Agjencioni floripress.blogspot.com

2023/03/20

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell: Marrëveshja në Ohër, pjesë përbërëse e rrugës evropiane për Kosovën dhe Serbinë

 

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka deklaruar sot se marrëveshja e arritur në Ohër konsiderohet si pjesë përbërëse e rrugës evropiane për Kosovën dhe Serbinë

Ai ka potencuar se do ta shohin nga afër zbatimin e marrëveshjes, për të cilën janë pajtuar Kosova dhe Serbia.

“Kishim diskutime të gjata, dhe më në fund kemi një marrëveshje, e cila do të konsiderohet si pjesë integrale e rrugës evropiane për të dyja vendet. BE-ja do të jetë pjesë e kapitujve të negociatave me Serbinë, kapitulli 35, dhe do të përfshihet në dokumentet e normalizimit dhe kërkesat për Kosovën. Pra, tani është diçka përpiluese dhe ne do të duhet të shikojmë nga afër zbatimin, të dyja palët ranë dakord dhe u angazhuan për ta bërë atë. Pra, le të shikojmë me kujdes se si do të ndodhë.”, ka thënë Borrell.

Kujtojmë që, Kosova dhe Serbia të shtunën në mbrëmje janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të planit evropian, i cili do të jetë i obliguar për të dyja palët në momentin e publikimit të tij. Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një deklaratë për media, pas dialogut 12 orësh në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, ai ka thënë se Serbia sërsh nuk e ka nënshkruar të njëjtin. Sipas tij, i takon BE-së tani që të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë të firmosë ujdinë

147 vjetori i lindjes së Faik Konicës

 Faik Konica ka qenë ndër figurat e rëndësishme shumëdimensionale shqiptare. Ai nuk ishte vetëm patriot, por shkrimtar e diplomat e gjithmonë në shërbim të Shqipërisë në përpjekje të rimëkëmbjes së shtetit

Faik Konica, lindi më 15 mars të vitit 1876 në Konicë dhe vdiç më 14 dhjetor të vitit 1942 në Uashington, ishte magjistër i artit dhe letërsisë, aktivist kombëtarë dhe shkrimtar shqiptar.

Rrjedh nga një familje e vjetër feudale. Mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke.

Faik Konica është poet dhe autor/publicist shumë i njohur. Faik Konica mori mësimet e para në Konicë dhe i vijoi për pakë kohë te Jezuitët në veri, në Shkodër. Më pas u shkollua në shkollat franceze në Lindje, në Stamboll.

Në Dizhon dhe në Paris, ndoqi studimet për filozofi. Ai fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonshme. U diplomua për letërsi në Universitetin e Harvardit të SHBA.

Ai mësoi gjithnjë dhe thoshte vetë se ishte një student i perjetshëm. Konica mbahet si një nga njerzit më të ditur në kulturën shqiptare të këtij shekulli. Rruga e tij shkollore e jetës tregon se ai e njohu Shqipërinë nga Jugu në Veri dhe shkoi gjithnjë prej Lindjës në Përëndim. Kjo është rruga e tij e zhvillimit kulturor.

Konica ka zhvilluar veprimtari të jashtëzakonshme kulturore e atdhetare me botimin e revistave “Albania e Trumpeta e Krujës” me themelimin e shoqëris VATRA dhe me redaktimin e gazetës “Dielli” në Amerikë.

Mirëpo, vlera më madhe e punës së tij është bindja se kombi nuk ndërrohet pa vetëdijën për identitetin e tij.

Prandaj bëri perpjekje të mëdha për krijimin e alfabetit të përbashkët, për krijimin e normës së gjuhës së përbashkët të shkrimit dhe kundërshtimin e kulturave të mbyllura krahinore si në nivel të krijimtaris ashtu edhe në nivel të propagandës kombëtare.

Konica mori pjesë dhe në jetën politike shqiptare: u zgjodh kryetar në Kongresin e Trieshtës (1913), ku kundërshtoi copëtimin e Shqipërisë; ishte anëtar i Qevërisë së Vidit dhe u emërua ambasador i Shqipërisë në SHBA deri në vdekje.

I pa sherrin politikës, si shumë shkrimtarë shqiptarë. Ai vetë mendonte se s’duhet të hidhërohet njeriu kur humb një lojë politike (për Nolin).

Por e pësoi dhe vetë, veprimtaria e tij politike dhe letrare u keq interpretua nga regjimi komunist. Faik Konica është themeluesi i modelit kulturor kritik të letërsisë shqipe, themelues i kritikës letrare, si dhe nismëtar i prozës moderne shqipe.

Gjykimi i tij kritik për veprat e kohës mbetet i pazëvendësueshëm dhe sot. Konica krioi një stil të ri në letrat shqipe. Shumë kritikë e kan cilësuar si krijuesin e prozës shqiptare, ndërsa Noli e pranon si mësuësin e tij në stil e në gjuhë.

Ai ishtë i veçantë në të gjitha fushat e veprimtarisë, ndërsa vlera të pamohueshme të tij, mbetën veprat:” Një ambasadë e Zulluve në Paris “(1922), ” Dr. Gjilpëra (1824). ” Shqipëria si m’u duk “(1928), si dhe esetë për Shqipërinë. Kishtë stil të veçantë dhe ishtë mjeshtër i formave të shkurtra letrare.

MJESHTRIN I FJALËS SHQIPE, të cilin shumë autor të huaj e vlersuan lart, -si Studenti më i aftë i asaj kohe (dhe mbante kontakte me Molier).

Vdiq më 15 dhjetor të vitit 1942.

Vajtim për robëri të shqiptarëvet 

O të humbur shqipëtarë,
Seç qenkeni për të qarë!

Për të qar’ e për të sharë,
Për të shar’ e për të vrarë!

Armiqtë mbë dhé ju hodhnë,
Dhe ju shtypnë sa u lodhnë!

Sa u lodhn’ e sa ju ngopnë
Ju gdhendnë edhe ju rropnë.

As bukë, as brekë s’ju lanë,
Ju punoni, ata hanë!

Nuk ju lan’ as pakë nderë
Q’e kini pasur përherë.

As nder, as turp, as gjak s’kini
Unji kryet dhe po rrini.

I duroni vet armiqtë;
Prisni vdekjen apo vdiqtë?

Shërbëtorë t’Anadollit,
Kleçk e lodra të Stambollit.

Në mos u shove fare,
Ndizu, zemra shqipëtare!

O shqipëtarë barkzbrazur,
Fustançjerr’ e këmbëzbathur

Zemërohuni një herë,
Mprehni kordhët për të prerë,

Mprehni kordh’ e mprehni pallë
Të ju ndritin yj mi ballë,

Ti frikësoni zuzarët
Ç’i shuan shqipëtarët,

E në vend tuaj të rroni
Si të doni e si të thoni!

– Poezi nga Faik Konica

Qeveria e Emanuel Macronit përballet me dy mocione mosbesimi


Mocionet e mosbesimit janë nënshkruar nga deputetë të qendrës dhe partia e ekstremit të djathtë, Marshi Kombëtar

Emmanuel Macron, presidenti francez

Qeveria franceze do të përballet të hënën me dy mocione mosbesimi, teksa vazhdojnë tensionet lidhur me reformën kontroverse për pensione.

Kryeministrja franceze, Elisabeth Borne, e ka shfrytëzuar një pikë të Kushtetutës për të miratuar projektligjin, pa votim një Parlament, shkruan REL.

Prej atëherë, mijëra njerëz kanë dalë nëpër rrugët e Francës për të protestuar.

Mocionet e mosbesimit janë nënshkruar nga deputetë të qendrës dhe partia e ekstremit të djathtë, Marshi Kombëtar.

Debati pritet të nisë të hënën në orën 16:00.

Nëse mocionet e mosbesimit miratohen, pozita e presidentit francez, Emmanuel Macron nuk do të rrezikohej, por e kryeministres dhe Qeverisë po.

Në një skenar të tillë, Macron do të duhej të formonte kabinet të ri qeveritar, ose të shpërndante Parlamentin dhe të shpallte zgjedhje të reja.

Në atë rast, edhe reforma për pensione do të anulohej.

Nëse mocionet e mosbesimit janë të pasuksesshme, projektligji për të rritur moshën e pensionit nga 62 në 64 vjeç do të shndërrohej në ligj.

Macron ka thënë se rritja e numrit të personave të moshuar në Francë, e bën të papërballueshme skemën aktuale pensionale.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin,duhet të ekstradohët për krime lufte kundër njerëzimit!


GjNP-ja pretendon se Putin është përgjegjës për krimet e luftës, duke përfshirë dëbimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina në Rusi. Krimet pretendohet se janë kryer në Ukrainë nga 24 shkurt 2022 - kur Rusia filloi pushtimin e saj në shkallë të plotë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin

Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) ka lëshuar një urdhër-arrest për presidentin rus, Vladimir Putin.

GjNP-ja pretendon se ai është përgjegjës për krimet e luftës, duke përfshirë dëbimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina në Rusi.

Krimet pretendohet se janë kryer në Ukrainë nga 24 shkurt 2022 – kur Rusia filloi pushtimin e saj në shkallë të plotë.

“Z. Vladimir Vladimirovich Putin, i lindur më 7 tetor 1952, President i Federatës Ruse, dyshohet se është përgjegjës për krimin e luftës të dëbimit të paligjshëm të popullsisë (fëmijëve) dhe atë të transferimit të paligjshëm të popullsisë (fëmijëve) nga zonat e pushtuara të Ukrainës në Rusi. Federata (sipas nenit 8(2)(a)(vii) dhe 8(2)(b)(viii) të Statutit të Romës). Krimet supozohet se janë kryer në territorin e pushtuar ukrainas të paktën nga 24 shkurt 2022. Ka arsye të arsyeshme për të besuar se zoti Putin mban përgjegjësi penale individuale për krimet e lartpërmendura, (i) për kryerjen e akteve drejtpërdrejt, së bashku me të tjerët dhe/ose nëpërmjet të tjerëve (neni 25(3)(a) i Statutit të Romës), dhe (ii) për dështimin e tij për të ushtruar kontrollin e duhur mbi vartësit civilë dhe ushtarakë që kryen aktet”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Ndërkaq, Moska ka mohuar akuzat për krime lufte gjatë pushtimit.

Gjithashtu urdhër-arrest është lëshuar edhe për komisionerën për të Drejtat e Fëmijëve në Zyrën e Presidentit të Federatës Ruse, Maria Alekseyevna Lvova-Belova.

Ajo dyshohet se është përgjegjëse për krimin e luftës të dëbimit të paligjshëm të popullsisë (fëmijëve) dhe atë të transferimit të paligjshëm të popullsisë.

“Krimet supozohet se janë kryer në territorin e pushtuar ukrainas të paktën nga 24 shkurt 2022. Ka arsye të arsyeshme për të besuar se znj. Lvova-Belova mban përgjegjësi penale individuale për krimet e lartpërmendura, për kryerjen e akteve drejtpërdrejt, së bashku me të tjerët dhe/ose nëpërmjet të tjera (neni 25(3)(a) i Statutit të Romës)”, thuhet në njoftim.

NASA publikon imazhe satelitore: Liqeni i Ohrit dhe Liqeni i Prespës, më të lashtit në Evropë


NASA ka publikuar imazhe satelitore të Liqenit të Ohrit dhe Liqenit të Prespës, duke i cilësuar si dy nga liqenet më të vjetër në Evropë

“The Operational Land Imager-2 (OLI-2) në Landsat 9”, bëri këtë imazh me ngjyra natyrale të liqeneve më 19 gusht 2022.

NASA ka publikuar të shtunën pamje satelitore nga Liqeni i Ohrit dhe ai i Prespës, teksa i ka cilësuar si dy nga liqenet më të lashta në Evropë, me karakteristika dhe veçori unike.

Liqeni i Ohrit dhe Liqeni i Prespës, sipas NASA-s, dy nga liqenet më të lashta në Evropë, shtrihen në një zonë malore përgjatë kufijve të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Greqisë. Liqenet kanë ekzistuar për të paktën 1 milion vjet, dhe ndoshta edhe më gjatë.

Sumica e miliona liqeneve në botë janë më pak se 18 mijë vjet të vjetra dhe u formuan kur akullnajat u shkrinë në fund të Epokës së fundit të Akullnajave.

Ohri është më i madhi dhe më i thelli nga të dy, me një thellësi mesatare prej 155 metrash. Prespa ka një thellësi mesatare prej 14 metrash.

Pjesa më e madhe e ujit të liqenit të Ohrit vjen nga burimet nënujore, shkruan NASA.

“The Operational Land Imager-2 (OLI-2) në Landsat 9”, bëri këtë imazh me ngjyra natyrale të liqeneve më 19 gusht 2022.

Gjeologët klasifikojnë vetëm 30 liqene, duke përfshirë Ohrin dhe Prespën, si “të lashtë”, përcaktuar nga disa studiues si që vazhdojnë më shumë se një cikël të epokës së akullit (të paktën 130 mijë vjet).

Gjeologët mendojnë se rreth 20 liqene në Tokë, kryesisht të gjetura në grabenë, kanë ekzistuar për më shumë se 1 milion vjet.

Pjesa më e madhe e ujit të Ohrit vjen nga burimet nënujore, por rreth 20 për qind e tij derdhet nga Prespa e lartë përmes kanaleve nëntokësore karstike.

Ndërsa, NASA ka bërë të ditur se nivelet e ujit kanë mbetur relativisht të qëndrueshme në Liqenin e Ohrit në dekadat e fundit, Prespa ka pësuar rënie të ndjeshme si në sipërfaqe ashtu edhe në vëllim.

Në një studim të fundit nga NASA, bazuar në afro katër dekada të vëzhgimeve të Landsat, shkencëtarët raportuan se Liqeni i Prespës humbi 7 për qind të sipërfaqes dhe gjysmën e vëllimit të tij midis viteve 1984 dhe 2020, me gjasë për shkak të rritjes së tërheqjes së ujit për bujqësinë.

Ujërat me pak lëndë ushqyese dhe me oksigjen të lartë të Liqenit të Ohrit mbështesin më shumë se 1 mijë e 200 lloje bimësh dhe kafshësh, duke i dhënë liqenit një nga përqendrimet më të larta të biodiversitetit në botë.

Jetëgjatësia e Liqenit të Ohrit ka lejuar evolucionin e 200 llojeve që nuk gjenden askund tjetër, duke përfshirë kërmijtë e pazakontë, rosat dhe troftën. Liqeni është një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s dhe nganjëherë quhet Galapagos Evropian ose një muze i fosileve të gjalla për shkak të biodiversitetit të tij të jashtëzakonshëm.

Liqenet nuk janë veçoritë e vetme lokale të dukshme për moshat e tyre. Ohri, qyteti më i madh në liqen, është një nga vendbanimet më të vjetra njerëzore në Evropë. Ka manastirin më të vjetër sllav dhe më shumë se 800 ikona të stilit bizantin të krijuara midis shekullit të 11-të dhe 14-të.

Në vitin 2010, shkencëtarët e Unionit Ndërkombëtar Astronomik i dhanë emrin Ohër një liqeni në Titan, sateliti i dytë natyror më i madh në Sistemin Diellor, një hënë që rrotullohet rreth Saturnit.

2023/03/19

KANGA E NJËZETËDYTË

Skifter Këllici 


 KANGA E NJËZETËDYTË


TRINGA
Vetëtinë andej nga Nokshiqi. Gjëmimi i krismave ndigjohet në Pejën e vogël. Janë armët e ushtrisë së Mark Milanit që shtien, që të derdhin përsëri gjak shqiptari.
Komandanti malazez e ka mendue mirë: Gjatë tanë natës, ende pa ague, kur afati i besës për me varrosë të vramët në beteja nuk ka mbarue, ushtria e tij, pasi ka kalue nëpër gryka e nëpër maja, t’i afrohet Nokshiqit dhe që aty të vërsulet me tetë tabore, ashtu si fajkoi i vësulet një lepuri kur e pikas në ndonjë drizë.
Dhe kështu forcat e tij futen befasisht në Nokshiq dhe nisin me shkatërrue çdo gja që gjejnë përpara.
Nokshiqasit dalin të llahtarisun nga shtëpitë. Fëmijët qajnë, nanat dihasin, aty klithin, aty thërrasin njana-tjetrën, që të ikin që, të shkapërcejnë ledhe dhe gardhe, nëpër kodra e brigje, dhe bashkë me ta edhe gjedhët që turren me tërbim; hingëllojnë mazat, marrin fushës, pluhni ngrihet nëpër ajër dhe bashkohet me tymin që del nga rrënojat e shtëpive që digjen. Në Nokshiq mbeten veç disa pleq dhe do gra, sa me ruejtë ndonjë kasolle e bagëti. Të tjerët me fëmijë për dore dhe djepa në krahë, tashma janë largue të tmerruem nëpër terr, që t’u shpëtojnë mizorive të atyne që në krahnor në vend të zemrës kanë një gur vorri dhe dinë vetëm të grabisin dhe të vrasin.
Kështu Mark Milani kërkon t’u tregojë shqiptarëve se ç’kob tjetër po u sjell. Por nuk ka mendue mirë, se këtë nuk ka arritë ta bajë as sulltani i Stambollit e jo ma knjaz Nikolla.
Rrëfen poeti:
- Po çuditem, kur shoh atje larg një shtëpi me oxhak që nxirka tym, dhe që paska një vathë përbri, me dhi e dhen, aty pranë një qen në stelë, një kalë dhe gjedhe në katue, kotecat plot me shpendë dhe ma tutje një pendë me qe për me lërue arën...
Një bukuri e rrallë në Plavë dhe Guci...Dhe po habitem kur nuk po shoh asnjë njeri që të largohet nga kjo shtëpI, për me shpëtue veten, as me plaçka ngarkue në shpinë, as me bagëti të vume përpara, sado që shkina e shkja po i afrohen; shkjetë me armë dhe shkinat me thasë e strajca, për me grabitë si zakonisht gjanë e huej. Veç te dera e kësaj shtëpie po shof një vajzë, që ka veshë një xhubletë, që ka një rubë rreth ballit dhe flokët i derdhen jashtë shamisë. Shtatin e paska si breshana, synin si yll, ngjaka si molla në degë, si lulja që shpërthen. Dhe ndejka dhe këqyrka se ç’tmerr po ndodh përreth...Dhe nuk dashka t’u largoka!...A thue, zanë, qofsha gabue, kjo vajzë ashtë miqësue me ndonjë shkja, prandej rri dhe po pret atë te dera e shtëpisë?
Përgjigjet Zana:
- Mos e thuej, bre burrë atë fjalë, se baj be për vjollca e karajfila, për bilbila nëpër bjeshkë, për hijeshi nëpër lëndina, për flutura nëpër fusha, për orë e shtojzavalle, se vajzë ma fisnike nuk ke pa. Asht e bija e Ulë Kaqetës, burrë i pushkës dhe i fjalës, e cila nuk ka koritë as babë dhe as nanë që tash kalben në varr, që i kanë lanë plang e shtëpi dhe gjithçka të begatë.
Tringë ia thonë emrin. Ka dhe një vëlla, Curr Ulën, pika e djalit, të cilin ajo e do si sytë e dritës. Por Tringa paska lindë orëzëzë376, sepse vëllai tue luftue me shkja, u plagos randë nga dy plumba. Dhe tash u ba një vit që lëngon, pa mundë me u ngritë kurrë më kambë.
Natë e ditë motra tue ofsha, i rrinte mbi kokë, si nana i rri fëmjës te djepi dhe lotët nuk i thaheshinn kurrë në sy. I sillte mjek, i blente melheme, por ai i mjeri nuk po bahej mirë, fliste në jerm dhe priste vdekjen. Kurse ajo as nuk hante as nuk pinte dhe vetëm rrallë thërriste ndonjë shoqe për me e ndihmue.
Por kur po agonte, kishte mbetë vetëm, se edhe shoqet tashma ishin largue nga Nokshiqi me familje, që të mos vriteshin nga shkjatë.
Si e marrë mendsh për fatin e vëllait, u çue e mjera dhe doli te dera e shtëpisë, pa qiellin mbulue me tym, pa flakët e zjarrit që po përhapeshinn rreth e rrotull, ndigjoi krismat e pushkëve, mandej pa shkja që shtijshin dhe vritshin këdo pa mëshirë, që po i afroheshin shtëpisë së saj dhe një çast edhe ajo mendoi të ikte. Por kujtoi vëllain.
“Si mundem me e lanë Currin vetëm”, - tha me vete, - të shtrimë, kur askush nuk mund ta ndihmojë dhe shkjatë do ta vrasin menjëherë?”
Djersë të ftohta i ranë mbi ballë, donte të qante dhe nuk mundej, zemra i rrehte prej trishtimit. Nuk dinte e shkreta nga t’ia mbante. Veç të shkonte të mbytej në lumë. Apo të binte në duert e shkjave, të fliste gjuhën e tyne dhe t’u shërbente si robinë?
“Si nuk u shkëputka nji buzë ma për me më zanë nën vete?”- mendoi.
Shihte malazeztë që tue vikatë futeshin nëpër shtëpitë aty pranë, që vazhdojshin me vra dhe me grabitë dhe që pas pak do të arrijshin edhe në shtëpinë e saj.
Ashtu si suta që ndahet nga shoqet dhe turret si shigjetë në pyll, tue u dridhë nga frika, kur sheh gjuetarin që shtin, ashtu dhe Tringa vrapoi në shtëpi, e zbehtë si qiri, me buzë të nxime, mbërtheu shulin në derë dhe të rëqethuna nisën me i shkue nëpër shtat. Nga tmerri të gjitha sendet i dukeshin si të ishin shkja, me orendi, enë dhe rroba...
Në ata gjendje, dënesi, harroi veten, harroi dhe shkjatë, po jo vëllain, ndaj shkoi dhe i qëndroi mbi kokë, i puthi ballin, i puthi sytë dhe ia lau fytyrën me lotët e saj. Vëllai u përmend dhe kur pa se cirka i bijshin mbi fytyrë, mendoi se jashtë ishte tue ra shi, prandej e pyeti:
- Moj shtëpi që mbetsh shkret, po kaq shpejt çatia po të pikon?
- Jo, mor Curr, - i përgjigj motra, - nuk janë cirka shiu ato që pikojnë nga hatullat, por janë lotët e mi.
- Po ti, motër përse po qan dhe po ma ndan zemrën dysh, kur tashma shpirti po më del? Mos të kam lanë pa ngranë dhe pa pi, pa u veshun dhe stolisë si shoqet e tjera në Malësi, ose mos të paskam folë randë?
Atëherë motra i vuni dorën në ballë dhe iu përgjigj ambël:
- Çka po thua, mor vëlla, po kaq shumë jermi të ka turbullue? Ti nuk më ke folë kurrë randë, por si nuk t’u mëkamb ky shtat, për me dalë te dera, si nuk t’u tha motra nga vera, që unë të mos shkoj robinë te shkjatë?
Curri vranoi vetullat dhe i tha:
- Ç’thue Tringë, edhe pse unë do të kalbem nën dhe, ti nuk do të shkosh kurrë robinë te shkjatë, se fisi ynë nuk të len, pa derdhë gjak.
- Por ti nuk e di, mor vëlla, se shkjau ka ra në Nokshiq dhe po ban kërdi tue vra dhe plaçkitë!
Atëherë vëllai u zbeh, psherëtiu, hodhi sytë nga pushka, që nuk e kishte prekë me dorë që prej një viti, fryma iu mor dhe nuk tha ma asnjë fjalë.
Kur e pa të vdekun, Tringa nisi me vajtue, por edhe mendoi si do ta varroste, kur shkjau vazhdonte të vriste dhe të digjte...
Përjashta dëgjoheshinn zana malazezësh që mblidhshinn kashtë, për t’i dhanë zjarr një shtëpie aty pranë.
Atëherë Tringa nxitoi të futej dhe të fshihej në një arkë të madhe, por mandej u ndal dhe tha me vete:
“Ç’më duhet ma jeta, kur kam vëllanë të vdekun mbi dhe? “
Flakëroi drejt e në dhomë të burrave, ku ai dergjej i vdekun, e puthi edhe një herë në ballë, rrëmbeu hutën dhe mësyu nga dera, në oborr.
Dhe befas vuni re nji malazez të vrazhdë që po afrohej andej.
Kur pa Tringën, kujtoi se ndodhej para një zane dhe u betue për Shën Pjetrin e Cetinës, se sikur rrotull t’i binte botës, nuk do të gjendte kurrë vajzë ma të bukur sa ajo. Prandej vendosi ta merrte dhe ta shpinte robinë në shtëpinë e tij.
Kështu sulet nga Tringa, por ndalet kur sheh se ajo ka ngritë hutën drejt tij.
- Mos, moj bujareshë, - bërtet i tmerruem,- se po shof se vërtet qenke bijë fisi trimash!..
Por Tringa e qëllon drejt e në parzëm. Malazezi shembet si shkamb, por vajza nuk luen prej vendit, me synin si flakë baroti. Dhe kur përpiqet të fusë në hutë plumbin e dytë, një malazez tjetër aty në oborr, shtie dhe godet në ballë. Tringa bie e vdekun, me mollëzat e fytyrës të lame krejt në gjak.
Edhe dielli që ndriçonte për ditë mbi tokë, nuk kishte pa një vajzë shqiptare të binte gjallë në duert e shkjave..

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...