Agjencioni floripress.blogspot.com

2017/02/10

Natasha Lako: Poezia nuk mbushet me mend…


Natasha Lako, kjo poete e njohur herët për talentin e saj të spikatur vjen me vëllimin e saj të ri “Kundërpërfytyrim” pasi solli në shqip poezinë e madhe të Trastomerit. Ndjehet se ka kaluar nga shkolla, apo më saktë nga lartësia e mjeshtrit suedez, pa u rrëzuar në plagjiaturë, pa e tradhtuar dhuntinë prej poeteje të lindur, por është bërë më e thellë, më fine, më brilante, më e sigurt në përftimin, kontrollin, seleksionimin dhe pasqyrimin estetik të kombinacioneve të panumërta metaforike që ofron realiteti





Vëllimi poetik “Kundërpërfytyrimi” është një ngjarje e vertetë për poezinë tonë bashkëkohore. Ai dëshmon sërish atë që kemi thënë më parë se ka shumë poezi në botë, në Shqipëri. Edhe atëherë kur duket se gjithçka e ka vënë poshtë cinizmi, egoizmi dhe degradimi.

Nga Preç Zogaj

Jam duke lexuar librin e ri me poezi “Kundërpërfytyrimi” të poeteshës Natasha Lako. Ndoshta do të duket e pazakonshme që po shkruaj këto rreshta pa e përfunduar. Pasi t’ju them arsyen, besoj se lexuesve të rubrikës nuk do t’u duket e tillë. Arsyeja është se një libër i mirë me poezi nuk përfundon ndonjëherë së lexuari sipas kuptimit që kemi për librat në prozë. Për një libër të mirë në poezi gënjejmë po të themi e mbarova. Kjo është pa kuptim. Libri i mirë me poezi është pa fillim dhe pa fund. Libri i mirë me poezi ka gjithnjë kërshërinë dhe shijen e leximit si për herë të parë edhe kur lexohet për herë të dytë, të tretë apo të tridhjetë. Kjo më ka ndodhur mua me disa vëllime poetike të autorëve shqiptarë apo të huaj. Për të përmendur një prej tyre po zgjedh vëllimin e nobelistit suedez “Perandoria e barit” të cilin e ka përkthyer pikërisht Natasha Lako. Kjo poete e njohur herët për talentin e saj të spikatur vjen me vëllimin e saj të ri “Kundërpërfytyrim” pasi solli në shqip poezinë e madhe të Trastomerit. Ndjehet se ka kaluar nga shkolla, apo më saktë nga lartësia e mjeshtrit suedez, pa u rrëzuar në plagjiaturë, pa e tradhtuar dhuntinë prej poeteje të lindur, por është bërë më e thellë, më fine, më brilante, më e sigurt në përftimin, kontrollin, seleksionimin dhe pasqyrimin estetik të kombinacioneve të pamunërta metaforike që ofron realiteti. Pasi kam lexuar ngadalë pjesën më të madhe të poezive të përfshira në këtë vëllim, mendoj dhe ndjej atë që thashë më lart: vëllimin e Natashës duhet ta vendos në radhën e librave që nuk mbarojnë se lexuari ngaqë u kthehemi e u rikthehemi vazhdimisht, siç ndodh vetëm me poezinë e mirë, e cila në çdo lexim fsheh çfarë na ka zbuluar dhe zbulon çfarë na ka fshehur.

“Unë ëndërroj si të dal e veshur një ditë me të gjitha stinët/

Që të kem një puthje vendimtare” ( nga poezia “ Në dollapin e rrobave”)

“Çfarë herorizmi ka zemra nuk e dimë/ gjera të tjera kërkojnë të flasin, por nuk i kemi ende/edhe unë dua të shfaqem e të bukurohem nga mendimet” ( nga poezia “Gjëra të ditura e të paditura”)

“Si t’ja bëj unë me diamantët e syve/në këtë botë që po vjen” ( nga poezia “Kërkohet urgjentisht një univers tjetër”)

“E nisur jam edhe unë nga ndonjë qiell që nuk më gjen më/e mbërritur jam dhe unë nga çdo lloj mbretëri” ( nga pozia “Pozë e përjetësisë”)

“Si t’ia bëjmë me dashurinë e tepërt/Ndërron rrugën e së vërtetës nga jargavani në jasemin/ në përzgjatimin e luleve” (nga poezia “Kur avitet bota”)

“Duket nuk është e volitshme/ të të kem të gjithin ty” (nga poezia “Godinë fjalësh”)

Këto janë disa vargje që unë i mora nga “grumbulli”, thjesht duke futur dorën, siç thuhet, për t’i hedhur si brilante në vitrinën e imagjinuar të këtij libri që në fakt është vetë libri. Janë vargje të një bukurie të rrallë, plot kuptim, ndjeshmëri, elegancë dhe muzikë, ku gjejmë të dendësuar vetitë me të qënësishme të poezive të autorës: ato bashkojnë magjepsjen e gjenezës me inteligjencën e lartë, spontanitetin me filozofinë poetike, ku fëmija dhe e rritura marrin pjesë bashkarisht, në unitetin e tyre brënda subjektit krijues, në kompozimin e vargjeve.

Kundërpërfytyrimi, fjala e përngjitur që i ka thënë titullin vëllimit, ka valencën e një përkufizimi të ri të vetë poezisë. Është shpërberja e lidhjeve të njohura e të dukshme, duke i rikombinuar në lidhje të reja, metaforike, prej nga përftohet poezia. Kështu, poezia e kundërpërfytyrimit bëhet poezia e krijimit të një bote artistike që nuk e gjejmë e nuk shohim kurrë perveçse me sytë e poetit dhe poezisë.

“Kujtohesha edhe unë se e kisha gjithnjë me vete atë labyrinth/ që kalon mespërmes ca brimëzave të komçave të xhaketës/ku giithnjë del briri/ i vlimit të një drite tjetër” (nga poezia “Kulla e Babilonit”)

Apo: “Qyteti ka vënë në mendje një protezë metali/ heshtja dashuron” (nga poezia “Hyrje nëpër natë”)

Ndoshta është më mirë të vazhdojmë të hedhin vargje në vitrinë se sa të formulojmë sentenca. Por duhet të themi edhe një konsideratë tjetër: vëllimi i Natasha Lakos tregon se poezia vazhdon të mos mbushet me mend, vazhdon të ngulmojë në pushtetin e gustos, vazhdon të mbledhë nga është e nga s’është atë dhimbjen e botës që jehon në akorde të larta, vazhdon të ekzistojë jo si kundërbota, por si pamja tjetër e saj. Shpalosjet metaforike të këtij rrafshi, si të endura me dritë dhe trishtim shpeshherë, marrin fuqi nga përdorimi me masë i sentencave poetike të mrekullueshme, që nisen nga uni-poetik por kanë një rezonancë pavetore: “Më mundon kjo largësi që largësi pjell”. Apo “Prej perendie e kam lumturinë”.

Vëllimi poetik “Kundërpërfytyrimi” është një ngjarje e vërtetë për poezinë tonë bashkëkohore. Ai dëshmon sërish atë që kemi thenë më parë se ka shumë poezi në botë, në Shqipëri. Edhe atëherë kur duket se gjithçka e ka vënë poshtë cinizmi, egoizmi dhe degradimi. Ekziston kjo përtëritje e vazhdueshme e frymës dhe inteligjencës artistike, s’ka të mbaruar ky hir i epshëm i jetës që është poezia. Por duhet të vijë poeti për t’i dhënë jetë, artikulim. Duhet të vijë poeti për të lexuar me sy mbyllur tekstin e stuhisë, dhimbjes apo të ajrit. Duhet të vijë një Natasha Lako për shkruar vargje si këto : “E dëbuar prej qiellit më ndjek prapa/Çdo ndodhi e jashtme mbremësore”.

Denoncimet ndaj Kadaresë: 101 dokumente pa interpretime

kafdararar
Edhe botimi i edicionit të dytë “Kadare i denoncuar”, ashtu si pritej ka shkaktuar polemika të forta në rrethin e intelektualëve shqiptarë të shkrimtarit me diktaturën, duke u kthyer edhe në një nga librat më të kërkuar. Për këtë arsye botimet UET Press vendosën të risjellin “Kadare në 101 dokumente të ‘Pallatit të Ëndrrave’”, në një botim të ri vetëm me dokumente të thata e të sakta, pa asnjë interpretim dhe komente



Edhe botimi i edicionit të dytë “Kadare i denoncuar”, ashtu si pritej ka shkaktuar polemika të forta në rrethin e intelektualëve shqiptarë të shkrimtarit me diktaturën, duke u kthyer edhe në një nga librat më të kërkuar.

Për këtë arsye botimet UET Press vendosën të risjellin “Kadare në 101 dokumente të ‘Pallatit të Ëndrrave’” në një botim të ri vetëm me dokumente të thata e të sakta, pa asnjë interpretim dhe komente. Në rreth 700 faqe ky botim përfshin sërish 101 dokumente nga aparati shtetëror dhe partiak i Shqipërisë komuniste për Ismail Kadarenë, të përgatitur për botim nga Dashnor Kaloçi, si botim universitar.

Po përse një botim i tretë, përse vetëm me dokumente? Për këtë, administratori i UET Press, Henri Çili sqaron në pasthënie të librit se, 101 dokumentet vijnë pa asnjë presje të shtuar, pa asnjë presje të hequr, pa asnjë koment shtesë, si një hyrje të re në debatin për Kadarenë, i cili sapo ka filluar.

“Libri ‘Kadare i denoncuar’ ka trazuar shumëçka, ka trazuar madje gjithçka në jetën tonë publike. ‘Me këtë libër jepkeni Kadaresë Nobelin-in’, -tha dikush.

Një tjetër: po bëni historinë, po paraqisni Kadarenë viktimë të sistemit. Në fakt nuk po bëjmë asnjërën nga këto të dyja, po themi vetëm të vërtetën, një të vërtetë të relativizuar, të fshehur, të lënë përgjysmë, të deformuar të këtyre 25 viteve. Një temë madhorë raporti i Ismail Kadaresë, shkrimtarit tonë të madh, dhe një nga shkrimtarët më të rëndësishëm botërore të kohës, me sistemin diktatorial në Shqipëri”.

Libri përmban material bazik, me disa anekse në fund të tij, si dhe shoqërohet në hyrje me recensën shkencore nga prof. dr. Romeo Gurakuqi, që sipas tij leximi i përmbajtjes së këtij dokumentacioni ka ngritur një numër pyetjesh, që lidhen me dobishmërinë ose jo të botimit të tyre sot? Ose, a duhet një kujdes i posaçëm në një proces të tillë, për moscenimin e bashkësisë së njerëzve shqiptarë të kohës, që dhuna e frymës së ‘Pallatit të ëndrrave’, imponoi qëndrime dhe të padëshiruara?

Këto dokumente janë të mbledhura me skrupulozitet dhe me përgjegjshmëri nga Dashnor Kaloçi në Arkivat e shtetit shqiptar, që siç shpjegon Çili vijnë “të thata e të sakta, si vetë fakti historik”.

“Nga këqyrja dhe leximi i këtyre dokumenteve që po i botojmë të plota dhe pa asnjë ndryshim, garantuar me përgjegjësinë personale të Kaloçit për autenticitetin e tyre, dua të shtoj dhe diçka që më ka bërë përshtypje: në tërësinë e këtyre dokumenteve shihet qartë se, Ismail Kadare, është një subjekt i vëzhguar, i ndjekur, i denoncuar, i trajtuar dhe i vëzhguar në çdo hap të tij nga ‘Pallati i Ëndrrave’, nga Komitetit Qendror, ose nga aparati i shtetit shqiptar”, shkruan administratori i UET Press.

Në kontekstin aktual të debatit historik në Shqipëri, “Kadare i denoncuar” mendohet se përfaqëson një kulturë të re të trajtimit të së shkuarës nëpërmjet dokumentit historik dhe autentik, duke lënë të lirë mundësinë e interpretimit, konteksteve, nuancat apo ngjyresat.

“Detyra e studiuesit dhe, në rastin tonë, edhe e shtëpisë botuese universitare UET Press është të paraqesë, në formë autentike, dokumentin historik”, vëren Çili.

Edhe pse janë raporte të mjera, siç thotë studiuesi Gurakuqi, ndërkohë ky dokumentacion merr vlerë të veçantë në njohjen e së vërtetës të vështirë të akademikëve shqiptarë dhe një proces të ngritjes përmes “adaptimit” në sistem të lëvizjes përmes barrikadave të dhunës, të përdorimit me kujdes milimetrik të statusit të fituar, falë talentit, mendjes, punës, dhe veprave monumentale, nga shkrimtari dhe njeriu më i madh shqiptar i njohur sot në botë.

Sipas Gurakuqit ky botim merr rëndësi sepse tregon një nivel të pamat dhe vështirësisht të klasifikueshëm, të komprometimit të shoqërisë shqiptare në përgjithësi dhe klasës së re intelektuale në veçanti, të epokës së socializmit ngadhënjimtar.

“Ky botim bën të reflektosh se për 50 vite që është koha e lindjes e së paku dy brezave shqiptarë, në pjesën e brendshme shtetërore, vendi ka ecur nën drejtimin e një ‘elite intelektuale dhe politike’ që iu është imponuar nënshtrimeve të një linje, është detyruar të mbijetojë duke shkruar, të nënshtrohet, por një pjesë është mësuar të raportojë, gënjejë, të autocensurohet, të intrigojë, të survejojë, të bëjë kompromise të paprincipta dhe të godasë para së gjithash, njerëzit që kanë menduar, intelektualët e pakët që kanë pasur një zë dhe janë orvatur të dalin mbi shoqërinë, pa dëme thelbësore dhe pa humbje kohe e energjish në zbrazëtirën bolshevike të Shqipërisë së Enver Hoxhës…”, ndalet ndër të tjera në hyrje të botimit të ri, studiuesi i historisë.

Nga ana tjetër për këtë botim thuhet se nxjerr në pah edhe nevojën e përcaktimeve ligjore më të qarta, mbi nivelet e hapjes së dosjeve, mënyrës se si mund të botohen, nevojën urgjente të hapjes së sistemuar të dosjeve e dokumenteve të prodhuara nga organet shtetërore: të Sigurimit të Shtetit dhe KQ të PPSH, dikastereve qeveritare.

Me numrin komunikativ 101, në këtë botim nuk ka vepruar asnjë mekanizëm selektimi, përveç përzgjedhjes metodike për t’iu ofruar lexuesve një material të ri, bazik, që së shpejti pritet të përgatitet edhe në një edicion tjetër më të shkurtuar, për të cilën UET Press është në negociata me botuesin anglez për ta përkthyer këtë vepër, duke u konsideruar nga botuesit si një borxh intelektual që i kemi Ismail Kadaresë në lidhje me të vërtetën e vendit të tij në diktaturë.

Ky projekt, pas edicionit të parë me 31 dokumente, të Kadare i denoncuar, konsiderohet i plotë, për të nisur një fazë të re të kërkimeve historike të shqiptarëve për periudhën e komunizmit, duke çuar më tej këtë fenomen me këtë kontribut, qoftë edhe më tej, edhe në kërkimet në rrafshin e Evropës Lindore në raportin e sistemeve diktatoriale me letërsinë, artin dhe shkrimtarë të njohur.

Diana Çuli: Mbi gjithçka është letërsia


Diana, së fundmi keni krijuar një kontakt të ri me publikun përmes televizionit “Ora News”, me programin “Kronikë e Pambaruar”. Për ju personalisht, çfarë është kjo dritare letrare?

Është vërtetë një dritare letrare, siç shpreheni ju. Emisioni, të cilin në fillim e pranova me një lloj ngurrimi, ngaqë nuk kam pasur përvoja drejtuese me televizionet, në të vërtetë është shndërruar në një burim entuziazmi për mua. E para, sepse më lejon të risjell në vëmendje të publikut personalitete të shquara të kulturës dhe artit tonë e të huaj; e dyta sepse hapësira kohore është e tillë që mundëson një bisedë të thelluar dhe jo të nxituar; e treta, sepse në një situatë televizive ku mbizotërojnë spektaklet, ‘Big brother’-at dhe gjithashtu politika ‘non-stop’, mendoj se njerëzit kanë nevojë për pak ushqim shpirtëror e kulturor. Jam e lumtur që mund të kontribuoj sadopak në këtë drejtim dhe i falënderoj drejtuesit e “Ora News” që e menduan e më ftuan ta drejtoja.

Cili është personazhi që do të donit të kishit në studio në sezonin e ri?

Oh, ka shumë personazhe në listën time. Por, nuk do të doja të flisja para kohe, sepse mundet që emri që unë do të përmend të mos vijë dot për një arsye ose tjetër – gjëra që ndodhin – dhe do ta zhgënjeja lexuesin. Por, mund të them se të ftuarit e këtij emisioni janë domosdoshmërish krijues me përvoja të gjata, me vepra të rëndësishme të krijimtarisë së tyre. Emisioni synon jo vetëm të paraqesë veprat e autorit, por kryesisht opinionet dhe mendimet e tij mbi artin, letërsinë, shoqërinë, jetën në përgjithësi. Të shprehura nga personalitete të rëndësishme, këto opinione kanë një vlerë të veçantë.

Diana emisioni ne OranewsVihet re një “luftë” e vazhdueshme brenda gjinisë femërore, në politikë, art e gazetari… Përse kjo “luftë” sipas jush?

Jo më e fortë se sa lufta mes burrave dhe klaneve të tyre. Rivaliteti është shprehje e natyrës njerëzore, qofshin gra ose burra. Burrat kanë 5000 vjet në pushtet, kanë sunduar me shekuj shoqërinë, kanë më shumë përvojë, më shumë instrumente për ta mbajtur këtë pushtet e këtë sundim, dinë edhe si të tërhiqen e si të krijojnë aleanca. Grave u duhet të mësojnë më tepër. Por kjo nuk do të thotë se ato janë “të këqija” dhe “xheloze” nga natyra, sepse kështu do të gabonim rëndë dhe përsëri do të çonim ujë në kanalin e atyre që e kundërshtojnë barazinë shoqërore, politike dhe të të drejtave të njeriut.

Po mes shkrimtareve femra, çfarë klime ekziston?

Mes shkrimtareve gra tek ne nuk ka pasur asnjëherë rivalitete, sharje, fyerje. Më gjeni një shembull ku të jenë grindur publikisht dy shkrimtare gra! Të paktën në Shqipëri, po as në botë nuk njihet ky fenomen. Ndërkohë, që të mos jem e padrejtë me askënd, do të shtoja se mes shkrimtarëve në përgjithësi, burra dhe gra, nuk ka ndonjë rivalitet të dukshëm. Mes shkrimtarëve gjithnjë ka një klimë shumë interesante vlerësimi për njeri- tjetrin, qoftë edhe të pashprehur, qoftë edhe të heshtur, qoftë edhe nga larg.

Shkrimtare, përkthyese, aktiviste e gazetare; cili është terreni më i sigurt, më i dashur për Dianën?

Gjithnjë ka qenë dhe mbetet letërsia.

Jeni shkrimtarja më e njohur shqiptare, sa ju ka përkëdhelur ky status në grupin e penave femërore?

Nuk e kam menduar kurrë në këtë mënyrë. Do t’ua korrigjoja pak pyetjen, e cila më tingëllon diskriminuese: përse në grupin e penave femërore? Nuk kemi të drejtë ne gratë shkrimtare të pyetemi se si ndihemi në mes të autorëve në përgjithësi? Ka letërsi të grave dhe të burrave apo vetëm letërsi? Unë e kam parë profesionin e shkrimtarit si nga më të vështirët dhe lexuesin shqiptar e mendoj tepër nazik dhe me shije të hollë. Të fitosh emrin e shkrimtares apo të shkrimtarit nuk është e lehtë, por më e vështirë është ta mbash. Është si një peshë e rëndë mbi shpinë, dhe sa më shumë kalon koha, aq më e rëndë të duket.

Jakova Xoxa, Acta fabula te ‘Lulja e kripës’


Image result for kush eshte diana Çuli

Diana Çuli, ka lindur në Tiranë, më 13 prill 1951, Shqipëri. Ajo është një shkrimtare e njohur, gazetare dhe politikane. Është diplomuar për Filozofi, Universiteti i Tiranës, më 1973. Pas diplomimit ajo ka punuar si redaktore në gazetën Drita, dhe ne gazetën franko-shqiptare Les letteres albanaises. Në 1990 dhe ju bashkua partisë Social Demokrate të Shqipërisë.
Që më 2006, ajo është përfaqësuese e Shqipërisë në Asamblenë e Këshillit të Evropës. Ajo është aktiviste e Shoqërisë Civile për të drejtat e grave, barazinë gjinore, dhe luftës kundër trafikimit të grave dhe vajzave. Diana Çuli, u emërua presidente e Federatës Shqiptare të Grave.

Publikime


1980: Jehonat e jetës
1983: Zeri i larget
1986: Dreri i trotuareve
1992: Rekuiem
1993: ... dhe nata u nda në mes
2000: Diell në mesnatë
2006: Engjëj të armatosur
2009: Gruaja na kafe

Etj.



Xoxa, individualitet në letërsinë shqiptare, pedagog i Universitetit të Tiranës, fotografuar në vitin 1970,


Xoxa, individualitet në letërsinë shqiptare, pedagog i Universitetit të Tiranës, fotografuar në vitin 1970,Stili në romanin Lulja e kripës, të shkrimtarit Jakov Xoxa, botuar nga Botimet Enciklopedike/…Për të përcaktuar stilin e një autori, ne vëzhgojmë tre elementët bazë: regjistrin gjuhësor, procesin letrar dhe figuracionin. Do të thoshja se janë pikërisht këto tri instrumente artistike e stilistikore të përdorura në mënyrë aq origjinale, që e bëjnë të mundur përsosjen e veprës Lulet e kripës

Image result for kush eshte diana Çuli

Nga Diana Çuli

Nuk është një detyrë kaq e lehtë të flasësh për veprën e Jakov Xoxës dhe, në veçanti për Lulet e kripës. Leximi i saj na shpie në vende dhe në kohë të tjera, na bën të udhëtojmë dhe të jetojmë në universin e personazheve të saj. Ajo është e gjerë dhe e shtruar dhe rrjedh si vetë jeta.

Çdo autor zotëron mënyrën e tij për të ngjyrosur tekstin, për ta bërë atë të veçantë. Dhe meqenëse do të përqendrohem më shumë te stili, do të theksoja që në krye se stili i këtij shkrimtari dallohet veçanërisht nga pikëpamja narrative dhe poetike, që e nxit imagjinatën e lexuesit, për të ilustruar një ide apo thjesht për të zgjuar kureshtjen e tij. E dimë se për të përcaktuar stilin e një autori, ne vëzhgojmë tre elementët bazë: regjistrin gjuhësor, procesin letrar dhe figuracionin. Do të thoshja se janë pikërisht këto tri instrumente artistike e stilistikore të përdorura në mënyrë aq origjinale, që e bëjnë të mundur përsosjen e kësaj vepre.

Duke u nisur që nga pasuria gjuhësore, leksiku i përdorur nga autori në nivele të ndryshme e të shumta – na ndihmon që të vërejmë një karakteristikë të tijën thelbësore: fjalori i përdorur nga personazhet e tij si Miltoja, Petriti, Paci, Arhondi, Ermioni, Gruaja e Mallkimit, apo Arta apo Pavllo Dosari e të tjerë personazhe të shumtë që ka romani dhe me të cilët ne rrugëtojmë gjatë, shpërndahet në disa forma: në gjuhën popullore, të personazheve më të thjeshtë, por plot ngjyrime origjinale, me zhargon, herë-herë me sintaksë të shtrembëruar e kohë foljesh të deformuara; gjuha e përditshme, që respekton më mirë sintaksën dhe rregullat gjuhësore, gjuha korrekte, që e flasin personazhet më të ngritur nga ana kulturore dhe gjuha e përpunuar – nganjëherë letrare dhe e kërkuar – sipas personazhit e kontekstit, me një sintaksë shumë më komplekse. E përmenda këtë veçori të stilit – që është gjuha, sepse është vërtet mjaft spikatëse te ky roman – siç është edhe te veprat e tjera të Xoxës, por këtu, duket sikur autori i ka kushtuar një vëmendje më të madhe e më të kujdesur.

Për sa i përket procesit letrar, janë mjaft shprehës dialogjet dhe monologët, që hedhin dritë jo vetëm mbi karakterin e personazheve, por edhe në marrëdhëniet që ata kanë mes tyre. Në këtë roman dialogjet janë të një bukurie të rrallë, në kuptimin e mjeshtërisë artistike. Le të kujtojmë vetëm dialogjet midis Miltos dhe të tjerëve, ku ky personazh, i cili nuk shpaloset përnjëherësh, por dalëngadalë, se si zbulojnë njëkohësisht edhe të tjerët që lidhen me të, mendësinë e kohës po edhe ndryshimet dhe kontradiktat në këtë mendësi. Fjala, mendimi në këtë roman lëviz siç lëviz edhe vetë rrjedha e kohës, nuk qëndron në vend. Ndryshon tek ndryshon shoqëria në ujdhesën Naforë, në kripore. Ndërsa monologjet – më të paktë – japin gjendjen shpirtërore dhe të ndërgjegjes së personazhit, që ndjek gjithashtu kohën. Narracioni ndryshon sipas epokës; ai është më i shtruar në fillim, rëndohet nga mesi i romanit dhe merr ritëm të vrullshëm sidomos në periudhën e rezistencës ndaj pushtimit italian.

Narratori nuk është një nga personazhet e librit, sepse rrëfimi vjen në vetën e tretë, pra nuk merr pjesë në veprim. Ai është një vëzhgues i jashtëm, por njëjësohet me lexuesin. Ky proces nuk ndodh shpesh, por te Lulet e kripës lexuesi përfshihet habitshëm me ngjarjet, sikur është pjesë e asaj jete që po lexon, pavarësisht se asgjë nuk e shtyn që të ndihet i tillë në mënyrë artificiale. Ndoshta, sepse procesi letrar i Xoxës, përmes përshkrimit dhe portretizimit i lejon lexuesit të përfytyrojë, të marrë pjesë në ngjarjet e subjektit dhe t’i përjetojë ato me mendje. Sepse përshkrimi në këtë roman, qoftë i natyrës apo i personazheve dhe sjelljeve të tyre është në majat e mjeshtërisë letrare. Ai e ul dhe e ngre ritmin sipas ngjarjes, kuptohet, po edhe sipas kontekstit gjeografik, shoqëror e politik.

Shpesh, Xoxa përdor digresionin për të shpjeguar ngjarje e karaktere të ndryshme, suspansën, gjatësinë e frazës, hiperbolën, perifrazat, përsëritjen e të njëjtës shprehje apo të të njëjtës strukturë gjuhësore për të krijuar ritmin që dëshiron në subjekt apo për të theksuar një element të caktuar. Meqenëse ky roman, veçanërisht, anon nga realizmi magjik, nuk janë të rralla kontrastet, metaforat, paradokset, ngjashmëritë e krahasimet midis ideve, personave, sendeve, kafshëve…Lexuesi endet mes një realiteti virtual të prekshëm, ku gjithçka mund të ndodhë dhe gjithçka përsëri të mbetet një ëndërr e parealizuar. Dhe, Jakov Xoxa këtë teknikë e ka përdorur në një periudhë kohore censurimi të metodës së realizmit socialist sa është gati e pabesueshme se si ai ka mundur të shkruajë në libër të tillë, larg skemës dhe dogmës, duke nxjerrë nga duart një vepër me vlera të gjithhershme.

Stili i tij është i këndshëm në të lexuar, herë dramatik e herë humoristik, herë realist, romantik, herë konvencional e pretencioz, po edhe piktoresk e i gjallë, duke krijuar atmosferë dhe personazhe të përpunuar deri në skajshmërinë më të thellë, në detajet më të hollësishme, por kurrë të tepërta apo të gjata pa nevojë.

Concernant ces publicités

Stili pra, acta fabula e një vepre nuk është thjesht faza e fundit e ornamentale e veprës, por është vetë vepra. Lulet e kripës, ashtu si vetë autori i saj, nuk mund të kuptohet pa këtë stil të veçantë, që mund të quhet epik, sa edhe lirik. Sepse, siç, kanë shkruar shpesh kritikët, stili është ai shndërrim me të cilin shkrimtari bluan lëndën e botës dhe të jetës. Madje, do të shkoja dhe më tej dhe do të thoja, se Jakov Xoxa në një kohë kur idealizmi e kishte humbur kuptimin, i spekuluar dhe i shtrembëruar solli në letërsinë shqipe, një vepër me prirje thellësisht idealiste. Njëherazi për vërtetësinë dhe për projektimin e realitetit.

Asnjëherë vepra e një autori të rëndësishëm si Jakov Xoxa nuk mund të shihet e shkëputur nga tërësia e saj. Përçapjet që bëjmë me stilin apo me procesin letrar janë më shumë analiza të diktuara nga dëshira për t’i hyrë sa më thellë veprës, për të kuptuar mekanizmin e suksesit, që duke rrëfyer një botë të hidhur, shpesh mizore e absurde, gjen shtigjet e lirisë individuale e jo vetëm kolektive, rrëfyer me mjeshtërinë e shkrimtarit të madh. Që kërkon jo vetëm të rrëfejë një epokë, por të kërkojë të ndjekë e të kuptojë rrugën e burrave dhe të grave të Shqipërisë së viteve ’30-40 drejt njohjes dhe ekzistencës së ndërgjegjshme.

Lulet e kripës na jep tablonë e gjerë e shumëdimensionale të jetës së shoqërisë shqiptare rurale pak përpara shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, mes luftës italo-greke dhe fillimit të rezistencës antifashiste. E jep me forcë të madhe, me talentin e tij narrativ dhe me zhbirimin që i bën shpirtit njerëzor. Nuk besoj se në traditën tonë letrare të shekullit të njëzetë e më tej ne kemi një shkrimtar tjetër si Jakov Xoxa që të ketë pikturuar këtë tablo jetësore me kaq shumëllojshmëri, vërtetësi e thellësi, me personazhe me një liri të tillë shpirtërore. Do të shtoja se edhe ribotimi dhe përkujdesja e përkorë e Arben Xoxës, i ka dhënë dorën e fundit shkëlqimtare kësaj vepre.

Noli, i ndrituri Theofan, besonte në “… zgjimin artistik me anën e muzikës…”

noli

Rasti i krijimtarisë muzikore të Fan. S. Nolit është sa i ndryshëm aq dhe i veçantë, kjo për faktin se krijimtaria muzikore e tij i përket një etape të mëvonshme (pas vitit 1937 e në vazhdim); se në këtë krijimtari muzikore të Nolit gjejmë sa një pjesë të muzikës së re shqiptare, në përgjithësi, ashtu dhe faktin që ajo është katalizator i “skizmit” nga ana tjetër. E parë me sy të ftohtë, realisht konstatojmë tri faza graduale të “Skizmit” te veprimtaria e Nolit si kompozitor e muzikant


Nga  Akademik Prof.Dr.Vasil S. Tole
(President i Këshillit të Muzikës Shqiptare, 
Anëtar i Këshillit Ndërkombëtar të Muzikës (IMC)
 U N E S C O

Në prag të shek. XX, muzika që kultivohej në Shqipëri ishte ende e lidhur me muzikën e kultit. Të vërtiturit në të njëjtën lëmë dhe rreth të njëjtit strumbullar krijonte për muzikën sa një konvencion shumë të ngushtë, po aq edhe vështirësitë e ndërtimit të idiomës kombëtare të saj. I pari që e synoi shkëputjen e muzikës nga institucionet e kultit ishte prifti katolik dhe njëkohësisht kompozitori At Martin Gjoka. Së bashku me krijimtarinë muzikore të kompozitorit dhe priftit ortodoks Fan S. Noli , ata krijojnë precedentin e muzikës sonë: shkëputjen nga muzika e kultit duke u nisur nga brenda saj, i pari nga pozitat e muzikës kulte të kishës perëndimore dhe Noli të asaj lindore. Të qenurit i pari në kryerjen e “skizmës”, lidhet direkt me kapërcimin e pengesës më madhore, asaj të të parit përtej vetes, gjë që kërkonte profesionalizëm dhe kapacitet të mendimit intelektual muzikor. Në tërësi, rasti i krijimtarisë muzikore të Fan. S. Nolit është sa i ndryshëm aq dhe i veçantë, kjo për faktin se krijimtaria muzikore e tij i përket një etape të mëvonshme (pas vitit 1937 e në vazhdim); se në këtë krijimtari muzikore të Nolit gjejmë sa një pjesë të muzikës së re shqiptare, në përgjithësi, ashtu dhe faktin që ajo është katalizator i “skizmit” nga ana tjetër. E parë me sy të ftohtë, realisht konstatojmë tri faza graduale të “Skizmit” te veprimtaria e Nolit si kompozitor e muzikant.

Faza e parë e “skizmit” të Nolit, lidhet me futjen e gjuhës shqipe në meshën ortodokse. Si biri i një psalti të kishës ortodokse, që në vogëli bie në kontakt me muzikën bizantine dhe po në moshë të vogël mëson edhe flautin. Në moshën 25 -vjeçare dorëzohet prift dhe kryerja e meshës në gjuhën shqipe duket se ka qenë një preokupim i hershëm i tij. Ky hap jo i vlerësuar në këndvështrimin muzikor është përshëndetur nxehtësisht nga Faik Konica po atë ditë, më 22 Mars 1908, në “Knights of Honor Hall in Boston” me fjalët: …dita kur Fan Noli drejtoi liturgjinë e parë në gjuhën shqipe, është një pikë kthese në historinë e Rilindjes Shqiptare. Atë Noli do të mbetet në histori të Shqipërisë si burri që arriti i pari, me hir të vullnetit dhe të hollësisë së tij, të kllasi zyrtarisht gjuhën shqip në meshë. Ne nuk do ta harrojmë atë, dhe për më pak të lejojmë të tjerët ta harrojnë ! Po në këtë ditë është themeluar edhe Kisha e Shën Gjergjit, ku pranë saj Noli ngriti edhe korin që e drejtonte vetë, i cili i shërbeu si për shërbesat fetare edhe për ato laike. Më tej, në verën e vitit 1911 predikon shqip në kishat e shqiptarëve në Europë, përkatësisht në Rumani dhe në Bullgari kurse një mësonjëtore korale, Noli mendoi ta themelonte më 1923, kur u emërua mitropolit i Durrësit. Pasioni i tij për këndimin koral në gjuhën shqipe shfaqet shumë vite më vonë, ku në një fotografi të vitit 1942, jepet Theofan Stilian Noli me pjesëtarët e Korit të Kryekishës Shën Gjergji në Boston, të cilët këndojnë shqip në radio-programin “Zëri i Shqipërisë” i filluar më 12 Qershor 1938.

Së dyti, kemi përpjekjet e Nolit si deputet dhe më pas si Kryeministër për krijimin dhe zyrtarizimin e një jete muzikore në Shqipëri. Noli gjithmonë besonte se zgjimi artistik me anën e muzikës, hollësimi i shijes, krasitja e mendjes së lopësuar të shqiptarit të sotmë me harmoninë e tingujve, janë vepra që meritojnë lëvdatat më të mira. Njihet mbështetja e tij konkrete për veprimtarinë e bandës “Vatra” në Shqipëri në vitet 1920-1924 si dhe planet për krijimin e disa institucioneve muzikore në këtë periudhë. Vlen të përmendet kujtimi që sjell Thoma Nasi gjatë qeverisjes së shkurtër të Imzot Fan S. Nolit si kryeministër i Shqipërisë (16 qershor-24 dhjetor 1924). Ai thotë se Noli ëndërronte të themelonte një konservator muzike për të rinjtë shqiptarë dhe për këtë kërkonte që të sillte nga Italia një grup muziktarësh të klasit të parë, për të dhënë mësim dhe për të krijuar njëkohësisht edhe bërthamën e parë të një orkestre simfonike të Shqipërisë! Konica e përforcon atë kur thoshte se: Fan Noli jo vetëm është i ditur në muzikë, po ka zotësinë e rrallë të stërvitë të tjerë në atë mjeshtëri të bukur, dhe t’i stërvitë në pak kohë. Ç’humbje për Shqipërinë, që një njeriu të atillë nuk i jepet rasti të organizojë stërvitjen muzikale të popullit në shkolla të vendit !

Vetë Noli filloi të ushtrohej në veglën muzikore të kornos nën drejtimin e Nasit gjatë kohës që ai drejtoi qeverinë në Tiranë etj. Rrëzimi i qeverisë së Tij bëri që kjo ide të dështonte. Gjithsesi, gjatë qeverisjes së Nolit, Tirana po jepte shenjat e një kryeqyteti me jetë artistike, ku nuk duhet të tingëllojnë të çuditshme për veshët shkrime si ai për “Korin rus” (dedikuar koncerteve të një kori rus në shtatorin e vitit 1924), ku pjesëmarrja e publikut tiranas në të çmohej si një kurë e domosdoshme, një pastrim ! Ky rizgjim kulturor i kësaj periudhe sipas Ernest Koliqit kishte lidhje të drejtpërdrejtë me standardet e reja europiane të qeverisjes së Fan S. Nolit dhe të Luigj Gurakuqit. Sipas tij:… kur fati e solli Fan S. Nolin me u vu në krye të qeverisë shqiptare, vendi i ynë nisi menjëherë të ndërrojë fytyrë. Një frymëmarrje lirije qarkulloi në rendime shtetnore e në mbarë jetën e kombit. Ra ndryshku shekulluer lanë trashigim nga pushtimi azjatik; kultura zuni kryet e vendit tue zevendësue drejtime të maparshme qi spikatshin për mungesë pregatitjeje përkatëse në dega t’administratës qeveritare. Djelmënis s’arsimueme iu caktue tekembramja vendi qi i përkiste në jetë të kombit. Atdhetarët të lanun mbas dore, qi kishin shkri mundë e djersë e qi kishin ende të çiluna në shtat varrët e marruna në lufta të Rilindjes, gjetën kuptim e çmim . Kësaj periudhe të ndriçuar kulturalisht i kushtoi poezinë e tij “Inedite”, Sejfulla Malëshova :

Me fyell e xhura këndoi Naimi,

Sa duf e mall kishte ligjërimi.

Pastaj rrëmbeva me duf vigani,

Lahutë Fishtë-Lirë Theofani.

Pastaj me mandolina e me saze,

Dëgjoi Shqipëria ca avaze;

Mandolinën dhe sazet unë i theva

Dhe bririn e Dianës e rrëmbeva.

Së treti do të inkuadronim veprimtarinë konkrete të Nolit si kompozitor muzike e muzikolog, në favor të një përmase dhe orientimi evropian i krijimtarisë. Në vitet 30` të shek XX-të shmanget nga politika dhe merret sistematikisht me studime, muzikë dhe veprimtari të fesë. Më 1938 përfundon konservatorin e New Englandit për kompozim. Tek “Autobiografia” shprehet se: …kur u ktheva në Shtetet e Bashkuara më 1930 hoqa dorë nga politika ndërkombëtare dhe iu ktheva muzikës. Kam kompozuar një poemë muzikore -“Skënderbeu” dhe një rapsodi shqiptare për orkestër të plotë, një këngë për tenor e orkestër -“Gaspari i Varfër” dhe kam botuar dy himne të kishës ortodokse në gjuhën angleze. Kontributi im më i madh në këtë fushë është një libër: “Bethoveni dhe Revolucioni frëng”, që merret me ideologjinë politike të kompozitorit të madh. Ndër të tjera përmendim edhe “Psalmi 137”-Anës lumenjve të Babilonisë; “Sonatën në tri kohë”, për violinë e piano; “Uverturën bizantine” dhe kontributet e tij për liturgjinë ortodokse me “Hymnoren”, Boston, Mars 1936 etj. Veprat e tij për orkestër simfonike “Skënderbeg”,”Rapsodi Shqiptare” dhe “Gaspari i Varfër”, për tenor dhe orkestër, janë tipike për sa u përket përsiatjeve tona. Tek to do të hasim si shtratin e muzikës bizantine, prej nga ai nisi formimin muzikor, ashtu edhe shkëputjen prej saj. Kjo pasi si kërkues i gjendjeve të përveçme në çdo fushë të veprimtarisë artistike, Fan Noli e synoi këtë shkëputje me tendencë. Situata shfaqet më së miri në organizimin tematik të veprave, ku ai përshkruan pothuajse gjithë historinë e krijimtarisë muzikore. Rasti më tipik në krijimtarinë muzikore shfaqet te citimi i drejtpërdrejte melodik i “Marsejezës” dhe “Internacionales”, si dhe te punimet muzikologjike të cilat janë “kryepunë” shkencore dhe akoma më larg botës së fesë etj. Gjithashtu vërehet se baza e shprehjeve të tij muzikore përbëhet nga disa stilema dhe intonacione kombëtare që burojnë kryesisht nga vetëdija e tij.

Së fundi rëndësia e “skizmit” është shumë e madhe, pasi shënon aktin e parë të emancipimit dhe profesionalizmit të muzikës sonë të re, duke i paraprirë zhvillimit intensiv dhe cilësor të saj pas Luftës së Dytë Botërore, pra në gjysmën e dytë të shek.. XX.





Në datëlindjen e Fan Stilian Nolit

Burrë shteti, atdhetar demokrat, klerik i lartë, poet, përkthyes, publicist, dijetar, historian e muzikolog. Fan Noli është një nga figurat më të ndritura të kombit tonë. Fan Noli lindi në Ibrik Tepe në Edrene (Turqi), ku përfundoi dhe shkollën e mesme. Më 1904 shkoi në Egjipt, ku punoi si mësues e gjatë kësaj kohe u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit. Në këtë kohë përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç`ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”. Më 1907, pas vajtjes së tij në Amerikë, krijoi shoqërinë “Besa-besë” në Boston.

Më 9 shkurt 1908 , Fan Noli u dorëzua dhjak dhe në mars 1908, kryeprifti ortodoks i Nju Jorkut e shuguroi prift ortodoks. Disa ditë më pas, Noli mbajti liturgji në gjuhën shqipe për herë të parë në Boston. Në korrik 1919, Noli u zgjodh Peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Përpjekjet e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare, u përmbushën më 1937, kur Patriarkana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Shqiptare Autoqefale.

Nga viti 1909 deri më 1911 botoi gazetën “Dielli” dhe bashkë me Faik Konicën themeloi më 1912 Federatën Panshqiptare Vatra të Amerikës. Në vitin 1912 përfundoi studimet e larta në fakultetin e filozofisë në Universitetin e Harvardit dhe vite më vonë, më 1938 mbaroi studimet e larta në Konservatorin e Muzikës së Bostonit. Në vitin 1920 Noli u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku nëpërmjet anëtarësimit të Shqipërisë në këtë lidhje, Shqipëria mori një njohje ndërkombëtare. Në 1921 ai botoi veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”. Në qershor 1924, Fan Noli u bë figurë udhëheqëse në luftën për shndërrime demokratike në shoqërinë shqiptare. Me fitoren e Lëvizjes së Qershorit (1924), u vu në krye të qeverisë demokratike si kryeministër për një periudhë 6-mujore. Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publicistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat e Omar Khajamit, romanin “Don Kishoti” të Servantesit etj.. Fan Noli u shua më 13 mars 1965 në Ford Laurderdale, Florida të SHBA-së. Fan Stilian Noli ka lindur më 6 janar 1882 – 13 mars 1965.


(Prof. Dr. Vasil S. Tole ka lindur më 22 nëntor 1963 Përmet, Shqipëri, është kompozitor dhe etnomuzikolog. Shkollën e mesme e ka kryer për violinë, në vitet 1978-1982 pranë shkollës artistike “Tefta Tashko Koço”, në Korçë. Në periudhën 1983-1987 përfundon Institutin e Lartë të Arteve, në Tiranë, në degën e Kompozicionit dhe pas diplomimit, deri më 1991, punon në qytetin e Përmetit pranë Shtëpisë së Kulturës “Naim Frashëri”. Prej vitit 1991 është pedagog i Kompozicionit dhe Folklorit Muzikor Shqiptar në Fakultetin e Muzikës pranë Akademisë së Arteve, në Tiranë. Më 1994 mbron disertacionin për gradën e Doktorit të Shkencave Etnomuzikore me temë “Aspekte historike në evolucionin e muzikës popullore instrumentale të Shqipërisë së Jugut”. Në vitin 1994-1995 kryen specializimin pasuniversitar për Kompozicion në Folkwang Hochschule në Essen-Gjermani, nën drejtimin e Prof. Wolfgang Hufschmidt dhe, më 1996, bën studime të postdoktoranturës pranë Universitetit të Athinës. Në vitin 2000 fiton titullin e Mjeshtrit të Kerkimeve=Profesor i Asociuar.
Autor i monografisë “Muzika dhe Letërsia”, ONUFRI-1997; “Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së Jugut” + C.D, Tiranë 1998; “Folklori muzikor-polifonia shqiptare”-I, Sh.B.L.U 1999; “Folklori muzikor-strukturë dhe analizë”, Sh.B.L.U 2000; si dhe i shumë artikujve në shtypin periodik dhe atë artistiko-shkencor. Ka marrë pjesë në kongrese, simpoziume dhe veprimtari të tjera mbi muzikën, në vende të ndryshme si në Hollandë, Francë, Itali, Austri, Greqi etj. Veprimtaria e tij muzikore përfshin atë simfonike, muzikën e dhomës dhe për instrumente solo e cila është luajtur në Shqipëri si dhe në vende të ndryshme: Itali, Gjermani, Austri, Bullgari, Greqi etj. Ka fituar disa çmime, si atë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për kompozitorin e ri më të mirë (1990), çmime në Festivalet “Ditët e Muzikës së Re Shqiptare” (1993,1994,1995,1997), në “Festivalin e Romancave Shqiptare” (1996, 1999), çmimin e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve për baletin me një akt (1998) etj. Është anëtar i kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve (2000), anëtar i “Albautorit” (1992), bashkëthemelues i shoqërisë artistike “Elena Gjika”-Përmet (1990), bashkëthemelues i shoqatës së “Muzikës së re” (1993), themelues i seksionit shqiptar të “Rilm abstract literature of music”, New York-USA (1995), bashkëthemelues dhe antar i kryesisë së seksionit shqiptar të C.I.O.F.F-it, President i Këshillit të Muzikës Shqiptare-anëtar i Këshillit Ndërkombëtar të Muzikës-UNESCO, antar i GEMA-s-Germany (1997), antar i SEM-it (1999)-USA, antar i IOV-Austri, drejtor i Teatrit të Operas dhe Baletit-Tiranë (1997-1999) etj,..


Veprat muzikore

Opera:

“EUMENIDES”, për solist, kor, recitues, valltare dhe orkester . - {2004}

Veprat për Orkestër:

“Eumenides”, për solist, korr dhe orkestër të madhe - {2001}

“Suita” me tema popullore greke, I,II - {2000}

“A Psalmodie bono”, për orkestër harqesh. (Interpreton orkestra e muzikes se re AMRA, Tirane.) - {1999}

“Trias” për flaut dhe orkestër simfonike - {1996}

“Genotip” për orkestër të madhe - {1996}

“Rend, rend or Marathonomak” - {1991}

“Koncert” - {1990}

“Kontrast”, variacion simfonik. - {1989}

“Poemë simfonike” - {1987}

“Suitë” me 4 kohë. - {1986}

Muzikë dhome:

“Dikotomi” për kuintet fryme. (Fl, Ob, Cl in b, Horn, Fagot). - {2000}

“Hoax” për V.cello solo. - {1999}

“Ep-event” për violinë, violë dhe v.cello. - {1997}

“Shatra-Patra” për 3 daulle. - {1997}

“W” in memoriam, për Cl, Violinë, V.Cello, Piano dhe Drum I,II,III. - {1995}

“DdA”, kuartet harqesh. (Interpreton kuarteti i Akademise se Arteve, Tirane.) - {1995}

“Avaz II” për 3 Viola, 5 Violina, 2 Fl, Cl, Drum I,II. (Interpreton orkestra kontemporane e Sofies, Bullgari.) - {1994}

“Avaz” për kuartet fagotësh. - {1994}

“Pheromones” për Fl, Cl, V.cello dhe Piano. - {1993}

“Epitaf dhe Britmë”, për kuartet harqesh, Fl, Cl, Fagot dhe Piano. (Interpreton ansambli kontemporan i Akademise se Arteve, Tirane.) - {1993}

“Metamorfozë” për 24 instrumentistë harqesh. - {1992}

“Pesë skica” për kuartet harqesh. - {1991}

“Rondo” për orkestër harqesh. - {1988}

Piano:

“R.I.P”. (“Rest in Peace”) - {1997}

“88”. - {1994}

“Age of Cage”. - {1993}

“Portret simbolik dhe vdekja e tij”. - {1992}

“Rondo”. - {1988}

Violinë dhe Piano:

Suitë me 6 kohë.- {1990}

Sonatë me 3 kohë.- {1988}

Klarinetë dhe Piano

Skerco - {1990}

Zëra Solo

“Iso-Gjëma”, për 16 zëra vajzash. - {1995}

Zë dhe Piano:

“Lundërtarët e vjetër”, për sop dhe piano. Poezia Arian Leka. - (2001)

“Përjetësia”, për bariton dhe piano. Poezia nga Lasgush Poradeci. - (2000)

“Ç’u mbush mali” për korr vajzash dhe piano. Poezia nga L. Poradeci. - (2000)

“Erë e borzilokut” për soprano, v.ni, v.c dhe piano. Poezia popullore. - (1999)

“Këngëzë” për soprano dhe piano. Poezia popullore - (1998)

“Sarajevaljum” për bariton dhe piano. Poezia Ervin Hatibi. - (1996)

“Bizantine”, për bas dhe piano. - (1994)

“Kosova”, për bas dhe piano. Poezia Ali Podrimja - (1989)

“Këngët e Jutbinës”. Cikël romancash për bariton, tenor dhe piano. - (1987)

Veprat muzikore në C.D.

Tek C.D-“Sazet…”, vepra “Epitaf dhe britmë” për ansambël, nr. 22. Publikuar nga TEKNOTRADE. Tiranë 1998.

Tek C.D-“Memus disco 2”, vepra “Trias” për flaut dhe orkestër, nr.4, CD/2. Publikuar nga Regione Siciliana, Itali 1997.

Libra:

Muzika dhe letërsia

Enciklopedia e muzikës popullore shqiptare

Odiseja dhe Sirenat

Folklori muzikor, isopolifonia & monodia

Sprovë për një fjalës të muzikës popullore homofonike të Shqipërisë së Veriut

Mirënjohjet

Muzikë

Fitues i çmimit MUZA të MKRS, për vepren me te mirë studimore në fushën e muzikës të botuar në vitin 2002. - (2003)

Fitues i cmimit MUZA të MKRS, për veprën më te mirë skenike për vitin 2001. - (2002)

Fitues i çmimit të pare në konkursin ndërkombëtar të kompozimit “Dimitri Mitropoulos”, Athinë nëntor 2001 me veprën “EUMENIDES”

Fitues i çmimit të tretë në festivalin e VI të “Romancës Shqiptare”-1999 me romancën “Erë e borzilokut”, poezia popullore. - 1999}

Fitues i konkursit për baletin me një akt të shpallur nga Ministria e Kulturës, me baletin “Stinët” me subjekt të Naim Frashërit. - 1998}

Fitues i çmimit të parë në konkursin ndërkombëtar “Il mondo in musica”, Fivizzano -Itali me veprën për orkestër harqesh “Rondo”. - 1998}

Çmimin e G.M.E.M (Grupi i Muzikës Eksperimentale Marsejë) për veprën “Shatra-patra” të interpretuar në konkursin ndërkombëtar “Ton de Leeuw”, në “Ditët e Muzikës së Re 1997”. - 1997}

Çmimi i parë për pjesën vokale “Sarajevalium”, në festivalin e tretë të “Romancës Shqiptare” - Tiranë. - 1996}

Çmimi i parë për kuartetin e harqeve “DdA” në festivalin “Ditët e Muzikës së Re Shqiptare” - Tiranë. - 1995}

Çmimi i dytë për “Pheromones” në festivalin “Ditët e Muzikës së Re Shqiptare” - Tiranë. - 1994}

Çmimi i tretë për “Epitaf dhe Britmë”, në festivalin “Ditët e Muzikës së Re Shqiptare” - Tiranë. - 1993}

Çmimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë për kompozitorin e ri më të mirë. Dhënë në “Konferencën Kombëtare të Talenteve të Reja” - Korçë. - 1990})


Përgatiti:Prof.Dr.Flori Bruqi,Ph.D

(Anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteveve Shqiptaro Amerikane)

Rrëfim për atë që mbetet

agimi-baci-rene-magritte
Shënime për romanin “Hide mbi kalldrëm”, Tom Kuka


 Autori duket se ka zgjuar gjuhën me të cilën është rritur, por edhe krenarinë për një qytet që po tret zakonet e së shkuarës së tij me shpejtësinë e së përditshmes. Përshkrimet e lagjeve dhe shtëpive, gjuha komunikuese dhe debatet lidhur me “besimin tjetër” ruajnë një Tiranë në kohë tjetër.



Nga Agim Baçi

A kanë kohë të tashme bisedat për njeriun, për jetën, për dashurinë? Askush që flet apo shkruan nuk mund të thotë se po rrok të tashmen e njeriut dhe se mund të ketë kohë të ndalur për ta përshkruar atë. Tom Kuka, autori i romanit “Hide mbi kalldrëm” ka fshehur në rrëfimin e tij jo vetëm emrin e vërtetë por edhe të tashmen në të shkuarën. Rrëfimi përshkruan një qytet me dashuri, vrasje, tradhti, hetime dhe “jetë pas perdes”. Përshkrimi i rrugëve, të dhënat për shtëpitë dhe gjuha e përdorur nga autori rikthejnë Tiranën që kemi njohur për vitet 30, e madje edhe shumë vite më pas. Caraci, pusi dhe budallai i fisit janë pasaporta se po flet pikërisht për ata që kishin krenarinë e ndërtimit të këtij qyteti, ndërkohë që hetimi, personazhet dhe vrasjet janë të përbotshme dhe një motiv për çdo qytet të madh apo dhe qytezë.

Autori duket se ka zgjuar gjuhën me të cilën është rritur, por edhe krenarinë për një qytet që po tret zakonet e së shkuarës së tij me shpejtësinë e së përditshmes. Përshkrimet e lagjeve dhe shtëpive, gjuha komunikuese dhe debatet lidhur me “besimin tjetër” ruajnë një Tiranë në kohë tjetër. Ndërkohë që problemet lidhur me vrasjet, prostitucionin, marrëdhëniet me paranë e sidomos “jetën e shthurur” nuk janë vetëm të saj kohe. Ata më shumë janë një çështje për një kryeqytet në miniaturë që has sot përditë motivet e shtuara, por jo të ndryshuara nga ajo që jo vetëm Tirana, por mbarë bota ka njohur në kohë.

Vënia në qendër të rrëfimit të hetuesit Di Hima është një gjetje që lehtëson rrëfimin në zbulimin e asaj që shpesh nuk e themi, që duket sikur nuk na përket, se nuk do ta marrë vesh njeri, se është vetëm e jona. Por ai ka zgjedhur të hetojë, e përmes hetimit edhe të na njohë me jetën e pathënë. Ka nota të një përshkrimi magjik, ku vdekja dhe dashuria nuk kanë kufij të ashpër, por as të qartë. Që në nisje, Di Hima është në mes të procesit fizik të dashurisë me Sadijen e tij, kur vijnë ta lajmërojnë për vdekjen e Andonit, tregtarit grek të floririt. Më pas gjithçka nis si një spirale për të mbërritur te motivet – që janë të përbotshme dhe të përhershme. Një dashuri e ndaluar, një e pathënë, një kalim caku.

“Di Hima hodhi përtej fundçen e duhanit dhe doli nga rrugica e Saraçëve, te Selvia, në Rrugën e Dibrës. Zallahi e madhe në rrugë, njerëz që bërtasin, që shesin, që të kapin për mënge. Njerëz me bark të fryrë që hyjnë e dalin nëpër qebaptore, burra të thinjur me mustaqe fshesë dhe vetulla kërleshe që pinë raki qysh në mëngjes. Erë mëlçish, gabzherrësh që skuqen me gjalpë. Kanë fjetur këta njerëz? Kanë parë ëndrra dje? Përse lëvizin të gjithë në një vorbull të vazhdueshme? Sa shumë që mbllaçiten? Shpretka e gjakosur sapo është futur në gojën e parruar të këtij katundari që përmbys sytë nga kënaqësia, shkund duhanin përtokë, ngjyen hudhrën e njomë në gjizë dhe e kafshon gjithë gaz…. Me këtë qytet takohet çdo mëngjes Di Hima, që mbylli derën e la pas shpine lulen e tij, Sadijen, e cila fle si gur. Ajo nuk flet kurrë për ëndrra, si dhe ai, nuk sheh syresh. Ndaj sot Diu mbeti pa fjalë që Vasilika paskësh parë një ëndërr, madje e paskësh parë aq të qartë sa dukej paralajmëruese”. (Tom Kuka “Hide mbi kalldrëm”, Pegi 2016, F.76)

Provokative është edhe fakti se autori Tom Kuka e ka vendosur edhe personazh Tom Kukën, si një varrmihës. Pra një rrëfyes që njësohet edhe si njeriu që hedh dheun e fundit mbi diçka që nuk duhet folur, edhe pse rrëfimi nis me një zbulim pas vdekjes së “Andon grekut”. Nga hetimi më pas del dashuria dhe rivaliteti i tij me Il Qosen për shegertin Fitim, inatet e së shoqes Vasilika për këtë “shkarje trupi” dhe gjithë jeta nën dhe e një qyteti ku jetojnë edhe Fili, komisionari italian, edhe Mit’hati librar, Xhepi “budall i fisit” dhe Il Qosja. Ky i fundit është në betejë me “grekun” për “të njëjtën sevda” me djaloshin, që për Andonin është Taqi, ndërsa për Ilin Timi. Një sevda që shkakton edhe krimin, që bëhet pasqyra e përshkrimit të jetës në një qytet ku jetojnë të gjitha.

Autori e mbështet rrëfimin tek grotesku, ironia dhe humori. Nuk synon “të përshkruajë të vërtetën”, por të gjejë rrugën për të shkuar drejt pikëpyetjeve të përhershme. Përshkrimi gati piktoresk ndërton Tiranën si një pikturë të vjetër, po ku ka vend gjithnjë për “interpretues të rinj të ngjyrave”. Mundet që rrëfimi të mos kacavirrej shumë pas gjetjes së unazës e as pas hapësirave të mëdha të “dashurive të shkara mes të njëjtave gjini” që ndonjëherë kalojnë rrëfimin për dashurinë e përditshme. Por proza e Tom Kukës i ka të gjitha ngjyrat, madje edhe aromat, të cilat në fund të librit të bëjnë të shohësh rreth e rrotull se mos edhe ti ke gjithë aromat e gatimeve mbi rrobat që ke mbajtur gjatë leximit.

Tre subjekte në një roman për dashurinë dhe modernitetin

ndue-dedaj


Romani “Unaza e virgjëreshes “ i shkrimtarit Ndue Deda


“Unaza e virgjereshës” përqendrohet në historinë e një “ burrneshe” të Shqipërisë së veriut, një temë e njohur që ka tërhequr deri vonë, madje edhe sot e kësaj dite, kërshërinë e të huajve për Shqipërinë ekzotike. Në romanin e tij autori Ndue Deda kërkon të depërtojë në botën e brendshme komplekse të virgjëreshës, ku forca e përbetimit në një anë dhe tërheqjet e instiktit femëror në anën tjetër janë në një ndeshje sekrete të denjë për vëshgimin e hollë të psikanalzës



Nga Preç Zogaj

Ndue Deda, një publicist i talentuar, i njohur si lëvrues i poezisë së kultivuar dhe hulumtues i trashëgimisë etnokulturore të krahinës së Mirditës e më gjerë, ka vite që i ka ardhur rrotull prozës së shkurtër e të gjatë si për t’u matur me të e vënë në provë aftësitë e tij për ta shkruar po aq mirë sa poezinë, esenë, reportazhin apo studimet. Romani i tij voluminoz “ Unaza e virgjëreshës”, botuar nga shtëpia botuese ‘Geer”, vjen si produkt i kësaj përgatitjeje të gjatë e të gjithanshme, që na kujton porositë dhe ekzigjencat e shkrimtarëve të tillë si Floberi në Francë apo Jakov Xoxa në Shqipëri për të mbledhur për librin që ke ndërmend të shkruash më shumë lëndë se sa do të përdorësh, duke e organizuar në mënyrë të tillë që lënda e papërdorur të kuptohet se është aty rreth e rrotull.

Siç mund të merret me mend nga titulli “Unaza e virgjereshës” përqendrohet në historinë e një “ burrneshe” të Shqipërisë së veriut, një temë e njohur që ka tërhequr deri vonë, madje edhe sot e kësaj dite, kërshërinë e të huajve për Shqipërinë ekzotike. Në romanin e tij autori Ndue Deda kërkon të depërtojë në botën e brendshme komplekse të virgjereshës, ku forca e përbetimit në një anë dhe tërheqjet e instinktit femëror në anën tjetër janë në një ndeshje sekrete të denjë për vëshgimin e hollë të psikanalizës, ku vullneti i gruas-burrë triumfon, por nuk e shuan kryengritjen e femrës brenda saj. Çfarë fshihej në personin e dyfishtë të virgjëreshës së përbetuar, një grua nën maskën e një burri, apo një “ burrë” me fërgëllimat shpirtërore të një gruaje? “Unaza e virgjëreshës” i arratiset ekzotikës dhe steriotipeve të njohura për këtë temë dhe na çon te këto fshehtësi të ndjera , të dhimbshme, dramatike, që lidhen me shpirtin dhe natyrën e gruas. “Ky ishte teatri absurd shqiptar, pa maska, ku luhej drama e tjetërsimit të femrës”, thotë autori.

Por është e pasaktë të thuhet se libri në fjalë është historia e Dines, personazhit të burrneshës. Romani është shumë më kompleks se kaq, madje mund të themi se “Unaza e virgjëreshës” është një mozaik i tre romaneve më të vegjël apo nënromaneve që i bashkon metafora e dashurisë dhe modernitetit, si kredot shpirtërore, intelektuale dhe ideoartitike të autorit në sfondin e gjithë subjektit.

Është, së pari, romani i dashurisë së Bdek Divelit me Hirnen. Bdeku ( Benedikti) është një publicist dhe shkrimtar i njohur në Arbën. Hirna është një grua shumë e bukur në të njëjtin qytet, eksperte turizmi, mbesa e virgjëreshës Dine. Dashuria e tyre ka shkrepur dhe ka humbur një ditë të largët në një letër dashurie të shkruar e të fshehur nga Hirna në faqet e një libri që nuk do të hapet për shumë vite nga Bdeku. Shumë vite me vonë ata do të ritakohen si në baladat e rinjohjes. Ai ka një grua, ajo ka një burrë, të dy kanë fëmijë, por e gjithë jeta e tyre në njëzet e vitet e ardhshme do të jetë një tundim dhe një përpjekje për t’u rikthyer në dashurinë e papërmbushur në korrigjim të devijimeve që kanë ndodhur. Ky është ligji i dashurisë.

Është një histori tipike nga ato që i gjejmë shpesh në letërsinë botërore, por që në faqet e romanit të Ndue Dedës ka veçorinë se vjen për ta tronditur mjedisin e mbërthyer gjatë në një dogmatizëm arkaik, viktimë e të cilit ka qenë rëndom pikërisht shpirti i dashuruar dhe i lirë. Romanca e dashurisë së Bdekut dhe Hirnes si roman i jetuar ecën paralelisht me romanin për virgjëreshën që Bdeku e mbledh pjesë-pjesë nga largësia e viteve dhe e bashkon siç bashkohen puzlat, duke krijuar kësoj mbivendosje dhe nënvendosje që lidhin natyrshëm të shkuarën me bashkëkohoren. Autori, siç e cekëm në fillim, kërkon ta shpjegojë por edhe ta shmitizojë tjetërsimin e virgjereshës, duke vënë në shënjëstër të mendjes së hapur një tabu atavike penalizuese për femrën në raport me mashkullin në lidhje me virgjinitetin.

Romani i tretë, që mund të konsiderohet edhe si sfondi apo dekori i dy të parëve, është një qytet i imagjinatës me emrin Arbni, diçka e ngjashme me Mirditën e dikurshme të shtetit të Arbnit, që ka dalë nga nëntoka dhe harrimi dhe po ngrihet si një metropol i civilizimit bashkëkohor me teatrin e vet, me klubin e elitës, me filialin e Univeristetit, me parkun arkeologjik, me rilindjen e katedraleve mbi rrënojat e të vjetrave, me turizmin kulturor, me emrat dhe toponimet kuptimplote të gjuhës së vendit, me gazetarë, avokatë, profesorë, skulptorë, bankierë, punonjëse bankash… Mbi gjithë këtë konfigurim lartohet scriptoriumi i vjetër i murgjve bendediktinë, i restauruar, ku Bdek Diveli tërhiqet për t’i dhënë dorën e fundit romanit të virgjëreshës, në të vërtetë për t’i mbivendosur atij romani poemën e tij të dashurisë për Hirnën.

Në prag të Krishtlindjeve lexova një shkrim të Artur Zhejit ku akuzonte indiferencën e shtetit shqiptar për lënien pasdore të asaj pjesë të trashëgimisë sonë kulturore që lidhet me dëshmi identitare të historisë sonë europiane, siç janë katedralet, kishat, manastiret, abacitë, e tjerë. Më shkoi mendja se zoti Zhej kishte lexuar librin e Ndue Dedës, “Toka e katedraleve” ku autori evokon një traditë të pasur me ndërtime të tilla në krahinën e Mirditës, por pothuajse të zhdukur përgjatë kohës. Në romanin e tij “Unaza e virgjëreshës” Ndue Deda nuk ka pritur t’i dalë gjumi shtetit. Ka filluar ta “ndërtojë” vetë, në letër, me imagjinatë, Arbninë e zhdukur, atë vend ku banorët kishin dëshirë të mburreshin duke thënë se kishin patur fatin e lum të ishin një popull i bekuar që kishin patur një tempull të Zotit që bujarët arbër ia kishin blatuar kombit të tyre, një bazilikatë që pati nisur të lartohej madhështore përkundruall kuvendit të moçëm, asaj katedrales së vjetër në kushtim të shen Merisë që kishte mundur të mbërrijë deri në kohët e vona… Ndue Deda ecën në lëkurën e përsonazhit Bdek Diveli duke shënuar me dorë vendet e kujtimeve të mëdha ku duhet të rinisë e ardhmja. Imagjinata e ka hapur gjithmonë rrugën për të shkuar drejt qyteteve reale. Ashtu siç thuhet për poemat kozmike të Uitmanit që paralajmëruan flurimet kozmike të amerikanëve një shekull me vonë. Por Arbni nuk do të presë kaq gjatë, besojmë.

Sidoqoftë tani kemi romanin e Arbnit, që megjithë hallakatjen herëpashershme të panevojshme të lëndës, lexohet me endje si histori, si etnografi, si psikoligji, si poezi, si një tekst me një pasuri të veçantë leksikore dhe stilistikore.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...