Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/07/02

Unë mund të vdes që sonte – Jules Laforgue


0
Jules Laforgue (1860-1887)  u lind më 16 gusht 1860 në Montevideo të Uruguajit dhe vdiq më 20 gusht 1887 në Paris. Kur ishte gjashtë vjeç, prindërit e dërguan tek disa të afërm të tyre në Tarbes të Pirenejeve, ku do të kalonte një fëmijëri të vështirë. Më 1876 u vendos në Paris, duke jetuar edhe aty në skamje të plotë. Në kryeqytetin francez frekuentonte qarqet e simbolistëve. Në vitin 1881 u punësua si lexues i perandoreshës gjermane Augustenburg dhe jetoi rreth gjashtë vjet në Berlin, ku u martua me guvernanten angleze Leah Lee. Pak kohë pas kthimit në Paris, vdiq nga tuberkulozi. Në gjallje botoi tri përmbledhje me poezi: «Complaintes» (1885), «L’imitation de Notre-Dame de la Lune» (1886) dhe «Le consil féerique» (1886). Pas vdekjes, iu botua edhe pjesa tjetër e veprës poetike: «Des fleurs de bonne volonté» (1887), «Derniers vers de Laforgue» (1890), «Le Sanglot de la terre» (1901), «Premiers poèmes» (1903). Përktheu në frëngjisht «Fijet e barit» të Whitman-it. Nga arti i Laforgue-t u ndikuan, të paktën në hapat e tyre të parë, poetë si Eliot e Seferis.
Vajtim për hënën e katundit…
Ah, hëna e plotë, ç’hijeshi,
ç’fat i madh e ç’lumturi!
Larg dëgjohet një trumbetë,
shkon sekretari, dora vetë;
një melodi vjen nga përballë,
një mace rend nëpër mëhallë:
bie në gjumë gjithë katundi!
Dhe me një notë më së fundi
edhe muzika kaq e pati.
Kush e di sa thotë sahati?
Mërgim si ky, moj hënë e qetë,
në gjithë botën zor të ketë!
Hënë amatore, moj hënë,
që dheut rrotull i ke rënë,
që kundroje mbrëmë Havanën,
ndërsa sonte sheh Tiranën,
fjordet e kaltër të Norvegjisë,
polet, ishujt e Greqisë.
Veç ti fatlumja je në gjendje
të soditësh me vëmendje
dasmën e mikes që më la
për një skocez, katileja!
Ç’ngushëllim do qe për mua
të më lexonte ajo grua!
Hënë, ti moj bredharake,
për nga brengat sa më ngjake!
Qama hallin, të ta qaj,
se po vdes unë fukaraj!
Porse hëna, plakë me huqe,
veshët ka mbyllur me pambuqe.



E pamundura

Unë mund të vdes që sonte! Dielli, shtrëngata,
palcë, nerva e zemër do m’i flakin anembanë.
As ëndrra s’do ketë, as zgjim për mua nata.
Dhe as në yje nuk do shkoj atje matanë!
Nëpër gjithë këto botë të largëta, e di mirë,
Pelegrinë të vetmive të zbehta dhe ata,
drejt nesh netëve të ëmbla duart duke shtrirë,
ëndërrojnë Njerëzime kush e di sesa!
Janë vëllezërit tanë, e di, porsi ne qyqarë!
Na japin shenjë në terr, dridhen nga trishtimi!
Vallë ndonjëherë do na bëhet mbarë
t’i themi shoshoqit dy fjalë ngushëllimi?
Yjet dikur do takohen e ndofta atë ditë
Gjithësinë do ta zbardhë Agullima e motit,
Siç thonë ca leshko që mendjen e kanë dritë!
Dhe britmë vëllazërie do jetë ajo ndaj Zotit!
Por unë, medet, s’do jem! Dielli, shtrëngata,
palcë, nerva e zemër do m’i flakin anembanë,
as ëndrra s’do ketë, as zgjim për mua nata!
Në yjet e bukur s’do shkoj atje matanë!
Edhe një libër…
Edhe një libër, o mall i pashteruar;
larg prej burrave dhe grave,
larg prej mirësjelljes dhe parave,
larg prej çdo fjale të qëmtuar!
Nga të mitë një pierot më pak;
vdekur prej bonjakërisë kronike;
porsi hëna, të brishtë dhe fisnike
e kishte zemrën dhe trupin qesharak.
Hyjnitë ikin, më keq se një kopé;
ah! dita-ditës dreqoset kjo jetë;
s’më mbetet veç të iki edhe vetë,
të fluturoj e të strukem në Folé.
Jam një qejfli…
Jam një qejfli që e mban me hatër hëna
dhe që endet fushave poshtë e përpjetë,
pa pasur më asnjë lakmi në jetë,
veçse t’i mbetet emri në gojëdhëna!
Duke përveshur mëngët me një shprehje
grishëse, mbledh buzët në mënyrë të tillë
që të shfryj në vazhdim ndonjë këshillë,
porsi Ai që në kryq gjeti prehje!
Ah! po, në këtë prag shekujsh të prapë,
të përmendem, lakmoj, nëpër gojëdhëna!
Po ç’u bënë të qëmotit ato hëna?
Ç’u shthur e Zoti nuk e thuri prapë?
Përktheu Romeo Çollaku

Dhjetë libra bazikë të filozofisë sipas universitetit të Leidenit


Në një artikull të botuar pak kohë më parë në revistën “Philosophia” të universitetit të Leidenit, dhjetë librat filozofikë që kanë ndikuar më shumë mendimin në këtë fushë janë:
Republika – Platoni
Republika nuk ka të krahasuar në mbulimin e të gjitha fushave të jetës. Ndërsa Platoni adreson çështje metafizike, ai e bën këtë me gjuhën dhe analogji që çdo njeri mund ta rrokë me lexim studimor. Por Platoni flet më shumë sesa për metafizikë. Martesa, muzika, luftëra, mbretër, riprodhim dhe shumë të tjera janë çështjet e diskutimit të dialogëve të Platonit.
Etika Nikomake– Aristoteli
Në këtë vepër, pyetja guidë e Aristotelit është: cila është gjëja më e mirë për një qenie njerëzore? Përgjigja e tij është lumturia, por ai e ka fjalën jo për diçka që ndiejmë, por një lloj të mirë jete. Lumturia është e përbërë nga aktivitetet ku ne përdorim kapacitete më të mira njerëzore, njëherazi ato që kontribuojnë në lulëzimin tonë si anëtarë të një komuniteti dhe ato që na lejojnë të angazhohemi në mendime prej zotash.
Një Histori e Filozofisë Perëndimore – Bertrand Russell
Që prej botimit të parë më 1945-n, vepra e Lordit anglez është lavdëruar universalisht, si një punë e jashtëzakonshme me një vëllim në subjektin, i pakrahasueshëm për gjithëpërfshirjen, qartësinë, erudicionit, hirshmërinë dhe mençurinë.
Përtej së mirës dhe së keqes – Friedrich Nietzsche
Ky libër konfirmoi pozicionin e Nietzsche-s, si vigani i filozofisë europiane për epokën. Vepra në mënyrë dramatike refuzon traditën e mendimit perëndimor me nocionet e së vërtetët dhe Zotit, së mirës dhe së keqes. Nietzsche demonstron se bota e Krishterë është e zhytur në një mëshirë të rreme dhe të infektuar me “moralitetin e skllavit”.
Meditime mbi Filozofinë e parë – René Descartes
Ky libër përbëhet nga gjashtë meditime, në të cilat autori hedh së pari të gjitha besimet, në gjëra që nuk janë absolutisht të sigurta dhe përpiqet të vendosë se çfarë mund të dihet me siguri. Meditimet janë shkruar sikur të ishim duke medituar për 6 ditë: çdo meditim i referohet të kaluarit si “dje”.
Bota si Vullnet dhe Përfaqësim – Arthur Schopenhauer
Nëse je aq i mençur sa të largosh të gjitha detajet e mërzitshme shkencore që kanë skaduar me kohë (ashtu siç bëjnë të gjitha) si edhe opinionet personale të filozofit, ky mund të jetë një nga veprat më të mëdha të shkruara ndonjëherë. Duket si fundi i filozofisë: përgjigje të mirë për pyetjet me të cilat përleshemi çdo ditë.
Meditime – Marcus Aurelius
I shkruar nga një perandor intelektual i Romës, Meditime ofrojnë në rang të gjerë reflektimet shpirtërore të zhvilluara, ndërsa lideri luftonte të kuptonte veten dhe universin. Ai mbulon çështje të ndryshme, si: çështja e virtytit, logjika humane, natyra e zotave dhe të emocioneve të tij, duke kaluar nga dyshimi dhe dëshpërimi te bindja dhe ekzaltimi. Një vepër e mirë për të mësuar më shumë rreth filozofisë stoike.
Tao Te Ching – Lao Tsu
Tao Te Ching apo “Libri i Rrugës” është një manual klasik mbi artin e të jetuarit dhe një nga mrekullitë e botës. Në 81 kapituj të shkurtër, ky libër shkon te parashikimet bazike të të qenit gjallë dhe jep këshilla që mbajnë balanca dhe perspektiva, një shpirt të qetë dhe bujar. Ku libër është rreth urtësisë në veprim.
Letra nga një Stoik –Seneca
Seneca, ashtu si Marcus, ishte një burrë pushteti në Romë. Ai ishte edhe një shkrimtar i madh, një mik i besuar që u ka dhënë këshilla miqve. Shumë prej tyre kanë mbijetuar në formën e letrave, të cilat na udhëheqin përmes problemeve me zinë, varfërinë, pasurinë, suksesin, dëshpërimin, edukimin e shumë të tjera.
Ese– Montaigne
Montaigne është influencuar thellë nga disa prej filozofëve të lartpërmendur. Ai e kaloi pjesën e dytë të jetës së tij duke pyetur veten dhe të tjerët me të gjitha llojet e pyetjeve interesante dhe më pas eksploroi përgjigjet në formën e eseve të shkurtra provokuese. Këto ese janë gjithnjë të mira për mendime rreth vdekjes, tjetrit, kafshëve, seksit e gjithçka tjetër.

Kur Karl Marksi shkruante për shqiptarët

0
Është për nderin tonë që në jetën dhe në veprën e Karl Marksit të gjenden mendime e të dhëna që lidhen me Shqipërinë e botën shqiptare. Ato, ndonëse janë anësore në shumanshmërinë e trashëgimisë së tij, prapë duhen njohur e studiuar.
Interesimin e Marksit për historinë dhe për karakterin e popullit shqiptar e ndeshim qysh herët. Në vitet e rinisë, gjatë përpjekjeve që bënte për formimin e tij shkencor, ai do të studionte e konspektonte historinë e disa vendeve, duke filluar nga historia e Francës e deri te “Historia botërore” e Shloserit. Rëndësi të veçantë për ne kanë shënimet e nxjerra nga studimi i historisë së Perandorisë Osmane. Në to ai përmend shqiptarët dhe flet me simpati e vërtetësi për ta.
“Midis kombeve të tjera, – shkruan Marksi i ri, – po ndalemi para së gjithash tek shqiptarët. Ky është një popull trim malësor, i cili përbën popullsinë autoktone të vendit që shtrihet në shpatet e brigjeve të Adriatikut; ai flet gjuhën e tij të veçantë që bën pjesë në familjen e madhe të gjuhëve indoeuropiane”.
Në historinë shqiptare vëmendjen e Marksit e tërheqin në radhë të parë epoka e luftërave të Skënderbeut dhe personaliteti i tij. Për të, vepra e Heroit tonë Kombëtar i ka shërbyer objektivisht progresit të njerëzimit. Duke e vlerësuar lart luftën antiosmane të popullit shqiptar, ai e cilëson atë si “Një goditje kundër të vetmit shtet me të vërtetë ushtarak të mesjetës, i cili i kundërvihej zhvillimit historik që po lindte dhe përparimit botëror”.
Qëllimi ynë në këtë artikull nuk është hulumtimi e studimi tërësor i trashëgimisë së Marksit, që lidhet drejtpërdrejtë ose tërthor me Shqipërinë dhe me historinë e popullit shqiptar. Është fjala për një album folklorik të përgatitur nga vetë Marksi në kohën e rinisë. Albumi, siç do ta shohim më poshtë, nuk u hartua me qëllim botimi dhe mbeti në mes të dorëshkrimeve të tjera. Për herë të parë ai u botua më 1929 në Berlin në serinë e veprave të plota të Marksit dhe të Engelsit (Karl Marx, Friedrich Engels, Gesamtansgube – Mega – ), në vëllimin e parë: Karl Marks, Vepra: Artikuj, sprova letrare deri në mars 1843. Tekste. (Karl Marx – Werke, Artikull Literarische Versuche Bis März 1843. Text).
Albumi është një koleksion këngësh popullore të popujve të ndryshëm, të cilat Marksi i përmbledh enkas dhe ia dhuron më 1839 të fejuarës së tij Zheni Vestfalen në Berlin. Në krye ai ka këtë kushtim: “Këngë popullore gjermane (në të gjitha të folmet), spanjolle, greke, letone, estone, shqiptare etj.) të mbledhura e të kopjuara nga përmbledhje të ndryshme për Zhenin tim të shtrenjtë. K. Marks, Berlin 1839”.
Ky ishte albumi i dytë që Marksi i ri i dhuronte Zhenit, pas koleksionit të parë të shkruar me dorën e tij nën titullin: “Një përmbledhje me këngë e legjenda të vjetra gjermane”. Fillimisht ne njohëm nga albumi vetëm kushtimin. Vëmendjen tonë e tërhoqi fakti se aty përfshiheshin edhe këngë popullore shqiptare. Por më vonë, duke hulumtuar në trashëgiminë e K. Marksit, ramë në gjurmët e albumit dhe e gjetëm të botuar në veprën e tij të plotë. Njohja e drejtpërdrejtë me të, jo vetëm zgjidhi përfundimisht hamendjet tona, por na lejon ta shqyrtojmë nga afër e ta gjykojmë më saktë përmbledhjen, kriteret e zgjedhjes, vendin që zë kënga popullore shqiptare në të.
Albumi përmban gjithsej 80 këngë popullore, të ndara në 9 grupe: këngë gjermane, këngë spanjolle, këngë estoneze, këngë të vjetra greke, këngë të reja greke, këngë laplande, këngë letone, këngë italiane dhe këngë finlandeze. Kënga shqiptare është vendosur më vete në grupin e gjashtë dhe, megjithëse jepet përkatësia kombëtare, ajo përfshihet si këngë në greqishten e re. Një pikëpamje e tillë ishte zotëruese në studimet gjuhësore të kohës, pasi deri në vitet ’60 të shekullit të kaluar, gjuha shqipe vendosej në një grup gjuhësor me greqishten e vjetër dhe latinishten. Po pavarësisht nga kjo hollësi formale në renditjen e këngës, përmbledhësi është i ndërgjegjshëm se ajo i takon folklorit të popullit shqiptar.
Albumi përbëhet në radhë të parë nga këngë popullore lirike, nga legjenda, balada, këngë humoristike, epigrafe. Aty gjejmë dhe disa këngë nga poezia e kultivuar, që siç duket kanë qenë dhe të popullarizuara, si nga Safo e ndonjë tjetër. Kryesisht mbizotëron motive i dashurisë.
Vetvetiu, kur lexon albumin, lindin një varg pyetjesh e problemesh që kanë të bëjnë me arsyet që e shtynë Marksin të përgatisë këtë përmbledhje, me burimet që shfrytëzoi dhe me kohën e tij. Por para se t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve, le të njohim prirjet dhe interesat e djaloshit gjenial në vitet e rinisë së hershme. Siç kanë vërejtur biografët e tij, Marksi në këto vite është marrë me krijimtari letrare. Madje, sipas tyre, disa nga idetë e filozofit të ardhshëm fillimisht u shfaqën nëpërmjet imazheve poetike. Kështu, Oulanemi, heroi i tragjedisë së tij omonime, lindi duke u përftuar nga një ide e rëndësishme, të cilën autori më vonë do ta shprehë me fjalët e filozofit “në çdo gjë abstrakte ka një gjë konkrete”.
Në vitet e para të rinisë, për një kohë, Marksi u dha seriozisht pas letërsisë. Shkroi vjersha e poema, u mor dhe me prozë, nisi një tragjedi, përgatiti dhe një vëllim poetik për botim, të cilin ia kushtoi të atit (1837). Por dashuria e tij për letërsinë nuk zgjati shumë, ai u nda shpejt prej saj. Për këtë ndikoi i ati, po më shumë e kuptoi vetë, sepse, siç i pohonte në një letër babait, ai “nuk do të ishte kurrë një poet i vërtetë” dhe “do të pushonte së shkruari gjëra të tilla, gjë që deri më sot nuk e kish bërë dot”. Pas kësaj Marksi “gjithë forcën e kritikës së tij e drejtoi kundër krijimeve të muzës së vet”. Me sa duket, prirjet krijuese të djaloshit nuk kishin të bënin në thelb me letërsinë artistike, por me disa sfera më të gjera e më të thella. Dhe vërtetë, Marksi në moshën 18-vjeçare e la përfundimisht letërsinë. Por, në qoftë se nuk shkroi letërsi, kjo nuk do të thotë se u shkëput prej saj. Në një kuptim më të gjerë, ai do të mbetet i lidhur me krijimtarinë artistike. Marksi do të bëhet një krijues gjenial dhe sipas F. Meringut, një nga stilistët më të fortë të letërsisë gjermane.
Kalimi i interesave të Marksit nga krijimtaria e tij origjinale në krijimtarinë popullore ndodhi pikërisht në kohën kur ai vendosi të mos merrej më me letërsi. Vjershat që kish shkruar, i qenë kushtuar në pjesën më të madhe dashurisë për Zhenin. Por kur hoqi dorë përfundimisht prej muzës poetike, ai kërkoi që dashurinë e tij ta shfaqte përmes folklorit. Kështu, gjuha e thjeshtë e poezisë së popullit u bë gjuha me të cilën ai do t’i shprehte Zhenit ndjenjat  e veta të fuqishme. Nga ana tjetër, kjo mënyrë e re u përgjigjej dhe dëshirave e kërkesave shpirtërore e intelektuale të Zhenit, mbasi ajo ishte e dashuruar pas këngës popullore.
Interesimi i Marksit për folklorin ndodhte në klimën romantike, kur idetë e këtij drejtimi përbënin një nga prirjet kryesore të kohës. Gjermania e këtyre viteve ishte bërë atdheu i kësaj lëvizjeje shoqërore e letrare. Që në shekullin XVIII J.G. Herderi kishte mbrojtur pikëpamjen sipas së cilës kultura popullore vështrohej si pjesë e rëndësishme e kulturës kombëtare. Botimi prej tij i antologjisë universale “Zëri i popujve në këngë” (1778-79) kishte zgjuar interesimin e njerëzve e sidomos të intelektualëve për folklorin. Në vitet ’30 të shekullit XIX, kur shoqëria gjermane ishte para revolucionit demokratiko-borgjez, mjaft nga poetët e lidhën poezinë e tyre me idetë romantike e me frymën popullore, duke shkruar në një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme për masat. Vetë Gëtja do të shkruante një varg poezish me motive nga folklori oriental, disa prej të cilave kanë motive të popujve të Ballkanit.
Marksi e përjetoi atmosferën e shëndoshë të romantizmit. Ai ishte bashkëkohës i vëllezërve Shlegel, teoricienëve të këtij drejtimi. Idetë romantike të lirisë po i shërbenin zgjimit kombëtar të popujve dhe luftës së tyre për pavarësi. Dita-ditës krijimtaria popullore po njihej më mirë nga një varg botimesh. Marski i ri, që prirej shpirtërisht nga dukuritë e reja, nuk mund të qëndronte larg ideve e koncepteve novatore të romantizmit. Ai do t’i bënte për vete e do të ushqehej me letërsinë burimore të popullit. Sipas Engelsit “Marksi adhuronte bukurinë e jashtëzakonshme të poezisë së lashtë të popullit” dhe që nga viti 1834 do të shpallte si moto të vetën fjalët: “Lumturia jonë do t’u përkasë milionave”.
Marksi me Zhenin, përveç ndjenjës së përbashkët, kishin dhe mendime e koncepte të njëjta për jetën dhe shoqërinë. Kjo dukej fare qartë në adhurimin e thellë që kishin për folklorin e përgjithësisht për kulturën popullore. Zheni, nga ana e saj, kishte lidhje me rrethet letrare që udhëhiqnin lëvizjen e romantizmit në Gjermani. Ajo ishte shoqe me Betina Arnimin, e njohur për korrespondencën me Gëten dhe për idetë e krijimtarinë romantike. L.M. Bretano dhe H.A. Arnimi kishin botuar përmbledhjen tjetër folklorike “Briri magjik i djalit”. Marksi kishte miqësi me folkloristin gjerman Karl Frederik Kopensin, i cili në këto vite merrej me mitologjinë nordike dhe me runet (këngë finlandeze).
Kështu, në atmosferën e frymës së romantizmit të përhapur në Gjermani, te Marksi dhe Zheni po lindte shpirti herderian. Një shpirt i tillë kishte të bënte jo vetëm me adhurimin e folklorit dhe çdo gjëje popullore, po dhe me konceptimin e drejtë të krijimtarisë orale. Marksi do ta tregojë shpirtin herderian me punën konkrete që bën për hartimin e albumit folklorik. Duke ndjekur parimet e Herderit, ai e vështron poezinë anonime si pasqyrë të ndërgjegjes popullore, si dëshmi të jetës së njerëzve të thjeshtë dhe model të thjeshtësisë. Nga ana tjetër, ai ka parasysh kriteret e Herderit edhe në hartimin dhe strukturën e albumit, duke i ndarë këngët sipas popujve dhe këngët gjermane sipas krahinave.
Lëndën poetike që Marksi e përfshiu në këtë album, nuk e voli nga burime origjinale, po nga botime folklorike të kohës. Në këtë punë i erdhi në ndihmë miku i tij, fokloristi K.F. Kopensi, qoftë me rune-t e botuara, qoftë me të dhëna të tjera të drejtëpërdrejta. Në zgjedhjen e koleksionit të poezive që do t’i dërgonte Zhenit, Marksi nuk u mbështet në përmbledhjet e njohura folklorike. Ai shfrytëzoi në radhë të parë botimet më pak të njohura si ato të Hofmanit, Hipelit, Bajronit, Agrumit, Shroterit e sidomos burime të kohëve më të reja si “Fletoret” e Kreçmerit (1838-39). Më shumë mori nga përmbledhja e Eslahut, botuar në vitet 1834-36, disa nga Xukalmalio. Një vend të nderuar zuri Herderi, si ati i fokloristikës gjermane.
Sipas studimeve të bëra, vihet re se një pjesë e këngëve nuk janë ruajtur si në origjinal, po janë prekur nga mbledhësit. Ndryshime do t’u sjellë atyre dhe Marksi, qoftë duke i ridhënë me fjalë të tjera, qoftë duke ndryshuar radhët e strofave ose duke zëvendësuar emrat me emrin e tij e me atë të Zhenit. Nuk duhet të harrojmë se përmbledhja nuk u përgatit me qëllim botimi, po si një album që i drejtohej një të afërmi intim, siç ishte e fejuara. Prej kësaj vjen dhe ajo liri kriteresh që kanë vërejtur studiuesit, e cila është krejtësisht e përligjur në rastin konkret. Në të vërtetë vlerat e kësaj përmbledhjeje folklorike nuk duhen parë në këtë aspekt, po në aspekte të tjera, kryesisht për njohjen e interesave intelektuale dhe të botës shpirtërore të Marksit të ri.
Kështu duhet vështruar dhe kënga popullore shqiptare që gjendet në album. Ajo mban titullin “Këngë shqiptare” dhe është shoqëruar me fjalët: “E bërë e njohur në shënimet e Lord Bajronit te “Shtegtimet e Çajld Haroldit”, Shtegtimi 30-të”. Pra, menjëherë duket qartë se nga është marrë. Besojmë se kjo këngë nuk është zgjedhur rastësisht nga Marksi por, së pari, sepse i ka pëlqyer dhe, së dyti, sepse është nxjerrë nga një burim serioz i garantuar, siç është poema e njohur e Bajronit.
S.S. Praueri në veprën e vet “Karl Marksi dhe letërsia botërore” na sjell një të dhënë me mjaft interes, kur duke shqyrtuar nga afër albumin folklorik vë në dukje, ndërmjet të tjerash, se “në një nga shënimet që i shoqëronin këto poezi, Marksi i shkruante Zhenit se ai ishte në këto vargje bashkë me të, njësoj si vargjet e krijuara prej tij, në një shoqëri poetike shumë të nderuar”. “Një këngë me origjinë shqiptare, – shpjegonte ai, – figuronte në “Shtegtimet e Çajld Haroldit”.”
Dihet se Bajroni në vjeshtën e vitit 1809 udhëtoi nëpër Shqipëri, provoi mikpritjen e Ali Pashë Tepelenës, njohu e çmoi shqiptarët dhe vendin e tyre të bukur. Nën këto përshtypje lindi dhe poema e Çajld Haroldit, të cilën filloi ta shkruante që në Janinë. Një këngë të tërë, të dytën ua kushtoi Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dihet, gjithashtu, se gjatë udhëtimit poeti mbajti shumë shënime, mblodhi të dhëna të ndryshme, u shkroi letra nënës e miqve. Në to ne gjejmë mendime e konsiderata sidomos për vlerat e kulturës popullore shqiptare.
Veçanërisht në rastin tonë tërheq vëmendjen fakti se në këtë udhëtim Bajroni mblodhi në Shqipëri dhe në mjediset e arbëreshëve të Greqisë edhe folklor shqiptar. Sipas pohimit të poetit, marshi luftarak “Tamburxhi! Tamburxhi!”, që këndohet në poemë, zu fill “nga këngë të ndryshme shqiptare” të mbledhura prej tij. Përveç këtij marshi, Bajroni mblodhi dhe botoi në shënimet e këngës së dytë të “Shtegtimeve të Çajld Haroldit” edhe “dy këngë popullore shqiptare”. Në shënimet ai shkruan se “si shembull të dialektit shqiptar ose arnaut të ilirishtes po jep këtu dy prej këngëve korale më popullore, të cilat këndohen zakonisht në valle nga burra e gra pa dallim …”. Pastaj shton se “ato u kopjuan prej një njeriu i cili e flet dhe e kupton fare mirë këtë gjuhë dhe që është vendës nga Athina”. Poeti e ka fjalën për shqiptarët Vasil Dangëllisi e Dervish Tahiri, të cilët e shoqëruan për 20 muaj nëpër Shqipëri, Greqi e Turqi dhe i dhanë mundësi të njihet sa më shumë me vlerat e kulturës popullore shqiptare.
Marksi, që e pëlqente në mënyrë të veçantë Bajronin, për frymën e revoltës dhe pakënaqësinë ndaj realitetit borgjez, jo vetëm e rilexonte poemën “Shtegtimet e Çajld Haroldit”, po dhe diti të përfitonte dhe nga vlera të tjera, siç ishin shënimet e autorit që shoqëronin veprën. Prej tyre Marksi mori dhe këngën shqiptare. Ajo është nxjerrë nga “Vepra të përmbledhura” të Lord Bajronit, përkthyer në gjermanisht nga Adolf Botger dhe botuar në Lajpcig më 1839. Me sa shihet, botimi është fare i freskët, sepse po atë vit Marksi përgatit e i dhuron Zhenit albumin e tij.
“Kënga shqiptare” i përgjigjet frymës së përgjithshme të albumit, qoftë për faktin se ajo është këngë popullore e mirëfilltë, me karakter të theksuar lirik. Nëpërmjet monologut, poeti popullor tregon dëshirat e zjarrta që i ka zgjuar dashuria. Ajo është patetike, e furishme, pak liçencioze, po realiste, e natyrës rustike dhe ndofta për këto arsye dhe për sinqeritetin e çiltër i ka pëlqyer dhe djaloshit nga Triri.
“Kënga shqiptare” u botua nga Bajroni në origjinal, ashtu siç u dëgjua dhe u përkthye në anglisht prej tij. Por, siç dihet, varianti origjinal paraqet vështirësi kuptimi, prandaj dhe kemi disa variante transkriptimi. Po japim variantin e botuar në revistën “Albania” të F. Konicës, që na duket paka shumë më i qartë:
Në sevda tënde u llavosa (plagosa)/Vetëmë u përvëlofsha/Ah, vashëzë më përvëlove/Se më rend (zemrën) më llavose./U (unë) të thashë, rrobe s’dua,/Siti (sytë) e vetullat e tua./        Rrobat stin orji (në djall të venë), s’i dua./ Kurmthin (trupin) vetë dua./Kurmthin dua çë vëlon.
                        Rrobet zjarrmi t’i djeg./U (unë) t’agapiva (dashurova), vashëzë,/Ë me zemërën të haptë/Ë t’i m’u bëre e pabesë/Si një dhëndro të lartë.
“Kënga shqiptare” në gjermanisht, e rikthyer fjalë për fjalë në gjuhën shqipe paraqitet kësisoj:
            Jam plagosur nga dashuria jote, dhe doja të plagosesha./Ti më bëre krej për vete, o vajzë në zemër më godite!/Të kam thënë se pajë tjetër s’dua,/Përveç syve dhe qerpikëve të tua!/Pajën e dëshiruar nuk ta kërkoj/            Dëshiroj vetëm syt’ e tu,/Më jep hirin e bukurisë sate/Dhe dorëzoja atë pastaj flakëve!/Të kam dashur, o vajzë me shpirt t’pafajshëm,/Por ti më thave e më bëre dru./Po të vija dorën në gjoksin tënd, ç’do të fitoje?/E tërhoqa dorën, po flaka vazhdon të më djegë!
Siç shihet, varianti i ri në shqip i “Këngës shqiptare” jepet prej përkthimit nga origjinali në anglisht dhe nga anglishtja në gjermanisht. Ajo rikthehet kështu në gjuhën amtare nëpërmjet dy gjuhëve të huaja. Nga krahasimi i bërë ne mes origjinalit dhe përkthimit gjermanisht mund të vërejmë se në tërësi nuk ka ndryshime thelbësore. Është ruajtur brendia, mendimi poetik i këngës, figurat më të rëndësishme. Megjithatë, kënga e rikënduar në anglisht nga një poet i madh si Bajroni dhe e përkthyer pastaj në gjermanisht ka ndryshuar, duke fituar vlera të reja shprehëse. Nga një anë, është bërë më i qartë mendimi e figurat kanë dalë më në reliev dhe, nga ana tjetër, këngës i janë shkurtuar dy vargje. Sipas një shënimi të Bajronit, dy distikët e fundit, meqë janë në masë të ndryshme, duhet t’i përkasin një balade tjetër, po në “Këngën shqiptare” të përkthyer nuk ndihet ndryshimi i distikëve të tjerë me dy distikët e fundit. Kjo vjen ngase kënga ka një hero lirik të përbashkët, se fjalët e saj, si në rastin e parë dhe në të dytin i drejtohen vajzës nga djali i dashuruar. Ndryshimet e tjera kanë të bëjnë me disa figura fjalësh, si, në vend të vetullave është vënë qerpikë, në vend të kurmit është hiri i bukurisë e ndonjë tjetër. Po kështu, vargjet me rimë të origjinalit, janë dhënë në gjuhë të huaj me vargje të bardhë. Megjithatë, pavarësisht nga këto ndryshime, “Kënga shqiptare” është ridhënë me bukurinë dhe thjeshtësinë e vet, ajo jep qartë momentin psikologjik dhe frymën lirike të origjinalit. S’ka dyshim se janë këto vlera që tërhoqën vëmendjen e Marksit të ri dhe e bënë “Këngën shqiptare” të jetë një nga këngët popullore të parapëlqyera prej tij.

Libra të rinj në shqip

me-syrin-e-nje-klouni-heinrich-boll

Heinrich Böll

Me syrin e një klouni

Shqipëroi: Ardian Klosi

Botimet: “Fjala Publishing”



Hans Shniri, kloun profesionist, është ndarë shpirtërisht nga prindërit e tij qysh kur këta çuan në luftë motrën ende të mitur, Henrietën. Pasi braktis shkollën dhe shtëpinë, jeton si artist bohem me të dashurën, Marien. Por pas një bashkëjetese të gjatë, Maria e braktis, nën ndikimin e disa zyrtarëve të lartë katolikë dhe parimeve të moralit. Klouni kthehet në qytetin amtar, Bon, pa asnjë të ardhur, i vetmuar dhe i dëshpëruar. U shpall luftë këtu të gjitha personazheve shtinjake rrotull tij, të cilët ia mohojnë lirinë e dashurisë dhe të krijimit. Mungesa e Maries i është kthyer në një vuajtje gati-gati fizike. Përmes armës së tij kryesore, telefonit, zbulon karakteret e personazheve përreth vetes dhe i vë para fytyrës pasqyrën një shoqërie që është shumë më tepër se Gjermania e viteve ’60.

shekspiriotet


Idlir Azizaj Shekspirotët

Novela dramaturgjike

Botimet: ”Toena”


Një trupë teatri mbërrin në Gërdec pas shpërthimit të depos së armëve për të vënë në skenë “Hamletin”, por tani, në vend të babait, Fantazma është vetë qyteza e shkatërruar. Një aktor që reciton një monolog kombëtar për festën e Pavarësisë, gëlltit një copë nga torta gjigande, por pëson një metamorfozë të çuditshme, sepse një gjuhë paralele i del në gojë gjatë spektaklit.
Një motër e vëlla, që e kanë shkrimin e dorës binjak si dy pika uji, arrestohen, sepse kanë parashikuar ngjarjet tragjike të 21 janarit. Një aktor trupmadh e mbipeshë, që luan përherë rolin e “Falstafit” në teatër, bëhet papritur memec në mes të emisionit “Zonë e lirë” dhe të ftuarit e tjerë mundohen të shpjegojnë këtë defekt…
Këto dhe tregime të tjera në këtë vëllim janë disa situata tragjikomike dhe groteske të Shqipërisë, të para nga prizmi shekspirian. Pa u munduar të bëjë një aplikim modern të Shekspirit në shoqërinë e sotme, autori na tregon se si vendi ynë sot gjendet si aktualitet brenda veprës së dramaturgut të madh.



rezidenca-kate-andersen-brower

Kate Andersen Brower

Rezidenca

Shqipëroi: Anila Çobo

Botimet: ”Living”



“Njerëzit dinë shumë pak për jetën brenda mureve të Shtëpisë së Bardhë. Me anë të rrëfimeve të personelit të Shtëpisë së Bardhë, në këtë libër do të njiheni me historitë e familjeve: Kenedi – që nga momentet më intime të martesës së tyre e deri te ditët kaotike pas vrasjes së Xhon Ficxherald Kenedit. Xhonson – saga e Lindon Bi Xhonsonit dhe fiksimit të tij me dushin në Shtëpinë e Bardhë. Nikson – përfshirë edhe shfaqjen e papritur të Riçard Niksonit në kuzhinën e Shtëpisë së Bardhë mëngjesin e dorëheqjes së tij. Regan – nga historia e një zjarri të rënë gjatë mandatit të tij të dytë, që i rrezikoi jetën atij, e deri te përkushtimi i Nensit për të pasur në kontroll gjithçka, deri në detajin më të vogël.

Klinton – betejat intime të çiftit, që u shënjuan me hedhje sendesh nëpër shtëpi dhe shkaktuan ankth te punonjësit e shërbimit. Obama – të cilët kërcyen nën tingujt e Mary J. Blidge natën e tyre të parë në Shtëpinë e Bardhë.



kanali-musolini-antonio-pennacchi


Antonio Pennacchi

Kanali Musolini

Shqipëroi: Diana Kastrati

Botimet: ”Dituria”



Kanali Musolini është themeli mbi të cilin qëndron bonifikimi i kënetave Pontine. Në këtë tokë krejt të re, të bonifikuar falë projekteve ambicioze të Musolinit, u vendosën mijëra njerëz që vinin nga Veriu. Përtej kontekstit historik te Kanali Musolini, zbulohet një roman plot jetë të gjalla personazhesh dhe plot humanizëm.
Historia fillon në vitin 1926, por kthehet mbrapa në kohë përmes rrëfimit të njërit prej trashëgimtarëve të familjes Peruci, argatë venetë në fund të shekullit XIX, një fis i tërë fshatarësh që vijnë në Agro Pontino.
Duke treguar historinë dhe fatkeqësitë e fisit Peruci, përkrahës e simpatizantë të hershëm të fashizmit, Pennacchi na sjell në këtë libër një poemë të madhe epike që tregon historinë e Italisë, përmes rrëfimit të njerëzve të thjeshtë e të përulur, episodeve dramatike dhe ndonjëherë komike, duke përshkruar kështu ngjarje të mëdha historike, pjesë jo shumë të njohura të saj dhe origjinat e kontradiktat e një populli.
Histori të vogla “të vërteta” të një eksodi të madh historik shpesh të harruar ose të keqkomentuar. Një poemë që në frymën e rrëfimeve të mëdha, gërsheton ngjarje dramatike dhe të habitshme të protagonistëve të saj me ato, jo më pak të trazuara, të një gjysmëshekulli të historisë italiane.

Esenini, poeti i lindur i dashurisë

Nga Preç Zogaj

Nga Moska ika se duhej ikur
Kush me polic e rregullon?
 Për çdo skandal prej pijaniku
 Arrest Sergej, marsh në rajon.
Këto vargje të poetit të madh rus të viteve njëzet të shekullit të kaluar, Sergej Esenin, i recitonim në rrethet  letrare të viteve tetëdhjetë, herë si çlirim, herë si blasfemi  ndaj zymtësisë dhe kufizimeve të jetës sonë. Me Besnik Mustafajn, Teodor Kekon, Ilirian Zhupën, Bujar Xhaferrin e ndonjë tjetër qëllonte të kthenim ndonjë gotë me paratë e honorarëve apo duke lënë peng  në banakun e birrarisë ndonjë stilolaps a çfarë na gjendej me vete, që pranohej nga banakieri. Kur s’kishin më as para as gjëra  për të lenë peng, të ardhur në qejf aq sa për t’i hapur  valvulën rebelimit, po asnjëherë të dehur tamam, djalli e mori, ia fillonim  me vargjet e poetëve më të dashur. Sergej Esenini i zbulohej i pari gjendjes sonë, humorit, lirizmit, mërzisë, dëshirës për t’ia mbathur s’dinim se ku. Me atë lirinë, çiltërsinë, spontanitetin dhe rebelizmin e tij të hijshëm, Esenini ishte idhulli i brezit tonë dhe kishte qenë edhe i brezit para nesh: ky poet që nuk ishte bërë kurrë me shumë sesa i ri, pasi kishte vrarë veten në moshën  tridhjetëvjeçare.
Çuditërisht  njeriu që dinte më shumë vargje nga Esenini në grupin tonë ishte dikush që nuk shkruante vetë poezi ose shkruante vetëm për qejfin e tij, dikush që nuk pinte dhe nuk tundohej në joshjet e jetës skandaloze, Remzi Lani.
Gjallë je ti nënokja ime
gjallë jam dhe unë ty të përshëndes
 Paqja mbuloftë këtë mbrëmje
Izbën tënde gjer në mëngjes.
Poezinë e famshme “Letër nënës” të përkthyer mjeshtërisht nga disa përkthyes e poetë (Ne preferonim përkthimin e Kadaresë)  e kisha mësuar përmendësh duke ia dëgjuar Remziut . Unë që mbahesha kampion i të mësuarit përmendësh të  poetëve, kisha mësuar nga Lani edhe disa poezi dashurie të Eseninit, si “Shagane”, të përkthyer nga Dritëro Agolli, apo “Bukuroshe qe Tanusha”, lirika të tjera me vargje si këto: Ç’mi përdridhje buzët/ Nazemadhe moj/ Unë kam një tjetër/ Ty s’të dashuroj.
E donim Eseninin, donim t’i ngjanim, e recitonim po asnjëri prej nesh nuk kishte marrë guximin të priste venat, të bënte “bis” me vetëvrasjen e tij, edhe pse të gjithë e kishim menduar një gjë të tillë. Ndoshta vetëvrasja prej poeti kishte nevojë për më shumë dritë sesa kishte Shqipëria dhe për më shumë lavdi sesa kishim ne.
Rasti i Eseninit në letrat shqipe të kujton lëvizjen e kometave, të cilat dalin për disa kohë jashtë vështrimit dhe pastaj shfaqen përsëri me shkëlqimin e tyre të përjetësisë, që nuk është vetëm ai i vjetri, i mëparshmi, por është edhe i ri. Të tillë e ka shkëlqimin poezia e tij, poeti më i mësuar përmendësh mes poetëve modernë, siç thoshte Majakovski; një poet që nuk lexohet, por këndohet si bardët e vjetër, “një organ i lindur vetëm për poezi”, siç e ka quajtur Maksim Gorki;   krijesa më origjinale, më natyrore, më e bukur dhe më e mirë e tokës ruse, siç ka thënë  B. Pasternaku; “modeli i lirikës intime, një foshnje e pambrojtur që ra në greminë”, siç ka shkruar në vdekjen e tij të parakohshme, tragjike dhe me hije misteri, L. Trocki.
Sergej Esenini rikthehet e rikthehet në libraritë tona nga dekada në dekadë me  vëllimin e tij ku përkthyesit herë janë të mirënjohurit, Jorgo Bllaci, Lasgush Poradeci, Ismail Kadare, Vedat Kokona, Dritëro Agolli, Esat Mekuli, Dhori Qirjazi, herë alternohen me përkthyes më të rinj si Qazim Sheme apo Faslli Haliti, herë  qëndrojnë të gjithë bashkë. duke sjellë në variacione të  ndryshme përkthimi,  poezi dhe poema nga më të njohurat e korpusit eseninin. Disa prej poezive më të njohura të poetit, si “Letër nënës”, “Shagane”, “Bir i qenit”, “Rusia sovjetike”, “Skandalisti” i gjejmë të përkthyer në dy, tre apo edhe katër variante.
Lirizmi i tij i kulluar, finesa e tij si këngëtar i dashurisë dhe natyrës, aftësia e tij e lindur për të përcjellë me vargje të thjeshta ndjesi dhe gjendje të ndërlikuara, fryma e tij e lirisë e shprehur herë si rebelim, herë si ikje dhe arratisje nga realiteti, nostaligjia për vendlindjen, nënën dhe natyrën, ku ka shpërthyer dhe ushqehet dendur bisku i talentit të tij, dhimbja  konkrete dhe filozofike për të braktisurit, për të vuajturit, për zhgënjimin, për iluzionet, për hiçin – të gjitha  këto cilësi plotësojnë imazhin e poetit si një krijesë e dëlirë e natyrës, që u nis me vrull qysh i ri fare për të kënduar siç fliste dhe për të folur siç këndonte. Ai, si rrallëkush, ishte fryma, fytyra, karma dhe materia e artit poetik. Është vështirë të gjendet një shembull i ngjashëm në poezi ku shkrepja providenciale e artit të jetë njësuar e shkrirë kaq fort me qenien dhe fatin e qenies-poet. Ndoshta në muzikë mund të jetë rasti i Mozartit. Eseninit, Mozartit të poezisë, i ra shorti të jetonte në vitet e triumfit të pushtetit të sovjetëve. U rrit mes kundërthëniesh dhe iluzionesh të mëdha, por nuk mund të ishte bir i asaj kohe, madje as thjeshtër i saj. Thirrja e artit e kërkonte në lartësi të tjera, që nuk ishin ato të kohës së tij. Këtu filloi zhgënjimi i Eseninit me të ashtuquajturën “botë të re”, filloi  rënia e tij në dëshpërim dhe depresion, të dhënët pas pijes dhe jetës prej bohemi, distancimi  i tij estetik dhe shpirtëror nga mjedisi i helmuar i Rusisë. Poeti i ngazëlluar i dashurisë, rilindjes dhe berliozave përfundoi shumë herët në një spital psikiatrik, prej nga doli për të shkruar apo për t’u ofruar për aktin e fundit të jetës së tij të stuhishme, që do ta shënonte fatin e tij po aq sa vepra e tij poetike. Në një hotel të Leningradit të athershëm, më 27 dhjetor të vitit 1925 preu një venë dhe shkroi me gjakun e tij poezinë e lamtumirës. Të pasnesërmen vari veten në tubin e kaldajës. Më vonë janë ngritur dyshime për një vrasje nga shërbimi i fshehtë sovjetik. Gjithsesi, përtej  misterit eventual, Esenini e kishte bërë zgjedhjen e  tij duke shkruar se të vdesësh nuk është e re, por as të jetosh e re nuk është. Nuk ishte një predikim për të tjerët. Ishte një autoepitaf për një shpirt poetik të harxhuar në këngën e pastër të rinisë. Që nuk mund të vazhdonte më. Që nuk mund të plakej kurrë.

“Robinja” nga Marsel Prust


0
Nga Marcel Proust
Ndonjëherë, kur shkoja të merrja ndonjë libër në studion e babait, mikja ime, e cila më kërkonte leje të shtrihej pak, aq e lodhur ishte nga shëtitjet e gjata në ajër të pastër në mëngjes dhe pasdreke, boll të largohesha qoftë dhe për një minutë, binte në gjumë dhe mua më vinte keq ta zgjoja.
E shtrirë sa gjerë gjatë në shtratin tim, në një pozë më se të natyrshme, më ngjante si një lastar i lulëzuar që e kishin vendosur atje, dhe e tillë ishte në fakt: aftësia për të ëndërruar, që më vinte vetëm kur e kisha larg, më rikthehej ato çaste afër saj, sikur duke fjetur, ajo të qe kthyer në një bimë. Kështu, dremitja e saj, në një farë mënyre, ushqente dashurinë time; kur isha vetëm, mendoja për të, por ajo më përvidhej, nuk e zotëroja dot. Kur e kisha pranë, flisja me të, por mendja ime fluturonte gjetkë. Kur flinte, s’kishte nevojë për fjalë, tani që ajo nuk më shihte, s’ishte e nevojshme të jetoja në sipërfaqe të vetvetes.
Me mbylljen e syve, duke u kredhur në pavetëdije, Albertina, zhvishte njëri pas tjetrit personalitetet e ndryshme njerëzore që më kishin zhgënjyer që ditën e parë që e kisha njohur. Gjallonte thjesht falë jetës së pavetëdijshme prej bime, peme, jetë e ndryshme nga e imja, më e çuditshme, por që më përkiste më shumë.  Uni i saj nuk më bishtnonte më, si për shembull në rastet kur flisnim nëpërmjet mendimeve të nënkuptuara dhe vështrimeve. Në gjumë, ajo kishte thëthirë brenda vetes gjithçka që shfaqte jashtë saj; ishte kruspulluar, ngujuar, mbledhur grusht brenda trupit të saj. Kur e vështroja, e prekja, kisha ndjesinë që e zotëroja të gjithën, ndjesi e cila më mungonte kur ajo ishte zgjuar. Jeta e saj më përkiste, më lëshonte në fytyrë frymëmarrjen e saj të lehtë.
Mbaja vesh atë flurim shushuritës, të mistershëm, të ëmbël si një puhi deti, përrallore si dritë hëne, që ishte dremitja e saj. Për sa kohë zgjaste, mund të ëndërroja për të dhe ta soditja, ndërsa kur dremitja kthehej në gjumë të thellë, ta prekja, ta puthja.  Ajo që ndieja në ato çaste ishte dashuri për një krijesë aq të pastër, aq të patrupëzuar në ndjenjat e saj, aq misterioze, siç do të isha ndjerë para krijesave të pajeta që janë bukuritë e natyrës. Por sapo ajo binte në një  gjumë më të thellë, reshte së qeni bima e fillimit; gjumi i saj, buzë të cilit ëndërroja, me një endje prej së cilës nuk lodhesha kurrë dhe që mund ta shijoja pa fund, ishte për mua një peizazh më vete. Gjumi i saj më sillte paqe dhe një endje epshndjellëse porsi netët me hënë në gjirin e Balbekut që qetësohej porsi një liqen, ku s’lëvizte as gjethja, teksa  shtrirë në  breg, mund të dëgjoje pa fund llokoçitjen e valëve.
Kur kthehesha në dhomë, qëndroja në këmbë të pragu i derës, pa pipëtirë dhe dëgjoja vetëm zhurmën e frymëmarrjes që dilte nga buzët e saj, në intervale të shkurtra dhe të rregullta, si një përplasje valësh, por më gjumëndjellëse dhe më e ëmbël. Në çastin kur veshët e mi përpinin atë zhurmë hyjnore, më dukej sikur brenda saj, ishte shkrirë i gjithë personi, e gjithë jeta e robinjës sime të bukur, të shtrirë para syve të mi. Karrocat kalonin zhurmshëm në rrugë, balli i saj mbetej po aq i palëvizur, po aq i paturbulluar, frymëmarrja e saj po aq e lehtë, e katandisur thjesht në firomën që nevojitet për të jetuar. Pastaj, kur shihja që asgjë s’ia trazonte gjumin, ecja në majë të gishtave, ulesha në karrigen buzë shtratit, më pas mbi shtrat.
Kam kaluar mbrëmje të këndshme duke folur, luajtur me Albertinën, por as që krahasohen me mbrëmjet kur e kundroja duke fjetur. Më kot shfaqte, teksa bisedonte,  luante me letra, një natyrshmëri që asnjë aktore s’do mund ta kishte, në gjumë ajo ngjante më e natyrshme se kurrë. Floknaja që i zbriste nëpër fytyrën bojë rozë, derdhej përkrah saj në shtrat, ndërsa ndonjë cullufe e veçuar, si vijë e drejtë, krijonte idenë e perspektives si pemët hënore, hollake dhe verdhacuke që duken në sfond të tablove rafaelike të Elstirit. Edhe pse buzët e Albertinës ishin të puqura mirë, nga vendi ku e shihja, qepallat e saj nuk puthiteshin plotësisht saqë pyesja veten nëse flinte vërtet. Gjithsesi, qepallat e ulura i jepnin fytyrës së saj një njëtrajtshmëri të  përsosur që nuk prishej nga sytë. Ka njerëz fytyra e të cilëve merr një bukuri dhe një madhështi të çuditshme kur nuk u duken më sytë.
Masja me sy Albertinën e shtrirë në fund të krevatit. Kishte çaste, kur dridhej nga ndonjë fërgëllimë e lehtë dhe e pashpjegueshme, porsi gjethet që drithërohen për një hop nga  një puhi e papritur. Ajo prekte flokët e saj, pastaj, ngaqë i vinte mirë nga kjo gjë, lëvizte dorën sërish me prekje të rregullta, të vullnetshme saqë më dukej sikur po zgjohej. Por jo; qetësohej prapë në gjumin e paprishur. Rrinte palëvizur. Kishte vendosur dorën mbi gjoks me një gjest aq fëmijëror saqë më duhej të mbaja, duke e kundruar, buzëqeshjen që na shkaktojnë fëmijët e vegjël me seriozitetin, pafajësinë dhe hijeshinë e tyre.
Unë që shihja disa Albertina brenda një personi të vetëm, kisha ndjesinë sikur dhe shumë të tjera po pushonin aty bri meje. Qerpikët e saj, të harkuar si asnjëherë më parë, rrethonin lakoren e qepallave si çerdhja e ngrohtë e një pulëbardhe. Soji, atavizmat, veset flinin mbi fytyrën e saj. Sa herë që lëvizte kokën, krijonte një grua tjetër, që s’e kisha njohur kurrë më parë. Më dukej sikur zotëroja jo një, por mijëra vajza të reja. Frymëmarrja e saj, që sa vinte e thellohej, ia hovte lehtazi kraharorin, dhe bashkë me të, duart e kryqëzuara, perlat e hallakatura në mënyrë të çrregullt nga e njëjta lëvizje, porsi barkat, zinxhirët e ankorimit që përkunden nga llokoçitja e ujit.  Kur ndieja që ajo ishte në kulmin e gjumit dhe që nuk rrezikoja të përplasesha me shkëmbinjtë e vetëdijes, tashmë të mbuluar nga batica e gjumit të thellë, kërceja pa zhurmë mbi shtrat, shtrihesha përbri saj, ia hidhja një krah rreth belit, vendosja buzët mbi faqen dhe zemrën e saj; në pjesët e tjera të trupit, shëtisja dorën time të lirë, e cila ngrihej  porsi perlat nga frymëmarrja e Albertinës; madje unë vetë isha zhvendosur pakëz nën lëvizjen e rregullt të trupit të saj: barka e gjumit të Albertinës më kishte marrë me vete. Ndonjëherë, më kapnin ca dëshira jo fort të dëlira. S’kisha nevojë për asnjë lëvizje, hidhja këmbën time mbi të sajën, si një rremë që e lëmë jashtë barkës, duke i dhënë herë pas herë ndonjë shtytje të lehtë, të ngjashme me rrahjen e herëpashershme të flatrave të zogjve që flenë në fluturim. Teksa e vështroja, zgjidhja të shihja atë anë të fytyrës që askush s’ia kishte soditur më parë dhe që ishte kaq magjepse.
Është e kuptueshme, deri diku, që letrat e një personi, edhe pse pak a shumë të ngjashme me njëra-tjetrën, ju japin imazhe të ndryshme të shkruesit sikur ai të kishte disa fytyra.  Por është vërtet e çuditshme se si dy gra shkrihen në një të vetme, porsi motrat siameze Rosita dhe Dodika[1], me bukuri dhe karaktere të ndryshme, aq sa për të soditur bukurinë e njërës, duhet ta soditësh në profil, ndërsa për ta vënë re te tjetra, duhet ta shohësh përballë.  Frymëmarrja e saj që rëndohej mund të ngjante si gulç kënaqësie dhe kur e imja arrinte kulmin, mund ta puthja pa ia prishur gjumin. Më dukej, në ato çaste, sikur e zotëroja akoma më shumë, si një send i  pajetë dhe i nënshtruar i natyrës memece.  Nuk bëhesha merak për fjalët që i shpëtonin teksa ishte në gjumë, s’e kuptoja domethënien e tyre, për më tepër, dhe sikur t’i drejtoheshin një personi tjetër, ishte pranë dorës sime, faqes sime, që dora e saj, shpesh e dridhur nga një rrëqethje e lehtë, fërgëllonte për një çast. E shijoja gjumin e saj me një dashuri shpirtgjerë, qetësuese, ashtu siç rrija orë të tëra duke dëgjuar përplasjen e dallgëve. Mbase është e shkruar që qeniet që ju bëjnë të vuani më shumë ju japin, në çastet e qetësisë, një paqe po aq lehtësuese sa dhe vetë natyra.  S’kisha nevojë t’i përgjigjesha , siç e kërkonte etika në një bisedë, por dhe kur heshtja, teksa ishte ajo që fliste, nuk arrija të depërtoja thellë brenda saj. Por kur dëgjoja, përpija, çasti pas çasti, murmurimën, qetësuese si një puhi tejet e lehtë, të frymëmarrjes së saj të kulluar, një prani trupore shpalosej para meje dhe për mua; ashtu siç rrija i shtrirë në plazh, nën dritën e hënës, mund të qëndroja aty duke e soditur, duke e dëgjuar.
Ndonjëherë dukej sikur deti po fryhej, sikur stuhia po ndihej deri brenda gjirit, dhe unë porsi gjiri, dëgjoja gërhitjen gjëmuese të frymëmarrjes së saj. Ndonjëherë, kur kishte vapë, ajo hiqte, si në jerm, kimononë të cilën e hidhte mbi kolltuk. Kur  flinte, mendoja që të gjitha letrat e saj ishin në xhepin e brendshëm të kimonosë, ku i mbante përherë. Një emër, një takim do të kishin mjaftuar për të vërtetuar një gënjeshtër ose për  të  davaritur një dyshim. Kur e ndieja që Albertina ishte në gjumë të thellë, largohesha nga koka e shtratit prej ku e kundroja prej një kohe të gjatë pa pipëtirë dhe bëja një hap, i mbërthyer nga një kureshtje përvëluese, drejt së fshehtës që e kisha në pëllëmbë të dorës, të brishtë dhe të pambrojtur, në atë kolltuk. Mbase veproja kështu sepse isha i mpirë nga qëndrimi pa lëvizur duke e soditur.  Në majë të gishtave, duke  kthyer kokën herë pas herë për të parë se mos zgjohej Albertina, shkoja deri te kolltuku. Aty ndaloja, shihja për një kohë të gjatë kimononë ashtu siç kisha kundruar për një kohë të gjatë Albertinën.  Por s’e preka kurrë kimononë (mbase bëra gabim), as e futa dorën në xhep, as i pashë letrat. Si përfundim, duke parë që s’e ndaja dot mendjen, kthehesha prapë në majë të gishtave, pranë shtratit të Albertinës dhe e shihja prapë tek flinte, atë që nuk do më thoshte kurrë asgjë, teksa kimonoja mbi krahun e kolltukut mund të më kishte zbuluar shumë gjëra. Ashtu si njerëzit paguajnë një qind franga nata për një dhomë në Hotelin e Balbekut për të thithur  ajrin e detit, më dukej normale të shpenzoja akoma më shumë për Albertinën, sepse ndieja frymën e saj në faqe, buzët e saj që çeleshin mbi të mijat, jetën e saj që rridhte nëpërmjet gjuhës sime.
Por kënaqësia kur e shihja të flinte, po aq e madhe sa kur e ndieja pranë, zëvendësohej nga një kënaqësi tjetër kur zgjohej. Kjo ishte, por në një shkallë më të plotë dhe më misterioze, e ngjashme me kënaqësinë që më jepte jetesa nën të njëjtën çati. Pa dyshim, më përkëdhelej sedra pasditeve kur ajo zbriste nga karroca dhe kthehej në shtëpinë time. Kënaqësia rritej kur, nga thellësia e gjumit, ajo ngjiste shkallët e fundit të ëndrrave, rilindte dhe përmendej në  dhomën time, duke pyetur veten për një çast “ku jam”, por teksa shihte sendet që e rrethonin, abazhurin drita e të cilit i vriste sytë, e quante veten në shtëpi duke kuptuar që zgjohej në dhomën time. Në atë çast të parë pasigurie të ëmbël, më dukej sikur e zotëroja akoma më shumë atë, sepse, kur kthehej nga arratisja, në vend që të ishte në dhomën e saj, ndodhej në dhomën time, të cilën që nga çasti kur Albertina e kishte parë, do ta mbërthente, gllabëronte, pa u dukur as shqetësimi më i vogël në sytë e saj, të qetë sikur të mos kishte fjetur fare tek unë.
Përgjumja që dukej falë mënyrës si heshtte, s’ekzistonte në sytë e saj. Megjithatë sapo hapte gojë, thoshte: “Imi….” ose “I shtrenjti im…: që pasoheshin si njëra apo tjetra nga emri im i pagëzimit, i njëjtë me atë të shkrimtarit të këtij libri, që po t’ia vinim dhe rrëfimtarit do të jepte “Marseli im”, “I shtrenjti im Marsel. Që atëherë, nuk i lejoja më të afërmit e mi, kur më thërrisnin “i shtrenjtë”, t’ia zbehnin vlerën e paçmuar atyre fjalëve të ëmbla që më thoshte Albertina.  Kur i shqiptonte, ajo mblidhte buzët të cilat ktheheshin në një puthje. Ajo zgjohej po aq shpejt sa ç’e zinte gjumi.
Më shumë se krahasimi i dy periudhave, më shumë se fakti që kundroja një vajzë të re ulur pranë meje nën dritën e llambës që e ndriçonte ndryshe nga drita e diellit kur ajo shëtiste buzë detit, a nuk ishte ky pasurim i vërtetë, ky progres i pavarur i Albertinës, shkaku i vërtetë i ndryshimit të mënyrës se si e shihja tani dhe asaj si e shihja dikur në Balbek? Mund të kishin rrjedhur shumë vite të tjerë pa shkaktuar një ndryshim kaq rrënjësor midis dy imazheve; por ndryshimi kishte ndodhur, thelbësor dhe i beftë, kur kisha marrë vesh që mikesha ime ishte rritur nga mikja e Znjsh.Vëntëj. Nëse dikur shkrihesha nga kënaqësia kur shihja mister në sytë e Albertinës, tani qetësohesha vetëm kur ata sy, madje dhe faqet, shprehëse po aq sa sytë, kaq të ëmbla, por që vrenjteshin sakaq, zbrazeshin nga çdo gjurmë misteri.
Imazhi që ëndërroja, që më qetësonte, pranë të cilit do doja të vdisja, nuk ishte ai i Albertinës me një jetë misterioze, por i një Albertine që e njihja mirë (dhe kjo ishte arsyeja pse kjo dashuri do të zgjaste vetëm për sa kohë do të ishte fatkeqe, sepse si e tillë, ajo ushqehej nga misteri), i një Albertine që nuk pasqyronte një botë të largët, që s’dëshironte asgjë tjetër –dhe kishte çaste, kur më dukej vërtet kështu- veç të ishte me mua, e ngjashme me mua, i një Albertine, shëmbëllimi i së cilës më përkiste mua dhe jo të panjohurës. Nëse dashuria lind nga një gjendje ankthi që na shkakton një person, nga pasiguria a do mund ta mbajmë atë apo do të na lerë, ajo dashuri mban vulën e turbullirës që e shkaktoi dhe e ka të pamundur të kujtojë se si e përfytyronim të njëjtin person më parë. Kështu mbresat e mia të para nga një Albertinë me detin në sfond,  mezi kishin mbijetuar në dashurinë time për të: në të vërtetë, këto mbresa të dikurshme zënë një vend të papërfillshëm në një dashuri të tillë;  me tërbimin e saj,  vuajtjen, nevojën për ngushëllim dhe strehim te një kujtim i ëmbël, qetësues ku duam të strukemi dhe të mos dimë më asgjë për personin që duam, edhe sikur të kishte diçka të tmerrshme që duhej ditur- madje, akoma më keq, me dëshirën për të jetuar vetëm me kujtimet e dikurshme- një dashuri e tillë ka një tjetër brumë!
Ndonjëherë, e fikja dritën para se ajo të vinte.  Ashtu në errësirë, e orientuar thjesht nga dritëza e një thëngjilli, ajo shtrihej përbri meje.  E ndieja me duar, me faqe, pa mundur ta shoh me sy, me ata sy që shpesh druheshin se mos e shihnin të ndryshuar. Kështu falë kësaj dashurie të verbër, ajo mbulohej me një dhembshuri më të madhe se zakonisht. Herë tjetër, zhvishesha, shtrihesha, ndërsa Albertina rrinte ulur buzë shtratit, kështu ia nisnim lojës ose bisedës që ndërpritej nga puthjet; të përfshirë nga dëshira, e vetmja që na nxit të kemi interes për ekzistencën dhe karakterin e një personi tjetër, jemi besnikë ndaj vetes (ndonëse i ndërrojmë njëra pas tjetrës qeniet që dashurojmë), sa që një herë, duke u parë në pasqyrë në çastin kur përqafoja Albertinën duke e quajtur “shpirt i vogël”, çehrja e përvuajtur dhe e përndezur e fytyrës sime, e ngjashme me çehren që duhej të kisha pasur me Zhilbertën por që tani nuk më kujtohej më, e ngjashme me atë që do kisha një ditë pranë një femre tjetër nëse do më duhej të ndahesha nga Albertina, më bëri të mendoj që pavarësisht se kush ishte personi ( instinkti bën që e dashura e momentit të na duket gjithnjë si personi i duhur), unë përmbushja detyrën e një përkushtimi të zjarrtë dhe torturues që i -blatohej  rinisë dhe bukurisë femërore. E megjithatë, dëshira, që i thurte himn hyjnor rinisë, kujtimeve, përfshirë ato nga Balbeku, pleksej, në nevojën që kisha për ta pasur afër Albertinën çdo mbrëmje, me diçka që deri më sot ishte e panjohur për mua, të paktën në jetën dashurore, në mos kisha një ide të turbullt për të në jetën e zakonshme. Ishte një fuqi ngushëllimi e atillë që s’e kisha ndjerë më që nga mbrëmjet e dikurshme në Kombre, kur mamaja, e përkulur mbi shtratin tim, më uronte natën e mirë me një puthje. Sigurisht, s’do më vinte mirë asokohe,  po të më thoshin që po tregohesha i lig, lëre pastaj po të më thoshin që po kërkoja ta privoja dikë nga kënaqësia. Sigurisht, që s’e njihja dhe aq mirë veten atëherë, sepse dëshira për të pasur Albertinën në shtëpinë time ishte po aq e mbrapshtë sa dhe dëshira për ta veçuar nga njerëzit, ku çdokush mund ta shijonte sipas qejfit, vajzën në lule të moshës, prania e së cilës jo vetëm s’më bënte shumë të lumtur mua, por privonte dhe të tjerët nga kënaqësia. Ambicia, lavdia nuk më hynin në sy. As urrejtjen s’e përballoja dot. E megjithatë, të zotëroje fizikisht dikë do të thoshte të ngadhënjeje mbi të gjithë rivalët.  S’do ta shpjegoj kurrë ashtu si duhet, por mbi të gjitha ishte një ndjenjë ngushëllimi. Më kot, para se Albertina  të  vinte në shtëpi, dyshoja për besnikërinë e saj, e përfytyroja në dhomën e Monzhuvanit, sapo ulej përballë meje e veshur me penjuar, ose siç ndodhte më shpesh, sapo ulesha në cep të shtratit, ia zbrazja dyshimet e mia, ia dorëzoja që të më  lehtësonte nga barra, me përuljen e një besimtari që bën lutjen e tij. Tërë mbrëmjen, e mbledhur kruspull si çapkëne mbi shtratin im, ajo mund të luante me mua si macja me miun; hunda e saj e vogël bojë rozë, majuci i të cilës bëhej dhe më i vockël nën vështrimin prej kokete që i jepte hijeshinë e njerëzve paksa topolakë, i jepte një çehre rebele dhe kokëshkretë; ndonjëherë linte një cullufe flokësh të zinj t’i binin mbi faqen prej dylli rozë dhe me sytë gjysmë të mbyllur dhe krahët e hapur, dukej sikur thoshte: “Bëni ç’të doni me mua”; kur vinte çasti për të ikur dhe ajo avitej për të më thënë natën e mirë, ishte ajo ëmbëlsi, pothuajse pjesë e pandarë e jetës sime, që puthja në të dy anët e qafës së saj të fortë, që atëherë s’më dukej as e zeshkët dhe as me prekna, sikur cilësitë fizike  të ishin tregues të një mirësie fisnike tek Albertina.
E kishte radhën Albertina të më thoshte natën e mirë duke më puthur nga dy anët e qafës, floknaja e saj më përkëdhelte si një flatër me pupla të serta dhe të buta. Dhe pse ato puthje paqeje as që krahasoheshin me njëra tjetrën,  Albertina më rrëshqiste në gojë blatimin e gjuhës së saj, si një  blatim i Shpirtit të Shenjtë, më jepte bukën e kungimit, më mbushte me një ndjesi paqeje po aq të ëmbël sa ajo që më jepte mamaja kur vendoste mbrëmjeve, në Kombre, buzët mbi ballin tim.

Dritat në shtëpinë e të tjerëve

Një rrëfim plot ndjenjë i kalvarit të jetës, në dukje banale, të banorëve të një pallati, që arrijnë të çelin baulen e të vërtetave të tyre para një vogëlusheje jetime.
Maria, administratorja e një pallati të vogël e të zakonshëm humb jetën në një aksident. Ajo lë pas një vajzë të vogël, Mandorlën, dhe një letër, në të cilën rrëfen se i ati i vajzës jeton në ndërtesën që ajo administron. Të gjithë burrat e ndërtesës gjenden kështu nën akuzë, por askush nuk pranon të jetë babai i vajzës dhe as t’i nënshtrohet testit të ADN-së. Për pasojë, familjet e ndërtesës vendosin ta rrisin vajzën së bashku, me radhë. Kështu, Mandorla do të rritet me shumë prindër dhe do të udhëtojë nga zhgënjimet e para të fëmijërisë deri te dashuritë e adoleshencës. Falë saj, lexuesi do të hedhë një sy pas perdeve të këtyre shtëpive dhe do të zbulojë se familja përmban një alkimi të papërcaktueshme elementesh: Ata që e kanë, rrezikojnë ta shkatërrojnë; ata që s’e kanë, e shohin si të vetmen rrugë drejt lumturisë. Chiara Gamberale ka krijuar një roman ku arketipat tradicionalë përzihen me dramat bashkëkohore, ku e vërteta dhe e rremja shkëmbehen dhe i japin jetë një zëri origjinal dhe të paharrueshëm që na udhëheq drejt një fundi befasues. “Nën petkun tërheqës të një parade jetësh interesante e origjinale, të përgjuara shtëpi pas shtëpie, ky është një libër për humbjen e vetvetes dhe për frikën e mosekzistencës” – e ka cilësuar shkrimtari Walter Siti librin në një recensë në të përditshmen La Stampa. Një libër për të gjithë, por sidomos për adoleshentët, sepse shpreh përsosmërish trazirat dhe shqetësimet tipike të kësaj moshe.
Chiara Gamberale është shkrimtare italiane. Ajo ka fituar çmimin Cavour dhe çmimin Campiello. Sot, ajo është një nga autoret më të lexuara në Itali, me 11
vepra të botuara, si dhe e përkthyer në shumë gjuhë të botës. Ajo është autore dhe drejtuese programesh televizive dhe radiofonike si Quarto piano scala a destra në Rai Tre dhe Chiara e L’oscuro në Radio Due. Bashkëpunon me La StampaVanity Fair dhe Io Donna tëCorriere della Sera-s.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...