2020-09-25

Skendër Zogaj: Vrasja e Ministrit kolonel AHmet Krasniqi ishte tepër e rēndë sepse, vritet kryestrategu i luftës çlirimtare të Kosovës

Zyrtari i LDK-së, bashkëpunëtori i Akademik Prof.Dr.sci.Fehmi Aganit dhe më pas edhe mik e bashkëpunëtor i kolonelit, Ahmet Krasniqit, Skender Zogaj ka folur rreth vrasjes së tij. Zogaj në një intervistë për “Bota sot” ka folur për raportet e kolonelit Krasniqi me komandantin, Adem Jashari. Zogaj tutje ka thënë se kolonel Krasniqi ka parandjerë shpesh vdekjen, duke cituar kështu edhe fjalët e tij.Intervistë ekskluzive me Skender Zogaj, me bashkëpunëtorin e Ahmet Krasniqit “Bota sot”: Si e keni njohur Ahmet Krasniqin? Skender Zogaj: Ahmet Krasniqin për herë të parë e kam takuar në verën e vitit 1975, kur, oficeri i ri, kishte ardhur për të vizituar familjarët në Zhilivodë, dhe shokët e miqtë e tij të shumtë në Prishtinë. U takuam shkurt por mbetëm miq. U ritakuan 15 vjet më vonë, sërish në Prishtinë, kur koloneli Ahmet Krasniqi, e kishte flakur uniformën ushtarake jugosllave dhe ia kishte mësy Mëmës Shqipëri! Si zyrtar i LDK-s dhe bashkëpunëtor i prof. Fehmi Aganit, mu besua detyra e organizimit të kalimit ilegal tē Ahmet Krasniqit nga Kosova në Maqedoni dhe prej atje pastaj në Shqipëri! Herën e tretë e takova në Tiranë, më 1998, kur Ahmet Krasniqi ishte emëruar Ministër i Mbrojtjes dhe komandant suprem i FARK-ut! Si e keni pritur vrasjen e tij? Zogaj: Pas kalvarit të vuajtjeve dramatike, si në legjenda, Ahmet Krasniqi arrin të mbijetojë, dhe, nga gurëthyesi e pemëshitësi, në saje të profesionalizmit të tij, zgjidhet Ministër i Mbrojtjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës në ekzil. Në majin e 1998-tës Kolonelit me një grup oficerësh elitarë, vendoset në Tiranë dhe për vetëm dy muaj, në kushte e rrethana minimale, themelon dhe strukturon Forcat e Armatosura, sipas modelit të ushtrive moderne të kohës. Nga sukseset e Kolonelit armiqtë i zë trishtimi, prandaj, në errësirën e mesnatës së 21 shtatori 1998, plumbat e dorës së tradhëtisë ia këpusin jetën. A mendoni se autoritetet përgjegjëse po e bëjnë̈ punën e tyre për të zbardhur këtë vrasje? Zogaj: Vrasja e Ministrit Krasniqi ishte tepër e rēndë sepse, vritet kryestrategu i luftës çlirimtare të Kosovës. Pra, ishte vrasje makabre, e turpshme për gjithë shqiptarët, sepse vrasja ndodh në kryeqytetin shqiptar, dhe nga vet shqiptarët! Faktet flasin: sjellja banditeske e Tiranës zyrtare pas atentatit, nga varrimi e deri tek pengimi shtetëror i zbardhjes së vrasjes. Flet edhe kënaqësia rrugaçërore e krerëve të krahut ilegal të UÇK-s, që e festojnë vrasjen e Kolonelit. Prandaj, këta në Kosovë dhe në Shqipëri, tregojnë vet se janë vrasësit e Kolonelit. Ju keni deklaruar se Ahmet Krasniqi ishte i gatshëm t’ia jap pozitën e ministrit Adem Demaҫit. Pse pikërisht atij? Zogaj: Po, unë kam deklaruar sepse jam dëshmitari, që Koloneli e ka theksuar Adem Demaçin për ministër të mundshëm, ndërsa ka insistuar që ta ketë vetëm komandimin e forcave të armatosura, që ishte fahu profesional i tij. Dhe jo vetëm fjalë, këtë e ka theksuar edhe në takimin në Osllo, ku ka kërkua unifikimin ushtarak dhe marrëveshje për ndarjen e përgjegjësive! Përcaktimi për Demaçin është mbështetur nga konsiderata për vuajtjet, por edhe sepse, Demaçi në atë ditë nuk zgjidhte mënyrë as mjete për t'u faktorizuar në kupolën e luftës! Cilat ishin raportet e Ahmet Krasniqit me Adem Jasharin? Zogaj: Nuk kam ndonjë njohuri të saktë për raportet ndërmjet Kolonelit Krasniqi dhe Adem Jasharit. Por, e di që ministri ka qenë shumë i interesuar të ndërlidhej me të gjitha grupet, që kishin realizuar aksione të armatosura në të gjitha anët e Kosovës, sepse, i konsideronte "bërthama të forta të rrezistencës"! Ju keni deklaruar se Ahmet Krasniqi e ka parandjerë rrezikun që i kanosej. A ka qenë i kërcënuar ai? Zogaj: Pas Osllos është e çuditshme neglizhenca e Qeverisë Bukoshi, e cila nuk i realizon as detyrimet elementare ndaj FARK-ut, dhe e mbanë peng Ministrin Krasniqi, në momentet më vendimtare të konkretizimit të planeve luftarake. Kjo situatë shfrytëzohet nga oponentët ilegalistë, prapa të cilëve (për qëllime përfituese) barikadohet nomenklatura enveriane e Qeverisë Nano, që merr kontrollin mbi UÇK-n duke ia imponuar rregullat e sjelljes! Sidomos, kjo ndodh në kontrabandimin e armëve që e kontrollojnë bosët: Fatos Klosi, Sabit Brokaj, Kudusi Lame, etj. Trysnia propagandistike dhe fizike kundër pjesëtarëve të FARK-ut është e madhe! Koloneli Krasniqi përpiqej të mos jepej, por rrezikun e parandjente! E theksonte shpesh shembullin e Dudajevit! Janë të shumtë ata të cilëve ua ka thënë se, "Zoti mundet, por nuk e kam hiç të largët..."! Ju keni thënë se Fatos Klosi e di vrasësin e Ahmet Krasniqit. Pse nuk po zbardhet atëherë̈ kjo vrasje? Zogaj: E kam thënë dhe po e përsëris, Fatos Klosi di saktë gjithë skenarin dhe vrasësit e Ahmet Krasniqit! Si nuk e ditka shefi i SHISH-it, i cili, shfaqet i gjithëdijshëm për të gjitha ndodhitë e tjera, por jo për ato që kanë të bëjnë me kosovarët në Shqipëri!? Normalisht që nuk i di, sepse është autori i tyre! Prandaj saherë që flitet për vrasjet, ky sherrbudalla i rrezikshëm, bëhet struc, dhe lëviz bishtin kah të tjerët! Pra, e ha bukën me turp sepse, vrasjet e ndodhura gjatë mandatit të tij në krye të SHISH-it, janë përgjegjësi e tij dhe nuk do të duhej të guxonte të thotë "nuk di!" Por, Klosi e thotē, sepse për këtë është paguar dhe për këtë është shpallur edhe "veteran i luftës së UÇK-s," që është dëshmi për kontributin e madh në gjakderdhjet nëpër errësirën e mesnatave. Cili ka qenë raporti ndërmjet Ahmet Krasniqit dhe Xhavit Halitit? Zogaj: Ahmet Krasniqi ka qenë njē kolos, trim i urtë dhe i mençur, i mirësjellshēm dhe respektues, i fjalës dhe i besës, intelektual elitar i pajisur me dituri të gjera për artin ushtarak por edhe tribun i ndritur popullor, me vigjilencë të lartë për t'iu gjegjur dhe shërbyer me dinjitet kërkesave të popullit dhe atdheut të vet! Ky ka qenë lajtmotivi i çdo hapi dhe i çdo fjale të ministrit Krasniqi në Tiranë, me të gjithë ata që është takuar! Nuk del një që mund të thotë ndryshe! Sa di unë ky ka qenë raporti i Ahmetit me Xhavitin. Ministri ka qenë tepër korrekt, nuk ka luajtur me dy letra! Fjalët po ose jo, i ka shpreh pastër dhe iu ka përmbajtur edhe me çmimin e jetës! Këtë e ka vërtetuar Heroi i Kosovës, prandaj ballëhapur do të udhëtoj nëpër shekuj.

2020-09-20

Donald Trump Jr. (@DonaldJTrumpJr) e ka mirëpritur vendimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që i ndau medaljen “Urdhri i Lirisë”, presidentit Trump.

Djali i presidentit amerikan Donald Trump Junior, e ka mirëpritur vendimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që i ndau medaljen “Urdhri i Lirisë”, presidentit Trump. Përmes një cicërime në Twitter, ai tha se paqja në botë po arrihet për shkak të punës dhe përkushtimit të presidentit Donald Trump. “Kosova e dekoron Trumpin me Urdhrin e Lirisë për përpjekjet për paqe”, shkroi Trump Jr. Thaçi, ka ndarë sot urdhrin më të lartë shtetëror – “Urdhrin e Lirisë”, për presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij për lirinë e Kosovës, forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Po ashtu, presidenti Thaçi ka ftuar presidentin Trump që ta vizitojë Kosovën në të ardhmen e afërt. Peace is breaking out all over the world because of ⁦@realDonaldTrump⁩!!! Kosovo awards Trump with Order of Freedom for peace efforts https://t.co/JkiYE2KrjI — Donald Trump Jr. (@DonaldJTrumpJr) September 18, 2020

Spanja e gatshme ta njohë Kosovën nëse arrin marrëveshje me Serbinë

Spanja është e gatshme ta njohë Kosovën si shtet, nëse kjo arrin marrëveshje me Serbinë, ka bërë të ditur qeveria spanjolle. “Qëndrimi ynë nuk është obstruksionist. Përkundrazi, është konstruktiv”, ka thënë Ministria e Punëve të Jashtme të Spanjës për “EUobserver”. “Pozicioni i Spanjës mund të përputhet me fjalinë: ‘asgjë pa një marrëveshje, gjithçka me të’, përfshirë njohjen politike (të Kosovës) dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”. Spanja është një nga pesë vendet evropiane që nuk ka njohur Kosovën. Ky shtet ka menduar se shpallja e pavarësisë më 2008 “ishte në kundërshtim me sundimin e ligjit dhe idenë tonë për Evropë tolerante e të larmishme”. Megjithatë, Spanja beson në “pashmangshmërinë e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, edhe me koncesionet e vështira që mund të implikojë”. Deklarimi i ri i Spanjës vjen në kohën e rinisjes së bisedimeve për normalizim mes Kosovës e Serbisë, pas dy vjetësh pauzë.

Ish-deputeti dhe anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gani Geci , përfundon intervistimin 20 orësh në Hagë

Ish-deputeti dhe anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gani Geci, ka publikuar një video nga Haga, ku ka bërë të ditur se është intervistuar nga Gjykata Speciale për 20 orë rresht. Gani Geci . nga LLausha e DRenicës, nuk ka dhënë shumë detaje nga ky intervistim, por që është parë i shoqëruar nga disa persona. “Sot kam përfunduar intervistën time pranë Prokurorisë së Dhomave të Specializiara të Republikës së Kosovës me seli në Hagë, jam marr në pyetje për tre ditë, plot 20 orë. Nuk është me rëndësi se në çfarë cilësie jam intervistuar. Plot 20 orë i jam përgjigjur pyetjeve, komunikata numër 59 do të zbardhet kësaj radhe sepse unë pas kësaj gjykate s’do të merrem me këtë çështje”, tha ai.

ish kryeministri i Kosovës zt.Albin Kurti e ka quajtur populist ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliun

Kurti e Veliu përplasen në distancë për aksionin në Karaçevë Aksionin e mbrëmshëm të policisë në Karaçevë të Kamenicës e ka mbështetur kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ndonëse edhe e ka kritikuar atë. Në një konferencë për media të shtunën, Kurti ka thënë se procesi mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse veprojnë institucionet e tjera të drejtësisë. Kreu i kësaj partie opozitare ka deklaruar se njerëzit kryesorë të krimit gjenden në Prishtinë e jo në Karaçevë. “Nëse ky i mbrëmshmi ka qenë krim i madh e i organizuar, atëherë më duhet të them se e kanë kapur veçse për bishti. Koka e këtij krimi është diku tjetër, mbase në Prishtinë”, ka thënë Kurti. Por, këtë deklarim të Kurtit e ka quajtur populist ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu. “Krim ka të organizuar, ka edhe vepra të tjera krimi që duhet të hetohen. Por ato duhet të nisen e të vazhdojnë e të mos mbetet vetëm me një aksion... Janë deklarime të tij populiste që më nuk i ha pazari, e s’i beson askush”, ka deklaruar Veliu për KOHËN. Veliu tha të premten se Kurti nuk kishte dhënë leje që i njëjti operacion të realizohej gjatë kohës kur Vetëvendosje udhëhiqte me Qeverinë. Por, Kurti tani në opozitë ka thënë se Veliu nuk kishte pasur plan të shkruar se si duhej të realizohej aksioni, por vetëm fjalë goje. Për këtë rast, ministri Veliu e ka akuzuar Kurtin se nuk ka pasur guxim të jepte aprovimin për dy aksione kundër krimit të organizuar. Përplasjet publike ndërmjet tyre kanë nisur nga pjesa e parë e këtij viti, kur Kurti si kryeministër shkarkoi Veliun nga posti i ministrit të Brendshëm, me arsyetimin se punonte kundër qeverisë së tij.

Në shtetin më katolik të botës jetojnë rreth 1 milionë e 574 mijë myslimanë e që përbëjnë 29.2% të rezidentëve të huaj në Itali deri më 1 janar 2020.

Shqiptarët e Italisë janë ndër komunitetet më historike të emigrantëve në Itali, të dytit për nga numri ndër ato ekstra komunitare, por dhe të dytit në numër ndër komunitetet e huaja të besimit islam, shkruan oranews. Fondacioni i studimeve multietnike ISMU duke analizuar të dhënat e vëna në dispozicion nga Instituti Kombëtar Italian i Studimeve Statistikore e të Observatorit Rajonal për Integrimin, ka publikuar studimin mbi përkatësinë fetare të emigrantëve në Itali. Në shtetin më katolik të botës jetojnë rreth 1 milionë e 574 mijë myslimanë e që përbëjnë 29.2% të rezidentëve të huaj në Itali deri më 1 janar 2020. Prania e tyre numerike regjistron sivjet një reduktim me – 4% në krahasim me një vit më parë, ku kishin shënuar një rritje me 127 mijë persona më shumë e baraz me +8.7%. Emigrantët shqiptarë myslimanë janë ndër më të shumtit në komunitetet e huaja në Itali. Deri në fillim të vitit 2020 numërohen të jenë 205 300 myslimanë shqiptarë që jetojnë në Itali e që renditen në vend të dytë pas atyre me kombësi marokene që janë rrreth 449 900. Në vend të tretë pas shqiptarëve vijnë emigrantët myslimanë nga Bangaldeshi, ndjekur nga pakistanezët 119 700, e somalezët 108 500. Ndërsa ndryshe prezantohet sivjet panorama e komunitetit të emigrantëve të besimit të krishterë në Itali, të cilët kanë regjistruar një rritje me 3.4% në krahasim me një vit më parë. Emigrantë të besimit të krishterë llogariten të jenë 2.9 milionë e baraz me 54.1% të numrit të përgjitshëm të emigrantëve rezidentë në Itali. Ndër emigrantët e besimit të krishterë, ata të besimit ortodoks, janë më të shumtit në numër baraz me 29.3% të tyre, më pas vijnë ata të besimit katolik me 20.1% e ata të besimit evangjelik me 3.1%. Numrin më të lartë të emigrantëve të besimit ortodoks e kanë rumunët me 963 mijë, ndjekur nga ukrainasit me 219 600.

IPK: 12 zyrtarë policorë u arrestuan në Karaçevë, tre prej tyre serbë

IPK: 12 zyrtarë policorë u arrestuan në Karaçevë, tre prej tyre serbë Kushtrim Hoda u.d Kryeshef i IPK-së ka thënë se janë arrestuar tetë policë shqiptarë e tre serbë nga aksioni i mbrëmshëm i Policisë së Kosovës në Karaçevë e zona të tjera, teksa sot është arrestuar edhe një. Ndërkaq, arrestimin e tyre nuk e ka vlerësuar gjë të mirë. “Janë arrestuar tetë shqiptarë, tre serbë, sot është arrestuar zyrtari i fundit që ka qenë në listë. Gjithsej janë 12. Nuk është gjë e mirë që zyrtarët policor janë përfshirë në veprimtari kriminale, por është gjë e mirë që janë arrestuar”, ka thënë ai, raporton KOHA. Ai ka thënë se të gjithë këta zyrtarë policorë janë të dyshuar për kontrabandim me mallra dhe mundësim që qytetarët të lejojnë ta ushtrojnë këtë veprimtari. 14:22 Surdulli: 12 lokacione u bastisën në Karaçevë, bastisje pati edhe në Prishtinë Majori i Policisë së Kosovës, Zejnullah Surdulli, ka thënë se nga operacioni policor i mbrëmshëm në Karaçevë të Kamenicës, janë kontrolluar 12 lokacione që dyshoheshin për veprimtari të jashtëligjshme. Ai në konferencë për media ka thënë se janë konfiskuar 120 aparate dhe materiale të tjera. “Operacioni ka pasë për qëllim luftimin e veprave penale, kontrabandimin me mallra, trafikimi me njerëz, ofrimi i lokaleve per prostitucion, etj. Në zonën e Karaçevës është ushtruar urdhër kontroll në 12 lokacione të cilat kanë qenë objekte të kazinos, janë arrestuar 7 persona të cilët kanë rezultuar të jenë klient të tyre. 120 aparate, 6 shtëpiza kompjuteri, etj. Të gjitha objektet që janë gjetur në këtë zonë janë të rrënuara për shkak se kane qenë hapësira që janë shfrytëzuar për veprimtari kriminale”, tha ai, raporton KOHA. Surdulli tha se edhe në Prishtinë kanë ndodhur bastisje të tilla, ku nga aty janë arrestuar tre persona. “Në zonën e Prishtinës janë zhvilluar bastisje dhe si rezultat janë konfiskuar materiale, 25 aparate dhe mjete monetare që arrijnë shifrën 3950 euro. Në mesin e ndaluar kemi 3 persona në këtë zonë”. Kryeprokurori i Gjilanit: Janë arrestuar 35 të dyshuar, 12 prej tyre policë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku, ka thënë se që nga mbrëmë janë arrestuar 35 persona, ndër ta 12 policë, në aksionin policor për kapjen e veprimtarive të kundërligjshme. Ai gjatë konferencës për media, ka njoftuar se janë konfiskuar edhe një sërë materiale të dyshimta. “Prokuroria Themelore në Gjilan pas një hetimi te gjatë gati një vjeçar, me bashkëpunim është realizuar aksion në këtë pjesë të Kosovës, konkretisht në fshatin Karaçevë, komuna e Kamemicës si dhe në rajonin e Prishtinës dhe rajone të tjera. Nga ky aksion me urdhër të prokurorisë deri më tani janë arrestuar 35 të dyshuar, prej tyre 12 zyrtarë policor, kontrabandistë e pronarë të kazinove. Gjatë aksionit janë rrënuar të gjitha kazinotë që kanë vepruar në atë pjesë dhe janë konfiskuar gjësende të ndryshme pasi që dyshohet se janë përdorur në veprimtarinë e tyre”, tha ai, raporton KOHA. Maloku ka thënë se ka edhe persona të tjerë të dyshuar dhe se aksioni do të vazhdojë. “Ne kemi hetim gati një vjeçar të këtyre aktiviteteve kriminale në këtë pjesë të Kosovës. Kjo është në dorën tonë kur ne e kemi vlerësu se kur ne kemi gjetë kohën ose ditën më të përshtatshme ta godasim me aksionin tonë këto grupe kriminale që kanë kry tash e disa vite. Nuk ka kurrëfarë lidhje me këtë por ne kemi gjetë ditën e përshtatshme”, ka thënë ai kur është pyetur lidhur me ndërmarrjen e këtij aksioni në ditën kur ministri Agim Veliu ishte deklaruar për zhvillimet në Karaçevë, në Kuvendin e Kosovës. Mbrëmë, Policia e Kosovës, Inspektorati Policor dhe agjencitë tjera bashkëpunuese kanë ekzekutuar urdhërkontrolle në fshatin Karaçevë, komuna e Kamenicës, në rajonin e Prishtinës dhe lokacione tjera për ushtrim të aktiviteteve kriminale.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...