Agjencioni floripress.blogspot.com

2022/01/21

‘Një rrëfim mbi pandeminë’ botohet në Belgjikë romani i shkrimtarit Skënder Sherifi ‘Covid and Co’

 

 Shkrimtari dhe poeti i njohur shqiptarë Skënder Sherifi vjen me romanin e tij të fundit për pandeminë dhe prapaskenat e saj.

 ‘Covid and Co’ titullohet libri i tij mbi Covid-19, i cili sapo është botuar në Belgjikë. Një ese prej 600 faqesh ku preken një sërë çështjesh politike, shëndetësore dhe sociale mbi pandeminë botërore dhe gjithë pasojat e saj në dy vitet e fundit. Nëpërmjet një lidhje në skype nga Belgjika në emisionin ‘’Rreze Dielli’’, shkrimtari shqiptarë tregoi arsyen se përse vendosi që të vinte me një vëllim të tillë.


“Jam munduar që të analizojë dhe kuptojë këtë pandemi që na ka prekur të gjithëve tash dy vite. Kam tentuar për të dëshifruar si ka ardhur, cilat pasoja kanë pasur në jetën tonë të përditshme. Është një libër analitik. Kam diskutuar me mjekë, jam informuar me libra, me emisione televizive , kam grumbulluar materiale, kam punuar një vit për këtë libër” u shpreh ai.

Ndërsa rrëfeu se është një roman që i adresohet masës së gjërë duke analizuar në shumë aspekte se çfarë do të thotë një pandemi.

“E ka botuar Belgjika sepse e ka konsideruar si një vepër origjinale sepse ka qenë vizioni i një artisit, poeti, intelektuali. Unë doja që ti adresohesha masës së gjerë frankofone por edhe shqiptare. Është një tenativë që nuk e kam bërë kurrë më parë, për të kuptuar se cfarë do të thotë një epidemic botërore, një krizë botërore” tha ai.

Puna e gjatë për librin e tij rreth Covid-19 e ka lidhur shkrimtarin shqiptarë edhe me virlogë dhe epidemiologë francezë. Ai tregoi se në rrethin e tyre flitet për dy hipoteza përsa I përket kësaj pandemie:

Janë dy hipoteza, një pjesë e virologëve dhe epidemiologëve na thonë që mbas Omicronit mund të vijë në rënie kjo pandemi e Coronavirusit edhe mund të shëndërrohet gradualisht në një tip gripi  sezonal. Kjo është teoria parë ndërsa teoria e dytë është mund të kemi variante të reja që mund të na vijnë nga afrika apo nga Amerika Latine se janë kontinente që nuk janë të vaksinuar si tek ne, këtu në Europë janë vaksinuar 85% e popullsisë. Atëherë kur vjen një variant nuk ia njohim natyrën, është variant i egër, i rrezikshëm. Në Francë 10 ditët e fundit 400 mijë infektime në ditë. Për një javë dy milionë e gjysmë deri në 3 milionë në muaj” tha ai.

Libri është botuar në gjuhën franceze ndërsa mund të gjendet falas në mënyrë elektronike përmes siteve të ndryshme dhe rrjeteve sociale.

Jeta e një aktori brilant! Mirush Kabashi në një rrëfim gozhdues e plot ngjyra për karrierën, artin dhe familjen

Mirush Kabashi, aktori i mirënjohur prej disa kohësh i kishte munguar skenës shqiptare për shkak të disa problemeve shëndetësore. Artisti i cili me artin dhe talentin e tij arriti të prezantoi gjuhën shqipe dhe artin tonë në skenat më prestigjoze duke vjelë në të njëjtën kohë dhe vlerësimet maksimale nga personalitetet e ndryshme.  Vjen në një intervistë ndryshe në emisionin “ Rreze Dielli” plot me rrëfime gozhduese për karrierën, familjen dhe artin.

Fëmijëria e tij kaloi përmes një kalvari vuajtjesh për shkak të burgosjes së të atit:


“Unë linda në Shkodër, më pas shkuam në Durrës, ku e arrestuan babin, ishim me fat që qëlluam në Shkodër. Siç arrestuan të gjithë nxënësit e shkollës teknike, psh. dajën e konsideruan si spiun i amerikanëve dhe e eleminuan fare. Mbas dy vjetësh në birucë e liruan dhe kjo përcaktoi edhe të ardhmen tonë.” u shpreh ai.

Por si nisi rruga e tij drejt aktrimit, krejt rastësisht dhe aspak e mirëmenduar:

Nga konkurimet midis gjimnazeve unë u evidentova, fillimisht nuk kisha asnjë alternative tjetër për të shkuar në shkollë të lartë sepse isha djali i tretë dhe dy vëllezërve më përpra i ishte dhënë mundësia. Por shefi i seksionit i cili kishte qenë  drejtor i shkollës më kërkoi që të merrja pjesë në konkurset jashtërradhe. Fitova në konkurs dhe më pas emërimi në teatrin e Durrësit, ishte shkolla e vërtetë për mua” rrëfen aktori i mirënjohur më tej.

Mirush Kabashi ka spikatur me një sërë rolesh por fillimisht evidentoi me rolin në një komedi të shkrimtarit rus Nikolai Gogol:

Roli im i parë Le Stakovi tek komedia e Gogolit ‘Revizori’  dhe më këtë rol u evidentova mirë dhe më pas filluan edhe rolet e tjera.

Ndërsa roli i jetës së tij do të ishte ai i sokratit me të cilin solli jo vetëm një zhaner të ri në Shqipëri por edhe prezantoi artin shqiptarë nëpër botë:

“Në kohën e diktaturës as që bëhej fjalë, kam punuar 25 vite me tekstin pedagogu gjatë kohës së shkollës ma kishte rekomanduar për ta bërë një pjesë, pastaj unë mendova që mund të bëhet një menodramë. Ka qenë një punë individuale deri në kohën kur u ngjita në skenën e teatrit. Unë e kam bërë me shumë pasion jo vetëm në pikëpamjen e interpretimit por për mesazhet e jashtëzakonshme edhe për situatën në Shqipëri por edhe në pikëpamjen botërore” tha ai.

Në këtë rrëfim plot ngjyra nuk mund të mungonte edhe historia e dashurisë me bashkëshorten Lolën, me të cilën është I martuar prej 35 vitesh dhe që e njohu në kohën kur ai ishte pedagog dhe ajo student.

“Unë e kam pasur studente dhe kështu u njoha në kurs.Unë kam qenë pedagog i jashtëm, më pëlqeu në aspektin e formimit shpirtëror dhe intelektual, vinte nga një familje e thjeshtë dhe kështu u martua, zoti na fali dy vajza” tregon më tej Kabashi.

Mbi 15 mijë fjalë e frazeologji, botohet fjalori që zbërthen veprën e Gjergj Fishtës, Frano Kulli: ‘Çelës’ për kuptimin e vargjeve të Homerit Shqiptar

 

I pari fjalor pas atij të 1941, që përfshin korpusin e plotë të veprës së shkrimtarit shqiptar të shek. XIX Gjergj Fishta, me mbi 15.000 fjalë dhe frazeologji të rralla ka ardhur së fundi i botuar nga autori Frano Kulli nën emrin “Fjalor i veprës së Fishtës”. Në një rrëfim për Report Tv, Frano Kulli tregon se fjalori është një mundësi për të rrëzuar pretendimin se vepra e poetit është e pakuptueshme për lexuesin.



I pari fjalor pas atij të 1941, që përfshin korpusin e plotë të veprës së shkrimtarit shqiptar të shek. XIX Gjergj Fishta, me mbi 15.000 fjalë dhe frazeologji të rralla ka ardhur së fundi i botuar nga autori Frano Kulli nën emrin “Fjalor i veprës së Fishtës”. Në një rrëfim për Report Tv, Frano Kulli tregon se fjalori është një mundësi për të rrëzuar pretendimin se vepra e poetit është e pakuptueshme për lexuesin.

“E gjithë zeja e fjalës ase e së thanmes pra përmbahet në kta, mbas mendimit t’em qi me pru fjalën me sa ma shumë fuqi, dijeni e ndjesi”. (Gjergj Fishta)



Debati se vargjet e Fishtës kuptohen apo jo, sot merr fund. Kushdo dëshiron të shijoje vargjet e Homerit të Shqipërisë le të marrë në duar këtë fjalor.

Ardhur si botim pas atij të pjesshëm të vitit 1941, të At Benedikt Demës për veprën “Lahuta e Malësisë”, Frano Kulli sjell këtë herë “Fjalor i veprës së Fishtës”, ku përfshihen në shpjegim leksikor korpusi i plotë i veprës letrare dhe publicistike të Gjergj Fishtës.

Mbi 15.000 fjalë të rralla e shprehje frazeologjike të vjetra vijnë për herë të parë të përmbledhura në një fjalor të gjerë shpjegues, si një pasuri gjuhësore që rrëzon diskutimin mbi pretekstin se vepra e poetit tonë kombëtar Gjergj Fishta është i pakuptueshëm.

“Fjalorin e kemi sjellë para pak muajsh në nëntor të këtij viti. ‘Fjalori i veprës së Fishtës’ është mirëfilli fjalor i veprës letrare. Vetë Fishta, vlerësimin për fjalën letrare e paraqet në një perifrazim të tillë “Fjala letrare vjen prej penës së letrarëve, jo prej pallavrave të tjera”, që do të thotë sepse ai kishte këtë konsideratë që fjalori i veprës letrare është ai i fjalës që ka kaluar në laboratorin krijues të çdo autori. Fishta, veprimtarinë e vet krijuese e ka përgjatë pjesës së parë të shek XX. Në 1905 boton këngën e parë të 'Lahutës së Malësisë', që është dhe kryevepra e vet letrare. Janë rreth 40 vjet krijimtari e pandërprerë letrare, që rrok pothuajse të gjithë gjinitë. Gjurmët që letërsia e tij dhe i gjithë aktiviteti i tij intelektual e atdhetar lënë në Historinë e Letërsisë dhe Historinë Shqiptare është shumë i veçantë dhe i shënuar. Ky ka qenë dhe synimi të sillnim një fjalor të tillë pasi veçoria e këtij autori është ajo ndërprerja, suspanca dhe pezullimi i veprës. Ne dimë që Fishta u ndalua të botohej dhe kjo substancë terri, krijoi dhe një shkëputje të lexuesit për më shumë se 40 vjet”, tha Kulli.

Marrë prej vitesh me studimin e fjalësisë dhe frazeologjisë së poetit shqiptar të shek..XIX, ajo që është konsideruar si shkak për pakuptueshmërinë në veprën e Fishtës, Kulli e cilëson vetëm një pretekst, pasi ky fjalor për të është një çelës e një mundësi për këdo lexues që kërkon të ketë në dorë veprën e tij.

“Për fjalorin e veprës së Fishtës ne kemi edhe dy përpjekje të tjera. At Benedikt Dema bën përpjekjen e parë, në vitin 1941 një vit pas vdekjes së Fishtës. Ai bën një fjalor të ‘Lahutës së Malësisë’ të kryeveprës së tij. Ai fjalor për të arritur deri tek ky i sotmi ka së pari atë distancën kohore…”, vijoi Kulli.

Fjalorthi i gjuhës së vjetër shqipe që gjendet në veprën e Fishtës është një pasuri, ku nuk mungojnë as neologjizmat (motnue), emrat e vendeve dhe personazheve historikë e mitologjikë.

“Ky fjalor që kemi në dorë tani ka mbi rreth 5000-6700 fjalë dhe po kaq shprehje frazeologjike. Por, në atë punë paraprake të cilat kanë filluar mjaft vite përpara unë kam mbi 15.000 zëra, që pasi i kam hulumtuar, krahasuar rreth nevojës së përdorimit të tyre dhe vjeljes së bërë  kam kuptuar se duhet t’i rikthehem edhe njëherë asaj lëndës të mënjanuar se prapë ka fjalë të tjera dhe shprehje frazeologjike të cilat janë themeli i vlerës letrare të veprës që la dhe ia vlen t’i sillen lexuesit”, u shpreh botuesi.

Frat françeskan, shkrimtar, përkthyes për Kullin, Fishta për kontributin që la në kohën që jetoi ishte një folklorist, një poet që më shumë se sa “Lahuta e Malësisë”, me eposin e tij dhe gjuhën e pasur u bë një figurë mbizotësuese në letërsinë shqipe për më shumë se gjysëm shekulli deri në kohën kur vepra e tij u ndalua nga regjimi komunist.

“Në atë marrëdhënien e botuesit me lexuesin unë kam kuptuar prej kohësh një lloj shqetësimi që Fishta është i pakuptueshëm, nuk mund të lexohet, e ka gjuhën të rëndë. Këtu për mendimin tim ka pasur një shkak dhe kjo është ndërpreja për një kohë të gjatë, mungesa e kontaktit të autorit me lexuesin ka krijuar diferencat e veta. Në kuptimin që fjalori shumë i pasur Fishtës atëherë, dhe fjalori mjaft  i varfër të lexuesit sot.  Kjo, diskordancë, kjo mospërputhje është shkak i cili do ezauruar dhe këtë kam pasur si synimin e parë, për të arritur tek ajo që ta bëjmë Fishtën një çelës leximi, përmes një fjalori”, thekson ai.

Për Kullin është e paarsyeshme që vepra satirike e një poeti të rëndësishëm si Fishta të zërë një vend të vogël sot në kurrikulat shkollore, ndërsa kërkon një rritje të mbështetjes dhë vëmëndjes institucionale.

“Vetëm 'Lahuta e Malësisë', kryevepra e tij nga viti ‘90 e këtej numëron 16 ose 17 edicione botimi në forma të ndryshme. Kjo do të thotë që e gjithë vepra tanimë është në dispozicion të lexuesit, por, problemi është sa vepra e botuar që gjendet fizikisht sa shkon ajo, tek lexuesi. Fishta, sot në kurrikulat shkollore zë një vend minor, domethënë aq pak orë ka në shkollat e mesme të Shqipërisë, Fishta sa mund të krahasohet me një poet minor. Kjo është e pafalshme dhe kjo lidhet me entet zyrtare. Unë mendoj që këtu ka vend për qortim për Ministrinë e Arsimit. Ende me burokracinë shtetërore, se Fishta është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë të kohërave dhe patjetër duhet të shkojë në shkolla”, tha Kulli.

I vlerësuar si Homeri shqiptar, me veprat e tij epike e satirike si “Lahuta e Malësisë”, “Gomari i Babatasit” Gjergj Fishta lindi në tetor të 1871 në Fishtë të Zadrimës ndërsa u nda nga jeta në dhjetor të 1940. Vepra e tij u ndalua të qarkullonte për më shumë se 4 dekada gjatë periudhës së komunizmit, por krijimtaria e tij la një gjurmë të rëndësishme në historinë e letërsisë shqipe të shek, të XIX.

Gjon Gazulli, astronomi dhe diplomati shqiptar i shekullit XV

 

Gjon Gàzulli ka qenë një ndër figurat më të shquara të shkencës evropiane të shekullit XV. Veprimtaria e tij shtrihet në atë hark kohor që lidh dy prej epokave më në shenja të kohës: humanizmit dhe Rilindjes Evropiane. Duke marrë parasysh shtrirjen e veprimtarisë së tij: astronomì, matematikë, fizikë, filozofi, diplomacì, arte, ai ka qenë një enciklopedi e kohës së vet.

Gjon Gazulli (foto me ilustrim)


Informacioni i mbledhur nga Daniel Gazulli

Gjon Gàzulli ka qenë një ndër figurat më të shquara të shkencës evropiane të shekullit XV. Veprimtaria e tij shtrihet në atë hark kohor që lidh dy prej epokave më në shenja të kohës: humanizmit dhe Rilindjes Evropiane. Duke marrë parasysh shtrirjen e veprimtarisë së tij: astronomì, matematikë, fizikë, filozofi, diplomacì, arte, ai ka qenë një enciklopedi e kohës së vet.


Pa dyshim, dy lëmet ku ai shkëlqeu më shumë janë astronomia dhe diplomacia. Që të mund të hidhet dritë mbi jetën dhe veprën e tij, është e domosdoshme të gjurmohen arkivat e kohës: të Padovës, të Budapestit, të Venecias e sidomos të Raguzës (Dubrovniku i sotëm – ku ai jetoi e punoi më gjatë). Janë veçanërisht me vlerë seritë e mëposhtme arkivore: Diversa Notare; Acta Consilii Rogatorum; Acta Consilii Minoris; Lettere et commissione Levantis; Testamenta Notarile etj. Por edhe arkivat private (nëse ruhen ende, e nuk i kanë rrënuar dallgët e mbrapshta të kohëve). Ndër to do të kujtoja: Arkivin e Fondeve Private Bassegli-Gozze.

Duke qenë se Gàzulli ushtroi veprimtarinë e tij si në Itali, në Raguzë, ashtu edhe në shumë vende të tjera evropiane, ku e çoi detyra e tij diplomatike e shkencore, të dhëna të vlefshme jep edhe literatura e kohës, mbi këtë enciklopedì shqiptare.

Rreth veprimtarisë së tij shkencore gjendemi në një vështirësi tash për tash të pakapërcyeshme: duhet të kënaqemi me sa na japin autorë të tjerë për të, veçanërisht Grmek, Boshkoviç, Juriç, Musantius, Appendini (sidomos ky), Johannsis de Monte Regio, Brotto – Zonta, etj., pse libri i tij, për të cilin Jan Pannoni, oborrtar i mbretit të Hungarisë,. Matia Korvini, i shkruan: “……ai libri i Juaj ku do mendime të kapërthyeshme të astrologëve të vjetër… i gjetëm të shtjelluara në dritë të diellit”, fatkeqësisht, nuk është gjetur ende e duhen kërkime të posaçme, ndoshta në Budapest.


Gàzulli, sipas autorëve të ndryshëm, gjuhësh e kombësish të ndryshme, na sillet herë me emrin Gjon e herë Gjin (natyrisht edhe Joanis, Giovanni etj., por që është e njëjta gjë), ashtu edhe me mbiemër të pakristalizuar, si Gàzulli, Gazulis, Gaxuli, Gazzolo etj., por që është fjala gjithmonë për të njëjtën figurë historike e shkencore. Që të mos e endim tepër lexuesin në këto hulumtime, format Gjon e Gjin janë një ngatërrim i thjeshtë, pse Gjin quhej i ati.

Nëse Gjoni lindi në tokën amë, apo në Raguzë, ku ishin strehuar shumë familje shqiptare mbas trazirave tronditëse të pushtimeve turke, sidomos aty nga fundi i shekullit XIV e fillimi i shekullit XV, autorë të ndryshëm e ngatërrojnë keqas këtë temë, por një gjë është e sigurt: familja e tij i përkiste atij trungu fatlum të Gazullorëve që i lanë emër të pashlyeshëm vetes në historinë kombëtare, përgjatë gjashtë shekujsh.

Atë kohe, në Raguzë u ngulën shumë familje shqiptare, që lanë emër, si Gjon Durrsaku (Johannes de Durachio), i biri Domenik Durrsaku, piktor i përmendur, Marin Beçikemi, e sa të tjerë, ndër ta arkitektë të famshëm, që lanë vepra monumentale e, simbas Giuseppe Gelcich, “janë vepra të gjenisë e mjeshtërisë shqiptare”.

Po nga kishte ardhur familja Gàzulli në Raguzë?

Për këtë na ndihmojnë vepra autentike arkivore: Regjistri i Kadastrës dhe i shitblerjeve për krahinën e Shkodres i viteve 1416-1417, që ruhet në Arkivin e Shtetit në Venedik (Archivio di Stato di Venezia) (Shih edhe: Giuseppe Valentini “Acta Albaniae Veneta”, pjesa II, vëllimi VIII, ku zihen në gojë, si pronarë në Zadrimë, veç të tjerësh, edhe Bardh Gàzulli, Dedë Gàzulli, Klamada Gàzulli e Mankez Gàzulli).

Gjyshi i Gjonit quhej Pal, një emër që sot e kësaj dite, bashkë me atë Gjon, përsëriten prej brezi në brez në këtë familje, siç është zakon në Veri të Shqipërisë. Ndërkohë, axha i tij, Matia, që cilësohet shumë i pasur, ndeshet qoftë në Raguzë, ashtu edhe si prift në Barbullush.

Pra, edhe nëse familja Gàzulli, ose një pjesë e saj, lëvizi, apo jetoi edhe në Raguzë, për shkaqe historike që i përmendem, ajo rrënjët i ka pasur përherë në trojet tona Veriore.

Mbiemri Gazulli, apo Gazullorë, që gjendet në Veri qysh në krye të kohës (si në Sapë – pra Zadrimë - Kashnjet, por edhe në Fan e Kabash), duhet të ketë edhe një shpjegim të thjeshtë etimologjik: gazullor në atë kohë e më herët do të thonte gazmor i të sotmes. Bie fjala, te Zef Serembe ndeshim: Kangjelë gazullore, që në shqipen e sotme do të ishte “Këngë gazmore”. Është gjasa, pra, të mendohet se ndonjë i parë i fisit të ketë qenë njeri i gëzueshëm, i hareshëm, hokatar – si i thonë popullorçe - e të jetë thirrë pikërisht për këtë, bie fjala, Pal Gazullori, që sot do të ishte sot Pal Gazmori. Por ndërsa mbiemri cilësor “gazullor” ndër shekuj është shndërruar në “gazmor”, mbiemri i familjes, siç është e natyrshme, ka mbetur i ngurtësuar, Gàzulli.

Kaq sa për të thënë se toponamistika nuk mund të na ndihmojë shumë për prejardhjen e kësaj familje, për shkak të dyndjeve të shpeshta, si rrjedhojë e mizorive të kohës. Gjithsesi, si Gjoni, ashtu edhe Gazullorë të tjerë në shekuj, mbesin pinjoj të shquar të një trungu të padyshimtë shqiptar e më ngushtë të Shqipërisë Veriperëndimore.

Duhet shënuar se dokumentet më të besueshëm mbi prejardhjen e Gàzullit duhet të mbahen një Testament Noterial i Mati Gàzullit (Arkivi Historik i Dubrovnikut) i datës 24 shtator 1426, ku caktohet si trashëgimtar (pse vetë Matia ishte prift) nipi i tij Gjoni, i biri i Gjinit, nipi i Palit. Po ashtu, nga një prokurë noteriale e datës 02.06.1428 Gjon Gàzulli, “figlio di Gini” (i biri i Gjinit) deklaron se gjatë studimeve në Padova ka lënë një arkë me libra dhe sende të veta, e se cakton si të plotfuqishëm të tij Anton Vuçetën nga Raguza për tërheqjen e arkës.

Nga këto dy akte gjejmë të dhëna që dëshmojnë se Pali (gjyshi i Gjonit) ishte nga Zadrima (de Sapa), ashtu si ishin prej asaj ane edhe shumë të tjerë që përmenden në këto dokumente të ardhur prej Deje (Vau i Dejes), Pultit, Ulqinit e Tivarit, të gjitha treva shqiptare.

Këto dokumente kaq të vlefshëm kanë një mangësi keqardhëse: asnjëri nuk bën fjalë për datëlindjen e Gjonit apo për kohën kur filloi shkollimin.

Pse kjo mangësi, kur dihet sa e zhvilluar ishte Raguza aso kohe e se ruhen sot e kësaj dite të gjithë regjistrat i lindjeve?

Përgjigjen mund ta gjejmë te një dokument tjetër, protokollin e dhënies së gradës doktor shkence në Universitetin e Padovës, 31 janar 1430 (shih Brotto-Zonta, Acta graduum Academicorum Gymnasii Patavini”, ai quhet: “Ioannis q. Gini Gaxuli de Albania” (Gjoni, i të ndjerit Gjin, nga Shqipëria), çka dëshmon jo vetëm përkatësinë e tij etnike, por edhe faktin që (bashkë me mungesën në regjistrat e lindjeve në Raguzë) Gàzulli kishte lindë në Shqipëri e në Raguzë ishte i ardhur, ndoshta te axha i tij, prift e i pasur, Mati Gàzulli.

Pra, mungesa e regjistrimit të lindjes së tij në regjistrat e lindjeve në Raguzë dhe cilësimi “DE ALBANIA” e bëjnë të padyshimtë vendlindjen e tij në tokën amë. (Kujtojmë edhe se qytetarët e Raguzës në dokumente të viseve të tjera cilësoheshin “DE RAGUSA” duke qenë kjo, ashtu si Venediku, Republikë më vete).

Atëherë, ku duhet ta vendosim datëlindjen e Gàzullit? Sigurisht aty nga fillimi i shekullit XV, derisa më 1428 ai kishte kryer studimet në Universitetin e Padovës.

Ndriçimi i veprimtarisë së Gàzullit si shkencëtar, fatkeqësisht, mund të bëhet vetëm nëpërmjet referimeve të tërthorta, pse nuk kemi arrijtë me gjetë asnjë vepër të tij.

Atëherë le t’u referohemi atyre.

Historiani i madh Francesco Maria Appendini, në veprën e tij “Notizie istorico-critiche sulla antichità, storia e letteratura de Ragusa”, II, Raguzë 1803, shkruan për një letër të J. Çesmiçkit, ku thuhet: “Libri, për të cilin flitet në këtë letër, duket të ketë qenë botuar dhe ndoshta nuk është vepra e vetme e shkruar nga Gjon Gàzulli. Ky hamendësim fiton një gjasë më të madhe pse në tabelën kronologjike të Musantio-s, Gàzullin e ndeshim ndër matematikanët më të mëdhenj të shekullit XV”. (Shih edhe: Giovanni Domenico Musantio, “Tabulae chronologichae”, 1740).

Atë e përmendë edhe një bashkëkohës i tij i shekullit XV, astronomi Johan Myler nga Kënigsbergu. Po ashtu, astronomi Georg Peurbach në veprën e tij «Theoricae novae planetarum» sjell edhe një vizatim të Gàzullit. Ndërkaq, historiani rus i shkencave ekzakte, V. Zubob  thotë se veprën e tij të madhe mbi astronominë Gàzulli e botoi më 1438.

Pra, gjithsesi, këto janë një pjesë e vogël e dëshmive të tërthorta që flasin për Gàzullin astronom me famë evropiane.

Si arriti ai deri këtu?

Sipas të gjithë gjasave, Gàzulli studioi në Raguzë, e mandej, në vitin 1422, shkon në Padova, ku kryen studimet universitare më 1428, kurse më 31 janar 1430 mbron doktoratën në një atmosferë me ngjyra të theksuara atdhetare, pse aty morën pjesë shumë abreshë të Italisë, ashtu edhe shqiptarë të tjerë të ardhur kryesisht nga Raguza (përmendin pjesëmarrjen e tyre në këtë datë të shënuar Gjergj Gaspri, Andrea Durrsaku etj.).

Mbas doktoratës Gàzulli niset «me mision» në Itali e Francë (do të ishin misione të natyrës diplomatike, pse mbi Ballkan po bënte gj ë mën gjysmëhëna) e mandej kalon disa vite në Raguzë, deri më 1439, kur mori Katedrën e Matematikës po në Padova.

Në Raguzë ai thellon kërkimet e tij në lamë të astronomisë. Sot e kësaj dite në Bibliotekën e Raguzës (Dubrovnikut) ruhen disa shënime kritike mbi veprën më të shquar të asaj kohe Theorica novae planetaruum të astronomit vjenez G. Purbah. Pa dyshim që përmasat e Gàzullit astronom, sadoqë përsëri tërthoras, dalin në lidhjet e vlerësimin e tij në oborrin e mbretit hungarez Matia Korvini.

Shumë studiues, sidomos kroatë, marrëdhëniet aq të mira në mes Raguzës dhe mbretërisë më të fuqishme e më të lulëzuar të kohës, Hungarisë, i shohin të kushtëzuara edhe nga personaliteti i Gàzullit e te fama e tij në atë kohë.

Siç thamë, një pjesë të mirë të jetës ai e kaloi në Raguzë, qoftë në mes viteve 1433-1439 (para se të shkonte rishtas në Padova), ashtu edhe në vitet e moshës së shtyer. Këtu ai u emërua nga Këshilli i të Urtëve (kujtojmë se Raguza ishte Republikë e pavarur) Rektor i Shkollave të Raguzës. Këtu edhe u bë astronom në zë në mbarë Evropën, sa mbreti i Hungarisë, nëpërmjet një letre dërguar Këshillit të të Urtëve të Republikës, i lutet atij Këshilli që Gàzulli të shkonte në oborrin e tij e të udhëhiqte studimet astronomike.

Në një letër të dytë datë 26.06.1459 Këshilli i Republikës njoftonte rishtas lartmadhërinë e tij Korvini se po përpiqeshin me i mbushë mendjen Gàzullit të shkonte atje, po ky gjente si shkak kundërshtimi moshën e tij. Teoria e tij e “yjësive qiellore” tashmë ishte bërë mbizotëruese në botën shkencore që do të printe Kopernikun.

Ja një fragment nga letra e Çesmiçkit, edhe ky shkencëtar i shquar kroat e ishnxënës i Gazullit, tashti në oborrin e Matia Korvinit, drejtuar pikërisht Gjonit tonë:

“Ju jo vetëm keni plotësuar shpresën tonë, por keni bërë edhe më shumë. Libri, të cilin na keni dhuruar, na pëlqen pa masë. Ai është aq i mbushur me dijeni e risi, sa që leximi i tij na ka sjellë kënaqësi sikur edhe studimi me interes të jashtëzakonshëm. Pranojmë se aty kemi gjetë sqarime për disa thënie të ngatërruara të astronomëve të lashtë, që prej moti kemi arrijtë t’i kuptonim. Për këtë arsye Ju porosisim me gjithë shpirt që të mos përtoni të vazhdoni me shkrue e t’i jepni fund veprës së filluar, e cila do të ketë rëndësi të madhe për shkencëtarët dhe për famën Tuaj ………….. Angazhohuni të punoni për llogari tonë e me shpenzimet tona sferat armilare të Ptolomeut, për arsye se këtu, në Mbretnin e Hungarisë, nuk kemi një mjeshtër, i cili të dijë t’i punojë ato … “

Mbas vdekjes së Gàzullit, më 1465, këtë vend, pra të astronomit në Oborrin Mbretnor të Hungarisë, e zuri Johan Myler, më i famshmi i astronomëve të kohës, që në veprën e tij më të rëndësishme botuar pikërisht aty (Budapest) përmend shpesh Gàzullin, edhe duke iu kundërvënë atij mbi disa trajtesa mbi yllësit qiellore, çka dëshmon se Myler në Hungari u përball jo vetëm me famën e Gàzullit, por padyshim edhe me librin e tij, që na sot nuk e kemi në dorë. Është pikërisht kjo kundërshti – më një anë fama e tij, më anë tjetër mungesa e librave të tij – që na kthen gjithçka në një enigmë që sot nuk jemi në gjendje ta zgjidhim.

Kjo nuk ulë aspak vlerat e tij mbarë evropiane, siç e dëshmon një bibliografi e pafund që gjendet anë e kënd Evropës: në Krakovë (Poloni), në Karlsrue (Gjermani), në Bibliotekën e Vatikanit ku Johan Fisher na sjell tabelat astronomike të Gàzullit, e referimet e shumë e shumë astronomëve të famshëm edhe në shekujt vijues (Jo që teoria mbizotëruese e ndarjes së yllësve të qiellit për më se një shekull mbas vdekjes së tij mbeti ajo e quajtur e Campanum dhe Gàzulli, kurse emri i tij vazhdoi të përmendet në shumë studime të shekujve XVI-XVII.

Vetëm në shekullin XVII kur astronomia gjet mjete të reja studimi e ishte shtyrë shumë përpara drejt asaj që njohim sot, Gàzulli fillon e përmendet më rrallë, edhe pse autorë të shquar si Musanti ende i referohen atij si fillesë e një këndvështrimi të ri astronomik (dmth shkëputja nga astrologjia e mesjetës së hershme).

Vërtetë Eskilit i humbën tragjeditë, por jo të gjitha (Ka që thonë se më mirë që i humbën, se tragjedi kjo Botë po ka mjaft edhe pa Eskilin). Kurse humbja (shpresojmë mosgjetja deri më sot) e veprës së Gàzullit për historiografinë e shkencave shqiptare është vërtetë një humbje e madhe.

Në Arkivin e Raguzës ruhen 11 faqe dorëshkrim i Gjon Gàzullit, por ato nuk janë një vepër e mirëfilltë, por thjeshtë udhëzues për përdorimin e astrolabit. Edhe pse vetëm një udhëzues, autori shfaq aty një kthjelltësi të tillë, që ka bërë t’u kthehen studimit të atyre faqeve të pakta shumë e shumë studiues të ditëve tona.

Meqë jemi ende tek shkenca, simbas dokumenteve arkivore të kohës, del se Gjon Gàzulli kishte një prej bibliotekave më të pasura për kohën jo vetëm në Raguzë, por edhe më gjerë.

DIPLOMATI

Aftësitë e rralla të Gjon Gàzullit janë shpalosë, jo vetëm në lamë të shkencave të sakta, por edhe si një prej diplomatëve më të shquar të kohës.

Siç dihet, popujt ballkanikë po përpiqeshin t’i bënin ballë pushtimit osman. Ishin kohë të vështira, jo vetëm për Gadishullin, por rrezikoheshin edhe pjesë të tjera të Evropës, e këta, më shumë se me mbështetë luftën e popujve ballkanikë, për interesa të veta, u bënë aktivë në mbështetjen e këtyre përpjekjeve. Qendrat kryesore të një diplomacie aktive ishin aso kohe Roma e Budapesti.

Mision i parë diplomatik i dokumentuar i Gàzullit është udhëtimi i tij për në Romë, që të takonte mbretin e Hungarisë Sigmundin (paraardhësin e Korvinit), me rastin e kurorëzimit të tij mbret prej Papës. Ky mision, simbas vetë dokumenteve raguziane, i ishte besuar më të shquarit të asaj Republike e me autoritet edhe ndër hungarezë.

Misioni i tij i dytë është ai i vitit 1435 në Italinë e Jugut e, fill mbas pak në Slloveni.

Në ato vite bashkëpunimi në mes princave shqiptarë e Sigmundit të Hungarisë ishin dendësuar shumë. Ka qenë pikërisht Gàzulli ai që lehtësoi rikthimin e shumë shqiptarëve në Atdhe, me qëllim forcimin e rezistencës antiosmane, e kjo veprimtari vazhdoi me udhëtime të shpeshta në Romë, Firence, Sienë, Lubjanë etj.

Duke qenë i përpirë në këto veprimtari të dendura diplomatike, Republika e Raguzës e liron atë nga detyra e Rektorit dhe emëron në vend të tij Pal Gàzullin, të vëllanë, që cilësohet ndër dokumente “magister, prudens et literatus vir”, çka do të thotë se kishte kryer edhe ai studime universitare, si dhe identifikohet si vëlla i “magister Johannis Gaxuli”. (Kujtojmë se, si Pali, ashtu edhe vëlla tjetër Andrea, do të përmenden më vonë si bashkëpunëtorë të afërt të Kastriotit).

Po afrohej “Stina e madhe e Kastriotit” e vëllezërit Gàzulli, Pali, Andrea, Dhimitri, e mbi të gjithë Gjoni, do të kishin një vend të rëndësishëm në atë “stinë”.

Nga viti 1443 Raguza shërbeu si qendër informacioni për Evropën e krishterë, mbi sa po ndodhte në Shqipëri, ku kishin filluar në masë kryengritjet antiosmane, me në krye Gjergj Kastriotin. Gàzulli, si diplomat i sprovuar, u angazhua pothuaj tërësisht në çështjen shqiptare. Në vitet e para ai bëri sa askush tjetër për tërheqjen e vëmendjes për çka po ndodhte në Shqipëri, duke shfrytëzuar udhëtimet e tij të shumta diplomatike për llogari të Raguzës.

I gjendur nën trysninë e rrethimeve të njëpasnjëshme turke, Kastrioti u kërkoi ndihmë si Raguzës, ashtu edhe Venedikut, Romës, Napolit e Hungarisë. Me përjashtim të kësaj të fundit, të parët u mjaftuan me ndihma financiare apo edhe me ndonjë armatim, por jo me një bashkëpunim konkret, pse nuk donin të hynin në luftë të drejtpërdrejtë me Turqinë.

Në gjithë këtë veprimtari diplomatike, dy ishin “ambasadorët” shëtitës më të rëndësishëm të Kastriotit, vëllezërit Gjon e Pal Gàzulli, ky i fundit sidomos me përfaqësimin e Kryezotit të Shqipërisë pranë Papatit, por edhe si “këshilltar” i Gjergjit tonë, aq sa qé quajt “mendja e Kastriotit”.

Por Gjoni, si do ta tregonte fundi jo i largët e jetës së tij, pak e nga pak u tërhoq nga diplomacia për arsye shëndetësore e moshe, por shumë historian janë të mendjes se u tërhoq edhe nga dëshira e zjarrtë t’i çonte deri në fund studimet e tij shkencore. Ishte pikërisht në këtë periudhë kur doli më në dukje roli i Pal Gàzullit si diplomat.

Duhet thënë se aty nga fillimi i viteve 50 e deri sa u shua, Pal Gàzulli ishte ai që mbajti lidhjet e Shqipërisë me Hungarinë, Raguzën e me mbarë Gadishullin Apenin. Për këtë ka dokumente të pafund, por nuk është rasti me i sjellë këtu. Po kujtojmë vetëm një frazë të Barletit “.. e ishte ky Pal Gàzulli mendja e Gjergjit tonë e që ia mbushte zemrën me guxim me vazhdue luftën kundër të pafeve ..”.

Autorja është mbesë e familjes së Gazullorëve

 

Bahri Beci feston sot 85-vjetorin e lindjes. Gjuhëtari: E vërteta ime për shqipen në një botim!


Udhëtimi jetësor dhe profesional i gjuhëtarit edhe akademikut Bahri Beci vjen në këtë 85-vjetor të lindjes, përmes botimit të tij më të fundit “Përjetimet 1936-2021”. Në këtë libër Beci sjell jo vetëm të vërtetën e tij, por atë të një kohe, që shënjoi psikologjinë e individit, duke krijuar njeriun ideologjik

“Është një problem më shumë kombëtar sesa gjuhësor, që ka të bëjë me prezantimin tonë si popull në botë në përgjithësi, por edhe në Europë në veçanti. Një popull përfaqësohet me gjuhën letrare të tij në botë”, shprehet Beci.

Përpos vlerësimeve që rrëfen për punën e bërë në Kongresin e Manastirit, ku u zgjidh një ndër problemet më të mëdha kombëtare, duke u vendosur alfabeti i gjuhës shqipe me 36 shkronja. Beci, shqipen  e cilëson një gjuhë buroktartike edhe jo letrare

“Ky problem i ka fillesat që në Kongresin e Manastirit, ku është zgjidh një nga problemet themelore kombëtare, aty u vendos që ne të kemi një alfabet me 36 shkronja. Të dhënat dialektologjike vërtetojnë se sistemi dialektologjik i shqipes ka mbi 60 fonema. Ne kemi një alfabet me 36 fonema, tinguj. Me dashamirësinë e tyre kombëtare ata kanë arritur, të bien dakord që kjo gjuhë jona të ketë vetëm 36 shkronja”, shprehet gjuhëtari.

Ai tregon edhe për një etapë të dytë, që është Komësia Letrare e Shkodrës, që vendosi që baza e gjuhës letrare të jetë e folura e Elbasanit.

“Ka bërë një revolucion, duke u hedh hapi i dytë i madh për të unifikuar shqipen... Kombësia letrare e Shkodrës vendosi që të ishte elbasanishtja, pasi e aprovoi kombësia vendosën që ta bëjnë gjuhë zyrtare edhe morën vendime deri në 44-ën. Deri në ‘44 Shqipëria kishte një gjuhë zyrtare kombëtare të pranuar. Ky proces mund dhe duhet të vazhdonte, por nuk vazhdoi mori një rrugë tjetër. Unë mendoj se në thelb të periudhës së diktaturës ne kemi bërë një gjuhë letrare të burokoratizuar, e shtypit, jo e mbështetur në baza popullore, por ka qenë një ngurtësim edhe për shkak të mënyrës si ka funksionuar asi sistem. Gjithë kjo problematikë është ndjekur me polemika që kanë marrë drejtim jo të këndshëm, por sepse edhe sot disa e kanë të vështirë që të ndryshojë mendim”. 

Bahri Beci i cilësuar si Enfant Terrible, është specializuar në fushën e fonetikës eksperimentale në Institutin e Gjuhësisë dhe të Fonetikës në Paris, edhe ka bërë kërkime dhe botime të shumta shkencore në fushat e dialektologjisë dhe fonetikës.

Bashkësia gjuhësore ballkanike në dritën e tëdhënave të gjuhës shqipe

       Akademik  Prof.dr.BAHRI BECI


Shqyrtimi i problemit të “bashkësisë gjuhësore ballkanike” si i tillë, si edhe i rolit të shqipes në formimin e bashkësisë gjuhësore ballkanike, është i vështirë për shumë arsye të karakterit teorik dhe praktik.

Kontributet e dhëna deri më sot për gjuhësinë ballkanike janë të shumta dhe, vetëm duke u nisur prej tyre dhe duke u mbështetur tek ata, mund të shkohet përpara në këtë problematikë me interes, jo vetëm për marrëdhëniet gjuhësore ballkanike, po edhe më gjerë, për marrëdhëniet e popujve ballkanikë në përgjithësi.

I. Studiuesit e derisotëm për rolin e shqipes në formimin e bashkësisë gjuhësore ballkanike

Lidhur me qëndrimin e studiuesve të derisotëm për rolin e shqipes në formimin e bashkësisë gjuhësore ballkanike janë përvijuar dy drejtime, një drejtim i parë që pranon rolin përcaktues të ilirishtes ose të parashqipes në formimin e bashkësisë gjuhësore ballkanike dhe një drejtim i dytë që e mohon mundësinë e rolit të shqipes në formimin e bashkësisë gjuhësore ballkanike.

Fran Miklosich është i pari studiues që e shihte ilirishten a parashqipen si çelës për sqarimin e shumë fenomeneve ballkanike. Më 1861 Miklosich shkruante: “Jemi të bindur, se, nëse jo të gjitha afritë, shumica e tyre duhet të shihen si të dala nga elementi i vjetër autokton. Besojmë se ai element do të ketë qenë i njëjtë me atë prej nga ka dalë shqipja e sotme, që, sipas mendimit tonë, është pasardhëse e ilirishtes”.

Pikëpamjen e Fr. Miklosich-it e ka mbështetur edhe H. Schuchard, po ai e konsideronte shqipen si vazhduese të trakishtes. Edhe G. Weigand e kërkonte burimin e dukurive gjuhësore të përbashkëta ballkanike tek veprimi i substratit të përbashkët trako-shqiptar, duke e konsideruar shqipen, në ndryshim nga Fr. Miklosich, si vazhduesen e trakishtes. Sipas R. G. Solta-s “Gjuhë vendimtare e ballkaneve duhet të jetë pikërisht shqipja, pranë së cilës mund të vendosen rumanishtja dhe bullgarishtja”.

Edhe V. Friedman ka shkruar se “(…) Ballkani është qendër me vetveten, dhe gjuha shqipe merr një vend qendror atje” W. Schaller i ka klasifikuar gjuhët ballkanike në gjuhë ballkanike të shkallës së parë (shqipja, bullgarishtja, maqedonishtja dhe rumanishtja), të shkallës së dytë (greqishtja, serbo-kroatishtja) dhe të shkallës së tretë (turqishtja, sllovenishtja dhe hungarishtja). Origjina e ballkanizmave, sipas tij, duhet kërkuar në gjuhët e shkallës së parë.

Në dallim prej tyre Kr. Sandfeld dhe J. Feuillet e mohonin rolin e shqipes në formimin e bashkësisë gjuhësore ballkanike. Lidhur me këtë problem, Kr. Sandfeld-it ka shkruar: “është paimagjinueshme që një gjuhë kulture si greqishtja të këtë mundur të pësojë (…) ndikimin e një gjuhe barbare që nuk mbështetet në asnjë autoritet politik… “. “(…) gjurmët e ndikimit të shqipes në greqishte, sipas tij, janë shumë të pakta dhe të vërtetuara deri tani vetëm në fushën e leksikut”.

Edhe J. Feuillet ka shkruar që “ndikimi i shqipes mbi gjuhët e tjera është i dobët dhe, ka rëndësi vetëm për rumanishten”. Ai, duke folur për origjinën e formimit të numrave 11-19, ka shkruar se “Sa për gjuhën shqipe, e cila ka ushtruar shumë pak ndikim mbi gjuhët e tjera të Ballkanit, është shumë pak e mundshme të jetë në bazën e këtij fenomeni”.

Pikëpamja jonë për rolin e shqipes në formimin e bashkësisë gjuhësore ballkanike

Dukuritë gjuhësore të përbashkëta të shqipes me gjuhët e tjera ballkanike mund të grupohen në tipare ballkanike të shtrira në “mbarë shqipen” dhe në tipare ballkanike të shtrira vetëm në “krahinën dialektore të jugut” ose toskërishten.

Nga pesë dukuritë gjuhësore ballkanike të shtrira në mbarë shqipen (1. prapavendosja e nyjës shquese;

2. bashkëpërkimi i rasave gjinore dhe dhanore;

3. rimarrja e kundrinave;

4. formimi i së ardhmes me ndihmën e foljes “dua”;

5. formimi i numërorëve 11 deri në 19 me ndihmën e një parafjale), vetëm dy dukuri, bashkëpërkimi i gjinores me dhanoren dhe formimi i së ardhmes me ndihmën e foljes “dua” shtrihen në mbarë gjuhët ballkanike, pra, edhe në greqishte, rumanishte, bullgarishte e ma-qedonishte, të tjerat kanë një shtrirje më të kufizuar.

Kështu, p.sh., prapavendosja e nyjës shquese, karakteristike për shqipen, rumanishten, bullgarishten dhe maqedonishten, po edhe formimi i numërorëve 11-19 me ndihmën e një parafjale karakteristikë për gjuhën shqipe, rumanishten, bullgarishten, maqedonishten dhe serbo-kroatishten, po edhe format e mënyrës habitore karakteristike për shqipen, bullgarishten dhe maqedonishten mungojnë në greqishte.

Habitorja mungon edhe në rumanishte, kurse rimarrja e kundrinave nuk është përgjithësuar në rumanishte, ajo ndeshet më së shumti në shqipen, në të folmet maqedone dhe më e qëndrueshme në bullgarishten jugperëndimore, kurse më e rrallë në bullgarishten lindore.

Ndeshet edhe në disa të folme periferike serbe dhe kroate. Në greqishte ndeshet vetëm në dialektet e saj veriore. Siç shihet, këto dukuri dobësohen ose zhduken sa më në veri, lindje dhe jug të gjuhëve ballkanike të shkojmë; më të përgjithësuara paraqi-ten në viset perëndimore të Ballkanit, pra, në Shqipëri dhe Maqedoninë perëndimore. Mendoj se ky është një tregues që ndoshta nuk duhet nënvleftësuar ose harruar.

Nga sa jemi ne të informuar, në asnjë gjuhë tjetër ballkanike dukuritë e përbashkëta ballkanike nuk paraqiten të grupuara në dukuri të shtrira në mbarë gjuhën dhe në dukuri të shtrira në një dialekt të caktuar.

Një grupim dhe shtrirje e tillë e dukurive ballkanike në shqipen vështirë se mund të shpjegohet si rezultat i ndikimit e gjuhëve të tjera mbi shqipen; nga ana tjetër, vjetërsia e madhe ose shumë e madhe e këtyre dukurive në shqipen flet për nje zhvillim të pavarur të tyre në shqipen, po direkt a indirekt edhe për vjetërsinë e mbartësve të tyre në këto territore.

Pra, nuk mund të përjashtohet apriori mundësia e një rol më të madh se ç’është menduar deri tani, të shqipes në procesin e formimit të bashkësisë gjuhësore ballkanike. Këtu duhet shtuar që nga dukurit ballkanike që shtrihen në mbarë shqipen dhe në “krahinën dialektore të jugut” ose toskërishten (nëntë dukuri), në greqishte shtrihet vetëm një dukuri: bashkëpërkimi i gjinores me dhanoren.

Dy dukuri të tjera: 1. formimi i numërorëve 11-19 me ndihmën e një parafjale, 2. rimarrja e kundrinave nuk janë përgjithësuar në greqishte, shtrihen vetëm në dialektet veriore të saj. Është, pra, një gjendje që e përjashton mundësinë e ndikimit të greqishtes në formimin dhe shtrirjen e nëntë dukurive gjuhësore të përbashkëta në tërësinë e territorit ballkanik. Për pasojë përjashtohet edhe mundësia e ndikimit të greqishtes në praninë e këtyre dukurive në shqipen.

Kjo e bën të papranueshme pikëpamjen e Kr. Sandfeld-it mbi rolin përcaktues të greqishtes në formimin e bashkësisë gjuhësore ballkanike C. Poghirc, duke folur për dukurit e përbashkëta ballkanike, shkruante se “Këto fakte autoktone karakterizojnë së pari shqipen e rumanishten; bullgarishtja hyn aty shpesh, por ajo ruan dukuri specifike që mungojnë në gjuhët e tjera ballkanike; greqishtja ka gjithnjë një pozitë të veçantë, duke qenë e prekur sidomos në dialektet veriore”. Të dhënat gjeografike dhe historike dëshmojnë që, në bazën e këtyre zhvillime të gjuhëve ballkanike është më e mundshme të jetë gjuha shqipe.

Kushtet gjeografike dhe historike që kanë përcaktuar krijimin e bashkësisë gjuhësore ballkanike

“Ballkanizimi” besoj se duhet konceptuar si një proces gjuhësor dhe, si i tillë, ai nuk ka dhe nuk mund të ketë një moment të përcaktuar kohor të formimit të tij. Procesi i ballkanizimit, me sa duket, ka nisur para dyndjeve sllave, si kontakt ndërgjuhësor ndërmjet gjuhëve të veçanta, dhe fillimisht ndërmjet shqipes dhe rumanishtes. Pra, pyetja që shtrohet është se çfarë përfaqësojnë tiparet e përbashkëta ndërmjet shqipes e rumanishtes, përfshirë edhe ato me karakter ballkanik ose ballkanizmat dhe kur e ku janë zhvilluar ato në këto dy gjuhë? Këtë pyetje e ka shtruar edhe Kr. Sandfeld më 1930.

Është e sigurt, shkruante Kr. Sandfeld, që “afritë ndërmjet shqipes e rumanishtes nuk mund të jenë të rastësishme. (…), duhet të pranohet që në një kohë ata ishin në kontakt të drejtpërdrejtë me njëra-tjetrën, dhe në ditët e sotme vështirë se dikush mund ta vërë në dyshim këtë (…)”. “Për t’i shpjeguar këto dukuri të përbashkëta të këtyre dy gjuhëve që nuk kanë kontakt gjeografik duhet të ngjitemi në një epokë të largët kur ato kanë qenë në kontakt”.

“Sido që të jetë, shkruante ai, është e sigurt që të gjitha këto afri ndërmjet shqipes e rumanishtes nuk mund të jenë të rastësishme. (…) duhet të pranohet që në një kohë ata ishin në kontakt të drejtpërdrejtë me njëra-tjetrën, dhe në ditët e sotme vështirë se dikush mund ta vërë në dyshim (…). “Për t’i shpjeguar këto tipare të përbashkëta të këtyre dy gjuhëve që nuk kanë kontakt gjeografik duhet të ngjitemi në një epokë të largët kur ato kanë qenë në kontakt.

Sa kohë që nuk kemi asnjë dëshmi historike për marrëdhëniet midis popullit shqiptar dhe popullit rumun në të kaluarën e largët, mund të supozojmë, ose që shqiptarët fillimisht kanë banuar në rajone të vendosura më në veri, ose që rumunët kanë ardhur për të banuar nga rajone shumë më jugore në vendin që ata zotërojnë sot”. “(…) pjesa më e madhe e gjuhëtarëve të huaj (…) kanë mbrojtur pikëpamjen që kombësia rumune u zhvillua në shekujt e parë të epokës sonë, në jug të Danubit, në kontakt të ngushtë me shqiptarët dhe që shtrirja e tanishme e Rumanisë është për shkak të një emigracioni të mëvonshëm”.

“Kjo hipotezë, vijon Kr Sandfeld, e cila mund të mbështetet nga shumë argumente të tjera, pajtohet me faktin se një popullatë rumune, arumunët, është përhapur sot edhe në jug të Danubit. Tani dihet përgjithësisht që Daco-Rumanët dhe Arumunët, me Meglo-Rumunët dhe Istro-Rumanët në origjinë formonin një unitet, popullin primitiv rumun – gjuha e tregon këtë s’ka më qartë – dhe mënyra më e mirë për të shpjeguar shpërndarjen e tij në disa grupe është të supozosh se këto grupe janë nisur nga një vendbanim i përbashkët qendror, çka na çon përsëri në rajonet jug-danubiane (…)”.

Ajo që është thelbësore është se kjo popullatë duhej të jetë shtrirë larg në jug për të qenë në kontakt me shqiptarët ose paraardhësit e tyre (…). Konkluzioni në të cilin arrinte Kr. Sandfeld ishte se “asgjë nuk na pengon të pranojmë ashtu si Jerièek, që shqiptarët në një epokë të mëparshme, të kenë banuar edhe më në veri” dhe jepte si vend kontakti midis shqipes e rumanishtes trekëndëshin midis Nishit, Shkupit dhe Sofjes.

Sipas E. Çabej, për sa i përket kohës së kontakteve të shqipes me rumanishten, vlen ky arsyetim: “Me qenë se tiparet që afrojnë shqipen me rumanishten, shumica gjenden në të katër dialektet e rumanishtes, do të pranojmë se ato tipare janë të një kohe kur këto dialekte të pakën gjeografikisht nuk ishin shkëputur nga njëri-tjetri, i përkasin, pra, periodës së rumanishtes së përbashkët.

Kjo periodë mendohet se ka zgjatur afërsisht nga shekulli VI gjer në IX, të erës së re (…)”. Lidhur me vendin ku u formuan marrëdhëniet rumune-shqiptare, E Çabej shkruante se “shqiptarët shtriheshin në një trevë gjeografikisht mjaft të hapët të anës ballkanike perëndimore. Brenda kësaj treve, ndër të tjera Naissus-Nish, Scupi-Shkup e Astibos-Shtip (…) dëshmojnë që Dardania bashkë me viset kufitare të Maqedonisë e të Peonisë bëjnë pjesë në territorin e formimit të shqipes.

Edhe H. Mihaesku shkruante se “shqiptarët ishin fqinj, në verilindje me popullatën romane të lu-ginës së Danubit dhe të Dakisë; në jug ata ishin në kontakt me grekët; në perëndim ata kishin raporte me detin Adriatik dhe popullatën romane të bregut; në veri, më në fund, ata shkonin përtej majave të malit Durmitor”.

Për djepin e Rumunëve do të veçoja mendimet e Ovid Densu’ianu (1873-1938). Sipas tij së paku deri në sh. VII-VIII, rumanishtja do të jetë zhvilluar në Ballkan, në jug të Danubit. “Ndodhi sidomos në jug të Danubit që ndikimi ilir mund të ushtrohej më lehtë, dhe pikërisht aty do kërkuar prejardhja e ndonjë prej veçorive të rumanishtes që e afrojnë atë me shqipen”.

Edhe Alexandru I. Philippide (1859 – 1933) mendonte se, së paku deri në sh. VII-VIII, rumanishtja do të jetë zhvilluar në Ballkan, në jug të Danubit. Edhe Sextil Puºcariu (1877 – 1948) ka shkruar se përki-met e rumanishtes me shqipen, na bëjnë të sigurt një gjë: “stërgjyshërit tanë kanë banuar bashkë me stërgjyshërit e shqiptarëve ak-tualë.

Meqë nuk kemi as shënime as indicie që shqiptarët të kenë jetuar në veri të Danubit, jemi të shtrënguar të pranojmë se së paku një pjesë e ro-manëve të vjetër ka banuar në jug të lumit”. Sipas S. Puºcariu-t, shqiptarët janë qysh në lashtësi në hapësirat ku jetojnë sot: shfaqen vonë në dokumente historike.

Ai thek-sonte idenë që “paraardhësit e shqiptarëve, ilirët, do të kenë huazuar nga trakasit dhe e kundërta. Kështu mendonte se mund të shpjegoheshin për-kimet midis dy gjuhëve aktuale, sidomos në aspektin fonetik (…)”. Besoj se edhe kaq mjafton për ta bërë të besueshme tezën mbi mundësinë e ndikimit të shqipes në formimin e tipareve të përbashkëta ndërmjet shqipes e rumanishtes në periudhën para dyndjeve sllave.

Situata gjuhësore në Ballkan pas dyndjeve sllave

“Nga fundi i shek. V fiset turanike-bullgare dhe sllave (…) filluan të sulmonin dhe të plaçkitnin krahinat bizantine. “Katër provincat jugore ilire nuk shpëtuan nga dyndjet e barbarëve. Sipas Euagrit, avarët të pasuar nga sllavët, arritën në vitin 584 deri në dyert e Durrësit (Dyrrachion) dhe më 592 deri në qytetin e Lezhës (Lissos), por përsëri u tërhoqën drejt Veriut” “Rrjedha e ngjarjeve nuk ndodhi njësoj në mbarë trevat ilire.

Ndërsa në krahinat ilire veriore dhe në viset lindore të Gadishullit Ballkanik sllavët u vendosën me lejen që u dha perandori bizantin Herakli (610- 640) si banorë të përhershëm, katër provincat jugore ilire, pasi u çliruan nga administrata perandorake bizantine, nuk duket se u kolonizuan nga banorët sllavë.

Konkluzioni i matur që mund të nxirret për këtë çështje nga analiza e burimeve letrare bashkëkohore është ky: katër provinca perëndimore të Gadishullit Ballkanik (Prevalitania, Epiri i Ri, Epiri Vjetër, Dardania) nuk i shpëtuan stuhisë barbare, por me përjashtim të pjesës veriore të Prevalitanisë, ato qëndruan të paprekura, nga kolonizimi skllaven të paktën gjatë shekujve të hershëm mesjetarë.

Kjo do të thotë se banorët e katër provincave jugore ilire qenë, si dhe më parë, ilirë. Pavarësisht se në burimet historike të këtyre shekujve nuk përmendet as emri i ilirëve, as ai i arbërve (shqiptarëve), banorët vazhduan të ishin iliro-shqiptarët. Në pjesën lindore të Ballkanit “Sllavët u dyndën masivisht në jug të Danubit, në Dalmaci, Maqedoni, Thrakë, Moesia dhe madje edhe në Greqi, të joshur nga zonat e pasura urbane të Perandorisë bizantine.

Me vendosjen e sllavëve në këto territore ndryshoi tërësisht struktura etnike e Ballkanit. Gjuhët sllave jugore, kam parasysh këtu bullgarishten dhe maqedonishten, në këtë situatë të re, jo vetëm ndikuan te gjuhët që gjëllinin në këto territore, po edhe fituan prej tyre tipare të reja të ndryshme nga ato të gjuhëve sllave lindore a perëndimore, po të njëjta ose pjesërisht të njëjta me gjuhët e tjera ballkanike (1. humbjen e kundërvënies sipas hundorësisë; 2. zanoren ë- të theksuar; 3. prapavendosjen e nyjës shquese; 4. bashkëpërkimin e gjinores me dhanoren; 5. formimin e së ardhmes me ndihmën e foljes “dua”; 6. mënjanimin e paskajores; 7. formimin e numërorëve 11-19 me ndihmën e një parafjale; 8. rimarrjen e kundrinave), pra, u ballkanizuan.

Si rezultat i rrethanave të reja gjeografike dhe historike krijohet edhe një qendër rrezatimi e dukurive të përbashkëta ballkanike. Sipas M. Pavloviæ, ky territor është Epiri Grek dhe Shqiptar, kurse sipas Zb. Go³ab kjo zonë qendrore e Ballkanit është Maqedonia JugPerëndimore. P. Asenova ka shkruar se nyjën e proceseve konvergjente në Ballkan e formojnë dialektet jugore të shqipes, dialektet serbe të Prizren-Timokut, dialektet bullgare jugperëndi-more, dialektet greke veriore (Epir, Maqedoni) dhe arumanishtja.

Sipas saj, rolin e një qendre ballkanike e ka luajtur pjesa jugperën-dimore e gadishullit ndërmjet luginave të lumenjve Vjosa e Vardar, dome-thënë jugu i Shqipërisë, Epiri dhe Maqedonia perëndimore. Për M. Pavloviæ, ritheksonte ajo, kjo zonë ballkanike qendrore është Epiri grek dhe shqiptar. Edhe O. J. Nasteva ka ngulur këmbë që qytetet Ohër, Elbasan, Voskopojë, Korçë, Janinë, Kostur, Lerin dhe Sollyn paraqesin rajonin ekonomik e politik nga janë nisur gjatë shekujve shumë ballkanizma në dialektet dhe zonat gjuhësore fqinje. Është pikërisht ajo pjesë e territorit ballkanik ku kanë banuar e banojnë edhe sot, pothuajse tërësisht, shqiptarë. Pra, ka arsye të pranohet më shumë se deri tani roli i shqipes në formimin e bashkësisë gjuhësore ballkanike.




Bahri Beci (lindur më 6 mars, 1936) në Shkodër  .

Mbaroi studimet universitare në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë në Universitetin e Tiranës dhe në shtator të vitit 1958 u emërua Punonjës Shkencor në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë. Në vitin 1977 ka marrë gradën shkencore “Doktor i Universitetit të Parisit”. Më 1979 ka marrë gradën shkencore “Kandidat i shkencave” për disertacionin “Të folmen e gegërishtes qendrore” dhe titullin “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor“ në Shqipëri.


 Më 1984, ka marrë gradën tjetër shkencore “Doktor i Shkencave” për disertacionin “Të folmet veriperëndimore të shqipes dhe sistemi fonetik i të folmes së Shkodrës” dhe në vitin 1994, titullin “Drejtues kërkimesh ose Profesor”. Më 2008, ka fituar titullin “Akademik”.


Bahri Beci është autor i librave 

  • ”Gramatika e gjuhës shqipe” (2005)

  • ”Gramatika e gjuhës shqipe për të gjithë” (Shkodër 2000, Prishtinë 2001)

  • ”Gramatika e gjuhës shqipe” (Tiranë 1997,
  •  Prishtinë 1998 dhe 2002)

  • “Të folmet veriperëndimore të shqipes dhe sistemi fonetik i të folmes së Shkodrës” (1995)

Flori Bruqi

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...