fuqi, të gëzonte të drejtën për të fituar titullin Gjyqtar i Lartë, me të gjitha benefitet ligjore dhe financiare, ndoshta duhet të kishte vend ky propozim i përkohshëm.

Në qoftë se do të bëhet një ndryshim i shpejtë që gjyqtari në bazë të një sasie të caktuar vite pune të gëzoj statusin e Gjyqtarit të Apelit dhe më tej të Gjykatës së Lartë, pavarësisht ku punon, mundet që Këshilli i Lartë Gjyqësor, të kryejë komandime të tilla, por vetëm në këtë rast dhe në asnjë rast tjetër, pasi në ligj është e shkruar se “Çdo ndërhyrje në sistemin e Drejtësisë, përbën shkelje penale”.

Kjo mund të ishte një rrugë e ndërmjetme për të rikuperuar sa më shpejt dëmet e zbatimit të reformës dhe rifillimin nga puna të Gjykatës së Lartë.

Përfundimisht, kam frikë se gjoja në emër të urgjencës së krijimit të Institucioneve të Drejtësisë, do te abuzohet në mënyrë të shëmtuar me zbatimin ligjor të Reformës, siç po abuzohet dhe bomba është gati të pëlcasë.

Opozita dhe gracka e Ramës

“Popullit i kushton më shtrenjtë të vazhdojë të ushqejë një diktator, sesa ta flakë atë nga pushteti”.

 
Akademik Prof. Dr. Eshref Ymeri,Ph.D.

Situata në vendin tonë sapo vjen e bëhet më e ndezur. Protesta e fundit e opozitës vërtetoi se vala e pakënaqësisë së frontit opozitar, sa vjen e bëhet më e fuqishme. Por kryeministrit Rama nuk i bën përshtypje kjo gjendje tensioni. Madje, në një takim që pati me gazetarët, më 12 maj, ai deklaroi se nga kapsollat e hedhura nuk dëmtohet qeveria, por Shqipëria.
Një kryeministër me gjykim të ftohtë, me mendje të kthjellët, nuk mund t’i lejojë vetes të nxjerrë nga goja një deklaratë të tillë. Me këtë deklaratë, kryeministri Rama vërteton në praktikë, se për të është shumë më e çmuar selia kryeministrore dhe kolltuku i tij personal, sesa emri i Shqipërisë në sytë e opinionit ndërkombëtar. Sepse ai është i vetëdijshëm për dëmin që i bëhet vendit tonë para syve të botës nga gjendja e tanishme kaotike, por për këtë atij nuk i bëhet vonë fare, mjafton që kolltuku i tij të mbetet i paprekur. Kjo është një mendësi karakteristike prej diktatori të kulluar.
Ky qëndrim i hapur kundër popullit opozitar, çdo shqiptari me vetëdije kombëtare, pavarësisht se cilit krahu politik i përket, i sjell në kujtesë sloganin e shpëlarë të Ramës për të ashtuquajturën Rilindje socialiste, e cila, siç tregoi rrjedha e ngjarjeve të mëvonshme, paska pasur si qëllim vetëm rilindjen e sundimit njëpartiak të kohës së diktaturës së kriminelit Enver Hoxha, një sundim ky neokomunist në kushtet e ekonomisë së tregut. Rrjedha e ngjarjeve, po ashtu, vërtetoi konkretisht se reforma në drejtësi paska pasur po të njëjtin qëllim.
Duhet besuar me domosdo se për pasojat e rënda që ka sjellë qeverisja e Ramës në gjendjen ekonomike të shumicës së familjeve shqiptare, është i bindur edhe elektorati i majtë, mbi të cilin, ashtu si edhe mbi elektoratin e djathtë, rëndojnë taksat e papërballueshme përmes çmimeve të larta të energjisë elektrike, të ujit, të karburantit, të biletave të avionëve, çmimet e larta të produkteve ushqimore, e të tjera e të tjera. Por elektoratin e majtë, për fatkeqësinë e tij, e drejton një parti socialiste, e cila s’është gjë tjetër, veçse një“parti-kufomë” që tërhiqet zvarrë para kryeministrit Rama. Kjo është arsyeja që nga radhët e forumeve të saj, nga asambleja e saj, nga kryesia e saj, nuk pipëtin askush kundër tij, të gjithë janë katandisur në “të vdekur e të pakallur”, prandaj edhe Ramën e vështrojnë në dritë të syrit, sepse kanë frikë se mos u bën gjëmën politike po të lëvizin bishtin, tamam si krimineli Enver Hoxha një herë e një kohë. Në fushatën zgjedhore të vitit 2013, Rama, në një fletëpalosje, të cilën familjeve shqiptare ua hodhi poshtë derës, premtoi se taksën e vlerës së shtuar të energjisë elektrike (tvsh) do ta ulte nga 20% në 06%. Çuditërisht, kur u ul në kolltukun e kryeministrit, mashtroi hapur dhe jo vetëm nuk e uli, por edhe çmimin e energjisë elektrike e ngriti me 20%. Por askush nga pjesëtarët e strukturave të larta të partisë socialiste nuk u bë i gjallë dhe t’i tërhiqte vëmendjen për këtë mashtrim skandaloz që i bëri mbarë popullit shqiptar. Edhe këta muajt e fundit, kur opozita është hedhur në protesta të fuqishme, askush nga radhët e strukturave të larta të partisë socialiste s’e ka ngritur zërin kundër mënyrës antikombëtare të qeverisjes së Ramës. Dy zëra që janë dëgjuar kundër me shumë të drejtë, si ai i zonjës Arta Dade dhe i zotit Hamdi Jupe, kryeministrit Rama nuk i prishin punë fare, sepse ata s’janë më deputetë dhe as që kanë ndonjë peshë në strukturat e partisë socialiste. Në këto kushte, opozita, për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike dhe të përqendrimit të pushtetit politik dhe ekonomik në duart e një grushti njerëzish me Ramën në krye, është hedhur në protesta të fuqishme për rrëzimin e tij. Një situatë të tillë, të cilën e ka përjetuar edhe Ukraina dikur nën sundimin e argatit të regjur të Kremlinit, ish-presidentit të përmbysur Janukoviç, e ka karakterizuar fare bukur Majkll Shçur (1982), gazetar i njohur i televizionit të këtij vendi, aktor, skenarist dhe muzikant, i cili thotë:
“Popullit i kushton më shtrenjtë të vazhdojë të ushqejë një diktator, sesa ta flakë atë nga pushteti”.
Mirë është që Rama ta mbajë shënim këtë thënie aforistike të këtij gazetari të talentuar. Sepse vazhdimi i sundimit të tij është varrmihës për shumicën dërrmuese të popullit shqiptar, çka është dëshmuar më së miri nga braktisja e atdheut prej 500 mijë bashkatdhetarëve, siç i deklaroi analisti italian Alberto Negri vetë Ramës kur ishte i ftuar në programin televiziv TG2 të RaiDue në Itali në fund të shkurtit të këtij viti. Duke qenë i prirur për ta mbajtur pushtetin me thonj dhe me dhëmbë, kryeministri Rama po mundohet ta futë në grackë opozitën, duke kërkuar të hyjë në bisedime me Bashën, të cilit i bën thirrje t’i lërë “shëtitjet” në bulevard dhe të bëjë një takim me të. Me sa duket, ai kërkon të përsëritë skenarin e 18 majit 2017, i cili, për faj të Bashës që ra në grackën e Ramës, rezultoi katastrofik për opozitën. Veç kësaj, janë vënë në lëvizje edhe ca servilë të pushtetit të Ramës, të cilët njoftojnë nga ekranet televizive se zgjedhjet e parakohshme do të zhvillohen në muajin tetor. Por edhe nga radhët e opozitës janë dëgjuar zëra për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, zëra këta që çojnë ujë në mullirin e qeverisjes socialiste. Këto thirrje për zgjedhje të parakohshme janë gracka që po i ngrihen opozitës, me qëllim që ajo të shkojë drejt vetasgjësimit përfundimtar. Sepse zgjedhje të parakohshme nuk mund të zhvillohen në asnjë mënyrë, edhe sikur Rama tani të japë dorëheqjen nga posti i kryeministrit. Kjo për arsye se oligarkët politikë rreth tij, krejt strukturat e krimit ekonomik, ai vazhdon t’i ketë më këmbë, gati për t’i hedhur në sulm për hapjen e pazarit të blerjes së votave. Pra, pisllëku politik që ka pllakosur mbarë vendin, nuk lejon kurrfarë trualli për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Zgjedhjet e parakohshme janë fitore e padiskutueshme e Rilind(Rivdek)jes socialiste, janë rikthim në pushtet i Edi Ramës. Prandaj opozita duhet të synojë jo zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, por krijimin e një qeverie tranzitore me specialistë-teknicienë, të zhveshur nga ethet e pushtetit, me integritet të lartë intelektual dhe moral (le të shpresojmë dhe të besojmë se në mjedisin tonë gjenden të tilla personalitete, paçka se praktikat qeverisëse pas vitit 1990 na kanë bërë që të mos i besojmë as këmishës që mbajmë në kurriz), të cilët duhet që, gjatë një afati, të paktën, dyvjeçar, të punojnë për pastrimin e pisllëkut politik që ka pllakosur gjithandej, për ndëshkimin e krimit ekonomik, i cili i është imponuar mbarë popullit shqiptar me kanabizimin që i bëri krejt vendit qeverisja e kryeministrit Rama. Vetëm paskëtaj, në një truall të pastruar nga krimi ekonomik përmes çmontimit të kapitaleve oligarkiane, të vëna me grabitjen e pasurisë kombëtare, mund të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme, në përputhje me një kod të ri zgjedhor, sipas të cilit në Kuvendin e Shqipërisë duhet të hyjnë deputetë që zgjedh populli drejtpërdrejt dhe jo deputetë të listave partiake, të hartuara sipas tekave të kryetarëve të partive.
Kryeministri Rama është vetë fajtor për krijimin e një situate kaq të rëndë ekonomike që ka sjellë si pasojë varfërimin e pjesës dërrmuese të familjeve shqiptare. I verbuar nga ethet e pushtetit, ai ka harruar të mendojë se çfarë ia shkallmon themelet e qeverisjes së tij me teka diktatoriale.
Së pari, themelet e pushteti të një diktatori i minojnë lajkatarët, puthadorët, servilët që ai grumbullon rreth vetes.
Poeti francez Pjer de Ronsar (Pierre de Ronsard – 1524-1585) ka thënë:
“Është fatkeq ai sundimtar që ka afruar pranë vetes njerëz lajkatarë”.
Faktikisht, kryeministri Rama e ka rrethuar veten me lajkatarë, me puthadorë, me servilë shembullorë, të cilët ia kanë rritur mendjen shumë, ia kanë bërë mendjen veri, duke e katandisur deri në atë derexhe, saqë të bëhet gazi i shqiptarëve me ato që nxjerr nga goja, kur shkon në takime me popullin poshtë e përpjetë Shqipërisë. Kjo është njëra minë e nëndheshme që e ka rrezikuar dhe vazhdon ta rrezikojë pushtetin e tij me kahe diktatoriale, i cili ka kohë që lëshon “erë” të keqe.
Së dyti, themelet e pushtetit të një diktatori i minon varfërimi i shtresave të gjera të popullit.
Personaliteti i shquar anglez, Benxhamin Dizraeli (Benjamin Disraeli – 1804-1881), figurë e njohur politike (dy herë kryeministër i Anglisë në periudhën mes viteve 1868-1880), shkrimtar, njëri nga përfaqësuesit e romanit social, ka lënë pas një thënie kuptimplote për sërën e sundimtarëve që vuajnë nga ethet e pushtetit:
“Pallatet nuk mund të mos jenë të rrezikuara atje ku kasollet i ka pllakosur varfëria”.
E, pra, varfëria që pllakosi popullin shqiptar gjatë qeverisjes socialiste me Ramën në krye, është mina e dytë e nëndheshme që po ia gërryen ca nga ca themelet e pushtetit.

2019/07/08

Rama me llafe drejt Perëndimit me vepra drejt Putinit...

Rezultate imazhesh për eshref ymeri


Akademik Prof.Dr.Eshref Ymeri,Ph.D.


Siç është bërë e ditur nga media, më 03 korrik 2019, Kryeministri Rama paska formuluar një paketë ligjore kundër mjeteve të informimit masiv që quhet “Paketa antishpifje”.

Një projekt i “Paketës antishpifje” qe prezantuar për herë të parë me dy projektligje në dhjetorin që kaloi. Por ai qe shndërruar në objekt kritikash dhe qe vlerësuar si antikushtetues, meqenëse dhunonte lirinë e shprehjes.

Ndërkohë, shtatë organizata ndërkombëtare të lirisë së medias i patën kundërshtuar dy projektligjet dhe i patën kërkuan qeverisë t’i tërhiqte, duke i vlerësuar si të paprecedentë në kontinentin evropian. Në reagimin e tyre kundër atyre dy projektligjeve, thuhej:

“Organizatat besojnë se të dy projektligjet, në formë dhe në frymë, bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me Të Drejtën Evropiane. Ato përbëjnë kufizim krejtësisht të panevojshëm të lirisë së shprehjes e lirisë së medias dhe përmbajnë rrezikun e krijimit të një regjimi policor mbi median në internet” (Citohet sipas:“Qeveria rikthen projektligjet drakoniake kundër medias”. Faqja e internetit “Reporter.al”. 04 korrik 2019).

Me “Paketën antishpifje”, Kryeministri Rama dëshmon hapur fare se me llafe ai po mundohet me të gjitha energjitë e veta të pakursyera që Shqipërinë ta bëjë pjesë të Perëndimit evropian, përmes hapjes fillimisht të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, çuditërisht, me vepra ai po bën të kundërtën, duke e shtyrë vendin tonë drejt Rusisë së Putinit.

Përgatitja me një ngut të jashtëzakonshëm e “Paketës antishpifje”, fill pas “fitorjes enveriane” në votimet e 30 qershorit, e vërteton në praktikë pikësynimin e Ramës për të ecur drejt përqafimit të psikologjisë diktatoriale të Putinit në qeverisjen e vendit.

Rama e ka ditur me kohë e me vakt që “Paketën antishpifje” Putini e pati përgatitur dhe aprovuar shtatë vjet më parë. Nga mjetet ruse të informimit masiv, është bërë e ditur se parlamenti rus (Duma Shtetërore), më 13 korrik të vitit 2012, pati rikthyer në Kodin Penal nenin për shpifje. Këshilli i Federatës e pati aprovuar më 18 korrik, Presidenti Putin e pati firmosur menjëherë dhe më 10 gusht ai pati hyrë në fuqi, duke u botuar në Fletoren zyrtare.

Personalitete shoqërore dhe gazetarë të ndryshëm rusë, rikthimin në Kodin Penal të nenit për shpifje e patën vlerësuar si një kërcënim për lirinë e shprehjes. Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për qytetin e Moskës, Ludmilla Aleksejeva, nenin kundër shpifjes e pati karakterizuar si “një ligj të poshtër, i cili mbron burokratët nga kritikat e qytetarëve” (Citohet sipas: “Shtypi: Dhelpra dinake Putin po shndërrohet në një diktator të zakonshëm”. Faqja e internetit “DW Made for minds”. 30 korrik 2012).

Lind pyetja: po si shpjegohet që Rama “Paketën antishpifje” e formuloi shtatë vjet pas firmosjes nga ana e Putinit të nenit kundër shpifjes? Përgjigjja është e thjeshtë. Ramës i duhej të konsolidonte pozitat e veta qeverisëse, nëpërrmjet shtirjes në dorë të të gjitha pushteteve. Prandaj në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, ai e hoqi qafe bashkëqeverisjen me LSI-në e Metës dhe, përmes shitblerjes proverbiale të votave, e shndërroi Kuvendin në një “ngrehinë” njëpartiake, me një opozitë sa për sy e faqe, me të vetmin qëllim që ta këqyrte veten nga froni i një autokrati absolut.

Tani, kur tashmë ai i ka shtirë në dorë të gjitha pushtetet, kur partinë socialiste e ka shndërrur përfundimisht në një kone të bindur, kur deledeputetët e tij, në përputhje me Kodin Zgjedhor të vitit 2008, e kanë përvetësuar përsosmërisht artin e servilizmit politik para agait të tyre autokrat, kishte ardhur koha që të rikthehej në Kodin Penal neni kundër shpifjes, në mënyrë që paskëtaj askush të mos guxojë të prekë tufën e hierarkëve politikë, më në krye Ramën e plotpushtetshëm.

Me rastin e formulimit të së lartpërmendurës “Paketë antishpifje”, intelektuali i njohur Sulejman Mato ka reaguar si më poshtë:

“Mirëpo, unë mendojj se paralel me të, do të ishte mirë që në atë Këshillë Ministrash, të udhhequr nga vetë Kryeministri, të miratohej një paketë ligjore dhe për mashtrimin e zyrtarëve dhe qeveritarëve, përfshirë këtu dhe vetë Ministrat dhe Kryeministrin” (Citohet sipas: Sulejman Mato.“Paketë për shpifjen, po për mashtrimin me shifra të rreme?”. Faqja e internetit e gazetës “Koha Jonë”. 04 korrik 2019).

Ka shumë të drejtë intelektuali i nderuar Sulejman Mato. Si është e mundur që Ramës as që i ka shkuar ndër mend absolutisht se krahas “Paketës antishpifje”, duhej formuluar edhe një paketë ligjore për mashtrimin? Nuk i ka shkuar dhe as që mund t’i shkonte, sepse, sipas mendësisë së tij autokrate, dajaku i “Paketës antishpifje” duhet të bjerë vetëm mbi shpatullat e njerëzisë që kritikon kryeministrin dhe hierarkinë rreth tij, kurse një paketë ligjore për mashtrimin prek pikërisht atë vetë, taborrin e ministrave dhë tufën e servilëve në krye të pushtetit lokal. Sepse të gjithë këta, me Ramën në krye, mashtrimin e përdorin si mjet propagande gjatë fushatave zgjedhore. Dhe vazhdojnë të mbeten të pandëshkuar, ashtu si vetë Rama, të cilit nuk i hyri as edhe një gjemb në këmbë për mashtrimin që bëri gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2013, kur premtoi se po të vinte në pushtet, tarifën e vlerës së shtuar (tvsh-në) të energjisë elektrike do ta ulte nga 20% në 06%. Ai premtim paskej qenë një mashtrim i pastër, sepse tvsh-në e energjisë elektrike jo vetëm që nuk e uli në 06%, por edhe çmimin e energjisë elektrike për çdo kilovat (kw), duke filluar nga 01 shurti i vitit 2015, e shtrënjtoi në masën 20%.

Po mbushen gjashtë vjet që kur Rama mori postin e kryeministrit. Pikërisht gjatë kësaj periudhe gjashtëvjeçare të qeverisjes së tij, sipas mjeteve të informimit masiv, vendin e kanë braktisur 500 mijë qytetarë, një shifër kjo e frikshme për popullsinë e një vendi të vogël, siç është Shqipëria. Por analistët “e gjithdijshëm” të kanaleve televizive dhe moderatorët e tyre, Kryeministrit Rama, në studiot televizive, nuk i janë drejtuar as edhe një herë të vetme me pyetjen se cila është arsyeja e largimit të kaq shumë njerëzve drejt vendeve perëndimore.

Braktisja e vëndit nga një shumicë kaqë e madhe njerëzish është pasojë e një politike antikombëtare që ka ndjekur Kryeministri Rama në këta gjashtë vjet. Sepse varfëria që ka pllakosur shumicën dërrmuese të popullit tonë gjatë qeverisjes së Ramës, çmimet e larta dhe pagat e ulëta nuk mund të vlerësohen ndryshe, përveçse se si politikë antikombëtare.

Ja një fakt tronditës që dëshmon për arsyen e largimit të njerëzve dhe sidomos të specialistëve drejt Perëndimit evropian:

“Një i ri që ka mbaruar studimet e larta për infermieri tregon se nuk mund të qëndrojë në Shqipëri me një rrogë prej treqind mijë lekësh të vjetra. I riu thotë se nuk mund të qëndrojë as edhe një sekondë më shumë në Shqipëri dhe se i bëhet mishi kokërr, kur mendon se si mund të qëndrojë në Shqipëri kur e pret një e ardhme e ndritur në Gjermani. Ai thotë se i kanë ofruar një kontratë pune me 2800 mijë euro në muaj dhe se muajin e ardhshëm do largohet. I riu thotë se nuk ka asgjë kundër Shqipërisë dhe se e gjitha është kundër sistemit, i cili po i largon të rinjtë nga Shqipëria” (Citohet sipas: ““Patriot jam në gjak edhe në zemër!”. Infermieri i ri që do të largohet nga Shqipëria jep mesazhin e madh”. Faqja e internetit “lajme”. 26 qershor 2019).

Pra, Ramës nuk i mjaftuaka vetëm varfëria ku e ka katandisur shumicën e njerëzve, por kërkon që edhe atyre që kanë mbetur këtu, t’u hakërrohet me “Paketën antishpifje”, për t’i shndërruar në “dele të Krishtit”, siç e ka shndërruar krejt anëtarësinë e partisë socialiste dhe deledeputetët socialistë, me qëllim përjetësimin e pushtetit personal.

Mirë do të ishte që Kryeministri Rama ta kishte parasysh një proverb të anglishtes me përmbajtje tepër domethënëse:

Higher the ape goes, the more he shows his tail – sa më shumë t’i ngjitesh pemës, aq më të holla bëhen degët; sa më përpjetë të kesh shkuar, aq më shumë mbetesh i zbuluar.

Santa Barbara, Kaliforni

07 korrik 2019

Bedri Tahiri : Heronjtë vdesin duke kënduar


Në 20-vjetorin e rënies përkujtohen dëshmorët: Rrustem Bruqi, Lumni Surdulli, Enver Alaj

NGA  ROZENHAJMI NË LOXHË TË PEJËS

Në kilometrin e njëmbëdhjetë, në lindje të Vushtrrisë së lashtë, në një luginë rrethuar më kodrina gjysmë të zhveshura, shtrihet një vendbanim i lashtë, i cili që nga viti 1893 njihet me emrin Samadrexhë (sot Lumkuq, sipas lumthit që e përshkon). Ai përbëhet nga lagjet: Bunjakët, Surdullët, Shala, Bashollët, Malokët, Selacët, Sopjanët, Zabërgjët, Merovcët, Rashanët, Krasniqët, Tikollët, Bajgorët (Musa), Kaçanollët (Hyseni) etj.

Përmbi fshat gjenden gjurmë të një vendbanimi të vjetër iliro-dardan me emrin Gradina- Gjyteti. Gjatë LDB shumë burra të këtij fshati iu bashkuan radhëve të luftëtarëve të Shaban Polluzhës e të Mehmet Gradicës. Më të njohurit ishin Hashim Basholli dhe Osman e Shaban Bunjaku. Edhe në luftën e fundit çlirimtare lumkuqasit nuk ngelën prapa. Ai që bëri emër në histori qe oficeri  dhe luftëtari i UÇK-së, Lumni Musë Surdulli.

Kadeti shembullor

Ndër familjet më të njohura të Lumkuqit janë edhe ato me mbiemrin Surdulli. Edhe Musë Surdulli me të shoqen Hatemen nga Skroma përbënin një familje që dallohej për të mirë. Ata patën këta fëmijë: Aliun, Lutfiun, Lumniun, Ferkiun, Ismetin, Sanijen dhe Bahrijen.

Lumniu ishte djali i tretë i këtyre dy bashkëshortëve. Ai erdhi në këtë botë më 24 janar 1969, atëbotë kur veçse ishte shuar zjarri i demonstratave të 68-së dhe në trojet tona kishte zënë të shkëlqente një fije shprese për ditë të bardhë. 

Djaloshi hafif, por shumë i zgjuar dhe mendjemprehtë, herët u godit nga jeta hileqare. Që në klasën e tretë të shkollës fillore në vendlindje, mbeti pa dashurinë e ngrohtë të nënës. Si fëmijë, këtë zbrazëti, u përpoq ta mbushte me dashurinë ndaj librit, ndaj mësimeve, ndaj shokëve, ndaj  mësuesit. 

Lexonte shumë dhe çka i binte në dorë, por më së shumti i pëlqenin krijimet e zjarrta e përplot patriotizëm të rilindëseve tanë dhe rrëfimet për të bëmat e heronjve tanë. Pasi kreu shkollën fillore me sukses të shkëlqyeshëm u regjistrua në Gjimnazin e Vushtrrisë- drejtimi gjuhësor.

Dhe, pasi përfundoi klasën e parë, gjendja e ekonomike e ngushtoi së tepërmi. Për të vazhduar më tutje u shtrëngua të kërkonte ndihmë tek organet komunale. 

Për çudi, në vend të një burse, ata i propozuan dhe ia afruan mundësinë për t’u regjistruar në shkollë ushtarake. Ai, pa hezituar fare, pranoi të bëhej kadet dhe ta mësonte artin luftarak, për të cilin kishte më së shumti nevojë Kosova.

 Kështu, më 1984 regjistrohet në shkollën ushtarake-teknik i aviacionit në Rajllovc të Bosnjës, të cilën e mbaroi me sukses të lartë në afat, në vitin 1988. Fill pas diplomimit, mori gradën e rreshterit dhe u caktua të punonte në aeroportin ushtarak të Batajnicës së Beogradit.

Në frontet kroate

Jeta ushtarake e kaliti edhe më shpirtin liridashës të oficerit të ri me ëndrra të mëdha. Aty, nga afër, pa dhe përjetoi padrejtësitë që bëheshin nga eprorët zemërkatil serbë ndaj të tjerëve, veçan ndaj ushtarëve shqiptarë. Ishte kohë mjaft e vështirë, kur shumë të rinj shqiptarë që shërbenin në ushtrinë jugosllave ktheheshin në arkivole ose përfundonin prapa grilash me gjyqe të montuara.
Këtë barbari mesjetare serbe më së miri e vërtetoi kur plasi lufta në Kroaci. Gjatë luftës serbo-kroate ai u gjend në detyrën e eprorit ushtarak. 

Aty përjetoi atë që ndoshta kurrë as që e kishte menduar. Në pabesi, në një komplot të organizuar me finokëri, ia vranë shokun e ngushtë, kroatin Franjo. 

Që nga moment u bind se asgjë nuk kishte të vërtetë në ato frazat boshe që reklamoheshin në të ashtuquajturën ushtri jugosllave. Dhe, me mish e me shpirt, duke bërë edhe të pamundurën, i ndihmoi ushtarët shqiptarë për të dezertuar nga ajo ushtri mizore. 

Vetë, duke rrezikuar edhe jetën, ua mësoi shtigjet e labirinthet dalëse përtej telave, i dërgonte në banesën e një hasjani, i cili ua siguronte rrobat civile dhe i niste për rrugë, qoftë për Kosovë, qoftë për mërgatë. 

Kur nga ajo kazermë u largua edhe ushtari i fundit shqiptar, edhe vetë ia mbathi, duke ua lënë kurthin e ngrehur për likuidim gjakpirësve...

Nga Rozenhajmi në Loxhë të Pejës

Lumni Surdulli vetëm gjatë vitit 1991 qëndroi në Kosovë, sepse policia serbe e nuhaste kudo. Thënë të drejtën edhe ato ditë më shumë i kaloi në Strofc, tek e motra, Sanija, e cila ishte e martuar me Adem Aliun. 

Aty gjeti strehim të sigurt dhe, pos tjerash, edhe  Qyqavicën legjendare e kishte më afër. Në kërkim të tij, edhe familja pësoi, shumë herë u keqtrajtua ati, Musa, të cilin e donte shumë.

 Njëherë, kur ia pati përmend fejesën ai ia kishte kthyer: “Babush (ashtu e quante) njëherë t’ia marrim Kosovës nusen LIRI e pastaj mua”!

 Pra, koha që kaloi në Strofc paraqet një kaptinë të veçantë në jetën e këtij dëshmori. Për këtë më së miri flet vetë Adem Aliu, njëri nga luftëtarët e shquar të kësaj ane, sot epror në TMK:

...Ishte viti1992 kur Lumniu dezertoi nga ushtria sllave. 

E shfrytëzoi rastin kur sollën trupin e pajetë të pilotit shqiptar, Raif Miftarit nga Prishtina. Tre muaj (maj, qershor e korrik), qëndroi në shtëpinë tonë, në Strofc, rrezë Qyqavicës. 

Me vete kishte revolen me 500 copë fishekë dhe e kishte ndarë mendjen të mos dorëzohej për të gjallë. Për fat edhe rrethi ynë qe i mirë dhe i sigurt, kurrë askush asnjë fjalë për të.

 Një natë qe mërzitur shumë për shtëpinë dhe për babë Musën, të cilin e donte pa masë.U nisëm këmbë, nëpër ara e kodrina, dhe  arritëm në Lumkuq, ku gjithë natën u çmall duke llafosur me të afërmit e vet. I ati, nga frika se mos po na rrethonin policët, gjithë natën nuk vuri gjumë në sy.

 Më 7 korrik 1992, vdiq babai ynë, Hazir Aliu. Në varrim erdhi vëllai im, Musa, që përkohësisht gjendej në Gjermani. Ai, me dokumente falso e mori Lumniun dhe e kaloi në Gjermani, ku qëndroi derisa hyri në Kosovë për të luftuar ku  dhe ra për të mos vdekur kurrë...

 Më 22 korrik të  vitit 1992, ilegalisht arrin të depërtojë në Gjermani, ku e fitoi azilin politik. Kur qe nisur për andej u kishte thënë në shtëpi: Mos u bëni merak se e para pushkë që kërcet në Kosovë, unë do të jem këtu!

Tashmë ai ishte burrëruar dhe ishte i përgatitur shpirtërisht e fizikisht për t’u përballur me të gjitha sfidat e jetës. 

Personaliteti i tij ishte brumosur me të gjitha vetitë e një atdhetari të flaktë e sypatrembur. Në damarët e tij rridhte gjaku i gjyshit, Ali Surdulli, bashkëluftëtar i dalluar i Shaban Polluzhës. Me një luftë të organizuar mirë shkaun e zi mund ta shporrim jashtë trojeve tona!- thoshte me optimizëm dhe kurrë nuk ndalej së vepruar për çështjen madhore kombëtare. 

Kontaktet me atdhetarë të ndryshëm që vepronin në mërgatë e sidomos në Gjermani, si: Sami Berisha, Gëzim Behrami, Besim Rama, Bashkim Demolli, Suzanë Kadriu, Sokol Halili, Ruzhdi Bajrami etj. ia sforconin  deri në ideal të pashuar ndjenjën liridashëse. Ata, vetëm fizikisht ishin atje, sepse me mendje e me zemër ishin në Kosovë, ishin në frontet e luftës, ku po mbëltohej L I R I A...Edhe Lumniu ishte i tillë. Familjen e kishte lënë mënjanë, për të kujdesej i vëllai, Aliu, që gjithashtu ishte në Gjermani.
“Unë jam i vetëdijshëm se familjen po e lë keq, por unë kam vendosur të kthehem. 

Ju e shihni se serbët vijnë nga Vojvodina, Serbia dhe luftojnë në Kosovë në emër të gjoja disa kishave të tyre të shenjta. Po ne shqiptarët, ne ku po mbesim? 

Pse të mos jemi të gatshëm për me i dalë Zot vendit tonë, pse mos me qenë të gatshëm me vdek për tokën tonë, për varret e të parëve tanë, për LIRINË tonë.   
 
Çdo  njeri që ka lind ka me vdek. Nuk ka njeri të pavdekshëm e për mua nuk ka gjë më të shenjtë dhe më mirë se njeriu kur vdes duke i dalë në mbrojtje Popullit dhe Atdheut të vet.

Ju e dini mirë se unë kam shërbyer disa vite në APJ dhe kur filloi lufta në Slloveni, Kroaci e sidomos në Bosnjë e Hercegovinë kam pasur provokime dhe e kam pas jetën në rrezik, kam mundur me vdek në uniformë të vrasësve tanë, por duke  ju falënderuar Zotit e gjakftohtësisë, sot unë jam gjallë.

Jam i lumtur nëse arrij edhe njëherë i gjallë ta shkelë Tokën e Kosovës, për t’u bërë ushtar i popullit tim... 

Shkolla ushtarake e kryer do të  kishte vlerën zero po nuk i dola ndihmë Popullit të Kosovës. Unë për këtë ditë kam jetuar!

Këto ishin fjalët e Lumniut, thënë shokëve, para se të nisej për në  Kosovë..

Falë punës dhe angazhimit të Lumniut, shumë të rinj braktisën luksin perëndimor, jetën e rehatshme në Gjermani dhe ia mësynë fronteve të luftës në Kosovë. 

Ata, pasi ushtronin nëpër poligonet ushtarake shqiptare të Shqipërisë mëmë, kapërcenin kufirin e mallkuar dhe kacafyteshin me bishat serbe. Nuk vonoi, dhe një ditë, edhe vetë u vu në krye të një grupi vullnetarësh dhe u nis drejt Alpeve Shqiptare, ku qëndronin shqipet e lirisë. 

O Zot, sa ishte i gëzuar, sa nuk fluturonte! Kjo qe dita më e gëzuar në jetën e tij. Përkrah kishte edhe trimin e Isniqit, Rrustem Bruçin, i cili la gruan dhe fëmijët, sepse e grishte zëri i atdheut të gjymtuar. Me ta ishin edhe Rrustem Berisha, Agim Ramadani etj. 

Pas përgatitjeve dhe ushtrimeve të nevojshme në Burrel,  kaluan gjarprin e mallkuar që kishte ndarë trupin tonë përmes dhe u futën në tokën që po digjej flakë. Një tufë rrezesh u lëshua mbi Dukagjin. Fillimisht u sistemua në Jasiq, paskëtaj në Prapaçan.

Edhe falangat serbe vinin duke u tërbuar. Betejat nuk kishin të ndalur.

Erdhi edhe 6 korriku i vitit 1998. Vapa përcëllonte si saç i skuqur. Re të zeza vërshuan mbi Loxhë, katund afër Pejës, i cili po mbrohej me plot sukses nga UÇK-ja trime. 

Çlirimtarët tanë kishin bërë benë: o sot, o kurrë! Dhe, bam-bum e bam-bum. Lufta nisi ashpër, gjoks më gjoks e fyt më fyt. Pozicionet e UÇK-së ishin kthyer në bedena të pamposhtur kalaje dhe u përballonin sulmeve të të gjitha armëve të armikut. 

Lumniu ishte komandant Batalioni, në kuadër të të cilit vepronte edhe Njësiti “Komandosët” të Brigadës 134 të Zonës Operative të Dukagjinit. Sakaq, rreth orës 14 e 30 minuta, edhe gjaku i lirisë skuqi tokën mëmë.

 Ra bashkëluftëtari i tij më i ngushtë, Rrustem Bruçi! Pa të nuk më duhet jeta!-tha trimi i Lumkuqit dhe u turr andej nga shtëpia ku kishte ngelur trupi i tij i pajetë. Dhe, pas pak, edhe vetë e fitoi përjetësinë...

Tutje edhe trimi tjetër, Enver Alaj i Drenocit të Deçanit...Tri lule shkëlqenin atë ditë të nxehtë korriku në Loxhën heroike...

Varrimi, rivarrimi, përjetësimi

Rënia e dëshmorit Lumni Surdulli që një humbje madhe për forcën tonë çlirimtare, për familjen, për kosovën, për shqiptarinë.

“Lumniu e deshi Kosovën më shumë se vetveten, dhe nga kjo rrugë askush nuk e ndau, u nis për t’u bërë rreze dielli, lule në pranverë, u nis për të mos u kthyer kurrë më. Kur u fut në Kosovë, u gjunjëzua, e puthi dheun dhe tha: Shokë tash edhe nëse vdes nuk më dhimbset jeta, po e shkeli tokën e Kosovës pas gjashtë viteve”- shkruan Sherif Doda në “Zërin e Kosovës” të datës 6. 07. 1999.
Trupat e  pajetë të dëshmorëve Lumni Surdulli, Rrustem Bruçi dhe Enver Alajt me nderime të larta ushtarake  u varrosën  në fshatin Isniq.

Më 1 shtator 1999, dëshmori Lumni Surdulli, është rivarrosur në  Varrezat e Dëshmorëve në Bletajë të Vushtrrisë

Lavdi për jetë e mot!

2019/07/07

Shpëtoni Shqipërinë nga Sorosi dhe Edi Rama !

Nga Flori Bruqi 




Paraditen e sotme, para Shtëpisë së Bardhë në Washington D.C. një grup shoqatash nga komuniteti shqiptar në Amerikë, protestuan kundër instalimit të diktaturës dhe shtetit monist në Shqipëri ku një parti e vetme, ajo socialiste, ka uzurpuar të gjithë institucionet, përfshirë dhe Drejtësinë. Protestojnë edhe për ndonjë zyrtar sporadik që po punon për kryeministrin në Shqipëri.



Ata i kanë bërë thirrje presidentit amerikan  Donald Trump të shpëtojë Shqipërinë nga “spiralja e frikshme e kaosit ku është futur si dhe të mos lejojë segmente të Fondacionit  George Soros që të rikthejë komunizmin në Shqipëri.”


Imazh i ngjashëm

Zhvillimi i votimeve nga kryeministri pa dekret dhe me një parti si në kohën e komunizmit, ka alarmuar shqiptarët e Amerikës. Nuk mund të konceptohet në demokraci të mbështetësh një qeveri e cila uzurpon të gjitha pushtetet derisa arrin të zhvillojë votime pa opozitën përballë.

Rezultate imazhesh për george soros dhe edi rama

George Soros, PS dhe Edi Rama peng të spekulantit të tregjeve


Nuk ka më asnjë mëdyshje se Partia Socialiste dhe qeveria e saj është e mbërthyer kokë e këmbë nga George Soros. Pas deklaratës së pak kohëve më parë të këshilltarit të tij, që tregonte se Rama ishte pinjoll i miliarderit, tani dalin në dritë të tjera fakte. Wikileaks ditët e fundit ka publikuar një numër të madh mesazhesh elektronike të shkëmbyera mes George Soros dhe kandidates për Presidente në SHBA, Hillary Clinton, e cila në atë kohë ishte Sekretare e Shtetit. 



Imazh i ngjashëm

Sipas këtyre e-maileve që po i publikon gazeta, Soros tregon lobimet që ka bërë te SHBA dhe BE për Partinë Socialiste si dhe asistencën që ka dhënë gjatë zgjedhjeve të 2009 dhe të 2011. Ai ka treguar se sa thellë i ka shtrirë kthetrat në PS dhe duket s e kjo është arsyeja që sot ai bën ligjin aty. “Fondacioni Shoqëria e Hapur (OSF) ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të nxitur politik-bërësit amerikanë dhe të BE që t’i kushtojnë vëmendje krizës politike të viteve 2009 deri 2012, kur partia opozitare socialiste e Edi Rama bojkotoi parlamentin. Ajo që në fillim ishte konsulencë për krizën, u bë më tej një fushatë, teksa tensionet politike vazhduan gjatë asaj periudhe. OSF ishte aktive në tri pika: në situatën pas zgjedhjeve të 2009, kur opozita e atëhershme pretendoi për manipulime, bojkotoi parlamentin dhe nisi grevën e urisë; në vitin 2011, pas zgjedhjeve lokale dhe rezultateve të kontestuara për Tiranën; pas dhunës në demonstratën e vitit 2012”, thuhet në dokument, ku përshkruhet aktiviteti i këtij fondacionit.

Mbështetja në zgjedhje

Në e-mailin e publikuar nga Wikileaks, tregohet dhe si u asistua PS në zgjedhje dhe roli që pati më pas Soros në ardhjen e saj në pushtet. Aty tregohet se lobimi ka qenë shumë i fortë, deri te shtetet anëtare të NATO. “Konsulenca dhe avokatura jonë përfshinte takime me komisionerë dhe liderë të BE, prej cikleve të rregullta të konsulencës vjetore, deri te Parlamenti Evropian, shtetet anëtare dhe NATO. OSF porositi një raport mbi Shqipërinë nga analistët e politikave të jashtme në FRIDE dhe një mbi zgjedhjet nga European Stability Initiative. Patën gjithashtu një përpjekje (të dështuar) për ngritjen e një grupi kontakti me njerëz të njohur për mbrojtjen e çështjes së Shqipërisë, ku përfshiheshin OSF-DC, OSEPI, George Soros dhe Ivan Krastev”, thuhet aty. Më tej theksohet se falë përpjekjeve të Soros u arrit dhe pushteti në 2013. “Zgjedhjet që pasuan dhe periudha aktuale e një stabiliteti relativ erdhën si rezultat i qasjes së shumëfishtë nga OSF. Shqipëria është tashmë në binarë për aprovimin e statusit të vendit kandidat nga Këshilli i Evropës në qershor 2014”, theksohet më tej.
Wikileaks zbardh e-mailet e George Soros, PS dhe Edi Rama peng të spekulantit të tregjeve
Dëmet e sjella

George Soros i ka rrëfyer Clinton se ai ka bërë një fushatë të hapur për Partinë Socialiste në arenën ndërkombëtare, por që në disa raste ka sjellë dhe pasoja. “Ka një grup konsulentësh të vjetër me akses të nivelit të lartë, u mobilizuan në kohën e duhur për të pasur një impakt. OSF ka qenë shpeshherë në anën e opozitës. Kjo ishte pozita e duhur nga pikëpamja e të drejtave dhe qëndrimit demokratik, por afrimi i OSF me Partinë Socialiste të vendit ka dëmtuar kredibilitetin tonë si me Tiranën ashtu dhe me Brukselin. Por në fund, qëndrimi ynë konsistent dhe aktiviteti në terren (përmirësimi i komunikimeve brenda Partisë Socialiste dhe sjellja e vazhdueshme antagonistë e demokratëve) ndihmuan në ndryshimin e politikave”, thuhet në e-mailet e zbardhura.(Floripress)



***


“Judicial Watch” ka siguruar një material prej 32 faqesh i cili tregon të dhëna se administrata e Presidentit Barak Obama i dërgoi fondet e taksapaguesve të SHBA-së tek një grup i mbështetur nga miliarderi Xhorxh Soros, i cili i përdori paratë për të financuar aktivitetet politike të së majtës në Shqipëri, duke përfshirë edhe punën me qeverinë socialiste për të nxitur edhe më shumë reformën në drejtësi.

Të dhënat gjithashtu detajojnë mënyrën sesi aktivitetet e Soros ndihmuan Departamentin e Shtetit që të rishikojnë aplikimet për grante nga grupe të tjera të fondeve nga taksapaguesit.

Të dhënat u gjetën në një padi të 26 majit 2017, i Aktit për Lirinë e Informacionit (FOIA) kundër Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), pasi të dy nuk arritën t’u përgjigjen më 31 mars 2017 kërkesave të parashtruara.

Dokumentet e reja tregojnë se fondet e USAID-it u kaluan përmes projektit të Shoqërisë Civile të Agjencisë për të mbështetur fondacionet e krahut të majtë në Shqipëri, veçanërisht përpjekjet e operacionit Soros për t’i dhënë qeverisë socialiste kontroll më të madh mbi drejtësinë. Thuhet se USAID ka dhënë 9 milionë dollarë në vitin 2016 në fushatën “Drejtësia për të gjithë”, e cila mbikëqyret nga “East West Management Institute” i Sorosit.

Në mars të vitit 2017, një grup prej gjashtë senatorësh amerikanë të udhëhequr nga Mike Lee, i dërguan një letër Sekretarit të Shtetit të atëhershëm Rex Tillerson, duke i kërkuar që të hetojë akuzat se qeveria amerikane po përdorte fondet e taksapaguesve amerikanë për të ndihmuar Sorosin në Shqipëri.

“Fondacioni Shoqërisë së Hapur – Shqipëri dhe ekspertët e saj, me financim nga USAID, kanë krijuar dokumentin e diskutueshëm Strategjik për Reformën shqiptare në Gjyqësore. Disa liderë besojnë se këto ‘reforma’ kanë për qëllim t’i japin Kryeministrit dhe qeverisë së qendrës së majtë kontroll të plotë mbi gjyqësorin”, thuhet në letër. Në parlamentin shqiptar, liderët e opozitës e kanë quajtur Strategjinë “një reformë e sponsorizuar nga Soros”.

Të dhënat e reja të publikuara nga “Watch Judicial” përfshijnë një memorandum të vitit 2016 nga Ambasada Amerikane në Tiranë, i cili zbulon se ajo “sponsorizoi” një sondazh së bashku me “Fondacionin e Shoqërisë së Hapur” të Sorosit për të matur “njohuritë, mbështetjen dhe pritjet e qytetarëve shqiptarë për reformën e drejtësisë”.

Sondazhi i grupit Soros raportoi se “91% e të anketuarve ose ‘mbështesin plotësisht’ ose ‘e mbështesin disi’ nevojën për reformën në drejtësi”. Por sondazhi nuk specifikon llojin e reformës që grupi Soros po kërkon.
Gjithashtu, të dhënat që datojnë në shkurt 2017 tregojnë se Departamenti i Shtetit ka përdorur fonde të tatimpaguesve për të bashkëfinancuar një sondazh të dytë me “Fondacionin e Shoqërisë së Hapur” mbi reformat në drejtësi, që në thelb do të ngurtësonin kontrollin e majtë të qeverisë shqiptare.

Raporti vë në dukje se Seksioni i Marrëdhënieve Publike të ambasadës amerikane dhe “Fondacioni i Shoqërisë së Hapur” i siguruan fonde një organizate lokale për të kryer një sondazh të opinionit publik mbi qëndrimet ndaj përpjekjeve të Reformës në Drejtësi.

Dokumentet gjithashtu tregojnë se Departamenti i Shtetit i dha organizatës Soros të dhëna të drejtpërdrejta për rishikimet e veta të financimit të programeve në Shqipëri. Po kështu më 10 shkurt 2017, raporti “Angazhimi me Fondacionin e Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë” thekson se “si një nga ofruesit më të mëdhenj të ndihmës në Shqipëri, shpesh nga përfaqësuesit e Fondacionit të Shoqërisë së Hapur kërkohet të marrin pjesë në shqyrtimet teknike të aplikimit që ne marrim për financim”.

Ambasadori i SHBA në Shqipëri, Donald Lu, i administratës së Obamës, ka qenë i lidhur ngushtë me Sorosin dhe qeverinë socialiste në Shqipëri. Në maj 2017, Lu ndihmoi të minojë planet e partive opozitare shqiptare për të protestuar ndaj zgjedhjeve të ardhshme parlamentare duke deklaruar se SHBA do të pranonin rezultatet e zgjedhjeve edhe në qoftë se partitë e opozitës refuzonin të merrnin pjesë. Lu është përshkruar në shtypin e SHBA si “një forcë shtytëse prapa e reformës në drejtësinë e Shqipërisë”.

Rezultate imazhesh për george soros dhe edi rama

“Administrata e Obamës kaloi në heshtje të paktën 9 milionë dollarë të taksapaguesve amerikanë në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me mbështetjen e miliarderit të krahut të majtë George Soros për qeverinë socialiste në Shqipëri. Është mizore që Departamenti i Shtetit lejoi veprimtarinë Soros që të ndihmonte grupe të tjera me fondet e drejtpërdrejta të taksapaguesve amerikanë”, tha presidenti i “Judicial Watch”, Tom Fitton.

“George Soros është një miliarder, dhe ai nuk duhet të marrë mbështetjen e taksapaguesve për të avancuar axhendën e tij radikale të majtë, duke minuar lirinë si këtu brenda SHBA, ashtu edhe jashtë vendit”.
Për raste të ngjashme, “Judicial Watch” kërkon informacion në lidhje me aktivitetet e Soros në Maqedoni, Rumani dhe Kolumbi.



Nga “Zëri Amerikës”/

Disa dhjetëra shqiptarë të Amerikës u mblodhën të dielën në mesditë përpara Shtëpisë së Bardhë për të protestuar kundër qeverisë së Kryeministrit Edi Rama dhe asaj që ata e quajnë ndërhyrje e miliarderit George Soros në punët e Shqipërisë.

Ata iu drejtuan Presidentit amerikan Donald Trump me lutjen që të tregojë vemendje për atë që po ndodh në Shqipëri.

Grupet e shqiptaro-amerikanëve të mbledhur të dielën përpara Shtëpisë së Bardhë për të protestuar, i thanë Zërit të Amerikës se ishin njoftuar përmes rrjeteve sociale për tubimin.

“Nuk jemi pjesë e ndonjë organizate, as e ndonjë partie. Thjesht jemi shqiptarë që na interesojnë të drejtat dhe liritë e popullit tonë, të cilat janë të mohuara nga qeveria aktuale, që është e kapur nga krimi, nga korrupsioni,” thotë Vera Matoshi​ nga Nju Jorku.

Protestuesit mbanin në duar pankarta kundër miliarderit George Soros, që ata thanë se po destabilizon një vend të NATO-s, siç është Shqipëria.

“Ai po ndërhyn në çdo cep. Sipas informacioneve, ka hedhur shumë lekë në reformën në drejtësi, në një reformë që po dështon. Po shikojmë njerëz që po kualifikohen, disa prej të cilëve edhe nuk e meritojnë të kualifikohen,” thotë Ervis Zholi, veprimtar i Degës së Vatrës në Miçigan.

Besnik Xhama nga Nju Xhersi beson se miliarderi George Soros ka ndikuar për vendosjen e një të majte ekstreme në Shqipëri:

“George Sorosi duhet të largohet një orë e më parë nga politika shqiptare sepse ka ndikuar negativisht. Si biznesmen mund të jetë shumë i suksesshëm dhe i respektuar por në politikën shqiptare ka ndikuar shumë keq, sepse ka instaluar të majtën ekstreme.”

I pyetur se ku e shikon ndikimin e Sorosit, ai thotë:

“George Sorosi ka ndikuar në farsën e reformës në drejtësi dhe po instalon njerëzit e Edi Ramës në të gjitha pozicionet kyçe të reformës në drejtësi.”

Të ardhurit ishin kryesisht nga Bostoni, Nju Jorku, Nju Xhersi, Pensivania dhe Miçigani.

“Gjithë Shqipëria ndodhet në një kurth të tmerrshëm nga një mafie që e ka gllabëruar dhe po e vjedh përditë. Është e pamundur që ata të lëvizin. Prandaj kam ardhur t’i kërkoj ndihmë Presidentit Trump. Ai duhet të dërgojë gjykatës dhe prokurorë. Vetëm gjykatës dhe prokurorë amerikanë mund ta ndryshojnë atë vend,” thotë Viron Xhavara, banues në Filadelfia.

Protesta u zhvillua në sheshin përballë Shtëpisë së Bardhë, aty ku normalisht e diela është e mbushur me vizitorë.

Organizata panshqiptare Vatra i tha Zërit të Amerikës se nuk ka marrë pjesë në organizimin e protestës, por shprehu mbështetje për protestuesit, duke dërguar përfaqësuesit e saj. Agim Rexha, nënkryetar i Vatrës, kishte këtë lutje për Presidentin amerikan Donald Trump:

“Të shohë me vemendje çfarë bën Xhorxh Sorosi në Shqipëri. Të shpëtojë Shqipërinë nga ‘Rama Reform’ që po shkatërron drejtësinë shqiptare dhe që e ka lënë pa gjykatën kushtetuese, pa gjykatën e lartë dhe ngadalë pa gjykata.”

Muhamet Omari nga Nju Jorku, thotë se ka disa lutje në adresë së presidentit amerikan:

“Në radhë të parë kërkojmë vendosjen e një ambasadori i cili ta kuptojë politikën shqiptare. Kjo është shumë e rëndësishme sepse shumë të tjerë nuk e kanë kuptuar. Ka filluar një erdoganizëm në politikën shqiptare, duke filluar nga propaganda, nga filmat, nga ekonomia, nga zaptimi i bankave dhe i ushtrisë. E gjithë kjo në Shqipëri, po bëhet jashtë vemendjes së politikës amerikane.”

Protesta u zhvillua e qetë dhe zgjati rreth një orë./VOA/

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...