Agjencioni floripress.blogspot.com

2024/08/29

Akademik Prof.dr. Eshref Ymeri, PH.D : Synimet fashiste të Kremlinit ndaj Ukrainës


 

(Dy kryeshovinistët rusë - Putini dhe Medvedjevi - kërkojnë ta zhdukin fare nga harta Ukrainën, si shtet i pavarur dhe sovran).

      

Sulmi i Rusisë fashiste kundër Ukrainës nuk ishte absolutisht një tekë e rastit e klikës kriminale ruse, me në krye Putinin. Ai sulm ka parahistorinë e vet, me një shtrirje kohore prej gati 20 vjetësh. Në vitin 2005, Putini i qe drejtuar parlamenti rus me një mesazh të posaçëm, në të cilin shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik e pati karakterizuar si “katastrofën” më të madhe gjeopolitike të shekullit të kaluar. Rolin e “vajtores” për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, Putini, në vitet në vijim, vazhdoi ta luajë jo vetëm para publikut rus, por edhe para opinionit ndërkombëtar. Keqardhjen e tij të thellë për atë “katastrofë”, Putini ia pati shprehur në një intervistë edhe kinoregjisorit, skenaristit dhe producentit të njohur amerikan, Oliver Stoun (Oliver Stone - 1946).

       Shtatë muaj para sulmit të 24 shkurtit 2024, Putini pati shkruar një artikull të gjatë, me titull “Për unitetin historik të rusëve dhe të ukrainasve”, në botuar në sajtin e Kremlinit dhe në faqen e internetit “tass” të datës 12 korrik 2021. Artikulli fillon me paragrafin në vijim:

       “Para pak kohësh, gjatë emisionit “Linja direkt”, kur po i përgjigjesha pyetjes për marrëdhëniet ruso-ukrainase, theksova se rusët dhe ukrainasit janë një popull, janë një e tërë. Këto fjalë nuk janë detyrim ndaj ndonjë konjukture të caktuar ose ndaj rrethanave të tanishme politike. Këtë e kam thënë jo një herë, kjo është bindja ime”.

       Dhe në vazhdim, Putini, duke iu përmbajtur praktikës së vet të njohur të mashtrimeve politike, futet thellë në historinë mesjetare, për të “vërtetuar” se rusët dhe ukrainasit qenkan “një popull”.

Në kundërshtim me mashtrimet e Putinit, ja çfarë ka deklaruar një analist ukrainas:

Marrëdhëniet e tendosura mes ukrainasve dhe rusëve kanë qenë të përhershme. Ato nuk janë krijuar sot, ato shkojnë larg, e kanë zanafillën që nga kohët e Rusës Kieviane (me toponimin Rusa nënkuptohet emërtimi historik i tokave të sllavëve lindorë dhe të shtetit që qe krijuar atje në shekujt e mesjetës - E.Y.), kur princët rusë që gjoja i përkisnin së njëjtës etni, thereshin me njëri-tjetrin që si e si të hidhnin në dorë fronin e Kievit. Megjithatë, nuk kemi ndër mend të futemi thellë në histori. Do ta fillojmë nga viti 1618, kur hetmani  (komandant i trupave kozake, - E.Y.) ynë lavdimadh Sahajdaçni (1582-1622), së bashku me zaporozhasit e vet të lavdishëm, i kalli datën Rusisë dhe për pak sa nuk pushtoi Moskën. Unë mendoj se pikërisht që asokohe rusët i kanë marr zët ukrainasit. Dhe kjo është e kuptueshme: moskovitët asokohe i mbushën pantallonat. Mandej pasoi beteja në afërsi të Konotopit (qytet i krahinës Sumskaja në verilindje të Ukrainës - E.Y.), kur një tjetër hetman i shquar, Vigovski (1608-1659) u dha dërrmën trupave cariste. Kanë pas qarkulluar llafe asokohe se cari rus kaq keq i paskej mbushur pantallonat, saqë ia kishte mbathur nga Moska, nga frika se mos kozakët do të shkonin për të hedhur në dorë shpirtin e tij mëkatar. Paskëtaj kanë qenë jo të pakta betejat e ukrainasve në aleancë herë me polakët, herë me turqit, herë me suedezët, herë me gjermanët kundër rusëve. Prandaj nuk pinë ujë hipokrizitë dhe rrëfenjat me përralla për “miqësinë shekullore mes popujve vëllezër”, sepse, në të vërtetë, nuk ka pas ekzistuar kurrfarë miqësie. Sepse ata, me të cilët ju gjoja keni pasur miqësi, nuk kanë qenë ukrainas dhe djalli e merr vesh se kush kanë qenë ata, sepse ukrainasit e vërtetë asnjëherë nuk hynin në marrëdhënie miqësore me ata që iu kanë bërë të liga. Po, po! Dhe nuk është nevoja të shtrembëroni turinjtë dhe t’i hapni sytë kokërdhok nga qielli. Ju menduakeni se treqind vjet bashkëjetesë në një shtet të vetëm kanë qenë periudhë idilike fund e krye, se, demek, ukrainasit dhe rusët kanë jetuar në paqe dhe në lumturi? Por ne, ukrainasit, nuk jemi të këtij mendimi. Ne e mbajmë mend shumë mirë sesi carët tuaj, bashkë me careshat tuaja, ndalonin përdorimin e gjuhës sonë, se si ata po e shfarosnin vetvetësinë (identitetin) tonë, duke mos lejuar përdorimin e emërtimit “Ukraina” (që do të thotë krahinë kufitare dhe që në fundin e shek XVIII rusët filluan ta quanin “Rusia e Vogël” - E.Y.) dhe “ukrainas”, duke i zëvendësuar ato me emërtimet idiote “Rusia e Vogël” dhe “rus i vogël”; se si sundimtarët tuaj i torturonin me armën e urisë stërgjyshërit tanë dhe i vrisnin për të vetmen arsye se ata donin të jetonin të lirë në shtetin e tyre të pavarur… Prandaj, në qoftë se dëshironi që ukrainasit të mos ju urrejnë më, në qoftë se keni qejf ta ktheni atë që nuk ka pas ekzistuar kurrë, ja se çfarë duhet të bëni: cari juaj i gjithë Rusisë, Vovoçka Putin, le të vijë në Kiev, të kalojë në Sheshin Meidan (ukrainasit e quajnë Maidan, fjalë kjo me prejardhje nga persishtja që emërton çdolloj mjedisi të hapur, parku apo sheshi në tërësi - E.Y.), të bjerë në gjunjë dhe, në emër të të gjithë popullit rus, t’i kërkojë ndjesë popullit ukrainas… Pastaj le të shporret nga toka jonë e shenjtë. Dhe, në ikje e sipër, le të ndalet në çdo qytet, në çdo fshat dhe të kërkojë ndjesë për të gjitha ato të liga që carët, perandorët dhe sekretarët e përgjithshëm kanë bërë në tokën e Ukrainës!” (Citohet sipas: Vadim Gontarenko. “Pse ukrainasit kanë urrejtje për rusët”. Faqja e internetit “UAINFO”. 22 shkurt 2014).   

Kur mbarova së lexuari këtë analizë interesante, menjëherë më erdhi ndër mend një strofë mjaft kuptimplote nga një poezi e poetit të shquar kombëtar ukrainas, Taras Shevçenko (1814-1861), të cilin perandori Nikollai I (1796-1855), për përmbajtjen e poemës “Ëndrra”, e pati ndëshkuar rëndë, duke e degdisur në stepat e humbura të Kazakistanit dhe të Kirkizisë për kryerjen e shërbimit ushtarak:

Brune, bëni qejfin tuaj,

Por jo me moskalë*,

Se moskalët janë të huaj,

Kanë për t’ju tallë.

Pra, zanafilla e tërmeteve politike mes këtyre dy shteteve është shumë e hershme. Heroi kombëtar i popullit ukrainas, Bogdan Hmelnjicki (1595-1657), në Kuvendin e Perejasllavit, të mbledhur më 18 janar 1654, shpalli bashkimin me Rusinë, mbi bazën e të drejtave të barabarta në kuadrin e dy shteteve të përbashkëta. Por pas vdekjes së Hmelnjickit, shovinizmi rusomadh e zhduku dokumentin e firmosur prej tij që vërtetonte barazinë e plotë mes të dy shteteve, me qëllim që ta shndërronte Ukrainën në koloni të vetën. Ishte pikërisht pabesia e shovinizmit rusomadh ajo që e detyroi të birin e Bogdan Hmelnjickit, Juri Hmelnjickin (1641-1685), t’i shkëpuste lidhjet me Rusinë. Më vonë Ukraina përsëri ra nën zgjedhën e carizmit rus, zgjedhë kjo që vazhdoi deri në Revolucionin e Tetorit, por që u bë edhe më e egër nën sundimin e komunistëve sovjetikë.

Gati një vit pas sulmit të 24 shkurtit, Putini i dha në Moskë një intervistë gazetarit të njohur amerikan Taker Karlson (Tucker Carlson - 1969), themelues i videoplatformës “Tucker Carlson Network”. Nuk dihet me saktësi nëse Karlsoni kishte qenë vetë i interesuar për t’ia marrë atë intervistë Putinit, apo Putini e pati ftuar paraprakisht për t’i dhënë një intervistë të tillë. Sidoqoftë, një gjë është e qartë: Karlsoni njihet si simpatizant i thekur i Donald Trampit dhe ky njihet mirë si simpatizant i Putinit.

Një gazetar dhe shkrimtar anglez shkruan:

“Në dhjetor (2015 - E.Y.), disa muaj para se Trampi të propozohej nga partia republikane si kandidat për president, Putini e pati quajtur “njeri të ndritur, të talentuar, pa as dyshimin më të vogël…”. Trampi, nga ana e vet, u shpreh për Putinin me simpati, duke e quajtur “udhëheqës të fortë”, me të cilin do të dëshironte të kishte marrëdhënie shumë të mira… Mjetet ruse të informimit masiv janë kryesisht në mbështetje të Trampit, i cili, në financimin e bizneseve të veta me pasuri të paluajtshme, tradicionalisht, vazhdon t’i var shpresat te paratë ruse” (Citohet sipas: Julian Borger. “Nuk ka dyshim që Putini përkrah Trampin”. Faqja e internetit e gazetës “The Guardian”. 26 korrik 2016).

Në intervistën që i dha gazetarit Karlson, të botuar në gazetën “Komsomolskaja pravda” më 08 shkurt 2023, Putini, për të justifikuar edhe para opinionit publik amerikan sulmin fashist kundë Ukrainës të një viti më parë, i parashtroi atij të njëjtat mashtrime, si edhe në artikullin e lartpërmendur të 12 korrikut 2021.

Mashtrimet e Putinit ishim me të vërtetë skanaloze. Mosreagimi i gazetarit ndaj atyre mashtrimeve, e nxori edhe shumë më tepër në pah mjerimin e tij, si një përfaqësues i një mjeti amerikan të informimit masiv pa formim intelektual. Në vend që të reagonte, duke i hedhur poshtë ato mashtrime, gazetari jo vetëm që pohonte me kokë për çdo gjë, por madje arriti deri aty, saqë i krehu bishtin Putinit me shprehjen “dijet tuaja janë enciklopedike”!!!

Kur Putini deklaroi se “rusët dhe ukrainasit janë një popull”, Karlsoni heshti si mumje, në vend që të reagonte me pyetjen:

“Nëse qenkan një popull, atëherë ata qenkan një etni dhe paskan një gjuhë të përbashkët, apo jo?”.

Një pyetje të tillë mund t’ia bënte Putinit për ta zënë “mat” vetëm një gazetar me përgatitje enciklopedike, por jo Karlsoni gjysmak nga formimi intelektual dhe profesional në raport me historinë e marrëdhënieve të Rusisë me Ukrainën. Sepse gjuha është treguesi dhe themeli i identitetit kombëtar. Si tepër e ndjeshme ndaj dukurive të sociumit (kolektiv, mori njerëzisht që karakterizohen nga përbashkësia e jetës shoqërore, ekonomike dhe kulturore), gjuha pasqyron veçoritë karakteristike për çdo nivel shoqëror dhe shërben si tregues i statusit social të individit. Si fenomen sociokulturor, gjuha paraqitet si faktor i identitetit kombëtar. Pozicioni gjeografik, nuncat politike dhe zhvillimi historik kanë bërë që, në kohën e tanishme, gjuha ruse të dallohet dukshëm nga gjuha ukrainase. Fjala vjen, shkronja “e” ndryshe shqiptohet në rusisht, ndryshe në ukrainisht. Tregues thelbësor i ndryshimeve gjuhësore është leksiku. Leksiku i ukrainishtes ka më shumë ngjashmëri me disa gjuhë europianolindore, sesa me rusishten. Kështu, vihen re 23 tipare të përbashkëta të ukrainishtes, të polonishtes dhe të sllovakishtes, kurse me rusishten vetëm 11 tipare. Dhe një gjë të tillë e vërteton leksiku më së miri. Rusishtja dallon thelbësisht nga ukrainishtja edhe për arsye se në këtë të fundit përdoret rasa thirrore. Për arsye të rregullit të kombinimit, sipas të cilit tinguj zanorë ose bashkëtingëllorë në ukrainisht nuk përdoren njëri pas tjetrit, kjo gjuhë konsiderohet më melodike se rusishtja. Sigurisht që dallimet mes rusishtes dhe ukrainishtes janë shumë më të mëdhaja. Kryesorja është që këto janë dy gjuhë të ndryshme, në të cilat janë ndjekur rrugë të ndryshme zhvillimi, çka do të thotë se janë gjuhë më vete, secila me veçoritë e saj. Prandaj deklarata e Putinit, sipas të cilit “rusët dhe ukrainasit janë një popull”, është një gënjeshtër me bisht, një mashtrin i kulluar, me të cilin ai ka për qëllim të justifikojë sulmin fashist të 24 shkurtit 2022, sulm ky që e kanë përkrahur dhe vazhdojnë ta përkrahin shumica dërrmuese e popullit rus dhe  kisha shoviniste ruse. Në mjetet e informimit masiv është dhënë informacioni në vijim:

“Sot, më 20 gusht 2024, në Ukrainë qe marrë një vendim historik. Parlamenti ndaloi me ligj veprimtarinë e kishës ruse në Ukrainë. Parlamenti aprovoi ligjin”. (Citohet sipas: “Kishën ruse e ndaluan në Ukrainë. Parlamenti aprovoi ligjin”. Faqja e internetit “my.novini”. 20 gusht 2024).

Ndërkohë, duhet theksuar se qëndrimi shovinist i Rusisë fashiste ndaj Ukrainës, nuk përmblidhet vetëm në pikëpamjet e kryekriminelit Putin. Ai qëndrim, dy vjet pas sulmit të 24 shkurtit 2024, zbulohet fare lakuriq në figurën e një tjetër kryekrimineli rus, siç është Dhimitër Medvedjevi. Putini dhe Medvedjevi kanë vite që njihen si “Loli dhe Coli” i Kremlinit, duke ndërruar disa herë me njëri-tjetrin postin e presidentit dhe të kryeministrit. Në këndvështrimin e Medvedjevit, Ukraina duhet të zhduket fare nga harta si shtet i pavarur dhe sovran.

       Instituti i studimit të luftës (Institute for the Study of WarISW) është një qendër analitike amerikane, të cilën, në vitin 2007, e ka themeluar Zonja Kimberli Kagan (Kimberly Kagan - 1972), historiane ushtarake amerikane, presidente e institutit në fjalë. Ky institut kryen studime në fushën e mbrojtjes dhe të çëshjeve ndërkombëtare. Informacioni i këtij instituti hedh dritë mbi synimet e vërteta fashiste të Kremlinit ndaj Ukrainës:

“Paqja për Rusinë do të thotë fundi i Ukrainës, si shtet i pavarur dhe sovran në çfarëdolloj kufijsh: më 14 mars këtë e pohoi haptazi ish-presidenti i Federatës Ruse Dhimitër Medvedjevi, pasi parashtroi të ashtuqujturën “formulë ruse të paqes”, një formujlë kjo e egër dhe e paapelueshme. Për këtë bëhet fjalë në një parashikim të ri të Institutit të studimit të luftës.

Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dhimitër Medvedjevi, ka botuar një thirrje të hollësishme për shfarosjen e plotë të shtetit ukrainas dhe gëlltitjen e tij nga Federata Ruse, duke e quajtur këtë plan “formula e paqes ruse”. Analistet e ISW theksojnë se kërkesat e Medvedjevit nuk janë të reja, ato përfaqësojnë më shumë synimet e vërteta të Kremlinit ndaj Ukrainës, synime këto, të cilat nuk hapin shteg për bisedime me tjetër qëllim, përveç parashtrimit të kushteve konkrete për kapitullimin e plotë të Ukrainës. Që në fillim të “planit paqësor”, të shtruar prej tij, Medvedjevi e hedh poshtë sovranitetin e Ukrainës, duke e qujajtur atë “ish” vend dhe duke e vendosur në thonjëza toponimin “Ukrainë”. Më poshtë, Medvedjevi ka parashtruar shtatë pika të “formulës së paqes”, sipas tij, të cilën ai, në një mënyrë tallëse plot mllef, e ka quajtur “të qetë”, “realiste”, “humane” dhe “të butë”. Ja çfarë parashikohet konkretisht në ato shtatë pika:

1. Pranimi nga ana e Ukrainës i disfatës ushtarake, kapitullimi i plotë dhe pa kushte i Ukrainës dhe “demilitarizimi” i plotë.

2. Pranimi nga ana e krejt bashkësisë ndërkombëtare i “karakterit nazist” të Ukrainës, shoqëruar me “denazifikimin” e autoritetit ukrainas.

3. Deklaratë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për zhveshjen e Ukrainës nga statusi i shtetit të saj sovran, në përputhje me të drejtën  ndërkombëtare, si edhe deklarata se çdo shteti-trashëgimtar të Ukrainës do t’i ndalohet të rreshtohet në çfarëdo aleancash ushtarake, pa pëlqimin e Rusisë.

4. Dorëheqja e të gjitha organeve kushtetuese të pushtetit të Ukrainës dhe zhvillimi i menjëhershëm i zgjedhjeve parlamentare për një “parlament të përkohshëm”.

5. Pagesa e reparacioneve Rusisë nga pala ukrainase.

       6. Pranimi zyrtarisht nga ana e “parlamenti të përkohshm” (që gjoja do të zgjidhet pas dorëheqjes së pushtetit të tanishëm të Ukrainës) i faktit që krejt territori i Ukrainës është pjesë e Rusisë dhe aprovimi i aktit të “ribashkimit të Ukrainës me Federatën Ruse” dhe përfshirjes së saj në të.

7. Shpërndarja e këtij “parlamenti të përkohshëm” dhe njohja nga ana e Organizatësë së Kombeve të Bashkuara e “ribashkimit” të Ukrainës me Rusinë...” (Citohet sipas: “Kapitullimi i Ukrainës në shtatë pika. Që nga fillimi i sulmit, Medvedjevi i ka sqaruar shumë më qartë synimet e vërteta të Federatës Ruse në luftë: ç’do të thotë kjo?” Faqja e internetit “New Voice”. 15 mars 2024).

Ky qëndrim prej sllavi i popullit rus, të cilit s’i bëjnë kurrfarë përshtypjesh krimet barbare të ushtarëve të tij kundër popullsisë civile në Ukrainë, shkatërrimet me raketa të pallateve të banimit, të objekteve të artit dhe të kulturës dhe përgjithësisht të infrastrukturës në atë vend, më solli ndër mend një shprehje mjaft kuptimplote të arkitektit amerikan Frank Lloid Rait (Frank Lloyd Wright - 1867-1959), të vlerësuar si krijues të “arkitekturës organike”. Ajo shprehje i shkon mjaft për shtat natyrës së marrëdhënieve të kryekriminelit Putin me popullin e vet. Ai ka thënë:

“Madhështia e një despoti e ka burimin jo në vlerat e tij personale, por në poshtërimin e turmës që e rrethon”.

Dhe me të vërtetë, turmat e popullit rus janë aq të poshtëruara nga kryedespoti i Kremlinit, saqë të kujtojnë bujkrobërit e çifligarëve që përshkruan shkrimtari Nikollaj Gogoli (1809-1852) në romanin e famshëm “Frymë të vdekura”. Por, në të njëjtën kohë, ato turma janë kaq të indoktrinuara me frymën e shovinizmit rusomadh, saqë janë bërë mbështetje e fuqishme e klikës fashiste të Kremlinit për pushtime territoresh të huaja. Ky indoktrinim ka traditë të kahershme në Rusinë cariste dhe ka ardhur e është bërë shumë më tepër agresiv, sidomos gjatë sundimit të Pjetrit I (1672-1725), Ekaterinës II (1929-1796), Leninit (1870-1924), Stalinit (1878-1953) dhe Putinit (1952). Pikërisht pesha e rëndë e këtij indoktrinimi të fuqishëm shovinist, ka bërë që turmat ruse të ditëve tona të mos ndiejnë kurrfarë shqetësimi nga vrasja e më shumë se 600 mijë ushtarëve dhe oficerëve rusë në Ukrainë që prej sulmit fashist të 24 shkurtit të vitit 2022. Domosdo, ato turma të verbra ruse, mbartëse të psikologjisë prej sklavi brez pas brezi, e kanë më të shtrenjtë pushtimin e territoreve të huaja, sesa jetën e bijve të tyre. Ato turma prisnin me ngazëllim se ushtria fashiste ruse do të pritej me lule në rrugët e Kievit, ashtu si turmat pararendëse ishin të bindura se ushtria sovjetike, pas sulmit fashist kundër Finlandës më 30 nëntor 1939, do ta festonte fitoren nëpër rrugët e Helsinkit me rastin e ditëlindjes së Stalinit më 21 dhjetor. Po ashtu, turmat e verbëra të popullit rus prisnin se pas sulmit fashist që ushtria sovjetike ndërmori kundër Afganistanit më 24 dhjetor 1979, ajo do të pritej me lule nëpër rrugët e Kabulit. Por, për arsye të forcës mitike të atij popullit të vogël finlandez, ushtria fashiste sovjetike e pagoi atë sulm me 127 mijë ushtarë dhe oficerë të vrarë, të ngrirë në dëborë dhe të zhdukur pa lënë gjurmë, kurse sulmin  kundër Afganistanit e shleu me 30 mijë të vrarë dhe 60 mijë të sakatuar. Pra, luftërat agresive, Rusia fashiste i ka përfunduar me turp. Me siguri që edhe lufta agresive kundër Ukrainës ka për të përfunduar me turp për Rusinë. Më këtë luftë, klika fashiste e Kremlinit dhe shumica dërrmuese e populit shovinist rus, shpresonin se, duke pushtuar Ukrainën, të cilën ëndërrojnë ta zhdukin nga harta si shtet të pavarur dhe sovran, dhe duke e ribashkuar përfundimisht me Federatën Ruse, do të çliroheshin  një herë e mirë nga smira dhe xhelozia që i ka brejtur pa pushim ndaj Ukrainës pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Ajo smirë dhe xhelozi i ka bërë krerët e Kremlinit dhe pjesën më të madhe të popullit rus, të mos e pranojnë të vërtetën historike që Ukraina është djepi i kulturës sllavianolindore dhe Kievi kryeqendra e saj. Sepse Kievi është themeluar në vitin 482, kurse Moska - 665 vjet më vonë, në vitin 1147. Edhe Moskën e pati themeluar princi ukrainas Juri Dollgoruki (1090-1157).

Lexuesve të nderuar iu rekomandoj të ndjekin në youtub materialin me titull “Video allegedly shows captured Russian soldiers in Kursk”, në mënyrë që të shikojnë se në ç’derexhe janë katandisur  ushtarët e ushtrisë “së dytë në botë”!

Kaliforni, 22 gusht 2024

-----------------------------------

*moskal - nofkë përbuzëse që u qe ngjitur rusëve shekuj më parë në Ukrainë dhe në Bjellorusi.

 

2024/08/22

Intervistë me poeten shkodrane FARIDA Ramadani ( Zmijani) / Përfaqësimi dinjitoz i poetes Shkodrane në tribunat e Kosovës

 

Intervistë me poeten shkodrane FARIDA Ramadani ( Zmijani) / Përfaqësimi dinjitoz i poetes Shkodrane në tribunat e Kosovës

0
1244
Intervistoi : Flori Bruqi

Farida Ramadani : Faleminderit Flori Bruqi per intervisten . Pjese mikpritjesh kulturore dhe kombetare me shqiptaret e Kosoves

Agjencioni Floripress : 2018-02-05

Floripress: Zj Farida si do ta përkufizoje veten si poete, shkrimtare, redaktuese apo veprimtare?

Të gjitha janë pjesë e punës sime. Kam botuar pesë libra dhe për pak ditë nxjerr dhe botimin tim të gjashtë që ia përkushtoj profesionit tim si mësuese “ Një jetë në 36 shkronja”. Shkruaj poezi dhe prozë dhe kam bërë disa redaktime librash. Jam veprimtare e palodhur për çështjen kombëtare. Kam realizuar dhe pjesëmarrëse active në shumë veprimtari kombëtare në Shqipëri, Kosovë, Mal te Zi dhe Maqedoni. Krahas pasionit si poete edhe nga këto veprimtari kam krijuar mjaft miqësi nga të gjithë viset shqiptare.

Floripress : Farida tashmë jeni bërë mjaft e njohur dhe e respektuar në Kosovë nga takimet e shumta letrare si pjesëmarrëse në disa qytete të Kosovës. A vini me dëshirë dhe si bëhet pjesëmarrja juaj? 

Po! Kam ardhur mjaft shpesh në Kosovë dhe tashmë kam mjaft miq e mikesha këtu por jo vetëm në Kosovë por jam mjaft aktive dhe në Maqedoni, Mali i Zi, në Diasporë

Floripress: Si realizohen aktivitetet letrare dhe si bëheni pjesëmarrëse?

Unë ndjek njoftimet që shoqatat apo klubet postojnë në rrjetet sociale apo dhe përsonale, aplikoj dhe kur përzgjidhem si pjesëmarrëse shkoj. Duhet të kemi parasysh se përzgjedhja ime bëhet ndër disa dhjetra poetë dhe që këtu e quaj veten të vlerësuar pasi jashtë konkurimit lihen disa poetë.

Floripress : Në cilat qytete keni qenë e përzgjedhur, apo e thenë ndryshe ku jua kanë dhënë mundësinë të konkuroni?

Në shumë qytete mbase dhe disa here si në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Ferizaj, Podujevë, Kastriot , Pejë ku jam vlerësuar dhe me çmim, Istog dhe dua të veçoj pjesëmarrjen dy herë radhazi dhe në Vushri të cilët organizojnë vetëm me poetesha dhe që organizimi vlen për tu përmendur nga larmia e aktiviteteve që realizojnë. Krahas aktivitetit letrar jam njohur me traditat, mikpritjen, bujarinë dhe shumë cilësi të mira të kosovarëve. Por më kanë mbetur shumë qytete pa i parë për të cilët jam shumë kurioze ti njoh. Shpresoj në takimet e ardhshme. Mendoj se jam ndër poetet më aktive e veriut të Shqipërisë në të gjitha viset shqiptare.

Floripress : Çmund të na thuash për udhëtimin nga Shkodra, a është i lodhshëm dhe a ju mbulojnë shpenzimet organizatorët.

Shumë e vështirë është të vish nga Shkodra pasi ne nuk kemi linjë direkte për në Kosovë. Më duhet të pres autobusin nga Tirana në Milot të cilin e rezervoj me telefon një ditë para dhe deri në milot shkoj me linjat tona. Herën e pare kur kam qenë në Istog(Burim) nuk do ta harroj pasi kam ndërruar katër makina dhe arrita në fund të takimit letrar. Një lodhje e paparë pa përmendur shpenzimet. Kohët e fundit është një autobus por për orarin e takimeve është i pafavorshëm.

Në përgjithësi organizatorët mbulojnë akomodimin dhe ndonjë dreke por shpenzimet e rrugës pothuajse të gjitha i mbuloj përsonalisht. Normalisht lodhem se janë rreth 10 orë vajtje ardhje dhe kam shpenzime. Një ditë duke qeshur me miqtë e mi poetë i thashë se po të bëjmë ndonjë llogari për të gjitha takimet letrare Kosova më ka borgj më shumë se 500 euro ha ha ha.

Por ka ndodhur ndonjëherë që përtoj të vi ose nga moti i keq por miqtë që kam nuk më lënë duke më “dhënë urdhër” që të shkoj patjetër pasi e duan praninë time ha ha ha. Pastaj ne shkodranët jemi mjaft miqësor por dhe humori është cilësia që na karakterizon. Më pëlqen të udhëtoj , është një nga hobet e mia prandaj nuk më mposht lodhja, ha ha ha.

Floripress : Çmund të thuash për çmimet në takimet letrare poetike, a janë të merituara pasi ka dyshime nga poetët në përgjithësi.

E, e, e do dëshiroja të mos flas rreth kësaj pyetjeje pasi jam pak skeptike. Unë që në momentin që përzgjidhem si pjesëmarrëse e quaj veten finaliste,. Më mjafton që poetët kur interpretoj poezitë më përgëzojnë dhe shpeshherë më kanë thënë se duhet të jem fituese por më duket sikur çmimet vendosen si vendosen dhe nuk dua të jap mendime rreth kësaj pasi nuk dua të jem e paragjykuar.

Floripress: Nga disa takime ku kam qenë present vërtetë që poetët I vlerësonin poezitë tuaja dhe shpreheshin me respekt për ju. Epo lodhja , shpenzimi duartrokitjet e poetëve mbase do trokasin ndonjëherë pranë jurive.

Fjala jote në veshin e Perëndisë – ha ha ha. Të gjithë shkojmë për të konkuruar por nuk dua ta fsheh se çmimet na motivojnë dhe na frymëzojnë dhe patjetër që do i mirëprisja. Sidoqoftë ndjehem mirë pranë poetëve, miqësisë që më oftojnë, bujarisë që shprehin dhe ngrohtësisë kosovare.

Floripress : Faleminderit dhe suksese e nderuara poete Farida Ramadani

Faleminderit ju për intervisten! Faleminderit Kosovë! Respekte për të gjithë poetët!

Administratori i rreptë i kohës së vet

 

               





             AKADEMIK  PHD. ESHREF YMERI 

Administratori i rreptë

i kohës së vet

 

Vitin e kaluar, Shtëpia Botuese “Klubi i Poezisë” nxori nga shtypi dhe hodhi në qarkullim librin e Akademikut Prof.dr. Flori Bruqi, me titull “Diademë Letrare V”.


Në serinë e veprave të botuara deri tani, ky është libri i 70-të i tij.

Kjo prodhimtari e jashtëzakonshme e këtij intelektuali të shquar në fushën e letrave, me solli në kujtesë një personalitet të njohur amerikan. Ky është Stiven Kovi (Stephen Covey  1932-2012), konsulent për çështjet e orientimit në jetë. Është i njohur si lektor dhe si autor i librit me titull “Shtatë shprehitë e njerëzve me prodhimtari të lartë”. Në këtë libër ai propozon një trajtim të sistemuar të përcaktimit të qëllimeve dhe të përparësive në jetën e një krijuesi. Ai rrëfenn se si duhen formuluar dhe arritur qëllimet që krijuesi i ka vënë vetes. Ai thekson se nuk duhen pritur çudira, rezultate dhe ndryshime pozitive do të arrijnë vetëm ata që janë të gatshëm ta kalitin durimin me këmbëngulje dhe ta administrojnë kohën me kërkesa të rrepta ndaj vetvetes.

Në të gjitha periudhat e jetës, mendjet e ndritura kanë pasë shtruar pyetjen se si kalon koha, duke dashur që të gjejnë mënyra për ta shfrytëzuar me përfitim për vetveten.

Albert Ajnshtajn (Albert Einstein - 1879-1955) ka thënë:

“Njihen mijëra mënyra për të vrarë kohën, or askush nuk e di se si ta ringjallësh atë“.

Krijimtaria e akademikut Flori Bruqi shtrihet në disa fusha të dijes. Ky libër, i shtatëdhjeti në serinë e pasur të botimeve të tij, dëshmon  pa mëdyshjen më të vogël se ai karakterizohet nga një forcë e jashtëzakonshme e vullnetit.

Intelektualë të formatit të akademikut Flori Bruqi, janë nderi dhe krenaria e mbarë kombit shqiptar. Intelektualë të tillë duhen nderuar dhe çmuar siç e meritojnë, sepse ata janë model për brezin e ri në shfrytëzimin e kohës me rendiment të lartë. Është e çuditshme se si është e mundur që krerëve të shtetit nuk u paska rënë në sy veprimtaria krijuese e akademikut Flori Bruqi, e pasqyruar në shtatëdhjetë libra të botuar deri tani, për çka ai duhej nderuar me medaljen më të lart “Nderi i Kombit”.

Kaliforni, 03 gusht 2024

2024/08/20

Akuza e fortë e Sali Berishës: Në tunelet tona po groposen mbetje toksike

 



Kreu i PD-së Sali Berisha bëri akuza të forta mbrëmjen e kësaj të enjteje për çështjen e kontejnerëve me mbetje të rrezikshme të refuzuara nga Tajlanda dhe që thuhej se vinin nga Shqipëria. Berisha thotë se ato janë nisur nga kompani të lidhura me qeverinë.

“Shteti nga u nisën zbaton kodin Omerta, kodin e mafies, heshtjen e varrit, pavarësisht se janë rreth 140 kontejnerë. Pavarësisht se janë ngarkuar nga porti i Durrësit. Pavarësisht se janë helme të rrezikshme. Nuk ka dyshim që kemi të bëjmë me një biznes kriminal të rrezikshëm, shumë të rrezikshëm për jetën, shëndetin e shqiptarëve.

Kemi të bëjmë me një biznes kriminal të rrezikshëm të Edi Ramës dhe klanit të tij qeveritar. Më thoni mua, si ka mundësi në një vend të prodhohen mijëra ton mbetje toksike dhe të jenë jetime? Të mos dalë prodhuesi i tyre? Të mos u dalë zot prodhimeve? Si ka mundësi që asnjë institucion që paguhet për kontroll të çdo gjëje që prodhohet në këtë vend, të çdo eksporti nga ky vend, të mos thotë dot një fjalë të vetme?

Cili qenka ai biznesmen i aftë që asgjëson çdo inspektorat në Shqipëri, që asgjëson dogana, tatime, kontrolle e gjithçka tjetër dhe nis në det mijëra e mijëra ton helme lëndë toksike? Jo, ky nuk mund të jetë një biznesmen, ky mund të jetë vetëm kryepadrinoja e Shqipërisë, Edi Rama me klanin e tij” – akuzoi Berisha që deklaratat i çoi edhe më tej.

Sipas tij në tunele po groposen mbetje të rrezikshme duke kujtuar premtimin e Ramës për të marrë mbetjet e Sirisë.

Unë duhet t’u them shqiptarëve se prej disa kohësh qarkullojnë lajme se në tunelet e Shqipërisë groposen helme të tmerrshme. Natyrisht unë duhet të jem i sinqertë, përveç lajmit nuk kam arritur të kem në dorë një fakt konkret, sepse kurrë nuk do ta lija pa e bërë publik. Por groposja në tunelet e vendit të helmeve është një krim monstruoz ndaj shqiptarëve kur ke parasysh se ujërat nënujore të këtij vendi janë edhe më të shumta se ujërat mbitokësore të tij.

Nuk them, nuk kam fakte, por ama mijëra ton lëndësh lënë me të drejtë të dyshohet se këtu ndodhin procese të tmerrshme, të fshehta, sekrete për pasurimin e Edi Ramës dhe të bandave të tij në pushtet. Çfarë janë ato? Një gjë është e sigurt që në 32 vite kjo nuk ka ndodhur kurrë. Këtu ka furrnalta kromi, hekuri, alumini. Mbetjet e tyre ata i kanë të kodifikuara se ku i transportojnë dhe ku i eksportojnë.

Kurse këto ishin një akt supermafioz, u nisën për në Trieste, u ndaluan. U kthyen për në Tajlandë, Tajlanda sapo e mori vesh, i ktheu për në Shqipëri, nuk keni punë këtu. Çfarë janë këto helme që shëtisin nga një det në një tjetër dhe Edi Rama, Pirro Vëngu, Lubi Balluku heshtin si fija e barit. E kujt është kontrata? Cilat janë lëndët që vijnë dhe shkatërrohen në Shqipëri dhe mbetjet e tyre eksportohen dhe nuk i pranon njeri se janë helme toksike?” – tha Berisha.

Ai i bëri thirrje OKB-së, OSBE-së dhe NATO-s të sjellin një komision verifikimi pasi në rrezik është jeta dhe siguria e një vendi.

“Unë kam një thirrje për Organizatën e Kombeve të Bashkuara, me urgjencë të sjellë një komision. Thirrje për OSBE-në, të sjellë një komision.Thirrje për NATO-n, të sjellë një hetim se në lojë, në rrezik është jeta, siguria e një vendi dhe një kombi nga një aventurier, nga një kriminel kryeministër që për pasurimin e tij është i aftë të kryejë çdo krim, është i aftë të fshehë çdo krim” – tha Berisha.

Sali Berisha: Edvin Rama kërcënoi Ervis Martinin, po tenton të lirojë Dritan Dajtin

 


berisha


Kreu i PD-së Sali Berisha bëri akuza mjaft të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ministrave të tij duke i akuzuar për lidhje me grupet kriminale. Në fjalimin e radhës për mbështetësit e tij në tubimin pranë banesës, Berisha tha se me të ardhur në pushtet, “Edi Rama si shpërblim ndaj bandave kriminale, liroi një e nga një vrasësit serialë të dënuar përjetë”. Madje sipas Berishës po bën të gjitha përpjekjet të lirojë edhe Dritan Dajtin.

“Ndërhyri në çdo rast dhe liroi faktikisht të gjithë përveç njërit. Ka bërë dhe bën përpjekje direkte kriminale për të liruar Dritan Dajtin, vrasësin e katër dëshmorëve, katër oficerëve të policisë. Sepse Edi Rama ka qenë dikur i kontrolluar kryekëput nga Dajti dhe sot ai kërkon reston. Të dashur miq, ju dëgjoni për vrasje, për plagosje, për vjedhje.

Por mos harroni se në të gjitha këto raste pa përjashtim qëndron një zyrtar, qëndron një deputet, qëndron një qeveritar, qëndron vetë Edi Rama. Po, po! Krimi solli Saimir Tahirin. Askush nuk e mori vesh, por truproja e tij u ekzekutua duke folur në telefon me Tahirin. Kjo është e vërteta dhe ndodhi në mes të Tiranës.

Pastaj dolën Habilajt, këta trafikantë të rrezikshëm për Shqipërinë dhe Italinë, që përdornin skafin, përdornin veturën, përdornin të gjithë pushtetin e tij. Krimi, pasi e largoi antimafia italiane Tahirin nga detyra, solli në pushtet Xhafën. I vëllai i tij, një kriminel i pamëshirshëm, një drejtues rrjeti ndërkombëtar droge në Bolonjë dhe Venezuelë.

Përfundoi rendi tek Taulant Balla, i akuzuar për porositës vrasjesh në sallë gjyqi. I akuzuar se ka urdhëruar vrasjen e avokatit që pa dokumentet se Taulant krimineli kishte porositur vrasje. I shpëlarë nga akuza, nga serial-killeri Nuredin Dumani, që do thoshte në rrëfimet e tij se nuk është Taulanti që urdhëroi futjen e revoles për të arrestuar Manahasën, në një kohë kur ata nuk kishin asnjë lidhje.

U mbajtën muaj të tërë në burg për Tualet kriminelin” – tha Berisha që hodhi dyshime se në eliminimin e Brilant Martinajt në urën e Fushë Krujës është e përfshirë edhe policia.

“A nuk ishte Edi Rama që do i thoshte Ervis Martinit se ta dimë targën? A nuk u ekzekutua kushëriri i tij në urë, dhe vrasjet në urë, në të gjitha kohërat, janë vrasje policie? A nuk ishte Ervis Martini që në pamjet e tij të fundit shoqërohej nga një oficer policie?

A nuk ishte Edi Rama që Rrahman Rrajën e bënte deputet për së dyti dhe tani që e kanë hequr, fut në asamble vajzën apo mbesën e tij? A nuk është Edi Rama që pasi u largua nga parlamenti krimineli Arben Ndoka, e emëroi kryetar politik për Lezhën të partisë së krimit? Pra miq, ky është mjedis krimi, është terren krimi. Qeveria dhe krimi janë një dhe të pandarë” – tha Berisha.

Ura e Ibrit, Kurti në VOA: Nuk do t’i befasojmë aleatët, por as nuk do ta zvarritim

 

KOMENT I "FLORIPRESS"-IT:

 

"HAPET URA , MBYLLET URA"

 

kurti

    kh

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha gjatë një interviste për Zërin e Amerikës se hapja e urës mbi lumin Ibër, për qarkullimin e automjeteve do të bëhet bazuar në një plan të cilin qeveria e tij, sikurse tha ai, e ka ndarë me partnerët amerikanë dhe evropianë. Ai shtoi se Prishtina ka zhvilluar konsultime me komunitetin serb në veri dhe në jug të Kosovës, si dhe ka testuar qëndrueshmërinë fizike e teknike të urës mbi Ibër. Ai tha se në raport me këtë çështje, Kosova synon që në njërën anë të mos i befasojë partnerët e saj, por në anën tjetër, të mos lejojë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht. 

Zoti Kurti foli gjithashtu mbi përplasjet me Perëndimin si dhe kritikat e opozitës për mungesë bashkërendimi me aleatët për shumë çështje. Por sipas kryeministrit të Kosovës, dallimet në qëndrime nuk kanë qenë asnjeherë në qëllime, vlera e parimeve, por vetëm në strategji, taktika dhe operacione. Komentet zoti Kurti i bëri nga mjediset ku po mbahet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokrate amerikane, i ftuar nga Instituti Kombëtar Demokrat (NDI).

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, duke filluar nga sot për 4 ditë, demokratët do të mblidhen në atë që zakonisht është një paradë festive e partisë. Por krahas zhvillimeve normale në kuadër të punimeve të Kuvendit, zakonisht aktivitete të tilla shoqërohen edhe me takime të tjera, jashtë sallës. Cili është synimi juaj gjatë këtyre ditëve në Çikago?

Albin Kurti: Ky Kuvend Kombëtar i Demokratëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është historik. Në njërën anë kemi rrethana të papara e të papërjetuara edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa në anën tjetër kemi edhe një entuziazëm të jashtëzakonshëm dhe një vitalitet të demokracisë, i cili është unik për mbarë botën. Në këtë Kuvend Kombëtar të demokratëve do të kem mundësinë të zhvillojë edhe disa takime të rëndësishme, por duhet theksuar se këtu jam ftuar si Kryeministër i një shteti demokratik dhe si kryetar i një subjekti politik socialdemokrat. Sidomos në vitet e fundit, Kosova ka shënuar një zhvillim të hovshëm ekonomik me 6.2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto si rritje mesatare ekonomike, por edhe një progres të shquar demokratik, meqenëse edhe sa i përket sundimit të ligjit dhe luftës kundër kurrupsionit, lirisë së mediave, të drejtave politike dhe lirive civile, Kosova është kampione në Ballkanin Perëndimor. Prandaj, ne kemi çfarë t’u tregojmë miqve dhe partnerëve tanë amerikanë për sukseset e Kosovës dhe njëkohësisht të mësojmë nga përvojat e tyre, që janë të paçmueshme.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, zoti Kryeministër, ditët e fundit ju jeni përplasur sërish me Perëndimin, lidhur me vendimin tuaj për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për trafikun e makinave. Të gjithë diplomatët e akredituar në Kosovë dhe zyrtarët e forcave paqeruajtëse kërkuan që ju të mos e bëni këtë gjë, tani. A keni ndryshuar qëndrim rreth kësaj çështjeje?

Albin Kurti: Me partnerët tanë evropianë dhe amerikanë ne asnjëherë, në asnjë situatë, nuk kemi dallime sa i përket qëllimeve, vlerave dhe parimeve. Nganjëherë rrallë, kemi dallime sa i përket strategjive, taktikave dhe operacioneve. Por, zakonisht këto dallime të jashtëzakonshme, sepse janë të rralla, bëhen lajme të mëdha. Ndërkaq përputhshmëria e zakonshme është ajo që nuk arrin të bëhet lajm. Edhe në këtë rast, kemi një situatë të ngjashme, ura mbi lumin Ibër është dashur të hapej atëherë kur është çliruar Kosova para 25 viteve. Ajo nuk është dashur të jetë e mbyllur atëherë kur u pavarësua Kosova para 16 viteve. Ajo është dashur të jetë e hapur edhe para tetë viteve, në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe planit të zbatimit. Në këtë mënyrë, në jemi trefish të vonuar për shumë vite dhe ajo çfarë duam të bëjmë është veçse lëvizje e lirë për të gjithë qytetarët, mallrat dhe kapitalin. Në të dyja anët e lumit Ibër të ketë sundim të ligjit, që nuk e përjashton askënd dhe kjo paraqet vetë frymëmarrjen e shtetit demokratik. Duhet të na mirëkuptoni që ne mund të themi që sundimi i ligjit dhe lëvizja e lirë vlejnë gjithandej Kosovë, për të gjithë, tërë kohën, përveçse në urën kryesore mbi lumin Ibër. Jemi duke i dëgjuar me vëmendje të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet. Kurrë nuk ka pasur më shumë konsultime dhe koordinim dhe jam optimist se do ta kemi edhe sundimin e ligjit dhe lirinë e lëvizjes në njërën anë, edhe paqen, sigurinë dhe qetësinë në anën tjetër. Hapja e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë nuk është kundër askujt. Ajo është për komunitetin serb, për shqiptarët, për boshnjakët dhe për të gjitha pakicat e tjera, si turqit, egjiptianët, ashkalinjtë dhe romët. Kjo është për të gjithë qytetarët e republikës tonë demokratike. Evropa i ka shembur të gjitha muret. Ne jemi në Evropë dhe duhet ta hapim edhe këtë urë.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, kur thoni se po dëgjoni sugjerimet, a do të thotë që mund edhe ta shtyni në kohë vendimin?

Albin Kurti: Ne jemi të interesuar që hapjen e urës ta bëjmë në bazë të planit, të cilin e kemi ndarë së bashku me partnerët, miqtë, aleatët amerikanë dhe evropianë. Kemi zhvilluar konsultime me komunitetin serb në veri të Kosovës dhe në jug. Konsultime janë bërë edhe me shqiptarët, edhe me komunën veriore dhe jugore të Mitrovicës. Gjithashtu kemi testuar qëndrueshmërinë fizike dhe teknike të urës mbi Ibër dhe po bëjmë një dizajnim, zbukurim, sepse duhet të kujdesemi edhe për pamjen vizuale të kësaj ure. Duam që ta bëjmë sa më parë. Por as nuk do t’i befasojmë partnerët, miqtë dhe aleatët tanë evropianë dhe amerikanë në njërën anë, por në anën tjetër, as nuk do të mund të lejojmë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht. Vullnetin dhe qëllimin e kemi të mirë dhe besojmë se hapja e kësaj ure është e drejtë, e nevojshme, e mirë dhe e dobishme për të gjithë.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, opozita tek ju është e pakënaqur, kërkon që veprimet në veri të jenë të bashkërenduara me aleatët, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara dhe ju kritikon se situata si kjo me urën po shfrytëzohen për qëllime elektorale. Si i përgjigjeni ju këtyre kritikave?

Albin Kurti: Unë kisha shpresuar që do të kishim zgjedhje në muajin qershor, ose korrik. Pastaj kisha shpresuar që do të kishim zgjedhje në vjeshtën e këtij viti, mirëpo duke qenë që zgjedhjet do të jenë me 9 shkurt të vitit të ardhshëm, nuk mund të thuhet që kjo ka të bëjë me fushatën elektorale. Përkundrazi, subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, që unë drejtoj, është shumë komod drejt zgjedhjeve të reja. Mbështetja për ne është edhe më e madhe tani, sesa në pranverën e vitit 2021. Ajo çfarë ne po bëjmë është sundimi i ligjit në një shtet sovran, demokratik e të pavarur për të mirën e të gjitha komuniteteve pa dallim.

Lëvizja e lirë është diçka që nuk mund të negociohet për shkak se është e drejtë themelore, por në të njëjtën kohë, unë i kuptoj partnerët tanë, të cilët shfaqin brenga sa i përket cënimit të sigurisë dhe me planin tonë ne po i minimizojmë të gjitha frikërat, ose perceptimet e frikës, që ekzistojnë tek kushdo në këtë periudhë. Pra edhe për të mirën e opozitës, ne besojmë që është mirë që bashkërisht ta realizojmë këtë hapje të urës meqenëse marrëveshja për hapjen e urës është bërë në Bruksel pikërisht nga ata që dikur ishin qeveri, e sot janë në opozitë.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, Bashkimi Evropian thotë se kjo çështje duhet të diskutohet në Bruksel me Serbinë, megjithëse ka rënë dakord se është diskutuar dhe më herët. A jeni të gatshëm ta ridiskutoni këtë çështje në Bruksel?

Albin Kurti: Diskutimet në Bruksel janë zhvilluar në vitet 2014-2017 dhe ato kanë përfunduar jo vetëm me marrëveshje për hapjen e urës, por njëkohësisht edhe me marrëveshje për një plan të zbatimit se si do të duhej të hapej ura. Afati i fundit ka qenë 20 janari i vitit 2017. Nëse është bërë një marrëveshje dhe bëhet diskutim mbi marrëveshjen kjo është një mënyrë indirekte e shkeljes së marrëveshjes. Ne nuk jemi të gatshëm që të marrim pjesë në shkelje të marrëveshjes dhe liria e lëvizjes mbi lumin Ibër, në urën kryesore në Mitrovicë, nuk do të duhej që të rinegociohej.

Ura është tejkalim, është tejkalim i lumit. Nuk mund të kemi tejkalim të urës, sepse shpeshherë ka pasur sugjerime që mjaftojnë urat e tjera. Nuk mund t’i bëjmë urën, urës. Ura ia bën urën lumit Ibër për të mirën e qytetarëve dhe për këtë insistojmë ne.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër ka kaluar një vit e gjysmë që nga momenti që nga momenti që ju keni rënë dakord në Bruksel dhe në Ohër për një marrëveshje normalizimi, por pothuajse asnjë hap nuk është hedhur drejt zbatimit të saj. Nëse ju nuk filloni me zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit dhe Serbia refuzon të përmbushë detyrimet që çojnë në njohjen de facto të Kosovës, mund të krijohet një status quo, apo një lloj konflikti i ngrirë. A keni ju një plan B për ta tejkaluar situatën?

Albin Kurti: Nuk mund të kemi plan B nëse nuk respektohet plani A dhe nëse nuk ka vullnet të mirë dhe mirëbesim të palëve. Është e vërtetë që ka kaluar një vit e gjysëm që kur ne kemi bërë marrëveshjen në Bruksel, marrëveshja bazike, së cilës iu bashkëngjit edhe aneksi i zbatimit, nga Ohri. Ne e respektojmë marrëveshjen, ne jemi të gatshëm që ajo të zbatohet, por nuk mund të kemi partneritet në zbatim, përderisa ka mosrespektim. Në dhjetor të vitit të kaluar ish-kryeministrja e Serbisë Bërnabiç, praktikisht me letër publike dhe zyrtare drejtuar 27-es së Bashkimit Evropian, u tërhoq në emër të Serbisë nga marrëveshja bazike. Pra Serbia duhet të kthehet tek marrëveshja, ta respektojë atë, në mënyrë që ta zbatojmë. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje janë edhe 39 marrëveshjet e mëhershme që pararendësit e mi i kanë bërë në Bruksel. Unë jam shumë i interesuar përveçse i gatshëm, që t’i trajtoj ato me përpikmëri dhe përkushtim, në mënyrë që të normalizohen marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë të cilat natyrisht në zemër të tyre duhet të kenë atë që siç e ka quajtur Presidenti amerikan Biden, njohje reciproke, pra ku Kosova e njeh Serbinë sepse Serbia e njeh Kosovën.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër ju ndodheni në Çikago në kuadër të njërës prej vizitave të rralla në Shtetet e Bashkuara dhe sipas kritikëve kjo pasqyron një rënie të nivelit të marrëdhënieve të Kosovës me aleatët kryesorë të saj. A jeni i shqetësuar se këto marrëdhënie janë dëmtuar seriozisht?

Albin Kurti: Nuk besoj që ka kurrëfarë dëmtimi të marrëdhënieve. Është e vërtetë që unë nuk ngjasoj me kryeministrat që kanë qenë në Republikën e Kosovës para meje, por unë besoj që marrëdhëniet që po ndërtoj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë më të fuqishme se kurrë. Ne kemi bërë kontratën më të madhe që është bërë ndonjëherë me Koorporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit, 236 milionë dollarë, për bateritë për energjinë e ripërtëritshme, dhe përveç kësaj jemi duke blerë sistemet antitank Javelin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse dëshirojmë që të forcojmë ushtrinë tonë. Forca e Sigurisë së Kosovës ka bashkë-zbarkuar me ushtrinë amerikane në Kuvajt dhe në çdo aspekt, në tregti, në energji, në ekonomi, dhe pastaj bashkëpunimi jonë me USAID-in e solli vlerësimin e Kosovës me 2B minus, që është vlerësimi i parë nga Fitch Ratings, i një organizate ndërkombëtare për ekonominë tonë, në arenën ndërkombëtare ekonomike. Bashkëpunimi me SHBA-të është zgjeruar dhe është thelluar, mospatimet sporadike, kurrë për vlera parime e qëllime, po nganjëherë, për strategji taktika dhe operacione, bëhen lajme të mëdha. Unë besoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shumë arsye që të jenë krenare me arritjet e Kosovës, më shumë se asnjëherë më parë, e për zhvillimin e ndërtimin e së cilës, kanë kontribuar si askusht tjetër.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër në pak muaj në Shtetet e Bashkuara mbahen zgjedhjet presidenciale, të cilat po ndiqen me vëmendje në të gjithë botën. Një pjesë e udhëheqësve të NATO-s kanë shprehur shqetësimin e tyre në rast të ndryshimit të administrative, duke pasur parasysh qëndrimet e zotit Donald Trump ndaj NATO-s. A jeni të shqetësuar ju në këtë aspekt, duke pasur parasysh marrëdhëniet tuaja me ish-administratën Trump?

Albin Kurti: Padyshim që kemi një situatë në të cilën Partia Republikane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka një kandidat të pazakonshëm, bëhet fjala pra për ish-Presidentin Donald Trump, i cili në raport me NATO-n ka patur si vërejtje të tij kryesore, që shtetet anëtare do të duhet që të arrijnë kuotën prej 2 për qind sa i përket shpenzimeve për mbrotjen dhe sigurinë. Në këtë aspekt besoj që Kosova është në anën e ndritshme, për shkak se ne tashmë e kemi mbërritur kuotën prej 2 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto, meqënëse i kemi dyfishuar shpenzimet për mbrotjen, e kemi trefishuar shpenzimet për armatime, si dhe i kemi katërfishuar trajnimet jashtë vendit, për ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ne, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shohim si partner dhe në preokupimin kryesor të ish-Presidentit Trump, Kosova edhe aty merr notë pozitive. Natyrisht kjo nuk e ndryshon faktin që unë si kryetar subjekti politik dhe si Kryeministër i Republikës së Kosovës, mbetem demokrat, mbetem socialdemokrat.

Ç’ ka Kosova më shumë?Kush po e kërkon kokën e Adi Krastës në Prishtinë

Një debat i vërtetë demokratik, nga ata që në pamje të parë duket se i interesojnë vetëm një elite të ngushtë, por që në të vërtetë janë termometër i shoqërisë së një vendi, po zhvillohet ditët e fundit në Prishtinë. Në qendër të tij është vënë Televizioni Publik i Kosovës (RTK), ndërsa në anën tjetër partia në pushtet. Personazhe janë dy gazetarë tejet kritikë me Albin Kurtin, Berat Buzhala dhe Ilir Mirena dhe në krahun e kundërt një shpurë zyrtarësh mediatikë mes të cilëve është gjendur çuditërisht edhe moderatori, Adi Krasta, që ka një post të lartë drejtues në RTK.

Kësaj menyje perfekte për të shkaktuar polemika i janë shtuar disa dorëheqje të rëndësishme gazetarësh dhe anëtarësh bordi të transmetuesit publik, prononcime opinionistësh me emër e po ashtu dhe reagime të shoqatave të lirisë së shtypit.


Kush po e kërkon kokën e Adi Krastës në Prishtinë

Kur përmend të gjitha këto elementë që konvergojnë tek beteja e përhershme mes medias dhe pushtetit, instikti të thotë se bëhet fjalë për një vend me demokraci të kërcënuar. Dhe po të shtjellosh ngjarjen, që i ka mpleksur bashkë këto ide dhe këta personazhe, kjo përshtypje të përforcohet.

Diçka më shumë sesa një muaj më parë, padyshim me frymëzim nga njërëz pranë pushtetit në Prishtinë, një portal i dyshimtë boshnjak, “Slobodna Bosna” (Bosnja e Lirë), publikoi një lajm se mediat online të Buzhalës dhe Mirenës, përkatësisht Nacionale dhe Periskopi, financoheshin nga Serbia. Sa hap e mbyll sytë, këtij artikulli skandaloz dhe pa fakte i’u dha hapsirë edhe në RTK. Situata u bë më absurde kur deputetë të Vetvendosjes bënë deklarata që e merrnin të mirqenë këtë produkt, simbol të epokës të të vërtetave alternative, ndërsa antarë të kabinetit qeveritar i bënë thirrje prokurorisë të hetonte ata që financoheshin nga Beogradi. Deri këtu ngjarja është rënqethëse. Një amalgamë e shkallmimit të kufijve mes pushteteve që ndodh vetëm në sisteme autoritare.

Ajo dëshmonte së pari për depërtimin e zgjatimeve të politikës mbi median, aq më tepër mbi atë që financohet nga paratë e qytetarëve. Ajo ngrinte shqetësimin e mentalitetit diktatorial, që reket ti etiketojë kritikët, që mendojnë ndryshe, si “të shitur tek armiku”. Ajo shtonte dyshimin e një qeverisjeje, që lojdhja e ka bërë nervëshkatëruar, të pa duruar, dhe me riskun e humbjes së sensit të realitetit.

Le të jemi të qartë. Për mbarëvajtjen e punëve në Kosovë, unë personalisht, kam mendim krejt të kundërt nga Mirena dhe Buzhala (me këtë të fundit tani më ndan dhe kthesa e beftë që ka marrë ndaj qeverisjes në Shqipëri), por ama do ti lutesha të afërmve të mij të më vizitonin tek psikiatri, ndonëse, qoftë edhe një herë të vetme, do më përshkëndiste në mendje, se idetë e tyre financohen nga Vuçiçi. As unë, e besoj asnjë njeri normal, nuk mund të ndajë asgjë të përbashkët me ata që logjikojnë kështu dhe që përpiqen t’i imponojnë shoqërisë një mentalitet të tillë.

Në këtë kuptim, ajo që ka ndodhur me lajmin e infiltruar, në “Slobodna Bosna”, me rimarjen e tij nga RTK dhe më pas me propogandimin që i’u bë nga deputetë e ministra të VV është një skandal. Edhe më skandaloze është përpjekja për ti mbrojtur abuzuesit, paçka se shumë dëshmi dhe një raport zyrtar, i nxorën në dritën e diellit mëkatet e shërbimit të tyre.

Pra, nëse do të vendosim të shohim vetëm gjysmën bosh të gotës, kjo ngjarje mund të përdorej si kazus perfekt për të ilustruar rezikun e një pushteti autokratik në Prishtinë, ku rolin e të keqit nuk e luan askush tjetër përpos Albin Kurtit.

Por, fatmirësisht gota ka dhe anën tjetër të saj. Me të ndodhur ky skandal, shumë gazetarë brenda televizionit publik ngritën zërin dhe treguan të vërtetën. Presioni i shoqërisë e detyroi bordin të niste një hetim dhe të hartonte një raport. Në rekorde u shënuan profesionistët e parë që dhanë dorëheqjen në respekt të parimeve të tyre. Atyre iu shtuan edhe kreu i bordit të RTK-së dhe një anëtare tjetër, që u dorëhoqën, në shenjë proteste për mosndëshkimin e fajtorëve. E gjitha kjo u zhvillua në një gati unison, mes gazetarëve kritikë të Prishtinës dhe atyre që punonin në mediat pro qeverisë, për të denoncuar këto përdhosje të profesionit.

Tani, si një gazetar që me punën e tij të përditshme e di se çdo të thotë të mbijetosh në një mjedis antidemokratik, unë i pyes kolegët e mij kosovarë: A mund të ndodhnin këto akte lirie në Tiranë? Sa kohë ka që në këtë anën tonë të kombit, jo vetëm në media, por askund, askush nuk jep dorëheqje për arsye morale? Sa vite ka që reporterët që punojnë për pronarë të lidhur me qeverinë janë bërë memecë dhe nuk guxojnë të shprehen kundër padronit të shefave të tyre? A mund të mendohet, këtej kufirit, që dikush nga bordi i RTSH- të mund të hedhi dorashkën, ngaqë nuk bie dakord me politikat botuese të institucionit? 

Natyrisht që dikush mund të përgjigjej thjeshtë se nuk ka ç’i duhet krahasimi me një shembull të keq si Shqipëria. Por këtu qëllimi nuk është tek paralelizmi në vetvete, por tek përpjekja për të kuptuar se cilat janë rrethnat reale të mungesës së lirisë. Mendimi i pavarur, artikulimi i tij pa drojë në publik, shprehja e solidaritetit me kolegët dhe dorëheqjet si formë proteste mund të ndodhin vetëm aty ku shtypja mungon.  

Në një regjim autokratik këto janë lukse të harruara. Në Shqipërinë e Edi Ramës, që është shumë më keq se ajo e Berishës së parë, as nuk debatohet më për gjëra të tilla.

Prandaj, sa do i madh të jetë skandali i “Slobodna Bosna”, sado keqëdashëse qëllimet e tij, sërish në Kosovë ka arsye për të qenë optimist. Ndryshimi mes asaj që ndodh këtu dhe realitetit të atyshëm është i ndjeshëm. Ne jetojmë në një hapsirë ku vullneti i njëshit e ka mposhtur shoqërinë, ndërsa atje ka shenja të qarta të rezistencës ndaj tekave të pushtetit. Ky është në thelb dallimi midis demokracisë që vazhdon të gjallojë në Kosovë dhe asgjesimit të saj që ka ndodhur tek ne.

Si e tillë, sado e trishtë të jetë historia e sajuar me gazetarë të paguar nga Beogrdi, sado shqetësuese që të jetë shija që të lë ajo, prapsëprapë, mënyra si u zhvillua debati rreth saj, forma si u protestua dhe u kundërshtua, janë dëshmi të forta se me gjithë përpjekjet për shtrembërime, loja në Kosovë vazhdon të zhvillohet në kuadrin e një shoqërie të lirë, ku frika dhe paraja nuk e kanë mposhtur guximin për të reaguar. Kjo është gjysma plot e gotës së cilës duhet ti gëzohemi të gjithë.

Erdhi koha për të fjetur…nata e parë për herë të dytë në burgun e Nishit e ëndrrat për Lirinë tonë ndërronin vetëm shtratin dhe qytetin, por një ditë edhe këto ëndrra do të bëhen realitet.

                          Nga akademik PHD.  Flori Bruqi Me rastin e 27-vjetorit të bombardimeve në burgun e Dubravës, Hasani i përshkuan at...