Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/01/28

Takimi i parë, me Gjeçovin

NGA NDUE DEDAJ



Kushdo që vete në Zym, e para gjë që bën, pyet se ku prehet Shtjefën Gjeçovi. Nuk bëjmë përjashtim as ne. Dhe, fati ka dashur që të hasim në udhërrëfyesit e duhur. Gazetari i njohur Frrok Kristaj e studiuesi i historisë, Nikollë Kërhanaj, njerëzit që na shoqërojnë në “takimin” me Gjeçovin, na e rrëfejnë vrasjen e tij nga serbët si të ketë ndodhur dje, edhe pse kanë kaluar 80 vjet nga ai 14 tetor i 1929-s, e ata as që kishin lindur asokohe. Por detajet e asaj vrasjeje i “mbajnë mend” mirë prej prindërve të tyre dhe kujtesës së historisë. Kjo ka qenë natyra e komunikimit në malet shqiptare, mot motesh, përmes këngëve, rrëfimit të historive, ngjarjeve, që më shumë shtegtonin gojë më gojë, se mes përmes letrës së bardhë. Gjeçovi dijetar e hero prehet brenda rrënojave të kishës së Shën e Premtes. Po aty, ngjitur me shkrimtarin e Kanunit, është dhe varri i një tjetër atdhetari, At Luigj Palajt, rënë me 1913 edhe ai si një dëshmor i kombit. Kosova është i vetmi vend i Ballkanit, ku mund të flitet për heronj, si në vitet e para të shekullit XX, si në vitet e fundit të atij shekulli, kur dihet që ajo u çlirua më 1999, në vitin e parafundit të tij. Dikush e paskësh quajtur “varrezë kombëtare” këtë të Zymit, pasi këtu prehet dhe shkrimtari i madh Anton Pashku, aktorja e famshme Katarina Josifi, sopranoja e njohur Hermina Leka etj. Por dhe dy varre “interesante”, që u përkasin dy motrave të nderit (murgeshave) Marie dhe Dila Nerjovaj nga Lugishta e Hasit. Kur popullata e atij katundi kaloi në besimin islam më 1852, ato të dyja lanë amanet që, kur të vdisnin, t’i sillnin në Shëngjergj dhe ashtu ngjau. Nuk është aspak çudi që trazime apo rrethana të historisë sonë i gjen dhe në varreza, si “palimpseste” që mund t’ua rrokësh domethënien, për të kuptuar dhe më thellë ngjarjet që kanë ndodhur, edhe ato “rreshta” që mund të mungojnë në manualet e historisë.

Në Zym prej 40 vjetësh organizohen “Takimet e Gjeçovit”, bashkë prej këtyre njerëzve që kemi në krah si udhërrëfyes. Në fillim bëheshin te Lisat e Shën e Premtes, pastaj te Lteri aty pranë dhe së fundi në amfiteatrin e ri. Ato janë manifestime të përvitshme shpirtërore, letrare, artistike. Gjithnjë brenda atyre “takimeve” ka vend për “Orët” e Anton Pashkut, ku kumtohet për shkrimtarin dhe veprën e tij. Takimet ndiqen nga banorët dhe elita kulturore shqiptare e Prishtinës, Ulqinit, Shkupit, tashmë dhe nga Shqipëria. Në tetor të këtij viti do të jetë i 40-i “Takim” kulturor mbarëkombëtar me Gjeçovin dhe Frrok Kristaj, ashtu si para dyzet vjetësh, është sërish prijatar i kësaj veprimtarie shembullore.

“ABETARJA E ZYMIT” E VITIT 1900
Zymi krenohet me të drejtë me abetaren e tij shqipe qysh më 1900-n, e cila sipas Nikollë Kërhanajt besohet se u shaptilografua në mjediset e kishës së Zymit. Ky lokalitet e niste shekullin e ri, atë të njëzetë, me një monument vetanak të dijes. Mund të jetë ndër rastet e rralla, jo vetëm në botën shqiptare, kur një lokalitet ka abetaren e vet. Por kur mediton mbi udhën e shkronjave shqipe nëpër kreshta malesh, e kupton se aty ku kishte pasur Pjetër Bogdan në shekullin e 17-të, pse të mos kishte “Abetare të Zymit” dy shekuj më vonë. Ndërkohë që shkolla e parë aty kishte qenë hapur qysh në vitin 1864. Abetarja e Zymit është e skalitur në gur dhe një fotografi aty është një kujtim domethënës për çdo shqiptar. Simbolika kombëtare zotëron kudo në Zym, pasi aty është ruajtur aq mirë palca e identitetit tonë. Mjafton të shohësh qoftë dhe lterin e kishës së Shën  e  Premtes, i cili përpos se objekt kulti, paraqet një shqiponjë, një libër dhe një shtyllë, kjo e fundit në kuptimin e qëndresës. Udhërrëfyesit tanë s’reshtin së foluri. Ata na prijnë për te një tjetër shenjë kulturore e identitetit të këtij vendi e këtyre njerëzve. Një lapidar mes blerimit kushtuar atyre zymjanëve që në dekadën e fundit të shekullit XX (1991-1999), përsëritën historinë; kur serbët i dëbuan nga shkolla mësuesit dhe nxënësit, domethënë nga “abetarja” e tyre shqipe, ata hapën dyert e shtëpive të tyre për të mësuar fëmijët, i bënë shkolla. “Ka qenë ish-Presidenti Fatmir Sejdiu që e ka përuruar këtë lapidar”, - shton njëri nga ata.

Hasin, kufiri e ndan në dy pjesë thuajse të barabarta, pjesa e Kosovës: 241 km katrorë me 40 mijë banorë dhe pjesë e Shqipërisë: 243 km katrorë me 21 mijë banorë. Tani pak rëndësi ka kjo e dhënë, por dje ishte ndryshe. I binte që një krahinë e tërë shqiptare, nga më të njohurat, të ishte e përgjysmuar me Serbinë. Por dhe pse shteti serb kishte në administrim territorin, ne kishim aty një nga gurët e themelit të kombësisë sonë. Përmendet se disa zymjanë kishin marrë pjesë në Betejën e Kosovës (1389). Një ndër gjashtë hipotezat mbi origjinën e Skënderbeut, thotë se ai ishte nga Hasi i Thatë, teksa ishin mirëfilli prej këndej: Pal Hasi, dinastia Bogdani (Ndre, Pjetër, Gjon e Lukë Bogdani)  apo ku shërbyen Mëhill Suma, Lazër Lumëzi, Ndue Bytyçi etj. Ndër më të shquarit kishte qenë ipeshkvi dhe shkrimtari nga Gjakova, Gjon Nikollë Kazazi që kishte zbuluar në Romë “Mesharin” e Buzukut. Në Zym të Hasit, për gjysmë shekulli (1702-1752), ka qenë strehuar, për shkak të përndjekjeve osmane, Ipeshkvia Shkup-Prizren. Na thonë se në Kuvendin e Arbrit (më 1703) në Mërçi të Lezhës, bashkë me Ipeshkvin Pjetër Karagiqi, patën marrë pjesë dhe dy zymjanë.

Zymi është quajtur “Roma e Vogël”, pasi, ashtu si kryeqyteti italian, është i vendosur në shtatë kodra, në secilën nga një lagje. (Na bie ndërmend një novelë e Kasëm Trebeshinës me titullin “Fshati mbi shtatë kodrina”.) Por kjo “Roma e Vogël” hasjane nuk ishte si kryeqyteti italian, ku kishin kryer studimet për teologji e filozofi apo ishin shuguruar ipeshkvij edhe shqiptarë të këtyre anëve, përkundrazi ishte një vend i thatë, pa ujë të mjaftueshëm, me rrugë të ngushta, me tokë gëlqerore, siç e përshkruajnë autorët vendës, çka sipas tyre, i kishin dhënë Zymit një pamje të zymtë, nën hijen e “olimpike” të Pashtrikut. Zymi i sotëm, i cili shkon me komunën e Prizrenit, ka një peizazh mahnitës, me lisat e mëdhenj të moçëm, amfiteatrin e ri “gjeçovian” me 1000 vende, në shëmbëllim të atij të Durrësit, me dy shtatore që sikur flasin me njëra-tjetrën: e Gjeçovit dhe e Bogdanit (së afërmi), kishën e Zojës, obeliskun e Abetares së Zymit, shkollën fillore, gjimnazin “Gjon Buzuku”, bibliotekën, muzeun etj. Zymi ka 6000 banorë, të besimit katolik dhe atij mysliman, por rrojnë aty më pak se një e treta, pasi të tjerët janë në emigracion, shumica në Kroaci. Njerëz të urtë, të fisëm, s’ka pasur kurrë grindje dhe sherre me tyre; kanë fituar dhe kulturën e emigracionit, që do të thotë, kulturë e vendeve evropiane nga vijnë. Po ashtu, është për t’u përmendur toleranca fetare etj.

“ZOJA E HASIT, LUTU PËR NE”!
“Dyndet krejt Dukagjini në këtë ditë e vjen këtu. Janë rreth dhjetë mijë veta në procesionin e sotëm të pajtores sonë, “Të ngjiturit e Zojës së Bekuar në Qiell”. Ne shqiptarët e emërtojmë këtë shenjtore me emërtime të llojllojshme, si: Zoja e Madhe, Zoja e Berishës, Zoja e Grudës, Zoja e Hasit, ku në veçanti është e njohur Shenjtorja në Letnicë të Kosovës (e quajtur dhe “Zoja e Cernagorës”) nga e mori edhe Nënë Tereza thirrjen për të shkuar për murgeshë. Historiani i palodhur, Nikollë Kërhanaj dhe frati At Ndue Kajtazi kanë shkruar një monografi për Zojën e Hasit dhe udhën e saj mes banorëve të kësaj treve, që epiteti “i thatë” na duket se tash nuk i shkon më as relievit. Në Kosovë ka një përpjekje serioze të studiuesve dhe krijuesve për të dokumentuar historinë, traditat, etnokulturën e trevave shqiptare në viset dardane. Është vërtet emocionuese të shohësh flamurin e ri të shtetit të Kosovës të valëvitet në majë të kambanores së kishës së Zojës në Zym.

PRITET TË “VIJË” PJETËR BOGDANI
Pjetër Bogdani (1630 - 1689), i lindur në Gur të Hasit të Prizrenit, autori i mirënjohur i “Çetës së Profetëve”, ndër të parat vepra origjinale të letërsisë shqipe, përndryshe “vepra e parë në prozë e shkruar në gjuhën shqipe”, duket pak më i largët në ligjërimin e ditës, si të gjitha majat që tashmë janë shfaqur plotësisht, dhe rrinë atje lart në krye, mbështjellë me pak mjegull. “Çeta e profetëve” përmban “Sibilat”, shkruar nga vetë autori apo dhe nga ndonjë i afërm i tij. Ndër to me interes të veçantë është një vjershë e Lukë Bogdanit, që sjell të gjallë kujtimin e Skënderbeut dhe mbresat e autorit për madhështinë e vendlindjes. Pjetër Bogdani e shkriu jetën në male duke predikuar mirësinë, humanizmin, qëndresën e shqiptarëve. Në njërën nga vjershat e tij, të vitit 1685 (“Sibila Persika”), ai shkruan:
“Kumbon zani malesh e këlthet ndë shkretëti
sihariq me dhanë e udhë të drejtë
shekullit me çelë...”,
ku predikon një jetë pa vese, faje e sherre, por vetëm të shëlbuemit e njeriut në “udhën e drejtë” të kishës e besimit.
...Dhe ja, ky kolos i përndritur i kombit tonë pritet të “ngjitet” në piedestal në Zym. Shtatoren e tij po e punon skulptori i njohur shkodran, Sadik Spahia, në Tiranë, që ka bërë dhe atë të Gjeçovit. Secila nga të dyja shtatoret do të jetë tre metra e lartë, mbi një bazament po prej tre metrash. Ata janë konceptuar sikur “flasin” me njëra-tjetrën, siç kanë folur mes tyre kohët shqiptare të këtyre maleve, Mesjeta me Rilindjen. Është vendosur tashmë shtatorja e Gjeçovit dhe pritet të përfundojë dhe ajo e Bogdanit, që veçse një nga shkrimtarët e parë të letërsisë shqipe, ka qenë dhe ipeshkëv i Shkodrës, Kosovës, udhëheqës i kryengritjes çlirimtare të vitit 1689.
Është e ditur tashmë se shpesh atelietë e shkrimtarëve të parë kanë qenë pikërisht famullitë, pasi në kësi vendesh janë shkruar dhe poezitë e Palit prej Hasi, dhe “shënimet” e Gjon Nikollë Kazazit, dhe Kanuni i Gjeçovit, i cili ndonjëherë botonte me pseudonimin “L’keni i Hasit”.

ANTON PASHKU SHKRUANTE NËPËR RRASA GURI...
Në fjalët e udhërrëfyesve tanë të këtij reportazhi ka emocion kur bie fjala për Anton Pashkun. Gjeniu i modernitetit në letërsi, siç e quajnë në Kosovë, nuk ka fjalë. Duhet lexuar dhe në përtejheshtjen e tij. “Vinte shpesh në rininë e tij këtu në Zym, kishte dajat në shtëpinë tonë (të Kërhanajve), e ndoshta kur ka shkrue tregimin ‘Nën qarr po rrinte vasha’, më 1959 (botuar në librin me tregime “Lutjet e mbrëmjes”) ka pasë parasysh këtë lisin tonë treqindvjeçar dhe të motrën nën hijen e tij”, - thotë Nikolla, duke na treguar një lis madhështor në qendër të Zymit. Kurse Frroku na rrëfen diçka krejt të veçantë që dhe e ka botuar në shkrimet e tij: “Kur Antoni vinte në Zym, shkonte me barinjtë e dajave të tij për të ruajtur bagëtinë. Dhe teksa ai sillej nëpër mal, shkruante nëpër rrasa guri. Pasi kthehej nga mali ku ruanin bagëtinë, Antoni i bartte rrasat e gurit të shkruara prej tij, nga Rrethi i Bletës, Lëndinat e Shënkollit, Bunari i Ri e deri te Kroi i Laskavecit... Ato rrasa i palonte nën strehën e shtëpisë së njërit prej dajave, bacës Mark, i cili kujdesej për to, pasi e donte shumë Antonin”. Barinjtë gjithnjë merreshin me diçka; gdhendnin figura shpendësh, bënin furka, blixha, apo dhe ndonjë pushke druri-lodër për fëmijët, por nuk kishte nga ata që shkruanin nëpër rrasa. Anton Pashku me ato shkrime a shenjëzime duket se imitonte të parët që shkruanin në papiruse. Më vonë ato rrasa patën humbur dhe askush nuk e di se ç’kishin qenë ato shenja apo fjalë të shkruara. Por sidoqoftë, aty niste letërsia e tij, prej guri. E shkrimtarit që Ibrahim Rugova do ta quante, Xhojsi i letërsisë shqiptare. Do të ketë qenë ndonjë lloj semiotike guri, tash e përhumbur, por ndoshta letërsia e mëvonshme e tij na e thotë sadopak se cilat kishin qenë ato kodet e tij krijuese që ai së pari ia kishte falur gurit... E ne, s’bëjmë gjë tjetër veçse përkulemi me nderim të thellë para gurit të varrit të tij, fare pranë atij të Gjeçovit.
Petrit Palushi, shkrimtari i njohur kuksian, vite më parë ka krijuar “Klubin Anton Pashku” në Kukës, që ka zhvilluar një varg veprimtarish kushtuar shkrimtarit të njohur, e ku me siguri që do të ketë menduar dhe për “Orët” e ardhshme letrare të Pashkut.
Për më tepër, në Prishtinë ka një shtëpi botuese në emrin e Anton Pashkut, që publikon në vazhdimësi letërsi.

NJË PRINCESHË E AKTRIMIT SHQIPTAR, KATARINA JOSIPI
Për Katin, siç e thërrisnin aktoren më të madhe të teatrit në Kosovë, flitet veçse me gjuhë poetike. E kanë quajtur “primadonë të teatrit shqiptar”, “ikonë të skenës në Kosovë”, “fenomeni Katerina Josipi”, “një firmë artistike par ekselans”, “një emër unikal dhe i papërsëritshëm skenik”, “prijatare e dramës shqipe” etj. Publicisti dhe shkrimtari Frrok Kristaj i ka kushtuar një monografi. Ai shkruan se emri i Katit është guri dhe dërrasa e parë e binës dhe e skenës së teatrit në gjuhën e ëmbël të trojeve etnike shqiptare jashtë Shqipërisë administrative. Katarina qe lindur në Zym të Hasit, më 9 nëntor 1943, ku dhe e nisi shkollën fillore, në gjuhën serbe, pas vrasjes së Gjeçovit. Në vitin 1948 hyri si femra e parë shqiptare në Teatrin Popullor të Prishtinës. Kati e famshme nuk rroi gjatë, u nda nga jeta me 1969, kur ishte vetëm 46 vjeç dhe “shtegtoi” nga Prishtina për t’u varrosur në Zymin e dhelindjes. Si një motër e madhe e Bekim Fehmiut të paarritshëm, me të cilin luajti në Teatrin e Prishtinës. Po ashtu, dhe e Nexhmie Pagarushës, Muharrem Qenës, Ekrem Kryeziut, Hyrie Hanës, Istref Begollit e të tjerë, me të cilët gjithashtu luajti në skenën e Teatrit, por dhe e Tefta Tashkos, Marie Logarecit, Tinka Kurtit, Mihal Popit, Besim Levonjës, Pjetër Gjokës, me të cilët nuk pati fatin të ndante skenën, por vetëm atdhetarinë. Kati luajti 73 role, duke krijuar një figurë unike të aktores së madhe kosovare, që shndriti dhe u shua si një meteor në qiellin e Kosovës.

Dy ndër prijatarët kulturorë të Zymit padyshim janë Frrok Kristaj e Nikollë Kërhanaj. Ata dhe të tjerë kujdesen për gjithçka që ka të bëjë me ceremonitë, shkrimet, titujt, emblemat e këtushme. I fundit si famullitar ka ardhur nga Kroacia Dom Ndue Ballabani. Falë kësaj elite kulturore, arsimtarëve të devotshëm, nxënësve, banorëve, emigruesve-përherë me rrënjët këtu, dashamirëve, në Zym ka përherë një vetëdije kulturore për t’u admiruar, të fytyrëzuar në disa institucione, shoqata, monumente, botime etj. Kushdo që ka shërbyer në Zym ka lënë një gjurmë, një dëshmi, ka lënë emrin e tij nëpër gurë e drurë. Jo rastësisht shqiptohen përditë toponimet e këtushme: “Lisi i Patër Dedës”, “Blini i Patër Pjetrit” etj.

Frrok Kristaj është njeriu mes Zymit dhe Prishtinës. Ai ka qenë për shumë vite gazetar i “Rilindjes”, për të cilën thotë se, “ka qenë institucioni më i madh që ka pasur kombi shqiptar jashtë Shqipërisë”. Tirazhi i kësaj të përditshmeje ishte mesatarisht 70-80 mijë kopje dhe çdo kosovar e kishte në shtëpi. Ai ka shkruar dhe një monografi për këtë “institucion”, siç e quan ai. Kristaj ka qenë dhe mësues i gjuhës shqipe në Gjermani për disa vite. Por, sidoqoftë, ai është përherë në Zym, i lidhur shpirtërisht me çdo lule e gur të vendlindjes së tij. Ashtu si njeriu tjetër fisnik, Nikollë Kërhanaj, që ka shkruar me aq përkushtim monografinë e Zymit dhe disa libra të tjerë për të. Lum si ai vend që ka prijatarë të tillë, të ditur dhe të pabujë. Ti që ke qenë për pak kohë mes tyre, nuk mund të mos e shohësh vazhdën e pakëputur të prijatarëve kombëtarë, kishtarë dhe kulturorë të këtyre vendeve të epërme, qysh nga Mesjeta, nga meshtari dhe shkrimtari i parë, Pali i Hasit, që shkruante vjersha të përshpirtshme në këto kreshta malesh të Drinit të Bardhë.

Ti zbret nga yjet


Ti zbret nga yjet
Dom Ndre Mjeda, At Vincens Prenushi dhe At Pjetër Mashkalla në dy variante përkthimi “Ti zbret nga yjet” dhe “Natë e qetë”, këngë himn e Krishtlindjes; versionet vijnë nga gjuha gjermane dhe angleze në dialektin gegë prej klerikëve, që qysh prej kohës së përkthimit, gati një shekull, këndohet edhe sot në kishën françeskane







Ti ulesh prej parrizit

Përktheu: Ndre Mjeda

Ti ulesh prej parrizit,
O Zot e mbret madhnije.
E në tokë vjen m’u bâ nieri
Vetëm prej dashtënije:
Aq i dashtun jé për né
Qi në nji shpellë ti vjen me lé!
O Zot i lum,
Un s’e kam ditë se ti
Né të shkretët na don kaq shum!
Për ty qi rruzullimin
Gjithmbarë e ké krijue,
S’jânë gjetë as shpí as petka,
E zjermi të ka mungue.
Tash âsht dimen, akull, borë,
Me qindrue njashtu â zór.
O djalë i shkretë!
Prei së ftofti ti po dridhe,
Po dridhe e po bertet!
O Biri i të naltit Zot.
Ti pate gjith lumnín,
Por deshtas e ké lanun
E kapë e ké vorfninë.
Pra pse kján e pse gjimon,
Kerkush tý nuk po t’ankon:
Ti do me më msue
Se pa durim nuk mundet
Kerkush m’u shelbue.
Ne disha gja ti fshân
E kján, o bukuri,
Perse, si duhet, nieri
S’t’a din gjith at dashtëní;
Vesht e mora un i ngrati
Se at mundim t’a nep ty mkati;
O mkat mallkue!
Por ti, o Zot, më fal!
Më fal se jam pendue!
Ti flęn përmbi at grazhd,
O i lumi djalë plot hír.
Por zęmers me mârrë gjum
I del fort pun’e fshtír.
Zęmra e jote pse po lngon!
Natë e ditë shka po mendon?
Un tjeter s’po mendoj
Veçse me dekë per njerin.
Me dekë qi ta shelboj!
Me lé e me dekë për mue
Dashtnija të ka shtërnguemun:
E vetë pa të dashtë, o Jezu,
Si mundemi me rrnuemun?
Shpnesa e ęme, o Virgjin Mrí,
Me dashtë Krishtin se nuk di,
Tý të kjosha true:
Më mso gjithmonë me e dashtun,
Me e dashtë e me e lëvdue!

Shënim:
Në dhjetor të vitit 1754 Shën Alfons de Liguori improvizoi në një Kishë të Nolës këngën-himn të Krishtlindjes: "Ti zbret nga yjet". E lehtë për t’u kënduar, e përshtatshme për mundësitë vokale të fëmijëve, të grave e të njerëzve të popullit, kjo nina-nanë u përhap shumë shpejt e u përkthye në gjuhë të ndryshme të botës, duke u bërë së bashku me “Stille Nacht” një tjetër himn i solemnitetit të Lindjes së Krishtit. Ishte kompozitori Xhuzepe Verdi, i cili i frymëzuar prej dëshirës së Shën Alfonsit i dha muzikën tekstit. Kënga u përthye shpejt edhe në gjuhën shqipe nga meshtari dhe poeti Dom Ndre Mjeda me të njëjtën dëshirë për predikimin e Ungjillit.



O natë e qetë


Përktheu: At Vinçens Prennushi

Flej, o Qielluer,
Zojës në krahnuer.
Flej, mos kjáj,
ndale at’ váj.
Gjumi t’vjen,
por ty s’t’bahet me fjetë,
pse n’do kashta
t’rrin trupi Ty p’shtetë.

Jezus për p’shtim të gjithë neve,
Jezus për p’shtim të gjithë neve.

Ty Zoja Mri,
Ty gjithë dashtëni,
rrin tuj t’ruejtë,
ambël prujtë,

Ditë do t’vinë, o Shelbues, me u mekë;
Ka me të ra mbi një krygjë ty me dekë !
Jezus për p’shtim të gjithë neve,
Jezus për p’shtim të gjithë neve!

Shënim
Fjalët e këngës “Natë e qetë” janë shkruar në mbrëmjen e Krishtlindjes së vitit 1818 nga meshtari Joseph Mohr (1792-1848), ndihmës famullitar në Oberndor të Salcburgut (Austri). Në të njëjtën natë u muzikua nga Franc Xavier Gruber (1787-1863), organist i qytezës së afërme, Arsndorf. Sipas dëshirës së Mohr-it, motivi muzikor qe punuar për dy zëra, shoqëruar nga kori dhe kitara. Mohr-i e këndoi vetë këngën dhe e shoqëroi me kitarë, ndërsa Gryber bëri pjesën e basit. Fjalët dhe melodia u përhapen menjëherë, aq sa kënga u bë “Himn i përbotshëm i Krishtlindjes”.Kjo këngë mbërriti edhe ndër shqiptarë, në fillim të ‘900-ës, kur At Vinçenc Prenushi, françeskan përktheu “O e qeta natë”, që u këndua për herë të parë në kishën françeskane të Gjuhadolit në kremtimin e Krishtlindjes në vitin 1920.



O natë e qetë

Përkthyeu: At Pjetër Mëshkalla

Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë,
Krishti i lum sot ka le;
Shih si qeshet e bukura f’tyr’,
Me sy t’ambel mbar shekullin k’qyrë’
Flej, o i bukuri, flej
Flej, se shpresa je Ti.

Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë
Krishti f’mijë i Zoj’s Mari
Qe, në prehen sa mir’ po i rri,
Ejt’këndojnë me brohori:
Erdh i lumi Mesi
Erdh i lumi Mesi.

Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë,
Me shpejti vijnë barijt
Me shikue k’te bukuri,
Me adhrue njik’te fëmijë
Krishti plot dashuni,
Krishti plot dashuni!

Shënim
Është një version i përkthimit nga gjermanishtja e tekstit “O natë e qetë”, nga jezuiti At Pjetër Mashkalla, i cili ka qëndruar besnik tekstit nga gjermanishtja, kur nisi të këndohej në kishat e etërve jezuitë ku këndohet edhe sot.

Të tha me zemër spanjolle "hasta la vista!"

NGA PETRO MARKO



Romani/ Fragment nga romani “Hasta la Vista”
Takimi i Gorit me Anitën
Aeroplani ra mbi ullinjtë. I digjeshin krahët. Të tjerët u larguan, se pothuaj gjithë vagonat u bënë shkrumb e hi. Një tërkuzë e gjatë vagonash ishin katandisur skelete hekuri në zjarr. Disa ishin të përmbysura dhe akoma lëshonin zjarr e tym.
Ata që duallën nga aeroplani, kërkuan të shpëtonin, po u zunë. Ishin tre hitierianë të divizionit "Kondor" dhe një frankist. Garibaldinët i zunë, i lidhën dhe i shikonin me zemërim.
-E çmi mbani gjallë, -thirri dikush. - Hidhini n'atë zjarr që ndezën vetë! Brigantët!
Një tjetër u afrua dhe nxori revolen t'i vriste, po dora e tij u ndal nga Ramizi.
Këta janë robër lufte! Do të dërgohen te shokët e tyre! Mos i ngini! Po i ngau njeri...
Fjalën e Ramizit e preu Alvarezi.
- I çarmatosni mirë dhe i shpini në shtabin e brigadës, aty pas ullinjve. ju të tjerët ndihmoni shokët!...
- Ç'më rrini kështu sikur shikoni ndonjë Sfaqje!
- Plumbin qenve! Plumbin - u dëgjua përsëri nga mesi i ushtarëve.
- Dëgjoni thirri me zë të prerë komisari Alvarez - po i ngau njeri, plumbin ka. Shpejt, sikush në kompaninë e tij...
Kishte nga ata kurreshtarë që deshën të shikonin ç'fytyrë kishin bishat që bombardonin ditë e natë Spanjën republikane. S'lanë shtëpi e fshat, stacion e qytet pa bërë shkrumb e hi. Mirë! Ata sipas ligjeve të luftës së tyre të padrejtë, mund t'i sulmonin trenat e luftës e t'i shkatërronin siç bënë tani! Po kush i lajmëroi? Kush e dërgoi lajmin se ky tren ishte i brigadës së 12-të? Eh, luftë o luftë!
- Mor po këta qënkan simpatikë! - tha njeri. -janë të rinj. Pa shikoi! Flokëverdhë, bukuroshë! Pa shiko frankistin! Një moreno, tërheqës për vajzat, që ç'ke me të...
- Derrat! - thirri një tjetër.
- Qënt e qënit! - ia priti një tjetër.
- Të katër robërit, shkonin kryelartë. Bile ndezën dhe cigaren. Flisnin midis tyre... dhe siç dukej, atë që ato po bënin, e bënin për Fuhrerin që i kish verbuar dhe ndërsyer.. Kush e di! Pa tjetër do të vinin në vete ndonjë ditë, po të shpëtonin nga ky zjarr që ndezën ata me urdhërin e perëndisë së tyre.
Agimi, si nga hera, vazhdonte të derdhte dritën e argjendë nga lindja ku shtrihej deti Mesdhe. Pastaj një valë resh të kuqe u dalluan në horizontin e hapur! Eh, ç'agim! Sa keq për Gorin që s'e pa këtë agim! I kishin folur për agimet e kuqërreme të Spanjës së bukur. Po ja që s'pati fat ta shikonte këtë agim vjeshte. Ish i shtrirë, aty rrëzë një ulliri, i rrethuar nga shokët. Asimi nuk fliste. Prisnin doktorin, që mjekonte ata që ishin të plagosur më rëndë.
Kush e di sa shokë të rinj si Gori, që kapërcyen kufi e dete, për të ardhur gjer këtu, u vranë tani, pa ja shkrepur asnjëherë, pa shfryrë asnjë herë zemërimin dhe urrejtjen e tyre kundër fashizmit!
-Ka patur dhe më keq, - mendonte Asimi. - Ka patur shokë që u vranë pa shkelur fare në tokën spanjolle. Bllokada e turpshme dhe barbare e kapitalit internacional me fashizmin si xhandar, kush e di sa e sa shokë ka vrarë në det e në stere...
Gori çeli sytë! Herën e parë nuk mundi të përmblidhej e të kuptonte se ku ish. Po kur pa pranë fytyrat e dashura të Asimit e të Xhemalit, të Ramizit e të Dragushit, të Fatosit e të Arxhelit e të shumë garibaldinëve të tjerë, e kuptoi se po i linte përjetë. Mbylli prapë sytë dhe lotët i rodhën pa dashur.
Në këto çaste të mallëngjyera, Vjen xha Kola, i cili, sa dëgjoi plasjet e para, kish kërcyer përjashta dhe kish marrë frymë tutje kanalit. Ishte mbledhur kruspull në një guvë ulliri, kishte mbyllur sytë dhe qëndroi aty gjersa pushoi zjarri dhe rrëmuja. Kur ra agimi, atëherë u kujtua për armët dhe sidomos për çantën, ku mbante gjëra të vlefshme, siç thoshte ai, dhe nuk linte njeri t'ia prekte... Për këtë i vinte plasja dhe ish penduar shumë që s'mori të paktën çantën e vogël. "Po lëkura qënka më e dhëmbshur se floriri!" - kur shikonte lemerinë që ish bërë.
- Ka vdekur njeri nga tanët? - pyeti , kur pa shokët rreth Gorit.
- Po ti ç'u bëre? - pyeti Ramizi. - Nga bridhje! Ne kujtuam se... re dëshmor!
- Mortja nuk të merr, shtoi Xhemali.
Ra buria! Të gjithë të mblidheshin në kompanitë e tyre.
Gori e dëgjoi, çeli sytë dhe bëri të ngrihej.
-Mos lëviz! - e porositi Ramizi, - ja tani vjen doktori. Dhe me të vërtetë erdhi doktori me infermierët. E zbuloi. I pa mirë kokën, trupin e këmbët! I lidhi kryet, krahun dhe tërë gjoksin dhe porositi infermierët ta shpinin n'ambulancën që u ngrit tej kanalit.
Komandanti i brigadës dhe komisari që erdhën aty, pyetën doktorin dhe ky u tha se s'ka rrezik - frakturë dhe tronditje.
-Shoku shqiptar! Kur të shërohesh të presim në brigadë, - i tha komisari, dhe e përkëdheli duke i lëmuar flokët. -ju garibaldinët e Shqipërisë, përshëndetuni me shokun se po nisemi.
Gorin e vunë mbi vig. Ai nuk i çelte sytë nga turpi se i ishin mbytur në lotë.
-Gori! - i tha Asimi. - Ne po ndahemi, se brigada niset. Erdhi treni. Të presim! - dhe e puthi. E puthi dhe u largua, se një nyje i u bë në fyt.
Të gjithë e përqafonin. Po Gori nuk i çilte sytë të shikonte shokët, vëllezërit për të cilët krenohej jo vetëm ai, po krenoheshin tërë shqiptarët antifashistë. S'kishte fuqi të thoshte një fjalë, vetëm një fjalë: "Luftoni dhe për mua!" Kur nuk i dëgjoi më, kur ndjeu se infermierët e kishin ngritur, çeli sytë dhe pa se po e shpinin në drejtim të kundërt nga ai i shokëve që duke u larguar, kthenin kokën pas dhe i tundnin dorën duke e përshëndetur.
Fishkëllima e trenit ngrinte peshë më tepër zemrat e ndezura të garibaldinëve, që lanë shumë të vrarë dhe të plagosur. Po kënga gjëmoi.
Këtej autoambulancat mbartnin të plagosurit. Ata që ishin me plagë të rënda i shtruan aty pranë në një shtëpi fshatari, kurse Gorin e shtrinë në një shtrat të autoambulancës. Në shtratin tjetër ishte një shok italian që rënkonte thellë. Pranë Gorit rrinte një infermiere e re, e cila i lëmonte ballin. Gori mbylli sytë dhe s'dinte ç'të mendonte. I vinte turp... Çahu dhè të futem! Si? I shtrirë dhe i lidhur në këmbë, kurse brigada shkoi në Aragonë! Ç’fat i keq! Po kjo vajzë! Sa e mirë! Sa e dashur!
Ajo i foli në një gjuhë që Gori s'mori vesh. Pastaj i foli me gjuhën e ëmbël spanjolle. Gori, që dinte mirë italishten, e kuptonte spanjishten.
Befas maqina u ndal! Si një britmë e vetme gjëmuan thirrjet e të plagosurve. Dyert përnjëherë u çelën dhe infermierët rrëmbyen vigjët me të plagosur dhe vrapuan nën ullinjtë. Aeroplanët fashistë fluturuan shumë ulët. Gjëmimi i tyre bënte të dridhej dhe dheu! Për pak çaste toka u drodh dhe aty pranë në Alkala de Çis shtëllunga tymi u ngritën përpjetë si uji i detit nga plasja e bombave të mëdha. Gori pa dritën e tokës spanjolle. Sa dritë ka qielli dhe deti i Spanjës! Kudo që të hidhje sytë shikoje pyje me portokalle! Pyje me ullinj! Dhe ja, aty pranë, deti ish i shqetësuar dhe era kafshonte valët duke zbardhur dhëmbët si një qen i egërsuar. Infermierja, që i rrinte Gorit mbi kokë si një pulë që mbronte zogjtë e saj nga ndonjë skifter, Kristina, siç e quanin infermieren suedeze, e ruante të plagosurin nga aeroplanët.
- Janë shumë çnjerëzorë! Edhe autoambulancat i sulmojnë! Sa herë na kanë mitraluar!
Doktori që shoqëronte kollonën vizitoi edhe Gorin. E gjeti mirë, më të qetë.
- Jemi fqinjë! - i tha.
- Nga jini ju? - e pyeti Gori.
- Jam bullgar! Dr. Klimgev! Ti je shqiptar, apo jo?
- Po! jam shqiptar!
- Aty në spital, do të gjesh dhe një infermiere shqiptare. Është një shoqe e mirë.
Në rrugën e bukur, që përshkon bregun e detit Mesdhe, rrugë plot pemë dhe vreshta, plot vila dhe fshatra të bukura, tani përsëri nisën të lëviznin maqinat: kamionë me ushtarë e me mall, vetura, autobuzë, motoçikleta, biçikleta qerre - ç'lëvizje e madhe për në Castellon de la Plana! Maqina të mbuluara me gjethe, me dega: si duken së largu! Si një kopësht lëvizës!
Shumë maqina ndalen dhe vizitojnë të plagosurit. Edhe Gorin e vizitojnë, i buzëqeshin, i urojnë shëndet. Dhe Gori u buzëqesh me zor, se ndjen dhembie të madhe në gjoks e në brinjët dhe në majë të kokës. Ah, kjo erë e bendeve e mbyti fare! S'e duron dot! Sikur infermierja të mos ishte infermiere, po infermier, do të thërriste një herë e shumë herë: "Nënë! Moj nënë!", po kishte turp nga ata dy sy të kaltërt të shoqes suedeze që e shikonin me atë ëmbëlsi që e shikonte edhe qielli i Spanjës. Shtrëngonte dhëmbët dhe... ja para tij, pa dy sy, dy sy spanjollë, që kurrë s'do t'i harronte.
Një kolonel francez, burrë i shkuar nga mosha, me flokë të drejtë e t'ergjëntë, me mustaqe të shkurtëra si furçë e fortë, me dhëmbë të florinjtë, me beretën baske bojëhiri, u afrua dhe pyeti:
- Franse?
- Jo Shqiptar! - i tha infermiera -
- Shqiptar? Shqiptar?! Sans blague! (Fr.: Pa shaka: Vërtet) Sa mirë! Trim shqiptar, e? Si je, mon petit? (Fr.: biri im) Si je, mon petit? - dhe u afrua, i vuri dorën në ballë dhe i tha diçka frëngjisht. E puthi me dashuri. Vajza që e shoqëronte, e shikonte në thellësitë e syve, sikur kërkonte të kridhej brënda në sytë jeshil të Gorit, i cili ndjeu një diçka që s'e kish ndjerë kurrë gjer ahere. Koloneli e përshëndeti, kapi vajzën nga krahu dhe u largua, kurse e reja, duke e shikuar akoma, po me atë mënyrë të çuditëshme, u kthye i përkëdheli flokët, u ngritë duke e parë në sy si i hutuar, sikur deshi t'i thosh diçka... i hodhi një degë ulliri që mbante në dorë dhe u largua duke e hequr prej kolonelit dhe duke i thënë Gorit:
- Hasta la vista! (Sp.: mirupafshim)
Gori lëvizi pakëz, e shikoi më mirë, kur ajo largohej. Infermierja tha:
-Buena chiquita! Muy guapa! (Sp.: Vajzë e mirë! Shumë e bukur)
Gori s'foli gjersa e vunë prapë në autoambulancë. Maqina ecte në rrugën e asfaltuar drejt Murcias. Infermierja, me sjelljen e saj shumë të dashur, nuk ia hoqi degën e ullirit. Gori si i truar e kish pyetur:
- Mua më tha: "Hasta la vista?"
- Po! Të tha me zemër spanjolle "hasta la vista!" dhe të uroj ta rishikosh. Të fali dhe këtë degë ulliri.


Roman/ Fragment nga “Nata e Ustikës”


Për në kampin e Ustikës


Për në kampin e Ustikës: Më duket se motori e rralloi forcën, - më thoshte Iloja.
U ngritëm të tërë më këmbë. Shikonim të gjithë lart, nga bukaporta e mbyllur.
-Sa natë e gjatë! - tha mbase kot, siç fliste kot Taqi.
Me duar të varura e të rënduara rrinim si ata besimtarët fanatikë që shikojnë ndaj qiellit. Lart dëgjoheshin zëra. Lart kishte jetë. Lart kishte erë dhe horizont. Kishte të qeshura dhe shakara.
Sa ndenjëm ashtu, s'dihet. Vetëm kur Iloia tha: "Pse s'ulemi?", atëherë shikuam të gjithë nga ai dhe lëvizëm. Qeshnim. E pse të mos qeshnim? Ishim akoma gjallë. E kaluam Adriatikun. E kaluam vdekjen...
- Zoti e di se ku jemi!
- Unë them të shtrohemi e të hamë... Të hamë sa jemi këtu e sa i kemi këto ushqime... Më mirë t'i kemi në bark sesa...
Asnjë nuk e kundërshtoi këtë mendim. Mistoja çeli valixhen. Vuri përpara ushqimet. Cilido me mundime afrohej, merrte ç'i pëlqente... Edhe unë mora bukë e kaçkavall. Më pëlqente shumë kaçkavalli. Është si ullinjtë. Po të hash bukë e ullinj, s'ngopesh së ngrëni. Ashtu edhe me kaçkavallin... Po ujë? Ku ka ujë? Ç'bëra që hëngra kaq shumë.
Dhe pasi u paqosëm mirë, sikur të mos na kishte ngjarë natën asgjë, secili nisi të tregonte ato që kishte menduar gjatë natës.
Mistoja tha: - Isha i sigurt qind për qind se do të mbyteshím... Vrisja mendjen... dhe gjithnjë mallkoja veten që nuk sulmuam qysh në korridorin e burgut. Ose do të ishim vrarë, ose do të kishim shpëtuar... po do të linim nam.
Iloja tha: - As për një çast nuk e mendova vdekjen.
- Kadriu - unë kam frikë nga deti. Mirë që nuk e shihja. Kam udhëtuar natën me vapor. S'ka tmerr më të madh.
Alqi - Mua më ishte ngulitur në tru se si do të vinte siluri, si do të fundoseshim... si do të shuhej drita e nuk do të shikonim më njeri-tietrin.
Pastaj Mahmuti - Unë e ndieja veten mirë se isha në mes dhe falenderoja ata që na lidhën. Se, duke qenë të lidhur, më dukej vetja dhjetë herë më guximtar.
Tahiri - Që kur më zunë, e mora parasysh vdekjen... Prandaj gjithë natën s'më ra ndër mend mortja...
Bexhetit, kur i erdhi radha të thoshte edhe ai se ç'kishte menduar gjatë natës, duke qeshur, foli: - ja, i thatë ju të gjitha.
Kurse Taqi e tha që në fillim: -Unë flija.
Të gjithë kishin kaluar nga biruca nr. 8 Kishin biseduar ca minuta. Pastaj ishin caktuar në kaushet dhe qelitë e ndryshme. Përves Ilos dhe Kadriut, që ishin komunistë, ne të tjerët ishim si gjithë të burgosurit. Tani që na lidhte një zinxhir, tani që rrugën e kishim të përbashkët, do të njiheshim më shumë. Nata që kaluam sikur na afroi. Morëm frymë nga njëri-tjetri; u përgatitëm të vdisnim bashkë. Tani duhej të jetonim bashkë.
Bukaporta u hap. Ne u ngritëm më këmbë, kthyem kokat lart e pamë qiellin plot dritë. Pamë shumë ushtarakë e marinarë që na dukeshin... - si dukeshin ashtu? Këmbë të mëdha e kokë të vogla... sikur ishin gati për të na shtypur... Pamë litarë dhe direkun... Po ç'thoshin? Qeshnin me ne që u dukeshim si miza?
Pritëm e pritëm. Heshtjen tonë e prishi Iloja:
- Këtu kushedi se ku jemi e kushedi ku do të na shpien... Lart kokën, si shqiptarë që jemi...
Vinçi me magjen e madhe në formë vagoni minierash u fut në bukaportë, u ul poshtë gjer në dyshemenë e hambarit tonë. Ne bëmë mënjanë. Zbritën me të shpejtë nga shkalla disa karabinierë.
Na urdhëruan të futeshim në atë magje. Ne ngurruam. Po ara na kërcënuan e na thanë se ashtu do të dilnim më kollaj. Me një mijë mundime u futëm, gati njëri mbi tjetrin. Ata lart vazhdonin të qeshnin.
Vinçi ngrihej. Ne tundeshim në erë. Iu afruam bukaportës.
Pastaj na kthyen nga bankina. E, kur ishim mbi bankinën, na lanë aty në erë.
Përposh nesh britma. Hodha sytë, e, ç'të shikoje! Mijëra njerëz me grusht na kërcënonin.
- Spie! Spie!
- (It.: Spiunë! Spiunë!)
- A morte le spie che hanno causato miliaia di morti.
- (It.: Vdekje spiunëve që kanë shkaktuar me mijëra të vdekur).
- Traditori! Spie di un cane!
- (It.: Tradhëtarë! Spiunë të qenit!)
Po kjo? Ç'është kjo pritje në tokën italiane? Ne vareshim në erë e lëkundeshim si kufoma e Hamidit...
Një fishkëllimë e gjatë bilbili... Turma sikur deshi të na hante. Po ja që ne ishim lart. Vareshim e tundeshim në ajër.
Pushoni! Pushoni... - Vala zemërake e turmës sikur ra në bunacë. - Pushoni! Këta shqiptarë të mallkuar, këta banditë, këta spiunë na morën në qafë... Morën më qafë mijëra e mijëra bij të Italisë, se kapërcenin vijën e parë e i tregonin grekut pozitat tona... Pastaj na sulmonin nga shpina... - bërtiste me sa kishte në kokë një oficer aty mbi vapor.
Turma e ngriti më lart se ne, gjer në qiell, sharjen dhe mallkimin.
- Vdekje spiunëve! Vdekje banditëve!
U hutova. Nga fundi i detit, tani në qiell. Ç'kishin me ne? ç'kishte me ne ai oficer që lehte si i tërbuar?
- Ne nuk jemi banditë! - bërtiti me fuqi dhe me një italishte të bukur Mistoja. - Banditë janë ata që na zunë derën... që na vrasin, që na varin, që na arrestojnë.
Iloja, që ishte ngjitur fare me mua e ngriti zërin më lart:
- Ja ku janë banditët... ja ku janë kasapët e popullit italian! --dhe me të dyja duart e lidhura tregonte oficerin dhe karabinierët.
Ata poshtë, sikur do të na hanin me dhëmbë. Ne lart këndonim. I pari ia nisi Iloja:

Avanti, popolo,
alla riscossa
bandiera rossa
triomfera...
Lëshoje vinçin! Lëshoje shpejt! - urdhëronte oficeri me duar e këmbë...
Kënga ngrihej më lart se ne. Përhapej më tej vaporit nga shikonin të shastisur. Turma kishte heshtur e na shikonte gjithashtu e shastisur.
Ne tundeshim në erë duke kënduar.


Lindi ne fshatin Dhërmi. Petro Marko ka lindur ne nëntor të 1915, dhe ka vdekur në dhjetor të 1991. I ati quhej Marko kurse e ëma Zoice. Që kur ishte nxënës i shkollës tregtare në Vlorë, që e nisi më 1924 e e kreu në vitin 1932, filloi të shkruajë poezi dhe proza të shkurtra. N'atë shkollë pat si drejtor edhe arsimtarin e studiuesin Kolë Kamsin, dhe si mësues Ernest Koliqin; shkollë në të cilen jepnin mësim dhe shumë mësues italianë, një nga këto i prezantoi me "Manifestin" e Marksit. Pasi kreu shkollen sorollatet nepër Tiranën e zymtë t'asaj kohe në kërkim të ndonjë pune, deri sa i bjen në dorë një ditë Hilë Mosit, asokohe Minister Arsimi, i cili e caktoi mësues në Dhërmi. Më pas transferohet për në Dhuvjan të Dropullit. Qëndron në kontakt të vazhdueshëm me shtypin komunist, nepërmjet gazetave greke, të cilat ia jipte Asim Vokshi. Nga një ngatërresë që pat, u gjet preteksti se Petrua i jepte nxënësve literaturë komuniste (akuzë e pavërtetë). Kështuqë u dëtyrua të largohej për herë të parë në Greqi, qëndron në Korfuz, ku bie në kontakt me emigrantët politik t'atjeshëm me në krye dr. Omer Nishanin. Pastaj niset për n'Athinë, ku kishte të vëllanë Dhimitrin (Mimon), që ishte larguar që fëmijë nga Bregu. Atje hyn në fakultetin e letërsisë, por përjashtohet pas një debati me rektorin të cilin Petroja i thoshte se "turp për ju që ende jetoni në kohë të Bizantit!...", ngaqë ai e shikonte si turp që një himarjot t'ishte mësues i shqipes. Nepërmjet punëdhënësit të së vëllasë krijohet mundësia të hyjë në një shkollë jo shtetërore, në fakultetin ekonomiko-politik. Shqyrton mundësinë të shkojë në Bashkimin Sovjetik, ku n'atë kohë ishte dhe Sejfulla Maleshova, Ali Kelmendi e Tajar Zavalani, por bie poshtë si mundësi. Kthehet në Shqipëri, por ikën fill pas dështimit të Kryengritjes së Fierit. Kthehet pas vendosjes të qeverisë liberale të Mehdi Frashërit - verë 1935. Planifikohet Kryengritja e Fieri, që dështon që në zanafillë, dhe ikën nga Vlora për në Korfuz. Kthehet në nëntor pasi Branko Merxhani e Ismet Toto e thërrasin ngaqë do hapej një gazetë ("Koha e Re") si organ i qeverisë. Gazeta mbyllet pas një artikulli bombastik mbi punëtorët e Kuçovës; që Ethem Toto, asokohe ministër i brendshëm e pau si reaksionar e komunist. Shëtit nga një gazetë në tjetrën ("Illyria", etj.), dhe më 1936 boton revistën “ABC” bashkë me Branko Merxhanin, Dhimitër Godellin, Zavalanin, Migjenin, e cila u mbyll pas numrit të 2-të; e internojnë në Porto Palermo (2 javë) e pastaj në Llogara, lirohet me interesimin te Merxhanit e Totos. Bashkëpunon në "Përpjekja shqiptare" e B.Merxhanit, që Brankoja donte t'a vinte si antipod i "Hylli i Dritës". Por largohet mbasi u shkruajt një artikull që s'ishte gazetë komuniste nga Brankoja. Pasi në një gazetë tjetër del haptas me idetë e tij pro-proletariatit, i bie halë në sy Musa Jukës, i cili për ta pajtuar i propozon postin e zv/prefektit në Himarë. Petro i jep fjalën se do e pranojë pasi të shkojë n'Athinë e të japë ca provime. Takohet me Migjenin para se të niset (1937), dhe pastaj me të mbërrirë n'Athinë merr anijen për në Francë, Marsejë; anija i ra përreth Mesdheut (Izmir, Xhafa, Aleksandri, Tripoli). Mbërrin në Marsejë, dhe gjen në Paris Llazar Fundon e Ali Kelmendin. Merr direktivat nga një "shok" serb që mbante si nofkë "Robert". Dhe caktohet kryetari i grupit prej 113 që u nis për n'Albacete ku ishte qëndra e Brigadave Internacionale. Bashkohet me vullnetarët e brigadës “Garibaldi” në Spanjë, shkon për në Kuintanar de la Republica. Merr pjesë në Mbledhjen e Shkrimtarëve Antifashistë në Valencia, ku ishin dhe Ernest Hemingway, Pablo Neruda, etj. Lëviz nga Estremadura, Aragona, Gondez e mandej prapë në Francë, ku herë në Paris e herë në Grenoble i financuem nga Ndihma e Kuqe Internacionale i veshur me petkun dhe karizmën e interbrigadistit (vullnetar me brigadat internacionale) u ngarkue me agjitacionin në rininë universitare të Grenoble. Hyn n'Itali nga fundi i '39. Pas 1 mijë e ca ditësh kthehet n'atdhe sepse Kominterni kishte porositë me i çue legalisht ose jo të gjithë komunistët në vendet e tyne. Kthehet në Dhërmi dhe mendon pajtimin me Dukatin - hasmëri të vjetra. Në Vlonë nis e harton trakte, shqip e italisht, kundra fashizmit. E burgosin, në Vlonë, në Tiranë (maj 1940)... mbas marsit 1942 e nisin për Itali, Palermo e Ustikë. Shkruan "Një natë e dy agime", poemat "Nase labi", "Horizonti në kuletë", "Parada e të uriturve", romanet "Kodashi", "Rrugëve të luftës"; "Nisja pa mbarim", "Bija e kapitenit"... Pas çlirimit te jugut t'Italisë nga forcat aleate Anglo-Amerikane çan burgun së bashku me të burgosur tjerë dhe kalon në zonat e çliruara Italiane. 1944 arrestohet nga gjermanët dhe po atë vit kthehet në Shqipëri. Në përfundim të Luftës Antifashiste në vitin '44 kthehet ne Shqiperi duke organizuar edhe ardhjen e gati 300 Shqiptarëve tjerë në kohen kur Shqiptarët kishin mbetur pa kurrfarë organizimi. Është në Shkodër në shtëpinë e Nush Topallit, kur Shkodra bastiset nga trupat serbe. Tek "Retë dhe gurët" citon N.Spirun që i thoshte se Shqipëria kishte material të mjaftueshëm jo vetëm për të dhe për kushedi sa vjet,- bollëk ky që bënë të mundur tregtarët shqiptarë nën okupacionin italian e pastaj gjerman, ngaqë pushtuesit kishin nevojë për material. Kur kthehet në Shqipërinë e çliruar, ftohet që të qëndrojë në krye të gazetës "Bashkimi" në Tiranë nga 1945-1947, nga një kontroll i befasishëm i gjejnë shkrime jashtë vijës së partisë, (shkruan se Hysni Kapo e shpëton nga pushkatimi) lirohet më 15 maj 1950. 1957 mësues në teknikumin “8 Nëntori”. Boton "Hasta la vista" - 1959. 1973 i hiqet e drejta për botim. Më 1975 i fusin në burg të birin. Romani "Çuka e shtegtarit" - 1980 si direktivë për autokritikë nga Partia; por s'ia pranuen e nuk u botue. Kjo për të vetmin shkak se nuk mund të pajtohej që në ditët e para të pushtetit me fillimin e diktaturës, e sidomos kur provoi t'i rezistojë diktatit që i vinte Shqipërisë aso kohe nga jashtë, kryesisht nga Beogradi. 27 dhjetor 1991 vdes dhe varroset sipas amanetit pa ceremoni.

Në kulturën dhe letërsinë kombëtare Petro Marko është personalitet i përmasave të mëdha me shpirt e mendje të paluhatur para çdo stuhie. Ata që kanë njohur nga afër Petro Markon, kanë ndjerë se brenda tij rrezatonte një besim madhor ndaj njeriut dhe mirësisë. Vetëm një lartësi shpirti e tillë mund ta përballonte ndeshjen sy më sy me vdekjen, që ai përjetoi aq shumë herë gjatë jetës së tij. Dhe sa herë ngrihej në këmbë ai do ta niste nga e para luftën ndaj së keqes po me atë forcë besimi, po me atë rrezatim mirësie. Të tillë e ndjen lexuesi Petron në romanet "Hasta la vista" dhe "Qyteti i fundit", ku rruga e tij jetësore e asimiluar artistikisht, është aq e pranishme. Në vitet '70 ai do të shkruajë romanin "Një emër në katër rrugë", ndërsa periudhën e vështirë të jetës së tij në ishullin e Ustikës do ta përjetësojë në romanin e tij të rëndësishëm "Nata e Ustikës". Paraqitja e shkrimtarit Petro Marko me dy romanet e tij të parë "Hasta la vista" dhe "Qyteti i fundit" në vitet '60 është një kthesë e vërtetë në historikun e shkurtër të romanit shqiptar. Dhe nuk është fjala për rrumbullakësimin e një përvoje krijuese, por përkundërazi për ndërprerje dhe dalje nga një përvojë e shartuar jonatyrshëm në rrjedhat e letrare shqiptare, ishte një synim që rrëfimi romanor, pjesërisht në vitet '40, '50, do të çlirohej dhe të hapej si vizion, univers krijues dhe si spektër tematik.
Krahas kësaj prirjeje të brendshme që kanë të dy romanet e përmendur përballë veprave të të njëjtit zhanër të deriatëhershëm, këto vepra qëndronin superiore edhe si artikulim artistik. Dhe pikërisht për natyrën e risive, për natyrën që pretendon ndryshime të vërteta të vlerave letrare. të gjitha veprat e Petro Markos u pëlqyen dhe u kërkuan nga lexuesi.
Faqet më të fuqishme të prozës së Petro Markos reflektojnë triumfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor. Pas tërë atij ferri nëpër të cilin kalon njeriu në rrëfimin e Petro Markos, ai arrin të mbetet i pamposhtur nga mizoritë e botës. Këtë bërthamë të brendshme e rrezatojnë personazhet nga romanet e tij, këtë shkëlqim biblik reflekton Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar në tërë veprat e tij. Nuk ka shembull në letërsinë shqiptare, ku të jetë gërshetuar dhe njehsuar aq shumë mes vetes njeriu dhe krijuesi - Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar. Me romanet e tij Petro Marko hyri në personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare që sollën risi të vërteta në traditën letrare shqiptare. Tek vepra e tij rrezaton bindja dhe besimi i lindur për dashurinë dhe humanizmin njerëzor, ndonëse sa rrojti ishte ndër personalitetet më të persekutuara dhe më të munduara. Në vitin 2000, e shoqja Safo me të bijën Amantia, botojnë "Retë dhe gurët - Intervistë me vetveten", autobiografik ku Petro Marko plak merr në pyetje një version më të ri të vetvetes; libër ky që i kishte mbetur dorëshkrim dhe e kishte dëshirë t'a botonte. Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2003 dekoroi Petro Markon me Urdhrin "Nderi i Kombit".


Në Luftën e Spanjës, si luftëtar në brigadat internacionale. Pas Luftës së Spanjës, gjatë kthimit për në Shqipëri, ai do të ndeshet dhe do të marrë pjesë në shumë beteja antifashiste nëpër Evropë.

Mirënjohjet

  • “Mjeshtri i Madh i Punës” - 1998
  • “Penda e Artë” - 2000
  • “Qytetar Nderi i Vlorës” - 2002
  • Urdhri "Nderi i Kombit" në vitin 2003

Burimi i të dhënave

  1. Gjovalin Shkurtaj dhe Enver Hysa : Gjuha Shqipe për të huajt dhe shqiptarët jashtë atdheut
  2. ^ PETRO MARKO, "Ara në mal", Redaksia e botimeve "RILINDJA", Biblioteka Shkrimtarë Shqiptarë, Prishtinë 1972.
  3. ^ PETRO MARKO, "Shpella e piratëve", Redaksia e botimeve "RILINDJA", Biblioteka Shkrimtarë Shqiptarë, Prishtinë 1972.
  4. ^ PETRO MARKO, "Horizont", Redaksia e botimeve "RILINDJA", Biblioteka Shkrimtarë Shqiptarë, Prishtinë 1972.
  5. ^ PETRO MARKO, "Stina e armëve", Redaksia e botimeve "RILINDJA", Biblioteka Shkrimtarë Shqiptarë, Prishtinë 1972.
  6. ^ PETRO MARKO, "Halimi", Redaksia e botimeve "RILINDJA", Biblioteka Shkrimtarë Shqiptarë, Prishtinë 1972.
  7. ^ PETRO MARKO, "Tregime", Redaksia e botimeve "RILINDJA", Biblioteka Shkrimtarë Shqiptarë, Prishtinë 1972.
  8. ^ PETRO MARKO, "Gazetari, mbreti e uria", Redaksia e botimeve "RILINDJA", Biblioteka Shkrimtarë Shqiptarë, Prishtinë 1972.

PËRGATITI FLORI BRUQI

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...