2012-01-14

Reciprociteti është thelbi i barazisë dhe vetëm barazia sjellë marrëdhënie të mira. Serbia nuk është shtet normal dhe as fqinj i zakonshëm. Në kushtetutën e tyre shkruhet se Kosova është pjesë se Serbisë


 
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u ka bërë thirrje “të gjithë qytetarëve të mos bllokojnë rrugët, të mos bllokojnë vendkalimet kufitare të Republikës së Kosovës me shtetet e tjera dhe të mos pengojnë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave”.
Në një deklaratë të lëshuar nga kabineti për informim i zyrës së presidentes, thuhet se “paralajmërimi i Lëvizjes “Vetëvendosje” për organizimin e protestave paqësore, për bllokimin e mallrave që hyjnë në Kosovë nga Serbia, dhe për bllokimin e pikave kufitare në Merdarë dhe të Dheu i Bardhë, ka nxitur shqetësimet për mbarëvajtjen e këtyre protestave dhe për efektin e këtyre veprimeve”.
“E drejta e qytetarëve për të protestuar dhe në këtë mënyrë për të shprehur shqetësimet e tyre për një çështje është e drejtë legjitime dhe është e rregulluar edhe me Ligjet e Republikës së Kosovës. Organizimi i protestave paqësore nga një subjekt politik parlamentar, në këtë rast nga Lëvizja “Vetëvendosje”, ngërthen më vete përgjegjshmërinë për formën, qëllimin, zhvillimin dhe mbarëvajtjen e protestës”, citohet të ketë thënë presidentja Jahjaga.
Përcaktimin e “Vetëvendosjes” për të dalë në rrugë, zonja Jahjaga nuk e sheh si shterje të mundësive të veprimit brenda institucioneve të vendit.
“Vendi ynë ka nevojë për hapje të kufijve, për marrëdhënie të mira ndër-fqinjësore dhe bilaterale me të gjitha shtetet dhe për anëtarësim të plotë në të gjitha strukturat, organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë”, thotë mes tjerash presidentja Jahjaga.


Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se nesër, duke filluar nga ora 13, bashkë me qytetarë dhe organizata të ndryshme, do të bllokojë dy vendkalimet kufitare me Serbinë, përkatësisht mallrat që do të tentojnë të hyjnë në Kosovë.
Lëvizja Vetëvendosje një ditë para fillimit të aksionit “Serbia nuk kalon” ka bërë të ditur se do të përkujdeset që protesta të jetë paqësore.
Drejtuesit e Vetëvendosjes, thanë se rreth 200 persona do të jenë kujdestarë në dy vendkalimet kufitare me Serbinë që protesta të mos eskalojë.
Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti në një konferencë për media bëri të ditur se protesta e nesërme nuk do të bllokojë qarkullimin e lirë të qytetarëve, por do ta bllokojë hyrjen e mallrave nga Serbia në Kosovë.
“Reciprociteti është vlerë e Bashkimit Evropian. Shtetet në Bashkimin Evropian e njohin njëra tjetrën dhe janë në marrëdhënie reciproke. Nuk ka asnjë shembull tjetër në botë ku dy shtete që nuk kanë marrëveshje të paqes dhe që nuk e njohin njëra tjetrën megjithatë kanë marrëveshje me të tregtisë së lirë siç është rasti më Kosovën dhe Serbinë”, tha Kurti.
Ai tha se protesta e nesërme nuk është kundër serbëve të Serbisë e as atyre të Kosovës, por është kundër vetë Serbisë.
“Protesta jonë paqësore është e drejtuar kundër Serbisë, e cila prej Kushtetutës së saj ku shkruan që Kosova është pjesë e Serbisë, e deri te deklarata e qëndrimi dhe sjellja e nëpunësit apo zyrtarit me të ulët shtetëror ka qëndrime kundër pavarësisë së Kosovës dhe plane anti-shqiptare”, tha Kurti.
Protesta e nesërme organizohet pasi që Qeveria e Kosovës nuk po zbaton vendimin e Kuvendit të Kosovës ku me shumicë votash, deputetët e Parlamentit, më 7 dhjetor patën miratuar mocionin e Lëvizjes Vetëvendosje për marrjen e masave të reciprocitetit në raport me mallrat e Serbisë.
Për moszbatimin e këtij vendimi të Kuvendit, Kurti deklaroi se Qeveria e Kosovës është duke vendosur vetë se cilat vendime do t’i zbatojë e cilat jo.
“Konsiderojmë që Qeveria e Kosovës është rebeluar. Ajo është rebeluar kundër vendimit demokratik të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Qeveria nuk po e respekton rendin institucional. Qeveria thjesht po promovon anarki duke përzgjedhur në mënyrë arbitrare se cilat vendime, qëndrime e ligje të Kuvendit do t’i zbatojë, e cilat jo”, u shpreh Kurti.

Në një komunikatë për media bëhet e ditur se Policia e Kosovës (PK) ka hartuar urdhrin operativ të quajtur “Lëvizja dhe Qarkullimi i Lirë”, pas paralajmërimit të aksionit të Lëvizjes Vetëvendosje në pikat kufitare me Serbinë.
Në komunikatë sqarohet se do të ndalohen të gjithë ata qytetarë që pretendojnë të vijnë nga shtetet fqinje dhe që me veprimet e tyre cenojnë sigurinë e vendit si dhe të prishin rendin e qetësinë publike.
“Policia e Kosovës (PK), si institucion i zbatimit të ligjit, do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve si dhe të mallrave përmes vendkalimit kufitar Merdare dhe Dheu i Bardhë dhe në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën për medie të Policisë së Kosovës (PK).
Policia e Kosovës (PK) bëri të ditur se nuk do të lejojë asnjë bllokim i rrugëve si dhe asnjë afrim të protestuesve afër vendkalimeve kufitare dhe as bllokimi i tyre sipas tendencës së paralajmëruar nga përfaqësuesit e Vetëvendosjes. PK-ja apelon tek të gjithë qytetarët që t’iu shmangen të gjitha veprimeve të kundërligjshme dhe të mos bien pre e provokimeve.

Vetëvendosja shton përgatitjet për të shtunën, Albin Kurti përgatiti terrenin sot edhe në Podujevë, tha se do të jetë vetë në Mërdarë.

Udhëheqësi i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha në Podujevë se më 14 janar do të jenë në mbrojte të kufirit të Kosoves dhe vendimit të Kuvendit të Kosovës. Ai tha se nuk do të jenë të dhunshëm të shtunën. Kurti tha se me 14 janar ai do të jetë i pari në pikën kufitare në Merdarë.
”Në Merdare do ta bllokojmë rrugën e mallrave serbe për në Kosovë dhe jo lëvizjen e qytetarëve. Do të qëndrojmë deri sa ta realizojmë qëllimin tonë dhe do të gjejmë forma që të jemi 24 orë në pikat kufitare. Ne do të angazhohemi që në Kosovë të fillojë një epokë e re, një fazë dhe një periudhë e re, ku qëllimi ynë është që t'ia marrim pushtetin Serbisë në Kosovë, e ky pushtet është politik e sidomos ekonomik e tregtar”, tha ai.
Gjatë një debati me qytetarë, Kurti iu përgjigj edhe deklaratave të ministrit Rexhepi, duke i bërë thirrje atij që ta urrejë më shumë Serbinë se sa Vetëvendosjen. Kurti ftoi Policinë e Kosovës të mos i nënshtrohen urdhërave të verbëra të Rexhepit.
Sipas zyrtarëve të Vetëvendosjes këto nisma janë për marrjen e pushtetit nga Serbia në mënyrë që të forcohet shteti i Kosovës. Sipas tyre Qeveria e Kosovës nuk po dëshiron ta forcojë shtetin e Kosovës duke mbajurt pushtetin e dobët.

Lëvizja Vetëvendosje u ka bërë thirrje qytetarëve të Shqipërisë që të mbështesin nismën e saj për bllokimin e pikave kufitare me Serbinë në respektim të vendimit të Kuvendit të Kosovës për vendosjen e reciprocitetit të plotë ekonomik dhe politik me Serbinë. Kreu i kësaj lëvizje Albin Kurti në konferencën e mbajtur në Tiranë u shpreh se “aksioni nuk ka të bëjë vetëm me Kosovën por me të gjithë shqiptarët kudo që janë”.
Kurti ka nënvizuar se i duhen dhënë fund pabazisë mes dy shteteve. “Reciprociteti është thelbi i barazisë dhe vetëm barazia sjellë marrëdhënie të mira. Serbia nuk është shtet normal dhe as fqinj i zakonshëm. Në kushtetutën e tyre shkruhet se Kosova është pjesë se Serbisë” , tha ai duke shtuar se “Më shumë ka shqiptar në Serbi se sa ka serb në Kosovë dhe ata janë të diskriminuar dhe të persekutuar edhe pas 12 vite pas luftës në Kosovë”.
Sipas Kurtit, kishte një plan të qartë për dëmtimin e forcës prodhuese të Kosovës që prej luftës pasi kane “djegur 120 mijë shtëpi të Kosovë ka shkatërruar 16% të bagëtive dhe ka djegur më shumë se gjysmën e traktorëve, që do të thotë se në luftë e fundit Serbia nuk është mundur për eliminojë jetën por edhe forcën prodhuese”.
Kurti bëri thirrje për një bashkim ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës duke ftuar që të përfitojë nga bllokimi i importit të produkteve serbe.
“Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete që i përkasin kombit shqiptar që është edhe më i madh se këto dy shtete. Këto dy shtete duhet të punojnë për kombin shqiptar. Duhet të mbrohemi pasi vetëm kësisoj kombi do të jetë i qëndrueshëm dhe i fuqishëm. Kosova dhe Shqipëria duhet të bëhen komplementare ekonomikisht, kjo do të ishte në favor të të gjithë shqiptarëve. U bëjmë thirrje që të bashkohen me 14 janar pasi me mbrojeni e kufirit mbrohet kombi shqiptar”, theksoi Kurti gjatë konferencës.

Shpend Ahmeti bëri thirrje që hapësira që do të krijohet nga bllokimi i produkteve serbe mund të mbulohet nga kompani të Shqipërisë. Aktualisht sipas tij “Shqipëria ka vetëm 3% të eksportit në Kosova ndërsa Serbia ka 15%, këtë duam ta ndryshojmë pas 14 janarit”. Kjo sipas Ahmetit ndodh për pasi “produktet e Serbisë subvencionohen për tu shitur në Kosovë. Pasi ka disa produkte të cilat kushtojnë më lirë në Kosovë se sa bën Serbisë”.
Bllokimi i pikave të kalimit kufitar me Serbinë sipas organizatorëve të Lëvizjes Vetëvendosje do të zgjasë deri sa “qeveria e Kosovës të marrë masa për respektimin e plotë të reciprocitetit – që mund ta bëjë me një vendim të rregullt”. Bllokimi sipas tyre do të bëhet me trupa ku qytetarët do të qëndrojnë 24 orë në rrugë për të mos lejuar qarkullin e automjeteve. 
Albin Kuri, lider i Lëvizjes Vetëvendosje megjithatë nuk është arrestuar ashtu siç kishte njoftuar më parë kjo Lëvizje. Albin Kurti, sipas kësaj Lëvizjeje, për shkak të një lëndimi, ishte dërguar në një autoambulancë për të marrë ndihmë mjekësore dhe aktivistët e Lëvizjes kishin menduar se është arrestuar. Gani Krasniqi, Blerim Maqestena, Salih ZYba, Hysen Durmishi, Naser Shatri dhe 13 të tjerë, dy nga ata kanë nevojë për mjekim nga sprej. Këta janë në stacionin policor në Besianë.
Sipas Vetëvendosjes në Besianë, te Qendra Tregtare “Albi Center”, qindra protestues po sulmohen brutalisht nga Policia e Kosovës.
Mbështetësit nga Tirana janë lejuar të kalojnë kufirin dhe janë duke ardhur për t’iu bashkuar protestuesve.
Sipas njoftimeve të fundit Kurti tashmë ka lënë autoambulancën dhe iu ka bashkuar protestuesve.
Vetëvendosje: Është arrestuar Kurti
Policia e Kosovës ka arrestuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, ka bërë të ditur kjo Lëvizje në rrjetin social, Facebook. Po sipas këtij njoftimi, të arrestuar të tjerë janë edhe Sali Zhyba dhe Fisnik Ismaili. Nuk ka njoftim zyrtar për këtë arrestim.
Tensionohet situata lëndohen policë dhe protestues
Policia e Kosovës konfirmon incidentin e parë në qytetin e Podujevës, në ballafaqim me protestuesit e Vetëvendosjes. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha se janë lënduar dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ndërsa po tentonin të ndalnin turmën e aktivistëve të Vetëvendosjes të cilët kishin për synim të ballkonin kamionët të cilët vinin nga Serbia ne Kosovë.
Gjendja tash raportohet e qetë. Kelani nënvizoi se Policia e Kosovës është e vendosur që të zbatojë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë. Ndërkohë reporteri ynë nga tereni njofton se si pasojë e gazit lotsjellës kanë kërkuar ndihmë pesë protestues.
Albin Kurti: Ne ia arritëm qëllimit, u ndaluam mallrat nga Serbia
Pikërisht në ora 13 në udhëkryqin e Podujevës te hotel Besiana që është në një largësi prej 6 kilometrash nga pika kufitar e Merdares, lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti i është drejtuar masës së tubuar që përbëhej nga qindra veta, kryesisht të rinj nga Podujeva por edhe të ardhur nga Prishtina e vendet e tjera, duke u thënë se qëllimi ynë është arritur dhe ne sot kemi ndaluar hyrjen e mallrave nga Serbia në Kosovë.
Në ndërkohë, një kordon i madh i policisë së Kosovës ka bllokuar shkuarjen e protestuesve drejt pikës kufitare në Merdare dhe kështu në udhëkryqin që qon në hyrje të Podujevës është krijuar një “tollovi” e madhe me prani të policëve të Kosovës dhe të protestuesve. Policia e Kosovës por edhe protestuesit po e lejojnë qarkullimin e automjeteve për në Merdare dhe ardhjen e tre prej kësaj pike kufitare, por të gjitha këto automjete mbajnë targa të Republikës së Kosovës.
Deri në momentin kur po raportojmë nuk ka ndodhur asnjë ekses në mes të policisë së Kosovës dhe protestuesve në ndërkohë që po dëgjohen brohoritje të protestuesve kryesisht për ndalimin e mallrave nga Serbia. “Bota sot” në çdo kohë do të ju sjell informacionet e fundit nga pikat kufitare në Merdare dhe te Dheu i Bardhë.

“Vetëvendosje” niset drejt kufirit, bllokohen autobusët nga Shqipëria
Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë bërë të ditur Në pikën kufitare Kosovë-Shqipëri, përkatësisht në Morinë, Policia e Kosovës po pengon qëllimisht kalimin e dy autobusëve me përkrahës të Vetëvendosjes që kanë ardhur nga Shqipëria.
Xhelal Sfeçla nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se përkrahës të kësaj lëvizjeje, të cilët janë duke ardhur nga Shqipëria për në Kosovë për të përkrahur Vetëvendosjen në protestën e saj, janë duke u penguar qëllimisht nga Policia e Kosovës që të hynë në Kosovë.
Ai thotë se rrugëtimi, përbrenda territorit të Kosovës në drejtim të Merdarës dhe Dheut të Bardhë, është duke ecur pa ndonjë pengesë.
“Deri më tani nuk vërejmë ndonjë pengës serioze përpos vonesave. Te pika kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës, autobusi jonë me qëllim është duke u vonuar nga Policia e Kosovës, me arsyen se sistemi ju ka dështuar, mirëpo për neve këto janë çështje burokratike. Aktualisht dy autobus janë të bllokuar në këtë pikë kufitare”, ka thënë Sfeçla.
Pejanët u nisen drejt pikave kufitare
Dy autobusë të mbushur përplot me qytetarë të Pejë, të moshave të ndryshme, kanë marr rrugë të shtunën në mëngjes drejt dy pikave kufitare Merdare dhe Dheu i Bardhë, të cilat Lëvizja Vetëvendosje! ka planifikuar që t’i bllokojë për mallrat serbe.
Deputetë dhe aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje kanë filluar nisjen e organizuar drejt pikave kufitare me Serbinë, Merdarë dhe Dheu i Bardhë.
Pak pas orës 11 nga selia e Vetëvendosjes në Prishtinë u nis drejt Merdarës edhe lideri i saj, Albin Kurti, bashkë me deputetë dhe anëtarë të kryesisë. Protesta pritet të nisë në orën 13, siç është njoftuar gjatë ditëve të fundit nga lëvizja Vetëvendosje.
Krerët e saj i kanë ftuar shqiptarët nga e gjithë Kosova, por edhe nga vendet fqinje – Shqipëria e Maqedonia, që të bashkohen në pikat kufitare, ku, siç thonë ata, do të jetë një protestë paqësore për të
Forca të shumta të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës dhe të EULEX-it janë vendosur në pikën kufitare në Merdarë. Në këtë pikë vërehen edhe automjete të blinduara të PK-së, si dhe automjete tjera, të Policisë së Kosovës e të EULEX-it.
Shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri është nisur me veturën e tij personale të tipit Renault Clio për në pikën kufitare Dheu i Bardhë, ku në ora 1:00 është paralajmëruar bllokimi i kësaj pike nga aktivistët e kësaj lëvizjeje.

Ymeri shoqërohet nga katër aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa bëhet me dije se gjashtë kilometra para hyrjes kufitare drejt Serbisë, Dheu i Bardhë, Policia e Kosovës ka ngritur një postbllok.
“Serbia nuk kalon” – është ky slogani i fundit i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), që sot pritet të zbatohet në dy pikat kufitare që e lidhin Kosovën me shtetin serb, përkatësisht në Merdare dhe në Dheun e Bardhë.
Plani për të bllokuar hyrjen e mallrave serbe është kundërshtuar ashpër, si nga autoritetet kosovare, ashtu edhe nga ato ndërkombëtare, por aktivistët e Vetëvendosjes (VV) mbeten të vendosur për, siç thuhet, zbatimin e plotë të reciprocitetit tregtar, ekonomik dhe politik ndërmjet dy vendeve.
Ata kanë premtuar se protesta do të jetë paqësore, duke iu përgjigjur frikës së zyrtarëve për mundësinë e përshkallëzimit të saj në dhunë.
Për mbarëvajtjen e qetë të protestës do të angazhohet edhe Policia e Kosovës, në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare të
rendit.
Përkrahësit shqiptarë të Lëvizjes Vetëvendosje, mbajnë një flamur që thotë se "Ne jemi një" para se të udhëtojnë për të kufiri i Kosovës me Serbinë për të ndihmuar në bllokimin e qarkullimit të mallrave serbe në Kosovë, Tiranë 14 janar 2012.

Siç raporton “Shekulli”, EULEX-i dhe Policia e Kosovës kanë ushtruar dhunë fizike ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes, dhe me këtë rast, janë arrestuar tre aktivistë nga Tirana.
Nga dogana e Morinit, bëhet e ditur se pas dy orë e gjysmë pritjeje, policia e Kosovës, në bashkëpunim me forcat e EULEX-it, kanë zbritur të gjithë aktivistët e Vetëvendosjes nga autobusët dhe kanë nisur kontrollin e mjeteve dhe personave.
Asnjë arsye nuk është dhënë për mbajtjen aq gjatë në doganë të autobusëve, ndërkohë që bëhet e ditur se në Morinë nuk ka patur as radhë dhe as probleme në sistemet kompjuterike të kontrollit.
Edhe Vetëvendosje informon se për rreth dy orë janë ndaluar autobusët mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje, në pikën kufitare në Morinë, që vinin nga Tirana, nga Policia e Kosovës. Më pas ju është komunikuar që nuk do të lejohen të kalojnë kufirin për “shkaqe teknike”.
“Kur aktivistët provuan të kalojnë në këmbë, policia ka ndërhyrë ashpër së pari duke rrahur një aktivist brenda në autobus vetëm se ka shpalosur flamurin kombëtar, dhe më pas edhe duke përdorur sprej lotsjellës. Gjendja është e tensionuar, aktivistët dhe qytetarët po kërkojnë përgjigjen me shkrim për ndalesën e tyre”, thuhet në një njoftim të Vetëvendosjes.
Vetëvendosje u bën thirrje autoriteteve kufitare t’i lëshojnë qytetarët duke respektuar të drejtën e tyre legjitime për të marrë pjesë në protestën paqësore “Serbia nuk kalon!”.
Bëhet e ditur se një përfaqësues i aktivistëve nga Tirana është futur në një takim me drejtuesit e pikës doganore. Burimet bëjnë të ditur se drejtuesit e doganës kanë informuar aktivistët e Vetëvendosjes se nuk mund të kalojnë kufirin as në këmbë as me autobus





Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...